• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Fuqia e fjalës

January 30, 2024 by s p

Astrit Lulushi/

Fjalët janë të afta edhe për të ndryshuar rrjedhën e historisë. Ato mund të fitojnë luftëra ose t’i parandalojnë ato; mund të japin ngushëllim përballë vështirësive dhe të frymëzojnë të tjerët për bëma dhe zbulimet të mëdha; mund t’i lirojnë njerëzit, ose të paktën t’i vendosin në rrugën drejt lirisë.

Nga fjalët emocionuese të mbretëreshës Elizabeth I, në shekullin XVI, veçojmë:

“E di që kam trupin e një gruaje të dobët, por kam zemrën dhe stomakun e një mbreti, nëse mendoj se Parma ose Spanja, ose ndonjë princ i Evropës guxojnë të pushtojnë kufijtë e mbretërisë sime.”

Në 1588, ndërsa priste një pushtimin nga Armada spanjolle, Mbretëresha Elizabeth I iu drejtua trupave të saj të mbledhur në Tilbury, Angli. Elizabeta, e veshur me një fustan të bardhë prej kadifeje dhe me parzmore, hypur mbi një kalë gri, dukej si një figurë pothuajse mitike.

Ndërsa fjalimi i saj emocionues nuk ndikoi drejtpërdrejt në fundin e Armadës, anglezët kishin një besim të ri te mbretëresha e tyre, gjë që do të ndihmonte për ta bërë kombin e vogël një fuqi botërore.

“Jam i bindur se dielli është i palëvizshëm në qendër të rrotullimit të rruzujve qiellore, ndërsa toka rrotullohet rreth boshtit të saj dhe rreth diellit”, tha Galileo Galilei

Heliocentrizmi – ideja që Toka dhe planetët rrotullohen rreth diellit në qendër të universit – ka qenë që nga lashtësia. Por ishte Galileo ai që i pari siguroi prova duke përdorur një teleskop.

Në 1615, ai u hetua nga Inkuizicioni Romak i Kishës Katolike për besimet e tij të supozuara heretike dhe kaloi një pjesë të jetës së tij në arrest shtëpiak. Sot, ai konsiderohet babai i astronomisë vëzhguese, fizikës moderne dhe metodës shkencore.

“Jemi shumë të vendosur që këta të rrënë nuk do të kenë vdekur më kot – që ky komb, nën Zotin, do të ketë një lindje të re të litisë – dhe qeveria e popullit, nga populli, për popullin, nuk do të zhduket nga faqja e dheut”.

Më 19 nëntor 1863 – pak më shumë se katër muaj pasi ushtritë e Bashkimit mposhtën Konfederatën në Betejën vendimtare të Gettysburgut gjatë Luftës Civile Amerikane – Presidenti Lincoln mbajti një fjalim të shkurtër në nder të atyre që vdiqën në mbrojtje të lirisë.

Nelson Mandela mbajti fjalimin e tij “Unë jam i përgatitur të vdes” nga banka e akuzës si i pandehur në gjyqin Rivonia të vitit 1964, në të cilin ai dhe kundërshtarët e tjerë kryesorë të aparteidit dolën në gjyq me akuzat për sabotim, një krim që dënohej me vdekje. Fjalimi tre-orësh konsiderohet si një nga fjalimet më të mëdha të shekullit të 20-të dhe një thirrje për drejtësinë racore dhe idealet demokratike.

Mandela, megjithatë, u dënua me burgim të përjetshëm. Ai kreu 27 vjet të dënimit dhe katër vjet pas lirimit të tij në 1990, u zgjodh presidenti i parë me ngjyrë i Afrikës së Jugut.

May be an image of 1 person

See Insights and Ads

Create Ad

Like

Comment

Share

Filed Under: Komente

Kadri Zeka në dokumente sekrete: Nëntori i ‘81-s, demonstratë e fuqishme

January 30, 2024 by s p

Prof. Sylë Ukshini – Koha.net/



Në raportin tepër sekret, të datës 23 korrik 1981, dërguar Ministrisë së Jashtme të Shqipërisë në Tiranë, thuhet se Kadri Zeka në një takim i kishte thënë Engjëllit, diplomat shqiptar: “Në muajin nëntor parashikohet të zhvillohen në Kosovë demonstrata të fuqishme. Kërkesa kryesore e demonstruesve do të jetë ‘Kosova republikë’. Nga shtatori, me hapjen e shkollave dhe universitetit do të ketë demonstrata të tjera, por kulmi i tyre do të jetë në nëntor…”
Gazetari i Radio Prishtinës dhe veprimtari i njohur i Kosovës, Kadri Zeka, i cili jetonte në Zvicër, ku kishte marrë strehim politik pas përndjekjes nga regjimi komunist jugosllav, i njohur si bashkëveprimtar politik i vëllezërve Jusuf e Bardhosh Gërvalla, me të cilët u angazhua deri në fund për krijimin e një fronti të përbashkët mes organizatave shqiptare në mërgim, u ekzekutua më 17 janar 1982, në afërsi të Heilbronnit, një qytet në veri të Baden-Württemberg, Gjermani.

Kjo është vrasja më e bujshme politike në Perëndim, e cila edhe sot ka mbetur enigmë, pasi autoritetet gjermane deri më sot nuk kanë dhënë një version përfundimtar për autorët e vrasjes.

Dyshimi i përgjithshëm ka qenë se prapa vrasjes qëndronin agjentët e shërbimit sekret jugosllav, i cili prej shumë vjetësh po ndiqte dhe vriste shqiptarët në mërgim, ngjashëm siç bënte edhe me veprimtarët politikë kroatë. Beogradi gjithmonë ka ndjekur metoda të tilla dhe nuk është befasi nëse shumë vrasje politike të pandriçuara në Kosovë, të cilat mbeten akoma të pasqaruara, të kenë autorësinë në Beograd, pasi kjo është forma tradicionale që përdorin regjimet hegjemone për të përçarë palët kundërshtare.

Përmbysja e idesë së jugosllavizmit

Fati i veprimtarit të njohur politik të lëvizjes shqiptare për republikën e Kosovës, Kadri Zeka është një dëshmi dhe një panoramë e ngjarjeve dramatike dhe tragjike nëpër të cilat kaloi Kosova dhe shqiptarët në vitet e komunizmit jugosllav, i cili në aleancë me eksponentët e vet në Kosovë, në emër të sloganit “vëllazërim bashkim”, ishte i vendosur ta mbyste çdo shpresë për avancimin dhe çlirimin e Kosovës. Fati i Kadri Zekës dhe i shumë veprimtarëve të heshtur të Kosovës, që bënë aq shumë sakrifica për kauzën e Kosovës, na kujtojnë se liria e pavarësinë ishte një rrugë e gjatë dhe me shumë përpjekje.

Në fillim të viteve ‘80, me shpërthimin e demonstratave studentore, të cilat pas Prishtinës u përhapën në gjithë Kosovën dhe në emigracion, në Kosovë u instalua pushteti ushtarako-policor jugosllav i dominuar nga serbët. Ky moment përmbysi përgjithmonë idenë e jugosllavizmit në Kosovë dhe mundësinë e ndërtimit të shqiptarit më ndryshe.

Kadri Zeka u përkiste radhëve të patundshme të shqiptarëve të përndjekur politikisht. I ndodhur në këtë rrethanë, si shumë të rinj shqiptarë në Kosovë dhe gjetiu, ai emigroi në Perëndim, jo për të shtuar radhët e gasterbajterëve shqiptarë, por për ta mobilizuar lëvizjen politike në Perëndim, e cila duhej të pranuar se për shkak të ndërhyrjes së shërbimeve jugosllave, ishte e përçarë ekstremisht dhe pa ndonjë ndikim dhe e pranueshme në Perëndim.

Shumë njerëz zgjodhën rrugën e mirëqenies personale në botën perëndimore, Kadri Zeka vendosi të vazhdonte aksionin e tij politik për Kosovën – si shumë pjesëtarë të lëvizjes për pavarësinë e Kosovës. Gazetar me profesion, ai, po të donte do të mund të bënte një karrierë profesionale në shtetin zviceran, i cili ofronte mundësi të jashtëzakonshme në të gjitha drejtimet.

Në mision për riorganizimin e demonstratave

Nga Zvicra, Kadri Zeka do të shkonte gjithandej nëpër Evropë, do të shkonte edhe në Vjenë për të zhvilluar kontakte me shtetin shqiptar, për t’u njoftuar nga afër me atë çfarë po ndodhte në Kosovë dhe sigurisht edhe për të parë mundësinë se çfarë do të ofronte shteti shqiptar në rast se situata në Kosovë mund të shkonte drejt një rebelimi të armatosur kundër pranisë serbe dhe jugosllave në Kosovës. Duket qartë edhe nga kabllogramet e Ambasadës së Shqipërisë në Vjenë se Kadri Zeka angazhohej me ngulm për riorganizimin e demonstratave në Kosovë dhe për krijimin e një fronti unik të organizatave politike shqiptare në emigracion. Për këtë qëllim, në fillim të viteve ’90, Kadri Zekën e shohim duke komunikuar me mërgimtarë shqiptarë nëpër qytetet e Zvicrës dhe shtetet e tjera për t’i mobilizuar ata në lëvizjen për Republikën e Kosovës dhe vetëvendosjen e shqiptarëve nën Jugosllavinë e atëhershme. Në verën e vitit 1981, ai shpresonte dhe punonte me këmbëngulje që pas hapjes shkollave dhe të Universitetit të Prishtinës në vjeshtën e atij viti, të niste aksioni politik antijugosllav në Kosovë dhe gjetiu në Perëndim. Zjarri i lirisë tashmë ishte ndezur dhe nuk mund ta shuante më askush.

Njerëzit e misionit diplomatik dhe shërbimit sekret jugosllav në Perëndim, të cilët Kadriun dhe bashkëpunëtorët e tij i ndiqnin në çdo aktivitet dhe lëvizje, dëshironin që përmes eliminimit politik të parandalonin mobilizimin politik dhe mbështetjen e aktiviteteve politike antijugosllave në Kosovë dhe Perëndim. Vrasjet dhe ekzekutimet politike të emigrantëve politikë shqiptarë nga shërbimi jugosllav ishin të njohura edhe nga shtetet e Perëndimit, duke përfshirë këtu edhe RF të Gjermanisë, e cila, si shumë vende perëndimore, për motive gjeopolitike dhe për synimin për ta mbajtur Jugosllavinë sa më larg Moskës në kontekstin e atëhershëm të Luftës së Ftohtë, e siç po ndodhë edhe tani me Serbinë, kishte një kooperim dhe bashkëpunim të ngushtë. Një metodologji e tillë e likuidimit dhe e vrasjeve enigmatike politike nga shërbimi sekret serb ndodhi edhe përgjatë gjithë viteve të mëvonshme si në emigracion, ashtu edhe në Kosovë dhe në shumicën e rasteve ato mbetën të pandriçuara.

Ndjekja dhe eliminimi i kosovarëve në mërgim

Është fakt i njohur se shteti jugosllav dhe agjencitë e tij informative në mënyrë permanente i ndiqnin dhe i eliminonin kosovarët në mërgim që vepronin aktivisht kundër RSFJ-së së në planin politik. Sipas autorit maqedonas, Ivan Babanovski, i cili deri me shpërbërjen e shtetit jugosllav kishte qenë edhe vetë pjesëtar i shërbimit sekret, Beogradi kishte informacione të detajuara për secilin grup politik që operonte në emigrim. Emigracioni politik shqiptar në Perëndim, në krahasim me grupacionet e tjera nacionaliste të emigracionit nga Jugosllavia ishte më specifik, sepse e përbënin emigrantë nga emigracioni shqiptar nga Kosova dhe emigrantë nga Shqipëria. Këto grupacione në thelb dallonin ideologjikisht, por megjithatë, në platformën e tyre të përbashkët e kishin idenë për çlirimin e Kosovës nga sundimi serb dhe krijimin e Shqipërisë etnike, e cila do të përfshinte Kosovën dhe pjesën perëndimore të Maqedonisë, Malit të Zi dhe Luginës së Preshevës. Emigracioni politik shqiptar ishte krijuar pas Luftës së Dytë Botërore, me arratisjen e nacionalistëve shqiptarë të cilët nuk ishin pajtuar me linjën e komunistëve jugosllav për përfshirjen e Kosovës në kuadrin e Jugosllavisë.

Shkatërrimi i nismës së parë për organizimin ushtarak të shqiptarëve

Në vitet 1970 dhe 1980, fillon të organizohet emigracioni i ri politik nga të rinj shqiptarë të Kosovës dhe viseve të tjera etnike nën Jugosllavi, të cilët për dallim nga emigracioni i vjetër, sa për motive pragmatike aq edhe ideologjike, në vend të konfrontimit me shtetin komunist shqiptar zgjodhi rrugën e bashkëpunimit politik. Për më tepër, lidhja me Shqipërinë e grupeve politike në emigracion ishte e rëndësishme për ato, pasi konsideronin se në një luftë të mundshme ushtarake ishte e domosdoshme përkrahje politike dhe ushtarake e qeverisë shqiptare në Tiranë pa marrë parasysh orientimin e saj ideologjik. Vendet euro-perëndimore me sistemet e tyre demokratike dhe me strehimin e emigrantëve politik përbënin një territor për operimin e tyre, ndërsa Tirana vazhdonte të ishte një lloj projektori i shumicës së këtyre grupacioneve politike. Kështu, për të rinjtë shqiptarë nga Kosova, derisa Perëndimi u bë një hapësirë politike që siguronte një bazë të mirë financiare për nevojat e operimit politik, Shqipëria ofronte një mbështetje politike përmes shtypit, radios, televizionit dhe misioneve diplomatike nëpër botë. Por, për shkak të reputacionit të mirë të Jugosllavisë së Titos në Perëndim, nuk ishin të rralla kur shërbimet sekrete perëndimore në bashkëpunim me shërbimin sekret jugosllav mbanin nën vëzhgim aktivitetin e emigrantëve politikë shqiptarë.

Ishte e qartë se Perëndimi asokohe ishte kundër hapjes së çështjes së Kosovës dhe aq më pak të një kryengritje të armatosur shqiptare për realizimin e kërkesës për Republikën e Kosovës. Në sajë të këtij bashkëpunimi midis shërbimeve gjermano-jugosllave, siç pohon James Pettifer, ishte shkatërruar nisma e parë praktike e Jusuf Gërvallës dhe Kadri Zekës në fillim të viteve 1980 për organizimin ushtarak dhe unifikimin e grupacioneve të majta dhe të djathta shqiptare në emigracion. Kadriu me bashkëveprimtarë kishin vënë një pikë nga e cila nuk kishte më kthim prapa. Ajo pikë duhej të arrihej me mjete politike ose luftë të armatosur.

Pranvera e vitit 1981 si moment kthese

Moment kthese i mobilizimit të shqiptarëve në Kosovë dhe diasporë ishin ngjarjet e pranverës së vitit 1981, të cilat në formë publike dhe të demonstratave u shtrua kërkesa për statusin e Republikës së Kosovës, që nënkuptonte njohjen e së drejtës për vetëvendosje të shqiptarëve në rast të shpërbërjes së Jugosllavisë. Në lidhje me këto ngjarje, Elez Biberaj, gazetari dhe ish-Drejtori i Zërit të Amerikës, në punimin “Marrëdhëniet shqiptaro-jugosllave dhe çështja e Kosovës”, të botuar në revistën East European Quarterly” në janar të vitit 1983 (fq. 485-510) dhe më pas edhe në kuadër të librit “Shqipëria dhe shqiptarët në udhën e rimëkëmbjes”, pohon se lëvizjen për krijimin e republikës e udhëhiqte një elitë e re, e klasës së mesme dhe e arsimuar, e lindur e rritur në Jugosllavinë Socialiste. Kjo elitë gjithnjë e në rritje dhe përfaqësuesit e saj paraqisnin një rrezik serioz për udhëheqësit kosovarë të mbështetur nga Beogradi, të cilët perceptohen gjerësisht si të korruptuar, tradhtarë dhe aspak të interesuar të çojnë përpara interesin kombëtar të shqiptarëve të Kosovës.

“Shqiptarët në RSFJ përfaqësonin një grup etnik të indinjuar dhe të pakënaqur me sistemin ekzistuese, të cilin e perceptonin si të strukturuar për të dështuar. Shqiptarët përballeshin me shumë pabarazi: mungesë energjie elektrike, mundësish karriere, lëvizshmërie politike dhe sociale, si edhe diskriminim etnik. Gjatë viteve të fundit, Kosova është karakterizuar nga një politizim etnik në rritje. Megjithëse Kosova ka përjetuar shndërrime të mëdha ekonomike e sociale, shqiptarët vazhdojnë të perceptojnë veten si të nënshtruar ndaj Jugosllavisë”, thekson Biberaj.

Përplasja midis Tiranës dhe Beogradit

Ngjarjet e vitit 1981 dhe ngjarjet e tjera që pasuan për çështjen e Kosovës, u bënë mollë sherri mes Tiranës dhe Beogradit. Për më tepër, autoritetet e Beogradit ishin të shqetësuara se posaçërisht për aktivitetin e fuqishëm të emigracionit me origjinë shqiptare. Organizatat dhe grupet politike zhvillonin propaganda të llojllojshme dhe të gjera solidarizimi me demonstrata dhe lloje të tjera të veprimtarive kombëtare në Kosovë. Këtij aktiviteti iu përgjigjën të gjitha grupacionet dhe organizatat emigrante shqiptare me origjinë shqiptare, si nga Shqipëria ashtu edhe nga Kosova. Qëllimi themelor i këtyre demonstratave ishte përkrahja e ngjarjeve të Kosovës, përhapja e informacioneve alternative nëpërmjet botimit të gazetave, broshurave dhe botimeve të tjera speciale. Autoriteteve jugosllave në këtë kohë në radhët e emigracionit shqiptar shihnin një veprim unik kundër shtetit jugosllav.

“Megjithëse me orientim properëndimor, vjen në shprehje ajo që është karakteristika themelore e këtij emigracioni – nacionalizmi dhe irredentizmi shqiptaro madh dhe formimi i Shqipërisë së madhe. Prej shumë llojeve të regjimeve, lloji më masiv konsideroheshin demonstratat që ishin organizuar në Frankfurt dhe Washington, bashkë me emigracionin kroat, në Bruksel dhe disa qytete të tjera të RF të Gjermanisë dhe në Zvicër.

Paralelisht me këtë synohej që demonstrata e vitit 1981 të përsëriteshin në Kosovë, në mënyrë që të mos venitej rezistenca kundër regjimit jugosllav dhe nomenklaturës kosovare komuniste, për të cilën status quo-ja politike ishte e vetëmjaftueshme për mirëmbajtjen politike dhe të mirëqenies së saj në kohën kur praktikat më represive të sundimit jugosllav mbi Kosovën provonin imponimin e të drejtave të kufizuara kombëtare dhe federale. Në të njëjtën kohë, duke llogaritur në mbështetjen e kundërshtarëve të idesë së jugsllavizmit, Kadriu dhe bashkëveprimtarë të tjerë gjithashtu synuan të mobilizojnë popullsinë në mbështetjen e kauzës së Kosovës për vetëvendosje, me sa duket duke shpresuar të zgjerojnë bashkëpunimin dhe mbështetjen e Tiranës zyrtare. Njëkohësisht, përmes një aksioni të tillë synohej të sensibilizohet opinioni ndërkombëtar për dhunën shtetërore që u përdor nga agjencitë jugosllave të sigurimit të shtetit kundër inteligjencës kundër popullsisë civile në Kosovë.

Nga ana tjetër, elita komuniste kosovare provoi të mobilizonte popullsinë në mbështetjen e tyre, duke zgjeruar bazën e tyre të pushtetit dhe duke e amnistuar vetveten moralisht për krimet politike të së kaluarës, të cilat ose i heshtnin ose ua zhvendosnin bartëses të politikes qendrore në Beograd. Në vend të kësaj, elita kosovare dhe federale “u përqendrua pothuajse ekskluzivisht në orientimet ideologjike dhe motivet nacionaliste dhe neglizhoi shkaqet komplekse të konfliktit. Kriza e rëndë ekonomike që mbërtheu vendin kontribuoi më tej në përçarje. Kriza e Kosovës ekspozoi kufijtë dhe kufizimet e modernizimit socialist dhe nxori në dritë kuptime divergjente të interesave republikane dhe federale” (Robert Pichler, Hannes Grandits dhe Ruža Fotiadis).

Direktivat për ambasadorët dhe diplomatët shqiptarë në lidhje me Kosovën

Kadri Zeka, sigurisht i koordinuar edhe me vëllezërit Gërvalla, kishte vendosur që për këto aktivitete të komunikonte dhe konsultohej edhe me diplomatët e Shqipërisë, me qëllim që të njihej nga afër me pozicionin e tyre dhe kryesisht të shkëmbeheshin informacione për aktivitetin e emigracionit politik në Gjermani dhe vende të tjera. Synimi ishte i qartë: në Kosovë të forcohej fryma e rezistencës politike antijugosllave si hap drejt një aksioni të organizuar ushtarak, për të cilin shqiptarët e Kosovës kishin pritje të madhe, mbase edhe jo realiste. Ndonëse në planin ushtarak Shqipëria kishte pak për të ofruar, në planin politik përfaqësitë e saj diplomatike kishin në qendër të vëmendjes ngjarjet e vitit 1981 dhe kjo temë shtrihej në të gjitha takimet me diplomatë, gazetarë, e personalitete të vendeve pritëse, shoqata dhe pjesëmarrës të emigracionit politik. Natyrisht, komunikimi në përfaqësitë diplomatike shqiptare ishte i kujdesshëm dhe tregohej kujdes maksimal që të shmangeshin kontaktet me personat e panjohur apo të tillë që dërgohen nga shërbimi jugosllav.

Që nga 4 prilli i vitit 1981, ambasadorët dhe diplomatët shqiptarë morën udhëzime se si duhej të silleshin lidhur me ngjarjet në Kosovë dhe çfarë kërkesa duhej të shtronin në takimet e tyre. Për më tepër, Shqipëria tregohej e kujdesshme në të gjitha takimet dhe në të gjitha nivelet duke potencuar me insistim se Republika e Shqipërisë “as ka ndërhyrë, as ka pasur dhe as ka asnjë lidhje me ngjarjet që po ndodhin në Kosovë.” Në përputhje me këtë orientim, diplomatët shqiptarë në të gjitha takimet edhe me përfaqësues të emigracionit politik shqiptar tregoheshin të kujdesshëm, pasi dëshironin t’u shmangeshin akuzave të Beogradit, se Tirana zyrtare po ndërhynte në punët e brendshme të shtetit jugosllav, por “gjykonte se kërkesat e drejta, që rrjedhin nga Kushtetuta e RSF-së të Jugosllavisë, është e ligjshme t’u njihen shqiptarëve që jetojnë në Jugosllavi.”(Ministri Nesti Nase, AMPJ, vitit 1981). Në përgjithësi udhëheqja shqiptare mbronte qëndrimin se shkaqet e protestës së studentëve duhej kërkuar më tepër te prapambetja ekonomike e Kosovës dhe te mungesa e të drejtave politike. Mbi këtë këndvështrim, Tirana mbante qëndrim më të moderuar se vetë emigracioni shqiptar, duke riktheksuar se ajo angazhohej për një Republikë të Kosovës brenda kuadrit të federatës jugosllave.

Dy kabllograme sekrete të Ambasadës Shqiptare në Vjenë

Në përputhje me këtë orientim politik, Ambasada e Shqipërisë në Vjenë ishte bërë jo vetëm qendër e bisedimeve shqiptaro-gjermane për rivendosjen e marrëdhënieve diplomatike, por edhe e vizitave të shumta të pjesëtarëve të emigracionit politik edhe nga Republika Federale e Gjermanisë, me të cilën Shqipëria komuniste nuk kishte marrëdhënie diplomatike për shkak të dogmatizmit doktrinar shqiptar dhe politikës izolacioniste të udhëheqjes komuniste shqiptare.

Sipas dy raporteve tepër sekrete të Ambasadës së Shqipërisë në Vjenë, të cilat i ishin dërguar në formë të koduar në Ministrinë e Jashtme në Tiranë dhe pasi ishin deshifruar dhe arkivuar, ato si kopje i ishin nisur për t’iu dërguar edhe udhëheqjes më të lartë shqiptare, Enver Hoxhës, Mehmet Shehut dhe Ramiz Alisë. Mësojmë se Kadri Zeka ishte në dijeni ose po punonte që në shtator të vitit 1981 të rinisnin demonstratat në Kosovë, kohë që përkonte me rihapjen e shkollave dhe të Universitetit në Kosovë. Në kokën e dy raporteve është vendosur shënim dore “për sh. Enver, Mehmet dhe Ramiz”, dëshmi kjo se udhëheqja e lartë ndiqte nga afër organizmin dhe veprimtarinë politike antijugosllave të grupeve dhe veprimtarëve politikë shqiptarë në vendet evropiane-perëndimore.

Çfarë thuhej në raportin tepër sekret, të datës 23 korrik 1981, dërguar Ministrisë së Jashtme të Shqipërisë në Tiranë? Sipas këtij raporti, Ambasadori shqiptar Musin Kroi, thuhet se Kadri Zeka në një takim i kishte thënë Engjëllit, diplomat shqiptar:

1) Në muajin nëntor parashikohet të zhvillohen në Kosovë demonstrata të fuqishme. Kërkesa kryesore e demonstruesve do të jetë “Kosova republikë”. Nga shtatori, me hapjen e shkollave dhe universitetit do të ketë demonstrata të tjera, por kulmi i tyre do të jetë në nëntor.

2) Beogradi po shton shtypjen, dhunën e terrorin. Deri tani, janë arrestuar 2 mijë veta. Krahas kësaj po përdorin edhe metodat e mashtrimit e komprometimit. Në shumë komuna të Kosovës, që nga koha që janë mbyllur shkollat, janë ngritur të ashtuquajturat klube të rinisë, ku kanë për qëllim të tërheqin rininë, por askush nuk po shkon atje.

3) Në drejtim të emigracionit janë dërguar shumë agjentë e provokatorë nga Beogradi, ndërmjet tyre qindra femra ku grumbullohen shqiptarë. Edhe me këto forma nuk po kanë sukses. Gjendja e emigracionit është në përgjithësi e mirë. Është rritur ndjenja patriotike, ka përpjekje dhe rritje të aktivitetit politik. Dy klube në RFGJ (Dyseldorf dhe Bilefeld) janë kryesisht në dorë të elementeve të shëndosha. Nga emigrantët në Gjermani e Zvicër janë ngritur grupe folklorike. Ka interesim për materiale, sidomos literaturë nga Shqipëria. Dëgjohen rregullisht emisionet e Radio Tiranës”.

Vijon në numrin e ardhshëm të Shtojcës për Kulturë

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Filed Under: Analiza

Kryetari i Kolegjit të Kirurgëve të Kosovës, Prof. Dr. Rifat Latifi, dhe Nënkryetarja e Kolegjit për Austri, Prof. Dr. Lumnije Kqiku-Biblekaj, janë takuar në Vjenë me z. Andreas Minnich, deputet në Parlamentin e Austrisë

January 30, 2024 by s p

Në këtë takim u bisedua për bashkëpunimin mes Kolegjit të Kirurgëve të Kosovës, Parlamentit të Austrisë dhe shtetit austriak në projekte të ndryshme.

Kryetari i Kolegjit, Dr. Latifi tha se në këtë takim shumë të rëndësishëm u bisedua në veçanti për Qendrën e Avancuar të Simulimit dhe Edukimit, si dhe për projekte tjera të rëndësishme për Kolegjin e Kirurgëve të Kosovës dhe shëndetësinë e vendit tonë.

Kurse, deputeti austriak, z.Andreas Minnich, falënderoj Prof. Dr. Latifin për takimin dhe për mundësinë e bashkëpunimit mes Parlamentit të Austrisë dhe Kolegjit të Kirurgëve të Kosovës, duke shtuar se ishte kënaqësi të bisedohej më një ekspert si Dr. Latifi, i cili përmes punës së tij në shumë vende të botës ka ndihmuar në transformimin e shëndetësisë duke përdorur avancimet teknologjike.

Deputeti z. Minnich ka qenë pjesëmarrës edhe në ligjëratën e Prof. Dr. Rifat Latifit të mbajtur kohë më parë në Akademinë Diplomatike në Vjenë, prandaj ky takim ishte bisedë pasuese dhe shumë e dobishme.

Filed Under: Analiza

GJENOCIDI DHE MASAKRAT E SERBISË NË KOSOVË (1998-1999)

January 30, 2024 by s p

Prof.Frashër Demaj/

Ditë më parë Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Kosovës botoi përmbledhjen e punimeve nga Konferenca Shkencore: GJENOCIDI DHE MASAKRAT E SERBISË NË KOSOVË (1998-1999)

Në këtë përmbledhje u botuan rezultatet nga Konferenca shkencore me të njëjtin titull, e mbajtur me 28 prill 2023 në mjediset e ASHAK.

Akademikë, profesor dhe studiues u paraqiten me kumtesa nga fushat e tyre të studimit. Qasja multidisiplinare e trajtimit të dhunës, vrasjeve, përdhunimeve, terrorit, masakrave dhe gjenocidit serb ndaj shqiptarëve bazuar në kronologjinë e ngjarjeve u trajtua në segmente të veçanta deri në detaje nga pjesëmarrësit në këtë konferencë.

…

Lufta e viteve 1998-1999 në Kosovë pati pasoja të rënda të cilat rezultuan me humbje jetë njerëzish, vrasje, masakra, përdhunime, plaçkitje, djegie të shtëpive, kidnapime njerëzish dhe rreth 1600 të pagjetur për fatin e të cilëve nuk dihet as sot. Veprimet e forcave serbe (policisë, ushtrisë dhe formacioneve paramilitare) të komanduara nga hierarkia ushtarake serbe e cila ishte nën urdhrat direkte të politikës zyrtare të udhëhequr nga presidenti serb Milosheviç, ushtruan dhunë e terror ndaj popullsisë civile shqiptare pa kursyer fëmijë, gra e pleq dhe pa respektuar në asnjë moment konventat ndërkombëtare të luftës.

Tendenca e Serbisë për gjenocid ndaj shqiptarëve zunë fill që nga gjysma e parë e shekullit XIX me “Naçertania”-n kur Serbia filloi me projekte të organizuara shtetërore antishqiptare më qëllim vrasjen, dëbimin dhe asimilimin e shqiptarëve dhe pushtimin e tokave të tyre. Vazhdimin e politikës shfarosëse ndaj shqiptarëve, Serbia e shfaqi edhe në kohën e luftërave ballkanike dhe Konferencën e Ambasadorëve në Londër (1912-1913) kur përveç Kosovës kërkonte të pushtonte edhe vise të tjera shqiptare në veri dhe verilindje të territoreve shqiptare me synim pushtimin dhe daljen e përhershme në detin Adriatik. Të gjitha këto synime i mbështeti me veprime politike dhe ushtarake duke vrarë e masakruar popullsi të pambrojtur dhe të paarmatosur shqiptare. Tendencat me premisa gjenocidale shteti serb i rishfaqi edhe në kohën e Luftës së Parë Botërore (1914-1918) duke vrarë e terrorizuar shqiptarët e Kosovës dhe viseve të tjera të mbetura jashtë Shqipërisë së vitit 1912-1913. Periudha në mes dy luftërave botërore u karakterizua me shpronësim, reformën agrare dhe kolonizimin e Kosovës me kolonë serbë e malazezë me qëllim të shpopullimit dhe ndryshimin e balancës demografike të Kosovës.

Në kohën e Luftës së Dytë Botërore 1939-1944, vazhdojnë tendencat antishqiptare pavarësisht se këta të fundit ishin pjesë e koalicionit antifashist dhe synimet e tyre ishin të mbështetura në Kartën e Atlantikut, UNÇJ-, UNÇSH dhe aleatët e mëdhenj të luftës antifashiste që pas përfundimit të luftës dhe fitores kundër fashizmit secili popull do të përcaktohej për të ardhmen e vet politike. Mirëpo, mospërfshirja e Kosovës dhe viseve të tjera shqiptare në vendimet e Mbledhjes II të KAÇKJ –së, që ishte mbajtur në Jajce, më 29-30 nëntor 1943, ishte një paralajmërim për injorimin e interesave të Kosovës dhe shqiptarëve pas përfundimit të luftës.

Dhuna dhe terrori serb ndaj shqiptarëve vazhdoi me masakrën e Tivarit, vendosjen e administrimit ushtarak 1945, aksionin e mbledhjes së armëve 1956, shuarjen e dhunshme të demonstratave të vitit 1968, demonstratave të vitit 1981, suprimimin e autonomisë së Kosovës në vitin 1989, burgosjen e udhëheqësve shqiptarë të Kosovës, vrasjen dhe burgosjen e protestuesve shqiptarë 1989-1992, dëbimin masiv të shqiptarëve nga puna, dëbimin e nxënësve, studentëve dhe personelit të mësimdhënësve nga objektet shkollore dhe universitare dhe luftën e vitit 1998-1999.

Shumë shqiptarë u detyruan të shpërngulen në Turqi (si rezultat i konventave jugosllavo-turke), në Shqipëri e më vonë edhe drejt vendeve perëndimore për të shmangur represionin dhe për të mos u gjunjëzuar para dhunës shtetërore serbe.

Serbia duke përdorur forcat policore, ushtarake, njësitë paramilitare të mobilizuara me serbë lokalë, të tjerë të ardhur nga Serbia dhe mercenarë kryesisht rusë, nga viti 1997 intensifikoi dhunën dhe terrorin ndaj shqiptarëve në çdo cep të Kosovës. Ofensivat e forcave serbe lanë shumë të vrarë e të plagosur gra, pleq e fëmijë të moshave të ndryshme. Masakra e Reçakut, Qirezit, Likoshanit, Abrisë, Izbicës, Mejës, Korenicës, Dobroshit, Guskës, Krushës së Vogël, Krushës së Madhe, Pastaselit, Lubeniqit, Qyshkut, Rogovës, Celinës, Belegut, Kralanit, Sllovisë, Ribarit të Vogël, Grashticës, Studimes etj. nxorën në sipërfaqe tendencën serbe për gjenocid ndaj shqiptarëve.

Pra, shqiptarët e Kosovës janë përballur historikisht me dhunë e represion me qëllim të mohimit të drejtave të tyre, historike, politike, ekonomike-pronësore, qytetare e kombëtare. Vitet 1998-99 të karakterizuara me vrasje, ekzekutime masive, masakra të përcjella me shpërfytyrim të viktimave, rrahje dhe tortura të të zënëve robër dhe të burgosurve, përdhunimet, dëbimet me forcë, shkatërrimi i kartave të identitetit, plaçkitja, shkatërrimi dhe djegia e pronave të shqiptarëve në fshatra e qytete e deri te deportimi masiv i shqiptarëve, përbën një përpjekje të organizuar shtetërore serbe për shkatërrimin total të Kosovës dhe shqiptarëve.

Prandaj për të nxjerrë në sipërfaqe të vërtetën historike dhe për të trajtuar çështje të rëndësishme nga periudha e viteve 1998-1999, e sidomos për të sjellë argumente shkencore për gjenocidin dhe masakrat e Serbisë në Kosovë, Seksioni i Shkencave Shoqërore i ASHAK-ut, organizoi Konferencë shkencore multidisiplinare për të trajtuar aspekte historike, politike, diplomatike, ekonomike, demografike, juridike, mjekësore, psikologjike dhe muzeore për të vërtetën historike të kësaj periudhe, të cilat botohen në këtë vëllim të veçantë.

Me kumtesa shkencore u paraqiten:

Jusuf BAJRAKTARI, Veprimet gjenocidale të pushtetit serb e jugosllav ndaj shqiptarëve në periudhën 1912-1966

Isa MUSTAFA, Dhuna si mjet për arritjen e qëllimeve politike

Josef MARTINSEN, Gjenocidi në Kosovë bazuar në dokumentacionin tim.

Rudina JASINI, Pjesëmarrja e viktimave si palë civile në proceset penale ndërkombëtare.

Hivzi ISLAMI, Tendencat serbe për shkatërrimin e themeleve të jetës së shqiptarëve.

Ksenofon KRISAFI, Trajtimi i masakrave serbe në Kosovë sipas të drejtës ndërkombëtare

Arsim BAJRAMI, Gjenocidi i Serbisë në Kosovë: ndërmarrje e përbashkët shtetërore kriminale

Frashër DEMAJ, Masakra e Reçakut, krim kundër njerëzimit

Salih KRASNIQI, Krimet serbe ndaj pacientëve dhe personelit shëndetësor shqiptar

Mimoza SHAHINI, Trajtimet e specializuara të të mbijetuarve të masakrave dhe gjenocidit në Kosovë.

Muhamedin KULLASHI, Ndriçimi dhe mohimi i krimeve në Kosovë nga disa rryma politike e intelektual franceze në vitet 1998-99

Teki KURTI, Masakrat serbe në Kosovë 1998-1999 sipas medieve ndërkombëtare

Ismet SALIHU, Masakrat e forcave serbe në Kosovë dhe personat e zhdukur 1998-1999

Eglantina KRAJA BARDHI, Dhuna dhe përdhunimet nga forcat serbe gjatë luftës në Kosovë 1998-1999

Ramë MANAJ, Tipologjia e masakrave të luftës 1998-1999 në Kosovë

Jusuf OSMANI, Masakrat ndaj grave, pleqve, fëmijëve dhe të burgosurve në Kosovë më 1998-1999

Arber HADRI, Raportet zyrtare të Departamentit të Shtetit të SHBA, lidhur me gjenocidin e Serbisë në Kosovë dhe spastrimin etnik të popullsisë shqiptare (1999).

Sadik KRASNIQI & Besnik RRACI, Masakrat serbe në Kosovë 1998-1999 sipas dëshmive materiale muzeore.

Përveç kumtesave shkencore në shtojcë u botuan edhe:

DËSHMI TË MBIJETUARVE NGA MASAKRAT E POLICISË, USHTRISË DHE NJESIVE PARAMILITARE SERBE GJATË LUFTËS NË KOSOVË

Studimi: GJENOCIDI DHE MASAKRAT E SERBISË NË KOSOVË (1998-1999) tani është në proces të përkthimit në gjuhën angleze dhe do të botohet në muajin maj 2024.

Filed Under: Rajon

VATRA DO FESTOJË 16 VJETORIN E PAVARËSISË SË KOSOVËS

January 30, 2024 by s p

Federata Pan-Shqiptare e Amerikës “Vatra” në nder të 16 vjetorit të shpalljes së pavarësisë së Republikës së Kosovës, në Selinë Qendrore të Vatrës, më 17 Shkurt 2024, ora 11 Am, do të organizojë një festë dedikuar ngjarjes historike për mbarë kombin shqiptar, shpalljen e Kosovës shtet të pavarur e sovran.

Në këtë ditë të shënuar do paraqiten kumtesa historike rreth pavarësisë e rrugëtimit 16 vjeçar të shtetit të Kosovës në liri, nga Frank Shkreli, Dr. Paulin Marku, Dr. Naim Musliu, Dr. Lulzim Nika dhe Halil Ahmeti. Në nder të kësaj ngjarje festive patrioti i shquar i Dardanisë, vatrani z.Toni Musaj në Vatër do të përgatisë një koktej për të gjithë të pranishmit.

Ftohet komuniteti dhe media që të marrin pjesë.

Filed Under: Politike

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 1335
  • 1336
  • 1337
  • 1338
  • 1339
  • …
  • 2936
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • 115 vjet nga Kryengritja e Malësisë së Madhe dhe ngritja e flamurit në Deçiq
  • GEORGE POST WHEELER, AMBASADOR I SHBA-SË NË SHQIPËRI (1934) : “SHQIPËRIA DHE BURRAT E SHQIPONJËS…”
  • Përshtypje nga Bashkëbisedimi i AFC-së dhe Mjekëve Gastroenterologë AAGA
  • Një princeshë evropiane përballë traditës shqiptare
  • Arkeologët shqiptarë nën vlerësimin e studiuesit anglez Nicholas Geoffrey Lemprière Hammond
  • E drejta për përdorimin e gjuhës amtare në arsimin e lartë në Maqedoninë e Veriut
  • Calling all young dancers! Registration is in person on April 11. Looking forward to seeing you!
  • Ekspozita e ndaluar…
  • Themelimi i orkestrës së parë në Shqipëri
  • 2 PRILLI, 1991 NË SHKODËR – PLUMBAT QË VRANË SHPRESËN DHE DREJTËSIA QË ENDE HESHT!
  • VATRA URON BESIMTARËT KATOLIKË: GËZUAR DHE PËRSHUMËVJET PASHKËT
  • Ndërroi jetë Agim Bardha, “Vatra” e “Dielli” ngushëllojnë familjen patriotike të Ekrem Bardhës për humbjen e vëllait
  • Dita Ndërkombëtare e Librit për Fëmijë – Magjia e Leximit
  • Shoqëria shqiptare ka nevojë të kujtojë dhe reflektojë…
  • Balshajt dhe Cërnojeviçët në territorin e Zetës së dikurshme…

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT