• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Parimi i reciprocitetit vlerë e barazisë ne mes dy shteteve

January 12, 2024 by s p

Veprimet destruktive  politike te Serbisë në raport me Kosovën  nuk janë  befasi për opinionin vendas dhe  të huaj, duke dëshmuar se ata  nuk veprojnë sipas parimeve por sipas  interesave utilitare, që dëshmohet me veprimet e javës së parë të janarit të këtij viti, përmes lejimit të qarkullimit të veturave me targa të RKS  në territorin e Serbisë dhe refuzimit të ministrit të brendshëm të Kosovës për të vizituar Luginën e Preshevës, qe ka nxitur Qeverinë e Kosovës të aplikojë reciprocitetin në leje për vizita zyrtare si vlerë të barazisë në mes dy vendeve.

Nail  Draga

Në fund të dhjetorit, mediat njoftuan se Serbia vendosi që nga 1 janari t’i njohë targat RKS dhe të lejojë lirshëm qarkullimin e tyre, pa u vendosur letër ngjitëse. Në lidhje me këtë çështje Qeveria e Kosovës pati njoftuar se do të presë zbatimin në terren të këtij vendimi nga Serbia për të vendosur në bazë të reciprocitetit për t’i hequr ngjitëset nga targat e veturave të Serbisë.

Targat e RKS u njohen nga Serbia

Mbulimi i simboleve të Serbisë, përkatësisht të Kosovës, me ngjitëse të bardha ishte pjesë e marrëveshjes së arritur më 30 shtator 2021 me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian.

Theksojmë se banorët e komunave me shumicë serbe në veri, dy javë para arritjes së kësaj marrëveshjeje patën bllokuar rrugët që shpijnë në pikat kufitare Jarinjë dhe Bërnjak, meqë ndërkohë Qeveria e Kosovës pati vendosur masat e reciprocitetit për tabelat e automjeteve.

Në lidhje me këtë çështje Qeveria e Kosovës  në një mbledhje elektronike të enjten( 4 janar) ka vendosur që të largohen ngjitësët nga veturat me targa të Serbisë.

Ky vendim, sipas njoftimit të Qeverisë është “akt i fqinjësisë së mirë dhe vjen pas njohjes së plotë të targave të Republikës së Kosovës nga Serbia”. Sipas njoftimeve të para nuk ka pasur asnjë pengesë për qarkullim me veturat nga të dy vendet, por dilema mbetën se a do të qendrojë Serbia këtij vendimi, duke  marrë parasysh se ata janë të pa parashikueshëm, sepse veprojnë sipas interesave të tyre utilitare. 

Pikërisht duke marrë parasysh një konstatim të tillë kryeministri Albin Kurti ka thënë se vendimi për heqjen e letrave ngjitëse nga targat e Serbisë mund të ndryshojë po qe se ndryshon qasja apo sjellja e autoriteteve serbe për lëvizjen e lirë të automjeteve me targa RKS.  Nga ana tjetër ai  ka shtuar se veprimi i Serbisë për njohjen e targave RKS duhet të lexohet si “manovër e një pushteti jodemokratik për mbijetesë vetjake”.

Ai ka theksuar se vendimi ka ardhur pas përdorimit dyvjeçar të çështjes së targave si pretekst nga ana e Serbisë për të tensionuar situatën e sigurisë në veri të vendit dhe si përpjekje për të ulur kritikat nga bashkësia ndërkombëtare mbi Serbinë pas parregullsive në zgjedhjet e 17 dhjetorit atje.

Refuzimi i vizitës së ministrit në Luginën e Preshevës

Se nga ana e Serbisë mund të pritën veprime destruktive, dëshmon e dhëna se të enjtën me 4 janar mediat informuan se Serbia ia ka refuzuar ministrit të Brendshëm, Xhelal Sveçla, kërkesën për ta vizituar Luginën e Preshevës. 

Bëhët me dije se ministri  Sveçla   gjatë qendrimit në Luginë të Preshevës kishte planifikuar takime në selitë e Këshillit Kombëtar Shqiptar dhe me deputetin e vetëm shqiptar në Parlamentin e Serbisë, Shaip Kamberi.

Në lidhje me këtë refuzim përmes Facebook-ut Sveçla ka njoftuar opinionin se “në respektim të marrëveshjes së Brukselit dhe praktikave të deritanishme, përmes Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës kemi përcjellë agjendën dhe informatat e nevojshme të delegacionit në Zyrën ndërlidhëse të Serbisë, për leje të hyrjes në Serbi dhe realizim të vizitës. Mbrëmë në orët e vona, nga zyrtari ynë ndërlidhës në Beograd jam njoftuar se kërkesa jonë për vizitën e sotme në Luginë është refuzuar nga autoritetet e Serbisë, pa asnjë shpjegim. Për çështjen e vizitave të zyrtarëve shtetërorë ne do të veprojmë mbi parimet e reciprocitetit si vlerë e barazisë mes dy shteteve tona”.

Pse  u refuzua  vizita 

Në lidhje me refuzimin që iu bë Sveçlës ka pasur reagime si nga ana e përfaqësuesve politikë të Luginës, por edhe të atyre në Kosovë. Duke marrë parasysh strategjinë antishqiptare nga Qeveria e Serbisë  refuzimi i tillë nuk është i pari  e as i fundit, duke dëshmuar se shqiptarët e Luginës së Preshevës i trajton si popullsi e getoizuar, duke i diskriminuar në forma të ndryshme edhe tash në pluralizëm. Një veprim i tillë nuk paraqet befasi, madje mund të llogaritet si hakmarrje për shqiptarët të cilët votuan me shumicë absolute për deputetin e tyre të vetëm Shaip Kamberin në Kuvendin e Serbisë. Madje unifikimi i faktorit politik shqiptar në prag të votimeve në Serbi të 17 dhjetorit, duke vizituar kryeministrin Albin Kurti në Prishtinë dhe mbeshtetjen qe kanë marrë nga ai, është dëshmi e mjaftueshme për të refuzuar vizitën e ministrit Sveçla në Luginë të Preshevës. Veprimi i tillë destruktiv i autoriteteve kundër kësaj vizite të ministrit Sveçla është dëshmi se ata nuk janë për bashkëpunim  dhe për dialog në mes Kosovës e  Serbisë. Madje edhe takimet në nivel me të lartë ne mes dy vendeve janë realizuar përmes ndërmjetëseve të BE-së, por gjithmonë duke pasur qasje destruktive nga pala serbe. Dhe nuk ka si të jetë ndryshe kur pala serbe ate qe kërkon për pjesëtarët e popullit serb në Kosovës, iu mohon shqiptarëve në Luginën e Preshevës. Nuk ka dilemë se veprimi politik i Serbisë është të izolojë shqiptarët në Luginën e Preshevës, duke iu pamundësuar komunikimin me Kosovën,  ku në sajë të politikës serbe diskriminuese  nga Lugina e Preshevës  janë zhvendosur një numër i madh shqiptarësh si në Prishtinë, Gjilan, Fushë Kosovë etj.

Marrëveshjet duhet të respektohen

Marrëveshja për vizitat zyrtare është arritur në kuadër të dialogut teknik të Brukselit në vitin 2014. Vizitat ishte thënë se duhet të zhvillohen në atë mënyrë që nxit procesin e normalizimit të marrëdhënieve mes Kosovës e Serbisë. Por marrëveshja është shkelur çdoherë kur ka pasur tensionim të situatës në raportet mes dy vendeve. 

Refuzimi i vizitës se ministrit Sveçla në Kosovë ka nxitur reagimin e  zyrtarëve të tjerë qeveritarë që paralajmëruan aplikim të reciprocitetit edhe në këtë çështje. Nuk ka dilemë se një qasje e tillë duhet të iu bëhet e qartë edhe  ndërkombëtarëve të cilët janë të angazhuar për vazhdimin e dialogut në mes dy vendeve.

Mungoi reagimi nga Shqipëria 

Kur janë në pyetje shiptarët në Luginën e Preshevës, si më parë edhe tash ka munguar reagimi nga Qeveria e Shqipërisë. Duke marrë parasysh se kryeministri Edi Rama është në raporte të afërta miqësore me presidentin e Serbisë, A.Vuçiq, është pritur një reagim i tij. Por, mos reagimi nuk paraqet befasi, sepse në mënyrë identike është vepruar nga ana  e tij edhe më herët.Nuk ka dilemë se një veprim i tillë i heshtur nga E.Rama  është dëshmi e mjaftueshme  për të kuptuar  se ai nuk është i shqetësuar për pozitën dhe statusin e  shqiptarëve  në Luginë të Preshevës, të cilët janë të diskriminuar nga pushteti serb.

(Janar  2024)

Filed Under: Ekonomi

STAMBOUL (1926) / DEKLARATAT E RAUF BEJ FICOS, AMBASADORIT SHQIPTAR NË TURQI, MBI TRAKTATIN ITALO-SHQIPTAR

January 12, 2024 by s p


Rauf Bej Fico (1881 – 1944)
Rauf Bej Fico (1881 – 1944)

Nga Aurenc Bebja*, Francë – 12 Janar 2024

“Stamboul” ka botuar, të mërkurën e 29 dhjetorit 1926, në ballinë, deklaratat e Rauf Bej Ficos, asokohe ambasador i Shqipërisë në Turqi, mbi traktatin italo-shqiptar, të cilat, Aurenc Bebja, nëpërmjet blogut të tij “Dars (Klos), Mat – Albania”, i ka sjellë për publikun shqiptar :

Traktati italo-shqiptar

Deklarata të ambasadorit të Shqipërisë

Burimi : gallica.bnf.fr / Bibliothèque nationale de France
Burimi : gallica.bnf.fr / Bibliothèque nationale de France

Rauf Beu, ministër i Shqipërisë në qeverinë turke dhe bullgare, mbërriti dje në mbrëmje nëpërmjet “Le Conventionnel” dhe u prit në stacionin “Sirkédji” nga stafi i legatës.

I pyetur në lidhje me marrëveshjen italo-shqiptare, përfaqësuesi i qeverisë së Tiranës deklaroi :

“Shqipëria është po aq e lirë dhe e pavarur sa çdo shtet tjetër. Prandaj, ajo mund të lidhë traktate me këtë apo atë fuqi. Pakti i nënshkruar me Italinë hyn në kornizat e hartuara nga Lidhja e Kombeve. Ky akt diplomatik nuk përmban, siç është pretenduar, klauzola sekrete. Kjo marrëveshje thuhet se ka krijuar një përshtypje të keqe në Jugosllavi. Megjithatë, ne jemi të gatshëm të lidhim një marrëveshje të ngjashme me çdo shtet tjetër.

Burimi : gallica.bnf.fr / Bibliothèque nationale de France
Burimi : gallica.bnf.fr / Bibliothèque nationale de France

Ju më thoni se disa njerëz menduan se shihnin në këtë marrëveshje një akt që e vendos Shqipërinë nën mbrojtjen e Italisë dhe si një prelud për depërtimin italian në Ballkan. Këto janë spekulime që nuk mund të jenë më të gabuara. Populli shqiptar nuk ka nevojë për mbrojtje të jashtme, as nuk është i gatshëm të lejojë që territori i tij të cenohet nga askush.

Këtë e them publikisht dhe besoj se, duke e bërë këtë, përmbush një detyrë patriotike.

Sa i përket tensionit që do të lindte mes Jugosllavisë dhe Italisë si rezultat i këtij traktati, kjo nuk na intereson.”

Më pas, Rauf Beu konfirmoi ekzistencën e një plani udhëtimi për Presidentin e Republikës së Shqipërisë, Ahmet Zogu, në Romë dhe Paris, por ai shtoi se ende asgjë nuk ishte vendosur.

Diplomati shqiptar do të niset për në Angora pas një ose dy ditëve. Para se të kthehej këtu, ai kaloi rreth dhjetë ditë në Sofje, ku edhe përfaqëson vendin e tij.

Filed Under: Histori

Kryeministri Kurti mori pjesë në akademinë përkujtimore me rastin e 40-vjetorit të rënies së Rexhep Malajt dhe Nuhi Berishës

January 12, 2024 by s p



Pas vizitave që bëri te familjet e Rexhep Malajt dhe Nuhi Berishës, Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, mori pjesë në akademinë përkujtimore me rastin e 40-vjetorit të rënies së Rexhep Malajt dhe Nuhi Berishës, organizuar nën patronatin e Qeverisë.

Duku sjellë në mend historinë dhe kujtimet nga “Qëndresa”, librit me shënimet e Rexhep Malajt për periudhën e burgut mes viteve 1975 – 1983, kryeministri Kurti cilësoi se “i gjithë ky sistem i dhunës i përdorur nga Serbia mbi aktivistët politikë shqiptarë dhe intelektualët patriotë të angazhuar për të drejta politike, për vetëvendosje, për çlirim dhe për Republikën e Kosovës, lirisht mund të quhet një ‘inkuizicion politik’”.

40 vite më parë, në natën e 11 janarit 1984, Rexhep Malaj dhe Nuhi Berisha u vranë në një bazë ilegale në Prishtinë, ku të dy bashkë rezistuan të armatosur në përballje me policë të Serbisë.

“Rexhep Malaj është burgosur katër herë: së pari në vitin 1968, pastaj në vitin 1973, mandej në vitin 1974 dhe së fundi në vitin 1975. Nisur nga kjo dhe duke i parë emrat e shokëve me të cilët është arrestuar dhe burgosur, sikur që janë Adem Demaçi, Irfan Shaqiri, Ilmi Ramadani, Isa Kastrati, Osman Dumoshi dhe dhjetëra të tjerë, kuptohet që Rexhep Malaj u takonte të dy brezave të burgosurve politikë: Atyre të 1968-ës dhe atyre të 1981-shit. Ndërkaq, pas daljes nga burgu, Rexhep Malaj pati fatin që emri t’i përjetësohej me një veprimtar tjetër politik, që ishte për një dekadë më i ri se ky, me Nuhi Berishën nga Svirca e Kamenicës/Dardanës”, tha kryeministri para të pranishmëve.

Tutje ai shtoi se në kuadër të aktiviteteve për shënimin e 40 – vjetorit të rënies së Rexhep Malajt dhe Nuhi Berishës, ditën e 11 të janarit e nisëm duke e vizituar në Gjilan dy familjet, e krahas tyre vizituam edhe shtëpinë e Rexhep Malajt, ku ai është formuar si veprimtar dhe ku ka pritur e organizuar shumë shokë të tjerë.

“E vizituam këtë shtëpi bashkë edhe me Ministrin e Kulturës, z. Hajrulla Çekun edhe për të dhënë njoftimin që Ministri Çeku ka marrë vendim dje që të aprovojë rekomandimin, që shtëpia e Rexhep Malajt të merret në mbrojtje, duke u përfshirë si aset në Kategorinë e Trashëgimisë Kulturore Arkitekturale”.

Qeveria e Kosovës, bashkë me Komunën e Gjilanit dhe me familjen Malaj, do të nisin procesin e shndërrimit të shtëpisë së Rexhep Malajt në muze, për t’i muzeuar reliket dhe dëshmitë materiale dhe të shkruara të historisë së Rexhep Malajt, Nuhi Berishës dhe të shokëve të epokës, së cilës i dhanë emër me emrat e tyre.

Fjalën e tij kryeministri e përmbylli duke vlerësuar aktivizmin politik dhe patriotik të Rexhep Malajt dhe Nuhi Berishës, si dhe veprat e të gjithë të rënëve në rrugën e gjatë për lirinë e Kosovës.

Filed Under: Analiza

Shqipëri, testet PISA tregojnë sa pis është bërë arsimi  

January 12, 2024 by s p

Satirë nga Rafael Floqi  

Përpara se të dëshpërohemi ende më shumë nga ngjarjet e përditshme, le të hedhim një vështrim sarkastik në situatën e arsimit në Shqipëri, të pasqyruar përmes raportit të fundit PISA. Duke mos u mjaftuar me këtë rënie drastike, duket se nxënësit tanë po i shkasin ndërgjegjes dhe guximit për rezultate me një ritëm më të shpejtë se kurrë më parë – por kësaj here, në fushën e testimeve ndërkombëtare.

Për mes lapsit të mprehtë, po ju cojmë në një udhëtim të trishtuar mes rezultateve të shkollës shqiptare. Gjatë kësaj analize të detajuar, Shqipëria është përshkruar si “një anormalitet negativ”, një term që zakonisht përdoret për gjëra të tilla si zbulimet shkencore të pazakonshme ose deformimet biologjike. Por jojo, këtu po flitet për rezultatet e testit PISA, fjalë që në shqip ngjason si një sharje, që u drejtohet shpesh qeveritarëve…

 Në këtë raport dramatik, mungesa e angazhimit të nxënësve shpallet si një nga arsyet kryesore të rënies. Nëse vetëm nxënësit tanë do të kishin disi më shumë përkushtim, kuptohet, se do të dilnim më mirë. Por tashmë mund të pyesim: Ku ka shkuar ajo koha kur shqiptarët e shihnin mësimin si një nevojë e shkëlqyer dhe jo si një detyrim të mundimshëm? Kështu rezultatet e larta “nga “nder” janë bërë “mender”. 

Si e gjykoni cilësinë e një shkolle, një rrethi, një mësuesi, një studenti? Nga rezultatet e testit, natyrisht. Megjithatë, për të gjitha bisedat, çfarë mund t’ju tregojnë dhe çfarë nuk mund t’ju tregojnë testet arsimore dhe si mund të keqkuptohen dhe keqpërdoren rezultatet, mbetet një mister për shumicën. Kompleksitetet e testimit injorohen në mënyrë rutinore, ose sepse nuk njihen, ose sepse mund të jenë – mirë, të ndërlikuara.  Lëvizja për Universitetin na kujton se shkollat shqiptare vuajnë nga mungesa e infrastrukturës dhe burimeve të nevojshme. Në vend që të kemi laboratorë shkencorë të pajisur dhe biblioteka të pasura, duket se kemi ende nevojë për një abetare, dhe kalorifer apo një varëse rrobash në çdo klasë.

Por shqetësimi më i thellë vjen nga fakti që pabarazia në mes nxënësve ka rënë. Sipas PISA-s, “nxënësit e disavantazhuar” por edhen nga pandemia, po përjetojnë një rënie edhe më të madhe në performancë. “Por ne jo  nuk duhet të shqetësohemi”, thonë zyrtarët, sepse në një shoqëri të shëndetshme, pabarazia në arsim nuk ka për të qenë një problem. Por pastaj vjen ndonjë konferencë urgjente, ku fytyrat e zyrtarëve janë të mbuluara me një grimë triumfi, ndërsa ata njoftuan se çdo nxënës shqiptar, do të dërgohej për studime jashtë vendit. Përgjegjësi, përgjegjësia është e nxënësve…   

Mungesa e përgjegjësisë edhe te fakti se pavarësisht rezultateve të këqija, nuk ka një reagim serioz nga Ministria e Arsimit apo qeveria dhe nuk ka ndonjë plan për ta ndryshuar situatën. “Tashmë ka kaluar më shumë se një muaj nga rezultati i PISA-s dhe nuk ka asnjë komunikim për një plan masash, plan i cili u komunikua nga kryeministri i vendit se po përgatitet në Ministrinë e Arsimit. Vonesë e cila na bën të kuptojmë se arsimi nuk është në prioritet e kësaj qeverie. A nuk i kanë zyrtarët e arsimit fëmijët e tyre dërguar jashtë për t’u arsimuar ??? 

“Tani qe kemi Chat GPT, tha kryeminstri me vete, ç’na duhet PISA. Boll pesa pas detyrat kalamajve do t’i bëjë  AI.”  Qëllimi, sipas tyre, ishte të rrisin notat e Shqipërisë në raportet ndërkombëtare, pavarësisht se kjo do të rezultonte në një mungesë të madhe të fëmijëve në shkolla, jo vetëm nga emigracioni . 

Ministrja e Arsimit, një person që ende nuk kishte arritur të shkruante të drejt ca fjali të thjeshta, tha me zë entuziast: “Kemi përcaktuar që çdo nxënës do të fitojë një shans të barabartë për të arritur suksesin, duke e dërguar atë në vende ku nuk njihet shqipja dhe ku numrat janë ndryshe. Kështu, ata do të kenë një shkak tjetër për të patur vështirësi në mësimin e matematikës!” 

Numrat ndryshe, me shifra romake …

Në anën tjetër, zëvendministri i ri i , një person që ende nuk kishte arritur të mbante një buxhet të thjeshtë, shtoi: “Kjo është një mundësi e shkëlqyer për të zvogëluar shpenzimet e shtetit. Kemi nevojë për lekë për projekte të tjera shumë të rëndësishme, si ndërtimi i një stacioni hapësinor në Dajt për satelitët shqiptarë, apo blerja e një flote të re flamurash kombëtare për ekipin e futbollit të kombëtares në Evropë.”

Kur gazetarët pyetën se çfarë do të ndodhte me shkollat dhe mësuesit, Kryeministri me një buzëqeshje të fuqishme tha: “Do të përmirësojmë ndjeshëm jetën e tyre duke i lënë më shumë hapësirë kreativitetit. Shkollat do të shndërrohen në kafene të vogla artistike, ku mësuesit mund të pikturojnë muret me formulat e matematikës dhe nxënësit të shijojnë një filxhan çaji me shqiponja në vend të mbledhjeve mësimore.”

Ndërkohë, të rinjtë shqiptarë kanë filluar të marrin leksione intensivë gjuhe nga telenovelat, sepse do të jenë të detyruar të komunikojnë në vende ku nuk flitet shqip. Përkundër kësaj, pritet të shohim një zhvillim dramatik në notat e testit PISA.  

Ndoshta do t’i çojnë zyrtarët e arsimit sa do t’i kenë rezultatet me PISA. Bazuar në grafikët e raportit, rezultatet e Shqipërisë në matematikë dhe shkencë ranë poshtë atyre të arritura në vitin 2009. Në të dyja degët nxënësit kanë shënuar pak mbi nivelin e 350 pikëve. Rënia në shkencë është edhe më e madhe, pasi këtu rezultatet në vitin 2009 kanë qenë afër 400 pikëve. Rezultatet në lexim po ashtu nuk ishin më të mira, edhe pse në këtë degë rezultate ishin ende mbi nivelin e pikëve të marra në vitin 2009. Pse studentet e PISA-s kanë gjithmonë problem me matematikën?  Sepse shpeshherë ata mendojnë se “PISA” është shkurtesë për “Probleme të Imëta me Shumë Aftësi”! 

Ndërsa vëmendja e botës po drejtohet drejt Shqipërisë për turizëm, arsimi në vend që po luan me notat e veta, por pavarësiht humorit një gjë mbetet e qartë: duhet ndërhyrje urgjente. Mësimdhënësit kanë nevojë për më shumë para dhe kushte të mira pune, por duhet të mbahet përgjegjësi edhe nga nxënësit. Nëse kjo nuk ndodh, mund të ndërtojmë laboratorë shkencorë më të mira dhe të blejmë libra të rinj, por nuk do të arrijmë kurrë të ndryshojmë notat e PISA-s. Dhe kush i nevojitet suksesit ndërkombëtar kur kemi aq shumë sende të tjera për të shtyrë kohën tonë? 

Por mos harroni pse  “Pesa” sështë rezultat i mirë në PISA.

Filed Under: Sociale

“Jeta Muslimane Shqipetare” e Imam Vehbi Ismailit, revista e Shoqërisë Muslimane Shqiptare në Detroit

January 12, 2024 by s p

Sokol Paja/

Shtypi fetar i mërgatës është pjesë e rëndësishme dhe e lavdishme e trashëgimisë kulturore, fetare e atdhetare të mërgatës shqiptare në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. “Jeta Muslimane Shqipetare” si revistë e shoqërisë muslimane shqiptare në Detroit e botuar në drejtimin e klerikut dhe patriotit të shquar Imam Vehbi Ismailit përbën një përpjekje të fuqishme fetare e atdhetare të bashkësisë shqiptare islame në Detroit. Revista fetare-kulturore “Jeta Muslimane Shqipetare” dilte në shtyp 4 herë në vit me 64 faqe, shqip dhe anglisht. Në numrin 2, në vitin e 6-të të botimit, tetor-dhjetor 1957, artikujt kryesorë që i paraqiten publikut janë me sfond të thelluar fetar e letrar. Artikulli kryesor në këtë numër mban firmën e Imam Vehbi Ismaili: “Bazat Shoqërore në Islam” ku detajohet libri i shenjtë “Kurani” dhe karakteristikat e një besimtari të vërtetë dhe detyrat e tij ndaj të afërmit, komunitetit dhe shtetit ku jeton. Sipas shkrimit, bazat shoqërore muslimane janë të mbështetura në principe ideale të cilat i sigurojnë jo vetëm mbrojtje të plotë të nderit, pasurisë dhe të drejtat e çdo individualiteti, por gjithashtu e bëjnë çdo anëtar të komunitetit një qenie njerëzore më mirëvepruese ndaj shokëve të tij bashkëjetues në komunitet. Shkrime të tjera në këtë numër janë: “Fetari i zjarrit” histori nga profeti i famshëm persian Saadiu, shkrimi: “Kurani dhe Fjalët e Arta të Profetit” nga Imam Vehbi Ismaili, shkrimi: “Naim Frashëri” poet i mirësisë shkruar nga prof.dr.Namik Ressuli, shkrimi: “Kimja-I-Seadet”- Dituri Botënore shkruar nga Ahmet Ramo. Faqet shqip të këtij numri përfundojnë me dy kronika: “Shqiptarët e Australisë ndihmojnë Shoqërinë Muslimane të Detroitit” dhe “Raporti i Kongresit Musliman Shqipetar”. Përveç 32 faqeve në gjuhën shqipe, revista fetare-kulturore “Jeta Muslimane Shqipetare” kishte edhe 32 faqe që botoheshin në gjuhën angleze me bazë Kuranin dhe interpretime të ndryshme rreth librit të shenjtë të muslimanëve.

Komunitetet fetare në mërgatën shqiptare të Amerikës kanë pasur historikisht dhe vazhdojnë dhe sot të luajnë një rol shumë të rëndësishëm në mjedisin komunitar shqiptar. Nëpërmjet shtypit fetar, krerët e komuniteteve fetare shqiptare në Amerikë kanë qenë një zë shumë i fortë për çështjen kombëtare, për bashkëpunimin komunitar e ndërkomunitar, për ruajtjen e gjuhës shqipe, historisë e identitetit kombëtar por mbi gjitha bashkimin e komunitetit shqiptar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Shtypi fetar shqiptar në Amerikë përgjatë gjithë veprimtarisë publicistike, edukative e atdhetare ka luajtur një rol specifik në rritjen e ndërgjegjes fetare, patriotike, atdhetare e kulturore e shoqërore të shqiptarëve në Amerikë e jo vetëm.

Imam Vehbi Ismaili ka qenë themeluesi i të parës Qendër Islame Shqiptare në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Lindi në Shkodër më 25 nëntor 1919 dhe ndërroi jetë në Harper Woods, Detroit, 20 maj 2008. Imam Vehbi Ismaili, personalitet i shquar fetar e atdhetar, drejtoi revistën “Jeta Myslimane Shqipetare” me 64 faqe, shqip-anglisht, gjithsej 32 numra, 8 vite histori botimi. Kontributi i kësaj reviste ishte jashtëzakonisht i rëndësishëm për komunitetin fetar e kombëtar shqiptar në Detroit.

Filed Under: Politike

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 1377
  • 1378
  • 1379
  • 1380
  • 1381
  • …
  • 2946
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • KUJTIME PER ITALIANIN DOM ANTONIO SHARRA
  • MASAKRA E TIVARIT MARS-PRILL 1945
  • Kuptimi i Pashkëve Ortodokse – midis ritualit dhe ringjalljes së ndërgjegjes
  • RIKTHIMI I MUSTAFA MAKSUTIT NË FAQET E HISTORISË
  • Shqipëria në politikën ballkanike të Austro-Hungarisë
  • Eliot Engel, in memoriam…
  • VATRA TELEGRAM NGUSHËLLIMI PËR NDARJEN NGA JETA TË ELIOT ENGEL, MIKUT TË MADH TË KOMBIT SHQIPTAR
  • Përkujtojmë në përvjetorin e lindjes një nga figurat e Rilindjes Kombëtare, Aleksandër Stavre Drenova
  • GËRSHËRA E ARGJENDTË
  • Përgjithmonë vetëm mirnjohës për Kongresmenin Eliot Engel
  • PËRKUJTIM PËR ELIOT ENGEL, NJË MIK I PAZENDËVËSUSHËM, ZËRI I SHQIPTARVE NË SHBA
  • Meditim para varrit të Faik Konicës
  • Bashkimi i Diasporës Shqiptare të Greqisë
  • “Fortifikimi ilir i Komlikut në Fregen dhe Ungrej të Lezhës (Mirdita Etnografike)”
  • “The Real Thing”: A Conversation with Luljeta Lleshanaku

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT