• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

#SiSot, më 5 shkurt 1931, ndërroi jetë Mihal Grameno

February 5, 2024 by s p

Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave/

Ishte një ndër veprimtarët më të zëshëm të çështjes sonë kombëtare, luftëtar me çetën e Çerçiz Topullit, gazetar, botues dhe shkrimtar. Mësimet e para i mori në vendlindje, në Korçë. Në vitin 1885 mërgoi drejt Rumanisë, ku u lidh me lëvizjen kombëtare shqiptare në Bukuresht.

Në vitin 1907 iu bashkua çetës së Topullit. Si gazetar bëri të mundur raportin e përleshjes së çetës në Mashkullorë. Po atë vit në nëntor përfaqësoi Klubin e Korçës në Kongresin e Manastirit. Në vitin 1909 themeloi në Korçë Lidhjen orthodokse dhe redaktoi të përkohshmen e përdyjavshme me të njëjtin emër, që botohej gjatë viteve 1909–1910. Grameno u arrestua në vitin 1910 nga autoritetet osmane për punën e tij në gazetën “Bashkimi i Kombit”.

Gjatë kryengritjeve të vitit 1911 kryente ndërlidhjen mes grupeve të çetave ndër viset shqiptare dhe prijësve të lëvizjes kombëtare në Stamboll për të koordinuar kryengritjet. Më 1 shkurt 1911 nisi të botojë një tjetër gazetë, të përjavshmen “Koha”, të cilën edhe e redaktonte, së pari të botuar në Korçë dhe më pas në Jamestown, New York, ku jetoi nga 1915 deri më 1919. Pas një viti u kthye në Shqipëri.

Për meritat të posaçme në në dobi të atdheut dhe çështjes shqiptare, i është dhënë titulli “Hero i Popullit”. Bashkëlidhur, fragmente nga tregimi i Gramenos, i titulluar “Saideja Engjëllore”.

#ArkivatFrymëzojnë

#ArkivatKujtojnë

#ArkivaTëGjalla

#MihalGrameno

Filed Under: Histori

Integritet

February 5, 2024 by s p

Alfons Grishaj/

Integritet: fjala më komplekse që pasqyron kualitetin e karakterit të njeriut. Integriteti përmbledh principet dhe vlerat, ndershmërinë, moralin e fortë, të vërtetën, etikën. Integriteti qëndron fuqishëm kundër gënjeshtrës, shpifjes, denigrimit, hipokrizisë. Njerëzit me integritet janë frymorë gadi ideal. Gjithçka e shohin me dashuri, ku dhe për të keqen më të madhe, luten për zamzam në zemër të shkretëtirës. Pavarësisht trajtimit dhe interpretimit gabuar disa mendimtarëve, se integriteti çmohet i njëjtë si vertikalisht dhe horizontalisht. Integriteti qëndron me këmbë në tokë, jashtë fantazisë qilimave fluturues e dyrdylave legjendarë. Integriteti puthitet me dritën. Po! 

Aristoteli, përmend “megalopsychos” (shpirtëmadhësi = integritet) nënkupton kurorën  virtytyteve më të larta: kurajo, drejtësi, xhenorizitet, zgjuarsi, shpirtmadhësi.  Mendoj që feja, besimi në Zot, pranimi vlerave hyjnore dhe njerëzore janë integritet. Gjithashtu, altruizmi është integritet, sepse në thelb kulmon sakrifica njeriut për të tjerët pa kërkuar shpërblim dhe rrahur gjoksin si egoistët që nuk lënë gur palëvizur për të ujitur portretin e tyre bosh si “demigod”.

Politikanët pretendojnë se janë njerëz me integritet. Po të gjesh njerëz si, Siddhartha Gautama Buddha, Mahatma Gandi, Ibrahim Rrugova, Aung San Suu Kyi,  duhen pranuar si të tillë , por është shumë e vështirë, ngaqë politikani, armën më të fuqishme ka gënjeshtrën dhe qëllimin personal mbi atë të popullit. Sa politikanë erdhën në botë nga asgjëja dhe u bënë të pushtetshëm, bile dhe milionerë e miliarderë, me  buzëqeshjen fallso të Joker-it?! Që nga Islam Karimov tek Muhammad Kadafi. … 

Njëherë e një kohë, Rafael Xhovanjoli shkrojti: “Që kur njeriu braktisi pyjet dhe nisi të jetojë në shoqëri, u zhduk liria dhe lindi skllavëria, sepse cdo ligj që kufizon dhe ngushton të drejtat e njeriut në dobi të shoqërisë, është një cënim që i bëhet lirisë. Kudo dhe kurdo më i forti dhe më dinaku do të sundojë mbi turmën dhe ka për të gjetur plot njerëz që t’i nënshtrohen. (Romani Spartaku-f.271)

Pikërisht, këtu fillon pa integriteti, sëmundje e njerëzve të dobët që ëndërrojnë fuqi të pamerituar, por që nuk janë asnjëherë në gjendje t’a menaxhojnë në favor të shumicës, duke  kërkuar  që shumica t’i shërbejë pikërisht asaj pakice me vese, e cila nuk ndalet asnjëherë në gjenerim së prapthi. Shoqëria që nuk ka integritet nuk ka kod moral, nuk ka ndërgjegje, nuk ka bosht, nuk njeh asnjëherë realitetin dhe të vërtetën sepse bëhet njësh me gënjeshtrën. 

Unë mund t’a krahasojë njeriun pa-integritet me gjarpërin, ngaqë gjarpëri pasi vret vazhdon të jetojë. Gjarpëri  nuk është si bleta punëtore që pickon për t’u mbrojtur dhe vdes. Në këtë rast, “Duhet të vdesë gjarpëri që të vdesë dhe helmi”- thotë, filozofi popull. 

Njerëzit pa integritet, kanë zero ndjeshmëri pozitive dhe nuk janë mendje hapur dhe pse pretendojnë dhe predikojnë me  trumbeta. Ndërsa ti fle në paqe me Zotin dhe familjen, ata mendojnë ditë e natë që të shpikin gjithçka vulgare për të krijuar vëmendje e krahë fantazisë sëmurë, për të fituar të pamundurën dhe të pafituarën që nuk është frut i oborrit ku jetojnë.

Ata janë si plastelina që mund t’ua ndryshosh format si  skulptori  bucetat vetëm brenda formatit tyre, por asnjëherë në portret të fortë: mermer apo granit.  Zakonisht, nga njerëzit pa integritet lindin dhe monstrat! Sula, Neroni, Hitleri, Stalini, Pol Poti etj. Sepse njeriu pa integritet është zhveshur nga ndjesitë, dhimbjet, besimi, përgjegjshmëria dhe delikatesa njerëzore.… 

Darius III u vra nga njeriu më besnik, njeriu më i afërt i tij (pa integritet), Besuss. Ndërsa Aleksandri i Madh (dhe pse e kish kundërshtar tregon integritet)  e varros mbretin e mbretërve me nderimet të mëdha. Mehmet Ali Agça (pa integritet)  plagos për vdekje Papa Vojtilën, dhe Papa jo vetëm ia fal jetën, por shkon dhe ia lan këmbët në burg ( integritet i lartë). Pas lirimit, Ali Agça, shkon dhe vendos buqetë me lule në kujtim të Papa Vojtilës! Përdëllimi shpirtëror i faljes dhe kujdesit transformoi  Alinë, nga një njeri pa integritet, në një të penduar me integritet.  

        Në psikologji: njerëzit me integritet të dobët shfaqin sjellje t’pandershme, cilët  kërkojnë gjithmonë “arsye” t’i  justifikojnë sjelljet e tyre të turpshme. Bota e qytetëruar, kur has në persona të tillë, i vë në test deviance. Sigurisht, ata nuk e kalojnë testin, duke dalë fiasko nga përgjigjet e gënjeshtrat. Klasifikimi në file: “Integritet i dobët” ( që ne e përkthejmë, “pa integritet) i pengon ata tërë jetën e tyre për të hyrë tek portat serioze të ëndrrave të njeriut. 

A mund të ndryshojë njeriu pa integritet? Për kohën tonë, solla shembullin Ali Agça. Tani po u  sjell dhe një supershembull në lulëzimin e Krishtërimit, që u ndanë dy botë. Ndodh që njeriu pa integritet mund të bëhet dhe Shenjt, qoftëse fiton mbi vetveten. Në vitin 64-65, pas Krishtit, Saul i Tarsus, ishte Farise. Ai  mori pjesë aktive në persekutimin e katolikëve, për të mos thënë, më i rrepti i asaj kohe! Fuqia hyjnore e Krishtit ia verboi sytë. Pas tre ditë verbimi, Jezus dërgoi dishepullin e vet Ananias e Damaskut për t’ia sjellur shikimin. Pas asaj ngjarje, Saul pranoi Jezu Krishtin, si Birin e Zotit, Mesia. Ai  u pagëzua dhe mori emrin Paul, duke u bërë Apostulli më vital në historinë e Krishtërimit. Sikur kjo ngjarje të kish ndodhur në Shqipëri, mendësia primitive nuk do ia lejonte kurrë vetes të bëheshin të krishterë, por do qëndronin gjithë jetën paganë, duke gjykuar të kaluarën e Shenjtit Shën Pali erdhi dhe në Shqipëri-Durrës, i cili hapi portat e Krishtërimit në Iliri. Dhe pse Armenia, në vitin 301, pas Krishtit, krenohet si shteti parë që pranoi religjionin e Krishtërimit…shqiptarët mund të krenohen se atë privilegj e patën  230 vite para Armenëve, jo si shtet, por si qytetërim që e përcolli tek portat e Europës.
Pas kësaj, qëndroj fuqishëm se, integriteti është shkopi magjik i personalitetit dhe i shpirtit. Nëse do ishte Buddha përreth nesh do të thoshte: “Now since both dark and bright qualities, which are blamed and priced by the wise, are scattered indiscriminately among the four castes, the wise do not recognize the claim about Brahmin caste being  the highest( anyone can) become emancipated by virtue of Dharma ”. 

Filed Under: Opinion

VATRA DHUROI ABETARE E LIBRA SHQIP PËR SHKOLLAT SHQIPE NË NEW YORK

February 4, 2024 by s p

Sokol Paja/

New York, 3 Shkurt 2024 – Federata Pan-Shqiptare e Amerikës Vatra dhuroi abetare, libra shqip dhe kopje të gazetës Dielli për nxënësit e shkollës shqipe “Alba Life” dhe “Children of the Eagle” në Bronx, New York. Delegacioni i Vatrës i kryesuar nga sekretari i Vatrës Dr.Pashko Camaj, anëtarët e kryesisë Bashkim Musabelliu e Ilir Cubi, anëtari i Këshillit të Vatrës gjeneral Asllan Bushati dhe Editori i Diellit. Vatranët shprehën falenderim, vlerësim e mirënjohje për punën e shkëlqyer të shkollave shqipe “Alba Life” dhe “Children of the Eagle” për ruajtjen e gjuhës shqipe, historisë, traditës, kulturës kombëtare dhe identitetit kombëtar shqiptar në mërgatën e Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Themeluesi i shkollës shqipe “Alba Life” z.Qemal Zylo falenderoi Vatrën e gazetën Dielli për mbështetjen dhe ekspozoi përpjekjet e shkollës shqipe prej 15 vitesh me mësues e prindër në zhvillimin e arsimit shqip. Delegacioni i Vatrës theksoi se puna e shkëlqyer e mësuesve dhe shkollave shqipe do të ruajë të pastër trashëgiminë kulturore shqiptare në brezat që do vijnë. “Nga këto klasa të mësimit shqip po rriten drejtuesit e ardhshëm të Amerikës, Vatrës e Diellit” tha z.Camaj, ndërsa z.Cubi këmbënguli në idenë se fëmijët shqiptarë të kenë modele referimi si George Uashington e Gjergj Kastrioti për tu ndjerë krenarë për origjinën e tyre dhe rrënjët e të parëve.

Themeluesja e shkollës shqipe “Children of the Eagle” znj.Drita Gjongecaj shprehu vlerësim të lartë për Vatrën dhe mirënjohjen për mbështetjen zhvillimit të mësimit shqip në Selinë Qendrore të Vatrës për vite me radhë. Editori i Diellit u shpreh se shkollat shqipe

“Alba Life” dhe “Children of the Eagle” janë ndër shkollat më dinjitoze në mërgatën e Amerikës duke dhënë kontribut të jashtëzakonshëm për shqiptarinë. Z.Musabelliu dhe z.Bushati i cilësuan mësuesit e shkollave shqipe misionarë të shenjtë të kombit tonë. Federata Pan-Shqiptare e Amerikës Vatra e mbështet arsimin shqip e shkollat shqipe që prej vitit 1912 ku vetëm në vitet 1918-1940 Vatra dërgoi më shumë se 120 mijë libra në Shqipëri të shtypura në Shtypshkronjën e Diellit.

Federata Pan-Shqiptare e Amerikës Vatra, nëpërmjet gazetës Dielli sot është kthyer në promotoren më të fuqishme të shkollave shqipe në diasporën e Amerikës e Europës. Me fillimin e vitit të ri mësimor, Federata Vatra synon të pajisë shkollat shqipe të Amerikës me Abetare.

Zoti i bekoftë dhe i shpërbleftë përpjekjet e shenjta të çdo shqiptari për gjuhë, komb e atdhe.

Filed Under: Featured Tagged With: Sokol Paja

Shqipëria, çfarë do të kishte qenë pa dalëzotjen e Presidentit amerikan, Woodrow Wilson?

February 4, 2024 by s p

Nga Albert Vataj/

Woodrow Wilson fitoi zgjedhjet presidenciale në Shtetet e Bashkuara tri javë para se Shqipëria të shpallte pavarësinë në nëntor të vitit 1912. Por duhet të kalonin disa vjet para se refuzimi prej tij i planeve për ndarjen e Shqipërisë t’i siguronte ish-Presidentit amerikan një vend nderi në historinë shqiptare. Vizioni i presidentit Wilson për botën, roli i shqiptaro-amerikanëve dhe rrethanat historike kontribuan në vendimin që do të rikonfirmonte pavarësinë e Shqipërisë. Kur i hedh një vështrim botës së pas Luftës së Parë Botërore, në vitet 1919-1920, dhe vendimit të Woodrow Wilsonit për të mos lejuar copëtimin e Shqipërisë, nuk mund t’i shpëtosh mendimit se sikur rrjedha e ngjarjeve të kishte shkuar vetëm pak më ndryshe, harta e Shqipërisë nuk do të ishte kjo që njohim sot. Ndoshta një pjesë e fatit të Shqipërisë u mbrujt kur presidenti Wilson paraqiti parimin e vetëvendosjes së popujve, që, sipas historianit Bernd Fischer, ishte ndër më të rëndësishmit në planin e tij prej 14 pikash, sipas të cilit kufijtë nuk mundet të caktoheshin më mbi bazën e politikës së Fuqive të Mëdha.

Por mendoj se ai ishte gjithashtu i interesuar për të mirën e popujve më të vegjël në Europë, të cilët nuk ishin marrë parasysh në politikën e Fuqive të Mëdha. Pra, ishte një politikë vizionare përsa i takon botëkuptimit, por ishte edhe një shqetësim shumë konkret për popuj të caktuar dhe shqiptarët përfituan nga kjo.

Në dhjetor të vitit 1918 presidenti Wilson u nis për në Europë ku kaloi pjesën më të madhe të gjashtë muajve të ardhshëm, i përfshirë në negociatat e Konferencës së Paqes në Paris. Negociatat për fatin e Shqipërisë kishin të bënin me synimet për kontrollin e Adriatikut. Territoret shqiptare ishin copëtuar një herë nga Fuqitë e Mëdha në vitin 1913. Por synimet e fqinjëve nuk ishin ndalur aty. Shqipëria, nëse do të kishte qenë në dorën e Italisë dhe Jugosllavisë, që mbështeteshin nga Britania dhe Franca, me siguri që do të ishte ndarë në bazë të Traktatit të Fshehtë të Londrës, që italianët e negociuan në vitin 1915.

Preambula e filozofisë së fshehtë shfaqet më 29 mars 1915, ministri i Punëve të Jashtme të Italisë, baroni Sonnino, i paraqiti kolegut të tij britanik, Edward Grey-t, një memorandum që përmbante planin italian për copëtimin e Shqipërisë. Duke qenë se ky plan në vija të përgjithshme pajtohej më atë të Rusisë, Franca dhe Britania nuk patën arsye për ta kundërshtuar. Kësisoj platforma e bisedimeve për arritjen e marrëveshjes midis Italisë dhe Antantës ishte krijuar.

Bisedimet zgjatën disa javë, por më në fund marrëveshja u arrit, dhe traktati i fshehtë i Londrës, që përmbante copëtimin e Shqipërisë , u nënshkrua nga Italia dhe fuqitë e Antantës më 26 prill 1915. Pikat nyje të traktatit që arritën të cenonin territorin shqiptar përmblidheshin në nenin 6, i cili përcakton të drejtën e Italisë për të marrë sovranitetin e plotë mbi qytetin e Vlorës dhe distriktin e saj, mbi ishullin e Sazanit dhe një territor të gjerë për të siguruar mbrojtjen e këtyre pikave, që nga Vjosa në veri dhe në lindje dhe afërsisht gjer në kufirin verior të Himarës, në jug. Ndërsa nenin 7 niste me idenë se, nëse pjesa qendrore e Shqipërisë rezervohet për të formuar një shtet të vogël autonom të neutralizuar, ajo nuk do të kishte kundërshtim, për pjesët veriore dhe jugore, të cilat mund të ndaheshin midis Serbisë, Malit të Zi dhe Greqisë, nëse për këtë paqëtohet edhe Franca, Britania dhe Rusia. Italia do të ngarkohet të përfaqësoj Shqipërinë në marrëdhëniet e saj më politikën e jashtme. Përfaqësuesit e tre fuqive të Antantës e pranuan traktatin dhe u morën vesh që kjo marrëveshje të mbahet e fshehtë, e cila sanksionohej nëpërmjet nenit 16. Një muaj pas nënshkrimit të marrëveshjes, ashtu siç e kishte përcaktuar neni 2, Italia i shpallte luftë Austro-Hungarisë dhe Gjermanisë. Në bazë të kërkesës së ish–kryeministrit dhe ministrit të Jashtëm të Jugosllavisë Milan Stojadinovic, shkrimtari serb Ivica Andric, që më vonë fitoi çmimin Nobel për Letërsi, kishte bërë një program për ndarjen e Shqipërisë. Programi ishte hartuar në vitet 1937-1939 derisa Andriq kishte qenë përfaqësues i MPJ-së së asaj kohe. Pas rënies së Stojadinoviqit, Andriq u bë ministër i Punëve të Jashtme i Jugosllavisë. Por çfarë vërente politika shqiptare e kohës e viteve 1920: së pari, ashtu si ishte zbatuar edhe për Poloninë, Trentinon, Alzasën e Lorenën, të shfuqizoheshin klauzolat e Traktatit të Fshehtë të Londrës të 26 prillit 1915, që kishin të bënin me Shqipërinë, të përcaktoheshin kufijtë e Shqipërisë dhe vendeve të tjera ballkanike në bazë të parimit etnik.

Fuqitë europiane donin të vazhdonin diplomacinë tradicionale. Presidenti Wilson e hodhi poshtë idenë e aleancave sekrete në diskutimet e tij në Paris. Një nga këto marrëveshje të fshehta ishte e ashtuquajtura Tittoni-Venizelos, e vitit 1919, kur Italia dhe Greqia kishin rënë dakord për marrjen e pjesëve të Shqipërisë. ”Disa nga Fuqitë e Mëdha kishin rënë dakord fshehtas, pa dijeninë apo angazhimin e Shteteve të Bashkuara, që ta ndanin Shqipërinë dhe presidenti Wilson kur e mori vesh një gjë të tillë tha se nuk do ta mbështeste”, thotë Robert Enholm, drejtor Ekzekutiv i Shtëpisë së Woodrow Wilsonit në Uashington, ku ish-Presidenti kaloi vitet pas largimit nga posti. Për historianin Nikolla Pano, rreziku që i kanosej Shqipërisë ishte synimi i fqinjëve, por edhe dobësia e qeverisjes së vendit. Profesor Pano thotë se në fillim të negociatave presidenti Wilson kishte prirjen të bënte disa lëshime. Por ajo që filloi ta bënte Wilsonin të mbështeste gjithnjë e më shumë Shqipërinë, ishte fakti që Greqia dhe sidomos Italia u bënë gjithnjë e më kërkuese. Më 9 dhjetor 1919 Franca dhe Anglia – pa praninë e Shteteve të Bashkuara – arritën një marrëveshje që i jepte Italisë mandatin ta shkëpuste Vlorën dhe që Greqia të merrte territorin përreth Gjirokastrës, por jo Korçën. Profesor Pano thotë se presidenti Wilson u befasua që italianët dhe grekët ishin të pakënaqur dhe donin më shumë pjesë territori nga Shqipëria dhe kur u ngrit pyetja e kufijve veriorë, ai u zhgënjye plotësisht, duke kuptuar se ajo që po propozohej do të sillte zhdukjen e Shqipërisë. Më 6 mars, presidenti Wilson me forcë i hodhi poshtë këto kërkesa dhe nga këndvështrimi i tij çështja e Shqipërisë nuk ishte e hapur për diskutim dhe fati i Shqipërisë do të përcaktohej në një sërë takimesh pas Konferencës së Paqes. Meqë amerikanët luajtën një rol të rëndësishëm në fazat e fundit të luftës, fjala e Woodrow Wilsonit kishte peshë të madhe. Shtetet e Bashkuara nuk e kishin njohur shumë Shqipërinë, para një misioni për mbledhje faktesh në vitin 1914 nga ministri amerikan në Greqi, George Frederick Williams. Por historianët bien dakord se kishte edhe një faktor tjetër thelbësor në qëndrimin amerikan.

Faktori tjetër që duhet mbajtur parasysh në fillimin e skenarit të mbrojtjes së Shqipërisë, është roli i diasporës shqiptare, sidomos asaj në Shtetet e Bashkuara dhe udhëheqësit e saj, si Faik Konica e sidomos Fan Noli. Faik Konica ishte jashtë vendit gjatë pjesës më të madhe të luftës, por Fan Noli ishte në këtë kohë në Shtetet e Bashkuara, po ashtu edhe njerëz të tjerë të njohur, si Kostë Çekrezi dhe Kristo Dako. Pano thotë se shqiptarët ndërmorën një fushatë masive propagande për ruajtjen e pavarësisë së Shqipërisë dhe tërësisë së saj territoriale. Dy ditë pas qëndrimit të shprehur nga Amerika në vitin 1920, gazeta ‘Dielli’ vlerësoi rolin e Shteteve të Bashkuara dhe Kostë Çekrezi e bëri të qartë që Shtetet e Bashkuara e kishin shpëtuar Shqipërinë, në një intervistë në gazetën New York Times. Më pas atë vit Shqipëria u bë anëtare e Lidhjes së Kombeve.

***

Woodrow Wilson ishte presidenti i 28-të i Shteteve të Bashkuara. Ai shërbeu për dy mandate, nga viti 1913 deri në vitin 1921. Ai udhëhoqi Amerikën gjatë ‘Luftës së Parë Botërore’ dhe luajti një rol të madh në përfundimin e ‘Traktatit të Versajës’. Ai ishte gjithashtu i rëndësishëm në formimin e ‘Lidhjes së Kombeve’, e cila shërbeu si pararendëse e ‘Organizatës së Kombeve të Bashkuara’. Për rolin e tij kryesor në formimin e ‘Lidhjes së Kombeve’, Wilson iu dha ‘Çmimi Nobel i Paqes’ në vitin 1919. I lindur në një familje të devotshme presbiteriane, Wilson kishte një rekord të zakonshëm akademik në shkollë dhe ishte i prekur nga disleksia. Por ai i kapërceu problemet e tij dhe u bë një dijetar i përkushtuar. Ai vazhdoi studimet për drejtësi dhe fitoi doktoraturën në shkenca politike dhe histori. Ai filloi të jepte mësim në ‘Princeton University’ në 1890 dhe shërbeu si president i ‘Princeton University’ nga viti 1902 deri në 1910. Ai hyri në politikë në vitin 1910, duke u bërë guvernator i Nju Xhersit me biletën e Partisë Demokratike. Wilson u zgjodh si kandidat presidencial i Partisë Demokratike për zgjedhjet e vitit 1912 dhe ai i fitoi zgjedhjet mjaft lehtë. Kur shpërtheu ‘Lufta e Parë Botërore’, ai fillimisht adoptoi politikën e neutralitetit, por më vonë u detyrua të hynte në luftë për shkak të përplasjes së pakufizuar të nëndetëseve të Gjermanisë. Si president, ai ndërmori disa reforma progresive. Ai mbështeti Amendamentin e 19-të, duke i lejuar gratë të votojnë. Për udhëheqjen e tij të aftë, Woodrow Wilson renditet në mesin e dhjetë presidentëve më të mirë të SHBA.

Woodrow Wilson vdiq më 3 shkurt 1924, në moshën 67-vjeçare.

Trupi i tij u varros në një sarkofag në “Katedralen Kombëtare të Uashingtonit”. Ai është i vetmi president trupi i të cilit u varros në kryeqytetin e vendit.

Filed Under: Politike

Si njihej Shqipëria një shekull më parë nga Amerikanët: “Komb i ri, popull i lashtë”

February 3, 2024 by s p

Përgatiti: Rafael Floqi/

Si njihej Shqipëria nga Amerika dhe perëndimi. Një nja artikull të një gazete amerikane “Cottonwood chronicle, August 10, 1923” botohet një artikull i përgatitur nga National Geographic Society, nga Uashington, D. C. me titull “Komb i ri, popull i lashtë” ku indirekt tregohet mungesa e njohjes nga perëndimi dhe publiku amerikan i popullit shqiptar si edhe fillimi i rritjes së interesit për të.

Në fillim të shekullit të 20, Shqipëria ishte në një periudhë të ndryshimeve dhe transformimeve të mëdha historike. Në këtë kohë, Shqipëria ishte e njohur si një vend me një kombësi dhe një kulturë të lashtë, por gjithashtu ishte nën presionin e fuqive të mëdha evropiane për të cilat shihej ajo shihej si mundësi për të qenë njëra nga zonat e tyre të ndikimit.

“Një nga momentet kryesore të hyrjes së Perëndimit në historinë e Shqipërisë ishte koha e periudhës së Luftës së Parë Botërore (1914-1918). Gjatë kësaj kohe, Shqipëria u përfshi në konflikte dhe përplasje të mëdha, duke u ndarë midis interesave të fuqive të mëdha të asaj kohe. Pas Luftës së Parë Botërore, Shqipëria u përfshi në një periudhë të vështirë politike dhe sociale, me ndryshime të mëdha politike dhe territoriale. Një moment shumë i rëndësishëm për hyrjen e Perëndimit në historinë e Shqipërisë ishte shpallja e Pavarësisë së vendit më 28 nëntor 1912, pas Luftës për Pavarësi. Kjo shpallje u pasua nga njohja e pavarësisë së Shqipërisë nga fuqitë e mëdha të asaj kohe, duke filluar kështu dhe një fazë të re në historinë e vendit. Pas kësaj periudhe, Shqipëria u përball me sfida të mëdha në përpjekjen për të zhvilluar një shoqëri moderne dhe të vendosur një qeverisje të stabilizuar.

Shqipëria filloi të njihet në SHBA qysh në fillimet e saj si një komb i pavarur. Pas shpalljes së Pavarësisë në vitin 1912, shumë shqiptarë emigruan në SHBA për të gjetur punë dhe për të shfrytëzuar mundësitë e reja në atë vend. Emigrantët shqiptarë në SHBA kontribuan në ndërtimin e komuniteteve të tyre dhe në promovimin e kulturës dhe traditave shqiptare në dhe të huaj.

Federata Panshqiptare “Vatra” luajti një rol të pazëvendësueshëm edhe për këtë. “Kështu shqiptarët të futur në trazirat e një bote të huaj me gjuhën dhe mënyrat e së cilës ata ishin krejtësisht të panjohur, ata arritën për herë të parë në një njohje efektive se i përkisnin një komuniteti më të madh kombëtar me pretendimin për të drejtat dhe dinjitetin e vet në botë. Ndoshta aspekti më interesant i vetëm i historisë tregohet në një libër të shkruar më vonë në Massachusset “The Albanian struggle in the Old ëorld and Neë” ku jepet efekti i transplantimit të shqiptarëve në Amerikë, të paktën në fazat e tyre të hershme, në intensifikimin e madh të ndërgjegjes kombëtare të emigrantëve shqiptarë, në nxitjen e interesit të tyre për kulturën dhe traditat shqiptare dhe në hapjen e rrugës për pjesëmarrjen e tyre aktive në luftën për pavarësinë e Shqipërisë.

Në vend që të bëheshin amerikanë dhe të merrnin pjesë në lëvizjet politike dhe shoqërore amerikane, ata u bënë shqiptarë të ndërgjegjshëm, duke themeluar një shtyp shqiptar dhe duke krijuar për herë të parë një kishë kombëtare autonome. Përpjekjet ballkanike për bashkim kombëtar dhe pavarësi erdhën me ta në Shtetet e Bashkuara dhe punëtori shqiptar jetonte në një varfëri të vetë-imponuar edhe më të madhe se ajo që i impononin të ardhurat e tij të pakta, duke i dërguar pagat në shtëpi, ose duke i grumbulluar ato për ditën e kthimit të tij, ose përdorimin e tyre për të çuar përpara çështjen kombëtare. Ai kërkonin mëkëmbës jashtë vendit pë rivendosjen e dinjitetit dhe frytëzimit të jetës që dukej se e mohonte rrethi i mekanizuar dhe i huaj i jetës së tij në Massachusetts. Ky përqendrim shqiptar në punët e vendit të vjetër nuk është aspak një fenomen i vetëm dhe i veçantë i tyre- ndikimi i irlandezëve dhe çekosllovakëve nga ky vend dhe i kinezëve përtej detit e në mbarë botën në ofrimin e udhëheqjes, mbështetjes masive dhe fondeve. për lëvizjet kombëtare në vendet e tyre ishte i njohur”.

Në fillimet e shekullit të 20-të, njohja e Shqipërisë në SHBA ishte më tepër e lidhur me emigrantët shqiptarë dhe diasporën e tyre, ndërsa përfaqësia zyrtare e Shqipërisë në nivel diplomatik ishte më e kufizuar. Megjithatë, me kalimin e kohës dhe zhvillimin e marrëdhënieve ndërkombëtare, Shqipëria u njoh dhe u bashkua me komunitetin ndërkombëtar, duke përfshirë edhe SHBA-në. Në përgjithësi, hyrja e Perëndimit në historinë e Shqipërisë ndodhi gradualisht nëpërmjet kontakteve dhe ndikimeve politike, ekonomike dhe kulturore, duke e përcaktuar rrugën dhe zhvillimin e vendit në shekullin e 20-të. Gjykoni vetë mbi atë sesa pak ishte e njohur Shqipëria në SHBA, duke u bazuar edhe tek ky artikull i një të përditshme amerikane të vitit 1923.

***

Ndërsa konferenca e Lindjes së Afërt po riorganizon hartat territoriale që u përzien të fundit nga traktati i Sevres, Shqipëria, ndodhet e vetme jashtë rajonit më të trazuar së fundmi, ndoshta do të lejohet të vazhdojë në rrugën e saj mjaft të përgjumur. Vendi u krijua në 1912 për të shmangur një luftë botërore, por kur erdhi Lufta Botërore, trupat nga pesë vende pushtuan pjesë të ndryshme të tij.

Gjermanët, austriakët dhe bullgarët kishin nën kontroll rrethet veriore, kurse serbët kryen sulme pas luftës, ndërsa Franca dhe Italia mbanin jugun, duke përfshirë zonën rreth Korçës, e cila më vonë shkaktoi një mollë sherri me Greqinë. Ndërsa Durrrësi, porti kryesor shqiptar, u kap nga d’Annunzio.

Ndoshta historia do ta njohë Korçën si skenën e hapit të parë të caktuar drejt ribërjes së hartës së re të Evropës. Sepse atje në dhjetor 1918, u krijua një qeveri, e quajtur përgjithësisht, Republika e Korçës.

Ndërsa pjesa më e madhe e Shqipërisë ishte në duart e Austrisë, kjo republikë e vogël, nën mbrojtjen ushtarake franceze, filloi të funksionojë si një republikë shqiptare, shtypi vetë paratë e letrës, pullat postare dhe ngriti një ushtri kombëtare me një forcë luftarake prej 600 vetësh.

Përpara vitit 1914 Shqipëria ishte vendi më i ri i Botës së Vjetër që popullohej nga raca më e lashtë e Evropës Juglindore. Edëard Gibbon e quajti atë “një vend afë syve të Italisë, i cili është më pak i njohur se Brendësia e Amerikës”. Dhe më shumë se një shekull pas atij karakterizimi, përpara se lufta të ndihmonte për të futur Ballkanin në Amerikë, një letër me adresë “Albania” u dërgua nga Anglia në Shtetet e Bashkuara dhe u kthye nga Albany, N, Y., me shënimin “Jo për Albany, provo në Evropë”.

Qytetet e Shqipërisë së Jugut janë të pakta dhe, megjithëse të çuditshme dhe piktoreske në pamje, janë në realitet të varfëra nga komoditeti. Nga qytetet nuk ka asnjë si Korça, me rreth 20,000 banorë, është vendi më i madh, por ende larg të qenit qytet tamam. Megjithatë, nëse qytetet janë disi të keqmbajtuara ato janë interesante për syrin dhe kanë hijeshinë e çuditshmërisë së botës së vjetër. Janë vetëm katër syresh që ia vlen të përmenden: Gjirokastra, aq e vjetër, të paktën në dukje, sa origjina e saj sjell përsëri në mjegullën e kohës; fshati i këndshëm i Përmetit, i shtrirë në një luginë pjellore përgjatë lumit Vjosa; Korça, që mbahej nga francezët; dhe Vlora, e cila u pastrua dhe lulëzoi nën ushtrinë italiane.

Por ka pak jetë moderne aty

Ato janë të gjitha vende të këndshme për t’u parë, të strehuar mes maleve, luginave dhe buzë detit, me muret e tyre të vjetra gri dhe çatitë prej guri të mbushura me lejlekë; por ata nuk posedojnë asnjë nga komoditetet e kollajllëqet e jetës moderne.

Gjëra të tilla si tramvajet, hotelet apo kafenetë nuk ekzistojnë në qytetet shqiptare dhe do të dukeshin krejtësisht të pavend. Uji nxirret nga puset, siç ishte bërë 4000 vjet më parë, ose ndoshta nga ndonjë përrua aty pranë.

Bujtinat përfaqësohen nga hani, një ndërtesë guri gjysmë shtëpi, gjysmë stallë, ku karvanët dhe karrocat në tufë ndalojnë për të pushuar.

Shqipëria i përket një kohe aq largët sa mund të arrijnë analet e botës dhe është po aq primitive sikur të ishte në Kinën qendrore, pothuajse aq e vështirë për t’u depërtuar sa vetë Tibeti, është një tokë e panjohur për udhëtarin dhe e shmangur nga turisti i sotëm.

Nëse tre-katër qendrat e popullsisë në Shqipërinë e Jugut janë pak zhgënjyese si qytete, kjo nuk është e vërtetë për vendin apo për fshatrat piktoreske që mblidhen si spërkatje mbi kodrat gri, ku duket se janë folezuar qysh në fillimet e kohëve. Linjat e përafërta guri janë në pjesën më të madhe, me çati të sheshta guri. Për qëllime të mbrojtjes, ato zakonisht ndodhen në gjysmë të rrugës lart kodrave më të ulëta, dhe shtëpitë dhe ndërtesat janë të rrethuara shpesh me mure të forta guri.

Luginat janë të pasura dhe të kultivuara mirë, kryesisht nga gratë, por paraqesin pamje si të shkreta, përveç në orët e punëve të ditës.

As një fermë, as një stallë nuk mund të shihet mes gjithë pjellorisë. Të korrat nuk mund të vidhen; asnjë bandit s’do të mendonte t’i shkatërronte dhe kështu ato mbeten të pambrojtura.

Në Shqipëri historia nuk përtëritet aq shumë, sesa përfshihet në një proces të përsëritjeve monotone. Shqipëria është një foshnjë e tmerrshme mes kombeve evropiane. Ajo thjesht refuzon të rritet.

Nuk fshihet në ujërat e pasme të Evropës për shkak të njerëzve inferiorë; sepse ajo ka njerëz të veprimit , shqiptari është është i fortë, i zgjuar dhe i shkathët. Vitaliteti i shqiptarëve ilustrohet në faktin e thjeshtë se ata vazhdojnë të ekzistojnë si një popull homogjen mes mangësive gjeografike dhe historike që kanë gllabëruar ose zhvendosur shumë nga fqinjët e tyre të dikurshëm.

Vitet e fundit kontaktet me vllehët dhe grekët i kanë modifikuar toskët, apo shqiptarët e jugut. Pjesa më e ashpër, dhe më primitivë në mesin e popullit të saj, janë gegët në veri, përgjatë lumit Drin, që figuronte së fundi në lajmet gjatë luftës serbe. Drini është formuar nga bashkimi i Drinit të Zi, i cili nis nga liqeni i bukur të Ohrit, dhe Drini i Bardhë nga malet. Drini i mirëfilltë rrjedh në perëndim përpara se të derdhet në Adriatik pranë liqenit të Shkodrës, në jug të Dalmacisë që ka qenë arenë e lajmeve të fundit.

Toka e Gjakmarrjes

Në veri të Drinit është një tokë malore, karstike, si një Sahara shkëmbore, e ngjashme me një kazan të palodhur që zjen pas një dite të nxehtë. Këtu jetojnë fise, të pavetëdijshme për ndikimet kombëtare, përveçse për të luftuar pushtuesit. Këtu është vendi i gjakmarrjes, një kod me të cilin 25 për qind e burrave në disa fise vriten mes tyre. Megjithatë, kjo praktikë nuk duhet të ngatërrohet me mungesën e thjeshtë të ligjit. Përkundrazi, kanuni është një zëvendësues për të zbatuar drejtësi për çdo sistem ligjor që ka një pushtet qendror të dobët. Ai është edhe më i ngurtë dhe i ashpër, dhe më i përpunuar sesa ligji i zakonshëm i kombeve të përparuara.

Një student nga SHBA zbuloi se dështimi për të mbajtur një premtim të vogël për një dhuratë të vogël kushtoi një duzinë jetësh brenda një dite. Për shkak se një burrë vrau një derr, që po hante të korrat e tij, të afërmit meshkuj të pronarit të derrit vranë kaq shumë veta nga fisi i vrasësve të derrave gjatë një periudhe prej gjashtë vitesh.

Nën një sistem të tillë, marrëdhëniet mashkullore marrin një rëndësi të madhe, kushëriri i tretë i burrit bëhet “vëllai” i tij, lidhjet familjare të një gruaje, jashtë prindërve, burrit apo vëllezërve, janë çështje të vogla. Por pasojat e të njëjtit kod e bëjnë pozitën e gruas më të lartë në Shqipëri sesa në Orient, apo edhe në një rajon më të modernizuar të Evropës. Ja një gjë, burri që është “në gjak” është i imunizuar nga sulmet për t’u vrarë për gjak, ndërsa është në shoqërinë e një gruaje.

Gjatë kohërave të grindjeve që shkakton lufta fisnore, gratë janë ato që kryejnë kryesisht në detyrat në natyrë. Martesa është me kontratë; rregullohet përgjithësisht me lindjen e një fëmije. Një grua nuk ushtron asnjë zgjedhje, por ka të drejtën e vetos në lidhje me burrin e saj. Nëse ajo nuk dëshiron burrin e marrëveshjes së prindit të saj, ajo mund ta refuzojë atë, por, në këtë rast, duhet të bëjë betimin se do të mbetet e virgjër, e do të marrë statusin e një burri, të bëhet burrneshë, ku në disa rajone ajo vishet si burrat. Nëse ajo martohet me një burrë tjetër, familja e kërkuesit të saj të refuzuar duhet të kërkojë hakmarrje gjaku. ndaj të afërmve të saj meshkuj.

Por edhe zakonet tona janë të çuditshme për ta.

Këto zakone duken të çuditshme, por jo më pak se disa nga mënyrat tona ndaj shqiptarëve. Kur iu tha se në Angli një grua duhet të varej për vrasje, një grup shoqëruesish shqiptarë u trondit thellë. Ishte përtej të kuptuarit të tyre se si mund të gjendej një burrë që do të varte një grua dhe ata arritën në përfundimin se Anglia në të vërtetë duhet të ishte një tokë barbare.

Jo më pak habi u shkaktua mes një grupi tjetër kur u informua për tendencat flirtuese të shërbëtores anglo-saksone. Ata nuk mund të shihnin se si mundet që prindërit e një gruaje të re, e cila e kishte një burrë. t’i shpëtojë hakmarrjes së tmerrshme nga vëllezërit e saj – “Vëllezërit” që do të thotë të gjithë të afërmit e saj meshkuj të shkallës së afërt dhe të largët.

Por edhe ca zakone të vogla

Në jetën e përditshme të një populli kaq të izoluar. Në shumë pjesë të veriut të Shqipërisë, të jesh burrë pa mustaqe është turp. Nëna shqiptare i tregon fëmijës së saj histori në të cilat, ndryshe nga melodramat tona skenike, i keq dhe zuzar është gjithmonë njeriu pa flokë, qerosi.

Filed Under: Opinion

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 1165
  • 1166
  • 1167
  • 1168
  • 1169
  • …
  • 2776
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare
  • Në sinoret e Epirit…
  • Mbrëmë hyri në fuqi Ligji i SHBA për autorizimin e mbrojtjes kombëtare
  • Skënderbeu “grek”, ose si të bëhesh grek pa e ditur
  • A historic moment of pride for the New Jersey Albanian-American community
  • U zhvillua veprimtaria përkujtimore shkencore për studiuesin shqiptaro-amerikan Peter Prifti
  • Dashuria që e kemi dhe s’e kemi
  • “Jo ndërhyrje në punët e brendshme”, dorëheqja e Ismail Qemalit, gjest atdhetarie dhe fletë lavdie
  • Arti dhe kultura në Dardani
  • Gjon Gazulli 1400-1465, letërsia e hershme shqipe, gurthemeli mbi të cilin u ndërtua vetëdija gjuhesore dhe kulturore e shqiptarëve
  • “Albanian BookFest”, festivali i librit shqiptar në diasporë si dëshmi e kapitalit kulturor, shpirtëror dhe intelektual
  • VEPRIMTARI PËRKUJTIMORE SHKENCORE “PETER PRIFTI NË 100 – VJETORIN E LINDJES”

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT