• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

“I huaji”

January 14, 2026 by s p

Virgjil Kule/

“I huaji” i Albert Kamysë është një vepër turbulluese që trajton enigmën e ekzistencës, duke shtruar pyetjen se çfarë ndodh kur njeriu nuk e pranon se jeta është, ose mund të jetë, e pakuptimtë.

Personazhi qendror, Merso, nuk respekton normat shoqërore të sjelljes. Kur i vdes e ëma, ai nuk përlotet, nuk tregon hidhërim dhe nuk përjeton dramën standarde familjare. Atë e shqetësojnë vetëm vapa, dielli përvëlues dhe raskapitja e një dite djersitëse.

Të pranishmit në mortin e nënës e quajnë të ftohtë dhe të egër këtë shfaqje joemocionale të Mersos. Ky i fundit e quan atë normale dhe të sinqertë. Ai shfaq atë që ndjen, dhe aq sa ndjen.

Kamy e turbullon lexuesin. I thotë hapur se kemi të bëjmë me një jetë që jetohet pa pasur nevojë për maska, për justifikime ndjenjash apo shpjegime emocionesh.

Më pas paraqitet krimi, por më shumë se vetë krimin, Kamy thekson kotësinë që e rrethon vrasjen në bregdet. Ajo kryhet mekanikisht, thuajse pa motiv emocional. Nxitet thjesht nga sikleti fizik që i shkaktojnë vrasësit vapa, djersitja dhe dielli qorrues. Mungojnë plotësisht elementet e narracionit dramatik: nuk ka urrejtje paraprake, plan veprimi, as ndonjë shpërthim emocional.

Kamy ia heq vrasjes çdo sfond kuptimor, duke e shtangur lexuesin jo aq me krimin, sesa me kotësinë që e mbështjell atë. Ai vijon kështu të shpalosë filozofinë e tij mbi absurdin: njerëzit kërkojnë me ngulm kuptimin e jetës në një botë memece, që nuk u jep asnjë përgjigje.

Skenat e sallës së gjyqit e bëjnë edhe më të mprehtë këtë mesazh. Merso nuk gjykohet aq për faktin se ka kryer një vrasje, sa për faktin tjetër se nuk qau para trupit të nënës së vdekur, se piu duhan, se e kërkoi kafen me qumësht dhe se të nesërmen e funeralit shkoi në kinema.

Shoqëria nuk ia fal sinqeritetin emocional. Gjykata pret që ai “të bëjë sikur”: sikur ndjen keqardhje, pendesë, dhimbje e të tjera si këto. Sipas Kamysë, krimi i tij i vërtetë është mospranimi për t’u shfaqur ashtu siç nuk është.

Vepra shkarkon kështu një kritikë të ashpër ndaj hipokrizisë shoqërore, ku gjykimi moralist bazohet më shumë te dukja e jashtme sesa te thelbi i së vërtetës.

“I huaji” i ka qëndruar kohës sepse nuk i sugjeron lexuesit mënyrën se si të ndjejë e të gjykojë, nuk i “lutet” atij për t’i shfaqur simpati një personazhi që, në thelb, është një njeri pa maska shtirjeje.

Vepra e vë lexuesin përballë një pasqyre dhe i kërkon të dëshmojë me zemër në dorë nëse ndjehet sadopak fajtor që mund t’i ketë dënuar me mendje ata që, pa dashje dhe pa qëllim të keq, nuk kanë respektuar rregulloren e padukshme të sjelljes në publik — ata që, në skenën e jetës, kanë luajtur thjesht vetveten.

Përfundimisht, vepra na rikujton se gjëja që shkakton më shumë ankth nuk është mungesa e kuptimit të jetës, por ndrojtja për ta pranuar këtë fakt pa ushqyer shpresa dhe iluzione.

Filed Under: Fejton

JO NE EMRIN TIM!

January 14, 2026 by s p

Ermal Hasimja/

Kur Rama i tregon SHBA-ve se mund ta zëvendësojë me Kinën në rast se vazhdon ta rrezikojë ai nuk është duke përdorur si mjet trysnie pronën e vet. Po përdor Shqipërinë. Nuk e di si e ka menduar ai vetë qëndrueshmërinë e kësaj trysnie.

Së pari, unë nuk mbaj mend që dikush të ketë detyruar SHBA-të përmes instrumentit të shantazhit. Shqipëria nuk është Venezuela natyrisht, por as arrestimi i Maduros nuk është e vetmja formë e veprimit ndalues që SHBA-të kanë në dispozicion. Ndoshta mund ta bësh Amerikën të mendohet dy herë kur ke armë bërthamore, por kur je kryeministri i vendit më të varfër të Evropës …

Së dyti, Shqipëria nuk paraqet asnjë interes ekonomik për SHBA-të për shkak të përmasave liliputiane të ekonomisë sonë. Një universitet i mirë privat në SHBA e ka buxhetin sa PBB-ja Shqipërisë. Disa sa dyfishi.

Së treti, konflikti aktual me SHBA-të nuk vjen për arsye ekonomike, por sepse krimi i organizuar shqiptar është një nga burimet kryesore që furnizon tregun e SHBA-ve me drogë latinoamerikane. Edhe nëse Rama e bën Shqipërinë lagje të Pekinit, problemin e drogës do të vazhdojë ta ketë me SHBA-të.

Së katërti, nuk njoh shqiptarë që të duan të zëvendësojnë SHBA-të me Kinën. Amerika ka qenë shumë më tepër se aleat, sepse aleat konsiderohet dikush që ka peshë të ngjashme me tënden. Amerika ka qenë sponsori madhor i pavarësisë së Shqipërisë dhe Kosovës. Në ditët më të errëta të komunizmit ne dëgjonim fshehurazi Zërin e Amerikës. Shpresa bazike e çdo shqiptari sa herë përballemi me të këqija të mëdha që nuk i zgjidhim dot vetë është “ishalla na shpëton Amerika”.

Kinezët mund të depërtojnë relativisht në vende me frymë neutrale ose antiamerikane, por ekspansioni i tyre nuk ka hapësirë në një vend ku pothuajse çdo familje, përfshirë edhe autorin e këtij statusi, ka minimalisht një person të familjes në SHBA (unë vetë nja 15). Është detyra jonë si shqiptarë, në detyrim të mirënjohjes historike dhe mbi të gjitha të interesit madhor kombëtar, të mos tolerojmë që “kërcënime” të tilla të bëhen në emrin tonë.

Rama nuk flet në emrin tim!

Filed Under: Ekonomi

Krimi kundër njerëzimit në Reçak dhe lufta e narrativave

January 14, 2026 by s p

Prof. Dr. Sylë Ukshini/

Isha i nderuar që sot të mbaja kumtesën shkencore “Reçaku dhe lufta e narrativave”, në tryezën shkencore të organizuar nga Forumi i Intelektualëve të Shtimes.

Në kumtesën time theksova se Masakra e Reçakut ishte pjesë përbërëse e doktrinës serbomadhe dhe e skenarit të planit të koduar ushtarak “Patkoi”, i cili, sipas studiuesit të njohur John Stoessinger, në veprën Why Nations Go to War, përbënte një strategji të mirëmenduar shtetërore që synonte, përmes vrasjeve masive dhe spastrimit etnik, krijimin e një Lebensraum-i (hapësire jetësore) për kolonët serbë. Sipas Stoessingerit, Adolf Eichmann, si arkitekt i krimeve naziste, do ta kishte vlerësuar lart shkallën e organizimit dhe efikasitetin e operacionit “Patkoi”.

Në nëntor të vitit 1998, gjatë një takimi zyrtar ku po diskutoheshin detajet e marrëveshjes Holbrooke–Milosheviq, e cila synonte ndaljen e dhunës në Kosovë, Slobodan Milosheviqit i tha gjeneralit amerikan Wesley Clark një fjali që nuk përbënte një kërcënim të çastit, por një përmbledhje të një doktrine shtetërore: “E di si të merrem me këta shqiptarë. I vrasim të gjithë.”

Kjo fjali nuk ishte metaforë dhe as retorikë politike. Ajo përfaqësonte një program veprimi. Dy muaj më vonë, në një mëngjes të ftohtë janari, kjo doktrinë u materializua tragjikisht në Reçak. Gjenerali gjerman Klaus Naumann, gjatë një takimi më 2 dhjetor 2024, më deklaroi se në këtë kontekst Miloševiqi kishte përdorur edhe një formulim tjetër që e kishte tronditur thellë atë si gjerman: nevojën për një “zgjidhje përfundimtare” në Kosovë. Ky formulim përkujton drejtpërdrejt terminologjinë naziste të “zgjidhjes përfundimtare”, e cila shërbente si emërtim kod për shfarosjen sistematike të hebrenjve evropianë nga regjimi hitlerian.

Në këtë këndvështrim, Masakra e Reçakut nuk ishte një akt i izoluar, por krim kundërnjerëzimit dhe pjesë e një doktrine të vjetër shtetërore serbe, gjeneza e së cilës duhet kërkuar që në shekullin XIX, te Naçertania, dhe më pas te elaboratet raciste të Vaso Çubriloviqit.

Për rrjedhojë, lufta mohuese e Serbisë, si dhe veprimtaria e Gjykatës Speciale të BE-së në Hagë, po kontribuojnë në ndërtimin e një kundër-narrative, përmes së cilës imazhi i qartë “bardh e zi” i agresorit dhe viktimës zëvendësohet me një imazh “gri”, ku pretendohet se ka pasur viktima dhe fajtorë nga të gjitha palët. Kjo qasje, e sponsorizuar nga Serbia dhe Rusia, si dhe nga disa qarqe radikale të së djathtës evropiane dhe bashkëmendimtarë të ideologjisë jugosllaviste në Kosovë, synon rishkrimin manipulues të historisë dhe amnistimin e Serbisë për krimet dhe spastrimin etnik në Kosovë.

Filed Under: Politike

Fitoi Çmimin e Madh në Saint-Saëns International Music Competition, Prof. Ina Kosturi: “Shpaloseni talentin shqiptar nëpër botë e na bëni krenarë”

January 14, 2026 by s p

Intervistoi: Sokol Paja/

1. Prof. Kosturi, urimet më të përzemërta për fitimin e Çmimit të Madh “Grand Prix” në Saint-Saëns International Music Competition. Si ndjeheni pas këtij vlerësimi dhe kujt ia dedikoni këtë sukses?

Ju falenderoj për urimin si dhe mundësinë e kësaj interviste. Kënaqësi dhe vlerësim i lartë të nderohesh në një konkurs prestigjioz me Çmimin e madh dhe të rankohesh e para në gjithë kategoritë e katër sezoneve të vitit 2025. Në konkurset e kompozicionit bashkë me emrat e jurisë njihesh dhe me veprat e fituesve të tjerë. E kur shikon se ato interpretohen me orkestra të tilla si Orkestra Simfonike e Budapestit, Rumanisë, Madridit e të tjera kupton nivelin dhe ndjehesh e lumtur për vlerësimin. Ndjesinë e kësaj fitoreje do ta krahasoja me emocionin e interpretimit të një prej kryeveprave e muzikës violinistike, Rondo Capriçiose të Camille Saint – Saëns, emrin e të cilit mban e nderon ky konkurs në Angli. Ky sukses erdhi pas “rrëmbimit “të disa çmimeve të tjera në konkurse ndërkombëtare si krijuese dhe interpretuese. Paraqitja si krijuese dhe interpretuese ngjan me një proces kompleks ku interpreton si violiniste, pra je pranë skenës e njëkohësisht në atë skenë gjendesh dhe si artiste në dimension të gjerë. Pra, muzikën mund ta rrëfesh si shkrimtare, ta ngjyrosësh si piktore, ta vallëzosh si koreografe. Ti japësh mundësi violinës të përmbledhë nëpërmjet tingullit e teknikës gjithë fantazinë tënde.

2. Vepra fituese “Koncert për Violinë dhe Orkestër”, cilat janë vlerat artistike të kësaj vepre? Çfarë e bën të veçantë?

Koncerti për violinë dhe orkestër u shkrua natyrshëm. Kur koha e dytë kish mbaruar, kuptova se kompozimi do ish një vepër e madhe prej tre kohësh, si një koncert tradicional me kadencë. Melodia si element i rëndësishëm përfshin tre kohët e veprës edhe pse të ndryshme nga njëra -tjetra në kohëzgjatjen prej gati 28 minutash. Muzika rrjedh natyrshëm ndërsa nga personalitete të artit, muzikantë të huaj e shqiptarë, koncerti u cilësua si mjaft interesant e violinistik që në momentin kur e mbarova së shkruari në kompjuter. Në kontekstin e krijmtarisë muzikore shqiptare kjo vepër erdhi si krijimi i parë pas një mungese 30 vjeçare të koncertit për violinë. Teknika e lartë violinistike, pasazhet, këndueshmëria dhe ekspresiviteti ngatërrohen me ngjyrat e kohës së sotme. Pikërisht në këtë shkrirje të formës tradicionale të veprës, gjuhës së guximshme, ekspretivitetit, qëndron melodia, që si një iso i vishet violinës soliste dhe orkestrës, duke ruajtur në brendi elementin shqiptar.

3. Cili gjykoni se do jetë ndikimi i këtij çmimi ndërkombëtar në zhvillimin e karrierës suaj artistike e akademike dhe në promovimin e muzikës shqiptare ndërkombëtarisht?

Ky konkurs fokusohej në tre elementë të rëndësishëm: interpretimin, krijmtarinë dhe kërkimin akademik. Promovimi i muzikës shqiptare ka qënë një nga prioritetet e mia dhe ka nisur vite më parë si violiniste me interpretimin premierë të veprave të vjetra, të panjohura në skenën shqiptare. Mund të përmend pjesët e Thoma Nasit, Sonatën për violinë të Fan Nolit, krijimet e Kostandin Papajorgjit apo Lec Kurtit. Partet e vjetra shqiptare kanë ardhur nga Bostoni si një bekim e më vonë krijimet për violinë do më bënin shqiptaren e parë pjesëmarrëse si krijuese dhe interpretuese në “Women Composers Festival of Hartford” Connecticut USA në 2024 me “7 Capriçio” për violinë solo, të cilat gjithashtu do ishin pjesë e programit të koncertit të studentëve në studion e violinistes dhe pedagoges së shquar Ida Bieler në University of North Carolina ( UNSCA). Do botoja si e para shqiptare me shtëpinë e famshme muzikore vjeneze” Universal Edition” Vjenë e promovohesha në katalogun e tyre Winter Catalogue 2024-2025. Në shtator 2025 do interpretoja sërish si e para shqiptare performer- composer në Mozarthaus Vjenë. Janë konkurset që hapin këto dyer të rëndësishme, çmimet e fituara në Slloveni, Maltë , Zvicër, Vjenë. Shpresoj që ky konkurs të hapë dyert e orkestrave simfonike në Tiranë dhe këtë koncert të botuar e vlerësuar me çmimeve ndërkombëtare të mund ta interpretoj në vendin tim. Me misionin e promovimit të muzikës shqiptare organizoj festivalin Violinistic Festival Marathon Albania (Violinistic Greetings) në 13 edicione duke bashkëpunuar me artistë nga mbarë bota e promovuar muzikën shqiptare të vjetër e të sotme, duke pasuruar repertorin violinistik me vepra premierë të dedikuara për çdo edicion.

4. Si pedagoge e violinës në Universitetin e Arteve, si e sheh të ardhmen e muzikantëve të rinj shqiptarë? A ka talente Shqipëria? Çfarë brezi po rritet në Universitetet shqiptare?

Shqipëria ka dhe ka patur gjithmonë talente. Koha që jetojmë nuk është koha e artë e muzikës klasike, e megjithatë ky profesion është zgjedhje nga pasioni për instrumentin, muzikën. Misioni si institucion, si muzikantë, artistë e pedagogë është inkurajimi, përgatitja për skenën si dhe mbështetja në këtë rrugë të gjatë të artit. Sot është koha e bashkëpunimeve, e mundësive të shkëmbimit të eksperiencave, të organizimit të masterclasseve, koncerteve, festivaleve që mendoj se duhet të jenë prioritete në ndihmë të përparimit të artistëve të rinj. “To be the best” titullohet aktiviteti që realizoj çdo vit me studentët e klasës së violinës që drejtoj në UA, ky është misioni për të mbështetur, motivuar, për të qënë më pranë skenës , për të guxuar dhe kërkuar përmirësimin e vazhdueshëm të pandërprerë të nivelit në udhën e vështirë të artit e muzikës.

5. Si fituese e Çmimit të Madh në konkurset ËOMCO, cili është mesazhi juaj për artistët shqiptarë që synojnë skenat dhe karrierën ndërkombëtare?

Rruga e artit është sa e bukur aq dhe e vështirë, kërkon përkushtim e sakrifica. Krahas aftësive profesionale nevojitet besim, këmbëngulje, si dhe përgatitje psikologjike për të arritur suksesin. Duhet studiuar shumë, guxuar shumë dhe menduar se bota e artit është e pafundme me krijmtarinë dhe interpretimin e kolosëve të muzikës, dhe është privilegj të jesh dhe ti pjesë e saj. Për artistët shqiptarë do përmendja shprehjen e dikurshme të Thoma Nasit “Përkrahni muzikën e fjeshtë shqiptare “që sot do tingëllonte “Shpaloseni talentin shqiptar nëpër botë e na bëni krenarë “.

Filed Under: Opinion Tagged With: Sokol Paja

“Ëndrra Amerikane” në Washington DC

January 14, 2026 by s p

Nga Merita B. McCormack/

Dr. Eris Rusi dhe Z. Beqir Potka vizituan Washington Dc më datën 12 janar 2026. Pas disa vizitave nëpër institucione të ndryshme të artit, letërsisë dhe historisë në qytet, mbasditja e vonshme i gjeti në “Divine Mercy University” në afersi te Washington DC. Aty u mblodhën shqiptaro-amerikane për të mirëpritur miqtë e ardhur nga larg e për të dëgjuar për librin e shkruar nga Dr. Rusi e për tu takuar me protagonistin e librit Z. Beqir Potka.

Në takim morën pjesë gazetarë, pedagogë, intelektualë, përfaqësues të organizatave shqiptar-amerikane në komunitet dhe disa studentë të gjuhës shqipe dhe të shkencave politike në DC.
Takimin e hapi Z. Tony Macdonell nga Universiteti “Divine Mercy University” I cili mirepriti pjesëmarresit, përgezoi për suksesin e librit dhe ftoi pjesëmarrësit të njihen me misionin e Universitetit.
Aktiviteti pastaj vazhdoi me shfaqjen e një dokumentari të shkurtër ku tregohet një përmbledhje e jetës se Z.Potka dhe histori a shkrimit te librit. Pas kesaj filloi nje bisede moderuar nga autorja e ketij shkrimi (Merita McCormack).

Biseda u ndërtua mbi rrëfimin tërheqës në libër, i cili ndjek e pasqyron udhëtimin e jashtëzakonshëm të Beqir Potkës nga ferri shtypës i regjimit komunist të Enver Hoxhës — ku kufijtë ishin të mbyllur dhe tentativat e arratisjes shpesh përfundonin me vdekje. Aty rrëfehet me detaje rrëqethëse arratisja e rrezikshme drejt Greqisë (ku u përball me marrje në pyetje dhe pasiguri, si një ng ate paktet shqiptarët atje në atë kohë), dhe më pas udhëtimi në Shtetet e Bashkuara si refugjat pas 16 muajsh në Greqi. Pasi mbërriti në Amerikë, historia vazhdon te theksoje forcën, vendosmerinë, punën e palodhur dhe suksesin e tij si biznesmen (sot me bazë në Nashville, TN, i përfshirë në tregtinë ndërkombëtare të qilimave orientalë dhe sipërmarrje të tjera).

Ky libër nuk është vetëm një shkrim i disa kujtimeve personale, por një ilustrim frymëzues i triumfit të shpirtit njerëzor mbi pamundësinë: guximi, besimi në Zot, këmbëngulja dhe transformimi i “Ëndrrës Amerikane” nga një ideal i largët në Lavdarin rural në një realitet të prekshëm e të sukseshem. Libri thekson se kjo histori shkon “përtej individit”, duke qenë dëshmi për mijëra arratisje të ngjashme shqiptare gjatë komunizmit, por gjithashtu edhe feston jetën e Potkës si provë se suksesi vjen nga besimi në Zot, nga veprat e mira dhe nga vendosmëria e palëkundur për të punuar fort e për tju gjendur të tjerëve. Potka ëahtë një lider i komunitetit shqiptar në Nashville TN dhe mjaft bujar në ndihmën e tij për të tjerët.

Alternimi pyetjeve dhe përgjigjeve u ndërtua rreth kestyre temave dhe i tillë që të ishte jo vetëm përshkrim i një procesi letrar por edhe me rrëfime të ndjera nga vetë personazhi kryesor, protagonisti, vetë Z. Potka. Emocionet ishin të dukshme, përshkrimet e dhimbshme, arti që i ka përjetësuar, por të gjitha lidhur bukur e mbajtur fort nga hiri që vetëm Zoti jep.
Dr. Rusi solli dhe fragmente nga libri, shoqëruar edhe me poezi të shkruara nga i ndjeri Ati i tij, Skënder Rusi, siç njihej e do të njihet përjetësisht si poeti i “dhimbjes së bukur”.

Siç e thotë dhe Z. Potka shpesh: Gjithçka është prej Perëndie!
Libri është promovuar në takime të ndryshme në Shqipëri dhe më gjerë në trevat shqipfolëse rreth shtetit shqiptar por edhe në SHBA, si në Nju Jork tek Vatra, duke u pozicionuar si lexim motivues jo vetëm për shqiptarët por dhe për komunitetet e diasporës.
Pas takimit u shtrua një darkë në një restorant afer Universitetit ku miqtë udhetare ndanë edhe detaje të tjera nga bashkëpunimi letrar e profesional i tyre. Atmosfera e gëzimit dhe dashurisë mes shqiptarëve në mërgim ishte si gjithnjë prezente. Organizatorët i falenderuan miqtë për vizitën dhe ju dhanë certifikata mirënjohjeje.
I urojmë miqve vazhdim të mbarë në qytetet e tjera!

Filed Under: Komunitet

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 125
  • 126
  • 127
  • 128
  • 129
  • …
  • 2938
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • NJË GJUHË, NJË IDENTITET – STUDENTËT DALIN NË MBROJTJE TË SHQIPËS
  • “Shqiptarët e Amerikës” ndjekin me shqetësim të thellë zhvillimet e fundit në Maqedoninë e Veriut
  • Eshtrat e Hasan Tahsinit duhet të sillen në atdhe
  • “Irani dhe Siguria Kombëtare”!
  • Pamja e Hënës të cilën nuk jemi mësuar ta shohim
  • Analizë strategjike: Roli i SHBA-ve dhe ndikimi i NATO-s në suksesin operacional ushtarak
  • MICKOSKI DHE POLITIKA E KAMUFLUAR NË BALLKAN
  • ÇËSHTJA KOMBËTARE NË POLITIKËN E TIRANËS TË VITIT 1920
  • Në ditëlindjen e Vaçe Zelës, legjendës së gjallë të këngës, zërit që i dha shpirt një epoke
  • 115 vjet nga Kryengritja e Malësisë së Madhe dhe ngritja e flamurit në Deçiq
  • GEORGE POST WHEELER, AMBASADOR I SHBA-SË NË SHQIPËRI (1934) : “SHQIPËRIA DHE BURRAT E SHQIPONJËS…”
  • Përshtypje nga Bashkëbisedimi i AFC-së dhe Mjekëve Gastroenterologë AAGA
  • Një princeshë evropiane përballë traditës shqiptare
  • Arkeologët shqiptarë nën vlerësimin e studiuesit anglez Nicholas Geoffrey Lemprière Hammond
  • E drejta për përdorimin e gjuhës amtare në arsimin e lartë në Maqedoninë e Veriut

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT