PRISHTINË, 17 Shkurt 2020-Gazeta DIELLI/ Sot, në Ditën e Pavarësisë së Kosovës, Kryeministri Albin Kurti dhe Kryetarja e Kuvendit, Vjosa Osmani bënë homazhe dhe vendosën kurora me lule te varri i Presidentit historik Ibrahim Rugova.
Me këtë rast, Kryeministri Albin Kurti tha:
Si Kryeministër i Republikës së Kosovës, sot teksa shënojmë dhe festojmë përvjetorin e 12-të të shpalljes së Pavarësisë, kujtojmë Presidentin e parë të Republikës së Kosovës Dr. Ibrahim Rugovën, të zgjedhur me votë popullore me 24 Maj të vitit 1992. Një dekadë më vonë, me 4 Mars të vitit 2002, në Kuvendin e Kosovës Dr. Ibrahim Rugova rizgjedhet sërish President i Kosovës, kësaj radhe President i parë në Kosovën e çliruar. Në një ditë si kjo ne vlerësojmë përpjekjen insistuese dhe institucionale, angazhimin politik për Liri dhe Pavarësi. U preftë i qetë e në paqe.