• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

#SiSot, më 31 korrik 1949, Mit’hat Frashëri zgjidhet kreu i Komitetit Shqipëria e Lirë

July 31, 2023 by s p

Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave/

Në tetor të këtij viti, Frashëri do të ndërronte jetë në moshën 69-vjeçare nga një goditje në zemër, në Hotelin “Winthrop” të Nju Jorkut. Me instalimin e regjimit komunist, Mit’hati iku në Itali. Vitet e para të Luftës së Ftohtë i kaloi duke u përpjekur për të mbledhur një koalicion të forcave antikomuniste shqiptare në Britani dhe në Shtetet e Bashkuara.

Ishte biri i veprimtarit të hershëm të çështjes kombëtare, Abdyl bej Frashërit. Gjatë jetës dhe veprimtarisë së tij u shqua si patriot i flaktë, politikan i zellshëm, administrator i drejtë, publicist penëmprehtë, botues skrupuloz dhe bibliofil i pashoq. Prej shumë shkrimeve që la pas, shkëpusim dy fjali ende të rëndësishme për shqiptarët sot dhe nesër: “Pa zgjidhjen e problemit shqiptar nuk do të ketë as Jugosllavi të re dhe as një zgjidhje përfundimtare të kufinjve në Ballkan” (pjesë e promemories së tij drejtuar konferencës së posaçme që parapriu krijimin e Mbretërisë Serbo-Kroate-Sllovene) dhe “Shpëtimi i Shqipërisë do të vijë me anë të vetes tonë.”

#ArkivatFrymëzojnë

#ArkivatKujtojnë

#MithatFrashëri

#AQSH

#FototekaAQSH

Filed Under: Politike

Ritualet e Varrimeve në Botë

July 31, 2023 by s p

Nga NDREK GJINI/

Përmes ritualeve të varrimeve, shoqëria ka mundësinë të shprehë dhimbjen dhe ndarjen nga të dashurit e tyre. Këto rituale zbulojnë ndikimin e vdekjes në kulturat dhe shoqëritë e ndryshme në botë. Vende të ndryshme praktikojnë rituale të ndryshme, që janë nga më të çuditshmet.

Varrimi qiellor

“Varrimi në qiell” është një ritual i zakonshëm në Tibet tek budistët që besojnë në vlerën e dërgimit të shpirtrave të të dashurve të tyre drejt parajsës. Në këtë ritual, trupat lihen jashtë, shpesh të prerë në copa, që zogjtë ose kafshët e tjera t’i hanë. Kjo sipas tyre ka qëllim të dyfishtë. Së pari trupi i të vdekurit që e hanë shpendët shkon në qiell. Dhe së dyti sipas tyre duke e lënë trupin jashtë shpirti i të vdekurit është krejt i lirë të largohet në qiell gjithashtu. Përmes këtij rituali ata mendojnë se plotësojne rrethin e jetës; duke u dhënë ushqim kafshëve dhe duke e lënë shpirtin të lirë të shkojë në qiell.
Famadihana
“Vallëzimi me të vdekurit” përshkruan më së miri traditën e varrimit në Madagaskar të Famadihana. Njerëzit atje i hapin shumë shpesh varret e të vdekurve dhe i nxjerrin jashtë. Ata rimbështjellin kufomat me rroba të reja. Ata gjithashtu kërcejnë me këto kufoma pranë varrit dhe luajnë muzikë përreth varreve të tyre. Ky ritual i përkthyer si “kthimi i eshtrave” ka për qëllim të përshpejtojë dekompozimin e trupave të vdekur dhe të çlirojë shpirtin e të vdekurve drejt përjetesisë.

Varrimi në ujë

Varrimi në ujë është një ritual funerali në të cilin eshtrat apo arkivoli i të ndjerit vendosen në ujë, si deti, lumi ose liqeni. Varrosjet në ujë janë praktikuar për shekuj nga disa popuj në mbarë botën, dhe ato vazhdojnë të jenë një opsion popullor edhe sot në Vëndet Nordike.
Ekzistojnë dy lloje kryesore të varrimeve në ujë, varrimi i plotë i trupit ose shpërndarja e hirit. Varrosjet në ujë të gjithë trupit përfshijnë vendosjen e trupit të të ndjerit në një arkivol ose qefin dhe më pas hedhjen e tij në ujë. Ky lloj varrimi zakonisht bëhet në det, por mund të bëhet edhe në një lumë ose liqen.

Parakalimi në paradë i të vdekurve

Festimi i jetës së të ndjerit mund të marrë shumë forma. Një traditë nga Varanasi, Indi, përfshin parakalimin në paradë të të vdekurve.
Një paradë që feston jetën e të ndjerit është një lloj përkujtimi që shpesh mbahet për nder të dikujt që ka patur ndikim të rëndësishëm në komunitetin e tyre. Parada mund të jetë një mënyrë për të festuar jetën, arritjet dhe kontributet e të ndjerit dhe për të bashkuar të dashurit dhe miqtë e tyre për t’i kujtuar ata.
Ka shumë mënyra të ndryshme për të organizuar një paradë që feston jetën e të ndjerit. Parada mund të mbahet në një hapësirë publike, si park ose rrugë, ose mund të mbahet në një mjedis më privat, si varreza ose kishë. Parada mund të jetë e thjeshtë ose e përpunuar dhe mund të përfshijë një sërë aktivitetesh, të tilla si grupe marshimi, muzikë, këngë, vallëzim dhe veshje karnavalesh.

Kulla e Heshtjes

Një traditë zoroastriane kërkon zogj shkaba për të ngrënë trupin e të vdekurve. Komuniteti Parsi, në Indi, i cili praktikon Zoroastrianizmin, ka një metodë unike të asgjësimit të të vdekurve. Ata nuk i varrosin apo djegin të vdekurit e tyre, por përkundrazi i lënë ata jashtë në një strukturë të quajtur Kulla e Heshtjes. Trupat vendosen në një platformë të ngritur dhe zogjtë shkaba lejohen t’i hanë ato. Kjo praktikë quhet “ekspozim”.
Arsyeja pse Zoroastrianët përdorin zogjtë shkaba është sepse ata besojnë se zjarri dhe toka janë elementë të shenjtë dhe se varrosja ose djegia e një trupi do t’i ndot ato. Zogjtë shkaba, nga ana tjetër, shihen si krijesa të lira dhe të pastra, dhe konsumimi nga ana e tyre i të vdekurve shihet si një mënyrë për të kthyer trupin në natyrë.

Rruaza të bukura nga hiri i të vdekurve

Ndërsa traditat e panumërta të varrimit në mbarë botën përfshijnë djegien, Koreano-Jugorët e kanë bërë atë një hap më tej. Ata e kthejnë hirin e të ndjerit në rruaza të bukura. Këto rruaza kanë ngjyra të ndryshme nga roza, e zeza dhe bluja dhe shkëlqejnë. Të vendosura brenda vazove prej qelqi apo edhe të hapura në enë, rruazat mund të zënë vendin qendror brenda një shtëpie. Kjo është një zgjedhje dekorative dhe në të njëjtën kohë një kujtim i të vdekurve. Në një vend si Koreja e Jugut, ku toka është e pakët dhe djegia e trupave të të vdekurve po bëhet e vetmja zgjedhje realiste, marrja e diçkaje të bukur nga procesi I kësaj djegie u jep të dashurve të tyre një shans për t’i rikujtuar dhe ripërtërin një trashëgimi të bukur që është për ta një thesar i vyer.

Ritualet e varrimit në Filipine

Në Filipine, komuniteti Tinguian i vesh të vdekurit me rrobat më të bukura dhe e ul trupin e të vdekurit në një karrige, shpesh duke i vendosur një cigare të ndezur në buzë.
Ndërsa komuniteti Benguet në Filipine u lidhin sytë të vdekurve para se t’i vendosin në karrige në hyrje të shtëpisë. Komuniteti Cebuano në këtë vend i vesh me të kuqe fëmijët që marrin pjesë në funerale, pasi ata besojnë se kjo praktikë zvogëlon mundësinë që fëmijët të shohin fantazma. Rajoni Sagada në Filipine praktikon varjen e arkivoleve të të vdekurve mbi shkëmbinj.Kjo pasi ata besojneë se kjo praktikë i sjell shpirtrat e të vdekurve më afër qiellit. Njerëzit e komunitetit në Cavite të Filipineve shpesh varrosin të ndjerin vertikalisht në një pemë të cilën e ka zgjedhur vetë personi përpara se të vdiste.
Ritualet e varrimeve në mbarë botën janë të shumta dhe mjaft të ndryshme, por të gjitha këto rituale kanë vetëm një qëllim; nderimin e të vdekurve.

Filed Under: Histori Tagged With: ndrek gjini

100 VJETORI I TRAKTATIT TË LOZANËS

July 31, 2023 by s p

(Original Caption) 7/16/1932- Lausanne, Switzerland- The Lausanne pact slowed post war history of Europe. Prime Minister Ramsay MacDonald of Great Britain (left foreground) signs.

Një fitore për Turqinë e re, një goditje për çamët në Greqi*

Prof.Muhamed Mufaku

Ndonëse Traktati i Lozanës njihet më shumë si traktat për paqe që e përfundoi Luftën greko-turke 1919-1922 dhe i përcaktoi kufijtë midis dy shteteve, ai më shumë lidhet me një praktikë të re në të drejtën ndërkombëtare dhe në marrëdhëniet ndërkombëtare: këmbimi i detyrueshëm i popullsisë turke-greke, përkatësisht ortodokse-myslimane midis dy vendeve. Qeveria e Athinës tani e shfrytëzoi këtë Traktat për dëbimin e çamëve myslimanë prej Çamërisë, sepse e kishte më të lehtë asimilimin e pjesës tjetër ortodokse dhe vendosjen e grekëve të ardhur nga Turqia në vendin e tyre

Në vitet e fundit nisi të rritej interesimi në Turqi për 100-vjetorin e Traktatit të Lozanës (24.07.1923), me paraqitje të ndryshme sikurse Turqia do të lirohet prej disa obligimeve të fshehta, madje vetë presidenti Erdogan rriti më shumë pritshmëritë me disa deklarata për “shekullin e ri turk”, pra pas atij të parë që filloi me fitoren diplomatike të Turqisë në Lozanë dhe shpalljen e Republikës më 29 tetor 1923. Këto paraqitje të ndryshme brenda dhe jashtë Turqisë, shtuan interesimin për 100-vjetorin e Traktatit të Lozanës, përkatësisht për konferenca dhe aktivitete të tjera shkencore kushtuar këtij jubileu. Një prej këtyre ishte një konferencë ndërkombëtare e mbajtur në Amman të Jordanisë më 25.07.2023 nën titull: “100-vjetori i Traktatit të Lozanës: nga një Lindje të Mesme e sigurt”.

Vërtetë, Traktati i Lozanës ishte fitore e re për “Qeverinë e Ankarasë” në krye me Mustafa Kemalin (Ataturk më vonë), në krahasim me traktatin poshtërues të Severs-it (1 gusht 1920) me të cilën Turqia u kthye në një mini-shtet në Anatoli me një dalje në Detin e Zi, kurse tani në Lozanë 1923 e fitoi njohjen ndërkombëtare me kufijtë e tashëm si shtet i madh me dalje në katër dete. Kjo fitore u kurorëzua në 29 tetor 1923 me shpalljen e Republikës së Turqisë moderne.

Për palën tjetër, Greqia që e filloi më 15 maj 1919 aventurën ushtarake me zbarkimin në Izmir dhe depërtimin nga Ankaraja, ishte një humbje e madhe ushtarake dhe politike, sepse me tërheqjen e ushtrisë greke në verën e vitit 1922 dhe njohjen ndërkombëtare të Turqisë me kufijtë e tashëm, u varros miti për “Greqinë e madhe” që do të përfshinte Anatolinë perëndimore me “Konstatinopolis” si dhe Trakinë lindore, me çka “Greqia e madhe” do të ketë shtrirje të madhe dhe dalje në pesë dete.

Mirëpo, për Turqinë, Greqinë dhe shqiptarinë, Traktati i Lozanës kishte një aspekt të prekshëm: këmbimi i detyrueshëm i popullsisë që arriti gati në dy milionë njerëz që u shkulën prej trojeve të tyre dhe u transferuan pa mëshirë në troje të tjera, të huaja, që nuk u stabilizuan lehtë atje për shumë vjet. Në këtë kontekst, pësuan më shumë çamët që mbetën në Greqi pas Luftërave ballkanike 1912-1913, sepse ata u shkulën prej trojeve të tyre dhe u dërguan në Anatoli me pretekst se janë “turq”. Mirëpo, falë aktivitetit intensiv të Qeverisë shqiptare me Athinën e Ankaranë, kjo dramë mori fund më 1926 kur çamët u njohën si “shqiptarë me origjinë” më 1926.

Traktat kundër traktateve ndërkombëtare të Ligës së Kombeve

Përkundër karakterit të përgjakshëm të luftërave ballkanike 1912-1913 midis shteteve ballkanike (Serbia, Mali i Zi, Greqia dhe Bulgaria) dhe Perandorisë Osmane që humbi gati të gjitha territoret në Ballkan, si dhe dëbimit të qindra mijëra myslimanëve prej trojeve të tyre, më në fund traktatet për paqe gjatë 1913-1914 që u nënshkruan midis Perandorisë Osmane dhe Bullgarisë (29 shtator 1913), Greqisë (14 nëntor 1913) dhe Serbisë (14 mars 1914) u karakterizuan me një frymë të re për fatin e myslimanëve që mbetën në ato shtete ballkanike që përfituan shumë territore me popullsi të “padëshiruar”.

Kështu, këto traktate ofruan dy opsione për popullsi “ndryshe” për karakterin kombëtar të atyre shteteve, pra për “pakicat” që përfaqësojnë popullsi ndryshe me etni ose me fe. Opsioni i parë ishte e drejta e gëzimit të të gjitha të drejta civile me qytetarët tjerë, kurse opsioni i dytë ishte e drejta e tyre pas një faze kalimtare (3-4 vjet) që të vendosin vetë: të vazhdojnë jetën në këto shtete të reja ose të kalojnë në Perandorinë Osmane për gjithmonë duke hequr dorë nga nënshtetësia bullgare, greke e serbe. Për ta nxitur popullsinë për opsionin e dytë, pakicat gjatë fazës kalimtare ishin të liruara prej shërbimit ushtarak dhe prej taksave për ushtri. Vetëm në traktatin me Bullgarinë u përmend edhe opsioni i “këmbimit opsional” të popullsisë në thellësi prej 15 kilometra të territoreve përgjatë kufirit në Traki.

Mirëpo, këto “të drejta” për pakicat, në këto traktate u theksuan më shumë pas përfundimit të Luftës së Parë Botërore dhe krijimit të Ligës së Kombeve në Paris më 1919. Vërtetë, qëndrimet e presidentit amerikan W. Willson për të drejtën e kombeve në vetëvendosje dhe për diplomacinë publike në kuadër të Ligës së Kombeve në vend të traktateve sekrete që u nënshkruan gjatë Luftës së Parë Botërore (Traktati i Londrës 1915 etj.) bënë që Liga e Kombeve të interesohet shumë për mbrojtjen e pakicave në traktatet e reja për paqe qoftë me shtetet që humbën luftën ose ato që fituan në Luftën e Parë Botërore.

Planet serbe e greke për “turqit” e mbetur në territoret e tyre

Vlen të theksohet këtu që rezistenca për të nënshkruar traktatet e reja që përfshinin mbrojtjen e pakicave erdhi sidomos prej Serbisë e Greqisë, sepse kishin planet e tyre për “turqit” që mbetën në territoret e tyre. Për Beogradin nuk ishte problem garantimi i të drejtave të pakicave gjermane e hungareze, por kishte më shumë hall për “pakicën shqiptare”. Për një kohë, Beogradi insistoi të lirohet prej këtyre obligimeve në “tokat e çliruara” më 1912-1913, pra në Kosovë e Maqedoni, por më vonë u detyrua të nënshkruajë traktatin më 10 shtator 1919 duke i futur shqiptarët në kategorinë “myslimane”, pra me të drejtat e tyre fetare e jo gjuhësore-kulturore.

Mirëpo Greqia, e cila po ashtu hezitoi ta nënshkruajë traktatin për mbrojtjen e pakicave, u nxit me kryeministrin Venizilos (ithtar i flaktë i “Greqisë së madhe”) për zbarkimin ushtarak në Izmir më 15 shtator 1919 dhe depërtimi në Anatoli e drejt Ankarasë më vonë. Kështu, Lufta greko-turke (1919-1922) u shndërrua në Luftën për pavarësi turke në krye me Mustafa Kemalin. Lufta u përcoll me beteja të përgjakshme dhe masakra me karakter etnik-fetar. Kështu, me humbjen fatale të ushtrisë greke në betejën vendimtare Sakarja (23 gusht-13 shtator 1922) dhe tërheqjen e saj ka Greqia, qindra mijë civilë greko-ortodoksë nuk e ndjenin veten të sigurt dhe shoqëruan ushtrinë greke në tërheqjen e saj nga Greqia. Ardhja masive e refugjatëve civilë në Greqi krijoi një anarki e ngarkesë të madhe për qeverinë, kështu që kryeministri grek iu drejtua Ligës së Kombeve më 16 tetor 1922 me propozim për “këmbim të detyrueshëm të popullsisë turke e greke”, duke kërkuar prej Komisarit për refugjatë F. Nansen që të veprojë sa më shpejt.

Komisari Nansen, që e fitoi çmimin “Nobel” për paqe atë vit, u nis për në Stamboll dhe zhvilloi negociata me palën turke për pranimin e nja gjysmë milioni turqish në Turqi në vend të atyre grekëve që lëshuan Anatolinë dhe shkuan në Greqi. Qeveria e re turke e pranoi me një kusht që ky këmbim i popullsisë të mos përfshijë turqit në Trakinë perëndimore. Në anën tjetër, qeveria greke u pajtua por me kusht që ky këmbim të mos përfshijë grekët që jetonin në Stamboll. Në bazë të këtyre pajtimeve u zhvilluan negociatat që përfunduam më 30 janar 1924 me nënshkrimin e “Traktatit mbi këmbim të popullsisë greke e turke”.

Traktat brenda traktatit

Ndonëse Traktati i Lozanës njihet më shumë si traktat për paqe që e përfundoi Luftën greko-turke 1919-1922 dhe i përcaktoi kufijtë midis dy shteteve, ai më shumë lidhet me një praktikë të re në të drejtën ndërkombëtare dhe në marrëdhëniet ndërkombëtare: këmbimi i detyrueshëm i popullsisë turke-greke, përkatësisht ortodokse-myslimane midis dy vendeve. Traktati i Lozanës ka 143 nene, kurse në lidhje me këmbimin e popullsisë kemi vetëm nenin 142 që vetëm e bën Traktatin e 30 janarit 1923 midis Greqisë e Turqisë mbi këmbimin e popullsisë si pjesë përbërëse të Traktatit të Lozanës. Atëherë, ky Traktat mbi këmbimin e detyrueshëm të popullsisë u kritikua ashpër prej ekspertëve të së drejtës ndërkombëtare, e në mesin e tyre edhe prej profesorit në Universitetin e Beogradit, Ilija Przhiq, në librin e tij “Mborja e pakicave” që u botua më 1933.

Përkundër faktit që Traktati i 30 janarit 1923 paraqitet për “këmbim të popullsisë greke e turke”, qysh në nenin e parë del qëllimi i tij që i afrohet pastrimit etnik: “Që nga 1 maji do të bëhet këmbimi i detyrueshëm i shtetasve turq me fe ortodokse përqendrim në territorin turk me shtetasit grekë me fe myslimane me përqendrim në territorin grek”. Në bazë të kësaj shihet qartë se kriteri për këmbim të detyrueshëm, është fetar e jo etnik.

Duke marrë parasysh gjendjen në Greqi pas pushtimit të një pjese të madhe të Vilajetit të Janinës dhe Vilajetit të Selanikut, shumica e myslimanëve tanimë në Greqi nuk ishin turq në kuptimin etnik por pomakë, shqiptarë dhe romë. Qeveria e Athinës tani e shfrytëzoi këtë Traktat për dëbimin e çamëve myslimanë prej Çamërisë, sepse e kishte më të lehtë asimilimin e pjesës tjetër ortodokse dhe vendosjen e grekëve të ardhur nga Turqia në vendin e tyre. Zbatimi i këtij Traktati e alarmoi Qeverinë e Tiranës, e cila u aktivizua me anë të dy ambasadorëve (Mit’hat Frashërit në Athinë dhe Reuf Ficos në Ankara) dhe me përfaqësuesin e Shqipërisë në Ligën e Kombeve Mehdi Frashëri për t’i përjashtuar çamët prej “këmbimit të detyrueshëm të popullsisë”. Përpjekjet e Qeverisë shqiptare dhanë rezultat më në fund në vitin 1926 duke i njohur çamët si “shqiptarë me origjinë”, me çka shpëtoi pjesa që mbeti deri atëherë në Çamëri.

*Fragmente nga kumtesa e paraqitur në konferencën ndërkombëtare “Traktati i Lozanës: nga një Lindje e Mesme e sigurt”, e mbajtur në Amman më 25 korrik 2023

Filed Under: Opinion Tagged With: Prof.Muhamed Mufaku

ÇASHKU…

July 29, 2023 by s p

Mevlan Shanaj/

Po thuaj nuk ja di njeri emrin, por po thuaj gjithë shqiptarët e dinë që Çashku është personalitet. Më së miri e dimë ne kolegët dhe nuk dyshoj që as bota politike të mbetet prapa. Mua më ka ndodhur të njihem në një verë që ishte me pushimet e shkollës nga Bukureshti!Shkëmbyem mendime se si ishte shkolla atje, pasi i tregova impresionet e mia nga një vizitë dy javore! Kujtoj se i tregova për artistët e njohur të asaj kohe të Rumanisë si Irina Petresku,Dan Nucu , Hamza Pele etj. Po ashtu për Livi Çulej që e kisha parë në teatrin Bulandra. Kuptohet që qe një ngjizje me studentin e filmit që bënte kujdes në përzgjedhjen e fjalëve! Në fund bëra humor duke përdorur shprehjen” Prifti vjen nga Stambolli, priftëresha mollois” Më pas kur erdhi regjisor në kinostudio, nga të fundit që ktheheshin nga jashtë shtetit të asaj kohe, si në të njëjtin profesion shkëmbenim jo vetëm përshëndetje. Më rastisi ta shikoja si regjisor nga afër te filmi” Ballë për ballë” impresioni ishte se në çdo sekond nuk kishte qetësi, por i preokupuar! Në një çast i them se temperamenti yt në distancë të krijon përshtypjen se diku këtu rreth ka rënë zjarri! Çashku solli në ekranin shqiptar imazhin në lëvizje me elipsin që parapëlqen. Në se shprehja “Se stilografi i regjisorit, është kamera” duket se si ngacmim duhet të ketë modelin ala Çashku! Kjo vihet re edhe në trajtimin estetik të imazhit të tij! Si edhe unë shumë herë, parapëlqen nëntekstet filosofike, ndoshta pika jonë lidhëse që në kryhet të herës. Kështu në një udhëtim me avion nga Zvicra në Tiranë, besoj se kemi njohur apo kënaqur pritshmëritë e dijeve me njëri tjetrin. Për mua Çashku ishte bërë regjisori i imazhit përfaqësues i ekranit të madh! Kujtoj ” Pas vdekjes” ” Dora e ngrohtë”, “Të paftuarit” ” Syri magjik”, ” Vrasja në gjueti”, ” Kolonel bunker”, “Balada e Kurbinit” etj. Filmat e tij sillnin lëvizje të mendimit! Si njeri social kërkonte të shfaqej dhe asnjë herë nuk pati stepje! Kemi bashkëpunuar në shkollën “Marubi” që me një këmbëngulje apokaliptike arriti të jetë model në çdo drejtim, mbi të gjitha i rezistencës ndaj administratave. Sot ka triumfuar administrativisht, por nuk i dorëzohet apo nënshtrohet mediokritetit. Së bashku i jemi kundërvënë mendësive provinciale në mbrojtje të lirisë krijuese dhe personalitetit të autorsisë! Një karakteristik qytetare e tij, si një intelektual, deri më sot nuk e kam dëgjuar të përflasi njeri. Ne rregullisht shkëmbejmë mendime si ata idealistët e pamposhtur në përmirësim të pandalshëm jo vetëm të filmit por edhe mendimit estetik! Çashku është një aset kombëtar ku në rastin më të keq mëson nga psikologjia e tij progresiste! Nuk di se kemi ngjashmëri fizike, po në disa raste më kanë ngatërruar me emrin e tij. Mua në kësi rastesh më ka ardhur mirë! Çashku e ka emrin Kujtim! Bukur të kujtosh në këtë jetë!

Filed Under: Kulture

𝗗𝗔𝗦𝗛 𝗱𝗲𝗻𝗼𝗻𝗰𝗼𝗻 𝘀𝗲𝗸𝘁𝗶𝗻 𝗥𝗮𝗺𝗮 𝗽𝗲𝗿 𝗽𝗮𝘀𝘁𝗿𝗶𝗺 𝗽𝗮𝗿𝗮𝘀𝗵 𝗱𝗵𝗲 𝗸𝗼𝗿𝗿𝘂𝗽𝘀𝗶𝗼𝗻 𝘀𝗶𝘀𝘁𝗲𝗺𝗶𝗸

July 29, 2023 by s p

Bujar Leskaj/

Më 27 korrik 2023, Departamenti Amerikan i Shtetit(DASH) publikoi Raportin mbi Klimën e Investimeve për vitin 2023 në Shqipëri, duke ngritur një sërë problemesh të mprehta. Është ndoshta vrojtimi i DASH më denoncues dhe kritik i viteve të fundit. Raporti cilëson se “Investitorët e huaj e perceptojnë Shqipërinë si një vend të vështirë për të bërë biznes. Ata përmendin korrupsionin e vazhdueshëm në sektorin publik, gjyqësor, prokurimet publike, konkurrencën e pandershme dhe të shtrembëruar, ekonominë e madhe informale, pastrimin e parave, ndryshimet e shpeshta në legjislacionin fiskal dhe zbatimin e dobët të kontratave si sfida të vazhdueshme për investimet dhe të bërit biznes në Shqipëri” (https://www.state.gov/…/2023-investment…/albania/, paragrafi i tetë i Përmbledhjes Ekzekutive).

I. Pse kemi rënë kaq fort në Indeksin e Perceptimit të Korrupsionit?

Departamenti Amerikan i Shtetit përmend se në vitin 2022, në Indeksin e Perceptimit të Korrupsionit të Transparency International, Shqipëria renditej e 101-a nga 180 vende. Në vetëm shtatë vitet e fundit, Shqipëria ka zbritur 18 vende në klasifikimin e Transparency International.

Transparency International përdor një sistem llogaritjeje të indeksit të perceptimit të korrupsionit, nga zero në 100 pikë, ku zero është niveli më i lartë i korrupsionit dhe 100 pikë do të thotë mungesë korrupsioni. Në Raportin e tij, të publikuar gjatë këtij viti, Transparency International i jep vendit tonë vetëm 36 pikë, ose dy pikë larg vendit më të korruptuar të Evropës, që është Bosnje-Hercegovina me 34 pikë.

Sipas Transparency International, në 5 vitet e fundit(2017-2022), Shqipëria nuk ka shënuar përparim në luftën kundër korrupsionit, duke u luhatur vazhdimisht mes 36 dhe 35 pikëve. Organizata prestigjoze konkludon se mos-përparimi nënkupton se vendi ka dështuar në luftën kundër korrupsionit.

Transparency International thekson se performanca e Shqipërisë në luftën kundër korrupsionit është dobësuar, veçanërisht kur flitet për rreziqe politike, përfshirë patronazhimin dhe nepotizmin, shkëmbimin e ndereve, vendet e përcaktuara të punës, mbajtjen sekret të financimit të partive publike dhe lidhje të ngushta e të dyshimta mes biznesmenëve dhe politikanëve.

Jo vetëm për DASH dhe Transparency International, por për të gjithë komunitetin ndërkombëtar që na vëzhgon, është e qartë pse ka ndodhur kjo rënie në klasifikim. Cilesimet e Departamentit Amerikan te Shtetit jane dukshëm më pezhorative se cilesimet e një viti më parë, pasi këtë vit DASH ka përfshirë në raport pastrimin e parave dhe korrupsionin e vazhdueshëm e sistemik në sektorin publik.

Më tej në raport, DASH thekson se”Shqipëria ka një sektor të madh informal dhe aktivitete të pastrimit të parave. Task Forca e Veprimit Financiar për Pastrimin e Parave (FATF) e përfshiu Shqipërinë në listën e saj gri në vitin 2020 dhe vendi vazhdon të jetë në listën për vitin 2023 për shkak të mangësive strategjike në adresimin e shqetësimeve të pastrimit të parave. Komuniteti i biznesit raporton se fluksi i madh i të ardhurave të paligjshme nga trafiku i drogës, kontrabanda, evazioni fiskal dhe korrupsioni shtrembëron konkurrencën në treg” (https://www.state.gov/…/2023-investment…/albania/, paragrafi i nëndë i Përmbledhjes Ekzekutive). Paragrafi i nëndë është shtuar i gjithi këtë vit dhe nuk ka qenë më parë në raportet e DASH, për klimën e investimeve në Shqipëri.

II. Pastrimi i parave-njolla e turpit që sekti Rama vendosi mbi imazhin e Shqipërisë

Pastrimi i parave që kryhet intensiv në ekonominë tonë sot është njolla e zezë e turpit që ka vendosur sekti Rama në qeverisje, mbi imazhin e Shqipërisë. Ishte ky sekt që në vitin 2020 e përfshiu Shqipërinë në Listën Gri të pastrimit të parave të MONEYVAL. Vendi u klasifikua për risqet dhe pastrimin real të parave të pista në çdo renditje ndërkombëtare, nga Instituti i Basel-it, SELDI e deri tek raporti i DASH, duke theksuar tre sektorët kyçë ku pastrimi i parave ndodh, që janë :

1. Turizmi

2. Ndërtimi dhe

3. Lojërat e fatit

Me denoncimin e Departamentit Amerikan të Shtetit në raportin e tij të këtij viti për klimën e investimeve në Shqipëri, tashmë pastrimi i parave në Shqipëri është zyrtar. DASH shkon edhe më larg. Thekson se edhe me fonde publike, me koncesione, me PPP, po pastrohen para në Shqipëri.

Sipas “Raportit të Tranzicionit për vitet 2022-2023”, të Bankës Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim(BERZH), cilësia e qeverisjes së Shqipërisë është në përkeqësim. Kapja e shtetit dhe pastrimi i parave u identifikuan nga raporti i BERZH si probleme serioze, që pengojne procesin e integrimit në BE. Sipas BERZH, pothuajse 3 % e vlerës së qarkullimit të firmave në Shqipëri (vlera më e lartë në rajonet e BERZH) shpenzohet për pagesa informale, në krahasim me më pak se 0,01 % në ekonomitë e përparuara, si Estonia dhe Letonia. Raporti kritik i BERZH vjen pas shumë gjetjesh dhe konkluzionesh kritike dhe alarmante nga Departamenti Amerikan i Shtetit, Transparency International, SELDI, FMN dhe Banka Botërore, lidhur me nivelin e korrupsionit, të pastrimit të parave dhe të kapjes së shtetit tek ne.

III. Investuesit e huaj shantazhohen nga administrata, media dhe grupet kriminale

Asnjëherë më parë në Raportin e Deprtamentit Amerikan të Shtetit nuk ka patur një pasazh kaq të rëndë e problematik, sa në paragrafin e dhjetë të Përmbledhjes Ekzekutive të Raportit për Klimën e Investimeve në Shqipëri 2023. “Akuzat për korrupsion janë të zakonshme dhe investitorët shpesh raportojnë se ata bëhen objektiv i zhvatjes si nga administrata publike, ashtu edhe nga media dhe grupet kriminale”. Nuk mund të denoncohet më qartë! Sipas DASH, investitorët në Shqipëri shantazhohen nga zyrtarët publikë, krimi dhe media. Ndryshe nga raportet e kaluara, kur e cilësonte korrupsionin në Shqipëri si endemik, këtë vit Depertamenti i Shtetit përdor fjalën sistemik, për të përshkruar korrupsionin në Shqipëri. Korrupsioni sistemik nënkupton se kjo dukuri është e përhapur gjerësisht në të gjitha poret e shoqërisë shqiptare.

Ndërkohë një akuzë e drepërdrejtë ngrihet mbi qeverinë. “Investitorët raportojnë në mënyrë frekuente raste të korrupsionit të qeverisë, të cilat vonojnë dhe parandalojnë investimet në Shqipëri.” (https://www.state.gov/…/2023-investment…/albania/, paragrafi i dhjetë i Përmbledhjes Ekzekutive).

Edhe kjo fjali, e cila akuzon drejtëpërdrejtë qeverinë për korrupsion, është shtuar për herë të parë në raportin e këtij viti, pasi nuk ka qenë në vitet e kaluara. Dhe nuk ka si të ndodhë ndryshe me cilësimet e DASH, pasi zyrtarët amerikanë që përgatisin raportin shohin se janë të panumurta denoncimet në median e pavarur shqiptare të shkeljeve të institucioneve kryesore prokuruese shqiptare, si Autoriteti Rrugor Shqiptar(ARRSH) dhe Fondi Shqiptar i Zhvillimit(FSHZH). Të gjitha të dhënat zyrtare nga Ministria e Financave dhe nga ajo e Infrastrukturës flasin për kosto të rritura me herë për ndërtimin e një km rrugë gjatë dhjetë viteve të fundit. Kostot kanë një diferencë të lartë në rrugët e ndërtuara me para nga Buxheti i Shtetit, në krahasim me financimet dhe huatë e buta nga donatorët. Në mënyrë sistematike, kostot për njësi (kilometër) me fonde të huaja janë shumë më të ulëta se ato me fonde buxhetore të brendshme për periudhën 2013-2022. Kështu, një kilometër rrugë e kategorisë C, me financim të brendshëm, kushtoi në vitin 2020 mesatarisht 667 milionë lekë, ndërsa një kategori e tillë me financim të huaj kushtoi 111 milionë lekë, ose 6 herë më pak. Korrupsioni dhe mungesa e transparencës në tenderat publikë për rrugët, me para të buxhetit të shtetit, përbën arësyen madhore pse Banka Botërore, një nga financueset kryesore të ndërtimit të rrugëve publike në vendin tonë në vitet 1996-2012, është larguar nga pjesëmarrja në projektet tona të infrastrukturës rrugore, pas vitit 2013.

xxx

Krahas boshatisjes së vendit, kapjes së shtetit, ligjeve të qepura me porosi, masakrës me pronat e qytetareve dhe atyre publike, braktisjes së shtresave në nevojë dhe biznesit gjatë pandemisë dhe më tej periudhës së inflacionit të lartë, të shkaktuar nga agresioni i Putin në Ukrainë, pastrimi i parave dhe korrupsioni sistemik, të theksuara dukshëm më 27 korrik 2023 nga Departamenti Amerikan i Shtetit në raportin e tij për klimën e investimeve në Shqipëri, përbëjnë denoncimin më të fuqishëm të paudhësive të sektit Rama në këto 10 vite të (keq)qeverisjes së Shqipërisë prej tij.

Filed Under: Ekonomi

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 1540
  • 1541
  • 1542
  • 1543
  • 1544
  • …
  • 2778
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • “Shënime për historinë antike të shqiptarëve”*
  • Si funksionon sistemi juridik në Shqipëri dhe pse ai ka nevojë për korrigjim?
  • Emisionet postare festive të fundvitit në Kosovë
  • JAKOBSTADS TIDNING (1939) / MBRETI ZOG, SHUMË BUJAR ME BAKSHISHE. — EMRI I TIJ NUK DO TË HARROHET KAQ SHPEJT NGA PRONARËT DHE PERSONELI I HOTELEVE NË VARSHAVË.
  • HAFIZ SHERIF LANGU, DELEGATI I PAVARËSISË TË CILIT IU MOHUA KONTRIBUTI PËR 50 VJET ME RRADHË, KLERIKU DHE VEPRIMTARI I SHQUAR I ÇËSHTJES KOMBËTARE
  • RIPUSHTIMI I KOSOVËS – KUVENDI I PRIZRENIT 1945
  • Nikola Tesla, gjeniu që u fiksua pas pëllumbave dhe u dashurua me njërin prej tyre
  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare
  • Në sinoret e Epirit…
  • Mbrëmë hyri në fuqi Ligji i SHBA për autorizimin e mbrojtjes kombëtare
  • Skënderbeu “grek”, ose si të bëhesh grek pa e ditur
  • A historic moment of pride for the New Jersey Albanian-American community

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT