• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Nga diaspora për kombin…

October 1, 2025 by s p

Nga Dashnim HEBIBI, Cyrih/

Thirrja e Filantropit Lazim Destanit për unitet

Z. Lazim Destani e do unitetin gjithandej ku flitet shqipja – të bashkojmë forcat me afaristët, shkencëtarët e të gjitha fushave për të dëshmuar historinë dhe kulturën tonë si populli më i vjetër i Evropës

Cyrih, 30 shtator – Diaspora shqiptare, si gjithmonë, edhe këtë herë është duke e përcjellë me interes të madh fushatën zgjedhore në Kosovë dhe Maqedoninë e Veriut të zgjedhjeve lokale.

Aktivistë e veprimtarë të njohur, secili në mënyrën e vet, po kontribuojnë për të mirën e kombit e shtetit. Ndër të gjithë, një figurë që spikat dhe njihet në çdo trevë shqiptare është filantropi Lazim Destani – një personalitet që të vegjël e të mëdhenj e respektojnë jo vetëm për suksesin financiar, por mbi të gjitha për kontributin e vazhdueshëm në bamirësi, unifikim e zhvillim kombëtar.

Në Cyrih, u mblodhën shumë afaristë dhe shkenctarë për të darkuar, për të biseduar e për të shijuar puro të veçanta, një produkt tashmë i lidhur ngushtë me emrin e Lazim Destanit dhe stafit të tij. Atmosfera ishte e jashtëzakonshme, e mbushur me krenari dhe ndjenja të forta bashkimi. Në oborrin e njërit prej restoranteve më të njohura në Cyrih me pronarin shqiptarë nga Gjakova – i dalluar për shërbim, pamje e kuzhinë – të pranishmit u fotografuan me z. Destani dhe stafin e tij, duke përjetuar momente që mbeten kujtim i çmuar.

Nga tradita në inovacion – puro shqiptare me emrin QUNTO

Në këtë ngjarje, u prezantuan edhe purot e markës QUNTO, një projekt unik i udhëhequr nga shqiptarë dhe i mbështetur fuqishëm nga Lazim Destani. Dan Ibrahimi prezantoi disa lloje purosh të rralla, të punuara me mjeshtëri nga ekspertë ndërkombëtarë, të cilat tashmë janë të disponueshme edhe në Cyrih, te restoranti “Churrasco”. Z. Ibrahimi ishte ekspertë i puros ngase e përcjell nga mbjellja e deri te finalja me shumë profesionalizëm. Çdo i pranishëm pati rastin të shijonte nga afër cilësinë e tyre të lartë, një produkt që përçon krenari kombëtare, pasi disa prej tyre mbajnë edhe simbolin e shqiponjës në unazën e tyre.

Puro LD nga Lazim Destani

Puro e veçant me një edicion i limituar me inicialet “LD”, në nder të filantropit dhe biznesmenit Lazim Destani. Pjesë e brendit “Puro QUNTO”, ky projekt është realizuar me pasion nga aktori dhe adhuruesi i purove, Blerim Destani. Që nga viti 2018, purot prodhohen në fabrikën Vegas Santiago në Kosta Rika, me fletë kopertine H-2000 nga Ekuadori, lidhës të zgjedhur me kujdes dhe mbushje të përzier nga duhani Domenikan, Peruan dhe Kostarikan. Një eksperiencë unike që mund ta përjetoni edhe online: CigarWorld – Puro QNTO . Profesori i njohur, Prof. Dr. Xhavit Lipaj, i cili përdor shpesh puro, u shpreh se këto produkte janë të veçanta dhe i dallojnë për cilësi. Afaristët e tjerë të pranishëm gjithashtu mbetën të kënaqur, duke përgëzuar vizionin dhe punën e kombasve tanë që tashmë kanë krijuar një brand me renome ndërkombëtare.

Fjalët e Lazim Destanit – thirrje për bashkim

Gjatë mbrëmjes, z. Destani i rrethuar nga miq e bashkëkombës, theksoi se është larg atdheut fizikisht, por gjithmonë pranë me shpirt e zemër. Ai u shpreh se nuk anojnë nga asnjë subjekt politik, por dëshiron që shqiptarët në Kosovë e Maqedoni të dalin masovikisht në zgjedhje, duke ruajtur unitetin dhe vëllazërinë.

“Ne si komb kemi kaluar vuajtje dhe dhimbje të mëdha. Politika le të bëhet, por jo të bëhemi të hasmuar. Vetëm të bashkuar jemi të fortë, të ndarë mbetemi të dobët”, tha ai.

Ai kujtoi gjithashtu me humor se si djalit të tij, aktorit Blerim Destani, i kishte rekomanduar njëherë puro të shoqëruar me çokollatë të zezë – një kombinim që prej asaj dite nuk e ka lënë më. “Puro të qetëson pas një dite të ngarkuar. Kur shikon ndeshje futbolli, gollat i shijon më shumë me një puro në dorë”, u shpreh ai, duke dhënë mesazhin se jeta duhet jetuar me mirënjohje dhe punë, por edhe me kënaqësi e harmoni. Gjithashtu përmendi edhe kur ju kanë prezentuar llojet e purove, ai i ka pranur të gjitha ngase janë nga ekspertë, por ka dashur që të kenë edhe simbolin kombëtar të shqiptarisë e të gjithë e duatrokitën për fjalët e tij të përzemërta.

Përshëndetja e ambasadorit të Maqedonisë së Veriut, Shkëlqesia e Tij, z. Rexhep Demiri

Në mesin e përshëndetjeve të shumta, nuk mungoi as ajo e ambasadorit Rexhep Demiri, i cili ndodhej me pushime në atdhe bashkë me familjen. Përmes telefonit të mikut të tij, Adis Tairi, ai përcolli një mesazh të ngrohtë për të gjithë të pranishmit, duke u shprehur:

“Ju përshëndes nga zemra të gjithëve, e në veçanti filantropin Lazim Destani, i cili ka ditur, di dhe do të dijë gjithmonë të mbledhë rreth vetes atdhetarët dhe shpirtbardhët, si shqiponja në fole.” Ky mesazh u prit me duartrokitje e emocion, duke e forcuar edhe më shumë bindjen se dashuria për atdheun, respekti dhe uniteti janë ura që lidhin shqiptarët kudo që ndodhen.

Të pranishëm në këtë ngjarje ishin:

Lazim Destani, Blerim Destani, Prof. Dr. Omer Xhemaili, Dan Ibrahimi, Nazmi Jakurti, Florim Useini, Afrim Mehmeti, Atdhe Jasiqi, Milaim Berisha, Fehim Abazi, Jetmir Alimi, Prof. Dr. Xhavit Lipaj, Nadi Zendeli, PhD. Dashnim Hebibi, Faik Mjaki, Sami Mustafa, Nuredin Useini, Hadi Asani, Granit Kabashi, Agim Gashi, Gzim Hasani, Adis Tairi, dhe shumë afaristë e veprimtarë të tjerë.

Një mbrëmje për t’u kujtuar

Pas një darke të pasur e të shijshme, shoqëruar me puro e pije të llojllojshme, u shkëmbyen ide, u ndanë përvoja dhe mbi të gjitha u përforcua besimi se shqiptarët kudo që janë, kur bashkohen, arrijnë suksese të mëdha. Rreth mesnatës, u bënë fotografi kujtimi, duke e përmbyllur takimin me shpresën e madhe se zgjedhjet e ardhshme do të kalojnë pa incidente dhe se do të fitojë më i miri.

Florim Useini, në fund i përshëndeti të gjithë që i kishte ftuar, duke i porositur që pas kthimit në shtëpi t’i dërgojnë një mesazh si shenjë kujtese e mirësie me të vetmin qëllim, se a keni mbërri mirë dhe një natë të mirë. Një gjest i vogël ndoshta, por me peshë të madhe miqësie.

Kjo mbrëmje në Cyrih nuk ishte thjesht një darkë. Ajo ishte një dëshmi e gjallë se shqiptarët, me punë, vizion dhe bashkim, janë faktor i rëndësishëm kudo në botë. Mesazhi i Lazim Destanit përmes sam24.info  është i qartë: bashkimi është forca jonë më e madhe. Vetëm duke u mbështetur te njëri-tjetri, duke bashkuar afaristët, shkencëtarët, artistët, sportistët e çdo fushe, mund të dëshmojmë para botës se jemi ndër popujt më të vjetër të Evropës, me histori, kulturë dhe traditë të pasur, por edhe me të ardhme të ndritur.

Nga Cyrihu u dha një mesazh i madh:

Bashkimi është bekim, përçarja është mallkim. Shqiptarët, kudo që janë, duhet ta kuptojnë se nderi, besa dhe uniteti janë thesaret tona më të shtrenjta, më të shenjta se çdo pushtet apo pasuri.

Fjalët e Filantropit Lazim Destani nuk ishin vetëm thirrje:

Të ruajmë njëri-tjetrin si vëllezër, të ngrihemi së bashku si komb, dhe të mos lejojmë kurrë që ndarja të na dobësojë. Vetëm kështu do ta dëshmojmë para botës se jemi jo vetëm populli më i vjetër i Evropës, por edhe kombi me forcën, historinë dhe kulturën që buron nga drita e Zotit dhe besa shqiptare.

Padyshim se në këtë darkë u folën edhe shumë fjalë të mira për z. Destani, por po e përfundoj këtë fotoreportazh me fjalët e z.Lazim Destani:

“Kjo jetë është e shkurtër, por përgjegjësitë dhe mundësitë tona janë të mëdha. Ne kemi një histori të pasur kombëtare që duhet ta ruajmë me krenari dhe të punojmë pa pushim për të mirën tonë dhe të të rinjve që do të vijnë pas nesh. Duhet të ruajmë miqësinë me Zvicrën dhe shtetet mike, të ndërtojmë ura bashkëpunimi dhe të punojmë për paqe të qëndrueshme.

Si popull, ne e kemi dëshmuar me shekuj se jemi të paqes, të dashurisë dhe të respektit, duke dhënë botës personalitete të shquara që kanë lënë gjurmë në kulturë, shkencë dhe art. Le të vazhdojmë të punojmë së bashku, të frymëzojmë njëri-tjetrin dhe të jemi shembull se me unitet, punë dhe besim tek vlerat tona, mund të arrijmë gjithçka që ëndërrojmë për kombin tonë dhe brezat që do të vijnë.”

Filed Under: Interviste

Si Dr. Adhamudhi “kërreu” origjinën pellasgjike të shqiptarëve 

October 1, 2025 by s p

Nga Rafael Floqi

Të gjithë ne e mbajmë mend atë batutën e Çajupit tek Klubi i Selanikut, “kwrreje njërin sy të shpëtojë tjetri”. Te komedia e tij ai e ndërtoi personazhin “Doktor Adhamudhi” duke portretizuar Adamidhin. 

Por si është e vërteta dhe kush ishte Gjergj Adhamidhi? Çajupi  përmes këtij personazhi autori trajtonte shqiptarin grekoman, zengjin, parazit e oportunist që gjendej rëndomë nëpër shoqëritë sekrete të Selanikut dhe gjetkë nëpër perandori. Arsyeja se pse Çajupi e trajtoi në mënyrë të tillë ka qenë sepse i kërkoi dorën njërës prej vajzave të familjes ku ishte dhëndër Adamidi, sipas Kristo Frashërit ky i fundit kishte refuzuar ta kishte për baxhanak Andon Zakon; ku dhe gjeti burim mëria e shkrimtarit.

Gjergj Adhamidhi, i njohur edhe si Gaqo Adhamidhi ose Adamidi Frashëri, lindi në vitin 1859 në Korçë dhe vdiq në vitin 1939 në Gjenevë. Ai ishte një mjek okulist historian dhe një figurë e shquar politike shqiptare gjatë fillimit të shekullit të 20-të. 

Pas lindjes në Korçë, Adhamidhi u shpërngul në Egjipt, ku studioi mjekësinë dhe u bë mjek personal i Khedivit Abbas II të Egjiptit nga 1892 deri në 1914. Gjatë qëndrimit në Egjipt, ai u përpoq të krijonte lidhje midis komunitetit shqiptar atje dhe atij në Rumani, por pa sukses. Në vitin 1914, pas shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë, Adhamidhi u kthye në Shqipëri dhe u emërua Ministër i Financave në kabinetin e Turhan Pashë Përmetit, qeveria e parë e Principatës së Shqipërisë të Princ Vidit. Pas shpërthimit të Luftës së Parë Botërore, ai u vendos në Zvicër, ku u angazhua aktivisht në mbështetje të çështjes shqiptare dhe u bë kryetar i “Këshillit Kombëtar Shqiptar” në Gjenevë. Ai gjithashtu përfaqësoi Shqipërinë në Lidhjen e Kombeve. 

“I njohur me pseudonimet Pano Bej Frashar apo Dr. Frassari Adamiti, të cilin Çajupi, për inate veç personale do ta shndërronte atë në personazh qesharak, “Dr. Adhamuti” apo “Adham –Uti”, siç e shkruan këtë nofkë Dr. Robert Elsie.  Më 1908 u zgjodh njëzëri në krye të grupit “Bashkimi” të shqiptarëve të Egjiptit dhe mori pjesë në përgatitjet për Kongresin e Manastirit, ku ishte i prerë për vendosjen e alfabetit latin si dhe shkronjave “dh” e “th”.   Ky portretizim ka qenë objekt diskutimesh dhe kritikash, duke u konsideruar nga disa si një denigrim i figurës së Adhamidhit. Dhe ashtu është.

Kontributi Patriotik dhe Akademik

Adhamidhi kontribuoi në pavarësinë e Shqipërisë me fonde dhe veprime konkrete. Ai mori pjesë në njё debat me një historian grek Dr. Apostolidhes dhe shkroi një debat të gjatë shkencor në Akademinë historike arkeologjike të Egjyptit në njё konferencë të gjatë për disa numra në gjuhën frënge me titullin Les Pélasges et leurs descendants les Albanais,  (Pellasgët dhe pas ardhësit e tyre shqiptarët) ku theksoi prejardhjen pellasge të shqipes në vitin e largët 1902. Ky kontribut ishte një nga përpjekjet për të argumentuar lidhjen historike dhe etnografike të shqiptarëve me pellasgët.

Gjergj Adhamidhi është një figurë e rëndësishme në historinë e Shqipërisë, jo vetëm për kontributin e tij në pavarësinë e vendit, por edhe për përpjekjet e tij për të argumentuar dhe promovuar identitetin kombëtar shqiptar në arenën ndërkombëtare. Përpjekjet e tij për të lidhur komunitetet shqiptare në mërgim dhe për të përfaqësuar interesat e Shqipërisë në Lidhjen e Kombeve janë pjesë e trashëgimisë së tij politike dhe diplomatike.

“Pellasgët dhe pasardhësit e tyre shqiptarët”, botuar: Kajro: Instituti Egjiptian, më 1902 ku shkruhet:  “Historia e Pellazgëve është aktuale në rendin e ditës brenda Institutit dhe paraqet një interes të veçantë për shkak të lidhjeve midis këtij populli arkaik dhe Egjiptit. Bashkëpunëtori im i ditur, Dr. Apostolidès, e ka nisur tashmë këtë çështje në dy seancat e mëparshme të Akademisë tuaj të nderuar, lidhur me një mbishkrim përkujtimor parahistorik të gjetur në ishullin e Lemnos. Duke përfunduar, folësi na tha:  «το ἐπιγραφή δεν mund të jetë pellasge, duke marrë parasysh që Pellasgët ishin plotësisht helenizuar dhe të përthithur nga Helenët». Unë propozoj sot të korrigjoj gabimet e përfundimit të tij dhe të tregoj për ju të kundërtën e pohimit të tij, d.m.th se Pellasgët nuk u përthithën nga një racë e vogël helene, e cila vetë ishte pellasge, por ata vazhdojnë të jetojnë edhe sot, të maskuar nën emrin shqiptar si pasardhësit e tyre. Kjo do të jetë një përmbledhje strikte e njëzet viteve studimesh, që kam nderin ta paraqes para jush, duke e ndarë në dy kapituj: historik dhe gjuhësor.

Kapitulli  I – Historik

Të gjithë historianët e lashtë e njohin pa përjashtim se Greqia, para se të quhej Hellas «Ἑλλάς», mbante emrin «Πελασγία», Pellasgjia, dhe pellasgët konsideroheshin autoktonë. Herodoti e pranon qartë duke thënë:  «Πελασγία ἦν τὸ πρότερον Ἑλλάς, πᾶν τὸ Ἑλληνικὸν πρότερον Πελασγικόν». (“Pellasgjia ishte Greqia e dikurshme, çdo gjë greke ishte Pellasge e dikurshme.”

Eskili, në veprën e tij Lutëset, na vizaton hartën e një perandorie të madhe pellasge, ku Argosi është qendra dhe kufijtë e saj, shtriheshin nga Adriatiku deri në Hellespont, humbin në Erebu-n e mbretërisë së Plutonit në Epir.

Harta e autorëve të lashtë është shumë i kufizuar në veri; sipas dëshmisë së autorëve më të rinj, perandoria pellasge do të zgjerohej deri në territoret e Danubit. Për më tepër, bregdeti i Italisë, i Sicilisë dhe i Azisë së Vogël ishte gjithashtu i banuar nga pellasgët.

Epiri, ose Shqipëria e Jugut, ishte qendra e racave më të mira të Pellasgëve hyjnorë të Homerit. Molosët, Myrmidonët, Selli ose Helli ose Graeci, të grumbulluar rreth orakullit të Dodonës, pranë malit të Tomorit, që përmenden nga autorë të ndryshëm dhe veçanërisht në Iliadë si ushtarë të Akilit; Petthalli, ose Θεσσαλοί, një fis tjetër i mbretërisë së Akilit, duke emigruar në lugina të Peneut, vendosën emrin e tyre, dhe territori u quajt Thessali, ndërkohë që më parë mbanin emrin Pélasgiotis, sipas banorëve të tij, pellazgëve.

Rreth malit Pindit, gjejmë Pellasgët Dolopë dhe Perrébi. Midis Œthé dhe Parnassit, fisi i famshëm i Dryopëve (Pellasgët Dorianë dhe Maqedonas sipas autorëve) merrej me minierat dhe pyjet, dhe për këtë qëllim ata shtriheshin, si dëshmojnë gërmimet dhe monumentet, në Epir, Maqedoni, Eube, Argolidë, në ishujt e Kretës, Qipros, Karistos, etj.

Pellasgët ishin Kranoi të Athinës, pellazgë, fiset e Minieveve me vendbanimin e tyre në Beoti, Tebë, Thera, Orchomenos. Të gjithë Ionët e lashtë të bregdetit jugor të Peloponezit quheshin pellasgë nga Herodoti. Pellasgë ishin dhe Lelegët, megjithëse të përzier me Egjiptianë dhe Fenikas. Ishulli i Andros, Antandros-i i Plinit, kishte popullsi pellasge; një qytet tjetër Antandros, sipas poetit Alcei, quhet qytet i pellasgëve nga Herodoti. Straboni, në përputhje me Homerin, i vendos ata në një vijë me pellasgët. Ishujt Lemnos, Samos, Imbros, Samothrake dhe Kalkidike ishin strehë e Pellazgëve.

Dardanët e Samothrakës themeluan koloninë e Dardanëve midis Teukrëve,(trojanëve) dhe këto dy racat, të përziera kështu, bashkëpunuan për të ndërtuar qytetin e Trojës. Por Dardanët pushtuan, gjithashtu, një pjesë të Ilirisë Maqedonase ose Shqipërisë aktuale. Frygët e Azisë konsiderohen Pellazgë dhe të afërm të Argjisë dhe Brygëve të Maqedonisë dhe Epiro-Ilirisë, etj.

Siculi ose Sicali të këtyre territoreve janë të njëjtët me ata të Italisë dhe Akarnanisë, të gjithë Pellazgë; po ashtu, racat e tjera pellasge homonime, të vendosura në të dy anët e Adriatikut, përmenden në disa pasazhe të historianëve kompetentë. Të gjitha këto popullsi pellasge bashkëpunojnë dhe ndërmarrin ekspedita detare shumë të guximshme dhe aventuriere.

Konfederata e tyre e parë përmendet nga një mbishkrim përkujtimor i Karnakut, në kohën e Ramses II. Ky mbret tregon me gisht pellasgët ose ndryshe “njerëzit e detit”, të cilët ishin skllevër dhe të ndëshkuar për guximin e tyre, që donin të pushtonin Egjiptin nën komandën e mikut të tyre, mbretit të Libisë. Achaivit ose Abaousi, aty parmendën Etruskët ose Tyrshi, Sikali përmenden veçanërisht.

Straboni thotë se fisi Sikali, që banonte Brindisi, vishte brirë dreri; Pellasgët e quajtën qytetin Brindesi, që do të thotë kokë ose brirë dreri. Aktualisht, shqiptarët e zonës e quajnë ende Brindrizi. Helenët, natyrisht, nuk përmenden në këtë mbishkrim.

Përveç ekspeditave të Argonautëve dhe Heraklit, ajo e Luftës së Trojës është më e famshmja, falë poemës së pavdekshme të Homerit. Poeti i shquar i referohet një të kaluarës së lavdishme të Pellasgjisë, para Helenëve, në një epokë kur të gjitha këto kantone pretendonin të kishin marrë pjesë në këtë aventurë të bukur.

Sipas Homerit, në të dy anët e fushës së betejës, luftëtarët janë të një fisi, duke përdorur dialekte të përafërta, dhe sipas vërejtjeve të drejta të Strabonit dhe Tukididit, asnjë nga popujt e kësaj perandorie pellasge nuk konsiderohet barbar. Mbreti Priam numëron Pellasgët e ushtrisë së tij, ashtu si dhe mbreti Agamemnon. Homeri ka pavdekësuar kështu homogjenitetin e idiomave dhe qytetërimin e Pellazgëve në një gjuhë që mban ende farat e dialektit eolian të këtyre popujve arkaikë.

B.Tani do të demonstrojmë gabimin e propozimit të bashkëpunëtorit tonë, i cili pretendon se Pellasgët u përthithën të gjithë më vonë nga Helenët. «Les Pélasges en grande partie ne purent pas être absorbés par leurs frères les Hellènes, et ils continuent à survivre jusqu’à nos jours, masqués sous le nom d’Albanais ou Skypetares».  (“Pellasgët nuk ishin në gjendje të përthitheshin kryesisht nga vëllezërit e tyre helenë dhe vazhdojnë të mbijetojnë deri më sot, të maskuar si albanë ose shqiptarë.“)

Pas fitores së Salaminës, Helenët, sidomos Atikët, arritën kulmin e përpjekjes intelektuale në lavdinë e tyre. Shkëlqimi i epokës së Perikliut duhej të fshinte çdo qytetërim të mëparshëm të Pellazgëve të tjerë. Anatema e barbarëve u shpall për ata që mbetën indiferentë ndaj qytetërimit atik dhe që nuk morën pjesë në lojërat olimpike.

Vendet e origjinës së helenëve, Epiri, Iliria dhe Maqedonia, u quajtën barbare dhe u përjashtuan nga këshilli i amphictyon. Pak a shumë, mbreti i Maqedonisë, Aleksandri, i biri i Amintas, u quajt philohelen dhe u pranua në lojërat olimpike. Helenët krijuan një barrierë kundër popullatave të tjera pellasge të veriut, të bashkëfiseve të tyre.  Megjithatë, Filipi kaloi këtë kufi barbar, në dëshpërim të Demosthenit, të cilin e quan barbar, dhe arriti me mençurinë dhe forcën e tij të përfshihet në punët e shenjta të Delfit, duke u quajtur mbrojtës, por kurrë helen. Djali i tij, Aleksandri i Madh, i papërkulur, fëmija i dy shtëpive të mëdha mbretërore të Pellazgëve të veriut, pas bashkimit të Ilirë-Epirotëve dhe Maqedonasve nën skeptrin e tij, afroi dy elementet e ndara – Helenët dhe Pellasgët barbarë – dhe arriti të pushtojë Lindjen me fuqinë e falangave pellasge dhe shkëlqimin e dijetarëve helenë.

Ushtarakët e komanduar nga Parmënioni ishin pothuajse të gjithë maqedonas, dhe gjuha e tyre ishte e pakuptueshme për helenët. Nga 30,000 ushtarë, vetëm 500 ishin helenë dhe 1,500 Tesalian dhe Etolë, të cilët edhe Straboni heziton t’i quajë helenë. Aleksandri vetë fliste maqedonisht me nënën e tij Olimbinë e Epirit dhe u drejtohej ushtarëve në dialektin maqedonas. Por, duke folur barbarisht, ai kishte si mësues të madhin Aristotel dhe si udhërrëfyes heronjtë e Homerit. Akili, gjyshi i tij, ishte idhulli i tij në Iliadë, nga i cili merrte forcë për të gjitha ekspeditat e tij.

Ky pellasg i madh shkoi deri në Indi për të paguar atë që gjuha pellasge i detyrohej sanskritishtes dhe për të shlyer në Egjipt borxhin ndaj qytetërimit të Tebës. Pasardhësi i Dodonës, ai u lut në shenjtëroren e Zeusit të Libisë, vëllai i orakullit pellazg, dhe në fund vendosi në kujtim, në Aleksandri, qendrën e një civilizimit të ri pellazgo-egjiptian.

Ptolomejtë, pavarësisht kësaj aleance midis epiro-maqedonasve dhe helenëve, nuk mundën të helenizonin Pellasgët e veriut, përveç disa banorëve kufitarë. Ata nuk patën kohë për këtë. Përkundrazi, përkundër rezistencës guximtare të Pirros dhe Epiro-Ilirëve të tij, të Teutës, Agronit ose Arianit, romakët vendosën me masakër dhe skllavëri sundimin e tyre mbi Epiro-Ilirinë dhe Maqedoninë. Këta Pellazgë të veriut mbetën kështu të palëvizshëm dhe të huaj ndaj gjuhës dhe qytetërimit helen deri nën sundimin romak.

Dëshmia më e qartë ndodhet tek historianë dhe gjeografë të kohës romake, të cilët vizituan disa herë këto vende të paeksploruara. Straboni, mes të tjerëve, na tregon saktësisht etnografinë e këtyre vendeve veriore, sot të banuara nga shqiptarët. Ai pajtohet në përgjithësi me Ptolomeun, Skylaxin dhe Titus Livin.

Kapitulli II – Linguistik

Në këtë kapitull do të shqyrtojmë lidhjet gjuhësore midis pellazgëve dhe pasardhësve të tyre, shqiptarëve. Gjuhësia tregon qartë vazhdimësinë e popullsisë dhe kulturës, duke dhënë prova të identitetit të tyre të pandërprerë. Sipas të dhënave të Strabonit dhe historianëve të tjerë të lashtë, Pellasgët e veriut ruanin dialektin e tyre origjinal edhe pas ndikimit të Helenëve dhe pushtimeve të ndryshme.

    «…Αὐτὸς δὲ ὁ Μακεδονικὸς λόγος ἦν ἀκατάληπτος τοῖς Ἕλλησιν» — Curtius (“…Por kjo gjuhë maqedonase ishte e pakuptueshme për grekët” – Curtius)

Kjo do të thotë se dialekti maqedonas, i folur nga pellasgët e veriut, ishte i pakuptueshëm për helenët. Dialekti maqedonas ka shumë ngjashmëri me dialektin e epirotëve dhe është i njëjtë me gjuhën e ilirëve, sipas profesorëve O.E. Müller dhe Benlow. Dialekti i Pellazgëve të veriut ishte eoliorian dhe jo atik, dhe ky dialekt është paraardhësi i drejtpërdrejtë i gjuhës shqipe. Ky fakt tregon se shqiptarët e sotëm janë pasardhës të drejtpërdrejtë të Pellazgëve, duke ruajtur idiomën e tyre origjinale. 

Për më tepër, Pellasgët që u vendosën në male dhe zona të largëta të Maqedonisë dhe Epirit, mbajtën gjuhën e tyre edhe gjatë Mesjetës, për shkak të mbrojtjes natyrore që ofronin maleve nga pushtuesit dhe përzierjet me popullsitë e tjera.

Në shekullin XIV, këta Pellazgë të veriut filluan emigrime të ngjashme me ato të dorianëve, drejt Greqisë. Ata u ftuan nga despotët e Moreas për të ripopulluar fushat e zbrazura nga piratët. Nevruz Bey, arkeologu nga Aleksandria, dokumenton se emigrimet ndodhën në mijëra, duke përfshirë fëmijët, gratë dhe kafshët e tyre.

    «C’est par milliers, dit-il, que ces Pélasges de l’Epire et de l’Yllyrie émigraient vers la Grèce accompagnés de leurs enfants, de leurs femmes et de leurs chiens.» (“Ata ishin me mijëra,” tha ai, “që këta pellazgë nga Epiri dhe Ylliria emigruan në Greqi të shoqëruar nga fëmijët, gratë dhe qentë e tyre.”)

Këta emigrantë rigjallëruan vendet e paraardhësve të tyre Pellazgë dhe luajtën një rol të madh në historinë moderne helene, duke ruajtur gjuhën e tyre të veçantë – gjuhën shqipe – dhe zakonet e tyre.

Edhe pas pushtimit osman, shqiptarët ruajtën gjuhën dhe identitetin e tyre. Disa u konvertuan në islam, të tjerë u shpërndanë në Itali dhe Sicili, por të gjithë ruajtën gjuhën e tyre. Për shembull, familjet shqiptare si Albani dhe Crispi në Itali ende përdorin shqipen në familje.

Gjuha dhe zakonet e shqiptarëve tregojnë vazhdimësinë e Pellazgëve deri në ditët tona. Kjo përputhet me dëshmitë historike të Strabonit, Ptolomeut dhe autorëve të tjerë, të cilët raportojnë se shqiptarët e veriut banojnë në Epir, Maqedoni dhe Iliri.

Shqiptarët dhe vazhdimësia e Pellazgëve

Pas pushtimeve dhe emigrimeve të mëdha, shqiptarët, pasardhës të Pellazgëve, ruajtën gjuhën dhe zakonet e tyre. Historiani Gibbon, i cili nuk e kuptoi këtë vazhdimësi, i nënvlerësoi këta heronj të Dardanisë dhe Epirit. Por dokumentet tregojnë qartë se shqiptarët e veriut janë pasardhës të drejtpërdrejtë të Pellazgëve dhe të figurave historike si Aleksandri i Madh dhe Akili.

Skënderbeu, udhëheqësi shqiptar i shekullit XV, i cili mbrojti territoret e tij kundër osmanëve për 27 vjet, duke ruajtur identitetin dhe zakonet e Pellazgëve. Ai i referohej trupave të tij si Epirotes ose Maqedonas, dhe në letra përmendte:

    «Mes soldats descendants des phalanges d’Alexandre et de Pyrrus ne seront jamais timides!» — Delpessis  (“Ushtarët e mi, pasardhës të falangave të Aleksandrit dhe Pirros, nuk do të jenë kurrë të turpshëm!” – Delpessis)

Edhe pas vdekjes së Skënderbeut, shqiptarët u shpërndanë në Itali dhe Sicili. Ata ruajtën gjuhën shqipe dhe traditat e tyre, dhe disa familje të njohura, si Albani dhe Crispi, morën pjesë aktive në ngjarjet politike evropiane.  

Shqiptarët e Kosovës, Epirit dhe Maqedonisë, si muslimanë apo katolikë, treguan guxim dhe trimëri në ushtrinë osmane, duke qenë një element i fuqishëm dhe i besueshëm i Perandorisë. Si ortodoksë, shqiptarët e Epirit dhe të veriut kontribuan në ngjarjet historike, duke përfshirë kryengritjet greke. Figura të shquara si Ali Pasha Tepelena, i njohur si “Luani i Janinës”, treguan talent ushtarak dhe politik, duke qenë pjesë e kësaj vazhdimësie Pellasge.

Në Egjipt, Mehmet Ali Pasha, shqiptari i lindur në Shqipëri, themeloi dinastinë e njohur të Khedivëve, duke nisur një periudhë të re civilizimi në Egjipt, në frymën e paraardhësve të tij Pellazgë.

Ky rrëfim historik tregon qartë se Pellasgët jetojnë ende tek shqiptarët të shpërndarë në Shqipëri, Maqedoni, Epir, Greqi dhe Itali. Prova kryesore për këtë vazhdimësi është gjuha shqipe, një dialekt unik që nuk përzihet me asnjë gjuhë tjetër. — Adhamidhi”.

***

Shtojcë, hipotezat e sotme mbi gjuhën pellasge (RF)

Në Iliadë dhe Odise Pelasgët shfaqen si aleatë të Trojës dhe banorë të Thesalisë dhe Kretës [Homeri, Iliada, II, 681–685]. Ata përshkruhen si popull i respektuar, që ruante tradita dhe institucione të veçanta. Përdorimi i termit “Pellasgë” tregon një identitet gjuhësor dhe kulturor të dallueshëm, i veçantë nga grekët e hershëm.

Herodoti (I.56–58) përshkruan Athinën si qytet ku banorët origjinalisht ishin Pellasgë, ndërsa Spartanët përfaqësonin Hellenët. Ai sugjeron se me kohën, Pelasgët e Athinës adoptuan gjuhën dhe zakonet e Hellenëve, duke u bërë pjesë e grekëve. R.A. McNeal (1973) analizon këto kapituj dhe thekson vështirësitë tekstuale, gramatikore dhe logjike, duke e konsideruar Herodotin një historian që ndërthur digresione dhe kontradikta.

Ato janë një digresion etnografik i rëndësishëm, i lidhur me ngritjen e pushtetit të Spartanëve dhe Athinasve, dhe shpjegojnë transformimin e Athinasve Pelasgë në Hellenë. McNeal thekson se Herodoti përdor antitezën midis Spartanëve (Hellenë, Dorikë) dhe Athinasve (Pelasgë, Ionikë), duke nxjerrë në pah ndryshimet kulturore dhe migratore [McNeal, 1973, 5–12]. Hipoteza para-indoeuropiane

Hipoteza para-indoeuropiane i sheh Pelasgët si popullsi autoktone, të lidhur me kulturën minoike, që fliste gjuhë jo-indoeuropiane. Kjo shpjegon pse shumë toponime dhe etnonime nuk kanë kuptim në greqishten e lashtë [Cabanes, 1988, 24–28].

Hipoteza indoeuropiane sugjeron se Pellasgët ishin degë e hershme indo-europiane, e lidhur me grekët, ilirët dhe trakët. Emrat e perëndive dhe toponimet mund të interpretohen në shqip, duke treguar ruajtje të elementëve gjuhësorë të hershëm [Georgiev, 1977, 5–12; Çabej, 1976, 115–118].

Teoria e Georgievit dhe kalimi nga pellasgët tek ilirët 

Vladimir Georgiev argumenton se Pellasgët ishin popull indo-europian paragrek, pjesë e substratit ballkanik që përfshinte trakët, frigjët dhe ilirët [Georgiev, 1966, 42–47]. Kontakti midis Pelasgëve dhe Ilirëve ishte i vazhdueshëm, dhe pjesë e gjuhës së Pelasgëve ruhej në substratin e shqipes.

Ky substrat shpjegon ruajtjen e disa toponimeve, etnonimeve dhe elementëve hyjnorë që nuk interpretohen lehtësisht në greqishten e lashtë, por që gjejnë kuptim në shqip [Çabej, 1976, 120–125].

Tabela e mëposhtme tregon toponime dhe etnonime pelasge, krahasuar me greqishten e lashtë dhe shqipen:

Toponim/Etnonim PelasgGreqisht e lashtëShqip dhe kuptimKoment
Athína.Ἀθήνη (Athēnē)“Atë + na” = “mbrojtësja jonë”Ruajtje e emrit të lashtë; substrat gjuhësor ballkanik
LarisaΛάρισα (Lárisa)“Lari + sa” = “shtëpi e fortë”Substrat lokal, i interpretuar përmes shqipes
KorinthosΚόρινθος (Kórinthos)“Kor + inthos” = “kodër e rrethuar”Toponim i hershëm, ruan strukturë fleksionale ballkanike
DionysosΔιόνυσος (Dionysos)“Di” (diell) + “nysë” (vajzë/nuse)Trashëgimi hyjnore indo-europiane
LemnosΛῆμνος (Lēnmos)“Lëm + nos” = “ishull i butë”Toponim i ruajtur, lidhet me shqipen e hershme
ThesprotëΘέσπρωτες (Thésprōtes)“Thes + protë” = “të hershëm”Etnonim që tregon kontinuitet historik
KaonëΚαόνες (Kaones)“Ka + onë” = “të mbrojturit / fis”Ruajtje emri tribal; substrat ballkanik

Përfundime

Ky përkthim akademik ruan citimet origjinale në greqisht dhe frëngjisht, duke pasqyruar në mënyrë të plotë përmbajtjen e librit të vitit 1902 “Les Pellasges et leurs descendants les Albanais”, nga Adamidhi, Botuar në Kajro, Instituti Egjyptian. 

Në Francë dhe botën frankofone, termi Institut d’Études Égyptiennes shpesh përdoret si sinonim për qendra që merren me egjiptologji (studimin e historisë, gjuhës, kulturës dhe arkeologjisë së Egjiptit të lashtë).  Institucioni më i njohur është Institut Français d’Archéologie Orientale (IFAO) në Kajro, themeluar në vitin 1880, që konsiderohet qendra kryesore për studimet egjiptologjike franceze. 

Niveli shkencor i Gaqo Adhamidhit kapërcen interpretimit të kohës e tregon sa patriotizmin e tij dhe nivelin e lartë shkencor akademik mendoni ishte viti 1902, dhe njё figurë aq i largët dhe e përkundërt nga karakteri i krijuar prej “urrejtjes” së Çajupit.

Filed Under: Histori

Një shpresë e gjallë dëshmuese…

October 1, 2025 by s p

Nga Artan Dauti /

Normalisht, kur merr një libër të ri për të lexuar, natyrshëm lind pyetja: a do të jetë tërheqës? Personalisht, në rastin e leximit të librit autobiografik “POROSIA E KULLËS“, ishte më shumë se një tërheqje, ishte një PËRTHITHJE! Kjo ndoshta për faktin që edhe unë jam një emigrant; është si të gjesh veten në këtë libër, por në kohë, kushte dhe rrethana të ndryshme. Gjetja e elementeve të përbashkët të bën që të rendësh pas çdo faqeje libri. 

Kur autori flet për fëmijërinë e tij, natyrshëm shohim veten tonë duke ndjekur gjinkallat apo duke mësuar notin, duke luajtur këmbëzbathur me bashkëmoshatarët nëpër fusha apo rrugica, dhe kjo bëhej, siç thotë autori, nën të njëjtin diell apo hënë që tani e shikojmë në vende të tjera dhe në kushte të tjera. Ndjejmë trishtimin apo lumturinë e prindërve në jetën e përditshme. Gjejmë vetveten kur mësuesi i klasës na lavdëronte te prindërit. “Mësues Gjoka më lavdëroi para klasës…Shkëlqimi në fytyrën e babait tim, që tregonte se sa i lumtur ishte, më mbylli me krenari dhe gëzim.” 

E pra, kjo është përthithje, sepse kur lexova këto m’u shfaq babai im që kthehej i lodhur nga puna, me hallet e një familjeje prej 9 anëtarësh dhe lumturohej kur dëgjonte fjalë të mira për mua. Ndjejmë drithërimën e zemrave rinore për shikimet e turpshme të vajzave të rrugicës, apo të lagjes tjetër, vibracionet shpirtërore që kanë vlerë dhe memorje të veçantë në jetën tonë. 

Me kalimin e kohës, ndërkohë ndihemi të rritur dhe kemi kuptuar shumë gjëra. Dilemat e autorit për të ardhmen janë dilema që gjithsecili nga ne i ka pasur në jetën e tij. Dhe natyrisht që marrja e një vendimi për t’u larguar është një dhimbje për nënën, familjen, bashkëmoshatarët, por edhe për vetë autorin. E vetmja forcë shtytëse është shpresa për të ardhmen dhe kjo shihet vetëm në një largim të mundshëm. Dhe këtu ndjenjat e autorit përzihen me ndjenjat tona, me ndjenjat e çdo emigranti. Ja, pra! Kjo është përthithje. 

Por autori nuk mund ta marrë këtë vendim pa marrë bekimin e nënës. “Nëna ime u përpoq të më shikonte, por sytë e saj ishin të fryrë. Disa lotë i kishin zbritur deri në mjekër dhe ajo i fshiu shpejt me shaminë e saj të bardhë. -” Dua që të përrish aty ku dëshiron ti. Tash je burrë.” Dhe

me bekimin e nënës fjaloset me erën pranë varrit të babait e cila i përcjell fjalët e tij:-” Shko tani, Çoçi im! Unë do të jem gjithmonë me ty!” 

Figura prindërore e nënës dhe babait janë të pandalshme në gjithë udhëtimin tonë në jetë. Mjafton vetëm togfjalëshi:- “Babai- Heroi im” për të kuptuar vendin dhe rëndësinë e prindërve në jetën tonë. 

Gjetja e vetvetes në tregimin e autorit për mbërritjen në tokën e premtuar vazhdon natyrshëm. “Më në fund ishim në Shtetet e Bashkuara, për një fillim të ri dhe të ndritshëm. Deri atëherë unë isha një guralec i vogël- një guralec që do të hidhej në ujë dhe spërkatja e tij e vogël do të zhdukej shpejt. Nuk e dija se ajo spërkatje e vogël do të ishte vetëm fillimi i valëzimeve të pafundme.” Kështu dhe ne ndihemi në fillimet tona dhe kërkojmë me shpresë që të bëhemi sa më shpejt pjesë e kësaj jete. “Të gjithë nxitojnë diku, të vendosur për të ecur vetëm përpara…njerëzit në këtë qytet ishin njësoj si lumenjtë, që rrjedhin nga e kaluara dhe shikojnë vetëm përpara.” 

Autori është një shpresë e gjallë dëshmuese që ëndrrat tona duhet të realizohen. “…lumi me rrjedhën e shpejtë tani ishte i gjallë dhe i mirë dhe unë doja të bëhesha pjesë e tij, duke shkuar gjithmonë përpara.” Asgjë nuk është e lehtë dhe falas. Gjithçka arrihet me mund dhe sakrifica. Dhe kur ndjehet lodhja dhe mundimi, autorit i vijnë në ndihmë kujtimet dhe çastet e lumtura e gazmore dhe ngushëllohet me to. “Ne qeshim me jetën tonë, thjesht për të shmangur të qarët!” 

Në rendjen time faqe pas faqe ndjej gjithmonë dilemën e autorit dhe ndjenjën e fajësisë për largimin e tij nga Atdheu. Në pikëvështrimin tim, Atdheu është familja, por me rritjen tonë familja ndryshon; një familje shkon drejt kujtimeve ndërsa një familje e re krijohet tashmë me fëmijët e tu e bashkëshorten e jetës tënde. “Me vdekjen e Nënës u ndjeva i vetëm në botë dhe e dija që atëherë se kthimi në shtëpi nuk do të ishte kurrë më njësoj. Kur humba Nënën, e humba atdheun tim përgjithmonë!” Ky është fundi i dilemës për cilindo emigrant. Tashmë jeta na jep një mundësi të re, një atdhe të ri! 

Kjo është dhe ndjenja që autori na përcjell kur kthehet nga udhëtimet jashtë Amerikës dhe pas kontrollit rutinë i thonë: Mirë se erdhe në shtëpi! Dhe meqenëse për ne shtëpia, familja është atdheu ynë, atëherë urimi është: Mirë se erdhe në Atdhe! 

“Në vend që të arnoja një rrugë që përcaktuan brezat para meje, unë hapa kufij që ndajnë të kaluarën nga e ardhmja” – kjo është zgjidhja e dilemës. 

Duke lexuar, ndjen që në mënyrë të përshpejtuar je në faqen e fundit të librit. Lexoj mesazhet përcjellëse të autorit:-” Dua t’i them kujtdo…nëse dhe kurdo që jeni të dekurajuar, mbahuni! Nëse unë mund t’ia dilja dhe të bëja më shumë sesa thjesht të mbijetoja në dy kontinente, atëherë nuk ka asnjë pengesë që ju nuk mund ta kaloni.” 

Përfundimisht, pas kësaj, nga thellësia e shpirtit tonë vjen natyrshëm një mirënjohje për autorin. Faleminderit!

Filed Under: ESSE

Fondacioni “Dom Simon Filipaj” feston në New York 20 vjetorin e themelimit

October 1, 2025 by s p

Fondacioni “Dom Simon Filipaj” feston në New York 20 vjetorin e themelimit.

Filed Under: Emigracion

Shqipëria dhe Ballkani përballë oreksit rus!

October 1, 2025 by s p

Nga Evarist Beqiri/

Vetëm duke gjurmuar të shkuarën mund të orientohemi drejt në të ardhmen. Historia është një mësuese mizore për ata që ëndërrojnë me sy hapur dhe hyjnore për ata që ëndërrojnë me sy mbyllur. Sot, ndërsa Putini po përpiqet që ta shembë Ukrainën, Perëndimi ndodhet sërish në buzë të humnerës që e gremisi dikur botën mbarë, në honin e natës së luftës botërore. Le të kthehemi pak pas në kohë.

Në vitin e largët 1913, Konferenca e Londrës sakrifikoi trojet shqiptare për të kënaqur oreksin e Rusisë dhe aleatëve të saj sllavë e grekë, në emër të paqes botërore. Trojet shqiptare u copëtuan, duke u përdorur si monedhë shkëmbimi në tregun e cinizmit të “stabilitetit evropian”. Vetëm një vit më pas, shpërthyen flakët e Luftës së Parë Botërore. Diplomacia dritëshkurtër nuk e parandaloi dot tragjedinë, përkundrazi e përshpejtoi.

Në vitin 1938, Konferenca e Mynihut përsëriti të njëjtin gabim. Çambërlejni dhe Daladieri i dhanë Hitlerin Çekosllovakinë, duke menduar se kishin shpëtuar botën nga lufta. Një vit më vonë, Europa u përfshi në Luftën e Dytë Botërore. Sërish, iluzioni i kompromisit tinëzar i hapi rrugën shkatërrimit. “Paqe në kohën tonë,” tha kryeministri britanik, përpara se të vdiste i kapluar nga marazi. Kënaqja e agresorit nuk solli paqen, por i hapi atij oreksin për më shumë.

Nga Londra 1913, e deri te marrëveshjet e padrejta të shekullit XX, shqiptarët kanë paguar gjithmonë çmimin më të lartë. Sepse, kompromiset e padrejta janë gjithmonë burim tragjedish. Paqja nuk ndërtohet mbi padrejtësinë dhe i forti duhet të jetë i drejtë.

Sot, Perëndimi rrezikon që të bjerë sërish në të njëjtin kurth. Të kënaqësh Putinin do të thotë të pranosh që logjika e forcës të sundojë mbi ligjin, që tanket të kenë më shumë peshë se traktatet, dhe që gjenocidi të shitet si diplomaci.

Vladimir Putini nuk lufton për territore. Ai po lufton për të përmbysur rendin ndërkombëtar që ngrihet mbi lirinë, dinjitetin dhe sovranitetin e kombeve. Ai po teston vendosmërinë e Perëndimit ashtu si dikur Hitleri apo carët rusë. Çdo kompromis që i jep Moskës “një copë” është një ftesë për agresionin e radhës.

Lufta në Ukrainë nuk është një konflikt i izoluar. Javët e fundit, Putin po rrezikon duke ashpërsuar jo vetëm sulmet ndaj Ukrainës, por edhe luftën hibride ndaj Europës. Samiti miqësor me presidentin kinez, Xi Jinping duket se e ka trimëruar atë.

Ballkani është hallka më e brishtë, ku Moska po teston qëndrueshmërinë e NATO-s dhe BE-së. Dihet se një organizëm është po aq i qëndrueshëm sa fortësia e hallkës së tij më të dobët. Në Kosovë, Mal të Zi e Bosnje, Rusia përpiqet sot e gjithë ditën që ti fryjë flakës së ndasisë etnike. Ne nuk duhet që të presim, që nacionalizmi i verbër të zhuris sërish trojet tona përpara se të zgjohemi.

Rusia nuk ka arritur që të dominojë Ukrainën në tokë, det apo ajër. Prandaj, të vetmen shpresë e shikon tek përçarja e NATO-s. Lufta duket se do të përfundoj, vetëm atëherë kur njëra nga palët nuk do të ketë më burimet e nevojshme për ta vazhduar.

Nuk ka paqe duke sakrifikuar Ukrainën. Nuk ka stabilitet duke pranuar qorrazi planet e “botës serbe” të mbështetura nga Moska. Çdo tolerim i agresorit është një thikë pas shpine për kombin shqiptar dhe gjithë rajonin. Ne shqiptarë e dimë më mirë se kushdo se çfarë do të thotë të të mohohet e drejta e ekzistencës. Historia jonë është dëshmi e gjallë e faktit që kompromisi mbi kurrizin e të vegjëlve është recetë për tragjedi.

Politika ruse karakterizohet nga ambicie që tejkalojnë mundësitë reale. Rusia është përpjekur historikisht që nëpërmjet iluzionit të forcës, të kamuflojë dobësitë e saj. Ajo kërkon që të trajtohet si një fuqi e madhe, por nga ana tjetër i mungojnë kredencialet politike, materiale dhe morale për të qenë e tillë.

Nga frustrimi që nuk arrin të fitojë në ekonomi dhe shkencë, Rusia gënjen. Gënjen duke e shndërruar gënjeshtrën në art. Kur nuk mund të fitojë besnikërinë, imponon bindjen me forcë. Kur nuk arrin të dominojë me armë konvencionale, shfaqet me “masat aktive”, me luftë hibride, me dizinformim, me manipulim politik dhe psikologjik.

Strategjikisht udhëheqësit rus janë përpjekur që të kompensojnë ndjenjën e tyre të inferioritetit nëpërmjet mashtrimit dhe dhunës. Frika, terrori, dhuna dhe vrasjet nuk janë mjete dytësore të sistemit rus. Ato janë vetë themeli mbi të cilin ai ngrihet dhe mbahet në këmbë.

Këtë mentalitet të mbrapshtë, shkrimtari dhe politikani i njohur serb Dobrica Çosiç, e përshkruan me këto fjalë: “Gënjejmë për të mashtruar veten, për të ngushëlluar të tjerët; gënjejmë nga keqardhja, gënjejmë nga turpi, për të inkurajuar, për të fshehur mjerimin tonë, gënjejmë për shkak të ndershmërisë. Gënjejmë për shkak të lirisë. Gënjeshtra është një gjendje e natyrshme e gjuhës, popullit dhe shtetit serb. Është patriotizëm dhe konfirmim i inteligjencës sonë të lindur. Ne gënjejmë në mënyrë krijuese, imagjinuese, shpikëse.”

Historia nuk fal. Ajo dënon të dobëtit dhe shpërblen ata që guxojnë. Shqipëria, Kosova, shqiptarët, dhe Ballkani mbarë, nuk mund të vendosen përballë një tjetër tragjedie, të shkruar nga cinizmi i atyre që harrojnë mësimet e historisë. Shqiptarët kanë ditur që të dallojnë gjithmonë anën e duhur të historisë. Historia na mëson se liria nuk dhurohet, ajo fitohet e mbrohet.

Nëse injoron të shkuarën, nuk mund të kesh të ardhmen. Në Ukrainë po luftohet për ideale. Aty është kufiri ku sot po përballen dy botë të kundërta. Vetë e ardhmja e demokracisë liberale varet nga kjo betejë vendimtare me tiraninë.

Lufta në Ukrainë dhe Gaza e kanë ndryshuar botën njëherë e përgjithmonë. Duhen kombinuar mësimet e së shkuarës me të tashmen, për të krijuar një të ardhme më të mirë. Në botën që do të rilind pas këtyre luftërave mizore, ne duhet që të kërkojmë paqen e drejtë për të ardhmen e fëmijëve tanë dhe të njerëzimit mbarë.

Filed Under: Komente

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 139
  • 140
  • 141
  • 142
  • 143
  • …
  • 2778
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • NDAA i SHBA-së dhe pozicioni i Kosovës në arkitekturën e sigurisë
  • Alis Kallaçi do të çojë zërin dhe dhimbjen e “Nân”-s shqiptare në Eurovision Song
  • Garë për pushtet…
  • Njëqind vjet vetmi!
  • “Shënime për historinë antike të shqiptarëve”*
  • Si funksionon sistemi juridik në Shqipëri dhe pse ai ka nevojë për korrigjim?
  • Emisionet postare festive të fundvitit në Kosovë
  • JAKOBSTADS TIDNING (1939) / MBRETI ZOG, SHUMË BUJAR ME BAKSHISHE. — EMRI I TIJ NUK DO TË HARROHET KAQ SHPEJT NGA PRONARËT DHE PERSONELI I HOTELEVE NË VARSHAVË.
  • HAFIZ SHERIF LANGU, DELEGATI I PAVARËSISË TË CILIT IU MOHUA KONTRIBUTI PËR 50 VJET ME RRADHË, KLERIKU DHE VEPRIMTARI I SHQUAR I ÇËSHTJES KOMBËTARE
  • RIPUSHTIMI I KOSOVËS – KUVENDI I PRIZRENIT 1945
  • Nikola Tesla, gjeniu që u fiksua pas pëllumbave dhe u dashurua me njërin prej tyre
  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT