• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Anton Çetta, zëri i shpirtit dhe vullneti i epërm që paqtoi hakmarrjet dhe ndaloi gjakderdhjet ndër shqiptarë

January 3, 2024 by s p

Gjakmarrja ishte një nga plagët më të rënda në shtatine drobitur të përpjekjeve shqiptare për t’u ngritur, për të zënë vendin e merituar në radhën e vendeve dhe civilizimeve. Edhe pse ishte një nga zakonet kanunore të njohura dhe të praktikuara prej shumë kohësh për ligjësi dhe të drejtë, me ndryshimin e qasjeve dhe interesave, duhej shëruar kjo plagë, bashkë me të duhej denoncuar dhe dënuar të gjithë ata segmente, të cilët ishin të interesuar që përmes gjakmarrjes të mbanin shqiptarët të ndarë.

Ishte shumë i kushtueshëm çmimi që u desh të paguhej ndër shqiptarë gjakmarrja dhe ata që hidhnin gurin dhe fshihnin dorën, ata që fusnin ndasi dhe yshtnin hasmëri dhe hakmarrje, që ti linin shqiptarët jo vetëm të ndarë dhe në gjak, por edhe pa të drejtën për aspirata dhe ardhmëri.

Dhe do të vinte një burrë i urtë, një zemër e bardhë, dhe një vullnet i mirë, i cili me fjalën e tij do të vinte ballsam në plagën që lëngonte, do të pajtonte shtëpi e fise, do të ndalonte gjakderdhjen dhe do të lidhte në besë shqiptarët.

Ai ishte Anton Çetta, shkrimtari, studiuesi e profesori, ai që do të zinte një vend të rëndësishëm në historinë shqiptare ai personi që dha kontributin e pajtimin e gjaqeve.

Anton Çetta u lind më 3 janar 1920 në Gjakovë. Çetta shkollën fillore e kreu në vendlindje, kurse mësimet e mesme i vazhdoi në Tiranë e Korçë.

Po atë vit familja e tij u shpërngul për në Tiranë, ku ai ka kryer edhe shkollën fillore. Shkollën e mesme e ka kryer në Liceun e Korçës, ku asokohe studionte elita intelektuale e trojeve shqiptare. Më pas, ashtu sikur edhe shumë shqiptarë në atë kohë, ai shkoi për të kryer studimet në Itali.

Vite më pas, Çetta diplomoi për Gjuhë dhe kulturë romane në Universitetin e Beogradit, ku më vonë do të emërohej edhe si asistent i Gjuhës dhe letërsisë shqipe në Fakultetin e Filologjisë.

Gjatë kohës sa qëndronte në Beograd, Çetta mbildhte këngë tradicionale të gjuhës shqipe, kryesisht të anës së Dukagjinit. Por për shkak se këngët kishin karakter patriotik, Çetta ra në sy të regjimit serb, për çka edhe iu desh ta linte Beogradin.

Në vitin shkollor 1945-1946, meqë kishte arsim të lartë për kohën, punoi në Gjimnazin e Prizrenit. Gjatë atij viti udhëhoqi korin e shkollës, por njëherësh ishte edhe ndër anëtarët e para të rregullt të shoqërisë kulturore-artistike “Agimi” të Prizrenit e më vonë edhe kryetar i saj.

Në vjeshtën e vitit 1946 u regjistrua në Fakultetin Filologjik, Dega e Gjuhës Frënge, në Universitetit të Beogradit, në Serbi. Studimet i kreu në vitin 1950 ku edhe u emërua asistent në Seminarin e Gjuhës dhe Letërsisë Shqipe, që funksiononte në kuadër të Fakultetit Filologjik të Universitetit të Beogradit.

Në këtë detyrë punoi plot dhjetë vjet. Dy-tre vjet më vonë (1952-1953) së bashku me shefin e atëhershëm të Seminarit Shqiptar Vojislav Dançetoviq dhe me Kadri Halimin, etnograf, përgatiti, në tri vëllime, këngët më të njohura popullore të mbledhura në Kosovë dhe në Dukagjin.

Meqenëse në ato vëllime kishte botuar edhe këngë popullore për Spiro Kapedanin e Ramë Bllacën, pushteti serb iu kërcënua Antonit me burgosje, e kjo e shtyri ta braktisë Beogradin dhe të kthehet në Prishtinë, në vitin 1961, kohë kjo kur edhe në Prishtinë u hap Fakulteti Filozofik.

Në këtë fakultet ai emërohet mësimdhënës i gjuhës dhe letërsisë shqipe, ku ligjëron lëndën e letërsisë së vjetër.

Libri i parë iu botua më 1953. Vazhdoi të botojë libra e tekste të ndryshme për nevojat e shkollës shqipe dhe sidomos poezi për fëmijë. Anton Çetta botoi 16 libra me përmbledhje folklori dhe tradite gojore në trevat shqiptare të Kosovës, por edhe në të gjitha viset shqiptare të Kosovës, Malit të Zi dhe Maqedonisë. Nga viti 1968, ka qenë udhëheqës i Departamentit të Folklorit në Institutin Albanologjik të Prishtinës.

Pasi ishte kthyer në Prishtinë, Çetta vazhdoi të merrej me studimin e folklorit shqiptar, çka edhe ia mundësoi të vizitonte për së afërmi shumë krahina e familje shqiptare. Atë kohë, plot familje ishin në hasëm dhe të përçarë. Andaj Çeta konsiderohet si njeriu i duhur në kohë të duhur.

Në vitin 1990, Çetta themeloi “Komitetin për pajtimin e gjaqeve në Kosovë”, i cili për afro një dekadë pajtoi mijëra familje, dhe shpëtoi nga gjakmarrja shumë burra e djem shqiptarë.

Në vitet e 90-ta, tubimet për pajtimin e gjaqeve u bënë ngjarje të rëndësishme për shqiptarët, në të cilat merrin pjesë shumë njerëz. Madje, nga videot që janë ruajtur nga ajo kohë, thuhet se në një tubim në Verrat e Llukës (Deçan), morën pjesë rreth gjysmë milioni njerëz.

Me anë të këtij komiteti, Çetta dhe aktivistët e tjerë, promovuan faljen, tolerancën, rëndësinë e të qenurit të bashkuar dhe atdhedashurinë. Në këtë mënyrë, Çeta u bë personazh i nderuar për popullin shqiptar, por edhe frymëzim për shumë të rinj që e ndoqën në rrugëtimin e tij, duke u bërë pajtimtarë të gjaqeve.

Anton Çetta u nda nga jeta në vitin 1995 në Prishtinë, sot e 26 vjet më parë, dhe në ceremoninë e varrimit të tij morën pjesë mijëra njerëz nga Kosova. Përpos krijimtarisë me rreth 20 libra, Çeta la pas vetes shembullin e një intelektuali atdhetar, paqe e frymëzim për gjeneratat e ardhshme.

Megjithëse Çetta pajtoi e bashkoi shumë shqiptarë, vite më vonë, shtatorja e tij i “përçau” ata. Ideja për ta vendosur shtatoren e Anton Çettës në oborr të Institutit Albanologjik të Kosovës, i ndau shqiptarët në dy anë.

Njëra pjesë konsiderojnë se Çetta më shumë është meritor për pajtimin e gjaqeve sesa si studiues i folklorit, dhe sipas tyre, nuk ishte e aryseshme që shtatorja e tij të vendosej në Institut. Kurse pjesa tjetër e përkrahnin, duke thënë se “plaku i urtë” meriton edhe më shumë.

Megjithëse nuk u gjetë një vend për shtatoren e tij në Prishtinë, një bust i tij është vendosur në Rrëshen (Shqipëri). Po ashtu, Çeta ka marrë mirënjohje e çmime për kontributin e dhënë për shqiptarët, në mesin e të cilëve me Medaljen e Artë të Lidhjes së Prizrenit.

Po ashtu, për nder të tij është krijuar Medalja e Paqes dhe Pajtimit Anton Çetta, e cila u jepet banorëve të Kosovës dhe atyre jashtë saj, për kontributin e dhënë për pajtim mes njerëzve. Jeta dhe vepra e Çetës është jetësuar edhe nëpër libra e këngë.

Anton Çetta do të jetë në kujtesën e shqiptarëve si vullneti shpirtëror që erdhi për të ndalur gjakderdhjen dhe vëllavrasjen, për të paqtuar hakmarrjet dhe lidhur në besë gjithë ata që jetën dhe nderin e tyre e lidhnin me flamurin kombëtar, me interesat për bashkim.

Anton Çetta zgjati duart e faljes së gjakut duke e kthyer pajtimin në një erë të re ku hynin shqiptarët, të cilët fatkeqësisht i ndau mesvedi jo vetëm gjakmarrja, por edhe hasmi që ndërsente këtë përbindësh mesjetar, për ta patur më të lehtë për t’i mbajtur nën hyqëm shqiptarët dhe për t’i nënshtruar ata.

Përgatiti: Albert Vataj

Referencë dhe foto: https://observerkult.com/anton-cetta-intelektuali-qe…/

Filed Under: Histori

GAZETA DIELLI NJOFTON VATRANËT DHE ABONENTËT

January 2, 2024 by s p

Të nderuar Vatranë dhe abonentë të gazetës Dielli, në kuadër të fillimit së vitit kalendarik 2024, dëshirojmë t’iu kujtojmë likujdimin e detyrimeve financiare ndaj Gazetës Dielli dhe saktësimin e adresave të reja për të gjithë ata vatranë apo abonentë të Diellit që kanë ndryshuar adresën e dërgimit të gazetës.

Kriza ekonomike globale ka rritur ndjeshëm kostot e shtypshkronjës dhe çmimin e postës për dërgimin e gazetës.

Ju lutemi brenda mundësive, deri më 20 Janar 2024, dërgoni pagesat dhe adresat e përditësuara, në të kundërt e kemi të pamundur dërgimin e gazetës për ju.

Duke filluar nga Numri i Diellit Janar 2024, kush nuk shlyen detyrimet, nuk do të mund të pajiset me gazetë.

Pagesa për gazetën duhet të dërgohet në adresën e Vatrës: 2437 Southern Blvd, Bronx, NY 10458. Adresat e reja të dërgohen në email zyrtar të gazetës: gazetadielli@gmail.com.

Për çdo ndihmë, sqarim apo paqartësi financiare ju lutemi kontaktoni Arkëtarin e Vatrës z.Besim Malota cel: 203 455 7167.

Lutemi dhe shpresojmë në mirëkuptimin tuaj.

Filed Under: Opinion

Zbulohet një hartë e Shqipërisë natyrale të shekullit të 18-të

January 2, 2024 by s p

Nga Rafael Floqi/

Shqipëria përfshinte një zonë me shtrirje malore me një drejtim të përgjithshëm nga veriu në jug, që shtrihej mbi Adriatik nga pika e Spitzës (midis grykave të Kotorrit dhe Tivarit) deri në Gjirin e Artës, një prapatokë e përfshirë, dhe kufizuar brenda Alpeve Dinarike (dega e Sharrit ose Pindit Alpeve helenike) nga vija ujëmbledhëse që ndan ujërat të cilat zbresin në Adriatik dhe në Egje.

Duke hulumtuar për udhëtarët që kanë vizituar Shqipërinë e periudhës së para pavarësisë dhe studiues të cilët kanë shkruar mbi heroin tonë kombëtar, ndesha me këtë libër të nënkolonelit italian Felice Cuniberti, autor i disa librave me karakter ushtarak për historinë e gjeografinë e rajonit të Ballkanit, ku mes faqeve të librit zbulova një hartë ushtarake të trojeve etnike shqiptare në fund të shekullit të caktuar, që i kish shpëtuar botuesve dhe përkthyesve në shqip të librit botuar shqip më 1918.

Jemi para periudhës të viteve 1909-1912. Politika italiane asaj periudhe synonte për të dhënë goditjen vendimtare Perandorisë Osmane dhe për të hapur rrugën e një rikostruktimi të hapësirës ballkanike si dhe shpresa për t`u shkëputur nga Aleanca Tripalëshe. Kështu interesimi edhe i udhëtarëve italianë qoftë dhe misonarëve fetarë dhe ushtrakë, synonte një njohje të realitetit shqiptar dhe të Shqipërisë së kohës. Ishte një kohë kur perandoria Osmane ende nuk kishte arritur në fundin e saj, dhe kur kryengritjet shqiptare nuk kishin filluar ende. Gjatë kësaj periudhe autori i një libri mbi Shqipërinë dhe heroin e saj legjendar, Skënderbeun, Felice Cuninberti udhëtoi në trojet shqiptare dhe u frymëzua nga ai realitet dhe nga kombi ynë sa shkroi librin e tij “L’Albania ed il Principe Skanderbeg”. Ai kishte qenë një ushtarak italian me gradë nënkolonel reservë që kujtimet e tij i mblodhi dhe i zgjeroi me këtë libër botuar në Torino nga Roux Frassatti e C° Editori më 1898.

Librat për heroin kombëtar janë të shumta por vetëm një dorë prej tyre kanë rëndësi specifike historike.

Në parathënie të librit autori shkruan :” Pikërisht gjatë një udhëtimi që bëra disa vite më parë në ishujt e Jonit dhe në brigjet e Epirit, më lindi ideja për të shkruar disa kujtime për Shqipërinë, veçanërisht për periudhën më të lavdishme të saj pra të asaj. ndodhi gjatë jetës së Gjergj Kastriotit, i njohur si Skënderbeu (1404-1467), i cili luftoi me kokëfortësi dhe fat të mirë kundër pushtuesit mysliman, i cili në atë kohë thuhej se ishte kërcënim për Evropën.

Ndër popullsinë shqiptare kujtimi i Heroit Shqiptar është ende i gjallë dhe i nderuar dhe kujtimi i bëmave të tij të emociononte: dhe në ahengje dhe lojëra shqiptarët këndojnë për virtytet e tij, për trimërinë e tij: dhe gjatë qëndrimit aty kur udhëton dhe viziton ato vende piktoreske dhe malore të tregojnë me vetëkënaqësi dhe krenari, vendet ku mijëra turq ranë nën goditjet e shpatës së pamposhtur të Skënderbeut: dhe legjenda, pas një largësie të tillë kohore, i zmadhon shumë faktet, saqë ata trima malësorë thonë se ai në betejat e tij ndihmohej nga një engjëll, i cili e mbrojti atë nga goditjet e armikut.

U inkurajova nga këto histori fantastike që të ngulmoj në qëllimin tim dhe u shtyva të mbledh sa më shumë kujtime për këtë qëllim: prandaj, pasi vizitova Prevezën, Gjirin e Artës, Vlorën, Durrësin dhe fshatrat përreth, u përgatita të shkoja në Lezhë dhe Krujë, dy qytetet e shenjta të shqiptarëve, pasi njeri ishte vendi i lindjes, dhe tjetri i vdekjes dhe i varrimit të Skënderbeut dhe që ishin gjithmonë baza dhe qendra e pushtetit të tij.

Për këtë ndërmarrje sipas autorit jo vetëm historia e fakteve të paharrueshme, por edhe pse mund të shërbejë për të tërhequr më shumë vëmendjen e Italisë tek një komb, vërtet i vogël, por i fortë dhe trim që vazhdon të ketë shumë simpati për Italinë, pavarësisht indiferencës sonë, i palëkundur nga rryma. momenti politik, së cilës i rekomandoj të shqetësohet më shumë për atë popullsi dhe ato rrethe, që kanë rëndësi të madhe dhe mund të ushtrojnë në momentin e duhur një ndikim vendimtar në çështjen e dominimit të Adriatikut.

Dhe tani që çështja e veçantë e Adriatikut i shtohet çështjes së përgjithshme të këtij deti, është më mirë t’i përkushtojmë me vendosmëri punën e diplomacisë sonë, përpara se të paragjykohet nga ngjarje të papritura që mund të shfaqen në një ditë tjetër dhe kjo pyetje qëndron, tërësisht në të ardhmen, që do t’i rezervohet Shqipërisë kur të pushojë së qeni pjesë e Perandorisë Turke.

“Në këtë rast , shpjegon qëndrimin italian Cuniberti, nëse mund të pranohet delimitimi i kufijve në favor të Malit të Zi dhe Greqisë, s’ duhet mos lejuar që Shqipëria të aneksohet nga njëra ose tjetra palë, nga këto dy shtete dhe as të bjerë në duart e Austrisë, nëse Shqipëria nuk do të jetë në gjendje të konstituohet dhe të qeveriset si një Principatë e pavarur, nëse pushtimi i saj qoftë edhe nën titullin e vetëm për të cilin Austria tani e mban të pushtuar Bosnjën dhe Hercegovinën bëhet i nevojshëm. një pushtim i tillë duhet t’i besohet Italisë, si fuqi me të cilën Shqipëria është e lidhur, me lidhje të mëdha dhe në mënyrë, që të ruhet një ekuilibër i drejtë në detin Adriatik midis dy Fuqive të Mëdha që kufizojnë atë.

Dhe nëse me këtë punë timen modeste do të arrij të shkund disi apatinë dhe indiferencën me të cilën italianët vëzhgojnë ngjarjet që po përgatiten gradualisht në dëm të tyre në Adriatik, do t’ia kem arritur qëllimit kryesor që i kam vënë vetes. duke shkruar këto kujtime. Torino, shtator 1898. Felice Cuniberti /Nënkoloneli në rezervë.”

Ne shpresojmë se me gjithë pasaktësitë kjo vepër është kluturalisht e rëndësishme, por ajo që na ra në sy në kapitullin e parë kushtuar vendit Felice na paraqet një hartë me saktësi ushtarake të trojeve etnike shqiptare, para luftrave ballkanike dhe të copëtimit të trojeve shqiptare të grabitura nga fqinjët para Konferencës së Berlinit apo të Londrës. Kjo hartë ka qenë pjesë si shtojcë e librit dhe në variantet e digjitalizuara nga Google mungon por një variant të Archivio Adriatiko e gjeta dhe po e sjell këtu tok me shpjegimet e tij. Ka ndoshta mangësi në disa emra e toponimi, por e rëndësishmja vë në dukje deri ku shtriheshin shqiptarët para rënies së Perandorisë osmane.

Gjeografia e Shqipërisë

Në kohët të cilave u referohen këto kujtime, Shqipëria përfshinte një zonë me shtrirje malore me një drejtim të përgjithshëm nga veriu në jug, që shtrihej mbi Adriatik nga pika e Spitzës (midis grykave të Kotorrit dhe Tivarit) deri në Gjirin e Artës, një prapatokë e përfshirë, dhe kufizuar brenda Alpeve Dinarike (dega e Sharrit ose Pindit ose Alpeve helenike) nga vija ujëmbledhëse që ndan ujërat të cilat zbresin në Adriatik dhe në Egje.

Shqipëria kufizohet kështu, me një shtrirje bregdetare prej 500 km përafërsisht duke përfshirë dhe kepet me një gjatësi kufiri të brendshëm nga veriu në jug prej përafërsisht 400 km, me një gjerësi mesatare prej 100 deri në 120 km që kufizohej në veri-perëndim, me Dalmacinë, Hercegovinën, Bosnjën dhe Serbinë, në Lindje dhe Juglindje me Serbinë, Maqedoninë dhe Thesalinë, në Jug me Etolinë dhe Akarnaninë (Provincat greke si Thesalia), si dhe në Perëndim me Detin Jon dhe atë Adriatik (shih skicën e hartës)

Për prejardhjen e shqiptarëve ka mendime të ndryshme dhe kontradiktore, mendimet e historianëve janë të ndryshme: disa pajtohen me mendimin e Malte-Brun dhe besojnë se ata janë pasardhës nga fise të ilirëve të lashtë; të tjerët, dhe ata janë shumica, e pohojnë se ata këtë vijnë nga Azia. Në kohët e lashta, në fakt, rajoni i Azisë quhej Albania ndodhet në veri dhe në jug të zinxhirit të Kaukazit, rajoni sot i njohur me emrin Kirvan ose Gjeorgjia lindore dhe të krahinës së Tfilisit: dhe popullsia u quajt albanians që jetonte atje qysh në atë kohë (1).

Në kohën e lashtë greke shqiptarët pjesërisht ishin aleatë dhe miq besnikë të Pirros, siç ishin më vonë të romakëve, d.m.th (1) Pluquet në Dictionario, del Hérésita flet për shqiptarët si heretikë, të cilët u vendosën në pjesën lindore në shekullin e VII në Gjeorgji, të quajtur Albania, dhe që ripërtëriu të njejtin gabim duke folur për shqiptarët e atyshëm që nuk nuk kanë përse ngatërrohemi me ata me të cilët kemi të bëjmë…

Shqipërinë e ndanë në pjesë veriore dhe jugore, kjo njihej në disa pjesë konkretisht me emrin e Epirit, ai lindor me emrin Prevalitania. Pas rënies së sundimit romak, Shqipëria ishte de facto e pavarur, dhe edhe nëse disa sundimtarë merreshin me tregti, me perandorët e Kostandinopojës, madje më 1080 Robert Guiscardi dhe djali i tij Bohemondi, fushuan në Shqipëri me pretendimet për dominim mbi ta, por ky sundim ishte i vetëm nominal dhe shqiptarët kurrë nuk njohën zotërnj tjetër përveç Princave ose e Kryetarëve të Fiseve të tyre: dhe ndër ta u shquan sidomos Komnenët e Durrësit e Vlorës, Tokët e Epirit, Dukat e Janinës, Kastriotët e Krujës dhe të Lezhës.

Shqipëria, pas dominimit romak, sipas gjeografëve Shqipëria ndahej në tre pjesë; Që do të thotë Shqipëria e eperme ose veriore, e mesme ose qendrore, dhe e poshtme ose jugore; ne ta parën bënte pjesë edhe Principata aktuale Malit të Zi i pavarur, dhe niste nga kufiri verior deri në Shkumbin ose më mirë në vijën e përafërt Kavajë-Elbasan-Ohër, e dyta, i quajtur Muzeqeja në gjuhën vendase, nga aty deri në linjën Delvinë-Me135ovë; dhe e treta, pra Epiri, deri në gjirin të Artës.

Por edhe gjeografët modernë e ruajnë një ndarje e tillë pavarësisht ndryshimeve territoriale të bëra pas luftërave dhe trafiqeve në kurriz të Shqipërinsë së epërme dhe të poshtme. Kryeqyteti i Shqipërinë e Veriut është qyteti i Shkodrës, në liqenin me të njëjtin emër, me shtrirje edhe në linjën Prizren, Dibër e Epërme, Dibër e Poshtme, Ohër, Krujë, Elbasan, Leshë, Durrës, Kavajë.

Qyteti i rëndësishëm i Shqipërisë së Mesme dhe kryeqytet është Berati: Ndër qyteted e mëdha dallohen Vlora, Përmeti, Tepelena (atdheu i të famshmit Ali Pasha të Janinës), Gjirokastra, Janina, me liqenin e saj është kryeqyteti i Shqipërisë së Jugut duke përfshirë qytete të rëndësishme, si : Preveza, Arta, Delvina dhe Meçova.

Shqipëria është një vend malor në të gjithë shtrirjen e saj në kuptimin e fjalës dhe, përveç atyre drejt brigjeve, nuk gjenden fusha të mëdha, por vetëm fusha të vogla me shtrirje të kufizuar; ajo është si një amfiteatër malesh që ngrihen gradualisht njëri mbi tjetrin, duke u nisur nga plazhet e detit në zinxhiri kryesor i brendshëm, i cili ndan ujëmbledhësit që prej tyre zbresin në Egje nga ato që derdhen në Adriatik dhe Jon.

Malet, megjithatë, nuk janë me lartësi shumë të madhe dhe pikat më të larta nuk arrijnë 2000 metra: ndodhen në kufirin verior, Nga veriu vjen masivi i Karadakut, vargmali kryesor, paralel me Drinin e Zi, që i ka majat kryesore në Tourianska 1200 m., Yitzi 1700 m., Khero-Vouni 1550 m.

Në jug të liqenit Ohrit merr emrin e maleve të Gramozit afër Meçovës, dhe nga kjo pikë e tutje majat kryesore të saj nuk shkojnë kurrë përtej lartësive të sipërpërmendura, dhe i gjithë zinxhiri vazhdon kështu. Është mjaft komplekse po t’I krahasosh lartësitë me Apeninet italike.

Malet e Himarës, të quajtura nga grekët Acroceraune, ato formojnë një zinxhir të vogël bregdetar në kanalin e Otrantos; ngrihen mesatarisht nga 800 në 1000 metra, dhe pika më kulmore është mali i Cikës, nga ku pamja shtrihet përgjatë Jonit; Mali i Tomorit pranë Beratit arrin, sipas Balbit, 1000 metra dhe konsiderohet maja më e lartë të Shqipërisë së Mesme dhe të poshtme.

Sistemi hidrografik përbëhet nga disa përrenj se sa nga lumenjtë, të cilët të gjithë kanë një drejtim të përgjithshëm nga lindja në perëndim dhe të çojnë ujërat e tyre në Adriatik, pas një rruge shumë të kufizuar si pasojë e gjerësia mesatare e vendit, e cila është, siç u tha më lart, 100km ose 120km.

Rrugët kryesore ujore, të renditura nga veriu në jug, janë si më poshtë:

1 Buna, e cila nxjerr ujërat e liqenit të Shkodrës në det.

2° Drini, lumi më i madh në Shqipëri; përbëhet nga të dyja rrjedhat e Drinit të Zi që dalin nga liqeni i Ohrit,dhe nga Drini i Bardhë që zbret nga masa e maleve që mbulojnë kufiri i Bosnjës dhe Hercegovinës: të dyja këto dy rrugë ujore bashkohen në një luginë të egër pranë lokalitetit të Kukësit dhe, duke u kthyer në perëndim, derdhen në Adriatik pak në në veri të Lezhës.

3° Mati me degët kryesore Soulimit dhe Vardacha.

4 Erzeni. 5 Shkumbini.

6 Semani me degën e tij Devollin

7 Vjosa.

8 Ka lumenj të tjerë të vegjël deri në Gjirin e Artës, duke përfshirë Akeroni i lashtë, Louro, dhe Arta.

Vendi ka liqene mjaft të mëdhenj si ai i Janinës, i Shkodrës, i Ohrit dhe jo shumë larg këtij ai Maliqit; midis grykëderdhjes së lumit Shkumbini dhe gjirit Vlorës ka shumë laguna; më në jug një nga laguant më të rëndësishme është ajo e Butrintit në Kanalin e Korfuzit.

Rrugët nuk janë as të shumta dhe as të mirëmbajtura kjo jo për shkak zonave malore së vendit, por edhe të kujdesit i pakët i qeverisë turke dhe mungesës së kujdesit për popullatën; rruga e lashtë romake nga Durrësi në Selanik (Thessalonika e lashtë) kalon në Elbasan, Ohër dhe Manastir përbën rrugën kryesore komunikimit; Gjithashtu e rëndësishme është ajo nga Durrësi në Janinë nëpërmjet Beratit; qytetet kryesore janë të lidhura me rrugë mediokre; megjithatë, mbizotërojnë rrugët pak a shumë komode për mushka; për hekurudha as që bëhet fjalë.

Klima e Shqipërisë është e larmishme, por e mirë dhe e shëndetshme me plazhe sidomos ne pjesen jugore eshte e këndëshme dhe mund te krahasohet me atë të Gjirit të Napolit; por, duke u larguar nga deti dhe duke u ngritur drejt në brenda, bëhet e ashpër dhe aty shfaqen bora dhe ngrica në dimër.

Vendi është i bollshëm në prodhimet e tokës dhe në pjesën më të madhe malore është e mbuluar me pyje të gjera; nga ku popullsia merr gjërat e nevojshme për jetën dhe bën një eksport të vogël, me lloje vaji, leshi, bimësh bishtajore, e mjalti; megjithatë, burimi kryesor është blegtoria, të cilës popullata i përkushtohet me pasion dhe i kushton vëmendje të veçantë, veçanërisht kuajve, të vegjël por një race të shkëlqyer, si dhe dhive të bukura.

Popullsia e Shqipërisë shkon në rreth një milion banorë: dhe ndahet në dy pjesë të mëdha, domethë me gegët, në veri, dhe toskët në jug të lumit Shkumbin, kufij që janë me të gjerë se vija e tyre natyrore ndarëse; ata kanë në thelb flasin të njëjten gjuhë, por dialekte të ndryshme, Zakonet dhe feja, asnjë nga këto të fundit nuk shihet si gjë e madhe, ata gjithmonë janë gati për të përqafuar dhe ndjekur atë që është më e përshtatshme dhe më e mirë për ta. Të krishterë dhe katolikë kryesisht në kohën e Skënderbeut, nuk e përçmuan më vonë velin Muhamedan, në të cilin shumë njerëz u konvertuan për komoditet. Megjithatë, ndarja në toskë dhe gegë është më shumë si emër që në fakt janë shqiptarët, të quajtur Arvaniti nga Grekët dhe Arnaut nga turqit, por ata e quajnë veten shqiptarë dhe gjuhën kombëtare shqipe: origjina e një emri të tillë është shumë e diskutuar, studiuesit nuk janë dakord, por duket se mund të pranohet mendimi i atyre që e bëjnë fjalën me etimologji nga fjalët e vjetër ilire; e që nuk ka nevojë të diskutohet këtu, e kështu me radhë mjafton të dimë që shqiptarëte quajnë veten Shqipëtar dhe që e quajnë Shqipëri atdheun e tyre.

Shqiptarët janë të ndarë në fise, dhe një nga më të shumtët e rëndësishme mes tyre, jo nga numri, por nga numri më i madh arsimimi, trimëria dhe zakonet më pak të vrazhda, është ai i Mirditorëve (d.m.th. trima); në krye të së cilëve ishte familja e Castriotëvei, të cilin e ka mbajtur gjithmonë dhe zë një vend të veçantë mes gjithë të tjerëve. Autoriteti i krerëve të fiseve është, mund të thuhet, i vetmi i njohur dhe respektohet dhe veprimi i Qeverisë ndodh vetëm përmes tyre; kryefamiljarët formojnë një farë pleqësie që mblidhen herë pas here në kuvend për të shqyrtuar dhe diskutuar çështjet më të rëndësishme; çdo kryefamiljar ushtron autoritet absolut mbi familjen e vet.

Trim, i bukur dhe luftarak, shqiptari ndihet shumë krenar dhe ka një krenari kombëtare që shfaqet në çdo veprim të tij: i armatosur me pushkë, me jatagan në brez ose me një pallë të lakuar në krah, i veshur me kostumin e tij elegant kombëtar, por jo gjithmonë të pastër, ai e quan veten Palikar, luftëtar, dhe nuk njeh asnjë për zot; ai e do luftën, jeton për të, e kërkon dhe shpesh e provokon; ai është një ushtar mbi të gjitha dhe pastaj një bari, dhe ai ia lë punët e fushës grave; shërben me besnikëri çdo zotëri; i sinqertë dhe besnik, ai ruan me përpikëri fjalën e dhënë; dashuron, si banorët e ishullit në përgjithësi, hakmerret dhe dënon me dorën e tij fyerjet; “Para se ta vajtosh një të vrarë, thotë ai, duhet të hakmarresh për të, dhe ai dhe e gjithë familja bashkohet në hakmarrje”; ai është i kursyer dhe mbahet me pak gjë dhe vakti i tij i zakonshëm përbëhet nga buka (e mistrit në përgjithësi), nga djathi, ullinjtë, frutat, perimet, rrallëherë mishi; nëse ftohet në një banket ai shkon vetë e ndodh ndonjëherë të sëmuren; ai nuk i do shumë komoditetet e jetës dhe shtëpinë ku jeton e ka pothuajse kudo me një pamje të dobët.

Në përvijimin tim kaq shkurt dhe përmbledhës, Shqipërinë kam marrë parasysh jo vetëm përshtypjen time, por gjithsesi edhe mendimet e shprehura nga shkrimtarët në epoka të ndryshme, që janë marrë me shqiptarët, por nuk e pashë të përshtatshme të zgjatesha më tej, sepse kjo do të më largonte nga qëllimi kryesor që i vendosa vetes. Megjithatë, do të citoj shkrimtarët që kam konsultuar, në rast se disa lexues dëshirojnë t’u drejtohen atyre për informacion më të detajuar mbi Shqipërinë.

1° Enciclopedia.

2° Balbi Adriano, Compendio di Geografia.

3° Carta G. B., Dizionario geografico universale.

4° Vivien, Dizionario geografico universale.

5° Malte-Brun Cori ado, Compendio di geografia universale.

6° M. H ecquard, kunsulli francez ne Shkodër, Storia e descrizione dell’Alta Albania.

7° Bianco Lorenzo, Grecia antica: ragguaglio sulla gente albanese e sue colonie.

8″ Ibrahim-Manzour Effendi, Memorie sulla Grecia e sull’ Albania durante il governo di Alì Pacha

9° Ferrario Giulio, Il costume antico e moderno di tutti i popoli.

10. Cyprien-Robert, Gli Slavi di Turchia.

11. lvaraczay, Geografia dell’Albania.

12. Dreiss, Cronologia universale.

13. Muratori, Annali d ‘Italia .

14. P. Daru, Storia della Repubblica di Venezia.

Ju gjithashtu mund të konsultoheni me autorët e mëposhtëm, të cilat citohen nga Vivien:

15. Massi A., Saggio sull’origine della Nazione albanese.

16. Del Re, Saggio sull’origine, costumi e stato della Nazione albanese.

17 Lecca, Osservazioni sulla lingua albanese.

15 Camarda, Saggio di grammatologia comparata sulla lingua albanese.

Filed Under: Kulture

118 vite nga themelimi i shoqërisë atdhetare “Malli i Mëmëdheut”

January 2, 2024 by s p

Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave/

E para shoqëri e krijuar nga mërgata e shqiptarëve në SHBA, qendroi edhe në pararojë të grupimeve të tjera të diasporës. Në vendbanimin e Thanas Viso Mborjes në Buffalo, Nju-Jork, u mblodhën veprimtarë të spikatur të çështjes kombëtare, të mbrujtur me frymën patriotike, për t’i dhënë trajtë një shoqërie që do të angazhohej në mbrojtjen dhe promovimin e kulturës shqiptare.

Predikuesi i gjuhës shqipe, Petro Nini Luarasi, Thanas Viso Mborja, Mina Grameno, Thanas Floqi, Kol Rikashi, Pandi Lipi Kallanxhiu, Thimi Nuni Boçka, Pandi Mihal Furxhi, Dhimitraq Zisi Negovani, Vani Odo Karameta, Vani Vangjel, Thanas Halle dhe Mihallaq Kristaq Bimbli, ishin emigrantët korçarë që themeluan këtë shoqëri pionere në SHBA, përmes të cilës synohej edhe arritja e kohezionit në radhët e komunititet të gjerë të shqiptarëve të atjeshëm.

Veprimtaria e shoqërisë bazohej në një statut. Anëtarët e saj zhvilluan një sërë aktivitetesh dhe bashkëpunuan me intelektualë përtej Atlantikut, me qëllim inkurajimin e Zgjimit Kombëtar. Me t’u konsiliduar, “Malli i Mëmëdheut” u bashkua me një tjetër organizatë patriotike të rëndësishme, federatën “Vatra”.

#ArkivatFrymëzojnë

#ArkivatKujtojnë

#MalliiMëmëdheut

#AQSH

#FototekaAQSH

Filed Under: Histori

Molla e Adamit

January 2, 2024 by s p

Astrit Lulushi/

Njerëzimi është në konflikt, ka qenë dhe do të jetë. Mbizotëruese është idea se janë çështjet sociologjike – “të kesh a të mos kesh” – që bëhen shkak. Të tjerë thonë se është natyra e njerëzimit; një pjesë është pasardhëse nga Kaini (i keq, “serpertinē”, dhe pjesa tjetër nga Abeli – i pari ishte biri i Evës dhe i një prej Elohimëve (gardianë në Kopshtin e Edenit); dhe i dyti, Abeli, ishte biri i Evës dhe Adamit, të cilët bënë edhe fëmijë të tjerë dhe u quajtën Adamitë.

Koncepti i mollës si ‘frut i mëkatit’ erdhi në shekullin e katërt, kur Jeronimi përktheu Biblën në latinisht. Hieronymus, i njohur si Shën Jeronimi, ishte biblicist, përkthyes, teolog dhe murg i krishterë romak. Një Atë i Kishës dhe Doktor i Kishës gjithashtu, ai përktheu një pjesë të Testamentit të Vjetër në latinisht, por duke përdorur tekstin që ishte rishkruar në greqisht nga hebrenjtë e kolonisë së Elefantit në Egjipt. Pra, kjo mollë e shpikur është tërësisht fryt i imagjinatës së Jeronimit. Ndoshta do të ishte më saktë të thuhej se ishte thjesht një keqkuptim; duke shkruar për Pemën e së mirës dhe të së keqes, Jerome përdori termin latin ‘malum’ – ‘e keqe’, që ka kuptimin edhe ‘mollë’. Që nga ai moment filluam të flasim për një mollë, e cila përfundimisht u bë traditë.

A ishte ‘Parajsa e humbur’, pra, për shkak të një molle?

Në hebraishten e lashtë, ‘marrja e frutave’ do të thotë të thotë të kryesh një akt seksual. A nuk ishte ‘gjarpri’ që tundoi Evën, për të krijuar një ndjenjë inferioriteti, se njeriu rrjedh nga kryerja e një mëkati?

Mëkati fillestar, nuk është një koncept biblik, u shtjellua nga teologjia. Mbi të gjitha i shërben qëllimit të krijimit të ndjenjës së fajit tek individi, përmes së cilës ai më pas mund të kushtëzohet dhe të hyjë në udhën e respektimit të rregullave.

Në të kaluarën, gjarpri kishte gjithmonë një konotacion pozitiv: duke qenë kafshë që bën folenë në tokë, ai simbolizonte individin që gërmon dhe futet thellë në dije. Termi “gjarpër”, në fakt, ka edhe kuptimin e zotëruesit të dijes. Prandaj, gjarpri mund të përfaqësojë njohuri të thella, me referencë të veçantë për spiralen e dyfishtë të ADN-së. Kjo është njohuri vërtetë e thellë, që zotërojnë gjenetistët, të cilët njohin pjesën më intime të strukturës njerëzore. Prej aty, përfaqësimi i gjarprit erdhi për të simbolizuar ata që merren me këtë lloj informacioni dhe që zotërojnë këtë lloj teknologjie, në thelb, arti i mjekësisë.

Në të vërtetë, ishte vetëm femra që lindi në “parajsën tokësore”. Bibla thotë se Adami “u vendos” në Kopshtin e Edenit. Kjo do të sugjeronte se ai ishte nga diku tjetër dhe ishte vendosur atje, në atë “kopsht të rrethuar dhe të mbrojtur” që ndodhet në rajonin e Edenit, në një moment të mëvonshëm të historisë.

Për sa i përket femrës, Evës, Zanafilla thotë se “ajo u krijua” (me fjalë të tjera, u fabrikua), duke përdorur një “pjesë anësore të lakuar” të mashkullit, i cili ishte qetësuar dhe futur në një gjendje “gjumi të thellë”. Anestezia. “Kopshti i Edenit ishte një laborator, ku u eksperimentua me ushqimin – si perime ashtu edhe kafshë – për t’u përdorur për njerëzimin, të cilin Elohimët e kishin “krijuar” përmes inxhinierisë gjenetike. Përveç Pemës së Jetës, sipas Biblës, Kopshti i Edeni kishte edhe një pemë tjetër, atë të njohjes së së mirës dhe së keqes, pra njohja e së mirës dhe së keqes tregon përvojën e të ndjerit të mirë dhe të sëmurë. Në këtë paraqitje të pemës, koncepti i nënkuptuar duket të jetë elementar. Për sa kohë që ishin brenda atij vendi të mbyllur dhe të mbrojtur, adamitët nuk dinin vuajtje fizike dhe mbetën të rinj në pamje. Problemet fillojnë me dëbimin nga parajsa, për shkak se specia e re “e fabrikuar”, pasi të kishte arritur aftësinë për t’u riprodhuar në mënyrë autonome, mund të bëjë gjëra vetë, dhe ndoshta edhe të fitojë “teknologjitë e jetëgjatësisë”, duke rivalizuar kështu krijuesit e tyre, Elohimët (gjenetistët). Adamitët u dëbuan sepse ishin bërë riprodhues të pavarur. Kjo nuk duhet të kishte ndodhur kurrë. Dhe, mbi të gjitha, mbarështimi midis adamitëve dhe një anëtari të prejardhjes së Elohimëve, i cili në Bibël përfaqësohet nga ‘gjarpëri’, nuk duhet të kishte ndodhur asnjëherë. Ndërthurja e tyre ishte shkaku i vërtetë i dëbimit të adamitëve nga Kopshti i Edenit.

Nuk mungojnë ata që theksojnë se hartat e mesjetës (Rilindjes) tregojnë gjeografinë e Antarktidës dhe e bëjnë këtë, çuditërisht, me një shkallë të mahnitshme detajesh. Pra, me sa duket, kontinenti i akullt ishte shumë i njohur që në vitin 1400. Kontinenti Antarktik i riprodhuar nga Leonardo da Vinci është plotësisht i lirë nga akulli, me arinjë polarë dhe pinguinë. A ka diçka për të na treguar historia natyrore e kafshëve që jetojnë në antipodet e planetit? Vetëm në vitin 2014 disa gjeofizikanë u bindën se Toka ishte përfshirë nga shirat katastrofikë të kometave, duke prishur klimën e planetit, rreth 12,000 vjet më parë. Një tjetër “rivendosje” e përmasave apokaliptike që fillimisht do të kishte errësuar diellin, duke shkaktuar një dimër shumë të gjatë që zgjati njëqind vjet, më pas shkriu mbulesat e akullit polar dhe shkaktoi ngritjen e nivelit të detit? Kjo kataklizëm do të ishte përgjegjëse për fundosjen e qyteteve bregdetare, si ato që tani po dalin në pamje nga dyshemetë bregdetare të Oqeanit Indian. Disa e vendosin fillimin e historisë sonë të gjurmueshme në një lloj Viti Zero. Kjo Histori Sekrete do të ishte kontrolluar, në një mënyrë jashtëzakonisht diskrete, nga një “entitet” fantazmë, i cili, pasi të kishte krijuar perandori dinastike dhe qytetërime të mëdha, do të qëndronte edhe pas krijimit të modernitetit aktual, kombet, fetë, luftërat, besimet arkaike dhe përparimi i fuqishëm. A kontrollon vërtet dikush të kaluarën për të sunduar të tashmen dhe për të formësuar të ardhmen?

Kopshti i Edenit tregon një vendndodhje mjaft të saktë gjeografike, një rajon të gjerë që ndodhet midis Mesopotamisë dhe Kaukazit. Termi ‘Eden’ gjendet edhe në tekstet sumero-akadiste, ku shfaqet si ‘E-Din’, që zakonisht përkthehet si ‘shtëpia e të drejtëve’, e prejardhjes së Dijes, që do të thotë “e atyre që din”, Elohim biblik, të cilët në fakt korrespondojnë me Anunna-n ose Anunnaki-n Sumeriano-Akadian.

Dhe si ndodh që, në një moment të caktuar, Eden shndërrohet në Kopshtin e Edenit, Parajsën Tokësore? Ky është rezultat i një kalimi të mëvonshëm nëpër forma të ndryshme gjuhësore: gjuha iraniane i referohet “pairidaeza”, një vend i rrethuar dhe i mbrojtur. Nga ky term kalojmë te “paradeisos” grek, të cilin autorët e përdorën për të treguar ato kopshte të mbyllura, të rrethuara dhe të mbrojtura të zotërve të Babilonisë. Tani pasazhi i fundit: Nga greqishtja ‘paradeisos’ arritëm në ‘paradisus’ të latinishtes, për të arritur më pas në pikën e përkthimit të termit në të ashtuquajturat ‘gjuhë vulgare’ si ‘parajsë’. Një vend i lashtë dhe i përsosur i lumturisë absolute? Po, sipas feve. Por kjo është një pamje mjaft imagjinative. Ka shumë Kopshte në librat e lashtë. Ai që i përket Adamit dhe Evës, ndodhet në rajonin e Edenit, ishte vetëm një nga disa “kopshte të mbyllura dhe të mbrojtura” në Tokë. Pra, Bibla na tregon për një nga Kopshtet që ekzistonte në planet, por mund të imagjinojmë ekzistencën e disa të tjerëve. Për shembull? I pari ndoshta ndodhej në qendër të Afrikës, ose në pjesën më jugore ku u zhvilluan eksperimentet e para gjenetike për prodhimin e Homo sapientit. Eksperimente gjenetike për qëllimin e “prodhimit” të sapiencve, të cilat u zhvilluan në vende të veçanta, kishte një në Eden dhe një në Afrikë, por kishte më shumë. Një Kopsht tjetër ndoshta ndodhej në Amerikën Qendrore, ndërsa një tjetër duhet të ketë qenë në Lindjen e Largët. Kjo mund të jetë vendosur në vendlindjen e fesë së madhe Vedike, e cila në thelb rrëfen të njëjtin koncept të ‘prodhimit’ të njerëzimit. Pra, edhe Vedat aludojnë për gjithë këtë. Vetë shkenca na tregon për lloje të ndryshme njerëzore që duket se janë shfaqur në pjesë të ndryshme të botës. Agimi i këtij Projekti të Madh është hipotetik Ne, në fakt, mund të spekulonim për një eksperiment që mund të ishte kryer në të gjithë planetin, një eksperiment nga i cili Homo sapiens do të kishte dalë si produkti përfundimtar. Fillimisht u bë në Afrikën qendrore-jugore dhe më pas, me siguri, u përsos më tej në Lindjen e Mesme. Ekziston një ndjenjë e hyrjes në një lloj vorbulle njohurish paralele, në të cilën gjithçka duket papritur e arritshme, të paktën në një nivel teorik. Të menduarit analogjik dhe lidhjet. Rindërtime dhe hipoteza shqetësuese, por që ushqejnë mendjen dhe e detyrojnë të funksionojë ndryshe, duke mos përjashtuar asgjë dhe duke verifikuar çdo mundësi. Po sikur dëbimi nga Parajsa të shpjegonte shfaqjen e papritur misterioze të qytetërimit sumerian? A është e mundur që Zanafilla, e cila bazohej në historitë e dëgjuara atje, në brigjet e Eufratit, të nënkuptonte këto origjina të supozuar ‘të modifikuara gjenetikisht’ të popullatave të para të vogla që kolonizuan vendin e Sumerit?

Filed Under: ESSE

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 1393
  • 1394
  • 1395
  • 1396
  • 1397
  • …
  • 2946
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • KUJTIME PER ITALIANIN DOM ANTONIO SHARRA
  • MASAKRA E TIVARIT MARS-PRILL 1945
  • Kuptimi i Pashkëve Ortodokse – midis ritualit dhe ringjalljes së ndërgjegjes
  • RIKTHIMI I MUSTAFA MAKSUTIT NË FAQET E HISTORISË
  • Shqipëria në politikën ballkanike të Austro-Hungarisë
  • Eliot Engel, in memoriam…
  • VATRA TELEGRAM NGUSHËLLIMI PËR NDARJEN NGA JETA TË ELIOT ENGEL, MIKUT TË MADH TË KOMBIT SHQIPTAR
  • Përkujtojmë në përvjetorin e lindjes një nga figurat e Rilindjes Kombëtare, Aleksandër Stavre Drenova
  • GËRSHËRA E ARGJENDTË
  • Përgjithmonë vetëm mirnjohës për Kongresmenin Eliot Engel
  • PËRKUJTIM PËR ELIOT ENGEL, NJË MIK I PAZENDËVËSUSHËM, ZËRI I SHQIPTARVE NË SHBA
  • Meditim para varrit të Faik Konicës
  • Bashkimi i Diasporës Shqiptare të Greqisë
  • “Fortifikimi ilir i Komlikut në Fregen dhe Ungrej të Lezhës (Mirdita Etnografike)”
  • “The Real Thing”: A Conversation with Luljeta Lleshanaku

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT