• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Abetaret e para të shkrimit të shqipes, fillesa të letërsisë shqipe për fëmijë

December 5, 2025 by s p

Prof.as.dr. Jonela Spaho/

Gjuha është qënësia e shpirtit të një kombi. Përpjekjet për shkrimin e shqipes dhe krijimit të një alfabeti të saj, kanë qënë probleme që kanë preokupuar vazhdimisht eruditët, ideologët dhe gjuhëtarët, veçanërisht në periudhën e Rilindjes sonë, ku gjuha u pa si elementi vendimtar i përhapjes së kulturës, dijes dhe arsimit. Emancipimi i një kombi fillon nga gjuha e tijdhe proceset letrare, në shumë vende të botës, kanë qënë domosdoshmërisht të lidhura me procesin e shkrimit dhe zhvillimit të gjuhëve kombëtare. Mjafton të përmendimin periudhën e humanizmit evropian, ku vlerësimi për njeriun u bë njëkohësisht me vlerësimin e gjuhës popullore dhe jo më kot, Dante i madh e shkroi “Komedinë hyjnore “ në gjuhën e popullit, pra në gjuhën italiane dhe jo latine, që konsiderohej në atë kohë si gjuha e kulturës. E përmendëm këtë, për të theksuar se problemi i një alfabeti për të shkruar gjuhën shqipe, për të krijuar një letërsi të shëndoshë, që do të mbështetej fuqishëm në një gjuhë të shkruar dhe të njehësuar, do të bëhej preokupimi themelor i romantikëve tanë, i ideologëve dhe shkrimtarëve që shihnin, njëkohësisht, te gjuha një kulturë dhe një emancipim shoqëror dhe shpirtëror.

Kjo e dyta lidhet detyrimisht me procesin letrar, sepse shkalla e zhvillimit të proceve letrare është njëkohësisht dhe balanca e zhvillimit kulturor e shpirtëror të një kombi.

Natyrisht, në kushtet e rënda të një okupimi shekullor, ku padija, injoranca dhe prapambetja ishin thembra e Akilit, dhe ku numri i analfabetëve ishte tragjik, shtrohej detyra e shkrimit të shqipes, në mënyrë që ajo të arrihej të mësohej në shkollat fillore të Shqipërisë, kryesisht nga fëmijët shqiptarë. Hapja e një rrjeti shkollash shqipe, që zuri vendin kryesor në ideologjinë e Rilindjes sonë, lidhej domosdoshmërisht me hartimin e abetareve për mësimin e kësaj gjuhe dhe të copave të leximit që do të shoqëronin këto abetare. I detyrohemi veçanërisht periudhës së Rilindjes sonë që, si në të gjitha fushat e jetës shpirtërore dhe materiale, dha kontributin e pakrahasueshëm dhe në fushën e letërsisë sonë për fëmijë dhe kjo njihet së pari si meritë e abetareve të para të shkrimit të shqipes, të cilat veç të tjerash ishin të pajisura me tekste leximi për dhënien e njohurive dhe mësimin e gjuhës.

Por duke ditur që një nga qëllimet kryesore të rilindasve ishte dhe edukimi i brezit të ri, te i cili ata shihnin ardhmërinë dhe që letërsia për fëmijë misionin e parë ka edukimin, këta autorë të parë të abetareve kanë meritën se, me pjesët e tyre të leximit hapën siparin e letërisë së shkruar shqipe për fëmijë. Ndërkohë që shekulli i XIX, për të cilin po flasim, kishte krijuar kryevepra të pavdekshme në thesarin e librit për fëmijë, duke nxjerrë Andersenin, Grimët e mëdhenj, Koladin, Karolin, Tuenin, De Amiçin, me vepra që dhe në kohrat moderne vazhdojnë të tregojnë se si shkruhet një letërsi për fëmijë, ajo e jona po hidhte hapat e saj, e brishtë, e varfër, e vogël, po megjithatë ekzistente, si për të treguar se dhe në mes të shkretëtirës mund të gjendet një oaz, mund të mbijë një filiz.

Megjithëse shkëputja e letërsisë sonë për fëmijë nga abetaret dhe librat e këndimit ishte mjaft e vonë, përsëri ne mund të pohojmë me bindje se kjo letërsi, së paku deri në gjysmën e dytë të shekullit të XIX, bëri jetën e vet pikërisht në këto abetare dhe u zhvillua si letërsi artistike plotësisht në funksion të shkollës shqipe dhe të mësimit të gjuhës amtare, të përhapjes së dijes jo vetëm te të vegjlit, por dhe te analfabetët e rritur, pra u zhvillua në funksion të edukatës kombëtare të të gjitha moshave.

Por le të ndalemi më konkretisht te tri abaterat e para të shkrimit të shqipes, për të hetuar në to fillesat e letërsisë për fëmijë, dhe për të parë se cila prej tyre shënon fillimin e kësaj letërsie. Akademiku Bedri Dedja thekson se: “Letërsia origjinale artistike për fëmijë , me sa dimë gjer tani në bazë të të botimeve të njohura, fillon me veprën e Kristoforidhit. Alfavitari është vepra e parë origjinale e Kristoforidhit për fëmijë”. Afavitari i Kristoforidhit,i cili përmban copza leximi nga bibla, portrete kafshësh dhe shpendësh, vjershën “Ylli i vogël lart në qiell” dhe përrallën “Dy dhitë “, sigurisht është një nga kontributet më të mëdha të fillimit të letërsisë sonë për fëmijë, me vlerë të pamohueshme, por nëse ndalemi te “Evëtari” i Veqilharxhit dhe vështrojmë me kujdes anën letrare të tij, del se fillimet e letërsisë origjinale shqipe për fëmijë duhet t’i kërkojmë pikërisht atje. Këtë e thekson dhe Prof.Rexhep Qosja, i cili thotë: ” Pas Naum Veqilharxhit, ndër shkrimtarët e romantizmit tonë që do t’i kushtojnë kujdes letërsisë për fëmijë, dallojmë Kostandin Kristoforidhin, i cili në “Alfavitarin shqip” do të botojë disa copa letrare për fëmijë, kurse në dorëshkrim do të lerë dhe vjershën e përshtatur prej letërsisë angleze ”Ylli i vogël lart në qiell” dhe Sami Frashëri, i cili në “Abetaren e gjuhës shqip”, të botuart në vitin 1886, do të sjellë një sërë prozash të shkurtra pëtr fëmijë.”

Ky pohim i Prof. Qoses është i saktë për sa i përket Naum Veqilharxhit, i cili cilësohet prej tij si shkrimtar për fëmijë. Ka disa arsye pse duhet të vlerësojmë Veqilharxhin të tillë:

Së pari, sepse në fletën e parë të abetares së vitit 1844 gjendet strofa e një poezie shqip me titull “Epar e të mësuarit frikë e perëndisë”, ku autori reket të japë një shpjegim të vështirësive që mund t’i dalin kujtdo kur nis një punë, duke pasur parasysh veten dhe ata që do të mësojnë shqip me këtë evëtar, dhe gjithashtu në faqen e dytë të abetares së një viti më pas, ai vendos një tjetër vjershë me katër vargje: “Kurkush në mënt të vet./ Mos mburet se ndiçfet./ Pa dashun i madhi zot./ Fletë pema s’lëshon dot”. Siç e shohim, këto dy strofa të tij nuk janë pa vlera letrare, ato janë brenda stilit të tij të këshillave dhe porosive morale, me ngjyresë fetare, gjë që ai do ta zhvillojë më tej në porositë dhe fjalët e urta që do të botojë në abetaren e dytë. Këto dy strofa origjinale shënojnë, pa dyshim, fillimin e letërsisë shqipe për fëmijë.

Së dyti, ai boton një sërë porosish morale dhe fjalë të urta dhe këto përforcojnë profilin e tij si shkrimtar që inicion letërsisë për fëmijë, sepse dihet se qëllimi kryesor i letërsisë për fëmijë është edukimi, pavarësisht se te këto fjalë të urta spikat dukshëm moralizimi i hapur, gjë që është e kuptueshme për stadin fillestar të zhvillimit të kësaj letërsie. Këto porosi më pas do t’i shohim të shfaqura në një formë apo tjetër dhe te Samiu, Mjeda, Naimi etj. Porositë e tij janë të ngjashme me porositë biblike: ”ndero prindërit, ndero zotin, mos vidh, mos i bëj keq tjetrit, mos u zi, trego fajin mos u mburr” etj. Këtij funksioni i përgjigjen dhe 16 pjesët e shkëputura nga historia e Dhjatës së Vjetër, të cilat ai i quan ”mpsomje”, në të cilat spikat aftësia e tij selektive për të sjellë 16 histori moralizuese dhe filozofike nga Libri i Shenjtë dhe që iu vlejnë fëmijeve.

Së treti, pavarësisht se këto shkrime nuk u takojnë gjineve dhe llojeve letrare, nuk mund të mos vërehet vlera letrare artistike e gjuhës së tyre. Në këto shkrime mund të vërehen vlera estetike, të cilat duken sidomos në naracionin e thjeshtë, të qetë dhe pa teprime, në nelogjizmat që përdor ai, jo vetëm për pastëritnë e gjuhës, por dhe për t’i dhënë frazës ngjyrim emocional. ”Veqilharxhi shkruan me një gjuhë të urtë dhe poetike që është gjuha e shkrimeve profetike

Nga sa theksuam më sipër, nuk ka dyshim se Veqilharxhi me “Evëtarin” e tij shënon fillimin e letërsisë sonë për fëmijë. Shtypi rumun i kohës në një artikull të Raduleskut, na e vërteton këtë kur shkruan: ”Meriton të kihet parasysh dhe të lavdërohet përpjekja për të cilën ky burrë i kulturuar, 20 vjet të jetës së tij iu kushtoi shpikjes së këtyre shkronjave, po përpiqet ky vëllai juaj që t’u japë bazat e një letërsie”.

Më pasdo të ishte Kostandin Kristoforidhi me” Abetar shqip” (1872), (A.Bishqemi argumenton në një shkrim të tij se kjo abetare duhet të mbante si vit botimi 1866, për disa arsye që ai i parashtron aty), që siç u përmend më sipër është vepra e parë origjinale e tij për fëmijë, në të cilin do të përfshiheshin copa me karakter letrar dhe tregime fetare, të cilat janë të ilustruara me skica dhe këshilla për fëmijë. Kristoforidhi shkon një hap më përpara se Veqilharxhi, jo vetëm me pastërtinë e gjuhës, me afrimin që iu bën ai dialekteve, por në këto copëza ai paraqitet dhe një njohës i mirë i botës dhe psikologjisë së fëmijve. Ashtu si Veqilharxhi dhe ai iu referohet së pari teksteve biblike, Dhjatës së Vjetër dhe të Re, të cilën ai e njeh shumë mirë dhe si përkthyes i teksteve biblike.Ai iu referohet këtyre shkrimeve duke selektuar copëza të këndshme leximi me mesazhe të fuqishme edukuese, ashtu siç di të mësojë vetëm “Libri i Librave”. Por Kristoforidhi nuk qëndron vetëm këtu; nga copëzat me karakter fetar ai kalon në artikujt letraro – shkencorë, duke na dhënë një sërë portrete kafshësh dhe shpendësh me një rigorozitet të madh shkencor. Shkurt, qartë dhe në mënyrë që fëmija ta thithë sa më shpejt njohurinë, ai jep cilësitë kryesore të kafshëvë, llojet në të cilat ndahen, si ushqehen, si jetojnë etj, dhe e gjitha kjo në jo më pak se 20 rreshta. Ai mundohet të fusë në këto copëza humorin si dhe shembujt nga jeta, psh tek “Merimanga” ai thotë: ” Çunat e këqinj janë si merimanga që gënjejnë të tjerët, për t’i prishur të tjerët dhe ata që venë prapa tyre janë porsi mizat budallaqe, që shkojnë me këmbët e veta dhe bien në lak”.

Veçanërisht duhet përmendur te abetarja e Kristoforidhit vjersha “Ylli i vogël lart në qiell” , që mund të cilësohet pa frikë si një nga poezitë më të bukura për fëmijë që dhe sot vazhdon të zërë vend në tekstet shkollore. Kjo vjershë është frymëzuar nga poetet angleze En dhe Xhejn Tejlor, të cilat në vitin 1804 botuan përmbledhjen e tyre poetike për fëmijë, ”Poezi origjinale për mëndje fëminore”, e cila përbën një nga kryeveprat poetike për të vegjlit në shekullin e XIX dhe poezia më e mirë e këtij vëllimi është cilësuar nga kritika “Thë stars at night”. Prof Odise Grillo në veprën e tij “Panoramë letrare”, ka mundur të sjellë versionin original të kësaj poezie, përkthimin e poetit Zyber Elshani dhe vjershën e Kristoforidhit dhe duke i krahasuaar këto tre krijime del se Kristoforidhi ka bërë një krijim original dhe të papërsëritshëm duke marë prej motrave Tejlor vetëm simbolin e yllit dhe të qiellit. Vjersha me të drejtë mund të cilësohet si një perlë e krijimit artistik në vargje për fëmijë. Vlen të përmendim në këtë kuadër dhe përrallën “Dy dhitë”, ku ai shfrytëzon me mjeshtëri një motiv ezopik, për të dhënë më pas një krijim original me vlera artistike dhe morale, ku tregohet se ku e çon njeriun toleranca dhe mungesa e saj.

Fillesat e letërsisë për fëmijë në abetaret e para mbyllen me “Abetare e gjuhës shqip”(1886) e Sami Frashërit, e cila i kalon kufijtë e tekstit shkollor me artikujt tregimet e përrallat që përmban. Samiu në këtë abetare paraqitet jo vetëm si linguist dhe pedagog i shquar, por dhe si shkrimtar për fëmijë, sepse pjesët e abetares së tij janë shembull i gjuhës letrare shqipe dhe janë shkruar në mënyrë të tillë, që së bashku me mësimin e gjuhës shqipe të ngjallin tek të vegjlit ndjenja fisnike dhe t’ju rrënjosin atyre koncepte të drejta morale.

Si shkencëtar,i kombinuar më së miri me pedagogun, ai krijon artikuj letrarë më karakter mësimor si delja, fotografia, anija etj, të cilat kanë karakter diturak dhe japin njohurinë e domosdoshme për mëndjet fëminore. Pra, ndryshe nga Kristoforidhi, ai e shtrin rrezen e vështrimit jo vetem mbi objekte të botës shtazore, por dhe asaj materiale e kozmike.

Atë frymë edukuese dhe moralizuese profetike, që Veqilharxhi dhe Kristoforidhi e përcollën me tregimet biblike, Samiu e përcjell me përallat e tregimet e tij origjinale, të cilat janë vërtet tërheqësë dhe me vlera letrare. Tregimet: “Të vijë keq për gjërat me shpirt”, “Mos e fshih fajin “, “S’ka googol” etj, ai i harton bukur me shëmbuj të gjallë nga jeta e fëmijve, pa nguruar të japë në to mësimin moral.

Ndërsa përrallat janë kryeveprat e tij në prozë, të cilat dhe pse të marra nga subjekte të njohura popullore ose fabulistike, flasin shumë për aftësinë e Samiut si mjeshtër për depërtimin në botën e fëmijve. Katër përrallat më të bukura të abetares janë; ”Dheu është flori”, “Mbollën të tjerët ha ti, mbill ti të hanë të tjerët”, ”Kush s’punon mbetet i uritur” dhe “Fili”. Ajo që të bie në sy menjëherë, është se tematika kryesore e tyre fokusohet tek puna. Me sa duket, Samiu si pedagog e ka kuptuar se një ndër vlerat kryesore për edukimin e njeriut është puna.Ndërsa tregimi “Soloni dhe Krisua”, nga mesazhi që përcjell dhe vlerat artistike, është më e realizuara në gjithë prozat e tij. Mesazhi filozofik që ai përcjell përfshin gjithë moshat, duke na dhënë mësimin e madh se: ” Të lumturit s’bëhet vetëm me pasje, se shumë të pasur janë aq të mjerë sa u kanë zili të varfërve”. Dhe vjen dita që Krisua kupton drejtësinë e fjalëvë të Solonit dhe gjen në to të vërtetën e përjetshme.

Gjithë sa përmëndëm më sipër padyshim vlejnë të cilësonen jo vetëm si fillesa, por dhe si zhvillimi i letërsisë sonë për fëmijë, e cila gradualisht, nga abetarja në abetare, nga njëri libër shkollor te tjetri, reket ta çajë kornizën e këtij kuadri dhe të dalë si degë e pavarur në trungun e letërsisë së kombit tonë. Këto fillesa të rëndësishme vendosën themelet e shëndosha, mbi të cilat u zhvillua gjithë letërsia jonë për fëmijë, jo vetëm gjatë Rilindjes, por dhe më tej.

Filed Under: LETERSI

Valon Nikçi, një shqiptar pjesë e ekipit të Kongresistit George Latimer në sektorin e Task-Forcës për Punësimin dhe Ekonominë

December 5, 2025 by s p

Intervistoi: Sokol Paja/

1.Çfarë do të thotë për Valon Nikçin që të jetë pjesë e ekipit të Kongresistit George Latimer në sektorin e Task-Forcës për Punësimin dhe Ekonominë?

Është një nder dhe përgjegjësi e madhe të jem pjesë e Task-Forcës për Punësimin dhe Ekonominë të Kongresistit George Latimer. E prita me mirënjohje dhe motivim. Ndihem i privilegjuar që mund të kontribuoj me përvojën time në biznes dhe të sjell zërin e komunitetit tonë në një tryezë kaq të rëndësishme.

2.Ku do përqëndrohen politikat ekonomike që forcojnë ekonominë lokale e që mbështesin bizneset e vogla?

Fokus do të jenë politikat që forcojnë ekonominë lokale, mbështesin bizneset e vogla, krijojnë mundësi pune dhe lidhin punëdhënësit me fuqinë punëtore. Dua që zgjidhjet të jenë praktike dhe të funksionojnë realisht për familjet dhe sipërmarrësit.

3.Cila është forca dhe pesha e komunitetit shqiptar në Westchester? A janë shqiptarët të integruar në institucione vendore?

Komuniteti shqiptar ​në Westchester është një forcë e madhe​ me mbi 30,000 shqiptarë. Jemi të integruar dhe kontribuojmë në çdo fushë: arsim, shëndetësi, biznes, ligj, art dhe institucione lokale. ​Ka mundësi dhe mënyra të integrohemi edhe më shumë në institucione vendore. Jemi një komunitet model në Westchester​ por edhe në SHBA.

4.Cilat janë nismat kryesore të kryesuara prej jush në dobi të komunitetit shqiptar në Westchester?

Kam bashkëdrejtuar disa projekte të rëndësishme: ​themelimin e Albanian American Club of Westchester, ​bashke themelimin e shkolles shqipe si pjese e AACW si dhe angazhimin me ​kongresistë të ndryshëm që kan të bëjnë me komunitetin tonë këtu por edhe atdheun.

5.Cilat janë projektet për të ardhmen e “Klubit Shqiptar të Westchester”

Disa nder projektet e Albanian American Club of Westchester jane: regjistrimi ​i shqiptarëve që të votojnë, sepse vota jonë është zëri ynë dhe fuqia jonë.​ Futja e librave ne gjuhën shqipe në libraritë e Westchester County. Pastaj projekti për të moshuarit, dhe të tjera projekte që p​rekin dhe ndihmojnë të gjitha shtresat e komunitetit shqiptarë në Westchester. Më shumë evente kulturore, projekte për të moshuarit dhe synimi afatgjatë për një qendër komunitare shqiptare në Westchester.

6.Kush është Valon Nikçi?

Jam një shqiptar nga Kosova që erdha në ShBA si refugjat lufte në vitin 1999. Sot jam sipërmarrës dhe themelues i Link NY Realty. Përveç biznesit, jam i përkushtuar ndaj komunitetit ​shqiptaro-amerikan përmes Albanian American Club of Westchester dhe angazhimeve të ndryshme ​ne jeten amerikane​ si pjese e bordeve te ndryshme qoftë përmes odave ekonomike, Rotary Club ehe organizatave tjera amerikane. Besoj se suksesi ka vlerë vetëm kur ndahet me komunitetin​.

Filed Under: Politike Tagged With: Sokol Paja, Valon Nikçi

Dega e Vatrës në Boston shpalli kryesinë

December 5, 2025 by s p

Të nderuar miq,

Me kënaqësi ju prezantojmë përbërjen e re të kryesisë së VATRËS në Boston, e cila do të punojë me përkushtim për të forcuar dhe zhvilluar aktivitetet e degës sonë.

Nënkryetar: z. Kastriot Fetahu

Arkëtare: znj. Dorjana Dhima

Sekretar: z. Flamur Vezaj

Anëtarë të bordit:

z. Jorid Çelaj

z. Andrea Pani

z. Klajdi Haruni

Gjatë gati dy viteve me shumë aktivitetet dhe ringritjen e VATRËS në Boston, do të vazhdoj punën me ekipin e ri të kryesisë, duke sjellë energji dhe përkushtim të ri.

Një falënderim i veçantë shkon edhe për anëtarët e mëparshëm të kryesisë për punën dhe kontributin e tyre në ngritjen dhe zhvillimin e VATRËS në Boston.

Faleminderit për besimin dhe mbështetjen tuaj. Bashkë do të vazhdojmë të punojmë për të sjellë ide dhe iniciativa të reja në VATRËN e Bostonit.

Me respekt

Mentor Maksutaj

Kryetari i Fedetates Pan Shqiptare Vatra

Dega Boston – SHBA

Filed Under: Opinion

VATRA NDEROI KRYETARIN E KOMUNËS SË PRISHTINËS Z. PËRPARIM RAMA

December 5, 2025 by s p

Sokol Paja/

New York, 4 dhjetor 2025 – Federata Pan-Shqiptare e Amerikës Vatra nderoi me “Mirënjohje e Artë” kryetarin e Komunës së Prishtinës z.Përparim Rama me motivacion: “Në shenjë vlerësimi e nderimi për kontributin e jashtëzakonshëm në transformimin dhe zhvillimin urban, kulturor e arkitekturor të Prishtinës, për vizionin modern, modelin, shembullin, lidershipin e inovacionin, për integritetin e lartë profesional, si mik i ngushtë i Federatës Vatra e diasporës shqiptaro-amerikane”.

Në fjalën e mirëseardhjes kryetari i Vatrës Dr. Elmi Berisha vlerësoi kryekomunarin Rama për punën e shkëlqyer në Prishtinë dhe respektin e veçantë, kujdesin e dashurinë për diasporën shqiptaro-amerikane me kontributin e saj të madh në themelimin e shtetit shqiptar dhe të Kosovës siç një ndër ta është dhe Harry Bajraktari. Dr. Berisha kujtoi në detaje kryekomunarit Rama transformimet në Prishtinë, vizionin, proceset urbanizuese, ndryshimet rrënjësore në kryeqytetin e Kosovës. Dr. Berisha përveç se i ofroi mbështetje i kërkoi z.Rama që diasporës shqiptaro-amerikane ti jepet më shumë hapësirë për të dhënë kontributin e saj në proceset politike.

Kryetari i komunës së Prishtinës z. Përparim Rama shprehu kënaqësi të veçantë për të qenë në Federatën Vatra, institucionin që ka ndihmuar në themelimin e shtetit shqiptar dhe të Kosovës dhe vlerësoi rolin e mërgatës shqiptaro-amerikane për ndryshime thelbësore në dobi të shtetit shqiptar. Z. Rama vlerësoi Vatrën si një institucion mbarëshqiptar me një histori më vete e cila ndihmuar shqiptarët kudo, veçanërisht në trojet etnike. Z. Rama tregoi se përveç sukseseve kombëtare, po intensifikon përpjekjet për krijimin e kushteve për të thithur bizneset amerikane e shqiptaro-amerikane për të investuar në Kosovë. Bashkëpunimi me Amerikën forcon rrënjët e kombit tonë, u shpreh z.Rama teksa theksoi se po investohet maksimalisht në kreativitet, inovacion, teknologji, sport dhe art. Në fund të fjalës falënderoi diasporën shqiptaro-amerikane për kontributin e jashtëzakonshëm për lirinë e Kosovës.

Veprimtari i shquar i çështjes kombëtare z.Harry Bajraktari “Nderi i Kombit” në fjalën e tij përgëzoi kryekomunarin Rama për transformimin dhe zhvillimin e shkëlqyer të kryeqytetit të Kosovës, përmendi sfidat me të cilat ndeshet Kosova, dhe ftoi qytetarët të votojnë në zgjedhjet parlamentare të 28 dhjetorit për ata politikanë që do të zhvillojnë Kosovën.

Sekretari i Vatrës Dr. Pashko Camaj theksoi se Vatra do jetë gjithmonë një urë lidhëse mes gjeneratave. Pas vlerësimit kryetari i Komunës së Prishtinës z.Përparim Rama deklaroi se “këtë nderim do ta mbaj me zemër e me shumë krenari e kjo më shtyn të punoj edhe më shumë për kombin shqiptar”.

Filed Under: Featured Tagged With: Sokol Paja

NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA

December 4, 2025 by s p

Prof. Besim Muhadri/

Libri me poezi “Merre rrugën, çupë”, i Linda Kashah shfaqet si një dëshmi krijuese e një zëri të formuar, të brendshëm dhe të sinqertë. E një zëri që e kërkon veten në kufijtë ndërmjet përvojës dhe metaforës, ndërmjet heshtjes dhe shpërthimit, ndërmjet ndjeshmërisë së pambrojtur dhe qëndrueshmërisë poetike. Poezia e saj nuk mbështetet te efekti i menjëhershëm, por te një lloj përthekimi i ngadaltë, që lexuesin e fut në thellësi përmes gjuhës së qetë, por me tension të brendshëm. Linda Kashah lindi dhe u formua në Gjirokastër, një qytet që ka prodhuar brez pas brezi krijues, intelektualë e poetë. Ky kontekst i brendshëm kulturor, i ndërlidhur me studimet e saj në gjuhë-letërsi dhe më pas me diplomimin e dytë në degën Ekonomi–Turizëm, krijon një bazë të gjerë mbi të cilën shtrihet edhe poezia e saj.

Përvoja e saj disavjeçare si mësuese dhe pedagoge nuk ka formuar vetëm njohjen teorike të letërsisë, por edhe ndjeshmërinë e vëzhgimit, nuancën e mendimit dhe qartësinë e shprehjes. Pjesëmarrja e saj në aktivitete kulturore, konferenca brenda dhe jashtë vendit, si dhe përfshirja në shoqata të poetëve, kanë ushqyer një vizion të hapur estetik, që shfaqet dukshëm në këtë libër.

Një trup i butë që fsheh një strukturë të hekurt

Poezia e Linda Kashah karakterizohet nga një gjuhë e qetë, e matur, e cila në dukje vjen si e përkorë, por mban brenda tension poetik. Fjala e saj është e kursyer, e pastër, e zhveshur nga stërngarkesa retorike. Kjo i jep vargut një cilësi të veçantë: ai bëhet i butë në sipërfaqe dhe i prerë në brendësi, një lloj qetësie që fsheh një të vërtetë të nënkuptuar. Ajo shmang ekzagjerimin retorik dhe i beson fjalës së thjeshtë, por të vendosur. Në këtë mënyrë, poezia e saj e fiton forcën pikërisht nga kursimi: asgjë nuk është e tepërt, asgjë nuk shfaqet për efekt. Ndonëse vargu i saj ka një qetësi të dukshme, ai shpesh hapet si një metaforë e gjatë, si një rrëfim i nënkuptuar, ku fjala ndërton ura të padukshme drejt një përvoje më të gjerë. Shpesh, ajo i le fjalës detyrën që të mbartë heshtjen – një heshtjeje që flet më shumë sesa vargu.

Ndërmjet brendësisë dhe botës së jashtme

Në këtë libër, temat shfaqen si rryma të nënujshme që dalin mbi sipërfaqe në forma të përmbajtura poetike. Dominon kërkimi i njeriut brenda vetes, përvoja e humbjes dhe e qëndresës, lëvizja e vazhdueshme e brendshme që nuk kërkon përgjigje të mëdha, por kuptime të vogla, të thella. Humbjen dhe mungesën Kashah i trajton me një lloj qetësie filozofike, jo si dramatikë, por si pjesë të natyrshme të ekzistencës. Dashurinë dhe premtimet e thyera në poezinë e saj nuk ofrohen si motiv klasik sentimental, por si përvoja që rikrijojnë identitetin e vetë poetes.

Në shumë poezi koha është e pranishme si rrjedhje e padukshme, që ndryshon njeriun, e zhvendos, e shpërfaq ose e rikthen tek fillimet. Poezia e saj nuk këndon dhimbjen, por e përpunon atë; nuk i frikësohet zbrazëtisë, por e kthen atë në përvojë estetike.

Ndjeshmëria si këndvështrim – një trup poetik që dëgjon botën

Në qendër të librit është ndjeshmëria, jo si dobësi, por si një metodë për të lexuar botën. Linda Kashah e percepton realitetin përmes dallgëzimit emocional, duke e kthyer çdo situatë në një reflektim të brendshëm. Ajo nuk zhytet në patetizëm, as nuk synon shkëlqimin e menjëhershëm, përkundrazi, ndërtimi i figurave poetike në poezinë e saj është i matur, i përzgjedhur dhe i qëllimshëm.

Ky pozicion e vendos atë te poetet që i besojnë introspeksionit, meditimit të heshtur dhe bukurisë së nënkuptuar. Poezia e saj të kujton se fjala nuk është gjithçka, por vetëm dera drejt një përvoje të cilën lexuesi e plotëson. Në shumicën e poezive të vëllimit poetik “Merre rrugën, çupë”, i Linda Kashah, vargu është i shkurtër, i prerë, i konceptuar për t’u lexuar me pauza. Ritmi nuk vjen nga rimimi, por nga përplasja e imazheve, nga kthesa e papritur e mendimit, nga vendosja e fjalës në vendin e saktë. Figura poetike shpesh përbëhet nga elemente të thjeshta: dritë, re, shi, hije, fjalë, duar, hapësirë, etj. Në duart e poetes këto elemente marrin një ngarkesë të re semantike, si të kishin një jetë të vetën.

Në vend të përfundimit

Libri “Merre rrugën, çupë” i Linda Kashah është një kontribut i rëndësishëm për poezinë e sotme shqipe, pikërisht sepse sjell një zë që nuk përpiqet të ngjasojë me të tjerët. Ajo i qëndron besnike një stili të vetin, të cilin e ka ndërtuar qetë, pa bujë, por me përkushtim letrar. Vlera e këtij libri qëndron në origjinalitetin emocional, që nuk bie në klishe; në pjekurinë e vargut, që nuk kërkon të impresionojë, por të depërtojë; në ndjeshmërinë moderne, që shikon botën me sy kritik, por edhe të butë dhe në artikulimin e qartë poetik, që ndërton kuptime shumëplanëshe me pak fjalë.

Në një kohë kur poezia shpesh anon drejt eksperimentit të tepruar ose ndaj retorikës së dukshme, zëri i Kashah-it ofron një kundërpeshë të domosdoshme: qetësinë, elegancën dhe përkushtimin ndaj brendësisë.

Dhe krejt në fund mund të themi se ky libër poetik nuk kërkon lexues të etur për efekt të menjëhershëm, por i fton ata që dinë të ndalen, të dëgjojnë, të lexojnë midis heshtjeve dhe pauzave. Poezitë e Linda Kashah janë si një dhomë e brendshme që hapet ngadalë, ku fjala bëhet dritë, kujtim, hije, mendim dhe ku lexuesi gjen jo vetëm poeteshën, por edhe veten. Libri “Merre veten, çupë” vjen si një dëshmi e pjekurisë krijuese të një autoreje që e ka ushqyer zërin poetik përmes përvojës jetësore, përditshmërisë arsimore dhe kontaktit të vazhdueshëm me tekstin e shkruar.

(Linda Kashah: “Merre Veten, çupë”, botoi “Lena Graphic”, Prishtinë 2024)

Filed Under: LETERSI

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 106
  • 107
  • 108
  • 109
  • 110
  • …
  • 2858
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • VATRA APEL PUBLIK DREJTUAR KOMUNITETIT SHQIPTARO-AMERIKAN
  • Please join the Albanian American community in celebrating the 18th Anniversary of Kosova’s Independence at New York City Hall
  • VATRA TELEGRAM URIMI QEVERISË DHE PARLAMENTIT TË KOSOVËS
  • Reçaku, një histori e dhembjes, sakrificës dhe ngadhënjimit mbi vdekjen
  • Një shqiptar kandidat për Asamblenë e Shtetit të New York-ut, Shpetim Qorraj: “Dua të jem zëri i fortë i qytetarëve të Distriktit 64”
  • Job-i biblik dhe romani « Brenga » e Pashko Camaj
  • Komuniteti shqiptaro-amerikan kërkon drejtësi
  • Urgjenca dhe Protesta si regjim. Pse ritmi i revoltës prodhon pushtet, jo ndryshim?
  • Kur një korb flet shqip: pse “Korbi” i Nolit nuk është thjesht përkthim i POE-s
  • “Nomos”
  • 𝒁𝒆̈𝒓𝒊 𝒊 𝒅𝒆̈𝒔𝒉𝒎𝒊𝒕𝒂𝒓𝒊𝒕 𝒑𝒆̈𝒓𝒃𝒂𝒍𝒍𝒆̈ 𝒑𝒂𝒅𝒓𝒆𝒋𝒕𝒆̈𝒔𝒊𝒔𝒆̈
  • Kush ishte shkrimtari shqiptar që kishte letërkëmbim dhe vlerësohej nga Viktor Hygo
  • Si u bë Tirana kryeqytet dhe përse Kongresi i Lushnjes nuk mori vendim
  • Shqiptarë – fjala hyjnore që na mban gjallë edhe nga larg
  • Mediat e huaja i kanë bërë jehonë protestës së tretë kombëtare të opozitës në Tiranë

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT