• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

𝐅𝐥𝐚𝐦𝐮𝐫𝐢 𝐬𝐡𝐪𝐢𝐩𝐭𝐚𝐫 𝐧𝐞̈ 𝐤𝐫𝐲𝐞𝐯𝐞𝐩𝐫𝐞̈𝐧 𝐢𝐭𝐚𝐥𝐢𝐚𝐧𝐞 “𝐊𝐫𝐲𝐪𝐞̈𝐳𝐢𝐦𝐢”, 𝐭𝐞̈ 𝐯𝐢𝐭𝐢𝐭 𝟏𝟓𝟎𝟏

December 3, 2025 by s p

Nga Dr. Bledar Kurti/

Kryevepra “Kryqëzimi” (1501) e mjeshtrit të Rilindjes italiane Michele da Verona (1470-1544) e cila gjendet në muzeun Pinacoteca di Brera në Milano, ka një rëndësi të veçantë artistike por edhe historike mbi shqiptarinë.

Vepra është e bazuar mbi ngjarjen e kryqëzimit të Krishtit siç përshkruhet në Bibël, por, në të djathtë të Krishtit të kryqëzuar valëvitet flamuri kuq e zi i Gjergj Kastriotit, me shqiponjën dykrenore.

Siç dihet ndër dy mijëvjeçarë ngjarja ndodhi në Golgotë (hebraisht për Kafkë), në dalje të Jeruzalemit, ku Krishti u kryqëzua me dy vjedhës në krahë të tij, dhe flamuri i Kastriotit nuk ishte formësuar ende, kësisoj përfshirja e flamurit kuq e zi me shqipen dykrenare është element simbolik e jo historik, pavarësisht spekullimeve që është simbol pagan para erës së re, e për më tepër dallohet lehtësisht që peizazhi ose sfondi i veprës përbëhet nga kodrat e Veronës e jo Jeruzalemit. Ndaj shtrohet pyetja përse ky homazh i artistit për Arbërinë?

Mjeshtri Michele di Verona e pikturoi flamurin arbëror si homazh për qëndresën heroike të shqiptarëve ndaj ushtrisë otomane, figurës madhështore të Gjergj Kastriotit, të cilin Evropa e konsideronte Kalorës të Krishtërimit, dhe në veçanti të ngjarjes së 25 prillit 1479, të martirizimit të banorëve të Shkodrës gjatë rrethimit të qytetit nga ushtria otomane.

Beteja për pushtimin e Shkodrës rezultoi në barbarizëm pasi shumë njerëz u vranë e u sakatuan në mënyrë çnjerëzore. Ata u torturuan e iu pre koka njësoj siç kish ndodhur më parë me luftëtarët arbër dhe njerëzit e thjeshtë në Krujë, Lezhë, Drisht dhe në afërsi të Durrësit.

Ata banorë të Shkodrës të cilët arritën të mbijetonin u shpërngulën Venedik ku rrëfyen tragjedinë që kishin përjetuar, duke prekur kështu zemrat e banorëve venedikas, ndër ta edhe shumë prej artistëve, përfshirë edhe Michele da Verona i cili në atë kohë ishte fëmijë nëntë a dhjetë vjeçar, por ajo histori tragjike e shoqëroi gjatë të gjithë jetës duke e përjetësuar kështu në kryeveprat që do krijonte më vonë.

Siç shihet në tablo, flamuri i Kastriotit zë vend të rëndësishëm në kompozim, dhe e kuqja flakëron në sytë e shikuesit duke simbolizuar edhe vetë gjakun e Krishtit.

Por pozicionimi i flamurit përbri njërit prej vjedhësve që u kryqëzuan bashkë me Krishtin është tejet domethënës pasi ndodhet te vjedhësi në të djathtë të Krishtit, ai i cili u pendua në kryq, i njohur si Vjedhësi i Mirë.

Te Ungjilli Sipas Lukës 23:43 thuhet: Atëherë Jezusi i tha (vjedhësit) “Në të vërtetë po të them: sot do të jesh me mua në parajsë.” Si në traditën e krishterë katolike romake ashtu edhe atë orthodokse, Vjedhësi i Mirë është konsideruar si shenjtor, për këtë arsye, në kontekstin e veprës ajo që artisti po shprehte ishte se martirët shkodranë e arbërorë ishin në parajsë me Krishtin, ata kishin arritur shenjtërimin, ndaj edhe fytyra e Jezusit të kryqëzuar është e drejtuar djathtas për nga flamuri i arbërit dhe shenjtori.

Qarkullojnë shumë teza mbi origjinën e flamurit me shqiponjën dykrenore. Është fakt historik që ky simbol daton që nga qytetërimi sumer, perandoria romake dhe bizantine, etj, por duhet theksuar që stilistika e formës dhe siluetës së shqiponjës së Gjergj Kastriotit, dhe ngjyra e kuqe e flaktë e fushës së flamurit janë tërësisht shqiptare, e sado të përafërta me emblemat e disa vendeve të tjera, si në mesjetë ashtu edhe gjer më sot, janë unike shqiptare.

Vepra madhështore “Kryqëzimi”, nga artisti i Rilindjes italiane, Michele da Verona, do të mbetet një homazh dhe ilustrim pamor i një kapitulli të rëndësishëm të historisë sonë, e nëse shihet së bashku me të gjitha kryeveprat botërore që përmbajnë elementë shqiptarë ne do kemi një panoramë më të qartë të vlerave dhe pasurisë sonë të çmuar historike e kombëtare.

Filed Under: Kulture

REZOLUTË KONGRESIONALE PËR SHQIPTARËT NË LUGINË TË PRESHEVËS

December 3, 2025 by s p

Faton Bislimi/

Edhe një lajm historik e fantastik nga dëgjimi kongresional në Komitetin për Punë të Jashtme që ende po vazhdon në Capitol Hill!

Sot u shkrua HISTORI për Luginën e Preshevës — në zemër të Kongresit Amerikan. 🇺🇸🇦🇱

Kongresisti Self: “”Sot po e prezantoj edhe një rezolutë për shqiptarët në Luginë të Preshevës. Ka ardhë koha që Serbia të mbahet përgjegjëse për diskriminimin etnik ndaj tyre…”

Për mbi dy dekada kam pasur nderin të jem i angazhuar në Washington, DC për të drejtat e shqiptarëve të Luginës së Preshevës. Sot, në dëgjimin për Ballkanin Perëndimor në Komitetin për Punë të Jashtme të Kongresit, respektivisht në Nëkomitetin për Evropë, ndodhi diçka që deri dje dukej e pamundur:

Miku ynë, kongresisti Keith Self, Kryetar i Nënkomitetit për Evropë, prezantoi REZOLUTËN e parë në historinë e Kongresit Amerikan për çështjen e Luginës së Preshevës.

Po, e lexuat mirë: HERA E PARË NË HISTORI.

Kjo rezolutë kërkon nga Departamenti i Shtetit të përgatisë dhe të paraqesë një raport zyrtar mbi diskriminimin e shqiptarëve në Luginë nga Beogradi — përfshirë:

• pasivizimin e adresave, të cilin Kongresi e quan hapur “spastrim etnik me mjete administrative”

• mosnjohjen e diplomave

• mungesën e përfaqësimit proporcional në institucionet shtetërore

• dhe praktika të tjera diskriminuese, të faktuara e të dokumentuara prej vitesh

Kongresi Amerikan, sot, i dha zë të fuqishëm Luginës.

Për mua personalisht — pas gjithë viteve punë, lobim, takime, raporte, shkresa, dhe angazhim të palodhur — kjo është një ditë që s’e harroj kurrë.

Çfarë nderi… Çfarë krenarie… Çfarë shpërblimi për gjithë atë angazhim… dhe çfarë motivimi për të vazhduar edhe më fuqishëm!

Ky është një mesazh i qartë: Lugina e Preshevës NUK është e harruar. Të drejtat e shqiptarëve NUK mund të shkelën pafund. Dhe zëri ynë, kur është i bashkuar, dëgjohet deri në Kongresin e Shteteve të Bashkuara.

Sot u hap një kapitull i ri. Sot i treguam botës se drejtësia vonon, por kur vjen… vjen me ZË TË MADH.

Mirënjohje e përzemërtë dhe e përjetëshme për Komunitetin Shqiptaro-Amerikan në Dallas, veçanërisht per z. Gino Mulliqi dhe miqët e bashkëpatriorët tjerë që e bënë të mundur këtë ngjarje historike, dhe takimin tonë me Kryetarin Self në Dallas në Tetor 2025.

Vazhdojmë përpara — më të fortë se kurrë!

Filed Under: Emigracion

Në Garanë inaugurohet shtatorja e Gjergj Kastrioti Skënderbeu

December 3, 2025 by s p

Hazir Mehmeti/

“Ne kujtojmë për të nderuar, por edhe për të mësuar” (I. Ramajli)

Një manifestimi festiv madhështor, me rastin e Ditës së Flamurit në fshatin Garanë të komunës së Kërçovës. Me këtë rast u inaugurua shtatorja e Gjergj Kastriotit – Skënderbeu në praninë e shumë qytetarëve shqiptarë nga të gjitha trojet etnike, mërgata dhe arbëreshë nga Kalabria shoqëruar edhe nga pasardhësi u Gjergj Kastriotit, Loris Castriota Skanderbeg.

“Kur jemi bashkë, Skënderbeu zbret nga qielli”, kjo thënie nga kënga arbëreshe, u jetësua sot në Garanë. Në këtë ambient festiv ishin të pranishëm qytetarë shqiptare, mes tyre mërgimtarë vendesh të ndryshme, Lidhja e Krijuesve Shqiptarë në Mërgatë me Musa Jupollin, kryetar (Francë), Rexhep Rifati, (Zvicër), Mentor Thaqi (Gjermani), Hazir Mehmeti, (Austri). Të bashkuar bija e bijtë e Garanës dhe Kërçovës që jetojnë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Zvicër e vendor sollën në sheshin e fshatit Gjegj Kastriotin- Skënderbeun në statujë madhështore bronzi.

Gjergji solemnisht solli urimin për Ditën e Flamurit, solli shpresë dhe porosinë e tij shekujve: “Qëndroni të bashkuar, kështu edhe pa mua do të fitoni… Lirinë nuk ua solla unë, atë e gjeta mes jush.” Garana, fshati i bukur mes kodrave, sot bëri historinë e re, si fshati i parë shqiptar që ka shtatoren e Heroit Kombëtar, Gjegj Kastrioti – Skënderbeu. Kjo shtatore e punuar me mjeshtri nga skulptori Fiqiri Kasa, sjell kujtimin e përjetshëm në luftën e tij për shtetin e Arbrit, sjell krenarinë kombëtare brezave që vijnë.

Kjo ditë do të kujtohet gjeneratave si ditë e madhe për Garanën por edhe për kombin. Do kujtohet për secilin që e përjetoi ambientin e përurimit të statujës nga Komandanti i Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare Ali Ahmeti. Ai në fjalimin e tij dha porosi të çarta mbi detyrimet kombëtare që ka secili në rrugën e progresit kombëtar, në mbrojtjen e lirisë së mohuar shekujve nga pushtuesit sllav, detyrim në kujtimin e gjakut të derdhur për liri shekujve, veçan të dëshmorëve të luftës së fundit e cila krijoi mundësi të ardhjes së Gjergj Kastriotit – Skënderbeut në mes të shqiptarëve të zhuritur për liri.

Monumenti i Skënderbeut në bronz është tri metra e lartë, kurse bazamenti i tij tri metra duke dhënë pamje madhor me lartësi të plotë gjashtë metra. Skulptori i cili e realizoi me shumë mjeshtri Fiqiri Kasa, u përjetësua në artin e tij shekujve. “Ne kujtojmë për të nderuar, por edhe për të mësuar” (Ilaz Ramajli).

Nga Dr. med. Faik Elezi, kryetar i Shoqatës “Garana – Zvicër” mësuam, se kemi të bëjmë me projekt kompleks në hapësirën publike të fshatit. Solidariteti i bashkëvendësve bëri që me sukses të realizohen statuja e Gjergjit dhe objekte për rreth siç është ndërtesa e re moderne e Bashkisë në vargun e veprave të reja nisur nga lapidari kushtuar shekullit të pavarësisë së Shqipërisë. Ambienti festiv u pasurua me flamurin e aktivistit patriot nga Shkodra Irfan Domnori i cili është kudo e kurdo me flamurin dhe veshjen kombëtare që e karakterizon.

Programi festiv i Ditës së Pavarësisë ishe i pasuruar me aktivitete muzikore dhe një akademi të shkurtër kushtuar jetës dhe veprës së Gjergj Kastrioti – Skënderbeu, ideuar dhe drejtuar nga Profesor Sadik Emroja. Me kumtesa rasti u paraqiten: Akademik Frashër Demaj, Akademik Ilmi Veliu, Dr. Faik Elezi, Agim Pepaj dhe Hazir Mehmeti. Fjalë përshëndetëse mbajtën Loris Castriota Skanderbegh Nuovo, pasardhës i Skënderbeut: “Duam t’u tregojmë maqedonasve që jemi autoktonë dhe kemi historinë tonë.” Paola Napolitano, soliste dhe aktiviste arbëreshe dhe pjesëmarrës nga trevat shqiptare dhe mërgata, Rexhep Rifati, profesor, Gjergj Prenkoçaj, veprimtar i dalluar nga Zvicër; Dr. Ornela Radovicka, drejtuese e Bibliotekës dhe Arkivit “At Antonio Belushi”, Frasnitë; Musa Jupolli, Kryetar i Lidhjes së Krijuesve Shqiptarë në Mërgatë, Mentor Thaqi, sekretar i LKSHM etj.

Takimi me Kurtish Kurtishin një mikpritës shumë i përzemërt në Goranë do mbetet gjatë në kujtesën tonë. Ky aktivitet historik tregon se shqiptarët vazhdojnë të promovojnë dhe ruajnë identitetin e tyre kombëtar brezave që vijnë. Do ta pasurojnë lirinë e tyre dhe ruajnë brezave si të shenjtë. Urime Garanë! Urime shqiptari kudo që frymoni!

Filed Under: Histori

Shqiptarët e Amerikës në mbështetje të shqiptaro-amerikanit Diamant Hysenaj që kandidon për Kongresin Amerikan (NY-14)

December 3, 2025 by s p

Shqiptarët e Amerikës në mbështetje të shqiptaro-amerikanit Diamant Hysenaj që kandidon për Kongresin Amerikan (NY-14).

Filed Under: Komunitet

PËRQASJE E VENDIMEVE TË KOMISISË LETRARE TË SHKODRËS DHE TË KONGRESIT TË DREJTSHKRIMIT TË VITIT 1972

December 2, 2025 by s p

Prof.dr. Linda Mëniku

Universiteti i Tiranës/

Normativa drejtshkrimore e gjuhës shqipe sot është një arritje e një periudhe njëshekullore. Rregullat e drejtshkrimit dhe të normës gramatikore janë sintezë e një pune të filluar me Komisinë Letrare të Shkodrës (1916-1918), e cila është një nga ngjarjet më të rëndësishme të zhvillimit të kulturës dhe të gjuhës shqipe, në fillimshekullin e njëzetë.  

Sikurse e thekson Robert Elsie: “Synimi i Komisisë Letrare ishte krijimi i një normative drejtshkrimore standarde për përdorimin zyrtar të gjuhës shqipe, në mënyrë të veçantë për mësimdhënien në shkolla. Gjithashtu, ajo nxiti publikimin e teksteve shkollore në gjuhën shqipe.”

Ky punim synon të nxjerrë në pah rëndësinë që pati Komisia Letrare në historinë e standardizimit të gjuhës shqipe, përmes krahasimit të vendimeve të saj dhe të vendimeve të Kongresit të Drejtshkrimit të vitit 1972. 

Një vëmendje e veçantë do t’i kushtohet përqasjes dhe krahasimit të parimeve dhe rregullave të përcaktuara në Komisinë Letrare të Shkodrës dhe atyre të miratuara në Kongresin e Drejtshkrimit, për të nxjerrë në pah të përbashkëtat dhe dallimet mes tyre. 

Një analizë e detajuar do të bëhet për mënyrën e shkrimit të fjalëve dhe të  termave të propozuar nga Komisia Letrare e Shkodrës dhe normativën drejtshkrimore të tyre të përcaktuar nga Kongresi i Drejtshkrimit, me theksin dhe në luhatjet e kësaj normative drejtshkrimore sot.

Parimet themelore

Komisia Letrare përcaktoi se parimi bazë i drejtshkrimit do të ishte parimi fonetik:  “Ortografia e gjuhës do të jetë, për sa të mundet, fonetike: d.m.th gjuha do të shkruhet ashtu si flitet sot prej popullit”. 

Parimi fonetik përcaktohet, po ashtu, si parim themelor i drejtshkrimit të shqipes, nga Kongresi i Drejtshkrimit i vitit 1972: “Në përgjithësi fjalët dhe pjesët e tyre të kuptimshme shkruhen ashtu siç shqiptohen në ligjërimin letrar. Thelbi i parimit fonetik në drejtshkrimin e shqipes, që mbështetet në një sistem grafik ku ka një lidhje të drejtpërdrejtë midis shkronjës dhe tingullit-fonemë, është aspekti fonologjik, domethënë përdorimi social i tingujve të gjuhës në procesin e marrëdhënieve midis njerëzve.” 

Po ashtu nga Komisia u përcaktua që të përdoren disa ndryshime “qi u përkasin formavet etymologjike të fjalvet të ruejtuna mâ mirë në djalektin tosknisht e në disa djalekte gegnishte”

Ruajtja e traditës së shkrimit të fjalëve u konsiderua e rëndësishme dhe nga Kongresi i Drejtshkrimit, duke përcaktuar si një nga parimet bazë të drejtshkrimit të shqipes dhe parimin historik-tradicional që do të pranohet në pak raste “kur në gjuhën letrare ka një traditë shkrimi të vjetër, të ngulitur prej kohësh”. 

RREGULLAT

Si Komisia Letrare dhe Kongresi i Drejtshkrimit u përpoqën që rregullat t’i bazonin në trajtat e përbashkëta të shqipes. Në pjesën hyrëse të vendimeve të Komisisë Letrare specifikohet se Komisia Letrare “me qellim që të formohet pak nga pak nji gjuhë shkrimi e përmbledhun prej të dy djalektevet të pare të sotshëm të shqipes, merr për barrë sa të mundet, gjithnji me zell e tue mbajtë para sysh qellimin, me u përpjekë qi t’i japë nji trajtë të përbashkme e të thjeshtë mënyrës së shkrimit të gjuhës tue bâmun kërkime të thella e të shkoqituna e tue pasun për ndihme të gjitha mjetet qi i duken të dobishme për qellimin e për punën e saj”.

Në Rezolutën e Kongresit të Drejtshkrimit u përcaktua po ashtu që “Rregullat e drejtshkrimit të mbështeten sa më gjerë në trajtat e përbashkëta të gjuhës kombëtare shqipe.”

Drejtshkrimi i zanoreve

Për sa u përket rregullave të shkrimit të zanoreve, Komisia Letrare vendosi disa rregulla bazë: “Mbi tingllin e vogluem ‘ë’; për shenjimin e sasisë së gjatë dhe për shenjimin e tingllit hunduer”; një numër rregullash ky në dukje shumë më i vogël nga rregullat e përcaktuara në Kongresin e Drejtshkrimit të vitit 1972 për shkrimin e zanoreve. Por edhe pse jo të përcaktuara si rregulla më vete, nga përqasja e listës së fjalëve të botuara në “Radhue fjalësh” , “U caktuene këta terma për gjygje e administrata” si dhe në “Skaje gramatike”, është e dukshme që një pjesë e mirë e normativës drejtshkrimore të shkrimit të zanoreve është e bazuar pikërisht në mënyrën e shkrimit të tyre nga Komisia Letrare. Më poshtë do të bëjmë një analizë të detajuar krahasuese të këtyre rregullave.

  1. Rregulla e parë për drejtshkrimin e zanoreve, e përcaktuar nga Kongresi i vitit 1972, ka të bëjë me shkrimin e zanores e të theksuar: “Shkruhen me e (dhe jo me ë) fjalët ku kjo zanore është e theksuar dhe ndiqet ose ka qenë ndjekur në të kaluarën nga një bashkëtingëllore hundore (m, n, nj). Me e shkruhen gjithashtu fjalët e prejardhura ose të përbëra të formuara prej tyre, pavarësisht nga lëvizja e theksit.” 

Nga krahasimi i listës së fjalëve të përzgjedhura si shembuj për mënyrën e shkrimit të zanores e të theksuar, me listat e fjalëve të dhëna nga Komisia Letrare shihet qartë që pjesa më e madhe e shembujve të dhënë në Drejtshkrimin e vitit 1973, të theksuara me shkronja të zeza, janë fjalë të përcaktuara që do të shkruhen me e nga Komisia Letrare, sigurisht duke mbajtur parasysh këtu luhatjet e tjera në mënyrën e shkrimit të tyre, si p.sh. gemb-gjemb. Ndër to përmendim:

gemb-mbi, mbrenda, rremb-mbi, mend-ndja, gjendë (me, m’u), rremb-i, shembull, shembë (me), i shtrembë(t) (i, e), trembë (me), thember-mbra, kuvend, kuvendue-mu, mendue me, nder, pendë, pendesë, rend, shend, send, vend, rend, vendim

  1. Rregulla e dytë për drejtshkrimin e zanoreve, e përcaktuar nga Kongresi i vitit 1972, ka të bëjë me shkrimin e zanores e të patheksuar: “Tek emrat femërorë, të cilët kanë një -e fundore të patheksuar në trajtën e pashquar të njëjësit, në emëroren e shquar bie -e-ja, ndërsa në rasat e tjera ajo shkruhet”. Zbatimin e kësaj rregulle që ka të bëjë pikërisht me rënien e zanores e në trajtën e shquar të emërores e hasim në një numër shumë të madh emrash femërorë në radhoin e fjalëve të botimit të Komisisë Letrare. Në një masë të madhe këtë rregull e gjejmë të përdorur në terminologjinë gjuhësore dhe në atë administrative, si dhe në shumë fjalë dialektore.

dallendyshe-ja, dandalle-llja, drândofille-llja, kombishtje-tja, Krunde-dja, Krishndelle-Ilja, Prende-ndja, prende-dja, dije-a, dosje-a, kopje-ja, lidhje-a, lutje-a, lypje-a, ndodhje-a, rikëqyrje-a, thirrje-a, zgidhje-a, zanore-a, bashkëtingëllore-ja, rrokje-ja, emnore-ja, gjinore-ja, dhânore-ja, kallxore-ja, folje-ja, ndajfolje-ja, rrokje-ja, lidhore-ja, vërejtje-ja.

  1. Komisia përcaktoi se zanorja ë mund të shkruhet në mes të fjalëve “aty ku e lypë etymologjija e ku shqyptohet në tosknishte; për shembull: shëndet, rrëfye, këndue etj.” Kjo rregull është ruajtur dhe nga Kongresi i Drejtshkrimit i vitit 1972, ku është konsideruar si një nga rregullat për shkrimin e zanores ë paratheksore “në fjalët e parme e në të gjitha fjalët ku ajo i takon rrokjes së parë, si edhe në fjalët e formuara prej tyre”. Një pjesë e fjalëve të dhëna si shembuj, janë të njëjta si në Komisinë letrare dhe në Kongresin e Drejtshkrimit: 

këndue (me)-këndoj, lëkundë (me)-lëkund, me mësue-mësoj, mësim-mësim, pëllumb-pëllumb, mënyrë-mënyrë

  1. Kongresi i Drejtshkrimit ka përcaktuar si një nga rregullat e rëndësishme për shkrimin e zanores ë, shkrimin e saj “në fjalë të prejardhura, të formuara nga një temë më -ë me anë prapashtesash që nisin me bashkëtingëllore, dhe në fjalë të përbëra e të përngjitura që kanë si pjesë të parë një temë të tillë më -ë, të ndjekur nga një temë që nis me bashkëtingëllore”. Një pjesë e shembujve të dhënë për këtë rregull janë fjalë që gjenden të shkruara në këtë mënyrë që në listat e hartuara nga Komisia Letrare, ndonëse nuk është dhënë si rregull specifike për shkrimin e fjalëve të përbëra. Përmendim këtu fjalët: 

dorëzanës, dorëzanija, dorëzoj, drejtësim, drejtësoj, hollësi, përkohësisht, të cilat vijojnë të shkruhen në të njëjtën mënyrë edhe sot. 

  1. Një nga rregullat e përcaktuara nga Kongresi i Drejtshkrimit i vitit 1972, është mosshkrimi i zanores ë “në fjalët e prejardhura që formohen prej temash më një bashkëtingëllore me anë të prapashtesave –tar(e), -tor(e), -ti, si: tregtar, shqiptar, shqiptoj, gjyqtar, shkaktar etj.”

Në fakt, këto fjalë i hasim të shkruara pa zanoren ë që në “Lajmet e Komisis Letrare Shqipe” të vitit 1918, si në rastet: fuqi zyrtare, mbi shqiptarimin, gjyqtar, shqiptar, do të shqiptohen, ka shkaktuar etj.

Këtu, bie në sy shkrimi i ndryshëm i fjalëve kombëtar dhe ndërkombëtar. Në “Lajmet e Komisisë Letrare Shqipe” i gjejmë të shkruara pa –ë, pra: kombtar dhe ndërkombtar, ndërsa në botimin e rregullave të Drejtshkrimit të vitit 1973,  edhe pse përmbushin kushtet e rregullës së mësipërme, pasi janë formuar nga një temë më bashkëtingëllore me anë të prapashtesës –tar, dhe duhej të shkruheshin pa –ë, janë përfshirë në rregullën e zanores –ë mbështetëse, pa u dhënë ndonjë shpjegim për arsyen e shkrimit të tyre me –ë, ndonëse mund të hamendësohet që shkak për këtë mund të jetë shmangia e tri bashkëtingëlloreve të njëpasnjëshme: m, b, t.

  1. Sipas rregullave të Drejtshkrimit të botuara në vitin 1973, “zanorja  ë pastheksore shkruhet tek emrat femërorë më -ës, tek emrat e mbiemrat mashkullorë më -ës, -ësh dhe te femërorët përkatës, në të gjitha trajtat e lakimit të tyre.” Ndonëse nuk mund të flasim për një normativë drejtshkrimore të përcaktuar, vihet re përdorimi i së njëjtës mënyrë shkrimi që nga Komisia Letrare në fjalë si: Durrësi, pjesësi, nëdorësi etj.
  1. Më poshtë do të ndalemi në rregullën 7 të Drejtshkrimit, sipas së cilës “nuk shkruhet ë-ja pastheksore tek emrat dhe mbiemrat më -ë1, -ër, -ërr dhe tek emrat mashkullorë më –izëm, -azëm gjatë lakimit, kur pas këtyre fundoreve vjen një zanore, p.sh.:  ëndërr-ëndrra, dhëndër- dhëndri, lundër-lundra etj.

Nga analiza e fjalëve të përcaktuara nga Komisia si “Fjalë qi duhen m’u shkrue me mb” vihet re se kjo mënyrë shkrimi është zbatuar nga Komisia në të gjitha fjalët që mbarojnë më –ër, -ël. Fjalë si: anderr-ndrra, gjânderr-ndrra, dhânderr-ndrri, kânderr-rra, kunder-ndra, lunder-ndra, mender-ndra, pajanderr-ndrra, thunder-ndra, pulender-dra, thember-mbra, kolender-ndra, zâmber-mbra, tâmbel-li etj e humbasin zanoren –ë në trajtën e shquar. Duhet të theksohet që fjalët e shkruara me të zeza janë fjalë që jepen si shembuj për këtë rregull dhe në Drejtshkrimin e gjuhës shqipe të botuar në vitin 1973. Ndërsa fjala numër-ri, e cila, po ashtu, e humbet zanoren –ë është përfshirë në terminologjinë gjuhësore, të përcaktuar nga Komisia Letrare. Në rregullat e Komisisë është përcaktuar se e humbasin –ë-në e temës dhe format dialektore me –ën: emën-emni, mbiemën-ni. Këto fjalë janë përfshirë po ashtu në rregullën 7 të rregullave të Drejtshkrimit të vitit 1973.

Këtu duhet të përmendim dhe rregullën tjetër të Komisisë sipas së cilës “nuk do të shenjohen dy pikat mbi „ë” qi ndodhet përpara bashkzanorevet të langta (liquidae) I, m, n, r, të cilat bëjnë rrokie me te, p.sh, vogel, moter etj.”

  1. Të njëjtën dukuri vëmë re dhe në pikën tjetër të rregullës 7 të Drejtshkrimit për mosshkrimin e zanores -ë pastheksore: “te mbiemrat më -ëm e më -shëm gjatë lakimit, kur pas këtyre prapashtesave vjen një zanore ose një j”. 

Këtë mënyrë shkrimi e gjejmë të zbatuar që në shkrimet e botuara në “Lajmet e Komisis”, dhe sigurisht që këto fjalë janë përdorur edhe më parë në këtë formë. Përmendim këto disa prej tyre:

e të perkohshmes-e perkohshmja, të çmueshme, të sotshme, së përbotshme, të përmbrëndshme, të përtashme, e nevojshme, të dobishme, të ndryshme etj.

  1. Një nga rregullat që përcaktoi Komisia ishte përdorimi i zanores –ë në fund të fjalëve, duke specifikuar: Të gjithë emnat femnorë, qi nuk mbarojnë me zanore e qi janë njirrokësh ase qi kanë theksën mbi rrokjen e mbrame, marrin ndë rasën ermnore të paskajueme lë veçorit nji „ë” në fund; për shembull: punë, mollë, lopë, derë, luginë, pelhurë, parmendë, ndigjesë, gjarpnushë etj. Këtë rregull e gjejmë të riformuluar dhe në rregullën e Drejtshkrimit të vitit 1973, për shkrimin e zanores –ë fundore: “Shkruhet ë-ja fundore te fjalët me theks që në krye të herës në rrokjen e parafundit, duke u ruajtur ajo edhe në trajtat e tyre ku s’është më fundore.”

Shkrimin me ë fundore të  emrave femërorë, që sigurisht është i evidentuar dhe te autorët e parë të shqipes,  e hasim dhe me radhoin e fjalëve dhe në terminologjinë administrative dhe gjuhësore të Komisisë ku gjendet një numër i madh fjalësh që shkruhen më –ë:

distancë-a, dhëmballë, kambë-ba, kumbanë-a, llambë-mba, mbesë-a, mbramë-a, pëllambë-a, shtambë-a, trumbë-a, zimbicë-a, zhumbicë-a, zhumbinë-a, bandë-a, kolandinë-a, trumbetë-a, trandë-a, prendverë-a, biletë-a, datë-a, detyrë-a, dishiplinë-a, e drejtë (a), duplikatë-a, dukë-a, formë-a, indicë-a, influencë-a, landë-a, lejë-a, pronë-a, provë-a, rrogë-a, udhë-a, kompetencë-a, konsekvencë-a, zyrë-a, vulë-a, vlerë-a

  1. E njëjta rregull, por e formuluar ndryshe, është përcaktuar si nga Komisia Letrare (a) dhe nga Kongresi i Drejtshkrimit (b) në lidhje me shkrimin e zanores –ë fundore tek disa emra mashkullorë. Krahasojmë: 
  1. Ketë rregull e ndjekin edhe disa të pakë emra mashkullorë, -të cilët kanë zanorën e rrokjes së përparshme sasije të mesme: për shembull: burrë, grunë, djalë, djathë, gjalpë, në vend qi: kal, mall, tall, etj.
  2. Kështu, shkruhen me –ë: disa emra mashkullorë dhe shumica e emrave mashkullorë që përdoren edhe si asnjanës: atë, burrë, djalë, gjalmë, gjumë, kalë, lëmë, lumë; ballë (balli, ballët), brumë (brumi, brumët), djathë (djathi, djathët), drithë, drithëra, dyllë, dhallë, dhjamë, gjalpë, mjaltë, ujë, ujëra etj.
  1. Në Drejtshkrimin e vitit 1973, është përcaktuar si një rregull më vetë shkrimi i zanores ë-fundore tek mbiemrat dhe ndajfoljet “me theks që në krye të herës në rrokjen e parafundit, duke u ruajtur ajo edhe në trajtat e tyre ku s’është më fundore.”; një rregull ky i ngjashëm me rregullën e Komisisë letrare: Të gjithë adjektivat e pjesësit (participat) qi kanë nji formë për të dy gjinit e qi mbarojnë me nji a ma tepër bashkzanore e me rrokje të theksueme e të mesme marrin nji „ë” në fund; kështu: i butë e butë; i mirë e mirë; i gjatë e gjatë; i shpejte e shpejtë; i vobekë e vobekë; i shpërvjeltë e shpërvjeltë; i shëndoshtë e shëndoshtë.

Madje dhe shembujt kryesorë janë të njëjtët: i butë, butë; i mirë, mirë; i gjatë, gjatë, i lehtë.

Ka një dallim në lidhje me mënyrën e shkrimit të ndajfoljes shpejt, e cila është përcaktuar të shkruhet pa –ë fundore sipas Drejtshkrimit të vitit 1973. 

Po ashtu, vihet re se ndarja në mënyrën e shkrimit të disa mbiemrave sipas gjinisë: disa të pakë adjektiva, sidomos prej atyne qi rrjedhin nga verbat e qi mbarojnë me rrokje të theksueme e të gjatë, marrin ë-n vetëm ndë gjinin femnore për shembull: i forte fortë; i lire lirë; i that e thatë; e ndonii tjetër, është njëtrajtësuar në Drejtshkrimin e vitit 1973, duke përdorur formën me –ë fundore për të dyja gjinitë: i,e fortë, i,e lirë i,e thatë.

  1. Në rregullën për përdorimin e zanores –ë në fund të fjalëve tërheq vëmendjen, përdorimi i saj në formimin e shumësit të emrave mashkullorë, si: puntorë, kryetarë.

Që në “Lajmet e Komisis Letrare” hasen raste të shumta të shumësit mashkullor me –ë, si në shembujt e mëposhtëm:

të gjithë shkrimtarët, nji ndër sekretarët, 7 piestarë, pjestarët e komisis, sikur tjerë zyrtarë, për Shqiptarë 

Por ndonëse kjo zanore fundore ruhet në formën e shquar: pjestarët, sekretarët, në format e tjera         rasore, ajo nuk ruhet më, p.sh.: rroga e pjestarve, prej zyrtarve, prej këshilltarve. Ndërsa në Drejtshkrimin e vitit 1973 është përcaktuar se “kjo -ë shkruhet në të gjitha rasat e shumësit, edhe kur nuk është fundore: punëtorë – punëtorësh, punëtorët, punëtorëve”. Po ashtu, e ndryshme duket të jetë dhe normativa e shkrimit të mbiemrave mashkullorë të panyjshëm, pasi shihet përdorimi i tyre me e: të hartueme prej vjershtarësh e shkrimtarësh shqiptare.

  1. Rregulla për shkrimin e zanores –ë fundore në trajtat e shquara të rasave të zhdrejta të njëjësit dhe të emërores e të kallëzores shumës të emrave femërorë që mbarojnë me zanore të theksuar, gjendet dhe në rregullat e ortografisë të botuara nga Komisia në janar të vitit 1917: “Por ata, qi duen t’i afrohen fonetikës tosknishte munden me perdorë mbarimet – së, – në, – të, pa shëjin djakritik; p. sh. shpisë, mënisë, dhisë, Shqipnisë; shpinë, dhinë, mënitë, dhitë etj”.
  1. Në mënyrë specifike në rregullat e Drejtshkrimit të vitit 1973 janë përcaktuar rastet e shkrimit të zanores –ë fundore në format e ndryshme foljore. Rregulla e shkrimit të foljeve me temë në zanore në vetën e parë dhe në vetën e tretë të shumësit të së tashmes dëftore e lidhore na kujton rregullën e përcaktuar nga Komisia Letrare “fjalë qi mbarojnë me rrokje të mesme të theksueme e me nji a ma tepër bashkzanore marrin nji ‘ë’ në fund; për shembull: shkojmë, bajmë”.
  1. Ndër rregullat e Komisë Letrare që ruhet dhe në Drejtshkrimin e vitit 1973 (Rregulla 8, pika j), është rregulla për shkrimin e zanores –ë fundore tek foljet e së kryerës së thjeshtë, në format e shumësit. Të njëjtën rregull e gjejmë në vendimet e Komisisë Letrare (të 31 janarit 1917), “këtë mbarim, për me iu afrue tosknishtes, e marrin edhe të gjithë verbat me rrajen e theksueme në të trija vehtjet e shumorit t’aoristit; p. sh. pimë, pinë, pitë; blemë, blenë, bletë etj.”
  1. Shkrimi i plotë i grupeve të bashkëtingëlloreve mb, nd, ng, ngj (përkatësisht rregulla 30 e Drejtshkrimit të vitit 1973) është përcaktuar që nga Komisia Letrare. Në rregullën 5 të parimeve dhe rregullave për ortografinë e gjuhës shqipe, përcaktohet shprehimisht: “Tufat e bashkzanorevet mb, nd e ngj, të zbrujtuna në djalekt t’Elbasanit, do të shkruhen e të shqyptohen ndë formën e vjetër të ruejtun ma mirë në dialektin tosknisht e në disa nendjalekte gegnishte; për shembull nder, ndrikull, rend, mbret, mbathë, mbushë, kâmbë, ungjill, engjëll etj.” Në mënyrë të veçantë tërheq vëmendjen shkrimi i fjalës engjëll me e nistore, formë me të cilën është futur në gjuhën standarde.
  1. Në rregullën 6 të Komisisë Letrare është përcaktuar që “dyzanoret ie, ue, ye të cilat në djalekt t’Elbasanit janë përmbledhun në zanoret e gjata í, ú, ŷ, (qíll, díll, shtíll; thú, ftú, punú, mú; krŷ, lŷ. rrefŷ etj.) do të shkruhen të plota ashtu si janë në dialekt tosknisht e në disa nendjalekte gegnishte (qiell, diell, miell, shtiell; thue, ftue, shkue, punue, mue; krye, lye, rrëfye etj)”.

Vetëm shkrimi i grupit zanor –ie është ruajtuar saktësisht kështu dhe në rregullën 13 të Drejtshkrimit të vitit 1973, ku është përcaktuar se do të shkruhen me –ie-: “emrat, tek të cilët ky grup zanoresh ndiqet nga një bashkëtingëllore e lëngët (1, ll, r) dhe të gjitha fjalët e formuara prej tyre: e diel, diell, miell, qiell, fier etj.; diellor, përmiell, miellzim, qiellor, fierishtë etj.”. 

Përsa i përket grupit -ye, ky grup nuk është ruajtur në të gjitha fjalët e përcaktuara nga Komisia Letrare, si në rastin e foljes rrëfye, por ruhet në folje të tjera që në standard përcaktohen si folje të zgjedhimit të parë, si: lyej, përlyej, ngjyej. Po ashtu, ky grup është ruajtur dhe tek fjala krye, si dhe në fjalë të tjera si: arsye, i arsyeshëm, arsyetoj, arsyetim, dyer,  fyerje, fyell, gjilpëryer, kryesi, kryesor, kryekëput, kryeneç, lyerje, ngjyerje, i pëlqyeshëm, përkthyes, pyes, pyetje, pyetës, i rrëmbyeshëm, rryeshëm, i shkëlqyeshëm, shqyej, thyej, thyerje, thyesë, i pathyeshëm etj.

Kurse grupi –ue nuk është ruajtur në një pjesë të mirë të fjalëve të përcaktuara nga Komisia, pasi në shqipen standarde këto fjalë shkruhen me ua, si: ftue-ftua, grue-grua, mue-mua etj. Por ky grup është ruajtur në shkrimin e emrave dhe të mbiemrave foljorë të formuar me prapashtesat –s dhe –shëm nga folje me temë më –o, –ua: ftues, i apelueshëm, ekzekutues, kundërshtues, botues, dëgjues, parashikues, i afrueshëm, i dëgjueshëm, i vazhdueshëm, i vijueshëm, i gëzueshëm etj.

  1. Sipas rregullave të përcaktuara nga Kongresi i Drejtshkrimit për grupin zanor –ie, shkruhen me këtë grup “foljet, tek të cilat ky grup zanor ndiqet nga mbaresa –j.” Në këtë rregull përfshihen folje, si: ndiej, ziej, përziej. Ndonëse e papërcaktuar si rregull më vete, në radhoin e fjalëve të paraqitur nga Komisia, bie në sy shkrimi me grupin zanor –ie, i foljes ndiej në infinitivin e gegërishtes: ndie (me).
  1. Po ashtu, shkrimi me –je i foljeve me temë më -l, -ll, -rr, njësoj si edhe foljet e tjera të këtij tipi me temë më bashkëtingëllore (si rrjedh, djeg, pjek, rrjep);  vihet re se është ruajtur në kohë. Në radhoin e fjalëve të Komisisë hasen folje të tilla, si: mbështjellë (me), mbjellë (me), ndjellë (me), ndjekë (me).
  1. Sipas rregullës 25 të Drejtshkrimit të vitit 1973 “shkruhen me j emrat femërorë që dalin me zanore të theksuar përveç –i-së, në të gjitha trajtat, kur zanorja e theksuar ndiqet nga një zanore tjetër, si p.sh.: kalaja, paraja, ideja, gjëja, rrufeja etj”. Në terminologjinë e përcaktuar nga Komisia Letrare për “Gjygje dhe administrata” gjejmë një sërë fjalësh ku kjo rregull ka qenë përdorur që në atë periudhë, si: dava-ja, gja-ja, qira-ja, rezyme-ja.
  1. Ndër propozimet e terminologjisë për përdorim në “Gjygje dhe administrata” bie në sy shkrimi me –c– i fjalëve procedurë dhe proces verbal. Kjo mënyrë shkrimi është ruajtur dhe në Drejtshkrimin e vitit 1973 ku ka një rregull për shkrimin me c dhe jo me ç a me s të fjalëve me burim nga latinishtja a nga gjuhët romane, si edhe nga greqishtja “të cilat në gjuhën shqipe kanë një c të ndjekur ng zanorja e ose i”. Tërheq vëmendje propozimi i bërë nga Komisia Letrare që fjala liçencë të shkruhet me ç, një formë e cila përdoret sot gjerësisht kështu pothuajse në të gjitha dokumentet zyrtare të shtetit shqiptar.
  1. Duke iu referuar termave të propozuar për “Gjygje dhe administrata” nga Komisia Letrare vihet re përdorimi i bashkëtingëllores sh nistore në fjalë të tilla si: shkapërxim, shpenzim, shpenzoj, shpjegim, shpjegoj, shprovim. Po ashtu, në Drejtshkrimin e vitit 1973 është specifikuar se do të shkruhen me sh- fjalët “kur kjo ndiqet nga një bashkëtingëllore e shurdhët (f, k, p, q, t, th etj)”. Si shembuj janë marrë dhe fjalët: shpjegim, shpjegoj. 
  1. Një nga rregullat kryesore për shkrimin e fjalëve njësh, në Drejtshkrimin e vitit 1973, është rregulla sipas së cilës: “shkruhen njësh, si nië fjalë e vetme, pa vizë në mes, fjalët me parashtesa”. Si shembuj për këtë rregull janë marrë fjalë të formuara me parashtesat: mos (mospërfillje), para (parafytyrim), kundër (kundërsulm), pa (i pashpresë), etj.

Në terminologjinë gjuhësore dhe administrative të përzgjedhur nga Komisia, kjo rregull shihet të jetë e zbatuar në një sërë fjalësh, si: kundërshtoj, paragraf, paraprake, parashtesë, prapashtesë, paraqitje, paraqes, padituni, i mosdukshëm, i mosmundshëm, i mosndodhëshëm. Sigurisht që ka dhe luhatje të normës si në rastin e fjalës i pa-fajtë që shkruhet me vizë në mes apo kundër davaja që shkruhet ndarazi.

  1. Në lidhje me përdorimin e theksit, një nga propozimet që bën Komisia Letrare është që theksi të shënjohet “mbi të gjitha ato fjalë qi mund të sjellin ndërlikim në kuptim; për shembull: puntorí e puntori, Shqiptarí e Shqiptari, barí e bari, dasí e dasi etj.” Përdorimi i theksit në të tilla raste është pranuar dhe nga Kongresi i Drejtshkrimit. Në pikën 23 specifikohet që “në raste të veçanta, kur konteksti nuk arrin kurrsesi të mënjanojë ngatërrimin e kuptimeve ose nuk siguron shqiptimin e drejtë të fjalëve të ndryshme mund të përdoret theksi i mprehtë (´)”.
  1. Një nga çështjet më të rëndësishme të Drejtshkrimit të shqipes standarde është shkrimi i emrave të përveçëm të huaj. Propozimi i bërë nga Komisia Letrare, ashtu sikurse njoftohet në “Lajmet e Komisisë Letrare Shqipe” është “që të gjithë mbiemnat (llagapet) si dhe emnat e vendeve, përveç disave, qi kanë trajtë shqipe, do të shkruhen mbas orthografis originale të tyne”. 

Kurse në Drejtshkrimin e vitit 1973 përcaktohet: “Shkrimi i emrave të përveçëm të huaj mbështetet përgjithësisht në shqiptimin e tyre nê gjuhët përkatëse, duke iu përshtatur sistemit grafik të shqipes. Me përjashtim të rr-së, bashkëtingëIloret dyfishe të këtyre emrave nuk ruhen në shkrim në gjuhën shqipe”.

Ndryshimet globale të epokës së internetit, kanë sjellë si domosdoshmëri ndryshimin apo përmirësimin e kësaj rregulle. Një zgjidhje e mundshme mund të jetë vetë propozimi i bërë në formën e një shënimi në Drejtshkrimin e vitit 1973. Citojmë “Në shfaqjen e parë të një emri të kësaj kategorie mund të shënohet në kllapa edhe shkrimi i tij sipas grafisë së gjuhës nga buron”.

Në përfundim, duhet të themi se sikurse shihet nga shembujt e paraqitur, në thelb disa nga parimet dhe rregullat kryesore të miratuara në Kongresin e Drejtshkrimit janë në fakt një rimarrje e rregullave të miratuara nga Komisia Letrare e Shkodrës. Prandaj Komisia Letrare është një nga ngjarjet më të rëndësishme në historinë e standardizimit të gjuhës shqipe.

BIBLIOGRAFIA

  1. Akademia e Shkencave e RP të Shqipërisë. Drejtshkrimi i gjuhës shqipe. Tiranë, 1973, fq.35.
  2. Elsie. R. Historical Dictionary of Albania. The Scarecrowpress. 2010.
  3. Fjalor enciklopedik shqiptar. Akademia e Shkencave, Tiranë: 2008. V. 2, f. 873- f. 1802. 
  4. Fletorja Zyrtare e Republikës së Shqipërisë, 1923.
  5. Kanini, I. Arsimi në Shqipëri në vitet e Luftës së Parë Botërore:  (zona e pushtimit Austro-Hungarez): 1916-1918. Tiranë, Nereida, 2001. 
  6. Krasniqi, Sh.. Komisia letrare e Shkodrës: 1916-1918. Prishtinë, Rozafa, 2004 . 
  7. Lajmet e Komisisë Letrare Shqipe në Shkodër, janar 1918. 
  8. Mbi orthografín e gjuhës shqipe të shkrueme, të vendosuna prej Komisís Letrare, Shkodër, 1917.
  9. Osmani T.; Pepa S. Komisia letrare shqipe në Shkodër: 1916-1918. Camaj-Pipa, Shkodër, 1997. 

Osmani, Tomor. Komisia letrare shqipe në Shkodër (1916-1918) dhe Shoqëria e të Shtypurit Shkronja Shqip (1879), Shoqëria “Bashkimi” (1899), Shoqëria “Agimi” (1901). Camaj-Pipa, Shkodër, 2012.

  1. Posta e Shqypnisë, 5 dhjetor 1916 
  2. Rregulla mbi orthografin e gjuhës së shkrueme shqipe të vendosuna prej Komisis letrare.

Filed Under: Opinion

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 110
  • 111
  • 112
  • 113
  • 114
  • …
  • 2858
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • VATRA APEL PUBLIK DREJTUAR KOMUNITETIT SHQIPTARO-AMERIKAN
  • Please join the Albanian American community in celebrating the 18th Anniversary of Kosova’s Independence at New York City Hall
  • VATRA TELEGRAM URIMI QEVERISË DHE PARLAMENTIT TË KOSOVËS
  • Reçaku, një histori e dhembjes, sakrificës dhe ngadhënjimit mbi vdekjen
  • Një shqiptar kandidat për Asamblenë e Shtetit të New York-ut, Shpetim Qorraj: “Dua të jem zëri i fortë i qytetarëve të Distriktit 64”
  • Job-i biblik dhe romani « Brenga » e Pashko Camaj
  • Komuniteti shqiptaro-amerikan kërkon drejtësi
  • Urgjenca dhe Protesta si regjim. Pse ritmi i revoltës prodhon pushtet, jo ndryshim?
  • Kur një korb flet shqip: pse “Korbi” i Nolit nuk është thjesht përkthim i POE-s
  • “Nomos”
  • 𝒁𝒆̈𝒓𝒊 𝒊 𝒅𝒆̈𝒔𝒉𝒎𝒊𝒕𝒂𝒓𝒊𝒕 𝒑𝒆̈𝒓𝒃𝒂𝒍𝒍𝒆̈ 𝒑𝒂𝒅𝒓𝒆𝒋𝒕𝒆̈𝒔𝒊𝒔𝒆̈
  • Kush ishte shkrimtari shqiptar që kishte letërkëmbim dhe vlerësohej nga Viktor Hygo
  • Si u bë Tirana kryeqytet dhe përse Kongresi i Lushnjes nuk mori vendim
  • Shqiptarë – fjala hyjnore që na mban gjallë edhe nga larg
  • Mediat e huaja i kanë bërë jehonë protestës së tretë kombëtare të opozitës në Tiranë

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT