• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

KUJTESË- DY VJET PA AGIM KARAGJOZIN…

April 7, 2020 by dgreca

PËR SHPIRTIN VATRAN TË AGIM KARAGJOZIT*/

Ing.Agim Karagjozi shkoi të pushojë. Në përcjelljen e fundit iu bënë të gjithë nderet që meritonte; si njeri fisnik, patriot i palëkundur, antikomunist i pa kompromis, si bashkshort, si prind, si gjysh,si qytetar amerikan, dhe si vatran shembullor;- Noli do të thoshte se ai ishte vatran i dimrit e i beharit- 60 vjet në Vatër, dy dekada Lidër i saj, 18 Vjet President i Vatrës, një mandat zv/kryetar i Vatrës. Një CV e pasur që do ta kishte zili kushdo. Ai dha për Vatrën gjithçka kishte, por mbi të gjitha shpirtin e tij e njësoi me shpirtin dhe frymën e Vatrës. Po po, Vatra është  Frymë, është shpirt. Është frymë Kombëtare, është shpirt  atdhetar, ai që nuk e ndjenë këtë nuk mund të bëhet vatran i përkushtuar. Nuk mjafton që ta shprehësh me fjalë se je me frymën e Vatrës, apo se je i gatshëm  të përcjellësh frymën e Vatrës, jo, nuk mjafton, duhet që brenda vetes të plazmosh frymën e  Vatrës.

         Agim Karagjozi i dha Vatrës energjitë e shpirtit të tij, i dha të gjithë kohën e tij, sakrifikojë edhe familjen për Vatrën dhe Çështjen Kombëtare. Por familja e mirëkuptoi dhe i ndihu aq sa mundi. Djali i madh, Zuhdiu, që mbanë emrin e gjyshit, iu bë krah edhe në Vatër dhe u përfshi në nismat e babait në ndihmë të Vatrës. Ndërtesa e sotme e Vatrës është një nga dëshmitë-provë të kontributit të binomit babë e bir.

   Në fjalën përcjellëse  që mbajti i biri në ditën e përcjelljes, kushdo që e dëgjoi u emocionua, tek shprehu plot emocione krenarinë e birit për të Atin; mbi të gjitha ai ndjehej krenar pse babai i tij po përcillej e po vlerësohej edhe në çastet e mbrame si një patriot i paepur, si intelektual, si njeri bujar, që dha gjithçka për Vatrën Shqiptare të Amerikës. Vetë Zuhdiu e cilësoi babanë njeri vetmohues, që mbi gjithçka vuri interesin e Kombit të vet dhe luftoi për Lirinë e tij. Agim Karagjozi me brezin e  vet të patriotëve nacionalistë, ishin zotuar për t’i kthyer lirinë Atdheut. Dhe tashmë nuk është më sekret të dihet se shtetësinë amerikane, ai e mori pas shembjes së komunizmit. Vetëm përfaqësuesit e denjë të Elitës nacionaliste mund ta bënin këtë sakrificë. Agimi ishte një nga ata.

         Edhe pse Vatra nuk “lulëzoi” numerikisht në dy dekadat që e drejtoi Kryetari Agim Karagjozi, ajo do të mbahet mend për qëndresën dhe kryrjen e  obligimeve ndaj Kombit, edhe pse me pak anëtarë. Vatra ishte kudo ku e kërkonte interesi Kombëtar, ku e kërkonte Shqipëria, Kosova dhe të gjitha trevat ku jetonin shqiptarët, ishte në Washington e Tiranë, në Prishtinë e Shkup. 

Vatra me Karagjozin në krye, luftoi për sjelljen e demokarcisë dhe duartrokiti ardhjen e saj,për të cilën vatranët kishin luftuar për gati gjysëm shekulli.Rrëzimi i shtetit demokratik në vitin 1997 e pezmatoi kryetarin Karagjozi dhe ekipin e tij vatran. Qëndrimi ishte i prerë: Shteti u rrëzua me dhunë, me mashtrim pirmaidal, dhe ndihmë nga jasht, aleatët antikombëtar të socialistëve. Vatra nuk e njohu shtetin e komunistëve të rikthyer në pushtet pa “larë hesapet” me të shkuarën dhe shkaktarë të së keqes. Dhe ja si e argumentonte Kryetari i Vatrës këtë qëndrim të prerë : “Jo, nuk e njohim qeverinë komuniste që ka ndryshuar vetëm emrin.Mbetet i pakontestueshëm fakti se ajo qeveri e mori pushtetin, më 1997, me rrugë të paligjshme, me nxitjen dhe drejtimin e një tërbimi barbar, që terrerorizoi popullin, rrënoi vendin dhe e zhyti shtetin shqiptar në një anarki katastrofike sa që e çoi atë në pragun e copëtimit dhe shpërbërjes së tij. Egërsia komuniste nuk njohu kufi në krimet dhe shkatërrimin e poshtrimin e atdheut para etjes së pafrenueshme për të rihedhur në dorë kontrollin e shtetit. Ajo qeveri jo vetëm është e paligjshme, por shumë prej anëtarëve të saj janë përgjegjës për veprime kriminale kundër interesave të kombit shqiptar, për të cilat duhet të japin llogari.”

Kështu arsyetonte Kryetari i Vatrës dhe kështu vendosi Vatra. Në logjikën e kryetarit dhe ekipit që i shkonte me besim pas kjo mosnjohje prej Vatrës le të gjykohej nga historia nëse ishte në kahjen e duhur apo jo.

       “Vatra” si organizatë kombëtare me tradita gati njëshekullore mbanë përgjegjësinë t’i shohë zhvillimet politike në botën shqiptare në dritën e së vërtetës për interesat kombëtare dhe zhvillimin e demokracisë, gjykonte Kryetari Karagjozi. Ajo duhet të marrë qëndrime parimore, pa bërë lojë politike dhe lëshime që do të komprometonin emrin e saj, siç do të ishte njohja e qeverisë së 97-tës. Le të mbetët e regjistruar për gjithë kohën se në këto vite, kur Shqipëria dergjet kokë-ulur, e dërmuar nga bëmat e bijve të saj bastardë komunistë dhe e indinjuar nga arbitrariteti dashakeq i ushtruar nga jashtë, “Vatra” nuk e la të shuhet zërin e protestës shqiptare. Dhe Vatar protestoi këtu në SHBA dhe në Tiranë. Në krye ishte ai, Kryetari karagjozi dhe ekipi i tij.

  Kryetari i Vatrës që kishte rrëmbyer armën për liri në radhët e Ballit Kombëtar që në rininë e hershme dhe kishte shkuar deri në Kosovë për ta çliruar, nuk mund të ndjehej i qetë në kohën kur Kosova po kallej flakë prej hitlerit të kohëve moderne, Sllobodan Millosheviçit. Mori bashkëpunëtorët e ngushtë dhe shkoi deri tek lufëtëtarët e Lirisë dhe së bashku me vatranët u dha shpresë për liri dhe u ndihu me sa mundi. Ishin kohë të vështira; në Shqipëri kaos, në Kosovë flakë, por Agimi nuk u friksua; shkoi me vatranët deri tek spitali ku luftonin për jetën me plagë në trup bijtë e Kosovës e të Shqipërisë, dërgoi ndihma mjeksore dhe dollarë të mbledhira nga vatranët. 

          Kryetari karagjozi do të mbahet mend edhe si”nikoqir” i Vatrës: ai mblodhi kurseu dollarët e fushatave të Vatrës, kryesoi fondin e banesës, kryesoi fushatën për ndiham në Kosovë, kryesoi fushatën për ndihma gjatë përmbytjeve në Shkodër etj. 

Trashëgimia e Agim Karagjozit është vlerë për Vatrën e sotme dhe duhet t’i shërbejë vatranëve si model përkushtimi. 

          Ajo çfarë tha i biri, Zuhdiu në fjalën e tij përcjellëse, nuk duhet marrë thjesht si  vlerësim i të birit për babanë e tij, por si përcjellje mesazhi nga një gjeneratë tek tjetra. Ai tha se ikja e Agimit shënon fundin e një epoke, por varet nga ne, gjenerata e re, për ta mbajtur të fortë flakën e shqiptarizmit. Epoka e Agim Karagjozit kishte për moto:Vendosni interesin e Kombit mbi gjithçka.

Mbi të gjitha,Agimi Karagjozi, si kryetar i Vatrës, na la frymën e Bashkimit;ta ruajmë atë si vlerë të shenjtë, si egzistencë vatrane.

Ta çlirojmë shpirtin nga qejfmbetjet, grindjet, nga interesat personale, dhe të vendosim mbi gjithcka frymën kombëtare. Edhe Partitë politike janë të vogla për t’na përçarë para Kombit, le t’i mësojmë ato se VATRA do t’i nderojë kur të punojnë dhe të nderojnë Shqiptarinë. 

* EDITORIALI PERCJELLES I GAZETES “DIELLI” NE NUMRIN SPECIAL, Prill 2018

Filed Under: Politike Tagged With: 2 vjet

NACIONALIZMI, SHQIPËRIA ETNIKE DHE LËVIZJA N. – Çl.

April 7, 2020 by dgreca

7 Prilli, pushtimi fashist e rrethanat ndërkombëtare të tij /

Nga Eugjen MERLIKA/ Zakonisht katastrofat, në jetën e kombeve, kanë një aftësi bashkimi e kompaktësimi të shoqërisë në gjirin e tyre. 7  prilli 1939, në historinë tonë, nuk pati një fat të tillë. Ai e ndau disa pjesësh opinionin shqiptar e madje dhe mënyrën e paraqitjes së tij në historiografi.

                        Është shkruar e folur shumë për këtë ngjarje ogurzezë për pasojat që pati në historinë e Shqipërisë. Propaganda komuniste vazhdon edhe sot të shkruajë se Mbreti Zog i a shiti Shqipërinë Italisë, po ashtu sikurse akuzohet Mërgata politike shqiptare për të njëjtin veprim. Nuk ka asgjë më të rreme e më pa baza se ky “postulat”, që prej gati 80 vjetësh turbullon kujtesën historike të shqiptarëve. Asnjë shqiptar, i çfarëdo bindjeje politike, nuk e ka dashur pushtimin, nuk ka punuar për të e po ashtu, nuk ka patur mundësi t’a shmangë. Sfidoj cilindo që të vërtetojë të kundërtën e këtij pohimi, qoftë edhe me një dokument të vetëm të vërtetë, jo me hamëndje dashakeqe demagogjike, të vëna në shërbim të politikës e të mbetura të tilla edhe sot, kur ajo lloj politike ka dështuar duke lënë mbrapa vetëm gërmadha.

                        Mbreti Zog që, deri në fund, i vazhdoi traktativat vetë ose nëpërmjet titullarëve të Qeverisë, vendosi të largohet kur e kuptoi se kërkesat italiane nuk mund të pajtoheshin me pavarësinë shqiptare. Bisedimet ishin një shprehje e hipokrizisë së politikës italiane, mbasi vendimi për pushtimin ishte marrë nga Kryeministri italian dhe ministri i jashtëm i tij, rreth një vit më parë. Mjafton të lexohet Ditari i Çianos : 

                        “Viti 1938

                        30 prill. I referoj Duçes mbi udhëtimin në Shqipëri. Do t’i përmbledh në një raport. Po ai menjëherë bie dakord për nevojën e një zgjidhjeje integrale e më thotë se, për të patur Shqipërinë është gati deri atje sa të bëjë një luftë. Duke i dorëzuar një kampion të mrekullueshëm bakri nga minierat e Lezhës, i thashë : “Ja fiqtë e Kartagjenës”.

                        10 maj. Në tren me Duçen diskutuam promemorien time mbi Shqipërinë. Bie dakord me vendimet e mia e mendon që muaji i mirë për veprim do të jetë maji i ardhshëm. Kështu do të kemi një vit për përgatitjet lokale e për ato ndërkombëtare. Meqënëse do të krijohet një krizë diplomatike dhe Franca me Ingliterrën do të jenë patjetër kundra nesh, është mirë të shtrëngohet Pakti me Gjermaninë. Kjo do të vlejë edhe për t’i këshilluar Jugosllavisë një moderim të madh. Jugosllavia e veçuar nga miqësitë e saj perëndimore e lindore, e shtrënguar midis Italisë e Gjermanisë, do të duhej të durojë e të adaptojë qëndrimin që kemi adaptuar ne ndaj Anshlusit.

                        Fola me Jakomonin e kërkova të më përgatiti një plan veprimi lokal : vepra publike, bamirëse,veprimtari ekonomike, sportive e, mundësisht, politike.

                        19 maj. …. Si pasojë e një informacioni nga Tirana lidhur me aktivitetin e ekzagjeruar të Ministrit të Gjermanisë, Duçja më tha t’i bëj të ditur Ribentropit se ne e konsiderojmë çështjen shqiptare si “çështje të familjes”; formulë e përdorur nga ata për Austrinë e Sudetet. Pra “hands off”. Deklaroi se është gati të shkojë menjëherë  në Shqipëri edhe me çmimin e ndezjes së luftës evropiane. Tani po vlerëson mjetet ushtarake.”[1]   

                        Këta ishin planet e fshehta të drejtuesve të Shtetit italian që, në asnjë rast, nuk mbanin parasysh e nuk merrnin në konsideratë vullnetin e shqiptarëve, as për të diskutuar mbi një kundërveprim të mundshëm të tyre. Janë shprehje të mendësisë megallomane të shtetit të madh në një epokë ku gjithënjë e më tepër zotëronte fuqia dhe zbeheshin liritë e të drejtat, mendësi që gjen edhe një motiv tjetër shtytës në garën me miken rivale, Gjermaninë. Kjo e fundit kishte pushtuar Austrinë më 12 mars 1938 dhe do të sulmonte Çekosllovakinë më 15 mars 1939, duke detyruar Presidentin Hacha të nënëshkruante pushtimin dhe ndarjen e Vëndit në dy shtete : Çeki dhe Sllovaki. Fillonte kështu zbatimi i “rendit të ri” në Evropë, me rikthimin e disa territoreve që Konferenca e Versajës i kishte mohuar Hungarisë e Polonisë.

                        Ishte parahyrja e luftës së dytë botërore, të cilën Anglia e Franca u munduan, në të gjitha mënyrat, t’a shmangin ashtu siç bëri dhe BS, duke nënëshkruar Paktin e mossulmimit me Gjermaninë. Më parë ishte zhvilluar konferenca e Mynihut, një përpjekje skajore për të ndaluar luftën që afrohej. Ajo qe një mashtrim i madh që Hitleri i bëri tre kolegëve të tij, përfshirë këtu, veç  kryeministrave të Anglisë e të Francës edhe Musolinin, të cilët u larguan që andej me bindjen se kërkesat e Gjermanisë, me marrjen e Sudeteve, ishin plotësuar. Aq sa kryeministri anglez, me t’u kthyer në Londër, deklaroi i kënaqur : “Besoj se ka paqe për epokën tonë”….

                        Duke u kthyer tek përgjegjësitë hipotetike shqiptare për pushtimin, ato mund të barazohen me zero. Mbreti shpresoi deri në fund se do të gjente një marrëveshje me Musolinin, që të ruante pavarësinë e Vendit. Qeveria shqiptare pranoi të verë në dispozicion të ushtrisë italiane portet dhe rrugët që do të shërbenin për të organizuar “mbrojtjen e Shqipërisë nga ndonjë sulm i mundshëm i fqinjëve”, por këto nuk mjaftuan. Mesazhet mes Zogut dhe Musolinit vazhduan deri më 6 prill, por Mbreti shqiptar e kuptoi se i duhej të vendoste ndërmjet ikjes nga Vendi dhe qëndrimit në kushtet e vartësisë italiane. Nga shumë anë kanë rrjedhur paditë se Mbreti nuk organizoi qëndresën e armatosur. Vendimi i Mbretit ndryshe nga kjo mundësi tregoi pjekurinë, largpamësinë dhe ndjenjën e lartë të përgjegjësisë ndaj interesave t’Atdheut, sepse shtyrja e këtij të fundit drejt vetëvrasjes ishte shërbimi më i keq që mund t’i bëhej. Ishte praktikisht e pamundur, sepse nuk kishte asnjë mundësi qëndrese ndaj një ushtrie të madhe e të paisur me mjete bashkëkohore lufte. Qëndresa do të thonte dëme të pallogaritëshme në njerëz e në pasuritë e qytetarëve e të Shtetit, sepse “dyfekët me gjalmë” nuk mund të haheshin me topat apo aeroplanët e Italisë. Dikush mund të nxjerrë si argument qëndresën greke më vonë kundrejt sulmit italian, por rastet nuk ngjasojnë, jo vetëm se Greqia kishte një ushtri të organizuar më së miri, por edhe sepse mbas saj qëndronte Anglia, e gatëshme të dërgonte forcat e saj në ndihmë. Shqipëria nuk mori nga Qeveritë e Evropës asnjë lloj inkurajimi për fatkeqësinë e saj. 

                        Gjykimet mbi çaste të caktuara të historisë duhet të mbajnë parasysh veçantitë dhe rrethanat e atyre çasteve. Një gjykim që bazohet vetëm mbi parime, pa u ballafaquar me ato veçanti e rrethana, kthehet në një moralizëm shterpë e nuk mund të jetë as i saktë e as objektiv. Mos të harrojmë se asnjë nga shtetet e vegjël evropianë, duke filluar nga Norvegjia e Danimarka në veri, tek vendet e Beneluxit në perëndim, tek republikat baltike në lindje, tek shtetet e Evropës qëndrore, nuk organizuan qëndresat që mëtonin komunistët shqiptarë në historiografinë e tyre, mbasi këto qëndresa kërkonin ushtri të organizuara në shkallën më të lartë. Madje Franca e më pas Rusia treguan se edhe këto ushtri ishin të pamjaftueshme të përballonin fuqinë ushtarake gjermane. Koha provoi se vetëm ndërhyrja e forcave ajrore amerikane bëri të mundur kundërsulmin rus në fillimin e 1943-it dhe kthesën e luftës. Për të kuptuar sot se si jetoheshin ngjarjet e asaj kohe po sjell një pjesë nga “Historia e marrëdhënieve ndërkombëtare” :

                        “…Musolini nuk lëvizi dhe nuk i u përgjigj thirrjeve për ndihmë të Schuschnigg-ut. Atëherë, Hitleri i dërgoi një telegram Musolinit, duke thënë se “nuk do t’a harronte kurrë”. Musolini i u përgjigj : “Qëndrimi im është i përcaktuar nga miqësia mes dy vendeve tona, që është vulosur me krijimin e Boshtit”…..

                        Mirëpo në orën 16:30, Chamberlaini i dërgonte telegram ambasadorit të Anglisë në Vjenë, me qëllim që ky i fundit të mos këshillonte rezistencën dhe nga ana tjetër u paralajmërua edhe qeveria franceze. Pra, i vetmi reagim ishte nota e protestës, që Francois – Poncet e komunikoi mbrëmjen e 11 marsit” [2]

                        Kur dhe Anglia e Franca kishin vështirësi të këshillonin qëndresën e Austrisë, që kishte qënë për shekuj një perandori, të gjitha insinuatat për Shqipërinë, nga cilado anë të vijnë, nuk janë realiste e nuk i shërbejnë vërtetësisë në paraqitjen e ngjarjeve historike dhe dinamikës së tyre. Ato mund t’i shërbejnë demagogjisë së një pjese të politikës, asaj komuniste, për të justifikuar rrugën kriminale me të cilën e mori dhe e mbajti pushtetin. Ja çfarë deklaronte në Dhomën e Komuneve më 13 prill 1939 Kryeministri i Britanisë së Madhe:  

                        “…Cilido që ka njëfarë ndjenje përgjegjësie nuk mund të bëjë me lehtësi diçka që mund të shkaktojë një shtim të tensionit ndërkombëtar. Secili do të dënonte humbjen e përfitimeve që rrjedhin nga marrëveshje ndërkombëtare të përfunduara mbas një diskutimi të ndërsjelltë”.[3]   

                        Shqipëria, e vetme në rrugën e saj, nuk kishte tjetër zgjedhje veçse të mundohej që, nëpërmjet politikës së saj, të pakësonte dëmet e pushtimit e të punonte për t’i dhënë Bashkimit një karakter sa më të dobishëm  për shqiptarët. “Shqipëria e pavarur nuk ekziston më” shkruante Çiano në Ditarin e tij. Këtë e kuptonin mirë atdhetarët shqiptarë, por vazhdonin të shpresonin se në fjalët e bukura të Musolinit, Çianos apo Jakomonit do të kishte sado pak të vërtetë.

                        Një tjetër tezë e historiografisë komuniste është dhe një “marrëveshje” e Opozitës kundër zogiste jashtë me Italinë për pushtimin. Edhe kjo është një tjetër tollumbace propagandistike. Duke marrë si dëshmi kujtimet e M. Krujës apo të A. Këlcyrës, që kanë qënë protagonistë të ngjarjeve për të cilat flitet, është e qartë se një farë bashkëbisedimi ka ekzistuar ndërmjet organizatorit të rinisë fashiste Xhiro dhe Ernest Koliqit e Mustafa Krujës. Ky i fundit mbante në dijeni edhe kolegët e tij të Bashkimit Kombëtar mbi bisedimet.

                        Italianët, në kuadrin e dredhive karakteristike të politikës së tyre, donin të gjenin tek Mërgata një shkak për të justifikuar planin që kishin hartuar. Por Mërgata, që donte të rrëzonte Mbretin, ishte e gatëshme të pranonte vetëm një princ të shtëpisë së Savojës për Mbret të Shqipërisë. Ishte edhe për bashkimin doganor, që do të sillte dobi për tregtarët shqiptarë që furnizoheshin me mallrat italiane. Bisedimet dështuan sepse italianët kërkonin bashkimin e kurorave dhe vendosjen e regjimit fashist në Shqipëri. Mustafa Kruja, që kryente bisedimet, më 19 mars i telegrafoi kolegëve të BK se “Tregtia u pezullue”. Pra çdo përpjekje për marrëveshje mori fund. Më 3 prill ai shkoi në Grenobël dhe vuri në dijeni të tjerët se pushtimi ishte i vendosur e nuk kishte asnjë shpresë të pezullohej. U bë një përpjekje e dëshpëruar nëpërmjet një telegrami, drejtuar Musolinit, nga ana e Mërgatës, i firmosur nga M. Kruja, Q. Koculi e A.Këlcyra, në të cilin shprehej shpresa se Italia do t’i mbante  premtimet e saj për të respektuar pavarësinë shqiptare.

                                                                                                            (VIJON)


[1] Galeazzo Ciano   Ditari (1937 – 1943)  Shqipëria  Albinform 1994  faqe 13-14

[2] Jean – Baptiste Duroselle, André Kaspi  “Historia e marredhënieve ndërkombëtare” vëllimi I  f. 268

[3] Francesco Jacomoni  di San Savino  “La politica dell’Italia in Albania”  Capelli editore F. 151

Filed Under: Analiza Tagged With: 7 prilli, Eugen Merlika, Nacionalizmi shqiptar, Pushtimi fascista

TRUMP: ANIJA E MARINËS USNS COMFORT DO TË TRAJTOJË PACIENTË ME COVID-19

April 6, 2020 by dgreca

NEW YORKCITY , 6 Prill 2020 – Gov. Andrew Cuomo njoftoi të hënën pasdite se Presidenti Donald Trump miratoi kërkesën e tij për të lejuar USNS Comfort të trajtojë pacientët me COVID-19. Anija e Marinës mbërriti javën e kaluar dhe që atëherë ka qëndruar kryesisht bosh, por USNS Comfort tani është më në fund gati për të vënë në përdorim 1000 shtretërit.  Presidenti Trump ka thënë se e kishte pasë të vështirë t’u mbushte mendjen atyre që të trajtonin pacientët e infektuar me COVID-19, por pas lutjeve të Cuomos, Trump dha urdhrin që anija të trajtonte pacientët e infektuar me virus si nga New York-u ashtu edhe nga New Jersey. Anija dhe Javits Center u planifikuan fillimisht që të trajtonin pacientët jo të COVID-19 për të ndihmuar në zbutjen e tejmbushjes të spitaleve të New York-ut.

Ne kemi nevojë për ndihmë me pacientët COVID,- tha Cuomo. Guvernatori Cuomo komentoi se me 1000 shtretërit shtesë të anijesdhe 2.500 në Javits Center, do të jetë një lehtësim i madh për sistemin spitalor. Deri më tani, 4,758  njujorkezë kanë vdekur nga COVID-19. 

    *** 

SHBA, 10,871 VIKTIMA

10 mije e 871 njerëz kanë vdekur në SHBA nga koronavirusi. Zyrtarët thonë se kjo do të jetë javë sfiduese.Ky rekord u arrit të hënën, menjëherë pasi zyrtarët paralajmëruan se kjo do të jetë java më e vështirë. Nga spitalet e Miçiganit është raportuar se kanë edhe gjashtë ditë materiale dhe më pas duhen furnizime urgjente.

 New York, New Jersey dhe Detroiti do të kenë ende ditë të vështira, paralajmëroi sekretari amerikan i Shëndetit dhe Shërbimeve Njerëzore.

Shtete të tjera në SH.B.A. do të kenë rritje të shifrave të të infektuarëve dhe të viktimave,ka paraljmëruar Dr. Brett Giroir për emisionin “Sot” të NBC. 

Në mbarë vendin, virusi COVID-19, ka infektuar më shumë se 367,000 njerëz, ndërkohë që numri i të vdekurve ka arritur në 10.871, sipas të dhënave të përpiluara nga Universiteti Johns Hopkins.

“Ne në të vërtetë, thjesht po shohim majën e ajsbergut, por duhet të jemi parapërgatitur pasi testet që kemi në dispozicion paraljmërojnë rritje të shifrave”, tha Dr. Panagis Galiatsatos, një mjek i Johns Hopkins.

Megjithatë ka edhe shenja përparimi.Shumë amerikanë po gjejnë mënyra krijuese për të ndihmuar. Dhe në New York City, epiqendra amerikane e koronavirusit, kriza e pandemisë, mund të përfundojë së shpejti, thane zyrtarët e New York-ut.

Në spitalet në Miçigan-it, kemi pak pajisje mbrojtëse personale, tha guvernatori Gretchen Whitmer.

“Në spitalin Beaumont, kemi vetëm për tre ditë Maska N95… Në sistemin shëndetësor Henry Ford, kemi më pak se katër ditë,” tha Whitmer.

Në disa spitale, “ka më pak se tre ditë deri sa të mbarojnë mbulesat e fytyrës dhe më pak se gjashtë ditë derisa të mbarojnë veshjet kirurgjikale”, tha Whitmer .

Shteti i goditur më së shumti, New York, raportoi se numri i vdekjeve nuk po rritet aq fort sa ka qenë parashikimi.Numri i përgjithshëm i vdekjeve arriti në 4,758 të hënën, nga 4,159 të Dielën.

Guvernatori Cuomo tha të hënën se shkalla e infeksionit po bie, dhe kjo për faktin se “distanca sociale po funksionon”, por ne, paralajmeroi ai, nuk do të tolerojmë, do të respektojmë distancimin social.

Guvernatori i Konektikatit Ned Lamont tha që niveli i rritjes së infeksionit nuk po ecën shpejt.”Distanca jonë sociale mund të ketë një ndikim pozitiv,” tha ai.

Në të gjithë Luizianën, 14,867 njerëz janë infektuar me koronavirus dhe të paktën 512 kanë vdekur , duke pasur 35 të vdekur në 24 orët e fundit. Guvernatori John Bel Edwards tha se po të vazhdojë rritja e infeksionit, ventilatorët mund të mbarohen në fund të javës.

COVID-19- BOTA NË SHIFRAT NË 24 ORËT E FUNDIT

Në 24 orëshin e fundit Bota regjistroi 5 mijë e 220 viktima duke e cuar numrin total të të vdekurve në 74 mijë 697, ndërkohë që edhe numri i të infektuarëve u rrit me 72 mijë e 850 të infektuar, duke e ngritur shifrën e përgjithshme në 1 milion e 346 mijë e 566. Numrin më të madh të viktimave sërish e ka SHBA me 1 mijë e 255 në 24 orë, duke regjistruar në total 10 mijë e 871 viktima. Ndërsa numri i të infektuarëve u rrit me 30 mijë e 331 në 24 orë, duke pasur numrin më të madh në botë 367 mijë. Numrin më të madh të viktimave sërish e mbanë New York-u me 599 të vdekur në 24 orë(total 4 mijë 758). New Jersey regjistroi 86 viktima(në total 1,003), ndërkohë që raportoi 3 mijë e 585 të infektuar(numri total 41 mijë e 90), Michigani 110 viktima(në total 727),plus 1 mijë e 503 të infektuar(në total 17 mijë 221), California-33 viktima (në total 380), plus 982 të infektuar(në total 16 mijë e 19); Louisiana 35 viktima (në total 512), plus 1 mijë e 857 të infektuar(në total 14 mijë 867), Massachusetts 29 viktima(në total 260) pus 1 mijë 337 të infektuar(në total 13 mijë e 837), Florida 33 viktima(në total 254), plus 1 mijë 279 të infektuar të rinj(në total 13 mijë 629), Pennsylvania 29 viktima(në total 179) dhe të infektuar të rinj 1 mijë 167(në total 13 mijë e 127), Illynois 33 viktima(në total 307) dhe të infektuar të rinj 1 mijë e 6(në total 12 mijë e 262) dhe Washingtoni 43 viktima në 24 orët e fundit(në total 381) dhe 342 të infektuar të rinj(në total 8 mijë e 88).

Duke u kthyer në Europë:  Franca raportoi 833 viktima në 24 orë(në total 8 mijë 911), ndërkohë që numri i rasteve të rinj ishte më i ulët nga ditët e tjera, vetëm 5 mijë e 171(në total 98 mijë e 10), nga ana e saj Italia regjistroi 636 viktima plus(në total 16 mijë 523) dhe 3 mijë e 599 të infektuar(132 mijë 547). Spanja raportoi 700 viktima(në total 13 mijë e 341) dhe një numër më të paktë të infektuarish 5 mijë e 29(në total 136 mijë e 675) etj…

Pergatiti:Dalip Greca

6 prill, 2020

Filed Under: Featured Tagged With: 6 prill, Anija e Marines

Lamtumirë Rexhë Xhakli!

April 6, 2020 by dgreca

Ndahet nga jeta patrioti dhe adhetari i Kombit Rexhë Xhakli, New Jersey/

Nga Keze Kozeta Zylo/ Dielli/

Me hidhërim të thellë e mora lajmin e ikjes nga kjo botë të patriotit dhe atdhetarit të flaktë /

Rexhë Xhakli.  Ne ishim kreanar si Diasporë të kishim në gjirin tonë një burrë zemërmadh dhe një atdhetar që i rahu zemra  fort për Kombin deri sa iku.  Ne fakt zemra e tij do të jetë në përjetësi pasi ai la pas vepra që vihen në shërbim të njerëzve në nevojë, si në edukim ashtu dhe në fusha të tjera.  

I ndjeri Rexhë Xhakli së bashku me bashkëshorten e tij Dr.Xhaklin hapën qendra për fëmijë me Autizëm dhe Down Syndrom në Kosovë.  Ata kanë ndihmuar në fushata të ndryshme në ngritjen e fondeve për Kosovën dhe Kombin. Ishte e pamundur të mos e shikoje 

Rexh Xhaklin në aktivitete të rëndësishme kombëtare dhe kulturore ku merrte pjesë gjallërisht dhe jepte opinione para kamerave. 

Të dy me Qemalin kemi pasur fat ta intervistojmë dhe ta kemi në arshivën e TV “Alba Life”, New York.  Elekuenca e Tij në të folur, dashuria dhe pasioni për punë kombëtare e rreshtojnë ate në njerëzit e njohur me kontribute të Diasporës Shqiptaro Amerikane.

Rexh Xhakli ndihmoi jo vetëm duke shkuar me Flamur në dorë në aktivitetet kombëtare, por dhe kontribuoi financiarisht.  Ai diti me plot kulturë dhe atdhetarizëm të bënte bamirësi atje ku duhej dhe kur duhej.  Altruizmi dhe patriotizmi i tij ishin dy nga cilësitë që dalloheshin lehtë kudo që shkonte.  Perkrahja qe iu ka bere fëmijëve me Autizëm dhe Down Syndrome, kishin dhe një arsye të madhe shpirtërore, ngaqë ia kushtoi djalit të tij Arbenit i diagnostikuar me Autizëm.  

Ai u dallua si nje biznesmen i suksesshëm dhe që diti jo vetem ta menaxhonte me profesionalizëm, por ndërkohe ndihmonte dhe Kombin.

Këto veprime kaq humane dhe tejet shpirtërore doemos që do të ngelen gjatë në kujtesën tone, jo vetëm ne që e njohëm nga afër, por dhe ne të gjithë Diasporën që i shërbeu me devotshmëri deri në frymën e fundit.

Është e dhimbshme kur dëgjon që njerëzit largohen nga kjo botë para kohe, por akoma dhimbja dyfishohet kur ikën në këtë kohë të pazakontë në kohë lufte.  

Ngushëllimet tona për ju Dr.Xhakli, Adrianës dhe Arbenit për këtë humbje të madhe në familjen tuaj!  

Zoti ju dhëntë forcë për ta përballuar këtë fatkeqësi familjare.

Dritë të pastë shpirti Rexhë Xhakli!

Lamtumirë!

6 Prill, 2020

Staten Island, New York

Filed Under: Komunitet Tagged With: Keze Zylo

TELEGRAM NGUSHËLLIMI FAMILJES NDREU


April 6, 2020 by dgreca

Vdekja e ptriotit, atdhetarit, vatranit dhe demokratit Jonuz Ndreu, la një zbrazti në komunitetin tonë shqiptaro-amerikan. Vinte nga një familje e madhe Dibrane, ishte nip i patriotit të njohur Elez Isufi.
Me Jonuz Ndreun, që kishte një respekt të jashtëzakonhëm për Musli Mulosmnaj dhe familjen e tij, kam pasur rast ta takoj shumë herë. 
Ai, ka kontribuar në vazhdimësi për diasporën tonë të hershme dhe të vonshme në Amerikë. Si atdhetar do të mbahet gjatë në kujtesën e shqiptaro-amerikanëve.
Familjes dhe farefisit të tij, në këto qasje dhimbje, i shprehi ngushëllimet e mia më të sinqerta.

Harry Bajraktari, 
New York, 6 Prill, 2020

Filed Under: Featured Tagged With: Jonuz Ndreu

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 651
  • 652
  • 653
  • 654
  • 655
  • …
  • 5724
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Sot dita e lindjes së atij që i dha Shqipërisë Pavarësinë numër 2: Thomas Woodrow Wilson
  • DR. STEPHAN RONART (1933)  : “JA SI PJETËR BUDI DO TA RISHKRUANTE LETRËN E TIJ DËRGUAR 4 SHEKUJ MË PARË DUKËS SË SAVOJËS PËR TURIZMIN AKTUAL NË SHQIPËRI…”
  • PLUHUR VEZULLUES YJESH NGA LASGUSHI IM
  • BASHKËBISEDIM KULTUROR – Kristo Floqi dhe Komedia Shqiptare
  • MESAZHE TË BUKURA NJERËZORE
  • Kushtrim Shyti, djali i mësuesit, poetit dhe dëshmorit të UÇK-së, Mustafë Shyti, vizitoi Vatrën
  • KOSOVO CINEMA IN NEW YORK CITY: DOUBLE BILL WILL SCREEN IN MANHATTAN AND BRONX FOR BRONX WORLD FILM’S 15th ANNIVERSARY
  • NUK MUND TË ANASHKALOHET ROLI I ERNEST KOLIQIT NË FORMIMIN E MARTIN CAMAJT
  • MALI I ZI, VENDI KU KSENOFOBIA NDAJ SHQIPTARËVE ËSHTË NË RRITJE E SIPËR
  • “Kosova Lindore, dje, sot dhe sfidat e së ardhmes”
  • TIDENS TEGN (1929) / LETRA E EVELYN STIBOLT, MËSUESES NORVEGJEZE TË KUZHINËS SHKOLLORE : “EKSPERIENCA IME NË SHKOLLËN PËR VASHA NË KORÇË…”
  • FOTO – STUDIO VENETIKU dhe fotografja e parë shqiptare që vdiq në burgjet e diktaturës
  • KLINIKA E POEZISË, VISARI NË UNIVERSITETIN ILLINOIS, SHBA…
  • Dialogu dhe politika e jashtme e Kosovës, katër vitet vendimtare për shtetin
  • KRISHTLINDJET…

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT