• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Tërmeti në Shqipëri, Kosova shpreh solidaritet

September 21, 2019 by dgreca

  • Tërmeti, 109 banesa dhe 7 pallate të dëmtuara, dhjetra të lënduar/

Tërmeti në Shqipëri, Kosova shpreh solidaritet dhe ofron ndihmë/

Kosova shpreh solidaritet me Shqipërinë dhe ofron ndihmë pas tërmetit të fuqishëm që e goditi dhe u ndie edhe në rajon.Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi deklaroi se, me shqetësim ka marrë lajmin për pasojat e tërmetit që ndodhi sot në Shqipëri.“Në biseda telefonike me presidentin Ilir Meta dhe kryeministrin Edi Rama ju shpreha solidaritetin e shtetit dhe popullit të Kosovës, si dhe ua ofrova ndihmën tonë të pakursyer për tejkalimin e situates”, deklaroi. Kam kërkuar po ashtu nga Komandanti i FSK-së, Rrahman Rama, që FSK të jetë në gjendje gatishmërie. Të lënduarve nga shembjet e shkaktuara prej tërmetit iu uroj shërim sa më të shpejtë”, shprehet presidenti Thaçi.Kryeministri në detyrë, Ramush Haradinaj, tha se Kosova bashkëndjenë me të gjithë qytetarët e saj dhe me qytetarët e Shqipërisë që sot u tronditën dhe e pësuan nga tërmeti që goditi Tiranën, Durrësin dhe një pjesë të Kosovës.
“Menjëherë pas këtij lajmi, i kam shprehur shqetësimet dhe gatishmërinë tonë për të ndihmuar të gjithë të prekurit, Presidentit të Shqipërisë, Ilir Meta. Kam udhëzuar Gjenaralin e FSK-së, Rrahman Rama dhe Drejtorin e Policisë, Rashit Qalaj që të vënë kontakte me homologët e tyre, për të ofruar çdo ndihmë të nevojshme. Në të njëjtën kohë, bazuar në kompetencat tona, Qeveria e vendit do ta ndihmojë Shqipërinë, me një ndihmë financiare për t’i evituar dëmet. Të gjithë të lënduarve u dëshirojmë shërim të shpejt dhe për ata që pësuan do të jemi në dispozicion të plotë”, shkruan Haradinaj.

***

Tërmeti, 109 banesa dhe 7 pallate të dëmtuara, dhjetra të lënduar

Në Shqipëri, tërmeti i fortë që goditi sot pasdite vendin pasdite, pak pas orës 16.00, ka shkaktuar dëme në të paktën 109 banesa dhe 7 pallate kryesisht në Tiranë dhe Durrës, dy qytetet që ishin dhe më pranë epiqendërs, në Detin Adriatik, 30 kilometra në veri të Durrësit. Sipas të dhënave të para zyrtare paraprake, të bëra të ditura nga ministrja e Mbrojtjes Olta Xhaçka, deri rreth orës 20.00, “raportohet për 68 persona të lënduar, por në të gjitha rastet bëhet fjalë për lëndime të lehta, që kanë ardhur kryesisht si pasojë e situatës së frikës që kanë përjetuar qytetarët në momentin e tërmetit, dhe pasi kanë marrë trajtimin mjekësor, janë larguar sërish për në banesat e tyre. Disa prej të lënduarve janë asistuar nga ekipet mjekësore të ambulancave pranë vendeve të tyre të banimit”. Më vonë, ministrja e Shëndetësisë Ogerta Manastirliu, tha se numri i atyre që kanë kërkuar ndihmë mjekësore, shkon mbi 100.Sipas zonjës Xhaçka, dëmet në banesa e pallate “në pjesën dërrmuese bëhet fjalë për krisje të mureve apo dëme të tjera të këtij niveli ndonëse në ditët në vijim serioziteti i këtyre dëmtimeve do të verifikohet nga grupet e ekspertëve në terren”. Nuk kanë munguar megjithatë dhe raste si ai në Fakultetin e Gjeologjisë në Tiranë, ku gurët dhe tullat e fasadës janë shkëputur duke shkatërruar plotësisht dy makina që ishin parkuar pranë godinës.Lëkundja e parë e fortë e tërmetit “më i madhi i rregjistruar në 30 vitet e fundit”, sipas sismiologëve, u pasua me dhjetra të tjera me një intensitet më të ulët. Kryesisht në Tiranë e Durrës, qytetarët përjetuan frikë e panik për orë të tëra. Ata kanë dalë me shpejtësi na banesat e tyre për të qëndruar në rrugë e sheshe. Në fakt një pjesë e mirë e të plagosurve, janë lënduar pikërisht në ikje e sipër me nxitim, për të dalë nga banesat e tyre. Në një rast, një person ka pësuar frakturë të këmbës pasi është hedhur nga kati i dytë i banesës, ndërsa një tjetër, është përplasur nga një makinë ndërsa tentonte të kalonte rrugën me shpejtësi.Strukturat e emergjencave civile, policisë, zjarrfikëseve, si dhe strukturat shëndetësore, kaluan menjeherë në gatishmëri. Kryeministri Edi Rama i cili ndodhej në Frankfurt, në pritje për të udhëtuar drejt Nju Jorkut ku do merrte pjesë në asamblenë e Kombeve të Bashkuara, njoftoi anullimin e udhëtimit dhe kthimin në atdhe. “Në orën 23.30 Kryeministri ka thirrur një mbledhje të qeverisë për të koordinuar punën e të gjithë strukturave vendore dhe qendrore për përballimin me gatishmëri të plotë 24 orë në ditë të pasojave të tërmetit”, njoftoi ministrja Xhaçka.Presidenti Ilir Meta nga ana e tij, vizitoi prefekturën e Durrësit për të parë nga afarë gjendjen dhe për të diskutuar me autoritete vendore për situatën dhe masat e marra.(Info kortezi VOA)

Filed Under: Featured Tagged With: Termeti ne Shqiperi-Solidarizohet Kosova

NJË SHKOLLË PËR TË FORMUAR ADMINISTRATORËT PUBLIKË

September 21, 2019 by dgreca

Nga MILENA GABANELLI dhe LUIGI OFFEDDU/

E përktheu nga Corriera della Sera Eugjen Merlika /

            Tashmë italia ka një qeveri të re. Dhe urimi është gjithmonë i njëjti: qoftë më e mirë se paraardhëset. Luigi di Maio është ministri i Jashtëm, pra do të mbarështojë politikën tonë me pjesën tjetër të botës. Për këtë detyrë do të ishin të domosdoshme dy këkesa bazë: të njohë së paku anglishten e të ketë njohuri mbi bashkëlidhjen e fuqive. Shkruajti se Pinochet-i sundonte Venezuelën (ishte një diktator kilian). I dërgoi një letër Le Monde-it duke shkruar se Franca, e lindur nga revolucioni i 1789-ës, kishte një “traditë mijëvjeçare demokratike”. Në Shanghai e quajti për dy herë “Ping” presidentin kinez Xi Jinping. Le t’I quajmë si gafa, por sigurisht niset keq. Dje komenti i agjensisë Hsinhua, nga Pekini ( me të cilin kishte marrë ndonjë zotim mbi Rrugën e Mëndafshit) dhe e përhapur nëpërmjet AdnKronos-it ka qënë ky: “zgjedhje e pazakontë, i padiplomuar kurrë, kompetenca gjuhësore shumë të kufizuara, ka treguar interes të pakët për çështjet globale në jetën e tij publike”. Gjithshka e vërtetë, por mbasdite komenti në faqet e agjensisë shtetërore kineze ishte zhdukur.

            Ndërmjet politikanëve tanë  njohja e gjuhëve është e mangët (“frëngjishte shkollore” pohon për shembull ministri i ri i Zhvillimit ekonomik, Stefano Patuanelli), ashtu sikurse edhe përvojat e kompetencat profesionale. Nuk janë të detyrueshme. Shumica e përfaqësuesve të popullit lind në politikë dhe rritet brënda saj. Një dentist duhet të studjojë së pakë gjashtë vjet e të marrë një diplomë, më parë se të mund të limojë një dhëmb.; një arkitekt nuk mund të ngrerë katër miure pa patur diplomë dhe përgatitje. Më parë se të marrësh një rol përgjegjësie duhet të vërtetosh se ke arritur ndonjë përfundim. Për të mbarështuar copa të Vendit, së paku në Itali, jo. Në të vërtetë kriteret e zgjedhjes dhe marrjes në punë janë gjithënjë të njëjtët: shoqërizimi, besnikëria vetiake, leverdia e ndërsjelltë. A është një kërcënim për demokracinë të mëtohet se duhen kërkuar cilësi të meritës e të kompetencës më parë se t’i jepen çelsat e një ministrie, të një krahine, të një bashkie?

            Në qeverinë e sapo lindur, një nga postet më të rëndësishëm është ai i gruas së parë ministër të Infrastrukturave dhe Trasportiit, Paola de Micheli, 44 vjeçe. Dikasteri do të duhet të bashkërendojë investime tashmë të financuara me 35,5 miliardë euro gjatë viteve 2016 – 2033, Tav (trasporti i shpejtësisë së lartë) përfshirë. Paola de Micheli ka marrë diplomën në Shkenca Politike më 2001. Që nga 1998 deri në 2003 ka drejtuar një kooperativë bujqërish që prodhonte konserva domatesh, në luftë me shemërinë kineze, të mbyllur për likuidim të detyrueshëm administrativ me 5.399.771 euro humbje. De Micheli e kishte lënë atë detyrë, por gjykata e Piacenzës i vuri një gjobë prej 2000 eurosh. Padija ishte se ishte shpërndarë në treg mall i ruajtur keq. Në gjykimin ajo doli e pafajshme. Për tre muaj shkoi si këshilltare në Urumçi, në Kinë, atdheu i domateve kineze. Më vonë u emërua komisare e jashtzakonshme për rindërtimin mbas tërmetit. Pak rezultate, por faji është gjithmonë i normave kapistër.

            Roberto Speranza, me doktorat në histori, pa pasë punuar kurrë në shëndetësi para se të hynte në politikë, bëhet ministër i  Shëndetësisë; Teresa Bellanova, ministre e re e Politikave bujqësore, sindikaliste, me shkollë tetëvjeçare; Enzo Amendola, ministër për Çështjet evropiane, maturë liceu shkencor, karrierë e gjitha në politikë. Në legjislaturën e parë të mbasluftës (1949 – 1953) 91 % e deputetëve italianë ishin të diplomuar. Sot janë pak më shumë se 69 %. Matteo Salvini ka qënë jashtë kursit për dymbëdhjetë vite në Universitetin e Milanos, pastaj e la.

            Fabiana Dedone, 35 vjeçare, diplomë në Drejtësi, me një kurrikulum “praktikante avokate e aftësuar për patronazhet”, asnjë “funksion apo veprimtari biznesi apo profesionale”, të deklaruar në Dhomën e deputetëve më 17 maj 2017. I është besuar gjigandi i ministrisë së Thjeshtimit. Para saj e njëjta ministri i kishte takuar dentistit legist Roberto Calderoli, dhe Marianna Madias, e diplomuar në Shkenca politike dhe në moshën 34 vjeçare ministre: “Sjell si prikë mungesën e përvojës sime” tha. Po të kishin lindur në Francë do të kishin ndjekur”Shkollën e Madhe” ose Shkollën Kombtare të Administratës: e themeluar më 1945 nga De Gaulle, 10.645 të regjistruar më 2016. Kujdeset për zgjedhjen e kuadrove politikë, ekonomikë e administrativë, furnizon pjesën më të madhe të “grand commis”, të drejtuesve të partive e të përbërësve të qeverive; katër presidentë Republike, tetë kryeministra e sekretarë Shteti, edhe Macroni. Hyhet nëpërmjet konkurseve, nga 18 vjeç e mbrapa janë tashmë të futur në mekanizmat e zgjedhjes.

            Britania e Madhe ka shkolla si Instituti i qeverisë vendore, që formon mbarështuesit e llogarive publike dhe shëndetësisë. Gjermania shkollën e Kehl, 70 % gra qe studiojnë administratë publike dhe që nga regjistrimi bëhen funksionare të paguara. Në Finlandë kuadrot formohen në Institutin e administratës publike, që përfshin të gjitha ministritë. Në Danimarkë, Qendrat për vlerësimin e kompetencave vetiake formojnë personelin e administratave publike në të gjithë nivelet. Edhe n’Itali është Shkolla Kombëtare e Administratës, e themeluar më 1957, varet nga Këshilli i ministrave. Ndërmjet kurseve të fundit të studimit janë: “ Si të hartohet plani i parandalimit të korrupsionit”, “Zyra e shtypit dhe lidhja me mediat”, “Ekspertë në protokolle dhe cerimonialë”. Shkolla lëvdohet  për shkëmbime të ndryshme ndërkombëtare, edhe se jo të gjithë në nivel shumë të lartë. Dërgatat e fundit të pritura në vizita zyrtare janë: Instituti kinez i Chengdu-it, Kolegji kombëtar i Pakistanit, komuneja e Namyangju (Koreja e jugut), Instituti diplomatik i Gjeorgjisë, akademia Ho Shi Min e Vietnamit. Ja mund të fillohej të çohej kjo shkollë në lartësinë e modeleve evropianë të përmendura më sipër. E makari me detyrimin për të kaluar nëpër to, më parë se të mbarështojnë gjënë publike.

            Corriere della Sera, 5 shtator 2019           E përktheu Eugjen Merlika

            Shënim i përkthyesit

            Autorët e këtij shkrimi janë dy gazetarë të njohur në median italiane. Milena Gabanelli (1954) është një gazetare freelance, veçanërisht në fushën e hetimit gazetaresk në televizionin dhe shtypin e shkruar. Ka qënë e dërguar e tyre në shumë zona të nxehta të botës si ish Jugosllavia, Kamboxha, Vietnami, Birmania, Afrika e Jugut, Nagorni Karabak, Somalia, Çeçenia etj. E famëshme për emisionin “Report” në Rai 3 (1997 – 2016), konsiderohet si një nga gazetaret më të guximshme për të trajtuar larminë e temave të realitetit italian me një objektivitet të theksuar, pavarësisht bindjeve të saj vetiake.

            Luigi Offeddu është një gazetar në Corriere della Sera që nga viti 1995. Më parë kish punuar tek “Il giornale” i thirrur nga Indro Montanelli, të cilin e ndoqi në përvojën e shkurtër në “La voce”. Ka punuar si korespondent nga Moska në vitet e para 90-të e më vonë në Ballkan, në Hungari, Jugosllavi e Rumani. Aktualisht është i dërguar i Corriere-s në Bruksel e trajton çështjet evropiane në një gamë të gjërë, nga ekonomia tek imigracioni, mjedisi e politikat shoqërore. Ka botuar disa libra nga 1984 e këndej.

            Ky shkrim trajton një problem shumë të rëndësishëm, jo vetëm për Italinë por, në përmasa të ndryshme, për të gjithë Vendet e botës, përfshirë këtu edhe Shqipërinë. Dukuritë  që autorët e shkrimit (është kuptimplotë fakti që ka dy të tillë) paraqesin, duke marrë shkas nga jeta politike e Vendit të tyre, kryesisht në lidhje me formimin e qeverisë së re që mori votbesimin këto ditë, janë të rënda e shqetësuese: një ministër i Jashtëm me një mungesë të theksuar përgatitjeje kulturore, ministra të tjerë pa asnjë përvojë të veçantë pune në dikasteret ku emërohen, ministra pa diploma e studime të kryera, sigurisht që paraqesin një kuadër aspak qetësues për jetën administrative të shtetit italian.

            Duke vënë theksin mbi këto shrregullime të politikës, autorët shtrojnë çështjen e formimit intelektual e profesional të klasës drejtuese dhe administrative, duke u ndalur në përvojat më të përparuara të Evropës si ato të Anglisë, Francës, Gjermanisë, apo Vendeve veriore.

            Edhe tek ne, kërkesa për të patur një shkollë të posaçme të formimit të kuadrove, në të cilën përzgjedhja e studentëve duhet të jetë shumë e rreptë dhe e bazuar krejtësisht mbi aftësitë vetiake, të vërtetuara në konkurset për pranim, një institucion mësimor të shkëputur plotësisht nga kthetrat e politikës e të ngritur mbi kritere të përvojave më të mira në nivel botëror, do të ishte një mjet shumë i dobishëm për të vendosur t’ardhmen e shtetit shqiptar në themele sigurie.

            Por fakti që në gati tre dhjetëvjeçarë të kalesës së sistemit, çuditërisht, asnjë drejtues politik apo ministër arsimi nuk ka paraqitur një projekt të tillë na forcon bindjen se ende në synimin e politikës, meritokracia nuk përbën një domosdoshmëri, e tillë që të ushqejë shpresën për një Shqipëri më cilësore në raport me botën që na rrethon e në të cilën dëshirojmë të kemi vendin e merituar.  

Filed Under: Opinion Tagged With: Nje shkolle-per administratore publike- Eugjen Merlika

UN INTERNATIONAL PEACE DAY

September 21, 2019 by dgreca

The International Day of Peace (“Peace Day”) is observed around the world each year on 21 September. Established in 1981 by unanimous United Nations resolution, Peace Day provides a globally shared date for all humanity to commit to Peace above all differences and to contribute to building a Culture of Peace. The theme of the 2019 Peace Day is Climate Action for Peace. 
This year is particularly significant: It is the 20th Anniversary of the UN Resolution on the Programme of Action on a Culture of Peace. 
UN Secretary General, Antonio Guterres, delivers his 100-day countdown to the International Day of Peace message every year on 21 September:

The United Nations calls on all nations and people to put down their weapons and reaffirm their commitment to living in harmony with one another.  Today, as we mark the 100-day countdown to the next International Day of Peace, I invite global reflection on this year’s timely theme.

“Climate Action for Peace” brings a clear message: the global climate emergency is a threat to security and stability. As coastal areas and degraded inland areas are becoming uninhabitable, millions of people are being forced to seek safety and better lives elsewhere. With extreme weather events and disasters becoming more frequent and severe, disputes over dwindling resources risk fueling climate-related conflict.   

Last month, I visited the South Pacific and saw the challenges being endured by those on the frontlines of this existential danger.  But it is not just remote islands whose future is in jeopardy.  What is happening there is a sign of what is in store for all humankind.  Urgent climate action is a global imperative.

To mobilize the ambition we need, I am convening a Climate Action Summit on 23 September, at UN Headquarters in New York. I have asked world leaders to come with concrete and realistic plans to rapidly accelerate action to implement the Paris Agreement, and to make a pivotal shift toward a cleaner, safer and greener future.  In this endeavor, they will be backed by the passionate voices of young women and men around the world, who understand their future is at stake.

This is the battle of our lives, and a race against time. We can win — and we must.  Solutions are in our hands: tax pollution, not people; stop subsidizing fossil fuels; stop building new coal plants by 2020; focus on a green economy, not a grey economy. I count on your continued support as we strive to build a world where we can live every day in harmony with the environment and with each other. (Rafaela Prifti)

Filed Under: Politike Tagged With: Rafaela Prifti-UN INTERNATIONAL- PEACE DAY

NJË VATRAN PËR KUVENDIN E KOSOVËS

September 21, 2019 by dgreca

ALBAN HOTI, NJË KANDIDAT NGA AMERIKA PËR KUVENDIN E KOSOVËS/
Biznesmeni i sukseshëm në Një Jork, Alban Hoti ka vendosur që të kandidojë për Kuvendin e Kosovës. Albani është pjesë e Vatrës dhe po shkon edhe si zë i Shqiptarëve të Amerikës, por edhe si një zë vatran, që beson se kriza e përgjithshme në Kosovë mund të zgjidhet edhe nga kontributi i drejtëpërdrejtë i Shqiptarëve të Amerikës dhe diasporës në Europë, që ka bërë aq shumë për Kosovën në vecanti, edhe për Kombin Shqiptar në përgjithësi. Albani shkon në Kosovë me patriotizmin e trashëguar nga familja e tij, me angazhimin se do të japë gjithcka për qytetarët e Kosovës, me besimin në Zot, në Familje, në Komb, dhe në Pronë.

Ai i është përgjigjur ftesës që i ka bërë Partia “Republikanët e Kosovës” e udhëhequr nga Faton Kurti, një ish biznesmen i sukseshëm në Gjermani, që është kthyer në Kosovë dhe po i shërben me devocion Kosovës.Albani është dhe kryetar i Republikanëve të Kosovës për Nju Jorkun dhe të gjithë Amerikën e Veriut. Ai beson se qytetarët e Kosovës do të zgjohen premtimet boshe të politikës së vjetër ët konsumuar, përgjegjëse për krizën, dhe do t’i votojnë Republikanët e Kosovës, jo vetëm pse ata nuk janë përgjegjës për krizën ekonomike,korrupsionin,mos stabilitetin, por edhe për faktin se programi i Repubikanëve të Kosovës sjell shpresë. Albani thotë se Republikanët e Kosovës dallohen nga partitë e tjera politike dhe për Platformën e Bashkimit Kombëtar,- ne thotë ai,- jemi jo për Bashkim Komëtar, por për Ribashkim, sipas Modelit Gjerman pas rrëzimit të Murit të Berlinit.

Sot, e Shtunë 21 Shtator 2019, Albani, para se të udhëtojë drejt Kosovës, u takua në Vatër me Kryetarin e saj Dritan Mishto dhe me editorin e Diellit Dalip Greca. Ai dhë një intervistë për Gazetën”Dielli” për motivet e kandidimit, të cilën do ta botojmë në print, si dhe zhvilloi një bisedë të ngrohtë me kryetarin Dritan Mishto.Albani dhuroi për bibliotekën e Vatrës dy vëllimet e librit”MID’HAT FRASHËRI”-Vepra të Zgjedhura , botim i Institutit të Studimeve Historike”Lumo Skendo”, përgatitur për botim nga Dr. Uran Butka.URIME ALBAN!(Më gjërësisht do të lexoni në Diellin në Print)

Filed Under: Featured Tagged With: Alban Hoti-Nje Vatra-Kuvendi i Kosoves-

FIONA SAMPSON–FITUESE E ÇMIMIT“NAIM FRASHËRI”…

September 20, 2019 by dgreca

POETJA FIONA SAMPSON – FITUESE E ÇMIMIT “NAIM FRASHËRI” TË EDICIONIT TË XXIII TË FNP “DITËT E NAIMIT”/

Në Tetovë, u mbaj konferencë shtypi e Jurisë së Festivalit Ndërkombëtar të Poezisë “Ditët e Naimit”/

Poetja e njohur angleze Fiona Sampson është fituese e çmimit të madh “Naim Frashëri” të Edicionit XXIII të Festivalit Ndërkombëtar të Poezisë “Ditët e Naimit”. Ky është vendimi i Jurisë së Festivalit i përbërë nga studjuesit e letërsisë, Prof. dr. Ymer Çiraku (kryetar), Ndue Ukaj dhe Xhelal Zejneli (anëtarë). Drejtoria e Festivalit ia ka akorduar Laureates së sivjetshme edhe titullin Anëtar Nderi e Festivalit. FNP “Ditët e Naimit” do të mbahet prej 17 – 21 tetor 2019, në qytetin e Tetovës dhe ate të Korçës.

Këtë e bënë të ditur në një Konferencë shtypi të mbajtur më 19 shtator, në Qendrën e Kulturës në Tetovë, anëtari i Jurisë, Xhelal Zejneli dhe drejtori i FNP “Ditët e Naimit”, Shaip Emërllahu. Më herët, me këtë çmim letrar janë lauruar emra të njohur, si: Ismail Kadare (Shqipëri), Desmond Egan (Irlandë), Ali Podrimja (Kosovë), Fatos Arapi (Shqipëri), Lionel Ray (Francë), Abdelatif Laabi (Marok), Eva Lipska (Poloni), Tua Forstrom (Finlandë), Peter Poulsen (Danimarkë), Athanase de Thracy (Bullgari), Kuei shien Lee (Taivan), Sebastiano Grasso (Itali), George Wallace (SHBA) etj.

Anëtari i Jurisë së Festivalit, profesor Xhelal Zejneli, paraqiti arsyetimin për dhënien e çimimit letrar “Naim Frashëri”. Poetja Fiona Sampson “është shkrimtare dhe poete mjaft e njohur, që ka botuar deri më tani njëzet e shtatë libra dhe është përkthyer në mbi tridhjetë gjuhë të ndryshme. Ajo është pranuar si anëtare e Urdhërit të Perandorisë Britanike për Shërbime ndaj Letërsisë dhe njëkohësisht, si anëtare e Shoqërisë Mbretërore të Letërsisë. Është Profesoreshë e Poezisë në Universitetin e Roehampton-it; dhe gjithashtu një kritike, shkrimtare libretesh dhe redaktore botimesh. Ndër çmimet që ajo ka marrë deri më tani, përfshihen disa të tilla si: Njudigate Prize, Cholmondeley Auard, Hauthornden Fellouship, si dhe çmime ndërkombëtare në SHBA dhe në disa vende të tjera të botës.

Poezia e Fiona Sampson, përcjell botën komplekse të njeriut të sotëm, me tërë vibracionet shpirtërore dhe relievin e botës egzistenciale të tij. Prej kësaj poezie, burojnë për te lexuesi kumte të thella, të endura këto me një gjuhë të pasur poetike, me larmi stilistike e shtresa të dendura kuptimore. Është poezi natyrale, që endet magjishëm në valëzimin e kaltër të liqeneve të dalë prej mitesh, që pastaj depërton në skutat e fshehta të botës, për të dëgjuar gjithëshka, deri edhe zërin e milingonave që nën pemë ngrenë foletë e tyre sekrete…

Vlerësimi dhe vendimi i jurisë për dhënien e çmimit të Festivalit Ndërkombëtar të Poezisë “Ditët e Naimit” (2019) – për poeten nga Anglia, Fiona Sampson, është vlerësim për krijimtarinë e pasur dhe të çmuar të saj, si dhe shprehje e vlerësimit të lartë për gjuhën e bekuar të poezisë, e cila, me magjinë e artit të saj, ka aftësinë që që t`i kapërcejë kufijtë gjuhësorë dhe regjionalë dhe të kthehet në një pasuri shpirtërore për njerëzit, kudo në botë”.

Drejtori Shaip Emërllahu, në fund, lexoi edhe një deklaratë të laureates Sampson, të dhënë me rastin e shpalljes fituese e çmimit “Naim Frashëri”. Ajo në mes tjerash, thotë se, “jam thellësisht e nderuar, si dhe plot gëzim të gjej që poezitë e mia më sjellin në Tetovë dhe në Korçë, dhe kjo në emër të Naim Frashërit, poet i madh i Romantizmit dhe një hero i gjuhës shqipe. Një hero tjetër i tillë është patjetër Ismail Kadare, vepra e të cilit më ka mësuar për Shqipërinë para se ta vizitoja vendin për herë të parë, dhe që është njëri nga lista shumë e dalluar e shkrimtarëve të cilëve, Festivali Ndërkombëtar i Poezisë “Ditët e Naimit” u ka dhënë më parë çmimin “Naim Frashëri”. Nuk do t’ju pyes se si mund t’i ndjek, por thjesht do t’ju ofroj, kolegëve të mi të admiruar te “Ditët e Naimit”, përkushtimin tim të përtëritur dhe të përjetshëm për poezi, dhe për përkthimin dhe botimin e saj, për ta lexuar dhe shkruar dhe për t’u angazhuar për të, si dhe për mirëkuptimin ndërkombëtar që krijon.

Pres me kënaqësi shumë të madhe të vij në Festival dhe jam e nderuar të bëhem anëtare e tij, dhe pres t’ia shpreh respektin tim kujtimit të Naim Frashërit, traditës së madhe të Festivalit, si dhe Jurisë dhe organizatorëve. Pres edhe me padurim dhe gëzim të takohem me kolegë poetë nga gjithë bota dhe të mësoj më shumë për poezinë shqipe dhe për kulturën e Tetovës dhe Korçës. Edhe një herë, kolegë të çmuar të “Ditët e Naimit”, ju dërgoj falënderimet e mia të thella”.

Këtë vit janë ftuar 40 poetë nga vende të ndryshme të botës, si: SHBA, Britania e Madhe, Gjermani, Francë, Itali, Spanjë, Meksikë, Korea e Jugut, Malajzi, Bangladesh, Izrael, Tunis, Danimarkë, Holandë, Belgjikë, Kroaci, Greqi, Rumani, Bullgari, Bosnjë dhe Hercegovinë, dhe poetë të shumtë nga e gjitha hapsira shqiptare. Edhe programi i këtij edicioni do të jetë i larmishëm për nga përmbajtja. Në kuadër të tij, do të mbahet disa orë letrare, do të hapet një ekspozite pikturash, do të promovohen libra të Sh.b.”Ditët e Naimit”, do të vizitohen lokalitete kulturore dhe historike në Tetovë dhe në Korçë, etj.

Tetovë, 19 shtator 2019

D. Hadri

****

Fiona SAMPSON (ANGLI)*

Fiona Sampson është shkrimtare dhe poete që ka botuar njëzet e shtatë libra dhe është përkthyer në tridhjetë e shtatë gjuhë. Ajo është bërë Anëtare e Urdhërit të Perandorisë Britanike për Shërbime ndaj Letërsisë dhe është Anëtare e Shoqërisë Mbretërore të Letërsisë, Anëtare e Shoqatës Angleze dhe Anëtare e Wordsworth Trust. Ajo është Profesoreshë e poezisë në Universitetin Roehampton-it; dhe gjithashtu një kritike, shkrimtare libretosh dhe redaktore. Ndër çmimet që ajo ka marrë përfshihen Newdigate Prize, Cholmondeley Award, Hawthornden Fellowship. Ajo gjithashtu ka marrë nderime të ndryshme nga Këshilli i Arteve në Angli, Këshilli i Arteve Uells, Shoqëria e Autorëve, Shoqëria e Librave të Poezisë dhe Këshilli i Kërkimit të Arteve dhe Shkencave Humanitare, si dhe çmime ndërkombëtare në SH.B.A., Maqedoni dhe Bosnje. Ajo gjithashtu ka fituar një numër të konsiderueshëm bursash ndërkombëtare. Biografia e saj, “Në kërkim të Mary Shelley” (2018), është vlerësuar dhe kritikuar në rang ndërkombëtarisht për Klubin e Biografëve Slightly Foxed Prize. Përmbledhja e saj e ardhshme e poezisë është “Come Down” (Little, Brown, 2020).

SHPELLA E DANTES

VelikeDoline, Skocjan

Më së mbrami mbërrita

në fundin e botës

tek shkëmbi gëlqeror

që bie me hapa të lehtë

dhe shumë më poshtë një liqen

i vogël si i dalë prej mitesh

dëshmon se aty nuk kish

asgjë përveç shkëmbit

për të më mbajtur për të më rritur

në atë ajër të pastër

ku korbat vërtiten ku syri

i Zotit ishte prej ari

dhe shkujdesshëm atëherë

pashë se fundi ishte ajër

dhe të rënit i pastër

dhe ëmbëlsisht blu.

SHURDHËRIA

A po dëgjon po ti po e

dëgjon botën

kështu të duket por ti dëgjon veten

përsëri e përsëri gjuhën e errët

të botës skutat e saj të fshehta

ndënë pemë përtej dritave

terri bie prej këmbëve të tua

kaq i thellë sa mund të biesh mespërmes tij

përgjithnjë dhe sa e zhurmshme është

bota me netë ndër pemë

si një pemë ku shplodhën harabelat

që zgjon gjuhën e errët të botës

që zgjohet përmes teje teksa ti

bie e shtrenjta vete e shtrenjtë

e vetmuar vete që bie heshturazi

që shqiptohet përmes tingullit

EKUINOKS I EGËR

Këto ditë janë ende

të acarta filli i ndjenjës

ngjitet lart mes një vije

tëbrishtë siç do preknim një

puls pothuajse të gjallë

apo zemra brenda një veze

të jehonte vetveten apo

të dëgjosh milingonat që nën pemë

ngrenë qytete sekrete

*

Lutja jote vështirë

se ka vlerë

kur lugina e mban

dritën me kaq

kujdes gjith-

sesi është kaq

e brishtë kjo –

e vërtetëështë

ose diçka e ngjashme me të –

këtu por gjithashtu

disi jo

ajo pret radhën pas

gjithë gjërave

për të folur

përmes secilës pemë

secilës gardhiqe –

dhe derisa gjendesh këtu

të flasë edhe

përmes teje

*

Ka ende

vertikale

dhe pemët

ngjiten përpjetë

sërish këtë mëngjes

të punosh është

të lutesh njësoj

kur sythat e mbyllur

të pemës së dardhës

nuk çelin dot fusha

zhytet duke imituar mëngjesin –

konfucianët thonë

se vetmja gjë e vërtetë

është vëzhgimi –

dhe kur ne tregojmë

duart e zbrazëta

diçka duket

se zhduket pak

nga drita e humbur

mes pemëve

*

Stinë e thatë

në zemër

duhet të lutesh

edhe pse nuk mundesh

por sërish trungu

i manjolës

tërhiqet

fort lart

*

E pashpërfillshme

pema e hijes derdhet

lart duke e rritur

dhe rritur veten

rosa të egra fluturojnë

poshtë

me zëra të ngritur

dhe lulet e bardha

bëhen tufa

prej degësh

qe e mbajnë lart

ajrin e zi

çdo gjë është

dhe e di se është –

ekuinoks i egër

që balancon dritën

me errësirën

e pandashme

ZONJA E DETIT

i

Blu dhe e zezë

Virgjëresha është

ulur në vigun

e saj të lartë

ajo nuk

na vështron

vështrimi i saj shtrihet

larg prej nesh

larg në të kaluarën

pas në shekuj

prej ku dhe kur

ajo vjen

ajo ikën

tashmë

po udhëton

përkrah nesh dhe tej nesh

yll i lashtë

që fluturon kaq ngadalë

nuk e shohim

tek lëviz

ii

po sikur

e mëshirshme siç është

të shpërvilte

krahët e saj gjarpërorë apo

maska e saj e zezë

të binte a mund të vinte

mes nesh

atëherë apo çfarë

do të thyhej dhe

të perflakej sërish

çfarë kuptimi

rishtas i përsosur

iii

lart dhe tej

shumë lart

dhe aq larg

sa zhdukja

tingulli i erës

duke ulërirë ndërmjet

qelqeve vjen

me kumbime tëëmbla

unaza guri

ku troket

sarkofag

i hapur shenjtori

iv

Zonjë në

arkën tënde prej guri

ti që vesh

gurin e bardhë

për vello

nusërie Zonjë

e paepur

dhe vetjake

të mbajmë

në qivurin e

syve

si një grimcë (mote)

ose si një rreze

tek e cila mbahemi

teksa mbytemi

Zonjë më e fortë

se koha më e fortë

se drita të shohim

të padukshme

dhe kudo

LAPUINGU I MARSIT

Gjithçka ka

filluar të lëvizë

dhe gjithçka mbetet

ku është

secila pemë e bërë hi

dhe çdo bregore

zhvendoset kundër

vetes madje

bari zhvendoset

laupingët elektrikë

qajnë sepse

e zakonshmja shkrihet

dhe rrjedh madje

shkrihet dhe rrjedh

madje dhe toka

shpërbëhet dhe shkrihet

si akull kaq të humbura

janë shqisat

prej këtij shqetësimi

ja ku po vjen

përsëri e reja

klithma elektrike

ndryshim i ndryshuar

që lëviz përkrah nesh

GOLEMI I FRANKENSHTAJNIT

Kush është ai

që lëviz shpejt

përmes errësirës

në një peizazh

të cilit ende nuk i ka

dhënë formë

drita e ditës

rrëshqet paformë

si hije

përmes errësirës

dhe vendeve të panjohura

ka veshur natën

ngjitur me lëkurën e tij

i veshur me një gëzof

prej pishe dhe guri

kush është ai

të cilit atomet i

vlojnë në lëkurë

që kalon

përmes errësirës

ku u varros

dhe prej të cilës

ai u ngrit

jo nga dashuria

por vetëm nga pushteti

u ngrit nga vdekja

dhe u detyrua të kalojë

përsëri përmes

vdekjes së tij

qërrëshqet larg

midis shkëmbinjve (teksa

ujëvarat

elektrizojnë

errësirën) kush është ky

në malin ku

mëngjeset thyhen

përmes shkëmbinjve

terakotë

ngjyrë portokalli

krejt i ri dhe

i punuar me përkujdesje?

NUMEN

Dëbora bie dhe mbush luginën

dhë nën çatinë e saj të bardhë

si borë bien ëndrrat e fshehta

dhe vetjake të një gjumasheje

bien dhe bien në errësirë

bien si diçka që flet

pa zhurmë në errësirë

diçka qëështë krejt vetmitare

në heshtje nuk mund të dëgjojë

vetveten nuk mund të ndjejë barin apo gurët

apo degëzat e vogla të fshehta

edhe nëëndrrat e gjumashes

bora që bie nuk mund të ndjejë

tokën që e malluar mezi pret të prekë

dhe e merr malli të bjerë e të bjerë

 përmes përqafimit të saj të ftohtë

në errësirë e përgjumura ëndërron

dëborën që bie në nënkresën e saj

teksa një lagështi e madhe fjalëzon natën

dëbora flet për veten

duke thënë fjalët për natën

BIRI I ATYRE QË DO TË VIJNË

Ne që do vijmë

të cilëve ju ua kini borxh këtë fushë

këto pemë këtë qiell të ndryshueshëm

të cilëve ua kini borxh këto mure

që të kanë ngushëlluar

që do na ngushëllojnë

sepse ti i bërë për të qenë

streha jonë

edhe pse ne nuk na duhet asnjë strehë

pasi kemi fushën, pemët

qiellin e ndryshueshëm që lëviz

përreth nesh në formë

rrathësh të mëdhenj ne që vijmë

prej kohës ku tërë gjërave

të ndryshueshme do u vijë shplodhja e tyre

ju bekojmë

o prindër që endeni

nëpër fusha a thua se sapo keni

mbërritur a thua

nuk kuptoni asgjë.

Përktheu: Belfjore Qose

Filed Under: LETERSI Tagged With: Fiona Simpson- Festivali-Ditet e Naimit

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 878
  • 879
  • 880
  • 881
  • 882
  • …
  • 5724
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Dashuria që e kemi dhe s’e kemi
  • “Jo ndërhyrje në punët e brendshme”, dorëheqja e Ismail Qemalit, gjest atdhetarie dhe fletë lavdie
  • Arti dhe kultura në Dardani
  • Gjon Gazulli 1400-1465, letërsia e hershme shqipe, gurthemeli mbi të cilin u ndërtua vetëdija gjuhesore dhe kulturore e shqiptarëve
  • “Albanian BookFest”, festivali i librit shqiptar në diasporë si dëshmi e kapitalit kulturor, shpirtëror dhe intelektual
  • VEPRIMTARI PËRKUJTIMORE SHKENCORE “PETER PRIFTI NË 100 – VJETORIN E LINDJES”
  • 18 dhjetori është Dita Ndërkombëtare e Emigrantëve
  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT