• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

AT ZEF PLLUMI: KRENARIA E SHKRELIT DHE NDERI I KOMBIT

August 28, 2019 by dgreca

AT ZEF PLLUMI: KRENARIA E SHKRELIT DHE NDERI I KOMBIT

Të Punojmë për Progresin Kombëtar /

Në 95-vjetorin e lindjes/

                                                Nga Frank Shkreli/

Në këtë përkujtim të shkurtër dhe modest për At Zef Pllumin – siç është quajtur “i fundit i françeskanjëve të mëdhej shqiptarë” i lindur në një familje me origjinë nga fisi i Shkrelit i Malësisë së Madhe, siç thuhet edhe në librin e tij autobiografik, “Saga e fëmijnisë: un që jetova shumë shekuj” – nuk dua të kujtoj as vuajtjet e tija nën regjimin diktatorial të Enver Hoxhës as veprat e tija dhe as biografinë e tij.   Si dihet biografia e tij është kryesisht një jetë vuajtjesh e mundimesh.  Ishin të mëdha vuajtjet e tija, por edhe veprat që ka lënë pas janë të një vlere të madhe historike për Kombin shqiptar, sidomos vepra madhështore, “Rrno për me tregue”.

Sa profetike për superiorin e tij At Marin Sirdani, i cili sikur ta dinte se çfarë reshë të zeza po i kërcënoheshin qiellit shqiptar me ardhjen e komunizmit – e këshillon At Zefin e ri, se “Na kemi nevojë për ty që të jetosh” dhe e porositë: “Ik, rrno! Vetëm për me tregue”.   Në faqen 253  të librit “Rrno për me tregue” At Zef Pllumi kujton fjalët e superiorit të tij kështu:  “Superiori Át Marin Sirdani më thirri në odë të vet për dy fjalë.   Ndigjo, more djalë,- më tha,- unë e çmoj vendosmëninë tande, por çdo gjâ ka masë: çka del jashtë mase asht budallallek.  E kupton? Ti ke ardhë këtu në kohën mâ t’keqe që ka pasë Katolicizmi ndonjiherë e sidomos na (françeskanët).   Ktheu në katund, aty ku ishe, struku, mos fol, as mos i beso as këmishës sate.   Na kemi nevojë për ty që të jetojsh e jo me dekë.  Na pleqtë, edhe na ardhtë puna me dekë, e kemi kositë livadhin, por ju të rijt duhet të jetoni.   Zoti asht i Madh.   I kjoshim falë atij të lumit që ka krijue vdekjen, se përndryshej njerzit do t’kishin me kenë gjithmonë skllav të tiranëve.   Edhe kta do t’desin nji ditë e ti duhet të jetojsh vetëm sa me tregue.   Kurrgjâ në mos kjosh i zoti me bâ, rrno vetëm për me tregue.   A e kupton çka due me t’thanë?   Mbaruen të tjerët, mbarojmë na, mbaron edhe ti: të gjithë shkojmë si qeni në rrush po nuk kje dikush me kallxue se si kje puna. Kush të teprojë (të mbesë gjallë) le të kallxojë!   Nuk asht fjala që po mbarojmë sot.   E dijmë këtë.  (Por) Nuk duhet të mbarojmë për nesër e për shekujt e ardhshëm.   E kupton këtë?   Fra Zef, unë jam sot për sot Superjor: po të jap urdhën: ik, rrno! Vetëm për me tregue!

– E unë rrnova… e mora si detyrim…nuk e di a ia kam mrritë!,- ka rrëfyer më vonë, Át Zef Pllumi.  

E përmend këtë, jo për tu përqëndruar në të kaluarën e vuajtjeve të At Zef Pllumit dhe shumë e shumë shqiptarëve të tjerë, – një e kaluar e cila u duhet kujtuar brezave dhe duhet dënuar njëherë e mirë për të mos u harruar kurrë, nëqoftse dëshirojmë që të mos përsëritet më.   Është kjo një thirrje që At Zef Pllumi e bënte vazhdimisht sa ishte gjallë dhe një mesazh që ai ka thekësuar pothuaj në të gjitha veprat, shkrimet, deklaratat dhe intervistat ç’prej lirimit të tij nga burgjet dhe kampet e regjimit komunist të Enver Hoxhës.   Është ky një mesazh që ai e ka thekësuar shpesh duke treguar të kaluarën por duke shikuar nga e ardhmja e Kombit shqiptar — që ai u ka bërë, sidomos, intelektualëve shqiptarë — që pas natës së gjatë e të errët të komunizmit, të bashkojnë, më në fund, “Jo vetëm fuqitë e veta mendore , por edhe zemrat për atë idealin e përbashkët, që sot për sot ashtë vetëm Progresi i Kombit”.

Ishte nja 25 vjetë më parë, maji i vitit 1993, kur u promovua numri i parë i revistës së famshme të françeskanëve shqiptarë, “Hylli i Dritës” — një shekull pasi ishte ndaluar së botuari — në një ceremoni në Kuvendin Françeskan ku merrnin pjesë një numër i madh bashkpuntorësh, të rinjë e të vjetër, të kësaj reviste të famëshme, përshfir studiues të kulturës, artistë, gazetarë, intelektualë të fushave të ndryshme, botues dhe të tjerë.  Aty ishte edhe At Zef Pllumi i cili përshëndeti fillimin e ribotimit të revistës së famshme shqiptare, me të cilin rast, duke shikuar nga e adhmja e Shqipërisë dhe shqiptarëve, në traditën patriotike dhe atdhetare të dashurisë për Kombin dhe kulturën shqiptare, iu drejtua intelektualëve shqiptarë me disa fjalë porosie që tingëllojnë edhe sot aktuale, madje edhe pas një gjysëm shekulli që ai i shqiptoi ato.  Duke përshëndetur rifillimin e “Hyllit të Dritës”, At Zef Pllumi i ka bërë këtë porosi klasës intelektuale shqiptare, e cila fatkeqsisht mbetet edhe sot e kësaj dite pa u realizuar.

“Miqë të nderuem, falë mëshirës së Zotit ia mbërritem kësaj dite. Nata që kaluem qe e gjatë dhe e vështirë.  Liria që u fitue duhet të bije edhe dritën” filloi  At Zef Pllumi fjalën drejtuar intelektualëve shqiptarë të mbledhur aty dhe vazhdoi: “Sot po jepet rasti , pësëri mbas sa viteh që bashkëpuntorët e “Hyllit të Dritës” të japin kontributin e vet në kulturën shqiptare me aq dritë sa mund të lëshojë nji yllë.  Por ndërkaq urojmë  që kultura shqiptaree nesër të ndrisë si diell”, ka shtuar ai, duke nëmnvijuar optimizmin e tij për të ardhmen. “ E ky diell jo vetëm do të ndrisë,por  edhe do të ngrohë të gjithë popullin, nëqoftse intelektualët shqiptzarë kanë me i bashkue , jo veëtm fuqitë e veta  mendore, por edhe zemërat  për atë ideal të përbashkët, që sot për sot ashtë vetëm, “Progresi i Kombit” është shprehur frati i Malësisë dhe i gjithë Shqipërisë.  “Ky progress duhet të jetë i gjithanshëm, jo vetëm ekonomik – po ma tepër mendor, shoqënor dhe kulturor”, ndërkohë që At Zefi thekësoi se, “Mendoj se duhet t’u kujtoj intelektualëve  shqiptarë se said shkencë që të kenë,sado dije dhe erudicion që të përhapin , kurrë nuk do të mbërijmë në atë nivel kulturor që na duhet – po nuk patëm dashninë për njani tjetrin.  Në rast se mungon dashunia”, ka thekësuar At Zefi. “Në atë rast, duhet të kemi mirëkuptim.  Dhe nëqoftse edhe ky do të mungojë, atëherë do ti referohemi virtytit të tolerancës.   Po mungoi edhe ky virtyt, atëherë jemi xhahilë.   Xhahillëku ashtë shkatërrimi i Kombit. Nëqoftse nuk respektohen mendimet e njani tjetrit, don me thanë se nuk respektohet njeriu. Po nuk u repektua njeriu, e drejta dhe liria e mendimit – praktikisht mbërrijmë në përfundimin se nuk duem as Kombin as Atdheun”, është shprehur At Zef Pllumi.   Ai ka përfunduar fjalën e tij të shkurtër me atë rast duke u bërë thirrje intelektualëve shqiptarë — që nga tubimi në Kuvendin e Françeskanëve në maj të vitit 1993, një Kuvend që sipas tij përfaqëson shumë rryma të mendimit të lirë shqiptar të — “Marrin shembull konkret për atë bashkpunim të inteligjencës shqiptare, që duhet t’i prijë këtij populli fatkeq, për me ecë përpara me ngulm në rrugën e vërtetë të Progresit Kombëtar”.

Është kjo një thirrje dhe një mesazh aq aktual edhe sot në këtë 95-vjetor të lindjes së At Zef Pllumit dhe 30-vjet pas shembjes së komunizmit, kur jo vetëm klasa politike shqiptare është e ndarë dhe e përçarë, por fatkeqsisht as klasa intelektuale shqiptare sot nuk është e bashkuar me mendje e zemër rreth idealit të përbashkët të “Progresit të Kombit”, siç do ta dëshironte At Zef Pllumi – Krenaria e Shkrelit dhe Nderi i Kombit — edhe në këtë ditë të lindjes së tij, duke na bërë thrrje që, sipas mundësisë, secili prej nesh, të lëshojmë aq dritë sa mund të lëshojë edhe një hyll, në rrugën e vështirë e të gjatë të progresit kombëtar.  

Filed Under: Featured Tagged With: Frank Shkreli-At Zef Pllumi-Kreanri- Nder i kombit

KUR TE PRISHIM SHQIPERINE, KU DO VEMI?

August 28, 2019 by dgreca

 Shkruan: Sami Repishti */

Ridgefield, CT. –Njiqind e gjashtë vjet ma parë, poeti i madh At Gjergj Fishta, i shgënjyem thellë nga grindjet dhe mosmarrëveshjet në mes shqiptarëve, theu betimin e marrun, e shkroi këto rreshta:

     1913 -“ O Perendi! A ndjeve?/ Trathëtarët na lanë pa atdhe/E Ti gjuen me rrfe, lisat/ Nepër male kot!” (Drama “Juda Makabe”, 1920) Nji blasfemi për fratin françeskan: me qortue aktin hyjnor! Dëshprimi i thellë të sjellë në këte formë zemrimi të pa kontrolluem.

     Titulli i këtij shkrimi më erdhi në mendje nga leximi i nji artikulli të botuem në gazetën Dielli organ i VATRES, me 24 korrik 2019. Teksti i plotë ashtë:

    1922 –  “Dialog në mes të “dy ekselencave” burra shteti:

  • -Kur të prishim Shqipërinë, ku do vemi?

-Do vemi atje ku kemi venë paratë në bankë!

  • -Po pse të mos hyjmë në sherbim të atyre që u a shitëm Shqipërinë?
  • -S’do na qasin!…..se trathëtarët, as armiku nuk u zë besë…!”
  •  (Faik Konica. Dielli, 17 qershor 1922)

  2019- Nga Franca, nji intelektuale e mirëfilltë shkruen:

            “ ….Urrejtjen ma mësoi Edi Rama, ma mësoi Erion Veliaj, ma mësoi numri i deputetëve që ndoqën si bagëti posaqitë e tyre. Kjo urrejtje e mbjellë është gjëja më e pafalëshme që kanë arritur ata me taktikën e ndyer të përçarjes dhe të sundimit…. Nga disa rrethana, burime, njerëz dhe fakte, e dija prej shumë kohësh rrezikun që përfaqsonte ai. Por, ai i kaloj të gjitha limitet e shgënjimit…” (Cecilia Plasari. Panorama, 28.VII.2019). Përçarje për sundim: smundja shekullore e shqiptarëve!

  2019 gusht -“…. Ashtu si e shoh unë luftën në Tiranë ajo nuk është mes partive të Oligarkisë, se ata mirren vesh e bëjnë rotacion. Pavarësisht se çka u papagallojnë militantëve poshtë ata kanë një marrëveshje me njeri tjetrin, por nuk ia kanë besën të huajve….. Me sa kam dëgjuar unë, Luli (Basha) bëhet kryministër, e dikush i Edit (Ramës) zëvendës-kryministër, kurse Meta merr pjesën e vet deri në zgjedhjet e ardhme….Atyre tashmë nuk u hynë në punë demokracia, por vetëm për retorikë. Thelbi është kontrolli i Shtetit, dhe atij të ashtuquajturit ‘shtet’ që kemi sot në Tiranë. Sepse prej tij rrjedhin shumë gjëra..” (Letër nga nji koleg universitar).

    “ A mund të ketë skandal më të madh politik për një vend se shantazhi nga Qeveria ndaj Presidentit të vendit dhe krytarit të opozitës?” pyeste nji analist. “Vetëm në Shqipëri ngjasin të tilla skandale, sepse”, vazhdon ai: “…Shqipëria ka arritur ditën kur mund të prodhohen skandale, të kryhen krime, të zbulohen maskerada, të ngrihen akuza apo të bahen sulme aq të mëdha, aq të pamendueshme, dhe aq të shumëta….” Flitet për mesazhin e KM Rama dergue Presidentit Meta me kërcënim të largimit nga detyra, asgjësimit të LSI-së, dhe eliminimin politik të krytarit të opozitës, L.Basha. Nji pohim ma i fortë i përgatitjes për marrje të pushtetit me dhunë, ashtë e vështirë të gjindet!

    Në përgjigje të thirrjeve të hapuna socialiste me marrë me dhunë pushetin vendor të Bashkisë së Shkodrës, deputeti i PD-së për qytetin, Prof. Romeo Gurakuqi tha: “(deklaroj)…para së gjithash, nisur nga interesat themelore të ruejtjes së paqës sociale në Shkodër, dhe nga nevoja imediate e shmangjes se çdo përplasje artificiale, që mund të provokojë ambicia politike, e pa arsyeshme”. (Theksi i im.SR) Kjo sentencë magjistrale e nji mendje të ndritun, kjo pjekuni politike shkodrane nga nji emën që frymëzon shpresë për të ardhmen, i referohet nevojës për “…marrjen parasyshë në vlerësimin e pozicionit karshi publikut, dhe institucionit më të lartë të qeverisjes krahinore, para çdo deklarimi ose veprimi të mëtejshëm politik“ (Panorama, (14.VII.’19)

   Demokracia në Shqipëri ashtë në krizë serioze! Shqipëria ka nevojë për gjak të ri!

   Nji zhvillim i këtill rrezikon kthimin në autoritarizëm si hapi i parë, dhe ngritjen në piedestalin e diktaturës pa pengesë si objektiv kryesor. Hannah Arendt e përcakton këte fazë:” Në se çdonjeni drejtues ju gënjen rregullisht, rezultati i gënjeshtrës nuk ashtë se ju besoni gënjeshtrat, por ka mundësi që çdonjeni të mos besojë fare në të ardhmen….Dhe nji popull që nuk beson fare nuk mund të arrij në përfundime të arsyeshme. Ata janë të denuem me pa-aftësinë për veprim, me pa-aftësinë me mendue e gjykue. Dhe me nji popullsi të këtill, demagogët kanë mundësi me veprue simbas dëshirës së tyne”. E ngjashme me Shqipërinë në vitin 2019, fatkeqsisht!

    Sot, në Shqipëri, jemi dëshmitar të nji kapitulli shumë të errët të historisë sonë kombëtare: ngjarje të rrezikshme që zhvillohen pa drejtim, pa kuptim, në detin e gjanë të marrëdhanjeve ndërkombëtare. Sot, jemi dëshmitarë të nji ekzekutivi që dominon pa sensin e përgjegjsisë politike e morale, pa frikën e llogari-dhanjes, jetën e nji vendi pa Parlament, pa Gjykatën e Naltë dhe pa Kushtetuese. “Shtet” pa kurriz!

    Sot jemi dëshmitarë të nji skenari ku qytetarët janë viktima të përbuzëjes dhe shfrytëzimit nga klasa neo-komuniste që synon marrjen absolute të pushtetit dhe që ka mundësi të fitojë në se shumica dërmuese që nuk aprovon, ruen heshtjen. Po ndertohet nji shoqëni e nji shtet që përjashton dëshmorët dhe aktivistët e lëvizjes demokratike dyzetë-e-pesë vjeçare anti-komuniste….. Nji paradoks shqiptar! Kjo ashtë fatkeqsi e jona kombëtare! Më kujtohet thanja e euro-deputetes austriake Doris Pack: “Nuk ka gja që vjen nga Shqipëria e që më çuditë!”

    Me u çuditë, jo! Me u tronditë, po! Shprehje amerikane që vlen sot për Shqipërinë!

    Tronditemi kur lexohet në shtypin e vendit tonë komenti “…mund të thuhet se KM (Rama) që e pikturoi Shqipërinë njëpartiake, nuk është fajtori i vetëm, pse shteti zhbëhet, ‘Rilindja’ forcohet, por mëkatarë janë edhe ata që këte e dinin dhe kishin mundësi ta thonin, por shkaku i interesit personal ata heshtën, dhe popullit kurr nuk i treguen se burrështetasit e tij hajdutë bërtisnin: “kapeni hajdutin”, dhe se jeton në një shtet ku politikanëve kriminelë u falet krimi, e mëkatarët hallexhinj e të papushtetshëm mbushin burgjet”. Po ky shkrimtar na ka dhanë sentencën klasike:”Nuk ndërtohet Parrizi me muratorët e Ferrit! “ (Kim Mehmeti)   Nji koleg i tij gazetar shkruente: “Shqipëria ka sot nji ndërgjegje të deformuar, nga lufta e paskrupullt që bëhet për para e për pushtet!”

    Shqipëria ka nevojë për nji transfuzion gjaku të ri!

    Në nji atmosferë politike të ndershme dhe efektive njikohësisht, duhen kritikue thanjet e veprat e nji ”udhëheqsi” në nji dialog të hapët dhe të lirë. Ashtë pjesë e procesit demokratik. Por, nuk ashtë as e drejtë, as efektive, metoda që synon poshtënimin e “udhëheqjes” me akuza personale. Ky aspekt nuk ashtë detyra e atyne që mbrojnë shtetin dhe zbatimin e ligjit, nuk ashtë prerogativë e kundërshtarëve të ndershëm, detyra e të cilëve ashtë me zbulue, demaskue dhe gjykue gabimet e “udhëheqjes” politike.

    Përndryshe do të përfundojmë në nji situatë ku konflikti do të bahet nga të dy palët anmiqsore të njena tjetrës mbi baza individuale, dhe do të anashkalohet thelbi i kritikës konstruktive kundër nji situate të pa dëshirueshme. Vemendja e publikut do të çvendoset nga subjekti kryesor, dhe rezultati do të jetë nji përplasje e damëshme, rreziqe e jo rezultate. Shkatërrimi i ”shtetit” nuk ashtë katastrofë partiake, por kombëtare, dhe duhet evitue me çdo kusht! Ky ashtë rezultati i atmosferës helmuese të diskursit politik sot në vendin tonë: shamje, përsëri shamje me shprehjet ma vulgare pa u skuqë fare….e asgja të re!  

   Rrezikojmë të ballafaqohemi me nji shtet të ri neo-komunist, që ashtu si i maparëshmi, si rregjimet fashiste e naziste, që do të shkaktojë dame të pareparueshme për të drejtat e qytetarëve, me që gjatë gjithë ekzistencës tij ky “shtet” do të kishte kontrollin e plotë mbi shoqëninë shqiptare, me persekutime dhe represion të motivueme politikisht, si dhe do të shkelë detyrimet e marruna ndërkombëtare. Ashtu si prindët e tyne komunistë, sot mbasardhësit neo-komunistë kanë nji ngjashmëni të përbashkët në nji pikë: kanë tiparin e përbashkët në qendrimin e tyne, janë të mbruem me frymën e urrejtjes që, si tharmi i bukës së gatueme në kuzhinën komuniste, jep shije gjithë aksionit, mendimit dhe fjalës tyne.

    Gazeta liberale gjermane Der Tagespiele, e datës 20 korrik, shkruente:” se protestat e opozitës në Shqipëri janë shprehja e reagimit popullor kundër pushtetarëve abusivë dhe të korruptuem. Ajo apelon që elitat në Europën Perëndimore të kapërcejnë padituninë e tyne arrogante dhe të bashkohen me ata që ngrihen kundër abuzimit me pushtetin…”

    Ky abuzim u konfirmue edhe me deklaratën e Z. Luigi Forseca, ambasador i Bashkimit Europian në Shqipëri. Simbas Euronews, shkruen gazeta Illyria e New Yorkut, me 22 korrik 2019, “….tashma ashtë e qartë se ne kemi ndjekë votimet për së afërmi; ajo që na shqetëson ashtë fakti se elektoratit shqiptar i ashtë mohue e drejta e nji alternative të randësishme. Dhe kjo ashtë arsyeja që reforma elektorale ashtë sot ma me randësi se asnji herë ma parë”.

    Flitet per mohimin e votimeve të lira dhe të ndershme për shumicën e popullsisë!

    Sot, dialogu politik i qytetnuem ashtë nxjerrë jashtë binarit, dhe dyluftimi politik ashtë i ashpër e pa doreza…..që paralajmëron vetëm nji katastrofë politike në se nji zgjidhje e arsyeshme për të gjithë nuk gjindet ”tashti dhe këtu”. Deklarata e zyrtarit amerikan të Departmentit të Shtetit , Ambasador Phillip Reeker, hapë nji dritore në këte drejtim:

   “…. SHBA nuk do të bahen arbitër i politikave të brendshme të Shqipërisë, por ne do të vazhdojmë të inkurajojmë të gjitha palët të punojnë së bashku me institucionet dhe të bëjnë hapat e duhur që të ecin përpara. Dhe, në se institucionet nuk bëjnë punën e tyne, atëherë punoni që të ndryshoni ato, nepërmjet mjeteve kushtetuese që keni.”(Theksi im.SR) Ky koment u ba në forumin e organizuem nga Këshili i Atlantikut,  Vashington,D.C. me 18 korrik 2019.

     Mjetet kushtetuese nuk ekzistojnë! Kështu “problemi” shqiptar komplikohet edhe ma shumë sepse, “….sot, tre vjet mbas miratimit të reformës për drejtësi (22.VII.2016), Gjykata Kushtetuese ka vetëm nji anëtare së cilës i ka mbaruar mandati, dhe Gjykata e Lartë nuk ka anëtarë të mjaftueshëm për vendime. Vetting-u ka larguar mbi 60 gjyqtarë dhe prokurorë, ndërsa 35 kanë dhënë dorëheqje. Në sistemin e drejtësisë mungojnë 102 gjyqëtarë e prokurorë, tej parashikimeve të optimistëve të kësaj reforme.” (VoA 20.VII.2019)

    Fletorja prestigjoze The Economist e përcaktoi: “Shqipëria ashtë në kaos!”

    Mbetet shpresa se riformimi i Gjykatës Kushtetuese do të vendosë mbi largimin e Partisë Demokrate nga Parlamenti, vendimin e Presidentit Meta mbi datën e re të votimeve, 13 tetor 2019, dhe elementë të tjerë që përbajnë krizen e randë politike në Shqipëri.

    Por kush siguron korrektesën e nji veprimi të këtill me randësi kapitale në nji shtet sot nji-partiak? Qeveria e “shtetit” nji-partiak? Unë dyshoj!

* * *

    Para nji situate të këtill kaotike, dhe nji dispozicioni mendor që kërkon sigurim, vendosa të kërkoi mendimin e Ambasadorit të ri të SHBA-së në Shqipëri, The Honorable Yuri Kim, dhe të shprehë shqetësimet e mia si qytetar amerikan për vendlindjen time që dua kaq shumë, Shqipërinë. Ma poshtë janë pjesë të Letrës datë 31 korrik 2019:                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                           

 “ The Honorable

 Ambasador Yuri Kim

pranë Departmentit të Shtetit

Washington,D.C.

    Shumë e nderuemja Ambasador Kim:

    ……Situata e sotme në Shqipëri tregon se nji veprimtari politike ‘normale’ nuk ashtë e mundun, për arsye të nji mentaliteti komunist të maskuem, dhe për arsye të nji qendrimi kambëngulës me marrë pushtetin absolut, mundësisht tue ndertue nji sistem politik nji-partiak. Në qershorin e kaluem, në nji intervistë me “Zërin e Amerikës” quejta zgjedhjet e 30 qershorit 2019 ‘artificiale’, sepse në fakt nuk kishte nji problem të randësishëm me pengue ‘zgjedhje’ të përgjithëshme, të lira dhe të ndershme….. Për mendimin tim, ajo ashtë rezultat i nji ballafaqimi ndërpartiak të vazhdueshëm në luftë me fitue e me sundue. Simbas nji filozofie politike në Shqipëri, ‘pushtet’ don të thotë ‘pushtet absolut’, asgja ma pak….Zgjedhjet u gjykuen ‘të vjedhuna’. Vendi përfundoi me nji Parlament në sherbim të Ekzekutivit, dhe të nji sistemi gjyqsor thellësisht të korruptuem….Nji nga të metat politike që vrejmë në Shqipëri ashtë moskokëçarja për këshillimet që vijnë nga  qeveri dhe miq të jashtëm. Ashtë nji meturinë e propagandës së kaluemes komuniste, dhe ashtë e damshme….Unë mendoj se sugjerimi i Departmentit të Shtetit të mbahen zgjedhjet pavarësisht nga manipulimet e Ekzekutivit nuk ka qenë ma i preferuemi, dhe propozimi i Presidentit I. Meta me shtye zgjedhjet deri me 13 tetor 2019 me qellim që të shfrytëzohet kjo periudhë kohe për negociata në nji atmosferë ma të mirë, ka qenë logjik..…

    Gjykimi i Ambasadores franceze, Mme Vasak “ …duhet ta dini se ky popull, qytetarët e këtij vendi, meritojnë nji zgjidhje të arsyeshme” ashtë i mirëpritun. Përballë rrezikut të nji sistemi nji-partiak, Shqipëria ka nevojën ekzistenciale me pasë nji parti politike të dytë me qellim të pengojë vendosjen formale të nji sistemi politik nji-partiak…..

     Me shumë randësi ashtë humbja e shpresës në popullsinë për nji të ardhme ma të mirë. Sot, jemi dëshmitarë të nji kapitulli të errët në historinë e vendit tonë, me evenimentë të rrezikshëm e të pakontrollueshëm në nji vend që dominohet nga Ekzekutivi i cili nuk njeh as rregullat politike as përgjegjsinë morale. Sot jemi dëshmitarë të dominimit të vendit nga elementë neo-komunistë që luftojnë me mbajtë pushtetin absolut, ndërsa shumica e madhe e popullsisë ka heshtë….!

……Ambasadori Phillip Reeker, nd/Sekretari i Shtetit, deklaroi (në Atlantic Council, Vashington,D.C.) se ’… Shtetet e Bashkueme do të vazhdojnë me inkurajue të gjitha palët me bashkëpunue me institucionet shtetnore ….. Në se këto institucione nuk kanë sukses në funksionet e tyne, na rekomandojmë me ba përpjekje dhe me i ndryshue me mjetet konstitucionale që Shqipëria ka….’ (Theksi i im SR.)

     Ky ashtë nji sugjerim konkret dhe qellim-mirë; por ku janë këto ‘institucione shtetnore’? Prandej nevoja për ‘institucione të besueshme shtetnore’ ashtë e nji randësie primare. Më lejoni të paraqes sugjerimet që vijojnë:

  1. Formimi i nji qeverie të përkohëshme dhe teknike, me qellim :
  2. Me përpunue nji reformë të re elektorale, dhe votime të përgjithëshme, të lira, të ndershme mbrenda 6 muejsh;
  3. Parlamenti i ri të përmbaj të gjithë spektrin politik të vendit, si dhe të formojë, në mënyrë të preferueme, nji Qeveri koalicioni për përgatitje të anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian. Mbikqyrja ndërkombëtare ashtë e domosdoshme.

Ambasador Kim:

   Këto janë disa nga kandveshtrimet e mia për vendlindjen time, Shqipërinë sot! Shqipëria ju pret mbas nji mungese të gjatë ambasadoriale. Pa dyshim, ju do të jeni e mirëpritun, e nderueme, e respektueme, dhe e ndigjueme prej tyne. Shqipëria, për të gjitha arsyet ashtë sot vendi ma pro-Amerikan në Europë. Me këte Letër, sot, unë dëshiroj me shprehë konfidencën time të plotë në profesionalizmin tuej dhe në eksperiencën e gjatë diplomatike tuejën. Kam çdo arsye me besue se me përpjekjet e jueja do të dilni me sukses në gjetjen e nji zgjidhje të arsyeshme për problemet e vetëkrijueme në Shqipëri.

    Miljona sy janë drejtue sot kah ju, në këte moment që filloni misionin tuej diplomatik në Shqipëri. Na, të gjithë, do të lutemi për suksesin tuej

Me nderime,

Sami Repishti, Ph.D.

——————————————————-

* Autori ashtë pedagog në pension; ish-i burgosun politik (1946-56) dhe aktivist për të drejtat e njeriut.

Filed Under: Opinion Tagged With: Sami Repishti-Kur te Prishim Shqiperine

NËNË TEREZA,NËNË E DASHURISË

August 28, 2019 by dgreca

Nga Gani VILA/

Vite dhe shekuj do të kalojnë dhe pasardhësit tanë në gjithë globin me siguri do të shprehen me admirim e do të ndjehen krenarë e të privilegjuar para gjithë njerëzimin sepse kanë jetuar në kohën kur Nënë Tereza ishte gjallë. Veçanërisht

kombin shqiptar e gjithë bota do ta nderojë dhe respektojë gjithmonë në nivelet më të larta të kohërave që do të vinë, pasi nga gjaku i këtij populli të lashtë lindi Gonxhe Bojaxhiu të cilën Zoti e thirri dhe me misionin e saj ajo u bë Nënë e mbarë Botës.

Sigurisht që ne nuk do të jetojmë aq gjatë por para se te largohemi nga kjo botë e kemi një shans, kemi kohë, nevojë, mundësi dhe energji pozitive që të ndryshojmë sado pak zemrën, shpirtin dhe veprimet tona t’i ushqejmë me dashurinë në veprim, që këto cilësi mirësie të trashëgohen shëndetshëm në brezat e rinj. Për këtë duhet që në jetën tonë të përditshme të imitojmë sado pak Nënë Terezën në mënyrë individuale, familjare, fisnore e gjithë shoqëria shqiptare dhe mbarë bota. Të hysh në botën e Nënë Terezës nuk arrihet menjëherë edhe pse ekziston mes nesh vullneti, duhet të bëjmë shumë kujdes pasi edhe pse na duket si e lehtë për ta kuptuar dhe për të vepruar në praktikë si Nënë Tereza, në jemi shumë larg saj, sepse veç Jezu Krishti e askush tjetër nuk e di të vërtetën e botës të brëndshme dhe fuqinë e misionit të saj.

Por Zoti bën mbrekullira dhe mundësitë për t’ju afruar sa më afër misionit të Nënë Terezës  i kemi të gjithë, pasi krahas vlerave mistike fetare të lidhjes të saj me Zotin, ajo si asnjë  njeri tjetër në botë ,karakterizohet edhe nga prakticiteti i vlerave e virtyteve të pafundme njerezore qe natyrshem i vuri ne sherbim te njerezimit.Ishin këto veprimtari të përditëshme praktike të saj, më të sëmurët,me të uriturit,me të varfërit, kundra luftës, për paqe në botë, me ndihmat,bamirësitëe, faljet, pendesat,dashurinë në veprim etj. cilesi këto mendoj se përfaqësojnë vetëm pamjen e jashteme të misionit të saj pasi vlerat e vërteta të thelbit të cështjes

Nënë Terez përbëhen nga elementë të padukshëm njerezor që përmbajnë pafundesi vlerash thesare njerezore që jetojnë në zemrat dhe shpirtërat e njerëzëve por që t’i gjesh ato e t’i vësh në shërbim të njerezimit duhet celsi që gjeti Nënë Tereza që fliste si shënjt dhe vepronte si Nënë e kështu e ngriti dashurinë në institucion të përhershëm.

Nëse i referohemi shtresave të shoqerisë njerezore që ekzistojnë sot ne botë jo nga pikpamja numerike, por si fenomene shoqerore e sociale të varfërit të vuajturit të sëmurët të pushtuarit si shtresa në nevojë janë më afër thelbit të Misionit të Nënë Terezes. Edhe pse këta njerez nuk kanë mundësi të flasin atje ku duhet,ata natyrshem janë pjese e misionit të saj.Në praktikën e përditeshme, të bërë publike për Nëne Terezën,institucionet shteterore,fetare dhe mediatike,njerezit e pasur ekonomikisht, por fatëkeqesisht edhe një pjese e konsiderueshme e intelektualeve në botë, janë shumë larg  njohëjes të misionit të saj.

Kjo mosnjohje e Misionit të saj vjen jo për mungese  vullneti, por për shkak të pamundësisë për të kuptuar misticizmin e fuqisë të këtij misioni të ngritur në institucion.Në vitet e fillimit të aktivitetit të Misionit të saj edhe vetë Vatikani, që tani e shenjtëroi, ishte i rezervuar.Por këtë here dua të tërheq vëmëndjen me këtë shkrim për shqiptarët dhe institucionet që i përfaqësojnë ata se sa  e kane njohur ,kuptuar e vleresuar këtë mision të shenjtë.

Nënë Tereza dhe Misioni i saj i Dashurisë është dashuri pa fund në veprim për mbarë njerezimin pa dallime feje race kombi ngjyre prirje politike etj. Këtë mision

në fillimin e tij, vec Jezu Krishtit për shumë vite dhe në vazhdim jo të gjithë e kanë kuptuar, e kanë vlerësuar dhe e kanë respektuar ashtu si e meritonte.

Kjo vrejtje ekziston për gjithë botën mbarë pasi skepticizmi që ekzistonte tek njerzit në atë kohë ju kishte zënë sytë për të parë atë yll që për herë të parë doli në horizontin e qiellit pa fund e që rezatonte dashuri. Nënë Tereza me gjithëse ishte vlerësuar me cmimet më prestigjoze të botës megjithse ishte vlera më e madhe e njerëzimit në shekullin e kaluar e në vazhdim shteti shqiptar ateist në atë kohë e përcmonte dhe nuk e lejonte të vizitonte Shqiperinë dhe familjen e saj.

Shqiptarët që jetojnë në Kosovë dhe në Maqedoni ,që fenë e kishin të lejuar e megjithëse Ajo i vizitonte më shpesh, se kuptonin misionin dhe rëndësinë e saj.Kishat Katolike shqiptare që për fatë të mire ekzistonin në këto treva, me gjithë respektin dhe pritjen që tregonin ndaj saj,për mungese informacioni,njohje apo vizioni,nivelin e trajtimit të Nënë Terezes e bënin kryesisht si murgeshë.Përsëri nuk do të ishin shqiptarët ,por era e ndryshimeve të mëdha që po frynte në botë,që në gusht të vitit 1989  i dha mundësinë Nënë Terezës  të  vizitojë  për herë të parë Shqiperinë.

Nënë Tereza në Tiranë u prit me protokoll, por nën një hije të zbehtë mediatike të TVSH si Televizioni i vetëm që ishte në atë kohë.Krahës vizitës që ajo bëri në varrezat e familjareve  të saj,”Pushtetarët e Gjunjëzuar”të asaj periudhe e detyruan Nënë Terezën që të vendoste një tufë me lule edhe tek varri i diktatorit Enver Hoxha,vizitë kjo që vazhdon të interpretohet keq edhe sot e kësaj ditë në

botë.Dhe e dini përse ndodh kjo ? Sepse edhe sot shteti shqiptar nuk prononcohet publikisht ashtu si ka qënë e vërteta e protokollit më qëllim për të shmangur komentet dhe abuzimet.

Kur i referohesh jetës dhe veprës të Nënë Terezës për studim,vecanërisht marredhenieve të saj me Shqipërinë edhe pse është e dhimshme, duhet ta themi troc,se në vitin 1990 u rrëzua sistemi dhe strukturat e shtetit komunist, por nuk u zhduk mentaliteti i tij nga mendja e njerezve.

Kjo që po ju them është e thjeshtë për ta kuptuar sepse shteti shqiptar dhe qeveritë e tij edhe mbas viteve 1990 i kishin plotesisht mundestë që të tregonin përkujdesjen e duhur institucionale e shtetërore për Nënë Terezën dhe misionin e saj.Për vec se t’i kërkonin falje e t’i krijonin kushte favorizuese pune ,duhet t’i caktonin të paktën një mini personel të përbërë nga historianë, gazetarë, kameramanë, etj.që të merreshin me studimin,administrimin dhe pasqyrimin e vlerave të këtij misioni të shënjtë  dhe vecanërisht aktivitetin e përditshëm të saj.Përse nuk udhëtoi asnjë gazetar për në Kalkutë apo në vënde të tjera ku ajo kishte motrat e saj ? Nëse diktatorin Enver Hoxha e pengonte “ateizmi “të njihte këtë dritë universal këtë pasuri të pakrahasueshme në botë po pushtetarët shqiptarë të mbas viteve 1990 kush i pengon….?

Unë duke vazhduar llogjikën e mendimit që shpreha më sipër dua të plotësoj se emërtimet e shtresave të shoqërisë shqiptare në të gjitha fushat dhe aspektet e saj; si ndarjet në parti termat very-jug përkatësia fetare traditat në breza etj.që të

gjithë në veprime dhe në jetën e përditshme,në shpirtin e tyre janë njëlloj,shqiptarë,të dashur,mikëpritës,bujarë,etj,cilësi e virtyte të mira këto por kur marrin një detyrë si të zgjedhur apo të emëruar menjëherë c’fisnikërohen, janë të pa aftë për të administruar vlerat tona kombëtare shqiptare. Ishtë fat i madhë që Nënë Tereza erdhi disa herë për vizitë në Shqipëri mbas viteve 1989 por fakti që nuk ka asnjë intervistë nga Televizioni Shtetëror apo inisiativa private në këtë fushë tregon se përkujdesja institucionale e shtetit dhe e shoqerisë shqiptare ka qënë zero. 

Por edhe institucionet e asaj periudhe në Kosove e Maqedoni dhe vecanërisht kisha katolike në atë periudhë kanëpërgjegjësin e tyre që nuk i kanë qëndruar më afër dhe me profesionalisht vlerave të saj hyjnore dhe vecanërisht atyre njerëzore.Kështu më këtë tabllo të varfër mbyllen marredhëniet e NënëTerezës me institucionet shqiptare edhe mbasi ne kemi fituar demokracinë.

Por takimet e Nënë Terezës me shqiptarët në Kosove dhe në Maqedoni lanë gjurmën e tyre dhe inspiruan ndjenjat e meshtarëve të shkëlqyer shqiptarë të cilët filluan të mendojnë dhe të punojnë ndryshe për Nënë Terezën.Kështu një ndër ta ishte Dom Lush Gjergji që nga kontaktet e para që ka patur me Nënë Terezën e deri në ditën e shenjtërimit të saj, ka botuar 16 libra kushtuar Nënë Terezës,të përkthyera në shumë gjuhë te botës.

Po ashtu Pater Pashko Gojcaj, famullitar në Kishën e Shën Ndout në Tuz dhe zv.Ipshkevi i Tivarit , në vitin 2003 i kushton Nënë Terezës  librin me poezi “ Sytë e shenjtëneshës”,si dhe shumë individë të tjerë  të cilët kanë shkruar apo kanë

kënduar me përkushtim të madh  për këtë Nënë të madhe.Por ajo që është me e rëndësishme për marredheniet e Nënë Terezës me botën shqiptare i përketë kohës para viteve 1990,kur regjimi diktatorial i Enver Hoxhes ne Shqipëri e kishte të ndaluar me ligj të dëgjoje Radion e Zerit të Amerikës, institucion mediatik që në ato vite mbante peshën më të madhe  të luftës së drejtpërdrejtë kundër sistemit komunist në Shqipëri dhe në botë.

Pikërisht në këto vitë Radio Zëri i Amerikës nëpërmjet gazetarit të saj e bashkëatdhetarit tonë, patriotit të nderuar z.Gjek Gjonlekaj, në takimin që pati me Nënë  Terezën në Qershor të vitit 1988 regjistron lutjen e saj të bërë në gjuhën tonë shqipe.Zëri original i Nënë Terezës në lutjen që Ajo bëri për popullin shqiptar, është një rast i vetëm dhe me shumë vlerë për binomin Nënë Tereza – Shqiperi. Prandaj mediat historianët, biografët dhe shteti shqiptar duhet ta administrojnë si një pasuri me vlerë të madhe kombetare veca rishtë për të ardhmen. 

Nëse studiojmë ndjeshmërine njerezorë të botës shqiptare lidhur me  figurën dhe suportin e Nënën Terezës, pjesa e popullsisë shqiptare që i përket Malësisë së Madhe  në Mal të Zi të cilët kanë emigruar në SHBA, kanë qënë të parët në kontaktet me Nënë Terezën dhe kanë gjetur zgjidhjen e qytetëruar nëpermjet shtatoreve për të nderuar këtë figurë.Aktualisht, në këtë zonë për të cilën po shkruaj, janë ndërtuar 3 shtatore të Nënë Terezës;në Tuz,në Vuksanlekaj dhe në Kojë.Vëllezërit hotianë Lek dhe Pashko Gojcaj  kanë ngritur shtatoret e Nënë Terezës pothuajse në të gjitha trevat ku jetojnë shqiptarë; nëTuz , Prishtinë, Mitrovicë, Maqedoni,në kishat katolike Zoja e shkodres,  në New York,në Kishën e

Shën Palit e të Zonjës Pajtore në Michigan, etj si dhe kanë dhuruar shumë buste e portrete të saj.

Marash Nucullaj, nga Koja e Malësisë, ka sponsorizuar dhe ngritur dy shtatore të Nënës Terezë një në Sarajeve dhe një në Vuksanlekaj të Malësisë së Madhe. E megjithë atë kaq sa ka bërë deri tani shoqeria shqiptare është shumë pak Ndërsa shteti shqipëtar deri tani që une po shkruaj nuk është interesuar fare peër thelbin e misionit si vlerë njerëzore dhe për figurën e Nënë Terezës si shqiptare. Të vjen turp t’i përmendësh veprimet qesharake të qeverive shqiptare duke i dhënë Nënë Terezës vleresime të karakterit simbolik të cilat po jua rendis si më poshte:

 Aeroportit të Rinasit i vendoset emri i Nënë Terezës i shoqeruar me një shtatore, Sheshin para Universitetit të Tiranës ku partitë shqiptare bëjnë mitingje e emërtuan me emrin Nëne Tereza, Spitalin QSUT Tiranë e emertuan me emrin Nënë Tereza. Kur thashe më sipër se janë vlerësime simbolike kam parasysh se këto emertime nuk kanë investime të shtetit dhe as lidhje me misionin e Nënë Terezës. 

Shteti shqiptar dhe qeveritë e tij si dhe ai kosovar deri në ditën e shenjtërimit të saj,nuk kanë pregatitur asnjë film dhe asnjë dokumentar zyrtar,pra akoma nuk e kanë zyrtarizuar figurën e saj.

Bile edhe biografia që ndodhet në Wikipedia, nuk është korrekte,nuk është e plotë,mungojnë shumë pika elementare por të rëndësishme të jetës së saj e për

rrjedhojë nuk është pasqyruar me dinjitet e me përmasat e vlerave të saj edhe në Historinë e popullit shqiptar.Nënë Tereza dhe misioni i saj nuk i përket vetëm Kishës Katolike dhe Vatikanit,ndaj është detyrë immediate që jo vetëm shteti shqiptar por gjithë bota mbarë të nderojë dhe të vendose figurën e Nënë Terezës në nivelet më të larta që e meriton.Vatikani gjatë jetës dymijevjecare ka shenjtëruar mbi 10.500 personalitete të fesë katolike.Në vazhdën e këtyre vlerësimeve Papa Francesku  me 4 Shtator 2016 e shpalli Nënë Terezën “ Shenjta Nënë Terezë e Kalkutës “ dhe menjëherë Ai tha se unë e shpalla me këtë emër,por bota do ta thërrasë gjithmonë edhe në të ardhmen NËNË TEREZË.Kjo deklarate e menjehërshme  e Papa Franceskut  verteton së Nënë Tereza mori cmimin e radhës dhe se Shenjtërimi i saj është një stoli që e zbukuron me shume figuren e saj,pasi Misioni i Nënë Teresës është  përtej përmasave të Vatikanit.

Nënë Tereza shquhet për thëniet e saj profetike njerëzore dhe praktike që karakterizohen nga dashuria në veprim. Deklarimi i vullnetshëm i Nënë Terezës para gjithë mediave prestigjoze boterore se” Me gjak jam shqiptare “i shërben bashkimit tonë kombëtar dhe detyron të gjithë shqiptarët që jo vetëm se duhet të krenohemi me Nënë Terezën por duhet edhe ta përjetojmë e ta imitojmë Atë në cdo hap të jetës sonë. 

Po si e vlerësuan shtetet   dhe qeveritë shqiptare e kosovare Shenjtërimin e Nënë Terezës? Pak shpenzime nga ana e Qeverisë së Kosovës një vizitë turistike në

Romë udhetim special hotele luksoze pak nxehtë ditën e shenjtërimit në sheshin e Shën Pjetrit kthehen në Shqipëri dhe në Kosove si heronj marrin rroga dhe djeta pluse se kanë udhëtuar dhe kanë marrë pjesë në cremoninë e shenjtërimit të njeriut më të madh të globit si simbol i të varfërve. Çfarë paradoksi.

Gjatë punës mediatike që Televizori i Shqiptarëve të Amerikës ( ALBTVUSA )bëri ato ditë në Vatikan nga data 2 deri më  6 Shtator 2016,ne pamë se organizatorët e Koncertit kushtuar Nënë Terezës që u mbajt në Balizika e Shën Palit në Romë te drejtuar nga Imzot Dodë Gjergji,kishin bërë një punë shumë serize,profesionale e cila ishte një vlerë e madhe kombetare që u realizua në nivele të larta për të pranishmit në koncert dhe u trasmetua për gjithë botën në parametrat bashkëkohore.Por më datën 4 shtator 2016 që ishte dita e  shenjtërimit të Nënë 

Terezës nuk ndodhi ajo që pritej. Shqiptarët si kurrë ndonjëherë ishin kombi më i pa organizuar. Pjesëmarrja në këtë eveniment e shqiptarëve nga Shqipëria nga Kosova nga Mali Zi dhe Maqedonia ishte shumë e ulët, pra nuk kishim një organizim institucional. 

Ndaj duhen falenderuar përsëri inisiativat e individëve e kryesisht të diasporës shqiptarë që mundësuan pjesëmarrjen e tyrë në këtë eveniment historik për popullin tonë.Shqiptarët edhe pse ishin pak na përfaqësuan  në Sheshin e Shën Pjetrit me flamurët e kombit tonë,por kjo nuk ishte e mjaftueshme pasi më  4 Shtator 2016 Sheshi i Shën Pjetrit në Vatikan duhej të ishte mbushur plotë e përplot me shqiptarë nga të gjitha trevat shqiptare dhe diaspora.Sheshi i Shën Pjetrit atë ditë duhet të fliste vetëm shqip dhe mbas kthimit të udhëheqsave të

shtetit në Shqipëri dhe në Kosovë duhej të festohej shenjtërimi i saj,jo vetëm me meshat e Kishës Katolike, por nga i gjithë populli shqiptar;të krishterë,bektashinjë,myslimanë,katolikë,nga Shqiperia e  Kosova,nga shqiptarët në Maqedoni e Mali Zi si  dhe nga  diaspora,ashtu së bashku si gjaku i Nënë Terezës.Këto nuk ndodhën dhe tani shtetit shqiptarë i vjen për shtatë shprehja popullore se: “ kurre nuk është vone”.

Shteti Shqiptar dhe ai Kosovar duhet ta vendosin me dinjitet në Historinë e Popullit Shqiptar figurën dhe kontributin e Nënë Terezës.Të krijojnë Institucionet përkatëse për të studiuar ulumtuar dhe përgjithësuar veprat e Nënë Terezës.Literatura e Nënë Terezës që bën fjalë për edukimin dhe formimin e dashurisë njerëzore të futet në tekstet shkollore.

Të dimë c’ka ka thënë Nënë Tereza gjatë jetës së saj të paktën për ne shqiptarët është detyrë por të bëjmë Ne cfar Nënë Teteza bënte është progres dhe mirësi. Qëndroni sa më afër Nënë Terezës me mendje dhe vepra pasi Ajo është suksesi dhe pasuria me e madhe e kombit shqiptar dhe një celës i artë për të gjithë ne të cilin duhet ta përdorim me dashuri dhe mencuri kombetare.

Gani Vila

Drejtor i Televizionit të Shqiptarëve të Amerikës

Michigan 26 Gushtë 2019

Filed Under: Politike Tagged With: Gani Vila- Nena e Dashurise-Shen Tereza

KUJTOJMË AT ZEF PLLUMIN NË DITËN E LINDJES

August 28, 2019 by dgreca

At Zef Pllumi u lind me 28 gusht të vitit 1924 /

Meshtar françeskan, shkrimtar. Lindi më 28 gusht të vitit 1924, në Malin e Rencit (Lorencit), në Shëngjin, në një familje me origjinë nga Shkreli. U pagëzua me emrin Prenkë. Në vitin 1929, në moshën 5 vjeçare, u bë nxënës i misionarit gjerman Alfons Tracki, në Velipojë. Në vitin 1931 hyri në Kolegjin Françeskan të Shkodrës, ku ndoqi të gjithë ciklin e arsimimit, deri në vitin 1944. Në vitet 1943-1944 bashkëpunoi me revistën
«Hylli i Dritës» dhe u zgjodh sekretar personal i Át Anton Harapit, aso kohe Provincial i françeskanëve në Shqipëri. Gjatë kohes që ishte dhjak, Át Antoni e vuri të ndihmote në Arkivin Françeskan. Ishte 22 vjeç, kur më 14 dhjetor 1946,  u arrestua dhe dënua me tre vjet burg. Shkak për arrestimin e tij, sikundër thotë dhe vetë, ishte sepse duke qenë sekretari personal i Provincialit, komunistët mendonin se duhej të dinte shumë dhe
se nga ai mund të nxirrnin informatat e duhura. Dënim e vuajti në «Burgun e Madh» të Shkodrës dhe në kampet e Bedenit në Myzeqe dhe të Orman-Pojanit në Maliq të Korçës. Pas lirimit u kthye në Kuvendin Françeskan. Në vitet 1949-1951 u mor me numizmatikë, si teknik i Muzeut të Shkodrës. Në vitin 1956 u shugurua meshtar dhe, për 12 vjet shërbeu si meshtar i Dukagjinit me qendër në Shosh, për ku u nis më 14 shtator 1958, bashkë
me provincialin, Át Augustin Ashikun. Në vitin 1967 u arrestua sërish dhe për 23 vjet vuajti dënimin në burgje dhe kampe të ndryshme, si në Spaç, Reps, Skrofotinë të Vlorës, Ballsh, Zejmen-Shënkoll, Tiranë. U lirua më 1989. Një vit më vonë, Natën e Kërshëndellave, filloi meshtarinë në Kishën e Shna Nout në Tiranë, deri në vitin 1997. Nga viti 1993 gjer më 1997 rinxorri revistën «Hylli i Dritës». Gjatë këtyre viteve shkroi dhe botoi trilogjinë «Rrno vetëm për me tregue», vëllimet «Françeskanët e mëdhenj», «Frati i pashallarëve Bushatli, Erazmo Balneo» e «Ut heri diçebamus-siç i thonim dje». Një ndër nismat e tij më me vlerë është dhe ribotimi i kolanës së plotë të veprave të etërve françeskanë. Në vitin 2006 Presidenti i Republikës e dekoroi me Urdhërin «Nderi i Kombit». Po këtë vit iu dha edhe çmimi letrar «Penda e Artë», e akorduar nga Ministria e Kulturës e Shqipërisë, për trilogjinë me kujtime «Rrno vetëm për me tregue». Vdiq më 25 shtator të vitit 2007 në spitalin Gemelli në Romë, dhe u varros më 30 shtator 2007 në Shkodër.( Fjalori Enciklopedik i Viktimave të Terrorit Komunist III (Tiranë: ISKK, 2014), 234.)

 ***

At Zef Pllumi, i biri i Gjetos dhe i Lukes, lindur në Bogë të Koplikut më 1924 dhe banues në Mal të Rencit, me profesion xhakon, ka kryer të tretin kurs Theollogjik, arrestuar më datën 15/X/1946. Dënuar më 8 janar 1948 nga Gjykata Ushtarake e Shkodrës me 3 vjet burg.

SKEDA

Emër/Mbiemër: Zef Pllumi
Atësia: Gjeto
Vendlindja: Bogë Koplik
Datëlindja: 28/8/1924
Profesioni: Frat françeskan, Shkrimtar
Datë Vdekja: 25/9/2007
Vënd Vdekja: Romë
Arsyeja e Vdekjes: Vdekje natyrore
Rrethanat e Vdekjes: I Lire
Gjyqi
Data e Arrestimit: 14/12/1946
I Torturuar: Po
Akuza: “Ishte sekretari personal i Provincialit”
Dënimi: 3 vjet Burg
Prokurori: Namik Qemali
Data e Vendimit: 8/1/1948
Gjykatësi: Misto Bllaca, Anastas Koroveshi, Xhemal Bejtja
Gjykata: Gjykata Ushtarake e Shkodrës
Gjyqi i dytë
Data e Arrestimit: 1967
Dënimi: 23 vjet Burg
Data e Lirimit: 11/4/1989

(Kortezi: kujto.al)

***

Si e kujton At Zef Pllumi hetuesin Shyqiri Çoku, që Qeveria e dekoroi për 29 Nëntor

Hetuesi që do t’i “hapte” derën e burgut dhe kalvarin 23­vjeçar të vuajtjeve në qelitë e komunizmit, At Zef Pllumit është dekoruar 1 vit më parë nga ministria e Mbrojtjes me “Medaljen e Mirënjohjes”. Shyqyri Çoku, për torturat e presionet çnjerëzore të të cilit, At Zef Pllumi ka shkruar një kapitull të veçantë në librin “Rrno vetëm për me tregue” është nderuar nga qeveria për kontributet e dhëna për Çlirimin e atdheut nga pushtuesit nazifashistë. Dekorata i është akorduar 1 vit më parë me rastin e 70­vjetorit të Çlirimit. “Gazeta Shqiptare” boton sot disa fragmente të shkurtra nga libri i At Zef Pllumit “Rrno vetëm për me tregu” ku ai rrëfen për hetuesin e tij, Shyqyri Çoku.

Fragment nga libri “Rrno vetëm për me tregue”

At Zef Pllumi

LIBRI III

ROBNIA E GJATË

1967­1989

GJYQET E POPULLIT VAZHDOJNË

Ditën e gjykimit më thirrën shpejt. Dola i veshun e i mathun me ato tesha të reja. Në dhomën e hetuesit ishte vetëm Shyqyri Çoku. Më foli pa u ulë në karrigë.

– Tash po del në gjyq dhe atje fol lirisht si të duesh e shka të duesh, por mendo se mbas gjyqyit prapë këtu në duert tona vjen. E kupton apo jo? A e ndigjove mbramë atë që lëshonte britma të tmerrshme? Ta bajmë ma zi se atij në rasë se i përmendë fjalimet e shokut Enver Hoxha. Na nuk durojmë ta shajsh publikisht.

– Un nuk e kam sha, por vetëm të kam tregue fjalimet e tij fjalë për fjalë. Pse i shkrueve ti në procesverbal?

– I shkrova se i the ti.

Gjatë përpilimit të procesverbalit Shyqi (Shyqyri Çoku) më kishte pyetë se si e konsiderojshem un mbylljen e kishave. Iu përgjigja se ishte veprimi ma i gabuem i Pushtetit Popullor, sepse lirinë e fesë e garantonte nji nen i veçantë I Kushtetutës, mbi të cilin ishte perpilue edhe ligji “Mbi komunitetet fetare”. Përveç kësaj në nji prej fjalimeve të Enver Hoxhës, i mbajtun në Rrëshen në vjetin 1954, thohet tekstualisht se “propaganda kapitaliste e revizioniste çirret me të madhe se në Shqipëri nuk ka liri feje, se janë mbyllur kisha e xhamija. Por kur kanë ndodhur këto në Shqipëri? – pyet Enveri. – Këto gjëra mund të ndodhin atje ndër vendet borgjeze, kapitaliste e revizioniste, por jo kurr në Republikën Popullore të Shqipërisë”.

– I kam thënë ato fjalë me të vërtetë, – iu drejtova Shyqit (Shyqyri Çokut), – por ti e ngarkove me to procesverbalin për me më ngarkue sa ma shumë.

– Me të ngarkue sa ma shumë? Ti pate fatin që të mora un, shkodranë. Ti e din fjalën e popullit që thotë: “Vllau yt mishin ta han, por kockën ta len”. E sikur t’ish kenë për ty nji hetues nga jugu? Ik, ban si të duesh e fol si të duesh, para gjykatet je i lirë, veçse përsëri ndër duer tona vjen.

Atëherë thirri me të madhe:

– Jonuz, e ke gadi tjetrin?

– Zoti hetues. Ju e keni në dorë punën; ata prokurorët e gjykatësit shkë i keni dhe mund i porositni që ta kalojnë atë faqe të procesverbalit e mos të më pyesin aty.

– Jo, more jo, na nuk i porosisim ata, por vetëm të themi ty se të duem të mirën.

Jonuzi pruni Dom Nikollë Mazrekun duerlidhun. Ja hoq prangat e me ta na lidhën bashkë të dyve.

****

Te dera pritshin hetuesat Shyqyri Çoku e Dhimitër Shkodrani. Na shoqnuen deri te “kafazi i të pandehurve”. Kisha ishte plot e përmajë me njerëz. Te vendi i elterit kishin ba nji podium për trupin gjykues. Mbrapa podiumit, nalt, ishte shkrue me shkronja tepër të mëdha: “Drejtësia në shërbim të popullit”. Ndërsa pritej trupi gjykues, Shyqi (Shyqyri Çoku) më tha:

– Bukur ka dalë ky sallon i rinisë.

Iu përgjigja se arkitekt i kësaj kishe ishte kenë Fishta.

– E vetmja gja që i mungon asht ngrofja.

– Ditë kaq të ftohta janë të rralla.

– Sot asht 7 gradë nën zero, – tha Shyqi (Shyqyri Çoku).

****

Ndërsa ishem ndër këto mendime, mes asaj zhurme popullore, më preku në sup Shyqyri Çoki dhe më tha:

– Zef, motra jote asht aty, në bankën e parë. Don ta shikojsh?

– Sigurisht që po!

Në bankën e parë ishte ulun nji grue zadrimore, nji nuse; përkrah kishte burrin e vet. Shyqi (Shyqyri Çoku) shkoi dhe foli me te. Ktheu dhe më tha:

– A asht motra jote ajo?

– Jo, nuk e njof.

– Nuk e njef?

Në ças u veprue: gruen dhe burrin e saj e nxuerën nga salla. Shifej mirë se publiku aty ishte me ftesa.

*****

Shyqyri Çoku më tha: – Ti nuk ke punë me te as me të tjerët që do të flasin.

Ndërkaq të tjerët mbas tij, kund gjashtë persona, kërkuen dënimin tim me vdekje. Në të vërtetë, kur e kërkojshin ata, më dukej mjaft i largtë. Të gjithë flitshin me letra në dorë, sikur t’ishin shkrue dikund njeti. Dikur u paraqit nji grue që punonte në spital e kishte ardhë me bluzën e saj të bardhë. Tha se kishte ndigjue nga altoparlantat e radios lokale se këta priftën këtu thane se feja nuk asht kundra shkencës. Si asht e mundun që t’i thotë këto fjalë, mbasi këta vetë, kur janë të sëmundë, vijnë në spital ten e dhe kërkojnë ndihmën e ilaçeve dje jo të fesë, tha ajo.

Filed Under: Histori Tagged With: At Zef Pllumi- Kujtese

Ditët e Shën Nënë Terezës/-Katedralja në Prishtinë organizoi Akademi

August 27, 2019 by dgreca

Ditët e Shën Nënë Terezës/

-Në 26 Gusht 2019, Akademi për Ditëlindjen e Shën Nënë Terezës në 40 vjetorin e Çmimit Nobel për Paqe (1979)/

-Shqiptarët nga Amerika – Këshilli i Fondacionit për ndërtimin e Katedralës Nënë Tereza në Prishtinë, në Nju Jork dhe rrethinë, kanë kontribuar për mëse 9 vite me 2 milionë dollar/

–Ilir Marjan Cubi, një nga emrat e vatranëve nga SHBA në korniza dritaresh të Katedrales Shën Nënë Tereza, këtë verë e takuam në Prishtinë të sapoardhur nga Nju Jorku/

-Vatranë, shqiptarë nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, tradicionalisht verave vijnë në Shqipëri, Kosovë e viset tjera shqiptare…/

-Katedralja Nënë Tereza në Prishtinë nisi të ndërtohej në 26 Gusht 2005,  Presidenti historik  Dr. Ibrahim Rugova në vënie të gurthemelit: Ditë e madhe për kryeqytetin dhe për gjithë Kosovën… Papa Gjon Pali i Dytë e ka përkrahur personalisht ndërtimin e kësaj Katedraleje/

SPECIALE-Gazeta DIELLI nga korrespondenti në Kosovë Behlul JASHARI

PRISHTINË, 25 Gusht 2019/ Në Kosovë, Katedralja Shën Nënë Tereza në Prishtinë organizon Akademi për të shënuar  40 vjetorin e Çmimit Nobel për Paqe (1979) të Nënë Terezës, në ditën e lindjes së saj, në 26 Gusht 2019, ditë e hënë. Akademia fillon në ora 19:30 në Qendrën “BogdaniPolis”, që gjendet nën Katedrale.

Ky aktivitet shënon edhe fillimin e ditëve të Nënë Terezës që do të zgjasin deri në 5 Shtator, kur kremtohet ditëfesta liturgjike e Shenjtëreshës në Katedralen e Prishtinës, që i kushtohej asaj.

Sipas programit, Akademia nis me leximin e dy teksteve të Nënë Terezës –  

“Unë e kam në zemër Popullin tem shqiptar” dhe “Vendi im”, interpretuar nga aktorja Arijeta Ajeti.

Në vijim  nga Lule Brahimi dhe Kori i Studentëve interpretohet kënga  “Nënës së mirë – Porosia” 

Pjesë e programit është edhe promovimi i librit të Don Lush Gjergjit “E kam në zemër popullim tem Shqiptar. Bisedime me Shën Nënën Tereze”,  botuar nga “Drita” më  2019. Flet Visar Zhiti, shkrimtar.

 Vijohet me poezi dhe lexim: “Duaje Jetën”  dhe “Pjesë nga Fjalimi i Nënë Terezës në Shenjtëroren e Letnicës” (interpreton Arijeta Ajeti, aktore). 

Këngën “N’Cërnagore kem një Nanë”   e interpreton Kori i Studentëve.

Programi vazhdon me kumtesën “Nënë Tereza – Nobelistja e Çmimit Nobel për Paqe” nga Xhavit Beqiri, professor,  dhe me fjalën përmbyllëse “Pse ky libër i ri për Nënë Terezën”, nga Don Lush Gjergji, biograf i Nënë Terezës.

 “Për të gjithë pranishmit do të shtrohet koktej rasti në pjesën e Qendrës “Agora”, për të festuar ditëlindjen e Nënës sonë”, theksohet në fund të programit të Akademisë për Ditëlindjen e Shën Nënë Terezës në 40 vjetorin e Çmimit Nobel për Paqe.

E lindur në 26 Gusht të vitit 1910 në Shkup, shqiptarja Gonxhe Bojaxhiu u bë Motra Tereze e Loretos në vitin 1929; Nënë Tereza – Misionare e Dashurisë ne 1950-tën; Nobelistja e Paqes në 1979-tën, e Lumja Nënë Tereza  në 2003-tën dhe Shën Nënë Tereza  në 2016-tën.

Në 10 Dhjetor 1979, sipas raportimit në atë kohë të gazetës tradiconale të Kosovës Rilindja,  Nëna Terezë, pasi kishte pranuar Çmimin Nobël për Paqe në Oslo ka deklaruar: “Përsa i përket prejardhjes, unë jam shqiptare, indiane përkah nënshtetësia, motër murgeshë katolike, përkah thirrja, që i përkas tërë botës…”

Shugurimi i Katedralës Nënë Tereza u bë para dy viteve – në 5 Shtator 2017, në ditën e 1 vjetorit të shenjtërimit e të 20 vjetorit të kalimit në amshim të Shenjëtëreshes Shqiptare. Shumë solemne dhe madhështore ishte festa, mesha e shugurimit të Katedraljes-Shenjtërores Shën Nënë Tereza në Prishtinë nga i Dërguari i Posaçëm i Papa Françeskut, Kardinali shqiptar Ernest Simoni – Troshani, e me pjesëmarrje edhe shqiptarësh-vatranësh nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, të cilët edhe u vlerësuan e falënderuan për kontributet. Madje, ishte edhe pjesë e celebrimit në meshën solemne të shugurimit Marjan Cubi, anëtar i Kryesise së Federatës Pan-Shqiptare të Amerikës Vatra, njëherësh  arkëtar si dhe kryetar i Komisionit për mbledhjen fondeve për ndërtimin e Katedrales, i cili kishte ardhë në Kosovë bashkë me bashkëshorten Dila.

Shqiptarët nga Amerika – Këshilli i Fondacionit për ndërtimin e Katedralës Nënë Tereza në Prishtinë, në Nju Jork dhe rrethinë, kanë kontribuar për mëse 9 vite me 2 milionë dollarë, që janë mbledhur dhe janë dorëzuar.

Brenda Katedralës në meshën solemne të shugurimit nga vatranët e SHBA ishte edhe Zef Balaj,  anëtar i Kryesisë së Federatës Pan-Shqiptare të Amerikës Vatra, që kishte ardhë në Kosovë bashkë me bashkëshorten Lina, anëtari i Këshillit të Vatrës, Lek Përlleshi, me bashkëshorten Vera, anëtari i Komisionit për mbledhjen fondeve për ndërtimin e Katedrales, Fran Marku, si dhe Nue Balaj, nip i Zefit, Tomë Paloka që do e botonte së shpejti librin “Shqiptarët më të mirë në Amerikë që i njoha unë”…

Në 31 Gusht 2017, Ipeshkvi i Ipeshkvisë së Kosovës, Imzot Dodë Gjergji, vatranët nga Amerika i ka pritur në takim në Ipeshkvi dhe i ka shoqëruar në vizitë Katedrales.

 Mbrëmjen e 4 Shtatorit 2017, pas meshës Lutja e Mbrëmësores me Lutjet e Nënë Terezës në Kishën e Shën Ndout në kryeqytet, Ipeshkvia e Kosovës ftoi edhe në darkën e falënderimit për donatorët e ndërtimit të Katedrales Nënë Tereza në Prishtinë.

 Edhe në ditën e 16 Gushtit 2016 një delegacion i Federatës Pan-Shqiptare të Amerikës Vatra në Ipeshkvinë e Kosovës  dhe në Katedralen Nëna Terezë në Prishtinë u prit plot përzemërsi, repekt e vlerësim nga Ipeshkvi Imzot Dodë Gjergji.

Në delegacionin e shqiptarëve të ardhur nga SHBA ishin Agim Rexhaj, zv/kryetar i Vatrës, Marjan Cubi – arkëtar i Vatrës dhe kryetar i Komisionit për mbledhjen e  fondeve për ndërtimin e Katedrales Nënë Tereza në Prishtinë, si dhe Laura Rexhaj, Dila Cubi, Fran Marku, Mhill Gjuraj, Pashk Maksuti, Mëhill Velaj.  Gjatë gjithë kohës isha edhe unë – korrespondent në Kosovë i Gazetës Dielli – organ i Vatrës.

Ipeshkvi i Ipeshkvisë së Kosovës, Imzot Gjergji falënderoi dhe vlerësoi lart të gjitha kontributet dhe njoftoi delegacionin e Vatrës me të gjitha punët e kryera në Katedralen Nënë Tereza.

Ipeshkvi Imzot Dodë Gjergji vlerësoi lart organizimin dhe kontributet e Federatës Pan-Shqiptare të Amerikës Vatra,  të gjithë vatranëve.

“E vlerësoj veçantë mënyrën e organizimit tuaj, të Vatrës, nga të gjitha trojet shqiptare së bashku…Vatra është edhe vatër e të mirave dhe kontributeve të mëdha për kombin”, u shpreh Ipeshkvi i Kosovës.

Në vitin 2017, që në nisje të “Ditëve të Nënë Terezës” në 26 Gusht, në Katadrale, si dhe në ekspozitën “Shenjtorja shqiptare nga Shkupi – korrespondenca”, të hapur në Bibliotekën Kombëtare në Prishtinë, ishin të pranishëm edhe vatranë të Federatës Pan-Shqiptare të Amerikës Vatra, mes të cilëve i ardhur enkas bashkë me bashkëshorten Dila, Marjan Cubi, anëtar i Kryesise së Vatres.

Ipeshkvi i Ipeshkvisë së Kosovës, Imzot Dodë Gjergji në fjalën përshëndetëse  në hapje të “Ditëve të Nënë Terezës”  vlerësoi lart të gjitha kontributet, ndërsa takoi e falënderoi vatranët edhe gjatë koktejit. 

“Dua me këtë rast të falënderoj të gjithë donatorët, që na kanë ndihmuar për ndërtimin e kësaj Kishe, ata që janë sot prezentë e ata që do të jenë me 5 Shtator”, u shpreh Ipeshkvi Gjergji.

“Do të vazhdojmë me kontributet”, shprehej vatrani Zef Balaj që është biznesmen e donator, si edhe veprimtar i çështjes kombëtare, derisa shihte se ende punohej në Katedralen  Nënë Tereza.

Nën një nga dritaret e Katedrales, në kornizë, shihte të shënuar emrin e tij, i vinte mirë për këtë që është edhe si shenjë mirënjohje, ndërsa thoshte se nuk është vetëm ai kontribues, se do donte të jenë edhe emrat e vëllezërve: Gjelosh, Pjetër e Zef Balaj.

Te dritaret e Katedrales ka edhe emra të tjerë kontribuesish, vatranësh nga SHBA, mes të cilëve: Ilir Marjan Cubi… Ilirin me zonjën e tij dhe dy fëmijtë e tyre këtë verë në  29 Korrik 2019, i takova në Aeroportin e Prishtinës, të sapoardhur nga Nju Jorku, prej nga për mua – korrespondentin në Kosovë kishin sjellë shpërblimin e përvitshëm nga Federata Gjithë-Shqiptare e Amerikës VATRA dhe organi i saj Gazeta DIELLI në vitin e jubileut të 110 vjetorit të saj – më të herëshmes gazetë shqiptare në gjithë botën.

Vatranë, shqiptarë nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, që tradicionalisht verave vijnë në Shqipëri, Kosovë e viset tjera shqiptare, ka vite që priten e i takojmë edhe në Katedralen Shën Nëna Terezë në Prishtinë. Në Katedrale në 1 Gusht 2018 Kisha Katolike në Kosovë organizoi Ditën e Diasporës, ku erdhën edhe vatranë nga Nju Jorku – bashkë me bashkëshorten Dila erdhi Marjan Cubi, si githnjë të mirëpritur nga Ipeshkvi i Kosovës, Imzot Dodë Gjergji, i cili i priu Meshës solemne në bashkëmeshim me meshtarët dhe misionarët që shërbejnë në diasporën shqiptare, si edhe nga Vikari Gjaneral, Mons. Lush Gjergji dhe të gjithë.

Gurthemeli i Katedrales në Prishtinë është vënë në 26 Gusht 2005 për nder të 95 vjetorit të lindjes së Nënës Terezë nga ana e Presidentit historik të Kosovës Dr. Ibrahim Rugova, Ipeshkvit të Ipeshkvisë së Kosovës Imzot Mark Sopi dhe Kardinalit të Uashingtonit Teodor Mekkerik.

“Sot është një ditë e madhe për kryeqytetin dhe për gjithë Kosovën, sepse po e bekojmë gurin e themelit të një tempulli të shenjtë, që i kushtohet Nënës së dashur shqiptaro-kosovare dhe Nënës së Njerëzimit – të lumturës Nëna Tereze – asaj që lartësoi nderin e Kosovës dhe të shqiptarëve në gjithë planetin duke i afirmuar vlerat tona dhe duke ndihmuar gjithë njerëzimin”, shprehej gjatë ceremonisë Presidenti Rugova.

“Papa Gjon Pali i Dytë e ka përkrahur personalisht ndërtimin e kësaj Katedraleje”, theksonte Presidenti Rugova.

Në vitin 2003, më 19 Tetor, Presidenti Ibrahim Rugova në Vatikan ka marrë pjesë në ceremonitë e lumturimit të Nënës Tereze, misionares shqiptare Gonxhe Bojaxhiu me origjinë nga Kosova, lindur në Shkup. Para më se gjysmë milioni njerëzve, në sheshin Shën Pjetri në Vatikan, Papa Gjon Pali i Dytë ka lumturuar Nënën Terezën, së cilës Vatikani iu referohet si “Nënë Tereza e Kalkutës”.

Në Vatikan, në 20 Dhjetor 2003, ditë e  shtunë, Ati i Shenjtë Papa Gjon Pali II-të e priti në audiencë Presidentin e Kosovës, Dr. Ibrahim Rugovën. Audienca, që zgjati rreth 20 minuta, ishte shumë e përzemërt.


Në fillim Presidenti Rugova e falënderoi Papa Gjon Palin II për beatifikimin e Nënës Tereze. Pastaj, Presidenti Rugova e njoftoi Atin e Shenjtë me progresin që është arritur në Kosovë në të gjitha fushat e jetës.

Presidenti kërkoi nga Ati i Shenjtë që që të lutet dhe të ushtrojë ndikimin e tij për njohjen formale të pavarësisë së Kosovës.


Presidenti Ibrahim Rugova e njoftoi Papa Gjon Palin II me përgatitjet që po bënte Ipeshkvia e Kosovës për ndërtimin e Katedrales në Prishtinë.


Ati i Shenjtë e vlerësoi progresin që është arritur në Kosovë dhe shprehu interesimin e tij për shumë çështje të zhvillimeve pozitive në Kosovë.


Gjatë audiencës, Ati i Shenjtë e përmendi edhe Gjergj Kastriotin – Skënderbeun, Heroin Kombëtar të shqiptarëve.


Presidenti Rugova ia uroi Papës Gjon Pali II Këshëndellat dhe Vitin e Ri, duke i dëshiruar shëndet dhe jetë të gjatë. Poashtu, edhe Ati i Shenjtë i uroi Presidentit të Kosovës Kërshëndellat dhe Vitin e Ri.


Në fund të audiencës, Presidenti Rugova i dhuroi disa dhurata Papës Gjon Pali II: Medalonin e Nënës Tereze, Medalonin e Lidhjes së Prizrenit, si dhe kristale të çmueshme të Kosovës.

Ati i Shenjtë i dhuroi Presidentit Rugova Medalje Papnore të punuara me rastin e 25 vjetorit të shërbimit të tij si Papë.


Pas audiencës tek Ati i Shenjtë, Presidenti i Kosovës Ibrahim Rugova u prit nga Sekretari i Shtetit të Vatikanit, Hirësia e Tij, Kardinal Anxhelo Sodano, me të cilin pati një bisedë të gjatë miqësore e përmbajtësore.

Edhe 10 vite më herët, më 11 Mars 1993, Shenjtëria e Tij, Papa Gjon Pali II priti në audiencë Presidentin Rugova nga i cili mori një Promemorie për çështjen shqiptare. Po më vitin 1993, më 27 Prill gjatë vizitës së Papa Gjon Palit II në Shqipëri, Presidenti Rugova është takuar me të në Tiranë dhe i ka dhuruar një gur nga muret e qytetit të Ulpianës në shenjë kujtimi për dy martirët e krishterimit, Florin e Laurin. 

Katedralja Nënë Tereza në Prishtinë nisi të ndërtohej ndërkohë që ishte festuar 6 vjetori i Kosovës së lirë nga qershori 1999. Në 2005-tën shënohej dhe 600 vjetori i lindjes së kryeheroit kombëtar shqiptar Gjergj Kastrioti-Skënderbeu.

  • Per me shume foto shihni ne Fb

Filed Under: Featured Tagged With: Ditet e Nene Terezes-Behlul Jashari

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 902
  • 903
  • 904
  • 905
  • 906
  • …
  • 5724
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare
  • Në sinoret e Epirit…
  • Mbrëmë hyri në fuqi Ligji i SHBA për autorizimin e mbrojtjes kombëtare
  • Skënderbeu “grek”, ose si të bëhesh grek pa e ditur
  • A historic moment of pride for the New Jersey Albanian-American community
  • U zhvillua veprimtaria përkujtimore shkencore për studiuesin shqiptaro-amerikan Peter Prifti
  • Dashuria që e kemi dhe s’e kemi
  • “Jo ndërhyrje në punët e brendshme”, dorëheqja e Ismail Qemalit, gjest atdhetarie dhe fletë lavdie
  • Arti dhe kultura në Dardani
  • Gjon Gazulli 1400-1465, letërsia e hershme shqipe, gurthemeli mbi të cilin u ndërtua vetëdija gjuhesore dhe kulturore e shqiptarëve
  • “Albanian BookFest”, festivali i librit shqiptar në diasporë si dëshmi e kapitalit kulturor, shpirtëror dhe intelektual
  • VEPRIMTARI PËRKUJTIMORE SHKENCORE “PETER PRIFTI NË 100 – VJETORIN E LINDJES”

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT