• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

ZEUSI

May 24, 2021 by dgreca

Nga Astrit Lulushi/

Zeus është ekuivalenti grek i Amun Ra i panteonit egjiptian. Por, a ishte Zeusi i frymëzuar nga egjiptianët e lashtë, apo ishte ai më shumë një At Qiellor i panteonit indo-evropian?
Emri “Zeus” rrjedh nga rrënja Proto Indo-Evropiane “dyeu”, që do të thotë “ndriçim” dhe nga fjala “deos”, që do të thotë “zot”. Kjo e fundit është e njëjta fjalë që formon bazën e greqishtes “theos”, të latinishtes “deus”, të persishtes “daiva” dhe të sanskritishtes deva. Në greqishten e vjetër, emri “Zeus” mund të jetë kuptuar ose si “zot i dritës”, ose “zot i qiellit” nga vjen “ndriçimi”. Mitologjia dhe fuqitë e saj janë të ngjashme me ato të hyjnive indo-evropiane si Jupiter, Perkunas, Perun e Perëndi.  Pra, emri e lidh Zeusin  me traditën indo-evropiane.
Çfarë ishte Zeusi për helenët?
Zeus ishte udhëheqësi i perëndive të lashta; hyjni e fuqishme që urdhëronte me shkop fatet e njerëzve dhe perëndive nga maja e malit Olimp. I njohur si “mbledhës i reve”, Zeusi u lëshonti rrufe armiqve, kontrollonte motin dhe vendoste rendin mes perëndive.
Fuqia e Zeusit njihte edhe kufizime. Ndërsa ishte kryesori mes perëndive, autoriteti i tij nuk mbeti kurrë i pakontestueshëm. Ai gjithashtu kishte pjesën e tij të të metave, të tilla si dështimi për t’u ngritur mbi pasionet e dhunëshme dhe mbi grindjet që shqetësonin perënditë e tjera, si dhe prirjen për t’u përzier në punët e njerëzve. Si rrjedhim, madhështia e tij u kundërshtua fort, dhe gjithnjë e më fortë u karakterizua nga të njëjtat përçarje të hidhura dhe hakmarrje që pllakosën njerëzit të cilët e krijuan.
Si Zot suprem, Zeusi luajti rol në krijimin e njerëzimit, megjithëse burimet bien ndesh në lidhje me atë se si erdhën saktësisht njerëzit.
Ekzistojnë dy histori të njohura të krijimit dhe nuk është plotësisht e qartë se si lidhen ato me njëra-tjetrën; historia e parë karakterizohet nga shumë krijime të ndara, secila pretendon një epokë të veçantë të njerëzimit. Sipas Ovidit, ekzistojnë katër epoka: Epoka e Artë, Epoka e Argjendt, Epoka e Bronzit dhe Epoka e Hekurit. Hesiodi u shtoi një të pestë – Epokën Heroike, që bie midis epokës së bronzit dhe hekurit.
Miti i dytë i krijimit përfshinë aleatin e Zeusit, Titanin Promete. Një ditë Zeusi e udhëzoi Prometeun të krijonte njerëzit e parë; Prometeu i formoi nga balta dhe vajza e Zeusit, Athina, u dha shpirt. Gjithçka ishte mirë derisa Prometeu mashtroi Zeusin mbi flijime kafshësh, duke siguruar që perënditë të ishin privuar përgjithmonë nga ngrënia e mishit të kafshëve të flijuara. Nga kjo Zeusi i zemërua dhe ua mori zjarrin njerëzve, vetëm që Prometeu ta vidhte përsëri dhe t’ua kthente atyre. Ky është një kombinim i elementeve indo-evropiane (njeriu nga balta, fryma e jetës, njerëzit që nuk tregojnë respekt) dhe mania me teknologjinë, të gjitha ndodhën për hir të zjarrit (elementi më i rëndësishëm teknik i njerëzve të parë)
Është mjaft e qartë edhe se kush ishte krijuesi i Zeusit.
Amun-Ra ishte i lidhur me Zeusin më vonë në periudhën greke, pasi Zeusi herë pas here lidhet me perëndinë helene të diellit, Helios, i cili ndonjëherë ose referohet drejtpërdrejt si syri i Zeusit, ose nënkuptohet qartë si i tillë. Hesiod, për shembull, e përshkruan syrin e Zeusit si Diell. Ky perceptim rrjedh ndoshta nga feja e hershme Proto-Indo-Evropiane, në të cilën Dielli herë pas here shihet si syri i Dyus Pḥter (Zot At).
Dyeus konsiderohet nga studiuesit sot si perëndia më e rindërtuar e panteonit indo-evropian, pasi formula identike që i referohet atij mund të gjenden midis gjuhëve të mëpasme indo-evropiane dhe miteve tek indo-arianët, hititët, latinët, grekët, frigasit, mesapët, trakët, ilirët dhe shqiptarët.

Filed Under: ESSE Tagged With: Astrit Lulushi, Zeusi

KRONIKË- U MBLODH KRYESIA E FEDERATËS PANSHQIPTARE TË AMERIKËS”VATRA”

May 24, 2021 by dgreca

Të dielën më 23 Maj 2021 në Neë York, Federata Panshqiptare e Amerikës Vatra mbajti mbledhjen e radhës së Kryesisë së Vatrës në platformën zoom. Mbledhjen e hapi kryetari i Vatrës z.Elmi Berisha duke ngushëlluar nënkryetarin e Vatrës z. Alfons Grishaj për humbjen e vëllait, studiuesit Eduart Grishaj. Ai u shprehu mirënjohjen të gjithë atyrë që e ngushëlluan dhe u tha të pranishmëve se ngushëllimet e tyre ishin një lehtësi për humbjen dhe dhimbjen e madhe. Kryetari Elmi Berisha shpalosi sipërfaqësisht vizitën historike në Shqipëri, duke thënë se vizita ishte e suksesshme duke pasur një përfaqësi nga të gjitha viset dhe trevat e Shqipërisë. Vatra dha një kontribut shumë të rëndësishëm në në një moment historik për Shqipërinë. Z.Berisha tha se Vatra pati takime emocionuese. Zgjedhjet ishin të manipuluara, jo demokratike, vjedhje të identitetit të votuesve dhe zgjedhje të papranueshme. PD pësoi rritje të jashtëzakonshme në zgjedhje, PS kreu një maskaradë në zgjedhjet e 25 prillit.

             Më pas ia kaloi fjalën nënkryetarit Pashko Camajt që ekspozoi detaje nga vizita e delegacionit të Vatrës në Shqipëri: Vizita ngushëlluëse në Shkodër, familjen Grishaj, vizita në familjet e prekura nga tërmeti dhe ndihma që do japë Vatra për këto familje, detaje të kontributit për zgjedhje të lira dhe demokratike në Shqipëri, takimet me Presidentin e Republikës Meta, ish-kryeministrin Berisha, liderin e opozitës Basha, vizitën në Autoritetin e Dosjeve, takimin me akademik Beqir Metën, pjesëmarrjen në takimin elektoral dhe mbështetjen e dhënë kandidates, që kishte mbështetjen e të përndjekurëve politikë Lediana Fratari, si dhe takimi me simbolin e qëndresës antikomuniste në Shqipëri Simon Mirakajn. Vizita në Kosovë me grupin e Vetvendosjes, në Ministrinë e Jashtme të Diapsorës dhe në Mal të Zi për çështjet shqiptare atje.

        Sekretarja e Vatrës Nazo Veliu u shpreh: Vatra u pajtua me shqetësimin e Presidentit Meta dhe ndërkombëtarëve për zgjedhje të lira e të ndershme. Takim special ishte takimi me Doktor Berishën i cili ekspozoi kapjen e shtetit nga qeveria Rama dhe rreziku që i kanosej Shqipërisë prej zgjedhjeve të pandershme. Vizita në familjet e prekura nga termeti ishte shumë e dhimbshme dhe shumë e përshpirtshme. Pamë harresën e shtetit në familjet në nevojë. Ne u përpoqëm të krijojmë tek ata idenë se nuk do jenë kurrë vetëm. Do ta vlerësoj shumë idenë e kryetarit të Vatrës për të çelur një fushatë mbledhjesh të fondeve për këto familje. Ata ishin lënë në vuajtje, skamje, mjerim. Ne duhet të jemi afër tyre. Rama nëpërmjet forces, dhunës, krimit, vjedhjes e kanë kthyer Shqipërinë në një çiflig personal. Nuk mund të flitet më për shtet ligjor, as demokratik as që respekton liritë dhe të drejtat themelore të njeriut. Vizita në Autoritetin e Dosjeve ishte mbresëlënëse pasi pamë nga afër terrorin komunist mbi përndjekjen e familjeve e qytetarëve gjatë diktaturës komuniste.Takimi me Akademik Beqir Metën na la përshtypje fantastike për punën shkencore që po bën. Delegacioni i Vatrës ishte solid, gjithëpërfshirës, kordinues dhe bashkëpunues. Shqipëria ka nevojë për ne. Do duhet të jemi gjithmonë bashkë për të kërkuar që e drejta të dalë në shesh. Ne duhet të mbështesim opozitën dhe kauzën e drejtë të saj për një Shqipëri të zhvilluar dhe një Shqipëri demokratike. Mbështetëm Lediana Fratarin pasi është pjesëtare e shtresës së përfaqësuesve të përndjekurve politik. Vatra ishte në krahun e të djathtës dhe të mirës së Shqipërisë, jo në krahun e antishtetit të Ramës. Një ditë para se të kthehesha në Amerikë në respektin e Pirro Manit ne vendosëm një tufë me lule në themelet ku u shemb Teatri Kombëtar.

           Anëtari i Kryesisë Mondi Rakaj deklaroi se ishte një vizitë e suksesshme në Shqipëri dhe Vatra luajti rolin e saj si përherë. Propozimet e Vatrës te Presidenti janë miratuar dhe do të arrihet në vazhdim të kordinohet në një darkë pritëse në vazhdim. Në fazën që jemi, kam bindjen se gjyqi i Vatrës me përçarësit do të dalë me sukses ndaj tyre.

         Nënkryetari i Vatrës Alfons Grishaj deklaroi se ishte vizita më e suksesshme dhe më dinjitoze që ka realizuar ndonjëherë Vatra. Ju dhatë një mesazh të jashtëzakonshme. Mbështetja ndaj opozitës është një mbështetje ndaj të mirës së Shqipërisë. Qeveria Rama u tall me diasporën. Ne duke mbështetur dhe vlerësuar opozitën mbrojmë vlerat demokratike dhe vlerat e kombit shqiptar. Duhet të mbështesim më shumë Vatrën në daljet mediatike dhe shkrimet që shkojnë me filozoninë, misionin dhe proceset ku është Vatra. Ne duhet të shkruajmë dhe të bëhemi bashkë për të treguar konsekuencë dhe mbështetje për njëri-tjetrin. Ju ftoj të gjithëve që të kontribuojmë financiarisht në mbështetje të Vatrës dhe proceseve në të cilat ajo gjendet. 

              Nënkryetari Malota deklaroi se: komisioni i përçarësve të Vatrës ka paditur 8 vatranë. Secilit i është dhënë dokumentacioni. Procesi është delikat. Shpenzimet janë shumë të mëdha. Ne do kërkojmë dhe dëmshpërblim pas këtij procesi të padrejtë dhe të paligjshëm që përçarësit e Vatrës kanë ngritur ndaj nesh. Ose secili i akuzuar do mbrohet vetë ose avokati i Vatrës do të mbrojë të akuzuarit. Është çështje konfidenciale. Nuk lejohet shpërndarja e materialeve. Këta 8 persona të tjerë do informohen me materialet e gjyqit. Avokati i Vatrës ka kërkuar në gjykatë që Logo dhe stema e Vatrës dhe Diellit të mos përdoret prej grupit të përçarësve. Kërkesa për pajtim me 5 Tetorin është refuzuar. Ata kërkojnë të shfuqizojnë Kuvendin e 2017 dhe të 2020. Këto janë të papranueshme. Ky komision i përçarësve të Vatrës është refuzuar nga Ambasada e Kosovës e Shqipërisë në Uashington, nga shteti shqiptar dhe shteti i Kosovës. Duhet të kontribuojmë financiarisht secili prej nesh. Duhet të përgatisim përgjigjet sa më shpejt dhe të bëjmë një mbrojtje dinjitoze. Z.Malota tha se së shpejti duhet të krijohet komisioni për vitin jubilar të Vatrës në 110 vjetorin e saj.  Sekretarja Nazo Veliu: duhet të kemi të gjithë një avokat të tetë ne. Ne duhet të kërkojmë dëmshpërblim për të gjitha shpenzimet. Ai që humbet duhet të paguajë dëmshpërblimet. Ndryshimet e propozuara dhe të supozuara nga ish kryetari Buçaj nuk janë miratur ansjëherë. Kanunorja e botuar e Buçajt është e jashtëligjshme. Nënkryetari Malota tha se Sekretari  i Shtetit të Boston e ka refuzuar botimin në Uebsajtin e shtetit, kanunoren e Buçajt. Duhet të mblidhemi dhe të kontribuojmë për të përmbyllur këtë proces, përfundoi ai. Pas thirrjes së Kryetarit Elmi Berisha për të dhënë kontribut financiar për Vatrën u përgjigjën: Mondi Rakaj 2 mijë dollarë, Pashko Camaj 1 mijë, Besim Malota 1 mijë, Elmi Berisha 1 mijë, Nazo Veliu 500 usd, Agim Rexhaj 500 usd dhe Alfonc Grishaj deklaroi se do të japë sado kontribut që të kërkohet në këtë proces. Gjithashtu edhe Merita Bajraktari deklaroi se do të kontribuonte. Nënkryetari i Vatrës Ervin Dine deklaroi se duhet të mblidhemi dhe të bëjmë fushata për mbeldhje fondesh për Vatrën. Duhet të kemi transparencë për fondet e Vatrës. Duhet të ftojmë njerëz për të na ndihmuar dhe bashkuar në kauzat tona. Presidenti i Nderit Agim Rexhaj deklaroi se Edi Rama është palë me armiqtë shekullorë të shqiptarëve si Vuçiç. Ai interferoi në zgjedhjet në Shqipëri. Më tej z.Rexhaj u shpreh se: jam i gatshëm të shkoj e të përballem në çdo gjykim për të mbrojtur Vatrën. Unë do të përballem me të gjithë. Vatra mbetet përjetë. Njerëzit do të shkojnë dhe vijnë. Agustin Mirakaj deklaroi se: Uebsajti ka kohë që është bërë me mund dhe profesionalizëm. Ky Uebsajt ka stopuar për momentin pasi nuk punuan ata që duhet të punonin. Ju informova dhe askush nuk ktheu përgjigje. Kam shpenzuar 3 mijë e ca dollarë mund dhe investim personal. Aksush nuk më mbështeti. Riaktivizimi kushton më shumë se 1 mijë dollar. Nuk pati bashkëpunim në këtë proces. Ky Uebsajt ishte adekuat për këtë situate dhe fazën që ndodhet Vatra.  Ti kryetar duhet ti japësh drejtim kësaj situate. Uebi tregon se Vatra ekziston dhe në online. Unë kam bërë të pamundurën për ta ndihmuar Vatrën. Më është kthyer mbrapsht ndihma ime. Nuk është vlerësuar kontributi im. Kërkoj që Uebsiti të bëhët aktiv pasi ishte rezultativ për të mbledhur fonde dhe shumë aktiv në shkrime. Unë kam kontribuar dhe do të kontribuoj si gjithmonë financiarisht për Vatrën. Kryetari Berisha siguroi se brenda 10 ditëve Uebi  do të jetë aktiv dhe grupi i punës do ta ndjekë këtë çështje dhe Uebi i Vatrës do të funksionojë më së miri në vazhdim. Më tej kryetari i Vatrës Berisha njoftoi se nga data e sotme gazetari i Diellit Sokol Paja do të mbajë pozicionin zv.Editor i gazetës Diellit.

Z.Paja e falenderoi familjen e madhe vatrane për besimin që i dha dhe u zotua që të shtojë përpjekjet dhe fuqitë e talentin e tij për Diellin dhe Vatrën. Më tej z.Berisha përmendi aktivitetin me datë 29 maj i promovimit të librave të Dine Dines dhe Adriana Dines. Kërkoj pjesëmarrjen masive në këtë aktivitet kaq dinjitoz për Vatrën. Më tej z.Berisha u shpreh se gjyqi është një rast për herë të fundit në historinë e Vatrës do të përballemi me këto idiotësira dhe budallalliqe të papranueshme. Pas kësaj ne do të jemi edhe më të fortë. Vatra do të mbijetojë përjetë. Më tej kryetari Berisha shpalosi planet për të ardhmen rreth vizitës në Jerusalem tek Ambasada e Kosovës dhe në Vatikan ku do të marrin pjesë një përfaqësi e Kryesisë dhe Këshillit të Vatrës. Më tej z.Berisha tregoi për një takim dhe bashkëpunim me kryeministrin e Maqedonisë Veriut Zoran Zayev për interesta e shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut dhe Dritan Abazin zv.Kryeministrin e Malit të Zi për të drejtat e shqiptarëve në Malin e Zi. Më tej z.Berisha tha se pas stabilizimit të çështjes së ndërtesës aktuale të Vatrës, do të kërkojmë të hapim një fushatë të madhe për mbledhje fondesh për të blerë një ndërtesë të madhe që të shërbejë edhe për organizatat dhe shoqatat e tjera që veprojnë në USA. Merita Bajraktari propozoi dhe u miratua një kurorë në emër të Vatrës që do të vendoset në respekt të viktimave të komunizmit më 11 qershor në Uashington. Nënkryetari Ervin Dine shprehi idenë që të ftohet Agron Shehaj në një konferencë në zoom për të shpalosur platformën e rigjenerimin e PD. Të promovojmë idetë e reja dhe liderët e rinj. Kjo ide, propozime dhe ide të tjera u mirëpriten nga kryetari i Vatrës dhe Kryesia, ku të gjithë ranë dakord për të punuar fort në sfidat që presin Vatrën në vazhdim.(Korrespondenti i Diellit) 

Filed Under: Ekonomi Tagged With: KRYETARI BERISHA, U MBLODH KRYESIA E FEDERATËS, Vatra

Vehbi Skënderi dhe bija e tij e poezisë…

May 24, 2021 by dgreca

NGA VISAR ZHITI/

Kohët e fundit është botuar në Tiranë vepra “Kartela të Realizmit të Dënuar” me autor Visar Zhitin, nga botuesi “Uegen”, nën kujdesin e shkrimtarit dhe studiuesit Xhevair Lleshi. 

       Kjo sprovë e gjerë letrare, rezultat i një pune shumë vjeçare, na sjell “letërsinë tjetër”, kur zyrtarisht  ushtrohej Realizmi Socialist, me shkrimtarë të paguar nga shteti diktatorial, i cili i konsideronte dhe i trajtonte ata si oficerë të vetin, ndërkohë shkrimtarët kundërshtarë, ata që nuk e donin socrealizmin apo nuk e ushtruan, etj, u komplotuan me heshtje e margjinim, por një pjesë dhe u internuan, u burgosën apo u pushkatuan. U dënuan dhe veprat e tyre, madje dhe lexuesi.

       Këtë gjëmë sjell dhe libri “Kartela të Realizmit të Dënuar”, letërsinë tjetë, që sipas Visar Zhitit solli ato që mungonin, të vërtetat dhe moralin e letërsisë. Vepra ka patur jehonë në media brenda dhe jashtë vendit, në diasporë dhe vazhdon të kërkohet nga lexuesi.

Lexuesit po i sjellim disa faqe nga libri “Kartela të Realizmit të Dënuar” i Visar Zhitit kushtuar Vehbi Skënderit, Elida dhe Skënder Buçpapajt. Ndodh jo shpesh që Zoti i bën bashkë në një familje poetët. Kujtojmë se Vehbi Skënderi është babai i Elidës  dhe vjehrri i Skënder Buçpapajt.

NJË KARTELË NGA MESI:

Vehbi Skënderi 

dhe bija e tij e poezisë…

 …s’po dukej më në faqet e gazetave, as në vitrinat e librarive emri i poetit Vehbi Skenderi. E kanë ndaluar… Ku i kishin çuar, në ç’internim?

Ishte poeti që më jepte kurajo, kur trokisja redaksive për botim e më prapsin.

…bir i një familjeje të një kleriku të njohur nga Korça, nga fshati Strelcë, ku dhe lindi në maj të vitin 1927 dhe aty kreu dhe shkollën fillore. Gjatë Luftës së Dytë Botërore e rrëmbeu me forcë ushtria greke dhe e dërgoi në front, të punonte për rrugët.

Ikën në Tiranë dhe studion në “Medresenë e Lartë” nga vitet 1941-1943, por i ndërpret dhe del malit partizan, të luftojë me armë në dorë pushtuesin. Plagoset dy herë. Dhe shkruante. Boton  së pari në gazetën “Bashkimi” historinë tronditëse të një çami.

Mbas luftës i kthehet gazetarisë, punon në revistën “Miqësia” e më pas në “Hosteni” dhe kalon në “Ylli” dhe me propozim të poetit Lasgush Poradeci, në vitin 1950 pranohet anëtar i Lidhjes së Shkrimtarëve dhe në vitin 1953 nxjerr librin  “Këngët e para”. Më pas “Vjersha”.

Përfundon studimet e larta në Universitetin e Tiranës në vitin 1961, diplomohet për gjuhë dhe letërsi shqipe dhe boton librat “Fletë nga ditari im” (1964), “Vazhdim i një bisede” (1971), “Vdekja e Ofelisë” (1971), vjersha, poema, antologji, etj. Ndërkaq është bërë redaktor i poezisë në shtëpinë e vetme botuese “Naim Frashëri”, kur ka filluar përplasjet ideore me regjimin, madje dhe hapur, kur me një grup intelektualësh të njohur si profesor Selman Riza, kolonel Dilaver Radëshi, historiani Zija Shkodra, etj. përgatisin një “Brigadë shtypi”, por partia do e cilësonte si veprimtari armiqësore, nacionaliste, ngrinin çështjen e Kosovës, duke e parë atë si pjesë të robëruar të atdheut dhe kështu nisin kundër tyre senanca gjyqesh absurde dhe të ankthshme. Dënohet grupi dhe me burgje.

Poeti Vehbi Skënderi shpallet “i ndaluar”, hiqet nga Partia dhe e dëbojnë nga Tirana, e dërgojnë larg të punojë si punëtor krahu në digat e hidrocentralit të Vaut të Dejës. Kalojnë 5 vjet dhe “puna korrektuese” vazhdon, në kantiere të tjera.

Viti 1973 do të jetë fatal për letrat shqipe. Pleniumi IV i Partisë dënoi liberalizmin në art, “ndikimet e huaja revizioniste dhe borgjeze”, atë pakëz pranverë shqiptarë, që u tha shpejt. U dënuan autorë dhe vepra dhe u ridënuan të dënuar. Vehbi Skënderin e internojnë, e dërgojnë familjarisht në një fshat pas Malit të Dajtit. Do të donte të vriste veten, por kishte gruan dhe vajzën e tij të vetme, që po ndjehet jetime me babanë gjallë, se kishin filluar ta shihnin shtrembër e me dyshime dhe atë, si me “biografi të keqe”.

Pas 10 vjetësh përndjekje Vehbi Skënderi mundi të kthehet në Tiranë, i plakur befas duke punuar në Kombinatin Poligrafik fillimisht si hamall..

Vajza, Elida Skënderi, do të ishte një nxënëse e shkëlqyer, e donte poezinë dhe po shkruante si i ati. Por ajo s’mund të botonte si ata të rinj e të reja “me biografi të keqe”, që madje ndodhte të shaheshin dhe rrugëve nga militantët e gjimnazeve, të edukuar me frymën e re të luftës së klasave.

Mbaron shkollën e mesme dhe bën gati librin e saj të parë me poezi “Vij”. Jo libri që s’mund të botohej, por nuk e lejuan as të vazhdojë universitetin, por e derguan të punojë punëtore në fabrikën e pllakave dhe në Varrezën e Sharrës. Megjithatë shkruante prapë dhe mësonte gjuhë të huaja në kujdesin e babait dhe të gjuhëtarit, përkthyesit të shkëlqyer, mistikut Petro Zheji.

Mbas vdekjes së dikatorit Enver Hoxha në vitin 1985, Elidës i jepet e drejta të japë provime në shkollën e lartë, pa u shkëpur nga puna, në fakultetin e gjuhës dhe letërsisë shqipe, pasi kishte dhënë me shkrim një dëshmi se “kishte talent” kryetari i Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve, Dritëro Agolli.

Elida kryen universitetin brenda tre vjetëve. Babai i saj, poeti i ndaluar Vehbi Skënderi, merr disa poezi, jo të vetat, por të së bijës tani dhe shkon në gazetën “Drita”, kërkon që të botohen. Aty ishte redaktor poeti, tashmë i njohur, Skënder Buçpapaj. Vinte nga bjeshkët e Tropojës, i gjatë dhe i heshtur si ato, se ç’kishte dhe ai në biografi, thoshin, por në “vitet e liberalizmit” e lejuan të studiojë në Institutin e Lartë Pedagogjik në Shkodër, ku dhe e njoha, unë sapo e mbarova dhe më dërguan mësues fshatrave të Kukësit e ai sapo e filloi.  Prapë me një letër nga Kryetari Dritëro Agolli, Skënder Buçpapaj çohet të kryejë studimet në kryeqytet, në Tiranë, kur kishte botuar ndërkaq librin e parë me poezi, “Zogu i bjeshkës”, 1973, i pritur mjaft mirë nga lexuesi dhe kritika.

Poeti Skenderi Buçpapaj do të botonte ciklin e parë me poezi të Elidës, madje dhe përkthime të saj, poezi nga Carl Sundberg etj. dhe do të bëhej bashkëshorti i saj.

Duhej të binte komunizmi, që poetja Elida Buçpapaj të botonte librin e parë me poezi në vitin 1994, ndërkohë do të jetë dhe reporterja e parë si gazetare e “Zërit të Amerikës”.

Pasi emërohet drejtor i Radio-televizionit shqiptar, Skënder Buçpapaj dërgohet si diplomat në Zvicër dhe aty mbeten familjarisht përgjithmonë.

Poeti Vehbi Skënderi rinohet me poezinë e tij, nxjerr përmbledhjet “Hënë e vjedhur” në vitin 2000 dhe “Zvicra, Shqipëria ime” në 2004 “Mirëmëngjes, Shqipëri” në 2009.

Në qershor të 2011 mbyll sytë përgjithmon:në Zvicrën e bukur.

E bija e tij, poetja Elida, do të vazhdonte me poezinë, nxjerr 6 libra, 2 me publicistikë, ndërsa poeti Skënder Buçpapaj do të nxirrte vëllimin poetik “Frikë nga atdheu”, “Vetëm të vdekurit pendohen”, së fundmi librin me poezi “Imgur”

Ata prej vitesh drejtojnë në Zvicër revistën kulturore elektronike “Voal.ch”…

https://www.voal.ch/kartela-nga-realizmi-i-denuar-nga-visar-zhiti/embed/#?secret=qBbIKPrkTI

Filed Under: ESSE Tagged With: Elida Buçpapaj, KARTELA TË REALIZMIT TË DËNUAR, Skënder Buçpapaj, VEHBI SKËNDERI

NUK MUND TË BASHKJETOJË NATO ME KOMUNIZMIN — GULAGU SHQIPTAR DHE HESHTJA E DIPLOMATËVE PERËNDIMORË NË TIRANË

May 24, 2021 by dgreca

NGA FRANK SHKRELI/

–Kryeministri Edi Rama, njëherazi edhe Kryetar i Partisë Socialiste të Shqipërisë: “Komunizmi ishte në anën e duhur të historisë”.  

–Fatbardh Kadilli, kandidat për Kryetar të Partisë Demkoratike të Shqipërisë:  u shpreh ditët e fundit se ai do ta ndajë partinë e tij “demokratike” nga “kultura e anti-komunizmit”. 

Në trojet shqiptare dhe mëtej po zhvillohet stërvitja ushtarake historike e Aleancës së Atlantikut Verior, NATO, “Defender Europe 21”, një ngjarje kjo që duhet të përshëndetet nga të gjithë shqiptarët që besojnë në vlerat perëndimore, të cilat NATO ka promovuar dhe i ka mbrojtur ç’prej themelimit të saj në Prill të vitit 1949. Kjo stërvitje është me të vërtetë një ngjarje që na jep shpresë se Shqipëria mund të bëhet, eventualisht, megjithë paaftësitë e klasës politike shqiptare të këtyre 30-viteve për të ndërtuar shtet. Respekt për burrat dhe gratë në uniformë, ushtarakët tanë dhe të aleatëve tanë nga shumë vende, nga të dy anët e oqeanit. 

I kujtoj lexuesit se objektivi themelor i Aleancës së NATO-s ishte dhe mbetet mbrojtja e lirisë dhe sigurisë së vendeve aleate anëtare të kësaj aleance ushtarake, me të gjitha mjetet politike dhe ushtarake që ajo ka në dispozicion.   Aleanca NATO mbetet pra instrumenti kryesor i sigurisë së komunitetit trans-atlantik, i cili me veprimtarainë e tij ushtarake, njëkohësisht, shpreh edhe mbron vlerat e përbashkëta demokratike, të lirisë dhe të drejtësisë. Falënderës të Madhit Zotit që e kemi NATO-n se për ndryshe, nëqoftse do të ishte krejtësisht në duar të kësaj klase politike të këtyre 30-viteve të kaluar, Shqipëria do të ishte sot edhe më keq se ç’është.

Po cilat janë këto “vlera të përbashkëta demokratike” që mbron NATO dhe që duhej të ndanin të gjitha vendet aleate të Nato-s, përfshir Shqipërinë. Pasi jemi gjithnjë në atmosferën e zgjedhjeve të 25 prillit, zgjedhjet e lira, të drejta dhe demokratike janë një element kyç për një shoqëri demokratike.  Për 30-vjet tranzicion Shqipëria, përfshir zgjedhjet e fundit, nuk ka zhvilluar zgjedhje të pakontestueshme dhe të pranueshme nga të gjithë, si të lira dhe demokratike, përfshir entet ndërkombëtare, siç është ODIHR-i dhe nga faktorët kryesorë politikë shqiptarë.  Për shkeljen dhe mospërfilljen e vlerave perëndimore nga qeveritë shqiptare të tre dekadave të kaluara, mjafton të lexoni raportet vjetore mbi të drejtat e njeriut të enteve të ndryshme perëndimore, ku Shqipëria, megjithëse anëtare e NATO-s, vazhdon të mbetet “pjesërisht e lirë” dhe ndër vendet më të korruptuara në botë.  

Megjithëkëtë, diplomatët perëndimorë në Tiranë i trajtojnë politikanët shqiptarë sikurë këta na qenkan “jeffersonian democrats”, demokrat si Jeffersoni, njëri nga baballarët e Kombit amerikan.  Jo, more jo, nuk janë të tillë, as nuk duan të jenë të tillë. Këta nuk kanë asgjë të përbashkët as me Xhefersonin as me demokracinë.  Për 30-vjet tani, ata nuk janë distancuar nga e kaluara komuniste – pjellë e të cilës janë – dhe as nuk kanë marrë ndonjë masë serioze për dekomunistizimin e shoqërisë shqiptare.  Politika shqiptare aktuale, me një paturpësi arrogante vlerëson “të mirat dhe sukseset” e regjimit të Enver Hoxhës, njërit prej diktatorëve më të egër që ka njohur historia evropiane dhe botërore. Merreni me mend, se sa keq janë punët, një kandidat i shpallur për Kryetar të Partisë Demokratike (Fatbardh Kadilli), në opozitë, u shpreh ditët e fundit, se ai do t’a ndajë partinë e tij “demokratike” nga “kultura e anti-komunizmit”. More zotëri nga cili “anti-komunizëm”? Çfarë betë ju për dekomunistizimin e shoqërisë shqiptare gjatë këtyre viteve?  E mbarë shoqëria shqiptare, çfarë ka mbjellur gjatë tre dekadave të fundit, po korrë tani. Në prak të greminës, politikisht, ekonomikisht, ndërkohë që presim nga ish-prokurorët komunistë t’i sjellin atij vendi drejtësi. Jeni mbi një kapërcyell — të distancoheni nga komunizmi kini frikë, por as nuk kini bindjen morale dhe politike, se duhet të bëni një gjë të tillë. Janë një numër deklaratash dhe veprimesh nga përfaqsues të partisë në pushtet, që janë venë në lëvizje kohët e fundit, e që lënë të nënkuptohet se distancimi zyrtar nga e kaluara komunizmi dhe dekomunistizimi i shoqërisë shqiptare nuk është në rendin e ditës me këta pushtetarë, megjithë praninë e anijeve të NATO-s në Durrës. 

Kryeministri aktual nuk e fsheh fare mbështetjen e tij për ish regjimin dictatorial, ndërkohë që muajt e fundit është shprehur nga foltorja e Kuvendit, ndër të tjera, se “komunizmi ishte në anën e duhur të historisë”. Persona të tjerë të zgjedhur në Kuvendin e ardhëshëm kanë shprehur të njëjtat ndjenja.  Në këtë ndërkohë, Akademia e Shkencave e Shqipërisë ka njoftuar fillimin e një rishikimi të historisë për të vendosur njëherë e mire, sipas disa vërejtësve,  hegjemonizmin enveristo-stalinist — historik dhe kulturor — mbi Kombin shqiptar nga pothuaj të njëjtit “historianë” nostalgjikë të komunizmit, të cilët e kanë shkruar, fillimisht, atë histori.  Çfarë tragji-komedi!  Ndërkaq, ndërsa këta udhëheqës shqiptarë po merrnin foto nga platformat e anijeve të NATO-s në Durrës me Ambasadoren e Shteteve të Bashkuara në Tiranë dhe me autoritetet e larta ushtarake amerikane — në mes të Tiranës, aty përball Kryeministrisë dhe Presidencës, është dëmtuar ato ditë, për të disatën here, “Postblloku” që bashkon (burgun) Spaçin me Berlinin – një memorial ky që përkujton viktimat e komunizmit në Shqipëri. Hapni sytë e reagoni.  Kjo tregon se e shkuara komuniste nuk është e shkuar, të nderuar diplomatë, por është aktuale, mu aty në qëndër të Tiranës ku jetoni e punoni edhe ju. Nëqoftse nuk doni ta shihni, kjo është puna juaj, por kjo e shkuar komuniste po bëhet realitet në jetën politike dhe ekonomike të vendit, për ditë e më shumë.  Ndoshta ju nuk mund ta ndaloni këtë frymë të re nostalgjike për komunizmin në Shqipëri, por të pakën do u lutesha mos u bëni palë me të keqen, të mos heshtni ndaj këtyre dukurive se ju jeni ata që do duhej të përfaqësonit dhe të mbronit vlerat perëndimore të lirisë e demokracisë, pikërisht ato vlera për të cilat ekziston NATO.Të nderuar përfaqësues perëndimorë në Shqipëri, ju lutem si një shqiptaro-amerikan i thjesht dhe u bëj thirrje: mos u bëni palë e “turpit në radhët e të paturpshëmve”! Flisni për dekomunistizimin e Shqipërisë, para se të jetë vonë.

Edhe kjo ka të bëjë me drejtësinë, sidomos në përvjetorin e revoltës antikomuniste në burgun e Spaçit. Shikoni se sa poshtë ka renë politika shqiptare në 30-vjet post-komunizëm.  Fatkeqësisht, votuesit shqiptarë kanë dy alternativa politike, asnjëra më e mire se tjetra: një, Partinë Socialiste e cila me krenari mbron komunizmin si një sistem që “ishte në anën e duhur të historisë”, sipas Kryeministrit Rama dhe Partinë Demokratike, një kandidat i shpallur për kryetar i të cilës bën thirrje që kjo parti të largohet nga “anti-komunizmi”, që nënkupton të bëhet më shumë ashtu si partia si motër socialiste. Kjo është alternativa që Partia Demokratike ofron, të pakën nepërmjet një kanddiati të saj për kryetar të ri?  Po cili është ndryshimi midis jush?  Më mirë bëhuni bashkë, të dy partitë kryesore, se këtë po promovojnë edhe ndërkombëtarët aty në Tiranë — një parti-shtet me një udhëheqës të përjetëshëm – me kult personaliteti. Mblidhuni të gjithë rreth tij dhe duartrokisni.  Rroftë demokracia alla-shqiptarçe! 

E buono per Albania! 

Sido që ta merrni, sido që të mendoni ju të nderuar përfaqsues diplomatikë dhe të klasës politike shqiptare — Shqipëria nuk mund dhe nuk do të bëhet një aleate e denjë e NATO-s pa dekomunistizimin njëherë e mirë të shoqërisë shqiptare dhe pa distancimin (por edhe pastrimin) e bindshëm të kësaj klase politike shqiptare — të sotëme dhe të nesërme – nga trashëgimia komuniste, ashtu siç kanë bërë vendet e tjera ish-komuniste, që tani janë anëtare të denja të NATO-s.  Si një taksapagues amerikan, unë do të dëshiroja që Shtetet e Bashkuara dhe vendet e tjera perëndimore, të jenë gjithmonë pranë Shqipërisë, jo vetëm për një çeshtje – megjithëse tepër e rëndësishme – siç është vendosja e drejtësisë në vend – por të jenë pranë saj edhe në mbrojtje të të gjitha vlerave të tjera perëndimore të përbashkëta demokratike që mbron NATO-ja – përfshir edhe dekomunistizimin e shoqërisë dhe distancimin nga gulagu komunist i Enver Hoxhës. Është e qartë se kuadrot e nomenklaturës së Partisë në pushtet nuk besojnë në distancimin nga e kaluara komuniste, por kjo është e vetmja mënyrë për ta bërë Shqipërinë pjesë të familjes evropiane dhe euro-atlantike, si dhe një vend anëtar të denjë të NATO-s me të cilin do të krenohemi të gjithë, kudo që jemi. Heshtja e përfaqësuesve diplomatikë të vendeve anëtare të NATO-s në Tiranë në lidhje me këtë çeshtje nuk u ben nder as vendeve që ata përfaqësojnë dhe as NATO-s që këto ditë po zhvillon stërvitjen ushtarake “Defender Europe 21”.  Në këtë 48-vjetor të Revoltës antikomuniste në burgun e Spaçit, ndoshta kini nevojë për një rifreskim të kujtesës se çfarë përfaqësonte regjimi i Enver Hoxhës. Për të parë nga afër dhe pjesërisht Gulagun e Enver Hoxhës, do të sugjeroja që përfaqsuesit diplomatikë në Tiranë dhe sidomos politikanët shqiptarë aktualë dhe ata që të pretendojnë të bëhen udhëheqës të atij vendi nesër, të vizitojnë Spaçin, Tepelenën e të tjera vende të persekutimit dhe të vrasjeve të viktimave të pafajshme të komunizmit – tmerin e Spaçit të cilin ish-ambasadori amerikan, Donald Lu, gjatë një vizite atje, e kishte cilësuar si “një dëshmi të brutalitetit njerëzor”.

Filed Under: Politike Tagged With: Frank shkreli, Komunizmi, NATO

DR. ANA KONDAKÇIU- SFIDAT E ANESTEZISË GJATË PANDEMISË COVID

May 24, 2021 by dgreca

Dr. Anida Kondakçiu, mjeke Anesteziste në Romë, Itali në një rrëfim ekskluziv dhënë gazetarit Sokol Paja, për gazetën DIELLI, Organ i Federatës Panshqiptare të Amerikës VATRA, New York, rrëfen më hollësisht rolin dhe punën e anestezistë-reanimatorëve në pacientët covid, stresin e shtuar që i shoqëroi kryesisht këta profesionistë shëndetësore gjatë pandemisë, përballjën dhe menaxhimin e fluksit  të shtuar të pacientëve në nevojë për trajtim intensiv dhe situatën sot në Itali.                                                                                                                                                              

NDIKIMI I PANDEMISË NË PUNËN E ANESTEZISTËVE

Anestezisti është një nder punonjësit shëndetësor më të rrezikuar ndaj një ekspozimi të mundshëm ndaj virusit Sars-CoV2. Kjo, së pari, sepse anestezisti në punën e tij të përditshme kryen, duke qëndruar tek koka e pacientit, proçedura me rrezik të lartë të shpërndarjes së spërklave të sekrecioneve, sepse janë proçedura që kanë të bëjnë me manipulimin  e menaxhimin e rrugëve dhe aparatit të frymëmarrjes që janë dhe “stacioni i pare” ku virusi hyn në trup, shumohet dhe vazhdon depërtimin drejt mushkërive. Për këtë arsye, gjatë kësaj pandemie, duke qënë se çdo pacient që mbërrinte në sallë operatore për operacion të programuar apo urgjent mund të ishte një mbartës i virusit, na u desh që përveç mbajtjes të mjeteve të mbrojtjes personale, të krijonim e vinim në praktikë protokolle të posaçme të punës gjatë anestezisë totale dhe të preferonim, aty ku ishte e mundur, zgjidhje të tjera anestesiologjike (të ndryshme nga anestezia totale), për t’ju shmangur një infektimi të mundshëm. Së dyti, anestezist-reanimatori është një nder figurat mjekësore më të përfshira gjatë kësaj pandemie, në trajtimin e pacientëve Covid në gjendje të rëndë me rrezik për jetën për shkak të vështirësisë në frymëmarrje, kur dhënia e oksigjenit me mjetet e zakonshme është e pamjaftueshme. Në një pjesë të këtyre rasteve anestezisti kryen intubimin e pacientit, pra vendosjen e një tubi plastik në trake duke qëndruar, gjatë kësaj proçedure, pranë rrugëve të frymëmarrjes e duke u ekspozuar ndaj një ngarkese të madhe virale. Gjatë valës së dytë të pandemisë (fund Tetori-Nëntor 2020), spitalet u “pushtuan” nga pacientë me vështirësi në frymëmarrje që u dynden drejt urgjencës dhe zunë me ritme të shpejta, brenda pak ditëve, rreth 70-80% të ambjenteve të urgjencës, të burimeve të oksigjenit, të aparateve të suportit të frymëmarrjes dhe duke ngushtuar hapësirën për të gjitha kategoritë e tjera të pacientëve. Të shumta  kanë qënë thirrjet për ndërhyrjen e anestezist-reanimatorit  në rastet e rënda Covid-19, ndaj puna e anestezistëve gjatë pandemisë është shumëfishuar. Për të përshpejtuar trasferimin e pacientëve, ne anestezistëve na është dashur të bëjmë edhe shoqërimin në ambulancë të pacientëve të intubuar prej spitalit tonë drejt spitaleve me terapi intensive Covid. Mund të themi që pandemia jo vetëm ka ndryshuar praktikat e punës së përditshme por na ka marrë dhe një pjesë të kohës së lirë për përditësimin e të dhënave të reja dhe studimit e skemave të trajtimit që kanë qënë në ndryshim të vazhdueshëm, për shkak të përballjes me një sëmundje të re e të panjohur. 

STRESI I SHTUAR GJATË PANDEMISË  KRYESISHT RAPORTUAR NGA ANESTEZISTËT

 Anestezist-Reanimatori është mësuar të përballet në punën e përditshme me një ngarkesë të madhe stresi. Gjithsesi fillimin e pandemisë, pritjen e mbërritjes së “dallgës” së parë në Romë, e kemi përjetuar me një gjendje ankthi sepse lajmet prej Veriut të Italisë tregonin për gjendje të jashtëzakonshme që po përjetohej në urgjencat e spitaleve aty. Falë masave të marra nga qeveria italiane dhe “lockdown”-it kjo “valë e pare” në Romë mbërriti më e “zbutur” , numri i pacientëve dhe i rasteve të rënda ishin relativisht të ulëta krahasuar me gjendjen në Veri të Italisë. Kjo na ndihmoi të kishim një përballje graduale me këtë virus dhe sëmundjen që shkakton tek njeriu, Covid-19. “Dallga  e dyte” në fund të Tetorit dhe gjatë Nëntorit na gjeti më të përgatitur e më të qetë nga ana psikologjike, gjithsesi kaloi çdo parashikim e pritshmëri. Ishte një prurje e madhe pacientësh, kryesisht të moshuar por nuk mungonin dhe moshat e mesme e të reja, që mbërrinin në urgjencë, për vështirësi në frymëmarrje e nevojë për një burim oksigjeni apo aparat ndihmues të frymëmarrjes. Shkaku kryesor i stresit gjatë kësaj vale ka qënë përballja me një ngarkesë të madhe e të vazhdueshme pune dhe pafuqia për të ofruar gjithë asistencën e nevojshme mjekësore e infermieristike  edhe për shkak të mungesës së personelit të kualifikuar, që, për shkak të infektimit, vendosej në izolim. Strukturat shëndetësore të çdo niveli që papritur u gjendën përballë një emergjence shëndetësore në shkallë botërore, kanë përjetuar vështirësi të panumërta që nga sigurimi i maskave e mjeteve të gjera të mbrojtjes individuale deri në riorganizimin e të gjitha aktiviteteve spitalore, mbulimin me personel shëndetësor të të gjitha shërbimeve që liheshin zbuluar prej personelit të infektuar, krijimin e shpejtë brenda strukturës të ambjenteve të izoluara për pacientët Covid-19, krijimin e protokolleve të posaçme të zhvendosjes së pacienteve Covid-19 brenda struktures etj. Pra vetë struktura shëndetësore ka përjetuar nivel të lartë stresi. Në këto kushte, përpjekja për mirëmenaxhimin e stresit ka qënë më shumë individuale si postime këshilluese e udhëzues të OBSH që tërhiqnin vëmendjen për rëndesinë e kujdesit ndaj vetës e mënyren në përballjen me stresin gjatë pandemisë, kanë qënë një ndihmë e madhe. I tillë ka qënë edhe një udhëzues i publikuar në faqen zyrtare të OBSH-së, drejtuar figurave profesionale në vijen e parë të luftës Covid-19, por që do ti shërbente gjithkujt sepse të gjithë pa perjashtim kanë përjetuar stres e vështirësi gjatë kësaj pandemie. Për këtë arsye, me kolegë të ASMAI-it (Shoqata e Mjekëve Shqiptarë në Itali) e disa bashkëpuntorëve të tjerë vendosëm t’a sillnim këtë udhëzues në  shqip. Shumë e rëndësishme për mua, për përballimin e stresit gjatë pandemisë, ka qënë shmangia e stresit të shkaktuar nga  edicionet e shumta të lajmeve, nga politizimi i  pandemisë, nga dalja në mediat televizive e rrjetet sociale të figurave jo profesionale, që shpesh, për të tërhequr më shumë audiencë, janë bërë burim keqinformimi për popullatën. 

 MENAXHIMI I FLUKSIT  TË SHTUAR TË PACIENTËVE NË NEVOJË PËR TRAJTIM INTENSIV                                                                                                                                                                     

Marrja e masave, që nga mbajtja e detyrueshme e maskave, respektimi i distancës fizike e sociale, mbyllja e shkollave, mbyllja e aktiviteteve të punes, kufizimi i lëvizjeve midis krahinave apo midis shteteve, deri tek “lock-down”, pra kufizimi i daljes nga banesa, ka ardhur për një arsye thelbësore: përhapja e këtij virusi ishte aq e shpejtë sa shkaktoi prekjen e njëkohshme të shumë personave dhe Sistemi i Shërbimit Shëndetësor e kishte të pamundur garantimin e  kurave të nevojshme një numri kaq të madh pacientësh me Covid-19 që iu drejtuan spitaleve. Në vështirësi, deri në pamundësi të dhënies së të gjitha kurave të nevojshme të gjithë pacientëve, u gjenden të gjitha sistemet shëndetësore, përfshi dhe ato më të organizuarat e vendeve të zhvilluara në mbarë botën.  Në pikun e valës së pandemisë, urgjencat e spitaleve kanë përjetuar skena të ngjashme me ato të një maxi-emergjence, që është një situatë kur numri i personave që do të kishin nevojë për kura, përfshi edhe kurat intensive në pacientë në rrezik për jetën, është aq i madh sa i tejkalon mundesitë e dhënies së ndihmës shëndetësore nga ana e strukturave të shërbimit shëndetësor brenda dhe jashtë spitalor. Në këto kushte emergjence me përmasa masive, bëhet e domosdoshme përzgjedhja e pacientëve dhe bëhet prioritare dhënia e kurave intensive (që kërkojnë vënien në dispozicion të më shumë materialeve dhe aparateve e më shumë kohë pune dhe mbingarkesë për personelin shëndetësor), në radhë të parë pacientëve në gjendje të rëndë, por që kanë më shumë shanse për të mbijetuar. Ka një grup pacientësh në gjendje të rëndë e të konsideruar me shumë pak shanse për të mbijetuar, për shkak të kombinimit të disa faktorëve: si format e rënda Covid-19 në pacientë me disa sëmundje të rënda shoqëruese si tumoret në fazën e fundit, pacientë me dëmtim të rëndë kronik të funksionit të zemrës apo mushkërive, në të cilët hapat e parë të kures kundrejt Covid-19 nuk kanë dhënë asnjë rezultat përmirësimi. Në këtë grup pacientësh ndërhyrja mjekësore është përpjekur të marrë formën e trajtimit paliativ të pacientit në ditët e fundit të jetës, trajtimi i dhimbjes, kufizimi i procedureve ku pacienti vuan, si p.sh. marrja e shpeshtë e gjakut arterioz apo venoz, dhe merr përparësi garantimi i një fundjete dinjitoze e pa vuajtje. A kemi qënë në gjendje të ofrojmë më të mirën për pacientët në këtë pandemi? E vërteta është se nuk kanë munguar momente kur të gjitha burimet e oksigjenit ishin të zëna, kur të gjithë aparatet e suportit të frymëmarrjes kanë qënë të zënë, kur aparatet elektorike të domosdoshme për dhenien e medikamenteve në mënyrë të vazhdueshme (pompat e injeksioneve) ishin të pamjaftueshme, kur numri i personelit shëndetësor të kualifikuar e me eksperience në urgjencë për shkak të infektimit me virusin Sars-CoV2 ishte i kufizuar dhe, të gjitha këto, kanë shkaktuar, në menyrë të paevitueshme, vonesa në kura, vonesa në fillimin e kurave intensive, uljen e cilësisë së asistencës sanitare, mbingarkesë fizike e psikologjike të personelit, që mund të përkthehet si përfundim në përjetim diskomforti nga ana e pacientëve e të personelit, në uljen e cilësisë së shërbimit shëndetësor, në kufizimin e suksesit në rezultate dhe në uljen e numrin e jetëve që mund të ishin shpetuar. Ishte perjetimi brenda spitaleve i skenareve të tillë të pamundësisë së dhënies së të gjithë kurave të nevojshme pacientëve, që detyroi figurat profesionale të dilnin kudo në media e në rrjetet sociale me thirrje drejtuar popullit si :”Na ndihmoni!” “Mbrohuni!”, “Ju, që mund të zgjidhni, rrini në shtepi!”, “Vetëm me ndihmën tuaj, mund t’ia dalim!” 

 SITUATA NË ITALI DHE RAJONET ME TË KUQE 

Italia sot jeton një gjendje të kontrolluar të pandemisë, numri i shtrimeve në spitale dhe në repartet e terapite intesive është në ulje graduale e megjithatë, si pasojë e dramës së përjetuar në fillim të pandemisë, çlirimi nga masat shtreënguese po bëhet me ritme të ngadalta. Italia përveç masave të detyrueshme në të gjthë territorin, ka zgjedhur menaxhimin nëpërmjet ndarjes së prefekturave në zona me ngjyra, aktualisht të kuqe, portokalli, të verdhë, në bazë të numrit të rasteve të reja të infektimit, numrit të shtrimeve në spitale e në repartet e terapisë intensive. “Ngjyrimi” i prefekturave, që është një proces në ndryshim të vazhdueshëm sipas shifrave që pasqyrojnë situatën e përhapjes së virusit, sjell shtim apo lirim të kufizimeve për banoret dhe për aktivitetet. 

SHQIPTARËT NË QYTETIN E ROMËS

Shqiptarët, tashmë plotësisht të përshtatur me jetesën këtu në Itali, përjetojnë të njëjten situatë e të njëjtat probleme që përjeton sot gjithë populli italian. Me bashkëatdhetarët që njoh dhe takoj më shpesh këtu ku jetoj, na lidh sidomos profesioni. Me një pjesë të tyre, kemi mundur së fundmi të krijojmë Shoqatën e Mjekëve Shqiptarë ASMAI këtu në Itali, që ndër arsyet e krijimit ka patur dhe ndërtimin e urave të bashkëpunimit me mjekët në Shqipëri. Shqetësimi ynë kryesor ka qënë përballja e sistemit të brishtë shëndetësor në Shqipëri me këtë pandemi që gjunjëzoi sistemet shëndetësore disa herë më të forta kudo në botë. Kemi ndjekur me shumë vëmendje e interes punën e mjekëve në Shqipëri në luftën me Covid-19 dhe jemi përpjekur t’ju vijmë sadopak në ndihmë, para se gjithash nëpërmjet mirëkuptimit të vështirësive të tyre dhe nëpërmjet përcjelljes së informacioneve rreth menaxhimit dhe trajtimit të pacientëve Covid-19, nisur nga përvojat e mjekëve në Itali. 

 NDRYSHIMI I JETËS DHE SJELLJEVE TË NJERËZVE NGA COVID

 Pandemia ka qënë sfide e madhe shoqërore dhe ekonomike për të gjithë. Ka prekur dy elementë të rëndësishëm të bashkëjetesës njerëzore: kontaktin fizik dhe  komunikimin. Na ka ndarë fizikisht me të afërmit e miqtë, por na ka mbyllur dhe në marrëdhëniet me të tjerët. Përjetimi i lajmeve të përditshme për jetët e humbura për shkak të Covid dhe frika për shëndetin dhe jetën tonë e  të dashurve tanë na ka ndrydhur. Të moshuarit janë ndier më të vetmuar. Pandemia ka kushtëzuar të përditshmen tonë si në familje dhe në jetën shoqërore duke na kufizuar lirinë, qoftë dhe në kryerjen e aktiviteteve të përditshme. Mendoj se Covid-19, na ka bërë të kuptojmë cilat janë përparësitë në jetën tonë e na ka shtyrë drejt një riekuilibrimi të vlerave në jetën  e secilit prej nesh.

 MESAZHI PËR DIASPORËN NË USA

Në pritje për tu vaksinuar, kujdesuni për mirëqënien tuaj. Pavarësisht kufizimeve, nuk mungojnë aktivitetet që ju mund të kryeni në kushtet e pandemisë. Shfrytëzoni këtë kohë të lirë që ju është mundësuar për shkak të Covid-19, për të qëndruar me familjen tuaj, në vende te hapura e në ajër të pastër. Jetë e shëndet për të gjithë ju!   

 KUSH ËSHTË DR. ANIDA KONDAKÇIU

Anida Kondakçiu është diplomuar në 2000 në Fakultetin e Mjeksisë në Tiranë, pas një viti e gjysmë pune si mjeke familje, në 2002 shkon në Itali me një vizë studimi, për njohjen e diplomës në Fakultetin e Mjekësisë të Universitet “La Sapienza” në Romë. Diplomohet në Mjekësi në Tetor 2003. Kryen një master 1-vjeçar në Mjekësi Urgjence pranë Universitetit “La Sapienza” në Rome dhe disa kurse të ndërhyrjes së shpejtë mjekësore e fillon punon si mjeke jashtëspitalore, duke ofruar asistencë mjekësore kryesisht në aktivitete e gara sportive  dhe në ambulancë. Specializohet në vitet 2011-2016 në degën  “Anestezi, Reanimacion, Terapi Intensive e të Dhimbjes” pranë spitalit “Tor Vergata” në Romë e prej 2016 ushtron profesionin e anestezistes. 

Filed Under: Interviste Tagged With: Dr.Ana Kondakçiu, Sokol Paja

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 68
  • 69
  • 70
  • 71
  • 72
  • …
  • 5724
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare
  • Në sinoret e Epirit…
  • Mbrëmë hyri në fuqi Ligji i SHBA për autorizimin e mbrojtjes kombëtare
  • Skënderbeu “grek”, ose si të bëhesh grek pa e ditur
  • A historic moment of pride for the New Jersey Albanian-American community
  • U zhvillua veprimtaria përkujtimore shkencore për studiuesin shqiptaro-amerikan Peter Prifti
  • Dashuria që e kemi dhe s’e kemi
  • “Jo ndërhyrje në punët e brendshme”, dorëheqja e Ismail Qemalit, gjest atdhetarie dhe fletë lavdie
  • Arti dhe kultura në Dardani
  • Gjon Gazulli 1400-1465, letërsia e hershme shqipe, gurthemeli mbi të cilin u ndërtua vetëdija gjuhesore dhe kulturore e shqiptarëve
  • “Albanian BookFest”, festivali i librit shqiptar në diasporë si dëshmi e kapitalit kulturor, shpirtëror dhe intelektual
  • VEPRIMTARI PËRKUJTIMORE SHKENCORE “PETER PRIFTI NË 100 – VJETORIN E LINDJES”

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT