• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

NJOFTIM

February 17, 2020 by dgreca

NJOFTIM PËR PËRDORUESIT E DIELLIT ONLINE/

Ju kërkojmë ndjesë përdoruesëve të faqes së Diellit Online (www.gazetadielli.com) për  shqetësim që mund t’u shkaktojmë për shkak të mirëmbajtjes që do të nisë sonte në mesnatë. Faleminderit për mirëkuptimin.

We apologize for any inconvenience accessing “Dielli” Website. 

There is a maintenance going on.

Filed Under: Opinion Tagged With: Njoftim-remont-Dielli

VATRA: KOSOVË, GËZUAR PAVARËSINË !

February 17, 2020 by dgreca

FEDERATA PAN SHQIPTARE E AMERIKËS “VATRA” URON 12 VJETORIN E PAVARËSISË SË KOSOVËS

Federata Pan Shqiptare e Amerikës “VATRA” u përcjell shqiptarëve në Kosovë dhe në Diasporë urimet më të përzemërta për përvjetorin e 12-të të Pavarësisë.Kjo ditë e bekuar është historike dhe Kombëtare dhe nuk u përket vetëm qytetarëve shqiptarë që jetojnë në Dardaninë tonë, por në të gjitha trojet Kombëtare dhe në Mërgatë.

Vatra, e krijuar si nevojë historike për të mbrojtë Kombin Shqiptar dhe Trojet Kombëtare nga rreziku i zhdukjes, Vatra që i priu Pavarësisë Kombëtare, përcjell sot mesazhin e bashkimit dhe Unitetit Kombëtar.

Vatra përcjell në këtë ditë feste respekt e nderim për dëshmorët e Lirisë dhe për të gjithë ata që i rezistuan okupimit serb.

Në këtë ditë të shënuar Vatra, kujton me respekt e nderim arkitektin historik të Pavarësisë së Kosovës, mikun e vet, Presidentin e parë, Dr. Ibrahim Rugova. Falë meritave të dr.Ibrahim Rugovës, ne sot kemi mikun më të fortë, fuqinë më të madhe ekonomike dhe ushtarake në botë, Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimin Europian ku Republika e Kosovës synon të anëtarësohet.

Gjejmë rastin që të përshëndesim aktin bashkues që bëri në Ditën e Pavrësisë kryeministri i Kosovë Albin Kurti duke shkuar bashkë me Kryetaren e Parlamentit  Vjosa Osmani pranë varrit të Dr. Rugovës. Edhe në të ardhmen presim sinjale të tilla që na bashkojnë dhe nuk na përçajnë.

Nderojëm në ditën e festës Mërgatën në SHBA dhe Europë për kontributin e madh që dha për lirinë e Kosovës. Respekt për Batalionin Atlantiku, për Dëshmorët e Diasporës, Vezir Ademi dhe vëllezërit Bytyçi! Gjaku i tyrë është në themelet e Lirisë dhe Pavarësisë së Kosovës.

Në emër Kryesisë dhe Këshillit të Vatrës, të degëve të saj në SHBA dhe në Kanada, si dhe në emër të të gjithë vatranëve Ju përcjell Urimin:

GËZUAR PAVARËSIA E KOSOVËS!

KRYETARI

ELMI BERISHA

Nju Jork, 17 Shkurt 2020

Filed Under: Featured Tagged With: Elmi Berisha- Urim- Pavaresia e Kosoves

KRYEMINISTRI KURTI: VLERËSIM PRESIDENTIT RUGOVA PËR LIRINË DHE PAVARËSINË

February 17, 2020 by dgreca

PRISHTINË, 17 Shkurt  2020-Gazeta DIELLI/ Sot, në Ditën e Pavarësisë së Kosovës, Kryeministri Albin Kurti dhe Kryetarja e Kuvendit, Vjosa Osmani bënë homazhe dhe vendosën kurora me lule te varri i Presidentit historik Ibrahim Rugova.

Me këtë rast, Kryeministri Albin Kurti tha: 

Si Kryeministër i Republikës së Kosovës,  sot teksa shënojmë dhe festojmë përvjetorin e 12-të të shpalljes së Pavarësisë, kujtojmë Presidentin e parë të Republikës së Kosovës Dr. Ibrahim Rugovën, të zgjedhur me votë popullore me 24 Maj të vitit 1992. Një dekadë më vonë, me 4 Mars të vitit 2002, në Kuvendin e Kosovës Dr. Ibrahim Rugova rizgjedhet sërish President i Kosovës, kësaj radhe President i parë në Kosovën e çliruar. Në një ditë si kjo ne vlerësojmë përpjekjen insistuese dhe institucionale, angazhimin politik për Liri dhe Pavarësi. U preftë i qetë e në paqe.

Filed Under: Featured Tagged With: Albin Kurti-Vleresim per Rugoven

KOSOVA 12 VJET SHTET, FESTON SOT DITËN E PAVARËSISË

February 17, 2020 by dgreca

SPECIALE E DIELLIT NGA PRISHTINA/

-Njohja e Kosovës shtet nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës iu bë në orët e para – ditën e parë pas shpalljes së Pavarësisë nw 17 Shkurtin historik 2008, kur e njohu edhe Shqipëria…/

 -Ngjarjet më të rëndësishme nëpër vitet e Kosovës së Pavarur. Vitet më të rëndësishme e më të suksesshme të Kosovës pas shpalljes së Pavarësisë ishin 2010-ta, 2012-ta, së bashku 2015-ta e 2016-ta dhe 2018-ta/

-Në 2020-tën festohet edhe 21 vjetori i  Ditës së Lirisë – 12 Qershorit 1999 kur nisi të hyjnë në Kosovë  NATO forca më e madhe planetare, prirë nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës/

-Axhenda e festimeve për 17 Shkurt 2020/

  SPECIALE-Gazeta DIELLI nga korrespondenti në Kosovë Behlul JASHARI*

PRISHTINË, 17 Shkurt  2020/ Kosova feston sot 12 vjetorin e Pavarësisë së shpallur në 17 Shkurtin historik 2008,   pas Ditës së Lirisë – 12 Qershorit 1999, kur nisën të hyjnë forcat paqeruajtëse shpëtimtare të NATO-s, prirë nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, pasuar me vendosjen e Misionit të Administratës së Përkohshme të Kombeve të Bashkuara.

Festa sot, në 12-vjetorin e shpalljes së Pavarësisë, ka nisur me ngritjen e Flamurit, me nderim të Flamurit të Republikës së Kosovës, te selia kryesore e Qeverisë afwr Sheshit “Gjergj Kastrioti – Skënderbeu”, ku ishin së bashku Kryeministri Albin Kurti, Kryeparlamentarja Vjosa Osmani, komandanti i FSK-së ushtri, Rrahman Rama dhe përfaqësues tjerë të institucioneve shtetërore.

 “Ne, udhëheqësit e popullit tonë, të zgjedhur në mënyrë demokratike, nëpërmjet kësaj Deklarate shpallim Kosovën shtet të Pavarur dhe Sovran”, theksonte Deklarata e Pavarësisë, e cila hartës së botës ia shtoi një shtet, e lexuar nga atëherë Kryeministri Hashim Thaçi, tash president i Republikës, të dielën e 17 Shkurtit të para 12 viteve, në Kuvendin e Kosovës në mbledhjen e jashtëzakonshme solemne, të nisur në orën 15:00.

Pak para kësaj ore, para se 109 deputetë të pranishëm në Kuvend të votonin në unanimitet shpalljen e Pavarësisë së Kosovës, presidenti i atëhershëm Fatmir Sejdiu në zyrën e tij, në afmosferë feste e përzemërsie, në intervistën ekskluzive për Agjencinë Telegrafike Shqiptare deklaronte se “ne nuk kemi frikë nga e ardhmja” dhe se “nga kjo ditë do të jetë një Kosovë e bekuar”.

17 Shkurti 2008 i Pavarësisë së Kosovës, dita më e madhe shqiptare pas 28 Nëntorit 1912 të Pavarësisë së Shqipërisë, e vlerësuar kështu në faqen e parë të botimit të jashtëzakonshëm festiv të gazetës historike Rilindja, në festën e madhe të gjithë shqiptarëve u përmbyll me fishekzjarret më të shumta e më të shkëlqyera që janë parë ndonjëherë mbi Prishtinë, kryeqytetin e shtetit të ri evropian, të saposhpallur.

Kosova deri tani është njohur nga 116 shtete, ndërsa njohjet e para iu bënë në orët e para – ditën e parë pas shpalljes së pavarësisë, nga Mbretëria e Bashkuar, Franca, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Turqia, Shqipëria, Afganistani dhe Kostarika. Kosova në prag të ditës së 10 vjetorit të pavarësisë mori edhe njohjen e 116-të nga shtetet anëtare të OKB-së, nga Barbadosi.

Dy ditë para se të mbusheshin katër muaj pas 17 Shkurtit të shpalljes së Pavarësisë, në 15 Qershor 2008 hyri në fuqi Kushtetuta e Republikës së Kosovës, e cila ishte miratuar në Kuvend në 9 Prill, dhe që në nenin 1 përcaktonte se,“Republika e Kosovës është shtet i pavarur, sovran, demokratik, unik, dhe i pandashëm”.

Flamuri shtetëror i Kosovës ishte shpalosur që në ditën e shpalljes së Pavarësisë në seancën solemne të Kuvendit, i cili në një seancë të veçantë në 11 Qershor 2008 miratoi edhe Himnin Shtetëror.

Gjatë 12 viteve, Republika e Kosova ka vendosur marrëdhënie diplomatike me mëse 90 shtete, është anëtarësuar në më shumë se 60 organizata rajonale, evropiane dhe ndërkombëtare, ka hapur mëse 40 misione diplomatike dhe poste konsullore dhe ka të akredituar ambasadorë jo-rezidentë në rreth 60 shtete.

Në këto 12 vite të Pavarësisë Kosova ka mbajtur edhe shtatë palë zgjedhje të lira e demokratike, katër parlamentare dhe tre lokale.

Ndërsa, vitet më të rëndësishme e më të suksesshme të Kosovës pas shpalljes së Pavarësisë ishin 2010-ta, 2012-ta, së bashku 2015-ta e 2016-ta dhe 2018-ta.

Në vitin 2010 ishin dy ngjarje shumë të rëndësishme drejt njohjes së plotë ndërkombëtare të shtetit më të ri evropian: Legjitimimi i Pavarësisë së Kosovës nga Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë në 22 Korrik dhe Rezoluta e 9 Shtatorit e Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, e cila me respekt e merr në konsideratë opinionin e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë.

Kuvendi i Republikës së Kosovës në seancën e veçantë të datës 23 Korrik 2010 ka miratuar solemnisht një deklaratë ku shprehte kënaqësinë dhe aprovimin për opinionin e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë për legalitetin ndërkombëtar të shpalljes së Pavarësisë së Kosovës dhe zotohej për respektimin e tij.

Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë kishte filluar të shqyrtojë legalitetin e shpalljes së Pavarësisë së Kosovës pasi Asambleja e Përgjithshme e OKB-së kishte miratuar një kërkesë të Serbisë në Tetor të vitit 2008.

Menjëherë pas këtij zhvillimi me rëndësi historike, në një deklaratë të anëtarëve të Grupit Drejtues Ndërkombëtar për mendimin këshillues të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë rikonfirmohej mbështetjetja e palëkundur për pavarësinë e pakthyeshme të Kosovës dhe bëhej thirrje për njohje.

“Grupi Drejtues Ndërkombëtar rikonfirmon mbështetjen e palëkundur të tij për Pavarësinë e pakthyeshme të Kosovës demokratike dhe shumetnike në kufijtë e saj të tanishëm dhe i bën thirrje shteteve tjera që të njohin Kosovën. Ai po ashtu përshëndet përkushtimin e vazhdueshëm të Kosovës dhe progresin e konsiderueshëm në zbatimin e Propozimit Gjithëpërfshirës për Statusin dhe do të vazhdojë të mbështesë Kosovën në punën për realizimin e perspektivës së saj evropiane”, theksohej në deklaratë.

Grupi Drejtues Ndërkombëtar (ISG) për Kosovën, i cili përbëhej nga vendet që e kanë njohur Pavarësinë, ishte formuar më 28 Shkurt të vitit 2008 dhe synonte të orientojë dhe mbikëqyrë zhvillimin demokratik të Kosovës, të nxisë qeverisjen e mirë dhe shumetnicitetin, bazuar në Propozimin Gjithëpërfshirës të emisarit të posaçëm të OKB-së, kryenegociatorit për statusin, Martti Ahtisaari.

Në vitin 2012 Kosova përmbylli fazën e Pavarësisë së Mbikëqyrur Ndërkombëtare dhe hyri në një fazë te re të perspektivës euroatlantike.

Në 7 Shtator Kuvendi kosovar miratoi amendamentet në Kushtetutë, të propozuara nga qeveria, që kishin të bëjnë me përfundimin e mbikëqyrjes ndërkombëtare të pavarësisë së Kosovës.

Në 10 shtator Grupi Drejtues Ndërkombëtar deklaroi përfundimin e mbikëqyrjes së Kosovës. “Përmbyllja e mbikëqyrjes është vlerësimi më i lartë ndërkombëtar, që i është bërë shtetit të Kosovës pas shpalljes së Pavarësisë”, u vlerësua atëherë.

Më herët, në 2 Korrik 2012 është mbajtur në Vjenë takimi i pesëmbëdhjetë i Grupit Drejtues Ndërkombëtar për Kosovën, i cili “ka konstatuar se Propozimi Gjithëpërfshirës për Zgjidhjen e Statusit është zbatuar në mënyrë substanciale dhe me këtë autorizohen hapat përfundimtarë për përmbyllje të Pavarësisë së mbikëqyrur dhe mbyllje të Zyrës Civile Ndërkombëtare (ICO)”.

Në vitin 2016, në 1 Prill, nisi zbatimi i Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit në mes të Kosovës dhe Bashkimit Europian, e nënshkruar në 27 Tetor 2015 në Strasburg dhe e ratifikuar në Parlamentin kosovar pas pak ditësh, në 2 Nëntor. Marrëveshja për Stabilizim Asociim, e cila krijon për herë të parë marrëdhënie kontraktuale me BE-në, është vlerësuar ngjarja më e rëndësishme e Kosovës që nga shpallja e pavarësisë.

Programi Kombëtar për zbatimin e Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit me Bashkimin Europian është miratuar në 10 Mars 2016 nga Kuvendi i Republikës së Kosovës.

Komisioni Parlamentar për Stabilizim Asociim BE-Kosovë për herë të parë është mbledhur në Prishtinë në 16-17 Maj 2016, ndërsa së fundi takimin e katërt e zhvilloi në Strasburg në 17-18 Janar 2018. 

 Në 2018-tën Kosova u bë me ushtri dhe kjo ishte edhe ngjarje viti dhe shumë e rëndëishme e shtetit të pavarur gjatë 12 viteve. Pakoja e tre projektligjeve për Forcën e Sigurisë së Kosovës  Ushtri është miratuar me unanimitet në shqyrtim të dytë nga Kuvendi i Republikës së Kosovës 120 anëtarsh me 107 deputetë në sallë në seancën e 14 Dhjetorit 2018.  Në 28 Dhjetor 2018 Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi ka dekretuar tre ligjet që e ndryshojnë mandatin dhe misionin e Forcës së Sigurisë së Kosovës.

“I falënderoj mbështetësit ndërkombëtarë, SHBA-në dhe të gjitha shtetet e tjera aleate në këtë ditë të rëndësishme të zyrtarizimit të Ushtrisë së Kosovës”, është shprehur me këtë rast Presidenti Thaçi.

Pas shpalljes së Pavarësisë së Kosovës në 17 Shkurt 2008, Forca e Sigurisë së Kosovës është aktivizuar nga Janari 2009, kur u deaktivizuan Trupat Mbrojtëse të Kosovës, të cilat lindën nga transformimi i  Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe lujtën rolin e tyre shumë të rëndësishëm në nëntë vitet e pas luftës së përfunduar në Qershorin 1999.

Në 2020-tën festohet edhe 21 vjetori i  Ditës së Lirisë – 12 Qershorit 1999 kur nisi të hyjnë në Kosovë  NATO forca më e madhe planetare, prirë nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Në Kosovë liria po vinte më pak se tre muaj pas 24 Marsit 1999 të fillimit të ndërhyrjes së aviacionit të NATO-s me bombardimin e pozicioneve të forcave kriminale serbe të kasapit të Ballkanit, Milosheviç, i cili përfundoi në Gjykatën Ndërkombëtare për Krime Lufte në Hagë. Lufta e përfunduar kishte bilanc tragjik të masakrave, spastrimit etnik e gjenocidit kundër shqiptarëve: Mëse 12 mijë të vrarë, rreth 6 mijë të zhdukur,  shumë prej tyre të groposur në varreza masive, edhe të fshehura në Serbi, e afër 1 milion të dëbuar – shumica  drejt Shqipërisë…

Kosovës i vinte era tokë e djegur, forcat serbe ua kishin vënë flakën mëse 400  fshatrave e qyteteve, 120 mijë shtëpive të shqiptarëve…

Lufta përfundoi me Marrëveshjen e Kumanovës (qytet në Maqedoni i banuar edhe me shqiptarë), ndërmjet NATO-s dhe RFJ-së, që u nënshkrua në 9 Qershor e  hyri në fuqi në 11 Qershor 1999.

Sekretari i përgjithshëm i NATO-s në atë kohë, Havijer Solana, në 10 Qershor 1999 kishte lëshuar urdhërin për ndalimin e bombardimit dhe Këshilli i Sigurisë së OKB-së miratoi Rezolutën 1244, sipas të cilës në Kosovë u dërguan 37.200 ushtarë të forcës paqeruajtëse e shpëtimtare të NATO-s – KFOR-it nga 36 shtete.

Misioni ishte i ndarë në pesë zona të përgjegjësisë, që i përkisnin KFOR-it Amerikan, Anglez, Francez, Gjerman dhe Italian. Gjenerali britanik Michael Jackson ishte komandanti i parë i forcës paqëruajtëse të NATO-s në Kosovë – KFOR. 

GAZETA RILINDJA PËR 17 SHKURTIN HISTORIK 2008

 Gazeta tradicionale e Kosovës Rilindja për 17 Shkurtin historik 2008 doli numër i jashtëzakonshëm festiv me kryetitullin me shkonja ngjyrë ari: KOSOVA SHPALLI PAVARËSINË BOTA E NJEH SHTETIN MË TË RI.

Po në ballinë, nën imazhet e nënshkrimit të Deklaratës së Pavarësisë së Kosovës, të Flamurit e Stemës së shtetit të ri evropian dhe fishekzjarreve të festimeve në Prishtinë, Rilindja shkruante poashtu me shkronja ngjyrë ari: 17 SHKURTI 2008 DITA MË E MADHE SHQIPTARE PAS 28 NËNTORIT 1912 TË PAVARËSISË SË SHQIPËRISË.

Lart te logoja po në faqen e parë shkruante: RILINDJA JU URON SHPALLJEN DHE NJOHJEN E KOSOVËS SHTET I PAVARUR.

AXHENDA ZYRTARE E FESTIMEVE PËR 17 SHKURT 2020 – E DËRGUAR NGA QEVERIA E KOSOVËS:

12 vjetori i Shpalljes së Pavarësisë së Republikës së Kosovës

Axhenda e festimeve për 17 Shkurt 2020

08:00

Ngritja Flamurit

(Të pranishë dy udhëheqësit shtetërorë dhe KOMFSK, Garda ceremoniale bën ngritjen e flamurit, intonohet himni nga bendi i FSK-së)

Vendi: Oborri i ZKM-së

09:10

Vendosje kurorash te kompleksi memorial Adem Jashari

(Vendosje kurorash nga dy udhëheqësit shtetërorë në Kompleksin Adem Jashari)

Vendi: Prekaz – Skenderaj

10:30

Vendosje kurorash te varri i ish – Presidentit Rugova

(Vendosje kurorash nga dy udhëheqësit shtetërorë pranë varrit të Presidentit Ibrahim Rugova)

10:40

Vendosje kurorash te varri i Veprimtarit Adem Demaçi

(Vendosje kurorash nga dy udhëheqësit shtetërorë te varri i veprimtarit Adem Demaçi)

Vendi: Varrezat në Velani – Prishtinë

11:00

Seanca solemne në Kuvendin e Kosovës

(Seancë solemne në Kuvendin e Republikës së Kosovës nën kujdesin e SH. S. Znj.Vjosa OSMANI Kryetare e Kuvendit të Republikës së Kosovës. Të pranishëm dy udhëheqësit shtetërorë, përfaqësues të Familjes Jashari, familjes Rugova, deputetë të këtij legjislacioni dhe të ftuar ndërkombëtarë e vendorë. Të pranishmëve iu drejtohet SH. S. Znj. Vjosa OSMANI)

Vendi: Kuvendi i Republikës së Kosovës

12:00

Vizitë në Forcën e Sigurisë se Kosovës

Trupave të FSK-së iu drejtohen me fjalë përshëndetëse SH.S. Znj. Vjosa OSMANI, kryetare e Kuvendit të Republikës së Kosovës dhe SH.T.Z Albin KURTI, Kryeministër i Republikës së Kosovës

Vendi: Kazerma “Adem Jashari”

18:00

Pritje shtetërore me rastin e 12 vjetorit të Shpalljes së Pavarësisë se Kosovës

(Pritje për 12 vjetorin e shpalljes së Pavarësisë së Republikës së Kosovës, nën kujdesin e

SH.T.Z Hashim THAÇI President i Republikës së Kosovës.
Të pranishëm udhëheqës të lartë shtetërorë, të ftuar vendorë dhe ndërkombëtarë.

Vendi: Bogdanipolis – Katedralja Shën NÊNË TEREZA

*Me shume fotografi gjeni ne Dielli vatra fb

Filed Under: Featured Tagged With: Behlul Jashari-Kosova 12 jet-Pavaresia

Nga Durrësi në Las Vegas: Sfidat e pafund në 70 vitet e Pirro Dollanit

February 17, 2020 by dgreca

Nga Gëzim Kabashi/

Nuk njoh njeri që të ketë lindur më 15 shkurt, në ditën e Vetmisë, dhe të ketë më shumë shokë e miq se sa ka Pirro Dollani. Bashkëqytetarë, ish-nxënës, kolegë mësues apo krijues, e respektojnë njëlloj, pavarësisht se prej 26 vitesh ai ka zgjedhur të jetojë në SHBA.   

Së bashku me familjen , Pirro është kthyer në një mbështetje të rëndësishme për bashkëatdhëtarët që mbërrijnë rishtas në “tokën e premtuar”. Ndërsa çdo vit ai sjell rregullisht në gjuhën shqipe një përkthim të ri nga autorë të njohur e më pak të njohur, kryesisht amerikanë, nga një letërsi pak e lëçitur në vendin tonë.

“Beti-tregime të zgjedhura” (2018), “Kokoro” nga Natsume Soseki (2017), “Ura e Mbretit Shën Luigj” nga Thornton Wilder (2016); “Piktorja që sfidoi kohën” nga Robert Baird Shuman (2015), dhe më parë “Hoteli I bardhë” nga D. M. Thomas (2014), “Bel canto” nga Anne Patchet; “Jehona e kujtesës” nga Richard Power; “Lamtumirë fjalë” nga Hart Wegner; “Virgjëresha shqiptare” nga Alice Munro; “Pragu i ferrit” nga Michel Hugo; “Duke lexuar Turgenievin” nga William Trevor; “E vërteta dhe trillimi në librin Kodi da Vinçi”, janë disa nga librat e përkthyer nga Pirro Dollani.

Pirro Dollani do të festojë sot 70-vjetorin e lindjes mes familjarëve dhe të afërmëve në Las Vegas, mijra km larg prej këtu. Do ti pëlqente të ishte mes shokësh dhe miqsh në Durrës, ashtu siç bën prej vitesh në çdo sezon veror. 

Verën që kaloi munguan përkthimet e përvitshme, përmes të cilave ai i ka dhënë në dorë lexuesit emra më të shquar të letërsisë së kontinentit amerikan. 

Kohët e fundit miku ynë Pirro Dollani është përballur me një sfidë shumë më të vështirë se sa përkthimi. Përballë tij këtë herë është sëmundja, por Pirro do tia dalë përsëri, falë kujdesit mjekësor dhe vullnetit të pakufi, por edhe të dashurisë së ndërsjellë, me të cilën e duan dhe i do njerëzit.

Gjithnjë përballë sfidave

Ai e ka zgjedhur shumë herët modelin e tij të preferuar: babain Dudë, njeriun që pas burgimit të padrejtë komunist për shkak të shkollimit dhe njohjes së gjuhës angleze, punoi gjithë jetën si llustraxhi për të mbajtur familjen. 

Njëlloj si i jati, Pirro ende nxënës, nuk është dorëzuar edhe kur e përjashtuan nga liceu artistik në Tiranë, ku kishte mbërritur në sajë të pasionit për violinën; edhe kur punoi si punëtor në disa ndërmarrje të qytetit, pa hequr dorë nga shkollimi ne filialin universitar të Durrësit; kur në të njejtën kohë falë dashurisë për muzikën bëhej instrumentist në Orkestrën sinfonike dhe në varietenë e Durrësit; nuk dorëzohet edhe kur pasi martohet e venë të jetojë në një nga banesat e çuditshme të qytetit, përkundrazi, e bën familjen e tij të vogël, bashkëshorten Frida dhe fëmijët, Gjergj dhe Arba, mbështetjen më të sigurtë për ta përballuar jetën.

Pirro Dollani shfaq anën e tij më të mirë, kur si mësues në shkollat 8-vjeçare apo në gjimnazin “Gjergj Kastrioti” ku arrin pas ndërhyrjeve të njerëzve që e duan, ai dallon dhe nxit djemtë e vajzat e talentuar në muzikë, art apo letërsi. I vlerëson ata dhe i drejton në fushat ku do të japin aq shumë në të ardhmen.  Me të njejtin seriozitet kryen detyrat e para në tranzicionin postkomunist, si shef i Kulturës në bashki, si dhe atë të drejtorit të Bibliotekës së Durrësit.

Shumë kohë më vonë edhe në Universitetin e Nevadës, në Institutin e Filmit, ai do të njohë dhe do të fitojë miqësinë e figurave të shquara të kulturës botërore dhe do të punojë intensivisht deri kur del në pension.

Pasioni për përkthimin si lidhje me Atdheun

Në një intervistë të disa viteve më parë Pirro Dollani ka treguar se hyri në botën e përkthimit “kur Katedra, në të cilën studioja më kërkoi të sjell në gjuhën angleze novelën “Ditë Kafenesh” (në anglisht “Coffeehouse Days”) të shkrimtarit tonë të madh Ismail Kadare”. Ai kujton vitin 2004, kur ky përkthim u publikua në Las Vegas si botim mjaft luksoz me letër të prodhuar enkas për të, me kopertinë metalike. Për më tepër, të gjitha kopjet janë me autografin e autorit Ismail Kadare. 

Pirro tregon se Instituti Ndërkombëtar i Letrave në SHBA prodhoi vetëm 125 kopje dhe çmimi për një libër ishte … 780 USD. 

Që nga viti 2004 kur në Durrës ushtoi për herë të parë sirena e festivalit ndërkombëtar të poezisë “Poeteka” Pirro Dollani ka sjellë në Shqipëri disa nga emrat më të njohur të letrave amerikane si, shkrimtari Hart Wegner i cili në 2007 referoi mbi “Yjet e zinj të Paul Celanit”; poetesha Claudia Keelan që në Poetekën 2008 mbajti kumtesën “Kujtojmë Wallace Stevens”; apo Tom Sleigh në 2009 që referoi “Surealizmi përballë klasicizmit ose përse bëj vrima te toga ime”. Bashkë me organizimin Pirro Dollani ka përkthyer edhe kumtesat e tyre nga anglishtja në shqip.

Një tjetër bashkëpunim i rëndësishëm ai me Teatrin Kombëtar në vitin 2010, kur Dollani “bëri bashkë” regjisorin dhe aktorin hollivudian Clarence Gilliard dhe aktorin e njohur shqiptar Mirush Kabashi, bashkëregjisorë dhe intepretë kryesorë në dramën “Koleksioni i përhershëm” të Tomas Gibson, përkthyer mjeshtërisht nga durrsaku i mirë. “E kuqja” nga Xhon Llogan, kushtuar jetës së piktorit Mark Rothko,  është drama tjetër që Pirro përkthen si pjesë repertori e ardhshme, por realizimi i saj mbeti gjithnjë një projekt.

“Nuk ka lidhje më të fuqishme me Shqipërinë dhe Durrësin, vendlindjen time, sesa lidhja gjuhësore, që realizohet nëpërmjet përkthimeve”-thotë i sigurtë ai. 

Pirro Dollani është me siguri nga ata burra që ka lënë në vendin nga ku largohen një boshllëk intelektual, krijues dhe njerëzor. Njëkohësisht është nga ata shqiptarë që kontribuojnë çdo ditë për ta bërë më të mirë Amerikën, duke i dhënë edhe asaj frymën e Shqipërisë së vërtetë. 

Filed Under: ESSE Tagged With: Gezim Kabashi-70 vitet-Pirro Dollani-Las Vegas

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 721
  • 722
  • 723
  • 724
  • 725
  • …
  • 5724
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit
  • Shqipëria u bë pjesë e Lidhjes së Kombeve (17 dhjetor 1920)
  • NJЁ SURPRIZЁ XHENTЁLMENЁSH E GJON MILIT   
  • Format jo standarde të pullave në Filatelinë Shqiptare
  • Avokati i kujt?
  • MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI MJET PËR FORMIMIN E VETEDIJES KOMBËTARE TE SHQIPTARËT  
  • MES KULTURES DHE HIJEVE TE ANTIKULTURES
  • Historia dhe braktisja e Kullës së Elez Murrës – Një apel për të shpëtuar trashëgiminë historike

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT