• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Përgjegjësia e Legjislaturave dhe Qeverive të Kosovës pas Korrikut 2010

November 25, 2025 by s p

Humbja e Momentumit Historik të Opinionit të GJND-së dhe Domosdoshmëria e Rikonfigurimit të Diplomacisë së Kosovë.

Nga Prof. Dr. Fejzulla Berisha,Wahington DC, SHBA

1.Fitore që duhej të ndryshonte arkitekturën diplomatike të Kosovës

Më 22 korrik 2010, Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë shpalli opinionin e saj këshillimor historik, duke konfirmuar qartë se Shpallja e Pavarësisë së Kosovës nuk ka shkelur asnjë normë të së drejtës ndërkombëtare. Ky ishte triumfi më i madh juridik i historisë së popullit shqiptar në shekullin XXI, një ngjarje me vlerë të pazëvendësueshme në formimin e shtetit të Kosovës.

Opinioni i GJND-së nuk ishte thjesht një dokument juridik; ai ishte një certifikatë ndërkombëtare legjitimiteti, një vendim që e ngriti Kosovën si rast sui generis në jurisprudencën globale. Në çdo komb normal, ky moment do të kishte shënuar fillimin e një epoke të re të diplomacisë agresive pozitive, të valës së dytë të njohjeve dhe të konsolidimit të shtetësisë.

Megjithatë, Kosova nuk e shfrytëzoi këtë fitore. Mosveprimi i institucioneve bëri që një fitore globale të shndërrohej në një mundësi të humbur.

2. Përgjegjësia e plotë bie mbi të gjitha legjislaturat dhe qeveritë (2010–2024)

Në analizë të ftohtë juridiko-politike del qartë se:

Të gjitha qeveritë e Kosovës, pa përjashtim, si dhe të gjitha legjislaturat e Kuvendit, kanë dështuar të konvertojnë opinionin e GJND-së në instrument diplomatik.

Ky dështim është i shumëdimensionuar: diplomatik, juridik, institucional dhe strategjik.

Rast konkret 1: Dështimi për të shfrytëzuar valën e parë të njohjeve (2010–2012)

Pas opinionit, të paktën 30 shtete (Amerika Latine, Afrika Perëndimore, Azia Jugore) shprehën gatishmëri. Qeveritë e Kosovës:

-nuk dërguan delegacione të nivelit të lartë,-nuk përgatitën dokumente ligjore në gjuhët lokale,-nuk bënë diplomaci aktive në rajonet ku ndikimi serb ishte minimal.

Rezultati: Vetëm 5 njohje të reja përkundër potencialit për mbi 30.

Rast konkret 2: Pesëshja mosnjohëse e BE-së – dështimi strategjik më i rëndë

Pavarësisht argumentit të fuqishëm të GJND-së, qeveritë e Kosovës nuk ndërtuan:-Dosje të posaçme për çdo shtet mosnjohës;-Strategji juridike për të adresuar frikën e tyre nga precedenti;-Vizita të vazhdueshme të nivelit të lartë;-Diplomaci akademike të strukturuar.

Dyert e Greqisë dhe Rumanisë kanë qenë të hapura në vitet 2011–2014, por Kosova nuk veproi.

Rast konkret 3: Serbia ndërtoi narrativë agresive ndërkombëtare – Kosova nuk ndërtoi asnjë

Serbia:-përgatiti dosje juridike 100-faqëshe për çdo vend afrikan;-punësoi firma lobimi;-shtriu fushatë të bazuar në dezinformim;-përdori Rusinë dhe Kinën për të bllokuar njohjet multilaterale.

Kosova:-asnjë material standard juridik nuk botoi,-asnjë fushatë kundër-propagandistike,-asnjë konferencë ndërkombëtare në Prishtinë mbi opinionin e GJND-së,-nuk aktivizoi diasporën akademike.

Rezultati: Serbia fitoi terren në shumë vende të Afrikës dhe Azisë, për shkak të heshtjes së Kosovës.

Rast konkret 4: Mungesa e diplomacisë multilaterale në OKB, OIC, UA, ASEAN

Asnjë qeveri e Kosovës nuk:-kërkoi debat vjetor në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së për opinionin;-paraqiti raport zyrtar të interpretimit juridik të rastit Kosovës;-organizoi forum global për të drejtën e vetëvendosjes në Prishtinë;-aktivizoi shtetet mike për të shtyrë opinionin në komisionet e së drejtës ndërkombëtare.

3. Raste ndërkombëtare që ilustrojnë se si duhej të vepronte Kosova

3.1. Timori Lindor – Si u kthy një vendim juridik në valë njohjesh

Pas opinionit të GJND-së në kontestin me Australinë, Timori:-botoi 3000 faqe materiale juridike,-bëri turne diplomatik në 37 shtete,-punësoi ekspertët më të mirë globalë.

Rezultati: 90 njohje brenda 18 muajve.

3.2. Sudani i Jugut – Diplomacia e dendur dhe e koordinuar

Sudani i Jugut:-kreu turne global pas pavarësisë,-ngriti komisionin e njohjeve me pesha të fuqive humane,-përdori ekspertizë ndërkombëtare.

Rezultati: 120 njohje në 24 muaj.

3.3. Eritrea – Diplomacia e presionit moral ndërkombëtar

Përdori dokumentimin e krimeve të luftës dhe lobimin akademik.

Rezultati: U pranua shpejt në organizata ndërkombëtare.

3.4. Palestina – Diplomacia multilaterale si shembull i epokës moderne

Pa qenë shtet i plotë, Palestina:-u njoh nga 138 shtete,-fitoi statusin e shtetit vëzhgues në OKB,-u anëtarësua në UNESCO dhe ICC.Si?Me një doktrinë 1.500 faqëshe të përdorur në çdo kryeqytet.

4. Ku dështuan legjislaturat e Kosovës?

Asnjë mbikëqyrje institucionale

Nuk u kërkua raport vjetor i qeverisë për lobim.-Nuk u formua komisioni parlamentar për zbatimin e opinionit të GJND-së.-Nuk u miratua rezolutë që e detyronte diplomacinë të punonte me dokumente standarde.

Kuvendi i Kosovës nuk e pa opinionin e GJND-së si çështje të mbijetesës së shtetit.

5. Ku dështuan qeveritë e Kosovës?

Mungesa totale e strategjisë shtetërore

Asnjë qeveri nuk hartoi:-Doktrinën Diplomatike të Opinionit të GJND-së,-Manualet juridike për diplomatët,-Fushatat kombëtare dhe ndërkombëtare të argumentimit,-Platformën ndëruniversitare ndërkombëtare të opinionit.

Diplomacia e Kosovës mbeti e paorganizuar, e paqëndrueshme, e pandërtuar mbi ekspertizë.

6. Konkluzion: Përgjegjësia është historike dhe e padiskutueshme

Bazuar në fakte, shembuj konkretë dhe krahasimet globale:

Përgjegjësia për mosshfrytëzimin e Opinionit të GJND-së në korrik 2010 bie mbi të gjitha qeveritë dhe legjislaturat e Kosovës nga viti 2010 deri sot.

Ky është dështim:-politik,-diplomatik,institucional,strategjik,dhe historik.

Kosova humbi potencial për:dhjetëra njohje të reja,anëtarësim në organizata ndërkombëtare,forcim të pozitës së saj globale,neutralizimin e narrativës serbe.

7. Rruga përpara (2025–2030): Një epokë e re e diplomacisë së Kosovës

1. Hartimi i Doktrinës Kombëtare të Opinionit të GJND-së

Një dokument prej 500–700 faqesh në anglisht, spanjisht, frëngjisht.

2. Formimi i Task-Forcës Globale të Njohjeve

3. Diplomacia akademike dhe juridike vjetore në Prishtinë

4. Diplomacia multilaterale (OKB, OIC, UA, ASEAN)

5. Fushata e madhe për pesëshen e BE-së

Kosova nuk mund të lejojë më që fitorja më e madhe juridike në historinë e saj të mbetet e pashfrytëzuar.

Opinionin e GJND-së duhet ta shndërrojë në bosht të diplomacisë së saj, në dokument të forcës ndërkombëtare dhe në instrument të shtetësisë së pakontestueshme.

Vetëm kështu Kosova do të ecë drejt njohjeve të reja, integrimit euroatlantik dhe konfirmimit përfundimtar të vendit të saj në sistemin ndërkombëtar.

Filed Under: Rajon

Martin Camaj, ky personalitet etik

November 24, 2025 by s p

Prof. Viola Isufaj/

Martin Camaj (korrik 1925 – Mynih, mars 1992) shkrimtari, akademiku dhe albanologu shqiptar, lindi në Temal të Dukagjinit në korrik 1925 … “në një vis të egër, ‘ku s’ka shkelë kurrë kamba e kalit’, kaq i thyeshëm ashtë ky vend”. Në vendlindje kaloi dhjetë vitet e para të jetës. Në vitin 1935 u vendos në Shkodër dhe filloi arsimin pranë kolegjit jezuit “Xaverianum” (arsimin fillor 5 vjeçar e përfundoi në 4 vjet). Pesë vitet në vijim ndoqi gjimnazin; për të vijuar më pas studimet në liceun klasik të kolegjit.

Themeloi në Prekal shkollën ku veproi si mësues i vetëm deri më 1948.

Si kundërshtues i sistemit totalitar, i ndjekur nga sigurimi i shtetit shqiptar, Camaj qe i detyruar të jetojë në ilegalitet deri sa ia arriti të dalë në Jugosllavi (bashkë me atë Daniel Gjeçajn OFM dhe një grup prej 36 personash). Nuk e pa më kurrë familjen; njëri vëlla bëri 30 vjet burg. Matanë kufirit, ai punoi një vit (1949-’50) mësues në Tuz për t’u vendosur pastaj në Beograd për t’u regjistruar në universitet. Camaj formimin pasuniversitar e kreu në albanologji pranë fakultetit filozofik të Universitetit të Sarajevës, udhëhequr nga albanologu prof. Henrik Bariç – kryetar i Institutit Albanologjik në Sarajevë.

I ndihmuar nga Ernest Koliqi dhe nga profesorë të vjetër të ish-kolegjit jezuit të Shkodrës, nga patër Luigi Rosa dhe patër Zef Valentini, atë kohë drejtues i Institutit të Studimeve Shqiptare si edhe kryetar i Katedrës së Gjuhës dhe të Letërsisë Shqipe pranë Universitetit të Romës, pasi i njihen studimet e kryera në Universitetin e Beogradit, regjistrohet në vitin e tretë studimor në Fakultetin e Letërsisë dhe të Filozofisë të këtij universiteti. Këtu studion letërsi latine, italiane, filologji romane e sllave, si dhe gjuhë e letrësi shqipe; ndërkohë gjen rastin të ndjekë leksione prej poetit Giuseppe Ungaretti dhe të njohë prej së afërmi poezinë e tij.

Nën mentoratin e Koliqit, më 15 mars 1960, mbron me vlerësime maksimale pranë Universitetit te Romës, tezën e doktoraturës mbi “Mesharin” e Gjon Buzukut, e cila u botua po atë vit si botim i revistës “Shêjzat”: “Il Mesale di Gjon Buzuku. Dhjetori i 1960s e gjen në Mynih të Gjermanisë me një bursë dhjetëmujore të akorduar prej fondacionit gjerman DAAD me rekomandimin e etnologut dhe folkloristit Alois Schmaus pranë Univ. Ludwig-Maximilian.

Habilitacionin e fiton më 21 janar 1965 me leje mësimdhënieje në universitet.

Vitet 1965 deri në 1971 shënojnë dhe kohën vendimtare për konsolidimin e katedrës së albanologjisë në LMU, Mynih, duke e udhëhequr atë për 20 vjet dhe duke përgatitur dhjetëra albanologë e duke i dhënë të gjithë titujt akademikë.

***

Në veprën e të “Urtit” Martin Camaj shfaqet një vizion i ri i përmasave të jetës njerëzore. Ai e shkëput veten nga një komunitet dhe e lidh me një tjetër.

Shí në mes të shqetësimit për qytetin milionësh, Camaj projekton qenësinë identitare.

Struktura e imazheve të Camajt përmban, ndër të tjera, imazhet e fushave, malit e të vërrinit, imazhet e qyteteve dhe tempujve, të mbushura e të gjallëruara nga imazhet e lisave dhe të ujërave që sugjerojnë, jo, thjesht ato çfarë ruan poeti nga vendlindja, por edhe qetësinë e tij të humbur, supozimin e një sinqeriteti të largët.

Bota që paraqitet në veprën e tij dhe që duket si realitet i jashtëm fizik, është bota e tij e brendshme e cila funksionon ngjashëm me botën e amshuar, me një rregull të përjetshëm, të caktuar që nga kohët që s’mbahen mend, ku fenomenet janë ciklike dhe koha është kozmike. Moraliteti i kësaj bote është i pacënuar dhe i pacënueshëm.

Puna e tij përfshin mësimin e mënyrave të ndriçimit të mendjes, nuk ndalet atje, por kalon nëpër një vuajtje e mundime dhe tatëpjeta drejt vdekjes.

Në krijimtarinë poetike të Martin Camajt njeriu ballafaqohet me një dialektikë morale në lindje dhe duhet ose të ngrihet mbi natyrën fizike ose të zhytet poshtë saj në mëkat.

Është fluturimi stërmundues i Dallëndyshës së Camajt si dhe “heroi” tek Rrëfimi i heroit, shëlbimi i të cilëve, do të projektojë përshkrimin e rrugës plot sfilitje e rreziqe nga niveli më i ulët në atë më të epërm:

“Kambët më mbetën në borë e gishtat më ranë/Tue lypë nëpër akull/Zemra që i ruhen frymës së diellit.”

Mund të thuhet se qafa “ma e naltë” dhe të bërit “e bardhë” zotëron një forcë çliruese të lartë dhe i transformon thellë qeniet që prek. Kjo është e vërteta e arsyes, çliruese nga peshat e rëndomta a diabolike, nga forcat e errëta a tjetërsimet e ndryshme, është një burim i një ndryshimi të thellë të qenies, pas një transcendence në përpjekjet dhe përgjakjet me rrymat e errës a flatrave të gjethit të vjeshtës së vonë.

Camaj kërkon të zgjojë e të trondisë opinionin e sigurtë në vetvete, opinionin inert që nuk pranon asnjë ndryshim; me “Kush i bani mëngji qytetit” ai do të trazojë ndërgjegjiet e përgjumura dhe të paralajmërojë se magjia e së keqes mund të flerë, por asnjëherë të zhduket, ajo qëndron aty gati për të gjetur rrethanat e favorshme e për të shpërthyer, qoftë (dhe sidomos!) në qytetet perëndimore të cilat i kanë ngritur përmendore ngadhnjimit të vlerave të njerëzimit. Aftësia për ta zhbërë një herë e mire të keqen, është deri më tani, përtej kapacitetit të çdo shoqërie të “sado e avancuar të jetë ajo.

Pas leximit të korpusit të plotë të korpusit të Martin Camajt, shohim formën e vërtetë të mençurisë në jetën njerëzore si filozofi apo dashuri e mençurisë që është krijuese dhe jo thjesht erudite. Camaj do të përkapë e do të qëndrojë të hulumtojë në thellësi sesi në dritë të pazhbëshme jetojnë shkaqe të panumërta të të gjitha natyrave të krijuara. Kur kthehemi te fuqia krijuese njerëzore, shohim se ka një cilësi në të, cilësi që mund të quhet më mirë rikrijim, një transformim i kaosit brenda përvojës sonë të zakonshme të natyrës.

Njeriu dhe poeti Camaj, është, përpos të tjerash një personalitet etik, ai theu vulgaritetin, të padenjën, tejkaloi përgjigjen e zakonshme, spontane, të menjëhershme dhe shpaguese ndaj të keqes dhe konsakroi moralin e kulluar: “Batë burrninë të më shtini në rreshtin tuej. Ndonëse të ndamë për një gjysmë shekulli, unë jam i jueji e ju jeni të mijtë“ – një drejtësi shumë më e lartë se “të vërtetat e zakonshme”, apo se koncepti ynë ligjor e moral për të “të drejtën”.

Martin Camaj mbështetet pikërisht në këtë drejtësi transformuese deri në rrënjë, e cila është harruar (“Nga palci i urrejtjes dëshiroj me dalë. Si bima prej fare në pranverë”).

Camaj nuk komunikon në mënyrë të drejtpërdrejtë as këshillë të kujdesshme e as proverb, veçse gjuha e tij është proverbiale, parabolike, që na bëjnë të meditojmë për kuptimet e caktuara apo të shumta që qëndrojnë pas shenjave të rafinuara e shumëdimensionale të artit të tij poetik.

Parabola përmban dhe shpërndan“virtyte shpëtimtare”. Parabola tek “Grueja me mëngji” na thotë se si duhet vepruar për të mos njollosur shpirtin, se si zgjedhja duhet bërë me mençuri dhe në rrugën e drejtë. E në këtë përmasë jashtëkohore dhe përjetësie, ne shohim njeriun të vendosur ndërmjet dy alternative më të përgjithshme: njëra lumturuese dhe bosh nga Zoti (dmth jashtë thelbit të Zotit, pa bekimin e Zotit); tjetra plot mjerim por hyjnore.

Reminishencën e mëkatit biblik e shohim te vjersha Grueja dhe mjellma si një medium rrëfimi që këtu i bëhet jo njeriut, por një qënieje, që besohet se mishëron rikthimin, metamorfizmin e gruas në mjellmë. Gruaja prandaj, tek “Grueja dhe mjellma”, i rrëfehet kësaj gruaje tjetër, që sot është shpend i bardhë, që mundet vetëm ta dëgjojë por nuk mund t’i flasë. Gruaja lehtësohet nga pesha e rëndë e rrëfimit, nga tronditja e turpit dhe nga ballafaqimi me një mjedis objektiv, duke ia lënë këtë peshë qenies së metamorfizuar e cila do ta dëgjojë por nga e cila, nuk do të ketë qortim. Në një kuptim, duke mbështjellë një thelb të kësaj gruaje, mjellma është vetë ndërgjegjia e saj (e dikurshme, e transformuar), ndergjegjie cila po e rëndon gjithnjë e më shumë dhe nga e cila kërkon të çlirohet. Poezia “Grueja dhe mjellma” do të jetë kësisoj një tejzgjatim apo një trajtë e Rënies së Njeriut dhe e tille qe e ve gruan /njeriun, cipllak ne qender te misterit te botes.

Prerjet diakronike dhe sinkronike të botës shqiptare sendërtohen artistikisht në sistemin e shenjave, shenjëzimeve dhe parabolave kuptimore veçanërisht kur teksti poetik strukturohet si dialog dhe monolog me vetëdijen historike dhe vetëdijen mitike. “E gjeti bërthamë nën gjuhë /Tue folun /Me të bijën jehonë.”Rrëshqitja në rrafshin vertikal, pra diakronik, është, në fakt, rrëshqitja në thellësi të shekujve, në vetëdijën historike, e cila rizbulon shpirtin e njeriut shqiptar (dhe qënies dhe qenësisë shqiptare) si të qetë, fatkeq e tragjik.

“Rrodhi nëpër zemra ashtu/Si rrjedh uji teposhtë/Dhe u shkri në vetminë dhe/ U ngjall kur ra prap shi./ U ble, u shit/ Nga populli në popull/Për lëkura shpata e heshta/Për helm, voj ullinjsh e guri/E për një dele të ngrime/Në rem, argjend e ar/E u vorrue gjallë n’uratë”

Delja e ngrime në rem, argjendi e ari, lëkurat, heshtat e shpatat, voji i ullinjve dhe i gurit cilësohen nga mundësi të shumëta konotuese.

Në nivel diakronik dhe sinkronik duke ndërthurur të kaluarën dhe të tashmen. Pjesa që jep “rrjedhjen” dhe “shkrirjen” e elementeve të ndryshme (uji, shi, vetmi) na shfaqet si një përthyerje e kalimit të kohës, ku njeriu shqiptar (dhe shpirti i tij) kalon përmes periudhave të ndryshme historike dhe kulturore. Kjo “rrëshqitje” në thellësinë e shekujve na sjell një bashkëshoqërim të ndjeshmërisë së shqiptarve, të ndikuar dhe formuar nga ngjarjet dhe trandjet e mëdha historike.

Në aspektin sinkronik, poezia mund të shihet dhe si një reflektim i realitetit të tanishëm shqiptar, ku identiteti kombëtar dhe vetëdija historike janë ende në formim e sipër, duke përballuar sfida të brendshme dhe të jashtme. “Nema” sjell përplasje mes dy kohëve dhe dy shtresave të identitetit, përmes elementeve që janë të ngulitura thellë në vetëdijen kombëtare shqiptare.

Një varg simbolesh dhe shenjash si “delja e ngrime”, “rem”, “argjendi”, “ari”, “lëkurat”, “heshtat” dhe “shpatat” janë imazhe poetike, por edhe shenjëzime shenja që lidhen me histori të hershme, të dhimbshme. Ato mund të na kujtojnë ndër ngjarje të shumta historike, pasigurinë dhe vuajtjet, si dhe periudhat e humbjes dhe ringritjes; në kapacitetin e tyre më të plotë shenjues kanë një lidhje të fortë me kultin e krishterimit dhe me mitologjinë shqiptare.

Ato janë simbole të pafajësisë dhe sakrifikimit, por gjithashtu, mund t’u referohen marrëveshjeve që ky shpirt i përbashkët i vuajtur për të mos të humbur, ka bërë përmes shumë periudhave të vështira dhe gjithnjë: konseguenca tragjike e humbjes së udhës së drejtë.

Teksti poetik më lart përmban elementë mitikë dhe historikë që lidhen ngushtësisht me identitetin e njeriut shqiptar dhe trajton ndjeshmërinë e tij të thellë ndaj humbjes dhe fatkeqësisë.

Poezia është e mbushur me simbole dhe shenja që, si në një rebus, kanë të paktën kuptim të dyfishtë ose shumëkuptimësi dhe që kërkojnë përpjekje për t’u zgjidhur. Për shembull, vargjet si:

– “E gjeti bërthamë nën gjuhë” mund të kuptohet si një “fshehje” ose esencializim kuptimit të thellë, që nënkupton diçka të ruajtur dhe të papërpunuar, një sekret të jetës dhe të mbijetesës së një kombi-që është e aftë të dikur shpërthejë. Si një rebus, ky varg mund të kërkojë një “çelës” për të kuptuar se çfarë do të thotë “bërthama nën gjuhë”, që mund të nënkuptojë shprehjen e një ideje të brendshme, të pashprehur.

Na ana tjetër, “ullinjtë” dhe “guri” mund të lidhen me motin e lashtë, natyrën dhe trashëgiminë kulturore të shqiptarëve, Për shembull: – “U vorrue gjallë n’uratë” Është një prej “pjesëve më enigmatike” të poezisë që mund të kuptohet si një formë kontradikte, duke kërkuar një shpjegim më të thellë: A është ky një përshkrim i një tragjedie të madhe ku jeta dhe vdekja ndodhin paralelisht, apo është një mënyrë për të ilustruar se njeriu është “i mbytur” brenda kushteve të vështira historike dhe sociale?

-Në fillimet e leximit të veprës së tij, është vërejtur se: «Filozofia e saj, ngjan të jetë filozofia e ekzistencës së njeriut si individ, e lirisë dhe e kufizimit të tij, e përcaktimit/ determinimit të fatit prej vetes, mjedisit shoqëror dhe e një force jashtë dhe mbi mjedisin. Njeriu i saj e jeton jetën individualisht dhe jo shoqërisht sipas marrëdhënieve që ka me mjedisin shoqëror, natyrën, apo me të dyja së bashku.

Martin Camaj shi për këtë na thotë: të zbulojmë varrën ma të randë në shpirtin tonë, thelbin e tragjedisë që ashtë edhe ama e artit njerëzor. Tragjedia dëshmon qenien e dualizmit tonë në natyrë dhe në na dhe gradën që kemi mbërrijtë në zbulimin e ndërgjegjes.

Simbolet dhe shenjat përdoren pikwrisht për të ndihmuar në ndërtimin e kuptimit të asaj që ka ndodhur dhe asaj që mund të ndodhë, si dhe të reflektuar përkundër pasigurive dhe sfidave të një populli që vazhdon të përballet me të kaluarën dhe me të ardhmen e tij.

Në semiotikë, shenja mund të interpretohet si element që është i pajisur me kuptim, ajo përfaqëson diçka përtej vetvetes, dhe për këtë arsye është në gjendje të komunikojë informacione për interpretuesin ose dekoduesin e saj.

Teoria e Saussure-it e ka ndikuar në mënyrë specifike studimin e shenjave gjuhësore.

Roman Jakobson-i, përpunoi mendimin se prodhimi dhe interpretimi i teksteve varet nga ekzistenca e kodeve apo marrëveshjeve për komunikim. Përderisa sa kuptimi i një shenje varet nga kodi brenda të cilit ajo është vendosur, kodet ofrojnë një strukturë brenda së cilës shenjat kuptimësohen.

Në poezinë në fjalë “u vorrue gjallë n’uratë” është një imazh tronditës që thyen çdo ide të natyrshmërisë dhe të drejtësisë, duke krijuar një kontrast pothuajse të të frikshëm mes jetës dhe vdekjes, si dhe mes individit dhe shoqërisë.

Shprehja “u vorrue gjallë” na sjell imazhin e dikujt që është varrosur, por ende është gjallë, një paradox që është në thelb tragjik. Një popull është ende i pranishëm fizikisht, por ndodhet në një gjendje të pakthyeshme dhe të pafat.

Ky “vorrim gjallë” mund të simbolizojë vuajtjen e skajshme dhe pa shpresë, një formë të shuarjes që është e pranishme në trup, por jo dhe në shpirt.

pa mundësi shpëtimi dhe pa një rrugëdalje të dukshme. Ky përçim i papërshkrueshëm e i parrëfyeshëm në fjalë të tjera, hap para nesh një situatë ekstreme, ku jeta është e shtrënguar deri në pikën e vdekjes, por ende ka një shkëndijë të ekzistencës dhe të shpresës.

Gjithashtu, mitologjikisht, varrimi gjallë është një ide që është e pranishme në shumë tradita dhe mund të shenjojë humbjen e kontrollit mbi fatin e individit dhe shoqërisë, një ide e shpërbërjes së identitetit dhe ekzistencës. Kjo shprehje mund të përfaqësojë po edhe një formë të sakrifikimit të individit për diçka më të madhe, Në këtë kuptim, ai është një element poetik që shpreh më së miri kontrastet dhe kompleksitetin e jetës shqiptare dhe të kalvarit të saj historik.

Siç do ta shprehte Lankch: “Mbas pak kohe, edhe ai mbaroi tue marrë me vete në vorr trashigimin e Fishtës, sepse ai qe i vetmi ndër né qi prej lahutës brîdashe dinte e mujte të nxjerri kumbime, nëpër të cilat thjeshtësija skalitëse e shprehjeve rapsodike shqiptare shoqnohej e depertohej nga nji harmoní e thellë symfoniare me të kujtue fuqín e gjânë të muzikës së Wagner-it”.

***

Matrica brenda matricash, shtresëzime brenda shtresëzimesh-me cilësi të njëjta por në dimensione të ndryshme- Eshtna ndër eshtna ndër shtresa petkash të leshta -kudo në konfigurimet dhe transfigurimet mitike, ndihet retrospektiva, introspektiva dhe prospektiva; ndihet parimi krijues i palimpsestit në pëputhje me thelbin e kuptimit të jetës së njeriut, historinë tonë si komb dhe me historinë dhe pështjellimin e rruzullit: Ky libër lëkure/ i përket një populli/ i cili nuk qet asgja në harresë, andaj me vend i thirrën palimpsest, me shtresa i shkruem dy apo tri herë.

Çka na rezulton e rëndësishme në këtë fund të kësaj fjale, është dhe vetë vendosja e autorit përmbi kufijtë gjeografikë: Camaj, ky Homo Viator, nuk e harron udhën e kthimit, teksa shkel vendet e reja. Qenia poetike e tij mëton që të jetë vendi i këmbimit të përhershëm ndërmjet esencializmit që e ka zbuluar nga të ngjashmit e tij dhe tharmit vendas që kurrë nuk e ka braktisur; sepse ai ka ndjenjën e një mirëkuptimi ndërkulturor, por po aq dhe të palcës etnike.

******

Ndër të gjithë shkrimtarët shqiptarë të sotëm dhe të djeshem që përbëjnë dukuri letrare e që kanë dhënë ndihmesë për t’ia zgjeruar horizontet kulturës; Martin Camaj, qëndron në një nga majat e lartësive alpine dhe shqiptimi i fuqishëm i tij, përfton shëmbëlltyrën tërësore dhe subjektive të qënies dhe qënësisë shqiptare, ndërsa: në zhanrin e poezisë në historinë e letrave shqipe bashkekohore nga viti 1945 e deri më sot, mbetet i patëdytë.

Filed Under: Opinion

Joe dhe Shirley DioGuardi Festojnë Ditën e Pavarësisë n’Çikago

November 24, 2025 by s p

Edon Shaqiri

Kryetar i Bordit të Drejtorëve

Komuniteti Shqiptaro-Amerikan në Illinois/

CHICAGO, IL — Kam qenë fëmi kur familja ime u largue nga Kosova gjatë luftës së vitit 1999. Erdhëm n’Amerikë vetëm me shpresë, pa e dijtë se, vite ma parë, disa n’Uashington kishin luftue tashma për njerëz si na. Emnat e tyne ishin Joseph J. DioGuardi dhe Shirley Cloyes-DioGuardi.

Më 28 Nantor, Joe dhe bashkëshortja e tij, Shirley, do të vijnë n’Çikago për me festue Ditën e Pavarësisë së Shqipnisë me komunitetin tonë. Për shumë prej nesh që kemi ardhë si refugjatë, vizita e tyne ka një peshë të veçantë dhe të thellë. Nuk asht veç një festë — asht një rikthim n’shpinë e tyne.

Katër dekada ma parë, më 1984, Joe DioGuardi bani histori si Shqiptaro-Amerikani i parë i zgjedhun n’Kongresin e Shteteve të Bashkueme. Ai ishte bir i Arbëreshëve nga Italia, nji pasardhës krenar i shpirtit Shqiptar që ka mbijetue shekuj mërgimi. Kur ai e habiti politikën e Nju Jorkut duke fitue një vend n’Kongres n’Westchester County, ai nuk përfaqësoi vetëm një distrikt — ai mori mbi vete zanin e krejt Shqiptarëve që kurrë s’e kishin pasë një të tillë n’Uashington.

Qysh n’fillim, Joe e përdori atë za për me ba të mirën. Së bashku me kongresmenin Tom Lantos, një mbijetues i Holokaustit, ai bashkëthemeloi Grupin për të Drejtat e Njeriut n’Kongres dhe nisi me e futë n’regjistrat zyrtarë fjalën “Kosovë”, shumë kohë para se shumica e Amerikanëve me dijtë ku gjendej n’hartë. Ma vonë, përmes Lidhjes Civike Shqiptaro-Amerikane, të cilën ai e themeloi n’1989, ai e çoi historinë tonë kudo — prej Shtëpisë së Bardhë deri te konferencat ndërkombëtare — duke këmbëngulë se çashtja e Shqiptarëve n’Ballkan ishte çashtje e të drejtave të njeriut dhe e lirisë.

Përkushtimi i tij nuk u ndal veç te Kosova. N’fillim t’viteve ’90, Joe u përqendrua edhe te Shqiptarët e Tetovës, duke mbështetë të drejtën e tyne për arsim n’gjuhën amtare dhe duke ndihmue me u përforcue thirrje për një universitet që do t’u shërbente të rijve të rajonit. Kur të tjerët e shihnin Ballkanin si një hartë ndarjesh, ai shihte një komb të ndamë prej rrethanave, por të bashkuem n’identitet.

Dhe gjithmonë pranë tij ishte Shirley Cloyes DioGuardi, një forcë më vete. Ndërsa Joe hapte dyer n’Uashington, Shirley hapte zemra n’krejt Amerikën. Ajo u ba zani i Shqiptarëve n’Luginën e Preshevës, duke e sjellë historinë e tyne n’vëmendjen e publikut dhe të institucioneve që shpesh i kishin anashkalue. Kërkimet, avokimi dhe humanizmi i saj siguruen që kjo krahinë të mos harrohej. Së bashku, DioGuardit u banë ura mes Uashingtonit dhe popullit tonë.

Për dikë si unë, që erdha n’Amerikë si pasojë e luftës për të cilën Joe dhe Shirley paralajmëruen botën për vite me radhë, historia e tyne nuk asht thjesht fakt por asht personale. Jeta që jetoj sot, n’liri, me bashkëshorten dhe vajzat e mia, në një komunitet të gjallë Shqiptaro-Amerikan, ekziston falë njerëzve si ata që refuzuen me e lejue botën me na kthye shpinën.

Sot, dekada ma vonë, me i mirëpritë DioGuardit n’Çikago për me festue së bashku Ditën e Pavarësisë asht mbyllja e një rrethi historik. Kongresmeni që përmendi për herë të parë emnin tonë n’Kapitolin Amerikan tash do të qëndrojë mes një brezi të ri Shqiptaro-Amerikan, që duhet me e çue përpara punën që ai nisi.

Dhe historia vazhdon. Më 29 Nantor, Komuniteti Shqiptaro-Amerikan n’Illinois do të organizojë një mbramje të posaçme për me mbledhë fonde n’mbështetje të muzeut që DioGuardit po planifikojnë me ndërtue n’Kosovë, një hapësinë që do të ruajë filmimet, dokumentet dhe materialet televizive të dekadave të avokimit të tyne n’Kongres dhe n’mediat kombëtare. Ky arkiv i vërtetës dhe i qëndresës i përket krejt popullit tonë dhe meriton një shtëpi të përhershme. Ata që na bashkohen, nuk do t’i nderojnë vetëm për punën e së kaluemes, por do t’ndihmojnë me e sigurue që trashëgimia e tyne të jetojë për brezat që vijnë.

Këtë Nantor nuk do të festojmë vetëm flamurin dhe pavarësinë. Do t’i nderojmë ata që ndihmuen me e ba atë flamur të dukshëm për botën dhe do të nisemi së bashku drejt kapitullit tjetër.

Mirë se vini n’shpinë tuej, Joe dhe Shirley. Na dhatë një za kur s’kishim kurrfarë dhe nuk e harrojmë kurrë.

Filed Under: Kronike

Kosovës s’i grabitet dot 28 Nëntori!

November 24, 2025 by s p

Emira Bajçinca- Konjufca/

28 Nëntori përbën një moment themelor në krijimin dhe konsolidimin e identitetit kombëtar shqiptar. Kjo datë lidh tri ngjarje që janë shndërruar në shtylla të kujtesës kolektive shqiptare: ngritjen e flamurit nga Skënderbeu në vitin 1443, shpalljen e pavarësisë së Shqipërisë në Vlorë më 1912, sakrificën e familjes Jashari sikurse edhe daljen e parë publike të UÇK-së. Këto tri momente, të dokumentuara gjerësisht në historiografinë shqiptare (Krasniqi, 2012), e bëjnë 28 Nëntorin një simbol të vazhdimësisë kulturore, politike dhe shpirtërore të shqiptarëve.

Në Kosovë, 28 Nëntori nuk gëzon status festiv zyrtar për shkak të kufizimeve kushtetuese. Megjithatë në Kosovë 28 Nëntori shndërrohet çdo vit në një ditë përkujtimi, reflektimi dhe afirmimi identitar, duke treguar se vlerat shpirtërore dhe simbolike nuk kufizohen nga konstrukte ligjore. Ky fenomen përputhet me teorinë e “festave joformale kombëtare”, të cilat ekzistojnë paralelisht me festat shtetërore (Smith, 1991).

28 Nëntori i reziston çdo forme instrumentalizimi politik. Kjo ditë nuk buron nga vendimet administrative, por nga historia, nga sakrificat dhe nga konsensusi shoqëror. Prandaj, çdo tentativë për ta relativizuar, minimizuar apo politizuar bie përballë një vetëdije të qëndrueshme kolektive që e njeh këtë datë si gur themel të identitetit kombëtar.

Sepse 28 Nëntori është ndër ngjarjet më të rëndësishme që kanë formësuar vetëdijen kombëtare. Ngritja e flamurit në Vlorë më 1912, e udhëhequr nga Ismail Qemali, u bë akti që konsolidoi përpjekjet shumëvjeçare për krijimin e shtetit shqiptar dhe që shënoi shkëputjen nga Perandoria Osmane (Fischer, 1999). Për shqiptarët e Kosovës, kjo ngjarje ka qenë gjithmonë më shumë sesa histori: ajo ka qenë argumenti kryesor i përkatësisë kombëtare, sidomos në periudhat kur identiteti i shqiptarëve të Kosovës sfidohej politikisht, administrativisht ose ushtarakisht.

Diaspora shqiptare dhe rëndësia e saj në ruajtjen e 28 Nëntorit

Roli i diasporës shqiptare në ruajtjen e vlerave të 28 Nëntorit është thelbësor. Shqiptarët në mërgatë nga Evropa deri në Australi jo vetëm e festojnë këtë datë, por e ruajnë dhe e transmetojnë traditën në mënyrë të strukturuar dhe të organizuar. Ndër të gjitha komunitetet, ai i shqiptarëve në Shtetet e Bashkuara të Amerikës është veçanërisht i rëndësishëm.

Shoqatat kulturore, organizatat historike, shkollat shqipe dhe qendrat komunitare shqiptare në SHBA organizojnë manifestime madhështore çdo vit, duke përfshirë fjalime, akademi përkujtimore, programe kulturore, ekspozita dhe aktivitete edukative. Këto ngjarje nuk janë vetëm ceremoni festive; ato janë institucione identitetformuese që mbajnë gjallë lidhjen me atdheun.

Diaspora shqiptare në SHBA ka luajtur gjithashtu rol politik vendimtar në përkrahjen e intervenimit ndërkombëtar në Kosovë në vitet ’90 (Judah, 2000). Në këtë kontekst, 28 Nëntori mbetet për ta një simbol i lirisë, rezistencës dhe identitetit politik, duke u shndërruar në një mjet të fuqishëm të mobilizimit historik dhe kulturor. Vlera e 28 Nëntorit nuk kufizohet në trojet shqiptare, por është e përhapur dhe e gjallë në çdo komunitet shqiptar në botë.

28 Nëntori në Kosovë nuk është vetëm një datë kalendarike, as vetëm një përkujtim historik; ai është një mekanizëm i fuqishëm identiteti, një hapësirë simbolike ku bashkohen historia, sakrifica, krenaria dhe përkatësia kombëtare. Përkundër kufizimeve ligjore, 28 Nëntori mbetet thellësisht i gjallë në shoqërinë kosovare dhe në mbarë kombin shqiptar, brenda e jashtë trojeve. Prandaj, Kosovës s’i grabitet dot 28 Nëntori sepse vlera e kësaj dite nuk buron nga ligji, por nga kujtesa, identiteti dhe uniteti i një kombi që e ka ruajtur këtë simbol ndër shekuj.

Filed Under: Analiza

Atmosferë e shkëlqyer festive nga shoqata shqiptaro-amerikane “Skënderbej” Inc. për 113-vjetorin e Pavarësisë së Shqipërisë

November 24, 2025 by s p

Luljeta Xhediku/

Nën një atmosferë të shkëlqyer festive, shoqata shqiptaro-amerikane “Skënderbej” Inc. festoi 113-vjetorin e Pavarësisë. Siç dihet nga çdo shqiptar i madh e i vogël, festa më e çmuar e më e shtrenjtë, sidomos për shqiptarët që jetojnë larg Shqipërisë fizikisht, por me atdheun amë në zemër, është Pavarësia e atdheut tonë. 113-vite që nga dita ku gjaku i derdhur ndër vite kundër pushtuesit otoman kulmoi me ngritjen e flamurit në Vlorë nga Ismail Qemali. Në një sallë të zbukuruar me dekor kuqezi, por edhe me veshje kuqezi anëtarë të shoqatës shqiptaro-amerikane “Skënderbej”, të ftuar nderi e miq të shoqatës festuan këtë festë madhështore për të gjithë shqiptarët anembanë botës. Moderatorja e programit znj. Alketa Veshi i ftoi të pranishmit për ekzekutimin e dy himneve atij amerikan e shqiptar.

Fjalën e rastit e mbajti kryetari i shoqatës shqiptaro-amerikane “Skënderbej” Inc, z. Imer Laçaj, i cili duke i falënderuar të gjithë për pjesëmarrjen dhe duke u uruar festën foli për rrjedhën historike të Shqipërisë “Historia na dëshmon se flamuri kuqezi me shqiponjën dykrenare u ngrit për herë të parë nga heroi ynë kombëtar, Gjergj Kastriot Skënderbeu, më 28 Nëntor 1443. Ai së bashku me ushtarët e tij çliroi Krujën dhe ngriti flamurin ne kalanë e qytetit. Megjithatë, pas vdekjes së tij, Arbëria qëndroi 500 vjet e pushtuar. Pas pothuajse pesë shekujve të sundimit osman, historia nxori në skenë patriotin dhe diplomatin e shquar shqiptar, Ismail Qemalin. Më 28 Nëntor 1912, në Vlorë ai ngriti përsëri flamurin kuqezi duke shpallur “Shqipërinë të lirë e të pavarur duke i dhënë fund sundimit osman njëherë e përgjithmonë dhe vënë themelet e ndërtimit të shtetit të pavarur shqiptar”.

Më pas fjalën e mori Dr. Pashko Camaj, sekretar i konfederatës panshqiptare “Vatra” i cili u shpreh: “Është nder dhe krenari të jem sot së bashku me ju të festojmë këtë ditë të madhe e të shenjtë ditën e Pavarësisë, ditën e Flamurit tonë kombëtar dhe ju përgëzoj në emër të konfederatës panshqiptare “Vatra”, kryesisë së saj dhe në emër të gjithë vatranëve, përgëzojmë kryetar Imer Laçaj për punën që ka bërë në këtë shoqatë të mrekullueshme “Skënderbej” për ruajtjen e vlerave tona kombëtare”. Gjithashtu, Dr. Camaj tha që duhet të vazhdojmë t’i ruajmë vlerat tona kombëtare që të japim një kontribut dhe të lëmë gjurmë për ata që vijnë pas nesh”.

Në vijim, fjalën e mori kryeredaktori i gazetës “Dielli” që është gazeta më e madhe shqiptare në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, z. Sokol Paja. Në fjalën e tij përshëndetëse z. Paja u shpreh: “Në emër të gazetës ‘Dielli’, por edhe në emër të shkollës shqipe “Gjergj Fishta” ju përgëzoj për këtë organizim të shkëlqyer dhe qofshi të nderuar e të bekuar për jetë e mot që nderoni dhe lartësoni ditën më të shenjtë të kombit tonë daljen nga skllavëria pesëshekullore në liri. Sot ne përkujtojmë dhe nderojmë me nderim të veçantë diplomacinë dhe urtësinë e Ismail Qemalit, Isa Boletinit, Luigj Gurakuqit, Lef Nosit e shumë e shumë patriotëve të tjerë që bënë gjithçka në shërbim të bashkimit kombëtar dhe që nga ajo kohë kjo ditë ka ngelur më e rëndësishmja dhe më e shënuara ne historinë e kombit shqiptar”. Zoti Paja gjithashtu përgëzoi edhe shkollën shqipe “Skënderbej” veçanërisht mësuese Adelina Laçaj dhe stafin e saj.

Profesori Musa Limani i Universitetit të Prishtinës, i cili ka dhënë mësim në Fakultetin e Ekonomisë dhe ka bërë disa studime në Universitetin e Zagrebit përshëndeti të pranishmit gjithashtu dhe ju uroi gëzuar festën e Pavarësisë.

Znj. Drita Gjongecaj është anëtare e Këshillit Koordinues të Diasporës Shqiptare si dhe një aktiviste e shquar e komunitetit shqiptar në SHBA dhe veçanërisht në NY. Në vitin 2014 znj. Gjongecaj ka themeluar shkollën shqipe “Fëmijët e Shqiponjës” ose AADLC pjesë e një grupi pune që kanë arritur të bëjnë gjuhën shqipe, gjuhë të dytë në një nga shkollat e Bronxit. Znj. Gjongecaj theksoi “është kënaqësi të jesh mes jush sot ndërsa festojmë 113-vjetorin e Pavarësisë. Nëntori për ne është një muaj i veçantë është muaji ku historia flet më fort, sepse në të janë gdhendur momentet që na bashkuan si komb. Ky flamur kuqezi është zemra jonë kolektive një simbol që na bashkon me Shqipërinë në Kosovë e kudo në vendet shqiptare e në diasporë. Po më 22 nëntor 1910 u konsolidua alfabeti i gjuhës shqipe, në këtë datë ne festojmë Ditën e Alfabetit që është themeli i gjuhës sonë të përbashkët në këtë datë të vitit 1908 Kongresi i Manastirit u dha shqiptarëve alfabet të njehsuar dhe na mësoi se dhe në kohë të vështira e dimë që kemi gjuhën tonë për të qenë të bashkuar, por nëntori ka dhe një festë tjetër që e kremtojmë në Shtetet e Bashkuara është festa e Falënderimeve. Dua të ndaj pse jemi veçanërisht mirënjohës sot. Në emrin e anëtarëve të shoqatës dygjuhësore dhe shkollës shqipe “Children of the Eagle” dua të shpreh mirënjohjen për faktin që te shoqata “Skënderbej” kemi gjetur një partner që janë edhe miq duke na dhënë hapësirë, bashkëpunim dhe zemër.

Programi arriti kulmin kur grupi artistik “Skënderbej” me pjesëmarrjen e veçantë të balerinit të mirënjohur shqiptar, Klevis Tafaj, interpretuan një kolazh të zgjedhur me kërcime nga treva të ndryshme të atdheut tonë. Ata qëndisën, ngritën e valëvitën flamurin tonë shqiptar. Për këtë performancë grupi artistik “Skënderbej” u përgatit për ditë me radhë nga dy mësueset e shkollës shqipe “Skënderbej” Adelina Laçaj e Gela Bulku. Nxënësi Kelvin Rustani recitoi vargje të zgjedhura nga poema “Bagëti e Bujqësi”. Festa vazhdoi nën tingujt e bukur të muzikës shqipe e nën trokitjen e gotave të verës. Shoqata shqiptaro-amerikane ju uron: Gëzuar 28 Nëntorin e qofshin gjithmonë të bekuar e të lirë shqiptarët kudo që ndodhen.

Filed Under: Komunitet

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 129
  • 130
  • 131
  • 132
  • 133
  • …
  • 2860
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Ushtria Çlirimtare e Kosovës lindi në një moment historik për t’i dalë zot Kosovës
  • THE CANBERRA TIMES (1971) / PRIMITIVIZMI DHE ZYMTËSIA E MBAJNË SHQIPËRINË TË MBËRTHYER
  • Nga Galeritë e Trepçës te Pavarësia e Kosovës – Shkurti 1989 si akti i parë i shtetësisë
  • Libra nga autorë të Kosovës, me banim në Londër, bëhen pjesë e projektit mësimdhënës nga mësuese Anila Kadija
  • Fundi i një procesi ku po gjykohet liria, që do mbetet plagë politike e Kosovës
  • NJË STUDIM ME VLERA PËR HISTORINË E KOSOVËS, FEDERATËS “VATRA” E GAZETËS “DIELLI”
  • Lef Nosi (9 prill 1877 – 13 shkurt 1946), Monument i vlerave kombëtare
  • VATRA APEL PUBLIK DREJTUAR KOMUNITETIT SHQIPTARO-AMERIKAN
  • Please join the Albanian American community in celebrating the 18th Anniversary of Kosova’s Independence at New York City Hall
  • VATRA TELEGRAM URIMI QEVERISË DHE PARLAMENTIT TË KOSOVËS
  • Reçaku, një histori e dhembjes, sakrificës dhe ngadhënjimit mbi vdekjen
  • Një shqiptar kandidat për Asamblenë e Shtetit të New York-ut, Shpetim Qorraj: “Dua të jem zëri i fortë i qytetarëve të Distriktit 64”
  • Job-i biblik dhe romani « Brenga » e Pashko Camaj
  • Komuniteti shqiptaro-amerikan kërkon drejtësi
  • Urgjenca dhe Protesta si regjim. Pse ritmi i revoltës prodhon pushtet, jo ndryshim?

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT