New York, 26 Janar 2024 – Federata Pan-Shqiptare e Amerikës Vatra uron përzemërsisht z.Talat Xhaferri në detyrën e Kryeministrit të Republikës së Maqedonisë së Veriut. Kjo është një ditë historike për shqiptarët në Maqedoni e trojet etnike. Karriera e gjatë politike, eksperienca institucionale e shtetformuese dhe profili i një politikani të arrirë do ta bëjnë të suksesshëm dhe krenar për shqiptarët qeverisjen e z.Xhaferri.
Vatra vlerëson me konsideratë dhe i shpreh mirënjohjen faktorit politik dhe shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut për bashkëpunimin e suksesshëm dhe rolin deçiziv në faktorizimin gjithnjë e më tepër të shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut.
Federata Pan-Shqiptare e Amerikës Vatra do ta mbështesë me të gjitha mjetet dhe kapacitetet qeverinë e Kryeministrit Z.Talat Xhaferri.
Me respekt dhe gëzim
Kryetari i Vatrës
z.Elmi Berisha