• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

SHBA, Ligji për Autorizimin e Mbrojtjes Kombëtare (NDAA) dhe Aleancat në Ballkanin Perëndimor

December 23, 2025 by s p

Shqipëria, si vend anëtar i NATO-s, nuk është thjesht një aleate formale, por një pikë kyçe gjeostrategjike në krahun juglindor të Aleancës. Kosova përfaqëson një interes strategjik afatgjatë për Uashingtonin. Prania e KFOR-it dhe mbështetja amerikane për zhvillimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës janë elementë thelbësorë për parandalimin e konfliktit dhe ruajtjen e ekuilibrit të sigurisë në rajon.

Shpallja e Ballkanit Perëndimor, përkatësisht Gadishullit Ilirik, si rajon strategjik që ndikon drejtpërdrejt në sigurinë kombëtare të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, është lajmi më i mirë që kemi marrë si shqiptarë në 35 vitet e fundit.

Nuk do të ndalem te përfitimet dhe ndikimi që ky akt i Presidentit Trump do të ketë në ekonominë e të gjithë Gadishullit Ilirik, por dëshiroj të fokusohem te mënyra se si politika dhe mediat në Shqipëri e pritën këtë akt madhor. Politika e vetëquajtur “pro-amerikane” sorosiane, si në pushtet ashtu edhe në opozitë, heshti. Një heshtje e turpshme që i identifikon qartë jo vetëm si antishqiptare, por edhe si globaliste ideologjike, të cilat nuk punojnë për interesat e shqiptarëve.

Dihet se sa e rëndësishme është siguria në këtë botë të trazuar, e cila ndikon drejtpërdrejt në zhvillimin ekonomik, në rritjen e mirëqenies së Kombit Shqiptar dhe në ndaljen e shpopullimit. Fatkeqësisht, mediat e kapura shqiptare nuk kanë kohë ta trajtojnë këtë temë madhore, pasi janë të zëna duke diskutuar nëse kërkesat e SPAK-ut për pezullim apo arrestim të Ballukut janë të ligjshme apo jo, pa thënë asnjë fjalë të vetme nëse janë vjedhur apo jo paratë publike.

Për të qenë i sinqertë, nuk i kam ndjekur mediat e Kosovës, megjithëse nuk besoj se situata është shumë ndryshe, pasi kanë kaluar pothuajse pesë vite dhe ende nuk është ratifikuar marrëveshja e iniciuar nga Presidenti Trump në fund të mandatit të tij të parë, së bashku me njohjen nga ana e Izraelit.

Futja nën ombrellën e mbrojtjes amerikane do të ndikojë drejtpërdrejt edhe në zhvillimet politike. Strategjia amerikane për partnerët politikë në Evropë do të mbështetet te forcat që ndajnë vlera të përbashkëta me konservatorët amerikanë, siç është shpallur nga Zëvendëspresidenti amerikan, JD Vance.

Nuk besoj se ka shqiptarë që mendojnë se politikanët që kanë uzurpuar pushtetin dhe opozitën mund të vazhdojnë të konsiderohen aleatë strategjikë të Administratës së Presidentit Trump. Kjo sepse Presidenti Trump ka shpallur si prioritete strategjike të mbrojtjes amerikane luftën kundër emigracionit të paligjshëm, korrupsionit dhe karteleve të drogës, duke i cilësuar organizatat leftiste dhe rrjetin Soros si struktura kriminale dhe terroriste.

Shqiptarë, zgjohuni! Praktikisht njihemi si një popull pro-amerikan, por nuk mund të përfaqësohemi më nga një qeveri e korruptuar, të cilën e shohim çdo ditë dhe do ta shohim edhe më qartë në muajt e ardhshëm, ku më shumë se gjysma e saj, përfshirë Kryeministrin, janë të lidhur me rrjetin Soros. Ndërkohë, opozita drejtohet nga persona “non grata” në SHBA dhe Mbretërinë e Bashkuar, ku shumica e bashkëpunëtorëve të tyre janë larguar nga pushteti në vitin 2013 për të njëjtat arsye për të cilat duhet të largohen edhe sot.

Dihet që siguria kushton shtrenjtë, por falë pozicionit strategjik të Gadishullit Ilirik dhe popullit shqiptar pro-amerikan, Presidenti Trump na përfshiu në strategjinë e mbrojtjes kombëtare amerikane. Për këtë duhet të jemi mirënjohës përjetësisht ndaj Amerikës dhe Presidentit Trump, por mbi të gjitha nuk duhet të punojmë kurrë pas krahëve të Shteteve të Bashkuara. Të paktën këtë e kemi detyrim moral për gjithçka që Amerika ka bërë për Kombin Shqiptar.

Ajet Delaj

New York

Filed Under: Analiza

Shqipëria, Kosova dhe Boshti Shqiptar si Gurthemeli i NATO-s dhe i Strategjisë Amerikane

December 23, 2025 by s p

Prof. Dr. Fejzulla Berisha/

Nëse harta gjeopolitike e Evropës dhe e Mesdheut lexohet me syrin e strategjisë afatgjatë, Shqipëria shfaqet qartazi si një nga nyjet më të rëndësishme të interesave strategjike amerikane në Evropën Juglindore. Pozita e saj gjeografike, orientimi i pakthyeshëm euroatlantik dhe roli aktiv në arkitekturën e sigurisë perëndimore e bëjnë Shqipërinë jo thjesht një aleate të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, por një shtyllë strategjike të qëndrueshme të interesave amerikane dhe të NATO-s.

Kjo hartë e re e fuqisë nuk ndalet vetëm te Shqipëria. Ajo përfshin edhe Republikën e Kosovës dhe hapësirën më të gjerë shqiptare, të cilat, në mënyra të ndryshme, janë të integruara ose të lidhura ngushtë me NATO-n dhe me interesat strategjike të SHBA-së. Në këtë kontekst, hapësira shqiptare shfaqet si një bosht gjeopolitik koherent, i orientuar qartazi dhe përfundimisht drejt Perëndimit.

Shqipëria: nga periferi ballkanike në nyje strategjike euroatlantike
Anëtarësimi i Shqipërisë në NATO nuk ishte një akt formal apo simbolik, por një zgjedhje strategjike civilizuese dhe historike. Shqipëria u pozicionua pa ekuivoke në kampin perëndimor, duke refuzuar çdo politikë balancimi midis fuqive të mëdha dhe çdo ambiguitet gjeopolitik. Ky orientim e shndërroi Shqipërinë nga një vend periferik ballkanik në një pikë reference të stabilitetit, besueshmërisë dhe partneritetit strategjik për SHBA-në.

Pozita e saj gjeografike në Adriatik dhe Jon e lidh Shqipërinë drejtpërdrejt me Mesdheun strategjik, korridoret energjetike, rrugët detare ushtarake dhe tregtare, si dhe me arkitekturën e sigurisë së Evropës Juglindore. Në këtë kuptim, Shqipëria nuk është pjesë e sigurisë amerikane vetëm në Ballkan, por edhe një komponent i rëndësishëm i sigurisë së Mesdheut Lindor dhe të Evropës në tërësi.

Kosova: interes strategjik amerikan dhe hapësirë operative e sigurisë së NATO-s
Republika e Kosovës përfaqëson ndoshta rastin më domethënës të angazhimit strategjik amerikan në Evropë pas përfundimit të Luftës së Ftohtë. Pavarësia e Kosovës nuk ishte thjesht një akt politik apo juridik, por një projekt strategjik i drejtpërdrejtë i SHBA-së për ndërtimin e një rendi të qëndrueshëm dhe paqësor në Ballkan.

Edhe pse Kosova ende nuk është anëtare formale e NATO-s, ajo është nën ombrellën e drejtpërdrejtë të Aleancës përmes KFOR-it, partner strategjik i Shteteve të Bashkuara dhe e integruar de facto në arkitekturën euroatlantike të sigurisë. Kosova është hapësira ku rendi euroatlantik mbrohet në terren, jo vetëm në deklarata politike. Prania e vazhdueshme amerikane dhe e NATO-s e shndërron Kosovën në një pikë kyçe të stabilitetit, parandalimit strategjik dhe sigurisë rajonale.

Trojet shqiptare si korridor i stabilitetit euroatlantik
Hapësira shqiptare në Ballkan – Shqipëria, Kosova dhe shqiptarët në Maqedoninë e Veriut, Mal të Zi dhe Luginën e Preshevës – përbën një korridor gjeopolitik stabiliteti, i orientuar qartazi dhe natyrshëm drejt Perëndimit. Ky realitet ka rëndësi të veçantë strategjike për SHBA-në, sepse krijon një zonë homogjene pro-perëndimore, pengon depërtimin e ndikimeve destabilizuese dhe përforcon sigurinë rajonale përmes bashkëpunimit ndërshqiptar në kuadër të NATO-s.

Shqiptarët, si faktor politik, shoqëror dhe demografik, janë sot forca më e qëndrueshme dhe më konsekuente pro-amerikane në Ballkan, duke përfaqësuar një kapital strategjik afatgjatë për interesat euroatlantike në rajon.

NATO, SHBA dhe boshti shqiptar i sigurisë
Integrimi i plotë i Shqipërisë në NATO dhe integrimi de facto i Kosovës në arkitekturën e Aleancës kanë krijuar një bosht shqiptar të sigurisë euroatlantike. Ky bosht shtrihet nga Adriatiku në brendësi të Ballkanit dhe përbën një vijë strategjike të interesit amerikan.

Në këtë konfigurim, Shqipëria vepron si anëtare aktive dhe kontribuese e NATO-s, Kosova si partner strategjik dhe hapësirë operative e Aleancës, ndërsa hapësirat shqiptare në rajon shfaqen si faktor stabiliteti dhe jo si burim krizash. Kjo e bën boshtin shqiptar të pazëvendësueshëm në strategjinë amerikane për Ballkanin dhe Mesdheun.

Mesazhi strategjik: Shqipëria dhe Kosova jashtë çdo pazari gjeopolitik
Në një epokë rivalitetesh globale dhe përpjekjesh për rishpërndarje të sferave të ndikimit, Shqipëria dhe Kosova janë jashtë çdo pazari gjeopolitik. Ato janë pjesë e kampit perëndimor dhe e interesave strategjike amerikane në mënyrë të qartë, të qëndrueshme dhe të pakthyeshme.

Pikërisht për këtë arsye, kufijtë e Republikës së Kosovës janë të paprekshëm, sovraniteti i Shqipërisë është i garantuar dhe orientimi euroatlantik i hapësirës shqiptare është i përhershëm dhe i panegociueshëm.

Roli i diasporës shqiptare në Shtetet e Bashkuara të Amerikës
Gazeta “Dielli”, si zë historik i diasporës shqiptare në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ka një rol të veçantë në artikulimin, ruajtjen dhe përforcimin e këtij boshti strategjik. Diaspora shqiptare ka qenë dhe mbetet një urë lidhëse jetike midis interesave kombëtare shqiptare dhe politikës amerikane.

Shqipëria, Kosova dhe trojet shqiptare nuk janë thjesht pjesë e hartës së Ballkanit. Ato janë pjesë integrale e hartës strategjike të SHBA-së dhe NATO-s. Ky realitet nuk është i përkohshëm, por rezultat i një orientimi historik, politik dhe strategjik të qartë dhe të qëndrueshëm. Në këtë kuptim, hapësira shqiptare përfaqëson sot një nga pikat më të sigurta të rendit euroatlantik në Evropë dhe, si e tillë, do të mbetet për një kohë të gjatë – ndoshta përgjithmonë – pjesë ekskluzive e interesave strategjike amerikane në Evropë dhe më gjerë.

Filed Under: Komente

MORGENAVISEN (1931) / RRËFIMI I PIKTORIT HUNGAREZ MÁRTON HOSSZÚ : “GJASHTË JAVË NË OBORRIN MBRETËROR TË SHQIPËRISË PËR TË REALIZUAR PORTRETIN E MBRETIT ZOG I…”

December 23, 2025 by s p


Márton Hosszú (1894-1953)
Márton Hosszú (1894-1953)

Nga Aurenc Bebja*, Francë – 23 Dhjetor 2025

Gazeta norvegjeze “Morgenavisen” ka botuar, të shtunën e 8 gushtit 1931, në faqen n°10, rrëfimin e piktorit hungarez Márton Hosszú rreth vizitës së tij gjashtë javore asokohe në oborrin mbretëror të Shqipërisë, të cilin Aurenc Bebja, nëpërmjet Blogut “Dars (Klos), Mat – Albania”, e ka sjellë për publikun shqiptar :

Në oborrin e Mbretit të Shqipërisë.

Mbreti Zog është një mik i vërtetë i popullit të tij — Një mbretëri po modernizohet.

Burimi: Morgenavisen, e shtunë, 8 gusht 1931, f. 10
Burimi: Morgenavisen, e shtunë, 8 gusht 1931, f. 10

Një piktor i famshëm hungarez, Márton Hosszú, ka qenë mysafir i mbretit shqiptar për gjashtë javë në pallatin e Tiranës.

Mbreti Zog e ftoi Hosszún-ë, i cili ishte në një udhëtim studimor në Romë, të qëndronte në pallatin e tij sepse dëshironte që t’i pikturojë portretin e tij.

Hosszú është kthyer tashmë në shtëpi në Budapest dhe ka shkruajtur në një gazetë vjeneze rreth vizitës së tij në Shqipëri :

“Udhëtimi nga Roma në Tiranë zgjati pesë ditë. Isha i përgatitur të njihesha me një bej, kultura e të cilit ishte në rënie. Aq më e madhe ishte habija ime kur zbulova se Tirana është një qytet plotësisht modern.

Lagje të tëra që më parë e kishin shpërfytyruar qytetin tani u shembën dhe në vend të ndërtesave të vjetra u ngritën ndërtesa banimi të bukura dhe moderne. Është pothuajse e pabesueshme se si është zhvilluar Tirana në dy vitet e fundit. Kudo që të shikosh, syri të has në bulevarde të reja, rrugë të gjera e të pastra. Dhe shumica e shtëpive të një qyteti të madh do ta kishin zili Tiranën e vogël.

Rindërtimi ende nuk ka përfunduar. Jo vetëm në Tiranë, por në të gjitha qytetet e vendit mbizotëron një ethe e vërtetë ndërtimi.

Rrugët kombëtare po shtrohen me makadam. Kudo sheh stacione elektrike të ndërtuara rishtazi, të cilat furnizojnë të gjithë vendin me energji elektrike. I gjithë sistemi telegrafik dhe telefonik po modernizohet.

Mjetet e transportit janë të përshtatshme dhe në përputhje me kërkesat moderne. Ky vend është mjaft i ri për të huajt. Kishte ende pak turistë. Rrjeti hekurudhor është zgjeruar ndjeshëm, janë hapur miniera të reja dhe së fundmi është zbuluar një burim, uji i të cilit thuhet se ka të njëjtat veti si uji i Karlovy Vary-t.

Gjatë gjashtë javëve që qëndrova në Shqipëri, u përuruan një spital i ri dhe tre shkolla.

Mbreti Zog I ishte një sundimtar i vendosur dhe energjik, e gjithë jeta e të cilit ishte e orientuar drejt qëllimit për ta bërë Shqipërinë një shtet modern kulturor.

Mbreti, i cili është 37 vjeç, gëzon simpati të sinqertë në të gjitha rrethet. Të gjithë dinë ta vlerësojnë atë.

Ai është një njeri i arsimuar. Ai nuk është vetëm një sundimtar në kuptimin më fisnik të fjalës, por edhe një mik i vërtetë i popullit të tij.

Kur mbërrita në Tiranë, u takova me ministrin e oborrit Ekrem Bej Libohovën, i cili më priti me një mirësjellje të jashtëzakonshme dhe më shoqëroi deri në pallatin mbretëror.

Pallati është një ndërtesë njëkatëshe me dritare të larta, të gjera dhe të harkuara. Nga jashtë, nuk të jep përshtypjen e një rezidence mbretërore. Pallati është dekoruar në mënyrë madhështore. Mobilje të çmuara antike janë të ndërthurura me orendi moderne.

Madhëria e Tij më doli menjëherë përpara. Mbreti lë një përshtypje shumë dinjitoze dhe fisnike. Lëvizjet e tij të qeta e të matura, i gjithë paraqitja e tij e jashtme, nuk mund të mos lënë një përshtypje të fortë tek ai që qëndron përballë tij.

Mbreti Zog është një burrë i pashëm dhe interesant. Fytyra e tij rrezaton inteligjencë të lartë. Njëkohësisht tiparet e tij janë të mbushura me energji.

Ai flet rrjedhshëm gjermanisht, anglisht, frëngjisht dhe italisht. Biseda e tij është rrezatuese.

Pothuajse çdo ditë mbreti pozonte për mua, shpesh për orë të tëra, por ai kurrë nuk e humbi durimin.

Ndërsa pikturoja, bisedonim për probleme nga më të ndryshmet. Është karakteristike për shijen e mirë të këtij sundimtari që ai nuk dëshironte të pikturohej me uniformë ushtarake dhe me dekorata.

Madhëria e Tij fliste me dashuri për temat artistike. Ai më tregoi se kishte njohuri të thella për thesaret artistike të shumicës së muzeve evropiane.

Portreti im i mbretit fitoi miratimin e tij të plotë dhe ai më dha detyrën të pikturoja edhe nënën e tij.

Nëna Mbretëreshë jeton në një shtëpi, shumë të zakonshme dhe të mobiluar thjesht, me pesë vajzat e saj dhe nipin e saj shtatëvjeçar.

Motrat e mbretit janë janë bukuri tipike me prejardhje të pastër shqiptare, të cilat kanë marrë një arsim të plotë.

Shqiptarët janë gjithashtu një popull i mrekullueshëm, mikpritës dhe gjithmonë të gatshëm për të ndihmuar.

Qëndrimi im në Tiranë nuk do të më dalë kurrë nga kujtesa.”

Filed Under: Histori

“Histori e vajzës rebele”

December 23, 2025 by s p

Lutfi Brami/

Ndryshe nga botimet e mëparëshme, ku autori ka pasqyruar pjesë nga jeta e tij dhe njerëzve të tij, të shokëve e miqëve ; Këtë radhë ,shkrimtari Vlashi Fili, ngjarjen e ka dëgjuar nga personazhi kryesor. Romani “Histori e vajzës rebele” është një rrëfim tronditës dhe emocional, që përshkon jetën dramatike të një gruaje të re, e cila, ndonëse e lindur në varfëri dhe vuajtje, shfaqet si një figurë e fuqishme, rebele dhe e pashoqe në qëndresën e saj ndaj padrejtësisë. Romani e vendos lexuesin në Shqipërinë e viteve 1930–1940 e më vonë, një periudhë e errët dhe plot trysni, ku rendi patriarkal, dhuna ndaj grave dhe mungesa e drejtësisë ishin plagë të thella të shoqërisë.

Romani ndërtohet mbi një strukturë lineare, por me kthime retrospektive,që pasurojnë zhvillimin emocional të ngjarjes. Fillimi nis me historinë e një vajze të varfër, Nebo dhe përmes kapitujve të shumtë shpaloset një rrugëtim i gjatë jetësor, i mbushur me trauma, dhimbje, por edhe momente shprese. Autori përdor një rrëfim, që i jep lexuesit mundësinë të futet thellë në ndjesitë e personazheve, sidomos të Nebos. Rrëfimi është emocional, por jo melodramatik, dhe arrin të ruajë një ekuilibër mes realitetit brutal dhe ndjeshmërisë njerëzore. Vlen të theksohet mënyra se si autori ngre tensionin psikologjik përmes kontrastit mes anës së jashtme dhe brendësisë së personazheve. Nga njëra anë, kemi një grua të shtypur dhe të traumatizuar nga shoqëria; nga ana tjetër, kemi një shpirt luftarak që nuk dorëzohet as para burgut, as para vdekjes.Nuk po ndalem në përmbajtjen e librit por në analizë të shkurtër të personazheve kryesor.

Personazhet kryesor të romanit

Nebua

Nebua, protagonistja e romanit “ Vajza rebele “, është një figurë e skalitur me finesë psikologjike dhe emocionale nga autori Ajo lind në një familje të varfër, por është e mençur, jetësore dhe me një shpirt rebel. Ishte një vajzë çapkëne, shumë e hedhur,kryeneçe, zevzeke, luante kryesisht me djemtë e fshatit,të cilët shpesh i druheshin. Kur ndonjë bënte hile në lojë gati sa t`i qëllonte , siç ndodhi në një rast.Nuk e duronte padrejtësinë. Ashtu siç shprehej e ëma se ajo ishte nisur për vajzë dhe kishte dalë djalë.Shpesh i fliste ti je pulë dhe nuk bëhesh dot kaposh,Shpesh herë i thoshin se ishte si mace e egër e të vërsulet – thosh Mesuri një fqinj.Martesa e saj me një “djalë të pasur” shënon fillimin e një kalvari torturash ,që kulmon me vrasjen e burrit , një krim i kryer si akt vetëmbrojtjeje ndaj dhunës çnjerëzore që ai ushtronte mbi të.I kishte vrarë dy gratë e mëparëshme.

Figura e Nebos është zemra e romanit. Ajo përfaqëson një grua që e tejkalon kohën dhe kufijtë kulturorë. Nebua nuk është thjeshtë një viktimë ; ajo është simbol i rezistencës dhe i vetëdijes femërore, që përballet me një botë të dhunshme, patriarkale dhe mizore.Ajo kalon nga një vajzë naive, në një grua e martuar me një vrasës serial, në një nënë e dënuar me vdekje, në një e mbijetuar ,që e kërkon djalin e saj për dekada. Ky transformim i thellë është ndërtuar me shumë kujdes dhe përmban një thellësi psikologjike të rrallë në letërsinë shqiptare moderne.

Nebua është një simbol i gruas që nuk dorëzohet përballë mizorisë, një zë i heshtur i mijëra grave, që janë shtypur e injoruar ndër shekuj, por që mbajnë në vetvete forcën për të jetuar, për të luftuar, për të dashur. Kur lexova këtë libër më erdhi ndër mend libri i shkrimtarit Haki Stërmilli “ Sikur të isha djalë “ , që bën fjalë për periudhën e vitit 1936 ,ku personazhi kryesor ,Dija i thotë të dashurit të vet, Shpendit se : Sikur të isha djalë do t`i tregoja botës mashkullore, se dora që përperkund djepin është ajo që rrotullon boshtin e shoqërisë njerëzore “

Pajtimi

Figura e Pajtimit, djalit të lindur në burg, bart një simbolikë të fortë: njeriu që lind në errësirë dhe kërkon dritën. Ai rritet i shkëputur nga e ëma, por tërheqja ndaj rrënjëve është kaq e fortë, sa e bën të ndërmarrë një udhëtim kërkimi shpirtëror. Emri i tij, Pajtim, është një simbol letrar i veçantë: pajtimi mes brezave, mes të kaluarës së dhimbshme dhe të ardhmes me shpresë.

Linja rrëfimore dhe temat kryesore në roman

Autori e ka strukturuar romanin në 93 nën ndarje apo tituj.

Disa nga temat kryesore janë :Dhunimi i gruas dhe drejtësia e munguar. Historia e Nebos hedh dritë mbi dhunën sistematike, që gratë përjetonin, ku drejtësia shpesh ishte në anën e agresorit.

Një nga pjesët më prekëse të romanit është ndarja e detyruar e Nebos nga djali i saj i porsalindur, Pajtim, që simbolizon dhimbjen e përhershme të një nëne, e cila e kërkon birin për dekada të tëra.

Falja mbretërore dhe mundësia e dytë. Pas një kërkese për falje, Nebua i shpëton dënimit me vdekje. Ky akt sjell në skenë shpresën dhe rifillimin, megjithëse plagët nuk mbyllen lehtë.

Mërgimi dhe bashkimi familjar.Pas shumë vitesh, pas rënies së komunizmit, Nebua përfundon në SHBA ku, në një kthesë të vonuar të fatit, i biri e kërkon dhe e gjen. Momenti i ribashkimit është kulmi emocional i romanit, një shkrirje e dhimbjes dhe dashurisë, që s’ka njohur kufij kohe a hapësire.

Gjuha, stili dhe simbolika

Vlashi Fili përdor një stil të thjeshtë, por të fuqishëm dhe emocional. Gjuha është e përshkuar nga një ndjeshmëri e hollë për realitetin e ashpër dhe për botën e brendshme të personazheve. Përdorimi i dialogëve të ngrohtë dhe spontan, sidomos në skenën e fundit mes nënës dhe birit, e bën romanin të prekë zemrën e çdo lexuesi.

Figurat letrare : Krahasimet , epitetet, personifikimet , Pasthirrmat, nofkat, përshkrimet etj. e bëjnë librin më emocional . Të tilla janë : capkëne , fyçkë,, kokë mushkë,, kryeneçe, zevzeke,grifshë me dy koka,trimëreshë , heroine, qullac,fytyrë si fund tigani,nuk ka ngelur laraskë pa bisht,faqja e kodrës si shullëh,… si të kishe vënë saçin,Nuk e mora vesh këtë kërriçin tim, shprehjet : “Po të keqen Nebua”,”Jo të keqen Nebua”,”Ashtu është xhan i Nebos”. “Ke të drejtë shpirti i Nebos” etj“.

Romani është i mbushur me simbolikë të shumëfishtë, që i jep veprës një përmasë më universale:

Kasollja e fëmijërisë është simbol i varfërisë, por edhe i pastërtisë shpirtërore.Shtëpia e burrit të pasur – duket si shpëtim, por shndërrohet në burg. Është simbol i fasadës që fsheh dhunën dhe shtypjen.

Burgu i Gjirokastrës është simbol i izolimit të gruas dhe vuajtjes së saj në një shoqëri që nuk e dëgjon.Lindja e fëmijës në burg është simbol i shpresës që lind edhe në vendin më të errët.

Zëri i nënës në fund të romanit është simbol i identitetit dhe i rikthimit te origjina.Në kujtesë nga romani“Histori e vajzës rebele” mbetet citati në faqen e fundit të romani: “ Qajnë burrat, që dëgjiojnë zërin e nënës, mbas një jete të tërë të humbur”

Vlerat historiko-shoqërore e letrare dhe vendi, që zë në letërsinë shqiptare

Romani është thellësisht i ngulitur në realitetin historik të Shqipërisë së para dhe gjatë diktaturës komuniste, por nuk kufizohet vetëm në të. Ai trajton temat e përjetshme të:

Dhunës sistematike ndaj gruas,shtypjes klasore dhe martesave të imponuara, padrejtësisë ligjore dhe mungesës së zërit të gruas në sistemin gjyqësor, mërgimit dhe çrrënjosjes identitare, kërkimit të përkatësisë në një botë të shpërbërë.

Në këtë mënyrë, romani ndërthur historinë personale të një gruaje me historinë kolektive të një populli, që për dekada ka jetuar nën shtypje e censurë. “Histori e vajzës rebele” hyn në grupin e atyre romaneve që rikthejnë vëmendjen te figura e gruas shqiptare, jo si objekt pasiv i ngjarjeve, por si subjekt aktiv i rezistencës dhe mbijetesës.Në një periudhë kur letërsia shqiptare po përpiqet të çlirohet nga dogmat ideologjike dhe të rifitojë ndjeshmërinë njerëzore, romani i z. Vlashi Fili ,sjell një narrativë ndryshe, të guximshme dhe të nevojshme.

Pse duhet studiuar romani “Histori e vajzës rebele”?

Romani “Histori e vajzës rebele” i Vlashi Filit nuk është thjesht një histori personale e një gruaje të shtypur — është një pasqyrë e thellë e realitetit shoqëror shqiptar, ku dhuna, varfëria, padrejtësia dhe mungesa e zërit të gruas kanë qenë plagë të pashëruara për dekada.

“Histori e vajzës rebele” është më shumë se një rrëfim tronditës – është një dëshmi njerëzore dhe shoqërore. Ky roman duhet studiuar sepse na kujton se pas çdo gruaje të heshtur ka një histori të pathënë, një vuajtje të padukshme dhe një forcë të jashtëzakonshme. Nëpërmjet figurës së Nebos, autori na fton të reflektojmë mbi të kaluarën, të kuptojmë të tashmen dhe të ndërtojmë një të ardhme më të drejtë për çdo zë të shtypur.

Romani mbart një mesazh të fuqishëm: asnjë grua nuk duhet të mbetet e heshtur përballë dhunës. Edhe në një shoqëri konservatore dhe të padrejtë, zëri i gruas mund të bëhet burim ndryshimi. Për më tepër, historia e Nebos është universale,një histori që flet për nënat që humbin fëmijët, për fëmijët që kërkojnë rrënjët, për vuajtjen, durimin dhe dashurinë që triumfon.

Me një rrëfim të sinqertë, personazhe të paharrueshëm dhe një dramë njerëzore që prek thellë, “Histori e vajzës rebele” është një vepër që meriton të lexohet jo vetëm për vlerën letrare, por edhe për ndikimin që mund të ketë në ndërgjegjësimin shoqëror.

Romani është një homazh për të gjitha gratë, që kanë vuajtur në heshtje, por që brenda tyre kanë mbajtur një fuqi të pashoqe për të dashur, për të falur dhe për të jetuar.

“Histori e vajzës rebele” nuk është vetëm një rrëfim letrar, por një dëshmi sociale dhe emocionale. Me këtë roman, Vlashi Fili i jep zë një brezi grash të heshtura që kanë përballuar dhunën, izolimin dhe padrejtësinë me guxim dhe dashuri të pashtershme.

Ky roman është një thirrje për kujtesë dhe ndërgjegjësim, një rrëfim që mbetet gjatë në mendje e zemër.Ai duhet studiuar sepse:

Ngre zërin për të heshturit, në veçanti për gratë shqiptare, që kanë jetuar në hije, por kanë mbijetuar me dinjitet dhe forcë. Ai ofron një perspektivë të rrallë letrare dhe shoqërore mbi gjendjen e gruas në kontekstin historik të Shqipërisë para dhe gjatë regjimit komunist.

Përçon vlera njerëzore universale si: dashuria e nënës, qëndresa, shpresa dhe kërkimi i identitetit.

Nxit reflektim mbi trashëgiminë emocionale dhe kulturore dhe mbi mënyrën se si trauma kalon nga brezi në brez.Është një tekst i pasur për analizë letrare, me simbolika të forta, ndërtim të thelluar të personazheve dhe teknikë rrëfimi që përzien tragjedinë personale me realitetin kolektiv.

Në një kohë kur letërsia ka nevojë të rikthejë ndërgjegjësimin shoqëror, “Histori e vajzës rebele” është më shumë se një roman, është një thirrje për kujtesë, drejtësi dhe përballje me të shkuarën.

Po e shoqëroj këtë shkrim me një poezi timen të frymëzuar nga ky roman :

“Zëri i heshtur”

(Frymëzuar nga romani “Histori e vajzës rebele”të shkrimtarit Vlashi Fili)

Në kasollen ku shiu flet me çatinë,

lindi një vajzë me sy si zjarri.

E varfër si fjala ,që s’thuhet dot,

Me shpirt që s`ka frikë nga burgu e litari

E shitën për bukë në një shtëpi të huaj,

ku e pasura fshihte një burrë që vret.

Ajo s’kishte zë, por kishte duar,

dhe kur dhuna erdhi,ajo krijoi tërmet,

Në burg, nën gurë, lindi jetë e re,

një fëmijë mes dhimbjes, i quajtur Pajtim.

Në të errëtën, ajo prapë ëndërronte,

një ditë ta shihte, ta thërriste: “bir im!”

Vitet shkuan si hije pa emër,

ajo kërkoi … ai nuk e dinte.

Por zemra e nënës nuk harron kurrë,

as kur mbi të mot e harresë të binte

Dhe kur në fund, zëri i saj u dëgjua,

biri i tha: “Po qajnë burrat, nënë…”

Sepse ka zemra që digjen ngadalë,

nga mungesa e një përqafimi të padhënë.

Filed Under: Analiza

Festat e fundvitit u mbyllën me këngë e valle shqiptare nga Shkollat Shqipe “Alba Life” Ambasador i Kombit, New York

December 23, 2025 by s p

Nga Keze Kozeta Zylo/

Shenjtorët e Gjuhës Shqipe, nxenës të lindur dhe rritur në Mërgim me prindër shqiptarë ose shqiptaro-amerikanë, erdhën në dhjetorin e festave me plot dashuri dhe respekt për të festuar së bashku mbylljen me plot sukses të semestrit të parë.

Ajri në të gjitha qytetet e Nju Jorkut deri në Albany u mbush me zëra shqip. Ishte si simfoni bilbilash, kur dëgjon Himnin Kombëtar me fëshfërimën e Flamurit që përndrit. Ndërsa kënga tradicionale shqiptare “Ja Na Erdhi Viti I Ri” të jep një nostalgji të madhe dhe një ngazëllim të parrëfyer.

Të gjithë nxënësit me mësueset nëpër shkollat si: Staten Island në klasat e Elonës, Entelës, në Brooklyn të Fatlindës, Rozetës, në Bronx të Helenës, Erindës, Migenës në Queens të Gentës Nazlijes, në Albany të Edvinës, Kristianthit dhe në Online të Gresilës shndritën duke interpretuar poezi nga autorë shqiptarë, kënduan dhe vallëzuan shqip. E pamundur t’i ndjekësh të gjitha shkollat shqipe në këto ditë festash, por programet ndihmojnë në përshtatje me format pedagogjike, psikologjike sipas moshës dhe niveleve të tyre gjuhësore. Nga ana tjetër duke parë rezultatet flasim të sigurtë se Shkollat Shqipe “Alba Life” po punojnë si orat zvicerane pa u ndalur kurrë.

Metodologjia në mësimdhënie e mësuesëve profesionistë përfshijnë strategjitë, metodat, teknikat për të arritur qellimin final. Një metodologji e strukturuar ka bërë që të lehtësoje të kuptuarit e të zhvillojë aftësitë kreative dhe bashkëpunuese të nxënësve.

Nxënësit janë Ëngjëjt mbrojtës të Gjuhës Shqipe, e mbrojnë duke mësuar dhe jo duke u asimiluar.

Sa krenarë jemi që vimë pranë këtyre shkollave na shkruajnë prindër shqiptare dhe ju lutemi nga thellësia e zemrave tona mos ndaloni kurrë! Kartolinat e urimit të tyre janë pothuajse në nderim të ABC-së, në nderim të fëmijëve të tyre që vinë me aq dashuri dhe gëzim pranë mjediseve të shkollave publike amerikane nëpër New York.

Vitin akademik 2025-2026 e filluam me një ditë te veçantë në shtator me vizitën e Presidentit të Republikës së Shqipërisë z. Bajram Begaj, vizitën e të cilit e konsiderojmë një vlerësim që i bëhet punës 19 vjeçare të stafit të Shkollave Shqipe “Alba Life” rrjetit më të madh të shkollave në Diasporë. Ka qenë një moment i veçantë që nderon kontributin 19-vjeçar të kësaj shkolle në ruajtjen e gjuhës dhe kulturës shqiptare në diasporë.

Presidenti Begaj dhe Ambasadori Bushati u shprehën se ndjeheshin krenarë për themeluesit, punën e palodhur të mësuesve, nxënësve dhe komunitetit që mbajnë gjallë traditën tonë edhe pse larg atdheut.

Ka qenë sukses i madh festim me madhështi i Ditës së Flamurit. Shkollat Shqipe në Staten Island, Brooklyn dhe Queens dhanë një koncert madhështor në auditoriumin e Shkollës Publike Amerikane Ps:42 në Staten Island, ndërsa shkollat e tjera si Bronx, Online performuan me plot profesionalizëm në shkollat e tyre, për shkak të numrit të madh të nxënësve. Edhe në Albany gjëmoi shqip Alba Life!

Nuk ka më shqip dhe më atdhetare se sa të festosh dhe të përkujtosh këtë ditë të shenjtë të Kombit Shqiptar si dhe t’i presësh me dashuri festat e fundvitit bashkë me nxënësit e Alba Life. Në fund sipas traditës z.Qemal Zylo ndau dhurata modeste në shenjë mirënjohje për të gjithë mësuesit, duke iu uruar festa të gëzuara dhe Viti 2026 sjelltë më shumë energji dhe më shumë të folur shqip nëpër nxënësit shqiptarë në Diasporë.

Filed Under: Komunitet

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 154
  • 155
  • 156
  • 157
  • 158
  • …
  • 2938
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • NJË GJUHË, NJË IDENTITET – STUDENTËT DALIN NË MBROJTJE TË SHQIPËS
  • “Shqiptarët e Amerikës” ndjekin me shqetësim të thellë zhvillimet e fundit në Maqedoninë e Veriut
  • Eshtrat e Hasan Tahsinit duhet të sillen në atdhe
  • “Irani dhe Siguria Kombëtare”!
  • Pamja e Hënës të cilën nuk jemi mësuar ta shohim
  • Analizë strategjike: Roli i SHBA-ve dhe ndikimi i NATO-s në suksesin operacional ushtarak
  • MICKOSKI DHE POLITIKA E KAMUFLUAR NË BALLKAN
  • ÇËSHTJA KOMBËTARE NË POLITIKËN E TIRANËS TË VITIT 1920
  • Në ditëlindjen e Vaçe Zelës, legjendës së gjallë të këngës, zërit që i dha shpirt një epoke
  • 115 vjet nga Kryengritja e Malësisë së Madhe dhe ngritja e flamurit në Deçiq
  • GEORGE POST WHEELER, AMBASADOR I SHBA-SË NË SHQIPËRI (1934) : “SHQIPËRIA DHE BURRAT E SHQIPONJËS…”
  • Përshtypje nga Bashkëbisedimi i AFC-së dhe Mjekëve Gastroenterologë AAGA
  • Një princeshë evropiane përballë traditës shqiptare
  • Arkeologët shqiptarë nën vlerësimin e studiuesit anglez Nicholas Geoffrey Lemprière Hammond
  • E drejta për përdorimin e gjuhës amtare në arsimin e lartë në Maqedoninë e Veriut

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT