Nga Harallamb Fandi,
shkrimtar, Itali.
Më ka ndodhur dhe herë tjetër që, ndonëse gjatë leximit të një libri të kem mbajtur 5-6 faqe me shënime, të cilat, kur jam ulur për të shkruar përshtypjet, i kam lënë mënjanë, duke menduar të them më mirë atë që ndiej pas përfundimit të leximit. Kështu bëra dhe për romanin e Shpend Sollaku Noé-së. Meqë isha mirë si rrallëherë nga shëndeti, u ula dhe nisa t’i shkruaj autorit drejtpërdrejt tek messenger-i. Po s’qe e thënë të vazhdoja, sepse më ndërprenë dhe, kur u riktheva për të vazhduar, pashë se në nxitim e sipër i kisha fshirë të gjitha çka kisha shkruar. S’di sepse, ndryshe nga zakonisht, pashë më parë shënimet e mbajtura gjatë leximit dhe u kënaqa ngaqë rikujtova shumë gjëra të çmuara, vjelë nga ky roman i mrekullueshëm. Ato mund dhe t’i kisha lënë mënjanë padashur dhe, natyrisht, s’do të më vinte mirë.
Pse e quaj të mrekullueshëm romanin “Nascita, infanzia e gioventù del clone Nicolaus Bonadei”?
Dikush mund ta gruponte atë me librat thriller, me disa theksime problemesh shoqërore të të kaluarës dhe të të sotmes. Ata që do të mendonin kështu, nuk do të mundeshin kurrë të dilnin në suprinë, sepse injoranca dhe mosleximi, do t’i fundoste në llumin ku pluskojnë. Ky roman e bën lexuesin korrekt të mendojë të kundërtën. Unë, që më shumë se shënimet e hollësishme kritike, jam i prirur të vendos në plan të parë pasurinë e ndjenjave dhe mendimeve që lindin gjatë leximit, pohoj me plot gojë që ky roman është një pasuri e vyer. Dhe kjo s’mund të ndodhte nëse autori do ta kthente mundin e vet në një lojë profesionale shkrimtarësh artizanë apo mjeshtrash të frymëmbajtjes nga të papriturat e trilluara.
Që në faqet e para atmosfera e krijuar të merr me vete për atje ku zhvillohen ngjarje të mëdha. Pavarësisht se ç’ndodh më vonë, mua fillimisht më erdhi në sy shkëndija ndezëse e përfytyrimeve të nxitura prej leximit sepse, me sytë e mendjes, pashë mes turmës në Sheshin e Kuq figurën e Rostropoviçit, violonçelistit disident rus, më të madhit të të gjitha kohërave që, kur mësoi ngjarjen që po ndodhte, të cilën Noé e përshkruan aq bukur, u nis me avion drejt Moskës dhe, me automatik në krah, doli në mbrojtje të demokracisë. Përfytyroni një artist si ai, që armë kishte gjithnjë violonçelin dhe fjalën, të dilte me automatik në duar. Motiv apo temë kjo, krahas shumë të tjerave që, ky roman, të ofron dhe të sugjeron për të bërë një shkrim të veçantë.
Pas kësaj tabloje të realizuar mjeshtërisht, fjala e shkrimtarit tonë me vepra të botuara në shumë gjuhë të botës, mbrujtur me kulturë të admirueshme dhe me ndjeshmëri të rrallë, më mori me vete nëpërmjet orkestrimeve të harmonive gjuhësore, që s’të ndahen deri në fund.
Nuk mund të mos përmend këtu aftësinë vrojtuese prej piktori të autorit, që tek tablotë me përmasa e karakter monumental, të cilat të mbushin gjithë qënien, vendos me shkathësi edhe penelata që sjellin pamje nga rrugë, parqe e ndërtesa të njohura, shpeshherë edhe në kontraste ndijesish nga më të ndryshmet; ku lirizmi i kujtimeve nga leximet e kolosëve të letërsisë, shtypet nga pamjet e institucioneve staliniste që pillnin tmerre e gulagë. Shumica e tyre vjen qartësisht me emrat që i kemi dëgjuar që në adoleshencën tonë me një saktësi habitëse e jo si në gjuhët e tjera ku ato e humbasin tingëllimin origjinal.
Gradualisht, pas hedhjes së farës për subjektin, ku klonimi do të shërbejë për ardhjen në jetë të Nicolaus Bonadeit, gëzimit prindëror po dhe ngazëllimit për suksesin shkencor të prindërve të tij, vijnë përpara lexuesit pamje të tjera, të sotme. Me ritmin e kohës na dalin parasysh mjedise të reja nga Kitaj Gorod e aeroporti me hapësira e ngjarje të mëdha e të vogla. Më tej, duke vazhduar në linjën e subjektit, ndiejmë të kemi të kemi shprehur, në brendësi të vetes, falenderimin e parë për shkrimtarin. Falë përshkrimeve mjeshtërore, pas rrëmujave dhe aventurave të largimit nga Rusia, vijmë papritmas në atmosferën paqësore dhe ajrin lehtësues të alpeve ku shumëkush ndihet edhe më i pranishëm nga kur, në një kohë tjetër, ka parë filmimet më të mira të atij vendi. Gjithçka që vazhdon deri ne fund të librit mban mbi vete tisin e hollë të argjenduar e filigranor të fjalës, me pasuri njohurish të sakta e të thella enciklopedike, që i vijnë në ndihmë vjeljes së mendimeve të shkrimtarit nga çdo lexues dhe që i shërbejnë njohjes më mirë të realiteteve e botëkuptimeve në periudha të ndryshme.
Në këtë pasuri, veç kulturës, është shkrirë dhe përvoja jetësore plot vuajtje e përpjekje, shpesh mbinjerëzore, e autorit disident dhe emigrant Shpend Sollaku Noé. Mendimi i kultivuar që ai shpërndan bujarisht e bën të thjeshtë, të afërt e të përmallshëm për vendin e tij, Shqipërinë, të sjellë me pamje e detaje që të mbeten në mendje nëpërmjet një gjuhe të çlirët, ku italishtja e përsosur tingëllon njëlloj si shqipja e pastër dhe e bukur në çdo rast. Shpend Sollaku Noé është shkrimtar befasues, i qetë në rrëfim, po jo asnjëanës. Ai është gjithnjë empatik, veç atje ku duhet është edhe ironik apo çjerrës maskash, por asnjëherë fyes, edhe kur i ka plasur buza. Kur e mbaron se lexuari veprën e tij të duket se autorin, që të është bërë pjesë e vetes, e ke aty dhe dëshiron ta kesh gjithnjë pranë. Dhe nuk ka si të mos mbetesh në pritje të ardhjes së sigurt e jo të largët të tij me një tjetër sukses në duar.