• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

1962 / RRËFIMI I EDWARD BEHR, KORRESPONDENTIT TË “TIME” NË PARIS, RRETH VIZITËS SË TIJ NË SHQIPËRI

January 6, 2026 by s p


Berhr përpara ambasadës sovjetike të papërfunduar në Tiranë — Burimi : TIME Magazine, 10 gusht 1962, faqe n°7
Berhr përpara ambasadës sovjetike të papërfunduar në Tiranë — Burimi : TIME Magazine, 10 gusht 1962, faqe n°7

Nga Aurenc Bebja*, Francë – 6 janar 2026

Revista “TIME” ka botuar, me 10 gusht 1962, në faqet n°7, 19 dhe 20, rrëfimin e korrespondetit të saj Edward Behr, rreth vizitës së tij asokohe në Shqipëri, të cilin Aurenc Bebja, nëpërmjet Blogut “Dars (Klos), Mat – Albania”, e ka sjellë për publikun shqiptar : 

Shqipëria : Komb në terr

Burimi : TIME Magazine, 10 gusht 1962, faqe n°19–20
Burimi : TIME Magazine, 10 gusht 1962, faqe n°19–20

Shqipëria është vendi më i mjerë në Evropë. Pothuajse askush nuk dëshiron të hyjë, dhe shumica e njerëzve të saj, po t’u jepej një mundësi e vogël, do të dëshironin të dilnin.

Megjithatë, për të fituar valutë të huaj aq të nevojshme, drejtuesit komunistë të vendit mbajnë një shërbim zyrtar turistik, Albtourist, i cili mburret me “plazhet e pakrahasueshme të Adriatikut” (të gjitha të ruajtura nga anije policie që patrullojnë) dhe me “rrënojat shumë-shekullore”. Biznesi për Albtourist është bërë i dobët në vendet e tjera satelite që prej prishjes me Hrushovin. Agjencia ka dërguar me shpresë broshurat e saj edhe në një agjenci të vogël udhëtimesh në Këln të Gjermanisë Perëndimore. Korrespondenti i TIME, Edward Behr, vendosi të aplikonte si turist. Ai priti gjashtë javë për vizë dhe më në fund hyri në Shqipëri me një fluturim hungarez që niset vetëm një herë në javë nga Budapesti — për të parë nga afër vendin që vetë Nikita Sergejeviç Hrushovi e kishte përshkruar si “më të përgjakshëm e më reaksionar se sa carët.”

Numërimi i çorapeve

I ndarë nga miku i vetëm në botë, Kina e Kuqe, me 3,000 milje largësi, Shqipëria jeton në një izolim njëherësh sfidues dhe të trishtueshëm. Më shumë se 70% e 1,700,000 banorëve të saj nxjerrin bukën e gojës nga toka e kolektivizuar; shumica e fshatrave dhe qyteteve malore kanë mbetur pothuajse si në shekullin e kaluar. Plehrat rrjedhin nëpër një kanal të hapur në mes të rrugëve të ngushta; burra me hundë shqiponje pinë kafe turke në kafene të errëta, ndërsa gratë e tyre mbajnë mbi supe dru ose fuçi me ujë të rrallë. Përkrah varfërisë tradicionale shfaqen posterët komunistë që shpallin parullën e diktatorit Enver Hoxha : “Ndërto socializmin në njërën dorë me kazmë dhe në tjetrën me pushkë.”

Edhe përpara prishjes me Hrushovin, siguria e brendshme ishte ndër më të rreptat në botë; që atëherë është kthyer në mani. Vizitorët e huaj duhet të plotësojnë formularë ku përshkruajnë përmbajtjen e bagazhit deri në numrin e këmishave, shamive dhe çorapeve që sjellin. Batanijet e mira janë aq të rralla, sa duhen regjistruar veçmas si “objekte me vlerë.” Shqiptarët, të shkëputur nga bota, besojnë se kufizime të tilla janë diçka krejt normale kudo.

Në mbërritje në Tiranë, korrespondenti Behr u mor nën kujdes të rreptë nga një udhërrëfyes shtetëror i Albtourist, i cili e shoqëronte kudo, madje përpiqej ta çonte nëpër “ekskursione” me autobusë të mbyllur me çelës. Ai bënte sikur dërgonte kërkesa për intervista me zyrtarë, aktorë apo gazetarë vendas — por gjithmonë përgjigjja ishte e njëjtë: “janë të sëmurë, me pushime ose në zi për ndonjë të afërm të ndjerë papritur.”

Meqë asnjë i huaj nuk mund të marrë taksi, guida ishte e domosdoshme. Ndihmë më të madhe i dha një gazetar japonez që udhëtonte me të dhe që shqiptarët e përshëndetnin rregullisht, duke e ngatërruar për kinez. Të dy gazetarët, duke qenë më shumë se një përfaqësues i Albtourist, ndonjëherë ndaheshin me qëllim për t’u “humbur” dhe për të shijuar disa minuta lirie — por këto arratisje nuk zgjatnin shumë, falë policisë sekrete “Sigurimi” dhe trupave të shumta (një e katërta e burrave të rritur janë nën armë). Zyrtarët madje i paralajmëruan se, nëse nuk silleshin siç duhej, mund të mos merrnin vizë daljeje — kërcënim shumë i efektshëm në Shqipëri.

Plazhi me mur

Një repart i armatosur me mitraloza në Tiranë patrullon zonën që diplomatët e pakët të huaj e quajnë “Blloku”: lagjen e rehatshme ku krerët komunistë kanë vilat e tyre. Edhe në plazhin e Durrësit, 25 milje në perëndim të kryeqytetit, një mur ndahet nëpër rërë e zbret deri në det për të ndarë zonën e privilegjuar nga ajo e punëtorëve, familjet e të cilëve banojnë në baraka prej teneqeje në anën tjetër të murit.

Notuesit proletarë nuk mund të kalojnë vijën e bojave rreth 30 metra nga bregu; nëse e bëjnë, një anije policie i urdhëron të kthehen, për të shmangur ndonjë arratisje drejt një anijeje greke apo italiane që mund të ndalojë në port. Kur një anije gjermane mbërriti me grurë kanadez të paguar nga Pekini, asaj nuk iu lejua të hynte në port — ngarkesa u shkarkua me varka. Edhe pse Shqipëria ka 250 milje vijë bregdetare në Adriatik, peshku është i rrallë, pasi vetëm disa peshkatarë “politikisht të besueshëm” lejohen të dalin në det, nga frika se mos ikin në Itali, vetëm 50 milje larg.

Megjithatë, shqiptarët nuk janë në uri dhe përfitojnë nga arsimimi, mjekimi dhe shërbimet e tjera falas. Behr nuk pa shenja rebelimi — dhe edhe po të kishte, pasardhësi i Hoxhës s’do të ishte më i mirë, pasi krerët kryesorë të partisë janë pothuajse të gjithë të afërm me Hoxhën ose me kryeministrin Mehmet Shehu.

Simbolet e statusit

Në Tiranë burokracia shtetërore është e ndërlikuar në mënyrë të pabesueshme; për të blerë çdo gjë, nga ilaçet deri te vaktet në hotele, kërkohet leje zyrtare. Së paku këmbësorët nuk e kanë të vështirë: në gjithë vendin ka vetëm rreth 400 makina (të vjetra ruse dhe çeke, përveç një flote “Mercedesësh” të ambasadës kineze). Megjithatë, në çdo kryqëzim të madh rrinë deri në tre policë me shkopinj të zinj e të bardhë.

Si qendër tregtare, Tirana ngjan më shumë me një pazar të improvizuar. Në dyqanet pothuajse tërësisht të shtetëzuara, një kostum i keq kushton 7,000 lekë — rreth 140 dollarë me kursin zyrtar — pothuajse dy paga mujore të një punëtori. Përpjekjet për industrializim morën fund kur Moska braktisi ambasadën e saj gjysmë të ndërtuar dhe tërhoqi mijëra ekspertët sovjetikë. Fabrika e vetme e madhe e pambukut qëndroi e mbyllur për tre muaj; planet për fabrika të reja mbetën në letër. Nga 22 avionët MIG sovjetikë që kishte Shqipëria, vetëm pesë mund të fluturojnë. Kina, Koreja e Veriut dhe Vietnami i Veriut dërguan rreth 500 teknikë, shumica bujq që mësojnë kultivimin e orizit dhe organizojnë punishte në modelin e Pekinit.

Kinezët jashtë orarit rrinë të izoluar. Hanë në një sallë më vete në hotelin italian Dajti, dhe jetojnë në një kompleks ambasadorësh të rrethuar vazhdimisht nga roje. Simbolet më të fundit të statusit në Tiranë — të veshura nga zyrtarët shqiptarë që kanë vizituar Kinën — janë një kapelë e thjeshtë prej pëlhure bezhë, si ajo që preferon Mao Ce Duni, dhe syze dielli të errëta të stilit aviator, po aq të modës në Pekin.

Varfëria e zymtë, shtypja politike dhe dyshimi maniak ndaj të huajve nuk e bëjnë udhëtimin në Shqipëri as të këndshëm, as tërheqës. Kur erdhi koha për t’u larguar, avioni i Behr u vonua një orë — dhe madje edhe udhërrëfyesi i Albtourist e kuptoi sa të lumtur ishin vizitorët që po iknin.

“Gjërat e mira vijnë ngadalë,” tha me një ngritje supesh, dhe me përshëndetje me dorë u dha lamtumirën.

Një Letër nga Botuesi

10 gusht 1962

TIME

Burimi : TIME Magazine, 10 gusht 1962, faqe n°7
Burimi : TIME Magazine, 10 gusht 1962, faqe n°7

Korrespondenti i TIME, Edward Behr, 36 vjeç, ka shërbyer në ushtrinë britanike në Indi, ka punuar si gazetar për Reuters në Londër dhe Paris, dhe si pjesë e redaksisë sonë në Paris ka udhëtuar në shumicën e vendeve të Evropës. Për katër vjet ai mbuloi luftën në Algjeri dhe vitin e kaluar botoi një libër për të.

Me pak fjalë, Behr ka qenë në mjaft vende të njohura dhe të largëta për ta ditur se nuk duhet t’u besohet broshurave turistike. Por gjatë një turneu 13-ditor në Shqipërinë komuniste — për të cilin ai raporton këtë javë — Behr zbuloi se hendeku midis realitetit dhe fantazisë së paraqitur ishte edhe më i madh se sa kishte menduar.

“Vizita në Shqipëri,” tha ai, “është si të kthehesh pas në kohë dhe të zgjohesh në Ballkanin e shekullit të 16-të, me disa tela telefoni, armë moderne dhe pak automjete shtesë.”

Behr e kuptoi prapambetjen e Shqipërisë që në fillim të qëndrimit të tij. Duke u nisur për të zëvendësuar briskun e rrojës (kishte humbur valixhen në Budapest), ai zbuloi se i vetmi brisk i disponueshëm ishte vendas — dhe vdekjeprurës. Ai funksiononte vetëm duke hequr edhe copa të mëdha lëkure. Behr ia përmendi këtë rastësisht udhërrëfyesit të tij shqiptar, i cili u përgjigj thjesht: “Gjithmonë kemi ndonjë problem me briskun tonë.”

Megjithatë, ky udhëtim për pazar pati një përfitim: Behr arriti të fliste për pak minuta i vetëm me një shqiptar vendas — një farmacist që kishte qenë në Paris vite më parë dhe që e pyeti me mall : “A është ende njësoj Bregu i Majtë?”

Udhërrëfyesi i Behr-it ishte plotësisht i vetëdijshëm se ai nuk ishte turist i zakonshëm, por vendosi se ta dëbonte nga vendi do të ishte e kotë. Nga ana tjetër, Behr e dinte se shoferi i makinës së tyre turistike ishte anëtar i policisë sekrete. Për të shpërqendruar vëmendjen e udhërrëfyesit ndërsa fotografi bënte disa foto, Behr (duke folur në gjermanishte të çalë) përpiqej ta mbante të zënë me biseda.

Njëherë, kur udhërrëfyesi përmendi se kishte përkthyer në shqip dramën e Bertolt Brecht-it Nëna Kurajo, Behr e shpërqendroi duke i treguar gjatë për një takim që kishte pasur me Brecht në Paris në vitin 1953. Behr e gjeti udhërrëfyesin — i cili nuk kishte dalë kurrë jashtë Shqipërisë — pothuajse tragjikisht kureshtar për botën e jashtme. Dhe për ata që, nga ana e tyre, janë kureshtarë për Shqipërinë — vendin më të vështirë për të mbijetuar në gjithë Evropën — lexoni raportin e Behr në rubrikën “THE WORLD”.

Filed Under: Histori

Vlora, dy tallje, një gala dhe një javë pa u la

January 6, 2026 by s p

Fejton nga Rafael Floqi

Ka mungesa që duken në statistika dhe ka mungesa që ndihen në trup. Uji bën pjesë tek të dytat. Kur mungon uji, nuk mungon thjesht një shërbim; mungon normaliteti, higjiena, qetësia, dinjiteti. Dhe kur kjo ndodh për katër apo pesë ditë rresht, nuk kemi më të bëjmë me një defekt teknik, por me një provë të karakterit të pushtetit.

Vlora që ka ujë sa mund ta eksportojë në Itali. Vlora që ka Ujin e Ftohtë s’ka ujë pёr nevojat më elementare. Bashkia punonjësit e së cilës që nga kryetarja i caktoi vetë Rama bën gala  (gallatë) Fshati digjet e bashkia socialiste krihet.

Në Vlorë, këtë fund dhjetori, qytetarët e mësuan se sa e gjatë mund të jetë një ditë pa ujë dhe sa e shkurtër është durimi i atyre që qeverisin vetëm nga kolltuku. Në shtëpitë e zakonshme, bidonët bosh u bënë orë matëse e ditëve. Në zyrat e pushtetit, ora vazhdoi të ecte normalisht, mes planifikimesh festive, ftesash elegante dhe mbrëmjesh gala.

Kontrasti ishte brutal: nga njëra anë, njerëz që pyesnin “kur do vijë uji?”; nga ana tjetër, institucione që silleshin sikur pyetja nuk ekzistonte. Sepse në Shqipëri, shpeshherë, pushteti nuk e sheh mungesën e ujit si emergjencë, por si zhurmë.

Në vend që të shpallej gjendje emergjence, në vend që të kishte komunikim të përditshëm, transparencë dhe mobilizim serioz, Bashkia e Vlorës zgjodhi një rrugë tjetër: normalitetin artificial. Një gala në mes të thatësirës urbane. Një festë në mes të ankesës. Një shfaqje në mes të mungesës.

Mbrëmja gala nuk ishte thjesht një aktivitet kulturor i keqvendosur. Ishte një mesazh. Një mesazh i qartë, edhe nëse i pavetëdijshëm: “Ne vazhdojmë jetën tonë. Ju rregullohuni vetë.” Dhe kur pushteti dërgon këtë mesazh, nuk ka më rëndësi se sa ditë do zgjasë defekti teknik; dëmi tashmë është politik dhe moral.

Qytetarët e Vlorës, për herë të rrallë, vendosën ta prishin këtë normalitet të rremë. Me bidonë bosh në duar, ata hynë aty ku pushteti po festonte dhe sollën brenda sallës atë që ishte lënë jashtë: realitetin. Nuk ishte një akt dhune. Ishte një akt simbolik. Një përplasje mes dy botëve që zakonisht nuk takohen: asaj të qytetarit që pret dhe asaj të pushtetit që feston.

Pamjet ishin të mjaftueshme për të kuptuar gjithçka: drita, muzikë, kostume dhe përballë tyre, bidonë plastikë bosh që përplaseshin në dysheme. Një simfoni e çuditshme, ku heshtja e përgjegjësisë mbyste çdo tingull tjetër.

Por nëse gala ishte tallja e parë, e dyta erdhi nga më lart. Më e rafinuar në formë, më e rëndë në përmbajtje.

Nga Tirana, kryeministri vendosi të flasë. Jo për të kërkuar ndjesë. Jo për të marrë përgjegjësi politike. Jo për të treguar empati. Por për të shpjeguar gjithçka me një fjali që do të mbetet gjatë në kujtesë: “plasi më në fund edhe syri i keq”.

Kjo nuk ishte thjesht një shprehje popullore e përdorur pa menduar. Ishte një zgjedhje fjalori. Dhe fjalori, në politikë, nuk është kurrë i pafajshëm. Ai tregon se si e sheh pushteti qytetarin.

Kur një kryeministër shpjegon mungesën e ujit me “syrin e keq”, ai nuk po flet si drejtues i një shteti modern. Ai po flet si dikush që mendon se qytetarët e tij i besojnë tersit më shumë se përgjegjësisë institucionale. Si dikush që supozon se një shpjegim gjysmë-magjik është i mjaftueshëm për të mbuluar një dështim konkret.

Në atë fjali kishte ironi, por jo humor. Kishte folklor, por jo ngrohtësi. Kishte një nëntekst të qartë: “Mos kërkoni llogari. Këto gjëra ndodhin.” Dhe kur pushteti i normalizon dështimet, ai i përsërit ato.

E gjithë kjo arrogancë nuk vjen rastësisht. Ajo ka një shpjegim të thjeshtë politik: sigurinë elektorale. Vlora ka qenë për dekada bastion i së njëjtës forcë politike. Në një territor ku rotacioni nuk ekziston, pushteti fillon të sillet jo si shërbëtor, por si pronar. Dhe pronari nuk ndien nevojën të justifikohet.

Në këto kushte, qytetari nuk trajtohet si sovran, por si zakon. Si diçka e dhënë. Si dikush që do të ankohet sot, do të harrojë nesër dhe do të votojë sërish pasnesër. Prandaj edhe tallja bëhet e mundur. Prandaj edhe mungesa e ndjeshmërisë nuk ndëshkohet.

Por bidonët bosh janë kujtesë e fortë. Ata nuk mbushen me fjalë. As me statuse. As me shprehje popullore. Ata mbushen vetëm me ujë. Dhe uji vjen vetëm kur institucionet funksionojnë, jo kur festojnë.

Në fund, defekti teknik do të riparohet. Tubacioni do të rregullohet. Uji do të vijë. Por pyetja që mbetet nuk është teknike. Është politike: çfarë mbetet pas?

Mbetet një qytet që pa se si trajtohet kur ka nevojë. Mbetet një pushtet që u zbulua më shumë se ç’do të donte. Dhe mbetet një fjali – “plasi syri i keq” – që do të kujtohet si simbol i një distance të rrezikshme mes qeverisjes dhe qytetarit.

Sepse krizat nuk tregojnë sa të forta janë tubacionet. Ato tregojnë sa i fortë është karakteri i pushtetit. Dhe në Vlorë, këtë herë, uji mungoi, por arroganca ishte me tepri. 

Dhe tubi tha Rama do na vijë nga Turqia, he po elbete “mall turk”  të gjitha të këqijat nuk vijnë nga turqit , ja aeroporti, ja tuneli…tani të besojmë të mbajë. 

Filed Under: Analiza

Fan Noli dhe VATRA – Dritë e Pavdekshme e Kombit Shqiptar

January 6, 2026 by s p

Prof.Dr.Fejzulla BERISHA/

Me rastin e ditëlindjes së të madhit Fan S. Noli, është një privilegj i veçantë të shpreh përshëndetjet më të përzemërta dhe respektin e thellë për Federatën Panshqiptare “VATRA”, SHBA – institucionin e shenjtë ku kam nderin dhe krenarinë të jem pjesë dhe anëtar aktiv.

Fan Noli: Një jetë e shenjtë për komb dhe liri

Fan Noli nuk ka qenë thjesht një figurë historike, por një simbol i pavdekshëm i përkushtimit për lirinë dhe identitetin shqiptar. Si kryeministër, diplomat, poet, shkrimtar dhe intelektual, ai i dha kombit shqiptar një vizion të qartë për kulturë, atdhedashuri dhe unitet kombëtar. Themelimi i Kishës Ortodokse Autoqefale Shqiptare, veprimtaria e tij politike dhe diplomacia ndërkombëtare janë dëshmi të përkushtimit të tij për një Shqipëri të lirë dhe të bashkuar. Fjala e tij dhe veprat e tij mbeten sot burim frymëzimi për brezat e rinj.

VATRA – Nderi dhe identiteti i shqiptarëve në diasporë

Federata Panshqiptare “VATRA”, e themeluar në vitin 1912, ka qenë gjithmonë temeli i qëndrueshëm i identitetit dhe krenarisë shqiptare në Amerikë. Si pjesëtar aktiv i këtij institucioni, kam nderin të kontribuoj në ruajtjen dhe përhapjen e trashëgimisë së Nolit, duke organizuar aktivitete që lidhin shqiptarët kudo në botë me kulturën dhe historinë e tyre.

Një shembull i gjallë i kësaj veprimtarie është “Dita e Fan Nolit” në Boston, ku çdo vit zhvillohen ligjërata, ekspozita dhe performanca kulturore që rikujtojnë jetën dhe veprën e tij të madhe. Ky aktivitet ka fuqinë të bashkojë të gjithë komunitetin shqiptar, duke ripërtërir dashurinë për gjuhën, letërsinë dhe historinë tonë kombëtare.

Po ashtu, programet edukative të Vatrës për shkollat shqipe në diasporë kanë bërë të mundur që brezat e rinj të njohin thelbin e identitetit kombëtar dhe të kuptojnë rëndësinë e unitetit dhe bashkëpunimit ndër shqiptarë. Iniciativat për botimin e librave shqip dhe promovimin e kulturës shqiptare janë dëshmi se VATRA nuk është vetëm një organizatë historike, por një institucion aktiv, frymëzues dhe jetësor për çdo shqiptar në Amerikë dhe kudo në botë.

Fryma e pavdekshme e Nolit dhe përkushtimi i Vatrës

Si pjesëtar i këtij institucioni të shenjtë, ndihem i thellë i përkushtuar që të ruaj dhe të mbaj gjallë frymën e pavdekshme të Fan Nolit. Çdo aktivitet, ligjëratë, takim dhe iniciativë kulturore është një mundësi për të forcuar dashurinë për kombin dhe respektin për traditat tona. Fan Noli dhe VATRA janë më shumë se histori – ato janë një dritë udhërrëfyese që nuk shuhet kurrë, një inspirim për të gjithë shqiptarët, kudo që ndodhen.

Mesazh për brezat e rinj dhe komunitetin shqiptar

Në këtë ditë të shënuar, le të kujtojmë se trashëgimia e Nolit dhe veprimtaria e Vatrës nuk i përkasin vetëm të kaluarës. Ato janë mision, përgjegjësi dhe privilegj për çdo shqiptar që dëshiron të mbajë gjallë identitetin dhe krenarinë kombëtare. Le të punojmë me pasion, guxim dhe përkushtim për të mbajtur gjallë këtë trashëgimi të shenjtë, duke e bërë çdo veprim të vogël një hap drejt unitetit dhe fuqizimit të kombit shqiptar.

Lavdi Fan Nolit! Lavdi Vatrës së shenjtë!

Ata janë themeli i përjetshëm i krenarisë shqiptare, drita që ndriçon rrugën e brezave të rinj dhe frymëzim për çdo shqiptar në botë. Në këtë ditë, le të nderojmë jetën, veprën dhe vizionin e tyre të madh, duke ripërtërir dashurinë për kombin, kulturën dhe historinë tonë të shenjtë.

Filed Under: Vatra

Serbia është e pafytyrë dhe hipokrite

January 6, 2026 by s p

Harry Bajraktari/

Nga njëra anë, ankohet vazhdimisht për të drejtat e serbëve në Kosovë 🇽🇰, ndonëse mënyra se si Kosova i trajton komunitetet pakicë është shembull për mbarë botën; ndërsa nga ana tjetër, shkel në mënyrë sistematike dhe të vazhdueshme të drejtat që u takojnë shqiptarëve 🇦🇱 në Preshevë, Medvegjë dhe Bujanoc.

Këto nuk janë raste të izoluara, por lojëra dhe politika të qëllimshme të Serbisë, të cilat po i sheh qartë edhe Amerika dhe bota.

Beogradi ndjek një strategji të hapur diskriminimi dhe shtypjeje ndaj shqiptarëve në Luginën e Preshevës.

Ndërsa serbët në Kosovë gëzojnë të drejtat e garantuara me ligj dhe janë plotësisht të integruar në shoqëri, duke marrë pjesë në jetën publike, arsim dhe institucione, shqiptarët në Luginën e Preshevës jetojnë nën presion të vazhdueshëm dhe frikë. Në vend të trajtimit të barabartë, ata përballen me intimidim përmes masave administrative, pasiguri mbi statusin e tyre ligjor dhe përjashtim sistematik nga proceset vendimmarrëse. Ky kontrast nxjerr në pah standardet e dyfishta që aplikon Serbia dhe tregon nevojën urgjente për vëmendje ndërkombëtare dhe llogaridhënie.

Para një muaji, kjo çështje u ngrit edhe në Kongresin e Shteteve të Bashkuara 🇺🇸 nga kongresmeni Keith Self, gjatë një seance ku ekspertë të njohur paraqitën dëshmitë e tyre mbi të ardhmen e Ballkanit Perëndimor.

🇦🇱🇽🇰🇺🇸Shqipëria, Kosova dhe komuniteti shqiptaro-amerikan duhet të veprojnë së bashku, të flasin me një zë dhe të kërkojnë veprim urgjent dhe konkret nga komuniteti ndërkombëtar.

⚠️ Serbia është e pafytyrë dhe hipokrite ⚠️

Nga njëra anë, ankohet vazhdimisht për të drejtat e serbëve në Kosovë 🇽🇰, ndonëse mënyra se si Kosova i t… See more

Harry Bajraktari · Original audio

Harry Bajraktari · Original audio

Harry Bajraktari · Original audio

Harry Bajraktari

 · 

Follow

 · 5 Jan  · 

Filed Under: Komente

Fan Noli dhe Peter Prifti: Nga fryma e rilindjes te mendimi modern shqiptaro-amerikan

January 6, 2026 by s p

Prof. Dr. Arben Cici /

Figura e Prof. Peter Priftit përfaqëson një ndër personalitetet më përfaqësuese të kulturës shqiptaro-amerikane të shekullit XX. Ai përmendet si një nga dijetarët më të njohur që punoi për t’i sjellë çështjet shqiptare në qendër të vëmendjes akademike dhe politike në Shtetet e Bashkuara, një intelektual që bashkoi në personalitetin e tij ndershmërinë e karakterit shqiptar me qytetarinë amerikane, si dhe mendimin e lirë të Perëndimit me dashurinë e përhershme për Atdheun. Peter Prifti mbetet gjithashtu i lidhur ngushtë me emrin e Fan Nolit, si nxënësi i fundit i drejtpërdrejtë dhe dishepulli i denjë i këtij personaliteti të madh të historisë shqiptare.

Peter Prifti spikati për seriozitetin në studime, interesin për filozofinë, letërsinë dhe gjuhësinë gjatë edukimit të tij në Universitetin e Pensilvanisë në degën “Arts & Letters” (1949). Përvojat akademike në universitetet amerikane, ku vlerësohej mendimi kritik dhe kërkimi i pavarur, ndikuan në formimin e tij si intelektual me vizion të gjerë, i lirë në gjykime dhe i hapur ndaj ideve të reja. Ky formim do ta dallonte më vonë nga shumë bashkëkohës shqiptarë, të rritur nën dogmat e mbyllura ideologjike të komunizmit.

Takimi me Fan Nolin dhe fillimi i veprimtarisë shqiptaro-amerikane – Në fund të viteve 1950, Peter Prifti u vendos në Boston, ku u përfshi në aktivitetet e Federatës Panshqiptare “Vatra”, një nga organizatat më të rëndësishme të diasporës shqiptare në Shtetet e Bashkuara. Në vitin 1958 ai filloi punën si sekretar i Vatrës dhe si redaktor i gazetës “Dielli”, krahas atdhetarit dhe publicistit të njohur Qerim Panariti. Pikërisht në këtë periudhë, ai u njoh për herë të parë personalisht me Imzot Fan Nolin, figurën qendrore të diasporës dhe të historisë kombëtare shqiptare.

Marrëdhënia e tyre, që nisi në kuadër të punës për “Vatrën” dhe “Diellin”, shpejt mori karakterin e një lidhjeje të ngushtë intelektuale e shpirtërore. Peter Prifti do të kujtonte më vonë takimet e shumta me Nolin në shtëpinë e tij në Boston, në mbledhjet e komunitetit shqiptar, në shërbesat kishtare dhe në organizimet për përvjetorët kombëtarë. Në njërën prej intervistave që zhvilloi me Nolin në vitin 1958, ky i fundit do të shprehej se anëtarësimi i Shqipërisë në Lidhjen e Kombeve në vitin 1920 ishte “fitorja më e madhe e jetës së tij politike”, ndërsa largimi nga Shqipëria në vitin 1924 ishte “trishtimi më i madh, sepse i dha fund punës sime në Atdhe”. Këto fjalë do të mbeteshin thellësisht të gdhendura në kujtesën e Priftit dhe do të përcaktonin frymën fanoliane që do ta shoqëronte gjatë gjithë jetës.

Noli e vlerësonte shumë intelektin e të riut kolonjar, ndërsa Prifti e shihte tek Noli figurën e udhëheqësit të mençur dhe të patriotit të ndritur. Ata ndanin të njëjtat ideale për lirinë e mendimit, për përparimin kulturor dhe për emancipimin e kombit shqiptar. Ndërsa shumë nga bashkëkohësit e Nolit e njihnin vetëm si udhëheqës politik apo fetar, Prifti e studioi dhe e kuptoi në thellësi si filozof, humanist dhe dijetar të formimit perëndimor.

Një intelektual i lirë dhe human – Në figurën e Peter Priftit përmblidhen disa nga virtytet më të vyera të intelektualit modern: mendimi i lirë, ekuilibri shpirtëror dhe humanizmi i thellë. Ai ishte përfaqësues tipik i asaj që mund të quhet “shkolla shqiptaro-amerikane e mendimit”, ku idealizmi për kombin ndërthuret me etikën e dijes dhe me respektin ndaj vlerave universale. Për Peter Priftin, e vërteta ishte më e rëndësishme se çdo përfitim, ndërsa sinqeriteti në qëndrime ishte parim i panegociueshëm. Pikërisht kjo koherencë e brendshme e bëri të respektohej nga bashkëkohësit, edhe nga ata që nuk ndanin të njëjtat pikëpamje.

Për Priftin, mendimi kritik nuk nënkuptonte kundërshtim për hir të kundërshtimit, por përpjekje për të arritur te e vërteta përmes arsyes. Ai besonte se njeriu i kulturuar duhet të jetë gjithmonë i lirë në mendim, por i përgjegjshëm në fjalë. Liria e tij intelektuale shfaqej edhe në raportin me Shqipërinë komuniste. Ndonëse vizitoi vendin dhe u mirëprit nga autoritetet, ai kurrë nuk pranoi të bëhej apologjet i sistemit. Në analizat e tij për Shqipërinë e pasluftës, ai nuk mohoi arritjet në fushën e arsimit dhe emancipimit të grave, por as nuk e fshehu kritikën ndaj shtypjes së mendimit të lirë dhe izolimit politik të vendit. Në një nga vlerësimet e tij, Shqipërinë e viteve ’70 ai e quante “kalanë e fundit të stalinizmit në Europë”, një përcaktim që për kohën kërkonte guxim intelektual. Por edhe në këtë kritikë kishte gjithmonë dinjitet dhe maturi; ai nuk sulmonte për të dënuar, por për të kuptuar dhe për të ndriçuar.

Ndoshta vlera më e madhe e Peter Priftit ishte aftësia për të ruajtur humanizmin në një shekull përçarjesh dhe ideologjish. Ai nuk e pa kombin shqiptar si një kategori etnike apo politike, por si një bashkësi njerëzish që duheshin ndihmuar të zhvilloheshin përmes arsimit, kulturës dhe lirisë. Në këtë kuptim, Prifti ishte një rilindas modern, që besonte te fuqia e dijes dhe te kultura si themel i identitetit kombëtar. Për të, patriotizmi nuk ishte thirrje, por përgjegjësi; nuk ishte emocion, por detyrë e përditshme ndaj së vërtetës dhe ndaj brezave që vijnë.

Fryma fanoliane dhe ndjekja e idealeve kombëtare – Nëse ka një fjalë që përmbledh marrëdhënien shpirtërore midis Peter Priftit dhe Fan Nolit, ajo është “trashëgimi”. Jo trashëgimi në kuptimin formal të një marrëdhënieje mësues–nxënës, por si vazhdimësi e një fryme, e një ideali që përshkon brezat. Fan Noli kishte qenë për Priftin jo vetëm figura e udhëheqësit kombëtar, por modeli i intelektualit që arrin të ndërthurë mendimin kritik me përkushtimin ndaj kombit. Në mënyrën e tij, Prifti mishëroi atë që Noli predikonte: besimin te arsimi, dialogu ndërkulturor, bashkimi i diasporës dhe emancipimi moral e intelektual i shqiptarëve.

Takimet me Nolin në Boston, bashkëpunimi në “Vatrën” dhe “Diellin”, si dhe pjesëmarrja në organizimet e komunitetit, i dhanë Priftit jo vetëm përvojë praktike, por edhe një përfytyrim të gjallë të misionit që diaspora duhej të kishte për Shqipërinë. Ai e kuptoi që herët se puna e Nolit nuk ishte e përfunduar; se lidhja e diasporës me Atdheun duhej të vazhdonte përmes dijes, kulturës dhe përfaqësimit në botën perëndimore. Në këtë kuptim, Prifti mund të shihet si hallka që lidh epokën fanoliane me studimet moderne shqiptare.

Ndikimi i Nolit në formimin e tij është i dukshëm jo vetëm në temat që trajtoi, por edhe në stilin e të menduarit dhe të shprehurit. Si Noli, edhe Prifti ishte poliedrik: historian, gjuhëtar, përkthyes, publicist dhe eseist. Ai shkroi për politikën, por edhe për letërsinë; për historinë, por edhe për moralin e shoqërisë shqiptare. Si Noli, ai e pa dijen si mision publik dhe jo si pronë personale. Noli kishte krijuar modelin e intelektualit të angazhuar që flet me forcën e argumentit, jo me gjuhën e pushtetit; Prifti e zhvilloi këtë model në rrethana të reja, në një botë të lirë, duke e bërë atë të pranueshëm për audiencën akademike ndërkombëtare.

Në studimin “Fan Noli dhe komuniteti shqiptar në SHBA”, mbajtur në Universitetin e Harvardit në vitin 1982, Prifti analizoi në mënyrë të thellë rolin historik të Nolit në formimin e vetëdijes kombëtare të emigracionit shqiptar. Ai e konsideronte Nolin “një burrë të madh të racës shqiptare, intelektual gjigand dhe shembull të patriotizmit të kulluar”. Në interpretimin e tij, Fan Noli nuk ishte vetëm figurë fetare apo politike, por një vizionar që kuptoi se liria e vërtetë nuk mund të ekzistonte pa kulturë dhe pa arsim. Pikërisht këtë vizion trashëgoi Prifti në veprën e tij.

Në kuptimin më të thellë, fryma fanoliane tek Peter Prifti nuk ishte imitim, por përthithje e vlerave që përbënin thelbin e filozofisë noliane: liri, arsim, drejtësi, kulturë dhe shërbim ndaj të mirës së përbashkët. Ashtu si Noli, ai besonte se “shqiptaria” nuk është vetëm çështje gjaku apo gjuhe, por një mënyrë e të menduarit dhe e të jetuarit që respekton dinjitetin e njeriut. Edhe pse nuk mori rrugën e klerit, ai ndoqi me devocion rrugën e dijes, që për të ishte një formë tjetër besimi, një fe intelektuale me qendër njeriun dhe Atdheun.

Kështu, lidhja midis Fan Nolit dhe Peter Priftit nuk ishte vetëm biografike, por edhe konceptuale. Ajo mishëron kalimin e një ideali nga një brez në tjetrin: nga brezi i rilindasve dhe të themeluesve të shtetit, te brezi i intelektualëve të diasporës që luftuan me penë për ta mbajtur të gjallë frymën e kombit në botën moderne. Në këtë vazhdimësi, Prifti mbetet dishepulli i fundit i Nolit, jo vetëm për faktin se e njohu për së afërmi, por sepse e përjetësoi mësimin e tij në vepra që flasin ende sot për një Shqipëri të lirë, të ndritur dhe njerëzore.

Rëndësia e veprës së tij në kohët moderne – Në realitetin e sotëm global, ku identitetet kombëtare përballen me sfida të reja kulturore, politike dhe teknologjike, studimi i veprës së Peter Priftit merr një domethënie të veçantë. Ai përfaqëson një model të rrallë të mendimit kritik shqiptar jashtë kufijve, që bashkoi rigorozitetin akademik me përgjegjësinë qytetare dhe atdhetare. Në një kohë kur shumë studiues përpiqen të kuptojnë marrëdhëniet e Shqipërisë me diasporën dhe rolin e saj në formësimin e imazhit kombëtar, puna e Priftit ofron një burim të pasur për të kuptuar se si intelektuali mund të shërbejë si urë mes kulturave dhe si ndërmjetës i vlerave universale. Ai ishte ndër të parët që solli çështjen shqiptare në debatin ndërkombëtar, duke i dhënë asaj peshë akademike dhe moralitet argumentues.

Në aspektin shkencor, veprat e tij janë një dëshmi e qasjes së balancuar që duhet të ketë studimi bashkëkohor mbi Shqipërinë dhe kombin shqiptar në përgjithësi. Në to nuk gjendet as ideologji e verbër, as sentimentalizëm, por një përpjekje për të kuptuar realitetin në dritën e fakteve dhe të mendimit të pavarur. Për studiuesit e rinj, përkthyesit dhe historianët e diasporës, Prifti mbetet një pikë referimi për mënyrën se si mund të ndërtohet një diskurs shkencor serioz mbi kombin pa rënë në propagandë. Ai dëshmoi se dashuria për Atdheun nuk qëndron në fjalë të mëdha, por në punë të qëndrueshme, në ndershmëri intelektuale dhe në përkushtimin ndaj dijes. Sot, leximi dhe analiza e veprës së tij nuk janë vetëm një nderim për një figurë të shquar të diasporës, por edhe një domosdoshmëri për të kuptuar më thellë se si mund të ndërtohet një identitet kombëtar i hapur, kritik dhe bashkëkohor.

Përmbyllje

Peter Prifti përfaqëson tipin më të përkryer të intelektualit shqiptaro-amerikan të shekullit XX: të formuar në Perëndim, por të lidhur fort me rrënjët shqiptare; kritik ndaj dogmave, por besnik ndaj vlerave kombëtare; i ftohtë në analizë, por i ngrohtë në ndjenjë. Ai ishte vazhdim i drejtpërdrejtë i traditës së Fan Nolit – mendimtarit, përkthyesit dhe dijetarit që besonte në fuqinë e arsimit dhe kulturës për të ndriçuar kombin. Në historinë e marrëdhënieve shqiptaro-amerikane, Peter Prifti mbetet jo vetëm studiuesi që i dha zë çështjes shqiptare në botën anglishtfolëse, por edhe njeriu që trashëgoi dhe përcolli frymën e Nolit – frymën e lirisë, dijes dhe humanizmit. Ai ishte dishepulli i fundit i një ideali që bashkonte Shqipërinë dhe Amerikën në një të vetme: idealin e përjetshëm të përparimit dhe të dinjitetit njerëzor.

Filed Under: Kulture

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 140
  • 141
  • 142
  • 143
  • 144
  • …
  • 2942
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • DIMENSIONET ETNOKULTURORE DHE NARRATIVE NË ROMANIN “SHTJELLË FATESH”
  • Mbreti Zog I, themeluesi i shtetit të parë modern shqiptar, burrshtetas, politikan dhe diplomat i rralle e shumë dimensional
  • 𝗔𝗹𝗯𝗮𝗻𝗶𝗮𝗻 𝗡𝗶𝗴𝗵𝘁 @ 𝗬𝗮𝗻𝗸𝗲𝗲 𝗦𝘁𝗮𝗱𝗶𝘂𝗺
  • 27 Vjetori i Betejës së Koshares – Një epokë lavdie, sakrifice dhe bashkimi kombëtar
  • Historia e Krizës së Kosovës 1999-2000 përmes Zarfave Postare
  • Ali Dino – deputeti i Çamërisë dhe artisti i shquar
  • “Rikoshete e fatit” dhe “Nusja e Topiajve”, botimet më të reja nga shkrimtarja Raimonda Moisiu -Sade
  • Zgjidhje urgjente për kërkesat e studentëve shqiptarë në Maqedoninë e Veriut
  • STILISTIKA DHE BOTA E PERSONAZHEVE
  • Nga kërcënimi te kompromisi: Realpolitika e armëpushimit Trump–Iran
  • KRYENGRITJA E MALËSISË SË MADHE E VITIT 1911 DHE RËNDËSIA E SAJ HISTORIKE
  • The Alliance That Doesn’t Exist
  • MAXIMILIAN LAMBERTZ – DIJETARI AUSTRIAK QË IA KUSHTOI JETËN STUDIMIT TË GJUHËS DHE FOLKLORIT SHQIPTAR
  • Shkodër, 8 prill 1937, kur vetëdija jonë kombëtare u lartësua nga “Lahuta e Malcis”, rrokaqielli i eposit në vargje i At Gjergj Fishtës
  • MASAKRA E TIVARIT DHE AJO NË FRONTIN E SREMIT – KRIM KUNDËR NJERËZIMIT!

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT