• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Nën dioptrinë e paanshmërive

August 9, 2019 by dgreca

Pa egoizëm personal, në favor të energjive të përbashkëta /

Nevojitet një guxim më i madh që do ta flakte egoizmin personal në favor të energjive të përbashkëta. Në këtë mënyrë, interesi i ngushtë i partisë shkrihet në interesat e gjithë popullit, kurse kufiri që ndan egoizmin individual nga patriotizmi institucional do të mund shuhet fare. Fundja, qytetarët e vendit më tepër kanë nevojë për një program cilësor qeverisës që do t’iu sillte atyre mirëqenie e zhvillim social dhe fare pak kanë nevojë për ta bërë ndokënd kryeministër që do të vinte në atë post pa një program të mirëfilltë qeverisës

Mehmet PRISHTINA

Partitë politike në Kosovë, pa përjashtim, vuajnë nga një problem madhor, nga i cili assesi s’po mund të lirohen. Në situatën në të cilën ndodhet aktualisht vendi, është i tepërt luksi të pretendosh me çdokush të rrëmbesh postin e kryeministrit. Ato subjekte politike që këmbëngulin në këtë post, pa ofruar ide e programe se si do të duket qeverisja e nesërme, cila do të jetë diferenca e politikbërjes së djeshme dhe të nesërme, dhe me cilat adute parazgjedhore futen në garën për të fituar mandatin  e ardhshëm qeverisës, nuk bëjnë gjë tjetër pos që zgjasin agoninë e tanishme dhe amnistojnë të gjitha deformimet e deritanishme në keqqeverisje.
Nga përvoja e deritanishme, dhe s’ka pse të mos ndodhë edhe në zgjedhjet e radhës, asnjë subjekt  politik nuk ka arritur të fitojë i vetëm aq mandate sa do të mundej të udhëhiqte ekzekutivin pa ndihmën e ndonjë aleati tjetër. Kjo përvojë është mjaftueshme për të reflektuar dhe për të nxjerrë mësime. Në radhë të parë, duke flakur idenë e bajraktarizmit, si një sëmundje shekullore që ka ndjekur si hije e keqe zhvillimin tonë sociopolitik. Pastaj, politikat moderne nuk bëhen më përmes individëve, por përmes ekipeve. Edhe qeveria e ardhshme e Kosovës mund të ketë një qeveri efikase, në krye të së cilës do të ishte një bashkërendues i shkathtë, por që do të punonte me një ekip të zgjedhur, me detyra e obligime të deleguara, sipas profileve e përgatitjeve të çdonjërit.
Të gjitha koalicionet e deritanishme kanë qenë joparimore dhe asnjëri prej tyre nuk ka prodhuar qeverisje stabile. Nisur nga ky fakt, në zgjedhjet e ardhshme do të duhej të vendoset një parim i ri, i cili do të vlente për një periudhë më të gjatë, që  gjithsesi do të rezultonte në efekte afatgjata, si në politikbërje ashtu dhe në efikasitetin institucional.
Por, kjo nuk mund të ndodhë vetvetiu. Parasëgjithash nevojitet një guxim më i madh që do ta flakte egoizmin personal në favor të energjive të përbashkëta. Në këtë mënyrë, interesi i ngushtë i partisë shkrihet në interesat e gjithë popullit, kurse kufiri që ndan egoizmin individual nga patriotizmi institucional do të mund shuhet fare. Do të ngelë vetëm ambicia e shëndoshë për të punuar bashkërisht për një të ardhme që do të jetë krejt e ndryshme nga e kaluara. 

Pse insistohet kaq shumë në postin e kryeministrit, kur asnjë parti politike nuk është e sigurt se do t’i fitoj zgjedhjet e vetme? Kryeministër i kujt do të jetë ai person i cili paraprakisht nuk i ka siguruar numrat e nevojshëm që do ta bënin vërtetë kryeministër? 
Nëse mungojnë përgjigjet në këto pyetje, atëherë partitë i kanë të kota përpjekjet se do të sjellin ndonjë  risi në qeverisjen e ardhshme të Kosovës. Ajo çka është më e rëndësishme se posti i kryeministrit, është konsensusi i subjekteve rreth pikave programore që do të jenë pjesë e platformës së ardhshme bashkëqeverisëse. Fundja, qytetarët e vendit më tepër kanë nevojë për një program cilësor qeverisës që do t’iu sillte atyre mirëqenie e zhvillim social dhe fare pak kanë nevojë për ta bërë ndokënd kryeministër që do të vinte në atë post pa një program të mirëfilltë qeverisës.

Prishtinë, 8 gusht

Filed Under: Analiza Tagged With: Mehmet Prishtina-Partite politike-Kosova

Mërgata Shqiptaro -Amerikane për Kosovën

August 9, 2019 by dgreca

Ekspozita  “AMERIKA PËR KOSOVËN”/

Nga Frank Shkreli*/

Ky është titulli i katalogut të ekspozitës tematike, “Amerika për Kosovën” në Muzeumin Kombëtar të Republikës së Kosovës, me autor, Dr. Riza Rrahim Sadikun, ri-botuar më 2018( Studiuesi Riza Sadiku ndërroi jetë me 12 mars 2019*.   Fatkeqsisht, unë nuk kam patur rastin të vizitojë ekspozitën në Prishtinë, por duke u mbështetur në katalogun e përgatitur mjeshtërisht e që më ra në dorë ditët e fundit, Projekti i Muzeut Kombëtar të Kosovës, “Amerika për Kosovën”, është një pasqyrim i saktë, ndonëse ndoshta jo gjithë përfshirës, i historisë së kontributit, që diaspora shqiptaro-amerikane dhe mbështetsit e tyre më të njohur në radhët e politikës amerikane, kanë dhënë për lirinë, çlirimin dhe pavarësinë e Kosovës në përgjithësi.   Është një dokumentacion besueshëm i veprimtarisë patriotike të këtj komuniteti –i personaliteteve të shquara shqiptaro-amerikane dhe i orgnazitave të diasporës, duke filluar, ndër të tjera, me Federatën pan-Shqiptare Vatra, Lidhja Kosovare, Liga Shqiptaro-Amerikane dhe Këshilli Kombëtar Shqiptaro-Amerikan, si dhe organizata të tjera politiko-shoqërore, përfshirë qendrat fetare, anë e mbanë Shteteve të Bashkuara — në dy tre dekadat e fund shekullit 20 dhe në fillim të këtij shekulli.   Një vend të rëndësishëm në ekspozitë zën edhe kontributi i shumë përfaqësuesve të lartë të politikës amerikane, duke filluar nga nga politikanë amerikanë të nivelit vendor e shtetëror e deri tek Kongresi dhe Presidenca amerikane – përfaqsues të dy partive kryesore politike amerikane ndër, më të njohurit në Amerikë dhe në botë.

Ky është titulli i katalogut të ekspozitës tematike, “Amerika për Kosovën” në Muzeumin Kombëtar të Republikës së Kosovës, me autor, Dr. Riza Rrahim Sadikun, ri-botuar më 2018*.   Fatkeqsisht, unë nuk kam patur rastin të vizitojë ekspozitën në Prishtinë, por duke u mbështetur në katalogun e përgatitur mjeshtërisht e që më ra në dorë ditët e fundit, Projekti i Muzeut Kombëtar të Kosovës, “Amerika për Kosovën”, është një pasqyrim i saktë, ndonëse ndoshta jo gjithë përfshirës, i historisë së kontributit, që diaspora shqiptaro-amerikane dhe mbështetsit e tyre më të njohur në radhët e politikës amerikane, kanë dhënë për lirinë, çlirimin dhe pavarësinë e Kosovës në përgjithësi.   Është një dokumentacion besueshëm i veprimtarisë patriotike të këtj komuniteti –i personaliteteve të shquara shqiptaro-amerikane dhe i orgnazitave të diasporës, duke filluar, ndër të tjera, me Federatën pan-Shqiptare Vatra, Lidhja Kosovare, Liga Shqiptaro-Amerikane dhe Këshilli Kombëtar Shqiptaro-Amerikan, si dhe organizata të tjera politiko-shoqërore, përfshirë qendrat fetare, anë e mbanë Shteteve të Bashkuara — në dy tre dekadat e fund shekullit 20 dhe në fillim të këtij shekulli.   Një vend të rëndësishëm në ekspozitë zën edhe kontributi i shumë përfaqësuesve të lartë të politikës amerikane, duke filluar nga nga politikanë amerikanë të nivelit vendor e shtetëror e deri tek Kongresi dhe Presidenca amerikane – përfaqsues të dy partive kryesore politike amerikane ndër, më të njohurit në Amerikë dhe në botë.

Megjithse është shkruar dhe folur mjaft për kontributin e diasporës shqiptare në Amerikë, si për Kosovën ashtu edhe për Shqipërinë gjatë shekullit të kaluar e deri në ditët tona — me një vizitë në Muzeun Kombëtar të Kosovës, këtë verë, do të mund të shikoni, të gjitha në një vend, një pjesë të konsiderueshme të historisë së komunitetit shqiptaro-amerikan si dhe mbështetjen – nepërmjet protagonistëve kryesorë dhe vendimeve të tyre politike — të Amerikës zyrtare në mbështetje të drejtave të shqiptarëve, duke filluar nga pavarësia e Shqipërisë në fillim të shekullit 20 e deri tek çlirimi dhe pavarësia e Kosovës.Andaj me të drejtë, që në fillim të katalogut prej 300 faqesh, autori shënon fillimisht me deklarata nga dy ish-presidentë amerikanë të fillim shekullit të kaluar, Theodor Ruzvelti dhe Uodrou Wilsoni.   “Shqiptarët i dua dhe i admiroj, se janë një racë e vjetër dhe trime që meriton të mbrohet dhe të vetqeveriset.   Dij që në shumë raste, turqit, grekët dhe serbët bashkoheshin dhe lidheshin me njëri tjetrin kundër shqiptarëve…Thuaju Shqiptarëve se dëshiroj ta shoh Shqipërinë të pavarur dhe që pavarësia e tyre të mbrohet dhe të garantohet nga fuqitë aleate, Amerika, Anglia dhe Franca.   Nga ana ime do të bëjë çdo gjë të mundur për të mbrojtur të drejtat e Sgqiptarëve”, është zotuar Theodore Ruzvelti në një bisedë dhënë Nolit dhe botuar në gazetën Dielli më 26 gusht, 1918.   Ndërsa Uodrou Wilsoni citohet në katalog të ketë thënë se, “Shqiptarët meritojnë të rrojnë të lirë e të pavarur, prandaj Shqipëria nuk do të preket.”

Ishin këto deklarata të herëshme nga udhëheqsit më të lartë të Amerikës të fillim shekullit të kaluar, të cilat mund të thuhet se kanë përcaktuar politikën amerikane ndaj kombit të vogël shqiptar, ç’prej atëherë e deri më sot.   Në katalog renditen të gjithë presidentët amerikanë, duke filluar nga Ruzvelti e Wilsoni e deri tek Xhorxh Bushi dhe Bill Klintoni si dhe senatorë e kongresmenë të shumtë, sidomos gjatë 5 dekadave të fundit, të cilët në një mënyrë ose një tjetër kanë pasur lidhje ose kontakte të herë pas herëshme me përfaqsues të komunitetit shqiptaro-amerikan në veçanti ose me shqiptarët e Amerikës në përgjithësi.

Autori i katalogut, “Mërgata Shqiptaro-Amerikane për Kosovën”, Dr. Riza Rrahim Sadiku, parathënien ia kushton historisë së marrëdhënieve shqiptaro-amerikane gjatë shekullit XX e deri në fillim të këtij shekulli.   Por kryesorja e këtij projekti të Muzeut Kombëtar të Kosovës është roli që ka luajtur diaspora shqiptare në Shtetet e Bashkuara ç’prej Nolit e Konicës e deri në ditët e sotëme – në bashkpunim të plotë me përfaqësuesit më të lartë të brezave të ndryshëm të politikës amerikane – në mbrojtje të vazhdueshme të të drejtave dhe identitetetit të shqiptarëve, si njëri prej kombeve më të vjetra në botë, me gjuhë, me kulturë, me histori, tradita dhe vlera unike.   Ku pasqyrohen, sidomos, aktivitetet patriotike të komunitetit shqiptaro-amerikan të tre dekadave të kaluara, përfshirë edhe periudhën e luftës patriotike çlirimtare të UÇK-së.

Ky është titulli i katalogut të ekspozitës tematike, “Amerika për Kosovën” në Muzeumin Kombëtar të Republikës së Kosovës, me autor, Dr. Riza Rrahim Sadikun, ri-botuar më 2018*.   Fatkeqsisht, unë nuk kam patur rastin të vizitojë ekspozitën në Prishtinë, por duke u mbështetur në katalogun e përgatitur mjeshtërisht e që më ra në dorë ditët e fundit, Projekti i Muzeut Kombëtar të Kosovës, “Amerika për Kosovën”, është një pasqyrim i saktë, ndonëse ndoshta jo gjithë përfshirës, i historisë së kontributit, që diaspora shqiptaro-amerikane dhe mbështetsit e tyre më të njohur në radhët e politikës amerikane, kanë dhënë për lirinë, çlirimin dhe pavarësinë e Kosovës në përgjithësi.   Është një dokumentacion besueshëm i veprimtarisë patriotike të këtj komuniteti –i personaliteteve të shquara shqiptaro-amerikane dhe i orgnazitave të diasporës, duke filluar, ndër të tjera, me Federatën pan-Shqiptare Vatra, Lidhja Kosovare, Liga Shqiptaro-Amerikane dhe Këshilli Kombëtar Shqiptaro-Amerikan, si dhe organizata të tjera politiko-shoqërore, përfshirë qendrat fetare, anë e mbanë Shteteve të Bashkuara — në dy tre dekadat e fund shekullit 20 dhe në fillim të këtij shekulli.   Një vend të rëndësishëm në ekspozitë zën edhe kontributi i shumë përfaqësuesve të lartë të politikës amerikane, duke filluar nga nga politikanë amerikanë të nivelit vendor e shtetëror e deri tek Kongresi dhe Presidenca amerikane – përfaqsues të dy partive kryesore politike amerikane ndër, më të njohurit në Amerikë dhe në botë.

Përveç personaliteteve të shumta të fushës politike amerikane, sipas katalogut që kam në dorë, ekspozita pasqyron shqiptaro-amerikanë të njohur dhe të thjeshtë, nga të gjitha fushat e jetës, si dhe organizata të ndryshme, të cilët sipas mundësive, kanë dhënë ndihmën e tyre për zgjidhjen, më në fund, të asaj që për të gjithë ne njihej si, “Çështja e Kosovës”.   Janë pra me qindëra e qindra personalitete dhe ngjarje që përfshihen në këtë katalog dhe që përbëjnë koleksionin mjaft të pasur të kontributit të shqiptaro-amerikanëve për lirinë dhe pavarësinë e shqiptarëve dhe për të drejtat e tyre anë e mbanë tprjeve shekullore, e që do të ruhet përgjithmonë në Muzeun e Kombëtar të Kosovës si një testament i përherëshëm për brezat e ardhëshëm të shqiptarëve, se si duhet përgjigjur kur Atdheu është në rrezik.

Vizitori i kësaj ekspozite në Muzeun Kombëtar të Kosovës, këtë verë, mund të gjejë, ndër të tjera, memorandum, korrespondenca, kërkesa dhe deklarata nga përfaqsues dhe organizata të komunitetit shqiptaro-amerikan drejtuar udhëheqsve më të lartë ekzekutiv dhe legjislativ të Shteteve të Bashkuara, por pa përjashtuar entet dhe personalitetet ndërkombëtare gjithashtu.   Dokumentat origjinal të kohës, në faqet e katalogut, përfshijnë foto historike nga shumë demonstrata e protesta për të drejtat e shqiptarëve, kryesisht në Washington DC por edhe në qytete të tjera amerikane, gjatë dekadave.  Gjithashtu, flamuj e banera, materiale propagandistike,letra dhe deklarata mirënjohjeje nga politika amerikane për personalitete dhe për komunitetin shqiptaro-amerikan, në përgjithësi.   Aty gjenë edhe një numër të konsiderueshëm artikujsh nga media të ndryshme amerikane dhe të diasporës, si dhe regjistrime të mediave elektronike mbi krimet e Serbisë kundër shqiptarëve të Kosovës dhe përpjekjet e shqiptaro-amerikanëve për t’i ekspozuar ato krime ndaj njerëzimit, para shoqërisë amerikane në veçanti dhe para botës në përgjithësi.   Ekspozita, “Mërgata shqiptaro-amerikane për Kosovën”, dokumenton, përveç tjerash, edhe një përpjekje me mjeshtri nga ana e diasporës shqiptare në Amerikë – me ndihmën e Shteteve të Bashkuara — për të ndërkombëtarizuar çështjen e Kosovës në përgjithësi, gjë që mund të thuhet se ia doli me plot sukses.

Thuhet se ekspozita “Mërgata Shqiptaro-amerikane për Kosovën”, do të jetë e përherëshme në Muzeun Kombëtar të Kosovës dhe se mund të përbëjë bazën e themelimit të një muzeu të ri, me emrin, “Amerika për Kosovën”.   Është e qartë se nismëtarët e këtij projekti kanë bërë një punë të madhe jo gjithmonë me mbështetjen e autoriteteve përkatëse.  Prandaj, duhet të vlerësohet puna e palodhëshme e Dr. Riza Rrahim Sadikut dhe bashkpuntorëve të tij në këtë projekt – një përpjekje kjo madhore për të dokumentuar kontributin e komunitetit shqiptaro-amerikan dhe të Shteteve të Bashkuara, në mbrojtjen, historikisht, të të drejtave të shqiptarëve, të lirisë dhe të pavarësisë së tyre, gjatë periudhave më të vështira të ekzistencës së Kombit shqiptar, përballë lakmive dhe grabitjeve të territoreve të shqiptare nga fqinjët armiqësorë.

Ekspozita nderon autorët që ideuan këtë projekt si dhe shtetin e Republikës së Kosovës për mirënjohjen që tregoi me ndihmesën për zbatimin e këtij projekti, por njëkohësisht nderon dhe tregon mirënjohjen e popullit të Kosovës ndaj veprimtarisë patriotike të shqiptarëve të Amerikës dhe të miqëve tanë këtu në Shtetet e Bashkuara.   Por, ndonëse, në këtë ekspozitë, siç pasqyrohet në katalogun që kam përpara, janë përfshirë shumë ngjarje, personalitete shqiptare dhe organizata shqiptaro-amerikane si dhe përfaqsuesit më të lartë të adminstratave amerikane –si demokrate ashtu edhe republikane –ky projekt të mos konsiderohet si i përfunduar, por të jetë si, “work in progress”, pasi ashtu e kërkon historia e vërtetë.   Gjithmonë dalin dokumenta dhe dëshmi të reja, të pa zbuluara ende, për periudhën që mbulon ekspozita – por edhe për periudhën aktuale dhe veprimtaritë e brezit të ardhëshëm të shqiptaro-amerikanëve, të cilët shpresojmë se do të vazhdojnë shembullin e komunitetit të shqiptarëve të Amerikës të shekullit të kaluar dhe tani, të cilët me veprimtarinë e tyre patriotike ndihmuan në themelimin e dy shteteve shqiptare, Shqipërisë në fillim të shekullit të XX dhe Kosovës në fillim të këtij shekulli – duke ruajtur  dhe thelluar, njëkohësisht, edhe miqësinë e përherëshme midis Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Kombit shqiptar – pikërisht ashtu siç pasqyrohet në ekspozitën, “Mërgata Shqiptaro-Amerikane për Kosovën”.

*Ndonëse projekti ka mbështetjen e Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportittë Republikës së Kosovës, autori i katalogut prej 300-faqesh me fotografi dhe dokumentacione historike, autori Dr. Riza Rrahim Sadiku ka shënuar se për ribotimin e këtij katalogu iu desh të priste plot 7 vjet, ndërkohë që falënderon, “Veprimtarët e dalluar të çështjes kombëtare në mërgim, miqëve të respektuar Tomë Mrijaj dhe Tomë Jakaj nga Nju Jorku si dhe Kryetarin e Fush Kosovës, Z. Burim Berisha pa ndihmën e të cilëve nuk kisha mundësi ta nxjerrë në dritë këtë vepër, në të cilën kam punuar pesë vite”, shprehet ai.

Filed Under: Featured Tagged With: Frank Shkreli- Amerika per Kosoven

Stilimi i axhendës shqiptare në xhunglën lobuese të Uashingtonit

August 9, 2019 by dgreca

Nga Akri Çipa/

Politika e jashtme amerikane është në procesin e një ndryshimi thelbësor që përkon sa me rikonceptualizimin e rolit të Shteteve të Bashkuara në botë dhe transformimin e sistemit global, aq edhe me ndryshimin e brezave të politikëbërësve amerikanë. Shqipëria, si një vend që e ka orientuar politikën e jashtme në mënyrë të pashmangshme drejt Shteteve të Bashkuara dhe Europës, ka nevojë të rikalibrojë rolin dhe rëndësinë specifike në raport me politikën amerikane. Ndërkohë që politika zyrtare vazhdon të pasqyrojë brishtësinë që e ka karakterizuar historikisht shtetin shqiptar, komuniteti shqiptar në Amerikë ka mundësinë dhe përgjegjësinë historike për të luajtur një rol primar në këtë moment vendimtar.

Nevojën për energjizimin e aktivizmit politik shqiptar në SHBA e theksoi përpara pak muajsh në një intervistë për Zërin e Amerikës zoti Mark Gjonaj, anëtar i këshillit bashkiak në qytetin e Nju Jorkut. Zoti Gjonaj theksoi domosdoshmërinë për një lobim më të strukturuar dhe të organizuar në Uashington. Ai përmendi një sërë nismash agresive të fqinjëve tanë, kryesisht të serbëve në lidhje me çështjen e Kosovës, si situata që kërkojnë reaktivitet të diasporës shqiptare. Teksa ka një tis paqartësie të provokuar nga politika zyrtare shqiptare në lidhje me këtë çështje dhe teksa përplasjet e fraksioneve të ndryshme politike në Shqipëri dhe në Kosovë pështjellojnë në mënyrë ciklike partnerët ndërkombëtarë, nevoja për një diasporë të pranishme dhe të koordinuar politikisht është më e madhe se asnjëherë tjetër përgjatë dekadës së fundit. 

Kongresi amerikan, në të dy dhomat, doli me mjaft fytyra të reja  nga zgjedhjet e vitit 2018 dhe do të ketë edhe më shumë teksa iu afrohemi zgjedhjeve të vitit 2020. Të zgjedhurit e rinj kanë, në të shumtën e rasteve, njohuri të kufizuara për Ballkanin dhe për historinë e rajonit. Në të njëjtën kohë, një pjesë e madhe e mbështetësve të Shqipërisë dhe Kosovës po shkojnë pashmangshmërisht drejt largimit nga politika aktive, sa për hir të tërheqjeve për arsye fiziologjike, aq edhe për shkak të sfidave brenda-partiake që vijnë kryesisht nga aktivistët e rinj dhe mbështetësit e axhendave më të ngurta, si nga e djathta, ashtu edhe nga e majta. Shembull konkret në këtë pikë është sfida në primaret demokrate ndaj kongresmenit Eliot Engel, një mbështetësi të jashtëzakonshëm të çështjes shqiptare. Deri tani janë dy kandidatura të shpallura nga aktivistët progresivë që synojnë t’i zënë vendin kongresmenit Engel dhe gjasat janë që ata të jenë krejt të painformuar për realitetin ballkanik. Duke çmuar shumë lidhjet e vjetra, në këto ndryshime brezash duhet syçeltësi dhe aftësi për të vendosur ura komunikimi me përfaqësuesit e brezave të rinj që do dominojnë skenën politike amerikane në dekadat e ardhshme. 

Në të njëjtën kohë, shqiptarët në Amerikë duhet ta përvetësojnë dhe aftësinë strategjike për të krijuar koalicione të qëndrueshme në kohë. Një shembull që vlen për t’u përmendur është angazhimi i përfaqësuesve të komunitetit greko-amerikan. Ky i fundit ka një sukses në lobimin dhe arritjen e investimit amerikan në platformën 3+1 në Mesdhe –  një platformë që përkon me mbështetjen amerikane dhe investimin e drejtpërdrejtë në forcimin e marrëdhënieve tripalëshe ndërmjet Greqisë, Qipros dhe Izraelit. Komuniteti greko-amerikan tregon një model të suksesshëm për koordinimin dhe avancimin e interesave nëpërmjet krijimit të koalicioneve, si në rastin në fjalë me komunitetin hebre në Amerikë. Kundrejt ndryshimeve globale, duhet parë në mënyrë të kujdesshme për të nxjerrë leksione të çmuara nga aktiviteti i diasporës së vendeve fqinje, të cilat kanë arritur të kenë impakt të prekshëm dhe konstruktiv për vendet e tyre.

Së fundmi, nevojitet një largpamësi dhe një strategji e qartë në promovimin e interesave shqiptare. Argumenti i thjeshtë se SHBA duhet ta mbështesë Shqipërinë dhe shqiptarët nisur nga orientimi ynë pro-amerikan është i pamjaftueshëm. Mbi të gjitha nisur nga konteksti ku në SHBA po shtohen zërat izolacionistë dhe që e shikojnë të ardhmen e Shteteve të Bashkuara të tërhequr nga angazhimi global. Komuniteti shqiptar në Amerikë ka të gjitha mundësitë dhe aftësinë të stilojë një axhendë argumentuese për bashkërendimin e interesave amerikane në Ballkan dhe në Mesdhe me rolin e shqiptarëve dhe shteteve shqiptare në avancimin e këtyre interesave. 

Uashingtoni sot është shndërruar në një xhungël lobimi. Kapaciteti i limituar ekonomik dhe mungesa e një lobi të strukturuar shqiptar është një mangësi e madhe për aktivitetin e komunitetit shqiptar në Amerikë. Modelet e suksesshme ekzistojnë në almanakun e shqiptaro-amerikanëve, si në gjenezën dhe kontributin thelbësor në krijimin dhe forcimin e shtetit shqiptar një shekull më parë, ashtu edhe në mobilizimin dhe krijimin e mbështetjes së gjerë për kauzën e Kosovës në vitet 90’. Janë modele të suksesshme të cilat janë bazuar në mbështetje mbipartiake në politikën amerikane. Janë modele të cilat vlejnë të përsëriten dhe përmirësohen. Nismat sporadike dhe individuale vlejnë, por nuk kanë të njëjtin impakt me nisma të organizuara dhe konsistente. 

Influencimi dhe lobimi për hir të çështjes dhe interesave shqiptare nuk mund të bëhet thjesht në situata ekzistenciale. Teksa bota dhe sistemi ndërkombëtar po ravijëzohet në një sistem kompetitiv ndërmjet fuqive të mëdha, orientimi i patjetërsueshëm shqiptar drejt Europës dhe Shteteve të Bashkuara e bën të domosdoshëm një rikonceptim të ri të marrëdhënieve me politikëbërësit dhe politikëzbatuesit amerikanë. 

Filed Under: Opinion Tagged With: Akri Çipa- Lobimi- Shqiperia-Xhungla e Washingtonit

Ca fjalë të vogla përpara një monumenti të math…

August 9, 2019 by dgreca

-Presidenti i sëmurë, i mbërthyer në shtrat të lëngimit, u ngrit për gjysmë dhe e para fjalë që tha ishte për të kundërshtuar copëtimin e Shqipërisë: – Qëndroni! është padrejtësi ajo që doni të bëni! ka edhe Shqipëria të drejtën të rojë! – Fjalë monumentale…./

nga Faik Konica/

Një ditë dimri, më 1920, shtypi i Evropës bëri të njohur se guvernat e Inglisë, të Francës, dhe t’Italisë, kishin arrirë në një marëveshje për Shqipërinë dhe kishin përfunduar që ky vënt të ndahej në mes t’Italianëve, të Grekëve, e të Sërbëve. Dëshpërimi më i rëndë kishte mbuluar zëmërat dhe fytyrat e Shqipëtarëve të mirë. Ah sikur të mos ish i sëmurë Uilsoni! Ky mendim, kjo fjalë, dilte nga shpirti ynë. Po Presidenti i madh, zëri i lartë, i të cilit e kishte shpëtuar një tjetër herë Shqipërinë, lëngonte në shtrat, i thyer dhe i mbaruar. Fati përkrahte shtrëmbërin’ e politikanëve t’Evropës; Shqipëria ish e dënuar për vdekje, dënimi do të zbatohej doemos, as një rëzë shprese s’ndritte prej gjëkundi. Po e papritura ngjau: Ra rrufeja mu në tryezë ku vjedhësit e lirive dhe mundonjësit e popujve të vegjël bëjin planet e tyre.

Kjo rrufe ishte zëri, aq kohë i pushuar, i Uilsonit. Presidenti i sëmurë, i mbërthyer në shtrat të lëngimit, u ngrit për gjysmë dhe e para fjalë që tha ishte për të kundërshtuar copëtimin e Shqipërisë: – Qëndroni! është padrejtësi ajo që doni të bëni! ka edhe Shqipëria të drejtën të rojë! – Fjalë monumentale, të larta e të pavdekura si majat e Alpeve, të cilat fryjtin anë mbanë të botës një erë të paqme nëpër qelbësirat e politikës së poshtër. Ndërgjegjja e njerëzisë e njohu përsëri zërin e madh, edhe u drodh nga gëzimi: se Uilsoni, duke mbrojtur Shqipërinë, nuk mbronte një popull vetëm: mbronte gjithë popujt, se mbronte parimin që edhe popujt e vegjël e të pafuqishëm kanë të drejta si popujt e mbëdhenj e të fortë. Politikanët zvarranikë t’Evropës qëndruan; hoqën duart nga plaçka; ca nga turpi, më tepër nga frika, u penduan; planin e tyre e hodhën në shportë; dhe Shqipëria mbeti e pacopëtuar.

Jemi të bindur se çdo shqiptar di dhe kupton ç’borxh të madh i kemi Uilsonit. Në qoftë se ka ndonjë Shqipëtar që s’mer vesh se shpëtimi dhe liria e vëndit tij i detyrohen kryesisht Uilsonit, ai nuk është njeri dhe duhet të kemi mëshirë për verbërinë dhe errësirën që i ka mbuluar trutë.

Gjithë shqiptarët duhet t’i ngrenë Uilsonit një monument të pavdekur në zëmërat e tyre. Edhe po t’ish i vogël për të tjerët, Uilsoni duhej të ish i madh për shqiptarët. Po madhësia e tij është e përgjithëshme; është një madhësi nga ato që s’mohohen. Edhe atje ku ka bërë gabime, – gabimet e Uilsonit janë prej njeriu fisnik. Ka dashur në Gjermani vetëm prishjen e një sistemi që ai e gjykonte si të lig; s’ka dashur shkatërrimin e popullit gjerman: që nuk e ndaloi dot, është mjerimi dhe jo faji i tij. Drita, që Uilsoni shtiri në ndërgjegjet e njerëzve, do të shkaktojë më në fund shëllbimin e gjithë popujve. Parimet që ka mbrojtur me aq shkëlqim – çlirimin dhe bashkimin e gjithë popujve, të mëdhenj e të vegjël – do të jenë ungjilli i ri i njerëzisë së nesërme. Përpara këtij profeti të idealismës e të vëllazërisë, më të famshmit burra Shteti duken qesharakë, njerëzit e tipit të Napoleonit duken fare të vegjël. Që t’i gjejë një shok Uilsonit, dikush në Evropë përmëndi jo vetëm Linkolnin, po dhe Krishtin. Një gjë ësht e sigurtë: që Uilsoni është një nga udhëheqësit më të lartë e më fisnik që kanë ndritur udhën e njerëzisë.

Dielli, 7 shkurt 1924 6 f. 4.

Filed Under: Featured Tagged With: Faik Konica-Perpara Permendores-Presidentit Wilson

DËSHMI ARKIVORE MBI PRONAT NË ZONËN KUFITARE SHQIPËRI-MALI I ZI

August 9, 2019 by dgreca

Shkruan:Dr. Nail DRAGA/

Hajrullah Hajdari, PRONAT DYPALËSHE të shqiptarëve në të dyja anët e kufirit Shqipëri-Mali i Zi, Botoi:Art Club, Ulqin, 2019

Pas dy botimëve të mëparshme  “Shqiptarët në Malë të Zi nga Kongresi i Berlinit e deri në vitin 1941”(2016) dhe “Ulqini në dokumentat malazeze nga viti 1880 e deri më  1915”(2018), ditë më parë Hajro Hajdari  opinionit i prezantohet më botimin emë të ri me titull “PRONAT DYPALËSHE të shqiptarëve në të dyja anët e kufirit Shqipëri-Mali i Zi”,Botuar nga Art Club-i, Ulqin, 2019. Nga vet titulli del se kemi të bëjmë me një temë interesante e cila deri më tash ka qenë pothuaj e panjohur për opinion e gjerë, andaj si e tillë është intriguese për lexuesit. Fjala është për pronat dypalëshe të qytetarëve të cilët jetojnë dhe punojnë në zonën kufitare në mes Shqipërisë dhe Malit të Zi. Fillimisht autori trajton semantikën e terminologjisë juridike të pronave dypalëshe e cila është trajtuar pak në literaturën juridike, andaj  ka mbetur në margjina të çështjeve të tilla duke dhënë informacione të mjaftueshme në aspektin terminologjik dhe ate juridik. Me themelimin e shtetëve të pavaruara në shek.XIX, në Europën Juglindore në opinion u paraqit edhe koncepti i zonave kufitare, ku përveç të ndonjë rasti të veçantë  nuk ka qenë objekt i hulumtimeve dhe studimeve të ndryshme shkencore.

Në këtë botim fillimisht autori trajton përcaktimin kufitar në mes Malit të Zi dhe Shqipërisë, duke filluar me Kongresin e Berlinit(1878) dhe më pas me Konferencën e Ambasadorëve në Londër(1913), më ç’rast vise e vendbanime shqiptare iu dhuruan Malit të Zi. Vendimet e tilla absurde të Fuqive të Mëdha  ndikuan që  një numër i konsideruar i popullsisë e viseve shqiptare të mbesin jashtë shtetit amë-Shqipërisë. Një veprim i tillë  ishte në kundërshtim flagrant me të drejtën etnike e historike të popullit shqiptar ku  padrejtësisht u vendos kundër vullnetit tyre. Dhe një veprim i tillë, ndikoj që Shqipëria të kufizohet më popullin e vet, si asnjë shtet tjetër në Europë.

Në lidhje me këtë çështje autori ofron të dhëna me interes, në diakroni e sinkroni para Luftës së Parë Botërore, pas saj deri në Luftën e Dytë Botërore dhe më pas që përmbyllet me vitin 1948. Në periudhat në fjalë janë arritur marrëveshje në mes dy vendëve ku si model pozitiv mund të shërbejë koha në mes dy luftërave botërore në mes Mbretërisë Jugosllave e asaj të Shqipërisë, ku janë miratuar marrëveshje  të ndryshme të cilat ishin në favor të qarkullimit ndërkufitar të popullsisë në zonën kufitare e cila ishte kryesisht shqiptare. Fjala është për distancën 10km nga kufiri ku popullsia përkatëse në vendkalimet kufitare kalonte për të shkuar në treg, punimin e tokave, bartjen e prodhimeve bujqësore, përdorimin e kullosave etj. Përveç vendkalimeve zyrtare kufitare kanë ekzistuar edhe vendkalime kufitare jozyrtare, që ka të bëjë me perdorimin sezonal, kryesisht të prodhimeve bujqësore. 

Kështu nëse analizojmë vendkalimet e tilla të zonës kufitare nga liqeni i Shkodrës e deri në Grykë të Bunës, del se kanë ekzistuar 8 vendkalime të tilla, ku nga to 4 ishin tokësore e 4 ujore. Një e dhënë e tillë dëshmon për demokracinë e ekzistuar praktike për qarkullimin ndërkufitar e dhënë kjo e cila nuk ka ekzistuar nga viti 1948 e më pas, kur kjo zonë humbi përmbajtjën e saj sepse kanë dominuar interesat ideologjike e jo ato kombëtare nga ana e shtetit amë-Shqipërisë, që ka pasur pasoja të mëdha për atë kohë, ku autori më të drejtë e quan “gjenocid social”.

Për  përgatitjen e këtij botimi autori përveç literaturës profesionale të cilën e ka konsultuar, në veçanti ka përdorur materialet arkivore nga Arkivi Qendror i Shqipërisë dhe Arkivi Shetëror i Malit të Zi, të cilat pas hulumtimit dhe përpunimit të tyre ka ofruar të dhëna me interes, të cilat deri më tash kanë qenë të panjohura për opinionin e gjerë. Me interes janë prezantimi i materialeve të Komisioneve mikste shqiptaro-jugosllave për çështjet pronësore të cilat kanë qenë aktive deri në vitin 1948, duke përfunduar me vitin 1953. Po ashtu me vlerë të veçantë janë paraqitja e regjistrave të familjeve të shtetasve shqiptarë që kanë pronat në Jugosllavi, dhe e kundërta e shtetasve jugosllavë, më përkatësi të kombësisë shqiptare në Shqipëri. Regjistri i tillë ka vlerë të veçantë jo vetëm sa i përkët pronësisë së tokave përkatëse, por edhe shpërndarjën territoriale të tyre nga Shtoji i Ulqinit në jug e deri në Guci e Plavë në veri për gjatë zonës kufitare në gjatësi prej 172 km. Nga të dhënat e prezantuara del se më së shumti prona dypalëshe kanë shqiptarët nga Mali i Zi në Shqipëri rreth 4000 ha, ndërsa më pak kanë shqiptarët nga Shqipëria në Mal të Zi rreth 600 ha. 

Pasi nga viti 1948, u prishën marrëdhëniet në mes ish-Jugosllavisë e Shqipërisë për shkaqe ideologjike dhe politike, pasojat e para u hetuan në zonën kufitare, sepse u pengua qarkullimi i lirë përmes lejës së kufinit dhe shfrytëzimit të pronave dypalëshe, duke mbetur zona të izoluara,  të rrezikshme dhe të papërspektivë. Madje pronat e tilla humben  përmbajtjën e mëparshme sepse shumë prej tyre u shtetëzuan, apo iu janë dhënë të tjerëve për shfrytëzim si kompensim për pronat e tyre në anën tjetër të kufirit. Kështu  p.sh.në Anë të Malit, Krajë e gjetiu, pronat e tilla që ishin në shfrytëzim, njiheshin si “toka të Shqipnisë”, ku  këtë tretman e vazhduan një periudhë të caktuar kohore, ndërsa më vonë u regjistruan në katastër  si pronarë “legjitim” të tyre që ishte në kundërshtim flagrant ligjor, shtetëror dhe ndërkombëtar. 

Ndërsa pas vitit 1990, me miratimin e pluralizmit dhe qarkullimit të lirë të personave në mes dy vendëve, filloi interesimi për pronat legjitime në të dy anët e kufirit. Në këtë aspekt  ndonëse me një vonesë të konsideruar ekziston baza ligjore për të zhvilluar proceset e tilla gjyqësore, për të iu rikthyer pronat pronarëve legjitim, por mungon marrëveshja shtetërore në mes Shqipërisë dhe Malit të Zi, që nuk mund të arsyetohet më asgjë, përveç me pakujdësi dhe joseriozitet profesional. Sepse pavarësisht rrethanave shoqërore prona mbetët e shenjtë dhe si e tillë duhet të iu kthehet pronavëve legjitim. Vetëm ne këtë formë të veprimit përmes gjykatëve vendore, shtetëtore e madje deri të ajo ndërkombëtare në Strasburg, do të eliminohej një padrejtësi e imponuar dekada më parë, që është në kundërshtim flagrant ndaj të drejtave legale e legjitime të qytetarëve të zonës kufitare. 

Andaj, duke uruar autorin  këtë botim e vlerësojmë në mënyrë të veçantë sepse është i pari me një përmbajtje të tillë, ku besoj së do të jetë një impuls pozitiv për hulumtues të tjerë që duan të merren me një çështje të tillë në zonën kufitare. Nuk ka dilemë së një çështje e tillë sa është profesionale është edhe kombëtare, sepse ka të bëjë me  popullsinë shqiptare në zonën kufitare në të kaluarën e deri në ditët tona. 

Pikërisht duke marrë parasysh këtë çështje duhet mbeshtetur të gjithë ata që do  të angazhohen  në studime e hulumtime të tilla  në të ardhmën duke mbetur si  mision profesional dhe kombëtar  sepse punët tona nuk na i kryejnë të tjerët.

                                                                                                                    Dr.Nail  Draga 

                                                 (Lexuar më rastin e përurimit në Ulqin, më 29.6.2019) 

Filed Under: Opinion Tagged With: Dr. Nail Draga-Deshmi Arkivore-Pronat AShqiperi-Mali I zi

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 920
  • 921
  • 922
  • 923
  • 924
  • …
  • 5724
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Dashuria që e kemi dhe s’e kemi
  • “Jo ndërhyrje në punët e brendshme”, dorëheqja e Ismail Qemalit, gjest atdhetarie dhe fletë lavdie
  • Arti dhe kultura në Dardani
  • Gjon Gazulli 1400-1465, letërsia e hershme shqipe, gurthemeli mbi të cilin u ndërtua vetëdija gjuhesore dhe kulturore e shqiptarëve
  • “Albanian BookFest”, festivali i librit shqiptar në diasporë si dëshmi e kapitalit kulturor, shpirtëror dhe intelektual
  • VEPRIMTARI PËRKUJTIMORE SHKENCORE “PETER PRIFTI NË 100 – VJETORIN E LINDJES”
  • 18 dhjetori është Dita Ndërkombëtare e Emigrantëve
  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT