• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Dora e Vehbi Agollit bashkë me dorën e Ismail Qemalit ngritën Flamurin e Pavarësisë në Vlorë

November 27, 2025 by s p

Prof.as.dr. Bernard Zotaj/

Vehbi Dibra (Agolli) lindi në Dibër të Madhe më 24 mars 1867, në një familje të njohur për tradita të spikatura fetare, kulturore dhe atdhetare. Babai i tij, Ahmet Efendi Agolli, pas përfundimit të studimeve për teologji islame në Stamboll, shërbeu për një kohë të gjatë si Myfti i Dibrës. Në të njëjtën rrugë do të ecte edhe i biri, Vehbiu, i cili pas mësimeve në vendlindje, vijoi studimet e larta në Stamboll për teologji islame.

Që në fëmijëri, ai u rrit me ndjenja të forta kombëtare. Në shtëpinë e familjes së tij, gjatë viteve të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit (1878–1880), bujtuan atdhetarë të njohur si Iliaz Pashë Dibra, Abdyl Frashëri, Hoxhë Muglica, Hajdin Draga e të tjerë. Aty ai dëgjoi për herë të parë diskutimet për lirinë e Shqipërisë dhe kundërshtimin e hapur ndaj Traktatit të Shën Stefanit dhe vendimeve të Kongresit të Berlinit, që synonin copëtimin e trojeve shqiptare.

Me këto mbresa atdhetarie, Vehbi Dibra ndoqi studimet në Stamboll, ku u njoh dhe bashkëpunoi me personalitete të mëdha të Rilindjes Kombëtare si Sami e Naim Frashëri, Hasan Tasini, Murat Toptani, Hamdi Ohri dhe Shahin Kolonja. Në vitin 1892, në moshën 25-vjeçare, u emërua Myfti i Dibrës, duke zëvendësuar të atin. Ai zotëronte disa gjuhë të huaja: persishten, turqishten, arabishten dhe frëngjishten.

Kontributi në Kongreset Kombëtare

Vehbi Dibra luajti një rol të rëndësishëm në Kongreset e Manastirit (1908, 1910), duke mbështetur Dervish Himën, Nikollë Kaçorrin dhe alfabetin e gjuhës shqipe me gërma latine. Një tjetër kontribut i shquar i tij ishte në Kongresin e Dibrës të vitit 1909, ku u zgjodh kryetar. Shtypi i kohës shkruante: “Për meritat e rralla që kishte, u zgjodh kryetar dhe me zotësi bëri që Kongresi të përfundonte me sukses shumë çështje delikate, si ajo e mësimit të gjuhës shqipe”.

Në këtë kongres bashkëpunoi ngushtë me Sotir Pecin, Dervish Himën, Loni Logorin, Fehim Zavalanin, Hafez Sabri Korçën dhe Abdy Ypin. Ndër deklaratat e tij më të njohura ishte ajo për gjuhën shqipe:

“Gjuha shqipe është gjuhë e vjetër dhe ajo ka alfabetin e saj. Nuk mund të ndalohet, sepse është gjuha e një kombi të lashtë të Europës – kombit shqiptar që vjen nga Iliria!”

Në krye të kryengritjeve për liri

Gjatë viteve 1908–1912, Vehbi Dibra u përfshi aktivisht në kryengritjet antiosmane. Në bashkëpunim me Elez Jusufin, Qazim Likën, Mustafa Litën dhe Hysen Dacin, ai drejtoi shoqërinë patriotike “Bashkimi”, duke organizuar qëndresën në Dibër. Në mars të vitit 1912, bashkë me Mersin Demën, organizoi në Homesh “Kuvendin e Dheut”, ku morën pjesë përfaqësues nga e gjithë Dibra. Në këtë kuvend u vendos:

“Tash do të bëjmë kryengritje, jo vetëm për gjuhën tonë, por për të ngritur Flamurin Kuqezi!”

Ai ishte ndër udhëheqësit e luftimeve kundër forcave xhonturke më 24 mars 1912 në Çidhnë të Dibrës së Poshtme dhe një nga organizatorët e Kuvendit të “Plepit të Egër”, ku u kërkua autonomia e Shqipërisë. Në bashkëpunim me Hasan Prishtinën dhe krerët e Kosovës, hartoi Memorandumin me 14 pika drejtuar Portës së Lartë, duke deklaruar:

“Nuk lëshojmë armët pa u siguruar se janë pranuar kërkesat e shqiptarëve!”

Në ngritjen e Flamurit të Pavarësisë

Më 22 nëntor 1912, Ismail Qemali e fton Vehbi Dibrën si përfaqësues të Dibrës në Kuvendin e Vlorës.

Sipas “Zanit të Naltë”:

“Haxhi Vehbi Dibra (Agolli) mori pjesë aktive në punimet e Kuvendit Kombëtar. Ai ishte bashkëpunëtor i ngushtë i Ismail Qemalit. Dora e tij, bashkë me dorën e Ismail Qemalit, ngritën flamurin e pavarësisë në Vlorë. Goja e tij e ëmbël e bekoi për herë të parë këtë vepër të shenjtë. Flamuri ynë do të valojë përherë, sepse u bekuar nga një fetar i vërtetë.”

Në mbledhjen e 4 dhjetorit 1912, u zgjodh Kryetar i Senatit Shqiptar. Si figurë e respektuar dhe me ndikim, ai dha ndihmesë në ngritjen e flamurit në qytete të tjera si Lushnjë, Elbasan, Fier dhe Dibër, duke ndihmuar në organizimin e administratës së Qeverisë së Vlorës.

Në mungesë të Ismail Qemalit, shpesh e zëvendësonte në punët shtetërore dhe në përfaqësimin e Shqipërisë përpara diplomacisë evropiane.

Udhëheqës i Komunitetit Mysliman Shqiptar

Me vendim të Qeverisë së Vlorës, Vehbi Dibra u ngarkua me krijimin e Komunitetit Mysliman Shqiptar, duke e shkëputur atë nga varësia e klerit osman. Ai ishte ndër të parët që hodhi themelet e institucioneve fetare shqiptare të pavarura.

Në vitin 1923, me nismën e tij, u hap medreseja e parë shqiptare dhe u themeluan revistat “Zani i Naltë” dhe “Kultura Islame”. Në gazetën “Demokratia” të vitit 1929, artikulli “Fjala e Kryemyftiut” e përshkruante kështu:

“Fjalë të urta, të matura dhe plot mençuri. Kryemyftiu tha se libri ynë i shenjtë na urdhëron për forcimin e vëllazërisë midis myslimanëve e të krishterëve.”

Edhe pse ishte në krye të Komunitetit Mysliman, ai bashkëpunoi ngushtë me Kishën Ortodokse Autoqefale dhe me komunitetet katolike e bektashiane, duke promovuar harmoninë fetare si themel të identitetit shqiptar.

Vitet e fundit dhe trashëgimia

Në vitin 1932 shkoi për Haxhillëk në Arabi, ndërsa në vitin 1936 mori pjesë në takimin e haxhilerëve të Mesdheut në Egjipt, ku u nderua me dekoratën “Për ligjërimin dhe oratorinë teologjike”.

Në vitet e fundit të jetës bashkëpunoi me intelektualë të rinj dibranë si Haki Sharofi, Jashar Erebara, Ismet Dibra, Muharrem Mullani dhe Haki Stërmilli.

Vehbi Dibra u nda nga jeta në Tiranë më 24 mars 1937. Kryetari i Kishës Autoqefale Shqiptare, Visarion Xhuvani, do ta përshkruante kështu:

“Haxhi Vehbi Efendi Dibra do të mbetet i paharruar në historinë e Shqipërisë së re. Ishte i pari kryetar i fesë myslimane shqiptare, që gëzonte respektin dhe simpatinë e të gjithëve – si të krishterëve, ashtu edhe të myslimanëve. Kohët në të cilat jetoi ishin të vështira, por ai dinte të qëndronte i patundur dhe i drejtë, i udhëhequr nga dashuria për Atdheun dhe nga urtësia e fesë.”

Filed Under: Histori

Embrioni i modernes: prozat poetike të Lumo Skëndos dhe pragu i guximit më tepër

November 26, 2025 by s p

Prof.as.dr. Eris Rusi/

Kushtet historike të fillimit të shek.XX në vendin tonë, ishin specifike dhe të veçanta në funksion të çështjes kombëtare, duke u shoqëruar me përpjekjen që padija dhe varfëria intelektuale e kushtëzuar nga jeta nën perandorinë osmane, të zëvendësohej gradualisht nga një lehtësim i dritshëm i jetës shpirtërore të vendit përmes kulturës dhe letërsisë. Zgjidhja që u bë nga intelektualët dhe krijuesit e kohës, ishte që të orientohej vëmendja tek botimi i periodikëve, tek ringritja e një sensi të brendshëm, fisnik sa dhe njerëzor, për të kulturuar jetën e vendit. Veç në këtë mënyrë, do të arrihej të shihej përtej, do të mund të kapej çdo sinjal rrugëzgjidhje dhe kapërcimi i vështirësive, megjithëse krijimet letrare reflektonin frymën e kohët, ekstremitetin e gjendjes shoqërore shqiptare si dhe mangësitë, vështirësitë apo të metat e kritikueshme të kulturës sonë të frenuar dhe të pazhvilluar si duhej.

Letërsia mori funksionin didaktik, udhërrëfyes dhe përçues të dritës dhe shkëlqimit, drejt viseve të errëta të botë shqiptare, e si një metaforë e jetës, erdhi duke kapur formën e të nevojshmes, të së domosdoshmes në dimensionin e mëvetësisë shqiptare. Aty ku deri dje vonohej të shihej vegimi i trishtë i jetës së fshehur të thellësive, i varfërisë shpirtërore, i barbarisë dhe i zakoneve arkaike, të paqytetëruara, barbare, letërsia nisi të zbulojë dhe të nxjerrë në dritë secilën prej këtyre të metave, duke ofruar edhe pasionin, edhe ndjenjën, edhe lartësimin e të mirës dhe të bukurës në vetvete.

Në këtë pikë, na duhet të përmendim sërish një aksiomë të artit letrar, që fantastikja dhe realiteti nuk janë dy universe paralele dhe të dallueshme nga njëri-tjetri. E aq më shumë nuk mund të shihen si dy botë të kundërta, në një garë se kush do të fitojë në fund. Fantazia e mirëfilltë, në fakt, nuk duhet ta shohim kurrë si një vendstrehim për ata që ndjehen të zhgënjyer nga realiteti. Për krijuesit e kohës, realiteti nuk përmbyllej në vetvete: “i gjithi është këtu…” Përkundrazi, në çdo spirale shprese, shihej mundësia që limitet e realitetit të shtyheshin më tej, kjo falë forcës tunduese të fjalës së shkruar. A nuk kishte vallë terren më të mirë për letërsinë fantastike, sesa Shqipëria e sapo dalë nga një izolim dhe robëri shekullore turke, ende e panjohur, si një tokë e virgjër fantazish, përplot mister për t’u zbuluar në të gjitha sfumaturat dhe luhatjet e saj?

Mund të ngremë si qëndrim faktin që letërsia shqiptare ishte mbrapa ritmit me të cilin ishte zhvilluar letërsia evropiane, e për më tepër ishte e angazhuar në procesin e identitetit kombëtar, ku dhe pavarësia e Shqipërisë edhi shumë më vonë se vendet e tjera ballkanike. Por nga ana tjetër krijuesit e kësaj letërsie kishin kontakt të vazhdueshëm, e njihnin dhe ushqeheshin me atë që ishte letërsi e kohës, evropiane dhe botërore. Përse zgjedhin të mos rrezikojnë sa duhet në terrenin e fantastikes, në përputhje me ndryshimet dhe rrjedhën krejtësisht të re që po merrnin shkollat letrare në Evropë?

Në këtë pikë, mund të sjellim rastin e Lumo Skëndos, i cili ofron interes studimi sidomos me prozat e tij poetike, ku ngrihet imagjinata, përfytyrimi i së mrekullueshmes dhe ndjesia fantastike, por kjo e lokalizuar dhe e jo e përhapur në të gjitha krijimet e përmbledhjes në prozë “Hi dhe shpuzë”

Sikundër shprehet në parathënien e librit studiuesi Nasho Jorgaqi:

“Lumo Skëndo u shfaq në jetën shqiptare në dekadën e fundit të Rilindjes, kur ë qiellin e letërsisë sonë po ngjitej plejada e Faik Konicës, Fan Nolit, Luigj Gurakuqit, Gjergj Fishtës me shokë. Ishte ky brez i ri letrarësh dhe veprimtarësh atdhetarë që duke mos e ndarë artin nga dituritë dhe duke u njohur atyre rolin militant në kauzën e çlirimit të atdheut, synoi dhe punoi për një emancipim të gjithanshëm të jetës shpirtërore të kombit”.

Pra kjo është një përmbledhje e emrave që frymonin letërsinë në fillim të shekullit të XX. angazhimi dhe përpjekjet në rrafshin kombëtar, bëjnë që nga kritika çdo lloj qasje që i largohet këtij prizmi nacionalist, të shikohet si një luhatje e çastit, si një dalje nga rrjedha që duhet të kishte letërsia e kohës, për t’u rikthyer me të shpejtë në reshtin e reales dhe të vërtetësisë ideore të përshkrimit dhe ilustrimit të kohës.

Vijon më tej Nasho Jorgaqi:

“[…]Në këtë aspekt u bënë përpjekje të frytshme për të kapërcyer kufijtë e një letërsie poetike e cila kish krijuar vepra të shkëlqyera, për të dalë në një terren pak a shumë djerrë siç është proza. Duke qenë e një stadi fillestar nga ana artistike, si një prozë diturake-historike-publicistike, me vlera njohëse dhe edukative, ajo nuk i përmbushte nevojat e një letërsie kombëtare siç ndodhte me poezinë shqipe bashkëkohore”.

Në një farë mënyre njihet dobësia miturake e prozës shqiptare në fillimet e saj, për të patur një identitet të mirëpërcaktuar që në publikimet e para. Mund të mos jemi dakord me përcaktimin “terren i djerrë”, referuar prozës në tërësinë e saj, meqenëse emocionet e përftuara, fantazia, por dhe kombinimi i retorikës metaforike në rastin e prozave poetike, jo vetëm që nuk na ofron modele të rëndomta e të varfra në formë dhe përmbajtje, por më së shumti na bën të hamendësojmë se përse nuk u rrezikua më tepër në zgjerimin e këtyre formave të prozës poetike, në krijime më të plota dhe të guximshme.

“Hi dhe shpuzë” përmban 15 proza poetike, 2 novela dhe gjashtë kujtime, të shkruara brenda një periudhe gjashtëmbëdhjetë vjeçare. Prozat poetike i përkasin kryesisht kohës së rinisë së autorit, i cili ishte mbrujtur me frymën e të qenit larg Shqipërisë (Lumo Skëndo u largua nga Shqipëria tre vjeç dhe u rikthye në moshën 29 vjeçare).

Pra ka një rrugëtim emotiv që lidhet edhe me impulsin, përfytyrimin dhe ndjesinë e përshpejtuar të një moshë kur gjithçka është e mundur. Përtej sfondit patriotik, në do të ndalemi te proza “Plaku i Ylynecit”:

“Plaku i Ylynecit është një tregim alegorik me prirje të qarta filozofike që i paraqet lexuesit për të nxjerrë kuptimin konkret dhe idetë që rreh të japë autori[…] ai pothuajse nuk ka subjekt. Gjithë ajo që zhvillohet para të hapet si një tablo sa reale aq dhe ireale, sa e vërtetë aq dhe fantastike. Edhe pse bëhet fjalë për një vend të njohur të Shqipërisë së jugut, siç është shkëmbi i Ylynecit, ajo shënon vetëm pikënisjen, lokalizimin formal të ngjarjes që shtjellohet më pas.”

Cilët elementë të letërsisë fantastike mund të dallojmë në këtë rrëfim? Sabri Hamiti në “Letërsia moderne shqiptare” gjen një Shqipëri reale dhe ideale të autorit. Plaku i Ylynecit “rrok temën e Shqipërisë,po tani në ballafaqim me tiraninë e kohës dhe të përjetësisë; nuk ka vetëm identifikim me dashurinë atdhetare, por dhe me drojën. Kërkuesi i së vërtetës, këtu autori, njeh dhe shpalos mjediset reale; ndërsa plaku që është koha, shpalos një realitet të vetin të përhershëm dhe agresiv. Fjalët e Plakut (Kohës) e shpien dëshmitarin nga realja në pamjet fantazmagorike të botëve që ndahen me një teh: në një anë katastrofa njerëzore, ndërsa në anën tjetër lulëzimi i jetës. Ferri e Parajsa”.

Ngjarja hapet me një panoramë të rrallë e të bukur të natyrës shqiptare, përballë së cilës narratori harron të flasë dhe magjepset nga hijeshia që lodron në vështrimin e tij:

“[…]kur arritmë ne ur’ e Ilias Lamesë, pa dashur qëndrova: më dukesh se e kisha përpara meje një prej ato tabllove të rralla të moçme që figurojnë me një pamje piktoreske.[…]Edhe shikova, dhe prapë e shikova ujët e thellë më të mëngjër, urën e vogël anë lumit dhe grykën e gjerë më të djathtë.”

Ky përshkrim ilustron përshtypjen e thellë që natyra lë tek njeriu, edhe në kushtet e një realizmi të imtësishëm, magjepsja mund të vijë papritmas nga pamjet që shfaqen përpara syve të udhëtarit. Momenti kur nis e valëzohet realja me irealen, akoma nuk ka mbërritur, por kemi një përshkallëzim rritës të emocionit, të misterit dhe të asaj pritshmërie që ka nevojë për një përgjigje, kjo e dhënë përmes ndryshimit të sfondit dhe panoramës që sa vjen e bëhet me e ngushtë, më e mistershme, gati-gati e frikshme:

“[…]dhe udha po gjarpëronte, herë tërthor, herë më të djathtë, herë më të mëngjër, herë thikë, këmbët duke u rëndësuar gjithnjë”.

Në pjesën teorike të punimit, treguam që thelbi i thelbi i fantastikes qëndron në veçantinë e hezitimit ndërmjet të çuditshmes dhe të mrekullueshmes, i provuar nga një qenie e cila njeh vetëm ligjet natyrale përballë një ngjarjeje në dukje të mbinatyrshme. Kalimtare, fantastikja ekziston vetëm në hapësirën e shkurtër të këtij hezitimi,i cili shfaq papritur, por aq natyrshëm sa nuk a vend për habi dhe ngjarja fantastike trajtohet si të ishte njëlloj e mirëfilltë me realitetin. Ndaj, fillimisht, autori na jep realen që ngjason me të mrekullueshmen, aq e veçantë dhe e paimitueshme ngjan:

“Pranë mejë një mur i gurtë, si i bërë prej njerëz të një tjatër kohe,të një tjatër botë[…]përpara meje ishte shkëmbi i Ylynecit! Një pirg i trashë, i madh, madhështor, me një bukuri t’egër e të çuditshme.”

Dhe papritmas ndodh kthesa fantastike, e cila bën që të shtangë dhe të hezitojë veç për një çast protagonisti, pastaj duke e marrë për të mirëqenë atë që po sheh, i bën vetes pyetje nga më të zakonshmet dhe normalet:

“Përnjëherësh shkëmbi u hap dhe goj’ e zez’ e një dere mbeti e çelur. S’dinja ku isha, kisha mbetur në habi, kur një plak doli nga shkëmbi. Kish mjekër të bardhë si dëborë mali, syt’e kaltër si ujët e Vjosës. Sa vjeç do qe? A ish gjashtëdhjetë, nëntëdhjetë apo njëqind? Apo dyzetë? Se nën flokë të bardhë, kish fytyrën e një djaloshi, plot shpirt e shëndet në faqet e tij.

Si një nga tiparet e fantastikes në letërsi, kemi ndërprerjen e koherencës universale, nga një ngjarje e paparashikueshme dhe e papritur që depërton në tekst. Na mundësohet të shohim botën e mundshme, pasi kemi kaluar shtegun e botës reale dhe kjo në vend që të shkaktojë çoroditje tek lexuesi, i jep tekstit shumësi kuptimesh dhe interpretimesh. Personazhi i mbinatyrshëm prezantohet si të jetë një nga njerëzit e zakonshëm të kësaj bote, është me një gjallëri natyrale dhe zgjat dorën të shtrëngojë përzemërsisht protagonistin. Kjo e zbut habinë, e mbulon mahnitjen, por njëkohësisht vë përballë botën reale dhe botën e mundshme si simetri e jetës dhe e vdekjes:

“[…] Edhe nga fundi i napës pashë këmbët e çelnikta – po të vogla e të bukura – të plakut, me thonj prej rame! Më dukesh se ëndërronja, po s’isha fare i çuditur. – Ç’ka aty brenda? – pyeta. – Do të shohësh? Eja!

Edhe më zuri për dore: m’u duk se një frymë, një dredhje gjallimi më rendi në dejet. Kur u qasmë te dera një mjegull e errët, një tym i hidhur më zuri sytë dhe më dogji gurmazë. Po plaku më preku me dorë, dhe atë çast m’u kthjelluan sytë. Vështrova dhe pashë gjëra të tmerruara! Poshtë, atje poshtë, fare thellë, shkëmbit kish një shpellë të gjerë, të hapur si një gojë skëterre.[…] Një pluhur i mugët po mbulonte këtë shpellë të vdekjes dhe mbi një kullë gjysmë të rrëzuar pashë një huruvejkë me sy të mëdhenj të rrumbullaktë. Plaku më tha: “Kanë rrojtur, tani më s’janë.”

Ajo çka shfaqet para syve të protagonistit është një ilustrim i nëndheshëm i botës së përtejme, i të humburës, i së shkuarës, i të djeshmes së afërt dhe të largët. Është kujtim dhe përjetësi, pluhur dhe harresë, por edhe vendqëndrim për të mbledhur mendimet e për të nxjerrë uniken e çdo jete mbi tokë.

Jemi brenda një rrëfimi të mirëfilltë fantastik, e në vijim shohim se respektohen edhe disa elementë të tjerë të hulumtimit fantastik:

kushtëzimi sensorial, emotiv dhe intelektual përballë fenomeneve të pashpjegueshme;

përkohësia dhe përjetësia nën petkun e fatit dhe fatalitetit;

çkodimi i domethënieve tokësore dhe hyjnore

hezitimi ndërmjet një shpjegimi racional e realist dhe pranimit të mbinatyrshmes

Në lidhje me kushtëzimin sensorial dhe emotiv, ne e shohim se si pushtohet krejtësisht arsyeja dhe racionalja e protagonistit nga shfaqja e papritur e personazhit misterioz nga brenda shkëmbit. Gjithçka që ai flet ngjan me një kumt, është një e vërtetë e madhe, si një orakull lashtësish plaku vjen që të zbulojë të vërtetën e këtij vendi dhe të këtyre njerëzve.

Së dyti, pamja e ofruar është therëse, gati surrealiste, por njëherazi e tmerrshme, e hidhur dhe cinike: jeta që shkon e nuk kthehet më pas, pluhuri që zë pluhurin dhe ekzistenca që rrokullisen në honet e thepisura të së djeshmes. A nuk është ky vizioni universal i mënyrës si shkojnë gjërat në këtë botë? A nuk ndodhemi përballë shfaqjes krejt papritur të Hadesit të nëndheshëm, të nëntokës Danteske, ku përzjehen dhe ngatërrohen e shkuara e patjetërsuar, me të tashmen e pasigurt?

E gjithë kjo atmosferë e tensionuar, nxit më tepër depërtimin në brendinë e tekstit. E pashpjegueshmja merr zanafillën nga mistikja e përjetësisë.

2.7.1 Realizmi i mrekullueshëm si pararendës i realizmit magjik

Është e nevojshme të shpjegohet dhe të zbërthehet kuptimi i kësaj situate të mbinatyrshme, të realizohet një lloj dekodifikimi i domethënies hyjnore dhe tokësore të fjalëve të plakut të Ylynecit. Simetria është e gjithëpranishme në tekst, krahas të shkuarës, të vdekurës dhe të harruarës, lartohet jeta, qielli i së nesërmes dhe njerëzit që frymojnë të mbushur me energji. Në këtë gjendje, ndërmjet reales dhe ireales, mes përhumbjes në ëndërrim dhe zgjimit të mprehtë të asaj çka ofron vështrimi, realizohet edhe vizioni simbolik, që përfytyrohet nga ana e protagonistit përmes prekjes së lehtë nga ana e plakut në ballin e tij:

“[…]Shikoje!- dhe më preku me dorë në ballët. Një djepe e vogël me një foshnjë të bukur. Foshnja sapo ishte zgjuar nga gjumi dhe kish hapur syçkat e bukur si dy këngoj të çkëlqyer; një dorë të butë dhe të kuqe si trëndafil, e kish shpënë në gojë.

-A po sheh? – më pyeti Plaku. Edhe mbi djep, në krye të foshnjës, këndova me shkronja të çuditshme SH.Q.I.P.R.I.J.A.”

Gjithçka përreth ngjan e gjallë dhe reale e mund të preket dhe të ndjehet si e tillë, e megjithatë nuk të shqitet ndjesia që jemi brenda një ëndrre, e cila flet dhe bën orakullin e së nesërmes. Edhe në këtë rast, ne kemi të respektuar një parim tjetër të fantastikes: hezitimin ndërmjet një shpjegimi racional dhe realist dhe pranimit të së mbinatyrshmes. Nëse realja është ajo çka dimë, si kanë qenë dhe janë zhvilluar ngjarjet prapa në kohë, po a e mundur dhe jo kompromentuese është edhe e ardhmja, që misterin e saj kërkon ta zbulojë me finesën e dredhive, të plakut që krijon vizionet e agimit në mendjen e protagonistit.

Çka nuk mungon, në këtë prozë, është tipari identifikues i fantastikes klasike të Tetëqindtës, tmerri që e përshkon protagonistin në një moment kur gjërat ngjajnë të qeta, në aparencë, pastaj ndryshojnë krejtësisht duke shkaktuar thyerjen e ekuilibrave të mëparshëm. Jo vetëm kaq, por kjo prishje e ekuilibrit shoqërohet edhe me një metamorfozë, pra me një ndryshim të personazhit tjetër në tekst, e s’ka si të mos na bëjë përshtypje trajtimi me mjeshtëri i këtyre mjeteve të letërsisë fantastike, nga ana e autorit:

“Shikova plakun me mirënjohje: fytyra e tij m’u duk me një ëmbëlsi të pafundme dhe plot pafajësi, si fytyr’ e kësaj foshnjeje. Edhe leshrat e mjekr’ e bardhë i bënte një brerore të ndritsh, e saj fytyre dhe atyre syve plot mirësi.

Po, o tmerr! Ahere vura re se djepja ish vënë mbi një mur të hollë si kartë, si presë brisku.[…] Edhe Plaku më shikoi me sy t’ashpër e të ftohtë: përnjëherësh ish zhdukur ëmbëlsi e tij dhe tani kish marrë një fytyrë të keqe e të ngrirë; ahere i vura re se edhe dor’e tij që më dërrmonte krahun, ajo dorë që më ish dukur aq e bukur dhe e butë, ish prej guri dhe e ftohtë.”

Simbolika e Shqipërisë që materializohet tek fëmija i vogël i përkundur në djep, hapësira e ndërmjetme midis reales dhe fantastikes, mundëson që të bashkëjetojë bota reale me botën e fiksionit. Ajo çka e zbeh dhe e ngadalëson rrëfimin deri në fund, megjithatë, është zbulimi i një pjese të enigmës: plaku misterioz është vetë Koha, që rrjedh në mënyrë të pandalshme, që nuk njeh hapësirë dhe është ciklike, që ka lindur me botën e do të vazhdojë pas saj. Ajo që mbetet, është misteri i foshnjës së vogël, i vendit të porsa dalë nën dritën e pavarësisë, që e pret një fat sa misterioz, aq edhe i padepërtueshëm.

Në prezantimin final të plakut të Ylynecit, ne shohim të pështjellohen dhe të tjetërsohen në forma dhe me emra të ndryshëm, universi, koha, hapësira, nga legjionet e njëtrajtshme e të paidentifikueshme romake, deri në personazhet e përveçëm historikë si Ali pashë Tepelena apo Tafil Buzi. Kjo bashkëjetesë është sa interesante, aq dhe fantastike. Plaku-Kohë e krahason veten me lumin Vjosë, e ujërat e lumit janë si rrjedha e kohës, asnjëherë e njëtrajtshme, me misterin e futur thellë brenda saj.

Me interes, në rastin e Lumo Skëndos, na duket pikëpyetja e madhe se përse autori nuk përzgjedh të vazhdojë të shkruajë këtë lloj letërsie, që i shkon për shtat stilit dhe imagjinatës krijuese të tij? Edhe lexuesi më dashamirës, e humbet nëse vihet përballë një situate e cila e thyen paktin e leximit dhe koherencës e botës së mundshme të rrëfyer në tekst. Themi, me të drejtë, që më e rëndësishme se raporti midis fantastikes dhe binomit reale-ireale, na duket përshtatja e lexuesit, pranimi i ngjarjes së pamundur, fantastike, duke u ndjerë këtë të fundit si diçka që zgjatet tej normales, mund të jetë deri vijim i mëtejshëm i realitetit, por pa shkaktuar trazim apo habi të thellë.

Lexuesi i sotëm mund ta gjejë plotësisht komod vetëm në këtë lloj rrugëtimi letrar, tek shembujt e ofruar më lart. Në paraqitjen e botëve hibride, të pandara me vijë kufizuese midis reales dhe ireales, ku bota onirike ngrihet si një pështjellim metaforik i protagonist, fantastikja përvetësohet dhe ndjehet si e natyrshme e në harmoni me tekstin. Edhe kur është e detyruar që ngjarjet të zbardhen nën dritën e reales, kontradikta e brendshme e tekstit, që pasqyron trajta të fantastikes, e bën të gjallë dhe tërheqës deri në fund procesin e leximit. Sikundër mundëm të shohim, në rastin e Lumo Skëndos, jo vetëm autorët e periudhës mundeshin të krijonin sipas modelit bashkëkohës të fantastikes, por shfrytëzonin në maksimum potencialin gjuhësor dhe imagjinar të tyre, në krijimin e një lloji rrëfimi, të ri, por njëherësh dhe të lashtë sa letërsia, që përfshihej brenda fantastikes si mënyrë letrare.

Filed Under: Interviste

U mbajt ligjërata “Thoma Nassi dhe banda kombëtare ‘Vatra’ në historiografinë muzikore shqiptare” nga dr. Denis Bizhga

November 26, 2025 by s p

Veprimtaria u organizua nga Komisioni i Përhershëm i Arteve (KPA), Seksioni i Shkencave Shoqërore dhe Albanologjike në Akademinë e Shkencave të Shqipërisë. Akad. Vasil Tole, zëvendëskryetar i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë dhe kryetar i Komisionit, në fjalën e hapjes së veprimtarisë e vlerësoi Thoma Nassi-n si një nga figurat që kanë ndikuar thellësisht në artin, kulturën dhe identitetin shqiptar.

Dr. Denis Bizhga, anëtar i Komisionit të Përhershëm të Arteve, nëpërmjet ligjëratës paraqiti jetën dhe veprën e Thoma Nassi-t në mënyrë kronologjike. Ai e vuri theksin në misionin kombëtar me themelimin e Bandës “Vatra” , me të cilën mori pjesë në ngjarjet e mëdha të historisë sonë moderne, duke e kthyer muzikën në një akt patriotik.

Gjithashtu, dr. Bizhga përshkroi sfidat e jetës, që nga emigrimi në SHBA (1910), studimet dhe gjithë veprimtarinë e tij patriotike në Federatën “Vatra” të themeluar nga Fan Noli dhe Faik Konica. Në 1915-n, ai ngriti orkestrën e harqeve “Përparimi”, dhe pak më vonë klubin shqiptar të mandolinatave. Dy grupet u bashkuan duke formësuar orkestrën “Dodona”, e cila kishte 40 instrumentistë. Në vitin 1915 në Jamestown, New York, ishte formuar banda e parë shqiptare “Queen Sophia” nën drejtimin e Thomas Vishnja (dhe ky nga Dardha).

Në vitet 1915–1918, Thoma Nassi u shqua për talentin e spikatur, dhe si organizator komunitar me ndikim të drejtpërdrejtë te diasporën shqiptare të New England. Ai u pranua në konservatorin e muzikës (NEC) në Boston, një nga institucionet më prestigjioze të vendit, ku specializua në flaut dhe dirigjim. U cilësua si një nga instrumentistët më të mirë. Ishte pjesë e orkestrës simfonike të Bostonit si zëvendësues flautist, nën drejtimin e dirigjentëve Karl Muck dhe Pierre Monteux.

Në vitin 1916, Nassi formoi korin e katedrales Katedrales së Shën Gjergjit, ku së bashku me Fan Nolin kontribuoi duke krijuar themele për një traditë kishtare me identitet kombëtar brenda kornizës ortodokse amerikane. Në 1918-n, pas diplomimit në NEC, Nassi u rekrutua në Ushtrinë Amerikane dhe u bë drejtues i një bande ushtarake në Camp Devens, Massachusetts. Ai mori shtetësisë amerikane më 20 shtator 1918.

Dr. Bizhga e vuri theksin në veprimtarinë e Thoma Nasit në Bandën “Vatra” në Worecester (1917–1919). Në pranverën e vitit 1920, ai mobilizoi Bandën “Vatra” dhe u nis për në Shqipëri. Banda dha kontribut në Luftën e Vlorës dhe në pavarësinë shqiptare (1920–1923). Kishte 29 anëtarë dhe ishte vendosur në Drashovicë, e mbështetur nga Kryqi i Kuq Amerikan nën drejtimin e Charles Hollingshead, i cili më pas organizoi Shkollën Teknike në Tiranë. Kënga “Vlora, Vlora, bjeri me të lumtë dora!” u bë shpejt himn popullor i fitores, duke sintetizuar frymën e qëndresës dhe shpresës për çlirim. Pas armëpushimit, banda dhe Nasi ndërmorën turne në qytetet kryesore të Shqipërisë, duke sjellë për herë të parë për publikun muzikë perëndimore: transkriptime të Ëagner, fragmente nga Handel – Messiah.

Gjatë viteve 1920–‘23, bashkë me bashkëshorten Olympia, ai kontribuoi në organizimin e sistemit të muzikës së shkollave. Thoma Nasi krijoi një orkestër me profil simfonik në Korçë. Koncerti i parë përurues i kësaj trupe u dha më 6 prill 1924, në kopshtin e Mitropolisë së Korçës. Kjo datë konsiderohet si krijimi i së parës orkestër simfonike në Shqipëri, themeluar e drejtuar nga Nassi, me instrumentistë të bandës “Vatra”. Në nivel shtetëror, “Vatra” u konsiderua në retrospektivë si bërthama e traditës zyrtare të bandës shtetërore. Mbi këtë formacion u ngrit Orkestra Frymore Presidenciale (1925) dhe më pas Banda Mbretërore (1928); linja e trashëgimisë vazhdon sot me Orkestrën Frymore të Forcave të Armatosura. Nassi organizoi mësimin e lëndës së muzikës në gjithë Shqipërinë, veçanërisht në shkolla. Disa nga muzikantët, të cilët i formoi dhe i solli nga Shkodra e Korça ishin të rinj, si Juri Trebicka, Luigi Filai, Kristaq Antoniu etj., të cilët sot janë kokat e muzikës në Shqipëri.

Qëndrimi i Nasit në Korçë zgjati rreth viteve 1920–1925. Më 1926-n vendosi të kthehet në Amerikë. U vendos në Massachusetts në (1926–‘30). Punoi si mësues muzike në shkollën e tij, Nassi Music School. Më pas familja u zhvendos në Chatham, Massachusetts. Z. George Goodspeed organizoi një bandë në Chatham në vitin 1931 dhe Thomas Nassi ishte drejtori i saj i parë. Deri në vitin 1935 familja banonte në 180 Main Street, Orleans, Qarku Barnstable, Massachusetts, dhe Thomas Nassi jepte mësim muzikë në shkollën publike të Orleans.

Thomas Nassi themeloi Filarmoninë e Cape Cod, pararendëse e Simfonisë së sotme të Cape Cod. Roli i familjes Nasi në Cape Cod la gjurmë edhe përtej sallave të provave. Djali i tyre, Albert Nassi ishte violinist i arrirë që në moshën 11-vjeçare. U regjistrua për thirrjen ushtarake në Qarkun Barnstable, Massachusetts, më 1 korrik 1941 në Army Air Corps. U thirr në shërbim aktiv gjatë Luftës se Dytë Botërore dhe ra dëshmor më 17 korrik 1944. Orleans ka sot një shesh qarkullimi të quajtur “Albert P. Nassi Square”.

Thoma Nassi ndërroi jetë në dhjetor 1964 në Orleans, MA dhe u varros në Orleans Cemetery më 24 dhjetor 1964.

www.akad.gov.al

Filed Under: Kulture

Tirteu ynë At Gjergj Fishta pse e meriton të quhet vërtet poet kombëtar

November 26, 2025 by s p

Ndriçim Kulla/

Në sprovën “Tre poetët më të mëdhenj shqiptarë”, Koliqi do të shkruante: Këta tre poetë (De Rada, Naimi dhe Fishta) jo vetëm i rikthehen humusit mijëravjeçar të letërsisë gojore për me ngjyrosë në të motive e skema dhe për t’i transformuar nën dritën e kulturës së tyre të thellë klasike, por që të tre e udhëheqin shpirtin shqiptar kah brigjet e qytetërimit perëndimor, prej të cilit e kishin ç’ankoruar fatkeqësitë historike. Pa e lënduar trashëgiminë e traditave të moçme dhe aureolën mitike dhe legjendare që i mbështjell, ata mundën me derdhë në të, prumjet më të mira të frymës më të shëndoshë të humanizmit evropian”.

E kjo sot është fortësisht e pohueshme. Por në rastin e Fishtës, lidhjen me “humusin popullor” që cilëson Koliqi, mund ta spikasim më shumë se te të tjerët. Me një gjenialitet prepotent, ai arriti ta zotërojë mjeshtërisht frymën dhe formën e rapsodëve popullorë; dijti të zgjedhë burimet më të mira të forcës së tyre kijuese rudimentare dhe të instinktit të vrullshëm epiko-ilirik, duke i çuar në sferat më të larta artistike. Dijti të këndojë dhe këshillojë, të ironizojë e të gërmushet, të thërrasë e të profetizojë me “një larmi të pashtershme trillesh që janë triumfi më i lumtur i dhuntisë ekspresive të racës”. Por Fishta meriton të quhet vërtet poet kombëtar, pse nëpër superstrukturat shpirtërore të shqiptarit, lënë prej shekujve të sundimit të huaj, ai u përpoq të kujdeset për impulset e fshehta e të shëndosha dhe të krijojë vlera shqiptare që t’i shkrijë mandej në sintezë harmonike me frymën perëndimore.

Në këtë sens, duket në mënyrë të spikatur, se pika më e rëndësishme në të cilën Fishta ndahet prerazi me rapsoditë popullore, është përmbajtja e tyre, si historike ashtu dhe ideologjike. Në rapsoditë popullore, epopeja e trajtuar në mënyrë ciklike është ajo që Kordinjano e quan “epopeja e kufirit”, por ajo që mund të nënvizohet në këto cikle është fakti se bëhet fjalë për një botë krejt arkaike e kësisoj, të aftë për t’u transformuar lehtësisht në një botë përrallore. Kështu, e gjithë kjo epikë ngjan si e përmbytur nga mbinatyrorja përrallore, aq sa mund të citojmë një seri të gjatë e të rëndësishme, nga ato më të bukurat dhe më karakteristiket e rapsodive popullore, ku një element i tillë përbën indin bazë të të gjithë këngëve. Madje, është për t’u nënvizuar pohimi se konceptimi i jetës e pothuajse të tëra normat e saj juridike, koncepti i vlerësimit dhe heroizmit, sensi i nderit dhe besnikërisë, janë fortësisht të ndryshme (në sensin e të përmirësuarit dhe qytetëruarit) në këto rapsodi nga ato që ekzistonin realisht në jetën e popullësisë malësore të epokës së Fishtës. Për luftëtarët e këtyre poemave, çdo mjet – qoftë ky i ndershëm apo jo – është i lejueshëm, mjaft që të jetë efikas në luftën kundër armikut; Diçka kjo që do ta rrëqethte në jetën reale po atë publik që ngazëllehej e mrekullohej teksa dëgjonte këngët që u këndonin rapsodët e tyre.

Ja, pse në epokën fishtjane, të tilla rapsodi nuk kishin kurrfarë qëllimi tjetër, përveçse atij të përkundjes ëmbëlsisht në një botë të tillë, pa asnjë funksion tjetër social, përveç atij të mbajtjes gjallë të shpirtit luftarak. Ndërkohë që krejt tjetër është synimi i Fishtës e krejt tjetër konceptimi i jetës në poemën fishtjane. Përtej shembujve të vet letrarë, ai nuk zotëron vetëm një kulturë e një filozofi si Ivo Andriç; ai ka edhe një qëllim fortësisht social dhe patriotik, që e dallon aq shumë prej tij.

Duke pranuar stilin e rapsodëve që i pëlqen aq shumë popullit të vet, Fishta pranon gjithashtu edhe përralloren si sfond a dekor letrar, por nuk kërkon të pranojë kurrsesi përkundjen si në djep të njerëzve të Atdheut të vet në një jetë ëndërrimtare; Përkundrazi, ai kërkon ta parapërgatisë trimërisht dhe shpirtërisht popullin e tij për një Rilindje, të kuptuar jo vetëm si një luftë apo një luftë për pavarësi, por si një ringjallje të gjithanshme të jetës shpirtërore kombëtare, si një ngritje totale të saj në një shkallë më të lartë qytetërimi, bazuar gjithmonë në parimet e shëndosha etike tradicionale.

Nuk gjejmë te Fishta kurrfarë rrethanash motivuese e përjetuese të luftës kufitare, përpos përdorimit të ndonjë dinakërie normale të strategjive luftarake; në një kohë kur është konstante përherë një thirrje e fortë ndaj virtyteve shoqërore themelore për etikën tradicionale shqiptare, të mishëruar në traditën juridike të kanunit të maleve. E, kjo për faktin se vlera të tilla, padyshim mjaft të çmueshme, mund të strukturojnë një bazë të fortë e për t’u pasur zili në ndërtimin e jetës kombëtare.

Por veçse një bazë, sepse Fishta shkoi edhe më përtej akoma. Ai nuk kishte në zotërim vetëm traditën popullore, por edhe atë kishtare shqiptare, që ka patur vlera origjinale dhe goxha të larta metode në veprën e reformimit të zakoneve tradicionale lokale; Mund të themi se jo pak prej koncepteve morale dhe juridike të jetës publike e të familjes vetë, ose nuk qenë modifikuar kurrë prej kristianizmit, ose që nga epoka e nguljes së shqiptarëve nëpër male për shkak të invazionit turk, e kishin rimarrë përsëri sensin dhe fuqinë e tyre antike; kishtarët e rregullt dhe shekullorë, françeskanët e më pas jezuitët, (në mënyrë të veçantë famulltarët, tek të parët, dhe misionarët e Misionit Shëtitës tek të dytët), nuk i sulmuan kurrë traditat juridike shqiptare, e as më pak nuk u ngutën kurrë t’i modifikonin institucionet e tyre konkrete; mjafton të mendosh se deri në shekullin e XVII, falë arsyeve të forta që kishin, ata vazhdonin ta vononin zbatimin e dekretit të Këshillit të Lartë në lidhje me martesën; ndërkohë që, duke përdorur për levë parimet e shëndosha themelore të së drejtës tradicionale, filluan të zhvillonin dalngadalë prej saj zakone gjithnjë e më kristiane, duke gjetur argumenta e metoda të ndryshme për modifikimin e institucioneve konkrete.

Duke konsideruar se ky modifikim i së drejtës – në disa pjesë të caktuar të saj të ndikuara nga ndryshimi i kohës dhe ambjentit – mund të arrihej vetëm nëpërmjet dy rrugësh: asaj të ligjeve lokale të vendosura nëpër asamble, dhe asaj të normave juridike të gjykatave, misionarët punuan me maturi, po në mënyrë konstante, e me rezultate gjithmonë e më të shumta e të qëndrueshme, sa të arrinin të pranoheshin nga asambletë e fiseve të veçanta modifikimet e institucioneve ekzistuese, që ata i gjykonin si më të nevojshme për një jetë më kristiane e më të qytetëruar. Në këtë mënyrë, u arrit – sigurisht me ngadalësi – të realizohej p.sh. një sistemim juridik i fejesës dhe martesës në përputhje të plotë me të Drejtën Kanonike, që jo vetëm nuk është në kontrast thelbësor me nevojat e saj të domosdoshme, por s’është në kundërshti as edhe me parimet themelore të së drejtës tradicionale shqiptare; jo vetëm kaq, por një sistemim i tillë është sot kaq shumë i pranuar nga njerëzit, saqë ka arritur të trajtohet prej tyre si diçka e “trashëguar” prej të parëve, kësisoj e pacënueshme, qoftë sipas ndërgjegjjes civile ashtu dhe asaj religjioze.

Po e njëjta gjë ndodhi edhe me fenomenin e gjakmarrjes. Në lidhje me këtë akt që, në kushtet e mungesës së “qeverisjes” nga ana e shtetit, mund të quhej si një “raprezalje edhe për arsye sociale”, famulltarët mbajtën pa dyshim qëndrim kundërshtues, por nuk u mjaftuan aspak me metodën e vërejtjes dhe këshillimit; përkundrazi, luftuan me të gjitha forcat kundra formimit të një “shteti të qeverisur nga hakmarrja”, duke i parandaluar legjitimisht dhe në mënyrë konstante shtrirjen; Në atë kohë, sipas ligjit tradicional, subjekte të hakmarrjes nuk qenë vetëm autorët e aktit që e kish provokuar këtë hakmarrje, por të gjithë anëtarët e familjes, madje dhe të gjithë fisit; në këtë kënvështrim, janë të shumta paktet dhe armëpushimet lokale të arritura nga priftërinjtë katolikë, deri në përhapjen e përgjithshme të mendimit se – sipas “ligjit të vërtetë të të parëve” – gjakmarrja duhet të kufizohet vetëm në anëtarët e familjes së gjaksit. Një fitore e vogël në zemër të një problemi të madh, vërtet, por që nëse krahasohet me energjitë dhe përkushtimet që kërkoi të arrihej, nuk mund të quhet kurrësesi një gjë e vogël.

Në këtë këndvështrim, Tirteu ynë Fishta, është një vazhdues i denjë i kësaj tradite. Pohimi mund t’i ngjajë i çuditshëm atij që ka ndër mend përmbajtjen gati laike të poemës së tij (themi vetëm gati, për ta ruajtur të paprekur atë lloj të caktuar religjioziteti, që është kaq i zakontë të shqiptarët e çfarëdolloj feje, e që poeti-frat e bën të shkëlqejë aty-këtu në momentet më të volitshme); aq më tepër që etërit françeskanë, si në Bosnjë ashtu edhe në Shqipëri, kanë ditur të ruajnë jo më pak se shpirtin kavelaresk dhe luftarak të Shën Françeskut të parë, edhe shpirtin e varfërisë së tij të mëpastajmit; e mes gjithë këtyre, At Fishta duket të ndriçojë me një dritëzim goxha luftarak; Megjithatë, në krahasim me etërit e tjerët, në një lloj mënyre ai mund të quhet edhe si një “tradhëtar” i traditës; françeskanët e Bosnjës dhe të Shqipërisë patën qenë gjithmonë në “gjirin e furtunës”, si për t’u mbrojtur nga përparimi politik turk, ashtu dhe nga ai depërtim i gjithanshëm islam në atë “ishull” të katolicizmit që kish arritur të formohej në atdheun e tyre; në një kohë që at Fishta, për hir të dashurisë së tij të zjarrtë për atdheun e vet, nuk “provon kurrfarë brerje ndërgjegjjeje” në pranimin e atij modus vivendi normal e paqësor të religjioneve të ndryshme në Shqipëri, e veçanërisht në Malësitë e Veriut, sigurisht fortesat më të pathyeshme të katolicizmit shqiptar, por njëhërësh edhe të prekura nga depërtimi islam; Nga ana tjetër, nuk është se tradita katolike shqiptare e ka parë ndonjëherë me simpati botën ortodokse sllave; por në zgjedhjen midis muslianëve dhe kristianëve, të paktën deri përgjatë gjithë shekullit të XVIII, nuk mund të kemi dyshim që ajo të qëdronte e mëdyshur.

Mirëpo At Fishta, në këtë moment të veçantë historik, në pajtueshmëri me sivëllezërit e vet françeskanë dhe mendimit të gjithë popullësisë katolike, shihte një rrezik shumë më të madh, si për religjionin, po kaq dhe për Atdheun, te sllavizmi avancues e kanosës se sa te islamizmi, tashmë i ndalur e në regres përfundimtar edhe në vetë Perandorinë turke. I ndërgjegjshëm për prestigjin që gëzonte tashmë Katolicizmi në ambjentet patriotike shqiptare, për shkak të meritave të mëparshme të fituara nga përpjekjet e tij të mëdha në kauzën e pavarësisë së Shqipërisë, autori nuk dyshonte aspak që në një të ardhme jo shumë të largët, jeta kombëtare shqiptare, e ndikuar nga mendimi katolik, do të kish mundur të vihej në një udhë përparimi, të paktën në thelb kristiane, edhe pa e thyer aspak atë modus vivendi tashmë tradicionale midis kristianëve dhe muslimanëve shqiptarë; po përkundrazi, duke përfituar nga vlerat, ndeërshmëria, miqësia dhe eksperienca administrative e muslimanëve. Mund të shpjegohet vetëm kështu fakti se si u arrit të bëhej e mundur kryerja, jo e një “tradhëtie” të traditës nga ana e atit poet, por më tepër e një evoluimi të saj mëse të kuptueshëm në kushtet e kohës.

Është pikërisht ky program i frymëzuar nga ide të reja të shkrira aq natyrshëm me ato të vjetrat, e që ngjizet aq mirë në personalitetin e spikatur të Fishtës, ai që mund të na ndihmojë në zbërthimin e poezisë së tij” – nënvizon Valentini. “Ndaj, merita më e madhe i takon jo vetëm intuitës për të pranuar dhe strukturuar këtë mpleksje të tillë vlerash, por edhe aftësisë për t’i dhënë këtij drejtimi të ri të jetës shqiptare një zë të fuqishëm e një program të thellë e të ekuilibruar, të hartuar në gjirin e një poetike që e lartëson jo vetëm si poet të madh, por edhe poet kombëtar, e padyshim njëri nga më të mëdhenjtë në botë, të cilit për t’u emëruar si i tillë, i mungon vetëm fakti i të qenit të përkthyer në gjuhët kryesore”.

Ja, ky qe urimi ogurmbarë i Valentinit për këtë epikë madhështore të gjithë popullit shqiptar. Përkthimit të kësaj kryevepre në gjermanisht, që më 1950 nga Maximilian Lambertz, të vijuar nga përkthimi në italisht i disa këngëve (të zgjedhura) të Lahutës nga Ernest Koliqi apo nga ndonjë autor tjetër italian, veç rishtazi të pasuruar nga përkthimi i tyre i plotë në anglisht nga Robert Elsie, s’i mbetet gjë tjetër përveç përmbushjes së bindjes më të thellë të autorit: kurrorëzimit të poetit të saj si një ndër epikët më të epërm botërorë.

Filed Under: Opinion

Studimi im mbi dokumentin e rrallë të Alois/Luigj Gurakuqit dhe letrën e tij të datës 21 qershor 1917

November 26, 2025 by s p

Lekë Mrijaj/

Në kuadër të 100-vjetorit të martirizimit të firmëtarit të Aktit të Pavarësisë, atdhetarit, poetit dhe publicistit të shquar Alois (Luigj) Gurakuqi, ndërmora një kërkim të thelluar shkencor në fondet arkivore të kohës, me synimin për të nxjerrë në dritë dokumente të pazbuluara më parë, të cilat mund të plotësojnë mozaikun e portretit të kësaj figure të jashtëzakonshme të historisë sonë kombëtare.

Gjatë kësaj pune kërkimore, pata fatin të zbuloj një dokument tejet të rëndësishëm, pra, një letër origjinale e datës 21 qershor 1917, e firmosur nga vetë Alois/Luigj Gurakuqi, e ruajtur me përkushtim në arkivat e vjetër, por e paekspozuar deri më sot për publikun e gjerë dhe studiuesit. Ky zbulim përfaqëson një dritare të hapur drejt mendimit, ndërgjegjes qytetare dhe vizionit kulturor të Gurakuqit, duke na mundësuar të depërtojmë më thellë në universin e tij shpirtëror e intelektual, në një periudhë tepër të ndjeshme për fatet e Shqipërisë.

Letra e gjetur (tê cilin mund ta shihni dhe lexoni nê faksimil) e paraqet Gurakuqin në një dimension që historiografia shpesh e ka anashkaluar në atë të edukatorit moral dhe vizionarit kulturor. Në këtë dokument të vitit 1917, ai i drejtohet Drejtorisë së “Zoja e Shkodrës”, një ndër organet më të rëndësishme të shtypit kulturor të qytetit, i cili luante rol kyç në formimin e ndërgjegjes qytetare, në forcimin e ndjenjës kombëtare dhe në edukimin shpirtëror të mbarë trevave shqiptare. Letra është shkruar me një ton të përkushtuar miradije dhe falënderimi, ku Gurakuqi e përgëzon me sinqeritet themelimin dhe vijimin e botimit të kësaj përkohshmeje, duke e cilësuar atë si një instrument të domosdoshëm për përhapjen e dritës kulturore dhe për ndërtimin e një shoqërie me themele të shëndosha morale e arsimore. Për Gurakuqin, periodikë të tillë nuk ishin vetëm faqe të shtypit, por qendra ndriçuese të jetës qytetare, institucione të cilat bartnin përgjegjësi të lartë edukative në një kohë kur kombi shqiptar po përballej me sfida të mëdha shoqërore, identitare dhe politike.

Në përmbajtjen e letrës del qartë shqetësimi i tij i thellë për dukuritë e shthurjes që po prekin rininë e kohës, fenomen të cilin ai e përshkruan si një rrezik serioz që cënon themelet morale të shoqërisë shqiptare. Ai i kushton rëndësi të veçantë ruajtjes së virtyteve, zakoneve të mira dhe vlerave familjare, duke e parë rininë jo vetëm si bartëse të së ardhmes, por si pasqyrën më të ndershme të ndërgjegjes së kombit. Në këtë kontekst, Gurakuqi beson se periodiku “Zoja e Shkodrës” mund të shërbejë si një epiqendër udhërrëfyese, një busull morale dhe një mbështetje e fortë për ata që kërkojnë të edukojnë më të rinjtë me frymë të pastër, me disiplinë shpirtërore dhe me dashuri për atdheun.

Një aspekt jashtëzakonisht domethënës i dokumentit të gjetur është dhurimi prej 20 koronash që Gurakuqi ia bashkëngjit letrës. Megjithëse modest në vlerë monetare, ky gjest ka një simbolikë të thellë atdhetare e kulturore, duke treguar se Gurakuqi nuk ishte vetëm një njeri i fjalës, por edhe i veprës. Ky akt i thjeshtë, por i madh në kuptim, dëshmon për shpirtin e tij të përkushtuar dhe për besimin e tij të palëkundur se kultura dhe arsimi kishin nevojë jo vetëm për përgëzim, por edhe për mbështetje konkrete, për vepra që ushqejnë idealet kombëtare dhe ndërtojnë ura të forta mes brezave.

Analiza ime e këtij dokumenti sjell në dritë një dimension të ri të Alois/Luigj Gurakuqit, pra, atë të mendimtarit të thellë kulturor, të një njeriu që e kuptonte se një shoqëri e shëndoshë nuk ndërtohet vetëm mbi politikë, por mbi moral, edukim, kulturë dhe vlera shpirtërore. Në tekstin e letrës, përveç mesazhit të qartë për përkrahjen e shtypit kulturor, bie në sy një mendësi që kapërcen kohën: bindja se qytetërimi shqiptar duhet të mbështetet mbi dritën e dijes, mbi forcën e karakterit dhe mbi përkushtimin ndaj së mirës së përbashkët. Ai është i vetëdijshëm për rreziqet që shoqëria shqiptare duhet të përballojë, por njëkohësisht shpreh edhe besimin e palëkundur se përmes institucioneve të tilla kulturore, populli shqiptar mund të ecë drejt një të ardhmeje më të ndritur, më të drejtë dhe më të denjë.

Ky dokument i zbuluar e ndriçon figurën e Gurakuqit në një këndvështrim të ri. Ai nuk shfaqet vetëm si firmëtar i Pavarësisë, si politikan apo si publicist, por si një njeri i brendshëm i kulturës, një prijës shpirtëror, një edukator i heshtur që punonte për të mirën e kombit me maturi, përkushtim dhe largpamësi. Kjo letër dëshmon se pas veprave të tij të njohura qëndronte një frymë e thellë humane dhe një besim i pashkëputur në rolin e kulturës për ndërtimin e ndërgjegjes kombëtare.

Në këtë 100-vjetor të vrasjes së tij, ky dokument i zbuluar, studiuar dhe analizuar merr vlerën e një amaneti kulturor. Ai na thërret që të rilexojmë me seriozitet të kaluarën tonë, të rivlerësojmë figurat tona kombëtare dhe të kuptojmë se kultura, morali dhe edukimi janë shtyllat pa të cilat asnjë komb nuk mund të mbijetojë. Ky dokument rrezaton dritë mbi një epokë, mbi një ideal dhe mbi një njeri që përfaqëson një prej themeleve më të qëndrueshme të ndërgjegjes shqiptare. Flijimi, vizioni, maturia dhe dashuria e tij për Shqipërinë mbeten të pashuara dhe udhërrëfyes për brezat që vijnë.

P.S. Faksimili i dokumentit origjinal të letrës së 21 qershorit 1917 gjendet i ruajtur në arkivin përkatës dhe paraqitet këtu si dëshmi e drejtpërdrejtë e studimit shkencor.

Filed Under: Emigracion

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 123
  • 124
  • 125
  • 126
  • 127
  • …
  • 2858
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • VATRA APEL PUBLIK DREJTUAR KOMUNITETIT SHQIPTARO-AMERIKAN
  • Please join the Albanian American community in celebrating the 18th Anniversary of Kosova’s Independence at New York City Hall
  • VATRA TELEGRAM URIMI QEVERISË DHE PARLAMENTIT TË KOSOVËS
  • Reçaku, një histori e dhembjes, sakrificës dhe ngadhënjimit mbi vdekjen
  • Një shqiptar kandidat për Asamblenë e Shtetit të New York-ut, Shpetim Qorraj: “Dua të jem zëri i fortë i qytetarëve të Distriktit 64”
  • Job-i biblik dhe romani « Brenga » e Pashko Camaj
  • Komuniteti shqiptaro-amerikan kërkon drejtësi
  • Urgjenca dhe Protesta si regjim. Pse ritmi i revoltës prodhon pushtet, jo ndryshim?
  • Kur një korb flet shqip: pse “Korbi” i Nolit nuk është thjesht përkthim i POE-s
  • “Nomos”
  • 𝒁𝒆̈𝒓𝒊 𝒊 𝒅𝒆̈𝒔𝒉𝒎𝒊𝒕𝒂𝒓𝒊𝒕 𝒑𝒆̈𝒓𝒃𝒂𝒍𝒍𝒆̈ 𝒑𝒂𝒅𝒓𝒆𝒋𝒕𝒆̈𝒔𝒊𝒔𝒆̈
  • Kush ishte shkrimtari shqiptar që kishte letërkëmbim dhe vlerësohej nga Viktor Hygo
  • Si u bë Tirana kryeqytet dhe përse Kongresi i Lushnjes nuk mori vendim
  • Shqiptarë – fjala hyjnore që na mban gjallë edhe nga larg
  • Mediat e huaja i kanë bërë jehonë protestës së tretë kombëtare të opozitës në Tiranë

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT