• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Kryetari i Vatrës z.Elmi Berisha u takua me kryetarin e AAK z.Ramush Haradinaj

October 31, 2023 by s p

Kryetari i Federatës Pan-Shqiptare të Amerikës VATRA z.Elmi Berisha zhvilloi një takim të përzemërt dhe vëllazëror me liderin e AAK z.Ramush Haradinaj. Veç tjerash ndër temat kryesore të diskutimit ishin situata politike në Kosovë, dialogu me Serbinë dhe roli i jashtëzakonshëm i mërgatës shqiptaro-amerikane në promovimin e interesit dhe imazhit të Kosovës në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Pas takimit në faqen zyrtare në Fb z.Haradinaj shkroi: “Shqiptarët që jetojnë e veprojnë prej vitesh në Amerikë, janë shembulli më i mirë i atdhedashurisë dhe i përkushtimit ndaj kombit. Ata kaluan Atlantikun, por lidhjen me atdheun nuk e shkëputën asnjëherë dhe vazhdojnë të luajnë një rol të rëndësishëm edhe sot në rrugën e integrimeve të Kosovës.

Pata kënaqësinë të takoj kryetarin e Federatës Pan-Shqiptare ‘Vatra’, Elmi Berisha, me ç’rast biseduam për zhvillimet e përgjithshme politike në vend e rajon. Njëherësh ritheksova nevojën e vazhdimit të përkrahjes së tyre për Kosovën si për zhvillimin ekonomik të saj ashtu edhe në temat e rëndësishme që na presin në të ardhmen, veçanërisht në procesin e anëtarësimit në NATO, si një nevojë urgjente e cila garanton më shumë siguri dhe paqe në rajon”.

Filed Under: Vatra

Festa e Flamurit 2023

October 31, 2023 by s p

Festa e Flamurit 2023.

Filed Under: Vatra

Simon Gjoni, kompozitori i vlerave krijuese dhe historia e “Lule bore”, himnit të muzikës lirike shqiptare

October 31, 2023 by s p

Albert Vataj/

Rasti i kompozitorit Simon Gjoni është më kuptimploti i marrëdhënies së krijuesit me veprën dhe vetë veprës me kohën. Ai ka një galeri të pasur përvoje të kumtit krijues, por ajo që e ka bërë atë kaq të famshëm dhe të përgjithmonshëm në vetëdijen e adhurimit të ëndshëm të gjeneratave është “Lule Bore”. Një pavdekësi e merituar, një magjike e shndërruar në gjakun dhe ritmin e kohërave. Ai lindi në një shkëndi dhe u përjetësua në një shpërthim, në atë vezullimë që na mbush zemrën e na ngop shpirtin, hov kurmet e përflak gjakrat. “Lule Bore” më shumë se një këngë, ajo ishte zëfillja e një drithërime shpirti dhe mbeti një dashuri e dëshiruar në tinguj, në nota, në fjalë, në zëra që tendosin ëndjen dhe u bien telave të joshjes me kaq afsh e magji, sikur janë rite të një solemtniteti hyjnor. “Lule Bore” është një këngë, të cilën jetëgjatësia e pakundërshtueshme artistike e ka shpallur pa zyrtarizma burokratike, Himn të muzikës lirike shqiptare. Është kënga “Lule bore”…(!)

Po të pyesësh, njerëz, se cili është kompozitori i saj, shumë syresh, tkurrin supet për të thënë: “Se dimë, por ajo është e të gjithëve”, të tjerë të thonë se, “është një këngë e popullit…”.

Në morinë e përgjigjeve për autorësinë e kësaj kënge, qëndron pikërisht fshehtësia e magjisë dhe e notës së paarritshme që ajo ka të ngjeshur brenda saj dhe që lidhet vetëm me një emër; kompozitorin dhe dirigjentin e mirënjohur Simon Gjoni. Pavarësisht se ka 55 vjet që është kompozuar, “Lule bore”, këndohet si në ditët e para që filloi të transmetohet në Radio-Shkodra, si atëherë kur artisti harmonizoi notat për t’ia dorëzuar një mori këngëtarësh, e për të qënë paskësaj e pranishme së bashku me gëzimin e shqiptarëve në të gjitha pikat e globit.

I lindur ne qytetin e Shkodrës, talenti i Simon Gjonit, spikati që kur ishte i ri dhe kur kontribuoi si drejtues i shumë formacioneve të ndryshme orkestrale dhe vokale të qytetit të tij. Me një sensibilitet dhe origjinalitet të dukshëm në kompozicion ai krijoi në vitet 1946-1947 një seri këngësh të paharruara që shquhen sa për ndjeshmërinë e tyre sa poetike aq edhe të sinqerta, të figurshme dhe fisnike si, “Lule bore”, “Sy larushës”, “Sytë e tu si drita”, “Fyelli i çobanit”, “Nëna dhe çika” etj. Ishin pikërisht këto këngë të cilat e çuan më tej traditën qytetare të lirikës shkodrane, ndërsa u përhapën me shpejtësinë e dritës në Shqipëri.

Sa më lart vetiu, të vjen në mendje se vlera e muzikës dhe e këngës nuk qëndron tek juritë, por vetëm tek çmimi që populli e dekoron me jetëgjatësinë e saj. Në Moskë, në vitin 1956 trio Mula, Athanas,Tukiçi, korri sukses të jashtëzakonshëm me këngën “Lule bore”, në Vjenë në vitin 1961 festivali i rinisë u çel me introduksionin e Lule Bore. E sot, ajo këndohet së bashku me publikun dhe në Nju Jork, ku koncertet përfundojnë me himnin e këngës shqiptare “Lule-bore”.

Në ish-Bashkimin Sovjetik, Lule borë, ishte kaq e përhapur sa që shqiptarëve iu drejtoheshin: “A…, ju jeni nga vendi i Lule borë”, kujton këngëtari Avni Mula, një nga interpretuesit më pikantë të kësaj kënge në atë kohë, por që nuk e ka harruar pa një interpretim lirik të mirëfilltë në disa koncerte edhe vajza e tij, sopranoja Inva Mula.

I mirënjohuri Çesk Zadeja e konsideronte “një model të papërsëritshëm në lirikën shqiptare”. Sipas familjarëve të tij, trashëgimtarë të veprës, Simon Gjoni ka dhe mbi 50 këngë të të njëjtit stil si “Lule bore”, botuar së fundmi nën kujdesin e bashkëshortes së tij Hermira Gjoni në një album të veçantë.

Pak vite më parë, në një Festival këngë në Radio-Televizion , kur dueti i arrirë artistikisht, Vikena Kamenica dhe Kastriot Tusha, interpretoi këngën “Vajzë e vogël”, e interpretuar vetëm një herë nga Llukë Kaçaj, u duk se publiku e harroi konkurrimin e këngëve-shkak i organizmit të festivalit të fund-vitit. Salla ishte ngritur e gjitha në këmbë në duartrokitje… Në fakt çmimi i ishte dhënë këngës përshëndetëse, sepse kënga që është këngë, ja që di t’i rezistojë kohës, sistemeve, doktrinave, mentaliteteve, snobizmit…!

Është pikërisht kjo këngë që aktualisht është një këngë hit në Kosovë dhe në diasporën shqiptare.

Simon Gjoni, legjenda e heshtur e muzikës simfonike

Studimet e larta Simon Gjoni i kreu në Akademinë e Lartë muzikore të Pragës, në klasën e dirizhimit simfonik me profesorët V. Smetacek, R. Brook, A. Klima. Në vitin 1954, ai ishte pjesëmarrës si kompozitor në Festivalin Ndërkombëtar të Muzikës, së bashku me kolosët botërorë, si Shoporin, Janson, Rihter, Fisher, Fournet etj. Në vitin 1956 në sallën “Mestska Knihovna” dirigjon Shubert “Rosamunda” dhe Grieg “Perr Gynt”. Po në këtë kohë dirigjon veprën “Pygmalion” të kompozitorit Jiri Benda. Në vitin 1957 në sallën “Dum Umelco” ai drejtoi “Simfoninë orkestrale për violinë e kontrabas” të K. Dittersdorf. Suksesi i këtij koncerti pasohet nga ai i pjesës simfonike të Franc Listzi-it “Les Preludes”.

Simon Gjoni, është një ndër dirigjentët e parë të orkestrave tona simfonike të Teatrit të Operas dhe Baletit dhe të Radio-Televizionit. Ne vitin 1958, kur u emërua dirigjent në TOB, shumë vepra të shquara e gjetën interpretimin e “parë” tek dirigjenti i ri, i cili i interpretoi ato duke zbuluar ngarkesën emocionale të tyre me një ndjeshmëri të lartë.

Përmendet baleti “Lola”, “Laurencia”, operat “Don Paskuale”, “Berberi i Seviljes”, “Paliacot”, “Franceska da Rimini”, “Pranvera”, etj. Për herë të parë nën kujdesin e tij incizoi krijimtarinë e deriatëhershme të kompozitorëve shqiptarë Zadeja, Gaci, Nova, Grimci, operetën “Lejlaja” të T.Daisë, operetën “Agimi” të K.Konos, Koncertin nr.1 për violinë të Zoraqit, Rapsodinë për piano dhe orkestër të Tonin Harapit, gjithashtu edhe muzikën e disa filmave shqiptare.

Nga autorët botërorë ekzekutoi për herë të parë në Shqipëri Beethoven “Simfoni nr.8”, Mendelson “Uverture”, Beethoven “Eleonora”, Uverture K.M. Veber “Gjuetari Magjik”, Liszt “Prelude”, Dvorzhak “Valle simfonike”.

Krijmtaria e tij ka kaluar thuajse të gjitha gjinitë ; nga kënga, romanca, kantata, suita, poemat, veprat instrumentale e deri tek veprat e mëdha orkestrale si 11 valle simfonike, vepra këto ku ndihet atmosfera e kohës , besimi i kompozitorit ndaj popullit të tij prezenca e të cilit është e pashmangshme me të gjitha dukuritë në këto vepra.

Në maj te vitit 1960 kompozoi odën lirike “Pranvera jone”, me tekst të Ismail Kadare, dhe një suite simfonike me katër kohe. Një vit më pas kompozoi “Poema e rapsodit” për bas-celo-piano. Balada “Lufton shqipja” u këndua menjëherë nga basi i papërsëritshëm Llukë Kacaj. Në 1962 ai kompozoi vallen e parë simfonike shqiptare, e pasuar më pas me 10 valle simfonike të tjera që paraqesin një gërshetim të mrekullueshëm të muzikës së kultivuar me muzikën popullore. Secila nga vallet është një vepër me vete krejt e vecantë dhe e ndryshme nga të tjerat .

Si pedagog Simon Gjoni, dha nje kontribut të çmuar deri në castet e fundit të jetës, kur përgatiti me dhjetra studentë. Ai ishte një ndër pedagogët e parë në themelimin e Konservatorit Shtetëror të Tiranës së bashku me Çesk Zadene, T.Guraziun, Y.Skenderin. Shumë muzikantë e cilësojnë Simon Gjonin si një shëmbull të rrallë ku gjeneratat mund të mësojnë për kërkesat sistematike, këmbënguljen dhe disiplinën e lartë artistike.

U nda nga jeta në 31 Tetor 1991. Emri i Simon Gjonit siç e ka cilësuar Zadeja i madh,”do të mbetet i skalitur në pentagramin e muzikës shqiptare, së cilës i shërbeu me dashuri dhe respekt”.

Historia e Luleborë”

Simon Gjoni, kompozitori i ri pas viteve te çlirimit, jepte mesim ne shkollen e mesme te qytetit. Plot te rinj e te reja i degjonin me vemendje ligjeratat e tij per krijuest e medhenj te muzikes boterore. Ne kishim pak vepra te muzikes se kultivuar, edhe ato pak te njohura. Por kishim nje pasuri te madhe te krijimtarise popullore dhe Simoni fliste shpesh per keto vlera te çmuara…

Nje dite dimri. Debora e bardhe kishte mbuluar te gjithe qytetin dhe malet perreth. Ai po rrinte ne sallen e mesuesve, sepse ate ore nuk kishte mesim. Po kundronte nga dritarja gjimnazistet qe po luanin me topa bore. Ne mes tyre edhe “ajo”, lulja e bukur. I lindi aty per aty mendimi dhe deshira qe te shkonte edhe ai mes tyre, por nuk duhej. Ai ishte mesuesi i tyre. Syte i mbante gjithnje tek njera, tek vajza e gjalle, e shkathet, me syte e kalter si deti i thelle, me ato floket e gjata e te mbledhura ne nje gershet te trashe, me ato pantallonat, qe e para nder shoqet i kishte veshur e qe ia shtonin hijeshine e trupit, veçanarisht kur lidhte ate shallin e bukur mbi koke. Ishte me te vertete nje lule e kendshme ne mes lulesh tjera… Gjithe qenia e saj iu shnderrua na formen e nje “lulebore”, bile edhe topat e debores qe ajo ia drejtonte shokeve e shoqeve, i dukeshin si lulebore… Dhe u detyrua te priste jo vetem shkrirjen e debores e ikjen e dimrit, por edhe mbarimin e shkolles e marrjen e matures. Por gjithe asaj kohe, mendjen e kishte vetem tek ajo, tek “Lulebora”.

– Zef, ti e di, une dua nje vajze, – i tha nje dite Simoni poetit Zef Pali, sapo doli nga shkolla. Zefi e njihte mire dhe ia dinte ndjenjat e dashurise per maturanten e gjimnazit. Ate dite ndenjen shume kohe bashke. Biseduan gjere e gjate. Mbas disa ditesh, Zefi i dha nje tekst. Simoni e mori dhe, duke e mbajtur ne duart qe i dridheshin, plot emocion i tha:

– Bukur, shume bukur, ashtu siç kam dashur vete…

Shkoi menjehere ne shtepi, nuk ishte i qete. Sillej neper dhome e nuk dinte ç’te bente. Ne koke i vlonin motive te ndryshme melodish. E lexoi tekstin disa here, deri sa e mesoi permendsh. E pastaj:

“Tuj kërkue n`ar e n`kodër

Tuj prek lulet t`gjith me dor`

Veç n`nji kopsht të vogël n`Shkodër

Ty të gjeta lulebore….”

Shumë entuziast, vazhdoi:

Je e vogël, por je e plotë

Ty t`kërkoj unë tash sa mot

Tash sa mot un`ty t`kërkoj

N`gëzim me ty jetën ta shkoj.

Eja, eja lulebor`

Unë me ty do thur kunor`…”

Dhe kenga “Lule bore” mori dhene. Ajo u be si te thuash simbol i nje drejtimi te ri, me bashkohor, qe mori kenga jone per vite te tera. U perhap ne te gjithe vendin. Studentat tane qe studionin jashte shtetit e moren me vete. Dhe nuk lane rast pa e kenduar. Ne mbremjet e vallezimit, ne darka e ne gosti. Kudo. Edhe ne koncerte te ndryshme…

Nje student shqiptar qe mesonte ne Moske ne fundin e viteve ’50-të, kujton:

“Isha ulur ne stolin e lulishtes, ne nje nga parqet me te bukura te Moskes. Kishim humbur ne ekstaze dhe na dukej se asgje tjeter nuk ekzistonte perveç ne te dyve. Nata ishte e qete dhe plot yje. Ishte tamam ashtu siç pershkruhet nata ne kengen e bukur ruse “Pod moskovnie vjecera”. Larg, shume larg, dukej se degjohej nje melodi e cila sa vinte e behej me e njohur. Ngrita koken, sepse m´u duk e afert ajo melodi ende e papercaktuar, te cilen largesia e sillte disi te paqartë. Por nuk kaluan as pese sekonda dhe e kuptova menjehere. M´u rrengjeth krejt trupi. Zerat melodioze sa vinin e beheshin me te degjueshem e me te ngrohte njekohesisht per veshin e zemren time teper te ndjeshme ne ato çaste perhumbjeje. Ishte kenga “Lule bore” qe po kendohej ne shqip. U ngrita per te pasur me prane ate grup qe po e kendonte. Ato po afroheshin drejt nesh, ashtu, ne menyre te pavetedishme. Edhe une eca drejt tyre, pa i thene asnje fjale Ljubes qe kisha prane. Eca drejt tyre dhe vura re se nje grup studentesh nga vende te ndryshme te botes, po e kendonin ne gjuhen time. E ndjeva veten krenar si asnjehere ne jeten time dhe u bashkova me to, duke kenduar ‘Eja, eja, lule bore, se me ty do t´thur kunor…’ ”

Kjo ishte historia e njërës prej këngëve që ka vendosur autori ne libër, e asaj që quhet himni i Shkodrës, “LULEBORËS”.

Filed Under: Kulture

Shumë urime për fillimin e një kapitulli të ri të jetës Dr. Elez Biberaj!

October 31, 2023 by s p

Gëzuar pensionin Dr. Elez Biberaj!

Së bashku me Qemalin dhe gjithë nxënësit e Shkollave Shqipe “Alba Life” kemi kënaqësinë t’ju urojmë në daljen në pension nga Zëri i Amerikës, një ndër mediet më prestigjioze në botë. Ju me majën e penës brilante vutë një jetë të tërë gati një gjysmë shekulli në shërbim të së vërtetës, u bëtë frymëzues për miliona shqiptarë që vuanin nën diktaturë duke sjellë dhe ju mësuar parimet e demokracisë amerikane.
Ne i besuam zërit tuaj të kthjellët që sillte këngën e Lirisë nga tempulli i demokracisë botërore dhe vazhdojmë t’i besojmë akoma, sepse mjergullat ende mbulojnë një pjesë të mirë të qiellit… Me zërin e së vërtetës ju arritët të fitonit “qeverisnit” zemrat e shqiptarëve të cilët mezi prisnin t’ju dëgjonin në radiot e tyre pranë apartamenteve të vogla. Dhe ashtu sic thotë Oscar Wilde ju e arritët si:
“In America, the president reigns for four years, and journalism governs forever and ever.” –
Ju e keni fituar besimin dhe ky është misioni më i lartë i një gazetari NJERI!
Jetë të gjatë dhe punë edhe më të vyera në kapitullin tjetër të jetës!
Kozeta dhe Qemal Zylo,
30 Tetor, 2023
New York

Filed Under: Interviste

RAMADAN M. PASMAÇIU SHKRIMTARI ME GJUHËN E BUKUR SHQIPE

October 31, 2023 by s p

Agim Xh. Dëshnica

C:\Users\Agim\Desktop\ranacani.jpg

NË PËRKUJTIM I TË SHKRIMTARIT

Ramadan M. Pasmaçiu, lindi më 26 shkurt 1938 në Berat, u nda nga jeta më 1 nëntor 2021, në Tiranë.  

Si shkrimtar ai,  u njoh ndër krijuesit  me mbi 70 vepra. Në vitin 1978, u vlerësua me çmimin  “Migjeni” për romanin “Udhëve të fëmijërisë”. Ka botuar  romanet “Shtjellat e bardha”, “Përtej kohës”, novelat “Dy shokët”, “Leka”,  vëllimin me  tregimet “Kush rron duke shpresuar”, “Serinë me  Përralla të Vërteta” për të gjitha moshat. .Ato shquhen për mjeshtërinë artistike të të shkruarit, për gjuhën e pasur e të figurshme e rëfimin  tërheqës të ngjarjeve. Ne romanin, “Ju flas me zemër të hapur” botuar më 1988, i cili fitoi çmimin e parë.Të gjitha janë tregime humoristike që hynin thellë në realitetin  e përditeshm të atyre viteve. Përshkohen nga një satirë e hollë therrëse për sistemin ekonomik, marrëdhëniet shoqërore dhe politike të pushteti socialit të asaj kohe.

Shkrimtari  Ramdan M. Pasmaçiu  u njoh në veçanti me romanin “Flaka e shpresës”, kushtuar 100-vjetorit të Pavarësisë.

 Për këtë vepër ai u nderua me dekoratat “Nderi i Qarkut të Beratit”, “Fisnik i qytetit të lashtë” dhe nga qyteti i Prizrenit me dekoratën “Mirënjohje”.

                     Tregim

Nga vëllimi  ‘Ju flas me zemër të hapur. “      

“…PERSONI NUK ËSHTË PARAQITUR!”                         

Sapo vura këmbën në PTT, më shpëtoi padashur një “uf!”. Në çast zbërtheva shpejt e si pakuptuar kopsat e këmishës. Me gjoksin hapur u drejtova në sportel. – Shoqe, ju lutem, merreni këtë lajmthirrje!  Pas kësaj dy gishta me manikyr u zgjatën drejt fletushkës sime dhe, duke e mbërthyer si me pinca, e bënë të më zhdukej nga sytë. … Pashë në sallë një vend të lirë te një stol, ku ishte ulur një grua plakë. U nisa ngadalë të ulesha atje… Plaka, sa më ndjeu pranë, thirri: – Of, ç’plasa! U çova menjëherë, sikur të më kishin pickuar.  “Çfarë plake!” – pëshpërita, tek u largova. – E bëri me qëllim. Ja, si qesh! Çudi e madhe!” U mbështeta pas murit. Në krah kisha një xhaxho.  – Or, po, plasëm! Na u zu fryma. Ç’është kjo kështu! – shfryu plaku. Kujtova se ia shtova unë vapën. U largova edhe nga xhaxhoja. Prapë shkova te sporteli. – Moj shoqe, më duket se po vonohet biseda ime! – Ti, or shok, s’paske punë! – m’u përgjigj sportelistja. – Një më dy e kështu thënke! Prit, s’të pritet!? Desha ta sqaroja. Me siguri po më ngatërronte me ndonjë tjetër. Vetë për herë të parë po i thoshja! Po ndërrova mendje. Ç’ta zgjasja!… Iu afrova dritares, po s’gjeta të lirë asnjë copëz parvaz. Shumë njerëz i kishin vënë gjoksin ajrit, që kërkonte të hynte me forcë nga jashtë. Bëra nja tre hapa djathtas. U gjenda pothuajse puqur me një moshatarin tim, që rrinte në kanatjere e me këmishën në dorën e majtë. Nuk di ç’dreq më shtyu dhe e pyeta: – E, ke ndonjë çikë vapë? – S’qenke në vete! – më tha. – Pse!? – ia prita i habitur. – Nuk shikon që jam bërë ujë?! Ndërkohë nga altoparlanti u dëgjua: – Azizi me Lushnjen, kabina 3! Vrapova brenda. – Alo! M’u përgjigj një zë vajze. – Kush je!? – Asambleja. – Alo! Cila Asamble!? – Asambleja jote. – Siii!? – A-sam-ble-ja jooote! More vesh? – Jo! – Fillove nga shakatë tani?  

Mendova: “Unë e kam në Lushnje një kushërirë me emrin Asamble. Mos vallë është ajo, që më flet? Po edhe në është, nga i erdhi radha të dalë në telefon me mua, kur në shtëpinë time janë dy stane njerëz!?… Po, përse ngutem? A mund të më thotë kushërira “Asambleja jote”? – Alo, dëgjo këtu! – Fol! – Ti kushërira ime je, fruta-zarzavateshitësja? – Ore, ç’po flet! Ç’është kjo fruta-zarzavateshitëse, që më zë në gojë!? Apo do që të qaj? Ndjeva se vajza e panjohur përplasi këmbët në kabinë dhe qau vërtet. – Alo! – Urdhëro! – u përgjigj si e trembur dhe duke psherëtirë. Mua më erdhi keq, ndaj ia ktheva butë: – Pse qan, moj xhane, pse qan? – Hajt, hajt, po do ta shikosh ti, do ta shikosh! – ma priti dhe u ngashërye. E, pra, me siguri ishim ngatërruar. – Nga më flet ti? – e pyeta. – Nga do ti të të flas, hë? Nga do? – Moj Asamble, po nxehesh kot, më duket. – Nexhip, shpirti im! – s’u kursye të më thoshte ajo. – Përse më mundon! Mos je zemëruar? – Po ashtu thuaj, de, që do Nexhipin! – Nexhipin, vetëm Nexhipin, sa të jetë jeta! E, a ta bëra qejfin tani? Thuamë, a më do sa të dua? – Po unë s’jam Nexhipi, moj e bekuar! – Ua! Po kush je ti, ore!? – Azizi! Ajo klithi me egërsi: – S’njoh ndonjë Aziz unë! S’kam punë me ty! Hajt, ik që andej! Zhduku! Dola nga kabina. Balli më ishte mbuluar nga djersë të ftohta. Faqet më qenë skuqur prush. M’u duk se ato të shara i kishin dëgjuar të gjithë sa qenë në sallë. Megjithatë, mora frymë thellë, si për t’u çliruar nga tërë ai mundim, dhe shkova e i thashë sportelistes së PPT- së: – Ç’është kjo kështu! S’po marr vesh se ç’ndodh! Pa pyeteni njëherë centralisten, me kë më lidhi? – Me atë që fole! – Po s’fola gjë hiç. Nuk ishte personi që kam kërkuar. Duke parë drejt në sy disa të tjerë, që ishin afruar pranë, tha me të rreptë: – Ndenji në kabinë një orë biri i botës dhe thotë s’fola! Interesant! Çfarë njerëzish ka në këtë dynja! – Dhe, si u kthye nga unë, vazhdoi: – Mos dëshiron të flasësh edhe me ndonjë direkt, or xhan? – Ju lutem, të sqarohemi më parë! – Çdo gjë e sqaruar është. Në do të flasësh me ndonjë tjetër, siç të pyeta, thuaj e mos na mbaj me muhabet, se s’ta kemi ngenë! Nuk e shikon se ç’kallaballëk është!? “Më zuri tani!” – mërmërita dhe prenotova edhe një bisedë të çastit. Pra, m’u desh të paguaja përsëri. S’kisha rrugëdalje. Zura vend në prag të derës. Ndeza një cigare dhe fillova ta pija me nervozizëm.  

– Me Asamblenë në Lushnje, kabina 4! – u dëgjua nga altoparlanti. Kaloi para meje me shpejtësi një djalosh kaçurrel e simpatik, që, siç dukej, nuk i kishte më shumë se 20 vjeç. Iu turra pas dhe e ndala, sa pa hyrë në kabinë. – Më falni, – i thashë, – por ndoshta po më thërresin mua! – Me Asamblenë!!!? – Dua të them… – S’kini ç’thoni! – vazhdoi me një ton të atillë, sikur të më kishte zënë me presh në dorë dhe shtrëngoi fort dorezën e derës së kabinës. – Është e qartë që… – More ti, djalë! – ia preva fjalën. – Më marrkeni për fëmijë, hë! Dhe u toroliskeni me mua, si ti e ajo! Po prit, prit pak aty, se ta rregulloj unë! – ma ktheu ashpër, pa respekt, dhe hyri me të shpejtë në kabinë. “Ç’m’u desh që i fola! – u hëngra me vete. – Ja, hajde dhe merru me të tani! Të rri këtu, është rrezik të dalë e të rrihet me mua. Po, po. U pa puna. I kërcyen atij…” Nisa të largohesha me çap të ngadaltë. Asgjë pse më merrte për ndonjë që i venë shtatë. Kryesore ishte të mos bëhej skandal. Forcën nuk do të tregoja unë mu në mes të PTT – së, se nuk isha kalama si ai. Punë e madhe pse s’po bisedoja dot me nënën asaj dite! Kishte ditë të tjera boll… Kur s’pata bërë dot tri hapa, ndjeva simpatikun të më thërriste: – Ej, shoko, shoko! U ktheva nga ai me mendjen top, që po të më qëllonte, do t’ia ndreqja samarin, se fundi i fundit, ç’e keqe e kishte gjetur prej meje! – Si e keni emrin ju? – më pyeti. – Emrin!? – E, pra, emrin. – Po ç’ju duhet emri im!? – Jo, po desha të di mos jeni Azizi. – Po, Azizi jam, dora vetë. Pse!? – Shkoni shpejt në kabinë, se një grua po më fliste “Aziz, Aziz!”. Sabrije e quanin. – Është nëna ime, or burrë i dheut! – iu përgjigja dhe vrapova. – Alo! – Urdhëro, nënë! – Si je, or bir? – Mirë, po ju andej, si jeni? – Ç’të jemi! Na bëre me fjalë me një cucë këtu.  – Çfarë cuce, thua!? – Eu! Ç’më pyet! Se mos e njihja unë. E pashë vetëm kur përplasi telefonin dhe kur doli nga kabina me lot në sy. Iu afrova, e shkreta, t’i qaja hallin, por e pësova si breshka te nallbani. – Alo! – Urdhëro! – Pastaj?  – Na i paskësh dalë në telefon një bagabond e po tallej me të. E pyeta, m’u thaftë gjuha, se ç’qe ai maskara!? Një Aziz, Aziz, – më tha dhe prapë qau. – Alo! – I tregova për ty. I thashë të mos sëkëlldisej, se s’kam asi djali unë, po çoç do të ketë ndodhur! Në mes të bisedës ndërhyri centralistja e krahut tim: – Ti që flet me Lushnjen, minutat mbaruan! 

– Po kur kaq shpejt, moj shoqe!? – Doni ta shtyni bisedën edhe tri minuta? – Dua. … Kur mbarova, pashë se Nexhipi po hahej me sportelisten. E tërhoqa lehtas nga krahu. – More ti, vëlla, – i fola, – nuk di në më more vesh! Unë atë çast sikur e ndjeva se do të ishte nëna ime, prandaj të dola para. – Po, mor, byrazer, po; ajo u kuptua. Veç, më fal, se u nxitova ca! – Ju lutem, ju mua! Ai më buzëqeshi. Të dy iu afruam përsëri sportelistes. I thashë asaj: – Sa më duhet të paguaj akoma? – Me kë fole ti? – Me Lushnjen. Ajo mori në dorë lapsin dhe vuri bllokun përpara. Sepse përplasi buzët, kaloi poshtë pështymën dhe më pyeti: – Emrin e plotë mundësisht, që ta shënojmë në dëftesë, Nexhip kush? Qesha paksa, siç qesh im bir kur i fërkoj kokën dhe iu përgjigja me njërën dorë në bel: – Jo, Nexhip, Aziz! Nexhipi është ky! – Dhe i tregova kaçurrelin që ishte bërë tym. – Mos më ngatërroni, ju lutem! Nga centrali kanë lajmëruar që Nexhipi duhet të paguajë, se ka folur gjashtë minuta, e jo Azizi. Më tepër s’di unë. Zgjidheni me njëri – tjetrin vetë!  Unë u gicilova. Nexhipi shqeu sytë. – Kam folur gjashtë minuta!!? Ç’thua, moj shoqe! Unë s’kam folur fare! – Këtu ka një keqkuptim! – ndërhyra, pasi u bëra serioz. – Më takon mua të paguaj! Sa bën biseda? – Si kështu! – u habit sportelistja, duke më marrë të hollat. Simpatiku kaçurrel u bë vrer. – Merrni një herë centralin, po deshët! I thoni se Nexhipi me Lushnjën pret të flasë! Shoqja e sportelit nuk e zgjati. Ngriti receptorin dhe, pasi bëri ç’i kërkuan, e uli përsëri. Por, ama, edhe në central u treguan tepër korrekt. Pa vonesë njoftuan në altoparlant: – Nexhipi me Lushnjen të mos presë! Personi nuk është paraqitur! 

Filed Under: Mergata

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 1353
  • 1354
  • 1355
  • 1356
  • 1357
  • …
  • 2776
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare
  • Në sinoret e Epirit…
  • Mbrëmë hyri në fuqi Ligji i SHBA për autorizimin e mbrojtjes kombëtare
  • Skënderbeu “grek”, ose si të bëhesh grek pa e ditur
  • A historic moment of pride for the New Jersey Albanian-American community
  • U zhvillua veprimtaria përkujtimore shkencore për studiuesin shqiptaro-amerikan Peter Prifti
  • Dashuria që e kemi dhe s’e kemi
  • “Jo ndërhyrje në punët e brendshme”, dorëheqja e Ismail Qemalit, gjest atdhetarie dhe fletë lavdie
  • Arti dhe kultura në Dardani
  • Gjon Gazulli 1400-1465, letërsia e hershme shqipe, gurthemeli mbi të cilin u ndërtua vetëdija gjuhesore dhe kulturore e shqiptarëve
  • “Albanian BookFest”, festivali i librit shqiptar në diasporë si dëshmi e kapitalit kulturor, shpirtëror dhe intelektual
  • VEPRIMTARI PËRKUJTIMORE SHKENCORE “PETER PRIFTI NË 100 – VJETORIN E LINDJES”

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT