• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

GJILPËRA E SABRI MAXHUNIT – GRIS E QËNDIS FLAMUJ

December 30, 2023 by s p

 U njohëm qysh në vitin 1962 me Sabri Maxhunin, por viti 1963 na afroi edhe më shumë dhe kjo afërsi vazhdon sot e kësaj dite.Një rrobaqepës PAR EXALANS në Prishtinë, asokohe, një mustaqezi i ri që lente përshtypjen e një figure burrnore serioze, kishte hetuar se edhe unë -Fetiu, një nxënës i medreses Alaudin në fqinjësi ku jeton Sabriu(Rruga Rijeka, nr. 5), jam i denjë për t`iu bashkuar aktivisht idealeve të Sabriut për Liri Kombëtare.

Këtë bindje e kishte përforcuar nga drama Prej territ në dritë, në  të cilën unë luaja rolin e doktorit( rol i mjekut). Kjo  shfaqje teatrale  u realize me rininë e lagjës Alaudin në bashkpunim me nxënësit e Medreses dhe kah fundi nëntorit 1963 u  shfaq në shtëpinë e kulturës të lagjës – tash TEATRI DODONA.  Në Prishtinë ishte ringjallë ideja  për RIBASHKIM KOMBËTARë, që e kultivuan veprimtarët e Lëvizjes Nacionale Demokratike SHqiptare, të cilën e kishte ripëtrirë  Adem Demaçi  me emrin  Lëvizja Revolucionare për Bashkimin e Shqiptarëve (LRBSH). Sabriu ishte anëtarë i Komitetit të Qarkut Prishtinës dhe veprimtarë i vendosur për këtë çështje.  

Në vjeshtën e vonë të viti 1963 shkova te  Sabri Maxhuni, jo  për këtë qëllim – shkova të provoj pantollonat, që ditë më parë ia kisha lënë stofin Sabriut dhe pasi ndërruam disa mendime, më tha do të  vish pas tri ditësh për provë – kështu ishte praktika e mjeshtrit Sabri për profesionin e tij, me qëllim që prodhimi që dilte nga dora e Sabriut mos ketë vërejtje. 

Kur shkova për provë, më la përpara nja dy tri faqe tekst të daktilografuar me makinë – ishte STATUTI I LRBSH-s, lexoja ngadal, më tha, e pastaj do ta diskutojmë. Pasi e lexova, USTA SABRIU, me një maturi e seriozitet të veçant, për moshën e atij dhe për moshën time, më tha, kur të vish t`i marrish pantallonat du një përgjigje nga ti, ç`mendon për këtë, a je i gatshëm, është sakrificë por ia vlen – është koha!Unë nuk e dija se ai ishte antarë I Komitetit të LRBSH-s për Qarkun e Prishtinës.Nuk kisha nevojë të mendoj më tepër. Gjatë leximit të STATUTIT, vendosa. Unë përgjigjen e kam sot për këtë. Më trego çfarë mund të jetë kontributi im në kët.  

Më dha disa sqarime rreth veprimeve që duheshin bërë, u morëm vesh për kur do t`I merrja pantallonat dhe u ndamë. Sabriu nuk qepte vetëm pantallona e kostime komplete – madje edhe me jelek – por gjilpëra e Sabri Maxhunit kishte shkep flamurin e jugosllavisë së harrnuar me copa të huaja dhe iu kishte përvesh qepjes së FLAMURIT KOMBëTARë SHQIPTAR, për të cilin në vitin 1963, 64, 65….. e deri kur të duash thuaj, shkohej në burg, madje edhe pasi dilje nga burgu nuk kishte vend pune për ty,  përveç fshirjes së rrugëve  dhe ngarkim shkarkim thëngjilli an`e kënd Jugosllavisë. Për këtë ishim të vetëdijshëm përpata se ta thonim atë PO-në vendimtare.

Gjilpëra e Sabri Maxhunit që shkepte e qepte flamuj,  I qepi në pranverën e vitit 1964  nja 70-80 flamuj  kombëtarë dhe njëri nga ata flamuj gdhini në ndërtesën e medresese, te drejtoria e medreses – kuptohet, nga ana e jashtme. Ishte sinjal I qartë se këtu  aty brenda përkundej një mini  armatë për çlirimin e Kosovës.  Falë kujdesit dhe strategjisë së Sabriut, kjo ndodhi nuk e dëmtoi shumë medresenë, por Sabriu në qershor të atij viti u gjend prapa grilave dhe provoi kazmatet e Jugosllavisë deri nëburgin fame keq.” Goli Otok,” por ama mua nuk më mori me vete.

Gjykimin e parë të  Sabriut te Gjygji I Qarkute në Prishtinë, e ndoqa  nga trotoari përball Gjykatës dhe deri kur u kthye nga  burgu I parë, lidhjet tona u pezulluan. 

Kur dol inga burgu vazhduam, sigurisht në rrethana tjera e me strategji të reja.  Ai me gjilpërën e tij unë me pendën shytë, deri në takimin e radhës te PLEPAT E DURRSIT, Në VITIN 1999. Kontakte me telefon mbanim, por mjaft të kufizuara. Tani, kur ai I mbushi tetëdhjet vjet e unë në prag të tetëdhjetës, takohemi ke :Qendra per rehabilitim me ujra termike  që mban emrin“ NëNA NAILE” Nëna që e lindi dhe rriti Sabri Maxhunin. Jetë të gjatë, pleqëri të  qetë Sabriut e shëndet për  shëndetin e popullit të Kosovës, e përtej Kosovës.

 Prof.Dr. Feti Mehdiu   Montreal 

20 dhjetor, 2023.   

Filed Under: Mergata

Brengat e zemrës dhe të shpirtit…

December 30, 2023 by s p

Dr.Vlora Obërtinca/

“Nuk predikohet askund sekreti se si të jetohet jeta në mënyrën më të mirë të mundshme apo si të zbatohet mendimi pozitiv. Kështu njeriu, sikurse bateria, konsumohet dhe harxhohet, deri në djegie (burn out). Nuk gjen mbushës për baterinë e quajtur Njeri” – (Dr.Vlora Obërtinca).

Ne jetojmë në një shoqëri moderne, ku fare pak predikohet mënyra pozitive e të menduarit si çelës për jetë të suksesshme. Madje mbizotëron frenimi, ku një shoqëri e tërë predikon se si njeriu duhet të punojë shumë për të arritur pak, që realisht flet për një rrugë fizike dhe psikike të mundimshme. Në vend që të predikohet të menduarit pozitiv si gur themel për të filluar çdo punë me lehtësi, në fakt është predikuar mendimi negativ për të arritur diçka pozitive në jetë dhe kështu, mbi bazën negative, çdo ditë e më shumë është trashur negativiteti i të jetuarit dhe si pasojë e kësaj, në shumicën e rasteve, njerëzit nuk arrijnë t’i realizojnë ëndrrat e tyre.

Ka raste, kur njerëzit rezonojnë pozitivisht dhe arrijnë të realizojnë ëndrrat e tyre, qoftë realizimin e studimeve në universitetin më të mirë apo edhe të bëjnë punë që paguhen shumë mirë, por nuk dinë ta shpjegojnë se si pas arritjes së të gjitha qëllimeve të jetës, ndihen të zbrazët dhe shpeshherë kalojnë në depresion dhe nuk dinë ta shpjegojnë pse ndodh kjo. Kjo ndodh, sepse e tërë energjia jonë ndër vite harxhohet me dominimin e negativitetit, duke u munduar të realizojmë dëshirat dhe qëllimet tona. Çuditërisht, ditë pas dite zgjohemi të lodhur, të rraskapitur, pa vullnet për jetë dhe punë, që dikur aq shumë dëshiruam ta arrijmë. Tani jemi këtu dhe nuk dimë t’i gëzojmë këto të mira dhe pyesim veten: Vallë, a jemi ne të vetmit që po na ndodh kjo, ngaqë askush tjetër pos nesh nuk është duke u ankuar? Askush nuk ankohet, ngaqë secili prej nesh ka frikë, që të mos e dinë të tjerët se si ndihemi brenda vetes, sepse mund të paragjykohemi nga shoqëria dhe nga rrethi i ngushtë dhe mund të përfundojmë të diskriminuar apo të përjashtuar nga ky rreth. Kjo ndodh ngaqë nuk jemi të hapur me njëri-tjetrin, nuk jemi të sinqertë, sepse frika na e drejton jetën dhe jo motivi pozitiv për jetën.

Deri kur duhet të jetojmë jetën e rrejshme, të jetojmë për sytë e botës, ose të jetojmë për një kompliment, ose mendim të mirë “fals” nga të tjerët, të cilët njëkohësisht ndihen keq përbrenda dhe po të njëjtit duhet të na japin vlerësime apo ndodh edhe anasjelltas? Në fund të fundit, gati të gjithë jemi të pakënaqur në heshtjen tonë, duke u shkrirë dhe duke u venitur si një qiri që nuk ka gojë të flasë, derisa fitilit t’i vijë fundi. Mendoj se shekulli i 21-ë duhet të jetë shekull i shënuar për shumë zbulime shkencore, për shërimin e shumë sëmundjeve, por njëkohësisht besoj se njerëzit do të fillojnë të afrohen më shumë me njëri-tjetrin dhe duke u hapur me njëri-tjetrin, do ta shërojnë njëri-tjetrin në mënyrë natyrale.

Andaj, mos luftoni me jetën, por bëni paqe me jetën dhe me njerëzit që ju rrethojnë. Shijojeni jetën duke e marrë çdo gjë që ju ndodh në jetë si diçka shumë të rëndomtë dhe njerëzore dhe mos hezitoni të hapni zemrat tuaja, sepse kështu nuk do t’i ndihmoni vetëm vetes suaj, por edhe njerëzve të tjerë, që janë në të njëjtën pozitë si ju. Pranojeni jetën ashtu siç ju vjen, sepse ju e keni krijuar vetë këtë jetë, me mënyrën tuaj të të menduarit. Nëse nuk jeni të kënaqur me jetën tuaj, hapuni me njerëzit më të afërt dhe rrëfeni brengën e zemrës, sepse të gjithë i kemi ato brenga, në një mënyrë apo në tjetrën. Pasi ne, me mendimet tona, e krijojmë realitetin tonë, atëherë ne mund të fillojmë në çdo kohë të ndryshojmë mendimet tona dhe me këtë të fillojmë edhe ta ndryshojmë realitetin me të cilin nuk jemi të kënaqur. Andaj, gjithmonë do të kemi nevojë për njerëzit e dashur që na rrethojnë. Mos hezitoni të kërkoni ndihmë dhe të rrëfeheni, sepse kjo mënyrë është më e lehta për të tejkaluar sfidat, problemet dhe brengat e zemrës dhe të shpirtit.

Mos u mbyllni në vetvete, sepse, duke u mbyllur në vetvete, krijoni qeli burgu në mendjen dhe shpirtin tuaj dhe me këtë e mbyllni dhe e shuani vetë jetën tuaj, që është e shenjtë. Mos e frikësoni veten tuaj me mendime të frikshme, sepse secili prej nesh ka dëshirë të ketë mendime që na bëjnë të lumtur dhe për të qeshur, mendime që na bëjnë të ndihemi mirë, sepse gjatë 24 orëve vetëm mendimet tona janë gjithmonë me ne dhe na përcjellin gjithandej. Nuk ka ilaç më të mirë se sa të zgjedhim mendime të bukura dhe pozitive dhe t’u themi mendimeve të këqija “shporruni, sepse ju nuk keni vend në mendjen dhe trupin tim!”. Unë kam ardhur në këtë jetë të gëzoj çdo moment të bukur dhe nuk do t’ia lejoj askujt dhe asgjëje të ma prishë as lumturinë, as këtë ditë të bukur. Asnjë moment që kalon, nuk kthehet më, andaj duhet t’i themi vetes sonë se çdo çasti të jetës do t’i jap bukuri, aq sa mundem do ta gëzoj dhe do ta shijoj jetën, sepse jeta është e bukur dhe jetohet vetëm njëherë.

Atëherë le ta jetojmë jetën nga prizmi i bukur. Kjo është thjeshtësia e të menduarit, që do të thotë, të mendojmë mirë dhe përfundimi i çdo gjëje do të jetë i mirë. Edhe kur informata e parë vjen si negative, nëse jemi në gjendje ta transformojmë, do të jemi në rrugë të mirë për ta menaxhuar suksesshëm jetën tonë. Sekreti qëndron në atë se sa kemi aftësi që informatën e parë negative, që e marrim për një rast, ta shndërrojmë dalëngadalë në situatë pozitive dhe, si të tillë, ta përmbyllim, sepse në fund të fundit, çdo informatë që e perceptojmë, është vetëm një mendim dhe mendimin mund ta ndryshojmë në çdo kohë.

Psikoterapia më e mirë është biseda me njerëzit dashamirës që ju rrethojnë. Të gjithë ne kemi probleme të natyrave të ndryshme. Pse të mos e hapim zemrën, ta zbrazim helmin e grumbulluar brenda nesh? Kur edhe familjet mbretërore kanë probleme, atëherë edhe ne si njerëz të thjeshtë që jemi, pse të mos kemi probleme? Familjet mbretërore sot përballen me probleme të njerëzve të rëndomtë, qoftë probleme divorci, konsum drogash, depresion, alkoolizëm, fëmijë jashtë martese etj, etj. Familjet mbretërore kanë mundësi të pashtershme financiare dhe mekanizma për të angazhuar me automatizëm për t’i zgjedhur problemet e tyre. Përderisa mekanizmi ynë më i fortë, si njerëz të thjeshtë, është faktori njeri dhe human me njëri-tjetrin që, është faktori kyç për të tejkaluar çdo sfidë në jetë. Por, të mos harrojmë se të gjithë ne, edhe pse s’jemi familje mbretërore, por familje të zakonshme, jemi njerëz që përdorim mekanizmin më të fortë që ekziston, që është mendja jonë e shëndoshë dhe kështu, në raste të vështira, ne duhet t’i vijmë në ndihmë njëri-tjetrit, sepse fjala e mirë e gojës, fjala përkrahëse dhe ngushëlluese, fjala e dashur dhe e çiltër që buron nga zemra dhe shpirti, është falas. Këto veprime, karshi njeriut në nevojë, janë një thesar i paçmuar në shërimin e mendjes, zemrës dhe shpirtit të tij në momente të vështira të jetës, duke mos harruar që secili prej nesh mund të gjendet një ditë në atë pozitë.

Çdo mëngjes kur zgjohem dhe çdo mbrëmje para gjumit, falënderoj për çdo gjë që kam në jetë, praktikë që e kam mësuar në shkollat metafizike. E falënderoj Zotin për çdo gjë dhe për çdo bekim që kam në jetë dhe kështu e filloj ditën me mendime të bukura dhe mundohem, aq sa mundem, të qëndroj me mendime pozitive, që ta përmbyll ditën me mendime të bukura. Shpeshherë, kur e zë veten që më ka fluturuar mendja në diçka të keqe, shpejt e përmbledh mendjen time dhe e kthej në një ngjarje të bukur që më ka ndodhur apo që pres të më ndodhë, duke i paraprirë asaj ngjarjeje me mendime të bukura. Nëse çdo mëngjes filloni të praktikoni falënderimin për të mirat që keni në jetë, do ta mësoni trurin tuaj, që ta filloni ditën me mendime të bukura dhe do ta mësoni se si t’i lidhni në formë zinxhiri mendimet pozitive gjatë ditës. Natyrisht, ne nuk mund të lundrojmë tërë kohën vetëm në mendime pozitive, por, së paku, të mundohemi t’ia marrim anën mendimeve negative dhe kështu të arrijmë të kemi një bilanc pozitiv ditor të mendimeve.

Ndryshimin e mënyrës së të menduarit dhe ndikimin e tij direkt në ngjarjet e jetës, në mënyrë intuitive, e kam kuptuar në fillimin e dekadës së dytë të jetës sime. Dhe që atëherë, kam filluar të zbatoj dalëngadalë ndryshimin e mendimeve, ndonëse është një proces i vështirë, kur mësohet në moshë madhore dhe jo në atë fëmijërore. Kjo ngase deri në atë moshë unë kam mbledhur miliona e miliona mendime në ndërdijen time, një pjesë e të cilave sigurisht është negative dhe, pavarësisht dijes që kam deri tani dhe përkushtimit tim për të ndryshuar mënyrën e mendimit, është proces që kërkon kohë dhe durim për ta realizuar atë. Andaj, unë vazhdoj praktikimin e mënyrës pozitive të mendimit, duke e tejkaluar vazhdimisht atë negative, sepse në fund të ditës e di që jam unë ajo që në të ardhmen do t’i paguaj llogaritë për mënyrën e të menduarit të sotëm.

Shpeshherë më shfaqet ndonjë situatë e pakëndshme dhe them me veten time: “Ah si ndodhi kjo situatë, duke qenë se unë çdo ditë praktikoj mendimin pozitiv?” Nganjëherë më ikin edhe orë të tëra duke u munduar të lirohem nga situata negative, për të kaluar në mendime pozitive të momentit. Por, e rëndësishme është se unë nuk dorëzohem. Në një moment i flas vetes sime dhe i them: “Prit pak se kjo situatë më është shfaqur për të më mësuar diçka të mirë, sepse e tërë kjo situatë është mësim për mua dhe leksionet e saj duhet të mësohen. Vlora, merre me qetësi situatën, sepse për çdo situatë, njeriu i gjallë dhe i shëndoshë ia gjen zgjedhjen, sepse siç thotë një fjalë e urtë “njeriu, para se të vijë në jetë, Zoti i ka dërguar paraprakisht të gjitha zgjedhjet e jetës”, që do të thotë se ne vetëm sa sprovohemi, se sa jemi të aftë dhe sa kemi qetësi dhe durim të gjejmë zgjidhje që janë para nesh”.

Në kësi situatash negative, i them vetes sime: “Unë jam krijuese e realitetit tim dhe e pranoj me vetëdije të plotë që këtë situatë të krijuar sot, e kam krijuar me mënyrën negative të të menduarit në të kaluarën”. Me rëndësi është që unë nuk fajësoj askënd për situatën e krijuar, por e marr përgjegjësinë e plotë, që unë jam shkaktare e mendimeve të mia, por njëkohësisht, unë jam ajo që i gjej zgjidhjet më të mira të mundshme për veten time, sepse mendja që e ka krijuar problemin, po ajo do ta gjejë zgjidhjen e duhur për mua.

Në fund, i them vetes sime se çdo gjë që ndodhi, është për të mirën time dhe fundi i kësaj pune është i shkruar për të mirën time, për lumturinë dhe mirëqenien time. Kështu i thërras paraprakisht në mendje fjalët e mia, të mirën, lumturinë dhe mirëqenien e situatës konkrete dhe njëkohësisht, i hap derën të ardhmes së ndritur për veten time. Unë jo vetëm që e them, por tani, duke e praktikuar çdo ditë mënyrën pozitive të të menduarit, edhe e besoj një gjë të tillë. Abraham Hicks thotë: “Kërko dhe kërkesat e tua janë të plotësuara nga Universi”. Problemin e krijojmë gjithmonë ne, me mendjen tonë, duke mos besuar se mund të realizojmë mendimet tona pozitive, që do të thotë se kërkojmë apo shprehim dëshira dhe në po të njëjtën kohë i vëmë në dyshim ato kërkesa si potencialisht të parealizueshme, që do të thotë se ne vetëkundërshtojmë apo sabotojmë realizimin e dëshirave tona, duke shprehur dyshim dhe jo besim të plotë në mendimet tona. Universi nuk pranon mendime të paqarta, andaj edhe dëshirat tona vonohen për t’u realizuar apo nuk realizohen kurrë, sepse mënyra e të kërkuarit duhet të përkojë me rezultatin. Janë tri hapa, sipas Hicks: kërko, beso dhe prano. Mosbesimi shkakton mospranimin apo realizimin e kërkesës apo dëshirës sonë.

A i keni parë fëmijët se sa të sigurt janë, kur kërkojnë lodra për t’i pasur ato? Ata nuk dinë të analizojnë se si fitohen paratë, a ka para të mjaftueshme apo jo, a gjendet lodra në tregun tonë apo jo. Ata thjesht janë të sigurt se lodrën do ta kenë në duart e tyre dhe zakonisht ashtu bëhet, sepse ata nuk dinë të mos besojnë, që do të thotë, ata kërkojnë dhe besojnë njëkohësisht pa kushtëzime dhe kjo gjendje e sigurt e të menduarit, ua sjell lodrën në duart e tyre. E shihni që edhe ne të rriturit mund të mësojmë shumë nga fëmijët tanë për sekretet e të jetuarit mirë.

Në fakt, jemi ne të rriturit që gjatë procesit të rritjes së fëmijëve, gabojmë dhe fusim dyshime dhe pasiguri te fëmijët tanë dhe në këtë mënyrë fëmijët, sa më shumë rriten, aq më shumë bëhen më të pasigurt në hapat e të jetuarit të jetës së thjeshtë, duke e vështirësuar atë me mosbesimin e përcjellë nga gjeneratat më të vjetra tek ata. Por, mos harroni, se kurrë nuk është vonë për të mësuar, për të ndryshuar dhe për të filluar të jetoni mirë jetën. Niseni sot!

Dr.Msc. Vlora Obertinca – ështe motivuese, shkrimtare dhe poete që shkruan në gjuhën shqipe dhe angleze. Ajo është poliglote, eksperte e tregjeve financiare dhe doktor shkence në lidership, e arsimuar në Univerzitetin ekonomik të Vjenës. Ka një karriere të bujshme pas vetës, duke qe qenë pesë herë në postin e drejtoreshës në institucionet kyqe financiare të Kosovës. Ajo njihet edhe si hartuese e reformave ekonomike qeveritare në cilësinë e ekspertes së pavarur .

Fragment i shkeputur nga libri i saj motivues “ Vera e shpirtit “.

Filed Under: Kulture

EDHE RAMIZ ALIA PASKA PASË DASHTË ME E BOTUE FISHTEN…

December 30, 2023 by s p

Frano Kulli/

Në përvjetorin e 83-të të vdekjes së Fishtës.

Në të vërtetë unë nuk e kisha pasë ditë, ase, ndoshta e kisha harruar se edhe Ramiz Alia paska pasë porositë me e botue veprën e Fishtës. Kjo paska pasë ndodhë në vitin e largët ’91, kur udhëheqësi qe konvertuar nga besimi fundamentalist komunist, i pari i sekretarëve të Partisë, në President i Republikës demokratike. Na e kujtoi “Zëri i Popullit” në numrin e 25 tetorit 1990. Kronika e kohës : … veprimtari e organizuar me vargjet e poetit Gjergj Fishta nga shoqëria që mban emrin e tij në Shkodër, në bashkëpunim me aktorët e teatrit “Migjeni. “Mes të ftuarve të tjerë dashamirës të poetit, antarë të shoqatës së shkrimtarëve e intelektualëve, në këtë veprimtari erdhi edhe Presidenti i Republikës Ramiz Alia. Dhe ai erdhi thjesht për të nderuar kujtimin e poetit e vendlindjen e tij, ku siç tha shoku Ramiz, mësova me zjarr vargjet e poetit dhe ndërsa aktorët recitonin, më kujtoheshin të gjitha, sepse Fishta ka fuqinë dhe fisnikërinë edhe pas pesë dekadash të rizgjohet i fuqishëm në mendjet e njerëzve”…. E kronika vijon:

-Fishta e meritonte këtë veprimtari të bukur, tha shoku Ramiz.-Ai ishte një arstist i madh. Idetë e tij janë me vlera të mëdha politike e atdhetare. Ato i shërbyen atëherë, por edhe sot më shumë i shërbejnë kombit.(!) Më pas, studiuesi (i ndjerë) Ferdinand Leka i drejtohet Presidentit: “Vepra e Fishtës duhet botuar e plotë, pastaj njerëzit t’i shohin vetë vlerat e saj”. Porse shoku Ramiz e “tejkalon” studiuesin e dashuruar gjithë jetën me Fishtën e i mëkuar që në fëmijërinë e vet me veprën e tij.

-Fishta duhet botuar i gjithi, e tërë vepra e tij madhore – thotë vetë ai – Është gabuar që nuk është botuar deri tani…

Këtu kronika mbyllet…Për të mos u hapur më. I pari dhe i fundit president që ka sugjeruar botimin e veprës së Fishtës paska qenë presidenti komunist. Bash ai, i cili, bashkë me pararendësin e tij e kishin rroposë shtatë pash nën dhé Fishtën dhe veprën e tij, për të mos u kujtuar e përmendur kurrë.

Asnji president shqiptar më pas, nuk e ka zënë në gojë veprën e Fishtës. 21 vjet më vonë, me 2002-shin, njëri prej tyre, Zoti Alfred Moisiu i ka dekretuar titullin “Nderi i kombit” Fishtës…(62 vjet më vonë, mbasi ai e kishte mbyll me nder si akush tjetër jetën e këtushme në dobi të kombit të vet). Asnjë ministër kulture i 33 vjetëve të pas rregjimit nuk e ka përmendur botimin e veprës së Fishtës e jo më të hartojë ndonjë projekt. Asnjë ministër arsimi i 33 vjetëve nuk ka hartuar, madje as përmendë ndonjë projekt që vepra e Fishtës të mësohej në shkollat e Shqipërisë. Gjithfarë autorësh e librash letrare kanë hyrë në listat e pasurimit të bibliotekave të shkollave të Shqipërisë në 33 vjet, porse Fishta jo.(Përveç disa kolanave të veprës së plotë që ka tërhequr Drejtoria Rajonale Arsimore e Lezhës, sivjet. Nderim e rrespekt !). Gjithçka më mbas është sipërmarrje pasioni e dashamirësve të Fishtës së madh, pa asnjë përkrahje nga shteti

* * *

…Sipërmarrja e parë dhe më serioze , zyrtare për botimin e veprës së plotë letrare të Fishtës u ndërmor, siç dihet, nga Instituti i Studimeve shqiptare, kryetar i të cilit qe Ernest Koliqi. Nisma pati zënë fill pak ditë para datës 10 tetor 1942, datë, të cilën mban në krye letra që nga ky Institut i drejtohet provinçialit të Françeskanëve, në Shkoder, At Anton Harapi. Letra fillon me :”I dashuni shok – dhe vijon – Sikurse kemi nda në mbledhjen e pergjithëshme mbajtun me 21 shtatuer k.v [të këtij viti], në të cilën more pjesë edhe Ti, do të ja nisim veprimit për botim të “Opera Omnia [vepra e plotë]” të të ndjerit At Gjergj Fishta, shok i jueji rregulltarie dhe Antar i Institutit tonë.”

Në korespondencën e mëpasme priten e përcillen propozimet, e përballen idetë rreth botimit. At Antoni, në emër të “grupit që do të kurojë botimin”, i gjegjë: të botohen të gjitha veprat e auktorit, tue perfshi edhe artikujt e letrat e botueme.

Më pas theksohet rendi kronologjik, veprat të dallohen mbas gjinish: satirika, epika, lirika, dramatika, proza. Proza të rregullohet simbas planit që ka lanë vetë auktori: I-Sociologji, II-Polemikë, III-Ligjirata, IV-Miscellanea [të përzjera]. Në mbarim do të shtohet epistolari…

Foto:

Letër e Institutit të Studimeve (firmosur nga drejtori Ernest Koliqi) dërguar Atë Anton Harapit, Provinciali i Françeskanëve të Shqipërisë për botimin e “Opera omnia”.

Filed Under: ESSE

Këshilli Koordinues i Arsimtarëve në Diasporë

December 30, 2023 by s p

Këshilli Koordinues i Arsimtarëve në Diasporë – KKAD, mbajti takimin virtual me rastin e fundvitit 2023. Që në fillim të hapjes së takimit, znj. Mira Shehu, i përshëndeti të pranishmit dhe aty u paraqitën sukseset dhe sfidat, të cilat i kishim gjatë ketij viti.

Ajo foli në raport me punën dhe angazhimin e anëtarëve të KKAD-së, sidomos përshëndeti vullnetin dhe profesionalizmin e z. Vaxhid Sejdiut – kryetar i KKAD-së 2020/23, i cili me përgjegjësi të matur dhe shumë të saktë arriti ta sjellë KKAD-në që të jetë e hapur për të gjithë ata që janë të interesuar për shkollën shqipe dhe unifikimin rreth saj. KKAD me të vetmin qëllim, mision dhe vizion që ka është unifikimi i Diasporës shqiptare për shkollën shqipe, në bashkëpunim me institucionet tona të Republikës së Shqipërisë dhe të Republikës së Kosovës, ku në saje të angazhimit dhe profesionalizimit arritëm që ta fitojmë edhe VKM-në e Republikës së Shqipërisë.

Ndërsa, z. Mustafë Krasniqi foli mbi rëndësinë dhe angazhimin e KKAD-së edhe sensibilizimin e Diasporës shqiptare, i cili përmes seminareve, shkrimeve dhe takimeve të anëtarëve të KKAD-së arritëm t’i realizojmë të gjitha kërkesat e shtruara, të cilat ishin të arsyeshme dhe të realizueshme, botimi i tekstit unifikues për ciklin e parë, këto ditë dalja e revistës elektronike “Flasim Shqip”, me Bordin e anëtarëve të KKAD-së: z. Vaxhid Sejdiu, znj. Teuta Tabaku, znj. Aurela Konduri, znj. Melita Oreshkovic dhe z. Mustafë Krasniqi, që së shpejti pritet të jetë në duar të nxënësve edhe teksti për nivelin e dytë.

Për platformën unifikuese të mbarë Diasporës shqiptare dhe për sensibilizimin e mësimit plotësues të gjuhës shqipe, rol të rëndësishëm përpos anëtarëve, gjithsesi, kishte edhe kryetari z. Vaxhid Sejdiu. Me përvojën profesional të tij dhe të anëtarëve të KKAD-së arritëm, që shqetësimet e mësimdhënësve t’i adresojmë te institucionet tona, duke i dhënë prioritet kërkesave të ngutshme e të domosdoshme, që ishin dhe janë për mësimin plotësues në diasporë.

Z. Krasniqi tha se një rol të rëndësishëm e ka pasur edhe sektori i informimit, i cili ka publikuar shkrime të shumta, për sensibilizimin e shkollës shqipe në diasporë-mërgatë, por duke shtuar edhe faqen në fb. të KKAD-së, që e drejton znj. Mira Shehu, ka qenë 100% e realizueshme.

Kurse z. Vaxhid Sejdiu, ndër të tjera theksoi se puna ekipore vërtet ka qenë e frytshme dhe uroi të vazhdojë bashkëpunimi, që në saje të këtij bashkëpunimi kemi arritur shumë suksese të realizojmë deri këtu. Po ashtu duhet të jemi falënderues QBD-së dhe drejtoreshës znj. Mimoza Hysa, që me përkushtimin e saj të madh arritëm t’i realizojmë disa nga kërkesat tona. Ai i përshëndeti të gjithë, duke theksuar se të gjithë kemi bërë punën tonë, por duhet veçuar sidomos punën e sektorit të informimit, që e drejton z. Mustafë Krasniqi, i cili i e ka mbushur me shkrime faqen tonë në FB, që e ka realizuar suksesshëm qëllimin, të drejtuar nga znj. Mira Shehu.

Z. Sejdiu i falënderoi anëtarët për mirënjohjen e tyre, që i bënë punës dhe angazhimit të tij si kryetar i KKAD-së dhe për punën e tyre të palodhur!

Kurse z. Dritan Mashi, znj. Teuta Tabaku, znj. Miradije Berisha, znj. Aurela Konduri, znj. Anila Kadija, znj. Melita Oroshkoviq dhe z. Isuf Bytyçi, përpos që përshëndetën dhe vlerësuan lart punën e kryetarit z. Vaxhid Sejdiu dhe anëtarëve tjerë të KKAD-së u ndalën edhe te sukseset dhe sfidat e KKAD-së. Kështu që për nder të fundvitit, që sipas tyre ishin të suksesshme dhe me disa kërkesa të realizueshme i ngritën gotat për shëndetin dhe uruan që viti 2024 të jetë më gjithëpërfshirës, duke u realizuar edhe ato kërkesa që janë në sirtarin e pritjes.

Sektori për informim:

Mustafë Krasniqi dhe Isuf Bytyçi

Filed Under: Interviste

SI SOT TRE VJET MË PARË U SHUA GJUHËTARI I SHQUAR PROF.MEHMET ÇELIKU

December 30, 2023 by s p

Në kujtim të profesorit tim dhe mijëra të tjerëve.

Bledi Filipi

Si sot tre vjet më parë u shua prof. dr. Mehmet Çeliku një ndër figurat më të spikatura të gjuhësisë shqiptare. Veprimtaria e tij shkencore-pedagogjike, shtrihet rreth një harku kohor 60-vjeçare. Tek ai gërshetohet shkencëtari i shquar dhe pedagogu i talentuar.

Bashkohësi i tij prof. Xhevat Llashi thekson:

“Mehmet Çeliku ishte dialektolog, leksikograf , morfolog dhe sintaksolog. E nisi punën si të gjithë punonjësit e e tjerë të breztit të tij për dialektologjinë, interes që e pati deri në fund të jetës.

Një njohës i mirë i shqipes dhe për këtë arsye qe mbrojtës i standardit të shqipes. Interesoj dhe për metodën e punës shkencore dhe ka një botim të posaçëm për të. ( Xh. Lloshi , 2023)

Rezultatet e punës së tij shkencore prof. dr. Mehmet Çeliku i vuri në shërbim të mësimdhënies, të cilën e ngriti në mënyrë cilësore, ndërsa kjo e fundit si një laborator i gjallë e pasuroi më tej atë me të dhëna të reja shkencore. (Karapinjalli, 2016:231)

Prof. dr. Mehmet Çeliku i takon brezit të dytë gjuhëtarëve shqiptarë, të cilët traditën gjuhësore të Kristoforidhit, Xhuvanit, Çabejt, Cipos, Domit, Rizës, Ajetit etj., e çuan më tej e duke e ngritur në nivele bashkëkohore.

Kontributi shkencor i prof. dr. Mehmet Çelikut shpaloset në disa fusha të gjuhësisë, si në: dialektologji, morfologji, sintaksë, kulturë gjuhe, sociolinguistikë, leksikologji etj. Ndërsa vitet e fundit profesori ia kushtoi fushës së sintaksës, e në mënyrë të veçantë, qasjes ndaj drejtimeve të reja e bashkëkohore në këtë fushë.

Në parathënien e vëllimit të parë të veprës së profesorit, prof. dr. Valter Memisha thekson: “ai nuk e shkëputi asnjë çast mësimdhënien nga veprimtaria shkencore, dy veprimtaritë kryesore të jetës së tij. Në Institutin e Gjuhësisë dhe Letërsisë, Tiranë, identifikohej si punonjës shkencor dhe pedagog i jashtëm, kurse në Universitetin e Elbasanit si pedagog me kohë të plotë dhe punonjës shkencor.” (Çeliku, 2020:5)

Prof. dr. Mehmet Çeliku do të mbetet një personalitet dhe intelektual i shquar që i kushtoi tërë jetën e tij shkencës së gjuhësisë. Me prurjet e tij të shumta gjuhësore ai do të mbetet shembull i gjallë frymëzimi për të gjithë brezat e studentëve dhe studiuesve të gjuhës shqipe.

Filed Under: Histori

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 1397
  • 1398
  • 1399
  • 1400
  • 1401
  • …
  • 2946
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • KUJTIME PER ITALIANIN DOM ANTONIO SHARRA
  • MASAKRA E TIVARIT MARS-PRILL 1945
  • Kuptimi i Pashkëve Ortodokse – midis ritualit dhe ringjalljes së ndërgjegjes
  • RIKTHIMI I MUSTAFA MAKSUTIT NË FAQET E HISTORISË
  • Shqipëria në politikën ballkanike të Austro-Hungarisë
  • Eliot Engel, in memoriam…
  • VATRA TELEGRAM NGUSHËLLIMI PËR NDARJEN NGA JETA TË ELIOT ENGEL, MIKUT TË MADH TË KOMBIT SHQIPTAR
  • Përkujtojmë në përvjetorin e lindjes një nga figurat e Rilindjes Kombëtare, Aleksandër Stavre Drenova
  • GËRSHËRA E ARGJENDTË
  • Përgjithmonë vetëm mirnjohës për Kongresmenin Eliot Engel
  • PËRKUJTIM PËR ELIOT ENGEL, NJË MIK I PAZENDËVËSUSHËM, ZËRI I SHQIPTARVE NË SHBA
  • Meditim para varrit të Faik Konicës
  • Bashkimi i Diasporës Shqiptare të Greqisë
  • “Fortifikimi ilir i Komlikut në Fregen dhe Ungrej të Lezhës (Mirdita Etnografike)”
  • “The Real Thing”: A Conversation with Luljeta Lleshanaku

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT