• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Papa Françesku, priti në një Audiencë private, grupin e punës së përgatitjes së librit” Historia e jezuitëve në Shqipëri ( 1841-1946), të autores Ines Murzaku

July 13, 2023 by s p

www.vaticannews.va/

Me datën 10.07.2023, Shenjtëria e Tij, Papa Françesku, priti në një Audiencë private, grupin e punës së përgatitjes së librit” Historia e jezuitëve në Shqipëri ( 1841-1946), të autores Ines Murzaku, profesore e religjionit dhe drejtoreshë e studimeve katolike në Seton Hall University në New Jersey.

Libri i përkthyer nga origjinali anglisht, në shqip nga Anna Shkreli, recensuar nga Dr. Markus, W.E. Peters, Prof. Asoc. Dr. Erenestina Gjergji (Halili), si dhe lekturuar nga Dasareta Mitro u botua nën kujdesin e Át Zef Bisha S.J, epror i Urdhërit të Jezuitëve në Shqipëri, i cili kryesoi grupin, në këtë Audiencë.

Ati i Shenjtë u interesua mbi aspekte konkrete të këtij studimi, duke theksuar se” Shqipëria ishte vendi i parë i vizituar në Evropë, prej zgjedhjes së Tij, Papë”, duke nënvijëzuar kështu rëndësinë dhe vëmendjen e Tij ndaj vendit e popullit shqiptar.

Studimi i prezantohet publikut në një vit të rëndësishëm historik, në 10-vjetorin e zgjedhjes te Atit të Shenjtë, Papa Françeskut në selinë e Shën Pjetrit.

Në letrën drejtuar eprorit të Urdhërit të Jezuitëve në Shqipëri, e cila është publikuar në botim, vetë Papa Françesku shkruan se “Jam i lumtur për publikimin e librit të historisë së jezuitëve në Shqipëri,” ndërsa Át Roberto del Riccio S.J, Epror Provincial i provincës Euro Mesdhetare (EUM) komenton, se “Misioni jezuit në Shqipëri u kurorëzua me një trashëgimi shkencore, arsimore dhe misionare, e cila pasohet nga brezi i ri i jezuitëve, si edhe me martirizimin, ku shenjtëruan me gjakun e tyre dashurinë për Zotin Jezus dhe për tokën e popullin shqiptar.”

Libri, si pasqyrë e kontributit të jashtëzakonshëm të jezuitëve në Shqipëri, do të jetë një vlerë e shtuar njohëse, si dhe divulgative për lexuesin e interesuar, si dhe për një publik të gjerë.

Takimi me Papa Françeskun, ishte tejet emocionues e i paharrueshëm, si dhe përkujtues i “ një populli të guximshëm e të fortë, që nuk u përkul para dhimbjes”- siç do të shprehej vite më parë, në vizitën e Tij në Shqipëri, në 21 shtator 2014.

Marrë me shkurtime nga Vatikannews.

Shkrimi i plotë:

https://www.vaticannews.va/…/at-zef-bisha-sj-papa-e…

Filed Under: Opinion

Mbi globalizmin dhe imagjinatat e deformuara antiglobaliste

July 13, 2023 by s p

Nga Fran Gjoka/

Globalizmi dhe përfytyrimet provinciale antiglobaliste

Rreth librit: “Globalizmi dhe romantizmi antikapitalist”të “Mjeshtrit të Madh” Gëzim Tushi

Vazhdon me intensitet punën e vet studimore, hulumtuese e krijuese sociologu, Gëzim Tushi. Si gjithnjë, të fokusuara në fushat e gjëra të sociologjisë dhe problemeve sociale, të filozofisë, psikologjisë dhe shqetësimeve ekzistenciale që ka sjellë koha postmoderne dhe në  politologji. Gjithnjë autori me tendencë të qartë është i fokusuar në diagnostikimin e fenomeneve psikologjike, materiale dhe efektet sociale që ato reflektojnë në jetën e shoqërisë tonë. 

Besoj se edhe libri i tij duket intrigues që në titull “Globalizmi dhe antikapitalizmi romantik”, i njëzet e dyti në kolanën e librave të tij në fushë të sociologjisë dhe politologjisë, është interesant për objektin e tij, mënyrën optimiste të trajtimit të efekteve dhe kundërefekteve të globalizmit në shoqërinë e sotme universal, por edhe në nivel kombëtar. Një libër me tematikë jo të lehtë për t’u trajtuar, për shkak të optikave optimiste dhe pesimiste që përplasen me njëra-tjetrën. Edhe pse globalizmi, sikurse thotë autori, po bëhet rendi natyror i kohës postmoderne, këtë dilemë e ka ndjerë autori, i cili për t’i dalë përballë gjykimeve apo paragjykimeve të mundshme pranon se kur fillova punën për këtë libër, isha i bindur për hermeneutikën kontroversale delikate, një temë e shenjtëruar dhe anatemuar njëkohësisht. Duke qenë i imunizuar nga “sindroma e imposterit”, e vetëdyshimit, pa patur frikë për të thënë atë që mendoj, isha dhe jam i bindur dhe  besoj në mënyrë të patundur se globalizmi mbetet e ardhmja e njerëzimit. Në libër jam investuar gjerësisht me argumentime kundër idesë sempliste se “globalizmi do sjellë një çorbë kulturore e padiferencuar”. 

Përballë sfidave të gjykimeve dhe rreziqeve të keqkuptimeve të mundshme, ai thotë se jam mundur të argumentoj se ideja që globalizmi do të jetë shkak që mund të ndodhë një “rrafshim kulturor” nuk është e vërtetë. Kjo ide është fare e gabuar, metafizike, cinike. Me gjithë ndryshimet që do sjellë efekti i pashmangshëm i globalitetit kulturor, ai megjithatë nuk do mund të mjegullojë plotësisht veçanësitë kulturore të popujve në sfondin e përgjithshëm të qytetërimit global”.

Kur unë kam biseduar kohë më parë me autorin e librit, ai kishte idenë që titulli të ishte “Kush ka frikë nga globalizmi”. Me sa duket gjerësia e problematikës dhe zgjerimi i shqetësimeve që po shfaqen midis perspektivës së globalizmit dhe shkaqeve të shumta të pasigurive, e ka detyruar atë të zgjerojë lëndën dhe trajtesat. Duke marrë parasysh edhe pëlqimet dhe mospëlqimet e njerëzve, jo aq shumë të kënaqur nga efektet dhe kundërefektet aktuale të globalizmit. Megjithatë autorit i vjen në ndihmë gjykimi elegant i Presidentit të ShBA-ve Barack Obama, i cili shkruan se …nuk besoja se mund të ndalonim apo të zhbënim globalizmin, ashtu siç nuk mund të fikim internetin.

Autori është realist përballë vështirësive të gjëra të kësaj teme. Prandaj ai thotë se angazhimi im nuk ka qënë i lehtë për t’ia dalë mbanë. Kur e nisa punën vite më parë u mbështeta në vëzhgimin e kujdesshëm të “dialektikës” së ndryshime në këtë shekull që jetojmë, në studimin e realitetit politik, social, ekonomik, kulturor. Por më është dashur një punë jo e vogël për të analizuar idetë e filozofëve, sociologëve, mendimtarëve social, polititologë e intelektualë të shquar, të cilët kanë ndërtuar dhe kanë sjellë paradigma dikotomike, herë optimiste, sipas të cilës “ideja e globalizmit, do të bazohet tek bindja se emëruesi i përbashkët dhe se baza e ndërtimit të tij do të jetë konsolidimi i gjerë i demokracisë në nivel planetar. Por në shumë raste edhe nacionaliste, skeptike, pesimiste për të ardhmen e pasigurt të tij. 

Sociologu Tushi e trajton temën e gjerë të globalizmit në dy rrafshe: konceptual dhe kontekstual. Madje ky komponent i dytë zë peshë në lëndën e librit, duke evidentuar procesin e ndërlikuar të kalimit nga shoqëria e mbyllur dhe sistemi totalitar në shoqërinë moderne, të hapur dhe me prirje drejt globalizimit. Sepse ai mendon se globalizmi, pavarësisht vështirësive kalimtare, do të bëhet “ideologji planetare”. Në këtë kontekst ai nuk pajtohet me konceptime të ngushta skeptike, cinike, provinciale e antiglobaliste. 

Globalizmi është një realitet që mund të kuptohet me “mendje të hapur” dhe kjo është një nga detyrat e njerëzve që kanë idetë e duhura për të qënë “strategjistë të globalizmit”, duke argumentuar se kjo është rruga e zgjerimit të të drejtave të njeriut në botën postmoderne, që do të ndikojë pozitivisht në karakterin universalizues të vlerave të qytetërimit në epokën tonë. Bashkekzistenca qytetare në botën e globalizuar do të shoqërohet, thotë autori, me patjetër edhe me ndryshime thelbësore në mënyrën e jetesës. Sipas tij kuintesenca e globalizmit do jetë “shumë kultura e mënyra sjelljeje dhe një njerëzim”. Doemos duke “sulmuar” imagjinatat e deformuara dhe konceptet paranojake të antiglobalistëve, Gëzim Tushi për ta zhvilluar teorikisht këtë sfidë të globalizmit si alternativë dhe e ardhmja e këtij shekulli, trajton gjërësisht edhe mënyrat e reja të shfaqjes së humanizmit, komunitarizmit e solidaritetit global. 

Bota nuk mund të bëhet globale dhe globalizmi nuk mund të bëhet funksional pa një kartë të “humanizmit dhe solidaritetit universal”. Një solidarësi që mund të kapërcejë kombet, bashkësitë, etnitë, por pa prishur kushtet e gëlimit të kulturave. Kjo do të thotë se në disa drejtime globalizmi do të zbusë forcën e egër të “përkatësive të trashëguara” që në epokën paraglobale i kanë shoqëruar njerëzit dhe qytetërimet që nga djepi deri në varr. Solidaritetet e vjetra, të kufizuara kulturalisht, ekonomikisht dhe etnikisht nën ndikimet transformuese të globalizmit do të kapërcejnë kufijtë e trashëgimive dhe përcaktimeve të vjetra të tyre.

Sociologu Gëzim Tushi i kushton jo pa qëllim një pjesë të konsiderueshme të librit të tij, çështjeve të ndërlikuara të raporteve midis kombëtares dhe globales, lokales dhe planetares, mënyrës etnike dhe jetës postmoderne në hapësirën e globalizuar. Problemet e globalizmit dhe ruajtjes së identitetit kombëtar janë trajtuar me kujdes, duke parë anën e ndritur, por dhe problemet jo aq shumë të lehta për t’u koordinuar e zgjidhur në mënyrën e duhur. Prandaj autori tregohet i matur kur vjen fjala për raportet e globalizmit me diversitetet, të çdo natyre qofshin ato si dhe për mundësinë e shfaqjes edhe të “rreziqeve të pakontrolluara”.

 Pavarësisht vështirësive, dyshimeve dhe skepticizmit autori ngul këmbë dhe argumenton tezën se bota në kohën e sotme po kalon nga një gjëndje fragmentarizimi drejt globalizmit integrues. Të gjithë mendojnë se globalizmi është një stad i ri në rrugën e evolucionit të njerëzimit. Kjo rrugë globale ka nevojë për strategjistë dhe njerëz mendjehapur. Ky stad ka të pashmangshëm rrugën e ecjes së përbashkët drejt dimensioneve të reja të integrimit global. Është e pritshme që sa më globale të bëhet bota dhe sa më i globalizuar të shfaqet njerëzimi, aq më shumë do të ndihet i çliruar nga tensionet e panevojshme e të tepërta nacionaliste. Globalizmi në mënyrë të pashmangshme do të sjellë jo thjeshtë ndryshim, por shndërrim të njërëzimit. Gëzim Tushi ngul këmbë se pavarësisht vështirësive kalimtare, është e sigurt që do të marrë kuptim tjetër kalimi nga integrimi nëpërmjet kombit në një integrim të përgjithshëm, që po përfshin tërë njerëzimin. Kjo do të thotë se ajo që pritet nga zhvillimet globale është vlerësimi i forcës së tij për të ndërtuar “shoqërinë e njeriut global”, sepse, sikurse thotë autori, në një botë të globalizuar do të jetë e mundur që jo vetëm njerëzit të jetojnë së bashku, por edhe ta kuptojnë njëri-tjetrin. Autori merret gjerësisht me problemet e ndërlikuara të raportit midis globales dhe kombëtares, për garancitë dhe pasiguritë që e shoqërojnë këtë simbiozë delikate, që do rregullojnë raportet dhe marrëdhëniet midis globales dhe lokales, midis mënyrës universale dhe mënyrës etnike të të jetuarit në kohën e sotme.

Autori përqëndrohet me tendencë në sqarimin  e paqartësisë që qarkullon në opinionin publik se globalizmi do të jetë shkak për rrafshim kulturor. Kjo tezë, mendon sociologu Tushi, është fare e gabuar, metafizike dhe cinike. Globalizmi nuk është kundër tendencës së qytetërimit postmodern për të mbrojtur të drejtën e afirmimit të identitetit kulturor. Autori i librit “Globalizmi dhe romantizmi antikapitalist” është i mendimit që megjithë ndryshimet që do sjellë efekti i pashmangshëm i globalitetit kulturor, ai megjithatë nuk do mund të mjegullojë plotësisht veçanësitë kulturore të popujve në sfondin e përgjithshëm të qytetërimit global. Por nga ana tjetër sociologu Tushi mendon që duke parë këtë realitet është normale që për të qenë në kompatibilitet me kohen dhe raportet identitetit me globalizmin kulturor është e udhës që herë të flitet për “qytetërimet” njerëzore dhe herë për “qytetërimin” njerëzor. 

Globalizmi do të ndihmojë për të kapërcyer “konceptimin fisnor” për kulturat dhe qytetërimet e parcelizuara nga identitetet e ngurta, por në të njëjtën kohë globalizmi nuk mund të sjellë një “çorbë kulturore” të padiferencuar që vjen nga mungesa e respektit për integritetin fizik e moral të njeriut. Globalizmi ka potencë që të krijojë një “qytetërim njerëzor”, i cili do mund të shpaloset përmes diversifikimit kulturor të pafund. 

Sociologu Tushi është i mendimit se kultura dhe përparësia e saj në globalizëm duhet bërë “disiplinë e mbijetesës planetare”. Që të ecim normal dhe të ekuilibruar në epokën e globalizmit është e udhës që të kuptojmë imperativin e madh dhe nevojën e ndryshimit të zakoneve dhe përparësive që kemi në jetë. Kjo do të thotë se duhet të dëgjojmë më mirë dhe me vëmendje më të madhe zërin e botës ku “kemi zbarkuar”. Sociologët në mënyrë sintetike e metaforike thonë se në botën globale njerëzit nuk mund të jenë më të “huaj” për njëri-tjetrin, pavarësisht nga identitetet e tyre të trashëguara. Përkundrazi globalizmi do t’i bëj planetarisht njerëzit vetëm “shokë udhëtimi”. Kjo do të thotë se globalizmi do krijojë kushte humane të tilla që diversiteti njerëzor të shprehet nëpërmjet një bashkëekzistence të harmonishme dhe pa tensione që prodhojnë dhunë. Ky është globalizmi i cili nuk mund të bëhet pa krijuar kushte për një unitet të ri global të “aventurës njerëzore”.

Në këtë kontekst, sipas autorit, që në globalizëm të ndryshojë edhe trajta e zhvendosjes dhe integrimit të njerëzve. Megjithë përpjekjet e bëra deri tani, pavarësisht ndryshimeve që kanë ndodhur pas rënies së Murit të Berlinit, një gjë është fare e qartë. Deri tani nuk ka funksionuar si duhet “makineria e integrimit” të emigrantëve dhe atyre që duan të lëvizin apo të emigrojnë. Njerëzit kanë shumë shpresa nga zhvillimet globale dhe efektet e globalizmit. Por ajo që ata presin më së shumti është kapërcimi i atmosferës globale për emigrantët, e cila është e mbuluar nga ankthi, frika, mosbesimi dhe mllefi. 

Të gjitha këto ide, dilema, gjykime, analiza e prognoza janë të sintetizuara në librin e sociologut Gëzim Tushi, i cili ka pak ditë që ka parë “dritën e botimit” dhe tashmë është në duart tuaja…

Filed Under: Ekonomi

Debit dhe kredit

July 13, 2023 by s p

Astrit Lulushi/

Jetojmë në kohën e Kasandrës, çdo gjë ndryshon vetëm për keq. Njerëzit vazhdojnë të ikin, ata që qëndrojnë janë pleq ose të pamundur. Gjysma e populsisë është larguar. Një pjesë e dobët e kombit këmbëngul në pushtet. Thirrjet e disave bien në vesh të shurdhët.

Qeveria ndalon studentët të punësohen jashtë (sikur u thotë: “jeni skllevër deri në pagimin e borxhit”).

Në kohën e tiranëve në Athinën e lashtë (shekulli 7), Soloni kritikoi arrogancën e pushtetarëve dhe heshtjen e shtetasve. Kjo ndihmoi në krijimin e reputacionit të tij si i urtë. Soloni ishte ligjvënës, shkruante edhe poezi. “Qytetarët ndihmojnë padrejtësinë me aktin e tyre të nënshtrimit”. Ata nuk dinë të frenojnë ngopjen e tiranit, që përvetëson padrejtësisht pronën dhe janë të gatshëm të shkatërrojnë edhe vendin e tyre. Të dyja palët me siguri do të vuajnë si rezultat i mendjemadhësisë së tyre. Kjo dëshmon në heshtje të tashmen dhe të shkuarën dhe me kalimin e kohës vjen ndëshkimi. Provoni të kritikoni qeverinë; nuk iu fut në burg, por mbeteni të huaj.

Borxhi është një mjet i qëllimshëm nga ana e kreditorit. Në kohët e shkuara, debitorët duhej të vazhdonin të punonin dhe t’u paguanin rendimentin e të korrave kreditorëve të tyre derisa borxhi të shlyhej. Kjo kishte një origjinë më të lashtë në Sumer dhe Babiloni, 5 mijë vjet më parë.

Pasuria sjell me vete dëm publik, dhe Soloni në Atikë, qortonte ata që shkatërrojnë qytetin ‘për shkak të dëshirës së tyre për pasuri. Problemi është se pasuria krijon varësi. Rezultati është se ‘teprica ushqen pafytyrësinë, kur prosperiteti i madh u vjen njerëzve që nuk janë të shëndoshë (moralisht). Pikëpamje të tilla ishin pjesë e një kritike shekullore të varësisë ndaj pasurisë dhe arrogancës. Referimi i Solon-it ndaj individëve të pasur ‘të pa shëndoshë’ u bë pika e nisjes për argumentin e Sokratit nëse qëllimi ishte vetëm për të shlyer “kreditorët shkatërrues shoqërorë”.

Soloni shkroi se hoqi ‘honorin’. Fjala do të thoshte sinor “kufi”, “kufi”, “përkufizim”, përkthyer zakonisht si gur kufiri. Ato ishin “pllaka mermeri, guri gëlqeror, shkëmbi vullkanik ose gurë të tjerë të futur në tokë në pikat e duhura. Sinorët u përdorën për pronat private, kufijtë e qyteteve, kufijtë shtetërorë, tempujt dhe pronat e kultit dhe varret. Gjysma e dukshme mund të jetë plotësisht bosh. Por më së shpeshti ishin gdhendur ose me fjalën e vetme ‘honoris’ ose me një fjalë ose frazë shtesë që emëronte perëndinë e një tempulli ose jepte ndonjë informacion po aq të veçantë.

Sipas Solonit, burra që punonin tokën

dhe merrnin 1/6 e të korrave nuk ishin skllevër, por bënin punë të varur ose të pavullnetshme, ose thjesht ‘qiramarrës me detyrime të prapambetura’.

Protestat kryesore ndodhën kur bujqit mbetën prapa në detyrimin e të korrave, ose morën hua ushqime, farëra apo furnizime të tjera dhe nuk mund të paguanin borxhet dhe ranë në robëri. Përpara reformave të Solonit, kreditorët-patronët – mund t’i shisnin ata te tregtarët e huaj të skllevërve. Bujqit mendonin se pozicioni i tyre i pasigurt klientel ishte i padrejtë dhe i panatyrshëm, jo ​​më i mirë se skllevërit e luftës. Ata donin tokën e tyre pa borxhe, por qeveria nuk kishte asnjë territor të pushtuar për t’ua shpërndarë dhe oligarkia luftoi kundër ndarjes së tokave të saj.

Për sa kohë që debitorët qëndruan të lidhur me tokën, ata mund të kenë shpresuar se pozicioni i tyre ishte thjesht i përkohshëm, duke pasur parasysh aftësinë e kufizuar të kreditorëve të tyre për t’i shfrytëzuar më tej. Por kufizimet e zakonshme shoqërore po shtoheshin dhe kultivuesit rrezikoheshin të humbnin të drejtat e tyre si qytetarë. Kjo e shtyu Solonin të ndalonte skllavërimin për borxhet e prapambetura (ose me forcë të paligjshme) në tokën e punës që të pasurit e kishin përvetësuar padrejtësisht.

Nuk është e qartë sesi në praktikë Soloni mund t’i kishte shlyer debitorët që ishin shitur jashtë vendit. Ajo që është më e rëndësishme të njihet është se ai zbatoi njohjen ligjore të faktit se statusi i skllevërve ishte shumë më i mirë se ai i skllevërve të drejtpërdrejtë. Midis skllavërisë së drejtpërdrejtë dhe lirisë ishte kategoria e ndërmjetme e skllavërisë për debitorët nominalisht të lirë, të cilët ruanin të drejtat e tyre ligjore si qytetarë, p.sh., të mos trajtoheshin si skllevër nga kreditorët e tyre

Por është e qartë se si qeveria sot kërkon t’i trajtojë banorët e saj (me VKM dhe jo me votë parlamentare), disa i nxjerr nëpër botë dhe të tjerët i mban brenda si skllevër.

Filed Under: Sociale Tagged With: Astrit Lulushi

PO VJEN NJË GJERGJ I RI PËR TË DJATHTËN SHQIPTARE…

July 13, 2023 by s p

Nga Visar Zhiti/

KANDIDATI I RI. 

Ç’THUHET PËR TË DHE VOTIMIN E ARDHSHËM?

Për të zënë vendin bosh të kryetarit të asaj pjesë të ndarë të Partisë Demokratike, ndërkaq dhe zyrtare, hodhi kandidaturën e tij të beftë qytetari Gjergj Hani, anëtar i thjeshtë i saj, me premtimin për bashkim, për të ecur në rrugën e rimëkëmbjes të së Djathtës politike shqiptare, por dhe të Shqipërisë. 

Menjëherë pas tij, me një befasi tjetërlloj, shpalli kandidaturën për kryetar dhe Lulzim Basha, kryetari i dorëhequr me të drejtë për shkak të humbjeve dhe ndarjes dhe përgjegjësive ndaj tyre. 

Tani janë ballëpërballë kandidati i parë, i panjohuri Gjergj Hani, por që parashtron ide, filozofinë e munguar të PD-së, sipas tij, me apelin për të zbuluar gabimet, fajet dhe papërgjegjshmëritë që u arrit deri këtu, “në këtë derexhé” thotë ai dhe që të dënohet e shkuara e keqe e përbashkët për të ardhmen normale, më të mirë, po të përbashkët, teksa kandidatura e dytë, i mirënjohuri Lulzim Basha, po kërkon rikthimin e tij, për të bërë ato që s’u bënë dot dhe me të në krye ndër disa legjislatura. 

Duket sikur kandidati i dytë derën e ka të hapur dhe rrugën të shtruar dhe të lehtë, që të rivijë atje ku e kishte lënë, me ata që nuk e kanë lënë dhe e mirëpresin, me po atë zyrë dhe brohërima në gjysmë partinë, me ato struktura dhe përvojë humbjesh dhe me atë armiqësi të vonë, por të pandreqshme me pararendësin e tij, teksa zgjedhjet për kryetar të 29 korrikut i shohin si një formalitet, gati festiv, “Basha e ka të sigurtë fitoren”. Të kujt? Të vetes?… Përse? Është tmerrëisht e pamjaftueshme, madje e padobishme.  

Ndryshe është me kandidatin e parë, befasuesin Gjergj Hani, që thotë se nuk ka rëndësi nëse nuk fiton, “nuk jam për vete, të fitoni ju, idealet tona, prosperiteti i vendit”. Dhe është i vetëm, pa struktura elektorale e zyrë e financë, pa asnjë lloj mbështetje, madje dhe shfaqja e tij është parë me mosbesim, edhe me dyshim: kush është ky? 

Një qytetar yni, bashkëvuajtës yni. 16 vjeç na e sollën në burgun e tmerrshëm të Qafë Barit se donte të arratisej, donte lirinë e tij, me besimin se do ta gjente në Perëndim. E kapën mu në kufi në Pogradec dhe e dënuan me 10 vjet burg nga gjykata ushtarake, gjyqtar ishte deputeti i mëvonshëm i PS, Spartak Braho, ndërsa karakteristikën që u kërkua për atë si nxënës në gjyq, e kishte përgatitur mësuesja e tij, Anita Braho, bashkëshortaja e gjyqtarit. Ajo kishte shkruante shkëlqyer për nxënësin e saj, Gjergj Hani. E çuditëshme dhe e bukur! Që atëhere e dha të çarën e parë, mësuesja është me të, ligji kundër…  

Gjergji lirohet nga burgu me një amnisti, por në qytetin e lindjes, në Durrës, nuk i japin as shkollë e as punë, por pritën të bëhej 18 vjeç që ta dënonin përfundimisht, sërish në burgun e Qafë Barit, etj, etj. Shëmbet Muri i Berlinit, bie perandoria komuniste dhe diktatura në Shqipëri ndryshoi, Gjergj Hani del dhe ikën në Itali, punon në një gazetë me vokacion të djathtë në Napoli, etj e mbas 20 vjetësh kthehet në Atdhe. Tani që të sjellë idetë Perëndimore, kulturën konservatore, qendresën dhe besimin, qoftë dhe aq sa mund të zgjojë dhe një i vetëm. Dhe:   

1- U hap opinioni çoroditës a çoroditja e opinionit, ndoshta dhe vetvetiu, që kandidati i parë është vënë me marrëveshje për kandidatin e dytë, se i dyti e ka të sigurtë, po i duhet i pari, që të jetë, si të thuash, i përligjur, siç është bërë dhe herët e tjera, kështu thonë e nuk fyhet e nuk indinjohet askush… 

E pabesueshme për mua që Basha do ta donte një fitore mashtruese..

2- Jo në biseda kafenesh, por në studiot televizive, në intervistat me Gjergj Hanin po i thuhet hapur, që dhe nëse nuk je në një marrëveshje me atë, të dytin, e ke të kotë, ti nuk fiton, as të njohin dhe as ke përvojë, kush ta jep votën ty(?!).

Vota nuk është për të, por për idetë e tij dhe rimëkëmbjen. 

3- Madje shkohet deri atje, që të thuhet açik, që edhe sikur të votojnë për ty, gjë që nuk ndodh, sipas parashikimit të Kasandrave mediatike, ata, mëtonjësi tjetër, partia, i kanë të gjitha mjetet që të nxjerrin fitues atë tjetrin, të dytin. (?!?)

E pabesueshme them prapë për një Parti Demokratike! E rëndë për një epokë demokratike! Për një popull të lirë. E keqja pranohet si të jetë një nen, zakon, si normalitet. 

Gjergj Hani vështron I pahutuar. E di. Edhe buzëqesh lehtë. Thotë dhe s’ka gjë, kam ardhur të bëj timen, t’ju them…

Ndërkaq për intervistën e tij serioze me gazetarin Muç Nano unë shkruajta një koment:

Një gazetar që pati mirësinë të dëgjojë, Nano i durueshëm në profesionin e tij dhe Gjergj Hani i shkëlqyer, i qartë në ide dhe në shpirt, filozofi i munguar i gjendjes, udhërrëfyes modest, por siperan ndaj atyre që e rrethojnë: ai e di rrugën, po e tregon…

Dhe s’duhet lënë vetëm. Ndërgjegjja qytetare, përgjegjësia e gazetarit, investiguesve të së vërtetës, ta vërtetojnë atë që thuhet dhe thonë, të nxjerrin proven, që të mos mbetet si thashethem, nëse s’është. Studioja televizive duhet të jetë institucion i informimit të të vërtetave dhe, nëse do të ndodhë ashtu siç parashikojnë, nëse nuk e ndalin dot, duhet apeli qytetarëve që së bashku me ata të ngrihen kundër krimit elektoral, padrejtësisë së lartë, ta denoncojnë dhe në Institucionet e Drejtësisë, në Spak, nëse është për këto çështje vërtet, në Bruksel, në Hagë. 

Ç’është kjo gjëndje dhe realitet ku më seriozisht dhe më me emocion merren spektaklet bjerrakohëse të tipit “Big Brother” dhe jo realiteti spektakolar njeribjerrës, ku “Big Brother-at” dalin nga ekranet dhe duan të sundojnë të gjithën mbi të gjithë? Ndaj dhe përhapet kjo ftymë mosbesimi dhe status quo-je, që shkon keq e më keq, teksa mediat vërtet mund të bëjnë krejt tjetër dhe shumë, jo disinformim, por informim, pse jo dhe formim në dobi të popullit të tyre.

ZËRI YNË  

I GJERGJ HANIT

Unë jam i prirur dhe i besoj asaj që Gjergj Hani thotë, ashtu bindshëm, me qytetari, i qetë, i hapur, me filozofi të kuptueshme, me shqetësimin e shumëve, me dashuri Biblike e urtësi Kurani, që kërkon të sjellë dhe pse jo të mos e prijë, ndryshimin dhe rimëkëmbjen, sfidë ndaj kësaj gjendjeje dhe realitet të amullt, kundër politikës në vetvete, të shkëputur nga realiteti dhe gjendja, që si rrjedhojë i ka lënë dhe si të tilla, ndotjes morale të mjedisit ideologjik, që kërkon të startojë aty ku dhe është, në PD-në e tij.   Me tagrin e një qytetari të zakonshëm, që e konsideron të rëndësishme pjesëmarrjen në shqetësimet aktuale të përbashkëta, unë bëra dhe këtë koment në rrjetet sociale, pas shfaqjes së Gjergj Hanit si kandidat:  

“Një zë i veçantë, që vjen nga humnera, nga vuajtja e madhe, nga burgjet politike, me ëndrrën e lirisë, të demokracisë, i qartë, me mendim dhe vizion, me besim, jashtë strukturave dhe zyrave, por me dëshirat, aspiratat dhe idealet e demokratëve të shumtë e të thjeshtë, të qytetarëve, që kërkon të kemi moralin e munguar në politikë, të rimëkëmbë një të djathtë politike në shërbim të një realiteti pa urrejtje, të drejtë, jo retorik, të punës begatuese të gjithsecilit për një Shqipëri normale, të frymës dhe kulturës Perëndimore, të një Shqipërie EuroAtlantike… Dëgjojeni!”

Për rivalin e tij të njohur nga të gjithë, nuk kam shkruar gjë, se ai e ka treguar vetë rrugëtimin e tij si politikan, lider, kryetar bashkie, ministër i disahershëm dhe kryetar i Partisë Demokratike, vazhdues i liderit historik të saj, Sali Berishës, deri në ndarjen me të, pas shpalljes së vonë “non grata” nga DASH, Departamenti i Shtetit Amerikan, me akuzë të parë “minimin e demokracisë”? A do ta bënte Lulzim Basha këtë ndarje me të kaluarën, që është dhe e tij, pyet kandidati për kryetarin e ri të PD-së, Gjergj Hani, po të mos ishte kjo ndërhyrje drastike nga jashtë, nga SHBA, aleatit jetik i Kombit tone? Dhe përgjigjet po vetë që jo. Dhe i ka vënë vetes këtë mision: shkëputjen e PD-së, dhe jo vetëm të saj, nga e kaluara rrënimtare.  Ky ishte dhe misioni i themelimit të së parës parti opozitare, Partisë Demokratike, 33 vjet më parë, në dimrin 1990 dhe sot ndodhet në gjendjen më të rëndë e më të vështirë të saj, na thotë Gjergj Hani me fjalën dhe shkrimet e tij, Ky është realiteti, që sigurisht duhet të përjetohet me dhimbje nga e gjithë shoqëria, së pari nga anëtarët e PD-së dhe simpatizantët e shumtë, dhëmbje therëse siç është për Gjergj Hanin, që e sheh me sy kritik. Opozita në demokracitë normale e të kultivuara është pushteti moral i një vendi, dihet, ndërkaq nuk harrohet që PD-ja është dhe partia e ndryshimeve të mëdha, e kalimit të vendit nga sistemi diktatorial socialist në sistemin demokratik, të tregut të lirë, pra, në kapitalizëm dhe Gjergj Hani mendon dhe e vuan që PD-ja i ka braktisur idealet e fillimit, ato për të cilat dhe u themelua dhe i shkuam nga pas, edhe ne, që dolëm nga burgjet politike e kampet e përqëndrimeve, që sipas Gjergj Hanit, nuk ka të përndjekur, por kundërshtarë, jo ish të burgosur, por të burgosur politikë, jo ish pronarë, por pronarë, se “ish”-i është, jo “ish komuniste”, por komuniste. Ndërkaq ka që i gëzohen hapur apo fshehurazi apo paturpshëm këtij rrënimi nga lart e që punojnë për këtë antiarritje, që është ndërkohë dhe rrënim moral lart i vetë pozitës dhe e gjithë, – karikaturë e demokracisë, – duhet bërë e qartë se nuk i shërben shëndetit të vendit, kështu ngulmon dhe Gjergj Hani. Tranzicioni postdiktatorial kaq i lodhshëm, bipolarizues, i shtimit të ndërtimeve, rrugëve, betonizimeve, turizmit, lirsië, ikjeve, por dhe varfërisë në shumicë dhe i pasurimit të shpejtë, por dhe i dyshimtë i një pakice, tjetërsimit tashmë të demokracisë, avitja e praktikave të lëna dhe formave të kamufluara të burokracisë totalitariste, etj, duhen ndalur, bën apel Gjergj Hani dhe beson në në forcën që kërkon të drejtojë.   Fillon me moralin në politikë, për rrjedhojë dhe në të gjithë kapilarët e veprimtarive jetike të një vendi, i lënë pasdore nga partitë, pozitë dhe opozitë. Keqardhja politike e Gjegj Hanit dhe, për fat jo vetëm e tij, por e një shumice të madhe, është e thukët, një pozitë pa opozitë, që ndërsjelltas kërkojnë rrënimin fatal të njëra-tjetrës. Opozita nuk funksionon si duhet, kur është e copëzuar, grindjet brenda vetes, është e paqartë tani dhe kërkon kuturu marrjen e pushtetit, pa nënkuptuar pushtetin e ligjeve, të parimeve të demokracisë dhe të lirisë, në fund të fundit të mirëqenies ekonomike dhe shpirtërore. Parësore është lidhja tërësisht me BE dhe SHBA, çështja kombëtare, dy shtete shqiptare në Ballkan, ndërveprimet, strategjitë, etj. Duhet hierarkia e vlerave dhe rendi i detyrave dhe angazhimi qutetar. Nëse këto nuk janë aktive, madje me një diplomaci agresive, por thjesht i dorëzohen apatisë, indiferences ose shqip mënjanësisë, një (mos)keqardhje kombëtare jashtë nesh si retë mbi popullin, vërtet do të thosha se gjendja është më dramatike, zvetënimi dhe mosbesimi gjeneral nga politikëbërja dhe politikëbërësit e të gjitha kaheve dhe dekadave. Në klasën politike, të krijuar tashmë, ajo pjesë që merr pushtetin, pra e njërës parti, duket se instalon ethshëm vetveten dhe simetrinë e vet, partinë tjetër, opozitën, që e do për sfond dhe sa më të dobët, mundësisht të zhbëhet dora-dorës, por dhe të bëhet, aq sa i  duhet lojës dhe përdor mbetjet e saj për të përligjur kriminalisht sundimin me oligarkë e vazhdues e trashëgimtarë nostalgjikë të regjimit. Jo thjesht si gjak, por si mendësi dhe frymë urrejtjeje. Marrshimi mbrapsht!

  HERËT APO VONË APO JASHTË KOHE?

   Kanë filluar takimet në bazë, siç quhet me gjuhë partiake, të dy kandidatëve, Gjergj Hani dhe rivalit ë tij, Lulzim Basha. Pra ata po shkojnë nëpër rrethe të flasin me demokratët që do të votojnë për kryetarin e ri në PD zyrtare, po sa reale është, do ta tregojë e nesërmja. Gjergj Hani shkon në takime pa grup, pa shoqërues, vetëm me bashkëshorten, pa asnjëlloj mbështetje partiake, elektorrale, me makinën e tij që mbush rrugëm me bezninë nga xhepi i tij, me idetë e tij, me moralin e tij, me vuajtjen e tij, është njëri nga ne që kërkon të bëjë atë që do të donin shumica a të gjithë dhe takimet, sipas tij, janë sipas një formati të paracaktuar nga Partia, jo fort të volitëdhme për të, që nuk ka qenë pjesë e forumeve, grupimeve apo klaneve të interesave të tyre. Në rrjetet sociale unë sërish kam bërë komentin tim: Gjergj Hani po sjell vetveten, një prurje kritike e munguar, por e duhur. Idealist, me principe dhe real, ku pesimizmi është një arsye për ndryshim, me këmbët në tokë, kur shumëçka është e zhytur në llumin e gabimeve, fajeve dhe të korrupsionit, te mashtrimit dhe të përçarjes dhe talljes së trashë me realitetin, që na sundon, duket dhe nga vetë media, gati sharlatane, e kapur nga interesat oligarkike dhe mediokriteti mërzitës i vetvetes. Ai është bërë më i njohur dhe po ngjall interes të rëndësishëm. E përsërisim, pas zhgënjime të rënda, humbjeve të njëpasnjëshme dhe ndarjes së PD-së, ai ndjeu thirrjen e brendshme, jo që të konkurojë ndokënd, por të plotësojë boshllëkun e krijuar, moral dhe në ide e në veprim, mosbesimin apo lëvizjet e mbrapshta. Konkurenti i tij i sprovuar erdhi më pas, të rimarrë vendin që la bosh. Gjergj Hani do që t’u tregojë anëtarëve si askush tjetër më parë në PD, por dhe gjithë vendit që pse u arrit këtu e çfarë duhet bërë për të dalë, jo vetëm Partia dhe e djathta, por së bashku. Sërish si askush tjetër në fjalën e tij ka besim, Në themelet e Bashkimit Europian është kultura e krishterë dhe në Kushtetutën e SHBA është doktrina e lumturisë, kjo frymë është dhe në kumtet e tij. Paqe, pa urrejtje, pa hakmarrje, me drejtësi duke parë përpara, pa harruar… T’i shkojmë nga pas. Unë sërish kam komentuar:       Nëse do të humbet vizioni i Gjergj Hanit, ka për t’u humbur një mundësi e rrallë shprese, thirrja e hapur per moralitetin në politike, për rimëkëmbjen e një ideali dhe platforme zanafillëse të së djathtës, të paqena qartazi, por të deshiruara turbull nga mungesat e kultures se saj dhe përvojat. Gjergj Hani së paku kërkon të zgjojë ndergjegjet dhe përgjegjësitë duke ofruar ndërkohë pikërisht këtë vizion, prandaj duhet mbështetur per t’u kthyer në një realitet ecja nëpër këtë rrugë. Si kthesë dhe si ndryshim. Ndryshe demokracia e vendit është ende më e rrezikuar… 29 Korriku erdhi, nuk jemi herët, por vonë… mbase me dekada. Gjergj Hani sapo nisi të shkruajë kështu një kronikë të re në të djathtën e re, libër politik i historisë së tanishme. Nga e kaluara dhe përvoja të marrim vlerat dhe arritjet dhe dinjitetin. Gjergj Hanin nuk dua t’ja kundërvë kurrkujt, gjithkush që bëri atë që mundi, pararendësit e tij duhet ta mbështesin, kjo do të ishte e arsyshmja.   Nëse do votoni kryetar Gjergj Hanin, çdo demokrat i thjeshtë ka votuar vetveten e tanishme. Nëse jemi në kohën e sistemit që ëndërruan dhe deshën martirët dhe vuajtën të persekutuarit e shumtë burgjeve dhe internimeve dhe e dëshiruan qytetarët e një vendi të mbyllur, kundër të cilit u ngritën së pari studentët, rinia, të gjithë, që t’i besojmë se jemi në të tashmen e tyre, pse të mos jetë lider i kësaj ëndrre një që vjen nga ajo ëndërr, nga ajo vuajtje e madhe, që tashmë i ka këputur prangat që vinin mendjes dhe telat me gjemba shpirtit, Gjergj Hanit, për të sjellë sa më parë nga e ardhmja që e duam bashkë…

C:\Users\User\Downloads\IMG_6994.jpg

Filed Under: ESSE Tagged With: Visar Zhiti

Qeveria e Kosovёs publikisht e tregon gatishmёrinё e saj pёr tё kontribuar nё deeskalimin e situatёs ne veri

July 12, 2023 by s p

Fokusi kryesor i takimit tё djeshёm nё Bratisllavё me Pёrfaqёsuesin e Lartё tё Bashkimit Evropian, z. Lajçak ishte krijimi i parakushteve pёr pёrforcim tё fokusit nё zbatimin e plotё dhe tё pakusht tё Marrёveshjes Bazike tё 27 shkurtit dhe aneksit tё Ohrit tё datёs 18 mars. Nё kёtё kontekst jemi dakorduar sa vijon:

• Qeveria e Kosovёs publikisht e tregon gatishmёrinё e saj pёr tё kontribuar nё deeskalimin e situatёs dhe mosndёrmarrjen e veprimeve qё mund tё eskalojnё situatёn nё veriun e vendit. Kjo pёrfshin njё zvogёlim tё menjёhershёm nё masёn e 25% tё prezencёs policore nё dhe rreth ndёrtesave komunale.

• Policia e Kosovës bashkё me EULEX-in dhe KFOR-in, sipas nevojës do të vlerёsojnё gjendjen e sigurisё, nё veçanti pёr tё shikuar mundёsinё pёr zvogёlim tё mёtejmë tё prezencёs policore nё dhe rreth ndёrtesave komunale.

• Qeveria e Kosovёs pёrmes njё deklarate publike mbёshtet mbajtjen e zgjedhjeve tё parakohshme nё 4 komunat nё veri tё vendit dhe atё pas stinёs sё verёs. Kosova shpreh pёrkushtimin pёr sigurimin e bazёs sё nevojshme ligjore pёr tё mundёsuar organizimin e kёtyre zgjedhjeve.

• BE do ftojё dy kryenegociatorёt nё Bruksel me synim finalizimin e planit tё sekuencimit pёr Marrёveshjen drejt Normalizimit, pas tё cilit do tё fillojё zbatimi i tё gjitha neneve tё marrёveshjes.

Veprimet e sipёrpёrmendura do tё finalizohen brenda njё periudhe dyjavore.

Filed Under: Politike

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 1563
  • 1564
  • 1565
  • 1566
  • 1567
  • …
  • 2774
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Dashuria që e kemi dhe s’e kemi
  • “Jo ndërhyrje në punët e brendshme”, dorëheqja e Ismail Qemalit, gjest atdhetarie dhe fletë lavdie
  • Arti dhe kultura në Dardani
  • Gjon Gazulli 1400-1465, letërsia e hershme shqipe, gurthemeli mbi të cilin u ndërtua vetëdija gjuhesore dhe kulturore e shqiptarëve
  • “Albanian BookFest”, festivali i librit shqiptar në diasporë si dëshmi e kapitalit kulturor, shpirtëror dhe intelektual
  • VEPRIMTARI PËRKUJTIMORE SHKENCORE “PETER PRIFTI NË 100 – VJETORIN E LINDJES”
  • 18 dhjetori është Dita Ndërkombëtare e Emigrantëve
  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT