• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

INTERVISTA E KRYETARIT TE VATRES NE TV 21

April 9, 2020 by dgreca

Filed Under: Featured Tagged With: Interviste ne RTV 21

PASHKËT NDRYSHE

April 9, 2020 by dgreca

Dom Anton Kçira/

Në historinë e njerëzimit festa e Pashkëve asht festu me solemnitete të medha. Ringjallja e Krishtit festa ma e madhnueshmja në të gjitha festat që Kisha i feston gjatë vitit.

Gjatë historisë njerëzit i kanë festu Pashkët e zeza shumë herë.

Nuk po hy thellë në histori, por në mbarimin e shekullit njizet kosovarët i kanë festu Pashkët e zeza. Atë ditë asht desht me e marrë rrugën e shpërnguljes nga shtëpit e veta, ditën e Pashkëve, në vend që të shkojnë në kishë me e festu ringjalljen, atyne u asht desht të braktisin shtëpitë pa vé të ngjyrosuna, pa kurnji send, vetëm atë shka kane mujt me bajt në ndonji strajce edhe me hike se janë kercenu se do t’i vrasin.

Kështu u ndodhi të krishterve të Kosovës ditën e Pashkëve, me përjetu gjanat që nuk kishin ngja shpesh në këtë ditë, me i pa tuj jua vra mashkujt e shtëpisë siç janë  në fshtatrat; Guska, Korenica e Meja, me nga katër mashkuj e deri në  dymbëdhjetë antarë të familjes. 

Këto kanë qenë Pashkët e zeza të popullit tonë shqiptar në ditën e pashkëve.

Nëse e përcjellim Besëlidhjen e vjetër, kemi me pa që kurdoherë njerëzit ia kanë kthy shpinën Zotit. Zoti i ka ndëshku rëndë. Elia profet dhe priftërinjt Baalit në vitin e tretë të thatësirës. Fjala e Zotit, iu drejtue Elis me këto fjalë:” Shko paraqitu tek Akabi Mbret, sepse dua të lshoj shiun mbi sipërfaqen e tokës.” U nis Elia për tu taku me Akabin. Akabi po sa e pau Elini tha:- A këtu qenke, o Ogurziu i Izralites?! 

Elia i përgjigjet:- Unë nuk i sjell të keqen Izraelit, por ti e shtëpia e yte, që i keni lanë urdhnimet e Zotit dhe po i ndjek Baaliet! Tash bashkoji para meje mbarë Izraelin në malin Karmelit si edhe katërqind e pesëdhjet Profet të Baalit, por edhe ashtu katërqind Profetet e Aseres që ushqehen prej tryezës se Izabeles”.

Atëherë Elija vazhdoi:“I vetmi kam mbetë unë si Profet i Zotit, kurse Profetët e Balitjanë katërqind e pesëdhjetë. Le të na ipen dy qe, ata le ta vejnë mbi dru, por mos t’i  shtijnë zjarr, dhe unë do ta përgadis kaun tjetër do ta vej mbi dru, por s’do t’i shtij zjarr, thirreni në ndihmë emnin e Hyjit tuaj e unë do ta thrras emnin e Hyjit.

Hyji që do të përgjigjet me anë të zjarrit asht hyji i vërtetë, mbarë populli i përgjegj:-Mirë e ke”!

Atëherë ata e zgidhen kaun, e vunë në turren e druve dhe fillaun me e thirrë Hyjin e tyre Baalin,  afatin e kishin deri në mesditë. Britmat e tyre ishin të kota edhe kur kaloi koha e tyre dhe nuk ra kurrëfarë zjarri nga qielli, pastaj vazhdoi Elia e përgaditi kaun e vuni  mbi drutë, Elia tha: “O Zot, Hyji i Abrahamit, i  Izakut dhe i Izraelit, dëftoje se ti je Hyji i Izraelit,  se unë jam shërbëtori i Yt, të gjitha këto i kam ba me urdhnin tand, më ndëgjo o Zot dhe e perpiu zjarmi flinë.

 Populli  sa e pau këtë gja,  ra përmbys me fytyrë per dhé dhe tha: “Zoti asht Hyji, Zoti asht hyji”! Elia tha:- “kapni profetët e Baalit dhe as nji mos të shpëtoi”. I vranë të gjithë profetnit e rrejshëm, me njiheri u errësue  qielli prej resh dhe ra shi i rand.

E kemi kohën e Jeremise,  profet i cili ka qënë në kohën ma të vështirë, kur izraelitet i lanë urdhnimet e Zotit në tanësi, ipen pas zotave të rrejshëm me fjalë të tjera largohen nga Zoti.

Zoti e porositi shka me ju thanë, por atyre nuk u pelqejshin lajmet që vijshin prej se nalti. Kudo që e shifshin ishin fjalë fyse për te, që po vjen ai ogurziu që dine me na sha, me na mallku, ta vrasim mos ta shofim ma. Fjalët e tija u plotësuan Mbreti i Babilonisë Nabukonozorie okupoi Jeruzalemin, jau shkatërroi tempullin ,vrau, dogji e   vodhi dhe në mbarim fëmijët dhe gratë i mori në robni për 78 vjet.

Në vitin 1917 asht lajmërue Zoja e Bekume në Portugali,  tre fëmijëve që ishin tuj i rujt kafshët,  këta ishin Françesko, Jacinta dhe Lucija,  e cila asht ba murgesh. Ajo i ka thirrë femijët që të lusin rruzaren për kthimin e mekatarve, nëse mekatarët nuk kthehen kah Zoti .

 Zoti do ta ndeshkoi botën, prej kësaj kohe njerëzit vazhdojnë jetën e tyre, siç kanë jetue ma parë, pa kurrfarë ndryshimeve. Zoja e Bekume i kishte porositë femijët se nëse bota nuk do të kthehet para se të fillojnë këto ndëshkime, Evropa ka me e pa nji dritë të madhe nji natë pa fillue këto ndëshkime. Ajo ngjau në vitin 1939 Evropa e pau nji dritë te madhe dhe të nesërmen filloi lufta, Hitleri sulmoi Polonin dhe pastaj filluan njena pas tjetrës, të gjithë e dijnë se ma se katerdhjetë milion banorë janë zhdukë. Mos të flasim për Rusinë sa kanë vra ata njerëzit e vet, sa vdekjet nëpër burgjet e Siberisë. Rastet që vetë Stalini i ka likuidu njërzit sipas deshirës. 

Mos të harrojmë Shqipërin tonë ku komunistat aziatik shkatërruen çdo gja që ishte e mirë në Shqipërinë tonë, tuj fillu prej kulturës, atdhetaret e vendit, eliten e kishës katolike, por nuk ishin vetëm komunistat aziatik, por edhe komunistat e Serbisë dhe malazijasit me greket që dijten me i mesu shka dhe si të veprojnë. Mos të harrojmë përsekutimet që u bënë nën Jugosllavi ndaj Kosovës, Kroacisë e Bosnjës, luftrat që u bënë në këto toka e sa njerëzit kanë vdek.

Me tonelata dokumenta te vjetër janë bajt e i janë dërgu Serbisë me i shkri e me i ba letra, e gjanat tjera. Sa intelektuali u vra vetëm se ishte Mesimi i ideologjisë komuniste se:” ku ka të mençur aty nuk ka bukë për budallen’. Sa martiri i fesë, jo vetëm këta 38 martirë, por sa njerëzit  kanë vdek në kampet e përqendrimit, sa i pafajshmi ka vdek nëpër burgjet e  tmerrshme të Shqipërisë.

Do të thotë se Zoja ia ka dhanë nji letër me ia dërgu Papa Piut te XII-të e ai e ka lexu por nuk ka dal me porosinat e saja. Papa Gjon Pali II i ka shpallë botëse shka ka me i ndodhë nëse nuk kthehet kah Zoti: luftërat civile, termetet, vershimet e ujrave dhe zjarmet, sidomis ky i mbrami në Australi, që i damtoi 500 milioni kafshë në atë vend. Mos të flasim për luftrat e Libanit, Sirisë, Afganistanit, Irakut dhe pranvera Arabe. E shka të themi për këtë pandemi të kësaj kohe, e cila i ka fut friken krejt botës.  Edhe pse asht e rrezikshme, po i ka të mirat e veta, as nji fabrikë nuk asht në lëvizje që ishte te njollosunit e ajrit, pra asht paksue ndotja në atmosferë. Tash ajri ka fillu me u pastru e nuk asht në rrezik, mandej familja ka qenë nji han ku janë bashku antarët e familjes vetëm me hanger e me fjet, nuk e kane njoft njeni- tjetrin, gruaja nuk e ka njoft burrin, se çfarë burri të mirë paska, burrat nuk i kanë njoft gratë e veta sa te bukura qe qenkan, femijët nuk i kanë njoft prinderit sa te dashtun qenkan, e me rradhë të gjitha këto e kanë atë temirën e vet edhe të keqen e vet. 

Ne gjindemi në javen e Madhe të Pashkëve që i kremton krejt bota, por nuk guxojmë me shku se duket asht nji ndeshkim, e kemi harrue Zotin e kemi harrue dashurinë e tij që ka vdek në kryq për ne. A nuk asht edhe kjo nji ndeshkim i rand për njerëzit që ta shofin sa lerg qenkemi largu nga Zoti, nga familja, nga i afërmi.

Pra lusim Zotin që të na i fal fajet dhe mëkatet tona, në të ardhshmen e shpejt të vazhdojmë jeten me te dhe me dashnin e Zotit me njeni – tjetrin. 

Për shumë mot e me gëzime Pashket! 

Të gjithë njerëzve vullnet të mirë në botë!

Filed Under: ESSE Tagged With: Ndryshe

Kosova 12 vjet me Kushtetutë, e njohur ndërkombëtarisht

April 9, 2020 by dgreca

-Kosova sot shënon Ditën e Kushtetutës, në 21 vjet liri e 12 pavarësi/

-“Republika e Kosovës është shtet i pavarur, sovran, demokratik, unik, dhe i pandashëm”, thuhet në nenin 1 të Kushtetutës së miratur para 12 viteve, e cila, sipas nenit të fundit – 162 – “hyn në fuqi në 15 Qershor 2008”/

-Në rrugën drejt pavarësisë Kosova ka një histori kushtetuese edhe para Kushtetutës së saj të parë si shtet i pavarur me njohje ndërkombëtare/

-Përfaqësues institucionalë e politikë urojnë Ditën e Kushtetutës së Kosovës shtet/

Gazeta DIELLI nga korrespondenti në Kosovë Behlul Jashari…

PRISHTINË, 9 Prill 2020/ Kosova në 21 vjet liri e 12 pavarësi Shënon sot Ditën e Kushtetutës, 9 Prillin.

 “Republika e Kosovës është shtet i pavarur, sovran, demokratik, unik, dhe i pandashëm”, thuhet në nenin 1 të Kushtetutës së miratur para 12 viteve, e cila, sipas nenit të fundit – 162 – “hyn në fuqi në 15 Qershor 2008”.

Ishte viti 2008 kur u miratua nga Kuvendi i Kosovës akti më i lartë  juridik i shtetit në ditën e 9 Prillit, më pak se dy muaj pas shpalljes së pavarësisë në 17 Shkurtin historik. “Duke u bazuar në votimin njëzëri të të gjithë deputetëve në sallë, sot në orën 10:45 u shpall solemnisht Kushtetutën e Republikës së Kosovës, e miratuar nga 107 deputetët e Kuvendit të Kosovës”, tha atëherë kryeparlamentari Jakup Krasniqi pas votimit, cituar në raportimin që kam bërë atëherë, në 9 Prill 2008.

Raportimi theksonte se kryetari i Komisionit Kushtetues, Hajredin Kuçi, prezantoi përmbajtjen e Kushtetutës, e cila, siç bëri të ditur, ka 14 kapituj dhe 162 nene. “Kemi synuar të kemi një Kushtetutë moderne, të shkurtër, të qartë dhe të kuptueshme, që garanton vullnetin e qytetarëve të Kosovës dhe zotimet ndërkombëtare dhe që është funksionale”, tha ai. Për Projektkushtetutën e hartuar nga Komisioni Kushtetues, i cili ishte ngritur nga Ekipi i Unitetit,  është zhvilluar debat publik që nga 28 Janari 2008, në fazën e parë, dhe që nga 19 Shkurti – dy ditë pas shpalljes së pavarësië, në fazën e dytë.
Gjatë debatit publik u është bërë e ditur qyetarëve se “Kushtetuta është hartuar mbështetur në dy vullnete, i pari që Kosova të jetë shtet sovran dhe i pavarur dhe i dyti që me Deklaratën e Pavarësisë të 17 Shkurtit Kosova si shtet ka marrë obligime ndërkombëtare për zbatimin e Paketës së Ahtisaarit”.

Dita e Kushtetutës, 9 Prilli, është festë shtetërore, sipas Ligjit për festat zyrtare në Republikën e Kosovës, të miratuar në Kuvend në 21 Maj 2008.

Dekretimi i këtij ligji dhe 40 ligjeve të tjera, të  dala nga Paketa e Propozimit Gjithpërfshirës për Zgjidhjen e Statusit të Kosovës të Kryenegociatorit Martti Ahtisaari – Emisarit Special të OKB-së, ishte një nga zhvillimet më të rëndësishme të ditës së hyrjes në fuqi të Kushtetutës, 15 Qershorit 2008. Dekretimin e bëri presidenti i atëhershëm i Republikës së Kosovës, Fatmir Sejdiu.

Deri në hyrjen në fuqi të Kushtetutës ligjet e miratuara në Kuvendin e Kosovës i ka nënshkruar Shefi i UNMIK-ut, Misionit të Organizatës së Kombëve të Bashkuara.

Sipas Kushtetutës së Republikës së Kosovës, presidenti “shpall ligjet e miratuara nga Kuvendi i Republikës së Kosovës”. Poashtu,  “ka të drejtën e kthimit për rishqyrtim të ligjeve të miratuara, nëse konsideron se janë të dëmshme për interesat legjitime të Republikës së Kosovës ose të një a më shumë komuniteteve të saj”.

Zhvillimet më të rëndësishme brenda 12 viteve ishin në 2012-tën, kur Kuvendi, në 7 Shtator,  ka miratuar amendamentimin e  Kushtetutës së Republikës lidhur me përfundimin e mbikëqyrjes  ndërkombëtare të pavarësisë së Kosovës, ndërsa në 10 Shtator pasoi vendimi i Grupit Drejtues Ndërkombëtar, i mbledhur në Prishtinë, për përfundimin e mbikëqyrjes ndërkombëtare.

“Përmbyllja e mbikëqyrjes është vlerësimi më i lartë ndërkombëtar, që i është bërë shtetit të Kosovës pas shpalljes së Pavarësisë”, u vlerësua atëherë.

Grupi Drejtues Ndërkombëtar (ISG) për Kosovën, i cili përbëhej nga vendet që e kanë njohur pavarësinë, ishte formuar në 28 Shkurt të vitit 2008 dhe synonte të orientojë dhe mbikëqyrë zhvillimin demokratik të shtetit të ri, të nxisë qeverisjen e mirë dhe shumetnicitetin.

Deri në 12 vjetorin e Ditës së Kushtetutës pavarësia e Kosovës është e njohur nga 116 shtete të botës anëtare të OKB-së.

Në rrugën drejt pavarësisë Kosova ka një histori kushtetuese edhe para Kushtetutës së saj të parë si shtet i pavarur me njohje ndërkombëtare.

Kosova prej vitit 1974  ka pasur Kushtetutën e vet, e cila i ka siguruar mëvetësi organizative si njësi konstituive me të drejtë vetoje në federatën  e atëhershme, nga shpërbërja e së cilës dolën shtatë shtete të reja të rajonit – edhe Sllovenia, Kroacia, Bosnja e Hercegovina, Serbia, Mali i Zi dhe Maqedona.

Para 31 vitesh, në 28 Mars të vitit 1989, Serbia në Kuvendin e saj miratoi “Kushtetutën e tankeve”, që përgjakshëm, në rrethana tragjike terrori, me forcë e në mënyrë kundërkushtetuese rrënoi autonominë që kishte Kosova.

Kundërshtimi i fuqishëm rrënimit të autonomisë në Kosovë ishin demonstratat gjithëpopullore, në të cilat vetëm brenda dy ditëve, në 27 e 28 Mars 1989, në shtetrrethimin e hekurt ushtarako-policor të vendosur nga Beogradi u vranë 22 shqiptarë e plagosën qindra të tjerë në Prishtinë, Mitrovicë, Zhur e Dushanovë afër Prizrenit, Podujevë, Deçan, Gjilan e në anë të tjera të Kosovës.

Demonstratat pasonin grevën  e urisë të 1.300 minatorëve të Trepçës, nga 20 deri 28  Shkurt 1989, e cila ishte në mbrojtje nga sulmet e Serbisë kundër Kosovës e mëvetësisë së saj, rezistencë e fuqishme e përkrahur nga populli dhe në kërkim të lirisë, demokracisë e të drejtave të plota për shqiptarët.

Në vijimësi të kundërshtimeve të fuqishme gjithëpopullore dhe institucionale të “Kushtetutës së tankeve” serbe, në rrethana të okupimit, Kosova në vitin 1990 shpalli Deklaratën Kushtetuese për Pavaraësi në 2 Korrik e më pastaj Kuvendi miratoi në 7 Shtator Kushtetutën e Republikës së Kosovës.

Në vitin 1991, nga 26 deri në 30 Shtator u organizua edhe Referendumi ku kosovarët votuan 99,87 për qind për Kosovën shtet sovran dhe i pavarur, i cili pasohej me zgjedhjet e para pluraliste, parlamentare e presidenciale të 24 Majit 1992, kur President i parë u zgjodh Ibrahim Rugova.

Republika e Kosovës me Kushtetutën e vet e institucionet demokratike të zgjedhura atëherë nuk u njoh ndërkombëtarisht, por megjithatë ishte dhe njihej si deklarim i fuqishëm i vullnetit të popullit mbi 90 përqind shumicë shqiptare, si edhe pjesëtarëve të komuniteteve pakicë.

Kosova e lirë, pas përfundimit të luftës në Qershor 1999, prej vitit 2001 deri pas shpalljes së pavarësisë në 17 Shkurt 2008  ka pasur një Kornizë Kushtetuese, të miratuar nga Organizata e Kombeve të Bashkuara, e cila ishte dokument më shumë inicial kushtetues, por ka mundësuar zhvillimin e vendit nga një krijesë defakto e pavarur, ndonëse nën protektorat, në një entitet shtetëror të pavarur, edhe pse nën mbikëqyrje ndërkombëtare për një kohë.Para dy vitesh, me rastin e 10 vjetorit të Ditës së Kushtetutës, 9 Prillit, hartuesit e Kushtetutës së Republikës së Kosovës janë dekoruar me Medaljen Presidenciale Jubilare të dhjetëvjetorit të pavarësisë nga presidenti Hashim Thaçi.

Dymbëdhjetëvjetori i hyrjes në fuqi të Kushtetutës së shtetit të pavarur të Kosovës do shënohet në kohën kur nëpër qytetet e fshatrat kosovare do festohet 21 vjetori i lirisë, e cila nisi me Ditën e Paqes e Lirisë – 12 Qershorin e vitit 1999, kur forcat paqeruajtëse shpëtimtare të  NATO-s, prirë nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës,  filluan të  hynin në Kosovë, nga Maqedonia, e të nesërmen edhe nga Shqipëria,  pas ndërhyrjes me aviacion në fushatën ajrore 78 ditëshe të goditjes së caqeve të forcave serbe që bënin masakra e spastrim etnik duke vrarë më shumë se 12 mijë shqiptarë, zhdukur mëse 6 mijë e dëbuar rreth një milion.

Me lirinë në Kosovë ndodhi edhe kthimi i madh i shqiptarëve të dëbuar…

PRESIDENTI THAÇI: URIMET MË TË MIRA NË DITËN E KUSHTETUTËS!

 Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi ka uruar Ditën e Kushtetutës me këtë mesazh:

 Pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës më 17 shkurt 2008, aprovimi i Kushtetutës së Republikës së Kosovës më 9 prill 2008, si akti më i lartë juridik, ishte e arritur tjetër për shtetin tonë, krahas njohjeve ndërkombëtare që erdhën nga demokracitë më të zhvilluara të botës.
Kushtetuta e Kosovës, që shpreh më së miri qenësinë e shtetit dhe shoqërisë sonë, është dokumenti më prestigjioz i ruajtjes dhe mbrojtjes së integritetit të qytetarëve tanë, të institucioneve tona, prandaj të gjithë e kemi për obligim moral dhe ligjor ta respektojmë me përpikëri.
Gjithë qytetarëve të Kosovës u shpreh urimet më të mira në Ditën e Kushtetutës!

KRYEMINISTRI NË DETYRË, KURTI: KUSHTETUTSHMËRIA ËSHTË VLERË QË DUHET RESPEKTUAR PËRDITË

 Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, sot në Ditën e Kushtetutës ka shkruar:Kushtetuta e shtetit i paraprinë pushtetit, ajo është si dyshemeja ashtu edhe tavani i qeverisjes demokratike dhe i funksionimit e i rregullimit institucional, por Kushtetuta e Republikës së Kosovës lë aq shumë për të dëshiruar, që nga mënyra e hartimit e deri te mangësitë dhe pabarazitë. Kushtetuta është themel i Republikës vetëm atëherë kur Republika është thelb i Kushtetutës.

Megjithëkëtë, kushtetutshmëria është vlerë që duhet respektuar përditë përveçse tekst betimi që shqiptohet një herë. Andaj sot me 9 prill shënojmë ditën e Kushtetutës së Republikës së Kosovës në përvjetorin e saj të dymbëdhjetë. Andaj do ta respektojmë aktgjykimin e fundit të Gjykatës Kushtetuese, që pas 13 prillit masat e ndërmarra kundër shpërndarjes pandemike të COVID-19 të mos bien në kundërshtim me ngrehinën aktuale juridiko-kushtetuese të Republikës sonë. Natyrisht, gjithmonë duke përmbushur obligimin tonë për mbrojtur deri në maksimum jetën dhe shëndetin e qytetarëve tanë, si dhe mirëqenien ekonomike të bizneseve dhe punëtorëve të vendit.

KRYEPARLAMENARJA OSMANI: KUSHTETUTA E KOSOVËS, RRUMBULLAKËSIM I PËRPJEKJEVE PËR SHTETIN

Kryetarja e Kuvendit të Republikës së Kosovës, dr. Vjosa Osmani ka pritur sot në takim ambasadorin italian në Kosovë, Nicola Orlando.

Kryetarja Osmani ia ka prezantuar ambasadorit Orlando kopjen origjinale të Kushtetutës së Republikës së Kosovës dhe e ka njoftuar atë me procesin e hartimit të aktit më të lartë juridik shtetëror, duke falënderuar për kontributin anëtarët e Komisionit për hartimin e Kushtetutës së Kosovës.(Lexoje te plote ne dielli online www.gazetadielli.com)

“Kushtetuta e Republikës së Kosovës është jo vetëm akti më i lartë juridik i shtetit. Ajo njëkohësisht ngërthen përpjekjet e popullit të Kosovës për krijimin e shtetit”, është shprehur Osmani.

Ndërsa ambasadori Orlando ka përgëzuar kryetaren Osmani për Ditën e Kushtetutës.

Me ambasadorin Orlando, zonja Osmani diskutoi edhe për masat që po ndërmerren nga institucionet kosovare në përballje me pandeminë globale Covid-19 si dhe përgjegjësitë e Kuvendi të Kosovës për menaxhimin e kësaj situatë, mbështetur në vendimin e Gjykatës Kushtetuese. 

LDK: KRYETARI MUSTAFA URON DITËN E KUSHTETUTËS TË REPUBLIKËS SË KOSOVËS

  Me rastin e 12 vjetorit të miratimit të Kushtetutës së Republikës së Kosovës, kryetari i LDK-së, Akademik Isa Mustafa dërgon këtë telegram urimi:

 “Të nderuar qytetarë të Republikës së Kosovës,

 Sot, bëhen 12 vite nga miratimi i Kushtetutës së Republikës së Kosovës. Kjo ditë shënon një ndër momentet më të rëndësishme të shtetit dekomratik të Kosovës. Kushtetuta është akti më i lartë juridik që vuri themelet e ndërtimit, funksionimit dhe organizimit të shtetit modern të Kosovës, ku përcaktohen dhe mbrohen vlerat themelore të vendit.

 Kushtetuta e Republikës së Kosovës, është çelësi themelor dhe garancë mbi të cilin mbështetet funksionimi i institucioneve vitale. 

Kushtetuta është akti më i lartë politik dhe juridik i vendit tonë, garantues i të drejtave dhe lirive të të gjithë qytetarëve. Më 9 Prill 2008, Kosova u radhit si shumë shtete të zhvilluara që ta bëj respektimin e të drejtave të njeriut, garantimin e paqes dhe demokracisë si vlera themelore të njerëzimit. Ky dokument i dha jetë pavarësisë së Kosovës.

Kushtetuta e Republikës së Kosovës është akti më sublim, i cili ngërthen tërë sakrificën dhe angazhimin e gjeneratave të tëra që punuan dhe u flijuan.

Shteti i së drejtës duhet të jetë mision për të gjithë ne, dhe realizimin e këtij definicioni duhet ta mundësojmë të gjithë bashkërisht që të kemi një shtet demokatik dhe të përparuar. Institucionet tona duhet çdo ditë të punojnë konfrom neneve të kësaj kushtetute në mënyrë që ta kemi një shtet modern, model të cilin e kemi synuar.

Urime Dita e Kushtetutës të Republikës së Kosovës”.

PDK-VESELI: 12 VITE MË PARË, NJË MOMENT I RËNDËSISHËM HISTORIK PËR KOSOVËN

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli, shkruan:

Miratimi i Kushtetutës së Kosovës 12 vite më parë, shënoi një moment të rëndësishëm historik për konsolidimin e shtetësisë sonë si dhe për të ardhmen e popullit tonë. Ne krenohemi që kemi një ndër kushtetutat më moderne, e cila ka mishëruar praktikat më të avancuara dhe standardet më të larta në Evropë. Ky dokument themeltar i shtetit tonë, bazohet tek parimi i konstitucionalizmit, një ide evropiane që zanafillën e ka në epokën e iluministëve, të cilët nëpërmjet këtij parimi u përpoqën dhe ia dolën me sukses të kufizonin absolutizmin monarkik.

Në thelb të konstitucionalizmit qëndron kontrolli dhe kufizimi i pushtetit, përcaktimi i ndarjes së pushteteve si dhe mbrojtja e të drejtave themelore të njeriut. Prandaj duhet kujtuar ky fakt, sot e në të ardhmen, ndaj kujtdo që manifeston tendenca despotike e autokratike që synojnë ta shkelin sundimin e ligjit në Kosovë. Urime të gjithëve për 9 prillin, Ditën e Kushtetutës së Republikës së Kosovës!

AAK-HARADINAJ: DOKUMENTI MË KULMOR I LIRISË, SHTETËSISË…

 Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, shkruan:

Më 9 Prill të vitit 2008, Kosova vendosi themelet e saj të konsolidimit si shtet, duke e funksionalizuar aktin më të lartë juridik Kushtetutën e saj. Duke uruar të gjithë qytetarët dhe institucionet e vendit, kujtojmë sakrificat e popullit të Kosovës ndër dekada për të pasur dokumentin më kulmor të lirisë, shtetësisë, demokracisë dhe integritetit territorial. Ky bazament ligjor ka garantuar lirinë tonë dhe funksionimin e demokracisë, andaj mbështetja në normat e saj është siguria më e madhe për të gjithë ne.

Filed Under: Featured Tagged With: Bell Jashari, Kushtetuta

NACIONALIZMI, SHQIPËRIA ETNIKE DHE LËVIZJA N. – Çl

April 9, 2020 by dgreca


NACIONALIZMI, SHQIPËRIA ETNIKE DHE LËVIZJA N. – Çl.(2)/

Shqipëria nën pushtimin italian, bashkimi i trojeve shqiptare/

NGA EUGJEN MERLIKA/

Shqipëria u vu para një fakti të kryer. Mbreti kish ikur e Vendi ishte nën pushtim. Qëndra të vogla qëndrese mbretërorësh jepnin sinjale të dobëta, ndërsa nga jashtë ngjarjet shqiptare komentoheshin vetëm nga shtypi, por nuk kishte asnjë kundërveprim zyrtar. Shqipëria zyrtare pranoi gjëndjen e re dhe më 12 prill mblodhi Asamblenë Kushtetuese, ku merrnin pjesë përfaqësi të gjitha prefekturave. Ajo e Shkodrës përfaqësohej nga At Anton Harapi, At Gjergj Fishta, Gjon Marka Gjoni etj. të cilët kundërshtuan me forcë formën e Bashkimit dhe kërkuan princin e familjes Savoja për mbret. Megjithatë shumica dërmuese pranoi gjëndjen e re. U emërua Qeveria e re, e kryesuar nga një veteran i politikës dhe pronar i madh tokash, Shefqet Vërlaci. Në muajt e ardhshëm u kthyen në Shqipëri dhe eksponentët e Mërgimit, që ishin të ndarë dysh : një pjesë e quanin Italinë pushtuese, me të cilën nuk duhet të ketë asnjë lloj marredhëniesh, kurse tjetra  donte të shpëtonte atë që mundej dhe të kthente gjëndjen  në një përfitim sa më të madh për shqiptarët. Ai shihej në zgjidhjen e problemit kombëtar, mbasi italianët, jo haptas, kishin premtuar se do t’i bashkonin Shtetit shqiptar, që bënte pjesë në perandorinë e Romës, territoret e lëna jashtë nga konferencat ndërkombëtare.

                        Joshja ishte shumë e fortë dhe prirja për kundërshtimin apo qëndresën ndaj pushtimit, n’ato kohë të para, ishte pothuajse e paqenë. Ajo klasë politike që hyri në histori me nofkën “kolaboracioniste” a “bashkëpuntore” pati një sërë arritjesh në punën e saj. Së pari, Shqipërisë i u kursyen dëmet e luftës që, në pjesën më të madhe të tyre bien mbi popullin e thjeshtë. Që në fillim u morën masat për të fuqizuar e shtuar institutet shëndetësore me mjekë italianë e shqiptarë, edhe jashtë qyteteve. U bë një luftë e vendosur kundër malarjes e rezultatet qenë   të kënaqëshme. Veçanërisht e rëndësishme qe Shtëpia e Nanës dhe fëmijës në Tiranë. Po kështu një punë e mirë u bë për kurimin e tuberkulozit, ku pacientë në gjëndje të rëndë çoheshin në spitalet italiane. 

                        U bënë projekte të vlefshme, nga specialistë të njohur italianë, për furnizimin e Vendit me energji elektrike që, simbas llogarive, mund të arrinte në 10 miljon kw/orë në vit. Simbas këtyre specialistëve, të gjithë lumejtë e Shqipërisë mund të shfrytëzoheshin për hidroçentrale. Ende sot, mbas 80 vjetësh, nuk kemi arritur t’i vemë në zbatim ata studime. Parashihej një uzinë siderurgjike në Elbasan, ku u bë në fakt Kombinati Metalurgjik.

                        Në fushën financiare u bë barazimi i frangut shqiptar me 6,25 lira italiane. Frangu, që ishte bazuar në arin, tani duhej të bazohej në liretën, mbasi monedha shqiptare nuk mund të vazhdonte kursin e saj në gjëndjen e re të krijuar me Bashkimin. Bankat u shtuan dhe shtuan vëllimin e kredive. Kështu psh. Banka e Napolit, që kishte përfshirë dhe Bankën Bujqësore, shtoi shumat që i jepeshin si kredi bujqësisë shqiptare, nga 500.000 fr. në 1939 në 30 miljonë në 1942. Banka e Punës, që i u shtua panoramës së Instituteve të kreditit, këto të fundit i shtoi nga një 1,5 miljon më 1939 në 15 miljon në 1942, ndërsa depozitat e saj, nga më pak se një miljon arritën në 20 miljonë.

                        Një hov morën dhe ndërtimet, sidomos në Tiranë. Qëndra me ministritë dhe hotel Dajti janë punime t’asaj periudhe. Popullsia e Tiranës nga tridhjetë mijë vetë në 1939 arriti në rreth njëqind mijë në 1942. U hartuan projektet për bonifikimin e Vendit, nën drejtimin e inxhinjerit senator Prampolinit, autorit të bonifikimit të Kënetës Pontine në Itali. U llogarit që, në dhjetë vjet, të përfundonte gjithë tharja e kënetave shqiptare.

                        Krahas arritjeve në fushën ekonomike duhet theksuar edhe një përparim në fushën e kulturës. Ky ishte i lidhur edhe me krijimin e Institutit të Studimeve shqiptare, që filloi të merrej me çështjet më të rëndësishme, si gjuha letrare kombëtare. Në këtë Institut bënin pjesë personalitetet më të njohura të jetës kulturore shqiptare, arbëreshe e mjaft studjues italianë.

                        Ndërmjet shumë aktiviteteve si konferenca, simpoziume, takimesh të ndryshme vlen të flitet për Kuvendin e parë kombëtar të kulturës, që u mbajt më 2,3 e 4 korrik 1942, në Strugë, Shën Naum e Dibër, në të cilin u mbajtën disa kumtesa. Kuvendin e hapi Ministri i Kulturës, Dhimitër Berati, që propozoi për kryesinë e punimeve të ditës Ministrin e Arsimit Dr. Xhevat Korça, i cili u prit me duartrokitje të nxehta nga të pranishmit. Ministri Berati vuri në dukje se ky aktivitet  kishte për qëllim studimin e mjeteve e mënyrave për të përhapur kulturën, në të gjitha format e saj e në të gjitha shtresat e popullsisë.

                        Por sukseset më të mëdha të Qeverive nacionaliste ishin të lidhura me hapjen e shkollave shqipe në trevat e bashkuara, kryesisht në Kosovë. Buxheti i qeverisë Kruja për arsimin pothuaj se u dyfishua “nga 7.978.380 franga kishte kaluar në 13.950.000 fr.[1]Rilindja kosovare mobilizoi gjithë inteligjencën atdhetare dhe rininë nacionaliste shqiptare që, në figurën  gjithmonë të respektuar të mësuesit, u dyndën në “tokat e lirueme” për të hapur shkollat shqipe, edhe të mesme, të cilat vazhduan të funksionojnë edhe mbas ribashkimit me Jugosllavinë. Në gjithë këtë entuziazëm kombëtar për Kosovën vetëm komunistët mungonin, sepse për ta, ashtu si dikur për funksionarët otomanë, shkollat shqipe nuk ishin të dobishme. Në gjithë këtë punë të madhe duhet veçuar roli i shkëlqyer i dy Ministrave t’Arsimit në dy Qeveritë e para, të intelektualëve të rrallë Ernest Koliqi dhe Xhevat Korça, që i u kushtuan çështjes me një zell të jashtzakonshëm, duke bërë të pamundurën, jo vetëm për ndërtimin dhe hapjen e shkollave, por edhe për plotësimin e tyre me kuadrin e nevojshëm mësimdhënës.   

                        Organizimi i Kuvendit në “tokat e lirueme” ishte një dëshmi e interesit dhe kujdesit të “dheut amë” për të gjitha trevat shqiptare. Mbas Ministrit Berati foli shkrimtari i njohur Ernest Koliqi që mbajti kumtesën : “Ndjenja e bashkimit kombëtar në këngët popullore”. Pas tij Dr.Mihal Sherko zhvilloi temën “Problemet kulturore të Shqipërisë së sotme”. Dita e parë u mbyll me leximin e kumtesës së nënkryetarit të Dhomës korporative Qazim Nekiu, me titull “Zhvillime të bashkëpunimit kulturor italo-shqiptar”.

                        Dita e dytë u zhvillua në Monastirin e Shën Naumit, ku mori pjesë edhe Kryetari i Kishës ortodokse shqiptare. I pari foli gazetari Hilmi Leka mbi temën “Horizonte të reja në fushën e gazetarisë”. Prof. Rosolino Petrotta mbajti kumtesën “Gazetarët shqiptarë në Itali”, kurse gazetari Nebil Çika atë mbi “Zhvillime të gazetarisë shqiptare”. Në ditën e tretë në Dibër foli dramaturgu i njohur Ethem Haxhiademi për temën “Teatri dhe muzika shqiptare”. Pas tij gazetari Vangjel Koça foli mbi temën “Radioja si mjet kulture” e së fundi shkrimtari, gazetari e përkthyesi i mirënjohur Dom Lazër Shantoja mbajti kumtesën “Turizmi në funksionet e tij kulturorë”. Të gjitha kumtesat u pasuan nga diskutime të gjalla të pjesëmarrësve. 

                        Të gjitha këto veprimtari shkonin në dobi të zhvillimit të Shqipërisë e të afrimit me Evropën. Edhe se italianët shikonin, së pari, interesat e tyre, kur ata përkonin me interesat shqiptare, përsëri ne ishim të fituar. Vërtetë Vendi nuk ishte i lirë por, në gjithë Evropën, vetëm tre Vende kishin mbetur të lira : Anglia, Zvicra dhe Spanja e dalë nga lufta civile. Në këtë kuadër, një pushtim i tillë, me një Qeveri shqiptare që çdo ditë ngulte këmbë për plotësimin e interesave të saj kombëtare, herë herë me rezultate mjaft të kënaqëshme, nacionalizmi shqiptar e shihte me optimizëm rrugën e tij.

                        Sigurisht, jo të gjithë shqiptarët i shikonin ngjarjet me këtë sy. Kishte mjaft prej tyre që nuk e pranonin këtë gjëndje dhe përpiqeshin të organizoheshin për qëndresë por, në vitet e para të pushtimit, ajo ishte vetëm simbolike. Megjithatë në ato pak përpjekje për të kundërshtuar pushtuesin, italianët kundërvepronin me arrestime e internime në Itali e në Shqipëri. Shumica ishin elementë komunistë që filluan të lëvizin mbas 22 qershorit 1941, ditës që filloi sulmi i Gjermanisë ndaj BRSS. Kishte ndërmjet të përndjekurve dhe elementë nacionalistë që Qeveria shqiptare, sidomos ajo e Mustafa Krujës, në shumicën dërmuese i pati kthyer në Vendin e tyre.

                        “Nga fundi i vitit 1939 deri në tetor të 1940-ës simpatia progresive kundrejt Italisë, sigurisht i kushtohej shpresës së deklaruar që Italia, me prestigjin e saj, do të mund të arrinte bashkimin me Shqipërinë të trevave të shkëputura”[2]    

                        “ Citoheshin në veçanti dorëzimet e dokumentavet nga shumë personalitete të rradhës së parë, që dëshmonin të drejtën e shqiptarëve për të zotëruar Çamërinë. Shtonja se nga Pindi banorët arumunë i dërgonin shumë bashkatdhetarëve të tyre, shpesh në pozita të larta, shprehjen e dëshirës që territori i tyre një ditë t’i bashkohej Shqipërisë. Kjo edhe në kujtimin e periudhës 1917-18, në të cilën trupat tona kishin pushtuar atë krahinë.

                        Fushata e shtypit, e zhvilluar mbas vrasjes së Daut Hoxhës, dhe lajmet rreth incidenteve të ndodhura ndërmjet Italisë e Shqipërisë, kishin lumturuar shpirtin e shqiptarëve që banonin jashtë. Ishim informuar se Faik Konica, ish Ministër i Shqipërisë në Uashington, ishte i gatshëm të jepte pëlqimin e tij për regjimin e ri, kur ai të vërtetonte se donte të bashkonte të gjithë shqiptarët në një shtet.”[3]

                        Siç shihet nga këta fragmente të veprës së Jakomonit, çështja kombëtare ishte bërë ajo kryesore e politikës shqiptare, por në të njëjtën kohë dhe një problem me shumë rëndësi për Italinë dhe marredhëniet e saj me shtetet e Ballkanit. Jakomoni mëton, në kujtimet e tij, të paraqesë anën pozitive të problemit çam. Në të duket se italianët e ngrinin këtë për të plotësuar premtimin kundrejt nacionalizmit shqiptar.

                        22 maj 1940. …Shqiptarët janë hedhur në rrugën e ndërhyrjes : duan Kosovën e Çamërinë! Për ne është e lehtë ta rritim popullaritetin tonë, duke u bërë eksponentë të nacionalizmit shqiptar!”[4]

                        Edhe Çiano, si Jakomoni kalëron çështjen e shqiptarëve. Instrumentalizimi i vrasjes së Daut Hoxhës kishte për synim bindjen e opinionit publik shqiptar, se ishte ky shkaku i një lufte  të mundëshme me Greqinë. E vërteta ishte se i mëshohej atij argumenti për të fshehur motivin e vërtetë të një sulmi të paracaktuar kundër Greqisë, që ishte element kryesor i strategjisë italiane për Ballkanin. Nëse dikush, në konferencën e Paqes në Paris më 1946, e ka tundur flamurin e akuzave greke kundër Shqipërisë e, për më tepër, Greqia ende në teori ruan gjëndjen e luftës, duhet të dijë se vendimet për luftën italo – greke janë marrë kryekëput nga Qeveria italiane, për të realizuar projektin e saj të Perandorisë e në garë me aleatin gjerman që kishte pushtuar Rumaninë, pa e vënë në dijeni më parë Musolinin. Sigurisht, shqiptarët e prisnin me ankth një çast të tillë, por nuk ishin ata që vendosnin për luftën italo-greke. Të fajësohen qëndrimet e nacionalizmit shqiptar, sepse kërkonte  bashkimin e atyre trojeve me Shtetin e tij, një bashkim që kishte ekzistuar që nga agimet e qytetërimit, më duket diçka absurde. Vetëm historiografia dogmatike komuniste, për të cilën kombi është një entitet “reaksionar” e vlerat e vërteta janë “internacionalizmi proletar”, mund t’a pranojë e t’a pohojë me zë të  lartë. Nëse  ky bashkim vinte nga lufta e italianëve  që donin të zgjeronin perandorinë e tyre, nuk më duket se ka ndonjë arsye, edhe në logjikën e saj më parake, që ndonjë shqiptar, që kishte 30 vjet që vajtonte Atdheun e cunguar nga grekët e serbët, mos t’a pranonte  e, aq më tepër, t’a kundërshtonte. Nëse ndonjë ultradashamir i Greqisë sheh në këtë veprim një shfaqje shovinizmi të Shtetit shqiptar të kohës e klasës drejtuese të tij, një veprim të dënueshëm që gjoja Caldaris e përdori si argument që padiste Shqipërinë në Konferencën e Paqes, ai o ka nevojë për një vizitë psikiatrike, ose ka ngatërruar kombësinë e, gabimisht ka marrë atë shqiptare.

                        Nëse dërgata greke në Paris i dha shfrim të lirë gjithë arsenalit tradicional kundër shqiptar, si zakonisht deri në atë kohë, duke sjellë në skenë dhe Ismail Qemalin, për të argumentuar shovinizmin e saj të pabazë e të paparim në kërkesat për territore të tjera shqiptare, kjo ndodhte se Shqipërinë atje e përfaqësonin njerëz që ishin jo zëdhënës të interesave shqiptare, por të atyre jugosllave. Shqipëria u vu në bangën e t’akuzuarve, jo për qëndrimin në luftën italo-greke, kur ajo ishte një Vend i pushtuar dhe nuk kishte asnjë fuqi për t’a nxitur apo për t’a ndaluar luftën. Aq është e vërtetë kjo sa që as Çamëria, as krahina e Pindit dhe as Janina, Arta e Preveza, territore mijëvjeçare shqiptare, nuk u bashkuan me Shqipërinë, për një vendim të diskutueshëm të Ministrisë së Jashtëme italiane. Historianët e regjimit e fshehin të vërtetën kur nuk thonë se Shqipëria u padit në Paris, si një shtet terrorist, që kishte shkaktuar vdekjen e më shumë se 40 detarëve britanikë, aleatë të fuqishëm gjatë luftës, si pasojë e minave, të vëna nga padronët e çastit në politikën shqiptare, komunistët jugosllavë, me miratim të  Qeverisë së Enver Hoxhës.[5]

                        Por le të shohim se çfarë shkruan Çiano në ditarin e tij :

                        “Viti 1940

                        17 gusht. Alfieri ka patur një takim interesant me Ribbentropin. Rezulton : 1) Qeveria gjermane nuk dëshiron një afrim të ri, shumë të theksuar midis nesh e Rusisë; 2) Duhet të lihet mënjanë çfarëdo projekt sulmi mbi Jugosllavinë; 3) Një aksion eventual kundra Greqisë nuk është i mirëpritur në Berlin. Ky është një bllokim i plotë në të gjithë linjën. Sipas Ribentropit “çdo përpjekje duhet të përqëndrohet kundër Britanisë së Madhe, sepse ajo-dhe vetëm ajo- është çështje jete a vdekje”. Duçja e redaktoi vetë përgjigjen : natyrisht pranojmë pikëpamjen berlineze! Edhe përsa i përket Greqisë : e futim në kasafortë notën që tashmë ishte gati.

                        12 tetor… Duçja është i indinjuar mbi të gjitha për pushtimin gjerman të Rumanisë. Thotë se kjo ka bërë përshtypje të thellë e të keqe në opinionin publik italian, sepse nga arbitrati i Vjenës, askush s’e priste këtë rezultat. “Hitleri më vë gjithmonë përballë faktit të kryer. Këtë herë do t’a shpërblej me të njëjtën monedhë : do t’a mësojë nga gazetat që kam pushtuae është dakord me Badoglion. “Akoma jo” u përgjigj “Por jap dorëheqje si italian nëse dikush gjen vështirësi për t’u ndeshur me grekët”. Tashmë Duçja është i vendosur të veprojë. Në realitet besoj që operacioni është i frutshëm dhe i lehtë.

                        14 tetor. Musolini më flet sërish për aksionin në Greqi dhe fikson ditën e 26 tetorit. Jakomoni jep informacione shumë të favorshme, veçanërisht për gjëndjen shpirtërore të popullsisë çame që është në favorin tonë.”[6]

                        Cilido që nuk ka yzengji në tru e kupton se nuk mund të ketë asnjë lloj veprimi që ngarkon me përgjegjësi Qeverinë shqiptare në atë rast. Dihet se si rrodhën ngjarjet në luftën italo-greke. Humbja e italianëve qe i pari dështim i Boshtit në fushën ushtarake, në luftën e dytë botërore. Por thyerja e italianëve në Epir u pasua me sulmin gjerman në Ballkan dhe barazpeshat e Versajës u rrëzuan më 18 dhe 27 prill, me hyrjen e gjermanëve në Beograd e në Athinë. Këta veprime luftarake ndryshuan edhe hartën e Ballkanit, me krijimin e shteteve të Kroacisë e të Malit të Zi, me zgjerimin nga lindja e jugu të Bullgarisë e me bashkimin me Shqipërinë të Kosovës, Dibrës, zonës së Liqenjve e, më vonë të Plavës e të Gucisë. Mbetën jashtë kufijve ende Çamëria, Pindi dhe zona e Janinës, Artës e Prevezës.(Fillimi: Kerkoje me saerch ne daten 7 Prill 2020)

(VIJON)


[1] Kastriot Dervishi “Historia e Shtetit shqiptar 1912 – 2005”  F. 465

[2] Francesco Jacomoni di San Savino  “La politica dell’Italia in Albania”  F. 232 

[3] Po aty  F.239

[4] Ditari i kontit Çiano F.60

[5] E vërteta mbi  ato ngjarje është shkruar nga Kastriot Dervishi në “Historia e Shtetit shqiptar 1912-2005” F. 575-577

[6] Ditari i Kontit Çiano  F. 62 – 64

Filed Under: Opinion Tagged With: Nacionalizma, Shqiperia Etnike 2

KUJTOJMË NJERIUN E MIRË, VATRANIN TEKI GJONZENELI

April 9, 2020 by dgreca

Me 9 Prill 2019, si sot, ka ndërruar Jetë Teki Gjonzeneli, patriot, vatran me shpirt, bir i një familje nacionaliste, që diktatura komuniste, e plasi honeve të Ferrit, duke mos ia kursyer as të parin e familjes,as bijtë.Tekiu u varros me me nderime me13 Prill. Atë ditë unë isha atje me gjithë miqtë e mi vatranë Zef Balaj dhe Asllan Bushati. E përcollëm si mik, si vatran. Në Dielli botova artikullin e mëposhtëm, që në shenjë kujtese, po e përcjell sërish së bashku me ngushëllimet drejtuar bashkshortes Finlanda, vajzës Monika, djalit Fatmir(Frank), vëllezërve Murat dhe Memisha, nipërve dhe mbesave, gjithë të dashurëve: Pusho në Paqë Njeriu i mirë Teki Gjonzeneli!

   ***

TEKI I DASHUR, SHPIRTI YT DO TË ENDET NË PËRJETËSI MES AMERIKËS DHE SHQIPËRISË 

Nga Dalip GRECA

Të Shtunën, 13 Prill 2019, i dhamë lamtumirën e fundit njeriut tonë të dashur, ish të përndjekurit politik Teki Gjonzeneli. Shpirtvrarë, me zemra të coptuara nga dhimbja; bashkshortja Filanda(Didi), djali (Fatmiri), vajza(Monika) mbesat dhe nipat, të afërmit, vëllezërit Murat dhe Memishau, ne miqtë e Tekiut, përmes lotëve tek hidhnim dheun në gropën e hapur, gëlltisnim dhimbjen.
Murati, që ka ardhë nga Arizona, tek i jep lamtumirën vëllait për të cilin ndjehet krenar, përpiqet të artikulojë fjalë zemre, por zeri sikur nuk i bindet; në vend të fjalëve dalin psherëtima dhimbjeje: “Me torba në krah nga kampi në kamp, nga burgu në burg, duke u endur pas meje…Kështu do të mbetesh për jetë në kujtesën time, edhe po qe se rrugët e jetës nuk do të na takojnë përsëri, i dashur vëlla.”… është bashkëbisedimi i dhimbshëm me pasvdekjen e vëllait.
E ka të vështirë Murati t’i lexojë ato pak rreshta që ka shkruar. Tekiu nuk ishte vetëm vëlla për atë dhe Memishaun, pasi ka qenë edhe prind, edhe mentor.
Në kalvarin e jetës së Muratit, Tekiu ka mbajtur familjen Gjonzeneli, që kur ishte 15 vjeçar: “Ngarkonte makina me gur dhe zhavor dhe motra e madhe i mjekonte duart e tij të brishta që kullonin gjak…”
I dridhet zeri dhe trupi, duart nuk i binden të mbajë fletët, por Murati gjenë forcë të shpreh ç’ka i thotë shpirti: Gjatë të gjithë jetës im vëlla, Tekiu, ka luftuar dhe ka fituar. Është rrëzuar por është ringritur përsëri më me forcë, më me kurajo, më me guxim.
Tekiu kishte shpirt njerëzor: I dashur me këdo. Në shpirtin e tij s’kishte kurrë urrejtje, ishte altruist, përherë i gatshëm për të dhënë gjithçka për këdo që ia kërkonte ndihmën. Shtëpia e tij në Nju Xhersi ishte përherë e hapur. Kush erdhi aty dhe nuk iu hap dera? Dhe Tekiu i priste me zemër të hapur e buajri. ..
Për t’i dhënë lamtumirën kanë ardhur edhe përfaqësues nga Federata VATRA, Zef Balaj dhe Asllan Bushati, që përcolli ngushëllimet në emër të Vatranëve. Bushati kujtoi lidhjet shpirtërore të Tekiut me Vatrën dhe Diellin, pjesë e të cilëve ishte që prej më shumë se 10 vitesh. Dhurimi i bibliotekës familjare , tregon respektin e tij për Federatën VATRA dhe vatranët, tha ndër të tjera Bushati.
Mbesa e Tekiut, vajza e Monikes, ndjehet krenare për gjyshin dhe shpreh dhimbjen që do t’i mungojë pas kësaj ndarjeje, por kurrë nuk do ta harrojë gjyshin e dashur. Monika, vajza e Tekiut, shtërngon pranë vetes nënën e dashur dhe qanë në heshtje dramën e saj. Didi, ëshët mpirë nga dhimbja, por qëndron me stoicizëm.
Djali i Tekiut, Fatmiri, arrin ta mposht ngërçin që i është mbledhur në grykë dhe përcjell krenarinë për babain e tij;Natyrisht e ka të vështirë të përcjellë në pak fjali ato çfarë ndjenë për të Atin dhe çfarë ishte jeta e pasur e plot ngjarje e babait të tij. Për të birin, Fatmirin, jeta e të Atit dhe e gjithë familjes Gjonzeneli, ishte e ngjajshme me personazhet e novelave të Dikensit, madje shkrimtari i madh as nuk mund ta imagjononte një jetë të atillë, që kaloi familja Gjonzeneli, ku shtylla e shtëpisë Muhameti, babai u burgos, ndërsa nëna Zonja, u rropat në punë të vështira për t’i mbajtë gjallë fëmijët. Tekiu ishte një nga shtatë fëmijët e mbijetuar në kushte tejet të tmerrshme të diktaturës komuniste të familjes Gjonzeneli dhe iu desh të punonte që në moshën 15 vjeçare. 
Fatmiri edhe pse erdhi fëmijë në SHBA, e ka brenda vetes dramën, që ka përjetuar familja e tij në Shqipërinë komuniste, por ai ndjehet krenar për të Atin, që e fitoi betejën me diktaturën. Jeta e të atit u bë më me kuptim pasi një ditë pati fat; u takua me një grua të bukur(nënën e Fatmirit dhe të Monikës), jeta e së cilës, ishte një paralele e jetës së Tekiut, por ndërsa babai i Tekiut kishte përfunduar në burg, babai i shoqes së jetës, Filandës, ishte pushkatuar! Por të dy ata e përballuan jetën duke sfiduar kushtet e ashpra.
Citoj Fatmirin: Jeta e Tekiut qe si e shumë njerëzëve të asaj gjenerate; qe e vuajtur, por edhe e pasur me dashuri. Tekiu u rrit me 6 motra e vëllezër në rrugët e Skelës në vitet 40-50. Me babain në burg politik, edhe nënën në punë të rënda, Gjonzenelajt u rritën si karakteret në novelat e Dikensit. U rritën rrugëve, edhe u doli nami në Skelë si të zotët për punë e mbijetesë.Dhuna komuniste nuk i linte ta nxjirrnin veten nga kjo gjendje e rëndë. Qamili, vëllaji i madh notoi deri në Korfuz për të përmisuar fatin e ti. Kurse tre vëllezërit e tjerë të gjithë i panë qelitë e hetuesisë dhe ferrin e burgjeve socialiste. Por këto vuajtje ushqyen lidhje të forta familjare që akoma vazhdojnë dhe nuk u çanë as nga persekutimi, as nga emigrimi…. Nje dite, Tekiu qe me fat; takoi nje vajze te bukur, e cila ishte nga rethanat jetësor me jete te ngjashme, si e tij. Ekuptoi menjehere qe kjo grua qe partnere e pershtatshme per te ngritur nje jete se bashku. E ngriten jeten bashke neper çdo vuajtje. Ata sakrifikuan per njeri tjetrin, edhe punuan fort, kudo. 
Me shume pune, zgjuarsi, edhe humor, ndërtuan një jetë të mirë për atë kohë. Por nga fundi i viteve ’80, vajzat po rriteshin edhe po bëheshin gra. Tekiu e dinte mirë çfar lloj fati i priste fëmijët e tij në Shqipëri, ndaj me Didin për dore, e çmontuan jetën edhe gjithë “pasurinë” që kishin bërë në Tragjas. Sakrifikuan pleqërinë, edhe rehatinë e tyre, për të ardhmen e fëmijve.
Si emigrantë të rinj e ndërtuan jetën prap nga e para. U munduan, punuan, edhe krijuan çdo oportunitet që mundeshin për fëmijët e tyre. Por edhe ndimuan emigrantë të tjerë kur mundeshin.
Vdekja e Tekiut, imitoi jetën e ti; qe plot me dhimbje, por edhe plot me dashuri. Kanceri është një sëmundje e tmerrshme! Çdo ditë të vjedh mundësitë. Por Tekiu e përballoi me vullnet dhe humor. Një ditë, i lodhur e me dhimbje, e pyeti infermjeren: 
– “Kur do vdes?” 
Ajo ju përgjigj, “Zoti s’është gati për ty. Akoma është duke përgatitur dhomën për ty…”
Tekiu iu përgjigj: “Thuaj të fillojë me banjën të parën.”!

– Baba,- do të na marrë malli çdo ditë! Do na mungosh në momentet me gëzime dhe hidhërim që jeta ka. Dhe çdo herë që nipërit e mbesat e tu, arrijnë një lartësi të re jetësore; në do themi, “Oh sa qejf do të kishte babi ta shikonte!” Edhe sigurisht, lojërat e futbollit s’do jenë njësoj. Besoj se edhe Mesi “qanë” sot për Ty. 
Babi, doje të vdisje në ditë me diell, dhe në ditë me diell shkove. Shpresoj se çdo ditë të jetë me diell aty ku je!

Mos ki merak për ne. Ne kemi trashëguar ngulmimin, fisnikërinë, dhe dashurinë tënde. Këto janë gurët e fondacionit të jetëve tona.
Mirupafshim Toti. Të duam për JETË!!

***
I vëllai i Tekiut, Murat Gjonzeneli, gjatë fjalës së tij përcjellëse kujtoi: Kur ndërroi jetë nëna jonë iu ndodhën pranë vetëm 8 vetë, dy prej të cilëve ishin varrmihësit, por Tekiu e kishte funeralin plot të Enjten, me 11 prill, tek i dha lamtumirën familja dhe komuniteti. Atë natë ishin aty edhe bashkvuajtësit e tij,edhe pse fizikisht nuk mundën të kapërcenin Oqeanin. Ishte aty edhe ish Kryeminstri demokrat Aleksandër Meksi që gjeti mënyrën për t’i sjellë një buqetë me lule dhe një mesazh zemre në ndarjen me Tekiun që e pat mik; ishin aty me mesazhet dhe homazhet e tyre edhe ish të përndjekurit politikë. I sollën aty edhe kujtimet e Muratit dhe Memishaut: U kujtuan Reshat Kripa, vëllezërit Çoku, edhe Enver Memishaj, edhe Profesor Sami Repishti…Homazhet për Tekiun u kryen nga bashkatdhetarët në Shqipëri dhe në SHBA. Mjafton të shohësh shkrimet-homazhe të Reshat Kripës, Enver Memishaj, dr. Prenjo Imeraj, Prof. Sami Repishti, shkrimet e gazetes”Dielli”, mjafton të shohësh qindra mesazhe e komente ngushëlluse në rrjetet sociale dhe bindesh se ç’njeri i mirë ishte Teki Gjonzeneli.

                     ***
Lamtumirë i dashur Teki, do ta ndjej mungesën tënde!
Unë nuk arrita të mbaja fjalën time në përcjelljen tënde, edhe pse yt bir Fatmiri dhe vëllezërit e tu, Murati e Memishau, ma kërkuan këtë. Arsyen ti e merr me mend, nuk mund ta përballoja ngarkesën emocionale për shkak të problemeve kardiake, por ti e di, miku im se sa të doja e të respektoja. Isha me fat që një javë para se të ikje nga kjo botë, së bashku me Latifin, ne biseduam gjatë. 
Unë ish me fat që u njoha me ty dhe familjen tënde, i dashur Teki. Ne u bëmë miq që me takimin e parë, kur unë punoja tek Illyria dhe ti erdhe në New Yorker Hotel , ku ishin zyrat e gazetës dhe së bashku me Filandën më besove ditarin “sekret” të xhaxhait të Filandës, Reshat Agaj dhe unë e pranova pa kushte dhe pa shpërblim. Ato fletë të zverdhura, të lëna amanet nga “Vëllai i pengut” përmbanin të gjithë tragjedinë e Gjonzenelëve. Dhe ne arritëm që ditarin të kthenim në libër pasi ia prezantuam më parë lexuesit shqiptaro-amerikan në SHBA, duke e botuar në disa numra si Dossier. Libri u botua dhe ribotua disa herë. Ky libër- ditar na bëri miq. Shkuam në shtëpitë e njer-tjetrit. Po ti nuk u mjaftove me kaq, gjete dhe shtëpinë e prindërve të mi në Lushnje dhe çdo verë kur vizitoje Shqipërinë shkoje dhe i shihje dhe ata, nënën time të paralizuar dhe babanë e sëmur. Gjithmonë më sillje nga Shqipëria lajme nga familja dhe librat e rinj që botoheshin në Tiranë, i bleje në dy kopje. Ti miku im u bëre dhe pjesë e Vatrës dhe e gazetës DIELLI, ku denoncoje plot kurajo neokomunizmin shqiptar dhe mosndëshkimin e fajtorëve të diktaturës, që të dënuan pa faj familjen dhe veten tënde.
Ti miku im, do të jesh i pranishëm brenda qenies time si njeri i dashur dhe i respektuar. Unë do të jetoj me kujtimet e përbashkëta. Këtu, në zyrën e Vatrës, mbi kompjuterin e punës, kam vendosur një Flamur Vlore;punuar në tezgjah nga duar vlonjate, është dhurata që më ke sjellë ti. Sa herë që do të dua të bisedoj me ty do të zbres në bibliotekën e Vatrës, ku është këndi me librat e tua dhuruar Vatrës dhe do të diskutojmë për librat dhe për Shqipërinë. Do të shoh edhe Fotografinë e madhe të Ujit të Ftohtë. Është kujtimi yt!
Lamtumirë! Shpirti yt do të endet mes Amerikës dhe Shqipërisë. I doje të dyja, edhe pse, e dyta ishte treguar NJERKË me Ty!
Lamtumirë, vëlla TEKI!
Totowa, NJ, 13 Prill 2019(Botoi:Dielli, Prill 2019)

Biblioteka e Teki Gjonzenelit dhuruar Bibliotekes se Vatres…
Me kete tablo parasyve shkoi te pushoi pergjithmone Tekiu.Nje kopje e ruajme ne arkivin e Vatres. Ai na e pat bere dhurate.

Filed Under: ESSE Tagged With: dalip greca

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 647
  • 648
  • 649
  • 650
  • 651
  • …
  • 5724
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Sot dita e lindjes së atij që i dha Shqipërisë Pavarësinë numër 2: Thomas Woodrow Wilson
  • DR. STEPHAN RONART (1933)  : “JA SI PJETËR BUDI DO TA RISHKRUANTE LETRËN E TIJ DËRGUAR 4 SHEKUJ MË PARË DUKËS SË SAVOJËS PËR TURIZMIN AKTUAL NË SHQIPËRI…”
  • PLUHUR VEZULLUES YJESH NGA LASGUSHI IM
  • BASHKËBISEDIM KULTUROR – Kristo Floqi dhe Komedia Shqiptare
  • MESAZHE TË BUKURA NJERËZORE
  • Kushtrim Shyti, djali i mësuesit, poetit dhe dëshmorit të UÇK-së, Mustafë Shyti, vizitoi Vatrën
  • KOSOVO CINEMA IN NEW YORK CITY: DOUBLE BILL WILL SCREEN IN MANHATTAN AND BRONX FOR BRONX WORLD FILM’S 15th ANNIVERSARY
  • NUK MUND TË ANASHKALOHET ROLI I ERNEST KOLIQIT NË FORMIMIN E MARTIN CAMAJT
  • MALI I ZI, VENDI KU KSENOFOBIA NDAJ SHQIPTARËVE ËSHTË NË RRITJE E SIPËR
  • “Kosova Lindore, dje, sot dhe sfidat e së ardhmes”
  • TIDENS TEGN (1929) / LETRA E EVELYN STIBOLT, MËSUESES NORVEGJEZE TË KUZHINËS SHKOLLORE : “EKSPERIENCA IME NË SHKOLLËN PËR VASHA NË KORÇË…”
  • FOTO – STUDIO VENETIKU dhe fotografja e parë shqiptare që vdiq në burgjet e diktaturës
  • KLINIKA E POEZISË, VISARI NË UNIVERSITETIN ILLINOIS, SHBA…
  • Dialogu dhe politika e jashtme e Kosovës, katër vitet vendimtare për shtetin
  • KRISHTLINDJET…

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT