• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Havzi Nela, zani kushtrues i një shpirti ngadhënjimtar, poeti i këngës kryengritëse

February 20, 2024 by s p

Nga Albert Vataj/

Në ndërmendjen e përvjetorit të lindjes së poetit, tuj kumtu mirënjohje për krejtçfarë ai e shkroi me gjak mbrojti me kalvar, ngucemi tash me rijetu copëza të atij mundimi të pashoq hekash dhe lëngimesh që gjaset me i gatu vetëm havani i terrtë i kobit të kuq. I vetmi krim që ky za kushtrues kishte ba, dhe për të cilën ai shkoi në litar 10 gushtin e vitit 1988, ishte vullnesa për me ia kushtu veten mish e shpirt shërbesës së fjalës së lirë, kumtit krijues, me të cilin ai këndoi dhe u ndesh me një prej bishave më të zezonta.

I pamposhturi i kushtrimit të lirisë, i kumtit ngadhnjyes të poetit, i zanit të paepur të një shpirti që s’diti të jepej, ishte ai, Havzi Nela. Varra e mbrame e bishës në agoni. Zemra e thyeme e një shtati të drobitun. Zani gjëmues i një shpirti ngjadhnjimtar. Poeti që luftoi komunizmin me penë dhe guxim. Ishte ndër ata intelektualë, që parapriu një lufte, përleshjesh të shpirtshme me fjalë dhe vargje, të cilën besonin idealistët dhe prej së cilës komunizmi druhej më shumë se djalli nga temjani. Ai ishte poet po kaq sa mësues, besonte te idealet njëjt sa te liria dhe nuk mund të kuptosh këtë epje vetëflijuese pa atë lartësim dhe fisnikërim shenjtërimi që ai mëkoi deri në natën kobzezë të litarit. Ai u ngjit në trekëmbëshin e vdekjes si në kryqin e përjetësisë së Hyut, për të qenë ndër martirët e dritës dhe dijes, poezisë dhe gjëmimit të shpirtit.

Më 20 shkurt të vitit 1934 një e qarë fëmije do të këndellte një tjetërqysh kreaturë jetësimi në qiellin e rrëzuar mbi pullazet e majeve në Kollovozin të Kukësit. Një shkulm flakadani do të gjëmonte në oxhakun e asaj votre, tuj ysht një të shtënë lumnie që theri përmes terrin e asaj nate kumtimi dlirësie. Rrokullima e viteve do të derdhej në shtatin e një shuguruesi, si një dritë që lëshohet nadjve tuj përla me jetësim tançka rrok pamja. Një kapërthim përjetimi të stuhishëm do t’i kridhej në hov kësaj zemre flakatare. E në të mbramë të trishtë do ta kishte t’fikumen e frymës. Nata kobzezë e 10 gushtit të motit 1988 e thuri me mraz mantelin e trishtimit, që do të lëshohej mbi qytetin verior, si një qefin morti bashmë me terrin e qorruem. Në yje i’u shndërrue grahmat e fundit atij shpirti ngadhnjyes. Me dritën që lindtte s’kish mbetun kurrçka gjallnuese në të, veç kurmit hekakeq të martirit, që derdhej në plisin e përpushun lëngimesh në trekëndësh. Në kup të qiellit kuja i’a lëshoi në atë zgjim tragjik të atij qyteti që strukej nën peshën e heshtjes. Sy e zemra u qorrën në këtë manifestim frike dhe paniku që mbillte kjo varrë mesjetare që rrëmihte të shkumen, të tashmen e të gjithmonshmen e vetëdijes së njerzisë, kësoane e gjithsekund. Në atë prehje trishtane që kalli tmerr shtati i shterrun hekash i poetit që tuj ken “armik i popullit dhe partisë” ishte bzamja ma kushtrues që ajo ndërkohje kishte mujt me e lëshu potershëm. Klithmë, e cili theri si dhimbë shgjetare atëditë e sot. Kësohere dritëlëshuesi i dijes e kumtuesi i kremtes së lirisë, kish da mendjen me ik, jo si më heret “zemërplasun” por zëkallun e oshëtues në ndërkohje.

As tokë nuk i dhan në pushimin e pasosun, Havzi Nelës. Deri në njat cak kishte mujt me mbërri makabriteti i lëshuem në duar të zellshme gjakatarësh, mbi të cilët nderej i friguem ajo bishë e plagosun. E derdhën mish e kocka, poetin në vrimën e një shtylle, mes ferrave. Me gurë dhe mrryl e mbuluen atë grumbull të mbetun prej së gjalli. Pa varr e lanë, pa kuja, pa lot e degdisën në tjetër botë. Kaq mundi me gadit zelli i përbinshëm i një regjimi. Vetëm kaq, me diftu, i’a behu mendja djallzore e dora e gjakut të prishun.

Lirinë kishte krejtçka Havzi Nela në të gjallë e në amshim pati si armë, të cilën nuk e lëshoj prej dore kurrnji dekik. Poezinë kishte pishtar e nuk ndali së lëshumi tmerr dhe dritë gjithkah kamba e tij shkeli e zemra e tij kalli. Përkundër asnjë godi nuk mësoi të hesht ai zë gjëmimtar. Qeli, pranga, tortura, e farkëtuan atë shpirt lirie, atë shkrepëtim që ndrit udhën shtegtarit atëditë e sot.

Havzi Nela, do të mbamendet si shembulli më vetanak i mizorisë së kuqe në agoni, është dëshmia më ngjethëse që ka lënë diktatura atëhershme. Si djalli nga temjani u përndoq ky korife i mendimit të lirë, kjo pëshpërimë gjëmimtare e ngulmit për të dëshmuar në një kohë të mraztë vitalitetin e një vullnese të dlirë.

Golgota e mundimeve të këtij Prometeu të dijes u dogj më flakën e dritës që kalli vargjet e tij të zëshme liberatore. Fatkobi i poetit tek ai nuk preku ndonjëherë ngjashmëri të tjetera, të njimendta në atëhohje. Tehu i gjakimit të së keqes duke e shpuar tejpërtej ndër rrufe përgjimesh kobzeza, ishte derdhur mbi të pamëshirshëm dhe nuk iu shkoq deri në të mbramë të frymës në konop. Përdnjekja e kalli këtë zë liri e në flakët e ferrit të kuq me të cilat u ndesh dhëmb për dhëmb. Si Ante qëndroi ai mbi zemëratën e shtërzishme të motmotit. Nëpër shkulmet e këtij marazi ai mrujti apogjeun e shpirtit. Krejtçfarë është thënë për këtë shpirt rebel, dhe ka bërë me pasion të shenjtë ky ngulm lirie është një vullnesë e dlirë, një shëmbëllim që ngucat. Përkundër tançka ka ndërzy atë bishë të përbinshme komuniste, nuk e ka tut, nuk e ka ndal, nuk e ka step atë yrysh tokësor, më u ndesh me forcat më të errta të Hadit komunist. Ai qëndroi në kambë, në të gjallë e në të vdekun. Mundimet e këtij shpirti sakrificash, e këtij kushtrimi të zëshëm të lirisë, nuk kanë shoq.

Kush ishte ky gjëmim

Havzi Nela lindi më 20 shkurt 1934 në fshatin Kollovoz të rrethit të Kukësit. Ndoshta fëmijëria e tij e asaj ndërkohje s’do të kishte shumë më tepër gjana për të kumtu, ngase ai i tha me za e me vepëri në të gjallët e tij. Të themeltë e kish në vete shpirtin e kryengritjes, vullnesën e jetësimit deri në të mbrame të frymës që kishte. Tuj met jetim qysh në moshën 9-vjeçare, atij i’u lëshu në shpinën e njomë torba e randë e shtegtarit. U kalit në mundime dhe heka ky kurm që gjaku e shndrroi në pishtar.

Individi i kolektivizuar më shumë se një absurd që shakadahej në batakun e reales surreale, ishte për Havzi Nelën një ngadhnjim kryerendës, një domosdo për të reaguar që në krye të herës. Rebelimi kundër së keqes ishte gjaku dhe mishi që veshi, jetësoi ky bir nane.

Golgota e dijenxënies dhe e mësuesit

Edhe vetë kalvari i dijenxënies është jo më pak rrëfimtar i kacafytjes që kalli mbi këtë kurm drite paradoksi i asokohshëm. Ai mbaroi shkollën fillore dhe të mesme, ndërsa jetojnë në varfëri ekstreme. Krejt rrëfimtaria e tij jetësore është një rrugëtim nëpër natë nën qiellin e gërmushin vetëtimash. Zgjaton lëngueshëm ai kortezh i të gjallëve të mësuesit dhe poetit, individit që ngiste nëpër teh të rrezikut me kap fillin e dritimit të perëndishëm, të njeriut me ëndrra qiejsh të kjart.

Duke kqyr turraz nëpër faqet e të shkumes mundena me kumtu se Havzi Nela gurëthemelin e dijes e hodhi në qytetin e Shkodrës, prejku u dëbua si element destruktiv. Pas do vitesh i jepet mësuesisë në shkollën fillore të Planit të Bardhë, një fshat në rrethin e Matit. As këtu nuk i zan kambët dhe këti ngulmi zjarmtar. Te e vona ai i kthehet sërish Shkodrës me i përmbyll studimet, kësohere me korrespondencë. Kruma, Lojmja, Shishtaveci, Topojan janë këto toponimet e dijedhënies së poetit. Përgjatë gjithë këtij rrugëtimi dritëlëshues, një pal sy ferri do të qepeshin përmbas, ngado. Golgota e mundimeve do të lëshonte britmën. Ai nis të marrjet hera-herash në paraburgim.

Kalvari i martirit

Dhe vjen dekiku i përballjes dhëmb për dhëmb. “Shko dallëndyshe” të Filip Shiroka, bahet “Lamtumira zemërplasun” e Havzi Nelës dhe bashkëshortes së tij, Lavdie. Ai arratiset për me sos në Kosovë, më 26 prill 1967. Një gërmushje ndjellakeqe e pret me “pushkë për faqe”. Ndalohet dhe merret në pyetje në një hotel në Prizren. Më 6 maj të po atij viti burrë e grua këmbehen në Morinë me shqiptarë të Kosovës, të cilët i dorëzohen UDB-së famëkeqe nga pala shqiptare.

Kalvari i trishtë nëpër të cilën rendi ky liberator, zgjaton që nga Elbasani, Vlora, Spaçi, Burreli, Ballshi, Qafë Bari. Nëpër zgafellat më makabre të diktaturës i kaploi 20 vitet e jetës së tij. Nëpër tmerrin më të mraztë e gërmëzoi gjithkohjen e kushtrimit të tij, poeti martir. Tinëz e thuri qiellin shkrepimtar të poetit, Havzi Nela në qeli. Në fletushka nëpër terrin e frikës dhë përgjimit e ngriti varg pas vargu e metaforë pas metaforë zjarmin e lirikës.

Havzi Nela, dhe kjo ndërmendje në përvjetorin e lindjes, behin kushtrues në të tashmen e një demokracie që hiqet zvarrë si një shtazë e plagume. Edhe të rrokte të gjallët e tij, të mraztë do ta kishte poeti paqen nën peshën e të pamundunes, që mruhet në maxhën e zhgënjimit. Të trishtë do ta ndjente të tashmën e zorshme të vlerave të përmbysta, kurmi i lënguem i atij shtati që sfidoi me qëndresën në kalvarët e terratisë. Rrno ndër ne Havzi Nela, në trajtën e një kujtese ngjethëse, një dlirësie shuguruese, një gjithëkohje kushtruese, rrno me dëshmu me mbamendjen tande të ngjyme në gjak lirie.

Filed Under: LETERSI

Fotoreportazh nga Rrjeti i Bizneseve Shqiptare në Zvicrën Qëndrore; tri ngjarje të mëdha për 16 vjetorin e pavarësisë së Kosovës

February 20, 2024 by s p

Dashnim Hebibi: “Të krijojmë një bankë komerciale shqiptare në Zvicër”.

“Kur duam, mundemi dhe ia dalim! Së shpejti projektet tjera do të vijnë e që besoj shumë, se do të kemi përkrahje nga të gjithë ata që ia duan të mirën vetes, familjes, kombit dhe të ardhmes. Po e kujtoj edhe këtë fjalë të urtë: “Bashkimi është një fillim, të qëndruarit bashkë është një progres, të përparuarit së bashku është një sukses, fjalë nga Henry Ford”, na tha ndër të tjera, z.Florim Useini.

Luzern, 17 shkurt

Për një organizim madhështorë përmes pak fjalëve është e pamundur të përshkruhet. Prandaj, kësaj here, përmes këtij reportazhi, do të mundohemi ti japim lexuesit tonë detaje nga tri ngjarje për një datë të rëndësishme organizuar nga Rrjeti i Bizneseve Shqiptare në Zvicrën Qëndrore. Koha është dinamike por do ta gjejmë lexuesin e sigurt. Tekefundit, librat dhe shkrimet shkruhen për ata që lexojnë. Duhet të mbetet e shkruar për brezat e rinjë që do të vijnë, se të parët e tyre nëpër periudha të ndryshme i shërbyen atdheut dhe i shërbejnë edhe në të ardhmen, por do të përqendrohet më shumë për brezin e ri. Në katër anët e Zvicrës dhe në të gjithë diasporën, ka pasur manifestime të shumta me programe të ndryshme, ku bashkatdhetarët tanë kanë kremtuar një datë të rëndësishme të kombit tonë, ate të pavarësisë së Kosovës, pra 16 vjet shtet, Kosova jonë. Për lirinë dhe pavarësinë e saj siç dihet kanë dhënë jetën edhe shumë dëshmorë nga diaspora dhe kontributi i mërgatës për liri ishte i madh ose arteria kryesore për ate liri dhe pavarësi që sot po e gëzojmë të gjithë. Kësaj here u ndalëm në Kriens të Luzernit, në Stadtplatz, në zemër të qytetit të bukur të Luzernit të këtij qyteti që ka shumë bashkatdhetarë të suksesshëm e veprimtarë të dalluar të çështjes kombëtare në këtë qytet ku po vepron edhe Rrjeti i Bizneseve Shqiptare në Zvicren Qëndrore edhe ate nga vitit 2018. Ishim ftuar, që të marrim pjesë nga ora 13.00 dhe së bashku me z.Rafet Ademi, veprimtarë i dalluar i kauzës sonë kombëtare, themelues i disa shoqatave në Zvicër dhe njëherit kryetar i Shoqatës Kulturore Shqiptare në Fricktal, arritëm në ora 12.30 dhe duke menduar, se do të filloj me vonesë, ashtu siç jemi mësuar shpesh të shohim. Por, këtu ishte ndryshe, përpikshmëria në nivel, një organizim për ti marë lakmi. Koktej, bashkëbisedim me të ftuarit, që vinin dhe në çdo moment vinin emra të njohur, si diplomat, shkenctarë, afaristë e artistë. Kokteji ishte shumë i mirë, sepse i jepej mundësi secilit që të njihen mes veti dhe të ndërrojnë edhe numrat e telefonit. Kjo edhe si duket ishte qëllimi i organizatorit, që të njihemi sa më shumë mes veti. Modestia dhe qëndrimi serioz dhe me buzëqeshje miqësore i z.Florim Useini, dëshmonte, se në këtë rrjet ka bashkëpunim dhe jo vetëm fjalë. Miqtë e tij, që janë në sofrën e rrjetit, bashkëbisedonin herë pas here mes veti, ku secili kryente detyrat e veta, që programi ti shkoj si duhet dhe si i ka hije. Flamuri ynë kombëtar, ai i Kosovës dhe i Zvicrës ishin së bashku në qendër të hollit. Në këto momente mu kujtuan disa fjalë të z.Useini që mi tha gjatë intervistës, ditë më parë, që ishte publikuar nëpër shumë media e deri në SHBA.

“Afaristët shqiptarë kanë arritur majat e suksesit dhe qëllimi është që në këto maja të ndërtojmë ura lidhëse që të bashkëpunojmë dhe njëkohësisht ti rrisin edhe ato që janë duke u ngjitur dhe ti nxisim edhe ato të tjerët që të nisin të ngjiten. Ne vlersojmë, se është themelimi i shoqëris aksionare, që të thyejmë thënjen e vjetër ,,Tre shqiptar nuk bëhen bashkë“. Pra, munden të bëhen bashkë dhe të kenë suksese“.

Ishte një intervistë ekskluzive dhe të parën në medie të shkruara. Pas dy ditësh, që u shpërnda kjo intervistë në medie të ndryshme të shkruara, po mbahet Konferenca Shkencore, jo në Tiranë, as në Prishtinë, por as në Shkup, por në Zvicër në qytetiin e Luzernit. Nuk është e lehtë të bashkohen nga të gjitha trevat shqiptare, shkenctarë, diplomat, afaristë, bëmirës, artistë dhe veprimtarë nga e gjithë diaspora shqiptare dhe atdheu.

Në ora 13.15 minuta shënoi edhe hapjen e ekspozitës për artistët: Adem Dërmaku dhe Urim Berisha

Që të dy artistët janë të njohur edhe për diasporën tonë, se edhe më herët kanë pasur ekspozita. Moderatori, z.Dan Morina, si zakonisht me fjalë origjinale të tijat me një humorë të pranuar, aty për aty, bëri prezentimin e artistëve në fjalë, nga një biografi e shkurtërt dhe për tematikat e punimeve të tyre. Musafirët, që ishin prezent i përgëzuan artistët tanë, që po veprojnë në Zvicër me punimet e tyre, që përmes ngjyrave e kanë gjuhën e tyre të veçantë artistike dhe bashkëbisedonin për punimet e tyre dhe nuk munguan edhe foto kujtimi nga ata vetë musafirët, por edhe nga fotografi profesionist z.Rromir Imami me stafin e tij.

Nga organizatori e pamë, saktësinë, seriozitetin dhe profesionalizmin, detaje shumë të rëndësishme për projekte të tjera

Atëherë, kur shumica prej nesh ishim futur në botën artistike të punimeve, që i kishim para syve dhe na ndihmonin edhe artistët, organizatorët na njoftonin, se është koha, që të jemi në sallën e Konferencës. Kryetari, Florim Useini me stafin e Rrjetit të Bizneseve Shqiptare në Zvicrën Qëndrore me miqësi rrinin te dera e sallës dhe na orientonin për te vendet tona, që ishin rezervuar. Në sallë, të dukej vetja, vërtet, se je në Tiranë, apo Prishtinë, ose më mirë me thënë në Prizren, në sofrën e dy qeverive shqiptare. Madhështore. Gjithçka në mënyrë profesionale. Me plot kuptimin e fjalës, sallë konferencash shkencore. Renditja, mjetet teknike e deri tek uji dhe pije tjetër energjike edhe ate nga Kosova jonë, ujë „Rugove“ dhe pije energjike „Golden Eagle“, dy stilolapsa me llogo të rrjetit, fletore shënimesh, poashtu me llogo të rrjetit dhe letra e informacionit e detajeve të rrjedhës së konferencës. Për bukuri. Një frymëzim edhe më i madh për referuesit, bashkëbiseduesit e musafirët e ftuar.

Sofra me flamurin kombëtar dhe qiftelia

Sofra, simboli i bashkimit, bashkimit të një familjeje. Flamuri kombëtar kuq e zi me shqiponjën dykrenare, flamuri i çdo shqiptari kudo që jeton dhe qiftelia, instrument i kombit tonë. Ndriçimi i sallës ishte super i mirë, kamerat e TV Syri Blue, TV, që vepron në Solothurn të Zvicrës me editor z.Musli Sahiti e me gazetarin, z.Besim Laci, bënin intervista me të pranishmit dhe regjistronin çdo detaj. Edhe përfaqësues të radios së parë shqipe në Zvicër www.albradio.ch, radio nacionale, merrnin shënime, që edhe ata të japin kontributin e tyre. Secili musafirë kishte emrin e vet të shkruar, si për panelistët dhe musafirët e tjerë. Konferenca filloi punimet me intonimin e himnit të flamurit kombëtar.

Florim Useini, kryetar i Rrjetit të Bizneseve Shqiptare në Zvicrën Qëndrore i hapi punimet e Konferencës me temën: “Sfidat e kulturës së biznesit” për diasporën tonë, konkretisht në Zvicër, me urimet më të përzemërta për të gjithë të pranishmit për 16 vjetorin e pavarësisë së Kosovës, duke përmendur sakrificën shekullore të kombit tonë deri te pavarësia. Përshëndeti dhe iu dëshiroi mirëseardhje të pranishmëve në emrin e tij dhe të të gjithë kryesisë dhe dashamirësve të rrjetit me fjalë zemre.

Fjala e z.Useini ishte modeste dhe pa u zgjatur shumë, ku dëshmoi edhe kësaj here, përpikshmërin e ecurisë së kësaj konference, sepse secili panelist e kishte të caktuar kohën e referimit. Shihej nga të gjithë, se këshilli organizativ ishte përgaditur maksimalisht dhe me seriozitet të madh për këtë ngjarje.

Nuk mundem të fshehi edhe emocionet e mia të mira, vërtet për këtë ngjarje me karakter shkencor, se do ti kishin lakmi edhe institucionet tona akademike. Secilit, do ti shkonte mendja, se sa ka kushtuar? Kur e kemi parasysh, se jemi në Zvicër e kuptojmë menjëherë, se ka kushtuar shumë sigurisht, por ia vlenë për një organizim të till. Të rralla janë organizimet e këtij niveli, jo vetëm për nga organizimi, por nuk shihej edhe egoja e organizatorit, por meritat ndaheshin. Kjo është më shumë se madhështore dhe padyshim, se edhe projektet tjera do të jenë të garantuara me suksese. Aty ku ka unitet, profesionalizëm dhe jo krekosje, rezultate vijnë. Ishte parapa, që në këtë konferencë të jetë prezent edhe z.Lazim Destani, Filantrop, një personalitet i madh i kombit tonë dhe kryetar nderi i Rrjetit Global, por për arsye, që kishte ftesë nga presidentja dhe kryeministri i Kosovës në festën zyrtare në Prishtinë është dasht të jetë atje. Por, fjalën përshëndetëse e shumë të përzemërt për të pranishmit dhe këshillin organizativ e përcolli përmes, z.Granit Sokolaj i cili ishte i shoqëruar nga Era Hajdari, anëtare e bordit këshillimor.

Më pas me disa fjalë përshëndetëse dhe uruese, z.Rexhep Demiri, Ambasador i RMV në Bern të Zvicrës, një diplomat me plot kuptimin e fjalës, vlerësoi lart konferencën dhe njëherit uroi të gjithë për 16 vjetorin e pavarësisë së Kosovës.

Z.Imri Demelezi, zv.ministër i bujqësisë, pylltarisë dhe zhvillimit rural të Kosovës, pasi uroi organizatorët për këtë konferencë dhe uroi të pranishmit për 16 vjetorin e pavarësisë së Kosovës, ndër të tjera ai, tha:

“Është nder i madh për mua të jem prezent në mesin tuaj. E dijmë, se mërgata ka kontribuar shumë para, gjatë dhe pas luftës në Kosovë dhe sot e kësaj dite. Padyshim, se u jemi mirënjohës. Sa i përket temës së kësaj konference do të ndalem në disa pika. Investimet në industrinë agro-ushqimore, duke përfshirë pjesmarrjen në pronësitë e rrjeteve të supermarketeve është investim i rëndësishëm për mërgatën dhe vendin tonë…. Kjo do të krijonte mundësi më të lehtë dhe tjera përfitime prodhimeve tona dhe levë për ripozicionim të prodhimeve tona dhe të vetë ne, në rajon dhe Evropë“.

Është për të përshëndetur punën e madhe që po e bënë, z.Vigan Berisha, shef i misionit konsullar në Konsullatën e Republikës së Kosovës në Cyrih. Modest dhe bashkëpunues me mërgatën tonë. Z.Berisha, ka disa muaj, që ka filluar punën në konsullatë, por ai, ka realizuar shumë takime me mërgimtarë të fushave të ndryshme, që veprojnë jo vetëm në Cyrih, por edhe nga kantonet tjera, gjest që po vlerësohet shumë. Ai i përshëndeti organizatorët dhe i përgëzoi për këto tre ngjarje pë nder të 16 vjetorit të pavarësisë së Republikës së Kosovës. Njëherit, të gjithë të pranishmëve i uroi festën, që padyshim, se mërgata e meriton shumë, kur e dijmë, kontributin e madh, që e ka dhënë me dekada e dekada. Z.Berisha, përmendi edhe slloganin e kësaj konference: „Bashkimi, forca e suksesit“, kjo tregon më shumë se gjithçka. Të bashkuar, do të jemi më të fortë dhe të suksesshëm.

Z.Izmit Nura, zv.drejtor i agjensisë së mërgatës. Z.Nura pas përshëndetjeve dhe urimit për këtë ditë të shënuar, përmendi edhe luftën heroike të UÇK-së. Ai theksoi, se nuk duhet harruar dëshmorët, invalidët e luftës dhe veteranët dhe të gjithë që sakrifikuan për pavarësinë e Kosovës. Kujtoi edhe babain e tij, që dikur ishte mërgimtarë. Diaspora shqiptare ka dhënë shumë për çështjen shqiptare në përgjithësi, shtoi mes tjerash.

Zonja, shumë e respektuar, Shukrije Ramadani, bashkëshortja e dëshmorit të kombit, Agim Ramadani, e cila mori përshëndetje nga secili që ishte i pranishëm e cila në këtë ngjarje ishte në rolin e përfaqësueses nga Ambasada e Republikës së Kosovës në Bern, pasi përshëndeti të gjithë të pranishmit dhe i uroi për këtë ditë të veçant të kombit tonë, kujtoi të gjithë ata, që dhanë jetën për pavarësi dhe të gjithë ata, që sakrifikuan gjithçka, që ne të gëzojmë lirinë. Ndër të tjera, tha, se duhet të jemi shumë më të bashkuar për të mirën e çështjes kombëtare.

Musafirë special ishte, Prof.dr.Jahja Kokaj, deputet nga VV, njëherit dhe shkenctar i fizikës kuantike

Prof.Kokaj, mes shumë emocionesh nga gëzimi, që ka parë një organizim kaq të mirë, vlerësoi lart punën e madhe, që ka bërë Rrjeti i Bizneseve Shqiptare në Zvicrën Qëndrore brenda pesë viteve sa egziston dhe u ndal në madhështinë e kësaj konference. Me fjalët më të mira të mundshme falënderoi organizatorët dhe uroi, që të gjithë, 16 vjetorin e pavarësisë së Kosovës. Mes tjerash tha: „Diaspora shqiptare e meriton dhe është ndër më meritorët për pavarësinë e Republikës së Kosovës. Kur sheh edhe biznesmenët të bashkuar, kjo jep sinjale të mira e të sigurta. Vetëm të bashkuar do ta kemi të ardhmen më të mirë. Aty ku mendohet dhe kërkohej, se do ti bënte mirë kontributi im profesional, do të jem mes jush dhe për ju. Për temën në fjalë, në ditët në vazhdim do të përcjell kumtesën time. Edhe Granit Sokolaj nga dhoma e biznesit të diasporës shqiptare, përgëzoi organizatorët dhe uroi të pranishmit për pavarësinë e Kosovës dhe u ndal me disa fjalë për kontributin e afaristëve shqiptarë nëpër botë. Kumtesa e Dr. Ardian Retkoceri u përcoll me vëmendje i cili në mënyrë profesionale paraqiti disa fjalë në lidhje me temën e sotme të kësaj konference. Pasi edhe përshëndeti si dhe uroi të gjithë të pranishmit, për hirë të respektit për kohën e caktuar të referimit, ai mes tjerash tha, se në kumtesën e tij e cila do ti dorëzohet organizatorit është e shtjelluar në përgjithësi. Tani më duhet ti përmendi edhe fjalët e mia edhe pse jam artikullshkrues i këtij reportazhi, por thënë sinqerisht, u mirëprit dhe u vlerësuar nga profesionistët e në veçanti nga shkenctari, Prof.dr.Jahja Kokaj. Pasi përshëndeta dhe urova të gjithë për 16 vjetorin e pavarësisë me një përshëndetje speciale iu drejtova, zonjës Ramadani. Më pas, po shkëpus disa fjalë nga kumtesa ime: „

Në emër të Institutit Helvetik të Studimeve për Evropën Jug-Lindore me qendrën e saj në Cyrih, kam kënaqësinë që, para këtij paneli të respektuar dhe ndjekësve të kësaj konference, në cilësinë e njohësit dhe studjuesit të çështjeve të ndërlidhura me kontributin e përgjithshëm të diasporës shqiptare nëpër vendet evropiane dhe më gjerë, të shpalos para jush një këndvështrim personal rreth rëndësisë dhe fuqisë lidhëse që përfaqëson zhvillimi i bizneseve shqiptare në hapësira gjeografike jashtë shteteve amë. Veçantia që e ka karakterizuar dhe dëshmuar diasporën shqiptare përgjatë gjithë ekzistencës së saj jashtë trungut amë, lidhet pikërisht me kontributin që ka dhënë para dhe gjatë luftës çlirimtare të Kosovës.Potenciali biznesor i diasporës shqiptare në cilindo vend jashtë trungut të shteteve amë dhe roli i saj si aktor në hapësirën ekonomike globale, përfaqëson një nivel të ri të interesit kombëtar. Rëndësia e trurit dhe talentit të përfaqësuesve të diasporës shqiptare, jo vetëm se po pranohet nga shtetet pritëse, por edhe po bëhet çdo ditë e më atraktive për kompanitë e huaja me shtrirje ndërshtetërore e tejoqeanike. Këtë potencial njerëzor kemi për obligim që ta ruajmë, kultivojmë e shfrytëzojmë, duke investuar vazhdimisht në të, në mënyrë që rrjeti i bizneseve shqiptare të jetë konkurencë serioze në tregun e Zvicrës, Evropës e më gjerë. Unë uroj sinqerisht që punimet e kësaj konference të parë të këtij karakteri, përmes të cilës është synuar të mblidhen bashkë shumë figura të shquara e të dëshmuara në fushën e biznesit, të cilat, si pikë të përbashkët kanë kombin shqiptar, por si synim, sigurisht që kanë dhe duhen të kenë pushtimin e tregjeve vendore e të huaja, të prodhojnë ide dhe vizione të qëndrueshme drejt krijimit të një banke komerciale shqiptare këtu në Zvicër.

Bankë për t’a mbajtur kapitalin shqiptar në qarkullim dhe në shërbim të ngritjes e shkëlqimit të diasporës shqiptare në çdo sferë.

Në fund, për të mos e zgjatur më shumë, uroj që ky forum të shndërrohet në traditë të përvitshme dhe nga punimet e tij të publikohen shkrime të karakterit akademik, nga të cilat do të përfitojë, jo vetëm komuniteti shqiptar i biznesit në diasporë, por edhe më gjerë. Të nderuar miq, po e përfundoj fjalën time duke e kujtuar një mesazh me rastin e 28 Nëntorit në vitin 2021 nga Biznesmeni dhe filantropi i njohur Lazim Destani, që është në krye të listës së shqiptarëve më të suksesshëm në fushën e biznesit në arenën ndërkombëtare i cili ka thënë: “Patriotizmi sot matet me punën që bëjmë, me detyrat që jemi ngarkuar, me profesionin që ushtrojmë. Puna që bëjmë, pavarësisht profesionit, qoftë mësues apo mjek, qoftë një teknik apo inxhinier, qoftë punonjës administrate apo mjeshtër i një zanati, afarist apo i përfshirë në aktivitete shoqërore çfarëdo qofshin ato, kur gjithsecili e bën punën e vet me nder e korrektësi, me disiplinë e përkushtim, atëherë nuk ka pse mos të vijë zhvillimi ekonomik e shoqëror i vendeve tona“.

Më pas fjalën e mori, z.Xhelal Memeti, kryetar i Unionit të Afaristëve për Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë

Z.Memeti ndër të tjera theksoi: “ Urime për organizatorin. Përshëndetje për të gjithë dhe urime 16 vjetori i Pavarësisë së Kosovës. Unë vij nga ajo etni shqiptare e cila po përjeton një situatë të vështirë, ku besoj se të gjithë e dini. E ne me disa miq, jemi munduar, që të organizohemi dhe të bëjmë ca përpjekje për të mirën e asaj treve. Kemi themeluar një union të afaristëve dhe është mirëpritur mirë si dhe sukseset tona po shihen dita ditës. Kemi organizuar disa aktivitete dhe do të vazhdojmë e dhe në të ardhmen. Presim bashkëpunim dhe përkrahje padyshim, se edhe nga shtetet tona, Shqipëria dhe Kosova, por edhe nga miqë që i kemi në diasporë. Veprimtari e njëherit afaristi, Skënderbeg Klaiqi, kryetar i Lobit Shqiptar Euro-Atlantik, pas përshëndetjeve dhe urimit për 16 vjetorin e pavarësisë së Kosovës, kishte përgaditur një kumtesë e cila zgjoi gjithashtu interesim nga të pranishmit.

Para pjesës së dytë të punimit të kësaj konference u bë një pushim prej 30 minutash, ku organizatorët kishin përgaditur ushqim tradicional, ku nuk mungoi as flija, pitja dhe ëmbëlsirat, që gatuhen nga kuzhina jonë e pasur shqiptare

Rrjeti i Biznesit me kryetar Florim Useini, falënderoi të gjithë personalitetet, që ju përgjigjën ftesës të jenë pjesë e konferencës së parë të rrjetit me temë ,”Sfidat e kulturës së bisnesit” nën moton “Bashkimi, forca e suksesit”, si, Visar Robelli, Mehdi Avdijaj, Shaqir Alushaj, Ilir Krasniqi, Rexhep Demiri, Vigan Berisha, Jahja Kokaj, Shukrije Ramadani, Dashnim Hebibi, Rromir Imami, Xhelal Memeti, Lurata Reci, Ardian Retkoceri, Musa Berisha, Naim Kurti, Sahit Muja, Naser Limani, Izmit Nura, Skënderbeg Klaiqi, Rafet Ademi, Kened Frrokaj, Sami Aliu, Vaxhid Sejdiu, Nikolin Gjeloshi, Shaqir Berbati, Mehmet Xhuka, etj.

Pjesa e dytë e konferencës

Fjala iu dha, z.Sahit Muja, afarist e veprimtar i njohur, CEO-Albanian Minerals. Pasi uroi të gjithë të pranishmit për 16 vjetorin e pavarësisë së Republikës së Kosovës, tregoi ndër të tjera, se ka investuar në Shqipëri. Për 30 vjet ka jetë mërgimi në SHBA. Kujtoi, se Shqipëria dhe tokat tona shqiptare në përgjithësi kanë pasuri të mëdha, na duhet të punojmë më shumë dhe të investojmë. Të tregojmë kulturë pune evropiane dhe amerikane e rezultatet janë të sigurta.

Z.Orhan Spahiu, kryetar i kuvendit shqiptar në Zvicër, njëherit jurist dhe aktivist i respektuar, pas përshëndetjeve dhe urimit për këtë datë të shënuar historike për të gjithë shqiptarët u ndal së përmenduri, sukseset e disa afaristëve në sektorin e ndërtimit. Ai ndër të tjera përmendi, se sektori i ndërtimit është shumë i rëndësishëm në Zvicër, duke përmendur edhe shifra. Foli edhe për bashkëpunimin mes veti. Se kur bashkëpunojmë, nuk hedhim fajin njëri tjetrit, por e ndajmë së bashku. Ishte temë shumë interesante dhe besoj, se do të kemi mundësi ta lexojmë, pasi të botohet fletushka apo libri nga organizatorët. Mësuesi, Vaxhid Sejdiu, njëherit kryetar i shkollës shqipe në Zvicër, pas përshëndetjeve dhe urimit për 16 vjetorit të pavarësisë së Kosovës, ai dha lajmin, se sot është hapur edhe një klasë shqipe. Ai mes tjerash tha, se ka hapur 108 klasë shqiptare në 20 kantone. Në përgjithësi foli për rëndësinë e gjuhës shqipe, që fëmijët të vijojnë shkollën shqipe. Afaristi, Agron Lugina nga rrjeti i biznesit në Tirol, përshëndeti dhe uroi të pranishmit dhe organizatorin dhe tha, se duhet të bashkohemi edhe më shumë në të gjitha sferat e jetës për të pasur suksese më të qëndrueshme. Përgëzoi punën, që po bënë rrjeti i biznesve dhe bashkëpunimin. Artisti, Rromir Imami, fotograf profesionist, kontribuoi në këtë konferencë me disa fjalë shumë të mira nga fusha e tij e fotografisë e lidhur me temën në fjalë, ku përmendi edhe domethënien e fotografisë në gjuhën shqipe, që rrjedh nga gjuha latine dhe kuptimi është dritë-shkrim. Në fund të nderuar të pranishëm, do ju bëjë edhe një dritë-shkrim. Edhe z.Kujtim Dobruna pas përshëndetjeve si dhe urimeve u ndal për temën e thirrur në këtë konferencë duke shtjelluar në përgjithësi për kulturën dhe sfidat. Z. Mehdi Avdijaj, shoqëria aksionare e rrjetit –Union Invest Ag, pas përshëndetjeve u ndal së kujtuari, se në Zvicër, veprojnë, afërsisht 6.000 biznese. Mundemi të jemi më të bashkuar dhe të kemi suksese më të mëdha. Besoj shumë, se ajo ditë do të vije. Edhe z.Nikolin Gjeloshi, që kishte ardhur me dy miq të tij afarist nga Italia, përshëndeti të pranishmit dhe uroi për pavarësinë e Kosovës, njëherit ofroi si gjithmonë bashkëpunim edhe në të ardhmen.

Afrohej edhe fundi i kësaj konference, ku kryetari, z.Florim Useini, ia bëri me dije të gjithë të pranishmëve, edhe pse e kishin informacionin në tavolinë, që deri në fund të këtij muaji t`i dërgojnë punimet e tyre me rregullat që kërkohen dhe që janë të shënuara.

Falënderoi të gjithë të pranishmit dhe suksesin e ndau me miqtë e tij, që janë në rrjet dhe të gjithë ata, që janë angazhuar të organizohet konferenca. Njëherit, ia kujtoi të pranishmëve, se nga ora 19.00 do të jetë edhe programi argëtues me një program të pasur argëtues. Kryetari i rrjetit Florim Useini, kishte nderin të ndaj nga një çertifikatë për të gjithë të pranishmit për pjesmarrjen dhe kontributin e dhënë në konferencën e parë me temë: “Sfidat e kulturës së biznesit”, gjithashtu u ndajtën mirënjohje edhe për artistët, që ishin pjesë e programit të manifestimit. Mirënjohje u ndanë edhe për anëtarët e rrjetit me motivacionin për kontributin e çmuar dhe mbështetjen e dhënë. Falënderoi z.Izmit Nura-zv.drejtor i agjensisë së mërgatës, që solli disa dhurata libra të Abetareve. Rrjeti i biznesit, kryetari Florim Useini falënderoi Rromir Imami, që është kujdesur gjatë gjithë ditës, që ta përshkruaj ditën nëpërmes këtyre fotove, pastaj falënderoj edhe përfaqësues të mediave, si gazetën kombëtare “Bota Sot”, open-tv.mk, ina-online.net, syri tv, albradio, Rexhep Rifati, Naser Limani dhe të gjithë mediat tjera, që i kanë dhënë e po i japin hapësirë.

Manifestimi argëtues

Manifestimi filloi me intonimin e flamurit të Kosovës. Kryetari i Rrjetit të Biznesve Shqiptare në Zvicrën Qëndrore, z. Florim Useini e hapi programin me këto fjalë: “ Ishim të nderuar dhe i falënderojmë, që të gjithë pjesmarrsit, që erdhën të festojmë së bashku dhe poashtu edhe të programit që na nderuan, si shkenctari Jahja Kokaj dhe Ambasadori i MVP në Bern z. Rexhep Demiri, që me fjalë rasti përshëndetën të pranishmit, programin e pasuruan edhe nxënsit e shkollës shqipe në Zvicër me kordinator, Vaxhid Sejdiu, ansambli “Shqiponjat” në Luzern, këngëtarja, Gentjana Tafili, Tush Gjakova, Viktor Virusi, Kastromusik dhe moderatorin, Ramadan Morina. Në programin argëtues, morën pjesë edhe bashkatdhetarë të tjerë që jetojnë në Luzern eme rrethinë dhe nga e gjitha Zvicra. Musafirë ishte edhe kryetari i xhamisë shqiptare “Drita” në Luzern, z. Fadil Asani me bashkëpunëtorë. Me këngë e valle, përfundoi edhe programi argëtues. Me këtë u tregua, se sot ishte një ditë e gjatë, por e mbushur me aktivitete të mirëfillta e që do të kujtohen gjatë tek diaspora jonë. Respekt për z.Florim Useini dhe gjithë Rrjetin e Bizneseve Shqiptare në Zvicrën Qëndrore. “Kur duam, mundemi dhe ia dalim! Së shpejti projektet tjera do të vijnë e që besoj shumë, se do të kemi përkrahje nga të gjithë ata që ia duan të mirën vetes, familjes, kombit dhe të ardhmes. Po e kujtoj edhe këtë fjalë të urtë: “Bashkimi është një fillim, të qëndruarit bashkë është një progres, të përparuarit së bashku është një sukses, fjalë nga Henry Ford”, na tha ndër të tjera, z.Florim Useini. / Teksti: Dashnim HEBIBI, Foto: Rromir Imami

Filed Under: Ekonomi

20 SHKURT VITIT 1991 SHEMBJA E TOTALITARIZMIT, FITORJA E DEMOKRACISË NË SHQIPËRI

February 20, 2024 by s p

Saimir Maloku/

Më datë 20 Shkurt të vitit 1991 u organizua një miting i madh i popullit të Tiranës me rreth 100 mijë veta në Qytetin e Studentëve në përkrahje të Grevës së Urisë të rreth 900 studentëve si dhe kundër regjimit të egër komunist. Unë kisha një urrejtje të madhe ndaj këtij regjimi totalitar dhe kërkoja të hakmerresha ndaj figures së diktatorit Hoxha. Kjo gjë m’u bë mua si dhe shtresës së gjerë të të persekutuarve politikë realitet në këtë ditë të shënuar historike. Jam krenar në jetë që sikur të ishte profeci e Zotit, pata shansin dhe fatin e madh historik që në ditën e 20 Shkurtit të vitit 1991 unë, i përkrahur nga një grup i madh të persekutuarish politikë, sindikalistë dhe nga mijëra protestues të kryeqytetit udhëhoqa turmën e parë dhe më kryesore të popullit të Tiranës nga godina e Radio – Televizionit Shqiptar drejt Sheshit “Skënderbej”. Në ato momente tepër delikate dhe të rrezikshme, unë, për të realizuar idealin tim dhe të popullit që thashë në gjyq, shpalosa vetitë më të mira të ushtarakut si strategjia e menjëhershme, këmbëngulja dhe guximi i madh, humanizmi im i lartë për të shmangur gjakderdhjen e mundshme si dhe urrejtjen tepër të madhe si ish-i burgosur politik që kisha për diktatorin Hoxha dhe regjimin komunist. Atë ditë një djalosh, i ri dhe jetim, me një rrip mëndafshi të kuq në ballë dhe rreth kokës, më solli një parullë rreth 3 metra të gjatë, ku shkruhej: LIRI DEMOKRACI. Ky djalosh, i quajtur Albert Risilia, e kishte bërë këtë parullë me perdet e dritareve të dhomës në Konviktin e shkollës ku banonte, duke e ngjyrosur me bojë këpucësh. Pasi vumë këtë parullë të madhe në krye të turmës unë, i shkëputur pak metra nga turma dhe si prijës i saj, i shoqëruar nga një fotoreporter i huaj, i bëja thirrje protestuesve të rrëzonim monumentin e E. Hoxhës si dhe të digjnim mijëra libra të tij në mes të Tiranës. Nuk harroja në ato çaste grisjen dhe djegien e dhjetëra librave artistike si dhe të Librave të Shenjtë të Biblës dhe të Kuranit në gjuhën angleze që kishin bërë oficerët e Sigurimit të Shtetit në shtëpinë time pas arrestimit. Ishte Jezu Krishti që më frymëzonte të hakmerresha ndaj këtij regjimi të urryer që dogji e grisi librat fetarë. Kështu, populli do të tregonte urrejtjen ndaj regjimit dhe do ta përqafonte përsëri fenë.

DJEGIA E MIJËRA LIBRAVE TË DIKTATORIT ENVER HOXHA

Gjithashtu, unë nxitja popullin protestues të digjte librat e diktatorit Hoxha dhe si hakmarrje ndaj tij për djegien e qindra mijëra librave fetare nga militantët komunistë në vitin 1967, kur me ligjin monstruoz të shtetit u hoq feja. Populli ka një shprehje: “Çfarë të keqe do të bësh, atë do ta pësosh po vetë”. Dhe kështu ndodhi me djegien e mijëra librave të diktatorit E. Hoxha. Me këtë veprim tepër të guximshëm, unë isha i vetëdijshëm se mund të arrestohesha përsëri për veprimtari të theksuar armiqësore dhe të përsëritur për të dytën herë kundër shtetit komunist dhe të pushkatohesha si nxitës ekstremist i turmës së protestuesve për rrëzimin e monumentit dhe si nxitës kryesor i trazirave popullore. Por, nga ana tjetër unë, i përkrahur nga dhjetëra shokë dhe shoqe, kryesisht të persekutuar politikë, shmangëm një masakër të madhe të mundshme, ku mund të ishin vrarë me qindra protestues të pafajshëm. Kjo për arsye se populli kërkonte të futej me forcë në Bllokun Qeveritar, ku ishin me qindra gardistë dhe policë të armatosur rëndë dhe mbi 20 tanke dhe autoblinda dhe gati 50 mitralozë të rëndë. Me këtë rast falënderoj z. Bujar Kore, operator televiziv dhe znj. Tefta Radi – gazetare e Televizionit Shqiptar, të cilët si të njohurit e mi, më vunë në dijeni për këtë gjë. Kjo sepse ata para një ore kishin qenë në një mbledhje të Komitetit Qendror të Partisë Komuniste (e Punës) aty, në Bllokun Qeveritar. Informacioni i dhënë prej tyre ishte i një rëndësie të jashtëzakonshme. Në rast se turma e madhe e protestuesve do të tentonte të futej me forcë në Bllokun e vilave të pushtetarëve dhe në godinën kryesore të Komitetit Qendror, ushtria, do të qëllonte ndaj mijëra protestuesve atëherë Bulevardi “Dëshmorët e Kombit” para Bllokut Qeveritar dhe Komitetit Qendror të Partisë Komuniste (të Punës) do të ishte mbushur me qindra të vrarë e të plagosur. Përfytyroni çfarë pasojash tepër katastrofike për Shqipërinë do të kishte kjo gjakderdhje e mundshme, kryesisht ndaj shtresës të persekutuarve politikë duke na kujtuar gjenocidin e tmerrshëm në Kamboxhia të Khmerëve të Kuq ndaj popullatës me kombësi vietnameze në vitin 1975.

USHTRIA ËSHTË ME NE. USHTARËT JANË VËLLEZËRIT TANË

Gjithashtu 6 ushtarë të Forcave të Ndërhyrjes së Shpejtë u kapën nga protestuesit dhe në këto momente të vështira unë dhe shumë të persekutuar politikë nuk lejuam që ata të masakroheshin nga protestues ekstremistë dhe provokatorë. Falë ndërhyrjes tonë energjike, ne i lame ushtarët të lirë, duke bërtitur: “Ushtria është me ne. Ushtarët janë vëllezërit tanë”. Më vonë njëri nga këta ushtarët e liruar nga ne protestuesit, sa herë më takonte, më falënderonte për ndihmën që i dhamë në atë ditë trazirash (e filmuar). Itinerari i lëvizjes së turmës tonë të protestuesve niste nga mbrapa “Piramidës” – Bulevardi “Dëshmorët e Kombit” dhe drejt Sheshit “Skënderbej”. Në tarracat e shumë ministrive kishte ushtarë me pushkë snajper, të cilët mund të më qëllonin dhe të më asgjësonin mua nga çasti në çast si udhëheqës i turmës së madhe të protestuesve. Kjo për arsye se unë isha pesë apo gjashtë metra i vendosur në krye të turmës së protestuesve dhe i nxisja ata me parulla të shumta politike kundër regjimit komunist. Pastaj, të gjithë protestuesit brohoritnin një zëri dhe fuqishëm po këto parulla politike. Pra, u thye heshtja dhe frika e popullit të Tiranës ndaj regjimit komunist. Por Zoti më ndihmoi dhe një masakër e tillë nuk ndodhi. Kam besim që fotot e bëra nga fotoreporteri i huaj që më shoqëronte mua, ku isha si prijës i turmës së protestuesve, një ditë do të jepen në media.

GUXIMI ËSHTË FILLIMI I FITORES

Unë dhe gjithë turma e protestuesve në ato çaste marshimi ishim tepër të gëzuar, sepse erdhi dita që populli i Tiranës t’i jepte dënimin e merituar diktatorit Hoxha dhe regjimit gjakatar komunist. Në ato çaste më kujtoheshin fjalët e Plutarkut, filozof grek: “Guximi është fillimi i fitores”. Turma jonë e protestuesve ishte turma më energjike dhe më kryesore që mbërriti e para në Sheshin “Skënderbej” dhe zumë vend pranë monumentit të diktatorit komunist. Pastaj erdhën edhe tri turma të tjera protestuesish. Aty, në sheshin kryesor, u bë një përleshje e ashpër e popullit me Forcat e Policisë dhe të Ushtrisë si dhe me Forcat Speciale të Ndërhyrjes së Shpejtë. Këto forca policore ishin të pajisura me fishekë manovër stërvitjeje dhe jo vdekjeprurës. Policia përdori aty kundër popullit protestues makinën zjarrfikëse me pompa uji, disa makina policie me sirena të fuqishme dhe shumë qen kufiri. Në momentin që sapo rrëzohej monumenti nga turma e protestuesve, m’u shfaq papritur si në ëndërr portreti i Jezu Krishtit, i cili sikur thoshte për të më frymëzuar: “Shko Saimir dhe godite këtë kriminel të madh komunist që ndaloi besimin fetar dhe vrau e torturoi popullin e pafajshëm në Shqipëri”. Kjo ishte arsyeja kryesore dhe e jashtëzakonshme që unë u vërsula si shqiponjë dhe isha qytetari i parë që godita dhe pështyva kokën e monumentit të diktatorit komunist. Në ato momente mua m’u duk vetja sikur vendosa flamurin e Demokracisë mbi kokën e diktatorit komunist Hoxha dhe që shënoi rrëzimin e Komunizmit në Shqipëri. Ky ishte një fat i jashtëzakonshëm për mua dhe i rrallë në botë. Tri vajza dhe gra të persekutuara politike, me lot gëzimi në sy, më përshëndetën dhe më përqafuan gjithë entuziazëm në atë moment të jashtëzakonshëm historik. Ishte si një dëshirë e Jezu Krishtit që çasti më historik i shekullit të kaluar për popullin shqiptar të fotografohej nga fotografi i mrekullueshëm z. Armando Babani, i cili ishte edhe fotoreporteri i një agjencie amerikane lajmesh. Sot ai punon e jeton me familjen e tij në Gjermani. Unë dhe bashkëvuajtësit e mi e falënderojmë atë, që na lejoi të botohej në kopertinën dhe në faqet e librit tim kjo foto me vlera të jashtëzakonshme historike ku unë përpara mijëra protestuesve jam duke goditur dhe pështyrë kokën e monumentit të diktatorit komunist Enver Hoxha. Kjo foto i tregoi mbarë njerëzimit mallkimin e madh që i dha Zoti këtij diktatori komunist, që hoqi fenë nga Shqipëria. I takon Presidentit të Republikës ta dekorojë z. Armando Babani për këto foto, që u vlerësua nga mediat ndërkombëtare si edhe për kontributin e tij në pasqyrimin e Lëvizjeve Demokratike në vendin tonë. Në atë çast, rreth 100 mijë protestues ishin në ekstazë nga gëzimi i madh dhe në të njëjtën kohë bërtisnin: “E hoqëm, e hoqëm, e hoqëm qelbësirën!”, “Fitore – Fitore”, “Enver – Hitler”. Pastaj unë bëra dy apo tre herë kryqin dhe nisa të falënderoja Jezu Krishtin duke u shprehur: “Faleminderit o Zot që shporre Komunizmin nga Shqipëria!” Ja sa kuptimplote është shprehja: “Qesh mirë ai që qesh i fundit”. Në atë moment m’u kujtuan përsëri çastet e fundit të gjyqit tim kur unë në gjuhën angleze i lutesha Jezu Krishtit: “Të lutem o Ati i Shenjtë, shporre Komunizmin nga Shqipëria dhe shpëtoje këtë popull nga vuajtjet!” si dhe këndoja këngën amerikane “Let’s Tëist Again”. Tani kjo ishte si kënga e Fitores së Demokracisë në Shqipëri .

LIRIA, DEMOKRACIA DHE NJË SAKRIFICË FAMILJARE

Isha tepër krenar sepse edhe dy fëmijët e mi, dy dhe katër vjeç, ishin protestuesit më të vegjël të asaj dite tepër të rëndësishme. Makina zjarrfikëse e Policisë para godinës së Liceut Artistik kishte lagur me bojë të kuqe gruan dhe dy djemtë e mi dhe ata të tre dukeshin si indianët me pupla të kuqe të xhunglave të Amazonës. Babai i gruas time gjatë protestës ishte plagosur rëndë në kokë dhe mbas disa muajve vdiq. Atë nuk e vrau ushtari gjerman gjatë luftës, ndërsa vdekjen e tij e shkaktoi Policia Komuniste duke qëlluar me gurë protestuesit. Plani ynë për të djegur librat e diktatorit Hoxha në Librarinë “Flora” nuk u realizua atë ditë, sepse në tarracat e pallateve aty pranë saj kishte shumë ushtarë të pajisur me pushkë snajper. Të nesërmen pasdite, rreth orës 17.00 pra më 21 Shkurt të vitit1991, unë dhe një grup i madh të persekutuarish politikë, kryesisht të Rrugës së Kavajës dhe të lagjes së Kombinatit si edhe dhjetëra protestues të tjerë ndezëm një zjarr të madh duke grisur dhe djegur me mijëra libra të diktatorit që ndodheshin në Librarinë e madhe “Flora” në mes të kryeqytetit. Kjo ishte si hakmarrje e popullit të kryeqytetit ndaj diktatorit Hoxha, që në vitin 1967 urdhëroi djegien e librave fetarë në formë publike. Ishte Jezu Krishti ai që më dha mua këtë ide për djegien e librave dhe rrëzimin e monumentit të diktatorit, që unë ta thosha në fund të gjyqit tim hapur para popullit: “Jeta tregoi se kush beson te Zoti dhe i lutet Atij për të mirën e popullit, Zoti, në të ardhmen, ia plotëson dëshirën”. Pra, edhe Zoti plotësoi dëshirën time që i kërkova më 28 gusht të vitit 1976, në gjyqin tim. Këtë gjë e vërtetojnë edhe dokumentet gjyqësore të gjyqit ndaj meje, dokumente të cilat janë në Arkivin Qendror të Shtetit. Unë isha tepër i gëzuar dhe i lumtur sepse populli i Tiranës dhe i gjithë Shqipërisë ishte protagonisti kryesor për rrëzimin e monumentit të Diktatorit, të simboleve komuniste si dhe të djegies së mijëra librave të tij. Krahas djegies së mijëra librave, protestuesit rreth orës 12.00 hoqën edhe parullën e madhe 50 metra të gjatë ku shkruhej: “Lavdi Partisë së Punës së Shqipërisë” nga tarraca e Pallatit të Kulturës, që ishte dhe godina më e madhe kulturore e Tiranës në atë kohë. Një ditë më parë, në çastin e rrëzimit të monumentit të E. Hoxhës në sheshin kryesor të Tiranës, agjencitë dhe stacionet e radiove dhe televizive të vendeve të botës dhanë njoftimin për këtë ngjarje tepër të rëndësishme që simbolizoi përmbysjen e diktaturës në vendin më të egër komunist të Evropës dhe shënoi fitoren e Demokracisë në vendin tonë.

KAMBANA E DEMOKRACISË GJËMOI DHE U DËGJUA NË ÇDO SKAJ TË SHQIPËRISË

Unë isha tepër i gëzuar sepse para popullit tonë u hap rruga që çdo qytetar i saj të gëzojë jetën, lumturinë, arsimimin dhe të drejtat e tij siç çdo qytetar europian. Gjithashtu porta e Evropës u hap për popullin tonë, të cilën e kishte mbyllur për 47 vite diktatori Hoxha dhe regjimi i urryer komunist. Kambana e Demokracisë gjëmoi dhe u dëgjua në çdo skaj të Shqipërisë. Tani ishim qytetarë të Shqipërisë dhe të Evropës. Shqiponja dykrenore shqiptare fluturonte e lirë në çdo skaj të kontinentit europian. Feja dhe funksionimi i objekteve fetare u vendos përsëri. Tani populli shqiptar i lutej Zotit që t’i bekonte ata për një jetë të re, pa vuajtje dhe plot gëzim. Në ditët në vazhdim, gjatë natës, Policia Komuniste arrestoi me dhjetëra protestues. Unë dhe shokët e mi ato ditë u detyruam të fshiheshim. Gjithashtu, unë i shkurtova shumë flokët, ndryshova veshje, mbaja syze të errëta që të mos njihesha nga njerëzit e Sigurimit të Shtetit. Lëvizjet demokratike që ndodhën në vendet ish-komuniste të Evropës e goditën rëndë sistemin komunist. Në këto vende brenda një kohe të shkurtër fitoi demokracia dhe u përmbys komunizmi. Populli demokrat i Shqipërisë, me veprimet e tij tepër të guximshme, në këtë ditë, më të shënuarën e Demokracisë, ia preu kokën gjarprit komunist, i cili kishte helmuar shpirtin e tij me ideologjinë marksiste – leniniste. Prandaj, i takon këtij populli, si protagonisti kryesor i kësaj revolte, të emërtojë dhe ta festojë me madhështi këtë ditë të shënuar si dhe të demaskojë nostalgjikët e fundit të Komunizmit, që janë bërë pengesa kryesore për ecjen përpara të Demokracisë në Shqipëri dhe anëtarësimin e vendit tonë me të drejta të plota në Bashkimin Europian. Kjo të kujton shprehjen e famshme të Napoleon Bonapartit: “Mos u përballni me popullin, por bashkohuni me të, sepse do jeni gjithmonë të fituar”. Fjalimin që mbajta në gjyqin tim dikur, se çfarë do të ndodhte në Shqipëri pas vdekjes së diktatorit, populli i Tiranës e realizoi me sukses duke e quajtur dhe duke bërtitur për diktatorin komunist: “Enver – Hitler”! “E hoqëm, e hoqëm, e hoqëm qelbësirën!” “E duam Shqipërinë si gjithë Europa!”, “Poshtë Komunizmi” “Liri – Demokraci”etj.

STUDENTËT E GREVËS SË URISË

Kontribut mjaft të madh në këtë ditë të shënuar dha Bashkimi i Sindikatave të Pavarura të Shqipërisë, i cili organizoi Grevën e Përgjithshme në Tiranë. Kjo grevë bëri që të gjithë punonjesit e Kryeqytetit u grumbulluan në Qytetin Studenti. Bazuar në informacionet e mediave dhe të Sigurimit të Shtetit si dhe të popullit të Kryeqytetit bashkë me mua, atë ditë dhanë një kontribut të madh edhe qytetarët protestues dhe studentët e Grevës së Urisë si: Rajmonda Bulku, Gëzim Kalaja, Eqerem Kavaja, Blendi Gonxhe, Fiqiri Xibri, Gëzim Shima, Sami Karriqi, Hajredin Fratari, Lulzim Brahja, Skënder Topi, Fatmir Merkoçi, Artur Zadrima, Petro Luarasi, Ardian Heta, Astrit Hatellari, Gjovalin Çokani, Albert Risilia, Agron Spaho dhe vëllai i tij Besniku, Ridvan Peshkëpia, Arben Lika, Shinasi Rama, Blendi Fevziu, Edvin Shvarc, Mesila Doda, Kujtim Çashku, Neritan Ceka, Ilirjan Abazi, Arjan Manahasa, Gëzim Vojka, Kreshnik Ndreu, Ferdinand Temali, Met Ibrahimi, Merita Bejo , Ahmet Kalaja, Ilir Dizdari, Durim Hoxha, Naim Qyqja, Hajrije Hasani, Gani Lami, Xhemal Zhuri, Sulo Jaupaj, Sanije Vojka, Lida Bezhani, Hygert Borova, Vera Rada, Lindita Hamiti, Liljana Llapaj, Pranvera Bodinaku etj., sepse ne shmangëm gjakderdhjen e madhe në popull dhe rrëzuam monumentin e diktatorit si dhe simbolet e tjera të komunizmit. Një kontribut të madh në pasqyrimin e këtyre ngjarjeve dhanë edhe operatorët e Televizionit Bujar Kore, Fatmir Çepani, Agim Buxheli dhe gazetarja Tefta Radi si dhe fotoreporterët Armando Babani,Gani Xhengo, Ali Begeja, Kujtim Çashku, Roland Tasho, Lulzim Lika dhe Besim Fusha. Shumica e këtyre qytetarëve protestues të mësipërm janë nga shtresa e ish-të persekutuarve politikë të Kryeqytetit. Në ato ditë Policia dhe Sigurimi i Shtetit arrestoi me dhjetëra protestues, të cilët u dënuan nga gjykatat komuniste. Populli ka respekt të madh për këta qytetarë të nderuar për kontributin e tyre në atë ditë të shënuar të Demokracisë. Pothuajse të gjithë këta protestues dhe punonjës të mediave janë dekoruar nga Presidenti i Republikës së Shqipërisë me urdhra e medalje. Veprimet e mia të guximshme gjatë ditëve të 20 dhe 21 Shkurtit të vitit 1991 ishin si një hakmarrje ndaj diktatorit dhe regjimit komunist. Greva e Urisë së minatorëve të Minierës së Valiasit më 16 Maj të vitit 1991 si dhe Greva e përgjithshme kombëtare e ish-të dënuarve politikë më 30 Shtator të vitit 1991 i dha përsëri një goditje të rëndë diktaturës komuniste, e cila ishte në grahmat e fundit të saj. Monumenti i Stalinit u hoq në Tiranë më vonë nga Qeveria. Më parë ishte hequr edhe monumenti i Leninit.(ribotim)

Filed Under: Ekonomi

Vatra Tampa festoi 16 vjetorin e pavarësisë së Kosovës

February 20, 2024 by s p

Tasim Ruko/

Vatranët dhe patriotët shqiptarë në Tampa festuan 16 vjetorin e pavarësisë së Republikës së Kosovës. Një festë madhështore për të gjithë komunitetin shqiptar në nderim të heronjve e dëshmorëve që dhanë jetën për Kosovën e lirë e të pavarur.

Shqiptarët festuan këtë datë të shënuar në Restorantin “Asteria Longe” në pronësinë e patriotit shqiptaro – maqedonas Gazment Gega ku kaluam çaste festive të gëzueshme për nder të Dardanisë heroike. Gjithmonë Federata Vatra qëndron në ballë të këtyre aktivitete, si organizata patriotike më e vjetër dhe më e fuqishme në diasporën e Amerikës. Mbrëmjen festive e hapi me një urim anëtarja e kryesisë së degës zonja Eva Keta. Kryetari i degës z. Isuf Spahia mbajti fjalën e rastit kushtuar rëndësisë historike të pavarësisë. Z. Isuf Spahija rrjedh nga një familje patriotike e Drenicës martire ku populli i Drenicës mbajti peshën më të madhe gjatë luftës për çlirimin e Dardanisë, duke sakrifikuar jetët e tyre, dhe ranë dëshmorë për të mos vdekur kurrë, me në krye komandantin legjendar Adem Jashari bashkë me gjithë familjen e tij në piedestalin e lirisë së përjetshme. Na nderoi në këtë darkë soleme, me pjesëmarrjen e tij patrioti, ish financieri i Federatës Pan-Shqiptare Vatra z.Marjan Cubi, bashke me zonjën e tij Dila Cubi. Marjani është një Vatran mbi 40 vjet anëtar i saj dhe kontributor i madh i çështjes kombëtare, i cili ka dhënë një kontribut të jashtëzakonshëm për çështjen kombëtare e komunitetin shqiptar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës e bashkë me të gjithë vatranët e tjerë veteranë në veçanti për çështjen e çlirimit të Kosovës. Mbrëmja u ndez me pjesëmarrjen e këngëtarëve të njohur të komunitetit, Sali Malaj, Kristina Marku dhe këngëtari i ardhur posaçërisht nga Shqipëria për këtë aktivitet z.Dule Malindi. Me interpretimin e këtyre artistëve, dhe nën tingujt e muzikës së bukur popullore nga të gjitha trevat, u krijua një atmosferë e bukur festive. Vlen për të përmendur organizatorët e kësaj mbrëmje, z.Isuf Spahia, zonja Eva Keta, z. Behar Xhafa e z. Gaz Gega. Si gjithmonë shqiptarët janë të bashkuar për të festuar ditët përkujtimore kombëtare, si dita e ngritjes së flamurit në Vlorë në 1912, dhe kjo e pavarsisë së Dardanisë para 16 vjetësh. Brezi jonë mund ta quaj veten një brez me fat, sepse ne jetuam në këtë periudhë, e gëzuam çlirimin e Dardanisë tonë të dashur. Punojmë fort dhe lutemi që të vijë koha që brezi që jemi ne e fëmijët tanë ta shohin edhe bashkimin kombëtar. Sjpresojmë dhe besojmë se kjo ditë do të jetë e afërt, koha punon për shqiptarët. Mërgata në Florida dhe SHBA ka potenciale të mëdha kombëtare. Të punosh për komb e komunitet është nder i madh i jetes së një patrioti më mërgim sidomos.

Patrioti i madh, ish kryetari i Vatrës z.Agim Karagjozi gjatë një interviste në 2008 tha: tashti le të vdes i qetë e i lumtur sepse mu ralizua ëndrra dhe dëshira ime e madhe, arrita të shoh me sytë e mi Kosovën e pavarur.

Pavarësia e Dardanisë u fitua me shumë mundim, sakrifica sublime, me gjak dhe jetë të flijuara. Shqiptarët e Kosovës janë heronj. Ata i mbijetuan heroikisht regjimit genocidal serb. Fale SHBA e NATO Kosova e fitoi lirinë, liri të cilën e gëzojmë e jetojmë dhe falë punës së jashtëzakonshmetëmërgatës së Amerikës. Gëzuar Dardani. Rroftë Shqipëria Etnike.

Filed Under: Opinion

“VATRA” në Boston mbylli fundjavën kushtuar Pavarësisë së Kosovës

February 20, 2024 by s p

Flamur VEZAJ/

“VATRA” e Bostonit e mbylli fundjavën duke ia kushtuar 16 vjetorit të Pavarësisë së Kosovës me këngë, valle tradicionale dhe poezi.

Pas ngritjes së flamurit të Kosovës në sheshin e Bashkisë së Bostonit dhe leximit të dy Proklamatave të firmosura nga Guvernatorja e Shtetit të Massachusetts dhe Kryetarja e Bashkisë së Bostonit që deklaruan 17 Shkurtin 2024 si “Dita e Kosovës”, “VATRA” e Bostonit shtroi një darkë për nder të kësaj dite.

Në ambientet e një salle të madhe në veri të Bostonit, e zbukuruar me ngjyrat e flamurëve të Kosovës, Shqipërisë dhe Amerikës, u bashkua komuniteti shqiptar për të festuar së bashku këtë ngjarje historike për Kombin Shqiptar. Rreth “VATRËS”, për të festuar, u bashkuan shqiptarët nga të gjitha trojet që jetojnë në shtetet e Massachusetts, New Hampshire dhe jo vetëm. Festës i’u bashkuan edhe shoqatat e tjera të rëndësishme të komunitetit shqiptar si “MaasBesa”, “Albanian Fighting Cancer”, “Klubi Social ‘Çunat e Bostonit'” etj., si dhe përfaqësues të nderuar të “VATRËS” qendrore, Arkëtari z. Besim Malota që erdhi nga shteti Connecticut si dhe z. Anton Rraja, një nga vatranët e vjetër që erdhi nga Nju Jorku.

Festa nisi me intonimin e tre himneve, të Amerikës, të Shqipërisë dhe atë të Kosovës. Më pas Kryetari i “VATRËS” në Boston z. Mentor Maksutaj, i përshëndeti mbi 250 të pranishmit me fjalët: “Shqiptarë, Gëzuar 16 vjetorin e Pavarësisë së Kosovës”! Më pas ai vazhdoi me kujtimet e luftës, jetën e vështirë të familjes së tij dhe gjithë shqiptarëve të Kosovës nën sundimin Serb si dhe përshkrimin e rrugës së emigrimit në Amerikë. Z. Maksutaj u shpreh se ishte i lumtur për prezencën e shoqatave shqiptare, duke premtuar një bashkpunim të vazhdueshëm me të gjithë për të mirën e komunitetit shqiptar, Kombit Shqiptar dhe atij Amerikan. Në fund, z. Maksutaj tha se gjatë mbrëmjes festive, i’u bashkuan “VATRËS” në Boston edhe 10 anëtarë të rinj.

Fjalë të ngrohta me urimet e Kryetarit të “VATRËS”, z. Elmi Berisha, i përcolli Arkëtari i saj z. Besim Malota, i cili vlerësoi Degën e “VATRËS” në Boston për angazhimet serioze brenda një kohë shumë të shkurtër.

Në emër të Shoqatës “MaasBesa”, të pranishmit i përshëndeti Zv/Kryetarja znj. Jorida Qirollari, e cila uroi të gjithë shqiptarët për 16 vjetorin e Pavarësisë së Kosovës, si dhe “VATRËN” gjithashtu.

Nga Klubi Social “Çunat e Bostonit” foli z. Artian Rrëza, duke shprehur gadishmërinë e bashkëpunimit për çështjet kombëtare me “VATRËN” dhe gjithë shoqatat shqiptare!

Fjalimet u mbyllën me një poezi në gjuhën shqipe të 15 vjeçares të lindur në SHBA, Zana Nallbani, vajza e vatranit nga Kosova z. Freskim Nallbani.

Ndërkohë festa vazhdoi me dy lojra shpërblyese, ku u shortuan dhe u shpallën fitues të tre BOX-eve me abonim falas për 6 muaj nga TV-Alb me kanale shqip si donacion.

Dhe kompania “AR LLC” që përfaqëson në Massachusetts, kompaninë e pijeve energjike nga Kosova “Golden Eagles” duke dhuruar disa arka me pije energjike.

Më pas festa vazhdoi me këngëtarët Gëzim Nika dhe Griselda Pepa të cilët krijuan një atmosferë shumë të bukur me këngë patriotike e popullore të të gjitha trojeve shqiptare.

Festa mbaroi pas mesnate me fjalët e Kryetarit të “VATRËS” në Boson, i cili falenderoi të gjithë shqiptarët që i’u bashkuan “VATRËS” për ngritjen e Flamurit të Kosovës dhe darkën e shtruar me këtë rast, duke i premtuar të gjithëve se do të shihemi në evenimentin e radhës të organizuar nga “VATRA” në Boston!

Foto:Subi Çako etj

#FaleminderitTeGjitheve#

#followers#highlights

Filed Under: Analiza

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 1134
  • 1135
  • 1136
  • 1137
  • 1138
  • …
  • 2773
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit
  • Shqipëria u bë pjesë e Lidhjes së Kombeve (17 dhjetor 1920)
  • NJЁ SURPRIZЁ XHENTЁLMENЁSH E GJON MILIT   
  • Format jo standarde të pullave në Filatelinë Shqiptare
  • Avokati i kujt?
  • MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI MJET PËR FORMIMIN E VETEDIJES KOMBËTARE TE SHQIPTARËT  
  • MES KULTURES DHE HIJEVE TE ANTIKULTURES
  • Historia dhe braktisja e Kullës së Elez Murrës – Një apel për të shpëtuar trashëgiminë historike

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT