• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

RACIZMI NDAJ MINORITETEVE NË GREQI, NË VEÇANTI ATIJ SHQIPTAR

December 8, 2019 by dgreca

Nga Arben LLALLA/

Tema të cilës po i referohem ka të bëjë me marrëdhëniet e Greqisë me minoritetet, në veçanti me minoritetin shqiptar nga Çamëria me rastin e 10 dhjetorit, Ditës të të Drejtave të Njeriut. Pra, çështja që do të parashtroj ka të bëjë me dëbimet e shqiptarëve që nga viti 1913-1945.

1.) Racizmi ndaj minoriteteve në Greqi

Greqia nuk ka pasur mesjetë, rilindje, luftë për rezistencë ndaj pushtuesve osmanë. Ajo gjithnjë është banuar pas rënies së Bizantit nga shqiptarët, hebrenjtë, turqit, romeit(grekët shekujt më parë parapëlqenin të quheshin romei se sa elenas apo grek), maqedonasit, bullgarët. Të cilët pasi u përzgjodhën formuan shtetin modern grek me një histori mashtruese mitologjike. Fakti që në Greqi flitet nëpër rrethet familjare shqipja, turqishtja, hebraishtja, maqedonishtja, bullgarishtja tregon se ende ka popullsi të pa asimiluar edhe pse shtypja shtetërore ka qenë dhe është e egër.

Hebrenjtë më së shumti kanë jetuar në qytetin e Selanikut ku dikur ndodhej edhe varreza më e madhe e tyre në Evropë me mbi 500 mijë varre2, por këtë varrezë grekët e prishën dhe me pllakat e mermerta ndërtuar Universitetin Aristoteli. Pra, atje ku sot mësojnë mijëra të rinj në Selanik kanë qenë varrezat e hebrenjve. Ndërsa gjatë luftës së dytë botërore shumicën e hebrenjve grekët ua dorëzuan gjermanëve për tu dërguar nëpër kampet izolimit. Nga rreth 56 mijë hebrenj që kishte Selaniku në vitin 1941, kur gjermanët e pushtuan atë, brenga pak muajsh u dërguan për në kampet e përqendrimit 54. 0503 mijë, pra mbi 96% të popullsisë të këtij minoriteti. Sot komuniteti hebre në Greqi nuk njihet zyrtarisht dhe ka vetëm një varrezë e vogël në Selanik që mirëmbahet nga shteti Izraelit.

Në fillim të viteve 1970 kanë prishur në Selanik varrezat e shqiptarëve, të bullgarëve dhe rumunëve. Këto varrezat kanë qenë pronë e këtyre komuniteteve.

Minoriteti bullgar është asimiluar, vetëm diku nga zona e Seres jetojnë ende disa qindra pleq që e flasin gjuhën bullgare. 

Greqia minoritetin turk e ka zvogëluar pak nga pak. Turqit që dikur jetonin në Selanik pothuajse janë asimiluar. Ata më shumë bëjnë punë të rëndomta duke shitur me karroca dore çaj, salep dhe gjevrek. Këta qytetarë grek me origjinë turke të cilët ruajnë gjuhën e tyre amtare jetojnë në disa kasolle nëpër cepat e rrugëve të lagjeve të vjetra të qyteti. Turqit që jetojnë në Evro-Thraqi njihen si grek të fesë islame dhe jo minoritet turk. Kjo popullsi e fesë islame që janë turq kanë arritur të përfaqësohet në fillim të viteve 1990 me tre deputet në Kuvendin e Republikës greke, por këta deputet gjithnjë janë njohur si mysliman që përfaqësojnë partitë politike greke. 

Vllehët në Greqi janë minoriteti më i përkëdhelur në aspektin e pushtetit, por që nuk u njihen të drejtat gjuhësore dhe kulturore. Ata njihen si vllehët grekë (ellinovllahon). Popullsia vllehe në shumë raste kanë zënë pasuritë e shqiptarëve dhe të maqedonasve pasi këta u përzunë me dhunë nga trojet e tyre.

Pasi Greqia përzuri mijëra shqiptarë nga tokat e tyre, grekët filluan përzënien e maqedonasve që banonin në brezin kufitar nga Follorina, Edesa, Selanik dhe Kilkiz. Në emër të luftës qytetare (1946-1949) për pushtet midis forcave të djathta (IDEA) që ndihmoheshin pa rezerva nga Britania e Madhe dhe Sh.B.A dhe forcave të majtat të njohura Filluan masakrat në fshatrat ku jetonte minoriteti maqedonas. Si pasojë mijëra maqedonas u shpërngulën nga shtëpitë e tyre dhe u strehuan në fillim në Shqipëri dhe në ish-Jugosllavi. 

Lufta qytetare greke 1946-1949, ishte me pasoja tragjike në veçanti për minoritetin maqedonas të cilët pësuan fatin e minoritetit shqiptar në Çamëri, atë të mohimit të rikthimit të trojet e tyre, përfitimin e pasurisë së patundshme. Ironike është se minoriteti shqiptar u masakrua dhe u përzu në akuzën si bashkëpunëtorë me pushtuesit gjerman. Kurse minoriteti maqedonas u masakrua dhe u përzu me akuzën si bashkëpunëtorë të Ushtrisë Demokratike Greke që udhëhiqej nga komunistët grekë.

2.) Dhuna ndaj minoritetit shqiptar 1913-1945.

Me një mjeshtëri raciste shteti grek që nga fundi i vitit 1912 dhe fillimi i vitit 19913 kanë përzërë sistematikisht shqiptarët e Greqisë. Bëhet fjalë në përgjithësi për shqiptarët e fesë islame. Por edhe ata shqiptar ortodoks që nuk pranuan të deklaroheshin me kombësi greke u masakruan ose u përzunë nga shtëpitë e tyre për të jetuar në qytetet në thellësi të Greqisë për tu asimiluar më shpejtë. Shqiptarët që u përzunë dhe ishin shtetas grek në fillim ju hoq shtetësia greke dhe i deklaruan të humbur, njerëz pa adresë. Më tej, ju përvetësuan pasuritë duke ua dhënë të tjerëve. Në tokat e sekuestruara u vendosën emigrantët ortodoksë të ardhur nga Azia e vogël. Shqiptarëve që ju janë përvetësuar pasuritë nga shteti grek ndahen në dy kategori: 

a). Shqiptarëve që ju përvetësua pasuria pa të drejtë me marrëveshjen e Lozanës si popullsi e shkëmbyeshme islame me ortodoksit.

b). Popullsia shqiptare çame që u quajt nga grekët bashkëpunëtore me pushtuesit gjermanë.

Me dekret ligji të viteve 1923-1932, Greqia përvetësoi të tërë pasuritë e shqiptarëve islamik me pretekstin e marrëveshjes së Lozanës si popullsi shkëmbyese midis turqve islamik dhe ortodoksëve grekë. Kjo ide gjente mbështetje në qarkoren e Ministrisë së Bujqësisë Greke, të 1 tetor 1922, e cila urdhëronte administratën e përgjithshme të Epirit, që”… familjet e refugjatëve të stabilizoheshin në pronat e myslimanëve shqiptarë”, (AYE/A/5 (9). (Guvernatori i Përgjithshëm i Epirit, MPJ Greke, Janinë 2 mars 1923). Në qendrat kryesore të Çamërisë, si në Filat, Paramithi e Margelliç u krijuan enkas zyra për të shtetëzuar pronat e myslimanëve shqiptarë, (Conference de Lausanne sur les Affaires du Prache Orient, 1922-1923).4

Në fillim të vitit 1926 në Gjenevë Kryetari i Greqisë Teodoros Pangallos bëri një deklaratë zyrtare para Lidhjes së Kombeve me të cilën Greqia njihte minoritetin shqiptar dhe nuk i quante më shqiptarët muhamedanë që jetonin në territorin e saj si popullsi turke. Ai ndër të tjera deklaroi: “Pavarësia dhe statuskuoja e Shqipërisë përbëjnë interes të madh për Greqinë, sepse politika e saj është bazë për ruajtjen e paqes në Ballkan…

Teza që është mbajtur nga ne deri sot se ortodoksit shqiptar janë grekë është e gabuar dhe e shkelmuar nga të gjithë. Me që ajo ka marrë të tatëpjetën dhe arriti pikën e rraskapitjes, mora masat e duhura dhe shpërndava të gjitha shoqëritë vorioepiriote që mëshironin skaje më ekstreme të këtij mendimi të sëmurë”.5

Më 18 janar, ambasadori shqiptar në Athinë, Mit’hat Frashëri mori premtimin nga ministri grek i Jashtëm se do të merrej ai personalisht me çështjen e shkëmbimit të çamëve, ndërkohe që vetë z.Pangallos i deklaroi se çamët myslimanë do të përjashtoheshin nga procesi i shkëmbimit. Një muaj më vonë, në shkurt të të njëjtit vit, u shpall dhe zyrtarisht vendimi për përjashtimin e të gjithë shqiptarëve të Epirit nga masa e shkëmbimit të detyruar dhe amnistinë e çamëve që akuzoheshin për kryerjen e propagandës politike, duke i dhënë në këtë mënyrë një zgjidhje përfundimtare çështjes, zgjidhje e cila sigurisht kënaqte në mënyrë absolute palën shqiptare. 

Deklarimi i Kryetarit të Republikës Greke gjenerali Teodor Pangallos për të përjashtuar shqiptarët çamë të Epirit nga masa e shkëmbimit midis popullsisë turke myslimane me popullsinë kristiane greke ishte vendimtar për ecurinë e të gjithë çështjeve. Përmbajtja e çështjes u zhvendos nga përcaktimi i prejardhjes dhe identiteti kombëtar të popullsisë myslimane të Epirit dhe nga përfshirja ose jo në masën e shkëmbimit të detyruar, në procesin e përfshirjes së saj në shtetin grek dhe respektin ose jo të të drejtave të saj nga autoritetet greke. 

Kështu, nga çështja “greko-turke”, tashmë zhvillohet tema që ka të bëjnë me marrëdhëniet greko-shqiptare, të cilat do të ndikojnë dhe në periudhën e ardhshme në një shkalle shumë të lartë. Prezenca e myslimanëve çamë në Epir përbënte një rast të veçantë dhe një dokument të fortë bisedimesh që synonte të përdorte qeveria shqiptare me qëllim arritjen e një normalizimi të kënaqshëm të synimeve të saj ekonomike për sa i përkiste çështjes së pronave.6

Por çështja e shqiptarëve në Çamëri nuk do të zgjidhej edhe pse diplomatët dhe politikanët grek premtonin. Vitet në vazhdim shteti grek në emër të reformës agrare 1925-19277 u ndaloji të gjithë atyre njerëzve që nuk kishin kombësi greke të drejtën e tokës bujqësore. Italianët, francezët, gjermanët, turqit që kishin prona në Greqi u dëmshpërblyen, vetëm shqiptarët nuk u dëmshpërblyen. Pas pak vitesh do të fillonte lufta e dytë botërore. Me kapitullimin e Gjermanisë grekët rinisën masakrat mbi popullsinë shqiptare në Çamëri.

Shqiptarët çam që u përzunë në vitet 1944-1945 shteti grek i quajti bashkëpunëtor të gjermanëve dhe në mënyrë kolektive u hoqi shtetësinë greke, u përvetësojë dhe pasuritë. Me disa ligje primitive Greqia u mohoji çdo të drejtë njerëzore të gjithë atyre shtetasve grekë që nuk kishin pranuar kombësinë greke të rikthehen ndonjëherë edhe si vizitor në Greqi. 

Në vitet 1972 – 1982 qeveritë greke nxorën ligje që u lejohej çdo shtetasi grek i përzënë të rikthehej dhe të merrte pasurinë ose kompensim. Nga këto ligje për tu rikthyer u përjashtuan shqiptarët çam edhe maqedonasit e Egjeut pasi ligji përcaktonte se i faluri duhej të kishte kombësinë greke dhe në mërgim të kishte mbajtur qëndrim kombëtar grek.

a.-A ka ende në Çamëri shqiptar, shtetas të Greqisë?

Mendoj që nuk duhet të lind pyetja a ka çamë në Çamëri sepse pas masakrave të vitit 1945 shumë familje shqiptare nga Çamëria depërtuan thellë në Greqi për ti shpëtuat njëherë e përgjithmonë persekutimit shtetëror. Shqiptar autokton që kanë shtetësi greke jo vetëm ka në Çamëri por edhe në të tërë Greqinë.

Gjatë kërkimeve të mia kam takuar disa shtetas grekë që ishin me origjinë shqiptare në Epir. Në qytezën e Konicës të cilën e kam vizituar disa herë kam takuar grekë me origjinë shqiptare. Mbaj mend se kishte edhe të fesë islame dhe quhej Ibrahim. Ai kishte një kafene në qendër të qytezës dhe gruan e kishte nga Leskoviku i Shqipërisë. Këta grek me origjinë shqiptare nuk shiheshin mirë me sy nga pushteti vendor. Në vitin 1991 takova në afërsi të Gumenicës një grek dhe më foli në gjuhën shqipe. Gjatë bisedës më deklaroji se prindërit e tij ishin me origjinë shqiptare nga Çamëria. Në krahinën e Çamërisë ka shumë grekë që kanë krijuar familje me vajza nga Shqipëria. Shumë prej këtyre grekëve me origjinë shqiptare për ta ruajtur origjinën janë martuar me shqiptare të cilat emigruan në fillim të viteve 1990. Fshati Aidonta dikur quhej Ftini dhe ndodhet në Prefekturën e Prevezës së Çamërisë. Nga ky fshat është studiuesi i njohur Nikos Stylos i cili jeton prej shumë vitesh në Gjermani. Ai e pohon origjinën e tij shqiptare dhe e flet shumë mirë gjuhën e mëmës, shqipen. Niko Stylos ka shkruar për racizmin grek ndaj fëmijëve që vinin nga familjet shqiptare në vitet 1950-1960 dhe ndiqnin shkollën greke. Ai është shprehur për një gazetë shqiptare: “Mësuesi na godiste me shkop, sa herë që flisnim arvanitisht (shqip, shën.A.Llalla), një shkop për një fjalë”.10

Gjithnjë prindërit e fëmijëve që vinin nga familjet shqiptare thirreshin në shkollë nga mësuesit për ecurinë e fëmijëve të tyre. Ata këshilloheshin që mos të flisnin përpara fëmijëve në gjuhën shqipe, por të bisedonin vetëm greqisht. Edhe pse nën një presion të tillë çamët që u shpëtuan masakrave të ushtrisë së Zervës e ruajtën gjuhën shqipe. Shumica e shqiptarëve nga Çamëria që i përkisnin besimit fetar ortodoks pas përzënies në çamëve të fesë islame u larguan për në qytetet larg krahinës së Çamërisë. Në vitet 1995 në qytetin e Selanikut kam takuar një çam ortodoks që kishte ardhur në Selanik pas viteve 1950 dhe në Shqipëri kishte xhaxhanë në qytetin e Elbasanit që i përkiste fesë islame, ndërsa ai vetë ishte konvertuar në ortodoks. 

            Këto janë vetëm disa dëshmi që tregojnë se ende në Çamëri ka shqiptar që u kanë mbijetuar rrebeshëve të kohës me sakrifica të mëdha duke frymuar shqip.

Në përfundim

Greqia duke mohuar ekzistencën e minoriteteve turke, shqiptare, maqedonase, bullgare, hebreje kërkon nga vendet fqinje të plotësojnë kushtet për mbrojtjen e të drejtat e njeriut. Në veçanti të minoritetit grek që jeton në disa fshatra të humbura rrëzë një mali të thatë në Jugun e Shqipërisë. Ndërsa vetë shteti që pretendon se ka demokraci, disa herë ka qenë në qendër të kritikave nga organizatat e ndryshme Ndërkombëtare për shkeljet e të drejtave të njeriut deri në diskriminim racor e fetar. Çështja e mbrojtjes të të drejtave të njeriut në Greqi është në shkallë të ulët për tu zbatuar nga shteti grek. Edhe pak ato organizata joqeveritare greke që thirren në emër të mbrojtjeve të të drejtave të njeriut nuk janë shumë aktive kur bëhet fjalë për mbrojtjen e të drejtave të minoriteteve në Greqi që zyrtarisht nuk pranohen nga shteti. Greqia nuk u shtron racizëm shtetëror vetëm ndaj minoriteteve por edhe kundër qytetarëve të saj që i përkasin etnisë greke, por janë të besimeve fetare jo ortodoksëve si p.sh të besimit fetar katolik, jakuva, ateist, protestant, hebre. Të cilët janë të pakët në numër dhe shtypen brutalisht nga shumica e besimit fetar ortodoks.


2 Robert D. Kaplan, “GREQIA: Dashnorja e Perëndimit, Gruaja e Lindjes“, Tiranë, 2002, fq. 25.

3 Po aty, fq. 26.

4 Gazeta, “SHEKULLI”, Tiranë, 9 janar 2008. 

5 Ilir Ushtelenca, “DIPLOMACIA E MBRETIT ZOGU I-rë”, Tiranë, 1997, fq. 118.

6 Revista, “ALBANICA”, Prishtinë, maj 2007. fq. 37.

7 Mentor Nazarko, “LUFTA E FUNDIT, Pronat e shqiptarëve në Greqi”,Tiranë, 2007, fq. 50

10 Gazeta, “KOHA Ditore”, Prishtinë, 10 shtator 2004.

Filed Under: Analiza Tagged With: Arben Llalla-Racizmi Grek- shqiptaret

NJE MEMORIAL QE AKUZON SERBO-MALAZEZET

December 8, 2019 by dgreca

INAUGUROHET MEMORIALI KUSHTUAR VIKTIMAVE TË MASAKRËS SERBO-MALAZEZE NË HOT TË MALËSISË SË MADHE NË VITIN  1919/

                       “Sot heshtja mbaron” – “Serbia të kërkojë falje”/

                                         Nga Frank Shkreli/

Sipas disa mediave vendore, nga të dy anët e kufirit shqiptaro-shqiptar, në ceremoninë në Kushe të Hotit, për Zbulimin e Memorialit Kushtuar Masakrës së Hotit, të Vitit 1919, morën pjesë shqiptarë dhe personalitete nga mbarë trojet shqiptare, përfshirë edhe zyrtarë përfaqsues të pushtetit vendas, si Kryetari i Bashkisë Malësi e Madhe, Z, Tonin Marinaj dhe Nikollë Camaj, përfaqsues i Komunës së re të Tuzit.  Z. Camaj u tha të pranishëmve se Shqiptarët dinë të jenë së bashku në fatkeqësi.  Kjo u pa edhe në ngjarjet e fundit që tronditën Shqipërinë.  Por, Shqiptarët nganjëherë harrojnë t’i bashkojë e mira, për të cilën kemi aq nevojë”, theksoi Z. Camaj.  “Neve sot jemi të gjithë së bashku për të kujtuar sakrificat e mëdha, por në të njëjtën kohë edhe për të venë në dijeni për sakrificat dhe padrejtësitë, se viktimat që na i kanë shkaktuar të tjerët në të kaluarën, po kalojnë pa pasoja (për ata që i kanë kryer këto krime).   Nuk mund të flitet për marrëdhënie të shëndosha me pasardhësit e atyre që na kanë shkaktuar dëme e dhimbje aq të mëdha, që na kanë shkaktuar serbo-malazezët.  Prandaj nga ky vend, nga kjo foltore, nga kjo ditë që është tepër e rendësishme për këtë anë, dua të përcjellë mesazhin e nevojës që edhe sot në proceset e integrimeve të Ballkanit, përfaqsuesit tonë të kërkojnë nga përfaqsuesit serbo-malazezë, se ata kanë nevojë dhe obligim njerëzor, si fqinjë që jemi, se që të vazhdojmë jetën së bashku në fqinjësi të mirë, që së paku njëherë t’i këthejmë sytë nga e kaluara dhe të turpërohen para krimeve që na kanë shkaktuar, e na i kanë bërë”, shtoi Z. Nikoll Camaj.  Përfaqsuesi i Komunës shqiptare të Tuzit, Z. Nikoll Camaj, me këtë rast u bëri thirrje serbo-malazezëve që të kërkojnë falje për këtë masakër dhe për të tjera, megjithëse u shpreh pesimist se një gjë e tillë do të bëhej nga ata.  “Vështirë se mund të presim nga serbët dhe malazezët një gjë të tillë, por ama nuk do t’i kursejmë (me thirrjet tona) në këtë drejtim”, deklaroi përfaqësuesi i Komunës së Tuzit, Z. Nikoll Camaj.
 
Ndërsa Kryetari i Bashkisë Malësi e Madhe, Z. Tonin Marinaj pati fjalë të mira për pasardhësit dhe familjarët e malësorëve të masakruar, pabesisht, nga forcat serbo malazeze 100-vjetë më parë, duke thënë se megjithse ata, “Jetojnë larg në diasporë nuk janë kursyer për të nderuar gjakun dhe sakrificën e të parëve të tyre, duke nderuar kështu Hotin dhe gjithë Malësinë e Madhe”, u shpreh Kryebashkiaku i Malësisë së Madhe, Z. Tonin Marinaj, duke thekësuar kontributin e mërgimtarëve malësorë për trojet nga e kanë origjinën.
 
Sot, me zbulimin e këtij monumenti, kujtojmë të gjithë ata që u masakruan dhe ata që vazhdojnë të vuajnë padrejtësi nën regjime autoritare.  Ky Memorial kushtuar malësorëve të masakruar nga serbo-malazezët në vitin 1919 na kujton se fryma e lirisë mbizotëron në zemrën e secilit prej nesh dhe se drita e lirisë nuk mund të shuhet as nga regjimet totalitare dhe as nga pushtuesit brutal.  Liria është një dhuratë nga Perëndia!  Ky Memorial është një monument për kauzën e lirisë dhe për luftën e malësorëve në mbrojtje të identitetit të tyre arbëror.  Burrat e  ekzektuar të Malësisë, të cilëve u kushtohet ky Memorial, pushofshin në paqë dhe shqiptarët anë e mbanë trojeve të tyre – përfshir edhe malësorët — të cilët vazhdojnë ende të vuajnë nga padrejtësitë dhe nga mungesa e lirisë së vërtetë, të gëzojnë më në fund liritë dhe të drejtat bazë të njeriut, liri dhe të drejta kombëtare, për të cilat u masakruan 71 malësorët e Hotit në vitin 1919, nag forcat serbo-malazeze.
Lavdi këtyre Hotjanëve dhe të gjithë brezave të Hotit që, në trojet e veta shekullore, kurrë nuk iu nënshtruan asnjë armiku të Kombit shqiptar.  Urime edhe bijve, nipave e mbesave të tyre këtu në Shtetet e Bashkuara, të cilët nuk i harrojnë, por e kujtojnë sakrificën e të parëve të tyre, në mbrojtje të Atdheut dhe të identitetit kombëtar të malësorit dhe të shqiptarëve në përgjithësi!

Filed Under: Analiza Tagged With: Frank Shkreli-Mmeoriali -Malsoret- Serbo-Malazezet

EU Welcomes Albanian Election of New Prosecutor General

December 8, 2019 by dgreca

The EU ambassador to Tirana has congratulated Albania’s parliament for electing a new Prosecutor General, seeing it as a major step forward in the battle to fight high-level corruption and organised crime.

BY GJERGJ EREBARA/ The European Union congratulated Albanian MPs after they elected Olsian Cela to be the country’s new Prosecutor General on Thursday by a huge majority.

Cela secured 101 of the 140 votes of MPs in parliament. He was elected almost two years after the country started sweeping justice reforms intended to fight corruption and organised crime.

Cela is the first Prosecutor General elected on the basis of these reforms, which aim to make prosecutorial service more politically independent and empower it to fight corruption at all levels.

The European Union has put strong pressure on Albania to do more to curb crime and corruption if it wants to advance towards closer integration and eventual membership, and the EU ambassador to Tirana, Luigi Soreca, welcomed the news of the appointment.

Cela, 42, started his career in the Albanian justice system in 2002 after graduating from the magistrates’ school. He became a prosecutor in the Serious Crime Unit in 2004.

His seven-year mandate will be largely limited to administrative tasks, as each prosecutor will be independent in his or her procedural decisions.

However, during his interview for the job, Cela promised to work “to protect citizens from the violence of the state” and criticized a recent government tendency to harshen the penal code, considering it counter-productive.

Albania adopted its massive justice reform programme in 2016, hoping to get rid of corrupt or inept judges and prosecutors and create a new institutional framework able to confront corruption among politicians and high-level officials.

However, the transition to the new system had resulted in difficulties. Many institutions have taken longer than expected to be established or replenished, including the Constitutional Court, which lost all of its original members and is currently not operational.(-Balkaninsight)

Filed Under: Analiza Tagged With: Gjergj Erebara-New Prosecutor General

Shqipëri: Prokurori i ri i përgjithshëm fillon detyrën

December 8, 2019 by dgreca

Prokurori i ri i Përgjithshëm i Shqipërisë, Olsian Çela, ka marrë në dorëzim detyrën nga paraardhësja e tij, Arta Marku. Shqipëria plotëson kështu një nga kushtet e Bundestagut për çeljen e negociatave me BE.

Nga Ina Ruci/

Prokurori i ri i përgjithshëm i Shqipërisë, Olsian Çela, ka paralajmëruar rikonceptimin e Prokurorisë së Përgjithshme. Gjatë marrjes në dorëzim të detyrës nga paraardhësja, Arta Marku, ai tha se tani po “hyjmë në një fazë të re, ku po ndërtohen institucionet e reja të drejtësisë. Prokuroria ka pësuar ndryshime rrënjësore dhe kjo kërkon një angazhim të ri dhe konceptim të ri si duhet të funksionojë ky organ”.

Olsian Çela u zgjodh të enjten (5.12.2019) nga Parlamenti, Prokuror i Përgjithshëm i Shqipërisë. Ai ishte në krye të 3 propozimeve që Këshilli i Lartë i Prokurorisë i dha Parlamentit për të votuar. Olsian Çela mori 101 vota kur ligji parashikon 84 për të fituar mbi kandidaturat e tjera, duke e bërë të panevojshme përfitimin nga klauzola e ligjit që parashikon që kandidati në krye të listës zgjidhet automatikisht Prokuror i Përgjithshëm.

Dy kandidatet e tjera në garë, Prokurorja e Përgjithshme e Përkohshme, Arta Marku, dhe Prokurorja e Apelit, Fatjona Memçaj, morën shumë pak vota në krahasim me Olsian Çelën: Marku 11 vota dhe Memçaj 8.  Olsian Çela është trajnuar në BE dhe SHBA për të luftuar krimin e organizuar. Mandat i tij do të jetë 8 vjeçar. 

BE përshëndet

Zgjedhja e Olsion Çelës Prokuror i Përgjithshëm është përshëndetur nga Delegacioni i Bashkimit Europian (BE)  në Shqipëri. Ambasadori i këtij Delegacionit, Luiggi Soreca, tha përmes një postimi në twitter “E mirëpresim zgjedhjen nga Parlamenti të zotit Olsian Çela si Prokuror i Përgjithshëm”.

Zgjedhja e Prokurorit të Përgjithshëm shënon një hap të rëndësishëm përpara në vijimin e Reformës së Drejtësisë në Shqipëri. Përparimi i saj dhe arritja e rezultateve të qëndrueshme në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar përbëjnë një nga kushtet kryesore  të Bundestagut Gjerman në Rezolutën për Shqipërinë, në tetorin e kaluar, dhe njëherazi për BE që Shqipëria të bëjë progres drejt hyrjes në BE. Lufta kundër korrupsionit vazhdon të mbetet një nga sfidat kryesore të Drejtësisë me gjithë rezultatet e deritanishme të arritura në Gjyqësor.

Shpresë për çeljen e negociatave

Procesi i vettingut , si procesi kyç i reformës në Drejtësi, i kryer nën monitorimin e BE dhe SHBA,  po vijon me skanimin e 800 gjykatësve dhe prokurorëve lidhur me aftësitë profesionale, përligjjen e pasurisë dhe nëse kanë ose jo rekorde korrupsione gjatë karrierës së tyre apo lidhje me krimin e organizuar. Si rezultat i këtij procesi janë nxjerrë jashtë sistemit shumica e anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese dhe Gjykatës së Lartë. Vettingu nxori kohët e fundit të pavlefshme dy anëtarë të Gjykatës Kushtetuese (GJK) të dekretuar nga Presidenti Meta.

Me zgjedhjen e Këshillit të ri të Emërimeve në Drejtësi (KED)  pritet që procesi të rifillojë me propozime të reja të këtij Këshilli për 3 anëtarët e GJK  që sipas ligjit i zgjedh Presidenti dhe 3 anëtarët që i zgjedh Parlamenti. Burime zyrtare nga Gjykata e Lartë  thanë për DW se kjo gjykatë pritet të plotësohet me anëtarë në fund të këtij viti, gjë që do të bëjë të mundur propozimin prej kësaj gjykate të tre kandidaturave  për t’u votuar në Parlament. Nëse këto procese ecin atëherë ka gjasa të plotësohen 9 anëtarët e GJK, një kusht i rëndësishëm në rezolutën e Bundestagut gjerman dhe BE për mundësinë e hapjes së negociatave të anëtarësimit në Samitin e Zagrebit, në pranverën 2020. 

Opozita akuzon

Por PD dhe opozita jashtë parlamentare në Shqipëri e akuzon qeverinë se po përpiqet t’i kapë Drejtësinë dhe institucionet e saj si Gjykatën Kushtetuese dhe Këshillin e Emërimeve në Drejtësi. 

Shqetësimi i saj për kapjen nga qeveria të drejtësisë është i pranishëm edhe në zhvillimet pas tërmetit shkatërrimtar të javës së kaluar, më 26 nëntor, kur godinat e shembura prej tërmetit rezultojnë të jenë ato ku janë shtuar kate që nuk janë në projektin e miratuar dhe që janë lejuar të ngrihen si pasojë e korruptimit të autoriteteve bashkiake, të kompanive të ndërtimit apo supervizorëve. Por prokurori i ri, Olsian Çela,  tha se  prokuroria do të gjejë “të gjithë mekanizmat për të arritur atë që populli pret” prej saj. 

Qeveria dhe drejtësia janë tani para një prove: nëse hetimet që kanë filluar për të gjetur të korruptuarit, që me veprimet apo mosveprimet e tyre shkaktuan shembjen e godinave të banimit në Durrës dhe 51 viktima, do të shkojnë deri në fund dhe çuar ata para drejtësisë apo atyre nuk do t’|i hyjë ferrë në këmbë si deri më sot.

Filed Under: Analiza Tagged With: Prokurori I ri-Olsian Cela-fitlloi nga puna

Përse kërkova azil politik

December 8, 2019 by dgreca

ZERI I AMERIKES- Agron Tufa, Drejtori i dorëhequr i Institutit për Studimin e Krimeve dhe Pasojave të Komunizmit në Shqipëri, i tha “Zërit të Amerikës” se kërkoi azil politik në një vend të Europës për shkak të kërcënimeve të shumta ndaj tij që ai i ka denoncuar. Duke folur me Skype nga një vend i Evropës ku ka kërkuar azil, zoti Tufa, publicist dhe shkrimtar i njohur, tha se nuk do ta ndërpresë veprimtarinë për denoncimin e krimeve të komunizmit.

Zëri i Amerikës: Ju jeni një shkrimtar dhe pedagog i njohur, jeni drejtues i Institutit për Studimin e Krimeve të Komunizmit – një institucion i rëndësishëm shtetëror, dhe u rizgjodhët për një mandat të dytë. Çfarë ndodhi që ju bëri të largoheni nga Shqipëria?

Agron Tufa: Konfrontimi im ka qënë për shkak të detyrës, dhe ka qënë një konfrontim që ka nisur që nga dhjetori i vitit të kaluar me intensifikim të vazhduar dhe nga 1 prilli me një fushatë të hapur në shtyp, në parlament, pra në kuvendin e Shqipërisë, në forma nga më të ndryshmet nga një segment ose një skalion i atyre që unë i quaj enveristë, që kanë punuar në organet e drejtësisë komuniste. Për shkak të pranisë së madhe në institucionet qëndrore të shtetit të ish oficerëve operativë të sigurimit të shtetit unë pra kalova në një konfrontim të hapur publik i cili pastaj për fat të keq mori natyrën e përqëndruar të një kryqëzate sulmesh kundër meje personalisht duke u shoqëruar me shpifje, shantazhe, kërcënime deri tek kërcënimet me vdekje. Këto lloj formash të presionit dhe frikësimit mbërritën në një moment kur u dendësuan dhe unë ndjeva një rrezik për jetën time dhe të familjes derisa u bë e papërballueshme dhe e padurueshme pasi kisha bërë më parë përpjekje për të gjetur drejtësi në institucionet ligj-zbatuese, në gjyqet që pata hapur ndaj këtyre personave me të kaluar tërësisht të përzishëm në diktaturën komuniste të Enver Hoxhës. Këto kanë qënë arsyet përse ika. 

Zëri i Amerikës: Zoti Tufa jemi në vitin 2019, dhe ironia është se pikërisht sot Shqipëria mori presidencën e radhës së OSBE-së, organizatë ku një komponent me rëndësi është komponenti human. Çfarë mendimi keni?

Agron Tufa: Këto lloj paradoksesh të një rendi absurd unë nuk di sesi kanë mundur të ngjasin, por sigurisht kjo gjendje nuk erdhi dhe u bë faktike e tillë, tani. Kjo ka qënë një mospërballim i situatës post-tatalitare të Shqipërisë. Ne nuk u përballëm me detyrat, dhe detyra kryesore ishte eliminimi ose mënjanimi, spastrimi nga hapësirat publike të institucioneve të legjislacionit, të drejtësisë të trashëgimisë komuniste. Ata tashmë kanë mbërritur në një pikë konsolidimi, ndjehen të sigurtë madje përdorin edhe slangun e tyre të parapëlqyer të shantazheve dhe kërcënimeve me vdekje. Unë mendoj se ne nuk u përballëm dot atëhere kur duhej dhe si duhej me këtë trashëgimi, e cila sigurisht të vetmen mënyrë sjelljeje ka pasur atë të përndjekjes, të kërcënimeve, të dënimeve, pushkatimeve, e të genocidit siç i kam studiuar unë këto tetë vite në dokumentat e dosjeve të arkivave të sigurimit të shtetit.

Zëri i Amerikës: Zoti Tufa, ju i keni denoncuar në polici kërcënimet që ju janë bërë. Si ka qënë reagimi i autoriteteve?

Agron Tufa: Unë kam nisur t’i denoncoj që në precedentët e parë, që në vitin 2017, kur gjatë një tremujori fushatë që pata hapur për sensibilizimin e opinionit dhe sigurisht parlamentit për trajtimin e produkteve të kinematografisë të Kinostudios Shqipëria e Re, për dokumentarët e kohës së Enver Hoxhës dhe filmat artistikë që përmbajnë aspekte propagande, u zhvillua një debat i gjatë publik. Sigurisht unë u përpoqa t’i rekomandoj dhe të udhëzoj komisionin e ligjeve, parlamentin shqiptar për një trajtim të këtyre filmave pasi ato binin ndesh me Kushtetutën. Si përfundim, në vend të mirëkuptimit tek ne lind muri. Dhe në këtë rast ai u shoqërua edhe me kërcënime me vdekje. Unë kam bërë kallzimet e mia në polici, por Gjykata e Lartë e pushoi çështjen. Unë i kam dokumentet. Në dy kërcënimet e tjera radhaz me vdekjen time dhe kërcënimin për shfarosjen e familjes sime, u jemi drejtuar gjykatave përmes avokatit tim dhe direkt njërit prej kërcënimeve por nuk kemi patur asnjë përgjigje sikundër edhe me gjyqet e tjera, me kallëzimet penale të kriminelëve të diktaturës, pasi kam bërë kallëzime penale, dhe nuk kemi marrë përgjigje. Ka qenë në mënyrë konstante. Gjyqi që kam hapur kundrejt deputetit Spartak Braho dhe 6 epigonëve të tij ka vazhduar nga prilli deri më sot pa bërë asnjë hap. Është një teknikë zvarritje dhe është e kotë të presësh pasi i di shumë mirë këto metoda të zvarritjes dhe të sabotimit të seancave.

Zëri i Amerikës: Zoti Tufa çfarë e inkurajon mos-zbardhjen e krimeve të komunizmit në Shqipëri? Sepase janë disa faktorë në shoqërinë shqiptare që edhe sot pas 3 dekadash krimet nuk zbardhen.

Agron Tufa: E para është, siç e thashë në fillim, që Shqipëria nuk u përball ligjërisht me inertet e diktaturës. Shqipëria nuk bëri një ligj lustracioni siç e kanë bërë vende të tjera që sot janë në Bashkimin Evropian. Në gjithë publicistikën time prej 15-20 vitesh unë bëjë këtë thirrje me disa kolegët e mi. Edhe në rastet kur ne i kishim ideale, ato u sabotuan deri në vitin 2014-2015, pra në vend të ligjit të lustracionit të propozuar nga ne dhe shoqëria civile u preferua një ligj i hartuar me ngut në zyrat e Ministrit të Punëve dhe Çështjeve Sociale që njihej si ligji Veliaj, i cili sot ka sjellë në jetë Autoritetin e Hapjes së Dosjeve për Ish Sigurimin e Shtetit i cili e vendos theksin vetëm tek bashkëpunëtorët ose ndonjë gjë e zbehtë ose në trajtimin kulturor e logjik, pavarësisht se nuk e kanë ekspertizën e duhur akademike për këto gjëra. Por ai nuk merret pikërisht me atë që ligji përcakton – të trajtojë dosjet e Sigurimit të Shtetit, të japë përgjigje dhe në vend që ta drejtojë objektivin e vet tek ish oficerët e Sigurimit të Shtetit merret me aspekte fare të vogla, me ndonjë bashkëpunëtor. Pra kjo ishte një mënyrë për ta bllokuar ligjin e lustracionit dhe në vend të tij të kishte një kontroll të ri të dosjeve i cili tashmë dihet gjerësisht që i ka shkatërruar institucionet arkivore të Shqipërisë, duke i fragmentarizuar, copëzuar dhe seleksionuar. Për më tepër, unë kam bërë vazhdimisht prezent shqetësimin tim për një ndikim të thellë e të gjithanshëm të këtij insitucioni nga ish oficerë të Sigurimit të Shtetit. Është një institucion përfundimisht i pabesueshëm, dhe nuk duhet të ishte bërë, pavarësisht se unë kam qenë kundërshtar që në fillim, në origjinë të këtij ligji dhe kam vazhduar të jem koherent me veten time, në mënyrë permanente për frutat e helmëta të veprimtarisë së tij.

Zëri i Amerikës: Zoti Tufa, tani që ju jeni në kërkim të azilit politik, a do ta vazhdoni atë që keni më shumë për zemër, denoncimin e krimeve të komunizmit, në mënyra të ndryshme në vendin ku jeni?

Agron Tufa: Sigurisht, kjo për mua nuk ka qenë një detyrë thjesht burokratike, konformiste por ka qenë zëri i ndërgjegjes qytetare, ka qenë një mision, ka qenë një kauzë dhe unë edhe pa qenë në institut kam investuar tërësisht bindjet e mia, botëkuptimin tim, ndjeshmërinë time dhe është një luftë e pakompromis siç janë luftrat e mëdha për higjenën mendore dhe shpirtërore të qytetarëve. Unë besoj se do të kem mundësi të tjera tani, jo drejtpëdrejt shtetërore por do të jem nga disa pikëpamje shumë më i lirë për të thënë të vërteta rrënqethëse dhe të troçta sesi institucionet e larta që nga ato ligjvënëse dhe deri tek institucionet e ndjeshmërisë së veçantë si SHISH-i apo policia e shtetit janë të mbushura plot për plot me njerëzit me të kaluarën më të zezë, pra ish oficerët dhe shefat e Sigurimit të Shtetit, ish kryetarë dhe nënkryetarë të Degëve të Punëve të Brendshme, ish rezidentë. Pra kjo është e papranueshme, dhe është gjëja më e zezë. Është gunga në shpinën e shoqërisë shqiptare e cila patjetër duhet të përballet me këtë. Në mos, ne duhet të pranojmë një poshtërim kolektiv dhe një cilësi jashtëzakonisht të ulët dhe të keqe të lirisë sonë.

Filed Under: Interviste Tagged With: Zeri I Amerikes- Agron Tufa-Perse kerkova azil politik

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 802
  • 803
  • 804
  • 805
  • 806
  • …
  • 5724
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare
  • Në sinoret e Epirit…
  • Mbrëmë hyri në fuqi Ligji i SHBA për autorizimin e mbrojtjes kombëtare
  • Skënderbeu “grek”, ose si të bëhesh grek pa e ditur
  • A historic moment of pride for the New Jersey Albanian-American community
  • U zhvillua veprimtaria përkujtimore shkencore për studiuesin shqiptaro-amerikan Peter Prifti
  • Dashuria që e kemi dhe s’e kemi
  • “Jo ndërhyrje në punët e brendshme”, dorëheqja e Ismail Qemalit, gjest atdhetarie dhe fletë lavdie
  • Arti dhe kultura në Dardani
  • Gjon Gazulli 1400-1465, letërsia e hershme shqipe, gurthemeli mbi të cilin u ndërtua vetëdija gjuhesore dhe kulturore e shqiptarëve
  • “Albanian BookFest”, festivali i librit shqiptar në diasporë si dëshmi e kapitalit kulturor, shpirtëror dhe intelektual
  • VEPRIMTARI PËRKUJTIMORE SHKENCORE “PETER PRIFTI NË 100 – VJETORIN E LINDJES”

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT