• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

ZGJEDHJET NË KOSOVË: FITUESIT, TEK AMBASADORI AMERIKAN KOSNETT

October 8, 2019 by dgreca

-Zgjedhjet parlamentare të 6 Tetorit në Kosovë-Rezultati nga 100% e vendvotimeve: LVV 25,49%, LDK 24,82%, PDK 21,24% koalicioni i AAK 21,24%, koalicioni i Nisma 4,96%/

-Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerkës në Prishtinë, Philip Kosnett, takime në Lëvizjen Vetëvendosje dhe në Lidhjen Demokratike të Kosovës, i kënaqur me atë se sa mirë shkoi procesi zgjedhor, me daljen e lartë në votime dhe për faktin se kishte aq shumë përqëndrim në çështjet për të cilat shqetësohen votuesit/

-Haradinaj: AAK e pranon rezultatin zgjedhor, faleminderit të gjithë atyre që na votuan/

Gazeta DIELLI nga korrespondenti në Kosovë Behlul Jashari

PRISHTINË, 8 Tetor 2019/ Në Kosovë,  sipas informacioneve zyrtare më të reja të publikuara sot, nga 100% e vendvotimeve nga të cilët janë dërguar në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve

të dhënat e numërimit të votave, Lëvizja Vetëvendosje është fituese me 25,49% pasuar nga Lidhja Demokratike e Kosovës me 24,82%. Të dy këto parti ishin opozitare, ndërsa tani pritet koalicioni i tyre  paszgjedhor për Qeverinë e re të Kosovës.

Partia Demokratike e Kosovës, më e madhja e koalicionit të Qeverisë së dorëhequr, ka dalë e treta me rezultatat e zgjedhjeve me 21,24% dhe në një konferencë shtypi mbrëmjen e ditës së zgjedhjeve ka deklaruar se e pranon humbjen dhe do kalojë në opozitë.

Koalicioni i Alencës për Ardhmërinë e Kosovës, e cila udhëheqte me Qeverinë,  ka 11,57% të votave.

Ndërsa, koalicioni i Nismës Socialdemokrate bashkë me Aleancën Kosova e Re, të dyja pjesë e Qeverisë së dorëhequr,  me 4,96% të votave për pak nuk e kalojnë pragun prej 5% për të qenë pjesë e Kuvendit të Kosovës.

Rezultatet preliminare nuk përfshijnë votat me kusht, votat me postë edhe votat e personave me nevoja te veçanta.

Ndërkohë, Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerkës në Prishtinë, Philip Kosnett, sot zhvilloi takime në Lëvizjen Vetëvendosje dhe në Lidhjen Demokratike të Kosovës.

LVV: AMBASADORI AMERIKAN KOSNETT SHPREHU KËNAQËSINË PËR MBARËVAJTJEN E PROCESIT ZGJEDHOR

Kryetari i Lëvizjes VETËVENDOSJE!, Albin Kurti, së bashku me nënkryetarin Besnik Bislimi, sot priti në takim Ambasadorin e ShBA-së në Kosovë, shkëlqesinë e tij, z.Philip S. Kosnett, shoqëruar nga këshilltarja politike, znj.Jessica Long dhe zyrtarja politike, znj.Mia Ter Har.

LVV ka njofuar se, në një takim miqësor, ambasadori Kosnett shprehu kënaqësinë e tij për mbarëvajtjen e procesit zgjedhor, pjesëmarrjen e lartë të qytetarëve dhe uroi kryetarin Kurti për një fushatë që adresoi shqetësimet e votuesve. Ai tregoi interesim të veçantë në përparimin kundër korrupsionit, për ekonominë, dhe për përparimin në dialogun me Serbinë, drejt arritjes së një marrëveshje gjithëpërfshirëse që do të sillte stabilitet dhe paqe të qëndrueshme në rajon.

Nga ana e tij, kryetari Kurti e siguroi z.Kosnett se do të jetë kryeministër për të gjithë qytetarët e Kosovës. Ai e njoftoi ambasadorin se konsolidimi i brendshëm i Kosovës me shtetndërtim demokratik, sundim të ligjit, zhvillim ekonomik dhe progres shoqëror është prioritet që do ta zbatojë, meqë edhe nevojat e qytetarëve e vullneti i tyre i shprehur në këto zgjedhje ishte për këtë.

Kryetari Albin Kurti tha se dialogu do të fillojë me serbët e Kosovës, nga poshtë lartë për zhvillim e integrim të serbëve qysh në javën e parë. Ndërkaq, në muajin e parë nevojitet takim me z.Borrel, përfaqësuesin e ri të lartë të BE-së për Siguri e Politikë të Jashtme, si dialog me Brukselin për dialog me Serbinë, sepse dialogu me Serbinë duhet të jetë i përgatitur mirë e me parime të qarta. Paraprakisht duhet të mbyllet kapitulli i 33 marrëveshjeve të mëhershme, përkatësisht vlerësimi i zbatimit dhe i ndikimit të tyre. Nuk duhet të vonohemi por s’kemi as pse nxitohemi e bëjmë gabime që na kushtojnë pastaj.

Në fund të takimit, të dy palët shprehën interesimin për komunikim të vazhdueshëm e takime të mëtutjeshme.

LDK: MIRËNJOHJE DHE FALËNDERIM PËR MBËSHTETJEN E SHBA-VE KOSOVËS

Sot, kryetari i LDK-së, Isa Mustafa është takuar me Ambasadorin e SHBA-ve në Kosovë, Philip Kosnett.

Njoftimi i dërguar nga LDK thekson se, gjatë këtij takimi është diskutuar për procesin zgjedhor në Zgjedhjet nacionale 2019.

Kryetari Mustafa shprehu mirënjohjen dhe falënderimin e veçantë për mbështetjen e vazhdueshme që i kanë dhënë SHBA-të Kosovës.

Ambasadori Kosnett ishte i kënaqur me atë se sa mirë shkoi procesi zgjedhor, me daljen e lartë në votime, dhe për faktin se kishte aq shumë përqëndrim në çështjet për të cilat shqetësohen votuesit. Ai tha se pret një përqëndrim të ripërtërirë në përparim kundër korrupsionit, në ekonomi, dhe në dialog me Serbinë drejtë arritjes së një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse që do të sjellte stabilitet dhe paqë të qëndrueshme në rajon

Në takim të pranishëm ishin nënkryetarët z. Agim Veliu, znj. Vjosa Osmani, z. Lutfi Haziri dhe anëtarja e Kryesisë, znj. Vlora Dumoshi.

HARADINAJ: AAK E PRANON REZULTATIN ZGJEDHOR, FALEMINDERIT TË GJITHË ATYRE QË NA VOTUAN

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, në një konferencë për media sot ka thënë se partia e tij e pranon rezultatin e KQZ-së dhe nuk kërkon rinumërim të votave. Kryetari Haradinaj ka thënë se është e padrejtë të dëmtohet një proces kaq i mirë zgjedhor. “Aleanca, pra Koalicioni ynë, e pranon rezultatin zgjedhor, ashtu sipas të dhënave të KQZ-së. Është e padrejtë me dëmtu një proces kaq të mirë zgjedhor. Qytetari nuk na ka dhënë të drejtën me kriju Qeverinë, u ka dhënë partive të tjera. I urojmë partitë tjera, edhe të parën edhe të dytën”, ka theksuar Haradinaj.

Haradinaj ka theksuar se sipas rezultateve preliminare AAK ka 11.54% të votave, duke thënë se AAK ka shënuar rritje duke shprehur besimin se AAK do të arrijë në 100 mijë vota. Ai ka shprehur respektin për besimin e 100 mijë votuesve për Koalicionin AAK-PSD. “Kemi 11.54%, sipas të dhënave të KQZ-zë. Nga trendi që shihet, pra ekziston një mundësi reale që ne afrohemi rreth 100 mijë vota. Ne i falënderojmë qytetarët për këtë besim. Është një rritje e ndjeshme krahasuar me zgjedhjet e kaluara. Është rreth 35% rritje më shumë se në kohën kur ishim me LDD”, ka theksuar ai. Ai po ashtu ka paralajmëruar se nëse Qeveria e ardhshme do t’i mbrojë temat që i ka mbrojtur qeveria e tij, do ta përkrahë, por ka thënë se AAK do të jetë opozitë e fortë ndaj asaj Qeverie që i shkel parimet e partisë së tij.

Ndërsa, për kryetarin e Vetëvendosjes, Albin Kurti, ai ka thënë se mban të njëjtin mendim për të, sikurse para zgjedhjeve. “E dini mendimin tim për liderin e Vetëvendosjes. Mendoj që gjithë kjo është mashtrim dhe i mbetet qytetarëve me vlerësu. Shpresoj që jam gabim”, ka theksuar Haradinaj. Haradinaj po ashtu ka shprehur vullnetin e tij që rrugën politike me PSD-në ta vazhdojë, duke thënë se nuk u beson analizave që thonë se PSD e ka dëmtuar elektoralisht AAK-në.  

Filed Under: Featured Tagged With: Zgjedhjet-Fituesit-ne Ambasaden amerikane

Nën kupola shpellash

October 8, 2019 by dgreca

Nën kupola shpellash/

(Atë Pjeter Bogdanit me rastin e 330 vjetorit te vdekjes (1625 – 1689)/

Nga Anton Çefa/

Mbi Atdheun natë e gjatë,/

e ngrirë,/

prushi i fjalës feks/

në errësirë./

Nën kupola shpellash strukesh viteve,/

mbi tryeza rrasash, si  mbi tabernakuj,/

ua shpupurish thinjat fjalëve plaka,/

në kujtesë të kombit jeh të ri u kallë./

Mbjell filiza prilli

n’zagna dijesh,

sharton sytha flake

n’brazda gjaku.

Shprish shkrumbin e netëve

nën kupola shpellash,

qumshti i hanës të ban dritë nga qielli,

Gjysmëhëna të kërcënon nga toka.

“Mos e leni gjuhën e dheut me u vdarë

lëshon vikamën në “Çetën e profetëve.”

Filed Under: LETERSI Tagged With: Anton Cefa-Pjeter Bogdani

A fitoi apo jo Albin Kurti?

October 8, 2019 by dgreca

Nga Ilir LEVONJA/DIELLI

Siç e kemi në ngjizje, ka filluar një seri studiosh ku debatohet rreth Albin Kurtit. Se është ai që fitoj apo jo? Se është ai që largoi klasën e vjetër politike nga pushteti etj.?  A do bashkëpunoj me Serbinë? Po me këta, iksin e ypsilonin pasi i ka tronditur nga themelet me deklaratat dhe protestat gati radikale. Për më tepër që është një i majtë me nuanca marksiste etj. Në të vërtetë ai që e ndoqi fushatën e fundit në Kosovë, qe një fushatë ku sharjet ishin dora e dytë, programet të para. Në Shqipëri veç pështymave nuk ka asgjë tjetër. Kjo është e zakonshme në Shqipëri dhe shpjegimin e merr menjëherë nga tërësia e pyetjeve të mësipërme, pasi nuk duan ta kuptojnë që në Kosovë nuk fitoj Albin Kurti, por demokracia. Nëse do kishte fituar Albin Kurti ai do kishte marrë afro 49% apo 52% të votave, por siç e shihni nga rezultatet e komisionit zgjedhor, ai ka fituar mbi 25%. Më pas vjen LDK-ja me Vjosa Osmanin dhe PDK-ja e komandant Veselit me afro të njëjtat përqindje. Pra fitoi demokracia në kuptimin e mirëfilltë që shqiptarët e Kosovës duan të fuqizojnë shtetin dhe jo personat. Shumë njerëz thonë që Italia shkon shpesh në votime dhe prapë ruan të njëjtën performancë, në ekonomi, politikat e brendshme dhe ato të jashtëme. Kjo ka shpjegim e thjeshtë, atë që kanë ndërtuar dhe konsoliduar shtetin, jo njëshat. Ndaj nuk është e rastësishme që emrat e politikanëve italianë nuk janë dominantë në ekranet e ditës, si përshembull Edi Rama apo Erion Veliaj në Tv-të shqiptare.

Shqiptarët e Kosovës  reaguan plot vitalitet si shoqëri. Por mos harroni se sado t’i përflasim komandantët e luftës në Kosovë, ishin ata që hapën krahun, që çuan vendin në zgjedhje të parakohëshme. Qe Rramush Haradinaj, po ky që sot deklaroj se nuk kërkon rinumërim dhe se e njeh rezultatin për të vetmen arsye verdiktin e qytetarit. Ndryshe nga bashkëkombësit tanë, ne në Shqipëri vinë nga kultura e unit, jo e rolit vendimtar si shoqëri. As mos e çoni nëpër mend që Edi Rama të jap dorëheqjen si Rramushi. Dhe as mos e çoni nëpër mend të garantoj zgjedhje të lira. Ndaj roli i qytetarëve duhej të jetë më i fortë, se ndryshe nuk ka për tu dërrmuar kurrë kulti i individit. Shqipëria ka plot 8 muaj që është në një ngërç institucional, shoqëria shqiptare debaton për të drejtën e deputetëve në lista, Ramën etj. Kush me këtë e kush me atë, duke zeruar rolin e saj. Pyetjes së një gazetari nga Tirana, se nëse nuk arrin të kapi numrat, në lidhje me koalicionet, çfarë do bëj Albin Kurti? Ky i përgjigjet se shkojmë në zgjedhje të reja etj. Kurse në Shqipëri ngërdheshen. Dhe ashpërsojnë gjuhën karshi njëri-tjetrit se kush i do dhe kush i pengon çeljen e negociatave, qeveria apo opozita! Nëse kultura sociale e Kosovës do dominonte te ne, ta dini, Shqipëria do ishte me kohë partnere e Europës. Dhe nëse negociatat çelen fundjavën tjetër, propaganda e kuqe do e mbysi vendin. Sado dështime, sado rrënim ekonomik, sado braktisje, kulti i individit do dominojë dekada të tjera. Kjo si pjesë normale e mbrapshtisë tonë me adhurimin karshi Unit, se sa me realitetin buzëplasur europian për t’i pasur shqiptarët pjesë organike të trungut. Por edhe me rënien e vazhdueshme, pa aftësinë për të ndërtuar shtetin dhe demokracinë. Kjo është një vetvrasje e butë që një tufë bashibozukësh nga regjimi i kaluar, e paragjykojnë votuesin e Kosovës se sollën në pushtet një marksist si Albin Kurti. Megjithëse si majtas dhe djathtas janë plot me marksista, mjaft të kujtojmë ish ministrin e brendshëm të Ramiz Alisë në krye të Kuvendit etj. Ish ministrin e arsimit po të Ramiz Alisë në krye të Akademisë, institucionit që një vit më parë kryeministri u orvat te shkrinte si hallkë e logjikës administrative e ish Bashkimit Sovjetik. Deputetë si Spartak Braho, etj. prokurorë nga diktatura. Shoqëria e Kosovës, shqiptarët në pjesën e sipërme nuk t’i falin këto. Kurse ne i ofrojmë poste. Ashtu sikundër dhe e djathta mbajti si lider një komunist po nga diktatura. Ndaj është koha të kuptojmë përfundimisht se, demokraci do të thotë vullnet popullor jo ai i Ramës, Bashës e ndonjë tjetri. Kësisoj Kosova e Hasan Prishtinës i ka, Shqipëria e Enverit dhe Ramizit është akoma ca vite drite larg. Ndaj nguliteni në kokë se në Kosovë nuk fitoj Albini, por shoqëria, Kosova, demokracia.

Filed Under: Opinion Tagged With: Ilir Levonja-A fitoi apo jo -Albin Kurti?

“MALLI I MËMËDHEUT”, E PARA SHOQËRI E SHQIPTARËVE TË AMERIKËS

October 8, 2019 by dgreca


Ne qender te fotografise: Petro Nini Luarasi, i helmuar nga Patriarkana Greke per mesimin dhe perhapjen e gjuhes shqipe./
Shoqeria “MALLI I MEMEDHEUT”, shoqeria e pare shqiptare ne Amerike. Mina Grameno dhe Petro Nini Luarasi, shkuan në Bufalo në shtëpinë e Thanas Viso Mborjes,ku më 1 Janar 1906 themeluan shoqërinë “MALLI I MEMEDHEUT” dhe përpiluan kanonizmën me 43 nyje. Ja si e kujton vetë Thanas Viso Mborja këtë ditë: “Unë i thashë një ditë një shoku, se ne që kishim qenë në Rumani dhe kishim parë atje se si ishin organizuar shoqëritë patriotike, nuk mund të rrinim duarkryq por duhet të merrnim iniciativën për krijimin e shoqërive të tilla në Amerikë. Për këtë ishte e mira të ftoheshin nga qyteti Xhejmstoun. Këtu ndodheshin rreth 80 shqiptarë dhe patriotët Petro Nini Luarasi e Mina Grameno me qëllim që të na ndihmonin. Shoku im e pëlqeu mendimin tim dhe kështu nuk mbeti veçse ta vinim në zbatim. Më 1 Janar të vitit 1906, në konakun tim u mblodhën patriotë për të vendosur në lidhje me çështjen e themelimit të shoqërisë. Këta patriotë ishin: Mina Grameno, Petro Nini Luarasi, Kol Rikashi, Pandi Lipi Kallanxhiu, Thimi Nuni Boçka, Pandi Mihal Furxhi, Dhimitraq Zisi Negovani, Vani Odo Karameta, Vani Vangjel, Thanas Halle, Mihallaq Kristaq Bimbli dhe unë..” (Thanas Viso Mborja ka lindur në Mborje në vitin 1876).
Shoqëria krijoi dhe statusin e saj e cila u bë shembull për shqiptarët e qyteteve të tjera në SHBA. Të gjithë pjesëmarrësit në këtë shoqëri ishin punëtorë ku sundonte fryma patriotike. Ata që kishin mbaruar shkollën shqipe dhe kishin një farë kulture u bënë udhëheqësit shpirtërorë të tyre. Costandin A. Demo në librin e tij për një nga këta drejtues shkruan: “Petro Nini Luarasi ishte “The Paul Revere” i shqiptarëve mbasi vinte në ç’do vënd ku kishte shqiptarë dhe predikonte patriotizëm. Ay ishte një librari me dy këmbë, me xhepat mbushur plot pamfleta, revista e gazeta. Ai pregatiti udhën e lëvizjes kombëtare për ata që ardhë pas tij. Shoqëria “Malli i Mëmëdheut” krijoi edhe një bibliotekë me libra në gjuhën shqipe, anglishte dhe greke, gjuhë këto që pak a shumë i njihnin punëtorët shqiptarë të Bufalos. Fondin e parë të librave e dhuroi Thanas Viso Mborja i cili kur u largua nga Rumania mori dy sundukë me libra në gjuhën shqipe nga shoqëria e shqiptarëve të Bukureshtit. Këto libra ishin shkrojtur nga patriotët e Rilindjes dhe shtypur në tipografinë e shoqërise “Dituria” të Bukureshtit. Anëtarët e shoqërisë paguanin si kuote ½ dollarë në muaj. Ata ishin lidhur me punëtorë dhe intelektualë amerikanë. Një nga këta, Zt. Moss, në gazetën “Morning Post” e popullarizoi shumë luftën e popullit shqiptar dhe kërkesat e tij. Kjo shoqëri në vitin 1909 kishte si kryetar Gaqi Themelin, N/Kr.Vangjel Camçen dhe kontrollorë Koço Gramenon dhe Janko Vishnjën.
Më 25 nëntor 1913, shoqëria u bashkua me Federatën “VATRA” dhe u krijua Dega No.25, Jamestoën, N.Y. me 100 anëtarë. Kjo degë zgjodhi këta drejtues: Kryetar Ilo Furxhi, arkëtar Lambi Cale, sekretar Perikli Murzaku, pleqësia Vasil Argjir, Hysen Belortaja, Sali Selman.
Themelonjesit e ”Mallit te Memedheut”ishin atdhetarët: ”Mina Grameno, Petro Nini Luarasi, Kol Rikashi, Pandi Lipi Kallanxhiu, Thimi Nuni Boçka, Pandi Mihal Furxhi, Dhimitraq Zisi Negovani, Vani Odo Karameta, Vani Vangjel, Thanas Halle, Mihallaq Kristaq Bimbli dhe unë..” (Thanas Viso Mborja, kujtime).


 













Filed Under: Featured Tagged With: Malli i memedheut-Petro Lucrasi-Mina Grameno-

KONSTATIMI- Misioni i BE-së: Zgjedhjet në Kosovë, të organizuara mirë dhe transparente

October 8, 2019 by dgreca

Kryesuesja e Misionit të Bashkimit Evropian për zgjedhjet e parakohshme parlamentare në Kosovë, Viola von Cramon-Taubadel, tha se zgjedhjet e 6 tetorit kanë qenë të organizuara mirë dhe transparente, ndërsa procesin e votimit dhe numërimit të votave e vlerësoi pozitivisht.

Sipas saj, fushata zgjedhore ishte e gjallë dhe konkurruese në pjesën më të madhe të Kosovës.

“Ambienti i fushatës në trevat e banuara me serbë të Kosovës u cenua nga frikësimi që i vuri në shënjestër kandidatët dhe përkrahësit që nuk ishin rreshtuar me Listën Serbe”, tha Viola von Cramon-Taubadel në një konferencë për media në Prishtinë.

Sipas saj, ndër të metat e këtij procesi ka qenë keqpërdorimi i resurseve publike dhe mungesa e transparencës në kuptimin e financimit të fushatave, e cila ka kushtëzuar garë të pabarabartë në tërë Kosovën.

Por, Cramon-Taubadel e lavdëroi Komisionin Qendror të Zgjedhjeve për transparencë në punë dhe për përgatitjet zgjedhore brenda një kohe të shkurtër.

Zgjedhjet janë shpallur disa javë pasi Ramush Haradinaj ka dhënë dorëheqje nga pozita e kryeministrit të Kosovës, më 19 korrik.

Rezultatet preliminare të zgjedhjeve të 6 tetorit e kanë nxjerrë fituese Lëvizjen Vetëvendosje, e cila pasohet nga Lidhja Demokratike e Kosovës.

Filed Under: Featured Tagged With: OSBE-Zgjedhjet en Kosovo-Te rregullta

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 862
  • 863
  • 864
  • 865
  • 866
  • …
  • 5724
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit
  • Shqipëria u bë pjesë e Lidhjes së Kombeve (17 dhjetor 1920)
  • NJЁ SURPRIZЁ XHENTЁLMENЁSH E GJON MILIT   
  • Format jo standarde të pullave në Filatelinë Shqiptare
  • Avokati i kujt?
  • MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI MJET PËR FORMIMIN E VETEDIJES KOMBËTARE TE SHQIPTARËT  
  • MES KULTURES DHE HIJEVE TE ANTIKULTURES
  • Historia dhe braktisja e Kullës së Elez Murrës – Një apel për të shpëtuar trashëgiminë historike

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT