• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

NJË LETËR PËR VATRËN NGA WASHINGTONI…

December 10, 2019 by dgreca

  • …DHE NJË MESAZH PËR ATDHEUN SI DHE 500 DOLLARË PËR FUSHATËN E TËRMETIT/

– Ju falenderojmë për Misionin ndritues, atdhetar e humanist të VATRËS përgjatë më shumë se një shekull, për nismën Tuaj fisnike dhe për misionin historik në ballë të mbrojtjes dhe lartësimit të emrit, vlerave të Atdheut Shqiptar….

                   Në postën e sotme arriti në Vatër një letër prekse nga bashkatdhetari ynë, i njohur nga Komuniteti, jo vetëm ai i Uashingtonit,- si një ndër veprimtarët e devotshëm të cështjes Kombëtare, Ferhat Ymeraga(Ferhat Ymeri) dhe Ana Fontaine, në të cilën shkruhet:

E nderuar VATËR

Duke shprehur dashurinë, mirënjohjen dhe admirimin tonë për Misionin ndritues, atdhetar e humanist të VATRËS, gjatë më shumë se një shekulli, po ju dërgojmë këtë kontribut(500 dollarë), në fushatën tuaj të fisme për mbledhjen e ndihmave për vëllezërit dhe motrat tona të prekur nga tërmeti i 26 nëntorit në Shqipëri.

Ju falenderojmë për nismën Tuaj fisnike dhe për misionin historik të VATRËS në ballë të mbrojtjes dhe lartësimit të emrit, vlerave, dhe Atdheut Shqiptar.

MESAZHI

Dashuria ndaj Atdheut është e pakusht, e përhershme dhe gjithëpërfshirëse.

Është forcë që të tërheq, kudo që të shkosh, si Graviteti!

Jemi me ty Shqipëri!-në ditë të mira e të vështira!

Jemi me gjithë vëllezërit dhe motrat që vuajnë!

Kurajo, shpresë e besim, se Shqipëria do të ngrihet si Feniksi nga hiri i vet!

Dashuria e shqiptarit për Shqipërinë, duke huazuar fjalët e poetit Rumi,-“nuk është vetëm një pikë në Oqean…Por dhe tërë Oqeani me një pikë.”

Të duam Shqipëri me dashuri të pafund!

We Love You Albania, terra mirabilissima, With eternal Love!

Ferhat Ymeraga dhe Anne Fontaine,

E martë 3 dhjetor 2019, Kent,Washington

FALENDERIM

Falenderim të përzemërt Ferhat Ymeraga & Anne Fontaine për fjalët vlerësuese për Vatrën, për solidaritetin për të dëmtuarit nga Tërmeti i 26 nëntorit në Shqipëri dhe për kontributin e dhënë! Zoti Ju ruajtë!

Po ashtu falenderojmë dërguesit më të fundit, të mbërritura sot, të kontributeve për fushatën e Tërmetit të 26 Nnëtorit:

1- Ferhat Ymeri $ 500.00

2- Jimm(Gjin) Balaj $ 200.00

3- Qani Korreshi $100.00

4- Aristotel MICI $100.00

5- Arli Adem      $50.00

6- Qemal Agaj $ 50.00

Ju lutemi të gjithë atyre që duan t’i bashkojnë kontributet e tyre me Vatrën, le ta dërgojnë chekun në adresën e Vatrës:

VATRA

2437 Southern BLVD

BRONX, NY 10458

Vatra që ka përvojë 107 vjeçare në dërgimin e kontributeve në Atdhe ju garanton transparencë dhe korrektësi.

Faleminderit të gjithë kontributorëve.

You are welcome to be part of Vatra’s donation campaign by sending a check to the address:

2437 Southern Blvd

Bronx, NY 10458 

Filed Under: Ekonomi, Politike Tagged With: Letra nga Washingtoni- Ymer ferhataga

Shën Nënë Tereza: Gjithmonë në zemër popullin tem Shqiptar

December 10, 2019 by dgreca

-Shën Nënë Terezës Çmimi Nobel për Paqe iu dorezua para 40 vitesh në 10 Dhjetor 1979:  Une gjithmon e kam në zemër popullin tem Shqiptar…/

-Shqiptarja Gonxhe Bojaxhiu, e lindur në 26 Gusht të vitit 1910 në Shkup, u bë Motra Tereze e Loretos (1929); Nënë Tereza – “Misionare e Dashurisë” (1950); Nobelistja e Paqes (1979), e Lumja Nënë Tereza (2003); Shën Nënë Tereza (2016)/

-7 Dhjetor 1995: Rrugës për në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Presidenti historik i Kosovës, Dr. Ibrahim Rugova, ka takuar të Lumen Nënë Tereza, nobelisten – nënën tipike shqiptare, që është edhe e gjithë botës, siç është shprehur ai/

-Presidenti Amerikan Bill Clinton në Qershor të vitit 2002: Nëna Terezë ishte e para që më bëri ta dua kombin shqiptar. Dhe tani ndihem shumë krenar që plotësova një detyrë morale ndaj saj dhe ndaj vlerave të lirisë/

-Në 5 Shtator 2017, shumë solemne dhe madhështore ishte festa, mesha e shugurimit të Katedraljes-Shenjtërores Shën Nënë Tereza në Prishtinë nga i Dërguari i Posaçëm i Papa Françeskut, Kardinali shqiptar Ernest Simoni – Troshani, e me pjesëmarrje edhe vatranësh – shqiptarësh nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës/

Gazeta DIELLI nga korrespondenti në Kosovë Behlul JASHARI/* Me shume fotografi gjeni ne FB dielli vatra

PRISHTINË, 10 Dhjetor 2019/Shën Nënë Terezës Çmimi Nobel për Paqe iu dorezua para 40 vitesh,  në 10 Dhjetor 1979,  në një ceremoni në Oslo të Norvegjisë. Është raportuar se, ndërsa dilte nga manifestimi solemn, pasi iu dorëzua Çmimi Nobel, Nënë Tereza në një foto portret të saj shkroi: “Une gjithmon e kam në zemër popullin tem Shqiptar. Shum luti Zotin që paqja e Tij të vijn në zemrat tona, në gjitha familjet tona, në gjithë botën. Lutnu shum për fukarat e mij dhe për mua dhe motrat e mija. Une lutem për juve”.

Ngjarja e madhe për shqiptarët e botën ndodhi para në 17 Tetor 1979. “U dha Çmimi Nobel për Paqe NËNË TEREZA – LAUREATE”, ishin mbititulli e titulli i gazetës Rilindja në 18 Tetor 1979, ku në nëntitull theksohej: “Fituesja, që përndryshe është shqiptare, deklaroi se të hollat prapë do t’i shpenzojë për qëllime bëmirësie”. Gazeta tradicionale e Kosovës Rilindja raportonte për ngjarjen e madhe në Oslo të një dite më parë.

 Në 10 Dhjetor 1979 Nana Terezë, pasi kishte pranuar Çmimin Nobël për Paqe në Oslo ka deklaruar: “Përsa i përket prejardhjes, unë jam shqiptare, indiane përkah nënshtetësia, motër murgeshë katolike, përkah thirrja, që i përkas tërë botës…”

Këto fjalë të Gonxhe Bojaxhiut – Nënës Terezë, të shënuara në “Rilindja”, mbushën gëzim e krenari gjithë kombin.

Kështu kam shkruar në RILINDJA 60 VJET MONOGRAFI, botuar shtojcë speciale e gazetës tradicionale të Kosovës për ditën e jubileut -12 Shkurtit 2005, ku kam cituar fjalët e nobelistes shqiptare Nëna Terezë në ditën e pranimit të Çmimit Nobël.

Shqiptarja Gonxhe Bojaxhiu, e lindur në 26 Gusht të vitit 1910 në Shkup, u bë Motra Tereze e Loretos (1929); Nënë Tereza – “Misionare e Dashurisë” (1950); Nobelistja e Paqes (1979), e Lumja Nënë Tereza (2003); Shën Nënë Tereza (2016).

Para 16 vitesh, në 19 Tetor 2003, Presidenti historik i Kosovës, Dr. Ibrahim Rugova, në Vatikan, mori pjesë në ceremonitë e lumturimit të Nënës Tereze, misionares shqiptare Gonxhe Bojaxhiu me origjinë nga Kosova, lindur në Shkup. Para më se gjysmë milioni njerëzve, në sheshin Shën Pjetri në Vatikan, Papa Gjon Pali i dytë ka lumturuar Nënë Terezën.

Presidenti historik Rugova, pas kthimit nga pjesëmarrja në ceremonitë e lumturimit të Nënës Tereze, e vlerësoi këtë akt si ditë historike për Kosovën dhe popullin shqiptar.

“Po kthehem nga Roma, ku ishim në ditën e beatifikimit të Nënës Tereze, që është një ditë e madhe për Kosovën, për popullin shqiptar.

Mund të themi se është një ditë historike dhe një ditë e madhe për gjithë botën, sepse ajo është Nënë shqiptare dhe poashtu Nënë e gjithë botës”, theksoi Presidenti Rugova në një deklaratë para mediave në Aeroportin e Prishtinës, në 22 Tetor 2003.

Gjithashtu Presidentti Rugova shprehu kënaqësinë që në ceremoninë e lumturimit të Nënës Tereze morën pjesë me mijëra shqiptarë nga Kosova, viset shqiptare dhe nga bota.

Me këtë rast, Presidenti Rugova falenderonte Papa Gjon Palin II për lumturimin e Nënës Tereze dhe organizimin e ceremonisë madhështore që hapi rrugën për shenjtërimin e Nënës Tereze.

Në 17 Tetor 2003, para ceremonisë së lumturimit, Vatikani publikoi një biografi të Nënës Tereze. Teksti fillonte pikërisht me një deklarim të Nënë Tërezes në vitin 1995, ku ajo theksonte prejardhjen dhe besimin e saj me këto fjalë: “Me gjak jam shqiptare, me shtetësi jam indiane dhe me zemër i përkas Jezu Krishtit”.

RRUGËS PËR NË SHTETET E BASHKUARA TË AMERIKËS PRESIDENTI RUGOVA TAKON NËNË TEREZËN – 7 DHJETOR 1995

Rrugës për në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Presidenti historik i Kosovës, Dr. Ibrahim Rugova, ka takuar të Lumen Nënë Tereza, nobelisten – nënën tipike shqiptare, që është edhe e gjithë botës, siç është shprehur ai.

Ishte viti 1995, kur në 7 Dhjetor Presidenti i Republikës së Kosovës, Ibrahim Rugova, takohet me Nobelisten Shqiptare Nënë Terezen.  “Do të lutem për popullin e Kosovës”, tha Nëna Tereze gjatë këtij takimi me Presidentin Rugova.  Takimi u zhvillua në Aeroportin e Romës, gjatë rrugës së Presidenti Rugova për në Uashington.

RUGOVA: NËNA TEREZË MË KA FRYMËZUAR SHUMË GJATË KËSAJ KOHE PREJ QË MERREM ME PUNË EDHE TË SHTETIT TË KOSOVËS

“Unë e kam takuar vetëm një herë Nënën Tereze në Aeroportin e Romës, rastësisht, por veprën e saj e njoh shumë, shumë mirë…Ato pak çaste që kemi kaluar, kur iu prezantova si President i Kosovës i rodhën lotët, ishte në vitin 1995…dhe dëshiroi sukses dhe punë dhe e ndinte në zemër popullin e Kosovës dhe popullin shqiptar që e ka dëshmuar edhe me vepër”, ka treguar Presidenti Rugova.

Ai ka vlerësuar se, Nëna Terezë është sublimim shekullor i kulturës e traditës shqiptare, nënës shqiptare dhe se shenjtërimi i saj është një përjetësim i filozofisë së saj, merr një formë institucionale dhe kanonike.

“Mbas Skenderbeut që ka fut popullin shqiptar në historinë moderne të Evropës e  të  perëndimit e të botës, Nëna Tereze e ka inkuadrur popullin shqiptar sot në universin, në botën globale të sotme që ne identifikohemi me të dhe ajo identifikohet me ne, por është edhe e gjithë njerëzimit dhe ky është ndër kontributet më të madha të Nënës Terezë, që i ka bërë kombit shqiptar, Kosovës, popullit të saj… Shenjtërimi i saj është një akt i madh për popullin tonë dhe një përjetësim i popullit tonë në historinë modene dhe në kohërat që vijnë”, është shprehur Presidenti Rugova.

Në punën e Shtetit, ka thënë Presidenti i Kosovës Rugova, unë gjithmonë jam frymëzuar nga vepra e madhe e dashurisë së ushtruar ndaj të afërmit nga Nënë Tereza dhe pandërprerë e kam pasur shembull e ideal timin.

“Mua më ka frymëzuar shumë gjatë kësaj kohe prej që merrem me punë edhe të Shtetit të Kosovës që e kemi formuar Shtetin  modern të Kosovës, pra po bëhen rreth 15 vite, dhe Nënën Terezë e kam pasur si një shembull të dashurisë, të paqes, të mirëkuptimit mes njerëzve, të shërbimit për popullin e vet, për kombin e vet, ka qenë edhe një ideal, një prehje”, ka theksuar Presidenti historik i Kosovës, Dr. Ibrahim Rugova.

Ai ka përkujtuar edhe se, në Kosovë që nga viti 1990 ka funksionuarr shoqata “Nëna Terezë” e cila ka luajtur rolin e një ministrie sociale, ministrie të shëndetësisë…

2 KORRIK 2002: PRESIDENTI RUGOVA NË SHESHIN QENDROR TË PRISHTINËS PËRURON SHTATOREN E NOBELISTES SHQIPTARE NËNË TEREZA

Në 2 Korrik 2002, ditën e 12 vjetorit të Deklaratës Kushtetuese për Pavarësi, Presidenti i Kosovës dhe përjetëshëm i Pavarësisë së saj, Dr.Ibrahim Rugova, në Sheshin qendror të Prishtinës, para mijëra qytetarëve, ka zbuluar Shtatoren e Nobelistes Shqiptare Nënë Tereza. Ishin të pranishëm personalitete të jetës publike, politike e ushtarake të Kosovës dhe të komunës së Prishtinës.

Para pjesëmarrësve në solemnitet, Presidenti Rugova tha se sot është ditë e madhe për Prishtinën dhe për Kosovën. “Është ditë e madhe, sepse sot po bëjmë zbulimin e Shtatores së Nënës Tereze, Nënës sonë të dashur.

Këtë Shtatore të çmuar po e zbulojmë në Rrugën kryesore të Kryeqytetit, që para sa vjetesh e emëruam me emrin e Nënës Tereze, që e pranoi Prishtina dhe e gjithë Kosova”, tha Presidenti Rugova.

Ai vijoi se, “kjo ditë bëhet më e madhe me zbulimin e Shtatores së Nënës Tereze, simbolit të dashurisë njerëzore, të kujdesit për njeriun, për jetën dhe për të mirën. Pra, e kemi simbolin e Nënës shqiptare, Nënës Tereze, që do ta ndiçojnë zemrën e Prishtinës dhe të Kosovës së lirë, ashtu siç e ka dashur ajo”.

“Prej sot, Shtatorja e Nënës Tereze, do të jetë pranë Monumentit të Gjergj Kastriotit-Skënderbeut. Prej sot, fëmijët tanë dhe brezat e ardhshëm do të rriten me Shtatoren madhështore të Nënës sonë të Madhe”, tha Presidenti i Kosovës, Rugova.

“Ne ndiehemi krenarë që jemi popull i Skënderbeut, që jemi popull i Nënës Tereze, Nënës sonë të shenjtë”, theksoi ai.

Dr. Rugova tha se kjo Shtatore e Nënës Tereze është dhuratë e Lekë Gojçajt, veprimtarit dhe atdhetarit të njohur në SHBA, i cili për shumë vjet punoi për Kosovën dhe popullin shqiptar.

“Të njejtën Shtatore zoti Gojçaj e ka dhuruar dhe vendosur pranë Kishës Katolike Shqiptare në Nju Jork. Tash Prishtinën dhe Nju Jorkun i lidh më shumë Nëna Tereze”, theksoi Presidenti i Kosovës, Dr. Rugova.

Presidenti Rugova me këtë rast shprehu mirënjohje të thellë për këtë dhuratë bërë Prishtinës dhe Kosovës, duke madhëruar festën e 2 Korrikut- Ditën e Pavarësisë së Kosovës.

Presidenti Rugova uroi qytetarët e Prishtinës dhe të Kosovës për Shtatoren e Nënës Tereze dhe përmbylli fjalën e tij me lutje-urime bekimi:
– Zoti e bekoftë Nënën Tereze, siç e ka bekuar.
-Zoti e bekoftë familjen Gojçaj dhe shqiptarët e Amerikës.

-Zoti i bekoftë SHBA-të.

-Zoti e bekoftë Kosovën.

NË 26 GUSHT 2005 RUGOVA VURI GURTHEMELIN E KATEDRALES NËNË TEREZA NË PRISHTINË

Gurthemeli i Katedrales në Prishtinë është vënë në 26 gusht 2005 për nder të 95 vjetorit të lindjes së Nënës Terezë nga ana e Presidentit historik Ibrahim Rugova, Ipeshkvit të Ipeshkvisë së Kosovës Imzot Mark Sopi dhe Kardinalit të Uashingtonit Teodor Mekkerik.

“Sot është një ditë e madhe për kryeqytetin dhe për gjithë Kosovën, sepse po e bekojmë gurin e themelit të një tempulli të shenjtë, që i kushtohet Nënës së dashur shqiptaro-kosovare dhe Nënës së Njerëzimit – të lumturës Nëna Tereze – asaj që lartësoi nderin e Kosovës dhe të shqiptarëve në gjithë planetin duke i afirmuar vlerat tona dhe duke ndihmuar gjithë njerëzimin”, shprehej gjatë ceremonisë Presidenti Rugova.

“Papa Gjon Pali i Dytë e ka përkrahur personalisht ndërtimin e kësaj katedraleje”, theksonte Presidenti Rugova.

Presidenca e Kosovës tradicionalisht ndanë dekoratën Medalja Humanitare Nëna Terezë, që u jepet personave që kontribuojnë në çështjet humanitare.

Katedralja Nëna Terezë në Prishtinë nisi të ndërtohej ndërkohë që ishte festuar 6 vjetori i Kosovës së lirë nga qershori 1999. Në 2005-tën shënohej dhe 600 vjetori i lindjes së kryeheroit kombëtar shqiptar Gjergj Kastrioti-Skënderbeu.

4 SHTATOR 2016, FESTË PËR SHQIPTAREN NËNË TEREZA E SHPALLUR SHENJËTORE NGA PAPA FRANÇESKU NË VATIKAN

Në 4 Shtator 2016, në Kosovë ishte atmosferë feste për shqiptaren Nënë Tereza e shpallur atë ditë shenjëtore nga Papa Françesku në Vatikan, në meshën  e shenjtërimit  që u ndoq nëpër familje e kudo në transmetimet televizive.

Papa Françeskut në Meshën e Shenjtërimit të Nënë Terezës, në Vatikan, i kanë shërber edhe diakonët e Kosovës, Don Daniell Markprekaj dhe Don Meriton Dedaj.

“Ky privilegj i bukur i dy diakonëve të Ipeshkvisë sonë është një shenjë e kujdesit që Selia e Shenjtë tregon për popullin e Nënë Terezës në festën e madhe të 4 shtatorit”, theksonin në Ipeshkvinë e Kosovës.

Nëna Terezë u bë edhe urë lidhëse në mes të shqiptarëve dhe botës.
Ish-Presidenti Amerikan Bill Clinton në Qershor të vitit 2002 ka thënë: “Nëna Terezë ishte e para që më bëri ta dua kombin shqiptar. Dhe tani ndihem shumë krenar që plotësova një detyrë morale ndaj saj dhe ndaj vlerave të lirisë”.

Në ceremoninë zyrtare të shenjtërimit të Nënës Terezë, në Selinë e Shenjtë, në Vatikan, morën pjesë edhe krerët e shtetit të Kosovës.

5 SHTATOR 2017-VATRANËT NGA AMERIKA NË FESTËN E MADHE SHQIPTARE – SHUGUROHET SHENJTËROREJA SHËN NËNË TEREZA NË PRISHTINË

Në 5 Shtator 2017, shumë solemne dhe madhështore ishte festa, mesha e shugurimit të Katedraljes-Shenjtërores Shën Nënë Tereza në Prishtinë nga i Dërguari i Posaçëm i Papa Françeskut, Kardinali shqiptar Ernest Simoni – Troshani, e me pjesëmarrje edhe vatranësh – shqiptarësh nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, të cilët edhe u vlerësuan e falënderuan për kontributet, madje ishte edhe pjesë e celebrimit Marjan Cubi, anëtar i Kryesise së Vatres, njëherësh  arkëtar si dhe kryetar i Komisionit për mbledhjen fondeve për ndërtimin e Katedrales, i cili kishte ardhë në Kosovë bashkë me bashkëshorten Dila.

Shugurimi i Katedralës Nënë Tereza u bë në 5 Shtator 2017, në ditën që ishte e 1 vjetorit të shenjtërimit e të 20 vjetorit të kalimit në amshim të shenjëtëreshes shqiptare.

 Brenda Katedralës në meshën solemne nga vatranët e SHBA ishte edhe Zef Balaj,  anëtar i Kryesisë së Federatës Pan-Shqiptare të Amerikës Vatra, që kishte ardhë në Kosovë bashkë me bashkëshorten Lina, anëtari i Këshillit të Vatrës, Lek Përlleshi, me bashkëshorten Vera, anëtari i Komisionit për mbledhjen fondeve për ndërtimin e Katedrales, Fran Marku, si dhe Nue Balaj, nip i Zefit, Tomë Paloka që do e botonte së shpejti librin “Shqiptarët më të mirë në Amerikë që i njoha unë”….

Shqiptarët nga SHBA – Këshilli i Fondacionit për ndërtimin e Katedralës Nënë Tereza në Prishtinë, që vepron në Nju Jork dhe rrethinë, kanë kontribuar për mëse 9 vite me 2 milionë dollarë, që janë mbledhur dhe janë dorëzuar.

Ipeshkvi i Ipeshkvisë së Kosovës, Imzot Dodë Gjergji në fjalën përshëndetëse  në hapje të “Ditëve të Nënë Terezës”, në 26 Gusht, vlerësoi lart të gjitha kontributet. “Dua me këtë rast të falënderoj të gjithë donatorët, që na kanë ndihmuar për ndërtimin e kësaj Kishe, ata që janë sot prezentë e ata që do të jenë në 5 shtator”, është shprehur Ipeshkvi Gjergji.

Në mbrëmjen e 4 Shtatorit 2017, pas meshës Lutja e Mbrëmësores me Lutjet e Nënë Terezës në Kishën e Shën Ndout në kryeqytet, Ipeshkvia e Kosovës ftoi edhe në darkën e falënderimit për donatorët e ndërtimit të Katedrales Nënë Tereza në Prishtinë.

Filed Under: Featured Tagged With: Behlul Jashari-Nene Tereza-NOBELI

Presidenti Thaçi: Serbia ka kryer gjenocid në Kosovë

December 10, 2019 by dgreca

-Presidenti Thaçi nderon viktimat e Reçakut: Serbia ka kryer gjenocid në Kosovë, ka kryer rreth 400 masakra kundër civilëve shqiptarë, ka vrarë rreth 1300 fëmijë, ka dhunuar rreth 20000 gra, si dhe ka vrarë rreth 13000 shqiptarë civilë…/

REÇAK, 10 Dhjetor 2019-Gazeta DIELLI/ Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, në Ditën Ndërkombëtare të të Drejtave të Njeriut ka bërë homazhe në Kompleksin Përkujtimor në Reçak.

Presidenti Thaçi ka thënë se ka zgjedhur të vizitojë sot Reçakun, sepse është pika kulminante e masakrave të shtetit të Serbisë kundër popullatës civile në Kosovë.

Kreu i shtetit ka thënë se Serbia ka kryer gjenocid në Kosovë, ka kryer rreth 400 masakra kundër civilëve shqiptarë, ka vrarë rreth 1300 fëmijë, ka dhunuar rreth 20000 gra, si dhe ka vrarë rreth 13000 shqiptarë civilë, duke shtuar se “ata të cilët i kanë kryer këto krime kundër njerëzimit nuk janë hetuar dhe nuk kanë dalë para drejtësisë as vendore, as ndërkombëtare”.

“Sot është Dita Ndërkombëtare e të Drejtave të Njeriut, për çka shteti i Kosovës po punon maksimalisht që të respektohen në kuptimin më afirmativ dhe plotësisht me standardet më të larta perëndimore të drejtat e njeriut në Kosovë. Por, në të njëjtën kohë, ne gjithmonë duhet të kujtojmë të kaluarën që të ecim të sigurt përpara, në një të ardhme të sigurt për të gjithë qytetarët pa dallim, për forcimin e shtetit dhe në të njëjtën kohë, për të ardhmen tonë euroatlantike. Por, sot, pikërisht, kam zgjedhur që të vizitoj Reçakun, që është pika kulminante e masakrave të shtetit të Serbisë që ka kryer kundër popullatës civile në Kosovë, në kuadër të fushatës së gjenocidit të ushtruar nga shteti i Serbisë. Serbia ka kryer në Kosovë rreth 400 masakra kundër civilëve shqiptarë, ka vrarë rreth 1300 fëmijë, ndërsa aparati shtetëror i tyre ka dhunuar rreth 20 000 gra. Në të njëjtën kohë, kemi rreth 13 000 shqiptarë civilë të vrarë. Ritheksoj, Reçaku shënon pikën kulminante të masakrave dhe krimit kundër njerëzimit të kryer nga shteti i Serbisë në Kosovë. Serbia ka kryer gjenocid në Kosovë. Për fat të keq ende ata të cilët kanë kryer këtë krim kundër njerëzimit dhe gjenocidin nuk janë hetuar dhe nuk kanë dalë para drejtësisë as lokale, as ndërkombëtare. E ardhmja nuk ndërtohet duke mohuar krimet, e madje duke i etiketuar apo fyer edhe të vrarët civilë në Kosovë, siç mund të ndodhë edhe diku tjetër që kanë kryer krime anekënd edhe në Bosnje, edhe në Kroaci. E ardhmja ndërtohet vetëm duke pranuar përgjegjësinë, e në të njëjtën kohë duke kërkuar falje lidershipi i Serbisë për krimet që ka kryer në shtetin e Kosovës. Për fat të keq, duhet të them edhe më zhgënjim se edhe heshtja e ndërkombëtarëve, mosvizita e tyre sidomos këtu në Reçak, që është e ritheksoj pika kulminante e masakrave të shtetit të Serbisë, i ka hapur gojën dhe e ka amnistuar në një formë a formë tjetër edhe lidershipin aktual të Serbisë që të pretendojë dhe me krenari të mohojë krimet kundër njerëzimit dhe gjenocidin në Kosovë”, u shpreh presidenti Thaçi.

Në Reçak, fshat i Kosovës në komunën e Shtimes, në 15 Janarin e vitit 1999 forcat serbe rrëmbyen nga shtëpitë e tyre dhe ekzekutuan mbi 40 banorë civilë. Ambasadori Amerikan William Walker, në atë kohë kur ishte shef i Misionit verifikues të OSBE-së në Kosovë, në vizitën në vendin e ngjarjes masakrën në Reçak e cilësoi krim kundër njerëzimit.

Në Kompleksin Përkujtimor Masakra e Reçakut, në Murin e Përkushtimit janë skalitur në mermer fotografitë e 44 martirëve-dëshmorëve.

Masakra e Reçakut është një nga dëshmitë rrënqethëse të krimeve në luftën e fundit në Kosovë, kur forcat serbe vranë, masakruan, por edhe zhdukën më shumë se 13 mijë shqiptarë, e në fushatën e gjenocidit e spastrimit etnik rreth një milion i dëbuan, shumicën drejt Shqipërisë./b.j/

Filed Under: Featured Tagged With: Behlul Jashari- Recaku-Presidenti Thaci-genocidi serb

PEMA E VITIT TE RI, PROTESTA”RAMA IK” DHE GISHTI I KRYEMINSTRIT

December 10, 2019 by dgreca

Të hyftë e mos të daltë më ai gisht o gogol/

Nga Ilir Levonja/

Për shqiptarët përbën lajm eksitues që gogoli i madh dhe gogoli krriç ndez dritën e pemës së festave të fundvitit. Dikur i thoshin pema e vitit të ri, koha kur ta priste gjuhën ai gogoli i diktaturës, ai që popullit i thoshte se feja është opium për ta dhe vet vriste veten me bollëkun e të mirave dhe diabetin që i shoqëron ato pashmangshmërisht. Nga ana tjetër e argëtonte soj e sorollop me pemën që simbolizon krishtlindjen dhe dhuratat poshtë saj, allias pema e viti të ri edhe për atë, gogolin e madh. Ashtu sikurse sot ata që i janë ritkhyer besimeve, ca e quajnë pemë e krishtlindjeve, ca që janë bërë myslimanë me ose pa burka, e quajnë pema e vitit të ri. Por s’është kjo tema, është çmenduria kolektive e lajmit, të ndezësh pemën përbën lajm. E për më keq akoma, gishti i mesit që kryegogoli i nxjerr një grupi diku përtej që kundërshtojnë regjimin e tij, propagandën a uzurpimin total të kohës së shqiptarëve me veprimtari bajate si kjo e ndezjes së dritës. Dhe dyfish më keq akoma kur rreth e qark janë një batalion me fëmijë. Shqiptarët u fyen keq kur para pak kohësh ambasadori i OSBE Boschard u tregoi gishtin e mesit protestuesve të Astirit. Dhe me të drejtë. U fyen dhe reaguan masivisht. Dhe bën mirë. Sot janë mpirë pas batutave të gogolit që herë del me shallvare, herë me tespie në duar, herë citon kuranin, herë me veladon…, por që nuk përfaqëson asgjë. Edhe kur përmend Naim Frashërin e bën me qëllim pikërisht pasi ka lypur në konferencën islamike fonde. Eshtë një gagarel që ua ka mpirë trutë shqiptarëve që fatkeqësinë e ka kthyer në benefice qeverisje. Megjithëse koha është tërësisht e zezë bota e lajmit i mëshon dritave të pemës së festave të fund vitit, gishtit që kryegogoli ua shfaq ca zërave kundërt. Ndërkohë një shkollë 9 vjeçare diku në Spitallë të Durrësit, e shembin me nxitim. Nuk ka më shumë se 4 vjet që është ndërtuar me fondet e buxhetit të shtetit. 4 vjet e besoni, 4 vjet. Një kronikan i dobishëm për vendin e tij do bënte mirë të rrëmonte arshivat e Bashkisë së Durrësit, sa ishte grandi, kush e dha lejen, kush e ndërtoi, çfarë thotë organi akuzës për këtë rast. Një bashkësi informative e dobishme për vendin e vet do ishte mirë të mos lejonte fadromat ta rrëzonin me nxitim. Ka vetëm katër vjet që është bërë, nuk ka dyzetë. Nuk është godinë njëkatëshe, nuk është një ndërtesë dosido por shkollë e arsimimit publik, me katër kate dhe kapacitet prej 900 nxënësish. Të paktën shkoni e merrni një trastë nga betoni i shkërmoqur që të bëni ca analiza mbi cilësinë dhe sasinë e mjaftueshme të çimentos se në dokumenta janë shënuar aq thasë sa për dy shkolla. E mendoni gjëmën sikur tërmeti të kishte ndodhur gjatë orëve të mësimit…, luaj vendit dhe larg qoftë do thoshte një nënë shqiptare. Mirëpo vëmendja jonë zhvendoset tek dritat e pemës së festave të fundvitit, tek gishti i kryegogolit. Gogoli ka të drejtë të talli mender bythën. I ra për pjesë ky tërmet, i ra nga qielli. Nuk do lëri gur e kusur pa luajtur vendit, pa prerë shirita, pa shqyer televizorin 24 orë pa pushim se po punon fort. Do ju nxjerri gjuhën, hallatet dhe hiqeni nga mendja se do piqet. Nëse vërtetë jeni të indinjuar, kthejani reston siç ja kthyet Boschardit. Keni të gjithë nga jë faqe Fb, është bota juaj personale e të të shprehurit. Mos prisni ta bëjnë webet a tv-të që presin nga gogoli kockën. Shkruajeni aty tek faqja juaj e shpërndajeni, shkruajeni me të mëdha, Të hyftë e mos të daltë më ai gisht o gogol.

Filed Under: Analiza Tagged With: Ilir Leevonja-Kryeministri Rama- gishti

LIRIA E SHTYPIT DHE SHQIPËRIA …

December 10, 2019 by dgreca

  • – NJË HISTORI E VJETËR E INTERESIMIT PERËNDIMOR/

Nga Frank Shkreli/

Historia e luftës për liri të shtypit osetë medias në përgjithësi në Shqipëri është e gjatë dhe e mundimshme.  Historikisht, kurrë ditë të mira nuk ka parë në Shqipëri liria e shtypit.   Madje edhe sot 30-vjet pas shembjes së Murit të Berlinit, media në përgjithësi, është nën një trysni të egër nga autoritetet qeveritare shqiptare.  Nepërmjet një projektligji të ri, qeveria e Kryeministrit Edi po përpiqet të kufizojë lirinë e shtypit duke propozuar një kontroll më të fortë ndaj mediave audiovizive dhe për komunikimet elektronike, por që në fakt, me këtë projektligj, kufizohet dukshëm liria e medias, në përgjithësi, përfshirë edhe gazetat.  Këto ditë Organizata për Siguri dhe Bashkpunim në Evropë (OSBE-ja) dhe disa organizata të tjera ndërkombëtare, për të disatën herë, i bëjnë thirrje autoriteteve të Tiranës që të mos miratojnë të ashtuquajturën “paketë anti-shpifje” të qeverisë dhe të bëjnë ndryshimet e nevojshme në këtë projektligj, në përputhje me standardet ndërkombëtare, në bazë të cilave Shqipëria, si çdo vend tjetër, ka detyrime dhe detyra të qarta nën Konventën Evropiane për të Drejtat e Njeriut dhe OSBE-në –Kryesinë e së cilës pritet ta marrë në Janar 2020.   Me shqetësime të tilla serioze nga ndërkombëtarët mbi lirinë e medias në Shqipëri, Tirana zyrtare po ve në rrezik edhe rolin e saj të parë në Kryesinë e një organizate ndërkombëtare, siç është OSBE-ja.

Nuk dua t’i futem gjendjes së sotëme të mjerueshme të lirisë së medias në Shqipëri, sepse dihet, dhe as të diskutoj për përpjekjet e OSBE-s dhe të organizatave të gazetarëve shqiptarë dhe ndërkombëtarë, që po përpiqen të ndryshojnë ose të tërheqin projekligjin e ashtuquajtur “anti-shqipfje”, paraqitur parlamentit nga qeveria Rama, që sipas ekspertëve vendas dhe ndërkombëtarë, kufizon ndjeshëm lirinë e fjalës dhe lirinë e veprimit të gazetarëve.  (Këtu mund të lexoni në shqetësimet e ditëve të fundit të disa organizatave ndërkombëtare që merren me mbrojtjen e lirisë së medias, përfshirë OSBE-ën).

https://www.reporter.al/osbe-projektligjet-e-medias-kane-nevoje-per-permiresime-te-metejshme/
https://www.reporter.al/organizatat-nderkombetare-perserisin-thirrjen-per-ndalimin-e-paketes-antishpifje/

Por dua të kujtoj me këtë rast se liria e vërtetë e shtypit në Shqipëri — si liria që u prinë të gjitha lirive të tjera në një shtet demokratik e që është cilësuar edhe si baza e të gjitha lirive dhe të drejtave të tjera të njeriut në një vend demokratik–është dhe ka qenë gjithmonë në radarin e vendeve perëndimore dhe të mbështetësve të lirisë së shtypit në këto vende, sidomos në Shtetet e Bashkuara të Amerikës – si një kusht paraprak për zhvillimin e mirëfilltë të një shoqërie demokratike.

Nga kjo pikëpamje pra, nga këndveshtrimi i interesimit të kahershëm perëndimor për lirinë e shtypit në Shqipëri –shumë pak ka ndryshuar, sepse as gjendja e lirisë së shtypit në Shqipëri nuk ka ndryshuar për më mirë, fatkeqsisht, megjith ndryshimet e tre dekadave të kauara.  Si sot, ashtu edhe atëherë – të pakën 70-vjetë më parë — mbrojtësit e lirisë së fjalës në Shtetet e Bashkuara kishin shfaqur shqetësimet e tyre në lidhje me gjëndjen e lirisë së shtypit në Shqipërinë komuniste të Enver Hoxhës.  Një prej tyre ka qenë ish-gazetari veteran amerikan Çarls Filips, i cili në prill të vitit 1950 kishte shkruar një artikull mbi gjëndjen e shtypit në Shqipëri me titull: “Shtypi i Lirë dhe Shqipëria”, (The Free Press and Albania), botuar, ndër të tjera, edhe në gazetën L’Albanie Libre.  Pikëpamjet e tija, përputheshin, natyrisht, me mendimet e shumë gazetarëve amerikanë dhe të tjerë, atëherë dhe sot, të cilët besojnë në lirinë e vërtetë të shtypit, në parimet demokratike, në përgjithësi dhe në të drejtën e gazetarëve për të raportuar lirisht të vërtetën, anë e mbanë botës dhe pa ndërhyrje nga autoritetet qeveritare.

“As perdet e hekurta dhe as diktatorët e kuq nuk mund të shtypin të vërtetën”, ka shkruar ish-gazetari amerikan Çarls Filips, 70-vjet më parë, duke vlerësuar gjëndjen e lirisë së shtypit në Shqipërinë enveriste.  “Shqipëria, njëri prej vendeve më të vogëla satelite të Rusisë është duke kaluar ditët më të zeza të cenzurës së lajmeve dhe i formacionit, në historinë e njerëzimit”.  Por, megjithkëtë, ai u bënte thirrje Shqiptarëve, mbrenda dhe jasht këtij boshllëku lajmesh e informacioni , që të mos humbisnin shpresën, se ky boshllëk po plotësohej nga: “Agjencitë e mëdha të lajmeve dhe gazeta të njohura botërore që po u raportojnë pothuaj përditë popujve të tyre të lirë, se fryma e lirisë e Gjergj Kastriotit -Skenderbe, nuk është shuar në Shqipëri.”  Gazetari amerikan shkruante se bota po mësonte të vërtetën se ç’po ndodhte në Shqipëri, në atë kohë, nga refugjatët, nga emigrantët dhe të arratisurit shqiptarë.  “Duke u përballur me vdekjen, mijëra shqiptarë të guximshëm po luftojnë për lirinë e tyre.  Ata po luftojnë me armë nepër male, po luftojnë me një qëndresë të heshtur por të fortë nepër qytete dhe kudo me të gjithë qëndresën aktive dhe pasive që kanë në dispozicion.”  Çarls Filips bënte thirrje për të ndihmuar shqiptarët që ishin kundër regjimit të Enver Hoxhës, “Me qëllim që të mos humbasin shpresën” dhe të mos ndjeheshin të harruar nga bota.  Ai sugjeronte që Amerika t’i ndihmonte Shqiptarët, “Me një vendosmëri dhe bindje të patundur, se ky popull nuk do të harrohet, se ëndërra e tij për pavarësi që dikurë mbështetej nga (ish-Presidenti amerikan) Woodrow Wilsoni, është ende e gjallë dhe nuk do të shuhej.  Ne, në Amerikë, nuk mund të pranojmë me cinizëm ose të dëshpëruar që Shqipëria dhe shumë shtete të tjera komuniste të mbeten përgjithmonë nën hije, të skllavruara”.

Përkundrazi, ish-gazetari amerikan Filips, sugjeron në vitin 1950 ndërsa shkruante për lirinë e shtypit në Shqipërinë komuniste, se Amerika dhe vende të tjera të lira dhe demokratike të botës duhet të japin ndihmën e tyre morale Shqiptarëve.  “Ato duhet t’i thonë botës se ia vlenë të luftohet gjithnjë për liri, madje edhe të vdesësh për dinjitetin njerëzor dhe për të drejtat e njeriut”, ka shkruar ai.  Ndërkohë që ka thekësuar se, “Është detyra e gazetarëve kudo që t’i ruajnë të gjalla këto parime, duke raportuar të vërtetën ashtu siç e shohin dhe siç e dëgjojnë.”

Duke shkruar për lirinë e shtypit në Shqipërinë e vitit 1950, Çarls Filips ka porositur që atëherë se, “ Gazetaria e lirë dhe demokratike duhet të marrë pjesë aktive në këtë fushatë; në mbështetje të atyre që luftojnë dhe vdesin për liri – e për më tepër në përkrahje të drejtës së tyre për të jetuar të lirë dhe me dinjitet”, ka thekësuar ai në artikullin e tij me titull, “Shtypi i Lirë dhe Shqipëria”, (The Free Press and Albania”).  Çarls Filips shprehte besimin se megjithë kërcënimet që mund tu bëhen gazetarëve dhe gazetave nga autoritetet despotike, opinioni publik, heret ose vonë, do të këthehet kundër autoriteteve shtypëse të cilat dhunojnë lirinë e fjalës, të vërtetën dhe drejtësinë.  Ai bën këtë pyetje në artikullin e tij të shkruar në vitin 1950 duke thënë se, “Kur Shqipëria të jetë e lirë dhe kur të hiqet cenzura e lajmeve dhe informacionit, a do të jetë Amerika krenare për rolin që ka luajtur në këtë fushë, a po “Bijtë trima të Shqipës do të kenë luftuar më kot” për këto të drejta?  Megjithë mbështetjen ndërkombëtare për lirinë e shtypit, shpresoj që përpjekjet e Bijve tëShqipës për liri të shypit dhe për demokraci, të mos kenë shkuar kot.

Ish-gazetari amerikan Çarls Filips e përfundon shkrimin e tij me këtë porosi për gazetarët e atëherëshëm, por që është aktuale edhe për gazetarët sot, sidomos për ata që gjënden përballë sfidave dhe kufizimeve të lirisë së veprimit si gazetarë, mungesës së pavarësisë në punën e tyre, kërcënimeve dhe ndërhyrjes politike.  Me të gjitha këto, sipas organizatave ndërkombëtare, përballet aktualisht media shqiptare në përgjithësi.  Çarls Filips porosiste 70-vjetë më parë, se në këtë luftë për lirinë e vërtetë të fjalës, janë edhe vetë, “Gazetarët ata të cilët duhet të luajnë rolin e profesionit të tyre, ashtuqë me punën e vet profesionale, të ruajnë të gjallë dhe të raportojnë të vërtetën kudo qoftë, duke luftuar, njëkohësisht, kufizimet dhe kërcënimet e zeza të despotëve”, ndaj lirisë së fjalës, të vërtetës dhe drejtësisë, si dhe ndaj profesionit të gazetarit.

Si atëherë, 70-vjet më parë ashtu edhe sot – lufta për lirinë e vërtetë të medias, bazuar në standardet ndërkombëtare, vazhdon edhe sot në Shqipëri, fatkeqësisht, pa ndonjë sukses të dukshëm.

Nga viti 1950 e deri në vitin 2019 duket se pak ka ndryshuar për më mire situata e përgjithëshme e lirisë së fjalës dhe e lirisë së vërtetë të shtypit në Shqipëri.  Kështu që, ashtu siç ishte interesimi i gazetarit amerikan Çarls Filips për lirinë e shtypit në Shqipërinë e Enver Hoxhës në vitin 1950 — provë e kësaj janë edhe shqetësimet e perendimorëve gjatë tre dekadave të fundit, të shprehuar edhe këtë javë nga OSBE-ja dhe organizatat më të njohura botërore për lirinë e fjalës.  Nepërmjet përfaqsuesit të saj për media, OSBE-ja u bëri thirrje të hënën autoriteteve shqiptare që të shprehen qartë se si do të sigurohet mbrojtja për lirinë e shprehjes në Shqipëri, ndërkohë që po propozojnë rregulla të reja për median atje, rekomandime këto të qeverisë Rama, që sipas enteve ndërkombëtare të lirisë së medias, jo vetëm kufizojnë por dhe kërcënojnë lirinë e shtypit dhe të drejtën e gazetarit për të kryer detyrën pa ndërhyrje nga autoritetet qeveritare dhe pa frikë nga gjobat e rënda arbitrare ndaj gazetarëve dhe portaleve të lajmeve.

Sa pak përparim është bërë në në 70-vjet në Shqipërinë tonë në fushën e të drejtës dhe të lirisë së fjalës, ndërkohë që bota shënoi të martën Ditën Ndërkombëtare të të Drejtave të Njeriut, në kujtim të miratimit të Deklaratës Universale të Drejtave të Njeriut, miratuar ng OKB-eja me 10 Nëntor, 1948, e cila parashikonte një botë ku të gjithë pjestarët e familjes njerëzore do të gëzonin, “Lirinë, Drejtësinë, dhe Paqën në botë.”  Fatkeqësisht, shumë vende të botës, përfshirë edhe Shqipërinë në këto 70-vjetë të kaluara nuk kanë treguar gatishmërinë as vullnetin e tyre për të mbrojtur dhe për të promovuar këto liri bazë të njeriut, përfshirë edhe lirinë e shtypit, siç kërkohet në Deklaratën Universale të Drejtave të Njeriut.

Filed Under: Analiza Tagged With: Frank Shkreli- Liria e Shytit-Historia e vjeter

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 800
  • 801
  • 802
  • 803
  • 804
  • …
  • 5724
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare
  • Në sinoret e Epirit…
  • Mbrëmë hyri në fuqi Ligji i SHBA për autorizimin e mbrojtjes kombëtare
  • Skënderbeu “grek”, ose si të bëhesh grek pa e ditur
  • A historic moment of pride for the New Jersey Albanian-American community
  • U zhvillua veprimtaria përkujtimore shkencore për studiuesin shqiptaro-amerikan Peter Prifti
  • Dashuria që e kemi dhe s’e kemi
  • “Jo ndërhyrje në punët e brendshme”, dorëheqja e Ismail Qemalit, gjest atdhetarie dhe fletë lavdie
  • Arti dhe kultura në Dardani
  • Gjon Gazulli 1400-1465, letërsia e hershme shqipe, gurthemeli mbi të cilin u ndërtua vetëdija gjuhesore dhe kulturore e shqiptarëve
  • “Albanian BookFest”, festivali i librit shqiptar në diasporë si dëshmi e kapitalit kulturor, shpirtëror dhe intelektual
  • VEPRIMTARI PËRKUJTIMORE SHKENCORE “PETER PRIFTI NË 100 – VJETORIN E LINDJES”

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT