• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Speciale e Diellit- Përkujtohet Akademik Fehmi Agani, Hero i Kosovës

May 6, 2020 by dgreca

-Presidentit historik të Kosovës, Ibrahim Rugova, me një dekret të veçantë ka dekoruar bashkëpunëtorin më të afërt akademik Fehmi Aganin me Urdhrin Hero i Kosovës, për vepra trimërie për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës. Duke e shpallur këtë vendim në 6 maj 2004, Presidenti Rugova theksonte, se “së bashku me Profesor Aganin i vendosëm themelet e shtetit të pavarur të Kosovës dhe funksionimin e tij”/

Gazeta DIELLI nga korrespondenti në Kosovë Behlul Jashari

PRISHTINË, 6 Maj 2020/ Përkujtohet e nderohet akademik Fehmi Agani, i vrarë 21 vjet më parë, në 6 maj 1999, nga forcat serbe derisa po udhëtonte nga Kosova drejt Maqedonisë mes shqiptarëve të dëbuar nga vatrat e veta.

Presidentit historik të Kosovës, Ibrahim Rugova,

me një dekret të veçantë ka dekoruar bashkëpunëtorin më të afërt akademik Fehmi Aganin me Urdhrin Hero i Kosovës, për vepra trimërie për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës.

Duke e shpallur këtë vendim në 6 maj 2004, Presidenti Rugova theksonte, se “së bashku me Profesor Aganin i vendosëm themelet e shtetit të pavarur të Kosovës dhe funksionimin e tij”.

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, sot shkruan:

Në 21 vjetorin e vrasjes e kujtojmë me respekt të thellë profesorin Fehmi Agani, që ishte një prej figurave kyçe të lëvizjes politike për pavarësinë e Kosovës në vitet e nëntëdhjeta.

Në të gjitha periudhat e jetës së tij, si intelektual, si autor librash dhe shkrimesh, si politikan dhe si negociator, profesor Agani është shquar me dijen e madhe, me urtinë prej një mendimtari të thellë dhe me këmbëngulësinë e një atdhetari, që shqiptarët e Kosovës t’i fitojnë të drejtat që u takojnë, duke përfshirë edhe të drejtën supreme për të jetuar të lirë dhe për të pasur shtetin e pavarur.

Kam pasur fatin që të njihem me të dhe të bashkëpunojmë e të jemi së bashku si pjesë e delegacionit të Kosovës në Konferencën e Rambujesë.

Kontributi i tij për arritjen e marrëveshjes, që mundësoi më pas fushatën ajrore të Aleancës Veriatlantike dhe çlirimin e Kosovës, ka qenë i jashtëzakonshëm.

Politikanë dhe intelektualë të kalibrit të profesor Aganit i mungojnë shumë sot politikës në Kosovë. 

Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, dr. Vjosa Osmani, shkruan:

Sot, në 21-vjetorin e vrasjes, e kujtojmë njeriun e urtë e veprimtarin e madh, bashkudhëtarin politik të arkitektit të pavarësisë së Kosovës, dr. Ibrahim Rugovës, në lëvizjen e viteve ’90 për pavarësi, njërin ndër themeluesit e Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe mbi të gjitha, njeriun e dijeve e të ideve për konsolidimin e kombit, profesor Fehmi Aganin. Ai u vra më 6 maj 1999 nga regjimi gjenocidal serb i Millosheviçit. Vrasja e tij qe përpjekje për ta dobësuar vullnetin dhe këmbëngultësinë e shqiptarëve për liri dhe pavarësi.
Dr. Agani, njeri i urtë, tepër modest, por këmbëngulës në përpjekjen për jetësimin e idealeve të brezave për liri, qysh më 1968 qe njëri ndër bartësit e debatit për Republikën e Kosovës. Në vitet ’80 ai ngrehu zërin kundër diferencimeve politike dhe sidomos kundër ndryshimeve të dhunshme kushtetuese, për t’iu bashkuar nismës për themelimin e LDK-së, e cila u shndërrua në lëvizje të fuqishme kombëtare kundër ideologjisë totalitare dhe i bashkoi shqiptarët përreth idesë së lirisë. Profesor Agani i shërbeu vendit me gjithë qenien e tij prej dijetari e ideologu nacional. Ai ia dha lëvizjes urtinë e nevojshme për ta bërë të pathyeshëm idealin e shqiptarëve për liri dhe e mbajti të gjallë vazhdimisht ëndrrën për ta parë të jetësuar atë.
Profesor Aganin sot e kujtojmë si personalitet me mendim të thellë politik, promotor i mendimit politik ndër shqiptarë dhe i përafrimit të pikëpamjeve të ndryshme rreth projektit të shqiptarëve për liri, pavarësi e demokraci.

Në 21 vjetorin e vrasjes së Heroit të Kosovës Fehmi Agani, kryetari i LDK-së, Akademik Isa Mustafa dërgon këtë komunikatë për medie:

 “Lidhja Demokratike e Kosovës, sot kujton intelektualin, vizionarin dhe burështetasin e madh të Kosovës, që jetën ia kushtoi lëvizjes për liri dhe pavarësi. Agani ishte figura emblematike e LDK-së dhe bashkëpunëtor i ngushtë i Presidentit Historik të Kosovës, Dr. Ibrahim Rugova.

Ai i takonte plejadës së politikanëve që në kohët e vështira nën regjimin serb, e kishin të qartë rrugëtimin e tyre politik, në shtetformimin e Kosovës.

Vrasja e tij nuk ishte e rastësishme ngase veprimtaria e tij atdhetare dhe intelektuale ishte halë në sy për pushtuesin serb.

Njerëzit si Fehmi Agani, ndoshta ikin shpejt por veprat që lënë pas mbeten udhërrëfyes për brëza të tërë.

Ashtu siç thoshte Presidenti Rugova: “Kosova ndihet krenare me profesor Aganin, me veprën dhe figurën e tij”, ashtu ndihemi edhe ne për personalitetin e jashtëzakonshëm, të Fehmi Aganit. Vepra e tij është trashëgimi dhe vlerë e pakontestueshme e Kosovës dhe LDK-së në veçanti.

Rruga intelektuale dhe politike e nisur nga Agani mbetet misioni ynë për t’i kultivuar vlerat demokratike dhe shtetformuese.

Lavdi për jetë, intelektualit të madh, Fehmi Agani!”

DR. FEHMI AGANI NË VITIN 1994: SERBIA – AGRESIONI DHE  AGRESORI NUK DUHET SHPËRBLYER

Serbia – agresioni dhe  agresori nuk duhet shpërblyer, theksonte para 24 viteve akademik Fehmi Agani në deklaratën e dhënë, që e kam të botuar në gazetën e rezistencës, të lëvizjes e luftës për liri e pavarësi, “Bujku” në 26 shtator 1994, ku kam të botuar edhe intervistën ekzluzive, që më ka dhënë Presidenti historik i Kosovës Dr. Ibrahim Rugova, me titull “Politikë globale që sa më parë të bjerë muri mes shqiptarëve”. Ajo intervistë e parë e një presidenti të Kosovës për Agjencinë Shtetërore-Zyrtare të Lajmeve të Shqipërisë  – ATSH zhvillohej në kohë të rënda të okupimit e dhunës kundër shqiptarëve të Kosovës. “Një represion masiv në Kosovë ka rritur tensionet politike këtu dhe në rajon, ndaj është e domosdoshme prania ndërkombëtare”, e përshkruante situatën dhe e kërkonte zgjidhjen Presidenti Rugova, në intervistën ku fliste edhe për “lidhjet konfederale apo bashkimin me Shqipërinë” të Republikës së Kosovës, derisa bisedonim gjatë ditën e enjëte të 22 shtatorit 1994, në zyrën e tij, ku sot është muzeu – Shtëpia e Pavarësisë së Kosovës.

Gazeta “Bujku” në 26 shtator 1994:

DEKLARATË E DR. FEHMI AGANIT LIDHUR ME ZBUTJEN E SANKSIONEVE NDAJ SERBISË 

AGRESORI NUK DUHET SHPËRBLYER

-Sanksionet kryesore ekonomiko-financiare dhe bojkotimi ndërkombëtar i Serbisë nuk do të mund të suspendohen pa zgjidhjen e çështjes së Kosovës/ 

I pyetur lidhur me qëndrimin rreth vendimit të Këshillit të Sugurimit për zbutjen e sanksioneve ndaj Serbisë e Malit të Zi, nënkryetari i LDK-së dr. Fehmi Agani dje deklaroi:

Edhe pse përkrahim të gjitha përpjekjet për arritjen sa më të shpejtë të një marrëveshje për Bosnjën në bazë të propozimit të Grupit të Kontaktit, megjithatë lajmi për zbutjen e sanksioneve ndaj Serbisë, edhe pse është fjala për një zbutje të përkohshme e të kufizuar, në Kosovë nuk është për t’iu gëzuar.

Pikërisht, në kohën kur Serbia po pret zbutjen e sanksioneve ndaj saj, në Kosovë me brutalitet po zbaton sanksionet që ajo u imponoi Kosovës dhe shqiptarëve.

Megjithatë, shpresojmë se, siç është deklaruar shpesh nga instanca të ndryshme ndërkombëtare, sanksionet kryesore ekonomiko-financiare dhe bojkotimi ndërkombëtar i Serbisë nuk do të mund të suspendohen pa zgjidhjen e problemit të mdh të Kosovës, si dhe problemit të Krainës dhe problemeve tjera të ish-Jugosllavisë. Përndryshe, do të ishte kjo një shpërblim i agresionit dhe i agresorit, përfundoi dr. Fehmi Agani. B.J.

AGANI-16 SHKURT 1996: NË GJYKATËN E HAGËS, DOSJET E KRIMEVE SERBE MBI SHQIPTARËT 

Në një nga konferencat për shtyp në Prishtinë, në 16 shkurt 1996, ku ishte edhe korrespondenti në Kosovë tash i Gazetës DIELLI, duke u përgjegjur në një pyetje rreth asaj se çka është ndërmarrë në Kosovë për dërgimin në Gjyqin e Hagës të të dhënave për autorët e krimeve mbi
shqiptarët në Kosovë, dr. Fahmi Agani,  nënkryetar i LDK-së, tha se Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave e Lirive të Njeriut dhe Qeveria e Kosovës i kanë drejtuar këtij gjyqi dosjet e krimeve serbe mbi shqiptarët. “Shpresoj se ky gjyq do të punojë drejt dhe do të vijë në radhë edhe dosja e Kosovës”, tha Agani.

PIKËRISHT PARA 21 VITEVE NË 6 MAJ 1999 PËR AGJENCINË SHTETËRORE-ZYRTARE TË LAJMEVE TË SHQIPËRISË  KAM RAPORUAR EDHE KËTË LAJM:

https://groups.google.com/forum/#!msg/bit.listserv.albanian/mK-Kh_Wxs58/vqhG95O-gfIJ

Shqiptaret ne Prishtine – mburoje e gjalle

      KUFIRI JUGOR I KOSOVES, 6 maj- Korresp. i ATSH-se, Behlul
Jashari, njofton: Shume banore te Prishtines po mbahen peng dhe
po perdoren nga serbet si mburoje e gjalle. Ata jane detyruar te
qendrojne ne shtepite dhe banesat prane vendeve ku jane fshehur
arme dhe mjete te mekanizuara ushtarake si dhe neper objekte qe
mund te bombardohen nga NATO-ja, bejne te ditur burime te ATSH-se
ne Kosove.
      Shume familje jane detyruar te qendrojne per disa dite me
radhe prane postes se re te Prishtines, ne lagjen Dardania, thone
deshmitare okulare qe kaluan dje kufirin Kosove-Maqedoni.
      Shumica e te ardhurve jane femije dhe gra, ndersa burrat
jane marre nga forcat serbe. Gra nga rajoni i Llapit tregojne per
me se 200 te rinj e burra shqiptare qe i kane ndare nga familjet
dhe i kane marre ne rrugen midis Obiliqit dhe Prishtines. Te
deportuar nga fshati Hade i Obiliqit, tregojne per ekzekutimin e
13 shqiptareve. Mijrat e te debuarve gjate 24 oreve te fundit
jane krejtesisht nga rajonet e Llapit, Prishtines, fshatrat e
Ferizajt dhe te Lipjanit.
/pas/

http://www.hri.org/news/balkans/ata/1999/99-05-06.ata.html

[07] Albanians in Prishtina become human shields

SOUTHERN BORDER OF KOSOVA, May 6 – ATA correspondent Behlul Jashari reported that many residents of Prishtina were being held hostage and used by Serbs as human shields.

They were obliged to stay in houses and buildings near the places where weapons and military equipment were hidden and in buildings, which might be bombed by NATO, sources in Kosova said to ATA.

Many families have been obliged to stay for days near the new post building in Prishtina, in Dardania quarter, eyewitnesses entering Macedonia on Wednesday said.

Many of them are children and women while men have been separated by Serbian forces. Women from the Llapi region told of about 200 Albanian young boys and men separated from families in the road between Obiliq and Prishtina.

People deported from the village of Hade, Obiliq, told about the execution of 13 Albanians. Thousands of displaced people in the last 24 hours are mainly from Llapi and Prishtine regions and villages of Ferrizaj and Lipjan. /pas/ak/

Albanian Telegraphic Agency

LAJMIN QË SHKONTE NË GJITHË BOTËN E GJEJË SOT EDHE NË GJUHËN JAPONEZE:

https://hb6.seikyou.ne.jp/home/iura/9905.htm

Filed Under: Featured Tagged With: Behlul Jashari, Perkujtohet Fehmi Agani

Marrëveshja humbjes së lirisë

May 6, 2020 by dgreca

MARRËVESHJA THAÇI-VUÇIÇ-GRENELL HUMBJE E LIRISË SË KOSOVËS/

-Serbia nuk bënë të shpërblehet, ajo duhet të marr mësim dhe të dënohet për krimet barbare në Kosovë/

 MA. AGIM ALIÇKAJ*/

Lufta për pushtet në Republikën e Kosovës ka marrë përmasa absurde tragji-komike, shumë të rrezikshme. Radio-televizionet, gazetat dhe mediat sociale janë të mbushura plotë me shkrime, intervista, debate dhe komente të ndryshme, nga më të ultat e deri te ato me vlera të larta letrare dhe patriotike. Është e kuptueshme përpjekja e çdonjërit për të arsyetuar qëndrimet e veta, por sharjet, fyerjet, gënjeshtrat, mashtrimet, dezinformatat dhe falsifikimet e ndryshme janë të pakuptueshme dhe shumë të dëmshme. “O, tempora, O, mores!” – do të thoshte poeti i njohur Edgar Allan Poe.

A MUND TË SHPËTOI LDK NGA VETËVETJA!?

Më bëri përshtypje postimi i z. Fatmir Bajraj në Bota Sot Group me titull: “LVV-ja do ta djegë Malin për një Lis”, në të cilin mbrohej dhe arsyetohej plotësisht LDK-ja për të gjitha gabimet dhe dështimet 12 vjeçare duke i fajësuar të tjerët. Komenti im ishte si vijon:

 “Z. Bajraj,  Respekt për qendrimet tuaja. E konsideroj vetën të pavarur por jo të paanshëm kur është në pyetje ekzistenca e shtetit të Kosovës. Çështja nuk është aq e  komplikuar si e paraqitni ju. Po flasim për fakte dhe gjëra që shihen haptas, e jo për supozime dhe mashtrime të cilat shumica e popullit i ka kuptuar.

Në njërën anë është Hashim Thaçi, i cili ka kapitulluar para Serbisë dhe po e shet Kosovën. Ai ështe i ndihmuar nga partitë e korruptuara që ishin në pushtet, përfshirë edhe pjesën anti-Rugoviane të LDK-së me në krye Isa Mustafen, të cilat janë fajtore për dështimet e njëpasnjëshme të Kosovës si brenda ashtu edhe jashtë. Nga ana tjetër është z. Albin Kurti me Vetëvendosjen dhe znj. Vjosa Osmani me grupin përparimtarë Rugovian të LDK-së, të cilët janë kundër ndarjes shkatërruese të Kosovës dhe korrupsionit të pakufi. 

Populli kërkoi ndryshime dhe me 6 tetor i votoi këta të dy. Duhet shtuar se përkrahja për ta është në rritje e sipër dhe se në zgjedhjet e ardhshme mund të fitojnë më shumë se 50% te votave. Ju me disa të tjerë po tentoni ta friksoni popullin me kinse rrezikun nga “anti-amerikanizmi, unitarizmi dhe bolshevizmi “. Të kuptohemi, anti-amerikan dhe antishqiptar janë vetëm grupi i parë që e solli Kosovën para katastrofës, askush tjetër. Bolshevizmi dhe unitarizmi për popullin e Kosovës tash për tash janë çështje abstrakte.  Populli dëshiron ta shoh së pari punën e Albinit dhe Vjosës për ta vlerësuar, jo të rrezohen pa e treguar vehtën.

LDK rrezikon të përçahet keq dhe të dobësohet plotësisht me fajin e vet dhe jo të VV-s.  Mendoj se për të shpëtuar LDK-ja e ka vetëm një rrugë, tërheqja nga formimi i një qeverie “Thaçjane” të kontrolluar nga Vuçiçi, kërkesa për zgjedhje të reja sapo të kaloi virusi dhe largimi i një pjese të gardës së vjetër nga radhet e veta.  Në këtë mënyrë mund të forcohet dhe të mbetet relevante në zgjedhjet e ardhshme, të cilat pa marrë parasysh  vendimin e Gjykatës Kushtetuese, heret ose vonë do të mbahen. Kështu për LDK-në krijohet mundësia për t’i rezistuar me kompetence dhe në mënyrë demokratike “unitarizmin dhe bolshevizmin” si dhe gabimeve të mundshëm të VV-s. Jam i sigurt se komunizmi, bolshevizmi dhe ekstremizmi fetar nga cilado anë qoftë, nuk mund të zë rrënjë kurrë në Kosovë, pa marrë parasysh kush është në qeverisje”.

Deklarata e kryetarit të PDK-së Kadri Veseli, edhe pse me qëllime të caktuara, kundër krijimit të qeverisë Hoti dhe kërkesa për shkuarje në zgjedhje të reja është veprim shumë më i mençur se sa përpjekja LDK-së për të marrë pushtetin në mënyrë ilegale. Edhe nëse e realizojnë këtë dëshirë, “liderët” e vjetëruar të LDK-së do të ja shohin sherrin. Do të jenë të detyruar të marrin pjesë në tradhëtinë më të rëndë kombëtare që nga koha e tradhëtisë së komunistëve shqiptar më në krye diktatorin Enver Hoxha të dhënies së gjysmës së tokave shqiptare ish-Jugosllavisë.

KURRË MOS U NËNSHKROFT NJË MARRËVESHJE ANTISHQIPTARE!!

Fjala e urtë popullore thotë “Katundi që shihet kallauz nuk do”. Intervista e ish-diplomatit amerikan pro-serb, përkrahës i politikës së Ambasadorit Grenell në Ballkan, Z. James Hooper tregon haptas dhe qartas qëllimin e z. Grenell për ndarje të Kosovës. “Marrëveshja Vuçiç-Thaçi është gati, problem për të është vetëm për ta bindur kancelaren gjermane Angela Merkel dhe BE-në gjatë muajve maj e qershor”! Përndryshe, siç shprehet ai “po që se Grenell nuk e arrinë këtë, përfundon mundësia për t’i dhënë fund konfrontimit midis Serbisë dhe Kosovës”. Arroganca e z. Hooper me qëllim të  mashtrimit dhe frikësimit të popullit shqiptar është e pashembullt. Kurrë mos u nënshkroft një marrëveshje antishqiptare, Z. Hooper!

Kosova priti më shumë se nji shekull për ta fituar lirinë. Për 21 vjet lirie u keqpërdor rëndë nga politikanët e këqinj. Me luftimin e korrupsionit, zhvillimin ekonomik dhe ndërtimin e shtetit, e ndihmuar nga mërgata e fuqishme, Kosova forcohet dhe ka mundësi për të pritur , deri sa Serbia të shërohet nga sëmundja e urrejtjes dhe aspiratave hegjemoniste. Do të vijë koha kur Serbia do ta lusë Kosovën për njohje të dyanshme në kufijtë ekzistues me qëllim të hyrjes në Evropë. Populli i Kosovës nuk pranon marrëveshje të imponuar dhe nuk  e jep më asnjë pëllëmbë toke. Serbia nuk bënë të shpërblehet, ajo duhet të marr mësim dhe të dënohet për krimet barbare anti-njerëzore të kryera në Kosovë.

Kriminelët e luftës nuk mund të amnistohen kurrë.

THAÇI DHE VUÇIÇ E KANË GËNJYER AMBASADORIN GRENELL

Duhet bërë sqarim për ata që i keqkuptojnë ose i keqinterpretojnë me qëllim porositë e këtij shkrimi, të cilat janë të qarta. Amerika dhe Ambasadori Richard Grenell nuk mund të fajësohen për situatën e keqe në Kosovë. Shtetet e Bashkuar të Amerikës kanë investuar shumë dhe nuk janë kundër lirisë së Kosovës. Mirëpo, marrëveshja për ndryshim të kufijve është në favor të Serbisë dhe mund të barazohet me humbjen e lirisë së popullit të Kosovës. Thaçi dhe Vuçiç e kanë gënjyer Ambasadorin Grenell se mund ta shtyejnë këtë marrëveshje të nisur nga interesat e tyre të veçanta. I pari për interesa personale ndërsa i dyti për interesa të Serbisë. Ambasadori i ka pranuar manipulimet dhe gënjeshtrat e tyre si të vërteta pa i analizuar mirë, ai ka dalur hapur në anë të Serbisë dhe nuk mund t’i udhëheq bisedimet me sukses. Pra, këtu kemi të bëjmë me mospajtimin tonë me një politikë të gabuar të një zyrtari të lartë Amerikan në Kosovë dhe asgjë tjetër.

 Dëshira e jonë do të ishte që përfaqësuesit legjitim të Kosovës (jo Thaçi) të kenë mundësi të shkojnë në Shtëpinë e Bardhë dhe para Presidentit Trump të paraqesin qëndrimet dhe brengat tona, me propozime konkrete se si mund të zgjidhet situata.

Kritikat publike me qëllim të mirë nga mërgata shqiptaro-amerikane janë në pajtim të plotë me vlerat amerikane. Kjo nuk e prek dashurinë dhe respektin e përhershëm për Amerikën dhe popullin amerikan. Kundërshtimi i popullit shqiptar kudo, në trojet tona e në diasporë në çdo formë dhe më çdo mjet demokratik i marrëveshjes famëkeqe Vuçiç-Thaçi-Grenell është në interes të Kosovës, të Evropës dhe të Amerikës.

A MUND TA SHPËTOI KOSOVËN GJYKATA KUSHTETUESE ?!

Puna ka ardhë deri tek Gjykata Kushtetuese e Republikës së Kosovës, organi më i  lartë i mbrojtjes së shtetit. Pavarësia e kësaj Gjykate është esenciale dhe vendimet e saj  duhen respektuar. Ka një arsye shumë të fortë pse në SHBA gjykatësit e Gjykatës Supreme zgjidhen në mënyrë të përjetshme. Ata nuk bënë të influencohen dhe të  shantazhohen. Mendoj dhe besoj se gjykatësit e GJK në rastin konkret do të gjykojnë  në mënyrë të drejtë, me integritet të lartë personal dhe profesional sepse kanë përgjegjësi historike për funksionimin e shtetit të Kosovës.  Këtë e treguan me pezullimin e dekretit të Thaçit për t’i dhënë LDK-së mandatin për krijimin e Qeverisë së re. Vendimi i Gjykatës po pritet me ankth kudo në tokat shqiptare dhe në diasporë. Hapësirat në kushtetutë mund ta lejojnë mundësinë për interpretim se kinse partitë humbëse mund të krijojnë qeveri nëse i “blejnë” votat e shumicës. Por, ky vendim nuk do të mund t’i qëndroi ballafaqimit me argumentat e anës tjetër. 

Veprimet e fundit anti-shtetërore dhe makinacionet anti-demokratike të Thaçit të ndihmuara nga Isa Mustafa me disa karrieristë të tjerë, janë të qarta dhe mund të  karakterizohen si antikushtetuese. Vetë profesor Arsim Bajrami, njëri ndër hartuesit e Kushtetutës, përkrahës i PDK-s për një kohë të gjatë, në mënyrë të prerë deklaroi se: “ Kushtetuta e Kosovës nuk ju jep të drejtë partive humbëse të cilat arrijnë sukses ta rrëzojnë qeverinë aktuale me mocion mosbesimi, të krijojnë qeveri me kryeministër tjetër. Shpërndarja e parlamentit dhe shkuarja në zgjedhje është e vetmja rrugë”-shton ai.

Problemet e lidhura me pandeminë dhe shpenzimet e organizimit të zgjedhjeve të lira janë argument bosh i atyre që i friksohen verdiktit të sovranit. Vetëm zgjedhjet e lira demokratike mund të krijojnë legjitimitet qeverisës dhe ta qetësojnë popullin e nënçmuar dhe të zemëruar të Republikës së Kosovës. 

         Këtu vjen në shprehje thënia e vjetër latine: “Vox Populi, Vox Dei”!

Dëshiroj ta përfundoj me përsëritje të shkrimit tim të mëparshëm: “Historia na mëson se populli shqiptar e ka filluar rezistencen dhe luftën për liri në momentin kur është okupuar nga forcat terroriste serbe dhe okupator të tjerë. Për liri e kanë dhënë jetën bijtë dhe bijat më të mira të kombit. Asnjë individ dhe asnjë subjekt brenda dhe jashtë Kosovës nuk ka të drejtë të deklarojë as të mendojë se ai i vetëm e ka sjellë lirinë e Kosovës. Askush nuk guxon të bëjë pazare me tokat shqiptare. Amerika na ka ndihmuar ta fitojmë lirinë por nuk ka të drejtë të na marrë atë. Kombi shqiptar e don me zemër dhe pa hile Amerikën, por e don lirinë më shumë se Amerikën dhe më shumë se jetën. Nuk ka forcë në botë që mund ta shtypë dëshirën e një populli për të jetuar i lirë!”

*Anëtar i Bordit Ekzekutiv të Ligës Qytetare Shqiptaro-Amerikane dhe i Këshillit të Vatrës

Filed Under: Politike Tagged With: Agim Aliçkaj, Marrveshja Thaçi-Vuçiç-Granell

Ankthi i jetës me vdekjen nëpër këmbë

May 6, 2020 by dgreca

ANDRA TUTTO BENE – (Ankthi i jetës me vdekjen nëpër këmbë)/

Esmeralda Marinaj rrëfen për gazetën Dielli betejën për jetën në sallat e reanimacionit në Milano, Itali, intervistë dhënë gazetarit Sokol Paja

Në sytë e pacientëve që luftojnë me vdekjen, punonjësit e shëndetësisë janë “engjëjt” e tyre. Përveç Zotit qiellor, këta njerëz të jashtëzakonshëm janë forca, besimi dhe shpesa e pacientëve për ringritje nga krevati i vdekjes. Përkushtimi i këtyre “engjëjve” dhe asistimi në çdo moment në përballjen me armikun vdekjeprurës, i jep çdo pacienti një forcë të madhe në këtë luftë të tmerrshme ku vdekja kërcënon në çdo cast. Mbështetja e personelit shëndetësor është burim i jashtëzakonshëm qëndrueshmërie e mos dorëzimi. Këta “engjëj” janë dëshmitarët e fundit të pacienteve në kacafytjen e jetës mbi vdekjen. Një betejë kjo sa e egër, sa e dhimbshme por aq dhe krenare. Këta s’janë vetëm heronj por edhe dëshmitarë të gjallë se sa e sa përpjekje u bënë çdo ditë për jetën, për shpirtin, për njeriun. 

Ankthi se mos vdekja ka goditur gjatë natës ndonjë jetë, e bën mëngjesin e Esmeraldes të frikshëm, të trishtueshëm, të padurueshëm. Sapo del nga shpija duke vrapuar nëpër rrugicat e Milanos deri në spitalin e mirenjohur “H.P”, mëngjesi i Esmeraldës është  plot ankth. Mezi pret të shohë gjëndjen e pacientëve që luftojnë me vdekjen. Mëngjeset fillojnë me lutjen e shpresës se lufta do mbarojë shpejt e jetët në rrezik do të shpëtohen e vdekja do ikë duar thatë. 

“Andra tutto bene” është bërë moto e jetës për të mposhtur vdekjen në çdo spital italian. Një ngushëllim i dyfishtë i cili përmban brënda shumë mister, përshpirtshmëri, lutje dhe shpresë. Një “Padre Nostro” urata që çdo ditë shoqëronte Esmeralden për në punën e saj si punonjëse e vijës se parë të luftës në Milano,  muajt e fundit ka marë një tetër kuptim. E stërmunduar por kurrë e dorëzuar nga ditët e ngarkuara me betejën jeta-vdekje, te lutja e “Ati Ynë” ajo merr forcën për të gjetur një tjetër ditë motivuese në kalendarin e tmerrit covid-19. Kufoma, njerëz që përpëliten në oksigjen, çaste lamtumire e vetmie, sirena policie e ambulancash çdo ditë në rrugët e Milanos të kujtojnë një kohë apokalipsi. Shpresa se të intubuarit do bëhen më mirë dhe se shpirtrat në koma do kthehen prapë në jetë, i jep Esmeraldës forcën e arsyes për të besuar se mrekullitë ndodhin dhe se për ata që besojnë në Zot, s’ka asgjë të pamundur. Edhe kur vdekja godet pabesisht, edhe kur fiken përpjekjet, besimi në Zot, burimi i shpresës dhe forca e sentencës “andra tutto bene” duket sikur i jep çdo personeli shëndetësor pak oksigjen, pak shtysë, pak kohë, pak frymë dhe pak kurajo për mos dorëzim. “Do shkojë gjithçka mirë, do ia dalim së bashku të gjithë” është momenti kur fjala ka një peshë të jashtëzakonshme, edhe më shumë se te Ungjilli i Gjonit Apostull. Pacientët kanë të frikë të flënë, të mbyllin sytë se mbase s’do zgjohen më kurrë.  I vetmi çast që sdo doja kurrë të isha prezente rrëfen Esmeralda është lamtumira on line e pacientit me familjen. Një çast teknologjik që shkëput jetën prej vdekjes. Një videocall që skalitet përgjithmonë në memorien tënde. Të gjendur në “intubacione respiratore” pacientët që luftojnë fisnikërisht me vdekjen shihen në “vidiochiamate” me të dashurit e zemrës, nga ku japin shpesh lamtumirën e fundit, një pikëllim on line, një trishtim i paimagjinueshëm, një ndarje e pabesë, një dëshmi e fundit jete përpara dorëzimit përfundimtar. 

Besimi dhe lutja se një ditë të afërt s’do të shohë më jetë të humbura, vdekje të trishta njerëzish të vetmuar, i jep Esmeraldës dhe kolegëve të saj kurajon dhe forcën të punojë pa u ndalur. 

Nuk ka mission më të shenjtë sesa të mbash jetën gjallë në sallat e vdekjes. 

Esmeralda Marinaj jeton me familjen dhe nga tmerri se mund të sjellë virusin vdekjeprurës në shtëpi, ajo izolohet në një dhomë të posaçme. Tragjizmi i jetës rrefen Esmeralda është të luftosh me vdekjen në spital dhe më pas të të ngjitet vdekja pabesisht deri në shtëpinë tënde. Një ankth i dyfishtë i një jete me vdekjen nëpër këmbë. 

Vdekja është ngjarja më e pabesë në jetën e njeriut.

Motivi për të shpëtuar jetë, e mposhtë frikën për për të vdekur. 

Pas çdo përpjekjeje, rrëfen Esmeralda, pas çdo luftë, pas çdo beteje, me dëshirën që jeta të fitojë mbi vdekjen edhe kur gjunjët na dridhen, prapë se prapë nuk dorëzohemi dhe besojmë fort: “andra tutto bene”. 

Filed Under: Opinion Tagged With: Esmeralda Marinaj, Sokol Paja

Cilësia mjafton

May 6, 2020 by dgreca

Nga Astrit Lulushi/
Ç’rëndësi ka nëse shumë kohë shpenzojmë duke planifikuar jetën tonë, duke bindur veten për atë që duam të bëjmë, ose çfarë duhet të bëjmë? Ka raste kur njeriu nuk sheh se çfarë synon të bëjë dhe çdo gjë për ‘të përmbyset, largpamësia mungon jo vetëm përpara por edhe për të parë pas, kur kokën e kthen me synimin për t’u ruajtur për sesa për t’u njohur me të shkuarën. E kaluara përmban çdo lloj mësimi, por fatkeqsisht për shumë kohë ka qëndruar si libër i mbyllur.Cili ka qenë viti më i keq në historinë njerëzore? Duket pyetje e madhe, por përgjigjia është e thjeshtë – Rreth 70-mijë vjet më parë, në malet Sumatra shpërtheu një vullkan, 2 milionë herë më i fuqishëm se sa bomba atomike që shkatërroi Hiroshimën në vitin 1945. Raca njerëzore u shfaros pothuajse plotësisht. Mbetën vetëm 10.000 njerëz. Të mbijetuarit? Paraardhësit tanë. Kjo është arsyeja pse njerëzit janë të gjithë kaq shumë të afërt gjenetikisht. Historianët gjithmonë i paraqesin ngjarjet njerëzore si përparim të vazhdueshëm. Bujqësia, kultura, shkenca, teknologjia, perandoritë, diktaturat, të drejtat e njeriut … Por, a janë njerëzit sot më të lumtur sesa në ditët kur jetonin në grupe mbledhësish e gjahtarësh? Atëherë ata nuk jetonin gjatë, jeta ishte e shkurtër; por sot shumë njerëz vdesin nga vetëvrasja sesa vriten. Njerëzit bëjnë jetë të mjerueshme, më të gjatë. Në fund kthehesh në fillim duke mbërritur në përfundimin se pyetja me vend do të ishte ‘si…?’, jo ‘sa…?’- asgjë tjetër nuk ka rëndësi, cilësia mjafton.

Filed Under: Analiza Tagged With: Astrit Lulushi, Cilësia mjafton

Shtëpia e Bardhë planifikon ta shpërbëjë task-forcën për koronavirusin

May 6, 2020 by dgreca

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, tha se task-forca për koronavirus e Shtëpisë së Bardhë do të shpërbëhet.

“Ne po e rikthejmë vendin tonë”, tha Trump gjatë vizitës që i bëri një fabrike për prodhimin e maskave në Arizonë.

Task-forca për koronavirus udhëhiqet nga nënpresidenti amerikan, Mike Pence.

“Mike Pence dhe task-forca kanë bërë një punë të shkëlqyeshme, por tani do të shohim për një formë tjetër dhe kjo formë është siguria dhe hapja [e ekonomisë]. Do të kemi një grup tjetër që do të krijohet ndoshta për këtë çështje”, tha Trump.

Numri i të infektuarve me koronavirus në SHBA çdo ditë arrin në 20,000, ndërsa ai i viktimave e kalon 1,000.

Në total, numri i të infektuarve atje është mbi 1.2 milion, ndërsa i viktimave mbi 70,000.Zyrtarët shëndetësorë paralajmërojnë se virusi mund të përhapet më shumë kur bizneset të fillojnë të rihapen.

Sipas kritikëve, Trump po e sakrifikon shëndetin publik të amerikanëve duke këmbëngulur në rihapjen e ekonomisë, përpara zgjedhjeve presidenciale të nëntorit.

Duke folur në Arizonë, Trump tha se demokratët shpresojnë se politika e tij për koronavirusin do të dështojë dhe se “ata mund t’i fitojnë zgjedhjet”.(RFL)

Filed Under: Komente Tagged With: President Trump, shtepia e bardhe

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 601
  • 602
  • 603
  • 604
  • 605
  • …
  • 5724
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • PREJARDHJA ILIRE DHE AUTOKTONIA E SHQIPTARËVE
  • Fitoi “Gold Winner” në konkursin ndërkombëtar “New York Photography Awards”, Erion Halilaj: “Promovim i talentit shqiptar në një skenë ndërkombëtare”
  • Kur filozofia dhe psikologjia ndërveprojnë për të shpëtuar njerinë
  • BALFIN REAL ESTATE HAP ZYRËN E PARË NË SHBA, NJË MUNDËSI E RE INVESTIMI PËR DIASPORËN SHQIPTARE
  • Konferenca “Diaspora 2025” organizuar nga Federata Kombëtare Shqiptare në Itali ( FNAI)
  • Koncepti i lumturisë dhe Krishtlindjet sot
  • Nxënësit e shkollës shqipe “Gjuha Jonë” në Philadelphia festuan Festat e Fundvitit
  • Vatra Tampa Bay organizoi piknikun tradicional me rastin e festave të fundvitit
  • VATRA URON TË GJITHË SHQIPTARËT: GËZUAR E PËRSHUMËVJET KRISHTLINDJEN
  • SHQIPTARËT DHE CILA ËSHTË DOMOSDOSHMËRIA STRATEGJIKE E MAQEDONISË SË VERIUT?
  • Fondacioni Çamëria “Hasan Tahsini” përkujtoi shkrimtarin Bilal Xhaferi në 90 vjetorin e lindjes
  • SHBA, Ligji për Autorizimin e Mbrojtjes Kombëtare (NDAA) dhe Aleancat në Ballkanin Perëndimor
  • Shqipëria, Kosova dhe Boshti Shqiptar si Gurthemeli i NATO-s dhe i Strategjisë Amerikane
  • MORGENAVISEN (1931) / RRËFIMI I PIKTORIT HUNGAREZ MÁRTON HOSSZÚ : “GJASHTË JAVË NË OBORRIN MBRETËROR TË SHQIPËRISË PËR TË REALIZUAR PORTRETIN E MBRETIT ZOG I…”
  • “Histori e vajzës rebele”

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT