• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

MIRUSH KABASHI DHE…NDERET E TJERA TË KOMBIT

December 11, 2023 by s p

Frano Kulli/

Me Mirush Kabashin, në përvjetorin e 100- të të Konferencës së Paqes, 2019 në një aktivitet përnderues për Fishtën, patëm shkëmbyer këtë bisedë:

– Qysh kur e mban Fishta titullin “Nderi i Kombit”,- më pyet Mirushi.

– Nga 2002-shi-i përgjigjem unë… Mirushi ishte aty e do të recitonte njërën prej poezive të Fishtës, fort të pëlqyer prej tij, “I d’buemi”. Po përpara se të fillonte, iu drejtua pjesëmarrësve në atë veprimtari:

-A e dini se tani së voni i është dhënë titulli “Nderi i Kombit” këtij burri – dhe bëri me dorë nga shtatorja e Poetit Kombëtar, aty pranë.- Po të njëjtin titull si ky burri mbaj edhe unë. Edhe pse e di veten me njëfarë kontributi në këtë vend… s’di se si ndihem … nderi i kombit unë e nderi i kombit ky burri…, – e përmbylli parafjalën e tij atëhere Mirush Kabashi.

Më erdhi në kujtesë ky rrëfim i shkurtë i Mjeshtrit të madh, në ditën e fundit jetës së tij këtu, atëhere kur po përcillej për në botën e qiellit….

Pas veprimtarisë drekuam së bashku, vetë i treti, me Tonin Çobanin. Edhe aty, në tavolinë, te “Diella” në Kune e rimorëm përsëri në bisedë Fishten:

– Gjergj Fishta ka nga të huajt 4 dekorata të larta: “Mearif, kl. II, 1912”, akorduar prej qeverisë osmane, “Ritterkreuz, 1912” prej Austro-Hungarisë, prej Papa Piut XI “Medaglia di Benemerenza, 1925” dhe prej Mbretit të Greqisë “Phoenix”, 1931, të cilat figurojnë në jakën e zhgunit të fratit, në një foto të vitit 1932, është edhe një tjetër, që pak është e njohur dhe rrallë përmendet…

I dinte edhe Mirushi këto, po prap ai e ngacmonte biseden .

-Përpos katër dekoratave shumë të larta ka edhe disa dhurata simbolike për t’u shënuar. Një tufë atdhetarësh të qytetit të Beratit i kushtojnë një pendë ari, në shenjë nderimi e mirënjohjeje si shkrimtar e atdhetar (viti 1918). Po ka një dhuratë të shtrenjtë prej Krajl Nikollës së Malit të Zi: një teste (komplet prej 12 copësh) lugë, pirunj e thika prej ari, që Fishta e mbante në një vend të dukshëm të dhomës së tij në Kuvendin e Gjuhadolit dhe kishte dëshirë t’ua tregonte miqve, duke shtuar, jo pa ironi, se “këto janë punë krajlash”… -Kurse më e larta medalje nderuese prej kombit të vet, të cilit i dha emër si pakkush ndër shqiptarë, i akordohet vonë, shumë vonë. Në vitin 2002, pra.- rithekson me pezm Mirushi…

Nuk e di a e mbajnë këtë titull, më të lartin titull zyrtar nderimi ata baballarët e vërtetë të kombit, emër për emër ata, që historia jonë i ka shënuar si të tillë. Të gjithëpranuar e të pakontestuar… Ata, që në historitë e kombeve të qytetëruara kanë zënë vend në tempuj…

Atë ditë, unë edhe Tonini mësuam prej tij atë kumtin e trishtë të sëmundjes. Sapo ishte kthyer nga Turqia, i diagnostikuar me të keqen, por jo me shpresa të humbura…

Në prillin e sivjetëm ishim prapë së bashku në Namur (Belgjikë), të ftuar të Shoqatës “Nënë Tereza” atje, prej Arjan Bajraktarit, stërnip i Çun Mulës emërmadh të Hotit. Për Fishtën… Për “Gjuha shqype” tash, e për të tjera poezi që Mirushi i kishte për zemër. Me mjeshtrínë e rrallë që ai kishte e me pasionin e pashterrshëm…deri në frymën e fundit.

Pastë dritë, Mirushi i mirë !

Filed Under: LETERSI

LAPSH-i në Cyrih, po punon për të ruajtur gjuhën shqipe edhe te gjenerata e katërt e më tutje

December 11, 2023 by s p

Teksti: Dashnim HEBIBI / Foto: Lulzim Hasi/

Fotoreportazh nga manifestimi i LAPSH-it për kt. Cyrih/ Zvicër, kushtuar 28 Nëntorit.

“Në kantonin e Cyrihut janë 53 pika shkollore. Nxënës prezent vetëm që kanë marrur pjesë në program kanë qenë rreth 100, pra nuk kanë marrur pjesë në program të gjithë për arsye, që të mos zgjatet shumë programi. Por, edhe ata fëmijë nuk i kemi lënë anash, dukeshin dhe ishin si pjestarë të programit festiv, sepse të gjithë janë të njejtë, na tha ndër të tjera, z.Naser Ulaj.

Winterhur, 09 dhjetor 2023- Madhështore! E fillova këtë reportazh me fjalën më të mirë të mundshme. Ku ka më madhështore, se sa ti dëgjosh brezin e ri, shqiponjat e reja që po lindin e po rriten në diasporë dhe po i këndojnë Adem Jasharit! Ku ka më madhështore, kur ilirët e rinjë, po i recitojnë Skënderbeut, Ismail Qemajlit. Ku ka më madhështore se të vallëzosh shqip! Ku ka më madhështore se sa të njohësh patriotët e kombit! Ku ka më madhështore se sa ti mësosh fëmijët shqiptarë në diasporë për gjuhën, historinë, traditën e kulturën kombëtare. Ku ka më madhështore, sa e sa fjalë të tjera me vepra gjejmë te LAPSH-i. Edhe pse jemi, gati në mes të muajit dhjetor, në prag të vitit të ri dhe festa e nëntorit ka ditë që ka kalur, por për bashkatdhetarët, që ishin prezent nuk ishte e lodhshme, që të vijnë edhe në përkrahje të LAPSH-it për Cyrih për të kremtuar me gjeneratën e re të mërgatës sonë, që po lindin e po rriten në diasporë. Nuk ishte në program ndoj artistë me zë që të mbushet salla, por fëmijët mërgimtarë, ishin ata që këndonin e recitonin. Mjafton kjo, se janë brezi i ri me program, që ti përkrahim. Ka pasur shumë manifestime në gjithë diasporë tonë, diku ishim prezent e diku jo, por lirisht mundet të thuhet, se ky manifestim për nga përmbajtja ishte më i veçanti. Brezi i ri po i këndon flamurit, dëshmorëve të kombit e vendit të të parëve. Tashmë, jemi me gjeneratën e katërt në diasporë. LAPSH-i në Cyrih jo pa vështirësi, po i përballon kohës së pakohë dhe po e mbush sallën përplot e përplot me bashkatdhetarë dhe mbi të gjitha, programi prej fillimit e deri në mbarim ishte me fëmijët mërgimtarë. Me modesti kryesia e LAPSH-it me në ballë, z.Naser Ulaj, pritshin musafirët e ftuar dhe në anën tjetër, vraponin, që gjithçka të jetë në rregull, gjithçka të shkoj mirë. Winterthuri një qytet i bukur e përplot me bashkatdhetarë, ishte qendra e organizimit edhe për LAPSH-in e kantonin Cyrih. Kuq e zi. Gjithkah shihej flamuri ynë kombëtar. Edhe nëpër dyert e sallës, kishte punime të nxënësve, që kishin vizatuar atdhetarët tanë, dëshmorët si dhe shkruanin e kujtonin edhe për viset tjera shqiptare që janë të ndara nga trungu, kjo i gjasonte gazetës së murit. Salla ishte e përmbushur me bashkatdhetarë të të gjitha trevave shqiptare. Është thënë dhe është e vërtetë, se është LAPSH që i bashkon të gjithë shqiptarët nga të gjitha trevat shqiptare, pa dallim besimi apo bindje politike.

Zhurma e fëmijëve ishte e mjaltë

Kur edhe afrohej që të filloj programi e jashtë binte një shi i madh, fëmijët vraponin menjëherë pas mësueses apo mësuesit të tyre për ti treguar se jemi gati për programin. Kishin punuar me muaj të tërë. Për çdo respekt është puna e madhe që bëjnë mësuesit e LAPSH-it. E pamundur, që përmes pak fjalëve të këtij reportazhi të përshkruajmë gjithë ate që e kemi parë. Edhe pse isha në cilësinë e musafirit, nuk munda të mos shkruaj një reportazh për këtë ngjarje të madhe kombëtare e kur dihet, se nga kush po organizohet. Kryetari i LAPSH-it për kantonin e Cyrihut, z. Naser Ulaj, gjithnjë në bashkëbisedime me prindër, me nxënës, kolegë dhe me bashkatdhetarë. Skena ishte e përgaditur në mënyrën më të mirë të mundshme. Në anën e majtë të sallës, ishin disa tavolina të rezervuara për ambasadorët shqiptarë, ate të Shqipërisë, Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut dhe të konsullatës së Kosovës në Cyrih si dhe për deputetët shqiptarë kantonal dhe disa afaristëve. Për fat të mirë u mbushën edhe ato vende që ishin rezervuar, ngase munguan ambasadorët dhe prezentuan nga Konsullata e Kosovës në Cyrih, znj. Arjeta Gallopeni, konsulle e Republikës së Kosovës në Cyrih, pastaj z. Avni Zejnullahu zv.Konsull, si dhe deputeti kantonal, si Dafi Muharremi, etj. Musafirët u falënderoshin nga kryesia e LAPSH-it. Në sallë shihej edhe z. Nexhat Maloku, ish kryetar i LAPSH-it për Zvicër i cili me shumë dashamirësi bisedonte me mësuesit dhe prindër të fëmijëve të shkollës plotësuese shqipe. Prezent ishin edhe shumë veprimtarë të të gjitha trevave shqiptare, si z.Rafet Ademi, veprimtarë nga Lugina e Preshevës, Adem Osmani me bashkëshorten e tij dhe disa veprimtarë të tjerë.

Ajo që i binte në sy të gjithëve dhe bënin foto të shumta para se të filloj programi, ishte flamuri kuq e zi me një madhësi të madhe prej, 6 m/4.5 metra, ku ishte punuar në Kosovë, konkretisht në Gjakovë, falë bashkatdhetarit, z. Arsim Ahmetaj së bashku me bashkëshorten nga Shqiponja e Komunës së Gjakovës. Ishte syri i TV Diaspora me editorin e saj z.Esat Husaj, që kishte ardhur enkas për të përcjellur këtë program nga LAPSH-i për kantonin e Cyrihut. TV Diaspora programin e dha drejpërdrejt, televizion që njihet nga diaspora jonë, sepse hiq më pak se dy dekada, sa edhe egziston i ka dhënë hapësirë të madhe edhe LAPSH-it për Cyrih dhe në nivel Zvicre. Programi ishte parapa që të filloj në ora 18.00 dhe sapo kaluan akrepat e orës 18.00, kryesia e LAPSH me arsye të plotë kërkoi mirëkuptim nga të pranishmit edhe për pak minuta, ngase po bie një shi i madh dhe do të ketë pak vonesë. Pas hymnit kombëtar dhe të Kosovës, në skenë fjala hyrëse e përshëndetëse iu dha z.Naser Ulaj, kryetar i LAPSH-it për kt.Cyrih. Ai ndër të tjera i përshëndeti të gjithë të pranishmit dhe i uroi nëntorin e shqiptarëve dhe 111 vjetorin e shtetit shqiptarë si dhe elaboroi disa fjalë për 28 Nëntorin. Gjithashtu, z.Ulaj, falënderoi gjithë ekipin e mësuesve, prindërve, kryesinë e LAPSH-it, donatorët, shtetin zviceran për mbështetje dhe të gjithë të pranishmit. Ai shtoi, se jo pa vështirësi po funksionon LAPSH-i, por ne nuk do të ndalemi. Nuk jemi dorëzuar në ditët më të vështira dhe do të vazhdojmë deri sa të kemi frymën e fundit të kësaj jete, sepse puna jonë është e shenjtë, ne po punojmë për të ruajtur gjuën tonë të bukur shqipe. Falënderojmë edhe shtetin zviceran që na ka dhënë mundësinë. LAPSH-i ishte e do të mbetet formula e bashkimit të të gjithë shqiptarëve. Nuk kemi kursyer asgjë, që të punojmë për brezat e rinjë që po rriten e edukohen në diasporë. A ka më të mirë kur po i dëgjojmë sa bukur po recitojnë, këndojnë e flasin për historinë tonë kombëtare. Presim bashkëpunim më të mirë nga shtetet tona që të japim edhe më të mirën për gjeneratën e re. Kemi një rini të shkëlqyer, që edhe nëpër shkollat zvicerane po korrin suksese e dita ditës po dalin intelektual të shumtë. Të punojmë sa më shumë, që të ruajmë gjuhën e traditën tonë kombëtare. Fjala përshëndetëse iu dha edhe znj. Arjeta Gallopeni, Konsulle e Republikës së Kosovës në Cyrih e cila përshëndeti kryesinë e LAPSH-it, mësueset/it, të gjithë bashkatdhetarët dhe i uroi për 28 Nëntorin, ndër të tjera vlerësoi lart punën, që po bënë LAPSH-i për gjuhën shqipe. Atëherë, kur i pamë fëmijët në skenë të gjithë të pranishmit u ngritën në këmbë dhe në duart e tyre shiheshin telefonat duke regjistruar buzëqeshjet e përshëndetjet e sinqerta të fëmijëve.

Origjinaliteti i nxënësve të shkollës plotësuese shqipe „Naim Frashëri“ i mbante në emocione të gjithë të pranishmit

Programet e LAPSH-it në Cyrih, dihen se janë me hyrje të lirë, pra nuk kanë obligime të pranishmit që të paguajnë. Sytë e fëmijëve ishin të sinqertë, duke shikuar mos po i shohin prindërit e tyre e familjen, ku krenoheshin, se kanë ardhur për ti përcjellur. Mësueset/it, kishin një punë të madhe, duke dashur që gjithçka të shkoj mirë. Pas çdo poezie, kënge dhe valleje, fëmijët merrnin duartrokitje. Kishte shkuar ora 21.00 dhe salla ishte përplot. Aty në mes të programit, këshilli organizativ i LAPSH bëri mirë, që dha 15 minuta një pushim të shkurtër deri sa të përgaditen fëmijët për të vallëzuar e në anën tjetër, këngëtarit Gëzim Jaha iu dha fjala dhe fjala e tij ishte kënga e bukur shqipe. Të gjithë të pranishmit filluan të këndojnë këngë të bashkimit kombëtar. Moderatori, z.Ramadan Morina, me moderimin e tij të shkëlqyer, herë pas here jepte edhe humorin e bukur. Në një prononcim ekskluziv për median tonë, z.Naser Ulaj na njoftoi se: „Në kantonin e Cyrihut janë 53 pika shkollore. Nxënës prezent vetëm që kanë marrur pjesë në program kanë qenë rreth 100 pra nuk kanë marrur pjesë në program të gjithë për shkakun të mos zgjatet shumë programi. Por, edhe ata fëmijë dukeshin si pjestarë të programit festiv, sepse të gjithë janë të njejtë“. Sa po mundohem që të përmbylli reportazhin, prap më duhet të përshkruaj edhe ca detaje të tjera. I gjithë stafi i LAPSH-it për kt.Cyrih meriton mirënjohje për punën e tyre vullnetare që po e bëjnë për këto manifestime. Që të mos fillojmë me e përmend ndonjërin, se mundemi me e harru dikend. Por, jam shumë i sigurt, se nuk bëjnë punë për ti përmendur, por të dhënë kontribut kombëtar.

E shtuna dhe e diela është ditë pushimi për shumicën e mërgatës, por për mësuesit jo, ata me muaj të tërë, të shtunave e të dielave kanë punuar që nxënësit e tyre të prezentohen dhe ti këndojnë e recitojnë gjuhës shqipe, flamurit kombëtare e heronjëve.

E papërshkrueshme ishte zëri i fëmijëve, kur i kënduan Adem Jasharit, që të gjithë me një zë dhe duke prekur edhe ballin e tokën, për t`iu përshtatur tekstit. Përbesë, punë e madhe e mësuesëve. Për çdo lavdëratë. Nxënësit e shkollës plotësuese shqipe „Naim Frashëri“, me besim të plotë, me veshje kombëtare dhe shumë të tjerë me kravata moderne, dëshmonin, se rinia shqiptare nuk do të harroj kurrë prejardhjen e tyre dhe do të punojnë për të ruajtur gjuhën. Do të vije koha, që këta fëmijë të vegjël, që janë rritur e po rriten në diasporë, një ditë, do të kërkojnë fotografitë e tyre nëpër manifestime të ndryshme, por edhe video e shkrime që janë shkruar për ata. E për mësuesit nuk ka mirënjohje më të madhe, se do të jenë të përjetshëm në zemrat e gjeneratave, që do të vijnë e do të kujtohen me dekada e shekuj. Ashtu siç pamë në heshtje pa e thënë më gjatë nga kryesia e LAPSH-it dhe mësuesve, kërkojnë mbështetje më të madhe nga të gjithë ata, që munden dhe janë kopetent. Sa herë, që jemi bashkë, dalim fitues. Detyra e mësuesit në diasporë është e shenjtë, ata me vite e vite kanë punuar në LAPSH dhe nuk do të dorëzohen, sepse para vetes kanë qëllimin apo interesin për ta ruajtur gjuhën shqipe dhe jo për të rrahur gjoksin. Nuk mungonin edhe përqafimet e fëmijëve nga mësuesit e tyre, sepse ishin të kënaqur me prezentimin, por edhe të prindërve të tyre, që shiheshin edhe lotët e gëzimit. Buqetat me lule merrnin edhe mësueset e mësuesit. Krejt në fund, u ndanë edhe mirënjohje për veprimtarin e njohur z.Adem Osmani me bashkëshorten e tij, si përkrahës i LAPSH edhe për kantonin Cyrih, si dhe veprimtarin tjetër, z. Fadil Sylaj i cili ka dhënë kontribut, pra është një nga administratorët e parë të LAPSH për kantonin Cyrih. Edhe z.Osmani dhe Sylaj, falënderuan kryesinë e LAPSH-it dhe vlerësuan lart punën që po bëjnë. Në fund të programit z.Naser Ulaj, kryetar i LAPSH-it për kt.Cyrih falënderoi kryesinë, mësueset/it, prindërit, nxënësit, afaristët, mediat dhe të gjithë bashkatdhetarët, që kanë kontribuar e po kontribuojnë për shkollën plotësuese shqipe „Naim Frashëri“ dhe i uroi që të gjithë për festat e fundvitit, shëndet e sa ma shumë lajme të mira për kombin tonë, paqe gjtihandej dhe të jemi të bashkuar. Se si ka shkuar në përgjithësi programi festiv mundeni ta gjeni në TV Diaspora në youtube. Flamuri kombëtar, ai i Zvicrës dhe i Kosovës, pastaj plisi, sofra dhe Hyjnesha në fron e fëmijët në skenë me veshje kombëtare, portretet e dëshmorëve të kombit, të gjasonte se je në trevat tona shqiptare. LAPSH-i ishte e do të mbetet, formula më e mirë e mundshme, që i bashkon të gjithë shqiptarët rreth flamurit tonë kombëtar, pa dallim nga cila trevë vjen, cilit besim i takon apo bindjes politike. Le të jetë ashtu, gjuha shqipe do të jehoj për jetë të jetëve. Gëzuar festat e fundvitit! Bashkë dhe vetëm bashkë!

Filed Under: Ekonomi

MUNGESA E KONCEPTEVE ZHVILLIMORE JETËN E BËN MË TË VËSHTIRË-SHEMBULL KONKRET DËSHTIMI NË TESTIN PISA

December 11, 2023 by s p

Prend Ndoja/

Gajtë vizitës sime në Kosovë, para së gjithash më gëzoi fakti se Kosova është e lirë dhe çdoherë që e vizitoj vendlindjen, me respektin më të madh u përulem të gjithë atyre që kontribuan për të na sjellë lirinë. Por, krahas kësaj qëndron fakti se sot po afrohemi te çereku i një shekulli pa pushtues, por ende nuk jetojmë ashtu siç e ëndërronim jetën në liri. Kur diçka mungon në jetën e një e shoqërie, dëgjohen ankesat gjithandej, pastaj njerëzit parimisht e kërkojnë dhe shkakun apo rrjedhën e pakënaqësisë. Suksesi i këtyre kërkesave të popullit tonë ka mbetur në mjegull e në mungesë të ideatorëve të ndershëm, përgjigjet në ankesat e parashtruara kanë mbetur në udhëkryq. Kërkesat dhe ankesat fillojnë që nga jeta sociale, por edhe politike, ekonomike etj. Aty ku mungon atdhedashuria, vritet ndërgjegjja, bie poshtë karakteri njerëzor. Në raste të tilla të pandërgjegjshmit i zënë vendet udhëheqëse pa meritë. Nga paaftësitë e tyre profesionale dhe karakteri i dobët, ata, para edukatës, para kulturës dhe parimeve njerëzore, para mirëqenies së popullit e vënë luksin e tyre të paskajshëm. Për ta siguruar jetën e tyre luksoze, ata krijojnë shoqëritë e tyre të veçanta, e, brenda asaj shoqërie apo rrjeti qarkullojnë të gjitha përfitimet e paligjshme e çnjerëzore. Ata, për të mbuluar gjurmët e tyre, krijojnë mjegullira aty ku armiqtë gjejnë hapësirë të lirë të depërtojnë në jetën tonë. Këta “gjysmëanalfabetë” (me disa përjashtime), për t’i anashkaluar problemet kyçe të kombit i sjellin besimet fetare në skenë, që populli të mallojë fushave të kotësisë. Aty gjejnë hapësirë krimet dhe lëvizjet çnjerëzore. Në vend se institucionet, duke përfshirë edhe Akademinë e Shkencave të kenë projekte në duart e tyre e të triumfojnë rezultatet në proceset shkencore, ekonomike e kulturore, vendet i lëmë gjysmë të zbrazura apo të pasukseshme dhe u hapim derën armiqve tanë të sjellin në skenë ekstremizimin fetar. Nga ky fenomen, njerëzit e paformuar mirë kombëtarisht pranojnë robërimin e kulturës sonë kombëtare në të gjitha sferat; duke i respektuar normat e ndonjë kulture tjetër, përbaltet kultura, arsimi etj. Me apo pa qëllim, ndodh që shpeshherë i bëjnë si një testim njëri-tjetrit – Zotin apo Kombin dhe duke pretenduar ta duan kombin e sulmojmë Zotin apo anasjelltas e flasin në emër të tij thua se ata janë Zoti, apo Zoti qenka një njeri që i dëgjon vetëm ata.

Në mungesë të drejtësisë në ekonomi dhe në mugesë të një kulture dhe respekti ndaj punës, te një masë e madhe e popullit është futur verbërisht në ndërdijen e tyre ideja se nuk ka kushte të mjaftushme për ta ndërtuar dhe zhvilluar jetën në Kosovë. Kjo është qasje plotësisht e gabueshme, sepse vendi ynë radhitet ndër vendet që i plotëson kushtet më të mira për të zhvilluar një jetë të lumtur. Shkaktar i krijimit të një mendimi të tillë janë shumë faktorë, ndër ta janë personat që i kanë uzurpuar vendet e punës, si dhe moszbatimi i duhur i ligjit për të drejtat e punëtorëve. Ndërsa është fakt që “patronët”, për interesat e tyre personale dhe partiake i sjellin me qindra punëtorë nga Lindja e Mesme në Kosovë, ndërsa pa asnjë mëshirë i hapin derën rinisë sonë të largohet nga vendi. Nga mendjet me ndikim negativ, apo me vetëdije të zbehur kombëtare, dalin edhe teori të padefinuara në parimet e tyre para masës së popullit dhe jam i sigurtë se nuk ka asnjë progres pa i pasur të qarta parimet e tyre. Andaj edhe në biseda që pata më njerëz adekuatë e përgjegjës për t’i dhënë udhëzime popullit, nuk e pashë një koncept të përpiluar definitiv, që tregon qartësinë e një dritareje apo dere të re që ta ndihmojnë popullin tonë në të gjitha sferat, e në veçani në arsim.

Në mungesë të personave adekuatë në arsim, që nga sindikata e deri te mësimdhënësit (me ndonjë përjashtim), sot arsimi është në gjendje të mjerueshme. Ndërprerja e mësimit me javë të tëra dhe shumë të tjera kanë bërë që testi PISA të japë rezultate të papranueshme, ndërsa nga paaftësia për t’u marrë me realitetin fajin ia hedhin njëri-tjetrit, si një top lojrash. Thjeshtë investimet në jeten private, në vila dhe hotele në zonat më të bukura bregdetare dhe viset malore po shkëlqejnë, por investimet në arsim, aty ku kultivohet dija, ku është e sotmja dhe e nesërmja, aty ku është fati i kombit tonë nuk investohet, mos të themi që edhe keqpërdoret ajo grimë e buxhetit. Aty ku etikës dhe kulturës së arsimit i bie morali, aty i dituri tundohet, i padituri diplomohet, e, më në fund shoqëria varfërohet.

Fatbardhësisht kemi disa përjashtime dhe duhet të përmendi disa shkolla, “Don Bosko” në Prishtinë dhe “Loyola-Gymnasium” në Prizren. Njërën nga këto shkolla, “Loyola-Gymnasium” qëllimisht e vizitova, për të shikuar zhvillimin e mësimit dhe për të bërë krahasimin me shkollat tjera. Aty më impresionuan me metodat dhe avancimin e programeve bashkëkohore në mësimdhënie. Niveli i cilësisë së zhvillimit të mësimit në përgjithësi si dhe kushtet që i ofronte objekti, reflektonin në rezultatet e nxënëseve. U gëzova që aty u ndjeva si në vendet më të përparuara në fushën e arsimit. E takova dhe drejtorin e shkollës, z. Enver Sulaj, një njeri energjik e i palodhshëm. Në pamjen e parë te ai reflektonte thjeshtësia dhe modestia e një njeriu të arsimuar, duke na shoqëruar dhe njohur me planprogramet si dhe me objektin e shkollës. Dallohej fare lehtë entuziazmi dhe dëshira e tij e flaktë për të arritur në majat e sukseseve me nxënësit që e vijojnë këtë shkollë. Njëherit aty e takova edhe z. Giselher Woite, drejtor ekzekutiv i Asociation “Loyola-Gymnasium”, një njeri i mirëformuar në fushën e arsimit, i cili nga entuziazmi për përhapjen e diturisë deshironte që arritjet dhe cilësitë e mësimit në “Loyola” t’i shpërndante edhe nëpër shkollat tjera të Kosovës.

Vizitova edhe disa shkolla të tjera. Do të mbetesha i lumtur po të mos i vizitoja fare; aty me forcë e fsheha vuajtjen që më ishte mbështjellur në brendi që mos të dalë në shesh. Shkollat gjysmë të zbrazura, aty ku dikur gjallëronin fëmijët tanë si bleta rreth kosheres, dikur me dy apo tri paralele të ndara, me mbi 30 nxënës në një klasë, tani kishin mbetur 10-12 nxënës në një klasë, ndër ta një pjesë e madhe e komunitetit ashkali. Ndërsa në shkollën ku për herë të parë i mësova shkronjat, u ula në bankën ku dikur isha ulur me një abetare, një laps dhe një fletore. Me shumë mallëngjim m‘u kujtuan mësuesit e dikurshëm, të mirëpajisur me dituri, të varfër e pa ndonjë luks të veçantë ecnin këmbë, por ata ishin mësimdhënës në kuptimin e plotë të fjalës MËSUES. Ata ishin të gatshëm ta shkrijnë edhe jetën e tyre, vetëm e vetëm për të na pajisur me edukatë e dituri.

Gjatë vizitës sime në vendlindje gëzimi printe shumë hapa përpara në krahasim më hidhërimin që vinte pas. Gëzimi triumfonte kur e shikoja para meje një popull energjik, një racë ndër më të bukurën e botës, një popull që di t‘i respektojë kodet njerëzore, duke filluar që nga familja e deri te popujt tjetë. Mbushesha më gëzim kur e shikoja natyrën e vendit tim, ndër më të bukurat e botës, me pasuri nëntokësore e mbitokësore, me diell e rreze të mjaftushme, me ujë të bollshëm e ajër të pastër, të cilat shumë vende të botës do të dëshironn t’i kishin, por vuajnë për mungesën e tyre.

Filed Under: Fejton

Exploring Neuroleadership: Lessons from an Albanian Leader, Mother Teresa

December 11, 2023 by s p

Prof. Dr. Fadil Çitaku/

Introduction

Neuroleadership is an emerging field that combines neuroscience principles with leadership strategies to understand and enhance leadership effectiveness. As organizations seek innovative approaches to leadership, the integration of neurological insights has gained prominence. According to Rock and Schwartz (2006), neuroleadership focuses on applying neuroscience findings to improve leadership practices. This article explores the concept of neuroleadership and draws insights from the exemplary leadership of Mother Teresa, offering valuable lessons for contemporary leaders.

Neuroleadership Fundamentals

Neuroleadership is rooted in the understanding of how the brain functions in various leadership contexts. Goleman (2006) argues that emotional intelligence, a key component of neuroleadership, plays a pivotal role in effective leadership. Leaders who are adept at understanding and managing their own emotions, as well as those of others, tend to create positive organizational climates. By leveraging neuroscientific insights, leaders can cultivate emotional intelligence, fostering better decision-making and team dynamics (Boyatzis, 2011).

Mother Teresa’s Leadership Exemplified

Mother Teresa, known for her unwavering dedication to serving the impoverished, exemplified transformative leadership. Her selfless acts and compassion for humanity provide a compelling case study for neuroleadership principles. As highlighted by Cardona et al. (2018), Mother Teresa’s ability to connect with people at a deeply emotional level showcased the power of empathy, a fundamental aspect of neuroleadership. Her leadership style, characterized by humility and genuine care, resonates with the neuroscientific emphasis on social intelligence in effective leadership (Goleman, 2006).

Neuroplasticity and Adaptive Leadership

Neuroplasticity, the brain’s ability to reorganize itself in response to new experiences, is a cornerstone of neuroleadership. Adaptive leadership, as advocated by Heifetz and Laurie (2001), aligns with neuroplasticity by encouraging leaders to learn and adapt continuously. Applying neuroscientific principles, leaders can embrace change, foster innovation, and enhance organizational resilience. Mother Teresa’s adaptability to diverse cultural and social contexts underscores the significance of flexible and agile leadership (Prabhu, 2019).

Neuroleadership in Decision-Making

Neuroleadership sheds light on the neural processes underlying decision-making. Leadership decisions are often complex and require a nuanced understanding of cognitive processes. Rock and Grant (2016) emphasize the importance of considering both analytical and intuitive thinking in decision-making. Mother Teresa’s ability to make compassionate and morally grounded decisions aligns with the neuroleadership framework, emphasizing the integration of rational and emotional intelligence for sound leadership choices.

Conclusion

In conclusion, neuroleadership provides a valuable framework for understanding and improving leadership practices. Mother Teresa’s exemplary leadership offers practical insights that resonate with neuroscientific principles. By embracing emotional intelligence, practicing adaptive leadership, and considering the neural basis of decision-making, leaders can enhance their effectiveness in today’s dynamic and challenging environments. The convergence of neuroleadership principles with the compassionate leadership of Mother Teresa serves as an inspiring model for leaders seeking to make a positive impact on both individuals and organizations.

References:

Rock, D., & Schwartz, J. (2006). The neuroscience of leadership. Strategy+Business, 43, 70-77.

Goleman, D. (2006). Social intelligence: The new science of human relationships. Bantam.

Boyatzis, R. E. (2011). Leadership development from a complexity perspective. Consulting Psychology Journal: Practice and Research, 63(2), 86-105.

Cardona, P., et al. (2018). Mother Teresa: The Saint of the Gutters. Frontiers in Psychology, 9, 844.

Heifetz, R. A., & Laurie, D. L. (2001). The work of leadership. Harvard Business Review, 79(11), 131-141.

Prabhu, G. (2019). Mother Teresa: A leadership legacy of love. International Journal of Management, IT and Engineering, 9(5), 319-332.

Rock, D., & Grant, H. (2016). Why diverse teams are smarter. Harvard Business Review, 94(11), 90-97.

The Academy of Leadership Sciences Switzerland www.alss-edu.ch takes pride in its commitment to advancing evidence-based leadership globally. Our 100% online courses and programs integrate the latest neuroleadership findings to provide cutting-edge education and development opportunities.

Filed Under: ESSE

Për Nolin në SHBA

December 9, 2023 by s p

Rafaela Prifti/

Bashkësia shqiptare amerikane ka mundësinë ta vlerësojë këtë vigan që pati fatin e madh ta ketë kombi shqiptar me një sërë projektesh që mund të nisin nga vendosja e një mbishkrimi pranë ish-banesës së tij në Boston, një dhomë studimi me emrin e tij në Universitetin e Harvard-it, një bust në bibliotekën e Bostonit, një pllakë përkujtimore në ish-shtëpinë e tij në Fort Lauderdale, një dedikim në sallonin e hyrjes të Konservatorit të Nju Ingland (The New England Conservatory of Music), një shkollë me emrin e tij dhe shumë të tjera. Një prej ideve mund të ishte kërkesa për ta përjetësuar në një pullë postare. Mund të mos jetë akt aq i pabujshëm sa kthimi i eshtrave, por ka domethënie dhe vlerësim të thellë njësoj me ndjesinë që përjetojmë kur shohim pullën me portretin e Nënë Terezës.

Filatelia e Shqipërisë e ka nderuar Fan Nolin me rastin e njëqind vjetorit të lindjes në vitin 1982. Ky është një shembull brenda vendit por edhe jashtë kufijve të Shqipërisë. Shtete si Maqedonia e Veriut i kanë dhënë vend në koleksionin e pullave të tyre për figura historike dhe personalitete të shquara. Komuniteti shqiptar në Nju Jork arriti të përuronte rrugën Fan Noli në Bronx vitin e kaluar, çka ishte një fillim i mbarë për ta pasur atë më të pranishëm në mesin tonë në Amerikë.

Propozimi për ta çuar Nolin në Shqipëri është i hershëm. Kërkesën e parë për kthimin e trupit të Nolit në Shqipëri e ka bërë qeveria shqiptare më 15 mars 1965, dy ditë pas njoftimit të vdekjes së Nolit, me anë të një telegrami drejtuar Kishës Ortodokse Shqiptare në Amerikë. E njëjta ide ka qarkulluar herë pas here dhe u paraqit si kërkesë në periudhën e kthimit të eshtrave të Faik Konicës në Shqipëri. Argumentet e atëhershme vlejnë edhe sot.

Përkrahësit e propozimit thonë se riatdhesimi i Nolit është kundërvënie ndaj Kryepeshkopit Janullatos. Kjo nuk qëndron, sepse ata nuk kanë të njëjtin status në kontekstin kishtar. Veç të tjerave, të drejtat ekskluzive mbi eshtrat e Fan Nolit i përkasin Kryepeshkopatës Ortodokse Shqiptare në Amerikë. Dhe nëse keni kureshtje të dini se ku prehen kryepeshkopët e parë të Kishës Autoqefale në Shqipëri nuk do ta dëshironit kthimin e Nolit në Shqipëri.

Pse nuk qëndron argumenti “fetar” për kthimin e eshtrave të Nolit në Shqipëri për të eklipsuar Kryepeshkopin Anastas Janullatosin? Përpara njohjes së Autoqefalisë, Kryepeshkopi i parë ishte Visarion Xhuvani. Nga viti 1929 në 1937 ai ishte Kryepeshkopi i Tiranës, Durrësit dhe të gjithë Shqipërisë, ose thjesht Kryepeshkopi i Shqipërisë, i cili është njëherit edhe Kryepeshkop i Kishës Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë, duke qenë gjithashtu kryetar i Sinodit të Shenjtë të kishës. Ndërsa Fan Noli ka status të veçantë. Si themelues i Kryepeshkopatës Ortodokse Shqiptare në Amerikë, të drejtat ekskluzive mbi trupin e tij i takojnë këtij institucioni.

Ku kanë përfunduar eshtrat e kryepeshkopëve të parë të Kishës Autoqefale në Shqipëri? Varri i Visarion Xhuvanit*, ish-Senator i Elbasanit, Kryepeshkop i Shqipërisë, Peshkop i Beratit dhe Dëshmor i Besimit dhe i Ndërgjegjjes, gjendet në fshatin Shijon, në Elbasan, në një rrëpirë rrethuar nga ferrat dhe balta. Pas njohjes së Autoqefalisë më 1937, Kryepeshkopi tjetër ishte Kristofor Kisi+ nga viti 1937 deri më 1948. Pas tij, ishte Paisi Vodica+ i cili shërbeu nga 1948 deri më 1966, dhe i fundit përpara mbylljes së Kishës ishte Damian Kokoneshi për periudhën 1966-1973.

Përse ka rëndësi? Autoqefalia, e cila është një nga sukseset e punës atdhetare të Nolit e ka gjenezën në Shtetet e Bashkuara, pikërisht në Ohio. “Krijimi i një juridiksioni të Ortodoksisë Shqiptare nuk mund të ndodhte gjatë periudhës së Luftës Ballkanike. Patriotët shqiptarë i përqëndruan përpjekjet në Amerikë. Theofan Noli nën udhëheqësinë e të cilit ishte krijuar “Vatra” në Boston arriti një fitore diplomatike duke ia paraqitur personalisht kërkesat e Shqipërisë Presidentit amerikan Udrou Uilson. Ai hartoi një memorandum të nënshkruar nga priftërinjtë ku kërkonte përkrahjen e Presidentit si dhe refuzimin e pretendimeve se shqiptarët ortodokse janë grekë.

Me synim që të krijonte fronin episkopal në atdhe, Noli dhe i Përndrituri Vagjel Çamçe shkuan në Kongresin e Metropolitanës Ruse në Ohio, në mars 1918. Ortodoksët shqiptarë dhe rumunë, të persekutuar nga kishat e tjera, kishin gjetur përkrahjen e Patrikanës së Moskës në kërkesën për të krijuar dioqezën e tyre. Kongresi e pranoi kërkesën por e vonoi vendimin duke pritur dhënien e lejes nga Patriarku i Moskës. Pavarësisht nga kjo pengesë, Kongresi mori vendim më 24 mars 1918 që të krijohej Misioni i Ortodoksisë Shqiptare në Amerikë nën drejtimin e Të Përndriturit Theofan Noli. (Fragment nga libri The Albanian Orthodox Church, A Political History, 1878-1945, Ardit Bido* p. 56) Dekreti shënon pikënisjen e Kishës Autoqefale Shqiptare.

Kush e ka kërkuar së pari kthimin e trupit të Fan Nolit në Shqipëri? Qeveria shqiptare më 15 mars 1965, dy ditë pas njoftimit të vdekjes së Nolit, kërkonte kthimin e trupit të tij në Shqipëri me anë të një telegrami drejtuar Kishës Ortodokse Shqiptare në Amerikë. Tirana u shprehte ngushëllime “gjithë vëllezërve patriotë për humbjen e rëndë të atdhetarit të madh dhe luftëtarit të zjarrtë e të paepur për pavarësinë dhe lulëzimin e Shqipërisë…” dhe me këtë rast përçonte dëshirën në emër të popullit shqiptar, që trupi i Nolit “të sillet e të prehet përjetë në atdheun e tij të shtrenjtë…”

Autori Shefqet Salihu shkruan në librin “Mërgata legjendare e Amerikës” se “një kërkesë e tillë, sado e drejtë dhe legjitime që dukej, ndeshi në pengesa e kundërshtime dhe krijoi probleme. Vetë Noli nuk kishte shprehur ndonjë dëshirë të dokumentuar për vendvarrimin, aq më tepër për t’u varrosur në Shqipëri. Por më e rëndësishme ishte se, mes shqiptarëve të Bostonit, e sidomos në Këshillin e Peshkopatës dhe nga vetë “Vatra”, u shfaqën mendime dhe qëndrime të ndryshme, duke e kthyer këtë kërkesë në një problem të nxehtë politik. Një palë mendonte se Noli duhej të varrosej në Shqipëri, kurse pala kundërshtare, kërkesën zyrtare të Tiranës e konsideronte si shkelje dhe ndërhyrje në punët e brendshme të SHBA-së.”

Në datën 20 mars 1965 pas kryerjes së riteve fetare kushtuar një kleriku të lartë, u mbajt mitingu mortor me pjesëmarrjen e afro 2000 vetëve. Si në fjalën panegjerike të Ikonomit Sokrat Sotiri në gjuhën shqipe edhe në atë të Atit Sotir Dilogjika në anglisht, u përçua “dhembja e gjithë shqiptarëve për humbjen e prijësit të tyre të madh… popullariteti i të cilit vjen i dyti pas Skënderbeut”, thanë ata. Përcjellja në varrezat kryesore në anën jugore të Bostonit u përmbyll me fjalët lamtumirëse të ndarjes nga Imam Vehbi Ismaili dhe Baba Rexhepi që e quajtën Nolin “kalorës të fundit të epokës… që u shkëput prej gjirit tonë për t’u përkitur kohëve, për t’u bërë histori”.

A duhet të cënohet simbioza Noli dhe Kisha Ortodokse Shqiptare në Amerikë? Një mbishkrim që ruhet në këtë kishë, të cilën Noli e themeloi në 1908 dhe së cilës i shërbeu deri sa u nda nga kjo botë në 1965 shpreh në mënyrë të thukët simbiozën e tyre: “Nga të gjithë aktivitetet e mia, dashuria ime e parë është kisha. Hyrja ime e parë në lëvizjen shqiptare ish leximi i Dhjatës së Re të përkthyer nga Kostandin Kristoforidhi në shqip kur unë isha dhjetë vjeç’’.

A duhet të shkojë Fan Noli 7,000 kilometra larg Bostonit? Vendprehja e fundit e Nolit dallohet nga bazorelievi në varrezat Forest Hills, Boston. Në një pllajë të valëzuar ngjitur me Nolin është varri i Peshkop Stefan Laskos, pasardhësit të tij besnik, i cili gjithmonë i qëndroi pranë kryezotit të vet shpirtëror. Pranë tij prehet një tjetër mik i vjetër e bashkëkohës besnik që iu gjend në krah në ditë të vështira, At Arallam Dode.

Pse nuk është jetësuar ky propozim i paraqitur herë pas here? Një propozim i paraqitur në muajin nëntor 2015 për riatdhesimin e Nolit u botua në faqet e Gazetës “Dielli” të muajit dhjetor. Kryeeditori i gazetës Dielli, i ndjeri Dalip Greca shkruante se “situata e sotme në Shqipëri nuk është e përshtatshme për transferimin e eshtrave të Imzot Nolit.” Kryesia e atëhershme e “Vatrës” e ka marrë në konsideratë këtë ide fillimisht të përmendur me rastin e riatdhesimit të eshtrave të Faik Konicës në Shqipëri, sipas disa kujtimeve të ish-Sekretarit të Vatrës Naum Prifti. Siç është dokumentuar në shkëmbime dhe komunikime, procedura kërkon koordinim mes Kishës Ortodokse në Shqipëri, Kishës Ortodokse Shqiptare në Amerikë si edhe autoriteteve zyrtare.

Kryetari i atëhershëm i Vatrës, z. Gjon Buçaj, ka pasur konsultime me At Artur Liolinin dhe i ka shprehur mirënjohje për informimet dhe sqarimet me rëndësi rreth argumentit. Gjashtë vjet më pas propozimi për kthimin e eshtrave të Fan Nolit në Shqipëri filloi të qarkullonte përsëri. Në gusht 2021 unë kam biseduar me administratoren e Katedrales së Shën Gjergjit në Boston si edhe me Kancelarin e atëhershëm të Përndriturin At Artur Liolin. Për çështjen e riatdhësimit të Nolit, ai përsëriti se imzot Noli nuk e ka lënë këtë amanet dhe nuk ekziston dokumentacion ku të jetë shprehur kjo dëshirë nga ana e tij.

Pse riqarkullon edhe sot e kësaj dite ideja e riatdhesimit? Çështja e juridiksionit të eshtrave ka specifikat e veta të cilat duhet të kuptohen dhe shtrohen për diskutim. Tani ne kemi mundësi të bashkojmë forcat të arrijmë atë që kemi mundësi ta bëjmë. Një prej tyre mund të nis me kërkesën për një pullë postare amerikane.

© Rafaela Prifti

* Ardit Bido – Autor, Drejtor në Drejtorinë e Përgjithshme të Arkivit, Tiranë dhe lektor në Universitetin Metropolitan të Tiranës

* +Kristofor (Kisi) Kryepeshkop i Kishës Ortodokse Autoqefale Shqiptare (1937-1949), Vendi i Prehjes në varrezat e fshatit Tufinë, Tiranë.

* +Paisi (Vodica) Kryepeshkop i Kishës Ortodokse Autoqefale Shqiptare (1949-1966), Vendi i Prehjes në varrezat e fshatit Sharrë, Tiranë.

Filed Under: Komunitet Tagged With: Rafaela Prifti

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 1441
  • 1442
  • 1443
  • 1444
  • 1445
  • …
  • 2948
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Posta nga Haga – Frankfurter Allgemeine Sonntagszeitung, 12.04.2026
  • Bedri Dedja (20 nëntor 1930 – 13 prill 2004)
  • Aty ku historia nuk lexohet, por përjetohet…
  • Pafajësia kolektive…
  • Diaspora shqiptare në botë: Nga “Të ndërtojmë Amerikën” tek “Të ndërtojmë Shqipërinë”
  • Noli dhe Konica në dritën e “Diellit”
  • Personalitete kombëtare në New York nderuan jetën dhe veprën e Eliot Engel
  • Shtypi shqiptar në vitet e fundit të sundimit osman
  • VATRA URON BESIMTARËT ORTODOKSË: GËZUAR DHE PËRSHUMËVJET PASHKËT
  • Fan Noli, apostull i ringjalljes shqiptare
  • KOSOVA NË NATO DHE ASNJËHERË ASOCIACION SERB
  • ELIOT ENGLE DHE HARRY BAJRAKTARI: NJË BASHKËPUNIM QË FUQIZOI ZËRIN SHQIPTAR NË SHTETET E BASHKUARA TË AMERIKËS
  • “Ngërçi Presidencial në Kosovë Zbulon një Dobësi të Kushtetutës”
  • KUJTIME PER ITALIANIN DOM ANTONIO SHARRA
  • MASAKRA E TIVARIT MARS-PRILL 1945

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT