• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

“Misteri” i jetëgjatësisë së Vatrës dhe Diellit

December 10, 2019 by dgreca

NGA PETER PRIFTI/ Ish sekretar i Vatres dhe Editor i Diellit/

“Vatra e mbaroi qëkuri misionin e saj historik.”

“Vatra dhe Dielli po i ngrysin ditët.” Sa herë, vallë, na kanë dëgjuar veshët fjalë si këto?

Fjalë të këtilla për Vatrën dhe Diellin janë pëshpëritur poshtëe lart me vite e me dekada. E megjithatë, Vatra dhe Dielli janë gjallë dhe sot e kësaj dite. I kanë përgënjeshtruar të gjitha predikimet e vdekjes së tyre. Si për inat të pesimistëve, kanë refuzuar të tërhiqen dhe të zhduken nga skena e botës shqiptare.

Jetëgjatësia e Vatrës dhe organit të saj – të dyja tashmë në dekadën e tetë të jetës së tyre – është më tepër se kureshti. Ajo paraqitet si një “mister” që të çudit, dhe që kërkon shpjegim. Por, po të rrish e të mendosh pak, nuk është vështirë të kuptosh pse Vatra dhe Dielli kanë arritur një moshë kaq të lashtë.

Pa dyshim, arsyeja numër një është shërbimi madhështor që i bëri atdheut Vatra gjatë 12 vjetëve, që kur u themelua më 1912 dhe deri më 1924. Me punën e shkëlqyer që bëri në atë periudhë, Vatra rrëmbeu zemrat dhe mendjet e shqiptarëve dhe u fut thellë në shpirtin e tyre, madje kaq thellë sa nuk mund ta harronm as brezi i imigrantëve të parë që e krijoi atë shoqatë, as brezat që pasuan 20, 40 dhe 60 vjet më vonë, deri në ditët tona. Vatra dhe Dielli u bënë fanar i shkëlqyer që ndriçonte rrugën e shqiptarëve në atë periudhë të artë, dhe trumbetë e fuqishme që ndizte zemrat e tyre flakë me ndjenjat e atdhedashurisë. Oshëtimat e asaj trumbete nuk heshtën, nuk u tretën në hapësirë, por tingëllojnë edhe sot në veshët e shqiptarëve.

Jeta e Vatrës është paralele me jetën e Shqipërisë moderne. Të dyja kanë një moshë. Prandaj, kur kujton apo bisedon për Vatrën, shqiptari dashur pa dashur e lidh emrin e saj me kombin shqiptar, me vendin e origjinës së tij. Dhe, sikundër ai dëshiron që të rrojë Shqipëria, po ashtu dëshiron – ndofta pa e kuptuar dhe ai vetë – të rrojë edhe moshatarja e saj, Vatra. Kjo ndjenjë fisnike i ka nxitur shqiptarët ta mbajnë gjallë këtë shoqatë famëmadhe për më se 80 vjet.

Kur kujton apo bisedon për Vatrën dhe Diellin, shqiptari, gjithashtu, kujton menjëherë emrat e nderuar të Fan Nolit, Faik Konicës si edhe të veteranëve të tjerë që themeluan Vatrën dhe punuan natë e ditë për Shqipërinë. Prandaj, respektin dhe admirimin që ka për Nolin dhe Konicën, ai e ndan me Vatrën, që është krijesa e tyre dhe thesari që u lanë trashëgim shqiptarëve. Këtë trashëgim shqiptarët e kanë ruajtur si amanet, dhe kjo ka ndihmuar për t’ia zgjatur jetën Vatrës nga një brez te tjetri.

Shqiptari e sheh Vatrën jo si një shoqatë të thjeshtë, por si një institut, apo monument historik. Si e tillë, ajo qëndron përmbi interesat lokale, të kufizuara dhe kalimtare të këtij ose atij grupi. Ndonëse është marrë me politikë – se me politikë u angazhua edhe  Skënderbeu dhe Ismail Qemali – ajo shihet gati si simbol kombëtar, që përfaqëson dhe bashkon të gjithë shqiptarët, pa dallim. Ja një tjetër arsye  që shpjegon jetëgjatësinë e Vatrës dhe DIELLIT.

Dielli është regjistri më i vjetër i jetës kolektive të shqiptarëve të Amerikës. Në faqet e tij është shkruar gati gjithë historia e tyre, që kur zbarkuan imigrantët e parë dhe deri te imigrantët e fundit. Vetë ky fakt i lidh ata me Diellin dhe Vatrën në një mënyrë intime, të ngrohtë, pak a shumë ashtu siç lidhen njerëzit me shokë e miq të vjetër dhe të paharruar. Edhe ky fakt ka lojtur rol në jetëgjatësinë e Vatrës.

Ka edhe një arsye tjetër që shpjegon misterin e lashtësisë së pashembullt të Vatrës. Ky është faktori semantik apo gjuhësor që ka të bëjë me vetë emrin e Vatrës dhe të organit të saj. Fjala “Vatra” tingëllon bukur në vesh, mbasi na sjell para syve imazhc të këndshme e të dashura si oxhakun e shtëpisë, zjarrin e ngrohtë, rrethin familjar, zakonet e mikpritjes dhe bujarisë. Po ashtu fjala “Dielli” na tërheq si një magnet, sepse “diell” do të thotëdritë, energji e pasosur, jetë e gjallëri. “Vatra” dhe “Dielli” janë emra të goditur, që i kanë tërhequr shqiptarët qysh nga fillimi i shekullit 20 dhe deri te pragu i shekullit 21, ku kemi arritur.

Nga diskutimi i sipërm del se jetëgjatësia e Vatrës dhe Diellit, sado e çuditshme që duket në sipërfaqe, nuk është mister i pazgjidhshëm. Vatra dhe Dielli kanë rrojtur dhe rrojnë mbasi ato janë të lidhura ngushtë qoftë me jetën e jashtme, kolektive të shqiptarëve (është fjala për punët e mëdha që kanë bërë nëpërmjet Vatrës), qoftë me jetën e tyre të brendshme, me ndjenjat shpirtë- rore dhe emocionale, me krenarinë dhe nostalgjinë për të shkua- rën, me gjithë historinë e tyre në Amerikë.

Filed Under: Analiza Tagged With: peter Prifti-Jetgjatesia e Vatres dhe Diellit

PËRSE ËSHTË ANTILIGJOR “KOMISIONI I 5 TETORIT” ?

December 10, 2019 by dgreca


– Atë çfarë po i bëjnë Vatrës tani të vetët, nuk ia kanë arritë që t’ia bëjnë për 50 vjet as Sigurimi i Shtetit me Misionin Shqiptar-

-SHFLETIM: KUSHTETUTA E VATRËS-Neni 14, amendamenti shtese, pika f- Një person sado i ndershëm të jetë, në qoftë se ka zakon të kundërshtojë kurdoherë, të grindet e të ofendojë zyrtarët e Federatës dhe, me sjelljet dhe fjalët e tij, të largojë njerëzit nga VATRA duke krijuar përçarje dhe humbje kohe, duke zgjatur dhe shtyrë mbledhjet, apo polemizon publikisht dhe bën sulme personale me fjalë apo me shkrim në gazeta ose rrjete sociale, nuk pranohet si anëtar dhe, në qoftë se është pranuar, do të hiqet nga Lista e anëtarëve të VATRËS! (Marrë nga kopja e Kushtetutës së Vatrës, botuar nga ish kryetari Gjon Buçaj-Dhjetor 2017)
– Kriteri biografik më duket i pakuptimtë dhe i pakohë: Mishto ishte i biri i Prokurorit edhe kur dilnit në fotografi nëpër darka e nëpër festa kur ishte diplomat, edhe kur shkuam t’i paraqesnim mbrojtjen e Vatrës pasi Kryeministri Socialist Edi Rama, e kishte ndëshkuar duke e shkarkuar si Konsull të Sali Berishës në një mbrëmje Gala të Ish NAK-ut, ku merrnin pjesë personalitete të larta të Shtetit dhe Politikës amerikane, nobelistë, ndihmës sekretar i shtetit etj…
– Absurdi i kritereve të dënimeve të shoqërisë postkomuniste shqiptare qëndron në faktin se nuk kanë marrë dënime reale ndëshkuse ish Kryesuesit e Gjykatave komuniste, që kanë bërë gjyqe politike, kanë dhënë dënime me vdekje, nuk janë dënuar Kryehetuesit e hetusit,që kanë shkelë ligjet,Kryprokurorët e prokurorët, dhe ju po ndëshkoni një djalë të ri për faktin se ai qenkish i biri një prokurori! Prapë biografi me gjysh e babe e nënë? Ndëshkimet bëhen me ligj.
– Duke njohur karakterin, dinjitetin, kulturën e Dritanit, unë jam i bindur se ai do ta gjejë vetë zgjidhjen për të mos u dhënë më kënaqësi ekspeditave ndëshkuse allakomuniste t’i nëpërkëmbin dinjitetin dhe familjen.
– Ndryshimet në Vatër bëhen vetëm përmes Kuvendeve, rrugët e tjera janë anti VATËR, antiligj! Uluni, bisedoni, pranoni gabimet dhe mos përçani më tej VATRËN. Vatra nuk është pronë personal, por Institucion Historik dhe Pasuri Kombëtare. Letrat e ish kryetarit dërguar dr. Berishës dhe Lulzim Bashës për t’i bërë biografinë Dritanit, shprehin nivelin e sulmeve 2 vjeçare që i bëhen ati.
Nga Dalip GRECA/
Qarkorja e ish kryetarit të Vatrës Gjon Buçaj nisur fillimisht në 71 adresa emaili dhe publikuar së fundi nëpër disa portale që gjuajnë lajme të tilla ka lënë një shije të hidhur tek shumica e vatranëve dhe shumica e degëve të saj. Ish kryetari i Vatrës pa ndjerë as dhimbjen më të vogël ndaj Vatrës, ka më shumë se dy vjet që lufton me të gjitha forcat, dhe jep Kushtrimin kudo ku gjenë një derë çelë, apo një vesh që e dëgjon: “VATRËN E MORËN KOMUNISTËT! I BIRI I PROKURORIT(QË E SOLLI AI), nuk ka treguar biografinë….E shoqja punon në një organizatë të grave intelektuale greke… është minoritare…Është shkelë Kushtetuta e Vatërs… Kuvendi që e përgatita dhe e drejtova unë…ka shkelë rregullat e Kanunores! Kjo nuk durohet.Urdhër: Komisioni i 5 tetorit të marrë Vatrën në dorë me 25 Prill! “
Parë me gjakftohtësi lufta e ish kryetarit për të mbrojtur Vatrën nga sulmet imagjinare i ngjanë asaj nënës, që nga dashuria e tepërt mbyt krijesën e vet. Siç duket ish kryetari është penduar që Vatra u rrit shumë, u krijuan degë, gazetës i doli gjumi letargjik pas 2 vite e gjysëm heshtje dhe pas një periodiciteti 3-4 herë në vit në gati tri dekada, u bë e përmujshme, krijoi botimin online, futi reklamat, ngjyrat, numrin special për Festën e Flamurit, tash ka dhe një editore për gjuhën angleze, në këtë format të ri- i Gazeta i dha zë Vatrës dhe vatranëve dhe ata e përkrahën dhe u mblodhën rreth saj.
Z. Buçaj parlajmëron në titull të qarkores së tij se do të japë arsye se përse”e përkrahi Komisionin e 5 tetorit 2019 të Vatrës”, por në fakt është krijesë e tij, dhe nuk bën gjë tjetër veçse rreshton akuza të pafundme, që nuk shkruhen për të parën herë dhe kthehet e rikthehet tek Kuvendi i Qershorit 2017, Kuvend që u përgatit nga ai vetë dhe difektet duhet t’i kërkonte tek vetja. Edhe sot ai këmbëngul se Dritan Mishto nuk e kishte vjetërsinë në Vatër për t’u bërë kryetar, ndërkohë që dy vite më parë se të bëhej kryetar, në Kuvendin e vitit 2015 organizuar në Jacksonville, ishte votuar si anëtar i kryesisë.
Në fakt, Kushtetuta e Vatrës që është në qarkullim, nuk cakton kushte vjetërsie për t’u bërë kryetar, ky kusht u shtua në përpjekje për t’I shtuar amendamente Kushtetutës së vjetër. Ka pasur raste kur Vatra i ka ftuar kandidatët për kryetar edhe nga Shqipëria edhe nga Evropa, pa qenë fare anëtar të Vatrës. Shembulli më tipik është Mid’hat Frashëri. Z. Buçaj e diktoi këtë kusht në amendamentet të cilat kurrë nuk e morën fuqinë ligjore në Kuvend, edhe pse ish kryetari pas Kuvendit, kur nuk kishte më asnjë fuqi ligjore, nxitoi dhe botoi Kushtetutën e re me amendamentet e propozuara, ndërkohë që Vatra kishte ngarkuar një Komision të Garancive të Kanunores, që ende punon dhe do t’i paraqiste ndryshimet në Kuvendin e ardhshëm.
Edhe një fakt tjetër; Vetë ish kryetari Buçaj pasi tërhoqi vëmendjen e Kuvendit të Qershorit 2017 se Mishto nuk plotësonte kriterin kohor të vjetërsisë, ai propozonte që me një vendim të delegatëve të Kuvendit, Kushti i vjetërsisë (që s’ishte ende në Fuqi) të kapërcehej. Kështu u votua me propozim të z. Buçaj dhe u mor vendimi e nisi votimi. Atëherë përse ke dy vjet që thua se nuk plotësonte kriterin kohor, ku me propozimin tuaj ai kriter u shmang?
Ndërsa kriteri biografik, më duket i pakuptimtë: Mishto ishte i biri i Prokurorit edhe kur dilnit në fotografi nëpër darka e nëpër festa kur ishte diplomat, edhe kur shkuam t’i paraqesnim mbrojtjen e Vatrës pasi Kryeministri Socialist Edi Rama, e kishte ndëshkuar duke e shkarkuar publikisht si Konsull të Sali Berishës në një mbrëmje Gala, ku merrnin pjesë personalitete të larta të Shtetit dhe Politikës amerikane, nobelistë, ndihmës sekretar i shtetit etj, ndërsa unë dhe Ju z. Buçaj shkuam në hotel dhe takuam kryeministrin në emër të Vatrës… Kryeministri socialist zgjodhi pikërisht këtë mbrëmje për ta ndëshkuar….edhe atëherë ishte po ky Dritan që kemi sot. Duke njohur karakterin dhe dinjitetin, kulturën e Dritanit unë jam i bindur se ai do ta gjejë vetë zgjidhjen për të mos u dhënë më kënaqësi ekspeditave ndëshkuse ti nëpërkëmbin dinjitetin dhe familjen. Këto lloj ndëshkimesh ngjasojnë me demaskimet e kohës së komunizmit, ndërsa komentet dashkeqëse nëpër portale e rrjete sociale, ngjasojnë me fletë-rrufetë dhe Dacibaot kineze.
Absurdi i kritereve të dënimit të shoqërisë postkomuniste shqiptare qëndron në faktin se nuk kanë marrë dënime reale ndëshkuse ish Kryesuesit e Gjykatave komuniste, që kanë dhënë dënime me vdekj e kane organizuar gjyqe politike,nuk jane ndeshkuar realisht Kryehetuesit e hetusit,që kanë shkelë ligjet, Kryprokurorët e prokurorët, dhe ju ndëshkoni një djalë të ri për faktin se ai qenkish i biri një prokurori! Ndëshkimet bëhen me ligj. Kemi 30 vjet që në Shqipërinë tonë bëhet politikë, por jo shtet. Kur të kemi shtetin ligjor, shpresoj se do të kemi dhe ndëshkime ligjore, jo seleksionime sipas interesave, fiseve, krahinave, partive etj…etj.
Po i përgjigjem titullit të këtij komenti:Përse është antiligjor Komisioni i ideuar nga ish Kryetari?
Së pari: Nuk ka bazë ligjore në asnjë nga nenet e Kushtetutës së Vatrës, madje as në atë variant të Kushtetutës që ka botuar dhe shpërndarë ish kryetari në dhjetor 2017.
Së dyti- Në të gjitha botimet e deritanishme të Kushtetutës së Vatrës, përfshi dhe atë që botoi ish kryetari Buçaj, veprime të tilla konsiderohen të ndëshkushme, dhe fajtorët përjashtohen nga VATRA. Po e shkruaj nenin të kopjuar prej Kushtetutës të botuar nga Gjon Buçaj në dhjetor 2017, gjashtë muaj pasi e kishte lënë detyrën.
FAQE 14- Kapitulli”Anëtarët”(Neni 6-9) -Shtesë Amendamenti, shkronja -f- Një person sado i ndershëm të jetë, në qoftë se ka zakon të kundërshtojë kurdoherë, të grindet e të ofendojë zyrtarët e Federatës dhe, me sjelljet dhe fjalët e tij, të largojë njerëzit nga VATRA duke krijuar përçarje dhe humbje kohe, duke zgjatur dhe shtyrë mbledhjet, apo polemizon publikisht dhe bën sulme personale me fjalë apo me shkrim në gazeta ose rrjete sociale, nuk pranohet si anëtar dhe, në qoftë se është pranuar, do të hiqet nga Lista e anëtarëve të VATRËS!( Në kohën e kryetarit është përjashtuar një degë e tërë).
Me ç’logjikë dhe si mund ta marrë drejtimin e Vatrës një Komision antikushtetues?
Një miku im, ish i burgosur politik, më përcolli sot në telefon këtë konstatim, që nuk po e komentoj: – Atë çfarë po i bëjnë Vatrës tani nuk ia kanë arritë që t’ia bëjnë për 50 vjet as Sigurimi i Shtetit me Misionin Shqiptar-
Në fakt janë të njohura dhe të pasqyruara në Dosjen voluminoze të ish Sigurimit të Shtetit për Vatrën, tentaivat e Misionit dhe të Ministrisë së Brendshme për ta përçarë Vatrën me shkëputjen e degëve, siç ishte rasti i degës së Pensilvanisë, apo ndonje dege tjetër, pa ia arritur qëllimit.
Një këshillë kam të drejtë ta jap, pasi kaq gjë e kam mësuar nga Historia e Vatrës dhe Kushtetuta e saj: Ndryshimet në Vatër bëhen vetëm përmes Kuvendeve, rrugët e tjera janë anti VATËR, antiligj! Uluni, bisedoni, pranoni gabimet dhe mos përçani më tej VATRËN. Historia do t’ju gjykojë!
Shënim shtesë: Çudi, ofensiva u mor tani kur VATRA po realizonte fushatën e ndihmave ndaj tërmetit. Përse tani?
Një tjetër fushatë ishte ndërmarrë në kohë që festohej 110 vjetori i Diellit, edhe ate kohe vazhdoi ekspedita dneshkuse, por veprimtarite e Vatres vazhduan. Bojkoti, siç ishte vepruar edhe gjate festimit të 106 vjetorit të Vatrës, nuk e stepen Vatren te vijonte veprimtarite e saj..
Pyetja e dytë shtesë: Përse u ndërmor ofensiva pasi futët në dorë në rrugë jo ligjore Kopjen e Dosjes të Ish Sigurimit të Shtetit për Vatrën? Për çfarë u siguruat? Dhe një pyetje plus: Kush e tërhoqi Dosjen,kur askush nga dega nuk ishet fizikisht ne Institutin e Dosjeve? A janë shkelë rregullat me personin që e mori atë në dorëzim? Pyetje për Institutin e Dosjeve: Po sikur atë Dosje ta kërkojnë edhe degët e tjera si: Michigani, Queensi, Toronto, katër degët e Floridës,dega Hudson Valley etj., do t’ua jepni? Vatra e ka nje qender.

Filed Under: Opinion Tagged With: Dalip Greca-Perse eshte antiligjor-Komisioni i 5 Tetorit

Tërmetet në trevat Shqiptare

December 10, 2019 by dgreca

Shkruan: arch. Ylber Vokshi-Ylli/

Në princip fatkeqësitë natyrore janë të pa parashikueshme e posaçërisht tërmetet të cilët shkaktojnë dëme të mëdha materiale,psikike e varësisht nga fuqia shkatërrimtare e tij edhe viktima në njerëz. Duhet respektuar hulumtimet shkencore të viteve të fundit për zbulimin e metodave për paralajmërimin e tyre, që së paku do të mundësonte shpëtimin e jetës së njerëzve.  Obligim parësor i shtetit është të merr masa preventive që i disponon njerëzimi, për të parandaluar sa ma shumë pasojat katastrofale që munden ti shkaktojnë tërmetet. 

Sa herë që ndodhë ndonjë fatkeqëi natyrore dikund në botë shqesohem shumë dhe gjthnjë më shkon mendja se si është ndërtuar në Kosovën e pas luftës në shekullin e ri,deshmitar okullar i të cilës  isha. Njejtë ishte edhe me rastin e tërmetit të fundit në Shqipëri gjegjësisht në territorin e Durrësit e rrethinës,pasojat e të cilit ishin të ndërlidhura me emocione dhe dhimbsuri pasi ndodhi në trevat shiptare,pak killometra nga Kosova e cila poashtu është zonë potenciale e tërmeteve. 

Nuk e paskam ditur se sa shumë ekspert të mençur dhe të ,aftë’ paska pasur Kosova të cilët këto ditë po defilojnë nëpër studiot e ndryshme televizive,portale dhe gazeta, të cilat pa i respektuar kriteret profesionale dhe morale, po i ftojnë nëpër debate shterpe dhe ofenduese për opinionin,për të trajtuar problematikën e fatkeqësive natyrore si është duke ndodhur këtyre ditëve pas tërmetit katastrofat në Shqipëri. 

Pos tjerëve dëgjuam qëndrimet edhe të atyre ‘ekspertëve’ të cilët kanë ushtruar funksione publike, e kanë pasur obligim ligjor të detyrojnë pjesëmarrësit në procesin e ndërtimit dhe urbanizimit të punojnë sipas normave dhe standardeve teknike dhe ligjeve të asaj kohe, por nuk vepruan. Përkundrazi bashkëpunuan me ata,kontribuan në krijimin kësaj situate urbane që e kemi në Kosovë.  U ankuan se ende nuk kemi inxhinier të licencuar,e harruan të tregojnë se mu disa nga ata arkitekt të Kosovës në shtatorin e vitit 2013 organizuan demonstrata për të ‘detyruar’ Ministrin Dardan Gashi të bllokonte procesin e licencimit, të përgatitur pas një pune dy vjeçare me MMPH-në dhe Asociacionin legjitim të Arkitektëve të Kosovës. Qëllimi i licencimit ndër të tjera ishte pikërisht për të evituar situatat e tilla që ndodhën në Shqipëri, ku përveç traumave kolektive me pasoja afatgjate, dëmeve të mëdha materiale kemi humbje  jetësh të njerëzve që nuk  kompensohen  me asgjë.

 Në Shqipëri për herë të parë isha për një fundjavë-vikend, mu në zonën e bregdetit të Durrësit para 8 vite . Kureshtja personale dhe profesional më detyroi që me sy tjetër,ashtu sipërfaqësisht të analizoi të gjitha ato hapësira të cilat ishin ndërtuar në periodën e tranzicionit.  Me atë çka kisha pa isha shqetësuar pa masë dhe nuk e kisha të qartë se si shteti me të gjitha mekanizmat që i posedon kishte lejuar të ndodhë një gjë e tillë,aq ma parë kur Shqipëria evidentohet si vend me rrezikshmëri të  lartë sizmike, kurse Durrësi para IX shekujve ishte zhdukur nga faqja e dheut, si pasojë e një tërmeti shkatërrimtar, të cilët me intensitete ma të vogla janë aktive edhe në ditët e sodit.     

Nga aspekti hapësinor dhe urbanistik as që vlen me diskutuar pasi organizimi i   atyre përmbajtjeve dhe elementeve urbanë ishte vetëm një grumbull objektesh të ndërtuara, pa i respektuar as normat dhe standardet elementare të urbanistikës, që i kërkon jeta normale në vendbanime apo vendpushime. Në aspektin funksional dhe konstruktiv kishte aso anomali të pa shpjegueshme që duhet regjistruar si shembuj të këqij se si nuk duhet ndërtuar,është mjeshtri me imagjinatë destruktive se si është projektuar dhe ndërtuar këto vite në Shqipëri,këtë e tregoi edhe tërmeti 6.4 shkallë të Rihterit i datës 26 nëntor në Durrës dhe vendbanimet tjera.

 A thua e  kanë ditur  këta se  këto kthina do ti frekuentojnë  njerëzit jeta e të cilëve rrezikohet,e për dëmtimet përcjellëse materiale dhe të tjera as që ia vlen me menduar. Nga analizat preliminare dëmet ma të mëdha materiale dhe në njerëz janë pasojë faktorit njeri e jo e dridhjes së tokës sado e madhe që ishte ajo.

Interesante  ishte kureshtja e qytetarëve këtyre ditëve se cila zonë e Prishtinës është ma e rrezikuar nga tërmetet eventuale në të ardhmen. Të gjitha ndërtimet e pas luftës nuk iu janë nënshtruar kritereve të obligueshme në procesin e ndërtimit,si të tilla janë të pa sigurta e posaçërisht mbindërtimet dhe adaptimet e përdheseve  të objekteve banesore. 

Si  rast me rrezikshmëri ma të lartë është potencua lagjja “Arbërila 3” ish Dragodani. Sot ka mundësi teknike për të ndërtuar në terrene të ndryshme, por duhet ndërmarrë masa paraprake, pasi kushtet ndërtimor i kanë specifikat e veta që jemi të obliguar me i respektuar,në rastin konkret nuk është vepruar ashtu. Është punuar PRrU në vitin 2005, që nga faza e përgatitore për projektimin e asaj zone ka gabime fillestare që nuk është dashur lejuar K.K. i Prishtinës. Është  punuar duke u bazuar në atë “Strategjin….” që e kishte aprovuar Asambleja e atëhershme komunale,në mënyrë të kundërligjshme në vitin 2004,për të cilën kamë shkruar atëherë. 

Para luftës ajo zonë nuk ishte urbanizuar pasi terreni sipas përgjegjëseve të kohës ishte i pa qëndrueshëm,ishte lejuar vetëm ndërtimi i shtëpive individuale P+2 në anën perëndimore, të cilat sot po kanë probleme me rrëshqitjen e dheut në disa raste.

Para fazës së projektimit urban nuk është prezantuar hulumtimi gjeologjik,gjeo mekanik,gjeoteknike,sizmik etj. i terenit ,dhe preferencat se cilat masa duhet ndërmarrë që tereni të aftësohet për ndërtime. Nuk e kam të qartë se si pa këto të dhëna janë caktuar elementet urbane si gabariti dhe etazhiteti i objekteve,edhe ma keq ato në fazën e dhënies së lejeve ndërtimore janë shtuar-rritur për disa kate nga Komuna pa kurrfarë analizash profesionale.

Kur filloi rrëshqitja e dheut, nga paniku,pushtetarët  angazhuan një institucion ndërkombëtar i cili i dha rekomandimet se si duhet sanuar terrenin dhe objektet e ndërtuara deri me tani, si dhe dhënien  lejeve tjera me kushte të reja urbanistike.

Nuk jam në dijeni cilat masa i ka marrë Komuna, por nëse nuk veprohet urgjent në sanimin e gjendjes ekzistuese të terrenit, si dhe të njësive të ndërtuara,situata do të përkeqësohet edhe ma shumë. Frika do të jetë prezente tërë kohën për banorët e kësaj lagjeje,si rezultat i sjelljes së pushtetit lokal dhe ati qendror që lejon veprime të tilla të rrezikshme për jetën dhe sigurinë e banorëve të saj.

 Domosdoshmëria e elaboratit sizmik në projekte,para dhënies së lejes së ndërtimi,nuk është luks por nevojë elementare,pasi behët fjalë për SIGURIN e objekteve dhe zonave të caktuara të vendbanimeve tona.

Të gjitha apelet e mija deri sa isha i punësuar në MMPH (Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor),nga viti 2002,në Departamentin e Planifikimit Hapësinor si Udhëheqës i Divizionit të Hulumtimeve e deri me sot,për të punuar dhe respektuar ligjet e shtetit të Kosovës,në fushën e ndërtimit ishin të kota,pa efekte pozitive pasi nga ana e faktorit politik të asaj kohe e edhe sot,nuk kishte interesim e besa as dijeni për pasojat tragjike të lejimit të këtyre ndërtimeve, të cilat do ti ngufasin gjeneratat e tanishme dhe të ardhshme në Kosovë. Për fatkeqësinë tonë këto mënyra të ndërtimit janë duke u lejuar tërë kohën  nga organet ekzekutive shtetërore të dy niveleve në Kosovë.

Në Kosovë pos panikut dhe frikës së madhe të shprehur nga ana e banorëve,gati në të gjitha vendbanimet e Kosovës,asgjë tjetër shqetësuese nuk u regjistrua. Është një problematik të cilin të gjithë ata që kanë ndërtuar pas vitit 1999,në ndërdije e kanë tërë kohën,pasi këto ndërtime me leje e pa leje,në njëzet vjetshin e fundit janë bërë pa kontroll apo mbikëqyrje shtetërore. Tepër shqetësuese posaçërisht është pas këtyre rasteve të fundi të tërmeteve që munden me pas pasoja katastrofave,duke e ditur se si është ndërtuar këto vite në tërë Kosovën. Uroi që pas tërmetit të Durrësit ma në fund do të ndërmerret diçka konkrete në ketë drejtim, e mos të harrojmë si zakonisht thua se asgjë nuk ka ndodhur. 

Të gjithë ne dimë të ankohemi kur ngjajnë tërmetet,rrënimet dhe vërshime të ndryshme sa herë që bijën shi apo fryn ndonjë erë ma e fortë. Këso rastesh kemi pa numër pasi nuk është duke u punuar ashtu si e kërkojnë rregullat teknike. Urojmë të mos të kemi ndonjë dridhje ma të madhe toke,termet, se atëherë do të “vetëdijesohemi” se si kemi vepruar në vitet e pas luftës. 

Prishtinë                                                                             arch. Ylber Vokshi-Ylli

10.12.2019   .                                                                                   arkitekt i pavarur

                                                                                                         ylberv@gmail.com

Autori është ish-Kryetar i Këshillit për Planifikim Hapësinor të Kosovës (KPHK)

Filed Under: Analiza Tagged With: ark Ylber Ylli-Termetet-trevat shqiptare

NË TAKIME DHE BISEDA ME LASGUSHIN

December 10, 2019 by dgreca

(Kujtime)/

Nga Thanas L. Gjika/

         Me Lasgushin te Petro Martini dhe tek Instituti i Historisë dhe Letërsisë/

         Petro Martini ishte një nga intelektualët e vjetër më fatkeqë që kisha njohur në Tiranë. Ishte i verbër, kurse gruaja e tij zvicerane ishte e paralizuar, shumë e dobët si një skelet. Ata nuk kishin fëmijë, sepse e shoqja kishte dështuar disa herë me dashjen e saj. Gjatë viteteve të luftës të dy kishin vendosur ta linin punën e fëmijëve pasi të mbaronte lufta. Mirëpo pas luftës ndodhi përmbysja e madhe: shteti ua konfiskoi të vetmen pasuri që kishte kjo familje, shtëpinë me dy kate e me dy hyrje anës rrugës Bardhyll tek Unaza afër spitalit. Ky pallat i vogël ishte përfunduar më 1942 prej specialistëve italianë dhe quhej Pallacina Martini. Kishte tetë apartamente që ishin lëshuar me qira. Gruaja e Petros ishte tmerruar nga arrestimet, burgosjet dhe internimet e shumë shokëve dhe kolegëve të Petros. E mbetur pa shtëpi e pa të ardhura, zonja zvicerane vendosi të mos bënte fëmijë, duke menduar se nuk duhej të krijonte fëmijë fatkeqë…

         Petroja kishte vetëm një vëlla më të madh, Sotir Martinin. Ky kishte qenë një nga oborrtarët e Madhërisë së Tij Zogut të I dhe ishte larguar nga Shqipëria bashkë me familjen mbretërore pas 7 prillit 1939. Këta dy vëllezër ishin me origjinë nga Borova e Kolonjës. Ishin larguar herët nga fshati si kurbetllinj në Bukuresht. Aty, krahas punës kishin kryer dhe shkollën e mesme. Sotiri ishte kthyer në Shqipëri, kurse Petroja kishte shkuar në Zvicër ku kishte kryer studimet për drejtësi në Zurih (Zurich), kantoni ku flitej gjermanisht. Gjatë jetës studentore ky ishte dashuruar dhe martuar me një vajzë vendase, një bjonde e bukur. Kishin ardhur të dy në Shqipëri aty nga viti 1937. Petroja kishte hapur një zyrë private avokatore të cilën e mbajti hapur edhe disa vjet pas ardhjes në fuqi të partisë komuniste, kur i filloi verbimi nga glaukoma. Gruaja kishte qenë gjithnjë shtëpiake. Duke qenë se asnjëri nuk kishte punuar në punë shtetërore, ata nuk merrnin pension, por shteti u jepte të dyve nga një asistencë prej 1.000 lekësh të asaj kohe. Vëllai i tij nuk ishte në gjendje të mirë ekonomike dhe nuk u dërgonte dot ndihma. Njerëzit e gruas u dërgonin dy ose tri herë në vit nga një pako me veshje, të cilat Petroja ua shiste komshinjve. Ky çift fatkeq jetonte me qira në katin e dytë të një shtëpie privare te Rruga e Barikadave karshi gjimnazit “Sami Frashëri”.

         Fisi Martini, që jetonte në Borovë, ishte shuar gati i gjithi gjatë masakrës që kryen forcat gjermane si përgjigje ndaj aksionit sulmues të forcave partizane. Petroja me bashkëshorten jetonin të vetmuar, ishin pa farë e fis, madje dhe shokët e pakët e kishin braktisur, por nuk e kishte braktisur Lasgushi, me të cilin ishte njohur gjatë emigracionit në Bukuresht.

         Në shtator të vitin 1965 nëna ime dhe unë e njohëm Petron prej gruas së një kushëriri të tim eti, e cila punonte si shitëse buke afër shtëpisë ku banonte ky çift hallemadh. Nëna ime ishte fetare e përkushtuar dhe kur njihte ndonjë rast të tillë përpiqej ta ndihmonte me sa mundej. Këtë frymë ishte përpjekur të na i kultivonte dhe ne fëmijëve të saj. Kështu, kur vinte nëna jonë në Tiranë, tek apartamenti i Viktorit, ku banoja dhe unë, më merrte me vete dhe i bënim nga një vizitë çiftit Martini. Kur nëna kthehej në Korçë unë i vazhdoja vizitat te Petroja. Më tërhiqte enciklopedizmi i tij, urtësia, mosankimi për gjendjen e rëndë, etj.

         Pikërisht në atë dhomën e palyer prej kushedi sa vitesh, ku jetonte Petroja, me zonjen e paralizuar, e takova Lasgushin dy herë.

         Herën e parë e ndjeva veten si në ëndërr. Takoja nga afër njërin nga tre poetët e adhuruar. Deri atëhere, ishte dimri i vitit 1965-1966, adhuroja, Lasgushin, Fan Nolin dhe Migjenin. Prej dy të parëve dija përmendësh disa poezi, kurse prej Migjenit nuk dija plotësisht përmendësh asnjë poezi.

         Kisha nja 15 minuta që dëgjoja Petron. Ishte koha e Rankoviçit, prandaj Petroja më fliste  për persekutimin e shqiptarëve në Jugosllavi, sipas lajmeve dhe komenteve që kishte dëgjuar nëradiostacionet zvicerane në gjuhën gjermane. Midis tjerash më tha me një farë pesimizmi se mesa po kuptonte ai, problemi i Kosovës nuk do të zgjidhej shpejt, madje do të zgjidhej kur kufijtë e shteteve nuk do të kishin më rëndësinë që kishin kur po bisedonim.

         E shoqja e Petros rrinte shtrirë dhe nuk fliste. Ndonjëherë Petroja i drejtohej gjermanisht për ta pyetur se mos kishte ndonjë nevojë. Te shkallët u dëgjua trokitja e një shkopi: pam, pam, pam.

         “Erdhi Lasgushi, kështu troket ai me një shkop që e le prapa portës” – tha Petroja. Unë nuk e dija se ata ishin shokë e miq të vjetër. Lasgushi hyri si në shtëpinë e tij dhe pasi i dha dorën Petros, përshëndeti bashkëshorten e tij gjermanisht. Pastaj më dha dorën mua pa u prezantuar se kush ishte dhe pa më pyetur se si quhesha. U soll sikur të ishim njohur që më parë. Më pyeti vetëm se a isha mirë me shëndet. Mendova se Petroja do t’i kishte folur Lasgushit për mua në ndonjë takim të mëparshëm.

         Unë isha student në vitin e katër të degës për letërsi dhe gjuhë shqipe. Poetin më të madh lirik të viteve të paraluftës, në vend që ta takoja e njihja gjatë ndonjë ore mësimi në Fakultet, ku duhej të na e prezantonin pedagogët e letersisë, erdhi rasti ta njihja në këtë dhomë të vogël, të nxirrë nga tymrat e sobës.

         Lasgushi nuk e hoqi pallton, u ul te karrikja tjetër. Pas pak filloi biseda. Lasgushi filloi të tregonte sesi në vitet e Mbretit Zog shqiptarët i kishin qilarët plot me zaire, butet plot me verë, njerëzit mund të shkonin jashtë shtetit, etj. Ai fliste pa bërë asnjë koment nga ana e tij. Kur fliste nuk më shikonte në sy, shikonte nga dritarja. M’u duk sikur nuk fliste me mua, por sikur meditonte. Pas ndonjë ore u largova, pa kuptuar nëse Lasgushi fliste me nostalgji për kohën e rinisë kur kishte arritur apogjeun e tij si poet, apo donte të më thoshte se tani në kohën e partisë, populli shqiptar bënte një jetë më të varfër, pa zairera, pa bute me verë, një jetë të izoluar nga bota.

         Një kryqëzim në rrugë. Pas ca kohe, aty nga pranvera e vitit 1967, sa kisha dalë nga dyqani i madh MAPO dhe kisha marrë kthesën e po ecja në Rrugën e Barikadave. Pas pak më doli përballëLasgushi me dy vajzat e tij. Të madhen e mbante për dore, kurse të voglën po e mbante kalakiç, si thoshim nga Korça kur dikush e mbante fëmijën mbi zverk. Fillova ta shikoja drejt e në sy për ta përshëndetur, por ai as më pa fare dhe kaloi me një farë nxitimi. Mendova se po shkonte te dyqani MAPO, për të blerë veshje të reja për vajzat.

         Herën e dytë e takova Lasgushin te Petroja në pranverën e vitit 1970, kur kisha filluar të punoja në “Institutin e Historisë dhe të Gjuhësisë”, i cili dy vjet më vonë u nda në dy institute në “Institutin e Historisë” dhe në “Institutin e Gjuhësisë dhe të Letërsisë”. Lasgushi sa mori vesh se ku kisha filluar punën me tha: “Kam dy dokumente me vlerë për historinë e letërsisë dhe të gazetarisë shqiptare. Kam një poezi të Asdrenit të shkruar me dorën e tij dhe numërin e parë të gazetës ‘Shqipëtari’ të Nikolla Naços. Ky numër është botuar me bojë të kuqe, sepse ishte numër special.”

         U gëzova dhe i thashë se të tillë dokumente me vlerë është më mirë t’i ketë shteti, i cili i ruan më mirë se çdo privat. Lasgushi nuk e zgjati, po më tha se do të vinte në Institut të bisedonte.

         Kësaj radhe dolëm bashkë nga shtëpia e Petros dhe ishim duke ecur në rrugë kur i thasë se më vinte shumë keq për gjendjen e shokut të tij. Ai m’u përgjigj:

         “Petroja me të shoqen nuk donin të kishin fëmijë. Perëndia u dha disa herë fëmijë, por ajo zvicerania shkonte e i dështonte. Tani nuk ka kush t’u japë një gotë ujë. Kurse unë me Nafien për shumë vjet nuk mundëm të bënim dot fëmijë, por u interesuam te doktorët për të realizuar bërjen e fëmijëve. Dhe ja, edhe pse me vonesë, i bëmë dhe i kemi dy vajza si drita që na e mbushin shtëpinë dhe zemrën me gëzime.”

         Kur u ndamë e kujtova që të vinte në institut për të biseduar për ato dokumentet.

         Tek Instituti i Historisë dhe i Gjuhësisë. Lasgushi erdhi pas disa javësh pikërisht te zyra ku punoja unë me disa kolegë, midis të cilëve ishte dhe zv.shefi i sektorit të letërsisë, i ndjeri Jorgo Bulo. Me Jorgon, Lasgushi ishte njohur që më parë, sepse Jorgua e kishte gruan nga Pogradeci dhe kalonte atje pushimet e verës. Lasgushi nuk deshi të ulej te një kolltuk që kishim për vizitorët. Po rrinim të tre në këmbë dhe unë e hapa me njëherë bisedën për dokumentet që ruante Lasgushi. Jorgua i tha se do të ishte nder për institutin tonë që t’i kishte ato dokumente në arkivin e tij. Lasgushi e pyeti:

         “Sa paguani ju për sejcilin nga këto dy dokumente? Jorgua u ndje ngushtë dhe i tha se instituti nuk kishte mundësi të paguante, prandaj ai i mirëpriste dokumentet si dhuratë.

         “Kanë kaluar mbi 25 vjet dhe akoma ky shtet nuk ka pare të paguajë për dokumente me vlerë kombëtare”? – Pyeti Lasgushi duke e parë Jorgon me ato sytë e tij që dukej sikur lëshonin shkëndia. Pastaj shtoi: “Po kur do të kini pare për të tilla vlera”? Jorgua ngriti supet. Lasgushi u largua pa thënë gjë…

         Te shtëpia e Lasgushit në Tiranë

         Në vitin 1972, gjashtë vjet pasi kisha mbaruar fakultetin dhe kisha punuar në Radio Tirana dhe në Institutin e Historisë dhe të Gjuhësisë, m’ u dha në krah të majtë të lumit Lana një apartament me një dhomë e një kuzhinë. Që nga viti 1967 që filloi puna vullnetare për ndërtim pallatesh, ky ishte i gjashti, ku kisha derdhur djersën. Ky ishte një pallat pesë katësh anës Unazës përballë gjimnazit Ismail Qemali, në lagjen Ali Demi.

         Një ditë tetori kisha dalë në ballkonin nga ana e lumit dhe po shikoja malin e Dajtit, i cili me ngjyrat vjeshtake dukej dhe më i bukur. Kur papritur anës Lanës pashë Lasgushin veshur me pallton dhe kapellën e tij të zezë duke ecur me qenin e tij të vogël të bardhë. E kishte nxjerrë për shëtitje. Ai e mbante dhe e trajtonte konkën e vet si në Europë, jo si shqiptarët e tjerë. E mbante brenda në shtëpi si pjesëtar të familjes, i fliste me emër dhe qeni e kuptonte dhe reagonte sipas urdhrave që i jepte ai. Marrëdhëniet e Lasgushit me qenin e tij përbënin një aspekt europian të jetës së tij, por unë gabimisht e mendoja si një teke lasgushiane. Pas ndërrimit të regjimit edhe shumë shqiptarë filluan të mbanin qenër dhe konka brenda shtëpive të tyre, madje dhe brenda apartamenteve të ngushtë, duke i trajtuar si pjesëtarë të familjes dhe jo si më parë, që i linin jashtë shtëpive thjesht si kafshë mbrojtëse.

         U kujtova për dorëshkrimin e poezisë së Asdrenit dhe për numërin e parë të gazetës Shqipëtari të Nikolla Naços. Pasi pyeta se ku banonte poeti, mësova se ai e kishte shtëpinë aty pranë te rruga Asdreni. Në vijë ajrore ishim nja 200-250 metra larg njëri tjetrit. Shtëpia e tij ishte një vilë e vogël me tulla të kuqe një kat e gjysëm e rrethuar me avlli. Kishte një oborr të vogël përpara dhe shumë pak tokë rreth e rrotull. Modeli i saj ngjante me disa shtëpi që kisha parë në Pogradec.

         Shkova dhe trokita te porta, të cilën ma hapi një vazë e re, e gjallë, e qeshur me sy të mëdhenj dhe fytyrë ovale. Ishte vajza e vogël, ajo që e kisha parë kalakiç mbi zverkun e babait te rruga e Barikadave. Flokët e saj ishin bjonde në gështenjë. Më ftoi të hyja brenda. Qeni ishte në oborr, lehu pak dhe kur Marieja i bëri një shenjë, heshti. Ishte pasdite e një të djele vjeshte dhe bënte pak ftohtë. Vajza e madhe Kostandina e tërhoqi nga brenda derën e shtëpisë duke thënë: “urdhëroni”. Kjo ishte krejt bionde me fytyrë rrumbullake, e qeshur gjithashtu. Hyra në një sallon të madh dhe me lartësi mbi tre metra, që shërbente si dhomë ndënje dhe pritje. Apartamentet tanë nuk kishin asnjë nga dimensionet e këtij ambjenti. Lasgushi u ngrit nga divani dhe më dha dorën. Kishte pamje ëgjëllore, me dy mollza të kuqremta dhe sy gjithë dritë. Kurse zonja Nafie pasi më përshëndeti dhe qirasi me karamele, kaloi në një nga dhomat matanë duke ngjitur nja tre shkallë, sepse dhomat dhe banja ishin mbi nivelin e sallonit. Ajo nuk doli më. Kisha dëgjuar se ajo ishte rreth 20 vjet më e re, por në pamaje të parë m’u duk vetëm nja tre a pesë vjet më e re se bashkëshorti. Sjellja e saj më dha të kuptoja se duke shkuar pa lajmëruar po bëja një vizitë të papërshtatshme.

         Për të mos e zgjatur hyra drejt e në temë. I kujtova Lasgushit ato dy dokumentet dhe iu luta që të ma vinte në dispozicion sa për ta lexuar numërin e parë të gazetës Shqipëtari / Albanezul të Nikolla Naços. Doja të mbaja disa shënime që të shkruaja një artikull. Në Bibliotekën Kombëtare nuk kishte asnjë numër të kësaj gazete. Numëri i parë i saj kishte dalë shqip e rumanisht më 16 korrik 1895. Ky numër ishte me vlera historike sepse shënonte daljen e gazetave shqiptare të Rilindjes. Mirëpo Lasgushi më tha se këtë dokument dhe të tjera i ruante te shtëpia e tij në Pogradec dhe se ato nuk i kishte të sistermuara dhe kushedi se kur mund t’i gjente.

         Pastaj filloi të tregonte për vajtjen e tij në Bukuresht kur ishte djalë e ri. Tregoi se shkoi te një kushëriri i tij që shiste birra në një kafene-birrari. Për të fjetur kushua i shtroi disa plaçka në një gade birre bosh që rrinte shtrirë te një qoshe e dyqanit. I hodhi diçka për mbulesë dhe vijoi punën. Mirëpo Lasgushin, edhe pse ishte i lodhur, nuk po e zinte gjumi. Nuk ishin bisedat dhe zhurmat e njerëzve që e pengonin të flinte, por pozicioni me këmbë shumë të mbledhura.

            “Tërë natën u përpëlita duke u kthyer sa majtas djathtas, por nuk fjeta dot”, tha Lasgushi dhe sqaroi: “Njeriu nuk fjetka dot po të mos i shtrijë këmbët.”

         Pas këtij rrëfimi u ngrita dhe ika duke ia dhënë dorën me ngrohtësi. Deshi të delte te porta, por unë i thashë se bënte ftohtë dhe nuk ishte e nevojshme të më përcillte. Më pa me ato sytë e tij që të zhbironin dhe u kthye te divani. Vajzat erdhën deri te porta dhe pasi u përshëndetëm, e mbyllën portën.

         Jam mjeshtër i poezisë, si im atë – usta i punimit të bakrit

         Një herë tjetër shkova te Lasgushi bashkë me Julian. Ishte pranvera e vitit 1977 ose 1978. Julia kishte shkruar një poezi dhe donte t’ia recitonte. Ishte një poezi peisazhi. Lasgushi, pasi e dëgjoi, nuk e kritikoi faktin se poezia nuk kishte varg të rregullt dhe rimë, por theksoi: “Ambjentin e ke përshkruar mirë, por mungojnë lëvizjet. Peisazhi poetik pa lëvizje, pa jetën e gjallë, është i vdekur.”

         Menjëherë më erdhi në mend poezia e tij “Poradeci”:

“Perëndim i vagëlluar mi Liqerin pa kufir.

Po përhapet dal-nga-dalë një pluhùrë si një hije.

Nëpër Mal e në Lëndina shkrumb i natës që po bije,

Dyke sbritur që nga qjelli përmbi Fshat po bëhet fir…

E kudo krahin’ e gjërë më s’po qit as pipëlim:

Në katund kërcet një portë… në liqer hesht një lopatë…

Një shqiponjë-e arratisur fluturon në Mal-të-Thatë…

Futet zemr’ e vetëmuar mun në fund të shpirtit t’im.

Tërë fisi, tërë jeta, ra… u dergj… e zuri gjumi…

Zotëroi më katër anë errësira…

Po tashi:

Dyke nisur udhëtimin mes-për-mes në Shqipëri,

Drini plak e i përrallshëm po mburon prej Shëndaumi.”

         Kështu ishin plot jetë edhe poezitë e tjera të peisazhit të tij si “Kroi i fshatit tonë”, etj. ku peisazhi ishte i mbushur me jetë njerëzore, me lëvizjet e njerëzve dhe të qenieve të gjalla.

         I thashë: “Ke të drejtë, Lasgush.”

            “Kam të drejtë sepse jam mjeshtër i poezisë, unë e di si krijohet poezia dhe askush nuk mund të më kritikojë pse e kam shkruar në këtë ose atë formë një poezi.” – tha me një farë krenarie dhe shtoi: “Im atë ishte usta i mbaruar si punues i bakrit. Unë nuk mund t’i bëja atij asnjë vërejtje sesi i kishte krijuar tenxheret, kusitë, tepsitë, pjatat prej barkri të cilat pasi u jepte format e duhura i kalliste nga brenda dhe i lyente nga jashtë me një ngjyrë të errët. Im atë ishte usta i punimit të bakrit, kurse unë u bëra usta, mjeshtër i poezisë.”

         M’ u kujtua sesi një herë, kur u ndodha në zyrën e Dionis Bubanit te revista Hosteni ra zilja e telefonit. Në telefon fliste Lasgushi. Dionisi i drejtohej jo me emër as me formën e respektit “zoti Lasgush”, por me fjalët: “Po mjeshtër…, mjeshtër të lutem”, etj.” Dionisi e kishte kryer shkollën e mesme në Bukuresht dhe dinte ta vlerësonte Lasgushin si e meritonte, kurse unë me kolegët e mij, të diplomuar në Universitetin e Tiranës, i drejtoheshim këtij poeti të shquar thjesht me emrin e tij, Lasgush, sikur të ishte shoku ynë. Dionisi më tha se Lasgushi ishte i vetmi poet në Shqipëri që kishte gradën shkencore Doktor në Flozofi, pra PhD, si e shkruajmë sot. Lasgushi, si dhe Eqrem Çabej, ishin njerëz të thjeshtë në sjellje dhe biseda. Ata nuk i përmendnin titujt, veprat dhe arritjet e tyre, por në sjelljen e tyre fisnike ndjehej krenaria e të qenit njerëz të shquar, njerëz të formuar në botën Perëndimore. Dhe ku, në Austri.

         Shkollim marrin të gjithë, por kulturë hiç fare

         Një herë tjetër shkova përsëri me Julian. Lasgushi ishte në oborr bashkë me Ing. Petraq Kolevicën. Sapo ishin ngritur nga karriket. Petraqi i dha dorën dhe u bë gati për të dalë. Unë kisha qejf të rrinte dhe ky intelektual i shquar e poet, që ta dëgjonim së bashku mikun tonë. I bëra shënjë me dorë, por gjestit tim iu përgjigj me ngritjen e dorës së djathtë duke treguar orën, pra i kishte vajtur ora për një punë a takim tjetër.

         Petraq Kolevica kishte qenë një nga ata nxënësit e shkëlqyet (exelence) që kishte nxjerrë gjimnazi i Korçës që nga vitet kur kishte qenë Lice Francez dhe deri më 1990. Të gjithë këta ishin shquar më vonë në fusha të ndryshme. Petraqi e tregoi veten intelektual i shquar në disa drejtime si arkitekt, shkrimtar, poet, përkthyes dhe pastaj si botuesi i librit me shënime “Lasgushi më ka thënë”, punë të cilën duhej ta kishim bërë një nga ne studiuesit e letërsisë shqiptare të së kaluarës. Por ne luftonim të realizonim planin që na ngarkonte drejtoria, kurse për ndonjë punë jashtë planit, si mbledhje kujtimesh nga Lasgushi, Ali Asllani, Mitrush Kuteli, Vedat Kokona, etj as na shkonte në mend. Nuk na shkonte në mend sepse ishim punonjës shkencorë pa shkëndia dhe të patalentuar…

         Pasi hymë brenda, pas disa bisedash, Lasgushi tha duke qeshur:

         “Unë jap karakterizime shumë të shkurtra për njerëzit. Ja dëgjoni si e karakterizoj Skënder Luarasin: ‘Shumë patriot, shumë demokrat, shumë nevrik’.”

         “Të lumtë se e ke qëlluar, i thashë unë që e njihja Skënderin nga afër dhe shtova: “po për profesor Eqrem Çabejn a mund të japësh ndonjë karakterizim?”

         “Pa tjetër, tha Lasgushi dhe duke u drejtuar, sikur do të recitonte, deklaroi: “Njeri shumë zotni, shkencëtar shumë i zoti.”

         E duartrokitëm ne dhe vajza e tij, Maria, që ndodhej aty. Për ta ngacmuar e pyeta:          “Po vetes a i njeh ndonjë të metë?”

         Lasgushi qeshi dhe tha: “Mos kujtoni se jam engjëllush. Jam Lasgush, por dhe djallush.”

         Qeshëm të gjithë. Pastaj ra biseda për shkollat dhe shkollimin masiv të popullit. Ai menjëherë tha: “Sot Shqiperia është mbushur me shkolla, shkollim merret nga të gjithë, ama kulturë, shqiptari nuk ka hiç fare.”

         Këtë shprehje kritike ndaj gjendjes së ulët të kulturës sonë ai e përsëriti edhe një herë tjetër disa vjet më vonë, kur i shkova për vizitë bashkë me mjekun dhe shkrimtarin Misto Marko dhe me ish-shokun tim të fakultetit, Kristaq Nanushin.

         Ne që u diplomuam prej shkollës socialiste nuk na vjen mirë ta dëgjojmë këtë thënie të Lasgushit, por koha pas ndërrimit të regjimit tregoi dhe po tregon se sa kulturë të dobët kishim dhe kemi, të gjithë ne që nga pushtetarët e deri tek qytetarët me diploma të shkollave të mesme e të larta.

         Te Biblioteka Kombëtare

         Lasgushi vinte rallë te Biblioteka Kombëtare, te godina e re përballë xhamisë qendrore. Mirëpo ndodhi që një herë, kur isha duke kërkuar të dhëna për një libër te skedari i katit të parë, pashë që po hynte Lasgushi. Iu afrova. U përshëndetëm dhe si e kishte zakon, nuk u zgjat në bisedë, por nisi të më thosh një lajm, që më çuditi:

         “Po të më dërgojnë mua në Zvicër për kërkime bibliografike, unë jam në gjendje të gjej në një bibliotekë të atjeshme një libër shqip të botuar para “Mesharit” të Gjon Buzukut.”

         “Po ç’ pret, i thashë, pse nuk vete tek Aleks Buda, kryetari i ‘Akademisë së Shkencave’ dhe t’i kërkosh një shërbim”.

         “Aleksi do dërgojë mikun e tij Dhmitër Shuteriqin, jo mua. Prej meje do kërkojë vetëm të dhënat dhe aq.” 

         Nuk e zgjati më dhe kaloi më tutje, kurse unë u ktheva te skedari. Të nesërmen i thashë nëndrejtorit të Institutit të Gjuhësisë dhe Letërsisë, Prof. Koço Bihikut, mirëpo ky e mori si një shaka lasgushiane dhe nuk e ndoqi çështjen.

Filed Under: Politike Tagged With: Thanas L Gjika-Kujtime- Takime me Lasgushin

Z.Mark Qehaja zgidhet kryear i Shoqatës Shqiptaro Amerikane “Skënderbej”.Inc

December 9, 2019 by dgreca

Në mjediset e Ricardo’s restaurant në Queens, në një atmosferë vëllazërore Shoqata Shqiptaro Amerikane “Skënderbej” u mblodh për të bërë zgjedhjet. 

Anëtarët e shoqatës nën drejtimin e kryesisë u mblodhën për të bërë bilancin e punës 2-vjeçare të shoqatës e cila u krijua egzaktësisht dy vjet më parë në muajin dhjetor, ku kryetar i saj u zgjodh z.Bashkim Shehu ish zv/ministër i Mbrojtjes në post diktaturë.

Në statusin e shoqatës thuhet se zgjedhjet mbahen për çdo 2 vjet, prandaj duke e zbatuar atë me rigorozitet kryesia e shoqatës organizoi zgjedhjet për kryetar dhe kryesinë e shoqatës.

Përpara se të fillonte radha e punës të gjithë anëtarët u çuan në këmbë për të mbajtur një minutë heshtje për viktimat e tërmetit, më 26 nëntor në Shqipëri.

Fjalën e hapjes e mbajti z.Bashkim Shehu kryetar i shoqatës me temën: Veprimtaria 2 vjeçare e shoqatës;Imer Lacaj financier i shoqatës mbajti kumtesën: Veprimtaria financiare e shoqatës dhe detyra për të ardhmen.

U bënë në mënyrë demokratike diskutime nga anëtarët e shoqatës dhe dhe u dhanë mendime për mbarëvajtjen,vërejtje të ndryshme si dhe për punën e bërë për të ardhmen.

Me vëmendje u dëgjuan dhe dy rezymetë të dy kandidaturave për kryetar si Mark Qehaja dhe Imer Lacaj. 

Kryetarja e komisionit te zgjedhjeve Alketa Ktona me plot kompetencë ndoqi procedurën e zgjedhjeve së bashku me anëtaret e komisionit të cilët ishin Nikollë Nilaj dhe Faton Zogiani. Pasi votimi u bë në mënyrë shumë të rregullt, demokratike dhe të fshehtë komisioni numëroi votat dhe shpalli fituesit.  Kryetar u zgjodh z.Mark Qehaja dhe n/kryetar z.Imer Laçaj njëkohësisht dhe financier i shoqatës.  

Z.Mark Qehaja falënderoi të gjithë të pranishmit që e zgjodhën si dhe gjithë anëtarët e shoqatës për mbështetjen që i kanë dhënë.  Ai propozoi anëtaret e kryesisë ekipin me të cilin do të punojë për shoqatën të cilët janë: Imer Laçaj n/kryetar, dhe anëtarët e kryesisë si: Alketa Ktona, Arta Xhaferri, Faton Zogiani, Nikollë Nilaj dhe Glen Nutaj.  Z.Qehaja lexoi programin për vitin 2020 te dhe njëkohësisht falënderoi përzemërsisht kryetarin e shoqatës z.Bashkim Shehu i cili u mirëprit njëzëri si kryetar nderi i shoqatës.

Pas zgjedhjeve anëtarët drekuan dhe trokëllitën gotat me verë së bashku për punën e kualifikuar të shoqatës për këto dy vjet si dhe për aktivitetet që do tëzhvillohen në të ardhmen.Moderoi programin Kozeta Zylo anëtare nderi e Shoqatës Shqiptaro Amerikane “Skënderbej”

Queens, New York

8 dhjetor, 2019

Filed Under: Featured Tagged With: Marka Qehaja-Kryetar i Shoqates-Skenderbej Inc

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 801
  • 802
  • 803
  • 804
  • 805
  • …
  • 5724
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare
  • Në sinoret e Epirit…
  • Mbrëmë hyri në fuqi Ligji i SHBA për autorizimin e mbrojtjes kombëtare
  • Skënderbeu “grek”, ose si të bëhesh grek pa e ditur
  • A historic moment of pride for the New Jersey Albanian-American community
  • U zhvillua veprimtaria përkujtimore shkencore për studiuesin shqiptaro-amerikan Peter Prifti
  • Dashuria që e kemi dhe s’e kemi
  • “Jo ndërhyrje në punët e brendshme”, dorëheqja e Ismail Qemalit, gjest atdhetarie dhe fletë lavdie
  • Arti dhe kultura në Dardani
  • Gjon Gazulli 1400-1465, letërsia e hershme shqipe, gurthemeli mbi të cilin u ndërtua vetëdija gjuhesore dhe kulturore e shqiptarëve
  • “Albanian BookFest”, festivali i librit shqiptar në diasporë si dëshmi e kapitalit kulturor, shpirtëror dhe intelektual
  • VEPRIMTARI PËRKUJTIMORE SHKENCORE “PETER PRIFTI NË 100 – VJETORIN E LINDJES”

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT