• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Atdheu – dashuria më sublime dhe ideali më i lartë i shqiptarit

September 7, 2019 by dgreca

Nga Anton Çefa/Shqiptarët që heret kanë qenë të ndërgjegjësuar për atdheun, e kanë pasur të qartë përkatësinë e tyre etnike, e kanë shfaqur me dashuri e krenari si dimensionin kryesor të shpirtit të tyre, e kanë ndjerë me dhëmbje, i janë përkushtuar me dëshirë, kanë jetuar dhe kanë luftuar me idealin e atdheut në gji.
Ndjenja e kombësisë nuk ka qenë kurrë për shqiptarët thjesht një refleks vetëdijeje për origjinën e lashtë, për gjuhën gjenuine, nëpërmjet së cilës ata përvijuan kufijtë e vendit të vet, për formimin e tyre psikik, në dallim nga popujt e tjerë, për kulturën e përbashkët, pavarësisht dallojave krahinore që ekzistonin dhe e pasuronin atë, për historinë, etj. , elemente që u jepnin atyre njësinë fizike dhe shpirtërore të kombit; ajo ka qenë ndjenjë e fuqishme që i ka mbushur zemrën, i ka frymëzuar shpirtin dhe i ka mprehur vullnetin për t’u vënë në shërbim të atdheut me të gjitha aftësitë e mundësitë.
Vetëdije dhe ndjenjë shkojnë bashkë: sa më tepër që të njohësh vlerat e një dukurie të çfarëdoshme, aq më tepër e don dhe e çmon. Vetëdijësimi për përkatësinë etnike dhe vetëdijësimi për vlerat etnike janë kusht sine qua non për ta dashur dhe vlerësuar atdheun, për të krijuar atë predispozicion shpirtëror që të bën të përpiqesh dhe të luftosh për atdheun, të flijohesh për të.
Kjo ndjenjë e magjishme, gjithnjë e ngrohtë e zemrës shqiptare, ka ushqyer ideale të larta atdhetare dhe ka bërë që në shpirtin shqiptar të përndrisin në një zjarr të përbashkët ndjenjë dhe ideal, ideal dhe ndjenjë.
Rreth shek. XIV, populli ynë filloi ta identifikojë veten përmes gjuhës edhe si semantikë fjale, ta quajë veten shqiptar, në kuptimin e atij që flet shqip, qartë, kuptueshëm, siç mendojnë disa, duke e dalluar veten prej folësve të gjuhëve të huaja. Gjurma e parë e emrit shqiptar del në dritë në mbarim të shek. XIV, në një valle që këndohet në Zadrimë. 1). Ka pasur gjashtë mendime të ndryshme për burimin e këtij etnonimi, por më i pranueshmi është ky që thamë më lart, të cilin e ka shtruar në sofrën e dijes Gustav Meyer dhe e ka përkrahur Sufflay.2). Hipoteza e dytë e lidh zanafillën e emrit tonë kombëtar me fjalën shqipe, shqiponjë, çka është më e bindshme.
Nuk dihet me saktësi se kur e pse filloi të përdoret ky emërtim si emër kombësie. Ka mendime se ai u bë popullor në kohën e dyndjeve të fiseve barbare në Ballkan 3) ose në kohën e ndarjes së theksuar krahinore e administrative që solli pushtuesi osman. 4).
Sido që të jetë, fakt është që vetëdija dhe nënvetëdija popullore e ndjeu nevojën e shprehjes së identitetit dhe unitetit nëpërmjet identifikimit me këtë emër të ri që lidhej me gjuhën, elementin më të dallueshëm të një kombi; aq më tepër që ky emër lidhej edhe me shqipen, shpendin mbretëror, madhështor, me të cilin është përkëdhelur dhe përkëdhelet edhe sot e kësaj dite sedra ynë kombëtare. Veç kësaj, shqipen shqiptari e ka edhe në Flamurin kombëtar, për të cilin ka një nderim të veçantë, pothuaj mistik, e ka për zemër, si simbol të unitetit kombëtar; sepse kudo që jetojnë shqiptarët, në trojet tona të lira apo të robëruara, apo në diasporat e shpërndara “të gjakut tonë të shprishur”, ata i përnjësohen dhe i përbetohen me lotë në sy këtij Flamuri.
Si një popull i lashtë, me një përvojë jetësore e historike të pasur, me urtësinë që e ka karakterizuar, populli ynë nuk e ka identifikuar kurrë veten nga besimi, në ndryshim me sllavët, grekët, bullgarët, etj.,por nga përkatësia etnike, duke i dhënë kombësisë përparësinë, siç i takon: si element i pandryshuar, i patjetërsueshëm.
E kemi çekur edhe në ndonjë rast tjetër, por e ripërsërisim këtu shprehjen emblematike shumëkuptimplote të Hobhaus-it për këtë karakteristikë të spikatur të shpirtit shqiptar, të konstatuar prej tij në dhjetëvjeçarin e parë të shek. XIX: “Kur banorët e provincave të tjera të Turqisë pyeten se ç’janë, ata të përgjigjën: “jemi muhamedanë” ose “jemi të krishtërë”, ndërsa banori i këtij vendi përgjigjet: “unë jam shqiptar” 5). “Kjo ndjenjë e fuqishme për atdheun, e ka theksuar ai, vihej re “në tërë popullin” dhe në një mënyrë të atillë që bënte “të zhduket në një masë të madhe ai dallim i madh, që vihet re në pjesë të tjera të Tuqisë midis pasuesve të dy feve të ndryshme”. 6).
Është kuptimplote përgjigjja për këtë çeshtje e Ismail Qemalit dhënë një gazetari anglez, pas Shpalljes së Pavarësisë:
-Si do t’i bashkoni në një shtet katolikët e Veriut me myslimanët e Shqipërisë së Mesme dhe me ortodoksët e Jugut?- pyeti gazetari.
-Mos kini frikë, zotëri! Ata janë bashkuar e bërë njësh prej kohësh nëpërmjet kultit të të njëjtit atdhe, të cilin e kanë në zemër prej shekujsh. – u përgjigj Ismail Qemali. 7).
Gjatë shekujve të pushtimit osman, edhe pse një pjesë e popullsisë u kthye në besimin e pushtuesit, shqiptarët luftuan së bashku kundër tij.
Është e hershme vetëdija e kombësisë dhe ndjenja që e ka shoqëruar atë; ajo u ka qëndruar kohëve të vështira që ka kaluar vendi, është kalitur sidomos në periudhën e lavdishme të luftës së popullit tonë nën udhëheqjen e Skënderbeut, dhe është çelnikosur më tej në shekujt XVI-XVIII, në kohën e kryengritjeve masive kundër sundimit osman, në vitet e Lidhjes së Prizrenit dhe, më së fundi, në vitet e rezistencës kundër pushtuesve italo-gjermanë. Janë pikërisht vetëdija e përkatësisë etnike dhe ndjenja e shqiptarësisë gjeneratorët e luftave shekullore të popullit tonë për të mos iu nënshtruar armikut dhe për t’u bërë ballë përpjekjeve të gjithnduerta të asimilimit të huaj.
Historia e popullit tonë është histori e luftave të vazhdueshme për të mbrojtur lirinë, dinjitetin, gjuhën, zakonet e traditat e trashëguara prej të parëve. Gjurmë të pashlyera ka lënë kjo histori në kulturën popullore, sidomos në atë shpirtëroren, në radhë të parë tek kënga popullore. “Karakteri dhe historia e një populli pasqyrohen më së miri në poezinë popullore”, ka shkruar Çabej. 8).
Megjithëse në ciklin e këngëve legjendare të Mujit e të Halilit del e turbullt kuptimësia e atdheut, kreshnikët shqiptarë e veçojnë etnikisht veten e tyre nga të huajt: shkjau, latini, maxhari, turku. “Gjak as fis na me shkja nuk kemi”, thuhet në një rapsodi. Kreshnikët luftojnë për lirinë dhe tokën e tyre. Në qendër të këtij eposi madhor qëndron konflikti shqiptaro-sllav. Në betejat e tyre, rapsodët popullorë mishëruan qëndresën e armatosur kundër përpjekjeve sllave për t’u shtrirë në viset tona.
Kreshnikët e dallojnë veten e tyre nga të huajt veçanërisht prej vityteve të tyre të veçanta e fisnike, të cilat i mbajnë për të shenjta, dhe siç pohojnë ata vetë i kanë trashëgim prej të parëve; jetojnë e luftojnë sipas brumosjes së tyre morale dhe zakoneve të tyre, krenohen për to, i qëndrojnë besnikë deri në vdekje. “Se ne t’ parët nji kanu na kan lanë / Armët me dhanë përpara, mandej gjan”, i thotë Gjergj Elez Alija Balozit; “Tjetër t’mirë ne t’parët nuk na kan lanë, / kurrnja nesh veç mos me dekë në t’shtrueme, por me shpata m’u pre tuj këndue”, i thotë Halili Krajlit në prag të vdekjes. “Deka ma e ambel s’asht se n’luft’ m’u pre, / n’ luft’ m’u pre pa i lanë marre vedit”. Ata janë të ndërgjegjshëm se të huajt nuk i njohin zakonet e tyre: në këngën “Lule Frangu”, thuhet për gogët (latinët): “ata s’dijn’ besë, as s’kan trevezë”, pra, nuk janë besnikë dhe as mikpritës. 9).
Dashuria për atdheun u ka dhënë frymë të gjallë, frymë shenjtërimi, epikës historike, që i është kushtuar luftës për liri të atdheut. Kënga popullore ka shoqëruar çdo fakt historik, ka përjetësuar bëmat heroike të luftëtarëve të lirisë të të gjitha kohëve, u ka thurur himne udhëheqësve të kryengritjeve popullore, dëshmorëve të rënë për hir të kësaj dashurie dhe të idealit kombëtar, duke shërbyer njëkohësisht si burim njohjeje historike dhe frymëzimi për breznitë e ardhshme.
Një mori të pafund këngësh, populli ynë i ka kënduar dhe i këndon Heroit tonë Kombëtar, Skënderbeut, gjithë heronjve të asaj epopeje madhështore që udhëhoqi ai. Përndrisin në këto këngë me një shkëlqim rrezatimi të rrallë dashuria e popullit tonë për atdheun dhe lirinë, krenaria kombëtare, adhurimi për Skënderbeun dhe luftëtarët e tjërë të lirisë.
Barleti na ka treguar që shqiptarët e kishin zakon të trashëguar të këndonin ndër gosta trimëritë e të parëve të tyre dhe t’u thurnin lavdi atyre. Për një gjë të tillë ka folur, në mënyrë të veçantë, historiani venedikas, humanisti Antonio Sabelico, i cili përmend që në vitin 1847 se “ . . . populli, i mahnitur nga adhurimi i lartë i këtij burri (Skënderbeut), sikur të shikonte tek ai diçka që kalonte mundësitë njerëzore, e lartësonte kujtimin e princit të dashur me këngë solemne. Më kanë treguar burra të denjë për t’u besuar se mu në mes zjarrit të luftës, kur gjithçka shungullonte nga armët e barbarëve (osmanëve), grumbuj vajzash e kishin zakon të mblidheshin çdo ditë në sheshe, kryqëzime rrugësh të qyteteve, ku ai kish sunduar dhe të këndonin lavditë e princit të tyre të vdekur, ashtu siç bënin edhe të vjetrit në gostitë e heronjve të mëdhënj” 10). Për një dukuri të tillë, më pas do të na flasin Barleti, Marin Bici, Frang Bardhi, etj.
Me interes është një këngë kushtuar udhëheqësit të kryengritjes popullore kundër politikës centralizuese të Tanzimatit, në zonën midis Kurveleshit, Delvinës, Çamërisë, Gjirokastrës dhe Vlorës, në vitin 1847:
“Gryk’ e Kuçit, gryk’ e keqe,
Një mijë e treqind dyfeqe,
Ç’i mban Gjoleka me vete!
U trete, Gjolek’, u trete!
E sos lëftove për vete,
Po për gjithë vilajete,
Për nizam’ e për xhelepe . . .
S’e për mua e për ti,
Po për gjithë Shqipëri!”11).
Vargu i fundit, që këngëtari anonim e ka vendosur në këngën kundër Reformave të Tanzimatit, na dëshmon më së miri që shqiptari ka jetuar gjithnjë me një ndërgjegje kombëtare të zgjuar, bile para se të formohej në radhët e intelektualëve tanë një ideologji e çlirimit kombëtar. Populli e ka pasur gjithnjë të qartë qëllimin për të cilin ka luftuar:
“Shqipëri, o shkëmb e gur,
Vrite, prite për flamur:
Ata hiq e tine vurë”.
Ose:
“Bini djem! thot Ramadani,
Bini se na shkoi vatani”.
Nga ushtria madhore e vargjeve të thuruna për luftëtarët e lirisë të të gjitha kohëve, po veçoj vetëm pak vargje nga një këngë kushtuar Sefë Koshares, pjesëmarrës i epopesë së luftës për ruajtjen e trojeve tona, kryesuar nga Lidhja e Prizrenit. Si u kap i plagosur dhe nuk pranoi para Dervish Pashës të dënonte veprimtarinë e Lidhjes, u var në mes të fshatit, në maje të një lisi, për t’u përjetësuar në vargjet e rapsodit dhe në zemrat e të gjitha breznive shqiptare:
“Sef Kosharja, i par’ i fisit,
Hije t’paska dega e lisit!
-Hije m’ka, o djemt e mi,
Se kam lanë shpirtin për Shqipni”

Jo vetëm epika historike, por edhe gjinitë e tjera të folklorit si ninullat, fjalët e urta, gojëdhanat, etj., e kanë pasqyruar ndjenjën shqiptare të atdhetarizmit.
Tek fjalët e urta, që ka krijuar populli ynë gjatë shekujve, është vlerësuar kjo ndjenjë si një ndjenjë njerëzore nga më sublimet, është çmuar ai që lufton dhe flijohet për atdheun: “Kush ka vdekë për atdhe, nuk ka vdekë, por ka le”; ka kumtuar me anën e tyre mesazhe të ndritura për breznitë e ardhme: “Duaje atdhenë si shqiponja folenë”, “Në kufijt e arës vdis, po kufirin mos e lsho!”; ka shprehur idenë e sakrificës si domosdoshmëri për të punuar për atdheun: “Po s’u dogj shtëpia, s’bëhet Shqipëria”; ka treguar vlerën e njeriut në marrëdhënie me atdheun: “Mos punofsh për atdhe, s’përmendesh mbi dhe”; ka vënë në dukje, bile nëpërmjet armikut, qëllimin e lartë të shqiptarit për të mbrojtur atdheun: “Arnaut, he arnaut, në vend të bukës blen barut”; ka hjedhur idenë e ëmbëlsisë së jetës në atdhe, ku është “Balta ma e ambel se mjalta”, etj. 
Në ninullat që nënat shqiptare u kanë kënduar fëmijëve, kanë shprehur gjithnjë dëshirën që ata ta duan atdheun dhe t’i shërbejnë atij kur të rriten, të bëhen trima si Skënderbeu. Po jap këtu vetëm një këngë që nëna drenicare i ka kënduar birit të saj:
“Gjinin bir qi un ta dhashë
Nja dy fjalë t’i them qitash
Rritju nanës ti, o trim,
Për vatanin, o gëzim,
Shpirtin nan-o duhet falë
Sikur gjyshi yt, o djalë,
Se dushmani ne na pjekë
Nën sun (sundim) t’tij dhe gjarpni hjekë” 12).
Mjeda e ka përgjithësuar artistikisht aq bukur këtë synim edukativ të nënave në poemin “Liria” e cila i bën jehonë kryengritjes së Malësisë së Madhe nën udhëheqjen e Dedë Gjo Lulit, në vitin 1911: “ . . . Qe nder djepa rrisin / nanat e Hotit djelmënin ushtore, / e idhnim n’anmikun neper gji ju qisin.”
* * *
Po aq sa poezia popullore, edhe letërsia e shkruar ka pasqyruar ndjenjën e lartë të dashurisë për atdheun dhe idealin kombëtar. Në gjithë veprimtarinë letrare e shkencore të humanistëve tanë të mëdhenj si një fill drite ndriçon kjo dashuri, dëshira për ta parë atdheun të lirë e të begatë. Po përmend Barletin, një ndër më të shquarit në rreshtin e gjatë të humanistëve tanë, që dhanë një kontribut të vlertë në Rilindjen europianne. Në hyrjen e kryeveprës së vet “Historia e jetës dhe e bëmave të Skënderbeut”, që i kushtohet Ferdinand Kastriotit, nipit të Skënderbeut, ai ka shpjeguar arsyet që e shtynë të ndërmerrte këtë vepër: ndjenja e detyrës patriotike për të përjetësuar luftën e heroit dhe të popullit të tij dhe njëkohësisht për t’i shërbyer së vërtetës si detyra më e lartë e historianëve.” 13).
Është bërë proverbiale shprehja e çiltër që tingëllon si programatike e Buzukut në veprën e tij “Meshari”, e para vëpër në gjuhën tonë që kemi në dorë, të cilën ai e shkroi “En së dashunit së botës sanë”, pra për dashurinë ndaj vendit dhe popullit të vet. Është pikërisht ky qëllim i lartë që i paraprin vargut të shkrimtarëve tanë të letërsisë së vjetër shqipe: Budit, Bardhit, Bogdanit, dhe gjithë letërsisë sonë të mëvonshme.
Dashuria e pakufishme për Shqipërinë është lejtmotivi i gjithë veprës së Naimit, apostullit të shqiptarizmës, grishje e hapët për çlirimin e atdheut nga sundimi turk, dëshirë e flakët për ta parë të lirë, të begatshëm, të qytetëruar, të lumtur. Në “Historinë e Skënderbeut”, që “është quajtur me të drejtë ‘testamenti politik’ i Naimit 14), duke himnizuar heroin e kombit, poeti ia shtron vetvetes kështu detyrën e madhe:
“T’i ap dritë Shqipërsië
Nga shpirti i ndritshëm i tija.” 15).

Ja edhe pak vargje me shumë dashuri dhe zotim:
“Shqipëri, o jetëgjatë,
ty të kemi mëmë e atë
dhe për ty do të luftojmë
gjersa të të trashëgojmë.
………………………
Shqipëri, të qofsha falë,
të kam mëmë e më ke djalë.”16).
E gjithë vepra e At Gjergj Fishtës, Poetit Kombëtar, i është kushtuar lirisë, begatisë, qytetërimit të atdheut. Kushtrimi luftarak burrëror për çlirim ka qenë limfa e motiveve kushtrimtare fishtiane:
“Bini, Toskë, ju, bini Gegë!
Si dy rrfe , qi shkojnë tue djegë
A ngadhnjyes a t’gjith deshmorë!
Trima, mbrendë! Me dorë?, me dorë!” 17).
Në veprën e tij janë skalitur me dorën mjeshtërore të poetit traditat më fisnike të popullit tonë, ato virtyte që karakterizojnë fizionominë e vërtetë të kombit; dhe një ndër to nderimi sublim për ata që punuan, luftuan dhe vdiqen për atdheun:
“O ata t’lumtë qi dhane jetën,
O ata t’lumtë qi shkrine vehten
. . . . . . . . . . . . . . . . . . . . . . . . . .
Lehtë u kjoftë mbi vorr ledina,
Butë u kjoshin moti e stina,
Ak’lli, bora e serotina,
E der’ t’këndojë n’mal ndoj Zanë,
E der’ t’ketë n’det ujë e ranë,
Der’ sa t’shndrisin diell e hanë,
Ata kurr mos u harrojshin,
N’kangë e n’valle por u kndojshin.” 18).

Që kur u ngjiz shpirti i shqiptarit, shkelqei te ai si një fill i artë rrezatues ndjenja e ngrohtë e dashurisë së atdheut dhe përndritën në flakurime farfuritëse idealet më fisnike në shërbim të tij. Këto virtyte kombëtare, diktatura me ideologjinë e vet të kuqe internacionaliste i topiti, por kurrë nuk ia arriti t’i shkimbë. Dhe as partitizmat e politikës aktuale pa idealet e mësipërme dhe me flamuj materializmash, konsumizmash, korrupsionizmash, interesash personale, etj., nuk do të munden të çnatyralizojnë ato virtyte të përjetshme e të fisme të shqiptarit, dhe sidomos dashurinë e shenjtë për atdheun; sepse:
“Kriter për veprimet tona kemi dashurinë për atdheun, dashurinë pa kufi, pa kushte, dashurinë si ajo e mëmës për fëminë e saj . . . Kundrejt atdheut kemi vetëm detyrë, asnjë të drejtë, përveç të drejtës që ta adhurojmë” 19), siç e ka përcaktuar Mithat Frashëri hapësirën kuptimore të ndjenjës sonë ndaj atdheut.

Referenca e sqarime

1). Atë Marin Sirdani, “Ndriçime të historisë, të kulturës dhe të artit shqiptar”, Zgjodhi dhe përgatiti për shtyp Anton Nikë Berisha, “Shpresa” Prishtinë, 2002, f. 113-114.
2). Po aty, f. 114-116. 3). 
“Emni Shqyptar, shkruan Sirdani, nuk kundrrohet në kurrnji shkrimtar perpara të XVIII qindvjetë. Se si e kur hini në perdorim n’anekand Shqypnin, në mal e vrri si emen i perbashkët kombsije, nuk dihet, por mbasi perdoret pa perjashtim deri nder vendet ma të izoluemet e dheut t’onë, do të caktohet së pakut para ardhjes së Turkut nder kto vende, e ka gjasë se ka hi në përdorim që me kohë t’invazioneve të popujve barbarë në dhena të Ballkanit, pse atëherë kanë pasë ma nevojë se kurdoherë t’onët me pasë nji emen të përbashkët kombsije per me u nda prej sa e sa popujve qi u pershkojshin neper vende të tyne e u perzieshin me bashkatdhetarët e tyne”. Atë Marin Sirdani, vepër e cituar më lart, f. 114.
4). Dhimitër S. Shuteriqi shkruan: “ . . . në shekullin XVII – XVIII, populli nisi t’i thotë vetes “shqiptar”, sipas gjuhës “shqip”, ta identifikojë veten përmes gjuhës. Arsyet duhen kërkuar te theksimi i ndarjes krahinore dhe administrative që solli pushtimi i gjatë osman” (“Ndjenja e kombësisë te shqiptarët në shekujt e parë të pushtimit osman”, gazeta “Drita” 8 gusht 1982, f. 13).
5). Hobhouse, vepër e cituar, f. 148, cituar sipas Shpëtim Memës, vepër e cituar, f. 70.
6). Hobhouse, J. C., vepër e cituar, f. 70.
7). Banush I. Lami, “Një bitinar i mërguar”, Shtypshkronja “Kotti”, Korçë, 2001, f. 138.
8). Eqrem Çabej, vepër e cituar, f. 37.
9). “Visaret e Kombit”, vepër e cituar, f. 31(tek “Shtojca”).
10). M. Antoni Sabellici, Historiae Rerum Vennetarum. Basileae 1556, f. 922-923 (Botim i parë 1487), cituar sipas “Epika historike – 1”, “Hyrje”, f. 23-24.
11). Citimet e vargjeve të këngëve popullore historike janë marrë nga vëllimet “Epika historike – 1” dhe “Epika historike – 2.
12). Anton Nikë Berisha, “Qasje poetikës së letërsisë gojore shqipe”, Ndërmarrja botuese “Rilindja”, Prishtinë, viti 1998, f. 136-137.
13). Akademia e Shkencave e RPSSH, “Fjalori Enciklopedik Shqiptar”, Shtypur në Kombinatin Poligrafik, Tiranë, 1985, Zëri “Historia e jetës dhe e bëmave të Skënderbeut”, autori i zërit Aleks Buda, f. 375.
14). Akademia e Shkencave të R. P. S. të Shqipërisë, Instituti i Gjuhësisë dhe i Letërsisë, “Historia e letërsisë shqiptare”, Tiranë, 1983, f. 212.
15). Po aty, f. 217.
16). Riprodhim me kujtesë.
17). Don Viktor Sopi “At Gjergj Fishta – Kthjellon terrin e mjeruar – Antologji”, Shtypshkronja “Dukagjini, Pejë, Boton “Rrezja”, Bishtazhin, 1997, f. 122.
18). Idem, f. 193.
19). Uran Butka, “Gjeniu i Kombit”, Botimi i parë, “DRIER”, viiti 2000, 473.

Filed Under: Opinion Tagged With: Anton Çefa-Atdheu-Dashuria Sublime

NË SHTËPINË E PAVARËSISË DR. IBRAHIM RUGOVA…

September 7, 2019 by dgreca

“Shtëpia e Pavarësisë – Dr. Ibrahim Rugova” është vendi prej nga filloi projekti i pavarësisë dhe u vunë themelet e shtetit sovran të Kosovës/

PRISHTINË, 7 Shtator 2019/ “Shtëpia e Pavarësisë – Dr. Ibrahim Rugova”, është vendi prej nga filloi projekti i pavarësisë dhe u vunë themelet e shtetit sovran të Kosovës, është shprehur sot, kandidatja e LDK-së për kryeministre, znj. Vjosa Osmani.

Nga kjo shtëpi u lidhën fijet e miqësisë së madhe me SHBA- të dhe vendet e tjera. Bota e njohu përpjekjen tonë për liri.

Tri postulatet e dr. Rugovës: Liri, pavarësi e demokraci duhen jetësuar në shtet të qëndrueshëm e demokratik.

Prandaj, na duhet demokraci efektive dhe vendosmëri për ta ndërtuar shtetin mbi themelet e vlerave qytetëruese perëndimore.

Dr. Osmani theksoi mirënjohjen e thellë të saj dhe të LDK-së ndaj të gjithë atyre që kontribuan në lëvizjen për pavarësi dhe anëtarëve të  Qendrës për Informim të Kosovës (QIK), nëpërmjet të cilit bota u njoh për përpjekjet tona për liri, njofton Zyra për Informim e LDK.

Njoftohet edhe se Sot,  me rastin e përvjetorit të Kushtetutës së Kaçanikut, kandidatja e LDK-së për Kryeministre, Vjosa Osmani, viziton edhe Shtëpinë e Kulturës në Kaçanik, ku para 29 viteve u mbajt seanca e Kuvendit të Kosovës për shpalljen e Kushtetutës së Republikës së Kosovës.

Filed Under: Featured Tagged With: Shtepia e Rugoves-Vjosa Osmani-Rrugetimi drejt Lirise

KOSOVA REPUBLIKË ME KUSHTETUTË PARA 29 VITEVE

September 7, 2019 by dgreca

Histori-KOSOVA REPUBLIKË ME KUSHTETUTË PARA 29 VITEVE/



-Para 29 viteve, në 7 Shtator 1990, Kosova u shpall Republikë me Kushtetutën e miratuar nga Kuvendi i saj në një mbledhje në Kaçanik, që pasonte Deklaratën Kushtetuese të 2 Korrikut e pasohej me Referendumin për Kosovën shtet sovran dhe i pavarur të mbajtur nga 26 deri në 30 Shtator 1991 me votimin pro 99,87 për qind/
-Presidenti historik i Kosovës, Dr. Ibrahim Rugova në mesazhet e 7 Shtatorit -Viti 1998:


-Miratimi i Kushtetutës së Republikës së Kosovës më 7 shtator të vitit 1990 shënon aktin fundamental për shtetin e Kosovës. Viti 2005: Dhashtë Zoti që sa më shpejt ta gëzojmë njohjen direkte të pavarësisë së vendit tonë nga Shtetetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Evropian, çfarë do të qetësonte popullin e Kosovës dhe këtë pjesë të Europës e të botës/


KALENDAR-Gazeta DIELLI nga korrespondenti në Kosovë Behlul Jashari


PRISHTINË, 7 Shtator 2019/ Kosova para 29 viteve, në 7 Shtator 1990, u shpall Republikë me Kushtetutën e miratuar nga Kuvendi i saj në një mbledhje në Kaçanik, që pasonte Deklaratën Kushtetuese të 2 Korrikut, poashtu të vitit 1990, e pasohej me Referendumin për Kosovën shtet sovran dhe i pavarur të mbajtur nga 26 deri në 30 Shtator 1991 me votimin pro 99,87 për qind dhe pjesëmarrjen masive 87,01% të 1.051.357 qytetarëve me të drejtë vote.


Republika e Kosovës me kushtetutën e vet e institucionet demokratike të zgjedhje parlamentare e presidenciale që pasuan, të 24 Majit 1992, atëherë nuk u njoh ndërkombëtarisht, por megjithatë ishte dhe njihej si deklarim i fuqishëm i vullnetit të popullit mbi 90 përqind shumicë shqiptare, si edhe pjesëtarëve të komuniteteve pakicë.
Në krye të Kuvendit të Kosovës në atë kohë të vendimeve e ngjarjeve historike ishte Ilaz Ramajli. Ishin këto ngjarje e zhvillime drejt lirisë dhe pavarësisë së Kosovës, gjithnjë në rrethana të rënda të okupimit e shtetrrethimit ushtarako-policor që kishte vendosur Beogradi, kur në mënyrë kundërkushtetuese dhe përgjakshëm me kushtetutën serbe të tankeve u rrënua autonomia që kishte Kosova me Kushtetutën e vitit 1974 element konstituv me të drejtë vetoje i federates. Ajo Kushtetutë ishte e para në historinë kushtetuese të Kosovës, ndërsa e dyta ishte ajo e 7 Shtatorit 1990, në rrugën drejt lirisë e pavarësisë.
“Deklarata Kushtetuese e 2 Korrikut dhe Kushtetuta e Republikës së Kosovës e 7 Shtatorit 1990, jo vetëm që ishin akte kushtetuese juridike, por në kohën kur u nxorën ishin edhe akte mbrojtëse dhe pozicionuese në raport me situatë e krijuar në ish Jugosllavi”, ka theksuar Ramajli në një intervistë që kam zhvilluar.
Nga shpërbërja e ish Jugosllavisë, nga elementet konstituive të federatës, mes të cilave ishte edhe Kosova që u bë shtet, shtete të reja të rajonit dolën gjithësej shtatë – edhe Sllovenia, Kroacia, Bosnja e Hercegovina, Maqedona, Mali i Zi dhe Serbia.
“Akti i nxjerrjes së Kushtetutës u bë pikërisht në kohën kur më nuk kishte asnjë dyshim se Jugosllavia kishte hyrë në rrugën e pa kthim të shpërbërjes së sajë. Nxjerrja e Kushtetutës dhe shpallja e Republikës së Kosovës nga Kuvendi me 7 Shtator 1990 ishte dhënie e formës kushtetuese juridike të vullnetit të shprehur unanimisht nga shumica dërmuese e qytetarëve të Kosovës, dhe nga subjektet e atëhershme politike në Kosovë”, shprehet Ilaz Ramajli.
Në Kosovën e lirë nga qershori 1990, prej vitit 2001 deri para 11 viteve, Kosova ka pasur një Kornizë Kushtetuese, e miratuar nga OKB-ja, e cila ishte dokument më shumë inicial kushtetues, por ka mundësuar zhvillimin e vendit nga një krijesë de fakto e pavarur, ndonëse nën protektorat, në një entitet shtetëror të pavarur, edhe pse nën mbikëqyrje ndërkombëtare për një kohë.
Kosova para 11 viteve miratoi Kushtetën e Republikës, e cila në nenin 1 e përcakton “shtet i pavarur, sovran, demokratik, unik, dhe i pandashëm”. Ishte viti 2008 kur nga Kuvendi i Kosovës u miratua Kushtetuta – akti më i lartë juridik i shtetit në ditën e 9 Prillit, më pak se dy maj pas shpalljes së pavarësisë në 17 Shkurtin historik, ndërsa ka hyrë në fuqi në 15 Qershor.
Atëherë, dekretimi i 41 ligjeve, të dala nga paketa e Propozimit Gjithpërfshirës për Zgjidhjen e Statusit të Kosovës të Kryenegociatorit Martti Ahtisaari – Emisarit Special të OKB-së, ishte një nga zhvillimet më të rëndësishme të ditës së hyrjes në fuqi të Kushtetutës.Zhvillimet më të rëndësishme brenda njëmbëdhjetë viteve ishin në 2012-tën, kur Kuvendi, në 7 Shtator që ishte ditë e përvjetorit të Kushtetutës 1990, ka miratuar amendamentimin e Kushtetutës së Republikës lidhur me përfundimin e mbikëqyrjes ndërkombëtare të pavarësisë së Kosovës, ndërsa në 10 Shtator pasoi vendimi i Grupit Drejtues Ndërkombëtar, i mbledhur në Prishtinë, për përfundimin e mbikëqyrjes ndërkombëtare.“Përmbyllja e mbikëqyrjes është vlerësimi më i lartë ndërkombëtar, që i është bërë shtetit të Kosovës pas shpalljes së Pavarësisë”, u vlerësua atëherë.Grupi Drejtues Ndërkombëtar (ISG) për Kosovën, i cili përbëhej nga vendet që e kanë njohur pavarësinë, ishte formuar në 28 Shkurt të vitit 2008 dhe synonte të orientojë dhe mbikëqyrë zhvillimin demokratik të shtetit të ri, të nxisë qeverisjen e mirë dhe shumetnicitetin.Kosova e pavarur e shpallur para më shumë se 11 vitesh në 17 Shkurt 2008 deri tani është njohur nga 116 shtete anëtare të OKB-së, ndërsa sot ka edhe një përvjetor – dyvjetorin e konstituimit në 7 Shtator 2017 të Kuvendit të zgjedhjeve parlamentare të 11 Qershorit 2017, të tretave në pavarësi e të gjashtave në vendin e lirë.
E pas një muaji – në 6 Tetor 2019 Kosova mban zgjedhje të reja të parakohshme parlamentare…
PRESIDENTI HISTORIK RUGOVA: 7 SHTATORI 1990, THEMEL I SHTETËSISË SË KOSOVËS
-Miratimi i Kushtetutës së Republikës së Kosovës më 7 shtator të vitit 1990 shënon aktin fundamental për shtetin e Kosovës/
Presidenti historik i Republikës së Kosovës, Dr. Ibrahim Rugova, vlerësonte se miratimi i Kushtetutës së Republikës së Kosovës në 7 Shtator të vitit 1990 shënonte aktin fundamental për shtetin e Kosovës. Po sjellim dy mesazhe të Presidentit Rugova për 7 Shtatorin, të vitit të luftës 1998 dhe të vitit të lirisë 2005 – të fundit të Presidentit historik për ditën historike të Kushtetutës së Republikës së Kosovës:
VITI 1998: DEKLARATË E PRESIDENTIT TË REPUBLIKËS SË KOSOVËS DR. IBRAHIM RUGOVA ME RASTIN E 7 SHTATORIT
PRISHTINË, 7 Shtator 1998/ Me rastin e 7 Shtatorit – Ditës së miratimit të Kushtetutës së Republikës së Kosovës – Presidenti i Republikës Dr. Ibrahim Rugova dha një deklaratë në të cilën thuhet:Pas shpalljes së Deklaratës së Pavarësisë së Kosovës më 2 korrik të vitit 1990, miratimi i Kushtetutës së Republikës së Kosovës më 7 shtator të vitit 1990 shënon aktin fundamental për shtetin e Kosovës. Kjo ngjarje e rëndësishme në historinë më të re të Kosovës, ka vënë themelet juridike e politike të shtetësisë së Kosovës.Sot, tetë vjet pas miramitit të këtij akti të lartë, populli i Kosovës edhe pse në gjendje okupimi dhe i ballafaquar me ofensivat e egra të forcave serbe, me një vullnet të fortë po ndërton shoqërinë demokratike e civile në Kosovë. Dhe, përkundër vuajtjeve nëpër të cilat po kalon, ai është i përcaktuar që me mjete politike ta realizojë pavarësinë e Kosovës.Në këto çaste të vështira që po përjeton, populli i Kosovës me përkrahjen dhe ndihmën e botës demokratike e sidomos të SHBA-ve dhe Unionit Evropian, do të dijë ta kapërcejë këtë gjendje të rëndë.
Zoti e bekoftë popullin e Kosovës!

VITI 2005: PRESIDENTI RUGOVA U DREJTOI NJË MASAZH QYTETARËVE TË KOSOVËS ME RASTIN E 7 SHATORIT
PRISHTINË, 7 Shtator 2005/ Presidenti i Kosovës, Dr. Ibrahim Rugova, ka përgëzuar qytetarët e Kosovës me rastin e 7 Shtatorit, ditës kur para 15 vjetësh u miratua Kushtetuta e Republikës së Kosovës në Kaçanik. Në mesazhin e Presidentit Rugova thuhet:Me rastin e 7 Shtatorit, në 15 vjetorin e miratimit të Kushtetutës së Republikës së Kosovës, Ju shpreh urimet e mia të përzemërta.Dita e 7 Shtatorit e vitit 1990 është një ditë e rëndësishme në historinë tonë të re, sepse u miratua Kushtetuta e Republikës së Kosovës, që u bë pas shpalljes së Deklaratës së Pavarësisë në korrik të po atij vitKjo i vuri themelet e shtetit të Kosovës, që u vërtetua me Referendumin për pavarësi dhe hapi perspektiva për ndërtimin e jetës shtetërore demokratike.Dhashtë Zoti që sa më shpejt ta gëzojmë njohjen direkte të pavarësisë së vendit tonë nga Shtetetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Evropian, çfarë do të qetësonte popullin e Kosovës dhe këtë pjesë të Europës e të botës.

Filed Under: Featured Tagged With: Kushtetuta-Kosova-29 Vjet-Behlul Jashari

Zgjedhjet parlamentare në Kosovë dhe Vjosa Osmani

September 7, 2019 by dgreca

Shkruan: Nikë Gashaj/

Me 6 tetor 2019, do të mbahen zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare në Kosovë.Lidhja Demokratike e Kosovës kandidoi znj.Vjosa Osmanin për kryeministre të Qeverisë së Kosovës. Referencat e saja të larta profesionale, shkencore, politike dhe dëshmia patriotike e rekomandojnë atë si kandidaten më të mirë  për kryeministre, për çka meriton mbështetjen e shumicës së  trupit elektorial të Kosovës.

Të dhënat e saja biografike tregojnë: Vjosa Osmani e ka kryer fakultetin juridik në Prishtinë me sukses të shkëlqyeshëm, si dhe studimet për master dhe doktoraturën në Universitetin e Pitsburgut, në SHBA. Në vitin 2005 është shpërblyer dy herë nga Universiteti i Pitsburgut: me Çmimin “Excellence  For The Future Aëard” dhe me Çmimin Sheth Internacional Achievement Aëard”, për kontributin e saj në fushën e të drejtave të njeriut. Po ashtu është ligjeruese në dy Universitete: Prishtinë dhe  Pitsburg.

Ajo ka qenë shefe e stafit të Presidentit të Republikës së Kosovës, Fatmir Sejdiu; pjesë e palës shqiptare në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë, për mbrojtjen e pavarësisë së Kosovës. Për tri mandate deputetja më e votuar e Palamentit të Kosovës. Si politikane është e treguar: e aftë, objektive, guximtare, vizionare dhe e vendosur për  ruajtjen dhe mbrojtjen e  tërësisë territoriale të Kosovës dhe të sovranitetit të plotë të shtetit të Kosovës. Në angazhimin e saj politik është treguar luftare energjike kundra korrupsionit dhe krimit të organizuar, ndërsa në anën tjetër, është ithtare për ndërtimin dhe funksionimin konsekuent të pushtetit ligjor dhe kushtetues.

Ka qenë Kryetare e Komisionit për Punë të Jashtme, Diasporë dhe Investme strategjike; kryetare e Komisionit për integrime Evropiane; nënkrytare e Komisionit për Reforma kushtetuese në Kosovë.

Ajo nuk ka hipoteka nga e kalura e luftës së Kosovës,  kundra saj nuk mund të ngritet, aktakuza apo aktpadi për krime të luftës, e që është me rëndësi për ndërkombëtarët që politika shtetërore e Kosovës të lirohet  nga komandantët e luftës. Nga personat e tillë, tashmë janë  të lodhur dhe qytetarët e Kosovës, meqenëse për sfidat e kohës së re bashkëkohore dhe për ndertimin e shtetit modern të Kosovës, është i nevojshëm një profil tjetër i ri i kuadrave – ekperteve të dëshmuar në fusha të ndryshme, me vizone dhe mundësi të reja.  

Më në fund znj.Vjosa Osmani i takon moshës së re, andaj ka dhe energji fizike dhe intelektuale të konsiderueshme, si dhe cilësi karizmatike për të drejtuar Qeverin e Kosovës  dhe të zhvillimit të Dialogut, Kosovë-Serbi për normalizimin e marrëdhënieve dhe njohjen e ndërsjellët shtetërore. Gjithë ashtu, zgjedhja e saj për kryeministre, paraqet dhe një akt me rëndësi të barazisë gjinore dhe të emancipimit politik më të madh të gruas  shqiptare.

Filed Under: Featured Tagged With: Nike Gashaj-Vjosa Osmani-Zgjedhjet ne Kosove

……nëse/

September 7, 2019 by dgreca

Rudyard Kipling*/
(shqipërim nga Astrit Lulushi)/

Nëse kokën tënde e ruan
Kur të gjithë rreth teje
Të vetën e humbasin
Dhe të fajësojnë ty,
Nëse i beson vetes
Kur të gjithë të dyshojnë,
Pa harruar se je
Nën dyshimin e tyre;

Nëse mund të presësh
Dhe të mos lodhesh duke pritur,
Ose i gënjyer,
Mos u merr me gënjeshtra,
Duke qenë i urryer
Mos i hap udhë urrejtjes,
Dhe megjithatë,
Mos u duk shumë mirë,
As mos u trego i mbimençur;

Nëse mund të ëndërrosh –
Mos e bëj ëndërrën zotin tënd;
Nëse mund të mendosh –
Mos e bēj mendimin qëllimin tënd,
Nëse mund të takohesh
Me triumfin dhe shkatërrimin
Trajtoji të dy njësoj;

Nëse dëgjon të vërtetën
Të Shtrembëruar nga kamxhikët,
Ose shikon gjërat
Që të dhanë jetën, të prishura,
Mblidh veten dhe ndërto
Me ato që të kanë mbetur;

Nëse fitimeve e grumbulluara
Një ditë i humbet të gjitha
Nis përsëri në fillimet e tua,
Dhe kurrë mos nxirr një fjalë
Për humbjen që ke pësuar;

Nëse forcon zemrën
Dhe mendjen tënde
Për të dalë nga fatkeqësia
Shumë kohë pasi ajo zhduket
Kështu vazhdo
Edhe nëse asgjë nuk ke
Përveç Vullnetit që të thotë: ‘Qëndro!’…..

—-
*Joseph Rudyard Kipling (1865 – 1936) gazetar anglez, shkrimtar i tregimeve të shkurtra, poet dhe novelist. U lind në Indi, ku u frymëzua për shumë nga krijimet e tij.
Reputacioni i Kiplingut ka ndryshuar me klimën politike dhe shoqërore të epokës. Kritikat ndaj tij vazhduan për pjesën më të madhe të shekullit të 20-të. George Orwell e shihte Kipling si “imperialist agresiv”, i cili ishte “moralisht i pandjeshëm dhe estetikisht i pështirë”.
Kritiku letrar Douglas Kerr shkruan: “Kipling është një autor që mund të frymëzojë mosmarrëveshje pasionante dhe përcaktimi i vendit të tij në historinë letrare është larg nga zgjidhja….Ai njihet si i pakrahasueshëm, interpretues i diskutueshëm i mënyrës sesi u përjetua perandoria britanike. Kjo dhe një njohje në rritje e tregimtarisë së tij të jashtëzakonshme, e bëjnë Kipling një forcë për t’u llogaritur” (Kerr)

Filed Under: Featured Tagged With: Astrit Lulushi-...nëse/Rudyard Kipling

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 892
  • 893
  • 894
  • 895
  • 896
  • …
  • 5724
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare
  • Në sinoret e Epirit…
  • Mbrëmë hyri në fuqi Ligji i SHBA për autorizimin e mbrojtjes kombëtare
  • Skënderbeu “grek”, ose si të bëhesh grek pa e ditur
  • A historic moment of pride for the New Jersey Albanian-American community
  • U zhvillua veprimtaria përkujtimore shkencore për studiuesin shqiptaro-amerikan Peter Prifti
  • Dashuria që e kemi dhe s’e kemi
  • “Jo ndërhyrje në punët e brendshme”, dorëheqja e Ismail Qemalit, gjest atdhetarie dhe fletë lavdie
  • Arti dhe kultura në Dardani
  • Gjon Gazulli 1400-1465, letërsia e hershme shqipe, gurthemeli mbi të cilin u ndërtua vetëdija gjuhesore dhe kulturore e shqiptarëve
  • “Albanian BookFest”, festivali i librit shqiptar në diasporë si dëshmi e kapitalit kulturor, shpirtëror dhe intelektual
  • VEPRIMTARI PËRKUJTIMORE SHKENCORE “PETER PRIFTI NË 100 – VJETORIN E LINDJES”

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT