• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Kurban Bajrami në Shqipëri-URON SHBA

August 11, 2019 by dgreca

SHBA uron Kurban Bajramin/….

Dhe një mesazh politikës: Duhet reflektim!

Ambasada amerikane në Tiranë ka uruar të gjithë besimtarëve myslimanë, që festojnë sot Kurban Bajramin.Përmes një mesazhi në “Facebook”, ambasada e SHBA shprehet se kjo ditë ofron një mundësi të re për të reflektuar mbi angazhimin e përbashkët për ndërtimin e komuniteteve paqësore dhe të begata.

“Në emër të Ambasadës së Shteteve të Bashkuara, iu shprehim urimet më të mira të gjithë atyre që festojnë Kurban Bajramin. Kjo ditë ofron një mundësi për të reflektuar mbi angazhimin tonë të përbashkët për ndërtimin e komuniteteve paqësore dhe të begata. Eid Mubarak”, thuhet në mesazhin e SHBA.

Filed Under: Komente Tagged With: SHBA-Urim-Bajram

DEMONSTRATAT E VITIT 1968 NË KOSOVË, I

August 11, 2019 by dgreca

  • PARAQITJE E SHKURTËR E LIBRIT –

(Demonstratat e vitit 1968 në Kosovë, vëllimi I,përmbledhje kum­tesash nga konferenca shkencore, mbajtur me rastin e 40-vjetorit, në Prishtinë, më 24-25.11. 2008, përgatitja për shtyp: Zymer U. Neziri, Meriman Braha, Prish­tinë, 2018, 368 f.) 

Shkruan:Zymer U. Neziri/

Shoqata e të Burgosurve Politikë e Kosovës, Instituti i His­to­risë, Prishtinë, dhe Instituti Albanologjik i Prishtinës, me ra­stin e shën­imit të dyzetvjetorit të Dem­o­n­s­tratave të vitit 1968, më 24-25.XI. 2008, organizuan konferencë shkencore në Prishtinë. Ajo konferencë, më e madhja e këtij lloji, me rreth 150 kumtues, u vle­­rësua shumë e suksesshme. Kumtuan kuadrot tona më të mira. Po ashtu kum­tuan edhe shumë pjesëmarrës të këtyre demostratave. Me interes të ve­ça­ntë janë si­domos kumtesat nga kreu i organizimit të tyre në Rra­f­shin e Dukagjinit, në Rra­fshin e Kosovës, në Llap, në Anamo­ra­vë, në Pollog dhe në Ulqin. Tezat e parapara nga Këshilli Organi­zu­es janë realizuar pothuajse plotësisht. Kumtesat e dorë­zua­ra dhe të përgatitura për shtyp, më 2012, po botohen tash, në dy vëllime.

Në vëllimin e parë të librit, Demonstratat e vitit 1968,prijnë re­feratet e mba­­jtura nga Hydajet Hyseni, Jakup Kras­ni­qi, Jusuf Baj­rak­t­a­ri, Zymer U. Neziri dhe Selatin Novosella, kurse, në vijim, pa­sojnë kumtesat e organiz­uesve të de­m­o­nstratave dhe të pjesë­marrë­sve të tyre. 

Hydajet Hyseni,kryetar i Shoqatës së të Burgosurve Politikë të Kosovës, ndër të tjera, në referatin e tij thotë: Gjashtëdhjeteteta evropiane ishte një përpjekje e dësh­për­uar për t’u ngritur mbi logjikën e Luftës së Ftohtë, por, me vetëdije apo pa të, ajo po i përafronte pjesët e ndara e të parenditura të Evropës. Gja­shtë­dhje­teteta jonë e kishte edhe socialen, edhe de­mok­ratiken, por mbi të gjitha e kishte kombëtaren. Ne identifikoheshim me Shqipërinë. Shqi­pë­ria, për ne, ishte dhe s’mund të mos ishte alternativa e parë e ëndërruar e përtej perdes së hekurt. Ne e donim Shqipërinë dhe e donim fort. Ëndrra e lirisë i ba­shko­n­te  të majtën e të djathtën, të vjetrën e të renë, të gjithë, pa dallim. 

Jakup Krasniqi, kryetar i Kuvendit të Kosovës, thekson se viti 1968 par­a­lajmëronte kthesë historike në Kosovë,  sepse këtë kthesë e paralaj­mëro­nin : gjendja e rëndë nën pushtimin jugo­s-llav, rritja e vazh­du­esh­me e rezis­tencës së Lëvizjes Kombëtare Shqi­p­ta­re dhe zgjimi kombëtar i shqiptarëve në viset e pushtuara. Ajo, duke pa­s­ur parasysh rreziqe të shumta, përpiqej të fitonte hapësira të reja. Një fitore përbënte objektivi për Republikën e Ko­sovës, si një hap nga e drejta për vetëvendosje. Më 1968, filloi ndërko­mbët­arizimi i çështjes shqiptare në Jugosllavi, kurse De­mo­nstratat e vitit 1968 inauguruan një formë më efikase të luftës politike të Lë­vi­zjes Kombëtare.

 Jusuf Bajraktari,drejtor i Institutit të Historisë, vë në dukje se shqi­ptarët, që bënin pjesë, pa vullnetin e tyre, në shtetin e quajtur “Jugosllavi” për nga vetë përkufizimi i emërtimit, ishin të përjashtuar prej tij. Ata nuk ishin sllavë për nga prejardhja etnike, ata flisnin gjuhën shqipe, kurse 68-shi ishte edhe një sinjal i qartë kundër shtypjes e tutelës komuniste edhe në Tiranë, për libe-rali­zim e demokratizim të jetës së gji­tha­nshme në Shqipërinë socialiste dhe të viseve të ndryshme shqiptare me devizën kryesore “Kosova Republikë” dhe “Për të drejtën për vetëvendosje” të popullit të saj...

Zymer U. Nezirikonstatonse Demonstratat e vitit 1968 u bënë pjesë e historisë më të re të çështjes shqiptare në Kosovë dhe në viset e tjera shqiptare nën pushtimin jugosllav. Viti 1968 lidhet me kohën kur tre milionë shqi­p­tarë ishin nën so­vra­ni­tetin e Serbisë, të Maqedonisë e të Malit të Zi. Viti 1968 ishte vit kur çë­sh­tja e pa­zgji­dhur kombëtare e shq­i­­­p­ta­rë­ve u shtrua edhe në rrugë me demonstrata të mëdha e të për­gja­kshme, si pasqyrim i vu­ll­ne­tit të së drejtës kombëtare dhe universale të ba­shkimit të po­pujve të ndarë. Viti 1968 dallohet si vit i ngritjes së ve­tëdijes kombëtare për çlirim e bash­kim dhe bën të quhet hallkë his­to­rike e bashkimit të kombit të ndarë shqiptar. 

Selatin Novosella është i bindur seDemonstratat e vitit 1968 ishin një formë e plebishitit të shqiptarëve ku shprehej vullneti i tyre për të jetuar në Republikën e pavarur të Kosovës. Ndonëse masat e pushtetit jugosllav ishin drakoniane, si gjatë zhvillimit të demonstratave , po edhe më vonë. Gjatë këtyre demonstratave, në Prishtinë u vra i riu Murat Mehmeti, e pati mbi 10 të plagosur me armë zjarri dhe qindra demonstrues të lënduar nga policia jugosllave. Mbi 120 demonstrues i arrestuan dhe i dënuan për kundërvajtje, ndërsa pati rreth 40 organizatorë të demonstratave të dënuar deri në 5 vjet burg të rëndë. Kjo s’kishte ndodhur askund në Evropë që demonstruesit të dënoheshin me dënime të tilla. Pa marrë parasysh ndërmarrjen e masave të tilla represive të pushtetit serbo-jugosllav kundër demonstruesve paqësorë, ato hapën një kapitull të ri të historisë më të re të Kosovës.

Në vijim janë kumtesat për Demonstratat më 1968 sipas radhës kro­no­lo­gjike.Në fillim prin kumtesa e prijatarit të Demonstratave të tetorit 1968, Meriman Braha, ’’Demonstrata e Prizrenit, më 6 tetor 1968’’. Ai, në kë­të kumtesë thotë:Vetëvendosje – ishte kërkesë e shqiptarëve në vi­t­in 1968, e kërkuar në vitet 1878, 1912 me kryengritjen e madhe; e kër­ku­ar dhe e përligjur me luftën e armatosur më 1944 dhe e shke­lur më1945; e kërkuar më 1968, 1981, 1998-99, e kërkuar edhe në ditët e sotme, si e drejtë e patjetërsueshme përgjithmonë, kurse Kosova–Republikë ishte shprehje e një alternative shqiptare, si ndarje nga Serbia dhe si per­spe­k­ti­vë e sigurt kah integrimet kombëtare dhe evropiane.

Haxhi Bajraktari,’’Si u organizua Demonstrata e 8 tetorit 1968 në Therandë’’.  Ky bartës i organizimit në Therandë thekson: Në De­mo­­n­s­tratën e vitit 1968, për Kushtetutë e Republikë, që u mbajt në Therandë, më 8 tetor 2008, në koodrimin me grupin e studentëve të Prizrenit, pashë vendosmërinë e baballarëve dhe të gjyshërve tanë në luftërat kundër sundimit she­ku­llor turk, pashë qëndresën burrërore të shumë të burgosurve pas Luftës së Dytë Botërore kundër ripushtimit jugosllav të Kosovës dhe të viseve të tjera shqiptare.

Demë Mulliqi,’’Rrjedha e Demostratave të ’68-ës  në Pejë’’. Ky bartës i parë i flamurit në Pejë thotë:Peja me rrethinë dekada me radhë përjetoi masa ndër më të rëndat nga pushtuesit serbo-jugosllavë. Bërthamë e Demonstratës së 19 tetorit 1968 në Pejë, për Kushtetutë e Republikë, ishte shkolla normale “Ali Kelmendi” e Pejës, që e nderoi këtë qytet, Rrafshin e Dukagjinit dhe Kos­o­vën.

Sami Dërmaku,’’Dhuna dhe gënjeshtra nuk luftojnë me njëra – tjetrën,  ato mbysin njerëz të pafajshëm’’.Ky Veprimtar i njohur thekson:Ky shekull i kësaj epoke gjeti brezin e vet, më 1968, që i dha besën Kosovës dhe nuk iu tremb vdekjes. Ishte ky brez paraprijës i UÇK-së në ballë, me 1700 dësh­mo­rë, që ranë në altarin e lirisë.

Hakif Sheholli,’’Demonstratat e 68-ës në Podujevë’’: Pas vitit 1912 po­pu­llata shqiptare keqtrajtohet barbarisht. Më 1968 shpër­thyen demonstratat mbarëpopullore në Kosovë  dhe më gjerë. De­mon­strata mbarëpopullore në Besianë është organizuar dhe është përgatitur nga një grup i të rinjve të profesioneve të ndryshme,vë në dukje ai.

Ali Mehmeti, ’’Demonstratat e vitit 1968-vazhdimësi e Lëvizjes Shqiptare të Kosovës’’: Pas demonstratave në Ferizaj, pushteti arrestoi disa  studentë e nxënës dhe mësimdhënësit Ali e Jakup Mehmeti dhe Sali Hasani. Pas demonstratave u hapën shtigjet për një zhvillim më të hovshëm ekonomiko-shoqëror, përfundon ai.

Latif Zariqi,’’Organizimi  i demonstratave të vitit 1968 në Mitrovicë’’: Në fillim të vitit shkollor 1968/69, me një grup shokësh të idealit,  formuam këshillin organizues për organizimin e demon­str­atave në Mitrovicë. Këshilli përbëhej nga: Nebih Istogu, Latif Zariqi, Mustafë Shyti, Naim Bujupi, Vesel Demaku, Ramadan Bytyçi dhe Mustafë Zariqi, thotë ai, ndër të tjera, në kumtesën e tij.

Faik Mustafa,’’Demonstratat e 68-ës – lëvizje e shqiptarëve në Maqedoni’’: Fortesë e rezistencës së shqiptarëve në Maqedoni do të jetë Rrafshi i Pollogut me qytetet Gostivar e sidomos Tetova. Viti 1968 do të mbetet i shënuar për shqiptarët e Maqedonisë. Për të parën herë në historinë e tyre, në mënyrë masive do të organizohen demonstrata për të protestuar kundër shkeljes së të drejtave dhe lirive më elementare nga pushteti sllavo-maqedonas,konstatonai. 

Abdyl Kadolli,’’Vizioni historik ‘68’’: Demonstratat shqi­ptare të 68-ës janë ngjarje e rëndësishme, që lëvizi historinë tonë të re kombëtare. Ato rihapën çështjen shqiptare nën ish- Jugosllavi dhe rrugën e vetëvendosjes kombëtare. Ato ishin vetëdije e zgjuar kombëtare për pozitën koloniale të gjysmës së Atdheut të pushtuar nga sllavët e jugut.  Ishte qëndresa nga Demonstratat e ’68-ës për të kaluar në Luftën e madhe çlirimtare, theksonai.

Adil Pireva, ’’Kërkesat për Republikë dhe për Vetëvendosje gjer në shkëputje – kryekërkesë binom e ’68-ës shqiptare’’: Gjashtëdhjeteteta shqiptare ka pasur dy kërkesa kryesore: “Duam vetëvendosje gjer në shkëputje !” dhe “Duam Republikë!” Aty u shfaq përdorimi edhe i formës më të lartë të rezistencës paqësore, siç janë demonstratat, për paraqitjen e kërkesave dhe të qëllimeve kombëtare të shqiptarëve në Jugosllavi,shkruan ai. 

Agim Vinca,’’Vit kthese dhe Rilindjeje’’: Viti 1968, vit i demo­ns­tra­tave studentore të 27 nëntorit, për shumë arsye, mund të quhet vit i Rilindjes së Shqiptarëve të Kosovës dhe të shqiptarëve në ish-Jugosllavi në përgjithësi. Viti 1968 i parapriu Revolucionit të vitit 1981, që është një paralajmërim, sado i largët, i luftës për çlirimin e plotë të Kosovës, përfundon ai. 

Albin Kurti, ’’Kërkesa për vetëvendosje në vitin 1968 dhe sot’’:

Më 1968, është kërkuar e njëjta vetëvendosje, i njëjti koncept i vetë­ve­nd­osjes, që është zhvilluar teorikisht dhe është afirmuar praktikisht përgjatë luftërave. Dëshmi për pavarësi të vërtetë të Kosovës, pra për pavarësi me vetëvendosje, do të ishte pikërisht e drejta e Kosovës për t’u bashkuar me Shqipërinë, vë në dukje ai. 

Ardian Marashi, ’’Simbolika identitare ndër autorë shqiptarë të Kosovës të brezit ’68’’: Retorika identitare dëshmon se e përveçmja nuk përdoret me funksion konjitiv racional, meqenëse ajo identifikohet në tekst. Afirmimi i së drejtës së shqiptarëve të Kosovës për vetëvendosje realizohet pikërisht përmes afirmimit identitar. Brezi ’68 ishte një brez dëshmitarësh dhe dëshmuesish, një brez poetësh e shkrimtarësh, thotë ai.

Arif Riza,’’E drejta e ushtrimit të vetëvendosjes-arsye për  de­mon­strata në vitin 1968’’: Pas mbarimit të Perandorisë Osmane në vitet 1912-13, Kosova dhe Maqedonia u zaptuan nga serbët. Në vitin 1968 në Kosovë u mbajtën demonstratat me thirrjen “ Kosova Republikë”, por pati edhe të vrarë e të plagosur. Rezultat i këtyre demonstratave ishte Kushtetuta e vitit 1974,pohon ai.

Avni Dehari,’’Roli i demonstratave të vitit 1968 për emancipimin kombëtar në Kumanovë me rrethinë’’: Demonstratat e 68-ës, si për të gjithë shqiptarët, edhe për ata të Kumanovës patën rëndësi të shumëfishtë. Studentët shqiptarë të Kumanovës , si edhe kolegët e tyre të viseve të tjera shqiptare, që në atë kohë studionin në Prishtinë, ndikuan fuqishëm në ngritjen e vetëdijes kombëtare te  masat e gjera, konstaton ai, ndër të tjera, në kumtesën e tij. 

Bahri Brisku, ’’Gjendja politike pas Demon­str­a­ta­ve të Ulqinit’’: Në këtë kumtesë është sqaruar roli i nxënësve të Tërstenikut të Drenicës, gjatë qëndrimit të tyre në Ulqin. Grupi i parë i demonstruesve të caktuar ulqinakë përbëhej prej 350 vetash. Kështu, pjesëmarrja efektive ka qenë mbi 400 demonstrues. Në këtë demonstratë janë ngritur këto parulla: “Rroftë Kosova!”, “Rroftë Shqipëria dhe Enver Hoxha!”, “Duam liri dhe barazi!”…thotë ai.

Bashkim Lajçi,’’Përpjekje dhe pengesa në zhvillimin e etnologjisë në Kosovë pas vitit 1968’’: Demonstratat e vitit 1968 patën jehonë në zhvillimet e mëvonshme në fusha të ndryshme të shoqërisë sonë, së këndejmi edhe në fushën e etnologjisë. Efektet e këtyre demonstratave në fushën e kulturës në përgjithësi dhe të etnologjisë në veçanti u vërejtën në themelimin e disa ins­ti­tu­cioneve,thekson ai. 

 Bejtush Gashi,’’Kompetencat e Kosovës në fushën e sigurisë në periudhën 1968-1981’’: Ndonëse ushtria propagandohej si forcë federative, me përbërje shumë­ko­mbë-she, në fakt ajo dominohej nga nacionalistët serbë. Shqiptarët përfaqësoheshin vetëm 0.8%, ndër­kohë që për nga numri i popullsisë zinin vendin e tretë, numri i rekrutëve shqiptarë arrinte në rreth  20-25 %, thotë ai. 

Beqir Elshani,’’Përvoja revolucionare e De­mo­ns­tratave të vitit 1968 në Kosovë’’: Pas Demonstratave të vitit 1968 në Universitetin e Kosovës filloi të rritet numri i studentëve shqiptarë. Prandaj, si rezultat i demonstratave të rinisë revolucionare shqiptare, Kosova e fitoi Universitetin, i cili u hap në vitin 1970 dhe të drejtën e përdorimit të Flamurit kombëtar shqiptar, vuri në dukje ai.

Demë Fetaj,‘’Ismail Dumoshi një vlerë e pashoqe për kohën’’:

Formi­mi i grupit “Çeta e Bajo dhe e Çerçiz Topullit” dhe roli i këtij grupi për përgatitjen e Demonstratave të vitit 1968 etj., janë të lidhura me emrin e atdhetarit Ismail Dumoshi, që ishte i pajisur me ndjenja të zjarrta kombëtare dhe njerëzore dhe që tërë jetën u angazhua për ngritjen e ndërgjegjes kombëtare të gjeneratave që i edukoi,pohon ai.

Ekrem Kryeziu,’’Dramaturgjia në Kosovë pas Demonstratave të 1968-ës’’: Kosova e atyre ditëve të vitit 1968 ishte shndërruar në një amfiteatër të madh ku po zhvillohej drama e përgjakshme e kërkimit të lirisë. Bazuar  në veprat e autorëve Ekrem Kryeziu, Flamur Hadri, Edi Shukriu, Ymer Shkreli, Milazim Krasniqi, Haqif Mulliqi, dramaturgjia shqiptare e Kosovës nuk mbetet larg trajektoreve krijuese të dramaturgjisë evropiane dhe botërore, konstaton ai. 

Emil Lafe,’’Konsulta Gjuhësore e Prishtinës dhe Demonstratat e vjeshtës së vitit 1968’’: Lajmi i Konsultës Gjuhësore të Prishtinës në prill 1968 dhe i vendimit kryesor të saj, se ajo njohu njëzëri gjuhën letrare të vendit amë si gjuhë letrare të gjithë shqiptarëve të përfaqësuar atje, erdhi si i papritur në Tiranë. Mësuam se rinia studentore e Kosovës luajti një rol me rëndësi në ecurinë e mbarë të atij tubimi gjuhësor. Njësia e gjuhës është dhe njësia e kombit,vuri në dukje ai. 

Gjergj Skeli,’’Pranvera e Klinës, një uverturë e ngjarjeve të vitit 1968’’: Shënimi i 500-vjetorit të vdekjes së heroit tonë kombëtar Gjegj Kastrioti-Skënderbeu krijoi entuziazëm të paparë kombëtar në Klinë, më 28 maj 1968. Inteligjencia e re shqiptare nuk i përqafonte idetë e jugosllavizmit, po ato të Lëvizjes Kombëtare Shqiptare për liri e vetëvendosje. Zhvillimet kulturore në pranverën e vitit 1968 ishin uvertyrë e dem­on­s­tra­tave me kërkesa politike në vjeshtën e po atij viti, thotë ai.

Haki Kasumi,’’Pjesëmarrja e nxënësve të shkollave të mesme të Prishtinës në Demon­stra­tat e vitit 1968 në Kosovë’’: Në demonstratat mbarëpopullore, që u zhvilluan në Kosovë në nëntor të vitit 1968, është vërtetuar se kanë marrë pjesë aktive edhe nxënësit e shkollave të mesme. Kontributi i kësaj shtrese të shoqërisë kosovare i dha një vlerë dhe fuqi të rëndësishme kësaj forme të luftës së shqiptarëve për çlirim dhe bashkim kombëtar, thotëai.

Ilaz Metaj- Ali Llunji, ’’Jehona dhe ndikimi i Demonstratave të  vitit 1968 në proceset poli­ti­ke në Kosovë, sipas publikimit “Republika e Ko­so­vës”: Publikimi “Republika e Ko­sovës” është botuar në Stamboll, në marsin e vitit l992, në dy gjuhë: shqip (4 000 kopje) dhe anglisht (1 000 kopje), nga autorët Ilaz Metaj dhe Ali Llunji. Autorët udhëhiqnin Komitetin për Liritë dhe të Drejtat e Njeriut në Kosovë, Degë e IGFM-së në Frankfurt të Gjermanisë, thekson ai.

Irena Sawicka,’’Ngjarjet më 1968 në Poloni dhe Kosovë kanë elemente të qarta të përbashkëta’’: Më 1968, menjëherë hyra në ngjarje. Me çdo kusht doja të merrja pjesë. Edhe mua më rrahën me shkop. Pas studimeve, fillova punën në Akademinë e Shkencave Polake. Pas një gjysmë viti, më hoqën nga sektori ku punoja. Kalova në sektorin sllavo-jugor, falë kësaj, fillova të interesohem për gjuhën shqipe dhe problemin e Kosovës,thotë ajo.

Irena Sawicka dhe Adam Bednarek,’’Albanologjia polake para dhe pas vitit 1968’’: Dega e Filologjisë Ballkanike e Fakultetit Filologjik të universitetit  „Nikola Kopernik” në Torunj nuk është vendi i vetëm në Poloni, ku mund të marrësh diplomë me kompetenca albanologjike. Tani shqipja studiohet edhe në universitetin „Adam Mic­kje­viç” në Poznanj. Kemi tash tre doktorë në gjuhësinë shqipe dhe kandidatët për doktor shke­ncash, theksuan ata.

Isa Bicaj,’’Kontributi i Afrim Loxhës në Demonstratat e vitit 1968’’: Afrim Loxha është ndër organizatorët dhe udhëheqësit kryesor të demonstratave të vitit 1968. Është bu­rgosur ndër të parët më 29 dhjetor të 1968-ës. Afrimi, gjatë tërë kohës ka qenë aktiv në veprimtarinë kombëtare. Afrimi u vra, pas fillimit të bombardimeve më 1 prill të vitit 1999, nga forcat paramilitare serbe afër postës së re në Dardani, pohon ai.

Ismail Gashi-Sllovia,’’Kontributi i atdhetarit Isa Demaj në De­m­o­nstratat e 1968-ës’’: Isa, qysh si nxënës në Gjimnazin e Pejës, u angazhua në sensibilizimin e çështjes ko­mbë­tare. Më 1964, u bë veprimtari më i ri i Lëvizjes Re­vo­lu­ci­o­nare për Bashkimin Kombë­tar. Që nga 6 tetori 1968, në Prizrenin historik, Isa Demaj bashkë me Grupin e Studentëve të Prizrenit, do të organizojnë më 1968 tri demonstrata në Rrafshin e Du­ka­gj­init, thotë ai. Kjo ishte edhe kumtesa e fundit e vëllimit të parë të librit De­mon­st­ra­­tat e vitit 1968, me kumtesa të konfrencës shkencore, e mba­j­tur në Prishtinë, më 24-25.XI.2008, e organizuar me ra­stin e shë­n­­­imit të dyzetvjetorit të Demostratave të vitit 1968. Libri është për­ga­titur sipas standardeve të kërkuara teknike-shke­n­core. Kumtesat ka­në shk­u­r­tore (abstrakt), fjalë çelësa, rezyme në gjuhën angleze, kurse libri përmbyllet me treguesin e emrave dhe me një foto­al­b­um 1968-2008….

Filed Under: Histori Tagged With: Demonstratat e vitiate 1968-1968

“NARKOTIKA” DHE PËRFYTYRESA E SHQIPËRISË NË BOTË

August 11, 2019 by dgreca

“Mjerë ai brez në të cilin gjykatësit meritojnë të gjykohen”- Talmud (Kodi i lashtë i ligjeve hebraike)/

Nga Eugjen Merlika/

            Më 7 gusht, para mesnatës, TV shtetëror italian Rai 3 përcolli në ekranin e tij një film dokumentar të titulluar “Narkotika”. Ishte një bashkëpunim i i televizionit me Rojen e financës dhe Autoritetin e kundër drogës.Filmi trajton problemin e mprehtë të përhapjes së drogës n’Evropë e në botë, të burimeve të saj, të industrisë së prodhimit, të mënyrës së shpërndarjes, të fitimeve financiare e të bashkëpunimit të organeve të ndryshme gjyqësore e policore të Vendeve të ndryshme në luftën kundër prodhimit e përhapjes së saj.

            Shqipëria nuk ishte objekti i vetëm i shtjellimit të kësaj dukurie të përbindëshme me pasoja rrënuese për miliona qënie njerëzore e për familjet e tyre. Por Shqipëria , është njëri ndër Vendet kryesore ku ishte përqëndruar vëmëndja e kamerave të prodhuesve të filmit. Ishte një shfaqje tepër e dhimbëshme dhe e shëmtuar për cilindo që ndjen sado pak shqetësim  për fatet e Vendit tonë. Nuk e  di nëse e kanë parë atë film ata njerëz që për gati tridhjetë vjet, në nivele të ndryshme, kanë qenë në drejtimin e tij e, për më tepër ata që, drejt për së drejti, mund të quhen përgjegjës për anë të ndryshme të dukurisë, për të mos folur për ata, jo të pakët, që kanë përfituar e përfitojnë çdo ditë nga kjo mynxyrë njerëzore.

            Përfytyresa që krijon filmi është ajo e një Vendi që është kthyer në një depo të stërmadhe të lëndëve narkotike që vijnë nga prodhuesit më të mëdhenj si Kolumbia, Meksika, Afganistani etj. Në këto Vende, simbas autorëve të filmit, veprojnë drejt për së drejti banda shqiptare të organizuara deri në përsosje, për të cilat nuk ekziston asnjë skrupull moral, të inkuadruara tashmë organikisht në krimin global, madje duke ngjitur me shpejtësi shkallët drejt qëllimit të zotërimit të tij me mënyrat më të sofistikuara. Filmi vë në dukje fuqinë e veprimit të bandave shqiptare të drogës në Hollandë, n’Angli, në Itali e gjetiu.

            Njëri ndër personazhet e intervistuar në film është gjykatësi i kundër drogës italiane Nicola Gratteri i cili, ndërmjet të tjera vështirësive që paraqet lufta kundër trafikut botëror të narkotikëve, thekson si pengesë kryesore për dukurinë shqiptare faktin se “ata nuk luftohen në Vendin e tyre”. Mendoj se është ky pohimi më i rëndësishëm e më emblematik në kontekstin e asaj dukurie. Ai ngre para opinionit publik të huaj dhe atyre që shqyrtojnë kërkesën shqiptare për të filluar bisedimet për antarësi në Be një mal pikëpyetjesh që mund të dëmtojë të gjithë proçesin. Ai pohim ve në diskutim gjithë punën e organeve shtetërore që, gjatë të gjithë këtyre viteve, kanë qenë të ngarkuara të luftojnë dukurinë, duke hedhur një hije të errët mbi vetë shtetin shqiptar.

            Nëse bashkëpunimi i organeve përkatëse shqiptare me organizmat e antikrimit botëror, në këtë rast italian, lë aq për të dëshiruar sa që të krijojë jo thjesht dyshime, por bindje se shqiptarët nuk e luftojnë krimin në Vendin e tyre, tregon se kemi arritur në pikën e vlimit e duhet një kthesë rrënjësore për të ndryshuar drejtim. Një gjë është e sigurtë: ata që kanë drejtuar Shqipërinë në njëzet vitet e fundit e që, qëllimisht apo për negligjencë, kanë lejuar të arrijë sistemi në këtë gjëndje majisjesje e kutërbimi duhet të mbajnë përgjegjësitë e tyre dhe të përgjigjen para dikujt. Se çfarë natyre do ketë ajo llogaridhënie nuk mund të përcaktohet me hamëndje gazetareske, por duhet të jetë, ndërmjet të tjerash, madje në krye të tyre, lëndë për organet e reja të drejtësisë që pritet të ngrihen si pasojë e reformës së saj. Ndërsa në planin politik pasojat duhet të jenë në përfundimet e votimeve të cilat, për arsye të ndryshme përfshirë edhe teka të drejtuesve politikë, janë bërë për shqiptarët “mollë e ndaluar”.

            Filmi flet mjaft për Lazaratin, duke pohuar se të ardhurat prej kanabisit që kultivohej aty arrinte shumën prej 2 – 3 miliard euro, sa një e katërta e PPB të gjithë Shqipërisë. Ai nuk shtjellon se si e ku mbarështoheshin këto shuma marramendëse në kohën e qeverimit PD e PD – LSI, por tregon se si kjo veprimtari u ndërpre mbas ardhjes së “rilindjes” në pushtet më 2013. Në të flitet, nëpërmjet intervistave me banorët e fshatit, se si u zhvillua ndërhyrja e forcave të rendit në Lazarat e madje përmend edhe vrasjen e një oficeri te policisë. Por gjithashtu pohon se fundi i përvojës së Lazaratit, dikur “strategjike”, nuk qe fundi i dukurisë që madje mori përmasa shumë më të mëdha me qeverinë e vitit 2013.

            Në film flitet për ish minstrin Tahiri, të paditur për bashkëpunim me trafikantët e drogës, por për të cilin, deri tani, organet hetuese nuk po krijojnë dot një impiant padije bindëse për gjykatën. Paaftësi e organeve hetuese, përfshirë dhe e atyre italjanë, fshehje me mjeshtëri e gjurmëve të krimit, prirje për t’i mbuluar ato, apo mungesë e plotë e tyre? Fakti që prej disa vitesh opinioni publik shqiptar përpëlitet në këtë mëdyshje tregon se ka shumë gjëra që nuk shkojnë si duhet në sistemin e drejtësisë, një tjetër sinjal ky që forcon tezën e filmit.

            Ky i fundit çuditërisht nuk përmend një tjetër fakt dëshmues të padisë së tij, atë të ish ministrit Xhafaj që strehonte në familje vëllanë e tij, edhe se kishte një kërkesë nga drejtësia italiane për ekstradim, si pasojë e një dënimi për trafik droge përtej Adriatikut. Nuk duhet të harrojmë trajtimin që i u bë një tjetër trafikanti të drogës nga shteti shqiptar,Klement Balilit. Qindra policë, për muaj e vite vinin vërdallë pa mundur të gjenin strehën e tij brënda Shqipërisë, deri sa i kërkuari me një mandat ndërkombëtar nga gjykata greke, në mënyrë qesharake, “u dorëzua” vetë në dorën e shefit të përgjithshëm të policisë së shtetit, për t’u dënuar në një proçes të përshpejtuar e për të marrë një dënim, për të thënë pak, bujar.

            Filmi ve në dukje edhe një tjetër dukuri. Nga vrojtimet ajrore të Rojes së financës italiane vihej re se në vitin 2018 ishte pakësuar shumë toka e mbjellë me kanabis, por në këtë vit ishte shtuar përsëri deri në rreth 20 % të sipërfaqes. Si shpjegohet kjo luhatje e ndjeshme nga një vit në një tjetër i kultivimit të narkotikëve? A ka dorë shteti për mirë apo për keq në këtë dukuri? Cila është përgjegjësia e tij në këtë rast? Apo ai mund të shkarkojë përgjegjësinë, si gjithmonë, duke mohuar faktet e dhëna?

            Filmi “Narcotika”, në thelbin e tij, nuk përbën diçka të re e të padëgjuar, mbasi bëhet fjalë për dukuri të njohura, të cilat janë objekte të padisë publike mes dy krahëve të politikës shqiptare, kryesisht nga ana e Opozitës jashtë parlamentare. Por ai, që shikohet nga italianë apo evropianë, i ve si qëllim vetes të japë një radiografi të dukurisë botërore të drogës, të shtrirë në të gjithë sistemin e saj të arterieve e kapilarëve të ndërlikuar. Fakti që Shqipëria është një nga arteriet më të rëndësishme të këtij organizmi infernal e të stërmadh, është një goditje e fuqishme përfytyresës së saj në botë, është një grusht fytyrës së qindra mijra e milionë shqiptarëve të ndershëm në botë e në atdhe, që jetojnë me djersën e ballit e që në të voglën e tyre e nderojnë emrin e tij. Shqetësimi me të cilën përcolla deri në fund atë film më solli ndërmënd shumë bashkatdhetarë që ndoshta shikonin të njëjtin spektakël e provonin të njëjtat ndiesi e kishin të njëjtat mendime si ata që shpreha në këtë shkrim.

            Por filmi trajtoi edhe një tjetër vështrim të realitetit shqiptar, për të cilin flitet pak ose aspak në jetën e përditëshme, i lënë në heshtje krejtësisht nga politika. Është problemi tejet i dhimshëm i njerëzve të ngujuar vite me rradhë në shtëpitë e tyre, kryesisht në fshatrat e Shqipërisë së Veriut, si pasojë e gjakmarrjes. Si gjithmonë shpjegimi për evropianët gjindet te ligji i lashtë i malësive, kanuni, pa u munduar të thellohen në thelbin e dukurisë që është ngadalësia apo mungesa e drejtësisë shtetërore, si hallka më e rëndësishme e zinxhirit kriminal të gjakmarrjeve.

            Kjo plagë e hershme e shoqërisë malsore shqiptare, për të cilën u munduan t’a zvogëlojnë apo t’a shmangin fare prej kohësh klerikë e shqiptarë të mëdhenj në shpirt, sado e kufizuar në territore të caktuara, përbën sot një problem madhor që duhet të shqetësojë opinionin mbarëshqiptar. Për të liruar qindra shqiptarë nga ngujimi disavjeçar, për të kursyer jetët e qindra djemve të vegjël që rrezikojnë ngujimin në një moshë të re, për të sjellë normalitetin në jetën e qindra familjeve, duhet një zotim i madh në nivel të përgjithshëm, në rradhë të parë të organizmave shtetërore, por do të ishte një mision i lëvdueshëm për të gjithë kombin. Nuk duhet të jetë “Narkotika” që të na e kujtojë atë detyrë të madhe.

            Figura e mësuese Lilianës që, me lotë ndër sy, flet për nxënësit e saj të vrarë apo të  ngujuar, me çiltërsinë e dhëmshurisë e të ndjenjës, mbetet figura më e dashur për spektatorin, një përfaqësuese e denjë e Shqipërisë fisnike e të traditës, e braktisur nga një kohë shumë e gjatë lufte kundër saj.

            Filmi është një pasqyrë që na vihet para sysh si shoqëri e si shtet, për t’u vetëdijësuar për problemet tona, por është dhe një fletë llogarie që na vjen mbas 28 vitesh demokracie, një bilanc me të cilin duhet të ballafaqohemi në botën në të cilën duam të bëjmë pjesë. Nuk është ende një gjyq me vendim të pakthyeshëm, por nëse nuk do të jemi në gjëndje në pak kohë të ndryshojmë kursin e ecjes sonë 180°, rrezikojmë të përfundojmë me një përjashtim fatal nga proçeset evropiane me pasoja rrënuese edhe për brezin e ardhshëm.            Gusht 2019               

Filed Under: Politike Tagged With: Eugjen Merlika- Narkotika-Shqiperia

Masakra e Mirditës

August 11, 2019 by dgreca

-Shtatëdhjetë vjet më parë-

O ti udhëtar, që kalon nëpër atë rrugë të përmasave ndërkombëtare, mos harro se shtatëdhjetë vjet më parë në këtë krahinë kryhej një nga masakrat më të përgjakëshme të historisë së këtij vendi. Kjo masakër nuk ushtrohej nga ndonjë pushtues i huaj. Ishin vetë shqipëtarët që vrisnin shqipëtarë, ishin vetë shqipëtarët që burgosnin shqipëtarë, ishin vetë shqipëtarët që internonin burra, gra, pleq dhe fëmijë shqipëtarë, vetëm e vetëm pse ata mendonin ndryshe nga klika që ishte në pushtet. 

         Ju, që keni arritur të jetoni në ato ditë, mos harroni! Shqipëria nuk ka qenë kjo që është sot. Atë e kishte gllabëruar në kthetrat e saj kuçedra e kuqe që jetonte me gjakun e popullit të vetë. Por kishte edhe gra, burra dhe të rinj që kishin kurajon t’i kundërviheshin kësaj kuçedre dhe për këtë sakrifikonin edhe veten e tyre. Shqipëria ishte ndarë në dy blloqe të mëdha. Në njerin krahë qëndronin luftëtarët e lirisë , demokracisë dhe fjalës së lirë, ndërsa në krahun tjetër përfaqësuesit e errësirës dhe skllavërisë.

         Viti 1949. Në Mirditë vritet një sekretar partie. Egërsia e pushtetit arrin kulmin. Duke ndjekur shembullin e pushtuesve nazist, për një të vrarë duhej të paguanin qindra të tjerë. Kjo ishte logjika e diktatorëve. Mirdita u bë shembulli i zbatimit të kësaj politike të trashëguar që nga periudha e inkuizicionit. Rezultati, katër martirë të varur në litar dhe dhjetë të tjerë të pushkatuar. Por hakmarrja e kuqe nuk përfundoi këtu. Dhjetra të burgosur dhe qindra të internuar në ato kampe të tmerrshme të punës së detyruar. Në këto kampe të tmerrshme u dërguan familjarët e martirëve të ekzekutuar

         Kampi i Turanit. Një nënë mirditore me dy fëmijtë e saj binjakë. Një ditë në mëngjes kjo nënë çirrej dhe vajtonte për njerin nga binjakët që kishte vdekur pasi nuk kishte me se ta ushqente. Shoqet mundoheshin ta ngushëllonin por zemra e nënës nuk mund të gjente ngushëllim. Pranë saj qëndronte edhe binjaku tjetër që qante e qante me ngashërim. Kërkonte disa pikë qumësht që nëna nuk kishte mundësi t’ia gjente. Papritmas edhe ai pushoi. Nëna e pa, i lëvizi kokën dhe befas lëshoi një ulërimë ngjethëse. I kishte vdekur edhe binjaku tjetër. Shoqet u munduan ta qetësonin. Por vajtimi i saj shponte edhe qiellin. Herë qante dhe papritur fillonte të qeshte dhe përsëri të qante. E mjera ishte çmendur.

         Kampi i Bulqizës. Janar 1955. Binte borë, ishte cingërimë. Sapo ishim kthyer nga puna të raskapitur dhe prisnim të na sillnin lugën e supës me qepë, metë cilën mbanim shpirtin gjallë. Toger Ademi, operativi i tmerrshëm  i sigurimit të shtetit. hyri në kapanon dhe duke iu drejtuar një djaloshi nga Mirdita, të atin e të cilit e kishin pushkatuar në vitin e zi 1949, i tha me egërsi:                

  – Përse nuk e realizove normën?                                                                                 – Isha i sëmurë zoti toger! – u pergjigj djaloshi me gjysmë zëri.                                         Nuk e la të mbaronte fjalën. E rrëmbeu me forcë dhe duke e hequr zvarrë, e përplasi përjashta në borën që vazhdonte të binte. Filloi ta godiste ku mundte me kamzhikun që mbante në duar. Pastaj duke e tërhequr gjithmonë zvarrë, e mbylli në një nga birucat e caktuara për këtë qëllim.                                                                                                                Kur u err një miku i tij i çoi një copë buke. Nuk e kish mbaruar ende, kur ia behu krimineli. Sapo e pa, filloi ta godiste përsëri me kamzhik, duke kërkuar t’i tregonte se kush ia kishte dhënë copën e bukës. Djaloshi nuk tregoi. Atëhere dha urdhër ta lidhnin në një shtyllë telefoni që ndodhej afër kapanonit tonë. Caktoi edhe dy roje për të mos lejuar njeri t’i afrohej. Ishte thëllim. Dëgjonim rënkimet e tij të mbytura dhe nuk ishim në gjendje ta ndihmonim. Tërë atë natë nuk mbyllëm sy duke dëgjuar rënkimet e tij. Dikur afër mëngjesit ato pushuan. Mirditori trim kishte ndërruar jetë. Nuk i kishte mbushur ende te shtatëmbëdhjetë vjetët.                            Qytetarë, mos i harroni këto tmerre! Mos harroni se liria që gëzojmë sot nuk erdhi vetë. As u realizua vetëm me një demostratë në fundin e viteve tetëdhjetë. .Për atë u investua që me marrjen e pushtetit nga barbarët e kuq. Kjo betejë vazhdoi gjatë, për dyzetegjashtë vjet dhe u kurorëzua me sukses me demostratën e studentëve shqiptarë.                                            Por hijet e kuçedrës së kuqe vazhdojnë të lëvizin nëpër vendin tonë. Ato vazhdojnë të helmojnë atmosferën e përgjithshme demokratike që sundon në vend. Jo rrallë dëgjojmë zëra mjeranë që “çirren e shkulin flokët për demokracinë”, kurse nga ana tjetër qajnë e vajtojnë për ditët e perënduara.                                                                                              Një ish kryeministër, që karierën e tij e filloi me këtë post dhe që për fat të keq është ende në pushtet, ka guximin t‘i quaj “plehra” këta martirë të rënë në luftën për liri. Kush ishin plehra zoti ish kryeministër? Mos vallë fëmijtë që ju, apo prindërit tuaj, i latë të vdisnin nga uria?             Një pinjoll i një kreu të nomenklaturës së kuqe, mburret duke deklaruar se qenka krenar që babaj i tij paska qenë Sekretar i Parë i Partisë së Punës. Pikërisht ky pinjoll, na paska studjuar në perëndim, duke marrë edhe mastera dhe doktorata. Por a e di ai se ishte pikërisht babaj i tij dhe shokët e tjerë të partisë që nuk lanë më baltë pa hedhur mbi ato vende perëndimore ku ai ka studjuar? A e di se ishte pikërisht i ati që ka venë firmën mbi mijra të internuar në kampet e vdekjes dhe burgjet e tmerrshme?                                                                          Unë do t’u thosha: Si nuk keni turp zotërinj? Nëse ju ka mbetur ende një fije nderi në ndërgjegjen tuaj, kërkoni ndjesë për krimet e kryera nga etërit tuaj, në të kundërt heshtni dhe mos merrni mbi vehte krimet e tyre. Falje kërkoi Papa Gjon Pali i Dytë për krimet e kryera nga krishterimi në mesjetë. Falje kërkoi Kancelaria Merkel për krimet e kryera nga nazizmi në periudhën e Luftës së Dytë Botërore. Së fundmi falje kërkoi edhe qytetari gjerman në emër të të atit që kishte marrë pjesë në masakrën e Borovës.                                                                    A mund të falen këta persekutorë mizorë? Por si mund të falen ata që nuk kanë kërkuar një gjë të tillë, ata që vazhdojnë të na konsiderojnë ende si armiq? A do të na i lejonin të rënët tanë, të burgosurit tanë dhe të internuarit tanë që nuk patën fatin të shikojnë dritën e demokracisë për të cilën u sakrifikuan?                                                                                          Duke kujtuar ngjarjet e këtij përvjetori, para syve më dalin vargjet e poetit, që në fund të viteve tetëdhjetë shkruante:

         Fitimtarët, fitimtarë, 

         Të mundurit, të mundur në përjetësi

         Atëhere, po të jetë kështu,                                                                                          Mos ardhsh  kurrë demokraci!

Filed Under: Histori Tagged With: Reshat Kripa-Masakra e Mirdites

Veseli uron besimtarët islamë për Festën e Bajramit 

August 11, 2019 by dgreca

Veseli në Bashkësinë Islame, uron besimtarët islamë për Festën e Bajramit 

Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Kadri Veseli, i shoqëruar nga bashkëshortja e tij, Violeta, ka vizituar sot Bashkësinë Islame të Kosovës, për nder të Festës së Kurban Bajramit. 

Pas pritjes nga drejtuesit e BIK-ut, kryeparlamentari Veseli ka uruar të gjithë shqiptarët e besim islam, duke bërë thirrje për solidaritet dhe mbështetje ndaj njëri-tjetrit, për largim të dallimeve dhe bashkim. 

“Sot më së shumti duhet t’i kujtojmë ata të cilët ishin të gatshëm ta flijojnë edhe jetën në rininë e tyre, që ne sot të kemi liri. Përulemi para veprës së tyre të lavdishme dhe nuk do t’i harrojmë kurrë. Ne e dijmë saktë rrugën tonë kah do të shkojmë përpara. Ky është shteti ynë i pavarur dhe sovran, është besimi në zot, në atdhe e në komb. Jemi një e të pandarë dhe kështu do të shkojmë deri në fund. Haxhilerëve dhashtë zoti ua pranon haxhin dhe kthehen sa më shpejt në shtëpitë e tyre”, theksoi kryeparlamentari Veseli.​

Filed Under: Komente Tagged With: Veseli-Bashkesia Islame-Festa e Bajramit

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 917
  • 918
  • 919
  • 920
  • 921
  • …
  • 5724
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Dashuria që e kemi dhe s’e kemi
  • “Jo ndërhyrje në punët e brendshme”, dorëheqja e Ismail Qemalit, gjest atdhetarie dhe fletë lavdie
  • Arti dhe kultura në Dardani
  • Gjon Gazulli 1400-1465, letërsia e hershme shqipe, gurthemeli mbi të cilin u ndërtua vetëdija gjuhesore dhe kulturore e shqiptarëve
  • “Albanian BookFest”, festivali i librit shqiptar në diasporë si dëshmi e kapitalit kulturor, shpirtëror dhe intelektual
  • VEPRIMTARI PËRKUJTIMORE SHKENCORE “PETER PRIFTI NË 100 – VJETORIN E LINDJES”
  • 18 dhjetori është Dita Ndërkombëtare e Emigrantëve
  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT