• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Komplikacionet e sigurisë në Gadishullin Arabik nga sulmet terroriste të Lëvizjes Houthi në Jemen

January 27, 2024 by s p

Dr. Dritan Demiraj, Michigan

Autor i librit “Al-Qaeda në Gadishullin Arabik”

Tashmë që kemi hyrë në ditën e 113 të konfliktit midis Izraelit, Hamasit, Xhihadit Islamik Palestinez dhe Hezbollahut, mund të themi se ky konflikt ka kaluar kufijtë e këtij rajoni. Ky konflikt ka shkaktuar vrasjen e më shumë se 25.000 civilëve dhe plagosjen e rreth 50.000 qytetarëve të tjerë palestinezë, ndërsa nga ana e Izraelit vrasjen e më shumë se 2000 civilëve dhe ushtarëve, plagosjen e më shumë se 4500 ushtarëve dhe rreth 24.000 shtetasve të tjerë të cilët sipas mediave izraelite konsiderohen invalidë lufte. 

Intensiteti i këtyre luftimeve, padiskutim që e ka kaluar kufirin e vetëmbrojtjes nga Izraeli, duke provokuar që shumë grupe militantësh të cilët janë mbështetur, financuar, pajisur, trajnuar në mënyrë të paligjshme nga Irani të sulmojnë pabesisht bazat amerikane në Siri, Irak por në mënyrë të veçantë të ndërpresin rrugën ndërkombëtare të transportit tregtar në ngushticën Bab al-Mandeb dhe në Gjirin e Adenit në Jemen. 

Konkretisht grupi i cili po organizon dhe ekzekuton këto sulme terroriste, është grupimi Houthi ose siç njihet në Jemen si ‘Lëvizja Ansar Allah’. Për këtë arsye në këtë shkrim të shkurtër do të dëshiroja të analizonim shkurtimisht një nga lëvizjet më të fuqishme militante në Gadishullin Arabik, grupimin Houthi i cili nga viti 2004 dhe deri në ditët e sotme drejtohet nga Mohammed al-Houthi, djali i Sheikut Hysein Bredradinne al-Houthi drejtues i lëvizjes fetare dhe politike Houthi nga viti 1994 deri në vrasjen e tij në vitin 2004 në Saada nga ish presidenti Ali Abdullah Saleh (1973-2012) vrarë po nga Houthit në vitin 2017 pas tradhtisë që i bëri këtij grupimi. 

Deri tani Houthit kanë ekzekutuar 145 sulme terroriste me raketa balistike, dronë sulmi, anije nënujore kamikaze dhe raketa anti-anije kundër anijeve të transportit ndërkombëtar, por në të njëjtën kohë edhe kundër anijeve luftarake amerikane, duke shkaktuar një ndërprerje të rrugëkalimit të anijeve në kanalin e Suezit dhe duke i detyruar anijet të kalojnë përgjatë një rrugëkalimi shumë të gjatë përreth kontinentit Afrikan. 

Historia e Houthit fillon kur trupat republikane të presidentit Mansur Hadi rrethuan kryeqytetin Sanaa në vitin 2014, duke detyruar imamin Shia të Sanaa-së të largohej së bashku me rebelët e tij në malet në veri të Jemenit, në mënyrë që të organizonte një kundërofensivë. Në këtë moment, Irani dhe Hezbullahu filluan mbështetjen e tyre ushtarake dhe financiare për marrjen e kontrollit të kryeqytetit Sanaa nga luftëtarët Houthi. Që nga viti 2014 dhe në vazhdim, trupat e Houthit filluan të marrin mbështetje ushtarake nga forcat elitë iraniane al-Quds dhe nga komandanti i tyre gjeneral leitnant Kasem Sulejmani, nga Hezbollahu dhe nga Al-Qaeda në Jemen (AQY), e cila në këtë periudhë kishte një prezencë të theksuar në mbi 60 për qind të territorit të Jemenit. 

Pas vitit 2011 dhe në vazhdim, Arabia Saudite dhe aleatët e saj arabë, u angazhuan në një konflikt të hapur në Jemen kundër grupit Shia Houthi. Riadi ka qënë aktivisht i përfshirë në konfliktin e Jemenit, një konflikt që filloi në vazhdën e kryengritjeve të pranverës arabe. 

Në momentin kur trupat Houthi u afruan në afërsi të kryeqytetit Sanaa, presidenti i Jemenit Abd Rabbuh Mansur Hadi, bëri një kërkesë për ndërhyrje ushtarake tek mbreti saudit Salman. Kjo kërkesë erdhi si pasojë e ofensivës që ndërmorën rebelët Houthi, të cilët përfaqësonin një lëvizje të armatosur politiko-fetare, me qëllim marrjen e kontrollit të kryeqytetit të Jemenit, Sanaa. Presidenti Hadi u detyrua të largohej edhe nga qyteti jugor Aden, duke fluturuar në Arabinë Saudite në azil politik, ndërkohë që sauditët po përgatiteshin të fillonin një ofensivë ajrore kundër militantëve Houthi dhe forcave besnike të ish presidentit Ali Abdullah Saleh. Abdullah Saleh ishte larguar nga pushteti pas trazirave të vitit 2011, si pjesë e lëvizjeve të Pranverës Arabe duke e pozicionuar veten me rebelët Houthi. 

Operacioni ‘Decisive Storm’ përbëhej nga Arabia Saudite, Emiratet e Bashkuara Arabe, Egjipti, Sudani, Bahreini, Katari, Jordania, Maroku, Kuvajti dhe zgjati pesë vite (2015-2020). Si pasojë e këtyre luftimeve u vranë mbi 200.000 civilë dhe militantë houthi, mijëra fëmijë vdiqën nga uria dhe rreth 2556 persona nga kolera. Ndërkohë Arabisë Saudite ky operacion i ka kushtuar gjatë viteve 2015-2020 mbi 600-800 milionë dollarë në muaj, mijëra ushtarë të vrarë, dhjetra mijëra të plagosur, avionë, helikopterë, dronë, destrojerë, luftëanije, tankerë nafte, aeroporte, rafineri nafte, etj të shkatërruara.

Ndërhyrja ushtarake saudite në Jemen filloi në datën 26 mars 2015 dhe vazhdoi deri në muajin qershor 2020. Objektivi i tij ishte që të ndikonin në përfundimin e luftës civile në Jemen dhe të mos krijohej asnjë mundësi që militantët e lëvizjes Houthi të merrnin drejtimin e qeverisë në vend. Ndërhyrja ushtarake filloi në përgjigje të kërkesës për ndihmë nga qeveria dhe presidenti i Jemenit Hadi, ku avionët luftarakë të Egjiptit, Marokut, Jordanisë, Sudanit, Emirateve të Bashkuara Arabe, Katarit, Bahreinit nën drejtimin e Arabisë Saudite të fillonin bombardimet kundër pozicioneve të rebelëve. Në këtë konflikt u përfshinë edhe SHBA-të, të cilat ofruan mbështetje me inteligjencë dhe pajisje logjistike, përfshirë këtu dhe operacionet e kërkim-shpëtimit për pilotët që u rrëzuan nga sulmet ajrore të rebelëve Houthi. SHBA-të gjithashtu mundësuan shitjen e një sasie shumë të madhe armësh për shtetet pjesëmarëse në këtë koalicion në shumën rreth 100 miliardë dollarë vetëm për Arabinë Saudite. 

SHBA-të dhe Britania e Madhe dislokuan personelin e tyre ushtarak në qëndrat e komandim-kontrollit të cilat drejtoheshin nga sauditët për sulmet ajrore në Jemen, duke patur akses të plotë në listën e objektivave që do të targetoheshin nga koalicioni arab. Kjo katastrofë që po ndodhte në Jemen, përballej në kampin kundërshtar me lidershipin e gjeneralit iranian Kasem Suleimani, ku ndërkohë që sauditët harxhonin miliarda dollarë në një fushatë brutale ajrore, sipas analistit të Lindjes së Mesme Bruce Riedel ai vlerësonte se:

“Mbretëria saudite harxhon të paktën 5-6 miliardë dollarë në muaj për të bombarduar rebelët Houthi, përballë një investimi relativisht të vogël të Iranit me teknologji të ulët, e cila kushton vetëm disa ‘qindarka’”.

Është i njohur fakti se rebelët Houthi përfaqësojnë apoteozën e modelit iranian të pushtetit shtetëror dhe kryengritës. Ata nuk kanë kërkuar të shkatërrojnë qeverinë, në vend të kësaj ata realizuan një aleancë me ish presidentin e Jemenit Saleh, i cili më parë kishte qenë në kampin saudit. Salehu ka qenë president i Jementi për 24 vjet (1990-2012) dhe president i Jemenit të Veriut (1978-1990) dhe kishte shumë besnikë në të gjitha institucionet kryesore të qeverisë, veçanërisht në forcat e armatosura.

Kur forcat e tij hynë në kryeqytetin e Jemenit, Sanaa në muajin shtator 2014, aleanca Houthi-Saleh ishte në gjendje të merrte nën kontroll të gjithë aparatin administrativ të qeverisë pothuajse pa asnjë të shtënë. Houthistët nga ana tjetër, filluan të emëronin njerëzit e tyre në departamentet qeveritare, operativët e tyre në aparatin e inteligjencës dhe komandantët e tyre në ushtri, duke krijuar në të vërtetë një “qeveri në hije”. Ata shfuqizuan njësitë ushtarake si Garda Republikane, të cilat i qëndruan besnike vetëm presidentit Saleh, gjë që bëri që të angazhoheshin edhe këshilltarët ushtarakë nga Hezbollahu Libanez dhe forcat iraniane al-Quds.

Në muajin mars të vitit 2017, gjeneral Suleimani mblodhi në një takim komandantët më të lartë në Teheran, me qëllim për të diskutuar format dhe mënyrat për të fuqizuar më tej forcat Houthi në Jemen. Raundi i parë i mbështetjes nga forcat Quds filloi në vitin 2012, fillimisht me armatime, para dhe granata. Gjatë viteve 2012-2013, SHBA-të kapën dy anije amerikane me armë në Gjirin e Adenit. Pas ndërhyrjes saudite, në vitin 2015 forcat Quds u përfshinë edhe më shumë në mbështetje të forcave Houthi.  

Në këtë këndvështrim, mund të përmendim asistencën ushtarake iraniane, e cila përbëhet nga dronë kamizaz dhe inteligence me kosto 1000-2000 dollarë të cilat në shumë raste u përdorën kundër raketave tokë-ajër amerikane të raketave Patriot ‘Pack 2/3’ me kosto 2-3 milion dollar. Dronet Ababil dhe Qasef të cilat u përdorën kundër baterive anti-ajrore prodhim amerikan të Arabisë dhe Emirateve. Houthit përdorën gjatë kësaj kohe edhe drone kamikaz nënujore iraniane kunder fregates saudite ‘al-Madina’ dhe kunder anijes ‘Arsan’, raketa dhe mina detare në ngushticën Bab al-Mandeb, raketa anti-anije-SS-N-2 dhe raketa kineze C-801, C-802, sistemin Iranian Noor, raketat Tawfan-1, Tawfan-2, Tawfan-3 dhe 15 lloje minash detare.

Aktualisht lëvizja Houthi kanë dispozicion rreth 160.000-200.000 trupa milicish të mirë organizuara, të strukturuara në disa komanda me forca tokësore, detare, ajrore, forca raketore dhe mbi të gjithë me një eksperiencë të madhe luftimi të cilat arritën një fitore spektakolare kundër koalicionit saudit gjatë viteve 2015-2020. 

Deri tani Houthit edhe pse janë goditur nga forcat e koalicionit anti-Houthi, nuk i kanë ndaluar sulmet e tyre terroriste në Detin e Kuq, madje kanë deklaruar se nuk do të ndalojnë sulmet deri në tërheqjen e trupave izraelite nga Gaza. Duhet thënë se kostoja e këtij operacioni është e lartë, duke marrë në konsideratë se kosto e raketave amerikane ‘Tomahawk’ është rreth 2 milionë dollar, raketat amerikane të përdorura kundër dronëve 2000 dollarë të Houthit SM-2 kushtojnë 2 milionë, raketat SM-6, katër milionë, raketat ESSM Sea Sparrow rreth 2 milionë dollar, së bashku me raketat franceze anti-ajrore 1 milionë euro. 

Pra të gjitha sa më lartë kanë rritur ndjeshëm koston e këtij operacioni, në shtesë edhe të kostos të ndërprerjes së transportit tregtar të dhjetra anijeve të tregtisë të cilat tani kalojnë përgjatë këtij rrugëkalimi ndërkombëtar. 

Filed Under: Komente Tagged With: Dritan demiraj

TIRANË, 1937 / CENTRALI MË I VOGËL TELEFONIK NË EVROPË SAPO I KA MBIJETUAR KRIZËS MË TË MADHE (CHICAGO DAILY TRIBUNE)

January 27, 2024 by s p



Nga Aurenc Bebja*, Francë – 27 Janar 2024

“Chicago Daily Tribune” ka botuar, të martën e 1 qershorit 1937, në faqen n°2, një shkrim mbi ngarkesën e rrjetit telefonik asokohe në Shqipëri për arsye të vizitës së Galeazzo Ciano-s, të cilin, Aurenc Bebja, nëpërmjet blogut të tij “Dars (Klos), Mat – Albania”, e ka sjellë për publikun shqiptar :

Nga matanë detit

Nga Terence Atherton

(Shërbimi i shtypit i Chicago Tribune)

Burimi : Chicago Daily Tribune, e martë, 1 qershor 1937, faqe n°2
Burimi : Chicago Daily Tribune, e martë, 1 qershor 1937, faqe n°2

Tiranë, Shqipëri. — Centrali më i vogël telefonik në Evropë sapo i ka mbijetuar krizës më të madhe.

Tirana, kryeqyteti i Shqipërisë, ka vetëm 300 abonentë privatë të telefonisë. Nuk ka numra telefoni dhe as numërator. Në vend të kësaj ka tre operatorë të njohur – dy quhen Hasan dhe i treti Sulejman.

Si Hasanët ashtu edhe Sulejmani jo vetëm që mund të lidhen me secilin abonent pa pasur nevojë për një numër për t’i drejtuar ata, por ata gjithashtu njohin zërat dhe lëvizjet e të gjithë abonentëve të tyre individualë.

Nuk është e pazakontë, kur kërkon një abonent, operatori t’i thotë se është jashtë qytetit, ka shkuar për të vizituar një vëlla të sëmurë ose për një çështje të ngjashme familjare, për të cilën operatorët janë të mirëinformuar.

Është e kotë që një abonent i vjetër të thotë se nuk është i disponueshëm kur nuk dëshiron t’i përgjigjet një telefonate; Sulejmani ose një nga Hasanët e njeh menjëherë zërin e tij dhe nuk mund të mashtrohet.

Një krizë u shkaktua nga vizita e kontit Galeazzo Ciano, ministrit të jashtëm italian, i cili shoqërohej nga një numër i madh gazetarësh të huaj, zërat e të cilëve nuk dalloheshin as nga Sulejmani, as nga Hasanët.

Numri i thirrjeve ndërkombëtare që tre operatorët duhej të kryenin bllokoi edhe centralin e vogël telefonik. Ngarkimi i rrjetit ka kaluar tashmë dhe shërbimi për shtyp i Ministrisë së Jashtme shqiptare siguroi se shërbimi telefonik tashmë është forcuar ndjeshëm.

Filed Under: Emigracion

ZOGU, SHQIPERIA KERKON NJOHJE NGA SHBA

January 27, 2024 by s p

Rafael Floqi/

Commonwealth. (Skotia Neck, N.C.) 17 qershor 1922

Tiranë, Shqipëri, Qershor 1922

“Na njihni ne” i thotë Ahmet Bej Zogu, Ministri i Punëve të Brendshme të Shqipërisë, agjencisë Associated Press në një intervistë të fundit.

“Nëse Amerika na njeh dhe dërgon një përfaqësues diplomatik në Shqipëri, kjo do të jetë shtytja më e madhe që mund të ketë Shqipëria”, tha ai.

“Ne jemi një racë e lashtë dhe krenare. Kemi tradita para epokës së krishterë. Kemi vuajtur nën thembërin e tiranit. Jemi të shtypur nga popujt aziatikë dhe evropianë. Ne kemi ëndërruar me shekuj një ëndërr lirie. Ne jemi raca më homogjene në Ballkan dhe dëshirojmë shansin që ta përcaktojmë vetë fatin tonë.

Amerika, faqet e historisë së cilës shkëlqejnë me vepra të lavdishme në kauzën e lirisë njerëzore, duhet ta riorganizojnë Shqipërinë, sepse është një vend që ka vuajtur në shekuj të gjatë robëri dhe tani, e rilindur si komb, dëshiron ta ruajë lirinë për aq gjatë sa ta mbajë” –

Ahmet Bej Zogu trung i një fisi fisnik luftarak. Traditat fisnore dhe grindjet në Shqipëri-kanë ngjallur tek ai një shpirt luftëtari të trashëguar. Sot ai është heroi i Shqipërisë dhe spikat me dukshëm e guximshëm teksa kombi i ri po përpiqet të nxisë mundësitë për ekzistencën e tij kombëtare. Ai është një i ri jo më shumë se 28 vjeç dhe konsiderohet si sundimtari i vërtetë i Shqipërisë. I imët shtatlartë, bjond, me sy të kaltër të mprehtë, ai ka një pasion dhe ai do ta ngrerë Shqipërinë në këmbë dhe t’ë vendin e vet.

Intrigat depërtojnë në jetën politike, të shtetit të ri që po ngrihet me vështirësi, por Zogu ka qenë gjithmonë në gjendje t’i kapërcejë ato qysh në fillim dhe të ruajë respektin për autoritetin e krijuar.

“Shqipëria është larg sherrit të brendshëm.;”, tha ai për korrespondentin. “Ne kemi një ushtri të vogël prej 9000 burrash. Këto duhen përdorur për të mbajtur rendin. Kur kombet e tjera thonë se Shqipëria po i sulmon, është absurde, sepse Shqipëria nuk ka as mjete dhe as forca për të sulmuar dikë.

Ne kemi një popullsi që llogaritet mbi 1.000.000 dhe të gjithë shqiptarë. Nuk ka asnjë fis, soj apo grup të huaj brenda kufijve tanë. Vetëm për këtë, ne kemi të drejtën për të pasur kombësinë tonë”.

Filed Under: Mergata

Presidentja Osmani emëron Vehbi Miftarin ambasador në Vatikan

January 27, 2024 by s p

F.S / RTKlive/

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka emëruar Vehbi Miftarin ambasador në Misionin e Posaçëm në Vatikan.

Nga 1 shkurti, Miftari do të udhëheqë misionin e sapothemeluar të Kosovës në Vatikan, duke lënë pozitën e këshilltarit politik të presidentes Osmani.

Lajmin e ka bërë të ditur vetë ai përmes një postimi në Facebook.

“Sot, pas tri vjetësh angazhimi si këshilltar politik i Presidentes Vjosa Osmani, e përmbylla angazhimin tim në Zyrën e Presidentes së Kosovës. Ka qenë përvojë fort e vyer në shërbim të Republikës”.

“E falënderova Presidenten për bashkëpunimin e shkëlqyer dhe besimin e saj dhe të institucioneve të vendit që nga 1 shkurti të udhëheq misionin e sapothemeluar të Kosovës në Selinë e Shenjtë/Vatikan”, ka shkruar Miftari në Facebook.

Ndryshe, Osmani dy javë më parë ka dekretuar hapjen e Misionit të Posaçëm të Kosovës në Selinë e Shenjtë në Vatikan. Ajo ka thënë se dekretimi formal i Misionit të Posaçëm të Kosovës në Selinë e Shenjtë vjen pas dy vite përpjekjesh intensive së bashku me lidershipin e Vatikanit.

Filed Under: Ekonomi

Përse Vlora duhet ta kujtojë Holokaustin

January 27, 2024 by s p

Bujar Leskaj/

Fjala Holokaust përdoret për të emërtuar gjenocidin e Gjermanisë naziste ndaj hebrejve në Europë nëpërmjet një aparati shtetëror, mbi të gjitha ushtarak, që nuk ka precedentë në histori për nga përmasat dhe vecoritë organizative. Hebrejtë përdorin termin Shoah, që do të thotë katastrofë. Zhdukja e dy të tretave të hebrejve të Europës në kampet famëkeqe naziste të shfarrojes në Dakau, Mathausen dhe Aushvic, është një tragjedi, e cila duhet ndricuar dhe përkujtuar për të mos harruar dhe për të mos u përsëritur më e kaluara. Ne vlonjatët duhet që mbi të gjithë të tjerët ta kujtojmë këtë pjesë të errët të historisë së Europës sepse Holokausti ndaj hebrenjve nga nazistët hitlerianë ka ndodhur paralelisht masakrat dhe krimet e paprecedenta, që ata kanë kryer edhe ndaj kombeve jo hebrenj, duke përfshirë këtu ne shqiptarët, aq më tepër ne vlonjatët, që lamë pothuajse 400 djem e burra në ato kampe të tmerrëshme të shfarrosjes në masë. Dhe për ta bërë më konkret këtë fakt, po kujtoj baballarët e dy piktorëve tane të shquar si Nestor Jonuzi dhe Hilmi Bani që nuk u kthyen të gjallë nga kampet e përqëndrimit dhe mbetën dhimbje dhe për shpirtin dhe telajot e bijve të tyre. Jo vetëm kaq. Por Vlora jonë, është qyteti , i cili që prej vitit 1492 e deri në vitin 1992, ka pasur brenda vetes këtë komunitet, me të cilin ka bashkëjetuar dhe bashkëndarë hallet dhe gëzimet e tij. Këtu në zemër të Vlorës ndodhet Rruga e Hebrenjve, si një kujtesë për një bashkëjetesë dhe nderim reciprok, gjë të cilën shpreh më së miri dhe D. Anna Kohen te libri saj “Lulja e Vlorës”, ku shpreh jo vetëm mirënjohjen për vlonjatët dhe shqiptarët si mbrojtësit më të mëdhenj të hebrenjve gjatë Luftës së Dytë Botërore me anë të kodit të besës, por dhe për dashurinë e saj për Vlorën dhe vlonjatët.

Para tre ditësh, në këtë mjedis të Muzeut Kosova, ne përkujtuam 180 vjetorin e lindjes dhe 105 vjetorin e ikjes në amshim të Ismail Bej Vlorës, i cili jo vetëm ne shqiptarëve, por dhe gjithë Europës u ka lënë si testament ngritjen e zërit kundër padrejtësive sepse e ka parandjerë me largpamësinë dhe humanizmin e tij, atë se cfarë do të ndodhte më vonë. Ja se çfarë shkruan Ismail Qemal Vlora te “Memorie”, faqe 72 :“Në Rumani hebrenjtë ishin dënuar për të njëjtat gjëra si ata në Rusi… Duke filluar që nga viti 1866, këto persekutime u bënë kaq të shpeshta dhe kaq mizore, sa më në fund u trondit ndërgjegjja e botës së qytetëruar. Ne, që ishin dëshmitarët më të afërt të këtyre tmerreve, nuk mund të qëndronim indiferentë ndaj vuajtjeve të këtyre krijesave fatkeqe dhe ndjemë detyrën njerëzore për t’i ndihmuar. Është poshtërsi dhe krim që të nëpërkëmbësh dhe përndjekësh një popullatë të tërë vetëm për shkak të prejardhjes dhe racës së saj.” Për këtë nderim, jo më kot personaliteti hebre Joseph Louis Baron (1894-1960), do të përfshinte në antologjinë prestigjoze “Stars and Sand” krahas njerëzve vullnetmirë, sidomos shkrimtarë si Honore De Balazak, Viktor Hygo, por dhe shtetarë si De Gol, Bismark, Gandi, Ataturk, Wilson, Tomas Xheferson, Xheorxh Uashinton, etj, edhe emrin e ndritur të Ismail Qemalit, sepse këta personalitete pavarësisht nga raca besimi dhe prejardhja, kanë ngritur zërin e tyre kundër padrejtësive që u janë bërë hebrenjve.

Ne, e kujtojmë Holokaustin dhe për të mos harruar spastrimit etnik të bërë në trojet tona, Kosovë e Camëri, por dhe kampet dhe burgjet e komunizmit. Dhuna, vrasja , krimi, pavarësisht se kanë emra të ndryshëm, kanë një substancë: vrasjen për shkak të urrejtjes.

Në nuk duhet të harrojmë !

Kjo është arsyeja që për dy vjet rresht Shoqata e Shkrimtarëve dhe Artistëve “Petro Marko, në bashkëpunim me Institutin e Studimeve Politike “Ismail Qema-Vlora” , po e kujtojmë Holokaustin, për të mos harruar të shkuarën dhe për të treguar se nuk është urrejtja, por dashuria dhe nderimi që na bën njerëz dhe ndricues të së ardhmes.

Filed Under: ESSE

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 1340
  • 1341
  • 1342
  • 1343
  • 1344
  • …
  • 2936
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • 115 vjet nga Kryengritja e Malësisë së Madhe dhe ngritja e flamurit në Deçiq
  • GEORGE POST WHEELER, AMBASADOR I SHBA-SË NË SHQIPËRI (1934) : “SHQIPËRIA DHE BURRAT E SHQIPONJËS…”
  • Përshtypje nga Bashkëbisedimi i AFC-së dhe Mjekëve Gastroenterologë AAGA
  • Një princeshë evropiane përballë traditës shqiptare
  • Arkeologët shqiptarë nën vlerësimin e studiuesit anglez Nicholas Geoffrey Lemprière Hammond
  • E drejta për përdorimin e gjuhës amtare në arsimin e lartë në Maqedoninë e Veriut
  • Calling all young dancers! Registration is in person on April 11. Looking forward to seeing you!
  • Ekspozita e ndaluar…
  • Themelimi i orkestrës së parë në Shqipëri
  • 2 PRILLI, 1991 NË SHKODËR – PLUMBAT QË VRANË SHPRESËN DHE DREJTËSIA QË ENDE HESHT!
  • VATRA URON BESIMTARËT KATOLIKË: GËZUAR DHE PËRSHUMËVJET PASHKËT
  • Ndërroi jetë Agim Bardha, “Vatra” e “Dielli” ngushëllojnë familjen patriotike të Ekrem Bardhës për humbjen e vëllait
  • Dita Ndërkombëtare e Librit për Fëmijë – Magjia e Leximit
  • Shoqëria shqiptare ka nevojë të kujtojë dhe reflektojë…
  • Balshajt dhe Cërnojeviçët në territorin e Zetës së dikurshme…

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT