• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

HISTORI “RRUGËTIMI” I ISMAIL VLORËS DHE FAMILJES VLORA, NGA PERANDORIA TURKE-OSMANE TE SHPALLJA E PAVARËSISË SË SHQIPËRISË!

November 18, 2023 by s p

NGA NDUE  BACAJ         

HYRJE:  

Për të përkujtuar sadopak me pendën time, shpallësin e pavarësisë së Shqipërisë,  (28 nëntor 1912) mendova që perveç shkrimeve të tjera  me histori patriotike e glorifikuese të shpallësit e shpallësve të pavarësisë, të shkruaj edhe “diçka” nga historia e “rrugëtimit” të  familjes “Vlora” dhe birit të saj Ismail Vlora nga perandoria Turke-Osmane te pavaresia e Shqipërisë. Si çdo histori “rrugëtimi” e familjeve të mëdha shqiptare , edhe te familja “Vlora” dhe Ismail Vlora ka jo pak  dritë e hije nën perandorinë pushtuese turke-osmane të cilës i sherbyen dhe për këtë u shperblyen me grada e ofiqe, por edhe u persekutuen sa herë ngritën krye në mbrojtje të të drejtave të Shqipërisë e Shqiptarëve… Akti i shpalljes së pavarësisë nga Ismail Vlora me shokët e tij të shqiptarisë, kryesimi i Qeverisë dhe themelimi i shtetit të parë të pavarur shqiptar pas rreth 450 robëri Turke-Osmane, tregon se drita e patriotizmit të Familjes Vlora e veçanarisht e Ismail Vlorës , dominon dukshëm  mbi hijet e sherbimit ndaj perandorisë turke-osmane…. 

FAMILJA “VLORA” NËN PERANDORINË TURKE-OSMANE. 

Si themelues i familje VLORA, njihet Sinan Pashë Vlora, (1455 – 1505). Më 1481, ai ishte admiral i Madh dhe Kapedan i deteve, ish-Vezir i Madh i Perandorisë Osmane. Sipas Ismail Qemalit (Mahmudit), familja “Vlora”, falë prejardhjes së lashtë dhe karakterit të veçantë gjeografik të vendit ku kishte influencë e pushtet, ka ushtruar në të gjitha kohërat një ndikim shumë të madh në punët dhe fatin e Shqipërisë. Për mëse katër shekuj familja jonë ka gëzuar respekt të lartë nga Perandoria Osmane, ndonëse herë pas here edhe ka vuajtur së tepërmi nga mbrapshtitë, tirania dhe tekat e sundimtarëve absolut osmanë”.1. Por familja “Vlora” ishte ndër shekuj edhe një nga familjet më besnike të perandorisë   Turke-Osmane , e për rrjellojë  edhe ndër më të pasurat dhe më të shperblyerat me grada, tituj e ofiqe turko-osmane. Sarajet e Vlorajve ishin të njohura jo vetem  në Vlorë , por edhe sarajet e Vlorajve të lagjes Pera të Stambollit e më gjërë.. Hierarkia e familjes Vlora në sherbim të shtetit turko-osman është shumë e hershme (siç shkruam më sipër), por në këtë portret pa “censurë”, mendova të cilësoi një “sherbim” të madh “konkret” të familjes “Vlora” të vitit 1571, kur në betejen (detare) antiosmane të ushtrive kristiane në Lepanto shquhen si luftëtar të mëdhenjë  Osman , Kara Sinan Ahmet  Pashë Vlora dhe Ali bej  Vlora.  I pari shperblehet  nga perandoria turke-osman me ofiqin e qeveritarit  sanxhakbej i Vlorës, ndërsa i dyti me titullin “bej”që sillte nderime e pasuri…2.  Gjithsesi vite e shekuj kaluan dhe familja “Vlora” u  rritë  me pasuri e ofiqe të shtetit Osman , gjë që kishte sjellur edhe smiren e shtetareve e pushtetareve të tjerë (lokal e qendror) Osman , ndaj në vitin 1820 gjyshit të  Ismail  Vlores i presin kryet me akuzen e një rebeluesi , që në fakt ky ishte “thjeshtë” kurbani i radhes i “smirës” turko-osmane , për të bërë zap hierarket dhe familjet e mëdha që kishin “lulëzuar” në prehrin e Stambollit. Pas kësaj edhe babai i Ismailit, (Mahmudi), u persekutua , duke e internuar e shpronsuar , gjë që zgjati për pak vite, dhe pas kësaj ju rikthyen privilegjet dhe pjesa më e madhe e pasurisë..3.  

HISTORI NGA JETËSHKRIMI I ISMAIL MAHMUD VLORËS !

Ismail  Vlora lindi me 16 janar të vitit 1844 në familjen “VLORA”, me baba Mahmudin (nga Vlora) dhe nënë Hedijen nga Gjirokastra.  Ismail Qemali fillimisht u diplomua në gjimnazin Zosimea në Janinë dhe  më pa u arsimua në Paris për Shkenca Juridike dhe Ekonomike. Me këtë edukim ai ishte një nga më të arsimuarit në administratën turke të asaj kohe. Ismail Qemali njihej dhe si një poliglot, një armë që atij i shërbente në të gjithë aktivitetin e tij politik për çështjen shqiptare. Ai njihte shkëlqyer gjuhën shqipe, osmanishten, turqishten e re, greqishten e vjetër, latinishten, italishten dhe frëngjishten.4.  Karieren e tij Ismail Mahmud Vlora (në hierarkinë e lartë të perandorisë turke-osmane), e filloi  kryetar i komisionit të Danubit  e pastaj  guvernator i Varnes… Ndërsa në vitin 1877, kariera  osmane e tij kishte një tëposhte të  vogël, por pas pak koheve Ismaili u rehabilitua , dhe  perandoria osmane i beson  detyra të rendesishme në Gallipoli, gadishulli strategjik  buzë Dardaneleve. Ndërsa në vitet 1891-1892 Ismail Vlora bëhet guvernator i pergjithshëm  në Bejrut.. Për hirë të vertetes vlen të kujtohet se edhe në vitin 1900 kishte një tjeter “krisje”  në karieren  e  Ismailit , ku deri sa u “qetësua” situata  ky ishte strehuar në ambasaden angleze në Bosfor… Por  me gjithë këto “krisje” veprimtaria e Ismail  Mahmud  Vlorës  në favor të shtetit Osman,  kishte qënë gjithnjë e vlersuar dhe shperblyer nga perandoria dhe sulltanet e saj.  Për të vertetuar ketë po kujtoj se vetëm në arkivin e familjes “VLORA” në Itali ruhen gjashtë fermane të firmosura  nga  Sulltani Abdyl  Hamiti II ,gjatë viteve  1885-1900 , ku për Ismail  bej  Vloren shkruhet me konsideraten më të lartë  per kryerjen e detyrave  që ja kishte ngarkuar shteti Osman. Madje në këto fermane qartësohet se perveç titullit bej të trashiguar , i jepej edhe titulli “QEMAL”, që do të thotë (në osmanisht..) i shkleqyer , shkelqësi apo i ndritur , titull që më pas  i  zevendeson emrin e babes, duke e “quajtur “ jo më Ismail Mahmud bej Vlora , por  Ismail Qemal bej Vlora… Nga kjo familje e madhe dallohet për një kariere  të pasur në favor të perandorisë Osmane  edhe  djali i xhaxhait të Ismailit, Mehmet Ferit  Pash Vlora  , i cili kishte qënë kryetar i senatit Osman , si dhe vezir i madh i perandorisë turke-osmane në vitet 1903-1908.. Gjithashtu  Syrja bej Vlora që ishte i njohur e respektuar në Stambollë për inteligjencen , pasurinë  dhe sherbimet ndaj perandorisë, edhe ky ishte djali i  xhaxhait të  Ismailit… Zgjedhjet e vitit 1908  e bënë Ismail  Vloren kreun e një grupi deputetesh  shqiptar  në parlamentin Osman. Ai u bë kundershtar  i  xhonturqeve  dhe kjo i  krijojë mundësi që me 13 prill 1909 Ismail bej Vlora të bëhet figura kryesore e politikes turke .  Kjo ndodhi pasi repartet e ushtrisë në Stambollë u rebeluan kundër turqeve të rinjë, të cilet u larguan perkohësisht… Në këtë kohë  Ismail  Vlora u zgjodh  perkohësisht Kryetar  i  Kuvendit Turko-Osman.  Gjatë ditëve që mbajti këtë post  Ismail  Vlora u takua në një atmosferë të perzemert me sulltanin Abdyl  Hamiti II.. Kur  xhonturqit (“turqit e rinjë”) e rikthyen situaten në favorin e tyre  Ismail  Vlora mbeti thjesht deputet i Vlores…Kur  në trojet e Malesisë së  Madhe e më gjërë krisi pushka e kryengritësve kundër turko-osman (1911) , Ismail  Vlora  nuk bëri shurdhin , por i dëgjoi këto krisma , duke ardhur  të  takohej me udhëheqësit malësor të kësaj kryengritje Dedë Gjon Lulin. Edhe në Kuvendin e Greçës (10-23 qershr 1911) , Ismail Qemali në pamundësi për të marrë pjesë vet, ngarkon si perfaqësues të tij Sali Hoxhë Hidrin nga Elbasani… Ismail  Vlora për takimet e tija me udhëheqësit e kryengritjes antiotomane (1911), shkruan: “Në verën e vitit 1911 shkova në Cetinë për t’u takuar me krerët e Malësisë, të cilët ishin strehuar në Mal të Zi…Dëshiroj t’i shpreh mirnjohjen time Kral Nikollës, i cili më ndihmoi që të kryej këtë detyrë duke më pritur miqësisht dhe njerëzisht”.5. Ndërsa për kryengritësit malësorë Ismail Qemali do të thoshte: “Trima malësorë-shqiptarë që i zbardhen faqen Shqipërisë për gjithë jetën”.6.  Ismail  Qemali duke u mbeshtetur në  memorandumin autonomist  të Greçes 23 qershor  1911, nga fundi i këtij viti i kërkon parlamentit  turk  që në Shqiperi të bëhën reforma  dhe  shqiptarët të kenë një autonomi substanciale  nën kujdesin e “Portes së Lartë”… Ismail  Vlora  tashma duke parë  fundin e perandorisë turko-osmane , shprehte pa mendyshje  dhimbjen e tij të madhe  per shkatërrimin e pashmangeshem të perandorisë për të cilen kishte punuar  pa lëkundje per  ruajtjen e saj…7. Me këtë rast po vëmë në dukje  se Stambolli edhe pse në krizë ende kishte besim te “biri” i saj i shkelqyer (Qemal) , ndaj në vitin 1912  veziri i Madh Qamil  Pasha i propozonte  Ismail  Vlores  postin e kryetarit të Keshillit të Shtetit Osman. Për këtë post të ofruar Ismail  Vlora  thoshte se do ta kisha pranuar me deshirë , por tani është vonë…8.  Ndërsa në intervisten tjetër të dhënë  po gazetes austriake  “Neue Freie Presse” me daten 11 nentor 1912  do të deklaronte se shqiptarët vazhduan ta duan Turqinë , dhe nuk ju  bashkuan  shteteve  ballkanike  kur mësuan atë që po ndodhte , pasi shpresonin se Gazi  Muhtari (ish veziri i madh) dhe Qemal  Pasha  do të ndiqnin një kurs të ri në Shqiperi…9.  Po kjo gazetë  (Neue  Freie Presse), qe ishte thuajse qeveritare (Austrohungareze) me daten 14 nentor 1912 shkruante se… fuqitë europiane  kanë perqafuar pikpamjen e shprehur  me forcë nga Austro-Hungaria  dhe të mbështetur  nga Italia e Gjermania,  se Shqiperisë duhet  ti  jepet  PAVARESI, ndaj shqiptarët të inkurajohen  të shpallin  jo autonomine , por pavaresinë…10.  Vlen të theksohet se gjatë këtyre ditëve  protagonist i mbeshtetjes të shqiptareve për pavaresi kishte qënë  ministri i jashtëm i Austro-Hungarise , konti  Leopold  Berchtold .. Në një takim të  Ismail  Vlores me kontin Berchtold , kur po diskutohej shpallja e pavarësisë së Shqiperisë , Ismaili Qemali i thotë (me diplomaci) Berchtoldit ; mirse flamurin e kam , por nuk kam shtizen ku ta naltoj , dhe flamurin pa shtize  e merr çdo erë që frynë.  Atëherë Berchtoldi i pergjigjet , per shtizen e flamurit shqiptar keni bajoneten Austriake..11.   Meqense Ismail Vlora nuk e zotronte gjermanishten, dhe duke qënë se kryesonte lëvizjen patriotike shqiptare për pavarësi, kur kishte shkuar në Vjenë për me ba bisedime në ministrinë e jashtme , thirren një përkthyes. Përkthyesi më i mirë që Austria çmonte asokohe ishte  Pater Anton Harapi, (studimet në filozofi e teologji i kishte krye në Austri), dhe kështu Pater Antoni mori pjesë në bisedimet ndërmjet Austrisë edhe delegacionit shqiptar të kryesuem prej Ismail Vlorës. Jo vetëm kaq, por ai e shoqëroi delegacionin shqiptar në nisje për në Durrës prej limanit të Triestës.12.  Ismail  Vlora pas ketij takimi (që nuk kishte qënë i pari) me ministrin e njëres nga perandoritë më të fuqishme të Europes së kohës , thotë se ndërroj perfundimisht mendje se Shqiperia duhej të shpallte pavaresinë dhe jo autonominë, siç e kishte menduar kur ishte nisur nga Stambolli për të ardhur në Vjenë… Me datën 18 nëntor 1912 (pas takimit me ministrin e jashtem të Austro-Hungarisë) , sapo doli nga takimi ku kishte marrë garancinë  e njohjes së shpalljes së pavarësisë së Shqipërisë nisi për në Shqiperi një telegram (të publikuar nga Lef  Nosi), me fjalet: “ E ardhmja e Shqipnisë  asht sigurue…”. Sic shihet telegrami eshte shkruar në gegnisht , gjë që tregon se është bërë nga Luigj  Gurakuqi apo… , që e   shoqëronin  Ismail  Vloren ne takimet  nëpër Europë e veçanarisht në ato me Vjenen zyrtare..(Siç dihet Ismail Vlora ishte zgjedhur në krye të kesaj axhende shqiptarie edhe në respekt të komunitetit musliman që perbënte shumicën e popullsisë së Shqiperisë). Është pikrisht Austro-Hungaria që Ismail  Vlorës së bashku me 14 veprimtar të tjerë, të çeshtjes shqiptare u vë në dispozicion një nga  anijet më të mira të Llojdit “Austriak”… Mbasi për historinë e këtij  udhtimi është shkruar shumë , po kujtoj vetëm se rrethanat historike penguan shpalljen e pavaresisë se Shqiperisë  nga Durresi dhe favorizuan shpalljen e pavaresisë me 28 nentor 1912 nga Vlora  pesemijë- banorëshe.. Kur u shpall pavaresia  nuk kishte asnjë km2 Shqiperi pa pushtues (serb, malazez, grek e turq,..). Edhe në vendin ku u shpall pavaresia gjindeshin reparte  ushtarake turke. Zona që mund të quhej se “shijojë” shpalljen e pavaresisë nuk i kalonte pesëmijë km2 dhe ishte në “sehirllekun” e ushtrisë së falimentuar turke … Megjithë këtë, akti i shpalljes së pavarësië bënte fjalë për të gjitha trevat shqiptare. Në këtë akt hynte Kosova, një pjesë e Maqedonisë, Çamëria dhe pjesa që u shkëput më vonë nga Mali i Zi…13.  Në perkujtim e nderim të ditës së shpalljes së pavarësisë mendova të publikoj të plotë fjalën e Ismail Qemalit në mitingun e madh të mbajtur me me rastin e shpalljes së pavarësisë së Shqipërisë dhe ngritjen e flamurit kombëtar me 28 nëntor 1912 në Vlorë:  

VËLLEZËR  SHQIPËTARË!

Oh, Sa të lumtur që e e ndiej vehten sot, që shoh këtu në Vlorë , kaq burra shqiptarë të mbledhur tok, duke pritur me kureshti e padurim përfundimin e kësaj mbledhje hstorike, për fatin e Atdheut tone të dashur.  Plotme gaz e me lot ndër syn ga mallëngjimi , pra po dal këtu para jush që t’ji gëzoj me sihariqin e madh , se sot, edhe këtë minut, kongresi (kuvendi) shpalli mvehtësinë e Shqipërisë, duke lajmruar gjithë botën mbarë për këtë punë e duke më ngarkuar mua kryesinë e qeverisë së përkohshme të Shqipërisë së lirë. Porsi ëndërr më duket ky ndryshim i madh i vendit tone, që hoqi e vuejti të zezat e ullirit pesëqind  vjet me radhë ndënësundimin turk, por që tani kohët e fundit, ishte gati të jepte shpirtin përgjithënjë, të shuhej e çfarosej krejtësisht nga faqja e dheut, kjo Shqipëri që dikur shkëlqente nga trimëria e pashoqe e bijve të saj;  kjo Shqipëri që kur i kërcënohej rreziku Europës nga pushtimet e Turqisë, ndënë kryetrimin e pavdekshëm të saj, Skënderbejnë, u bë porta e hekurt kundër sulmeve më të tërbuara të sulltanëve më të egër që ka pasë Turqija.  Mirpo, desh  Zoti, që me punën, me trimërinë dhe guximin e pashoq të Shqiptarëvet, sot e turje të marrin fund mjerimet dhe vuajtjet e Atdheut tone, sepse, këtu e kështu , jemi të LIRË të PAVARUR dhe MËVEHTE, prandaj qeshni e gëzoni. 

Për t’ia arritur kësa dite të bardhë e të madhe, na ka ndihmuar gjaku i dëshmorëvet dhe puna e vlefshme e patriotëve tanë dhe e të atyre që muarën pjesë në këtë mbledhje dhe e të gjithë juve, që tani po ju gufon zemra nga gazi i madh që ndieni;  mirpo mbledhja sim ë plak që jam, ma ngarkoi mua, Ngritjen e shenjtë të shenjës tonë Kombëtare, të flamurit tone të ëndërruar e të dashur (njerrë flamurin, të cilin e ka vendosur në një shizë hekuri, natyrisht të vogël dhe të fhaehur nën pallto, dhe pasi e mbanë një ekond në dorë e ngulë në shtyllat e ballkonit. Të pranishmit, porsa e shohin  Flamurin , thërrasin me gëzim e me zë të lartë: Rroftë Flamuri,  Rroftë Shqipëria e Lirë).  Ja, pra, ky është flamuri ynë i kuq e me shqiponjës dykrenare të zezë në mes. Dhe tani, të gjithë bashkë, si një trip i tërë dhe i pandarë, le të punojmë për t’a mburuar, pë t’a përparuar e për t’a qytetëruar si i ka hije Atdheut tonë të Lirë.

Duke përfunduar, s’më mbetët gjë, veçse t’i dërgoj një lutje Zotit të Madh, që bashkë me bekimet e Tij, të na  japë për të qenë të denjë të kësaj dite, të pranojë që këtej e tutje që të jem unë dëshmitari më i parë i Atdheut, ashtu siç pata nderin dhe fatin që të jem i pari ta puthë e ta bëjë të valvitet i Lirë, Flamuri ynë, n’atdheun tone të lirë. Rroftë Flamuri,  Rroftë Shqipëria.14.  

Në këto kushte të vështira u  formua edhe qeveria shqiptare (e pavaresisë) me kryetar Ismail Vlorën dhe N/Kryetar Dom Nikollë  Kaçorrin… Pas shpalljes së pavarësisë së Shqipërisë, kur Dedë Gjon Lulit iu dha mundësia  të shkoi në Vlorë, e të takoi shpallësit e pavarësisë, Ismail Qemali pas takimit  do të deklaronte se: “Dedë Gjon Luli është pushkë e ngrehur për Shqipërinë”.15.  Ismail  Vlora qëndroi si kryeminister i Shqiperisë deri me 22 janar 1914, (12 muaj e 56 ditë), kur dha dorheqjen…Gjatë qëndrimit si kryetar i qeverisë Ismail Qemali ka një aktivitet me vlera kombëtare e ndërkombëtare të rëndësishëm. Nga ky aktivitet mendova të “shkëpus” fare pak me këtë “rast”: 

Dokumenti nr.265, i datës 2 janar  1913 jep të plotë memorandumin e qeverisë së Vlorës paraqitur sër Eduard Greit , ku ndër të tjera mendova të citoj: “Të nënshkruamit e Qeverisë së Përkohshme të Shqipërisë kanë nderin  t’i paraqesin mbledhjes së Ambasadorëve të Fuqive të Mëdha në Londër pikpamjen shqiptare për të njohur kerkesat ligjore të Shqipërisë. Është fakt historikisht i pranuar se populli shqiptar formon grupimin etnik më kompakt, më homogjen e më të rëndësishëm të gadishullit Ballkanik. Raca e gjuha e tij, zakoni e karakteri i tij e shquajnë kryekput nga kombet e tjera që e qarkojnë dhe ia japin atij tamam këtë individualitet, për hirë të cilit ai ka ditur t’u bëjë ballë të tëra përpjekjeve të asimilimit…. Populli shqiptar ka vuajtur nën sundime të huaja. Ai ka bindjen se e meriton të radhitet ndër kombet e perendimit…. Shqipëria është plotësisht e vendosur të bëhet një element ekuilibri e paqeje në gadishullin e Ballkanit. Por për të përmbushur këtë detyrë nevoitet homogjeniteti i tij kombëtar…. Sot zgjidhja përfundimtare e problemit ballkanik ngrihet me forcë, populli shqiptar nuk do të duroj që të drejtat e tij të jenë pjesërisht të sakrifikuara e që e ardhmja e pavarësisë së tij të jetë ndërtuar mbi baza pak të qëndrueshme…. Pra nuk mund të vendoset paqja e plotë në gadishull derisa kufijët që janë njohur çdo etniteti politik s’do të jenë bazuar në vijat kufitare  gjeografike e etnografike të çdo shteti. Fara e grindjes dhe turbullimit do të mbetet gjithmonë e gjallë  kur të vihen nën një pushtim të huej toka të banuara me shumicë ose krejtësht prej popullsisë shqiptare…. Kufijët që kërkojmë ne janë këta: duke ndjekur një vijë demarkacioni, nisur nga kufijët e sotëm të mretërisë malazeze që përfshijnë veçanarisht, me gjithë hiderlandet përkatëse, qytete e Pejës, Mitrovicës, Prishtinës, të Shkupit e të Manastirit deri në Meçovë, duke u shtuar këtyre kufijjve , kufijët e sotëm deri në Prevezë….”.  Memorandumi u paraqitur nga delegatët shqiptar Rasih Dino, Mehmet Konica, Filip Noga.16.   Qeveria e Vlorë me në krye Ismail Qemalin ka edhe mjaftë  telegrame e komunikime të vazhdueshme me faktor të rëndësishëm kombëtar e ndërkombëtar dhe autoritetet e prefekturave shqiptare nga jugu në veri dhe nga perendimi në Lindje, të cilat i njoftonte për situaten dhe vendimet e konferencës së ambasadorëve në Londër, si dhe pergatitjet që duhen bërë pë çdo situate. Gjithashtu edhe autoritetet e Prefektuarave njoftonin për çdo situat të krijuar në prefekturat e tyre, si dhe gatishmerinë pë t’iu përgjigjë detyrave që do t’u ngarkonte qeveria… Letrat, telegramet dhe komunikimet e derguara nga qeveria e Vlorës me në krye Ismail Qemalin, autoriteteve të prefekturave dhe autoriteteve të huaja e anasjelltas janë të shumta dhe gjinden të shkruara në Permbledhje dokumentesh të Ismail Qemalit…  Me gjithë përpjekjet e Qeverisë së Vlorës dhe shqiptarëve kudo që ndodhen, Konferenca e Ambasadorëve të Londrës mori vendimet e padrejta e antishqiptare, ku brenda kufijve, të shtetit shqiptar u përfshi vetëm afërsisht gjysma e trojeve dhe e popullsisë (rreth 28 mijë km2 me një popullsi prej 740 mijë banorë), kurse gjysma tjetër mbeti jashtë kufijve shtetrore duke u shkëputur në mënyrë arbitrare nga trungu i atdheut. Populli shqiptar dhe qeveria kombëtare e Vlorës, që kishin ndjekur me vëmendje e shpresa punimet e Konferencës së Amabasadorëve, pritën me zemrim të thellë vendimet e saj për coptimin e rëndë të Shqipërisë. Ata nuk u pajtuan me to dhe aty ku pati mundësi, si në Vlorë, në Shkodër  e qytete të tjera si dhe në kolonitë shqiptare të mergimit u organizuan mitingje e manifestime proteste. Që në pranveren e vitit 1913, vetë kryetari i qeverisë, Ismail Qemali, së bashku me Luigj Gurakuqin dhe Isa Boletinin ndërmoren një udhëtim në Romë, në Vjenë, në Paris dhe në Londër për të njohur të drejtat e popullit shqiptar…17.   

“HISTORI” PËR SHKAQET E DORHEQJES TË ISMAIL QEMALIT: 

Shkaqet e dorheqjes me 22 janar 1914 ishin me “shumë hije” e pak lavdi… Ismail Qemal Vlora  u akuzua si  i implikuar në tentativen që xhonturqit ndërmorën për të vendosur princin turk , Ahmet  Izet Pasha në fronin e Shqipërisë. Për këtë gjë ishte  paditur  nga kushriri i tij Syrja bej Vlora në Komisionin Ndërkombetar të  Kontrollit , që kryesohej nga oficer hollandez… Me 7 janar oficeri xhonturk me origjinë shqiptare  Beqir  Grebeneja , i cili kishte marrë persiper realizimin e vendosjes  së princit turk në fronin e Shqiperisë , sapo mbërriti në Vlorë  u arrestua nga oficerët hollandez të  KNK-së , ndërsa ushtarët dhe oficerët që ndodheshin në anije nuk u lejuan të zbrisnin…Në gjyq oficerët turq  dekleruan se kishin ardhur në Shqipëri me miratimin e kryetarit  të qeverisë  së perkohshme , per të mbështetur kandidaturen  e Ahmet Izet Pashes  për fronin  shqiptar të princit. Pra marshalli (Beqir Grebeneja N.B.) sipas këtyre oficerve turq kishte vepruar në marreveshje të plotë me Ismail Qemal Vloren…18.  Ndërsa vet Beqir  Grebenes ju gjeten 35 telegrame të cilat pasi u zbërthyen dhe vlersuan nga Komisioni Nderkombetar i Kontrollit , u  vertetua  se  Ismail  Vlora ishte  implikuar… Shkelqësia e këtij beu (Ismail Vlorës) do të shkonte në Europë  dhe do të bisedonte  me Ahmet  Izet Pashen  në një qytet të vogel….(të panjohur) dhe do të lajmronte datën e nisjes .. Por siç  kuptohet, kur ata u binden se naltësia e tij Princ Vidi do të vinte patjeter në fronin e princit shqiptar , është hequr dorë  nga ky takim dhe është  filluar nga veprimtaria…19.  Edhe konsulli bullgar në Vlorë ,  Pavllovi  informonte ministrinë e tij të jashtme , se Ismail  Vlora është kompromentuar sonte , ndaj i ka paraqitur  KNK-së  dorheqjen e cila është pranuar..20.  Edhe “historiani” Arben  Puto e pranon disi këtë variant të implikimit të Ismail  Vlores, kur shkruan se KNK-ja  gjeti në komplotin  e Beqir  Grebenes  një pretekst me anë të cilit  e detyruan Ismail Vloren të japë dorheqjen..21. –Ismail Qemali u akuzua edhe se ai ideoi pas pavarësisë ndarjen e Shqipërisë në kantone,  një model si Zvicra. Por sipas njerëzve që e hodhën këtë akuzë, kjo do të bënte që fqinjët ta kishin më të lehtë ndarjen dhe copëtimin e Shqipërisë.22.  Ismail Qemali pas largimit nga Shqipëria e kalonte kohën duke u marrë ma shumë se me çdo gjë  me intervista nëpër medie të shkruara europiane…Vlen të shënohet se Ismail Qemal Vlora edhe pse kishte vite që e kishte lënë qeverisjen e Shqipërisë, komuniteti i fuqishëm shqiptar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe “VATRA”, e kishin caktuar për të perfaqësuar ata dhe Shqipërinë në Konferencen e Paqes në Paris. Patrioti 75 vjeçar u nis me vendosmeri të “parashtronte në Konferencë  kerkesat dhe të drejtat e Shqiperisë”, por Gjatë rrugës, në Peruxhia -Itali, ai pësoi një hemoragji dhe vdiq më 24 janar 1919…23.  

ISMAIL VLORA  DHE FAMILJA E TIJ…! 

 Ismail Qemali u martua dy herë dhe në të dy rastet me shtetase greke. Për herë të parë me një vejushë nga Konica, me të cilën nuk pati fëmijë, pasi vdiq gjatë lindjes së bashku me vajzën. Ndërsa për herë të dytë u martua në vitin 1886, me Kleoniqi Surmeli, vajza e një fisniku grek…. Nga martesa e dytë Ismail Vlora pati nëntë  fëmijë, tre vajza dhe gjashtë djem. Vajzat quheshin Myvedet, Alije, Ylvie. Ndërsa djemtë ishin Mahmud Bej, Tahir Bej, Et’hem Bej, Xhevdet Bej, Qazim Bej dhe Qamil Bej…Qamil bej Vlora (1895-1950) ishte djali dhe fëmija i fundit i Ismail Qemalit. Qamili ishte i vetmi djalë i Ismail Vlorës që nuk u largua nga Shqipëria. Edhe pse nuk u mor me politikë më 1946, pasi nuk pranoi bashkëpunimin me regjimin komunist, u arrestua me pretekstin “armë mbajtje pa leje”, pasi iu gjet një revolver, më shumë antik sesa funksional. Në burg u sëmurë nga turbekulozi dhe vdiq në moshën 55-vjeçare…24.  Megjithë këtë akti patriotik i shpalljes së pavarësisë nga Ismail Vlora (me shokët e tij të shqiptarisë), kryesimi i Qeverisë dhe themelimi i shtetit të parë të pavarur shqiptar pas rreth 450 viteve robëri Turke-Osmane, janë vepra patriotike të pavdekshme të Ismail  Vlorës… 

REFERENCAT: 

1.https://telegraf.al/dosier/familja-vlora-afro-350-vjet-ka-qeverisur-vloren/28 Nëntor, 2014.  

2.Darling Vlora ; Ismail Qemal Vlora , para-ardhesit dhe pasardhesit ,Tirane 13997. 

3.Darling Vlora, Ismail Qemal Vlora , para-ardhesit dhe pasardhesit ,Tirane 1997. 

4.https://www.kultplus.com/trashegimia/50-fakte-qe-nuk-dinit-nga-jeta-e-ismail-qemalit/-02 shtator, 2017. 

5.Gjergj Nikprelaj, Kryengritja e Malësisë e vitit 1911, fq.185-187, Gjonlekaj  Plublishing Co. New York 2004.

6.Koli Xoxe, “Ismail  Qemali”, fq.201, Tiranë 1983. 

7.Interviste  e  dhene gazetes , ” Neue Freie Presse”,date 8 nentor  1912  nga I. Vlora. 

8.Interviste e dhene nga    I. Vlora ne “The Christian Science Monitor “ te dates 18 mars 1916. 

9.Neue Freie Presse” me daten 11 nentor 1912. 

10.Neue  Freie Presse  e datës 14 nentor 1912.  

11.At Zef Pllumi , Rrno vetëm për me tregue  fq.410, sh,b.”55”, Tiranë 2006. 

12.At Zef  Pllumi, Histori kurrë e shkrueme, fq.517, sh.b.”55”, Tiranë 2006.

13.https://www.kultplus.com/trashegimia/50-fakte-qe-nuk-dinit-nga-jeta-e-ismail-qemalit/-02 shtator, 2017. 

14.AQSH I RPSSH F.245/II. D.1.  F.43 (kopje shqip), Ismail  Qemali, Përmbledhje dokumentesh, fq.231-232, perg. nga Teuta Hoxha, Tiranë 1982.   

15.Pandi  Rrumbullaku , Dedë Gjon Luli, pushkë e ngrehur për Shqipërinë, gaz. Luftëtari, dt.25 shtator 1980. 

16.Më gjërsisht shih-ISMAIL QEMALI-Përmbledhje dokumentesh 1888-1919, fq.282-285.  perg. Nga Teuta Hoxha, Tiranë 1982.   

17.Histori e Popullit Shqiptar, për shkollat e mesme, Hartuar nën drejtimin e Innstitutit të historisë të Akademisë së shkencave të Rep.Shqipërisë, fq.140, viti i parë i botimit “Eurorilindja”, Tiranë 1994.

18.Eqerem bej  Vlora ,Kujtime 1885-1925, fq.356,  botim i shtepisë se librit e komunikimit ,Tiranë 2003. 

19.AQSH ,Fondi 56 viti 1914 ,dos.30 ,f.24 ,leter e Syrja bej  Vlores derguar djemve të tij.. 

20.Dok. Bullgare. AIH,A-IV-271 f.23..  

21.Arben  Puto ,Pavaresia  shqiptare në tryezat e diplomacies 1912-1914, fq.219-220 ,Tirane 2007. 

22.https://www.kultplus.com/trashegimia/50-fakte-qe-nuk-dinit-nga-jeta-e-ismail-qemalit/-02 shtator, 2017. 

23.Gazeta Dielli, nr.5, date 25 nëntor 1988.

24.https://www.kultplus.com/trashegimia/50-fakte-qe-nuk-dinit-nga-jeta-e-ismail-qemalit/-02 shtator, 2017.

Filed Under: Opinion

SHQIPËRIA ZYRTARISHT NË KAMPIONATIN EUROPIAN TË FUTBOLLIT GJERMANI 2024

November 18, 2023 by s p

Sokol Paja/

Kombi shqiptar në festë. Kombëtarja e futbollit arriti për herë të dytë në historinë e saj kualifikimin në Kampionatin Europian të Futbollit Gjermani 2024. Një ekip i shtetit amë që është kthyer në një kombëtare të një kombi me talente prej të gjitha viseve shqiptare në trojet etnike. Kombëtarja ka bashkuar kombin. Futbolli është kthyer në promotorin më të madh ndërkombëtar të kombit tonë. “Magjistari” Sylvinho ka bërë një revolucion sportiv dhe filozofik në skuadër, ka kthyer shpresën, besimin, dinamizmin, magjinë dhe konceptet e futbollit të shpejtë, të bukur e modern. Ekipi ka pësuar një rritje të pa imagjinueshme. Një ekip i vogël që luan si një skuadër e madhe. Zemërluanët kuq e zi i treguan gjithkujt se pasioni, ëndrra, mundi e talenti e kanë gjithmonë një shpërblim. Suksesi i kombëtares ka gëzuar mbarë kombin. Suksesi historik ka ngjallur një shpresë në trojet tona. Ka frymëzuar talentet dhe kurorëzuar mundin e punën e bërë prej të gjithëve. Kombëtarja jonë është në nivele të jashtëzakonshme tekniko-taktike. Barazimi në Moldavi 1-1 që siguroi matematikisht Euro 2024 do pasohet me festën në Air Albania ndaj Ishujve Faroe. Për një kombëtare që na ka dhuruar shumë emocione, falenderim të posaçëm meritojnë dhe tifozët kuq e zi që e kanë ndjekur ekipin në çdo hap. Zoti i nderoftë djemtë tanë kuq e zi. Zoti e bekoftë kombin tonë.

Filed Under: Sport Tagged With: Sokol Paja

Françesk Solano, arbëreshi me prejardhje nga Çamëria, misionari dhe veprimtar i shquar gjuhësor dhe letrar

November 18, 2023 by s p

Françesk Solano, i cili u njoh me pseudonimin shqiptar, Dushko Vetmo bën pjesë në aradhen e gjatë të atyre veprimtarëve të shquar letrarë, të cilët zhvilluan aktivitetin e tyre në territoret italiane të banuara nga arbëreshët, gjithashtu ai pati një veprimtari intensive edhe në Argjentinë ku emigroi për 20 vite.

Dushko Vetmo, u lind më 18 nëntor 1914 në Frasnitë në krahinën e Kozencës, në një familje me prejardhje nga Çamëria. Më 1934 mërgoi në Argjentinë, si shumë kalabrezë, dhe studioi për teologji dhe gjuhë të huaja në kolegjin Klaiplos në Buenos Aires, ku dhe u shugurua prift e ku më pas dha mësim gjuhë dhe letërsi semitike. Pas njëzet vjetësh në Argjentinë, Uruguaj dhe Kili, u kthye në Itali dhe ishte pedagog i gjuhës shqipe, e veçanërisht i dialektologjisë arbëreshe, në Universitetin e Kozencës, derisa doli në pension. Ka qenë aktiv edhe për çështjet kishëtare në Eparkinë e Ungrës. Solanoja është autor veprash në gjini nga më të larmishmet. Në fushën e gjuhësisë dhe filologjisë është shquar me Manuale di lingua albanese, Koriljano Kalabro 1972 (Doracak i gjuhës shqipe), dhe Udhëzues për të biseduar shqip / Guida alla conversazione albanese, Koriljano Kalabro 1974, si dhe me shumë artikuj studimorë e studime dialektologjike. Ai gjithashtu ka redaktuar veprat e poetit, dramaturgut dhe romancierit arbëresh Françesk Anton Santori (1819-1894) dhe tekste të tjera të hershme arbëreshe. Botimi letrar më i parë i Solanos, i rrallë tani, është përmbledhja me vjersha Bubuqe t’egra, Buenos Aires 1946. Vepra të tjera në prozë, poezi e dramaturgji u botuan në Shêjzat në fund të viteve pesëdhjetë e në fillim të viteve gjashtëdhjetë, e më pas në Zjarri. Ndër to janë tregimet Ëndërrimet e Lalë Ndreut, 1958, dhe Te kështjell’ i mallkuar, 1959, proza lirike I bir’ i njeriut, 1959, dhe pjesët teatrale E po hëna, 1963, dhe Shkretëtira prej guri, 1974. Tregimet e tij u botuan të përmbledhura në Tregimet e lëmit, Shën Mitër 1975. Te praku, Trebizaçe (Trebisacce) 1977, është një përmbledhje me poezi, krijime të Solanos dhe përkthime shqip prej tij nga poezia japoneze. Në veprat e veta Solano është përpjekur të përdorë një gjuhë të kuptueshme jo vetëm për bashkatdhetarët arbëreshë, por edhe për folësit e gjuhës letrare shqipe. Gjuha e tij e pasur dhe e rrjedhshme ka shërbyer si model për shumë shkrimtarë të rinj.

“Në fshat e thërrisnin “zot”, “erdhi zoti”- kështu arbëreshët i drejtohen priftit, – por kjo, Solanos i shkonte.

Ai ishte njeri kulture dhe kishte atë virtytin e mentalitetit të zgjeruar, të gjykimit të shëndoshë, mentalitet që sjell pajtimin nga që mpreh aftësinë që t’i shohësh sendet dhe fenomenet jo vetëm nga një pikëpamje e ngushtë, jo vetëm nga pikëpamja jonë; kishte dhe virtutin e shijes, rreptësinë për të qenë një personalitet i ngulët, por me dashuri të padallimtë e të pakufizuar për gjithçka që është e bukur dhe me vlerë.

Kështu, i pajisur me shumë njohuri dhe me shumë talente, mbi të gjitha me dy virtytet që vumë në spikamë më sipër, ky njeri ka prodhuar kulturë, ka sjellë cilësi të reja ndër arbëreshët dhe për krejt atë që e quajmë botë shqiptare.

I mëshuam pak anës personale të “sjelljes” së tij intelektuale për dy arsye. Së pari, për t’ia dalë tej asaj që nuk ishte vetëm mik i Koliqit, po edhe i shumë studiusëve dhe profesorëve shqiptarë marksistë ose jo të tillë.

I lidhnin punët pastaj dhe shijimi nazik i verës dhe i të ngrënave tradicionale arbëreshe: Koliqit sa herë që i binte në kokë për verë të mirë, të kuqe, ia behte te Solanua; Çabeut nga kjo verë i përskuqeshin lehtësisht mollëzat paksa të dala të faqeve, dhe së dyti, asaj tjetrës, që ky “zot” u dekorua nga stalinistët tanë, ndërkohë që, po të jetonte në Shqipëri, do t’ia kishin thyer kërbishten diku andej nga këneta e Maliqit a e Hoxharës. Dushko Vetmo, siç thotë Konica për Gjeçovin, dinte të ishte një lartësi e përulur” – do të shktuante për poetin arbëresh, Sadik Bejko.

Francesco Solano, është një nga figurat më të rëndësishme të kulturës shqiptare. Ai ishte poet, studiues i letërsisë dhe i folklorit arbëresh, prozator, fletorar dhe profesor i gjuhës shqipe në Universitetin e Kalabrisë. Ishte poliglot, pasi zotëronte në mënyrë të shkëlqyer 8 gjuhë të huaja.

Veprimtaria e tij studimore dhe ajo krijuese, janë një thesar që e pasuron botën arbëreshe, duke e integruar atë në lëmin e emrave dhe kontributorëve të asaj shqiptarie, e cila sfidoi dhe triumfoi me vepër dhe me vlera.

Përgatiti: Albert Vataj

Burimi origjinal:

“Histori e letërsisë shqiptare” nga Robert Elsie, F.568-570

http://redaktori.net/dushko-vetmo-i-arberise-poeti-dhe…/

Foto: konica.al

May be an image of 1 person

Filed Under: Politike

“DITËT E ALFABETIT”, PREZANTOHET 70-VJETORI I PUNËS SË INSTITUTIT ALBANOLOGJIK TË PRISHTINËS

November 18, 2023 by s p

Në ditën e katërt të manifestimit “Ditët e Alfabetit” u shënua 70 vjetori i Institutit Albanologjik të Prishtinës, ku u prezantua veprimtarinë e tij në fusha të ndryshme, përmes publikimeve dhe aktiviteteve të cilat mbrojnë trashëgiminë kombëtare, por njëkohësisht dhe historia e vështirë e ndërtimit dhe përballjes me sistemin shtypës politik.

Në fjalën e tij përshëndetëse drejtori i ITSHKSH-së, Skender Asani tha se angazhimi i Institutit të Albanologjisë me të gjitha kapacitetet e tij ka bërë që ai të jetë një ndër promotorët kryesorë për shtetndërtimin e Kosovës dhe se puna e tij është reflektuar edhe në shtetet fqinje, ndërsa kontribut të jashtëzakonshëm ka dhënë me themelimin e ITSHKSH, duke orientuar atë në çdo hap që të mbërrijë në nivelin e një institucioni të respektuar.

Drejtori i Institutit Albanologjik të Prishtinës, Prof.dr. Hysen Matoshi, përgëzoi ITSHKSH-në për Ditët e Alfabetit dhe njashtu e vlerësoi si Instituti më dinamik në fushën e albanologjisë me të cilin është zhvilluar një partneritet i shkëlqyeshëm.

Më tej vijoi prezantimi, me ç’rast studiuesi Prof.dr.Lulëzim Lajçi u përqendrua në veprimtarinë botuese të Institutit Albanologjik gjatë vitit 2022, duke numëruar një sërë revistash, librash dhe materiale arkivore. “Vepër me vlera të veçanta për krijmitarinë e profesor Rexhep Qosjes” ishte tema e Dr. Abdurrahim Maxhunit, ku duke iu referuar studiueses Shefkije Islami, bëri një vëzhgim të punës vëllimore të largpamësit Qosja. Më pas, Dr. Angjelina Hamza prezantoi mbi temën “Kontribute etnologjike të profesoreshës Drita Halimi-Statovci”.

Ndërkaq, kumtesat e tjera paraqitën punën e degëve brenda Institutit Albanologjik si më poshtë: Prof.dr.Fadil Grajçevci me temën “Aktivitete shkencore të Degës së Letërsisë të Institutit Albanologjik”, Dr. Nuridin Ahmeti me temën “Dega e Historisë së Institutit albanologjik (1953-2023)” dhe Prof.dr.Arbnora Dushi me temë “Dega e Folklorit: Një rrugëtim përvijues nga qasjet paradigmatike tek perspektiva e studimeve”.

Aktiviteti u mbyll me urimin që ky Institut së bashkë me institucionet e tij simotra si ITSHKSH, ta dyfishojnë aktivitetin shkencor duke pasur një shtrirje gjithnjë e më të gjerë.

(ITSHKSH)

Filed Under: Emigracion

Besë e Besim

November 18, 2023 by s p

Astrit Lulushi/

Besa mungon, por jo besimi. Të kesh besim është, si një gur që ofron strehë në mes një lumi të vrullshëm. Por nuk është vetëm kaq. Ai lejon të lësh mënjanë shqetësimin e përditshme, duke besuar në premtimin e aftësive të njerëzve tek të cilët mbështetesh, apo sistemi.

Feja, për shembull, bazohet në besim për të lëmë mënjanë shqetësimin duke e besuar se do të na udhëheqë nëpër sprovat e pashmangshme të jetës. Ndoshta kjo është arsyeja që shumë flasin për besimi që ne duhet të kemi tek ata.

Besimi rritet kur jetohet për të kapërcyer emocione negative; është thelbi i çdo gjëje që njeriu shpreson. Gjëja e rëndësishme është që të mësojmë se besimi është i lidhur me veprat e mira dhe përgjegjësinë.

Besimi është si të hedhësh hapin e parë edhe kur nuk e sheh shkallën. Nuk është besim pa prova, por besim pa rezerva.

Besimi sjell stabilitet, përqendrim, qetësi. Kur ka besim, nuk ka nevojë për shpjegim. Për një njeri pa besim, asnjë shpjegim nuk është i mundur, thoshte Thomas Aquinas, përkthes i parë e Biblës në latinisht. Sipas Aquinas, besimi është intelektit që pranon të vërtetën me urdhër të vullnetit.

Zoti na ka dhënë shumë besime, por vetëm një botë për të bashkëjetuar. Megjithatë, besimi nuk është kapja pas një faltoreje, por pelegrinazh.

Ëshë puna e vyer që bëhet me besim.

Besimi nuk është i njëjtë me besën. Në fakt, këto dy fjalë janë të ndryshme dhe përdoren në kontekste të ndryshme. Besimi përdoret më shpesh në një kontekst shpirtëror ndërsa besa është një koncept i rëndësishëm në marrëdhëniet mes njerëzve. Si besa që shqiptari e jep, por gjithnjë e më shpesh nuk e mban; këtë e tregon mjedisi i korruptuar.

Filed Under: Analiza

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 1315
  • 1316
  • 1317
  • 1318
  • 1319
  • …
  • 2778
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • “Shënime për historinë antike të shqiptarëve”*
  • Si funksionon sistemi juridik në Shqipëri dhe pse ai ka nevojë për korrigjim?
  • Emisionet postare festive të fundvitit në Kosovë
  • JAKOBSTADS TIDNING (1939) / MBRETI ZOG, SHUMË BUJAR ME BAKSHISHE. — EMRI I TIJ NUK DO TË HARROHET KAQ SHPEJT NGA PRONARËT DHE PERSONELI I HOTELEVE NË VARSHAVË.
  • HAFIZ SHERIF LANGU, DELEGATI I PAVARËSISË TË CILIT IU MOHUA KONTRIBUTI PËR 50 VJET ME RRADHË, KLERIKU DHE VEPRIMTARI I SHQUAR I ÇËSHTJES KOMBËTARE
  • RIPUSHTIMI I KOSOVËS – KUVENDI I PRIZRENIT 1945
  • Nikola Tesla, gjeniu që u fiksua pas pëllumbave dhe u dashurua me njërin prej tyre
  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare
  • Në sinoret e Epirit…
  • Mbrëmë hyri në fuqi Ligji i SHBA për autorizimin e mbrojtjes kombëtare
  • Skënderbeu “grek”, ose si të bëhesh grek pa e ditur
  • A historic moment of pride for the New Jersey Albanian-American community

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT