• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

MURTAJA E BARDHË E KA PËRFSHIRË MALIN E ZI

July 25, 2019 by dgreca

Diskursi  demografik/

MURTAJA  E  BARDHË  E  KA  PËRFSHIRË  MALIN E ZI/

Të dhënat statistikore  të publikuara kohë më parë nga MONSTAT-i, dëshmojnë se  Malin e Zi e ka përfshi murtaja e bardhë e ate në 18 komuna duke dëshmuar së trendi negativ në shtimin e popullsisë vazhdon duke qenë dukuri shqetësuese për të tashmën dhe të ardhmën, që është  dëshmi e statusit ekonomik dhe social të banorëve  në periudhën postmoniste të tranzicionit demografik, çështje  e cila deri më tash nuk është trajtuar  nga ana  e pushtetit qendror  për të  marrë masa preventive ndaj kësaj dukurie  me pasoja të përgjithshme shoqërore

Shkruan: Dr.Nail  Draga/

E dhëna e publikuar nga Drejtoria e Statistikës MONSTAT-i së në 18 komuna në Mal të Zi, ka më shumë të vdekur se sa të lindur, dëshmon se dukuria e murtajës së bardhë është e pranishme. Fjala është për periudhën katër mujore të këtij viti duke cekur se shtimi natyror i popullsisë është me minus 212 banorë, nga del se aq persona më shumë kanë vdekur, se sa kanë lindur. Nëse analizojmë shpërndarjen territoriale del se pjesa ma e madhe e komunave të tilla janë në veri, ndërsa dukuria e tillë i ka përfshi edhe tre komuna në regjionin bregdetar ku përveç H.Novit e Tivarit bën pjesë edhe Ulqini.

Sipas  të dhënave nga MONSTAT-i  del se në Mal të Zi nga janari deri në fund të prillit  të këtij viti kanë lindur 2119 fëmijë ndërsa në të njëjtën periudhë kanë vdekur 2331 qytetarë. Si më parë edhe tash tretmanin e parë të murtajës së bardhë e mban gjithnjë qyteti i Plevlës, sepse në atë qytet numri i të vdekurve është për 98 më i lartë se i të lindurve. Ndërsa qyteti me lindshmëri më të lartë është Podgorica, ku shtimi natyror është pozitiv sepse numri i të lindurve është më i lartë për 144 ndaj numrit te të vdekurve.

Ndërsa në lidhje me shtimin natyror në nivel shtetëror për vitin  e kaluar në Mal të Zi kanë lindur 7260 fëmijë, ndërsa kanë vdekur 6494 qytetarë, nga del se shtimi natyror ishte pozitiv për 766 qytetarë, duke qenë  me e ulta në rritjen e numrit të banorëve në historinë e Malit të Zi.

Së shtimi natyror i popullsisë në Mal të Zi është në rënie të vazhdueshme dëshmojnë të dhënat në vitët e fundit. Kështu në vitin 2017 shtimi i popullsisë ishte 909 qytetarë, 2016:1.105, 2015:1.057, 2014:1.515, dhe 2013:1.558 banorë. Ndërsa nëse krahasojmë shtimin natyror nga viti 1991, që ishte 5.636 banorë nga del së ishte shtatë here më i lartë së vitin e kaluar, dëshmon së periudha e tranzicionit demografik vazhdon me trendin negativ, dukuri kjo e cila duhet të jetë alarmuese për të ardhmën e këtij vendi Po, një trend i tillë për njohësit e rrethanave shoqërore në Mal të Zi,  nuk paraqet ndonjë befasi por  vazhdimësi e periudhes  së mëhershme.  

Depresioni demografik

Gjendja ekzistuese në Mal të Zi në sajë të rritjes së mortalitetit vlerësohet si  depresion demografik, ndërsa nëse  kësaj kategorie i shtojmë edhe migrimin e popullsisë në drejtim  të qendrave tjera si p.sh.Podgorica, apo emigrimin në botën e jashtme, del se kemi të bëjmë me një pasiguri psikologjike për të ardhmën e popullsisë në këtë vend.
Të dhënat statistikore  të prezantuara nga MONSTAT-i të cilat  përpunohen sipas metodologjisë evropiane, dëshmojnë së popullsia në Mal të Zi ka hyrë në fazën e moshënimit, nga del se mosha mesatare e popullsisë është rreth 38 vjeçe, me trend për rritje të metutjeshme. Kësaj dukurie është duke i ndihmuar papunësia, migrimi i popullsisë së re dhe martesat e vonuara të te rinjëve duke  ndikuar në rritjen e kategorisë së të moshuarve, të cilët i kanë mbetur besnik vendbanimeve të tyre.

Regjioni verior drejt shpopullimit

Të dhënat e publikuara dëshmojnë se gjendja kritike është në 18 komuna, ndërsa në aspektin regjional, gjendja më e pavolitshme është në regjionin verior, i cili është edhe më i pazhvilluari ekonomikisht.

Nëse krahasojmë të dhënat nga regjistrimi i parë i popullsisë pas Luftës së Dytë Botërore, del se rënie më të lartë demografike është shënuar në veriun e Malit të Zi, sepse në vitin 1948, në këtë regjion kanë jetuar 47.3% e popullsisë së përgjithshme të Malit të Zi, ndërsa në vitin 2011 ishte 28.7%,  e dhënë kjo e cila viteve të fundit vazhdon më rënie të vazhdueshme. Ndërsa nëse analizojmë aspektin territorial, del se mbi 50% e territorit të Malit të Zi, banohet nga më pak së një e treta e popullsisë së përgjithshme, duke marrë përmasat e shpopullimit demografik.

Ndonëse qeveria ka treguar ndjeshmëri të paktën në aspektin mediatik, për  investime kapitale, madje duke i dhënë përparësi veriut, por siç duket të dhënat e tilla më tepër janë deklarative se sa praktike, në lidhje me zhvillimin ekonomik të veriut, sepse migrimi i popullsisë vazhdon. Andaj, nevojitet një strategji e zhvillimit regjional  me mbeshtetje financiare, që do të ishte në favor të popullsisë vendore për të qendruar më tutje në vendbanimet e tyre, në të kundërtën migrimi në drejtim të Podgoricës, dhe bregdetit në jug do të vazhdojë të jetë dukuri normale.

Shqiptarët  të rrezikuar

Përveç të dhënave të përgjithshme  sipas komunave, nuk kemi të dhëna në aspektin nacional e as fetar, që janë të  nevojshme për analiza demografike. Por, duke ditur strukturën nacionale të popullsisë sipas komunave, del qartë së kjo dukuri e ka përfshi edhe popullsinë shqiptare në këtë mjedis.

Ndonëse është komuna ma më tepër shqiptarë në Mal të Zi, një dukuri e tillë e ka përfshi edhe komunën e Ulqinit, që është e vetmja në bregdet duke stagnuar  sa i përket shtimit të popullsisë, që  shpjegohet me natalitetin e ultë dhe emigrimin e vazhdueshëm në botën e jashtme.

Ndërsa për viset tjera shqiptare pothuaj kemi shpopullim të plotë të vendbanimeve, ku ma i theksuar është  në krahinën e Krajës, sidomos në këto dy dekadat e fundit, ku në Anën e Sipërme, ku bën pjesë edhe Shestani, disa vendbanime janë pa banorë, e si të tillë i takojnë gjeografisë historike. Nga ana tjetër   Malësia është e njohur edhe me hërët si krahina me emigrim konstant, nga del së malësorë ma tepër ka disa herë ma shumë në botën e jashtme(SHBA) se sa në vet Malësinë. Dukuria e tillë më herët ka përfshi edhe  Malësinë e Rozhajës dhe atë të Plavës e Gucisë, ku këtu ka qenë e pranishme pothuaj tash një shekull, por  këtu duhet shtuar edhe dukurinë e asimilimit në boshnjak, çështje kjo e cila meriton një qasje të veçantë.

Në sajë të analizave te të dhënave duke e ditur se shqiptarët në popullsinë e përgjithshme   në Mal të Zi janë pakë(5%), murtaja e bardhë ata i rrezikon ma së shumti, përkatësisht   ekzistencën  e tyre biologjike në këtë mjedis. Më një fjalë shqiptarët janë duke përjetuar dy trende negative,  e para, duke  u zvogëluar numërikisht, dhe e dyta, duke u rrudhosur në aspektin territorial, me pasoja shumëdimensionale si asnjë popull tjetër në Mal të Zi.

Mungojnë masat preventive

Ndonëse një dukuri e tillë ka vite që është bërë pothuaj trend bashkëkohor, deri më tash nuk kemi pasur rast të degjojmë ndonjë reagim nga strukturat qeveritare.Nga një qendrim i tillë joserioz del se kemi të bëjmë me një çështje e cila iu është lënë familjeve si çështje e tyre autonome. Por, duke pasur parasysh rrethanat shoqërore, ekonomike e sociale të pavoltshme të pjesa ma e madhe e popullsisë, formimi i familjeve të reja paraqet sfidë për çdo të ri.

Në lidhje me diskursin demografik, deri më tash nuk kemi pasur rast të degjojmë se institucionet shtetërore kanë treguar ndonjë  shqetësim për të dhënë  propozime konkrete siç do të ishin ofertat ndaj çiftëve të reja, që do të ishte në favor të natalitetit dhe zvogëlimit të migrimit dhe emigrimit të popullsisë së re.

Ndërsa pezullimi i vendimit të Kuvendit të Malit të Zi për mbeshtetje financiare në formë të pensioneve për grate të cilat kanë lindur tre e më shumë fëmijë, është dëshmi e mos interesimit për çështjet demografike, në këtë mjedis.

Përfundimisht murtaja e bardhë e cila ka përfshi Malin e Zi në 18 komuna, me tendencë për të përfshi edhe komunat tjera,  duhet të jetë shqetësim për strukturat qeveritare, andaj është koha që këtij problemi duhet qasur sa më parë duke dëshmuar seriozitet profesional dhe qeveritar. Kjo çështje nuk duhet të jetë preokupim vetëm për ministrinë e punës dhe çështjeve sociale, por e tërë kabinetit qeveritar, duke marrë masa preventive, sa nuk është bërë vonë.

(Korrik 2019)

Filed Under: Opinion Tagged With: Dr. Nail draga- Mali i Zi-Murtaja e Bardhe

Simetri dhe asimetri

July 25, 2019 by dgreca

Nga Astrit Lulushi/

Megjithëse parë nga lart poshtë, njeriu nuk është simetrik, për nga gjërësia, nga e majta në të djathtë, ai është. Përveç asimetrisë së përzgjedhur, siç është ndarja e flokëve dhe përdorimi i dorës së majtë ose të djathtë, njeriu sipërfaqësisht është simetrik.
Në të gjithë vertebrorët, zemra dhe stomaku janë në anën e majtë, mëlçia dhe apendesiti në anën e djathtë. Një në dhjetë mijë njerëz e kanë zemrën në anën e djathtë. Nëse zemra është në anën “e gabuar”, të gjitha organet e tjera priren të jenë gjithashtu, gjë që i krijon kirurgut befasi nëse nuk është i përgatitur mirë, dhe ai mund të bjerë në atë që quhet ‘kurthi i pasqyrës’.
Mushkëria e djathë është më e madhe se majta, ndërsa gjysma e majtë e trurit është pak më e madhe se e djathta. Asimetritë në tru kontrollojnë shumë nga asimetritë në sjellje. Truri punon në atë mënyrë që ana e majtë e trurit të kontrollojë anën e djathtë të trupit dhe anasjelltas, pra pjesa e djathtë e trupit kontrollohet nga pjesa e majtë e trurit.
Kjo pjesë e majtë është përgjegjëse për gjuhën, leximin, shkrimin, të folurit dhe dëgjimin, ndërsa e djathta kontrollon njohjen vizuale, dhe prirjet për art e muzikë. Kështu, nëse një goditje dëmton pjesën e majtë të trurit, kjo bëhet shpesh pengesë për të folurit.
Sytë kontrollohen gjithashtu nga truri asimetrik. Kjo mund të provohet thjesht, nëse qëndroni rreth dy deri tre metra larg një objekti. Mbuloni syrin e majtë dhe vendosni gishtin para syrit të djadhtë për të mbuluar pamjen e objektit. Pastaj përsëritni ushtrimin duke mbuluar syrin e djathtë dhe duke hapur syrin e majtë. Nga ajo që do të shihni, përcaktohet nëse jeni i doninuar nga pjesa e majtë ose e djathtë e trurit.
Një nga shembujt më të njohur të simetrisë së pasqyrës është fakti se njerëzit përdorin njërën ose tjetrën dorë, por jo të dyja, për detyra të kualifikuara siç është të shkruarit. Por megjithëse një në dhjetë përdorin dorën e majtë në krahasim me të djathtën, bota është plot artefakte të krijuara me dorën e djathë në mendje, dorë e cila kontrollohet nga pjesa e majtë e trurit.

Filed Under: ESSE Tagged With: Astrit Lulushi-Simetri dhe asimetri

Ismail Kadare i përket jo vetëm Shqipërisë, por mbarë njerëzimit

July 25, 2019 by dgreca

Nga Alfred Papuçiu/



Isha i ftuar , pas kthimit tim nga Shqipëria, nga profesori i shquar zviceran, mik i shqiptarëve, Jean-Philippe Assal. Në bisedë e sipër i thashë i entuziazmuar se pata fatin të takohem dhe të bisedoj edhe me shkrimtarin Ismail Kadare. Profesori i nderuar më foli me dashamirësi për shkrimtarin tonë mbarëkombëtar që e kishte takuar gjatë vizitës së tij, para disa vitesh në Shqipëri. Më pyeti si është me shëndet ? Ju përgjigja që m’u duk tepër mirë, megjithë ngarkesën e madhe që përballon. Vetëm gjatë qëndrimit tim prej gjysëm ore, u bënë disa telefonata dhe bashkëbiseduesve të shumtë, ai u përgjigjej me respekt e dashuri. Kishte marrë çmimin e Princit të Asturias për letërsinë. Cmim që shpërblen gjithë veprën e tij. Ky çmim i jepet çdo vit që nga 1981 një njeriu « puna krijuese e të cilit përbën një kontribut të rëndësishëm për kulturën universale, në fushat e letërsisë ose të linguistikës ».Pak më parë kishte marrë edhe titullin « Doctor Honoris Causa » nga Universiteti i Palermos. Gazeta franceze “Le Monde” e cilëson veprën e tij në 100 më të mirat në botë. Shkrimtar i përkthyer në mbi 40 gjuhë të botës. Ismail Kadare «  i ka kapërcyer kufijtë për t’u bërë një zë universal kundër totalitarizmit ». Ai është cilësuar nga shkrimtarë të sërës së tij të njohur në botë si : “krijues i një universi të rallë letrar”, “illuminist dhe humanist, njeri i lirë dhe një demokrat i flaktë”, “transmetues i mendimit, ideologjisë, dëshirës për liri”. Në 2005, ai laurohet me prestigjiozen « Man Booker International ». Më tej, ai ka marrë edhe çmime të tjera.

Isha para një njeriu të madh dhe të them të drejtën e ndjeja veten pak ngushtë, pasi më dukej se po i merrja nga koha e tij e çmuar. Por ai me fjalët e tij të përzemërta më bënte të përgjigjesha, pak me ndrojtje. Me autografin e tij karakteristik, më dhuroi dy libra të tij të rinj. I dhashë edhe unë dy libra të mij, në të cilat kam shkruar edhe për të dhe më falenderoi. Por duke i parë ato në dy gjuhë, m’u drejtua ashtu thjesht : « Është punë e madhe, Alfred, të shkruash në dy gjuhë ». Ju përgjigja se e bëj që fëmijët shqiptarë në diasporë të mos harrojnë gjuhën amtare. Nuk po zgjatem në hollësitë e bisedës sonë, pasi ajo lidhet me botimet, botuesit, vendin e letërsisë sonë në Shqipëri, por dhe jashtë saj. Me dashamirësi, për shkrimtarët bashkëkohës të vendit të tij, por edhe të huaj. 

 
 

Ndërkohë, bie zilja tek dera e apartamentit të Ismailit, ai shkon vetë atje të hapë derën dhe hyjnë dy zonja. Më kërkoi falje disa minuta, por gjithmonë unë isha pranë tij. Biseda me to kaloi tek realizimi i një filmi për fisnikun tonë Ismail Kadare. Me shumë modesti, ai u përgjigj se ai është akoma në fazat e para. Megjithëse po atë ditë ai po përgatitej të shkonte për pushime, e vazhdoi bisedën me dy zonjat dhe dëshirës së tyre për të realizuar një intervistë, ai ju përgjigj pozitivisht, natyrisht pas mbarimit të pushimeve. Pas ikjes së tyre, e vazhduam bisedën në tavolinën e tij të madhe, ku nuk kishte asnjë sekretar që ta ndihmonte në morinë e gjithë atyre letrave që ai kishte marrë nga dashamirët e shumtë shqiptarë, por edhe të huaj. E vetmja “sekretare” e tij, është bashkëshortja Helena, e cila, i qëndron gjithmonë. U ndamë sikur të ishim miq të vjetër, megjithëse unë e kam takuar vetëm disa herë, kur ka ardhur në Zvicër. Më kujtohet takimi i ngrohtë me shkrimtarin Ismail Kadare, nga fundi i vitit 1994, në Universitetin e Gjenevës, kur më dha me autograf një nga librat e tij që e mbaj me kujdes, me veprat e tjera të tij, në pjesën ballore të Bibliotekës sime. Më kujtohen gjithashtu takimet e rralla me të, tek Panairi i Librit në Palekspo të Gjenevës dhe jam tepër i gëzuar kur shoh se në libraritë më të mëdha 

 

edhe në bibliotekat e shumta jo vetëm në Gjenevë, por edhe në qytete të tjerë, si në bibliotekat e organizatave ndërkombëtare, ku kam punuar, emri i Ismail Kadaresë zë një vend të veçantë. Në Bibliotekën madhështore të Pallatit të Kombeve në Gjenevë, ku kam patur fatin të punoj në fillimet e viteve 90, kërkoheshin dhe lexoheshin me kënaqësi veprat e shkrimtarit Ismail Kadare. Dhe unë isha krenar që vija nga « vendi i Kadaresë ».

E bëra këtë hyrje, të dashur lexues, jo për t’ju përgjigjur polemikës boshe të ndonjë pene shqiptare që “do të vrasë larg”. Duam a s’duam ne, Ismail Kadare nuk i përket vetëm Kombit tonë, por botës letrare europiane dhe ndërkombëtare. Ai i përket mbarë njerëzimit. Është pararendës i njohjes së letërsisë shqiptare në botë. “Gjenerali i ushtrisë së vdekur” dhe veprat e tjera të tij, hyjnë në fondin e artë të letërsisë botërore. Qysh i ri ishte ambicioz dhe energjik dhe me penën e tij shumë shpejt u imponua për të rezatuar letërsia shqiptare në Europë, megjithë censurën e diktaturës enveriane. Gazetarë të shquar, veteranë të televizionit zviceran, si Pjer Bardë, që ka realizuar me qindra e qindra emisione përfshirë edhe për etruskët, në bibliotekën e tij të pasur, ka radhitur në një vend ballor, të gjitha veprat e Ismail Kadaresë, të botuara në frëngjisht, por gjithashtu edhe në gjuhë të tjera të huaja. Enkas, në udhëtimet që kam patur fat të bëj në botë, si rezultat kryesisht i punës me organizatat ndërkombëtare, “gërmoj” në libraritë dhe bibliotekat e këtyre vendeve dhe shoh se librat e Ismail Kadaresë zenë një vend nderi në raftet e tyre. Shpesh pyes për aksh libër të Ismailit që nuk ndodhet aty dhe librashitësja thotë me dashamirësi se tanimë është blerë. Deri më sot nuk kam gjetur asnjë libër te Kadaresë në kioskat apo tezgat e shumta të librave tashmë të lexuar e stërlexuar, pasi ato ruhen në bibliotekat e njerëzve të thjeshtë, të atyre të kulturës, të artit, por edhe të personaliteteve më të larta të vendeve të botës.

Askush nuk mund ta përlyejë figurën madhore të Ismail Kadaresë dhe të letërsisë shqiptare. Për Ismail Kadarenë nuk mjaftojnë as disa qindra faqe të tëra për të shkruar për veprën e tij, për jetën e vrullshme, për karakterin tepër njerëzor, maturinë, pjekurinë, inteligjencën dhe bonsensin e tij. Ato i gjen të shkruara në qindra e qindra botime kudo në botë. Kemi fat që një “Doctor honoris causa” është shqiptar, kemi fat që vepra e tij ndodhet kudo: në Kongresin amerikan, në Bibliotekën më të vjetër të botës, themeluar në shekullin e XII-të në Oksford të Anglisë, në Universitetin Jale (SHBA), tek “Payot”, “FNAC”. Një akademik francez ka thënë për Ismailin tonë: “Toujours vous porterez l’Albanie et toujours l’Albanie vous portera” (Ju do të mbani gjithmonë Shqipërinë dhe Shqipëria do t’u mbajë). Shqiptarët, siç është shprehur vetë shkrimtari ynë, “e humbën Europën” dy herë, në radhë të parë në shekullin e XV-të, si popujt e tjerë nga zgjedha otomane; radhën e dytë, pas Luftës së Dytë Botërore, kur ranë nën thundrën komuniste; herën e tretë, megjithëse jetojnë akoma  nën “ankthin” se mos e shohin akoma veten jashtë Europës, Ismail Kadare, ithtar europian i shqiptarëve dhe ata që e pasojnë, do ta vënë në jetë aspiratën e bashkëkombasve të tyre, me veprat e tyre, për ta parë edhe Kombin tonë në Brukselin e të 27-tëve. Japonezët, Norvegjezët, Baskët, Italianët, Britanikët, Grekët, Amerikanët, Portugezët, Zviceranët dhe natyrisht Francezët kanë qënë lexuesit e parë të Ismailit tonë dhe janë besnikë ndaj tij, do apo s’do ndonjë Akademik shqiptarofolës, apo ata që për dy kacidhe hedhin anatema ndaj tij. Lexuesit e shumtë të veprës së Ismailit në botë janë mësuar të deshifrojnë qysh në kohën e diktaturës së E.H., mesazhet që përmbanin veprat madhore të Ismail Kadaresë.  Francezi i shquar Moris Dryon (Maurice Druon) ka deklaruar për Ismailin fisnik: “dëshmitar i Shqipërisë për Shqipërinë, ju u kthyet në universal” (botëror). Ismail Kadareja ka bërë shumë edhe për Kosovën. Mjafton të përmendim letrën që i ka dërguar para disa vitesh ish Presidentit Francez, lidhur me masakrat e serbomëdhenjve. Ai shkroi aq bukur parathënien e librit të Ibrahim Rugovës “Ceshtja e Kosovës” që u botua nga shtëpia botuese me prestigj “Fayard”. Anatemat kundër Ismail Kadaresë godasin indirekt dhe çdo shqiptar të ndershëm kudo qoftë. Kadareja nuk i përket vetem kombit tonë, por edhe kombeve të tjerë, ku ai ka fituar zemrat e miliona njerëzve me shkrimet e tij për Shqipërinë dhe shqiptarët. Midis të tjerëve mund të përmendim lexuesit e veprës së Kadaresë, etnologët e huaj, veçanërisht francezë, të cilët janë magjepsur nga romanet e tij, në të cilat ata kanë gjetur tema që për ta janë të shtrenjta: nderi dhe fjala e dhënë, mikriptja, martesa, por gjithashtu identiteti kombëtar, transmetimi gojor, epopeja. Vepra e tij shpesh duket, për këtë arsye, si një dritare mbi një shoqëri dhe një kulture që më parë ishin të mbyllura për etnologët e huaj, deri në 1990 dhe që për shkak të “hermetizmit” të shoqërisë shqiptare deri atëhere, ishin të panjohura në krahasim me vendet e tjera të rajonit. Ismail Kadare është cilësuar me të drejtë nga studjuesit e letërsisë botërore si “antikonformist”, “rezistues i heshtur”, “një kundërshtar i heshtur i regjimit”, deri sa u kthye në një aktivist i palodhur kundër tiranisë. Ai është një shkrimtar gjeni, vepra e të cilit u kthye në një simbol shprese. Veprat e Kadaresë tanimë janë bërë pjesë përbërëse e shpirtit të të rinjve, të atyre mësuesve atje në fshatrat e thella dhe në malet tona që lexonin veprat e tij dhe mësonin gjuhë të huaj, në vend që të ktheheshin në saharoshë kafenesh. Ismaili ishte simbol i emancipimit dhe formimit të tyre kulturor. Ai u kthye në një idhull për një numër krijuesish të rinj që guxonin të shprehnin disa mendime antikonformiste në veprat e tyre. Ismail Kadaresë ju desh të përballojë me dinjitet thëniet kërcënuese: “Dëgjo Ismail! Partia dhe populli të ngritën në Olimp. Në rast se ti nuk qëndron besnik idealeve tona, ata do të të hedhin në humnerë”. Kërcënim i hapur në praninë e gruas së Diktatorit. Por Ismail Kadare nuk ishte më një shkrimtar modest i viteve 60-të dhe veprat e tij tanimë ishin botuar jo vetëm në Francë, por edhe në vende të tjera. Inteligjenca dhe pena e tij e mprehtë ishin mbi diktaturën, o ju kritizerë qaramanë që shpini pa dashur ujë tek mulliri i serbomëdhenjve dhe atyre që duan të na denigrojnë me “mashat” tona mjerane!

 
 

Nuk dua të përmend akoma më tepër titujt që ka marrë Kadareja në Francë apo gjetiu, përveç atyre që përmendëm më sipër, apo sa kryetarë shtetesh njohin më mirë Ismail Kadarene dhe veprën e tij,  se sa një president republike të çdo vendi qoftë. Duam a nuk duam ne, ai nuk ka nevojë per ne, ne kemi nevojë për të, për gjithçka ai do të shkruajë edhe tani edhe në të ardhmen për kombin e tij të lashtë.

Për respekt të atyre që e vlerësojnë letërsinë shqipe dhe Ismail Kadarenë, po ju jap lexuesve vetëm disa pasazhe të vlerësimeve që ju bënë atij, më 28 tetor 1996,  kur ai u pranua si anëtar bashkëpunëtor i huaj i Akademisë së Shkencave Morale dhe Politike të Francës.  Ismail Kadare zuri atëhere vendin e filozofit dhe moralistit të madh Karl Popper. Presidenti i asaj Akademie Zoti Alain Plantey, ndër të tjera përmendi tiparet kryesore të personalitetit të Ismail Kadaresë dhe të veprës së tij, cilësitë e të cilave vlerësohen kudo. “Në rast se ju jeni në mënyrë të pakundërshtueshme një shkrimtar, tha ai, veprat tuaja kanë, në gjithë botën, një kuptim të fuqishëm…Duke ju zgjedhur juve, ne caktojmë natyrisht një Europian të një soji të veçantë, një Ballkanik, që për më tepër është shqiptar, përfaqësues i shquar i një prej Kombeve dhe prej kulturave më autentike ballkanike. Në rast se sot, si për shumë në Europën Qëndrore dhe Ballkanike, Shqipëria sheh drejt Perëndimit liberal, ky Perëndim, nga i cili në të vërtetë komunizmi kishte frikë, kjo është pikërisht në sajë tuajën. Ju keni treguar fuqinë etike dhe politike të mesazhit letrar, kur ai mbështetet në kurajon dhe talentin. Vendi juaj është ashtu si duket midis nesh.

Pastaj, ai ja dha fjalën anëtarit të Akademisë, Zotit Henri Amouroux, i cili ndër të tjera theksoi:

“Cilin po pranojmë ne sot: romancierin Ismail Kadare, njërin nga më të mëdhejtë të kohës sonë…Por në 1989, Ismail Kadare ka qënë zgjedhur anëtar korespondent i seksionit të historisë dhe gjeografisë të Akademisë sonë. Një romancier në seksionin tonë të historisë dhe gjeografisë?  Më kujtohet atëhere, Ismail, se u thashë kolegëve të mij, i bindur menjëherë se e gjithë vepra juaj ishte e pandarë nga gjeografia e një vendi që Ptolemeu, i pari, e quajti Albanoï, emër që mendohet se ai i referohej në këtë mënyrë maleve, këtyre maleve, që zënë dy të tretat e territorit, që ishin strehë jo vetëm e të gjitha rezistencave ndaj të gjithë pushtuesve, por gjithashtu e muzikës, valleve, kostumeve, dhe ajo që është kryesorja e gjuhës shqipe”.

Mjafton kaq për të respektuar Ismail Kadarenë, i cilësuar „fenonem“, një shqiptar bashkëbesëlidhës i yni, pasi duam as nuk duam, ai  është i respektuar nga njerëz modestë, letrarë, shkrimtarë, historianë, shkencëtarë, por edhe Presidentë të botës mbarë.

Të heq Kapelen miku im i mirë, modest, por penë artë, Ismail dhe ty Helenë që ke qëndruar gjithmonë pranë tij në Shqipëri, Francë e gjetiu, ku ju kanë shpënë rrugët e jetës,  si në Guernessey për Hygoin ka qënë Zhulieta dhe për Soljeniçinin ka qënë Matriona. Ju keni qënë për të “një mbështetje edhe në çastet më të errëta të vetmisë dhe të braktisjes”, por edhe në çastet dhuratë të lavdisë së tij të merituar të sotme. Së bashku ne do bëjmë çmos dhe do ndikojmë që Njeriu ynë i Madh, Ismail Kadare të marrë faktikisht çmimin “Nobël” që e ka merituar prej kohësh.

Gjenevë, më 22 korrik 2019

Filed Under: Politike Tagged With: Ismail Kadare-Shkrimtar I made-Alfred Papuçiu

GJITHMONË QOFSH ME FAQE TË BARDHË, RAMUSH HARADINAJ

July 25, 2019 by dgreca

GJITHMONË QOFSH ME FAQE TË BARDHË, RAMUSH HARADINAJ/

                                              Nga Frank Shkreli

 Unë nuk jam as gjykatës, as prokuror dhe as avokat, për të vendosur ose për të mbrojtur fajësinë ose pafajësinë e kujdo qoftë.   Por është mbresëlënse reagimi –si njeri dhe si politikan – i Kryeministrit-në- detyrë -i Kosovës, Z. Ramush Haradinaj ndaj ftesave për paraqitje në Gjykatën e Hagës, për t’iu përgjigjur pretendimeve të sajuara nga Serbia, për gjoja krime lufte nga antarët e ish-Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.   Haradinaj doli të mërkurën para Prokurorisë së Posaçme në Hagë, pasi disa ditë më parë, kishte dhënë dorëheqjen nga detyra e Kryeministrit të Kosovës.   Kjo nuk ishte paraqitja e parë e Ramush Haradinajt në Hagë dhe as dorëheqja e parë e tij e tij nga detyra e Kryeministrit, në përgjigje të kërkesës së Hagës për t’u përballur me pretendimet kundër tij për krime lufte.  Më heret, Z. Haradinaj është shpallur dy herë i pafajashëm nga Gjykata Ndërkombëtare dhe pas paraqitjes të mërkurën, ai është shprehur për median se edhe kësaj radhe nuk pret ndonjë ndryshim nga pafajësia e shpallur më heret.

Ramush Haradinaj, po zbaton ligjin, si qytetar i thjeshtë dhe si Kryeministër i Republikës së Kosovës.   Ai iu përgjigj ftesës së Prokurisë së Posaçme në Hagë, si qytetar i Kosovës, por jo si Kryeministër i vendit, pasi kishte dhënë dorëheqjen nga kjo detyrë, para se të niseej për në Hagë, me arsyetimin se e konsideronte dorëheqjen e tij si të domosdoshme dhe në interes të vendit.   Haradinaj tha për median se pas ftesës për tu paraqitur në Hagë, ai dha dorëheqjen nga detyra e Kryeministrit me përgjegjësinë e plotë se nuk donte që madje edhe simbolikisht, të dukej sikur po hetohej dhe gjykohej vet qeveria dhe Republika e Kosovës. Ai u shpreh se, “Kryetari i qeverisë kur del para një hetuesi, ka dalë qeveria, ka dalë shteti. Janë me rëndësi këto tema, të kemi kujdes, për këtë arsye për të respektuar shtetin të cilin me zor e kemi krijuar dhe ende është në rrugë e sipër për t’u bërë i barabartë me të gjitha shtetet në arenën ndërkombëtare, në OKB, në BE dhe e kam dhënë një shembull të respektimit të ligjit”, tha zoti Haradinaj.

Kryesisht, unë nuk kam asnjë preferencë të veçantë politike ndaj udhëheqsve politikë shqiptarë.   Por me dorëheqjen e fundit si dhe dorëheqjet e mëparshme kur është thirrrur nga gjykata, Ramush Haradinaj, në traditën më të mirë të patriotëve shqiptarë, ka dhënë shembullin më të mirë–me faqe të bardhë –duke venë interesat e Kosovës dhe të Kombit, para interesave të tija personale dhe partiake.  Në një intervistë për Radion Evropa e Lirë ditët e fundit, Z. Haradinaj tha se, ai “E ka dëshmuar pafajësinë e tij dy herë” dhe se ka dhënë dorëheqje nga pozita e kryeministrit, të cilën e mbajti nga viti 2017, “Për ta ruajtur nderin e shtetit dhe të kryetarit të qeverisë”.   Gjëja që të bën përshtypje në rastin konkret, është fakti se, Z. Haradinaj e konsideron dorëheqjen e vet  – ndryshe nga shumica tjetër e politikanëve shqiptarë — si pjesë e procesit demokratik, si të pritshëm dhe normal, në një vend ligjor e demokratik, në mbështetje të sigurisë dhe paqës në vend dhe në përputhje me kushtetutën dhe me aspiratat e Kosovës për integrimin e saj në organizmat euro-atlantike, përfshirë antarësimin e saj në NATO dhe në Bashkimin Evropian.   Zoti Haradinaj, me ketë vendim tregon gjithashtu se nuk ka frikë as nga verdikti i votuesve të Kosovës, duke ua lënë atyre vendimin përfundimtar për të vendosur se kush do t’i qeverisë ata në vitet e ardhëshme.   Pas dorëheqjes nga detyra e kryeministrit, ai ka bërë thirrje për zgjedhje të reja, me plot besim në procesin demokratik dhe të konkurencës midis partive politike, duke shtuar se edhe ai do të jetë pjesë e atij procesi, por duke thekësuar se nëqoftse populli nuk i jep atij besimin, Ramush Haradinaj deklaroi se, në atë rast, fituesve “u dëshiroj sukses në marrjen e besimit kushdo qoftë, por Kosova do të ecë përpara”.

A e keni dëgjuar një deklaratë të tillë nga ndonjë politikan tjetër të karjerës, qoftë në Kosovë, qoftë në Shqipëri?  Cilido qoftë vendimi i popullit të Kosovës në zgjedhjet e ardhëshme ose verdikti i Gjykatës së Posaçme, Ramush Haradinaj, si patriot i vërtetë, na thotë qysh tashti:  Rroftë Kosova dhe Shqiptaria edhe pa mua si politikan, vetëm “Kosova le të ecë përpara”, siç u shpreh ai këto ditë.   

Ramush Haradinaj ka luftuar për Atdhe, familja e tij ka flijuar për Atdhe dhe tani ai ka vendosur që të mos pushojë së punuari për Atdhe, duke nderuar Atdheun.

E kam thënë shpesh se shqiptarët duhet të zgjohen nga kllapia dhe të marrin fatin e vet në dorë, pas sundimeve kriminale dhe të mbrapshta për pothuaj 50-vjetë komunizëm dhe pas 30 vjetë post komunizëm – e njohur si një periudhë e konflikteve politike midis partive –, nëqoftse duan të përballen me sfidat dhe të shënojnë përparimet e nevojshme për shekullin 21.    Në marrveshje me njëri tjetrin, shqiptarët duhet të ndërmarrin një fillim të ri politik, duke kërkuar nga përfaqsuesit e tyre të zgjedhur, që mbi të gjitha, t’i shërbejnë Atdheut.   T’u shërbejnë interesave të popullit e jo interesave partiake, personale dhe korrupsionit mbarë kombëtar, ndërkohë që, si pasojë, shqiptarët, e sdimos rinia, po largohet masivisht nga trojet e veta, si pasojë e mjerimit ekonomik, korrupsionit, konflikteve plitike dhe mosmarrveshjeve që kanë dalluar klasën politike të 30-viteve të kaluara.   Zgjedhjet, pse jo edhe të parakohshme, normalisht, do të duhej të shërbenin për një fillim të ri, duke përfshirë njerëz të ri në politikë me programe dhe ide të reja, me premtimin për një të ardhme më të mirë dhe me përkushtim serioz ndaj shërbimit publik dhe të mirës së përbashkët. 

Fatbardhësisht, shqiptarët në përgjithësi, deri tani gëzojnë ende mbështetjen e miqëve perëndimorë, sidomos mbështetjen e vazhdueshme të miqëve tradicionalë siç janë Shtetet e Bashkuara dhe disa shtete të rëndësishme të Bashkimit Evropian.   Por shqiptarët, qoftë në Shqipëri qoftë në Kosovë, nuk do t’i marrë kush seriozisht nëse vazhdojnë të veprojnë të ndarë e të përçarë politikisht, sidomos kur kemi të bëjmë me interesat madhore të Kombit, siç janë ndarja ose shkëmbimi i territoreve, e mbi të gjitha sovraniteti dhe pavarësia e dy shteteve shqiptare.   Këto janë çështje madhore rreth të cilave e mbarë politika shqiptare duhet të flasë me një zë.   Për zgjedhsit shqiptarë, është ora për t’u zgjuar, para se të bëhet vonë.

Rasti i fundit i Ramush Haradinajt dhe i ish-pjesëtarë të tjerë të UÇK-së nga Kosova, të thirrur për tu paraqitur në Hagë, është pjesë e një plani ogurzi e të errët që kanë hartuar armiqtë e Kombit shqiptar, në përpjekjet e tyre për të minuar legjitimitetin e pavarësisë së Republikës së Kosovës, sidomos në fushën ndërkombëtare.   Do të ishte fatzi fakti nëqoftse politika zyrtare e Tiranës dhe Prishtinës do të bëhej — dashtë e pa dashtë–pjesë e përpjekjeve të pabesa të Serbisë e të Rusisë, jo vetëm ndaj interesave të dy shteteve shqiptare, por edhe ndaj vetë ekzistencës në trojet e veta dhe identetitetit kombëtar të shqiptarëve në trojet e veta.   Gabim janë ata udhëheqës shqiptarë – qoftë në Tiranë, qoftë në Prishtinë — që jetojnë dhe veprojnë në një realitet romantik mashtrues. 

Zhvillimet e fundit në rajon, përfshirë thirrjen e Kryeministrit në detyrë të Kosovës, Z. Ramush Haradinaj dhe ish-antarëve të tjerë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës për t’u marrë në pyetje në Hagë, kërkon bashkpunimin e domosdoshëm të gjithëve pa dallim si dhe angazhimin e plotë politik dhe diplomatik të Tiranës dhe Prishtinës zyrtare,  për të mbrojtur, jo vetëm lirinë dhe të drejtat e çdo shqiptari kudo — por mbi të gjitha, për të mbrojtur të drejtat, sovranitetin dhe kufijtë e dy shteteve shqiptare.   Çdo gjë më pak se kaq, do të ishte thikë në shpinë ndaj interesave të Kosovës, të Shqipërisë dhe të mbarë Kombit.   

Me qëndrimet dhe veprimet e tija të fundit, përfshirë dorëheqjen nga detyra e Kryeministrit, me thirrjen për zgjedhje të reja në Kosovë dhe paraqitjen e tij vullnetarisht përsëri në Hagë, Z. Ramush Haradinaj ruajti, jo vetëm nderin e shtetit dhe të qeverisë së Republikës së Kosovës, por doli edhe vet me faqe të bardhë. 

Filed Under: Featured Tagged With: Frank Shkreli-Faqebardhe-Ramush Haradinaj

Kur t’a prishim Shqipërinë, ku do të vemi?

July 24, 2019 by dgreca

E THA KONICA : SHQIPTARËT VAZHDOJNË TË ÇQEVERISIN SHQIPËRINË SIÇ PATËN ÇQEVERISUR TURQINË!/

Në Gazetën “DIELLI” të 17 Qershorit 1922, Konica publikoi në faqen të parë të Diellit një karikaturë me emërtimin: dy “ekselenca”-burra shteti” dhe poshtë shënimin:

– Kur t’a prishim Shqipërinë, ku do të vemi?

– Do të vemi atje ku kemi vënë paratë në bankë.

-Po pse të mos rrimë të hyjmë në shërbim t’atyre që ua shesim Shqipërinë?

-S’do të na qasin!…Se tradhëtorëve as armiku nuk u zë besë!

Për kë e kishte fjalen Faiku më 1922?

Për të gjithë ata që rrjepin dhe shesin Atdheun!

Që kur proklamua pavarësia e Shqipërisë, Konica paralajmëroi”baballarët e kombit”që të mos ngrenë një Turqi të vogël në Shqipëri; të mos ngrenë një bina të re me qereste të vjetër!

Fatkeqsisht këshillat e Konicës shkuan kot. Mbeturinat e Turqisë u kthyen në Shqipëri, u rehatuan në kolltukë dhe vazhdojnë të çqeverisin Shqipërinë edhe sot e kësaj dite ashtu siç paraardhësit e tyre kishin çqeverisur Turqinë…Zot, ktheji në rrugë të mbarë që të shpëtojë Shqipëria e mbetur…! Amin!

Filed Under: ESSE Tagged With: Faik Konica- Cqeverisja e Shqiperise

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 937
  • 938
  • 939
  • 940
  • 941
  • …
  • 5724
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare
  • Në sinoret e Epirit…
  • Mbrëmë hyri në fuqi Ligji i SHBA për autorizimin e mbrojtjes kombëtare
  • Skënderbeu “grek”, ose si të bëhesh grek pa e ditur
  • A historic moment of pride for the New Jersey Albanian-American community
  • U zhvillua veprimtaria përkujtimore shkencore për studiuesin shqiptaro-amerikan Peter Prifti
  • Dashuria që e kemi dhe s’e kemi
  • “Jo ndërhyrje në punët e brendshme”, dorëheqja e Ismail Qemalit, gjest atdhetarie dhe fletë lavdie
  • Arti dhe kultura në Dardani
  • Gjon Gazulli 1400-1465, letërsia e hershme shqipe, gurthemeli mbi të cilin u ndërtua vetëdija gjuhesore dhe kulturore e shqiptarëve
  • “Albanian BookFest”, festivali i librit shqiptar në diasporë si dëshmi e kapitalit kulturor, shpirtëror dhe intelektual
  • VEPRIMTARI PËRKUJTIMORE SHKENCORE “PETER PRIFTI NË 100 – VJETORIN E LINDJES”

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT