• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

NJË FOTO UNIKE E PANJOHUR

February 2, 2024 by s p

Frano Kulli/

Fishta duke kurorëzuar martesën e shtypshkruesit

Zotni Lukë Luka, para do ditësh bëri një dhuratë publike mjaft të çmuar, simbas meje; nga arkivi i familjes së vet postoi në njërin prej rrjeteve sociale foton e kunorëzimit të prindërve të Zojës së tij të ndjerë, Netës. Shuk Leniqi e Lajde Daija, në diten e martesës. Fotoja mban datën 17 maj 1936. Është shkrepë prej mjeshtrit Kel Marubi. Vendndodhja është elteri (altari) i Kishës françeskane në Gjuhadol , Shkoder.

Duke pasë edhe lejen e bekimin e poseduesit të kësaj relike (foto), po bëj edhe dy komente të shkurta:

Së pari: vlera qytetse e estetike që fotoja ka. Në foto janë rreth shtatëdhjetë persona, burra e gra, por edhe fëmijë. Të gjithë të veshur bukur e shik, prej te më i madhi e deri te më i vogli. Çifti, me veshje klasike të rastit , nusja me vel e kunorë, të dy të ulun ne gjunj, në momentin e ndërrimit të unazave, duke ia vendosur unazën në gisht njëri-tjetrit, simboli i bashkimit e krijimit të familjes së shejtë, me besim e dashni aty në shtëpinë e Hyjit, si bërthama themelore e shoqnisë. Kumarët, dëshmitaret e martesës, janë zotni Palok Noga (me qirin tradicional në dorë) dhe Kolë Mjeda me te shoqen. Në sfond të fotos kori i kishës…Secili i venduem me vend e me rend, simbas lidhjes e përafrisë që kishin me çiftin protagonist e me rastin e papërsëritshëm të tyre në jetë, siç është kurorëzimi i martesës në kishë për katolikët. Cilësia e fotos është e tillë , sa personat që pozojnë aty njihen fytyrë për fytyrë e emër për emër. Edhe pse fotoja është e gati 90 vjetëve më parë. Se përndryshe…për nga kompozimi dhe elementët e përgjithshëm të saj por edhe prej paraqitjes së pozantëve nuk kishte se si të dallohej, nëse fotoja ishte bërë në…Venecia, Firence, Romë, Vjenë a diku tjetër në Europë.

Së dyti, në foton e një momenti solemn familjar të një familjeje qytetse të Shkodrës janë edhe, më së paku tre persona publikë, njeri më me peshë se tjetri. Edhe kjo shejë e një bashkëjetese plot kulturë e sharm, në harmoni të plotë të qytetarëve, me rendet e klasat e shoqërisë që përfaqësojnë. Meshtari i zgjedhur për kunorzimin, françeskani i madh At Gjergj Fishta, Kolë Mjeda (1885-1951) deputeti i Shkodres për disa legjislatura e zëvendëspresident i Asamblesë Kombëtare, mbajtës edhe i posteve të tjera publike të kohës, kryetar i Bashkisë së Shkodrës (1924-’25), prefekt i Dibres e deputet i saj, gjithashtu. Po edhe më i riu i tyre, prifti i saposhuguruem asokohe, dom Ernest Çoba, i cili masandej më vonë, tridhjetë vjet më vonë, kur revolucioni ateist mbyll kishat dhe prelatët e klerikët mbarë (ata që kishin mbetë ende gjallë) i mbyll në burgje, do të ishte Arqipeshkvi i fundit i Shkodres, cili ndrroi jetë në mënyrë enigmatike në spitalin e burgut të Tiranës, në dimrin e vitit 1980 (8 janar).

Nuk është e njohur ndonjë foto tjetër e Fishtës në një rast sakramenti si ky. Deri tani, jo. Edhe zotni Luka, megjith moshën e njohjeve që ka, më thotë gjithashtu se nuk din për ndonjë rast tjetër të ngjashëm. Dhe ka shumë gjasa të mos ketë. Se sikur të kishte, me siguri mbamendjet qytetëse të Shkodrës do të na e kishin bërë me dije. Ashtu sikurse na vijnë prej asaj kohe nëpërmjet kujtesës së transmetuar kumte si: “të dielen që meshën te fretnit e thote pader Gjergji, kisha ishte plot e përplot e predku (predikimi) i tij e lête gjindjen me gojë hapë “. Dhe kështu kërshëria rritet edhe më tepër.

Po pse atëherë dasmen e Shuk Leniqit e shuguron Fishta?! Dhe ndodhte tani (viti 1936), kur Fishta ishte 65 vjeç dhe kur mosha e famës së tij kishte mërrijt në maje. E kur veprimet e punët sakramentare për té, tashma ishin gjithnji e më të pakta . Me siguri ka qenë një shtysë e empati e fortë…Shuku ishte tipografi i shtypshkronjës së fretënve. Vetmjaftueshëm për pader Gjergjin e Madh, për të bërë edhe punët e fratit të përvujtë…

-Kjo ceremoni e veçante, pati jehonë nga që cebrimin e bani Pater Gjergji (rasti i vetëm i tij, me modesti e fisnikni) e u ndoq prej shumë zojave e zotnive me veshje moderne te kohes, familjare, miq e shoke te ftuem ne darsem- na ban me dije në diçituren e fotos së publikuar, zotni Luka.

Filed Under: Reportazh

Tora (të ra)

February 2, 2024 by s p

Astrit Lulushi/

A e rindërtoi Ezra Tora -n, duke e bërë ‘të re’, apo thjesht ndryshoi shkrimin? Në shekullin e dytë të e.s., Ezra dhe Ireneu tregojnë një histori se si u dogj Tora nga Nabukadnetsari dhe si u rikrijua nga Ezra nëpërmjet frymëzimit hyjnor. Tekstet rabinike e dinë këtë traditë, por në versionin e tyre, kontributi i Ezrës është se ndryshoi Torën në shkrimin aramaik, apo edhe në gjuhën aramaike.

A e rindërtoi Ezra Torën apo thjesht ndryshoi shkrimin?

Në shekullin e 3-të të e.s., Porfiri i Tirit, një filozof greko-romak, shkroi një kritikë të ashpër ndaj korpusit biblik hebraik. Ai pretendoi se Pentateuku i Moisiut kishte humbur nga shkatërrimet e luftës kur Nebukadnetsari II rrafshoi Jerusalemin (586 p.e.s.), dhe humbja ishte mbuluar me një falsifikim pseudepigrafik: Asgjë që Moisiu shkroi nuk është ruajtur, sepse të gjitha shkrimet e tij thuhet se u dogjën me tempullin. Të gjitha ato që u shkruan nën emrin e tij më pas u përpiluan 1180 vjet pas vdekjes së Moisiut nga Ezra dhe pasuesit e tij.

Porfiri akuzon Ezrën dhe ndjekësit e tij në mesin e elitës izraelite se kanë trilluar Pentateukun që tani qarkullon në emër të Moisiut për të mbuluar humbjen e pakthyeshme të Torës origjinale.

Do të ishte e lehtë të hidhej poshtë pretendimi i Porfirit si shpikje e një polemisti të njohur pagan, përveç që autoritetet e devotshme hebraike dhe të krishtera të periudhës qarkulluan një histori jashtëzakonisht të ngjashme për humbjen e Torës. Por ata besonin se Ezra e rindërtoi Torën me besnikëri nëpërmjet frymëzimit hyjnor.

Ezra është një tekst apokaliptik judaik që daton nga brezi pas shkatërrimit të Tempullit në vitin 70 të e.s. deri diku në shekullin e dytë të e.s. Teksti besohet të jetë shkruar në hebraisht – megjithëse nuk ka asnjë provë tekstuale për këtë – dhe më pas është përkthyer në greqisht. Teksti i plotë, megjithatë, mbijeton vetëm në përkthime latine dhe siriane.

Libri është shkruar si një rrëfim në vetën e parë të Ezrës, i cili merr disa vegime nga Perëndia.

Libri hapet me Ezran duke vajtuar për gjendjen e trishtuar të hebrenjve në periudhën e mërgimit, duke përfshirë humbjen e Torës së shkruar. Ezra e pyet Zotin:

“…pse Izraeli iu dorëzua johebrenjve me turp; pse njerëzit që ti ke dashur u janë dorëzuar fiseve të pafe, ligji i të parëve është shkatërruar dhe besëlidhjet e shkruara nuk ekzistojnë më”.

Zoti i thotë Ezrës se Moisiu mori zbulesa sekrete në malin Sinai, të cilat Ezra do t’i marrë gjithashtu tani, por për t’i bërë publike. Ezra pranon t’i komunikojë të gjitha këto njerëzve dhe t’i këshillojë ata të zbatojnë ligjet e Zotit, por ai vë në dukje problemin se ata nuk kanë më një Tora të shkruar, pasi të gjitha kopjet e tij u shkatërruan nga Nebukadnetsari:

“Bota është në errësirë ​​dhe banorët e saj janë pa dritë. Sepse ligji yt është djegur dhe askush nuk i di gjërat që janë bërë ose që do të bëhen nga ti. Dërgo tek unë frymën e shenjtë dhe unë do të shkruaj gjithçka që ka ndodhur në botë që nga fillimi, që njerëzit të mund të gjejnë rrugën dhe ata që duan të jetojnë në ditët e fundit mund ta bëjnë këtë”.

Zoti pajtohet me këtë propozim dhe i thotë Ezdrës të bëjë një pushim 40-ditor nga njerëzit, sa është numri i ditëve që Moisiu kalon në malin Sinai. Ezra duhet të sjellë gjithashtu pesë skribë që shkruajnë shpejt, dhe shumë pllaka. Për të qenë në gjendje të marrë këtë zbulesë, Ezra duhet t’i nënshtrohet një transformimi mistik/fizik, të ngjashëm me atë që pëson Ezekieli.

Të nesërmen e thirri një zë duke thënë: “Ezdra, hap gojën dhe pi atë që të jap të pish”. Kështu hapa gojën dhe më ofruan një kupë plot; ishte plot me diçka si uji, por ngjyra e tij ishte si zjarri. E mora dhe piva; dhe kur e piva, zemra ime derdhi zgjuarsinë dhe dituria u shtua në gjoksin tim, sepse fryma ime e mbajti kujtesën e saj, dhe goja ime u hap dhe nuk u mbyll më”.

Me këtë fuqi, Ezdra fillon të recitojë zbulesën dhe skribët ta shkruanin:

“Ata u ulën dyzet ditë; shkruanin ditën dhe hanin bukë natën. Por unë flisja ditën dhe nuk heshtja natën. Kështu gjatë dyzet ditëve u shkruan nëntëdhjetë e katër libra.

Dhe Zoti i tha:

“Bëji publike 24 librat që ke shkruar më parë dhe le t’i lexojnë të denjët dhe të padenjët; por ruaj 70 librat që janë shkruar të fundit, për t’ua dhënë të urtëve. Sepse në to është burimi i diturisë, dhe lumi i diturisë”.

Pra, jo vetëm që humbi Pentateuku i Moisiut, por kishin humbur edhe të njëzet e katër librat e Biblës Hebraike, derisa u rikrijuan nga Ezra i frymëzuar hyjnor duke u diktuar pesë skribëve dekada pasi origjinalet ishin shkatërruar. Kështu, Porfiri nuk shpiku pretendimin se Bibla ishte e humbur dhe vetëm më vonë u rindërtua nga Ezdra. Ai e trashëgoi këtë ide nga hebrenjtë (dhe të krishterët), por në vend që të mrekullohej me aftësitë mistike të Ezrës, ai e përdori historinë si një sulm ndaj vlefshmërisë së Biblës, duke pretenduar se Tora ishte një falsifikim dhe zbulesa origjinale e Moisiut kishi humbur.

Autoritetet e krishtera kishin gjithashtu traditën që Ezra rikrijoi shkrimet e shenjta nëpërmjet zbulesës. Në shekullin e 2-të të e.s., peshkopi Irenaeus, shpall një shenjë për lindjen e Birit të premtuar: “almah do të bëhet shtatzënë dhe do të lindë një djalë”. Disa përkthyes në shekullin II të e.s. e kuptuan termin ‘almah’ si “grua e re”, por greqishtja e përkthen si parthenos “virgjëreshë”.

Iraneaus pretendon se një përkthim i hershëm hebre në greqisht duhet besuar, sepse, sipas tij, Perëndia bëri një mrekulli gjatë procesit të përkthimit dhe të shtatëdhjetë përkthyesit, duke punuar veçmas, dolën me të njëjtin përkthim të fjalës për të gjithë shkrimet e shenjta. Nëse është kështu, është e sigurt që Bibla është e saktë dhe ata që i rikthehen hebraishtes janë thjesht polemizues që mohojnë se ‘almah’ mund të nënkuptojë virgjëreshë.

Ireneu vazhdon se nuk duhet të jetë për t’u habitur që Perëndia do të siguronte mrekullisht që të gjitha përkthimet e Biblës të dilnin njësoj, pasi Perëndia bëri një mrekulli edhe më të madhe më herët në histori: gjatë mërgimit babilonas, shkruan ai, shkrimet e shenjta ishin korruptuar plotësisht ose ” maculated”, derisa Ezra, nëpërmjet një frymëzimi hyjnor, rivendosi Pentateukun e humbur të Moisiut.

Burimet klasike rabinike pohojnë gjithashtu se Ezra Shkrimtari riparoi, zëvendësoi ose ndryshoi Pentateukun pas shkatërrimit të Tempullit të Parë. Megjithatë, disa burime e zbusin historinë nga rikrijimi i një teksti të tërë të humbur ose të korruptuar në ndryshimin e thjeshtë të shkrimit ose gjuhës së një teksti ekzistues.

Ezra përfaqëson një fazë të mesme në transformimin e Torës – një tekst tërësisht aramaik i humbur në histori.

Ndërsa autoritetet fetare hebraike dhe të krishtera nuk do të pushonin kurrë plotësisht së pohuari se duart e njeriut kishin ndikuar në formën përfundimtare të Pentateukut, historia e një botimi Ezran të Pentateukut nuk do të mbetej e njohur përtej antikitetit të vonë. Një arsye e rëndësishme për këtë është ngritja e Islamit.

Studiuesit islamë sollën me vete pretendimin e korrupsionit, se shkrimet e shenjta hebraike dhe të krishtera ishin versione të falsifikuara të një zbulese të lashtë të pacenuar që më në fund u fiksua në Kuran. Shumë nga këto polemika përmendin histori rreth Ezrës si provë për prishjen e Biblës Hebraike.

Në një mjedis të tillë, tregimet antike të vonë të një botimi Ezran të Biblës u bënë një siklet që autorët hebrenj dhe të krishterë më mirë ta mohonin, dhe historia e Ezrës u zhduk kryesisht nga qarkullimi.

Filed Under: Analiza

Kryeministri Kurti mirëpriti specializantët nga Presheva, Medvegja e Bujanoci, Shqipëria, Maqedonia e Veriut dhe Mali i Zi

February 2, 2024 by s p

Pasditen e sotme, mysafirë në Kryeministri ishin specializantët nga Presheva, Medvegja e Bujanoci, Shqipëria, Maqedonia e Veriut dhe Mali i Zi, që u mirëpritën nga Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti dhe ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia.

Në mbledhjen e kaluar të Qeverisë, të 186-ën me radhë, u aprovua pagesa për 375 specializantë të Kosovës me vetëfinancim, si dhe 21 nga vendet e rajonit, vendim që, siç tha kryeministri Kurti, dëshmon angazhimin e pandërprerë dhe trajtimin e barabartë edhe në aspektin e mbështetjes financiare për bashkëkombësit tanë.

“Për ne, bashkëpunimi për mbrojtjen dhe avancimin e të drejtave të shqiptarëve nuk është vetëm nevojë, por është domosdoshmëri e kohës dhe rrjedhimisht obligimi ynë. Andaj, me këtë qëllim, përkushtimi ynë është i vazhdueshëm dhe sa vjen e do të rritet”, deklaroi kryeministri.

Me këtë rast, ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, theksoi se Udhëzimet e Qeverisë, kanë për qëllim që të bëjnë maksimumin që specializantët nga trevat shqiptare të mos jenë të diskriminuar, gjersa shtoi që do të ofrojnë maksimumin për edukimin e tyre me besim të plotë që do të dalin specialistë të jashtëzakonshëm të fushave të ndryshme dhe të kontribuojnë në vendet ku ata jetojnë.

Gjatë takimit, kryeministri Kurti shtoi se me qëllim të koordinimit e kujdesit të vazhdueshëm për bashkëkombësit në vendet fqinje, ka emëruar znj. Ardita Sinani Këshilltare Politike dhe kemi komunikim të rregullt me përfaqësuesit politik shqiptarë në rajon.

Po ashtu, në vitin 2023 u ndamë mjete buxhetore për Mbështetje të Këshillit Nacional Shqiptar për të avokuar në qendrat e mëdha vendimmarrëse për kombin tonë, derisa ndamë edhe një çerek milioni euro për t’i pajisur nxënësit shqiptarë të shkollave fillore në komunat Preshevë, Medvegjë dhe Bujanoc me tekste mësimore në gjuhën shqipe, shtoi ai.

“Për më tepër buxheti i vitit të ardhshëm përsëri do të jetë edhe buxhet për shqiptarët e Luginës së Preshevës, Medvegjës dhe Bujanocit. Andaj, këtë po e vazhdojmë nga viti në vit dhe po ia shtojmë edhe një milion, krahasuar me vitin aktual pra, nga dy në tre milionë për vitin 2024 dhe kjo mbështetje është më e larta ndonjëherë”, përmbylli kryeministri Kurti, duke i falënderuar dhe i uruar suksese të gjithë specializantëve.

Filed Under: Rajon

Romani i Shpend Sollaku Noé-së: “ Lindja, fëmijëria dhe rinia e klonit Nikolaus Bonadei” – një thriller i mrekullueshëm

February 2, 2024 by s p

Nga Harallamb Fandi,

shkrimtar, Itali.

Më ka ndodhur dhe herë tjetër që, ndonëse gjatë leximit të një libri të kem mbajtur 5-6 faqe me shënime, të cilat, kur jam ulur për të shkruar përshtypjet, i kam lënë mënjanë, duke menduar të them më mirë atë që ndiej pas përfundimit të leximit. Kështu bëra dhe për romanin e Shpend Sollaku Noé-së. Meqë isha mirë si rrallëherë nga shëndeti, u ula dhe nisa t’i shkruaj autorit drejtpërdrejt tek messenger-i. Po s’qe e thënë të vazhdoja, sepse më ndërprenë dhe, kur u riktheva për të vazhduar, pashë se në nxitim e sipër i kisha fshirë të gjitha çka kisha shkruar. S’di sepse, ndryshe nga zakonisht, pashë më parë shënimet e mbajtura gjatë leximit dhe u kënaqa ngaqë rikujtova shumë gjëra të çmuara, vjelë nga ky roman i mrekullueshëm. Ato mund dhe t’i kisha lënë mënjanë padashur dhe, natyrisht, s’do të më vinte mirë.

Pse e quaj të mrekullueshëm romanin “Nascita, infanzia e gioventù del clone Nicolaus Bonadei”?

Dikush mund ta gruponte atë me librat thriller, me disa theksime problemesh shoqërore të të kaluarës dhe të të sotmes. Ata që do të mendonin kështu, nuk do të mundeshin kurrë të dilnin në suprinë, sepse injoranca dhe mosleximi, do t’i fundoste në llumin ku pluskojnë. Ky roman e bën lexuesin korrekt të mendojë të kundërtën. Unë, që më shumë se shënimet e hollësishme kritike, jam i prirur të vendos në plan të parë pasurinë e ndjenjave dhe mendimeve që lindin gjatë leximit, pohoj me plot gojë që ky roman është një pasuri e vyer. Dhe kjo s’mund të ndodhte nëse autori do ta kthente mundin e vet në një lojë profesionale shkrimtarësh artizanë apo mjeshtrash të frymëmbajtjes nga të papriturat e trilluara.

Që në faqet e para atmosfera e krijuar të merr me vete për atje ku zhvillohen ngjarje të mëdha. Pavarësisht se ç’ndodh më vonë, mua fillimisht më erdhi në sy shkëndija ndezëse e përfytyrimeve të nxitura prej leximit sepse, me sytë e mendjes, pashë mes turmës në Sheshin e Kuq figurën e Rostropoviçit, violonçelistit disident rus, më të madhit të të gjitha kohërave që, kur mësoi ngjarjen që po ndodhte, të cilën Noé e përshkruan aq bukur, u nis me avion drejt Moskës dhe, me automatik në krah, doli në mbrojtje të demokracisë. Përfytyroni një artist si ai, që armë kishte gjithnjë violonçelin dhe fjalën, të dilte me automatik në duar. Motiv apo temë kjo, krahas shumë të tjerave që, ky roman, të ofron dhe të sugjeron për të bërë një shkrim të veçantë.

Pas kësaj tabloje të realizuar mjeshtërisht, fjala e shkrimtarit tonë me vepra të botuara në shumë gjuhë të botës, mbrujtur me kulturë të admirueshme dhe me ndjeshmëri të rrallë, më mori me vete nëpërmjet orkestrimeve të harmonive gjuhësore, që s’të ndahen deri në fund.

Nuk mund të mos përmend këtu aftësinë vrojtuese prej piktori të autorit, që tek tablotë me përmasa e karakter monumental, të cilat të mbushin gjithë qënien, vendos me shkathësi edhe penelata që sjellin pamje nga rrugë, parqe e ndërtesa të njohura, shpeshherë edhe në kontraste ndijesish nga më të ndryshmet; ku lirizmi i kujtimeve nga leximet e kolosëve të letërsisë, shtypet nga pamjet e institucioneve staliniste që pillnin tmerre e gulagë. Shumica e tyre vjen qartësisht me emrat që i kemi dëgjuar që në adoleshencën tonë me një saktësi habitëse e jo si në gjuhët e tjera ku ato e humbasin tingëllimin origjinal.

Gradualisht, pas hedhjes së farës për subjektin, ku klonimi do të shërbejë për ardhjen në jetë të Nicolaus Bonadeit, gëzimit prindëror po dhe ngazëllimit për suksesin shkencor të prindërve të tij, vijnë përpara lexuesit pamje të tjera, të sotme. Me ritmin e kohës na dalin parasysh mjedise të reja nga Kitaj Gorod e aeroporti me hapësira e ngjarje të mëdha e të vogla. Më tej, duke vazhduar në linjën e subjektit, ndiejmë të kemi të kemi shprehur, në brendësi të vetes, falenderimin e parë për shkrimtarin. Falë përshkrimeve mjeshtërore, pas rrëmujave dhe aventurave të largimit nga Rusia, vijmë papritmas në atmosferën paqësore dhe ajrin lehtësues të alpeve ku shumëkush ndihet edhe më i pranishëm nga kur, në një kohë tjetër, ka parë filmimet më të mira të atij vendi. Gjithçka që vazhdon deri ne fund të librit mban mbi vete tisin e hollë të argjenduar e filigranor të fjalës, me pasuri njohurish të sakta e të thella enciklopedike, që i vijnë në ndihmë vjeljes së mendimeve të shkrimtarit nga çdo lexues dhe që i shërbejnë njohjes më mirë të realiteteve e botëkuptimeve në periudha të ndryshme.

Në këtë pasuri, veç kulturës, është shkrirë dhe përvoja jetësore plot vuajtje e përpjekje, shpesh mbinjerëzore, e autorit disident dhe emigrant Shpend Sollaku Noé. Mendimi i kultivuar që ai shpërndan bujarisht e bën të thjeshtë, të afërt e të përmallshëm për vendin e tij, Shqipërinë, të sjellë me pamje e detaje që të mbeten në mendje nëpërmjet një gjuhe të çlirët, ku italishtja e përsosur tingëllon njëlloj si shqipja e pastër dhe e bukur në çdo rast. Shpend Sollaku Noé është shkrimtar befasues, i qetë në rrëfim, po jo asnjëanës. Ai është gjithnjë empatik, veç atje ku duhet është edhe ironik apo çjerrës maskash, por asnjëherë fyes, edhe kur i ka plasur buza. Kur e mbaron se lexuari veprën e tij të duket se autorin, që të është bërë pjesë e vetes, e ke aty dhe dëshiron ta kesh gjithnjë pranë. Dhe nuk ka si të mos mbetesh në pritje të ardhjes së sigurt e jo të largët të tij me një tjetër sukses në duar.

Filed Under: LETERSI

Distria Krasniqi fiton Medaljen e artë në Paris

February 2, 2024 by s p

Uran Krasniqi/RTKLive/

Distria Krasniqi ka treguar formë të lartë në garën prestigjioze Grand Slam në Paris. Ajo ka arritur të jetë fituese e medaljes së artë në kategorinë -52 kg.

Krasniqi në finale është ballafaqur me britaniken Chelsie Giles, të cilën e ka mposhtur në fund të duelit.

Por cila ishte rruga e Krasniqit deri tek medalja?

Ajo në xhiron e parë ishte e lirë, në xhiron e dytë e ka mposhtur me Ippon vendasen, francezen Leonie Gonzalez.

Krasniqi në xhiron e tretë ka mposhtur me dy Wazaari për Ippon, koreanen Seyun Jang.

Ajo në çerekfinale ajo ka mposhtur me tri dënime për Ippon garuesen nga Emiratet e Bashkuara Arabe, Khorloodoi Bishrelt.

Në gjysmëfinale, Krasniqi e ka mposhtur xhudisten japoneze Kisumi Omori.

Filed Under: Sport

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 1330
  • 1331
  • 1332
  • 1333
  • 1334
  • …
  • 2938
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • NJË GJUHË, NJË IDENTITET – STUDENTËT DALIN NË MBROJTJE TË SHQIPËS
  • “Shqiptarët e Amerikës” ndjekin me shqetësim të thellë zhvillimet e fundit në Maqedoninë e Veriut
  • Eshtrat e Hasan Tahsinit duhet të sillen në atdhe
  • “Irani dhe Siguria Kombëtare”!
  • Pamja e Hënës të cilën nuk jemi mësuar ta shohim
  • Analizë strategjike: Roli i SHBA-ve dhe ndikimi i NATO-s në suksesin operacional ushtarak
  • MICKOSKI DHE POLITIKA E KAMUFLUAR NË BALLKAN
  • ÇËSHTJA KOMBËTARE NË POLITIKËN E TIRANËS TË VITIT 1920
  • Në ditëlindjen e Vaçe Zelës, legjendës së gjallë të këngës, zërit që i dha shpirt një epoke
  • 115 vjet nga Kryengritja e Malësisë së Madhe dhe ngritja e flamurit në Deçiq
  • GEORGE POST WHEELER, AMBASADOR I SHBA-SË NË SHQIPËRI (1934) : “SHQIPËRIA DHE BURRAT E SHQIPONJËS…”
  • Përshtypje nga Bashkëbisedimi i AFC-së dhe Mjekëve Gastroenterologë AAGA
  • Një princeshë evropiane përballë traditës shqiptare
  • Arkeologët shqiptarë nën vlerësimin e studiuesit anglez Nicholas Geoffrey Lemprière Hammond
  • E drejta për përdorimin e gjuhës amtare në arsimin e lartë në Maqedoninë e Veriut

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT