• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Kundër shfaqjes së simboleve të diktaturës në ambiente publike

January 27, 2024 by s p

Besim Ndregjoni/

Shkëlqesi ambasadorë! Të shqetësuar nga situata aktuale politike në vendin tonë, ne të mbijetuarit e diktaturës, që përfaqësojmë 40% të popullsisë që u përndoqëm dhe u masakruam nga diktatura staliniste e Enver Hoxhës po ju drejtohemi juve, përfaqësues të vendeve demokratike si mbrojtës të lirisë dhe të drejtave dhe lirive të njeriut dhe si miq ideali të përndjekurve politikë, që për kauzën e lirisë gjatë regjimit komunist frymëzoheshin nga demokracia dhe liria që kishin kombet tuaja. Ju bëjmë thirrjen tonë dhe ju vëmë në dijeni: Brenda këtij 10- vjeçari, me ardhjen në pushtet të socialistëve pasardhës të Partisë Komuniste diktatoriale, që sundoi për një gjysmë shekulli dhe masakroi shqiptarët, kanë filluar të shfaqen simbolet e diktaturës në ambiente publike, të përkrahur nga pushteti politik dhe të shfaqura nga institucione shtetërore.

Zotërinj ambasadorë! Ju sjellim në vëmendjen tuaj një thënie të Xhon Kenedit, ish-President i Shteteve të Bashkuara: “Komunizmi nuk ka ardhur kurrë në pushtet në një vend që nuk është prekur nga lufta, ose nga korrupsioni, ose nga të dyja këto”. Prandaj shqetësimi ynë është se nga Lufta e Dytë Botërore erdhi komunizmi në Shqipëri më 1944 dhe tani po rikthehet nga korrupsioni i këtij pushteti me simbolet e tij. Ju sjellim në vëmendjen tuaj se Shqipëria ka një bilanc tragjik të krimeve të komunizmit. Janë mbi 6000 shqiptarë që i ka pushkatuar komunizmi dhe u ka zhdukur eshtrat, dhe sot ata nuk kanë një varr që familjarët t’i përkujtojnë, pushteti politik nuk lejon as të ngrihet “Muri i Kujtesës” për të memorizuar veprën dhe sakrificën e tyre sublime. Janë mbi 36.000 të burgosur politikë që kaluan kalvarin e persekutimit për gjysmë shekulli dhe për 33 vite pluralizëm njohën vetëm heshtjen dhe përbuzjen e një klase politike antikombëtare, duke heshtur ndaj krimit dhe duke nderuar xhelatët e tyre.

Janë mbi 100.000 familje që u përballën me internimet dhe dëbimet politike dhe u cilësuan me nofkën sovjetike “Kulak”. Prej 10 vitesh që pushteti i korruptuar politik përkujton datat simbol të diktaturës, siç është 29 nëntori 1944 kur u vendos diktatura komuniste në Shqipëri, duke e kamufluar si ditë çlirimi, ku kjo datë ndau Shqipërinë për 50 vite nga Perëndimi. Merren nxënësit e shkollave nën diktatin e mësuesve dhe me bekim të Ministrisë Arsimit nderojnë me grusht në përkujtime të datave festive të diktaturës dhe politika shqiptare si pozita trashëgimtare e diktaturës dhe opozita i kalojnë në heshtje këto veprime vrastare ndaj brezit të ri. Në televizione kombëtare dhe në shtypin e përditshëm shfaqen figurat e krimineleve të diktaturës, me pjesëmarrjen e pushtetarëve aktualë, duke helmuar brezin e ri. Çdo natë në televizionet shqiptare shfaqen filmat e diktaturës.

Më 16 janar 2024 Teatri i Operës dhe Baletit, institucion i Ministrisë Kulturës, jep shfaqje me një valle që i këndohej diktatorit gjatë sundimit të tij barbar. Në një emision të një televizioni kombëtar shfaqen hapur këngët për partinë e diktatorit dhe flitet me superlativa për kohën e diktaturës, duke fyer mbi gjysmë milioni shqiptarë që u mbijetuan masakrave të komunizmit. Politika shqiptare është bërë palë me këto simbole dhe vazhdon heshtjen e saj për 33 vite.

Si mund të përdorin taksat tona këto institucione, duke rikthyer simbolet vrastare të komunizmit. Tirana zyrtare nuk kujton as viktimat e shumta të komunizmit dhe as nuk ka dënuar, zyrtarisht, krimet e komunizmit enveristo-stalinist gjatë tri dekadave të kaluara. Për këtë fajin e ndajnë si pozita aktuale socialiste në qeverisje, ashtu edhe opozita aktuale demokrate në të kaluarën. Shumica e shqiptarëve janë të bindur tanimë se këto tri dekada të tranzicionit “post-komunist” nuk ishin asgjë tjetër veçse një vazhdimësi e regjimit famëkeq, pak më e butë ndoshta se ish-regjimi enverist, por në thelb, antidemokratik, me vlera dhe ideologji të njëjta. Për fat të keq, përjetësimi i së keqes komuniste (the evil of communism) siç e quante dikur Presidenti Ronald Reagan, ka arritur proporcione aq serioze saqë sot nevojitet paralajmërimi i katër komuniteteve fetare në Shqipëri kundër dukurive të tilla. Për më tepër, një gjë e tillë po ndodh në Shqipëri para syve të diplomatëve perëndimorë në Tiranë dhe përballë heshtjes së tyre ndaj këtyre dukurive shqetësuese për një vend anëtar të NATO-s.

Unioni Mbarëkombëtar i Integrimit të të Burgosurve dhe të Përndjekurve Politikë të Shqipërisë dhe katër komunitetet fetare u kanë kërkuar institucioneve shtetërore për t’i dënuar krimet e komunizmit me ligj, siç ka vepruar Europa mbas Luftës së Ftohtë dhe mbas rënies së Murit të Berlinit, por politika vetëm hesht dhe mbron korrupsionin për t’u pasuruar. Ne, të mbijetuarit e diktaturës vite më parë, shpeshherë, kemi paralajmëruar përfaqësitë diplomatike perëndimore në Shqipëri se e keqja e bishës komuniste po përjetësohet në Shqipëri dhe se kjo është tanimë një politikë zyrtare, ndonëse e heshtur, por e qëllimshme dhe se diplomatët e vendeve perëndimore në Tiranë duhet të flasin hapur kundër dukurive të tilla. Shqipëria po shkon drejt një diktature demokratike, rezistenca e të mbijetuarve të diktaturës kundër kësaj diktature duhet të ketë mirëkuptimin e ndërkombëtarëve! Duhet t’u rikujtojmë diplomatëve perëndimorë në Tiranë, miq të vjetër e të rinj të Shqipërisë dhe shqiptarëve; se heshtja e tyre e kohëve të fundit ndaj përjetësimit të asaj që, jo vetëm katër komunitete fetare e shikojnë si një përjetësim të së keqes komuniste në vend, por edhe vërejtës të tjerë vendës dhe ndërkombëtarë mendojnë gjithashtu se nuk është në interesin e demokracisë shqiptare, as në interesin e marrëdhënieve të kombit shqiptar me miqtë e tij në botën demokratike perëndimore, ku të gjithë ne mendojmë dhe besojmë se i përkasin përjetësisht, si njërin prej popujve më të vjetër të Evropës.

Si dhe pse mund të justifikohet heshtja e diplomatëve të vendeve të Evropës Perëndimore dhe të Shteteve të Bashkuara në Tiranë ndaj dukurive “të herë pas hershme të neo-komunizmit dhe forma të ndryshme të lartësimit të ish-diktaturës komuniste”, sipas rezolutës së katër komuniteteve fetare dhe Unionit Mbarëkombëtar Integrimit të burgosurve dhe Përndjekurve Politikë në Shqipëri.

Të nderuar diplomatë të demokracive perëndimore të akredituar në Tiranë! Ju mund të vazhdoni të heshtni ndaj këtyre dukurive, por ne, bashkëkohësit e dr. Martin Luther King –kampionit të të drejtave dhe lirive të njeriut në Amerikë shekullin e kaluar kur ne përballeshim me diktaturën enveriste se, “Më në fund, ne nuk do të mbajmë mend fjalët e armiqve tanë kundra nesh, por do të kujtojmë heshtjen e miqve tanë” përballë padrejtësive ndaj nesh. Brezi i sotëm i shqiptarëve ka filluar të vërë në dyshim miqësinë e perëndimorve dhe ne të mbijetuarit e diktaturës habitemi me heshtjen tuaj ndaj lartësimit të një regjimi barbar komunist në Shqipëri, madje edhe nga qarqe zyrtare të politikës dhe drejtësisë të një vendi anëtar të NATOS-s. Heshtja juaj, të nderuar miq, ndaj shkeljes flagrante të të drejtave të sanksionuar ndërkombëtarisht, përfshirë kapjen e institucioneve, ne nuk mund të besojmë se është në interesin e shteteve tuaja perëndimore dhe aq më pak në interesin e shqiptarëve të etur për liri dhe demokraci, jo dhe jo. Kjo duhet të jetë kauza e ndërkombëtarëve në marrëdhëniet e tyre me institucionet zyrtare shqiptare dhe me të gjitha entet e tjera të shoqërisë dhe të shtetit shqiptar, përfshirë opozitën dhe shoqërinë civile, ashtu siç janë me mungesa dhe jofunksionale.

Përndryshe, përballë kaosit politik aktual në Shqipëri, taksapaguesit amerikanë dhe evropiano-perëndimore, me të drejtë, duhet të bëjnë pyetjen: Cili është suksesi i demokracisë në Shqipëri, që është premtuar me derdhjen e fondeve marramendëse këto 33-vite të tranzicionit nga taksapaguesit amerikanë dhe everopianoperëndimorë? Kjo, për të mbajtur në pushtet këtë klasë politike aktuale 33-vjeçare, autoritare, neo-komuniste – pozitë dhe opozitë – e lidhur ngushtë jo vetëm ideologjikisht, por edhe biologjikisht me rrënjët e ish-regjimit komunist të Enver Hoxhës; diçka e paparë sot në ndonjë vend tjetër ish-komunist, anëtar i aleancës ushtarake perëndimore, NATO-s, siç është Shqipëria.

*President i Unionit Mbarëkombëtar i Integrimit të të burgosurve politikë

Filed Under: Analiza

E djathta shqiptare që nuk egziston…

January 27, 2024 by s p

Ajet Delaj/

Nuk po them ndonje gjë të re nëse them se përgjatë 34 viteve të fundit nuk ka pasur parti të djathtë madje as te qendrës së djathtë në Shqipëri gjithnjë referuar parimeve dhe vlerave të partive të djathta të vendeve perëndimore.  Nuk dëshiroj të hyj në historikun e demagogjinë komuniste të atyre që e kanë quajtur veten të djathtë pasi edhe ata vetë e kanë ditur se nuk janë të djathtë pasi problemin me madhor të tyre kanë pasur faktin se janë krijuar si formacione politike nga Ramiz Alia.

E djathta klasike mbeshtetet mbi tre parime themelore : prona, familja dhe besimi në Zot në një shoqëri të lirë e demokratike referuar lirive e të drejtave themelore të njeriut të pranuara, firmosur në traktatet e konventat perëndimore duke i sanksionuar edhe në kushtetutën e Shqipërisë por fatkeqësisht nuk janë zbatuar nga asnjë qeveri shqiptare përgjatë 34 viteve të fundit. Nuk dëshiroj të analizoj të majtën shqiptare pasi duke pasur në konsideratë se nga vjen dhe çfarë përfaqëson është pozicionuar mjaft mirë madje në nivelet më të larta të globalistëve duke e tërhequr Shqipërinë zvarrë, teorive ultra liberale me qeveri të mëdha e patronazhistë.

Problemi madhor për Shqipërinë e shqiptarët është mungesa e alternativës së djathtë siç e ka gjithë bota e civilizuar perëndimore. Pra problemi nuk është nëse më pëlqen apo nuk më pëlqen mua apo disa të tjerëve e majta shqiptare, problemi qëndron në mungesën totale të alternativës së djathtë në realitetin politik shqiptar. Shikoni me vëmendje të ashtuquajtura grimca të së djathtës se si kacafyten për ditë me njëri-tjetrin se kush do e ndajë pushtetin me socialistët ashtu siç kanë bërë përgjatë 34 viteve të fundit. Në vitet e para të pluralizmit alla shqiptar të pas 92-shit pushteti u nda me ish-sigurimin e shtetit e figura të rëndësishme të sistemit komunist. Me fuqizimin e tyre si kolonë e pestë në spektrin e djathtë përjashtuan nga partia figura potente të vizionit të djathtë si Petrit Kalakula e bashkëpunuan hapur e pa nderojë me formacione të ekstremit të majtë si PA e Xhuvelit e LSI-ne e Ilir Metes. Shikoni me vemendje partiçkat e vogla të mbetura nga sistemi i “katovicës” nëse kanë ndonjë diferencë në artikulimin e tyre publik me të majtën socialiste.

Fakti që pësojnë humbje të njëpasnjëshme nuk është se shqiptarët janë të majtë por trashigimia ideologjike e gjenetike luajnë me të njëjtat mjete e filozofi si e majta socialiste madje duke shkuar edhe më tej si forcë e ekstremit të majtë duke u shfaqur edhe si antiamerikan. E them me bindje të plotë se Shqipëria ka nevojë për një të majtë pro-Amerikane që realisht egziston me z.Rama ashtu edhe për një të djathte pro-Amerikane që fatkeqësisht nuk egziston. E theksova nevojën e të pasurit të të dy kraheve politik pro-Amerikane për vete historikun e Kombit shqiptar në historinë gjeopolitike të Europës e mbrojtjen e interesave kombëtare të kombit shqiptar në marrëdhëniet ndërkombëtare. A janë shqiptarët të ndërgjegjësuar për realitetin politiko-shtetëror të Shqipërisë e perspektivën e zhvillimeve politiko-ekonomike të së ardhmes në një botë që po ndryshon me shpejtësi? Thellësisht mendoj se po pasi Shqipëria i ka resurset njerëzore, akademike brenda dhe jashtë saj pasi vajzat dhe djemtë e shqipes po edukohen në universitetet më prestigjoze të botës e po bëjnë karrierë në kompanitë e qeveritë e Europës e Amerikës.

Shqiptaret e duan Atdheun dhe origjinen e prinderve të tyre dhe jane të gatshëm të kontribuojnë e sakrifikojnë për gjenezen e tyre. Shqiptarët duhet të kuptojnë se pa Kosovë e Çamëri nu ka Shqipëri ashtu si pa bashkimin shpirtëror të shqiptarëve në Atdhe e diasporë në aleancë me aleatin tonë strategjik, USA e parimet e vlerat e saj nuk ka e nuk mund të ketë prosperitet kombi shqiptar. I bëj thirrje klasës politike në hapësirat shqiptare në gadishullin Ilirik që të njohin e zbatojnë institucionin e dorheqjes si tregues i maturimit politik e faktor i rëndësishëm i qarkullimit të elitave duke i dhënë hapsirë angazhimi e kontributi të gjithë atyre shqiptarëve me vlera, edukim e eksperiencë që të vihen në shërbim të Atdheut. 

Shqiptari nder shekuj ka ditur me falë e madje edhe djalin e veçanërisht diaspora shqiptare që ka jetuar apo lindur në perendimin kristian me siguri janë ndikuar nga mëshira kristiane. Të mos harrojmë e madje të mos vonohemi se djali apo vajza e shqiptarit që ka lindur në 90-tën është shkolluar në universitete prestigjoze të botës është sot 34 vjeç e duhet konsideruar e trajtuar si pasuri kombëtare të kombit shqiptar. Bllokimi i spektrit të djathtë të politikës shqiptare me programin e vazhdimësisë komuniste duhet të marrë fund duke i dhënë Shqipërisë një shans emancipimi e zhvillimi. Dëshiroj të theksoj se duke u larguar vullnetarisht i japin një hapsirë të shpejtë zhvillimi shoqërisë shqiptare pasi falë Amerikës ka ardhur koha që çdo rezistencë do ndëshkohet me ashpërsinë më të madhe e për këtë besoj se askush nuk do kënaqet përveç faktit se shteti ligjor po funksionon në Shqipëri nëpërmjet SPAK-ut.

Filed Under: Analiza Tagged With: Ajet Delaj

ATY KU ZEMRA USHQEHET ME BESIM, SIKURSE BLETA ME NEKTAR LULESH

January 26, 2024 by s p

Valon Shkodra/

Këtë vit gazetari the kulturologu Elez Osmani e botoi librin e titulluar “Udhëpërshkrime nga vendet e bekuara”. Kjo vepër, si të thuash, vjen si vazhdimësi e botimeve të autorit përkitazi me udhëpërshkrimet e tij bërë vendeve të ndryshme. Sepse një vit më parë autori Elez Osmani ka botuar veprën “Egjipti flet me gjuhën e shekujve”, po ashtu botim i Kryesisë së Bashkësisë Islame të Kosovës, Prishtinë 2022, f. 320.

Libri “Udhëpërshkrime nga vendet e bekuara” ndërkaq përfshin përshtypjet dhe udhëpërshkrimet e autorit gjatë vizitës që ky ua ka bërë vendeve të shenjta të myslimanëve dhe gjatë kryerjes nga autori të njërit nga pesë kushtet kryesore të fesë islame – haxhit. Autori, përveçse e ka kryer këtë obligim sublim fetar dhe jetësor, si një haxhi dhe intelektual i vëmendshëm, ka mbajtur edhe shënime në ditarin e tij, po sikurse një etnolog në punën e tij në terren.

Gjerë më tani, nga përvoja jonë, mund të themi se ka pak udhëpërshkrues shqiptarë që do të kenë botuar ditarët ose shënimet që do të kenë mbajtur gjatë udhëtimeve të tyre. Deri vonë këso lloj botimesh jemi mësuar t’i lexojmë vetëm prej autorëve të huaj, mirëpo tani një gjë e tillë ka filluar të bëhet edhe prej autorëve tanë.

Në kapitullin e parë të këtij libri ofrohen të dhëna të bollshme për shqiptarët në haxh dhe për kontributin e tyre në vendet e shenjta përgjatë shekujve. Lidhur me këtë, me të drejtë studiuesi Qemajl Morina shprehet se: “Me përqafimin e fesë islame, shqiptarët gradualisht u integruan në rrjedhat e përgjithshme të jetës shoqërore, politike dhe kulturore islame. Ata morën nga popujt e ndryshëm myslimanë, por edhe u dhanë atyre”.

Nga “Udhëpërshkrime…”, të autorit E. Osmani kuptojmë se qysh në shekujt XV-XVI, shqiptarët kanë filluar të shkojnë në haxh, përmes rrugës Stamboll – Damask – Mekë, e cila ka zgjatur me muaj të tërë dhe kushte jo fort të favorshme, deri kur u ndërtua hekurudha e parë Damask – Medinë, në vitin 1908. Me këtë rast ia vlen ta themi se për njëfarë kohe, në deceniet e fundit të shekullit XVI, ishte ushtaraku shqiptar Hysen Arnauti ai që kishte përcjellë dhe ishte kujdesur për rrugën e haxhinjve nga Damasku deri në Mekë. Kurse, një tjetër shqiptar, Ahmet Arnauti, me detyrë vali në Perandorinë Osmane, në vitin 1634, në qytetin e Damaskut kishte ndërtuar një kompleks urban, që kishte shërbyer si vendpushim për haxhilerët që bënin rrugën për në Mekë. Autori E. Osmani përmend edhe arkitektin e njohur me prejardhje shqiptare, Mimar Sinanin, i cili kishte qëndruar në Mekë e Medinë për të ndërtuar një serë objektesh shoqërore, arsimore e fetare. Pastaj shqiptari tjetër nga Topojani i Lumë, Koxha Sinan Pasha, i cili njihet si “Fatihi Jemen” (Çliruesi i Jemenit) dhe pesë herë sadriazem i Perandorisë Osmane, themelues i qytetit të Kaçanikut, i cili kishte ndërtuar disa objekte, hajrate e vakëfe në Mekë dhe në Medinë. Mirëpo, këta nuk janë personalitetet shqiptare të vetmet të njohura përgjatë historisë që do të kenë shkuar në haxhillëk dhe që do t’i kenë vizituar vendet e shenjta, por ka edhe shumë të tjerë të mëvonshëm, e që janë vizitues edhe nga grupi i personaliteteve të tjera të mëvonshme, siç janë: Mustafë Pasha Bushatliu, Haxhi Ymer Prizreni, Haxhi Zeka, Vehbi Dibra, si dhe shumë e shumë të tjerë.

Pjesë e punës së autorit për këtë botim kanë qenë edhe hulumtimi në arkiva dhe biblioteka të ndryshme. Studiuesi Elez Osmani tregon për dokumentet e kohës dhe itineraret e haxhilerëve shqiptarë, të cilët i kanë vizituar vendet e shenjta. Në Arkivin e Kosovës ruhet një dorëshkrim unik i veprës, në gjuhën arabe, “Sherh Rahati al Kulub”, i shkruar në vitin 1559, prej një autori prishtinas, Pir Mehmeti, i biri i haxhi Aliut, që dëshmon se gjyshi i tij, haxhi Aliu, kishte qenë në haxh qysh para vitit 1559. Në dorëshkrimin tjetër të veprës “Menasiku ‘l-Haxhxh”, të vitit 1816, përveç itinerarit të haxhilerëve, gjejmë edhe emrat e tyre dhe koston e udhëtimit të tyre. Në vazhdim është kronika e haxhi Hasan Koplikut nga Shkodra, kronikë kjo me shumë interes për nxjerrjen në pah të të dhënave për haxhilerët, haxhin dhe transportin e asaj kohe, po edhe të të dhënave të tjera me rëndësi.

Në kapitullin e dytë bëhet fjalë për haxhilerët nga Shqipëria, të cilët ishin organizuar për të bërë vizitë në vendet e shenjta, në vitin 1991. Në të vërtetë, kjo ishte vizita e para për në haxh, në kohën e demokracisë, përkatësisht pas rënies së komunizmit. Për lexuesit e rinj autori rithekson faktin e rëndësishëm se regjimi komunist në Shqipëri, që nga viti 1967, i kishte ndaluar të gjitha aktivitetet fetare, deri në rënien e sistemit, me ardhjen e demokracisë, në vitin 1990.

Eelez Osmani në këtë kapitull vazhdon ta shpalosë përvojën e tij dhe atë të kolegëve të tij me organizatorët e tjerë të Bashkësisë Islame nga Prishtina, duke i treguar të gjitha hollësitë e rrugëtimit të 180 haxhilerëve nga Shqipëria për në qytetin e Mekës – Qabenë e bekuar, e cila për çdo vit pranon me miliona vizitorë.

Në kapitullin e tretë kemi nënshkrimin e marrëveshjes për organizimin e haxhit për Kosovën, në vitin 1994, prej kryetarit të Bashkësisë Islame të Kosovës, Dr. Rexhep Bojës dhe përfaqësuesve nga Ministria e Haxhit nga Arabia Saudite. Më tutje, në këtë kapitull, autori e përshkruan qytetin e Medinesë, si vend i mbushur me plot haxhilerë, nga e mbarë bota, njerëz me ngjyra të llojllojshme, pamje që dallon nga fiziku i tyre dhe veshja tradicionale. Siç shkruan autori për veshjen e banorëve në këtë qytet, shumica e tyre mbanin fustanella të bardha dhe shamia me ngjyrë të larme, të zeza, të punuara prej artizanëve me traditë nga ky vend. Në qytetin e Medinesë, vizita është e veçantë, sepse besimtarët myslimanë e vizitojnë xhaminë dhe varrin ku pushon Pejgamberi, a.s., duke bërë lutje dhe dua për të.

Për Xhaminë e Pejgamberit, a.s., në Medine, autori thekson se ajo ka pamje magjepse, me bukurinë e saj qoftë nga pamja e jashtme, apo edhe nga ajo e brendshmja. Një arkitekturë e bukur e funksionale dhe joshëse për syrin e njeriut, e stolisur me disa minare. Autori për këtë xhami na flet edhe për historikun e saj dhe zhvillimet arkitekturore në periudha të ndryshme kohore.

Vizitë tjetër në qytetin e bukur të Medinesë ishte edhe Kampusi i Universitetit. Këtu ka studentë nga vende të ndryshme të botës, gjithsej 110 nacionalitete. Pas Mekës dhe Medinesë, autori na e përshkruan edhe qytetin e tretë – Xhiden. Për këtë vend të bukur autori bën krahasime me qytetet e bukura të Evropës.

Në këtë kapitull autori përsëri ndalet në përshkrimin e qytetit të Qabesë në Mekën e shenjtë. Qytet që asnjëherë nuk pushon nga numri i haxhilerëve, që e vizitojnë vendin për haxh dhe umre. Ky është qytet që ka gjallëri 24 orë, është qytet i bashkimit shpirtëror, është vendlindja e Muhamedit, a.s. Nuk ka asnjë vend në botë që është më i respektuar apo më i shenjtë për një numër të madh njerëzish, sikurse është Meka.

Zemra e qytetit të Mekës është Qabeja e Shenjtë, e cila qëndron në mes të sipërfaqes së rrethuar me mure, që kanë një stil të veçantë dhe xhaminë e njohur “El Harem”. Qabeja është epiqendra e Mekës. Godina më e famshme në historinë e njerizimit, e ndërtuar me gur graniti të thjeshtë dhe e “veshur” me mbuloj të zezë. Për autorin, në të gjitha vizitat e tij është gjithmonë një përvojë e re dhe e mrekullueshme, sepse shumë praktika islame të dëgjuara apo të lexuara tani autori i sheh dhe i përjeton vetë, sikurse, për shembull: vizita në Arafat, kuptimi i hedhjes së guralecëve, Dita e Bajramit, prerja e kurbanit, prerja e flokëve, rëndësia e ritualit të haxhit etj.

Në kapitullin e katërt kemi rrëfimin e studiuesit Elez Osmani për vizitën e tretë në haxh. Kësaj here autori kishte shkuar si bedel për kushëririn e tij Fatosin, i cili kishte ndërruar jetë në moshë të re, në Amerikë. Autori flet për ceremonialin e varrimit dhe të pamet e organizuara sipas traditës, mirëpo të realizuara në qytetin e Nju York-ut (New York), dhe në këtë ceremonial varrimi, në atë kohë, kishin marrë pjesë edhe ish-presidenti i Amerikës z. Bill Clinton dhe ish-sekretarja e parë e Amerikës znj. Hillary Clinton.

Në kapitullin e pestë, autori flet për umren – “haxhin e vogël”. Kjo, sipas fesë islame, nuk është e detyrueshme për një besimtar mysliman, sikurse vizita e haxhit, por është e rekomanduar në Kuran. Sipas rregullave islame, besimtarët mund ta realizojnë vizitën e tyre për umre në çdo kohë të vitit. Gjatë vizitës për umre kërkohet që myslimanët t’i kryejnë dy vepra kryesore, tavafin (sjellje rreth e rreth Qabesë për shtatë herë) dhe sajin (të vraposh, të përpiqesh për adhurimin e Allahut…).

Çdokush që e viziton Qabenë, për umre apo për haxh, fillimisht duhet ta bëjë nijetin, t’i falë dy rekate namaz, e pastaj duhet të vishet ihrami. Kjo është një veshje specifike e haxhit dhe e umres. Kjo veshje përbëhet nga dy pjesë. Me njërën pjesë mbulohet pjesa e poshtme e trupit, nga kërthiza e deri te këmbët, kurse me pjesën tjetër mbulohet pjesa e epërme e trupit. Sipas rregullave, ihrami duhet të jetë i bardhë dhe jo i qepur. Kur vishet ihrami, zhvishen të gjitha rrobat e tjera të trupit. Ihrami është shenjë që e dallon atë që do të hyjë në tokën e shenjtë. Kapitulli vazhdon me qëndrimin në Arafat, që është nga themelet e haxhit. Kjo është dita kur lutjet e haxhinjve në sheshin e Arafatit plotësohen tek Allahu i Madhëruar, sepse kjo është ditë e përsosjes së fesë, e festës dhe e faljes së mëkateve.

Krahas përshkrimit për Qabenë dhe xhamitë, kemi edhe të dhëna të tjera për muzeun në Mekë. Ky muze ishte krijuar prej zyrtarëve sauditë, për ta rikujtuar të kaluarën e Mekës, sepse ndërtimet e mëdha dhe planet urbane të zhvilluara sistematikisht kishin rezultuar në humbjen e gjurmëve të së kaluarës. Muzeu përmban disa relikte dhe makete të ndryshme. Njëra nga ato paraqet plan për vendosjen e Mekës në vitin 610, ku në mes shihet Qabeja, ndërsa afër saj burimi i ujit Zemzem, shtëpia ku ka lindur Pejgamberi, a.s., si dhe shtëpitë e kalifëve, Ebu Bekrit dhe Omerit, r.a. Krahas këtyre maketeve, muzeu ka edhe shtatë salla, dhe posedon njëqind mijë eksponate, ndër të cilët shumë edhe janë qindravjeçare.

Në kapitullin e gjashtë, “Udhëpërshkrues të ndryshëm për haxhin ndër shekuj”, autori i përmend disa personalitete, e të cilët kanë lënë gjurmë në udhëtimet e tyre, sikurse, për shembull: Naser Hosrau (1003-1077), Ibën Xhubejr (1145-1217), Ibën Betuta (1303-1368), John Levis Burckhardt dhe Rozhe Garodi.

Në përfundim të këtij librit, nuk gjej përmbyllje më të mirë sesa paragrafin e parë të autorit Elezi Osman, të vënë në librin e tij, e i cili thotë: “Një njeri, gazetar, që të shkruajë mirë, duhet ta krijojë bagazhin e tij, pikërisht si ato gjyshet që mbledhin gjëra të vjetra. Ai duhet të grumbullojë ngjyra, aroma, tinguj, lëvizje; duhet ta kultivojë një perceptim të mprehtë të zakonshëm…”. Duke u nisur nga kjo thënie, mendoj se autori Osmani ka arritur ta krijojë bagazhin e tij me materiale të dorës së parë, nga hulumtimet, përvoja dhe nga udhëtimet e tij. Kontributi i këtij libri pa dyshim se është edhe një ndihmesë më shumë për t’i njohur vendet e shenjta të botës islame nga një udhëpërshkrues shqiptar, e që deri më tani ka pasur shumë pak botime të kësaj natyre.

(Recension për librin: Elez Osmani, “Udhëpërshkrime nga vendet e bekuara”, botoi: “Dituria Islame”, Prishtinë, 2023, 225 faqe)

Valon Shkodra

Instituti Albanologjik,

Prishtinë

Filed Under: Fejton

Portreti Arbëresh, Aaron Puccio, kur, muzika, poezia dhe filozofia bëhen një

January 26, 2024 by s p

Ornela Radovicka/

Në kuadrin e portreteve arbërshe, sot flasim për të riun Arbërsh Aaron Puccio. Aaron, lind në Piana degli Albanesi\Hora e Arbëreshëve. Diplomohet në Universitetin e Palermos në degën Filologjin moderne italisht dhe është mësues në shkollën e mesme në Monreale\Palermo.

Jam arbëresh i Piana degli albanesi- thot Aaron me krenari ndërsa përshëndetemi. Me të /

Ai është i apasionuar pas muzikës blues, rock psichedelico, rock progresiv dhe është lexues entuziast i romaneve psikologjike dhe filozofike . Ai është këngëtar, harmonist, kitarrist amator si dhe autor i disa braneve muzikale e tekteve letrare.

Shpirti i tij poetik shihet edhe në tekstet muzikore. Kjo gjellë (Kjo jetë), Dashuria , Kur të vërrenj. Tekstet e tij përmbajnë bukurinë e fjalës arbërshe, shpirtin e tij filozofik si edhe ato nota malinkonike që zakonisht pushton shpirtin e poetit. Ai është pjesëmarrës i festifalit Arbëresh në Shën Mitër Korona . (Në vijim disa nga krijimet e tij)

Kjo gjellë (Kjo jetë)

Furturë zborë e shi diell vapë e dritë

dre lotë vajtim paqe gaz e gëzim

dje i qosmë si një rregj sot pa shpi si një qen( rrugëve)

Kjo gjellë kjo gjellë ë kështu e mos klaj t’i bësh keq

dje i qosmë si një rregj sot pa shpi si një qen

Kjo gjellë kjo gjellë ë kështu o e lë o e merr

Një dhrom çë ngë njeh një tren çë ngë pret

Një dorë çë të nget ca ujë kur ke etë

Mos lyp përçë ngë mënd dish më shumë

Kjo gjellë kjo gjellë ë kështu ngë t’e thot çë do bënj

Mos lyp përçë ngë mënd dish më shumë

Kjo gjellë kjo gjellë ë kështu të mban zgjuar kur ke gjum

Dashuria

Te dejti sa eshtra e sa pak pishq Dashuri Dashuri ndienj tëtim

Te dheu bien nga ditë fëmijë e shpi Dashuri Dashuri sa mavri

Dashuri Dashuri mos mëno sprënxa jonë Dashuri (2)

Likura e gjindes dal’e dalë ju ter Dashuri Dashuri thuamë ku je

Një zjarr i lig ka vërbuar këtë botë Dashuri Dashuri mos zbier qëro

Dashuri Dashuri mos mëno sprënxa jonë Dashuri (2)

Nani të shoh me sytë tim jam zgjuar ngë jam e ëndërrinj (2)

Në det sa eshtra dhe sa pak peshq

Dashuri Dashuri ndjehem i ftohtë

Në tokë bien çdo ditë fëmijë dhe shtëpi

Dashuri Dashuri sa njerëz të pakënaqur

Dashuri Dashuri mos vono shpresa jonë Dashuri (2)

Lëkura e njerëzve gradualisht u tha

Dashuri Dashuri më trego se ku je

Një zjarr i keq e ka verbuar këtë botë

Dashuri Dashuri mos harxho kohë

Dashuri Dashuri mos vono sphresa jonë Dashuri (2)

Tani të shoh me sytë e mi jam zgjuar, nuk po ëndërroj (2)

Kur të vërrenj

Kur të vërrenj, zëmbra jime, kur të vërrenj

Kur të kam këtu te ana e të vërrenj

Na jam më t’errët më vjen dritë e ajo natë bënet ditë

Kur të vërrenj zëmbra jime kur të vërrenj

Kur te sytë të vërrenj u zgledh gjithë atë çë ke

Kur te sytë të vërrenj më flet zëri çë foli shumë herë

Përpara zjarrit ngulur te një shtrat

Përposh shiut me ujët çë na lag

Kur te sytë vërrenj mua kjo gjellë, mua më qesh

E kur qesh, ti kur qesh, sa më pëlqen

E kur qesh, ti kur qesh, sa më pëlqen

kur të shkëlqejnë sytë te shpirti jim zë një festë

Kur të vërrenj, zëmbra jime, kur të vërrenj

Aron, është një djalosh me një profil sa artista dhe intropspektiv.

Kur merr kitarën në dorë edhe pse është amator, ai i nënshtrohet një metamorfoze të plotë: fytyra e tij e qetë dhe i qeshur si diell shëndërrohet në mijëra maska ​​tensioni dhe emocioni;

Sytë e tij, zakonisht depërtues dhe të vëmendshëm, metamorfozohen në dy copëza hapsira, ku të bënë të depërtosh në botën e tij.

Xhupini i tij me stemën e madhe Hora e Arbëreshe, shton tek Aaron mitin e përjetësisë së këtij populli, kaq të rrallë në univers.

Muzika për Aron është pjesa e identitetit të tij. Në repertorin e tij arbëresh do të ndjeshë zjarrin arbëror të Moresë, lirikën e bilbilit të Shqipërisë Vace Zelës, bukurinë sentimentale të serenatave Korçare, dhe pathosi i këngëve të UÇK të Kosovës e në shpirtin e tij melankoninë 600 vjeçare kur këndohet himni arbëresh.

Artistët njihen, për natyrën e tyre; të zhdervjelltë, të natyrshëm, pa komplekse, spontane, por edhe razionale, dhe si rrjedhojë për Aaron natyra e tij ka edhe atë dozë filozofike e introspektive. Ai kalon me dialektikën e tij sa sa në filozofinë Karteziane, në psikoanalitikën e Freud, mbërthen filozofinë e Nietzsch “Super Uomo”, penetron në notat diabolike të bluz Tommy Johnson, heton në “invencionet” e Pink Floyd e të Gong, përcjell te Doors e penetron në vizionin kozmik të Jim Hendrix. Vendos maskën e Pirandellit, e mbart metaforën “Borgjezi-Njeriu- Ujk, . Në mënyre të qartë na shtjellon mentimin e tij filozofik me veprën “ Ujku i Stepës” së Hermen Hesse, ku gjithë gjithë filozofia humane vërtitet në tezën: Egsistenza humana dhe krisi i egzitencializmit të tij.

Aron, në librin e tij” Mondo in Mi sporco” na jep çelsin e pentagramit që është “ Njeriu” dhe na i vendos atë në çdo partiturë dhe na paraqet një overturë, një traktat introspektiv mbi “qënien njerëzore”ku ndërthuren element fizike, filozofike, psicoanalitike, psichedelico tra poesia, teatri e muzika e mbi to ndërton një puzzle midis “Arsyses” racionale, dhe “Ramingo” irracionale duke mbajtur si ritëm, notën “Mi” jo të pastër,( në mungesë të intervalit te tretë).

Kjo partiturë filozofike që paraqet Aaron frymon, dhe prek akordet e “Caosit,”

kryqëzon shkrirjen midis së mirës dhe së keqes, raporton kufijtë e pacaktuar dhe të kundërt,

lakon një pasqyrë të një bote kalimtare, e ku spërkat spontaniteti i natyrës e prishen kufij për të krijuar të tjerë. Aron nëpërmjet racionalitetit të tij na sygjëron se Jeta, herë herë është një “idil pa idil”, ku rregullat dhe përparimi i imponuar e distancuan njeriun nga spontaniteti.

Reaksionet “Djabolike”, impulset e homo Sapienz që krijojnë Super IO, dhe në psherëtimën e tij krijon shtjella ajo dozë pikë e errët bërnda nesh “ il lato oscurro).

Për Aaron filozofia njerëzore rrotullohet nëpërmjet vektorëve. “Arsyeja dhe Ramingo”.

Arsyeja, funksionon si virtyt matematikor dhe racional. Ramingo nga ana tjetër tërhiqet nga iracionaliteti. Të qënia humane Hemisfera e djathtë ështe vepër e instikteve, ndërsa Hemisfera e majta ështe Arsyeja. Aaron, na përcjellë ata vektor të forcave të kundërta, midis Arsyes dhe Ramingo të cilat funksionojnë si një centrifugë, ku të dy vektorët përdorin armët e tyre më potente duke mos lënë hapsire paqësore mes tyre.

Ramingo ka anën tjetër të medaljes .Ai nuk është statik. Ai është lëvisje, dhe si i tillë kthehet në hark, në qark, në disk dhe si i tillë ndahet nga ai segment i përgjegjësisë dhe shkon drejt artit.

Cdo gjë rrutullohet drejt “Ramingo”, që në pamje të parë nuk përmban asnjë nuancë negative, përkundrazi, prodhon ficion: poesi e muzik. Këtë e shohim në përdorimin poetik-letrar italian ku Ramingo ka një nuancë empatizuese ose viktimiste. “Ramingo” i tërhequr nga instikti, përshkon territorin e ashpër, godet dhe merr hapsirë.

Për Aron të dy vektorët “Arsyeja e Ramingo godasin rëndë, por vetëm kur je i paisur mirë me “njohjen\ me qëllimin racional” vetëm atëherë mund të orjentohesh mirë.

Ajo që është e “ndaluar” tërheq, dhe në Art në të njëjtën kohë ajo zë vend si reale, ideale, dhe materiale.

Hetimet, përqasjet, largimet, janë një vazhdimësi të hulumtimeve humane dhe njeriu nuk mund të qëndroj pa artin e tij. Arti është pjesë e “incoscio”- thotë Freud. Ndodh që njeriu kur penetron në art nuk tenton të rrëfej realitetin, dhe Aaron na sjellë ndër mend muzikën psichedelica të muzikës rock, analizon misticizmin e DOORS dhe na përcjellë në vizionin kozmik dhe astrale të Jimi Hendrix, blues i Robert Johnson, Skip James, apo në Rock progresiv të grupit King Crimson, Emerson Lake$ Palmer etje

“Arsyeja dhe Ramingo” janë dy fenomene që konfrontohen \ përballen dhe Aaron na sjellë si shembull Pirandellin: “ il Piccolo me” duke iu drejtuar “Gran me” në novelën 1984. Dy persona në një familje gjithmonë në konflikt me njëri – tjetrin, por në fund të fundit konfrontohen, dhe dashur pa dashur krijohet një dialog.

Njeriu është edhe gjukues, dhe Aron na përcjellë pozicionin e “Dantes- gjykues” në dashurinë e marrë midis Paolo e Franceska në Këngën e pestë të Ferrit.

Në epiqendrën humane gjendet edhe ajo njollë “Hija e errët” “Dr Jekyll dhe Mr Hyde”. Ende sot një nga përfaqësimet më efektive të dikotomisë së së mirës dhe së keqes, dashurisë dhe urrejtjes.

Një temë plot implikime filozofike, teologjike dhe psikologjike.

Kjo njollë e errët është aq ektreme sa arrinë tragjedinë humane. Ajo njollë sadika, pjesë e njeriut austrolopitek që “Homo Sapienz” trashëgoi një përqind në gjenetikën e tij. Njeriu nuk do që ta pranojë ose nuk do që ta njohë atë njollë të errët që ka secili ndaj nesh brënda vetes, gjurmë e errët e cila mund të edukohet e të shëndërrohet në artë si forme diabolike apo hyjnore qofshin. Për të kuptuar mirë këtë ngërç, Aron na përcjellë veprën e Pirandellit “Il giganti della montagna\ Gjigantët e Malit. Një botë e padukshme, ëndërrimtare, një vizion”përtej” në të cilën çdo gjë mund të ndodhë, ku Arti mund të jetojë me natyrshmëri dhe spontanitet ekstrem.

Kuptimi “përtej”, megjithatë, është edhe një kurth: është diçka e paprekshme, e pafundshme, por edhe e papërsëritshme, sepse, qenia humane është e zhytur në atë të ashtuquajtur “kohë” nga e cila nuk ka kthim prapa.

Optika e qenies njerëzore, është plot pasiguri, plot me dilema, plot frikë, por edhe si një vazhdimësi i atyre segmenteve i asaj që zbulon dhe kërkon të thellohesh, në atë universi sa Utopik, aq edhe racional: Njeriu- koha, njeriu- hapsira, Njeriu e Super Io, Njeriu- diabolismi, Njeriu- figura e tij e dyfishtë, etje etje janë forma introspektive, shirita të arkitekurës së këtij libri.

Reflektimi i Aron na sjellë ndër mend thënien e Aldous Huxley. Nëse dyert e perceptimit do të ishin të pastra, çdo gjë do t’i dukej njeriut ashtu siç është në të vërtetë: e pafundme. Sepse njeriu e ka mbyllur veten në vetvete, deri në atë pikë sa i sheh të gjitha gjërat përmes të çarave të shpellës së tij”

“Il Mondo në Mi Sporco” është një traktat ku jep mendimin e autorit, ku ajo pjesa e errët, ajo energji ndoshtas diabolike vihet në shërbim të artit, një “çlirim” psikologjik, si një çlirim i përkohshëm nga

rregullat e logjikës, si një ekzaltim i aftësive perceptuese, të kujtojmë hijet e Edgar Allan Poe që u kthyen në një vepër madhështore, Fior del Mal të Baudelaire. Ajo njolla e errët

pjesë e një shpirt të ndjeshëm e të brishtë komunikimi mes njerëzve dhe ankorimi i ekzistencës në një dimension njerëzor dhe real ku e “e keqja”, ajo njollë e errët tërheq dhe josh.

“ Arsye dhe Ramingo” është një luftë e vazhdueshme midis së mirës dhe së keqes, midis dashurisë dhe urrejtjes. Në pamundësi për ta pranuar këtë dikotomi, kërkohet që personaliteti i njeriut ta ndajë por nuk mund të ndajë plotësisht Prishja e dialogut midis dy anëve të së njëjtës medalje mund të kishte vetëm pasoja katastrofike. Duke mos kontrolluar njëri-tjetrin, të dy entitetet nuk bëjnë gjë tjetër veçse priren drejt sjelljeve gjithnjë e më ekstreme në drejtime të kundërta. Kjo na bën të kuptojmë se njeriu në vetvete është një masë kontraditash,akoma nuk ka arritur atë pjekurinë formën më të lart të koshiencës. Duke menduar se deri ku mund të shkojë mendja e qënies njerëzore është e pamundur të injorojmë kombinimin më të vjetër në botë, kombinimin (shpesh të suksesshëm) të gjeniut dhe çmendurisë\ marrëzisë .

Kopertina e këtij libri është e shoqëruar me ilustrimet e Davide Napoli. Një artist i vëretet ku në forma marramendëse, arte surreale, me linja herë dadaistika dhe herë apstraktizëm, shpreh format e të menuarit. Teknika e tij është nëpërmjet bojës kinës. Këto imazhet bëhen pjesë sa introspektive aq edhe organike të veprës së Aaron.

Ornela Radovicka

Qëndra Albanalogike A. Bellusci themeluar në 1980\ Frascineto\ Kalabri

Filed Under: Reportazh

Vatra telegram urimi z.Talat Xhaferri si kryeministër i Maqedonisë së Veriut

January 26, 2024 by s p

New York, 26 Janar 2024 – Federata Pan-Shqiptare e Amerikës Vatra uron përzemërsisht z.Talat Xhaferri në detyrën e Kryeministrit të Republikës së Maqedonisë së Veriut. Kjo është një ditë historike për shqiptarët në Maqedoni e trojet etnike. Karriera e gjatë politike, eksperienca institucionale e shtetformuese dhe profili i një politikani të arrirë do ta bëjnë të suksesshëm dhe krenar për shqiptarët qeverisjen e z.Xhaferri.

Vatra vlerëson me konsideratë dhe i shpreh mirënjohjen faktorit politik dhe shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut për bashkëpunimin e suksesshëm dhe rolin deçiziv në faktorizimin gjithnjë e më tepër të shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut.

Federata Pan-Shqiptare e Amerikës Vatra do ta mbështesë me të gjitha mjetet dhe kapacitetet qeverinë e Kryeministrit Z.Talat Xhaferri.

Me respekt dhe gëzim

Kryetari i Vatrës

z.Elmi Berisha

Filed Under: Politike

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 1178
  • 1179
  • 1180
  • 1181
  • 1182
  • …
  • 2773
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit
  • Shqipëria u bë pjesë e Lidhjes së Kombeve (17 dhjetor 1920)
  • NJЁ SURPRIZЁ XHENTЁLMENЁSH E GJON MILIT   
  • Format jo standarde të pullave në Filatelinë Shqiptare
  • Avokati i kujt?
  • MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI MJET PËR FORMIMIN E VETEDIJES KOMBËTARE TE SHQIPTARËT  
  • MES KULTURES DHE HIJEVE TE ANTIKULTURES
  • Historia dhe braktisja e Kullës së Elez Murrës – Një apel për të shpëtuar trashëgiminë historike

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT