• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Los Anxhelos- “Active Albanians”- Platforma që bashkon shqiptarët

May 13, 2021 by dgreca

Përgatiti E.B. dhe Marsela Bregu/

Marsel Alickolli…

Organizata “Active Albanians” (Shqiptarët Aktiv) u themelua në shtator 2018 në Los Anxhelos, Kaliforni, nga Marsel Alickolli dhe Mario Ismaili. Fillimisht, faqa e facebookut “Active Albanians Los Angeles” shërbeu si platformë për të organizuar aktivitet për komunitetin shqiptar. Të motivuar për të bërë dicka ndryshe, Mario dhe Marseli organizuan një seri  aktivitetesh në zonën e Los Anxhelosit, si “ekskursione” në Palos Verdes, ditë volejbolli dhe plazhi që rezultuan në një pjesëmarrje të suksesshme. 

Duke pasur parasysh interesin e shtuar dhe numrin e anëtarëve të rinj, “Active Albanians” filluan të organizojnë veprimtari shumë të suksesshme. Ndër më të njohurat janë: “Paint Balling” (Shtator 2019), “Rock Climbing” (Shkurt 2019), Mud Run (Shkurt 2020), Bowling (Nëntor 2019), Hiking (Dhjetor 2018), Surfing (Mars 2019). Aktiviteti me ndikimin më të madh nga të gjitha ishte mbledhja e fondeve gjatë tërmetit në Shqipëri në vitin 2019.

Anëtarët e ‘Active Albanians’ tregojnë se jeta e tyre është ndikuar pozitivisht si rezultat i drejtpërdrejtë i aktiviteteve të grupit. Rena Kujxhiu, një anëtare e ‘Active Albanains’ shprehet: “Unë tani kam më shumë miq shqiptarë që do i kem gjatë gjithë jetës sime vetëm për shkak të aktiviteteve tona.” Besiana Husted tregon se, “Kjo organizatë më ka lejuar të lidhem me pjesë të vetes që mendoja se i kisha humbur qëkur u transferova në Shtetet e Bashkuara. Ne jemi rritur në mënyrë aq të ngjashme, sa edhe pse nuk jemi rritur së bashku, duket sikur e kemi njohur njëri-tjetrin që kur ishim të vegjël. Eksplorimi i natyrës dhe aventurat tona na kanë lidhur më shumë ndërsa  mësojmë dhe inspirohemi nga njëri-tjetri. Vjen një moment që e kupton sa jemi shumë fatlumë që kemi të njejtën markë: ‘Prodhuar në Shqipëri’.”

“Jam i lumtur të shikoj rritjen dhe impaktin pozitiv që ka sot Active Albanians në Amerikë dhe jo vetëm. Jemi të përkushtuar t’i shërbejmë komunitetit tonë shqiptar dhe shpresojmë të forcojmë akoma më tepër rolin aktiv në Sh.B.A.,” tha Mario Ismaili, bashkë-themelues i shoqatës “Active Albanians”. 

Intervistë me bashkë-themeluesin e organizatës “Active Albanians” Marsel Alickollin

Mund të na tregoni pak për veten tuaj dhe motivimi i krijimit të organizatës “Active Albanians”?  

Marsel Alickolli: Unë kam lindur në qytetin e bukur të Pogradecit dhe u zhvendosa në Sh.B.A. në vitin 2002. Një nga arritjet kryesore në aspektin profesional ka qenë diplomimi në Universitetin DePaul në Çikago në fushën e financës. Pavarësisht se komuniteti shqiptar në Shtetet e Bashkuara është rritur ndjeshëm që nga dy dekada më parë kur unë u largova nga Shqipëria, unë gjithmonë kam menduar se ne gjithmonë mund të bëjmë diçka më shumë për të forcuar komunitetin tonë. 

Ideja, në fillim, ishte t’i jepja komunitetit tim Shqiptar një shans për të provuar përvoja të reja aktive pa u shqetësuar për kostot, (ne ndamë pajisje për ski, zhytje, peshkim, sërf) dhe ndërkohë t’i lejoja ata të gjejnë miqësi të reja që zgjasin për gjithë jetën. Grupi “Active Albanians” është një  mundësi e mirë për dikë që të gjejë pasione të reja dhe të sfidojë veten ndërkohë që është pjesë e një komuniteti mbështetës dhe miqësor. Nga ana tjetër, ne kemi një sërë aktivitetesh të ndryshme          (madje edhe ato që përfshijnë të gjithë familjen) dhe roli im është të organizoj një larmi eventesh   ku të gjithë ndihen të mirëpritur. 

“Active Albanians” aktualisht është një organizatë modeste por efektive. Qëllimi im është ta kthej këtë grup në një organizatë jofitimprurëse në mënyrë që të siguroj rritje dhe vazhdimësi në të ardhmen.

Kur u themelua klubi “Active Albanians” dhe misioni i grupit?

Marsel Alickolli: Ideja e krijimit të një klubi që shkonte përtej grupit shoqëror, ishte diskutuar shpesh në takimet tona. Sidoqoftë, në 9 Shtator 2018 u hap faqja jonë e parë zyrtare në Facebook “Active Albanians Los Angeles” për komunitetin shqiptar në Los Anxhelos dhe shtetet rrethuese. Më kujtohet që bashkë me Marion diskutonim se si mund ti përhapnim aktivitetet tona në faqet e tjera shqiptare në Kaliforni, Arizona, Nevada që zakonisht ndanin deri diku të njëjtat aktivitete si ne me audiencat e tyre. 

Qëllimi fillestar i klubit ishte të prezantonte anëtarët e tjerë të komunitetit shqiptar me aktivitetet që nuk ishin njohur më parë, dhe të promovonte aktivitete që të gjithë do të sugjeronin. Kjo ishte një qasje e suksesshme që rriti radhët tona dhe na sfidoi të shtrijmë aktivitetet jashtë shtetit tonë të origjinës. Jam i lumtur të them se qëllimi që ne patëm fillimisht, është tani një mision. Është misioni ynë ta kthejmë organizatën “Active Albanians” në një organizatë të strukturuar jofitimprurëse, një organizatë që mund të marrë jetë dhe t’i japë shumë më tepër komunitetit tonë shqiptar krahasuar me fillimet e saj.

Cila është platforma aktuale e klubit?

Marsel Alickolli: “Active Albanians” tashmë ka tre platforma. Faqja origjinale e “Active Albanians Los Angelos” në facebook, një faqe e re e “Active Albanians DFW” (në zonën e Dallas – Forth Worth) në facebook që synon të organizojë komunitetin tonë fantastik në Dallas, dhe një faqe në Instagram “Active Albanians” që ka si funksion të shërbejë si një pikëlidhje për     të gjithë shqiptarët në Shtetet e Bashkuara dhe pse jo në të gjithë botën. Ne shpresojmë që kur të arrijmë statusin jofitimprurës, të gjitha platformat do të lidhen nën një ombrellë të madhe. Qëllimi është bashkimi dhe fuqizimi i shqiptarve kudo ku ata ndodhen.

Cilët janë disa nga organizatorët kur u themelua klubi?

Marsel Alickolli: Unë dhe Mario Ismaili filluam këtë familje modeste dhe si me magji anëtarët filluan të rriteshin. Disa nga anëtarët përfshijnë: Imir Metushi, Rena Kujxhiu, Nasho Aleksi, Sam    Prapaniku, Irini Duro, Besiana Husted, Klejdis dhe Ervina Rodoni, Erjana Rodoni, Joana Marku, Endrit Agastra, Stela Kantiou dhe shumë e shumë të tjerë.

A mund të na flisni për disa nga aktivitetet që grupi ka organizuar?

Marsel Alickolli: Nëse ka diçka për të cilën kjo organizatë krenohet është spektri i larmishëm i aktiviteteve që ka kryer me sukses deri më tani. Ne nuk mund të harrojmë kohën kur djemtë dhe vajzat e “Active Albanians” shkuan të zhyteshin në zonën e mbushur me leshterikë në La Jolla  Kaliforni. Të kapur dorë për dore ngritën nën ujë flamurin Shqiptar dhe atë Amerikan. Ngjarjet e shumta të skijimit në Big Bear dhe Mammoth, Kalifornia nuk kanë qenë vetëm temë e gjunjëve të mavijosur, qepallave dhe historive rreth zjarrit, por gjithashtu kanë pasur një ndikim jo të vogël tek të rinjve tanë që janë pjesë e “Aktive Albanians.” Janë po këta të rinj të cilët mbajnë në zemër moton tonë shqiptare “kurrë mos u dorëzo” dhe e zbatojnë atë në jetën e tyre personale dhe profesionale. 

Nëse do të zgjidhja një ngjarje që unë personalisht e mbaj si më të rëndësishmen e të gjithave është mbledhja e fondeve që kemi organizuar gjatë tërmetit në Shqipëri në vitin 2019. Organizata jonë donte të bënte më të mirën për të ndihmuar vendin që na ka dhënë aq shumë ne të gjithëve, identitetin tonë. Ndërsa platforma dhe anëtarët e “Active Albanians” rritën ndërgjegjësimin në komunitet, ne gjithashtu u angazhuam nje mbledhje fondesh për të ndihmuar në lehtësimin e asaj tragjedie për njerëzit tanë në Shqipëri. Logjistika ngriti disa sfida që  shpresojmë të jenë më pak pengesë kur t’a kalojmë këtë organizatë në një organizatë jofitimprurëse.

Çfarë aktivitetesh të tjera ka promovuar grupi?

Marsel Alickolli: Disa muaj më parë ne morëm një sugjerim nga një prej anëtarëve, Jonida Lika për të organizuar një klasë pikture. Për shkak të këmbënguljes së Jonidës dhe gatishmërisë së saj për të organizuar vetë aktivitetin, u realizua, dhe është eventi i vetëm me vajza deri më tani.

Cila ka qenë reagimi nga anëtarët e grupit dhe të tjerët të përfshirë?

Marsel Alickolli: Gjatë kohës që “Active Albanians” ka qenë një grup aktiv, kam parë dy lloj pjesëmarrësish dhe reagimet e tyre janë paksa të ndryshme. Ka nga ata që qëndrojnë anash dhe brohorisin aktivitetet e suksesshme të organizatës sonë. Ky grup është i ndarë midis atyre që ne i quajmë “tifozat e përhershëm”, “atyre që duan, por nuk marrin pjesë” dhe “të konvertuarit”. Tek nën-grupi i parë hyjnë ata që nuk duan asgjë më shumë përveç se të shohin shqiptarët tanë të bashkohen dhe të përmirësojnë jetën e atyre, gjyshërit janë një shembull i këtij nëngrupi. “Ata që  duan, por nuk marrin pjesë” janë ata që kurrë nuk gjejnë guximin të vijnë në të vërtetë dhe të përjetojnë aktivitetet tona pavarësisht nga dëshira e tyre. “Të konvertuarit” nga ana tjetër janë ata  që janë gjithnjë e më afër të bërit pjesëmarrës në secilin aktivitet.

Përveç këtyre tre grupeve, ata që ja vlen të përmenden janë personat aktivë që bashkohen me ne, dhe në fund të fundit, do të kenë më shumë histori rreth zjarrit për nipërit e mbesat e tyre në një natë të gjatë e të ftohtë dimri në të ardhmen. Historia gjithnjë fillon me, “kur isha unë në moshën tënde.”

Cili është mesazhi juaj për rininë shqiptare sot?

Marsel Alickolli: Kur isha i vogël mezi prisja që të rritesha. Si një i rritur, gjithçka që dua është të jetoj si adoleshent. Nga përvoja ime, 10 vjet nga tani, nëse shikoni pas në kohë gjasat janë shumë të ngjashme se do të zhgënjeheni më shumë nga përvojat që nuk keni pasur se sa nga ato që keni jetuar. Gjyshi im në Shqipëri thoshte: “Gjella me kripë dhe kripa me karar.” Me fjalë të tjera, jeta është plot me përvoja dhe njeriu duhet të jetë në gjendje të dalë, eksperiencojë dhe të provojë sa më shumë, por gjithçka me masë. Ndoshta ky është çelësi i një jetë të lumtur, të përmbushur dhe të shëndetshme.

Filed Under: Featured Tagged With: E.B, Los Angeles, Marsel Alickolli, Marsela Bregu

Durrësi që po harrohet në ekspozitën e piktores Emjona Stasi

May 13, 2021 by dgreca

Nga Gëzim Kabashi*

103 tablotë e piktores Emjona Stasi, që janë ekspozuar këto ditë në galerinë e arteve pamore “Nikolet Vasia” kanë gjetur vëmendjen dhe interesimin e ardashësve durrsakë.

Të punuara që të gjitha në gjininë e peisazhit, tablotë e Stasit i bashkon dashuria për qytetin e saj. 

Rrugicat, muret mesjetare, porta e Kalasë, kanatat e dyerve të hershme, kolonat me kapitele mbi krye, dhe gjithçka që e lidh piktoren me Durrësin janë objekti i penelit të saj.

Brenda ekspozitës Emjona Stasi i rikthehet me shumë sukses temave të preferuara, duke shfrytëzuar talentin në grafikë. 

55 punimet-miniaturë në gjininë e grafikës e risjellin qendrën historike të Durrësit, sikur të ishin kartolina nga qyteti që mund të udhëtojnë në të gjithë globin.

Shqetësimi për peisazhet e Durrësit, që po humbasin ndën hijen e shumëkatësheve, i jep më shumë vlerë pikturës së Emjona Stasit, e cila këtë herë i ka kushtuar një ekspozitë të plotë ruajtjes së  identitetit të qytetit.

Kujdesi për ekspozimin e tablove në grupe të veçanta, sipas gjinive dhe vendeve që e kanë frymëzuar, i japin një tjetër vlerë ekspozitës së Emjona Stasit, që do të qëndrojë e hapur deri në fund të muajit maj.

Emjona Stasi, një piktore në profesion të lirë

“Të paktën kështu e ndjej vehten që kur kam dalë në pension – thotë artistja në një intervistë. 

“Jam me fat që kam një profesion të tillë. Tani më pëlqen të punoj çdo ditë dhe kam mbështetjen e bashkëshortit tim, inxhinjer ndërtimi. Xhoxhi  e kupton lehtë punën time dhe gëzon njëlloj me mua për një tablo të bukur-vijon piktorja Emjona Stasi, e cila ditët e fundit ka hapur ekspozitën e saj të gjashte personale.

Emjona ka përfunduar studimet për Grafikë, dhe megjithëse e ka zgjedhur vetë degën, shprehet se në tablotë e saj ka mbetur shumë pak nga pasioni i parë. 

“Ja, thuajse në asnjë punë unë nuk përdor ngjyrën e grafistëve, të zezën – thotë ajo duke u drejtuar nga tablotë. “Më pëlqen peisazhi, pasi jam romantike; por ndjehem mirë edhe me natyrën e qetë, ndërsa duhet të provoj më shumë kompozimin – thotë piktorja, e cila ka paraqitur në ekspozitën e fundit në Durrës 77 tablo të përmasave të vogla e të mesme, pjesa më e madhe punime të viteve të fundit.

Emjona ka lindur në Elbasan, por duke qeshur thotë: “nuk e di se nga jam”. 

I jati oficer në atë kohë ka lëvizur bashkë me familjen, deri sa janë vendosur në Durrës. Një edukatore kopështi në Elbasan i ka këshilluar prindët që ta çojnë vajzën e vogël në Lice. 

“Dega e pikturës në shkollën e mesme “Jordan Misja” fillonte vetëm në ciklin e mesëm, por fjalët e edukatores mu ngulitën – shprehet sinqerisht Emjona, e cila nisi ti shohë ndryshe lodrat me plastelinë apo vizatimet e para. Më vonë Sul Sulovari në Elbasan e Agim Shami në Durrës do të drejtojnë pasionin e vajzës së re drejt pikturës.

Mësuesja e artistëve të rinj

Në një qoshe të galerisë “Nikolet Vasia” një mësues  i ri bisedon me nxënësit-piktorë të shkollës artistike “Jan Kukuzeli” mbi karakteristikat piktorike të autores Stasi. 

Piktorja vlerëson mësuesit e pasionuar, si dhe nxënësit që mbajnë në duar dosjet e vizatimeve edhe jashtë shkollës. 

“Megjithatë, më duket se kanë mbetur pak -shton ajo, duke kujtuar kohën kur në degën e sapohapur të arteve figurative në shkollën artistike të Durrësit gjeti disa nga piktorët më të mirë të qytetit. 

“Do të punoja si mësuese shumë vite përkrah piktorëve Skënder Kokobobo, Nikolet Vasia e Gavril Priftuli – thotë Emjona, e cila deri në vitin 1984 kishte dhënë lëndën e vizatimit në shkollat 8-vjeçare.

Emjona Stasi ka dalë në pension thuajse 7 vjet më parë, por askush nga ata që e sheh nuk e beson këtë. 

Elegante në lëvizje, mjaft e qetë dhe e sigurtë në punën e saj, ajo e ka marrë njoftimin e pensionit, ndërsa përgatiste një nga ekspozitat e saj. 

“Më erdhi keq, pasi ishte janar dhe i ndërpreva leksionet me nxënësit në mesin e vitit shkollor, por me sa duket këto janë regullat – nënvizon piktorja, duke kujtuar se kolegët kanë ardhur ta urojnë për pensionin në galerinë ku u hap ekspozita.

Ekspozita nga Atdheu deri në SHBA

Mustafa Arapi, Gazmend Leka, Buron Kaceli janë piktorët e parapëlqyer të Emjona Stasit, pa harruar Lumturi Blloshmin, piktoren inteligjente, siç e quan ajo. E më pas edhe zonja të tjera të skulpturës si Mira Kuçuku apo Llambrini Dënaj.

Por Emjona vetë ka vendosur shumë vonë të hapë një ekspozitë personale. 

Që nga viti 1977 ajo ka marrë pjesë thuajse në 50 ekspozita kolektive në qytete të ndryshme të vendit tonë, por edhe në Kosovë, Maqedoni dhe SHBA. 

“Është një mundësi për tu njohur dhe ballafaquar me kolegët, të cilët sjellin shumëllojshmëri stilesh – thotë Emjona, duke kujtuar edhe përvojat në kolonitë artistike, të organizuara në qytete të ndryshme brenda dhe jashtë vendit. 

Sipas saj, janë eksperiance shumë të mira, por organizatorët nuk duhet të abuzojnë dhe ta quajnë një mundësi tregu – shton ajo.

Emjonës nuk i pëlqen që të marrë diçka që nuk e meriton. Ajo ka refuzuar çdo ndërhyrje që mund ti jepte një çmim të lartë në konkurset e organizuara, duke iu gëzuar vetëm vlerësimeve të sinqerta. Në këtë pikë ajo ndjen se artistët duhet të jenë më të drejtpërdrejtë në opinionet për krijimtarinë e njeri – tjetrit. 

“Kjo do të na ndihmonte të gjithëve – shprehet çiltazi piktorja. Më pëlqen të kem një përvojë të tillë në SHBA, atje ku kam pasur rast të hap edhe një ekspozitë me 25 punime. 

“Ishte e thjeshtë, aplikova në një bibliotekë – librari dhe fitova të drejtën që përveç pjesmarrjes në ekspozita grupi të hap edhe një personale, me punët e përgatitura gjatë qëndrimit atje-kujton Emjona.

Emjona Stasi që nga viti 1977 ka marrë pjesë në afro 50 ekspozita të përbashkëta brenda dhe jashtë vendit, ndërsa punimet e saj i gjen përveç fondit të Galerisë Kombëtare të Arteve dhe asaj të Durrësit ndodhen edhe në arkiva private në Itali, Maqedoni, Greqi, Gjermani, Hollandë, Kanada dhe SHBA.

Mësuese dhe studente

Ndërsa në galeri vizitorët ia lenë vendin njeri-tjetrit, bisedojmë së bashku për hapat e parë në pikturë, për nxënësit e saj, por edhe për vendimet e marra vetëm me një fjali, përballë pedagogëve të saj në Lice dhe Institutin e Arteve, të cilët Emjona vazhdon ti quajë “profesorë”, si në shkollë. 

“Për të hapur një ekspozitë nuk duhet vetëm aftësi, por edhe një çikë inat” i ka thënë Emjonës 10 vjet më parë Thoma Thomai. Profesori i skulpturës u bë shkak për ekspozitën e parë të saj, e cila u hap në galerinë private “Jozef”. 

Megjithëse e konsideron vehten “natyrë të tërhequr”, artistja nga Durrësi i ka marrë vendimet për jetën me një fjali. Kështu e ka bindur pedagogen e skulptures Valentina Balli në Lice për pasionin që kishte për pikturën, e po kështu me fjalët “dua ta meritoj shkollën e lartë” i është drejtuar prof. Naxhi Bakallit para se të hynte në Institutin e Lartëtë Arteve (sot Universiteti i Arteve).

Të njejtën gjë ka bërë edhe kur ka parapëlqyer Durrësin, në vend të kryeqytetit menjëherë pas studimeve të larta.

Ja se si shkruan për të Suzana Varvarica Kuka, studiuese e artit: 

“Emjona Stasi trashëgon dashurinë për natyrën, për botën, si banesa jonë e madhe; adhurimin për ngjyrat, dhe vullnetin për dëshmi figurative. Ajo mban një qëndrim të ri komunikimi me rrënjët tona të artit të fillim shëk. XX, gjë e cila më jep entuziasmin ta quaj “Mio-niana e Durrësit”.

*E falenderojmë gazetarin Gezim Kabashi qe e dergoi shkrimin dhe fotografite per lexuesit e Diellit.

Filed Under: Featured Tagged With: Durresi qe po harrohet, ekspozite, Emjona Stasi, Gezim Kabashi

ZGJEDHJET NË SHQIPËRI PA PJESËMARRJËN E DIASPORËS

May 13, 2021 by dgreca

Diskursi politik/

ZGJEDHJET  NË SHQIPËRI PA PJESËMARRJËN E DIASPORËS/
 
Sipas të dhënave nga KQZ numri i shqiptarëve me të drejtë vote në zgjedhjet e 25 prillit  2021 ishte 3,588,869 vetë, ndërsa numri i atyre që morën pjesë në votime ishte 1,662,386,apo 46.3% ku nga to vota të vlefshme ishin 1.578.296(95%) ndërsa të  pavlefshme 83.024(5%)! Sipas rezultatëve të publikuara me e votuara është PS me 48.68 %(74 deputet) , PD 39.43 %(59), LSI 6.81 %(4) dhe PSD 2.25%(3 deputet).Në saje të tyre rezultatëve PS ka komoditetin që të formojë e vetme qeverinë në mandatin e tretë, që është rasti i vetëm deri më tash në pluralizëm.

Nga Nail  Draga/

Ndër çështjet kontestuese në votimet  në Shqipëri paraqet pamundësia e pjesëmarrjës së popullsisë së emigruar, e cila njihet me termin e diasporës, qe është shumë e lartë, ku sipas disa të dhënave  janë rreth 1.7 milion në vende të ndryshme të botës. Duke pasur qendrim indiferent nga qeveria ndaj kësaj kategorie të qytetarëve edhe  në zgjedhjet parlamentare të cilat u mbajtën me  25 prill  vazhdon i njëjti refuzim si deri më tash, sepse ka munguar vullneti politik për miratimin e ligjit në parlament për votimin e diasporës. Dhe në  mungesë të një  ligji të tillë ata mbeten jashtë procesit zgjedhor, duke iu mohuar e drejta legjitime për të votuar për subjektët politike që do të formojnë qeverinë e re në Shqipëri. Ndërsa çështje tjetër është refuzimi i votimit i qytetarëve  që janë në vend që mund të shpjegohet nga zhgënjimi me qeverisjen, paknaqësia nga partitë politike pjesëmarrëse  në zgjedhje, si pasojë e  përbërjës së listës së tyre zgjedhore dhe  çështje të tjera.

Votoi vetëm popullsia rezidente

Nëse marrim të dhënat e INSTAT mbi popullsinë rezidente, atëhere mund të themi se në Shqipëri aktualisht jetojnë rreth 2.85 milionë njerëz, nga të cilët, rreth 528 mijë janë nën 18 vjeç dhe nuk kanë të drejtë vote. Ajo që mbetet janë afërsisht 2.32 milionë banorë madhorë  me të drejtë vote. Nëse llogarisim pjesëmarrjen si përqindje e totalit të qytetarëve me të drejtë vote, pjesëmarrja në zgjedhjet e 25 prillit ishte 1,662,386,apo 46.3% dhe kjo është shifra zyrtare e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve. Por nëse llogarisim pjesëmarrjen si përqindje e popullsisë rezidente në moshë madhore, atëhere mund të themi se pjesëmarrja në zgjedhje ishte 72%, nuk ka dilemë se kjo përqindje  është e lartë, nëse krahasohet me vendet e tjera evropiane. 

LSI-ndikoi në  humbjen e  opozitës

Në sajë të rezultatëve sipas partive politike më së shumti e votuar ishte PS, me 768.250 vota(48.68%), PD me 622.265(39.43%), LSI me 107.536(6.81%) dhe PSD me 35.477(2.25%), ndërsa të gjitha partitë tjera kanë fituar 44.768 vota(2.82%), të cilat nuk kanë fituar mandat të deputetëve.

Ndonëse para zgjedhjeve analistë të ndryshëm por edhe të disa eksit polleve të publikuara në lidhje me zgjedhjet e 25 prillit vlerësohej se do të jetë një garë interesante në mes dy partive kryesore(PS,PD)  me një rezultat të ngushtë, ndërsa për LSI-në llogaritej se ajo mund të jetë vendimtare në përcaktimin e fituesit të zgjedhjeve. 

Por, rezultatët e zgjedhjeve e sidomos LSI demantoj parashikimet sepse ajo pësoi humbje të thellë, sepse nga 19 deputet që kishte në vitin 2017, pësoi rënie në 4 deputet, duke ndikuar që opozita të pësoi humbjen e radhës, ndërsa PS të vazhdoi në mandatin e tretë qeverisës. Në këto zgjedhje PD pati rritje të dukshme të votuesve ku nga 46 deputetë në vitin 2017 arriti të fitojë  59 mandate, ndërsa PS mbajti numrin e 74 deputetëve si katër vite më parë. Ndërsa PSD, nga 1 deputet arriti të fitojë 3 deputet, duke qenë befasia e zgjedhjeve! Nga këto rezultate PS, sikurse katër vite më parë ka komoditet të formojë e vetme qeverinë.

Ndër shkaqet e humbjes së opozitës llogaritet largimi më herët i deputetëve nga parlamenti, mospjesëmarrja në zgjedhjet lokale në vitin 2019, keqpërdorimi i resurseve shtetetërore nga ana e pushtetit(PS) për fushatë zgjedhore  si dhe pamundësia e pjesëmarrjës së diasporës në zgjedhje, e cila do të ndikonte në rezultatin përfundimtar. Po ashtu mos pjesëmarrja e LSI-së në një list zgjedhore me PD-në ka ndikuar në humbjen e disa deputetëve në disa qarqe, që do të kishte ndikuar qe diferenca me PS të ishte shumë me e vogël.

Votat e pavlefshme si „partia e katërt“ në vend

Në sajë të te dhënave nga KQZ, vota të vlefshme kanë qenë 1.641.320(95%) ndërsa të pavlefshme kanë qenë 83024 vota apo 5% duke qenë numër rekord deri më tash në zgjedhjet në Shqipëri. Një dukuri e tillë nuk është e panjohur sepse edhe më herët ka pasur  vota të pavlefshme ku po cekim dy zgjedhjet e fundit, në vitin 2013  ishin  24.279 vota (1.39%), ndërsa në vitin 2017, 31.898 vota(1.98%), por numri i votave të tilla me 25 prill 2021 ka tejkaluar çdo parashikim, që paraqet çështje për hulumtim të veçantë. 

Sipas këtyre të dhënave del qartë se votat e pavlefshme dalin si “partia e katërt“ në vend, me peshë të veçantë që kanë pasur mundësi të prodhojnë numër të konsideruar deputetësh, madje duke përcaktuar edhe fituesin e zgjedhjeve.

Partitë e vogla pa mbeshtetje elektorale

Në këto zgjedhje për të parën herë morën pjesë edhe disa parti të vogla, të cilat shumica  ishin pothuaj të dalura nga Partia Demokratike, në sajë të paknaqësisë dhe animozitetit brenda këtij subjekti politik. Nga rezultati i zgjedhjeve u dëshmu se ata morën numër të vogël votash, duke mos fituar asnjë mandat deputeti. Nëse i mbledhim votat së bashku  ata kanë marrë  44.768 vota, pa ndonjë peshë të veçantë në nivel vendi. Nga votimet e 25 prillit del qartë se  me një sistem të tillë zgjedhor  partitë e vogla nuk kanë përspektivë, duke mbetur një eksperiment i dështuar  pa ndonjë peshë politike. Përfundimisht   skena politike  në Shqipëri është e përcaktuar nga dy subjekte të mëdha PS dhe PD, ndërsa LSI  mbetet çështje e hapur në ardhmën.

Për një kod zgjedhor në favor të qytetarëve

Duke marrë parasysh se Shqipëria nuk është  një njësi zgjedhore por e ndarë në 12 qarqe, votat e qytetarëve kanë vlerë vetëm në qarkun përkatës, pa pasur mundësi tjetër në mbeshtetje të subjektin politik. Nëse llogarisim votat në përgjithësi del qartë se ndarja e tillë penalizon partitë politike, ku në rastin konkret kemi të bëjmë me LSI-inë. Kështu nëse llogarisim se LSI ka fituar gjithsej 107.000 vota ajo ka fituar 4 mandate të deputetëve, nga del se 1 deputet =26.000 vota, ndërsa PSD gjithsej ka fituar  35.000 vota ku 1 deputet = 11.600 vota. Nga një llogaritje e tillë del qartë pabarazia elektorale, sepse me 107.000 vota me sistemin proporcional kombëtar LSI do të kishte jo 4 deputetë sa ka tash por më shumë! Dhe nga një llogaritje e tillë, ndryshimi ne mes pozitës dhe opozitës do të ishte shumë i ngushtë, e jo sikurse është tani.

Andaj ndryshimi i kodit zgjedhor nga ai rajonal në një njësi zgjedhore, duhet të jetë obligim parësor  i partive politike në përbërjen e re parlamentare, duke dëshmuar seriozitet për te respektuar vullnetin e qytetarëve përmes votës në zgjedhjet kombëtare. Në këtë aspekt ka modele të ndryshme, por si më  i përshtatshmi mund të shërbejë ai i Kosovës, me një prag zgjedhor me 2 apo 3%, me lista të hapura që do të jetë në favor të qytetarëve dhe  te demokracisë parlamentare.

C:\Users\Labi\Desktop\179825998_1149644845482889_5852349752899197305_n-1.jpg

Harta demanton ndarjën  veri-jug 

Në fund cekim edhe një çështje e cila ka të bëjë me paraqitjen hartografike në nivel vendi të shpërndarjës së votave nga elektorati votues në zgjedhjet parlamentare të 25 prillit.  Pikërisht, pa përfunduar numrimi i defintiv i votave në 12 qarqet e vendit  individë të ndryshëm filluan të publikojnë  harta me  shpërndarjën territoriale të subjektëve politike në nivel republike, duke e përcaktuar PD në veri e PS në jug të vendit. 

Ishte ky një veprim  injorantë  nga  individet malicioz  duke  deklaruar se në Shqipëri kemi  ndarje  ne bazë regjionale të vendit në veri-jug. Ishin këto deklarata të shpejtuara pa  analizuar numrin e votave në tërësi sipas subjektëve politike në tërë vendin. Por, publikimi i të dhënave demantoj një deklarim të tillë, sepse subjektët politike pjesëmarrëse janë votuar në tërë vendin sipas preferencave të tyre politike e jo nga qasja regjionale. Kështu  në veri PD e kanë votuar  134211 votues, ndërsa në jug 453521 votues  nga del  PD ma së shumti vota ka marrë në jug(77.56%) se në veri(22.43%),  ku harta e publikuar e dëshmon më së miri  një konstatim të tillë.

(Maj 2021)

Filed Under: Politike

SHQIPONJA

May 13, 2021 by dgreca

Nga Astrit Lulushi/

Vendi mbulohet me turp,/
Kur njerëzit, si ujqërit, luftojnë/
Pa plan, pa diell, pa ditë,/
Në dritë të zymtë të mjegullt/
Nuk shohin cilin godasin;/
Papritmas, mes tyre, dikush/
Flet me guxim për të Drejta/
Përfshihet në garën brutale/
Mes korbave që sulmojnë/
Shqiponjën, e cila bërtet/
Fytyrë-mpirë, pa gjak,/
Sy-mbyllur, përplas buzët
Në lutje – “Oh Zot, jam unë!” –
Në vite këto fjalë s’janë thënë –
Perëndia s’e njeh, dhe me një gisht
E hedh larg mijëra lega në det.

Ura
Astrit Lulushi

Nëse nuk do të kishte dimër,
Pranvera nuk do të ishte e ëmbël;
Nëse nuk do të provonim
Shijen e hidhur të fatkeqësisë,
Mirëqenia s’do të ishte e mezipritur.
Gabimi nuk është gabim;
Nuk janë gabime
Ngjarjet që i sjellim vetes,
Pa marrë parasysh sa tê pakëndshme,
Janë të domosdoshme
Me qëllim për të mësuar
Atë që duhet të mësojmë,
Çfarëdo hapash që hedhim;
Janë të nevojshme, si urat,
Për të arritur,
Ku kemi zgjedhur të shkojmë.

Filed Under: Sofra Poetike Tagged With: Astrit Lulushi, Shqiponja

Kosova, Ushtri standardesh moderne të vendeve të NATO-s

May 12, 2021 by dgreca

-Kryeministri Kurti: Rritja e buxhetit për FSK-në do të jetë prioritet edhe në vitet e ardhshme. Ministri i Mbrojtjes dhe komandanti i FSK-së e njoftuan kryeministrin lidhur me përgatitjet për stërvitjen e forcave amerikane me forcat aleate “Defender-Europe 21”, ku Kosova do të jetë në mesin e 16 vendeve pritëse dhe pjesëmarrëse në stërvitje me trupat e saj ushtarake/

PRISHTINË, 12 Maj 2021-Gazeta DIELLI/ Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, pati sot një takim të veçantë me ministrin e Mbrojtjes, Armend Mehaj dhe komandantin e Forcës së Sigurisë së Kosovës gjenerallejtënant Rrahman Rama.

Ministri i Mbrojtjes dhe komandanti i FSK-së e njoftuan kryeministrin lidhur me përgatitjet për stërvitjen e forcave amerikane me forcat aleate “Defender-Europe 21”, ku Kosova do të jetë në mesin e 16 vendeve pritëse dhe pjesëmarrëse në stërvitje me trupat e saj ushtarake. Gjithashtu, ata njoftuan kryeministrin edhe me procesin e bashkë-zbarkimit të kontingjentit të FSK-së krahas trupave amerikane në misionin paqeruajtës në Kuvajt. Në takim u diskutua edhe për zhvillimin e mëtutjeshëm të aftësive dhe rritjen e kapaciteteve operacionale, si dhe implementimin e planeve për të ardhmen në funksion të përmbushjes së plotë të misionit kushtetues dhe ligjor të FSK-së.

Kryeministri Kurti shprehu zotimin që sikurse me rritjen buxhetore prej mbi 100 milionë euro për vitin e ardhshëm, FSK-ja do të mbetet prioritet edhe në vitet pasuese. Përkrahja e Forcës së Sigurisë, sipas kryeministrit, është e domosdoshme në mënyrë që vendi ynë të ketë ushtri të mirëtrajnuar e të pajisur sipas standardeve të ushtrive moderne të vendeve të NATO-s, të jetë e gatshme për mbrojtjen e vendit dhe kontributdhënëse për paqen, sigurinë dhe stabilitetin global.

Filed Under: Kronike Tagged With: Albin Kurti, kosova, ushtri moderne

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 81
  • 82
  • 83
  • 84
  • 85
  • …
  • 5724
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit
  • Shqipëria u bë pjesë e Lidhjes së Kombeve (17 dhjetor 1920)
  • NJЁ SURPRIZЁ XHENTЁLMENЁSH E GJON MILIT   
  • Format jo standarde të pullave në Filatelinë Shqiptare
  • Avokati i kujt?
  • MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI MJET PËR FORMIMIN E VETEDIJES KOMBËTARE TE SHQIPTARËT  
  • MES KULTURES DHE HIJEVE TE ANTIKULTURES
  • Historia dhe braktisja e Kullës së Elez Murrës – Një apel për të shpëtuar trashëgiminë historike

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT