• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Lamtumirë pedagogu im dhe shkrimtar i shquar Musa Vyshka!

December 15, 2023 by s p

Nga Keze Kozeta Zylo/

Me dhimbje të madhe e mora lajmin e kobshëm për ndarjen para kohe nga jeta të profesor Musa Vyshkës, që çuditërisht në kujtesën e studentëve ai ngelet siç ka qenë i ri si në vitet, kur na ka dhënë leksionet e letërsisë shqipe.

Kam qenë e privilegjuar dhe me fat të mbaroja studimet e larta në Universitetin “Aleksandër Xhuvani” në Elbasan në djepin e Arsimit Kombëtar. Natyrisht për një studente të re plot ëndrra të dëgjoje në auditor profesor të nivelit të lartë shkencor-professional dhe pedagogjik si Musa Vyshka doemos qe do t’i kishje shembuj të drejtimit pedagogjik në jetë.

Ne studentët e letërsisë 1975-1979 gjithmonë mezi e prisnim orën e letërsisë shqipe të dëgjonim zërin magjik, të butë, autoritar dhe me një humor të hollë gjatë leksioneve të tij. Ai ishte i lirë si vetë letërsia e vërtetë, dinte të na drejtonte dhe ta çonte debatin në orët e poezisë, tregimeve, romaneve në mënyrën më tërheqëse dhe të bukur. Rinia gjithmonë e do poezinë dhe ne shpesh i drejtonim (ngacmonim) kujtesën e tij me pyetjet tona tek vargjet e dashurisë. Shpesh me studentët që sot janë pena të njohura ose mësuese të devotshme si me Vjollcën, Lirinë, Resmiun, Iqmetin, Fuatin, Reshidin, Hatixhen, Florën, Adën, Zamirën, Pranverën etj diskutonim apo bënin “plane” si do të debatojmë në leksionin e prof. Musa Vyshkës. Të qeshurat tona me humorin e hollë të profesorit më dukeshin shumë poetike, sot magjike kur i kujtoj.

Ai ishte nje poet delikat, në spjegim në sjellje, në lëvizjet para auditorit, ai ishte bilbil i Gjuhës Shqipe që e donte dhe i kushtoi një jetë të tërë.

Kur shkoja ne Shqipëri sipas mundësive do e takoja profesorin tim të nderuar duke i shprehur mirënjohjen e pakufishme dhe respektin për çfarë na kishte dhënë në Universitet. Herën e fundit kemi qenë në Tiranë tek kafja e famshme “Europa” ku zakonisht mblidhen, shkrimtarë, krijues, artistë etj. Kafen e lamë me shkrimtarin e mirënjohur Spiro Dede të cilët ishin miq të afërt. Ai dhe në kafe ishte shpirt i lirë, i pastër si pika e lotit. Në bisedë e sipër duke kujtuar dhe filluar me Dekanin e Universitetit si Vasil Kamami, profesorët e tjerë të nderuar si të ndjerët , Bedri Dedja, Qamil Buxheli, Mehmet Celiku, Tomorr Domi, Vasil Naska, apo me prof. Bardhyl Matraxhiu, Mustafa Karapinjolli, Vasil Naska, Tomorr Araniasi i thashë që kemi qenë vërtetë me shumë fat të merrnim dituri nga ju, ka qenë një plejadë profesorësh që vështirë se i kemi sot në këto kohra. -Unë do të iki neser i thashë, por disa libra të tyre i kam marrë me vehte për t’ju treguar nxënësve të mi në Amerikë. Çfarë kënaqësie do të kishja i thashë që këtë libër me poezi që po më dhuroni të vini dhe t’u flisni nxënësve. -Oh jo, kjo do të jetë e pamundur me tha të shoh Amerikën, ngase unë e kam tmerr avionin. Une jam shpirt i lirë dhe ju e dini shumë mirë këtë, në imagjinatën time avioni është një kafaz që s’mund ta mbylli dot kurrë Musa Vyshkën. Une sa të vë këmbën në avion o do t’i thërras Ëngjëjve të vinë të më marrin ose qoftë larg… Dhe kështu me humorin e tij që kishin plot mesazhe e bënte orën e leksionit 90 minuta të kalonte shumë shpejt. E lum profesor Vyshka se çfarë pasurie iu la studentëve, Arsimit Kombëtar, Letërsisë dhe Artit.

Musa Vyshka është lindur në Elbasan më 28 qershor 1942, u diplomua në degën “Gjuhë-Letërsi” në Tiranë 1960 -1964. Që nga krijimi i Institutit Pedagogjik të Elbasanit ishte pedagog i Letërsisë Shqipe dhe nga 1992-2002 ishte shef katedre i Letërsisë deri sa doli në pension. Pedagog Musa Vyshka ka ushtruar profesionin e gazetarirt. Në vitet 1981-1991, ishte Kryetar i Degës së Shkrimtarëve të Elbasanit, libretist në Teatrin “Skampa”.

Musa Vyshka ka qenë një ndër themeluesit e gazetës “Fjala e lirë”, por edhe anëtar i Keshillit Bashkiak të Elbasanit 1992-1996. Më 2022 është nderuar me titullin “Nderi i Qarkut të Elbasanit”.

Në poezitë e tij, shumica lirika të mrekullueshme ne ndjejmë dhe lexojmë një penë brilante si psh në poezinë: “Nuk di, të dhimbsesha apo më doje” , Në fund të arkës… një këmishë e vjetër/ Është vetë ajo e s’mund të jetë tjetër/ Ajo, praruar me mijëra ylberë/ Kurseva plot një verë për ta blerë/ E prita ditën të ma shihje ti,/ Por, kur e vesha, qielli krejt u nxi/ Ti pas rrëkeve heshtur më shikojë/ Nuk di: të dhimbsesha apo më doje/ Ai shikim i heshtur s’di ç’më tha/ Rrëke e fundit mbi këmishë ra.

Ai ishte poet i dashurisë, i më të ëmblës vepër dhe fjalë, herë herë para nesh dukej si një Esenin i vërtetë. Vargjet e tij jane vegëza dritëzash që frymëzojnë dhe edukojnë lexuesit me art, sqimën e fjalës, bukurinë e të shprehurit si psh në poezinë: O dashuri! o dritë e kësaj bote!

Ti fundi je i pritjes që s’ka fund/ Je prehja e shqetësimit që s’qetohet/ Sapo të shoh mërzia krahët shkund/ Trishtimi i trishtuar larg largohet/ Aq shumë të dashkam sa as vetë s’e di/ O dashuri! O dritë e kësaj bote/ Sa herë dal në pasqyrë, për çudi/ Veten kërkoj, më del fytyra jote!

Poeti ishquar dhe pedagogu im Musa Vyshka ishte siç thoshte Majakovski për Eseninin se është një poet që nuk lexohet, por këndohet si bardët e vjetër, ndërsa Gorki e ka quajtur “një organ i lindur vetëm për poezi”. Ai mjeshtërisht dhe me një dashuri të pashoqe iu këndonte fëmijëve duke i krahasuar me Diellin dhe ja se si: Kur qeshin fëmijët, Dielli na duket më i madh, më i zjarrtë/ ngjyrë e verdhë e rrezeve/ bëhet ngjyrë e artë/ Hëna sa një diell ndrin çdo natë.

Dhe doemos në përkujtimin tuaj dhe në shenjë mirënjohjeje do t’ja mësoj mbesës sime Dea-s dhe nxënësve në Amerikë, se ata vërtetë janë Dielli i Diasporës në Amerikë.

Dritë të pastë shpirti dhe poezitë tuaja do të jenë përgjithmonë ndriçim mbi çdo gur të kalasë elbasanase si dhe ndër zemrat tona si tek vargjet:

Do të fluturoj, do të tundem/ Stinë më stinë/Atje, Ku kam mbjellë këngët e mia/ Atje, Ku nuk do të digjem asnjëherë/ Dhe, i rinuar, mund të ngjallem përsëri/ Në degën që më përkundi/ Gjer në përjetësi…

Lamtumire profesori im i nderuar dhe shkrimtari i shquar i Atdheut!

14 dhjetor, 2023

Staten Island, New York

Filed Under: Sociale

Jo Samiti i Diasporës por Takimi i Mërgimtarëve Shqiptarë

December 15, 2023 by s p

Përdorimi i shprehjeve dhe termave të huaja ne jetën e përditshme dhe në media te shqiptarët është bërë shprehi e cila ka marrë përmasa shqetësuese, që është për çdo kritikë, ku emërtimi “Samiti i Diasporës” që u mbajt me 23 nëntor në Tiranë, është dëshmi e një konstatimi të tillë. Ndërsa ftesën për të marrë pjesë në këtë Samit të Diasporës, edhe shqiptarët nga trojet e tyre (Maqedoni të Veriut, Luginë të Preshevës, Kosovës e Mal të Zi) duhet vlerësuar si gabim teknik nga ana e organizatorëve, e jo se ata janë pjesë e diasporës. që duhet të jetë mësim për të ardhmën.

Nail Draga

Organizimi i veprimtarisë me emërtimin “Samiti i Diasporës”, që u mbajt në Tiranë me 22-23 nëntor 2023, paraqet ngjarje të veçantë në nivel mbarëkombëtar. Ishte ky takimi i tretë i kësaj veprimtarie ku kanë marrë pjesë shqiptarët nga e tërë bota, duke dëshmuar se takimi i tillë ka vlerë shumëdimensionale kombëtare.

Me këtë rast dua të ceki çështjen e emërtimit “Samiti i diasporës”, e cila ka marrë përmasa të mëdha në hapësirën shqiptare. Termi diasporë nuk është i panjohur, sepse ajo nuk është e kohës së re.Ajo është me prejardhje greke qe do të thotë “shpërndarje”, ku popullsia duke lëvizur nga vendi është vendosur në një vend tjetër.

Ne këtë aspekt te shqiptarët njihet diaspora historike, e cila është e hershme por me shumë njihet nga mesjeta(shek.XIV) e tutje. Pikërisht nga kjo kohë e më pas kemi vendosjen e arbëreshve(shqiptareve) në Itali e po ashtu edhe në Greqi, Bullgari, Rumani, Kroaci, Turqi, Egjipt etj.

Por, pas pavarësisë së Shqipërisë(1912) e më pas në sajë të luftërave dhe politikës asimiluese e pushtuese të fqinjëve tanë nga njëra anë dhe motiveve ekonomike nga ana tjetër shqiptarët kanë vazhduar të emigrojnë duke marrë epitetin e emigrantëve. Në këtë kategori bëjnë pjesë shqiptarët në hapësirën e tyre etnogjepgrafike në ish-Jugosllavi të cilët pas Luftës së Dytë Botërore kanë emigruar në vendet e ndryshme europiane si dhe në SHBA e Australi.

Ndërsa me rastin e dështimit të sistemit të diktaturës komuniste në Shqipëri nga viti 1991, emigrimi i popullsisë mori përmasa shqetësuese, dukuri e cila vazhdon edhe sot. Dhe e tëra kjo lëvizje migruese ka një emërtim të përbashkët, që është Mërgata shqiptare! Duke marrë parasysh se kemi një shpërndarje të shqiptarëve nepër vende të ndryshme të botës, është detyrë emërgjente e Qeverisë së Shqipërisë, të bëjë evidentimin përkatësisht regjistrimin e shqiptarëve në botë, për të pasur një numër optimal sikurse e bëjnë vendet demokratike që janë të përkushtuar për çëstjen kombetare. Në këtë drejtim mund të angazhohen përfaqësitë diplomatike si ambasadat apo konsullatat në vendet përkatëse, sepse me përjashtim të rastit, pothuaj i tërë personeli tyre është pasiv, që nuk është në favor të misionit të tyre diplomatik.

Gabimisht të ftuar

Nga organizatori i “Samitit të diasporës” përveç shqiptarëve në botë, janë ftuar edhe shqiptarët në trojet e tyre në hapësirën etnogjeografike shqiptare. Nuk ka dilemë se ftesa për të marrë pjesë ne një takim mbarëkombëtarë është e qëlluar, por çështja qendron të përmbajtja e emërtimit, sepse shqiptarët jashtë Shqipërisë londineze nuk janë diasporë, sepse janë në token e tyre dhe nuk i përkasin kësaj kategorie.

Andaj ftesën për të marrë pjesë në këtë Samit të Diasporës, edhe shqiptarët nga trojet e tyre (Maqedoni të Veriut, Luginë të Preshevës, Kosovës e Mal të Zi) duhet vlerësuar si gabim teknik nga ana e organizatorëve, e jo se ata janë pjesë e diasporës. që duhet të jetë mësim për të ardhmën.

Pa vlerësim e vëmendjen e duhur

Të gjithë jemi dëshmitarë ndonëse jemi në kohën e pluralizmit politik diaspora shqiptare nuk e ka vemendjen dhe vlerësimin e duhur nga qeveritë e shtetëve përkatëse. Ne këtë aspekt kritika kryesore bie mbi shtetin amë-Shqipërinë e cila duhet të angazhohet me të gjitha kapacitetet shtetërore për ta mbeshtetur diasporen. Por, jemi dëshmitarë se diaspora po përdoret nga politika vetëm për qellimet e veta nga ana e pushtetarëve e jo duke i trajtuar ata si pjesë e pandarë e shqiptarëve në atdhe.

Pikërisht këtu është dështimi i qeverive të Shqipërisë në pluralizëm, sepse atyre iu është mohuar e drejta legjitime për të marrë pjesë në votime sikurse qytetarët tjerë në Shqipëri. Një veprim i tillë absurd vazhdon gjithnjë se partitë politike e sidomos shumica parlamentare në Shqipëri, nuk e trajton këtë çështje me seriozitet, sepse ata i frigohen diasporës, sepse me votat e tyre mund të prishin objektivat e tyre për pushtet. Ne këtë aspekt shëmbull pozitiv shërben Kosova e cila ia ka mundësuar të marrë pjesë në votime edhe mërgata shqiptare, çështje e cila është definuar si normë ligjore.

Nga ana tjetër diasporës i është mohuar përfaqësimi i saj në dikasteret shtetërore dhe në strukturat vendimmarrëse. Ne këtë aspekt mendoj se do të ishte shumë pozitive prania e përfaqësuesve të ndryshëm të diasporës në diplomacinë shqiptare, sepse ata kanë kuadra të përgatitur qe do të nderonin diplomacinë shqiptare, e jo si deri tash që lënë për të dëshiruar. Andaj, pjesëmarrja e kuadrave shqiptare nga diaspora në diplomaci do të ishte risi dhe freski për të qenë model të përfaqësimit të shtetit Shqiptar, duke vendosur aty kuadra profesionale e jo partiake si kudo në botën demokratike.

Po ashtu duhet cekur se si me parë edhe tash kapitali financiar i diasporës ka qenë vendimtar për të ardhurat e shumë të familjeve shqiptare, që janë ballafaquar me vështirësi ekonomike, por nuk ka pasur vemendjen e duhur të qeverisë për të trajtuar këtë kategori me përparësi në investime në vendlindje.

Takim jo sa për fotografi

Takimin e Tiranës nuk duhet trajtuar si takim sa për fotografi, por me prezantimin e ideve dhe propozimeve konkrete për zhvillimin ekonomik dhe mbrojtjës së identitetit kombëtarë. Por, duhet thënë se në takimin e Tiranës kësaj here pjesëmarrësit e diasporës nga shumë shtete të botës kësaj here ishin me të paktë në numër. Pse ka ndodhur diçka e tillë i mbetet organizatorëve të japin shpjegimin e duhur, por duhet thënë haptazi se nuk na duhen fjalë por veprime konkrete, sepse diaspora meriton vemendjen e duhur në mënyrë të vazhdueshme. Qendrimi ndaj diasporës nuk duhet të varet nga partitë politike të cilat janë në pushtet sepse ajo është e të gjithë shqiptarëve si nga pozita e opozita, ndërsa politizimi i saj nuk është në favor të saj dhe çështjes kombëtare.

Ndërgjegjja e kombit

Duke marrë parasysh se kemi të bëjmë me takim mbarëkombëtarë do të ishte e udhës qe “Samiti i Diasporës” të quhet “Takimi i mërgimtarëve shqiptarë”, duke përfshirë edhe pjesëtarët nga diaspora historike dhe mërgimtarët shqiptarë nga shek.XX e këndej.

Pasi nuk kemi të bëjmë për çështje personale çështja e tillë duhet të jetë preokupuese për të gjithë e ne veçanti për institucionet shtetërore të cilat janë të obliguar për të mbrojtur gjuhën nga vërshimi i fjalëve dhe shprehjeve të huaja.

Ndërsa, duke vlerësuar lartë kontributin e saj në favor të çështjes kombetare, ku si shëmbull tipik është lufta e fundit në Kosovë, diaspora shqiptare ishte dhe ka mbetur ndërgjegja e kombit të cilën duhet mbeshtetur maksimalisht nga të gjithë institucionet shtetërore si kudo në vendet demokratike.

(Dhjetor 2023)

Filed Under: Fejton

DUKAGJINI KËSHTJELLË QËNDRESE DHE KRENARIE KOMBËTARE

December 15, 2023 by s p

Agron Prebibaj/

Jo shumë larg por diku përmbi Dri, në prehërin e alpeve shqiptare ndodhet krahina e krenarisë kombëtare, një emër i njohur për secilin bashkëkombas në trojet e veta e kudo që shqiptaret jetojnë. Ngacmuesi im për të shkruajtur ishte intelektuali dukagjinas Profesori Prelë Shytani i cili në një kafe më tha, se duhet shkruajtur sa më shumë për Dukagjinin! Unë menjëherë ju pergjigja- po, duke i thënë se keni të drejtë, kam shkruar ndër vite por unë jua kam borgj si pjesë e saj për nga traditat e zakonet e familjes time, megjithëse me gjenezë nga Malësia e Gjakoves.

Mesa duket emeri Dukagjin është pagëzuar nga vetë Zoti kur Ai foli njëherë shqip për të ofruar të gjitha mrekullite që nga deti e deri te kjo tokë e bekuar dardane më qëndresetare, besnike për të mbartur e trashëguar veset, traditat, zakonet e vyrtytet më të mira, për të shëruar kombin e vet kur ai plagoset.

Vërtetë Shqiperia ndër shekuj është plagosur shpesh, është tulatur, është t’kurrur, ka ndryshuar besim fetar e perulje ndaj së keqes, por sherbesat e referencat si Dukagjini na kanë shpetuar në identitetin tonë kombetar për të mos u përulur asnjeherë përballë ç’do lloj stuhie pushtuese edhe përse shpesheherë me kosto të madhe njerëzore. Ne fakt Dukagjini nuk është qytet, por pasuron qyteterimin shqiptar duke sjellur shumë histori dhe ajo çfarë befason është kultura e mëshiruar në ato alpe të thyera, mbi krye Bjeshkët e Namuna për të cilat gojetarët dukagjinas kanë pasuruar visaret e kombit.

Askund më shumë se në Dukagjin e në krahinat rrotull Zoti nuk foli më mirë shqip, bash aty pikturoi me mire, krijoi njeriun e fortë, qëndrestarë, besnik e human për të parakaluar kombe të mëdha si një referencë e shkëlqyer për studiuesit.

DUKAGJINI I SHKOLLËS SË ASHPER DHE DIJES

Atje në Dukagjin këndohej për kombin me dy-tre vegla muzikore (lahuta, fyelli e çiftelia), kur në djepin e kulturës shkruhej e lexohej, në Dukagjin shkolla ishte ne soben (odën) e burrave ku i madhi fliste për rregulla, për mbijetesën e humanizmin, kur në djepin e kulturës nën dhoma të mbyllura, atje në në Dukagjin shtepitë ishin kulla guri, kur djepi i kulturës pajtohej me pushtuesin, dukagjinasi zgjohej në mbrojtje të trevës së vet e për t’u bërë çlirimtare i qytetit të kulturës.

DUKAGJINI ELITË KOMBËTARE

Etja për dije e dukagjinasve e ka zanafillen nepermjet gojëdhenave duke i trashëguar ato tek brezat, pasi edhe kombi ynë në tëresi edhe përse i lashte, i zgjuar shumë vonë për nga e shkruajtura dhe lexuara megjithëse ata kishin privilegjin nepermjet shkollave të Juzoiteve të krijonin potenciale intelektuale me dituri, shkrim dhe lexim, shumë më përpara se zona fusharake.

Pa ju futur thelle shkollimit nga institucionet kishtare ku u arsimuan me dhjetra burra me duhet te veçoj elitën e qytetarisë shkodrane të lindur në Dukagjin të cilët ngriten lart jo vetem kulturën shkodrane e asaj kombëtare përmes përsonaliteteve të njohura kombëtare dukagjinase si: Ernest Koliqi, Martin Camaj, Frederik Rreshpja, Primo Shllaku, Ledio Dushi, Daniel Gjeçaj, Paulin Selimi, Gac Çuni e deri te shkrimtari i njohur shqiptar Lazer Stani e plot të tjerë.

Për t’u veçuar si krenaria dukagjinase është Kardinali i parë shqiptar Mikel Koliqi i emerurar nga Papa Gjon Pali.

Ndërsa aktorët e famshem te permasave kombetare si, Pjeter Gjoka, Ndreke Luca, Tinka Kurti, Viktor Bruçeti, Lec Shllaku të pasuar nga Katrina Biga, Frederik e Rita Ndoci, Bruno Shllaku etj, njëkohësisht shumë të pasur në sport në arenën kombetare e nderkombetare.

Kjo elita dukagjinase e rrëfyer me ndjenjë nga profesori Prele Shytani më len peng mua në vetëvete, pasi unë nuk mund ta shkruaj gjithe këtë elitë, por më shumë për te mos thenë se Shkodra e paska emrin Dukagjin.

Përsa i përket shkollimit, edhe Dukagjini i perket Shqiperise se arsimo-vonuar e cila daton në mars 1917, shkolla e parë Shqipe në Theth nga At Shtjefen Gjçovi e pasuar në Prekal e cila nuk zgjat per t’u përseritur në vitin 1936 po në Theth kjo shkollë shtetërore me mësues te parë Karlo Larja.

Me pas profesor Prela-vazhdon se në vitin 1941 në Dukagjin u hapen Shkolla ne Abat, Koder Shengjergj, Palaj, Xhan etj.

Ndërsa në luftën e analfabetizmit në 1946 u hapen shkolla fillore në çdo fshat, por ndryshimi erdhi si kudo ne Shqipëri në 1968 për herë të parë arsimi 8 vjeçar i detyrueshem. Normalisht tashmë edhe Dukagjini krijoi eliten e vetë me mesues me arsim perkates; Prele Shytani-Gimaj, Pjeter Smakaj-Abat, Mirash Ndrezaj(Lotaj-Vuksanaj), Fran Dardha-Toplane, Ymer Sterniqi-Kir, Tef Topalli-Plan të cilit gjysma nuk jetojnë.

Pas hapjes së shkollës së mesme në 1972 në

Breglumi, Dukagjini tashmë fillon ngritjen më të lartë të elitës për t’u përfaqesuar dënjesisht në Universitete e për të arritur majat e shkences shqiptare e me larg me profesor e intelektuale në sherbim të kombit, për t’u nderuar mbetet drejtori i shkolles së mesme Prele Grima i cili mund të shënohet si personaliteti i pare i mirëshkolluar ne altarin e dijes.

Me shume ngulje profesor Prele Shytani më referon mësuesit nga të gjitha shkollat e Dukagjinit porse unë në qellimin tim nuk kisha emrat por formen e përsosjen e arsimit dukagjinas pa menjanuar disa nga emrat; Lazer e Zef Fusha-Shale, Mirash e Ndue Ndrezaj, Ndue Pal Vata, Fran Dardha, Fran e Kole Cardaku, Lena Fusha, Luigj Shyti, Zef Bari, Ndoc Grima, Kole Gjoka, Lulash Ndoci, Ndue e Pashka Shytani, Pal Kroni, Prele Bregu etj.

Në Pult, Pjeter Selmi, Ndoc Odri, Tereze Brigja, Gjovalin Kodra, Pashko Arra, Ndue Straga, e plot te tjerë por për të perfunduar ne Shosh me pinjollin e nje familje dukagjinese me profesorin Prekë Vuksani i ndarë nga jeta, si dhe prosorët Lazër Kodra, Prel Milani që të dy poet e shkimtarë profesionit.

Por edhe muzika e përdorur edhe e kënduar mjeshterisht nga artistët dukagjinas në shekuj e sot është një shëmbelltyrë e kristalte.

Sikurse nuk mund të shmangem pa përmendur personalitetet me aktivitet politiko-kombetare si, Mark Lula-anetar i Lidhjes se Prizrenit, Mehmet Shpendi, Prof.Kole Prela e deri tek deputeti dukagjinas i zgjedhur dy herë në sistemin demokratik Kolë Tonaj, sigurisht edhe plotë të tjerë duke vëndosur të heq me dhjetera emra të referuara nga prof. Shytani.

Duke lënë shumë gjëra pa thënë, duke i hequr pjesërisht merakun prof.Preles i cili më kryqezoi me shumë fakte e emra të cilët ja pjestova me dy, me bindje se do rikthehem përseri në Dukagjinin tim te dashur si krenaria e malësise time.

Vetëm atje në Dukagjin e në krahinat rrotull fryn era e veriut të Naimit te madh, vetëm nga Dukagjini vjen frymezimi i nacionalizmit të shëndoshë kombetar, vetëm nga atje buron dashuria e pastër njerëzore, askund më mirë se në Dukagjin nuk janë mjellur ndjenjat per liri e besimi në Zot. Vërtetë krenari të jesh dukagjinas me familje të shënjtë të cilët përcjellin te brezat historinë, kulturën, traditat e zakonet, një frymëzim e sherbesë për secilin bashkëkombas.

Zoti e bekoftë secilën familje dukagjnase!

BOTUAR ME SHKURTIME.

Filed Under: Reportazh

BE-ja Serbisë: Marrëveshja dhe aneksi i Ohrit janë ligjërisht obliguese

December 15, 2023 by s p

Gjeraqina Tuhina / RTK, Bruksel/

Zyrtarët e Bashkimit Evropian kanë përsëritur qëndrimin se marrëveshja mbi rrugën drejt normalizimit të marrëdhënieve mes Kosovës e Serbisë është ligjërisht obliguese për të dyja palët.

Ky reagim vjen pasi që kryeministrja serbe Ana Bërnabiq ka dërguar letër në selinë e Bashkimit Evropian ku ajo konfirmon se Serbia nuk do t’i zbatojë të gjitha nenet e marrëveshjeve të arritura në Bruksel dhe Ohër.

Ndonëse në linjat e njëjta janë prononcuar disa zyrtarë të Beogradit, është kjo hera e parë që me shkrim konfirmohet mosgatishmëria e Serbisë që të zbatojë marrëveshjen në tërësi.

Zëdhënësi i Bashkimit Evropian, Peter Stano, ka porositur se Marrëveshja është e detyrueshme në tërësinë e saj për të dyja palët dhe se zbatimi do të jetë pjesë integrale e rrugës përkatëse evropiane, si për Serbinë, ashtu edhe për Kosovën.

Marrëveshja, sipas Stanos, është bërë ligjërisht e detyrueshme përmes deklaratës me shkrim të shefit të diplomacisë evropiane, Josep Borrel, më datën 18 mars, kur u arrit ujdia në Ohër.

Ky, sipas tij, ka qenë qëndrimi konsistent i BE-së, i cili gjithashtu është komunikuar publikisht në disa raste.

Marrëveshja në fjalë nuk është nënshkruar për shkak të refuzimit të presidentit serb, Aleksandër Vuçiq. Sidoqoftë karakteri ligjërisht detyrues, sipas ekspertëve evropianë, bazohet në Konventën e Vjenës, e cila në nenin 11 parasheh se “Pëlqimi i një shteti për të lidhur një traktat mund të shprehet me nënshkrim, shkëmbim të instrumenteve që përbëjnë një traktat, ratifikim, pranim, miratim apo me ose me çdo mjet tjetër nëse është rënë dakord”.

Zyrtarët evropianë, të kyçur në procesin e dialogut, kanë konifmruar se gjatë takimit të mbajtur në Ohër, kjo iu është qartësuar gjerësisht liderëve të cilët e kanë pranuar interpretimin e tillë.

May be an image of 1 person, newsroom and text

Like

Comment

Filed Under: Rajon

Presidenti i Universitetit Qiriazi Prof. Gjokë ULDEDAJ, priti në ambjentet e këtij Universiteti, Dr. Pashko R. Camaj, Sekretar i Përgjithshëm i Federatës Pan-Shqiptare të Amerikës VATRA

December 14, 2023 by s p

Dr. Pashko R. Camaj, mban gradën Doktor i Shkencave në Shëndet Publik, në Columbia University dhe është një personalitet me vlera dhe kontribute të spikatura shkencore, intelektuale dhe kombëtare.

Dr. Pashko R. Camaj është dekoruar nga Presidenti i Republikës së Shqipërisë me Titullin e Lartë: “Kalorës i Urdhrit të Skënderbeut”.

Në takim u theksua se “Vatra” me “Universitetin Qiriazi”, kanë të përbashkët kontribuesit: Motrat Qiriazi dhe rilindasin Kristo Dako, i cili në një kohë ka qenë kryetar i kësaj Federate dhe redaktor i “Diellit”, organit legjendar të “Vatrës”.

Gjithashtu u tha në vijim se, dy institucionet tona, “Vatra” dhe “Kolegji Universitar Qiriazi”, mund të bëjnë më shumë për vlerësimin e këtyre figurave emblematike të Rilindjes dhe të arsimit kombëtar shqiptar. Në takim ishin prezent edhe Prof. Gjok Vuksani dhe Dr. Gjovalin Gjeloshi.

Filed Under: Komente

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 1429
  • 1430
  • 1431
  • 1432
  • 1433
  • …
  • 2947
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • VATRA URON BESIMTARËT ORTODOKSË: GËZUAR DHE PËRSHUMËVJET PASHKËT
  • Fan Noli, apostull i ringjalljes shqiptare
  • KOSOVA NË NATO DHE ASNJËHERË ASOCIACION SERB
  • ELIOT ENGLE DHE HARRY BAJRAKTARI: NJË BASHKËPUNIM QË FUQIZOI ZËRIN SHQIPTAR NË SHTETET E BASHKUARA TË AMERIKËS
  • “Ngërçi Presidencial në Kosovë Zbulon një Dobësi të Kushtetutës”
  • KUJTIME PER ITALIANIN DOM ANTONIO SHARRA
  • MASAKRA E TIVARIT MARS-PRILL 1945
  • Kuptimi i Pashkëve Ortodokse – midis ritualit dhe ringjalljes së ndërgjegjes
  • RIKTHIMI I MUSTAFA MAKSUTIT NË FAQET E HISTORISË
  • Shqipëria në politikën ballkanike të Austro-Hungarisë
  • Eliot Engel, in memoriam…
  • VATRA TELEGRAM NGUSHËLLIMI PËR NDARJEN NGA JETA TË ELIOT ENGEL, MIKUT TË MADH TË KOMBIT SHQIPTAR
  • Përkujtojmë në përvjetorin e lindjes një nga figurat e Rilindjes Kombëtare, Aleksandër Stavre Drenova
  • GËRSHËRA E ARGJENDTË
  • Përgjithmonë vetëm mirnjohës për Kongresmenin Eliot Engel

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT