• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

JETE

May 21, 2021 by dgreca

…jetë që kurrë nuk bëhet ‘non grata’/

Nga Astrit Lulushi/

Ç’duhen rrugët? Për të ecur, ti thua. Por janë anët e tyre të pashkelura, ku mund të ulesh të shlodhesh a të hedhësh shikimin, të ndjesh aromën e luleve të egra, që i bëjnë rrugëtimet të pashlyeshme të vlefshme.
Hap rrugë, lidh qytete, fshatra e kombe të ndarë, vendos edhe ndonjë tarifë që veçse fut përçarje, dhe kaq. Jeta i merr mësimet duke kaluar në vende të pashkelura, dhe kur kthen kokën pas, sheh shkurret që ka hapur, dhe barin ku ka shkelur dhe tregon me mburrje me gisht: “Eshtë udha ime!”
Kjo është Jeta që ia vlen të jetohet; jetë e shqyrtuar e ekzaminuar, që përdor aftësinë për të menduar. Sepse Jeta e pashqyrtuar në thelb është konformiste në përputhje me bindjet kolektive a shoqërore, të cilat njeriu i zbaton pa asnjë dyshim e pyetje – jetë që kurrë nuk bëhet ‘non grata’.

Filed Under: ESSE Tagged With: Astrit Lulushi, jete

KONTRIBUT I RI I DR. PAULIN MARKU PER HISTORINE TONE KOMBETARE

May 21, 2021 by dgreca

Intervistë nga Rafaela Prifti/

Nga promovimi ne Vater i librit te Dr.Paulin Marku./

Përmbledhja: Me anë të dokumenteve të paraqitura në librin e tij të ri, Dr. Paulin Marku sjell tablonë dramatike të viseve shqiptare në fillimet e shekullit XX, kur “Perandorisë Otomane po i vinte fundi, Fuqitë e Mëdha ishin të interesuara të mbronin interesat e tyre, Austro-Hungaria dhe Italia donin të ruanin status-quo-në, ndërsa krerëve shqiptarë si: Ismail Qemal Beu, Hasan Prishtina, Preng Bibë Doda, etj ju duhej të lobonin me kancelaritë e huaja prej nga kërkonin ndihma e armatime për kryengritjen antiosmane,” por, gjithashtu, tregonin kujdes dhe ishin të vetëdijshëm për raportet delikate me aktorët e fuqishëm politik të kohës. Për Dr. Marku, libri Dokumente Diplomatike Italiane për Historinë e Shqiptarëve gjatë Vitit 1912 është kontributi i tij për historinë tonë kombëtare. Ky projekt me rëndësi i Institutit të Historisë në Akademinë e Studimeve Albanologjike (ASA) nënvizon nevojën e plotësimit të studimeve historike me dokumente italiane, thotë Dr. Marku. Relacionet dhe shifrat e telegrameve dërguar për konsullatat dhe legatat italiane evidentojnë se Roma zyrtare jo vetëm kishte informacione të detajuara në vend por edhe interes primar për ngjarjet në Ballkan, organizimin e shqiptarëve, gjendjen e brendshme të Perandorisë Osmane, dhe qëndrimin e shteteve ballkanike dhe Fuqive të Mëdha ndaj çështjes shqiptare. Dokumentet pasqyrojnë situatën politike-ekonomike dhe shoqërore të shqiptarëve duke dhënë informacione për shkencat historike, politike, ekonomike e shoqërore-kulturore.

Dr. Marku vazhdon të shkruajë studime, monografi e publikime shkencore në Shtetet e Bashkuara. Ai mendon se hulumtimi në arkivat shqiptare dhe të huaja ka qenë dhe mbetet një detyrë e rëndësishme për çdo studiues. Për punën e tij hulumtuese, ai thotë se është e vështirë të ndalesh kur merresh me kërkime shkencore dhe me studime “në lamin e dokumentacionit historik e diplomatik.” Pasioni i tij për historinë nis qysh në vitet shkollore në vendlindjen e tij në Lezhë. I dhënë pas përkushtimit të tij për studimet historike politike dhe marrëdhëniet ndërkombëtare, ai shkon të ndjekë studimet në shkencat humane në Universitetin La Sapienca, Romë, Itali. Në të njëjtin universitet, Marku mbrojti disertacionin me temën Ahmet Zogu, Themelimi i Shtetit shqiptar dhe Konsolidimi i Tij në Arenën Ndërkombëtare dhe merr titullin Doktor i Shkencave. Ai është autor i disa studimeve shkencore të publikuara në botime e revista brenda dhe jashtë vendit, si edhe pjesëmarrës në disa konferenca e seminare shkencore.

Dr. Marku sjell tek lexuesi shqiptar librin e parë të botuar në Tiranë nga ASA me dokumentacione italiane relevante për periudhën e pavarësisë shqiptare. Për përgatitjen e vëllimit, studiuesi ka hulumtuar më shumë se 16,000 dokumente në gjuhën italiane, të cilat i ka seleksionuar dhe përkthyer me standarde shkencore. Libri në tërësinë e tij është dëshmi e dokumentuar e lëvizjeve të kujdesshme të elitës politike shqiptare në kohen kur dobësimi i sundimit pesëshekullor dhe shthurja e Perandorisë paralajmëronin rreziqe të copëtimit të trojeve shqiptare nga fqinjët, e kombinuar me premisa politike të rrezikshme dhe interesa rivale të kancelarive të huaja. Për nga roli dhe rëndësia historike, spikatin dy momente: mbledhja e elitës politike në lagjen Tasim në Stamboll në janar 1912 parashtron platformën që do të ndiqnin udhëheqësit politikë shqiptarë në të ardhmen ndaj Portës së Lartë; dhe qëndrimi i përfaqësuesve të zgjedhur nga populli shqiptar për në parlamentin e Stambollit, i cili nisi punimet për herë të parë në fund të vitit 1908, edhe pse de juro ishte miratuar qysh prej vitit 1876.

Për pyetjen time në lidhje me përpjekjet diplomatike të periudhës së pavarësisë dhe diplomacisë shqiptare të kohës sonë, Dr. Marku vëren se “patjetër që diplomacia është shkollë në vete dhe aty ka vend për mësim gjithmonë, sidomos nga e shkuara dhe rrethanat e ndërlikuara historike e politike që patën shqiptarët në gjysmën e parë të shekullit XX.” Në harkun mbi një shekullor nga fillimi i viteve 1900 deri në 2020 janë parashtruar, komentuar dhe analizuar teza, pseudo-teza e kundërteza të natyrave shkencore, politike, diplomatike etj që shpesh kanë polarizuar opinion dhe turbulluar të vërtetën historike. “Për periudhën që flasim libri është i plotë dhe gjenden të dhëna dhe informacione të ndryshme për çdo person që është i interesuar të di të shkuarën historike të shqiptarëve dhe të katër vilajeteve, të Kosovës, Shkodrës, Manastirit dhe Janinës që gjenden në dokumentet diplomatike të Ministrisë së Punëve të Jashtme të Italisë,” pohon akademiku Marku.

Në fund, Dr. Paulin Marku falenderon Vatrën, Vatranët, Diellin, Kryeredaktorin Dalip Greca dhe gazetarin Sokol Paja për promovimin e librit në 13 prill. Ai shpreh mirënjohje për Drejtorin e Institutit të Historisë në Tiranë, akademik prof. Dr Beqir Meta për recensionimin e këtij vëllimi. Ai gjithashtu falenderon kolegët e Departamentit të Pavarësisë dhe Konsolidimit të Shtetit Shqiptar dhe të Institutit të Historisë si edhe miq e dashamirë të tjerë jashtë institutit. _______________________________________________________________________

Dielli: Dr. Marku, ju jeni këshilltar në Vatër për çështje të arsimit, kulturës dhe historisë kombëtare si edhe akademik në Institutin e Historisë në Akademinë e Studimeve Albanologjike (ASA) Tiranë. Cili ishte synimi dhe shtytësi kryesor i hulumtimeve tuaja për vëllimin e parë të librit të promovuar në Vatër Dokumente Diplomatike Italiane për Historinë e Shqiptarëve gjatë Vitit 1912?

Dr. Marku: Historiografia është një materie me rëndësi të veçantë dhe luan rol kyç për studimin e popujve, shtetit, kombit, përfshirë gjuhën, kulturën, traditën dhe gjithçka që lidhet me të shkuarën historike. Studimi i historisë është gjithmonë në kërkim të prurjeve të reja dhe kërkon studime të thelluara nëpër dokumente arkivore të ndryshme. Hulumtimi në arkivat shqiptare dhe të huaja ka qenë dhe mbetet një detyrë e rëndësishme për çdo studiues që mundet të përforcojë mendimet e mëparshme ose edhe të ndryshojë rrjedhën e ngjarjeve historike bazuar në fakte të dokumentuara në sa më shumë burime arkivore të jetë e mundur. Historia e shqiptarëve ka qenë dhe mbetet një fushë e rëndësishme dhe mjaft e debatueshme, shpeshherë me ngjarje dhe personazhe që kanë ndarë në qëndrime të ndryshme, jo vetëm opinionin publik dhe politikën në Shqipëri por edhe studiuesit, historianët dhe albanologët. Unë pranova propozimin e Departamentit të Pavarësisë dhe Konsolidimit të Shtetit Shqiptar (1912-1939) i Institutit të Historisë në Akademinë e Studimeve Albanologjike (ASA) Tiranë pasi kolegët e departamentit miratuan në mënyrë unanimale botimin e vëllimit të I me dokumente diplomatike italiane për historinë e shqiptarëve, janar-qershor 1912, “Documentazione Storico Diplomatica – Archivio Storico Diplomatico, Ministero degli Affari Esteri, Roma (më tej: ASD MAE)” nën indeksin “Affari Politici, Seria Politica “P” Ministero degli Affari Esteri 1891 – 1916, Albania” pasi e pashë të nevojshme dhe të domosdoshme që të jap edhe unë kontributin tim për historinë tonë kombëtare.

Mund të veçoj disa arsye kryesore: Së pari, dokumentet diplomatike italiane përbëjnë një rëndësi të veçantë për këtë periudhë dhe ato ndriçojnë politikën e jashtme dhe të brendshme të Italisë në raport me çështjen shqiptare dhe të rajonit në Ballkan; së dyti, roli kyç i Italisë për shkak të pozitës gjeo-politike, diplomatike dhe të konfliktit të hapur me Perandorinë Osmane në këtë periudhë; dhe së treti, janë të botuara dokumente në gjuhën shqipe të disa vendeve të ndryshme që patën rol dhe rëndësi të veçantë në çështjen shqiptare, ndërsa ato italiane mungonin në botimet shqiptare, si dhe për faktin që isha njohur prej vitesh me dokumentet italiane gjatë studimeve të mia në Itali, pasi njoh gjuhën e dokumentit, literaturës italiane të periudhës dhe të jetës akademike-universitare çka ishin ndihmesë e madhe për mua në realizimin e këtij projekti të rëndësishëm të Institutit të Historisë (ASA).

Dielli: Periudha e Pavarësisë është moment konvergjence i shumë faktorëve politikë, ekonomikë, ushtarakë e social. Qarkullimi i disa tezave lidhur me domethënien e kërkesave të kohës për autonomi dhe nivelin e vetëdijes kombëtare si edhe roli i disa figurave qendrore të pavarësisë, si Ismal Qemali kanë paralele me historinë e kolonive amerikane për shkëputjen e republikës së re të dalë nga Britania e Madhe përfshirë këtu edhe rolin e një prej promotorëve siç ishte Benjamin Franklin, përkrahës i flaktë i lidhjes anglo-amerikane përpara se të bëhej patriot revolucionar. Veçanërisht brezat e rinj shqiptaro-amerikanë mund të bëjnë krahasime midis këtyre periudhave, respektivisht përpjekjeve të shqiptarëve për pavarësi, përballjen mes prirjeve lojaliste dhe qëndrimeve të prijësve të pavarësisë. Në rastin e Franklin-it, historianët kanë arsyetuar në favor të pajtimit midis disa aspekteve të jetës dhe aktivitetit të tij që krijuan një lloj aleance të dyfishtë të njeriut që kishte lidhje të forta me Londrën dhe që më pas u identifikua dhe iu kushtua kauzës së pavarësisë amerikane. E them këtë për arsye se ikonat e Vatrës që kontribuan me sukses në arritjen e pavarësisë së Shqipërisë ishin të vetëdijshëm për ngjashmëritë historike të përpjekjeve të dy popujve sepse ashtu sikur kolonitë amerikane në 1776 përballeshin me një fuqi perandorake edhe populli shqiptar përballej me Perandorinë Otomane në fillim të shekullit XX, apo jo Dr. Marku?

Dr. Marku: Në rrjedhat historike ka plot raste e fenomene kur kauzat dhe shoqëritë e popujve të ndryshëm mund të kenë një perkorso të ngjashëm në fusha të ndryshme, siç ju edhe e citoni por ama duhet të theksoj faktin se çështja shqiptare është rast tepër specifik dhe i veçantë për nga përmbajtja dhe rrjedhat e ngjarjeve të popullit shqiptar dhe të tokave shqiptare për disa arsye të ndryshme. Shqipëria ishte e pushtuar për afro pesë shekuj nga Perandoria Otomane dhe betejat e shqiptarëve për autonomi ishin të vazhdueshme, po ashtu për lirinë e përdorimit të alfabetit latin dhe hapjen e shkollave shqipe për të mësuar fëmijët shkrim e këndim në gjuhën amtare, kërkonte që taksat të investoheshin në territore shqiptare, dhe jo të shkonin tek Porta e Lartë dhe mos të investohej në infrastrukturë rrugore, shkolla, qendra shëndetësore e kulturore, ndryshime në kryerjen e shërbimit ushtarak vetëm brenda perandorisë, po ashtu lejimin e mbajtjes së armëve për vetëmbrojtje dhe kërkonin që në poste drejtuese dhe në shërbime civile të kishte përfaqësues shqiptar si dhe më kryesorja ishte kërkesa për autonominë e Shqipërisë. Ndonëse Perandorisë Otomane po i vinte fundi, Fuqitë e Mëdha ishin të interesuara të mbronin interesat e tyre. Austro-Hungaria dhe Italia donin të ruanin status-quo-në, ndërsa krerëve shqiptarë si: Ismail Qemal Beu, Hasan Prishtina, Preng Bibë Doda, etj duhet të mbanin lidhje dhe të lobonin me kancelaritë e huaja. Ata, nga njëra anë, kërkonin dhe ju duhej mbështetja e kancelarive evropiane, si edhe ndihma e armatime për kryengritjen anti-osmane, nga ana tjetër duhej të ishin shumë të kujdesshëm në ruajtjen e balancës.Intervisten e plote mund ta lexoni ne numrin e gazetes se muajit maj

Filed Under: Interviste Tagged With: Dr. Paulin Marku

Berisha: Padi për shpifje kundër Sekretarit të Shtetit Blinken

May 20, 2021 by dgreca

VOA- Në Shqipëri, ish-kryeministri Sali Berisha deklaroi të enjten se ka vendosur të hapë një proces gjyqësor për “shpifje”, ndaj Sekretarit amerikan të Shtetit Antony Blinken, lidhur me njoftimin ditën e djeshme nga ana e këtij të fundit, se “po shpall përcaktimin publik të shtetasit shqiptar Sali Berisha, ish-President i Shqipërisë, ish-Kryeministër i Shqipërisë dhe ish-anëtar i Parlamentit të Shqipërisë si i përfshirë në korrupsion në shkallë të lartë” duke i ndaluar për pasojë, atij dhe familjes së tij (bashkëshortes dhe dy fëmijëve)hyrjen në territorin e Shteteve të Bashkuara.

Në një konferencë për shtyp, zoti Berisha tha se “kam udhëzuar avokatin tim në një vend neutral dhe të respektuar, si Franca që të ngrejë ndaj zotit Blinken një padi direkte para Gjykatës Korreksionale të Parisit, për shpifje publike”.
Zoti Berisha u shpreh se “për arsye që janë tërësisht të panjohura për mua, Sekretari i Departamentit të Shtetit ka publikuar dje, pa asnjë paralajmërim dhe në mënyrën më të papritur, më shpifëse, vlerësime të gënjeshtërta për personalitetin tim”. Ai nënvizoi, ashtu si dhe në deklaratën e djeshme, se “që kur kam nisur jetën time politike, por ju garantoj se potë shkoni më tutje, që kur kam prekur rrogën e parë në borderot e shtetit dhe deri dje nuk ka njeri në Shqipëri apo në botë që mund të thotë se unë kam qenë i implikuar në një aferë të çfarëdoshme korruptive”.

Zoti Berisha, u shpreh se ai u detyrua të ndërmerrte një veprim të tillë, për shkak të “dinjitetit të nëpërkëmbur”, por se “në mënyrë kategorike ky nuk është një akt kundër SHBA-ve, për të cilat ushqej të njejtat ndjenja por ndaj një njeriu I cili pa rreshtuar as prove, fakt apo argument, ka ngritur akuza që nuk mi kanë ngritur askush kurrë ndaj meje, as kundërshtarët më të egër”.
Akti Anti-Kleptokraci dhe për të Drejtat e Njeriut

Identifikimi i zotit Berisha nga Sekretari i Shtetit Antony Blinken si person që i ndalohet hyrja në Shtetet e Bashkuara për arsye korrupsioni në nivel të lartë bazohet tek Klauzola Anti-Kleptokracisë dhe për të Drejtat e Njeriut, siç quhet neni 7031 (c) i ligjit për Financimin e Departamentit të Shtetit, Operacioneve Jashtë Vendit dhe Programeve që kanë lidhje me to. Kjo klauzolë ka si synim luftën kundër korrupsionit si dhe mbështetjen e të drejtave të njeriut duke vënë në shenjestër aktorë të huaj, të korruptuar apo të përfshirë në shkelje të të drejtave të njeriut, të cilëve u mohon vizën amerikane.

Në bazë të kësaj klauzole, Kongresi i kërkon Sekretarit të Shtetit të pengojë hyrjen në Shtetet e Bashkuara të zyrtarëve të huaj për të cilët shefi i diplomacisë amerikane ka informacion të besueshëm se “kanë qenë të përfshirë drejtpërdrejt ose jodrejtpërdrejt në korrupsion në nivel të lartë, përfshirë korrupsion që lidhet me shfrytëzimin e burimeve natyrore, ose për përfshirje në shkelje të rënda të të drejtave të njeriut”.

Klauzola parashikon sanksione me mohim vizash edhe për të afërmit e zyrtarit në fjalë.

Masat që shenjestrojnë zyrtarë të huaj të korruptuar apo të përfshirë në shkelje të rënda të të drejtave të njeriut e kanë zanafillën në ligjin e vitit 2008, por në rrjedhën e viteve Kongresi ka bërë amendime të tjera, ndër to duke specifikuar në vitin 2015 se zyrtarët e shenjestruar mund të identifikohen edhe publikisht nga sekretari i shtetit.

Filed Under: Politike Tagged With: Berisha: Padi për shpifje, Sekretarin Blinken

Kosova Gardës Kombëtare të IOWA-s Medaljen Presidenciale Ushtarake

May 20, 2021 by dgreca

– Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani dekoron Gardën Kombëtare të IOWA-s nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës  me Medaljen Presidenciale Ushtarake. Në emër të Gardës, medalja i është dhuruar Komandantit të Gardës Kombëtare të IOWA-s, Gjeneralmajor Benjamin Corell /

PRISHTINË, 20 Maj 2021-Gazeta DIELLI nga korrespondenti në Kosovë Behlul Jashari/ Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani në një ceremoni të organizuar në Presidencë, ka dekoruar Gardën Kombëtare të IOWA-s nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, me   Medaljen Presidenciale Ushtarake për kontribut të jashtëzakonshëm në zhvillimin dhe avancimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës.

Në emër të Gardës, medalja i është dhuruar Komandantit të Gardës Kombëtare të IOWA-s, Gjeneralmajor Benjamin Corell.  

Presidentja Osmani ka falënderuar Gardën Kombëtare të IOWA-s për mbështetjen e vazhdueshme ndaj FSK-së, duke e konsideruar këtë proces  vazhdimësi të marrëdhënieve të shkëlqyeshme me aleatin e përhershëm të Kosovës, SHBA-të. Në këtë kontekst, Presidentja Osmani ka përmendur edhe dërgimin e kontingjentit të FSK-së në misione për mbështetje të stabilitet rajonal dhe operacioneve paqeruajtëse, nën Komandën Qendrore Amerikane. Sipas Presidentes Osmani, pjesëmarrja e FSK-së në misionin e paqeruajtës u bë e mundshme në saje të ftesës nga Komanda Qendrore, ndaj aktualisht pjesëtarë të saj ndodhen në një mision paqeruajtës krahas ushtarëve amerikanë në Kuvajt.

“FSK-ja, po zhvillohet në forcë ushtarake profesionale dhe ndërvepruese me forcat e NATO-s. Prandaj, anëtarësimi në NATO mbetet objektiv strategjik i shtetit tone”, ka theksuar Presidentja Osmani. Ajo ka shfaqur besimin për vazhdimin e bashkëpunimit të mëtejmë ndërmjet të dy ushtrive në funksion të ruajtjes së paqes dhe stabilitetit rajonal e më gjerë.

MINISTRI MBROJTJES ARMEND MEHAJ PRITI KOMANDANTIN E GARDËS KOMBËTARE TË IOWA-S U GJENERALMAJORIN BEN CORELL

Në  17 Maj 2021 ministri Mbrojtjes Armend Mehaj priti  Komandantin e Gardës Kombëtare të Ajovës (Iowa-s) nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA) gjeneral Majorin Ben Corell.                                                                                  

Në takim ministri Mehaj e  njoftoi, gjeneralin Corell mbi zhvillimet në Ministri të Mbrojtjes, për objektivat që ai ka parashtruar si ministër si për Ministrin ashtu edhe për FSK-në. Ministri Mehaj vlerësoi lartë  bashkëpunimin e ngushtë të deritashëm  në mes të Gardës Kombëtare të Ajovës dhe FSK-së, me theks të veçantë për  misionin e parë paqeruajtës jashtë vendit të FSK-së përkrah Gardës Kombëtare të Ajovës në Kuvajt. Po ashtu më këtë rast ata biseduan edhe për  agjendën e zhvillimit të ushtrimit “Defender Europe -21”, për rëndësinë e pjesëmarrjes së FSK-së si   dhe rëndësinë e pjesëmarrjes së Kosovës si shtet.                                                                                                         

Gjenerali Corell shprehu kënaqësinë që është në vizitë në Kosovë, duke vlerësuar lartë sukseset  e FSK-së, sidomos ato aktivitet që janë zhvilluar në kuadër të programit të bashkëpunimit  me GK të Ajovës, duke shpreh gatishmërinë që ky bashkëpunim të thellohet edhe më tej në të ardhmen.

Po ashtu edhe komandanti i FSK-së gjenerallejtënant Rrahman Rama priti në  takim të ndarë komandantin e Gardës Kombëtare të Ajovës (Iowa-s) nga Shtet e Bashkuara të Amerikës (SHBA) gjeneral Majorin Ben Corell. Të dy gjeneralët vlerësuan lartë   shkallën e bashkëpunimit në mes të FSK-së dhe GK të Ajovës, duke vlerësuar lartë mundësinë që ju ka dhënë FSK-së të jetë në mision paqeruajtës në  Kuvajt, ushtrimet dhe trajnimet e përbashkëta të deri tashme. U vlerësua si shumë e rëndësishme për FSK-në  pjesëmarrja në ushtrimin fushor “Defender Europe -21”.

Filed Under: Featured Tagged With: Garda Iowa, Vjosa Osmani

Shqiptarët e ndershëm janë me Sali Berishën

May 20, 2021 by dgreca

Nga Valentin LUMAJ/

Nuk është e lehtë të marrësh në mbrojtje dikë që është nën akuzë, por në asnjë rrethanë të mbrosh Sali Berishën nuk mbron krimin e organizuar apo korrupsionin sepse Sali Berisha nuk ka qenë kurrë simbol i krimit apo i korrupsionit. Përkundrazi, Sali Bërisha është simboli i lirisë dhe e demokracisë shqiptare, simbol i qëndresës së forcave antikomuniste, simbol i njeriut me integritet, konsekuent i fjalës dhe premtimeve. Sali Berisha ka qenë dhe është njeriu më popullor, më i besuar dhe me i dashur në tërë periodikën e më se 30 viteve të fundit, nga Shqipëria, në Kosovë, vise të tjera shqiptare dhe në Diasporë. Sali Berisha është një personalitet më kulturë dhe dije të gjera, intelektual i mirfilltë, mjek specialist i nivelit të lartë, inspirues në dekada i mijëra shqiptarëve të cilët e ndoqën me passion në rrugë e sheshe me qindra herë. Berisha është simbol i njeriut punëtor, të palodhur dhe pasionant që e do punën dhë shërbesën ndaj qytetarëvë deri në vetëmohim. Nëse ka pasur zhvillim shoqëror dhe ekonomik apo progres te integrimit të Shqipërisë, ato kanë ndodhur nën qeverisjen e Sali Berishës. Berisha ka qenë bastioni dhe opozita e vertëtë e luftës ndaj krimit dhe korrupsionit në 8 vitet e fundit. 

Megjithatë Berisha nuk është i pagabueshem, se atje ku punohet, edhe gabohet dhe perveç Atij atje lart, të gjithë ne me natyrë njerezore jemi mëkatnorë, prandaj sikurse Krishti tha: “ai qe eshte i pamëkat le ta hedhë gurin i pari”. 

Ne shqiptarët e dimë më mirë se kushdo në botë së kush është rrënja e korrupsionit dhe kush janë kriminelët e vërtetë në Shqipëri. Është hera e parë që po shprehi mosbesim dhe dyshim ndaj DASH me këtë vendim ndaj Sali Berishës, jo si simpatizant e tij, sepse nuk e fsheh se kam qenë dhe jam, por qëndrimi dukshëm i gabuar, i njëanshëm dhe i pabarabartë kundrejt figurave dhe forcave politike në Shqipëri, lë një shije të keqe tek të gjithë shqiptarët e ndershëm që kërkojnë pastrim të krimit dhe të korrupsionit të vërtetë dhë jo largim të barrierave dhe denoncuesve të krimit. Në një kohë që Sali Berisha ka 8 vite që i ka dorëzuar të gjitha funksionët drejtuese partiake dhe publike, ky sulm ndaj tij i ngjan nje gjuetie shtrigash apo një sulmi të tipit donkishotesk, duke pasur parasysh diapazonin e gjerë të politikanëve të korruptuar që aktualisht jane ne krye te parlamentit, qeverisë apo posteve të larta administrative. 

Mediat dhe pupliku shqiptar, ka 8 vite që shpallin pafund aktet korruptive dhe kriminalizimin e gjithë jetës së shoqërisë shqiptare nga pushteti socialist dhe në përmbyllje të kësaj periudhe skandalësh, një palë zgjedhje katërcipërisht të blera nga meduza i krimit Edvin Rama, me dollarët e korrupsionit. Po te doni sinqerisht te ndihmoni Shqiperinë që  të luftojë korrupsionin, fillojeni me zhbërjen e bandës kriminale aktuale në pushtet të cilët me bekimin tuaj po krijojnë qeverinë Rama 3. Por nëse dëshironi të gërmoni 10 vite, 20 vite, 50 vite në histori,  atëherë bëni non-grata te gjithë shqiptarët pa përjashtim, ska gajle se jane populli më pro-amerikan i Evropës. 

Nderkohë që Berisha e dha një hint, se mbas kësaj qëndron Soros, i cili jo vetëm në Shqipëri por edhe ne Shtetet e Bashkuara ka influencen e tij absolute, armata e shqiptarëve dhe shqiptaro-amerikanëve që adhurojnë Berishën, përpara se të besojnë DASH, kërkojnë sqarime dhe prova përtej deklaratave.

Presidenti Berisha ka kaluar një periullë të gjatë e të vështirë politike, gjithmonë i sulmuar si një portë kështjelle nga komunistë, socialistë, shovinistë e anti-shqiptarë, ka rënë dhe është ngritur dhe kam bindjen së edhe kësaj rradhe do të dalë faqëbardhë dhe më i fortë se ç’ishte.

Valentin Lumaj

Michigan, me 20 Maj 2021

Filed Under: Analiza Tagged With: Me Sali berishn, Shqiptaret e ndershem, Valentin Lumaj

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 72
  • 73
  • 74
  • 75
  • 76
  • …
  • 5724
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Dashuria që e kemi dhe s’e kemi
  • “Jo ndërhyrje në punët e brendshme”, dorëheqja e Ismail Qemalit, gjest atdhetarie dhe fletë lavdie
  • Arti dhe kultura në Dardani
  • Gjon Gazulli 1400-1465, letërsia e hershme shqipe, gurthemeli mbi të cilin u ndërtua vetëdija gjuhesore dhe kulturore e shqiptarëve
  • “Albanian BookFest”, festivali i librit shqiptar në diasporë si dëshmi e kapitalit kulturor, shpirtëror dhe intelektual
  • VEPRIMTARI PËRKUJTIMORE SHKENCORE “PETER PRIFTI NË 100 – VJETORIN E LINDJES”
  • 18 dhjetori është Dita Ndërkombëtare e Emigrantëve
  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT