• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Enver Idrizi u dekorua me medalje, shqiptari më i sukseshëm në Kroaci

February 21, 2024 by s p

Mbrëmë në kryeqendrën e Kroacisë mike në Zagreb, me organizim të Ambasadës së Kosovës, Shkëlqesisë së Tij, Ambasador, Prof.Dr. Martin Berisha, me rastin e 16 vjetorit të pavarësisë së Kosovës, dekoroi me medalje të meritave të veçanta, legjendën e karates, Z. Enver Idrizi. Në këtë mbrëmje festive, ishin shumë personalitete kroate dhe nga ato shqiptare nga e gjithë Kroacia. Z. Idrizi, me modestinë e tij, falënderoi Ambasadorin Berisha dhe stafin e tij. Legjenda e karates, Enver Idrizi njihet si legjenda e karates në Kroaci, tek ne shqiptarët dhe në gjithë globin. Përveç meritave në karate, siç dihet z. Enver Idrizi kontribuoi edhe për çlirimin e Kosovës, jo vetëm, por edhe para pavarësisë, sot e kësaj dite. Shpirtëbardhësia e tij, model modestia, do të shërbej për brezat e rinj. Enkas pë medien tonë, ndër të tjera, falënderoi ambasadorin, shtetin e Kosovës, ate kroat dhe të gjithë shqiptarët. Ai bëri thirrje si zakonisht, që të jemi bashkë kudo që ka shqiptarë se ky shekull është i joni, sepse kemi mbrojtur pragun dhe kurrë nuk kemi sulmuar as një shtet. Me shtetin kroat jemi të lidhur, jemi një gjakë dhe do ta vazhdojmë për jetë miqësinë dhe vëllazërinë. Ai shtoi, se edhe komuniteti jonë në Kroaci, po e ushqen miqësinë me Kroacinë mike. Mbrëmja festive u mbyll me fjalë të mira mes miqve të shumtë kroat dhe shqiptarë, që të punohet drejt BE për tokat shqiptare. / Dashnim Hebibi

Filed Under: Sport

Shkollat Shqipe “Alba Life” New York, në këmbë për Kosovën

February 21, 2024 by s p

Nga Keze Kozeta Zylo/

TV dhe Shkollat Shqipe “Alba Life” u krijuan 17 vjet më parë, një vit para Pavarësisë së Kosovës dhe nuk janë ndalur asnjëherë me program të detajuar profesionalisht për Kosovën dhe Kombin. Çdo vit familja e madhe “Alba Life”, Pavarësinë e saj e feston me madhështi veshur me ngjyrat kuq e zi dhe të shtetit të Kosovës blu dhe të verdhë.

Nuk është e nevojshme vetëm të tundësh Flamurin e saj. Kombëtare e domosdoshme frymezuar nga Rilindasit e mëdhenj, Heronjtë e Kosovës me Adem Jasharin në krye, UÇK-në dhe Gandin e Ballkanit Ibrahim Rugovën gjithë mësuesit dhe themeluesit janë pranë shkollave publike amerikane për t’ju mësuar nxënësve Gjuhën Shqipe, identitetin tonë kombëtar.

Shkollat Shqipe “Alba Life” të shtrirë në gjithë New York-un çdo vit e festojnë me madhështi Pavaresinë e Kosovës, duke ju mësuar nxënësve historinë e saj tragjike dhe të lavdishme, genocidin serb ndaj popullsisë së pafajshme të Kosovës si dhe figurat më të rëndësishme kombëtare. Natyrisht udhët drejt dijes dhe gjuhës shqipe nuk janë të shtruara me dafina, ato janë plot vështirësi, pengesa, sfida, mundime, pasi arsyeja kryesore jemi jashtë Shqipërisë dhe Kosovës dhe këto mësime bëhen vetëm në fundjavë dhe pas mësimit kryesor në anglisht të shkollave amerikane. Sidoqoftë Stafi, mësuesit, prindërit dhe nxënësit ia kanë dalë me sukses dhe për këtë ndihen tejet krenar.

Të gjitha shkollat Shqipe Alba filluar me performancën e persosur në Parlamentin e shtetit të Nju Jorkut, në Albany, me festën për Kosovën nga Shoqata Shqiptaro Amerikane “Skënderbej” Inc. si dhe në të gjitha mjediset e shkollave publike amerikane ku ne kemi rentuar mjediset, u festua madhërisht dhe plot dashuri Pavarësia e Kosovës. Festa për Pavarësinë e Kosovës nuk ka përfunduar akoma, ne jemi të ftuar në Bashkinë e Nju Jorkut ditën e hënë, më 26, ku shkolla e Bronxit do të performojë plot kulturë në ato mjedise zyrtare-shtetërore.

Është e pamundur të sjellim gjithë programet e këtyre shkollave, por më duhet të shpreh mirënjohjen e pakufishme ndaj mësuesëve filluar me Brooklynin meqënse filloi atje së pari dhe bëhet të premteve si me mësueset: Fatlinda Gashi, Rozeta Hyseni me asistente Blenda Shehu dhe Sara Simoni, Staten Island: Entela Muda, Elona Shkreta me asistente Aida Hajri, Bronx: Helena Ujkaj, Erinda Isufaj, Albana Lazri me asistente Edona Gjidija, Erlinda Shala, Kaltrina Gecaj dhe të pakursyera brenda mundësive ish mësueset Mehrije Shala, Kade Lajqi, Queens Vjollca Skënderi, Online Gresila Basha.

Nxënësit në të gjitha shkollat intepretuan Himnet Kombëtare, recituan poezi patriotike kushtuar Kosovës martire, performuan vallet e Rugovës, Kosovës, Tiranës, Kuq e Zi etj dhe me shumë dashuri u përulën para Flamurit të shtetit të Kosovës dhe Kombëtar.

Në Staten Island ishte nje ditë krejtësisht e veçantë, ne kishim të ftuar Z. Shpëtim Qorraj i biri i Heroit Mustaf Qorraj që ra heroikisht në Luftën për Kosovën, Komandant i Togut, të Brigadës 112, “Arben Haliti” përshëndeti nismëtarët, aktivitetin, Alba Life dhe solli me plot emocion përjetimet e dhunshme serbe, qysh kur ishte në moshën 13 vjeç.

Është krenari që ne kemi fëmijët e tij, dy nxënës të mrekullueshëm me gjysh Hero.

Po ashtu i ftuar ishte dhe Z.Avdullah Haxhiu luftëtar i UÇK-së ardhur enkas nga Kosova i cili përshëndeti të pranishmit, nxënësit e Shkollave Shqipe “Alba Life” dhe tha se ndihej krenar që po festonte Ditën e Pavarësisë me të ardhmen e Diasporës.

Për të ardhmen e Diasporës si Televizion dhe Shkollat Shqipe “Alba Life” u shpreh

z.Qemal Zylo themelues dhe drejtor i shkollave, investojmë fort, me kulturë, profesionalizëm dhe atdhetari.

Mirënjohje pakufi për prindërit, mësuesit, nxënësit dhe gjithë miqtë nëpër botë dhe Atdhe qe na kanë mbështetur në këtë Mision Kombëtar.

E pamundur në këto festa mos të këndohet kënga Mora fjalë” për legjendarin Adem Jashari, kenga epike si: Mora fjalë, e mora vargun/ Mora qarkun me i thur kangë/ Me i thur kangë bashkëlegjendarit, t’i këndoj/ T’i këndoj Adem Jasharit, t’i këndoj…

Shkollat Shqipe “Alba Life” janë pasuria e patundshme e Kombit.

Vetëm Gjuha Shqipe në Diasporë na lidh me Kombin, siç lidh dhe zhvillon “umbilical cord” bebin me nënën.

Rroftë Kosova!

Rroftë Shqipëria etnike!

Autorja e shkrimit është shkrimtare, publiciste, mësuese dhe bashkëthemeluese e Shkollave Shqipe në New York “Alba Life” Ambasador i Kombit si dhe ka marrë titullin e lartë: Kalorës i Urdhrit të Flamurit nga Presidenti i Republikës së Shqipërisë.

20 shkurt, 2024

New York

Filed Under: Reportazh

#SiSot, më 21 shkurt 1999, UNESCO-ja shpalli Ditën Ndërkombëtare të Gjuhës Amtare

February 21, 2024 by s p

Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave/

Në mënyrë të përvitshme, vihet theksi tek vlera universale që mbart shumëllojshmëria gjuhësore e kombeve. Gjuha, si njësi e pandashme kulturore e vendeve, shërben jo vetëm si një mjet komunikimi, por edhe si simbol përbashkësie.

Shqipja jonë “sa e bukur, sa e vlerë” ka qenë një rojtare e përhershme e identitetit tonë kombëtar, duke kristalizuar përpjekjet për shtetformim. Bashkëngjitur, paraqitet një kërkesë e atdhetarit Jani Vreto drejtuar shoqërisë kulturore shqiptare “Dituria” në Bukuresht, për marrjen e librave në shqip, të nevojshëm sipas tij për konservimin e gjuhës.

#ArkivatFrymëzojnë

#ArkivatKujtojnë

#JaniVreto

#AQSH

#FototekaAQSH

Filed Under: Histori

𝟮𝟱 𝗮𝗿ë𝘀𝘆𝗲𝘁 𝗽𝘀𝗲 𝗾𝘆𝘁𝗲𝘁𝗮𝗿𝗲𝘁 𝗽𝗿𝗼𝘁𝗲𝘀𝘁𝘂𝗮𝗻 𝗺𝗮𝘀𝗶𝘃𝗶𝘀𝗵𝘁

February 21, 2024 by s p

Bujar Leskaj/

Sot më 20 shkurt, në 33 vjetorin e rrëzimit të shtatores së diktatorit Hoxha në qendër të Tiranës, qytetarët erdhën masivisht të gjitha anët e Shqipërisë, për të protestuar kundër abuzimeve dhe ligësive të panumurta të sektit Rama në pushtet. Në qendër të zhgënjimit total të tyre, ndaj premtimeve të këtij pushteti mashtrues, qëndrojnë dhjetra të këqija të mëdha që kanë shkretuar vendin dhe vrarë shpresën e shqiptarëve, si më poshtë:

1. Braktisja e frikshme e vendit. Sipas të dhënave nga EUROSTAT dhe nga Ministria e Emigracionit e Britanisë së Madhe, janë mbi 750 mijë shqiptarë të Shqipërisë që kanë emigruar në 10 vitet e fundit në vendet e Bashkimit Evropian dhe në Britaninë e Madhe. Sekti Rama dhe i ashtuquajturi Lider Global, shkaktar themelor i boshatisjes së vendit, po ushtrojnë një presion politik të paprecedent mbi INSTAT, për të mos deklaruar të vërtetën e hidhur të braktisje masive të Shqipërisë nga qytetarët e saj. INSTAT ka përfunduar censin e popullsisë në tetor 2023 dhe, me urdhër nga Rama, do të deklarojë të dhënat e popullsisë në qershor 2024, nëntë muaj më vonë, në një vonesë të paprecedent për asnjë cens që organizohet në botë.

2. Shbërja e plotë e portit 2,700 vjeçar të Durrësit. Zerimi dhe zhvendosja e portit kryesor tregtar të vendit në Porto Romano, përmes një manovre shumë të vështirë teknike, pasi në Porto Romano ka cektësirë, për të pastruar paratë e korrupsionit dhe të oligarkëve të sektit Rama, përmes gjoja një investimi të një porti jahtesh dhe vilash, të një miliarderi arab.

3. Aventura me ndërtimin e portit tregtar në Porto Romano. Braktisja e gjetjes së një investuesi të huaj strategjik për portin, gjoja se kreditë e buta të Planit të Rritjes së Bashkimit Evropian dhe të donatorëve ndërkombëtarë kërkojnë kohë të livrohen dhe zgjedhja krejt e papërgjegjshme, për të përballuar koston mbi 2 miliardë euro të ndërtimit të portit të ri nga paratë e takspaguesve shqiptarë.

4. Rikthimi i lojrave të fatit, kësaj plage sociale dhe ekonomike, në formatin online. Pa pyetur fare për rrezikun e përhapjes masive të vesit të lojrave të fatit online në gjirin e të rinjve dhe madje edhe adoleshentëve, sekti Rama në pushtet miratoi ditët e fundit Ligjin për Lojrat e Fatit Online. Ky sekt qëndron tërësisht i verbuar nga makutëria për të bërë para, duke pastruar paratë e korrupsionit dhe të krimit të organizuar, përmes një veprimtarie që pjell orë e çast varësi, varfërim dhe drama familjare.

5. Kanabizimi masiv i vendit. Sipas Raportit për tregun e drogës në vendet e BE-së, të Qendrës Europiane për Monitorimin e Drogave dhe Varësisë nga Droga, ” Shqipëria për disa vite ka qenë një prodhues kryesor i kanabisit bimor të destinuar për tregun europian”.

6. PPP-të. Sipas Fondit Monetar Ndërkombëtar dhe Bankës Botërore, në Shqipëri, kontratat koncesionare të tipit partneritet publik-privat(PPP), jo vetëm kapin mbi 16.5 përqind të prodhimit kombëtar, shifra më e lartë në krahasim me GDP-në në të gjithë Evropën, por janë të përgatitura pa konsideruar raportin kosto-përfitime dhe në shumicën e tyre, përmbajnë risqe, të cilat i përballon ose të gjitha, ose pjesën më të madhe Buxheti i Shtetit.

7. Ligjet e qepura me dorë. Sipas Transparency International dhe Departamentit Amerikan të Shtetit që e ka cituar në raportet e tij, Shqipëria dallon në ligje të përgatitura mbi bazën eskluzive të interesave të një lobi biznesi, madje edhe të një biznesi apo oligarku të caktuar. Mjafton të përmendim Ligjin për Teatrin Kombëtar, masakrën e tokave sipas Ligjit 2020, si dhe abuzimet masive me Ligjin e Investitorit Strategjik .

8. Dorëzimi i interesave kombëtare, duke rrënuar perspektivën e konkurrueshmërisë së ekonomisë kombëtare, me pjesëmarrjen në nismën “Ballkani i Hapur” të Presidentit serb Aleksandër Vuçiç.

9. Dorëzimi i detit tek grekët, me një rënie dakord me qeverinë e vendit fqinj, për ta adresuar çështjen në një gjykatë ndërkombëtare, duke dobësuar dukshëm pozitën kombëtare në përcaktimin e ujrave të Shqipërisë, sipas rregullave të mirëpërcaktuara të vijës bregdetare.

10. Dyfishimi i borxhit publik. Në dhjetë vjet 2013-2023, borxhi publik i Shqipërisë(ai zyrtari dhe borxhi i fshehur i detyrimeve PPP dhe detyrimeve të TVSH, etj.) ka kërcyer nga 7 miliardë euro në mbi 14 miliardë euro!

11. Shpërdorimet galopante në investimet publike. Të gjitha të dhënat zyrtare nga Ministria e Financave dhe nga ajo e Infrastrukturës dhe Energjisë, flasin për kosto të rritura me herë për ndërtimin e një km rrugë. Ato kanë një diferencë të lartë në rrugët e ndërtuara me para nga Buxheti i Shtetit, në krahasim me financimet dhe hua të buta nga donatorët. Kosto mesatare e 1 km rrugë është trefishuar në dhjetë vitet e fundit!

12. Politika e fasadave. Shpenzime në nivele mbi 650 milionë euro në vit, jo sipas 3 E-ve(Efektivitet, Efiçiencë dhe Ekonomicitet) dhe parimeve të OECD/SIGMA të administrimit të përgjegjshëm të financave publike, si dhe dëm ekonomik me qindra miliona euro në vit.

13. Gropat e zeza financiare në naftë dhe në energjitikë. Politikë qeveritare që lejoi dhe nxiti abuzimet masive me koncesionet në naftën shqiptare dhe me blerjet dhe shitjet skandaloze të energjisë elektrike nga KESH.

14. Instalimi i antikulturës së papërgjegjshmërisë. Asnje nga zyrtarët e lartë të sektit Rama, të akuzuar për shpërdorim detyre dhe korrupsion nga institucionet e pavarura të vendit, nuk është larguar nga detyra. Në të kundërt, disa janë promovuar.

15. Konsiderimi i opozitës si armike. Fjalori denigrues, sulmet verbale dhe tentativat për blerje të përfaqësuesve të opozitës janë kthyer në dukuri të përhershme e të zakonshme të sektit në qeverisje, të motivuar dhe duke dhënë shembullin personal në këto sulme vetë i ashtuquajturi Lideri Global.

16. Goditja ndaj mediave. Nuk mjaftojnë vetëm insinuatat dhe sulmet verbale të mediave pranë qeverisë. Sa herë mediat e pavarura të vendit sulmojnë dhe denoncojnë aferat qeveritare, nga organet tatimore dhe doganore nisin kontrollet selektive dhe gjobat ndaj kompanive që i financojnë këto media.

17. Inkurajimi i grupeve kriminale dhe pastaj “të hanë kokat”. Përdorimi i elementëve me të kaluar kriminale dhe i grupeve kriminale gjatë fushatave zgjedhore është tashmë një dukuri e zakonshme gjatë dhjetë viteve të fundit, e denoncuar dhe nga raportet e OSBE/ODHIR dhe e dëshmuar edhe në zgjedhjet vendore të 14 majit 2023.

18. Uzurpimi i të gjitha institucioneve të pavarura dhe (keq)përdorimi i tyre. Rasti i fundit flagrant ishte ai i (sh)përdorimit të Institutit Kombëtar të Statistikave, duke e urdhëruar të vonojë me nëntë muaj publikimin e rezultateve të Censit 2023, që do të vërtetonin braktisjen masive të vendit. Shqiptarët kanë votuar “me këmbët”!, duke ikur me qindra mijëra çdo vit nga atdheu i tyre, për shkak të bllokimit të nismës së lirë dhe asfiskimit të mendimit opozitar, të prodhuar nga sekti në pushtet

19. Shkatërrimi i bujqësisë. Realizimi i politikave fiskale inkoherente dhe bllokuese të prodhimit të brendshëm. U zerua rimbursimi i TVSH 6 përqind në blerje për fermerët dhe u vu një taksë e re 10 përqind TVSH për lëndët e para. Pragu i rimbursimit të TVSH për investimet kapitale në bujqësi (blerje makinerish, linjash prodhimi, etj.) u dhjetëfishua! Buxheti i Ministrisë së Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural për vitin 2024 ishte më i ulët se ai i vitit 2023, në një kohë kur shpërdorimi i fondeve të IPARD II ka shtyrë Zyrën e Hetimit OLAF të Komisionit Evropian të bllokojë fondet e Programeve IPARD II dhe IPARD III të Bashkimit Evropian për Shqipërinë.

20. Mungesë e thekshme e mbrojtjes së shtresave të varfëra. Megjithë 900 milionë euro të ardhura sufiçit në Buxhetin e Shtetit për vitet 2022-2023, qeveria e sektit Rama vetëm rimbursoi pensionet në këto dy vite, duke mos kryer asnjë rritje reale të tyre për 790 mijë pensionistë!

21. Mungese e mbrojtjes së biznesit dhe gjoba selektive ndaj tij. Në dy vitet e fundit eksportuesit shqiptarë po shkatërrohen dhe janë në prag falimentimi, për shkak të humbjeve nga shvlerësimi i euros me 17 përqind, në krahasim me lekun në tregun vendas. Qeveria e sektit Rama vetëm u premton paketa ndihme e mbështetje eksportuesve, sidomos fasonistëve, duke u tallur me ta dhe duke i lënë në mëshirë të fatit. Fabrikat e fasonit kanë hedhur në mes të katër rrugëve me mijëra punonjës në muajt e fundit, të çuar në prag falimentimi nga indiferenca vrastare e sektit Rama. Ndërkohë, janë me dhjetëra e qindra biznese të rrënuara nga kontrollet selektive dhe gjobat ndaj aktivitetit të tyre, ndërkohë që bizneset “mavi”, favorite të Ramës dhe sektit të tij, nuk kontrollohen asnjëherë dhe fitojnë tendera pafund nga buxheti i Shtetit.

22. Propogandë arrogande dhe manipuluese gebelsiane. Çdo ditë, që nga orët e para të mëngjezit, mendja e qytetarit të thjeshtë bombardohet nga mijëra mesazhe dhe statuse, si dhe qindra emisione, shkrime, intervista dhe video në faqet në internet të institucioneve qeveritare, në mediat sociale dhe në mediat tradicionale. Çdo ditë deformohet realiteti, për të sprucuar vetëm bojën rozë të pseduo-“arritjeve” të sektit Rama.

23. Grabitja e Butrintit përmes dhënies me koncesion. Kjo formë krejtësisht e pazakontë dhe e paprecedent në Evropë, e dhënies me koncesion privatit të thesareve arkeologjike të vendit, si Parku Kombëtar i Butrintit, përbën një goditje mizore dhe shkatërruese ndaj trashëgimisë sonë kulturore, ruajtjes dhe zhvillimit të saj.

24. Gllabërimi i Sheshit të Flamurit në Vlorë dhe përgjysmimi i sipërfaqes së tij, gjoja duke e “rikualifikuar”. Ndërhyrjet në Shesh përbëjnë një goditje të rëndë të simbolit dhe vetëdijes kombëtare për vlerat tona historike.

25. Tentativa për të grabitur Shkollën Tregtare të Vlorës – shkolla simbol e Vlorës, që këtë vit feston 100 vjetorin e krijmit të saj ashtu siç vepruan edhe me dhënien e Portit të Vlorës për të ndërtuar pallate. Procedurat koncesionare po realizohen përmes kontratave dhe marrëveshjeve okulte, duke dëmtuar rëndë interesat e ekonomisë kombëtare dhe mundësitë e zhvillimit në të ardhmen të kësaj porte kryesore ujore të vendit.

Me dhjetëra mijëra qytetarë mbushën sot Bulevardin “Dëshmorët e Kombit” dhe përpara Kryeministrisë, për të protestuar kundër të këqijave të mësipërme dhe kundër dhjetra e qindra ligësive të tjera, që Rama, sekti dhe oligarkët e tij kanë mbi dhjetë vjet që ua imponojnë qytetarëve dhe taksapaguesve shqiptarë.

Filed Under: Opinion

RRUGË DHE FLATRA…

February 21, 2024 by s p

Poezi,

tregime,

ese, –

libra të 3 miqve të mi, bashkëvuajtës të burgut, m’i kanë nisur nga larg, nga vende të ndryshme, si letra të vyera i çmoj, na bashkoi vuajtja dhe qëndresa, i ndjej si dhimbjet…

Kur kujtoj se i kishim të ndaluara shkrimet, po edhe të lexonim çfarë do të mund të donim, edhe të jetuarit si njerëz e kishim të ndaluar, kurse tani ka ardhur një letërsi tjetër nga burgjet dhe internimet, e shkruar fshehurazi, nëpër rreziqe e sakrifica, që solli të vërtetat që mungonin dhe moralin, dëshminë e gjallë me një bukuri tronditëse, me estetikën e tragjedive, duke u dhënë forcë tjetër letrave shqipe, në fund të fundit duke i pasuruar ato.

1.

Ja, poezi nga Kujtim Murataj, metafora dhe rima që kumbojnë si hapa që u ngjiten të përpjetave, “Sikur qielli të ishte blu” – thotë autori në titull të librit, – si qielli brenda nesh, se jashtë nesh është me re dhe shtrëngata dhe mugëtirë si jeta jonë…

Tek isha në pranga dhe bëja lutje,

vegime nimfash më vinin shpesh

dhe befas ëndrrat më çonin tutje,

madje shumë herë dhe sipër resh.

Ëndrrave s’u vinin dot pranga gjithsesi.

2.

Qëndruam në vuajtje dhe dhunë, mbetëm njerëz dhe atje ku ishte e vështirë, në burg, – na e dëshmon tregim pas tregimi dhe Memisha Gjonzeneli në tre përmbledhjet e tij, “Piramida e Plakut”, “Nëna”, “Pendimi”, copa jete, një realizëm i ashpër, ku mirësia arrin të spikasë mbi ligësitë, dashuria mposht urrejtjet si hekurat e burgjeve, rrugët hapen, nga qelia – atje ku nuk besohej, në Amerikë, koka e kthyer pas nga malli, vegimet e së shkuarës janë bagazhet në mërgimet për një të ardhme tjetër…

3.

Po ne dimë të jetojmë së bashku në fund të fundit, – duket se nxjerr përfundimin e tij Muharrem Xhydollari në esenë për vendlindjen, “Pogradeci dhe rrethinat në bashkëjetesën fetare”, ku vë në spikamë këtë virtyt të shqiptarëve, mirëkuptimin me tjetrin, edhe i fesë tjetër në qoftë, kishat dhe xhamitë nuk na kanë ndarë, jemi dashur dhe të besojmë në dashuri e Zot. Rrëfime të thjeshta, aq familjare, domethënëse. “Me përulësi” – është fjala e fundit e librit.

Dhe kjo i karakterizon tre autorët e mi bashkëvuajtës, që me të hequr prangat nga duart, morën penën, kompjuterat e mërgimit dhe po hidhnin vargjet, elegjinë e nisur, po tregonin vuajtjen, urtë e me dinjitet, pa britmat e mburrjeve dhe pozat e konvertimeve, pa thënë se jemi heronj, as se po bëjmë letërsi burgu ose jo, ëndërrthyer, donin të studionin letërsi, shkenca, nuk i lanë, por dhe ata nuk po e lënë pa e dëshmuar veten, një e drejtë e gjithsecilit.

Dhe kam mall deri në mallëngjim sublim, u dëgjoj zërat, shfletoj librat… shih si duken, si copa të një rruge të përbashkët, por edhe si flatra…

Visar Zhiti

Filed Under: ESSE

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 1133
  • 1134
  • 1135
  • 1136
  • 1137
  • …
  • 2774
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Dashuria që e kemi dhe s’e kemi
  • “Jo ndërhyrje në punët e brendshme”, dorëheqja e Ismail Qemalit, gjest atdhetarie dhe fletë lavdie
  • Arti dhe kultura në Dardani
  • Gjon Gazulli 1400-1465, letërsia e hershme shqipe, gurthemeli mbi të cilin u ndërtua vetëdija gjuhesore dhe kulturore e shqiptarëve
  • “Albanian BookFest”, festivali i librit shqiptar në diasporë si dëshmi e kapitalit kulturor, shpirtëror dhe intelektual
  • VEPRIMTARI PËRKUJTIMORE SHKENCORE “PETER PRIFTI NË 100 – VJETORIN E LINDJES”
  • 18 dhjetori është Dita Ndërkombëtare e Emigrantëve
  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT