• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

“Fytyra” e re e Shqipërisë Tjetër…

August 19, 2019 by dgreca

-Silvana Begaj, lektorja e universitetit suedez që kërkon një Atdhe për të gjithë/

-Silvana Begaj, lektorja e universitetit suedez që kërkon një Atdhe për të gjithë/

NGA ARBEN SHAQIR VATA/

Silvana Begaj ishte thuajse krejt e panjohur deri pak muaj më parë, kur disa shkrime të saj për projektin “Shqipëria Tjetër”, bënë xhiron e publikimeve në dhjetra portaleve shqiptare, brenda e jashtë kufijve. Apelet e një vajze në kulmin e debateve politike të krizës së zgjedhjeve në Shqipëri, nuk mund të kalonin pa u vënë re nga opinioni publik, aq më tepër kur artikujt fshikullues ndaj politikës 30 vjecare në Shqipëri, vinin nga një “mendje e ftohtë”, një asistent pedagoge në Universitetin e Gävle në Suedi. 
Po kush është Silvana Begaj, vajza që kërkon të qetësojë “kokat e nxehta” të Tiranës; si arriti një vajzë e thjeshtë shqiptare të ngjisë në pak kohë shkallët e karrierës profesionale në një vend të huaj, dhe cfarë është projekti “Shqipëria Tjetër”, një nismë që ajo planifikon ta zbatojë në politikën shqiptare?! 


Silvanën, në këto ditë të pragfillimit të vitit të ri akademik në Suedi, e gjen të rrethuar në zyrën e saj nga studentë të shumtë të huaj që kanë zgjedhur universitetin ku ajo është e punësuar për të kryer studimet e larta. Që prej vitit 2014, Silvana është asistent pedagoge ne degen e Menaxhimit , ndërsa koordinon edhe studentët ndërkombëtare që diplomohen në këtë universitet mjaft të njohur të Suedisë. Një aplikim on line për këtë vend pune ka mjaftuar për Silvanën dhe ajo ka kuptuar që ëndrrat mund të bëhen realitet. Ne Shqiperi ka pasur disa eksperienca të ndryshme të cilat i shërbyen si trampolinë për integrimin në Suedi.
Për shumëkënd karriera e saj mund të quhet e suksesshme, por për Silvanën kjo është dicka krejt normale në një vend ku zotëron konkurenca e drejtë dhe zbatimi I ligjit. Ajo thotë me modesti se është një vajzë krejt e zakonshme, që ka guxuar të ëndërrojë dhe përpiqet deri në fund për të arritur synimet e veta. Mësimdhënia apo kërkimi shkencor me të cilin merret shumë kohët e fundit, nuk është i vetmi angazhim per Begajn. Suedia është vendi i mundësive dhe Silvana thjeshtë e ka shfrytëzuar këtë fakt. Prej një viti ajo ka themeluar një kompani private që kryen restaurimin e godinave të vjetra dhe atyre historike në disa qytete të Suedisë. 
Por angazhimi më i madh për të, duket të jetë ai human. Silvana Begaj tregon se prej 5 vitesh është Peacemaker, pjesëtare e “Dialog për Paqen”, një NGO ndërkombëtare me qendër në Norvegji, e cila zhvillon dialog dhe ndërmjetëson me palët e përfshira në konflkte në zona të ndryshme të botës, si Indi, Pakistan, Bangladesh, etj. Projekti i radhës që do të finalizohet së shpejti, thotë Silvana, është krijimi i një NGO ndërkombëtare për integrimin e gruas në shkallë botërore. Si një kerkuese shkencore, ajo,bashkë me një grup specialistësh nga disa vende, do të bëjnë hulumtime për të gjetur se cfarë politikash duhen ndjekur për integrimin sa më të plotë të gruas, kryesisht në vendet me probleme në këtë drejtim, sigurisht edhe në Shqipëri. 
E cuditshme në fakt, por ajo pohon se i del koha edhe për …Politikë. Ajo është e angazhuar me Centerpariet, një parti qeverisëse në Suedi, dhe ka ambicje për të konkuruar në nivele lokale. Megjithëse e larguar nga Shqipëria, Silvana nuk i ka shkëputur lidhjet me vendin dhe ndjek rregullisht cfarë ndodh atje. SHQIPËRIA TJETËR, është lëvizja që ajo synon të shpalosë në momentin e duhur, një projekt për të ringjallur shpresat dhe ëndrrat e rinisë, ëndrra të vrara nga politika e afro 30 vjetëve në Shqipëri. Sipas saj, ky është një projekt që ka për qëllim të grumbullojë ekspertizën më të mirë shqiptare dhe të huaj në vendet europiane dhe në bashkëpunim me organizata dhe aktorë të rëndësishëm politikë dhe të shoqëerisë civile në këto vende, të kontribuojë për zhvillimin e Shqipërisë. 
Portreti i Silvana Begajt, një vajzë që nga katedrat e Tiranës përfundoi në katedrat e Suedisë, nuk mund të jetë i kompletuar pa dy dashuritë e saj; letërsinë nga e cila mësoi si të krijojë si dhe familjen, nga e cila merr inspirimin!

Filed Under: Politike Tagged With: Arben Vata-Shqiperia Tjeter-Silvana Begaj

Lahim Kola …diapazoni i një instrumentisti

August 19, 2019 by dgreca

Nga Marjana Bulku/*

Nuk ishin heronjtë e skenës e mbase emrat e tyre as nuk citoheshin kur sallat e mbushura plot duatrokitnin protagonistët por natyrisht që skena nuk do të mund të quhej e tillë pa ata që vetëm me 7 nota dhurojnë miliona tinguj muzikorë duke krijuar emocione të bukura të cilat ua mbushnin sado pak shpirtin qytetarëve duke i bërë të ndihen edhe më shumë qytetarë.

Lahim Kola vjen si protagonist në këtë rrëfim  jo vetëm për vete ,  diapazoni i tij  shkon përtej vetvetes , tek miqtë dhe bashkëpunëtorët ,dikur në kohën kur lindi, atje në zonën (Gryka e Madhe Sopot)e cila i ka dhuruar Dibrës sistematikisht vlera, nëpër hapat e para drejt artit të cilat nuk mund të ishin nëpër korridore sallonesh apo kolegjesh me zë e emër por nëpër gryka ku nuk shteron vullneti  dhe pasioni e kur ndodh që njeriu takon njerëzit e duhur , ata që dijnë ta dallojnë shkëndijën e bukur të talentit të cilin munden ta shndërrojnë në produksion artistik me vlera për çdo kohë .

I tillë do të ishte i mirënjohuri Tonin Rrota i cili drejtonte në atë kohë Estradën Profesioniste Peshkopi në vitet 1960 , kohë kjo që përkon me angazhimin profesional të një artisti që kujton me dashuri çdo akt që e lidhi aq shumë me muzikën e cila frymonte edhe nëpër livadhet ku bariu i binte fyellit.

Por asgjë  nuk mundet ta plotësojë zanafillën e pasionit të tij për muzikën sesa ky rrëfim i Lahimit  që unë dua ta citoj fjalë për fjalë …

“    Ne fillim te viteve ’50 nisi të kremtohej data e clirimit të Zerqanit me 3 gushtnë  livadhet e allushjet. Një lugine e bukur e gjelberuar me lisa të medhenj që me hijet e tyre ia shtonin hijeshine ketyre livadheve të sapo kositura,që  pershkoheshin nga vijat plot me uje të ftohte të Gurrave te Tushjet. Në  kete feste vinin, jo vetem fshatrat e Grykes së Madhe, por edhe nga fshatrat e Gollobordes, të Maqellares e Bulqizes. Gjemonin lodrat e cylat nga të kater anet. Bukuri të papare krijonin veshjet popullore të grave, nuseve e vajzavetë  krahines së Zerqanit. Shamitë e jepekut, qashat e shajakut, të zeza për nuset e të  kuqe për vajzat, si dhe jeleket me pafte e bakoret me lara. Por bukurine më të madhe ja shtonin grupet artistike të ardhura  nga Tirana e Shkodra. Këta grupe me kengetar popullor si Xhevdet Hafizi, File Gjeloshi, Lucije Miloti e tj. të shoqeruar nga orkestra të mrekullueshme, që jepnin shfaqje sapo mbaronte festa, na kenaqnin shpirtin. Por ç’e do se ishte vetem një dite në vit. Mua mbi gjithcka më pelqente fizarmonika dhe thoja me mend e mija: “ah sikur të arrija te kisha një të tille”.Me një fjalë u “dashurova” me këtë instrument. Ishte interesante se po thuajse të gjitha kenget që kendoheshin aty, pas disa ditesh mesoheshin dhe kendoheshin nga të rinjte. Kjo tregonte etjen e madhe që kishin njerzit e vecanrisht të  rinjte dhe femijet për keto kenge, por që s’kishin ku t’i degjonin…”

  Disa vjetë më vonë por pa u shkëputur kurrë nga ajo andërr fëminore vjen edhe ai momenti i duhur pranë njerëzve të duhur që kanë të përbashkët vullnetin e mirë.

Mjaftoi një firzamonikë dhe një partiturë dhe interpretimi edhe pse me emocion e me  duar që i dridheshin mbi instrumentin të cilin Lahimi  e kishte dashuruar në fëmijëri dhe kish mësuar ta ushtronte gjatë shërbimit ushtarak dhe dyert drejt profesionit do t’ia çelte një profesionist me emër dhe që i dha emër artistave , trupës dibrane duke ditur ta spikasë talentin dhe ta zhvillojë atë  nëpërmjet  punës  . Dhjetori i vitit 1960 do ti çelte rrugën e gjatë si instrumentist profesionist pranë Estradës Profesioniste  Peshkopi. Dhe nuk ishte aspak e lehtë -shprehet Lahimi , -e përmëtepër kur do të zëvendësoje një artist të mirfilltë si Ahmet Balliu i cili u largua për studime.

Të punoje me emra si Tefë Krroqi , regjizor i Estradës, i rrethuar nga kujdesi i Selim Alliut i cili i krijoi mundesi për arsimim komod çdo njërit që e dëshironte atë në një mjedis i cili duhet të edukonte shije muzikore mund të duket si luks  por është përgjegjësi gjithashtu pasi kërkon aftësi , punë dhe  përkushtim të vazhdueshëm .

Arti edukon ndjesi të bukura , modestie , solidariteti e disipline , pikërisht kështu mendoj teksa ndjek rrugëtimin artistik të Lahim Kolës( xhaxhi Lahimit siç jemi mësuar ta thërrasim në familje) .

Rrugëtimi i tij kalon nëpër udhë pasioni dhe përkushtimi, pa planifikuar kurrë madhështi por veçse dëshirë dhe sakrifica për atë çka shpirti don të bëjë : muzikën që sjell dhe ndjell aq shumë gëzim .Ai ka ruajtur me dashuri çdo kujtim, regjistrime , fotografi , audio ,vizive orkestrale duke pasuruar atë fond që mjerisht ka mbetur në harresë për shkak të teknologjisë së kufizuar të kohës . Teksa i ndjek me rradhë regjistrimet e hershme pohoj me një ndjesi krenarie se sa bukur këta artistë i kanë bërë jehonë trimërisë, bukurisë së natyrës dhe asaj njerëzore. Artistëve dibranë lindur e rrethuar me aq shumë bukuri natyrore ju kishte hije admirimi për natyrën , malet, kuvendet burrërore por edhe hijes jetëgjatë të bukurisë çka mbetet madhështore prej mjeshtërisë interpretuese të  Melita Shehut. 

“Të fala nga Korabi ” e vitit 1961 në një tur kombëtar përshkruhet me shumë dashuri nga Lahimi i cili në çdo akt përmend emra që për ne mbase janë të harruar por për të kurrsesi jo; Skënder Cala e Melita Shehu, Muharrem Zajmi, Haziz Ndreu, Adil Shehu, Hiqmet Elezi ,Haxhi Mata,Stefan Roçi, e pasuar nga Inajet Shehu, Agim Skara,Behar Mera,Flora Toska, Abdyl Sturçe,Liri Rasha,Arif Vladi, Saje Poleshi, etj…janë emra që e bënë të përjetshëm këtë udhëtim muzikor dhe artistik  nga Korabi i lartë nëpër gjithë Shqipërinë e kohës.

Ne vërtet ishim të privuar dhe nuk i pamë skenat e botës në atë kohë , por sot kur ato nuk na mungojnë ndjejmë se sa gjallë e paskan mbajtur kulturën tonë këto akte artistësh , se sa peshë historike dhe sociale mbartnin ato skena të thjeshta ku e bukura duartrokitej me shpirt. Dhe sa më shumë artistët shtohen akoma më të vlefshme bëhen  këto rrënjë identiteti të cilat e kanë zanafillën pikërisht nëpër  këto rrëfime që nuk u ikën asnjëherë vlera dhe rëndësia.

Në kujtesën njerëzore dhe artistike të Lahimit një vend të veçantë zë Agim Krajka, një nxitës dhe frymëzues permanent me ndihmën e të cilit ai do tē luante në skenë solo  pjesët :” Speranza Perdita, Vallja e shpatave, Fantazi për firzamonikë dhe madje me ndihmën e mjeshtrit Tonin Rrota , Lahimi arrin të krijojë këngë me motive popullore të cilat kanë mbetur në fondin e repertorit dibran si; Aksionistja e malit,Çobani e çobanesha,Aksioni na bashkoi , përpunimi i Shkurte Hoklit (me të cilën prezantohet për herë të parë Liri Rasha) , e shumë të tjera. 

Prezenca e Zef Çobës , Përparim Tomçinit , Edmond Zhulalit do të linin gjurmë të paharrueshme në zhvillimin e mëtejshëm të muzikës së kultivuar dibrane.

 Nuk ka gjë më të bukur se sa të duartokasësh artistët, përtej bukurisë skenike ata përcjellin njē diapazon të tërë përpjekjesh, përjetimesh , kufizimesh, sakrificash që në skenë nuk duken, por që kujtesa e tyre i ruan si një pasuri arkivore. Teksa futem një këtë lloj arkivi që Lahimi e ka ruajtur mjeshtërisht ndjek se si luan orkestra muzikore me dy tre instrumentistë, sa i pastër është tingulli nën atë interpretim live, sa i kthjellët është deri i kulluar zëri i Melita Shehut, sa i thellë është interpretimi i Skënder Calës , sa epik Arif Vladi , sa e ngrohtë Vera Laçi ,Liri Rasha e Flora Toska ,sa modern dhe klas Arjan Toçi, sa madhështor Edmond Zhulali i cili nuk reshti kurrë ti dhurojë art dhe artistë skenës , Dibrës , Shqipërisë.

Teksa ndjek rrëfimin arkivor plot me foto, shkrime e audio edhe vizive të Lahim Kolës pohoj dy gjëra : oda dibrane nuk është aspak rastësi dhe as një ngjarje gjeografike e eventeve folkloristike por një buqetë arti kultivuar historikisht në atë trevë ku i këndohet trimërisë e burrnisë, maleve e natyrës dhe  se Agim Kola dhe Artur Kola dy trashëgimtarët e Lahimit , përveç edukatës kanë të përçuar gene të mrekullueshme artistike të cilat bëhen të dukshme në vendet ku ato jetojnë dhe duke na bërë të kuptojmë se talenti lind, edhe pse jo në qytete që gjallojnë nga teatro a skena të mëdha , ato bëhen të tilla kur takojnë njerëz dhe vullnete nxitëse , frymëzuese e dashamirëse.

Diapazoni i një njeriu si Lahim Kola shkon tej e përtej kohës, nëpër rrënjët e familjes, bukuritë e trevës ku është rritur , traditat e zonës me kostumet më të bukura në Shqipëri dhe kapërcen kufinjtë e Dibrës për ti dhuruar përjetësisht asaj tinguj , zëra e melodi që vijnë e shkojnë për të ushtuar grykave të thella të maleve ku ruhet e freskët dhe e harruar e shkuara jonë , diapazon.

  • Per me shume fotografi shihni ne facebook dielli vatra

Filed Under: Kulture, Reportazh Tagged With: Marjana Bulku- Lahim Kola- Diapazioni

Tubëz poetike nga poezia e hershme e Arshi Pipës 1941

August 19, 2019 by dgreca

Përzgjedhur nga Anton Çefa/

            “ . . .Poezia asht krymbi qi bahet flutur, e dheshmja qi bahet qiellore,  errësina qi bahet dritë”-Arshi Pipa/

AGIM/

Andrrat bahen të shkurta,/

Flurojnë të shpejta\n’ajrin e rralluem,/

U ndihet murmurimi./

Te hyjzit vezullimi/

Asht i shqetë,/

E fryjnë era të imta./

Fergullon tash e cikun/

Gjethnaja./

Agim te maja./

Medije 1).

Nji plasë e t’kthielltit

Zanafilla ime.

Çka kerkoj asht te retë,

Ndër zanet qi dalin

Nga shtëllungat e çame.

1). Ndergjegje (sqarim i imi).

Mëshirë

Kam pa nji lot qi u var

Mollzash e piku,

Nji dorë qi e mblodhi

Margaritar.

Kanga e fatit

Kè kambët mbi dhe

E krahët rrokin ernat,

Me gishta qiejve

Cipat gërvishtë,

Don me prekë

Çka nuk ka emën.

E verteta qi ti lakmon asht femen!

Nji rrëfe ndër sy

Qi shigjeton terrin

Mandej nji lot qi ngelë

Pikëpyetje n’ajr.

Teh shpate mes ujit e zjarrit

Për zemren akrobate,

Vorrin ke prak !

Dhae çka pate.

Priresh prore

Kah nji vorrezë ujnore.

Lavirë

Çka jam? M’shikoni mirë!

Dij me tallë dashninë,

Nji mijë mënyrë,

Dij mjeshtërinë e vështirë

Me puthë me buzë të ftohta.

Mkati asht i bukur

Te shtati im pasqyrë,

Afroditë Pandemija,

Hyjneshë e lavirë.

Dëshirë

E falisun me u ba

Tërthuer provash i dlirë

E si nuk ke mëshirë

Për veten tande ashtu nuk ke për tjerë.

Luen me zemrat e hueja me pa

Mos dalë andej jehona

Për kangën e vështirë.

Shet trupin tand per me plle shpirtin,

Mandej shet shpirtin n’panair.

Merr për me dhanë ma tepër,

Lavirë e epër.

Natë e mbrame

Natë e mbrame. I kam thanë

Lamtumirë çdo lteri

Ku ende ka mbetë ikonë

Nji puthje zamaku,

Ende flija e qetë

E nji cirke gjaku

Qi rrodhi i dlirë dikur ndër dejt e mi.

Kam vojtë ndër tbanat

Ku fjalët nuk kanë za,

fëtyrat janë lutje.

Ktu pashë nji herë

Nji vashë me duert

Plot hyj.

Nji tjetër herë kur kisha sytë

T’irun prej gjumit

Erdha te  nji kopësht

Tue ndjekë nji vazhdë.

E si po biresha pashë

Andërr thue se isha

Lule ndër gishta

T’hajthët kuq si gjaku

Qi më grisshin ngadalë.

Natë e mbrame, bremje

Ma e gjallë, e vonueme.

San Minato al Monte

Diçka lëviz me gjeth, nji za

I trishtë.

Del nji fytyrë e brishtë,

dridhet thue se mërdhet.

Ah, lamtumirë e gjatë,

shtegu, qiparisat,

vorret ndërmjet.

Fiesole

Diktohet rruga

E bardhë,

Te nji dritore nalt

Feksi nji llampë.

Era

Qi lkundë çerdhet e heshtuna

Kalon me tinguj 

Kumbonësh.

Filed Under: Opinion Tagged With: Arshi Pipa- Tubez- Anton Çefa

TEORI MBI KRIJIMIN

August 19, 2019 by dgreca

…teori mbi krijimin/
Nga Astrit Lulushi/

Kohë të çuditshme janë këto në të cilat jetojmë, ku njeriu mësohet në shkollën e gënjeshtrës. Dhe ai që guxon të thotë të vërtetën quhet njëherësh i çmendur dhe i marrë. Këtë e ka shkruar Platoni rreth 2500 vite të shkuara, por është e vërtetë edhe sot. Njeriu, psikologjikisht edhe fizikisht, shumë pak ka ndryshuar nga njeriu i kohës së lashtë, dmth, shumë pak ka evoluar, ose, të paktën, mendërisht nuk ka ndryshuar (në mos ka mbetur prapa).
Kjo tregon se fillimisht njeriu ka ardhur në jetë me të njëjtat karakteristila e tipare siç është sot, por nëse është kështu, ai duhet të jetë lindur edhe me kujtime a lidhje gjenetike. Por çfarë kujtimesh ka patur njeriu i pare kur para tij jeta nuk ka ekzistuar? Me kë lidhej ai gjenetikisht?
Në përpjekje për gjetjen e një përgjigje, njeriu krijoi teori të shumta, që nga prejardhja nga majmuni e deri tek dalja e menjëherëshme në dritë. Dhe këto ide kanë qenë gjithmonë në përplasje.
Darwini në fund të jetës së tij pati thënë se seleksionimi natyror ka qenë mënyra kryesore por jo mënyra e vetme e modifikimit, duke u tërhequr paksa nga teza e tij më e herëshme.
Rreth fillimit të shekullit të 20-të, periudhë që është quajtur “eklipsi i darvinizmit”, kur popullariteti i teorisë së tij pësoi rënie, shkencëtarët propozuan mekanizma të ndryshëm alternativë, duke bashkuar gjenetikën mendeliane me seleksionimin natyror të Darvinit.
Sipas konceptit mendelian, trashëgimia e një tipari varet nga kalimi i tij, ku për çdo tipar të caktuar, një individ trashëgon një gjen nga secili prind, në mënyrë që individi të ketë një çift të dy gjeneve.
Sipas konceptit darvinian, organizmat që përshtaten më mirë me mjedisin e tyre kanë tendencë të mbijetojnë dhe të prodhojnë më shumë pasardhës. Kjo u quajt “teoria e veprimit” dhe tani besohet se është procesi kryesor që sjell evoluimin. Shkencëtarët i dhanë teorisë një bazë matematikore dhe arritën në përfundimin se përzgjedhja natyrore ishte mekanizmi bazë i evolucionit.
Në SHBA, të gjitha grupet kryesore fetare janë kundër teorisë së Darvinit, duke thëne se njerëzit dhe gjallesat e tjera kanë ekzistuar gjithmonë në formën e tyre të tanishme. Përkundër përpjekjeve në shumë shtete për të ndaluar mësimin e evolucionit në shkollat ​​publike ose për të mësuar alternativa për evolucionin, gjykatat në dekadat e fundit vazhdimisht kanë refuzuar kurrikulat e shkollave publike që largohen nga teoria e evolucionit. Për shembull, më 1987, në çështjen Edwads vs. Aguillard, Gjykata e lartë vendosi që një ligj i Luizianës që u kërkonte studentëve të shkollave publike të mësonin si evolucionin ashtu edhe shkencën e krijimit ishte anti-kushtetues. Dhe debatet mes njerëzve vazhdojnë, por pa ndërhyrjen a diktatin nga qeveria apo shtetit.

Filed Under: Opinion Tagged With: Astrit Lulushi-teori mai krijimin

DINJITETI PËRBALLË TOTALITARIZMIT

August 19, 2019 by dgreca

ISH TË PËRNDJEKURIT NË LUSHNJE: KUJTESË, LULE, FOTOGRAFI NGA JETA NË KAMPET E INTERNIMIT DHE PROTESTË /

Nga Dalip Greca/

-Kryetari i të Përndjekurëve Nebil Çika: Është hipokrizi të vish dhe të vendosësh lule tek Memoriali dhe të mos kërkosh falje për krimet e komunizmit, është hipokrizi të vish këtu mes atyre që vuajtën dhe të qëndrosh në Parlament me ata që kanë kryer krime ndaj shtresës së të përndjekurëve apo kanë bërë vrasje në kufi…

-Uran Kostreci: Ne, serës sonë, nuk na takon që të mos sillemi me fisnikëri dhe të mos respektojmë kodin e mortit…






-Sofokli Kuqeshi: Ju vazhdoni të na shihni ne si “delja e zezë”, përse ne duhet të vazhdojmë të vuajmë edhe sot…As një emër rruge në Savër nuk keni miratuar në kujtesë të vuajtjeve tona…Së paku ruani një barakë si dëshmi të jetës tonë të mundimshme….

— FAIK MATJANI: KISHA SHUME PER TE THENE PER PORTO PALERMON, TEPELENEN, PER GJAZEN, PER…POR NUK ME PYETI NJERI….

    ****

Të Djelën, 18 Gusht 2019, në Orën 10 të mëngjesit, në qytetin e Lushnjës, pranë Monumentit Kombëtar të Internim-Dëbimeve për vitet 1954-1990 nisën takimet e Kujtesës. Veprimtaria u organizua në kuadër të 23 gushtit, Ditës Europiane të Viktimave të Regjimeve Totalitare dhe 30 gushtit, Ditës Ndërkombëtare të të Zhdukurve. Organizatorë të veprimtarisë ishin Autoriteti për Informim mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit, në bashkëpunim me Bashkinë e Lushnjës, Institutin për Integrimin e të Përndjekurve, Shoqatën Antikomuniste të Përndjekurve Politikë etj. Nën moton: “Dinjiteti përballë totalitarizmit”, organizatorët synonin të risillnin në kujtesë jetën në kampet e internimit në të gjithë komponentët e saj nga vuajtjet, përndjekjet, apelet, privimet, deri tek martesat. 

Takimet pranë Memorialit Kombëtar tashmë janë të përvitshme. Ish të përndjekurit politikë, familjet e internuara, të mbijetuar nga kampet e vuajtjes, vijnë edhe nga emigracioni për të ruajtë dhe përcjellë kujtesën e vuajtjeve të kohës së diktaturës. Kësaj veprimtarie i ishte bashkuar edhe ambasadori Zviceran në Shqipëri z. Adrian Maître, Kryetarja e Autoritetit të Dosjeve të Ish Sigurimit zonja Gentiana Sula me bashkëpunëtorët e saj,Kryetari i Shoqatës së të Përndjekurëve Politikë Nebil Çika, kryetari i bashkisë Fatos Tushe, deputeti socialist Bashkim Fino, Kryetari i Partisë Lëvizja e Legalitetit Shpëtim Axhami e të tjerë.

Pasi janë vendosur kurora me lule pranë monumentit, z. Simon Mirakaj, anëtar i Autoritetit të Dosjeve të ish Sigurimit, i ka përshëndetur bashkëvuajtësit dhe organizatorët dhe ka bërë thirrje për Kujtesë.

Më pas pjesmarrësit kanë shkuar në mjediset e Qendrës Kulturore’Vaçe Zela” për të ndjekur ekspozitën fotografike nga jeta në kampet e internimit si dhe për të parë dokumente nga Dosjet e e përndjekjet e sigurimit famkeq të diktaturës, që ekspozoheshin për herë të parë. Kryetarja e Autoritetit ka përgëzuar grupin e punës që e ralizuan ekspozitën si:Ardita Repishti, Anton Dukagjini, Bianka Hada, Ardiana Topi, Eda Isaku , Simon e Pal Mirakaj, Altin Hoxha e të tjerë.

Në sallën e Kinoteatrit me ish-të internuarit dhe trashëgimtarët e tyre, qytetarë e të ftuar të tjerë, ka nisë prezantimi i projektit të Autoritetit në bashkëpunim me IPP e SHAPP, për kthimin në vendkujtese të qendrave të internimit, bashkëbisedim i hapur ku pritej të shkëmbeheshin ide e sugjerime me të pranishmit. Ndoshta këtu e pati zanafillën edhe revoltimi i disa prej ish të internuarave, që ndërprenë aktivitetin. Ato nuk e panë veten objekt të aktivitetit dhe protestuan për mospërmendjen e emrave e disa familjeve që vuajtën në këto kampe deri më 1991, e cilësuan hipokrizi pjesmarrjen e deputetit socialist, dhe njëra prej tyre i kërkoi sallës që të ngrihej në këmbë dhe të mbante 1 minut heshtje për të ndjerin Sherif Kaloshi, që sapo ndërroi jetë në Kanada.

Në shenjë proteste për pjesmarrjen e deputetit socialist Fino, Vera Iliazi, Rudina Dema dhe Bedrie Kaba, braktisën sallën duke u pasuar edhe nga të revoltuar të tjerë.

KRONIKA:Takimin e bashkëbisedimit e ka hapë Ardita Repishte, që ka përshëndet të pranishmit dhe ka ftuar kryetarin e Bashkisë z. Fatos Tushe për të përshëndetur. Z. Tushe ka përgëzuar bashkorganizatorët, pjesmarrsit, dhe ka vlerësuar pjesmarrjen e ambasadorit zviceran. Më pas ai ka vlerësuar….(Të plotë do ta lexoni në Gazetën Dielli në Print)

Filed Under: Featured Tagged With: Dalip Greca-Kujtesa- Lule e Protesta

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 908
  • 909
  • 910
  • 911
  • 912
  • …
  • 5724
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare
  • Në sinoret e Epirit…
  • Mbrëmë hyri në fuqi Ligji i SHBA për autorizimin e mbrojtjes kombëtare
  • Skënderbeu “grek”, ose si të bëhesh grek pa e ditur
  • A historic moment of pride for the New Jersey Albanian-American community
  • U zhvillua veprimtaria përkujtimore shkencore për studiuesin shqiptaro-amerikan Peter Prifti
  • Dashuria që e kemi dhe s’e kemi
  • “Jo ndërhyrje në punët e brendshme”, dorëheqja e Ismail Qemalit, gjest atdhetarie dhe fletë lavdie
  • Arti dhe kultura në Dardani
  • Gjon Gazulli 1400-1465, letërsia e hershme shqipe, gurthemeli mbi të cilin u ndërtua vetëdija gjuhesore dhe kulturore e shqiptarëve
  • “Albanian BookFest”, festivali i librit shqiptar në diasporë si dëshmi e kapitalit kulturor, shpirtëror dhe intelektual
  • VEPRIMTARI PËRKUJTIMORE SHKENCORE “PETER PRIFTI NË 100 – VJETORIN E LINDJES”

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT