• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

VEPRIMTARI PËRKUJTIMORE SHKENCORE “PETER PRIFTI NË 100 – VJETORIN E LINDJES”

December 18, 2025 by s p

Prof. Dr. Hamit Kaba

Akademia e Shkencave e Shqipërisë

Tiranë, 17 dhjetor 2025

Politika shqiptare e pasluftës në studimet e Peter Priftit

Të nderuar kolegë, sot jemi mbledhur të përkujtojmë 100-vjetorin e lindjes së Peter Priftit, një ndër studiuesit më të shquar shqiptaro-amerikanë të shekullit të kaluar, me veprimtari shkencore komplekse në fushën e historisë, gjuhësisë, publicistikës, kulturës, besimeve, përkthimeve etj. Botimet e tij janë të shumta, por duhet thënë se ato janë pak të njohura në Shqipëri, për shkak se pjesa më e madhe e tyre janë shkruar në gjuhën angleze, ndërsa një pjesë e tyre vazhdon të jetë ende e pabotuar. Autori, një “arkivist” i mirë, i ka sistemuar e ruajtur me shumë kujdes studimet e tij, ndërsa disa janë ende të pabotuara. Nga një vështrim i shkurtër që u hodha disa prej dorëshkrimeve të ruajtura nga mbesa e P. Priftit dhe shoqja ime e studimeve universitare, Julika, them se e meritojnë të botohen. P. Prifti duket se e ka shtruar vetë rrugën për botimin e tyre, madje do të thosha edhe të një libri biografik kushtuar atij vetë.

Nga njohja ime them pa droje, se librat dhe artikujt shkencorë të Peter Priftit qëndrojnë përkrah botimeve të studiuesve të tjerë të shquar shqiptaro-amerikanë, si Nicholas Costa, Elez Biberaj, Arshi Pipa, Stavro Skëndi etj. Nëse do të bënim një klasifikim të botimeve të P. Priftit do t’i radhisnim ato sipas këtij rendi: libra të shkruara prej tij, libra me bashkautorë, kapituj librash, artikujt shkencorë, artikujt publicistikë, shkrime për Fan Nolin, për fenë dhe besimet fetare në Shqipëri, shkrime për minoritetin grek në Shqipëri, recensione për botimet e autorëve të ndryshëm dhe anasjelltas të autorëve të tjerë për veprat e tij, shkrime për figurat kombëtare shqiptare, shkrime për Kosovën, përkthime, ese, poezi etj.

Në vitin 1961 P. Prifti filloi punën si studiues në Qendrën e Studimeve Ndërkombëtare, pranë Institutit të Teknologjisë në Cambridge/Massachusetts, të cilën e vazhdoi deri në vitin 1976. Piteri u pranua në këtë qendër studimore falë kualifikimit të tij shkencor, dhe sidomos nevojës që kishte Projekti për Shqipërinë, i drejtuar nga studiuesi amerikan,William Griffith, për një njohës të mirë të gjuhës shqipe dhe angleze. P. Prifti i lindur në Rehovë të Kolonjës më 24 nëntor 1924 kishte emigruar në Amerikë në vitin 1940. U diplomua në Kolegjin shtetëror Penn, në College Park/ Pennsylvania, ku mori diplomën për Arte dhe Letërsi. Në vitin 1947 u bë qytetar amerikan. Në vitin 1955 u diplomua për “Master në Art dhe Filozofi” në Universitetin e Pensivalnisë. Në vitin 1958 P. Prifti shërbeu si bashkëredaktor i gazetës “Dielli” dhe sekretar i “Federatës PanShqiptare “Vatra” me qendër në Boston, kur president nderi i saj ishte Fan S. Noli. Eksperienca dy vjeçare pranë “Vatrës” dhe komunitetit të shqiptarëve të Amerikës ishte e vyer, por jetëshkurtër. Rrugët u ndanë shpejt, për arsye të ndryshme, ku nuk përjashtohen edhe ato politike. Trysnia politike nga të dyja anët e oqeanit dhe adoptimet që pësoi statuti i “Vatrës” për t’i hapur rrugë pranimit në të emigrantëve politikë të mbërritur në SHBA pas LDB, nuk u pritën mirë nga emigrantët e vjetër ekonomikë në SHBA, ndonëse dera u hap përgjysmë.

Nuk duhet harruar se në këto vite, Shqipëria sapo ishte ndarë nga BS dhe nga vendet e tjera të Bllokut Komunist, ndërsa interesi për të ishte rritur. Ajo ishte bërë objekt shqyrtimi e madje vendimmarrjeje politike edhe nga instancat e larta të shtetit amerikan, siç ishte Këshilli Kombëtar i Sigurisë në vitet 1961-1963. Sidoqoftë, për politikën amerikane dhe atë perëndimore rasti i Shqipërisë nuk ishte si ai i Jugosllavisë së vitit 1948. Për shkak të politikës së saj staliniste dhe të pareformuar, ajo u konsiderua thjesht si faktor përçarës brenda botës komuniste.

Puna në qendrën studimore të lartpërmendur, për një periudhë 15-vjeçare, ndikoi në formimin shkencor dhe rrugëtimin e ardhshëm të studiuesit shqiptaro-amerikan. Të punoje në një institut kërkimor si ai i lartpërmenduri duhej të konsiderohej fat në ato vite, pasi mësimdhënia në universitet kërkonte angazhim të madh, sepse një pedagogu i duhej të përgatiste e të jepte disa lëndë mësimore. Profesori i njohur shqiptaro-amerikan, Nicholas Pano, shprehej se gjatë punës së tij si mësimdhënës në universitet, kishte dhënë 17 lëndë, ndërsa pedagogët e sotëm të rinj, thoshte ai, kishin më shumë kohë në dispozicion për kërkim shkencor.

Fryt i punës kërkimore të Peter Priftit pranë kësaj qendre, në vitet 1961-1976, ishte botimi i librit të tij të parë në vitin 1978, Socialist Albania since 1944:Domestic and Foreign Developments. I shkruar në një mjedis shkencor serioz, siç ishte qendra e lartpërmendur, dhe pranë drejtuesit të projektit dhe studiuesit të njohur amerikan William Griffith, libri u përmbahet standardeve shkencore të kohës. Ai përmban 12 kapituj që trajtojnë shkurtimisht historinë e vendit dhe të popullit shqiptar, ardhjen e partizanëve në pushtet, natyrën e regjimit komunist, shoqërizimin e ekonomisë shqiptare, lëvizjet e ashtuquajtura revolucionare të viteve 60-të, politikën e jashtme të shtetit shqiptar dhe minoritetin shqiptar në Jugosllavi. Autori, siç thotë në parathënien e librit, punoi në bibliotekën e Universitetit Barkley në Kaliforni, në Bibliotekën e Kongresit Amerikan në Washington D.C., si dhe shfrytëzoi dy botimet e paraardhëse të tij, autorëve Griffith, Albania and Sino-Sovie Rift (1963) dhe Nicholas Pano, The People’s Republic of Albania (1968).

Ky libër, si të gjitha botimet e atyre viteve, u përgatit pa patur mundësinë e konsultimit me burimet arkivore amerikane apo ato shqiptare, të cilat ishin të klasifikuara. Por duhet thënë se në vitet 60-të, në SHBA kishte filluar era e shkollës revizioniste, e cila u reflektua në studimet e këtyre viteve, të cilat ishin më të balancuara se ato të viteve 40-50-të, ku “faji” nuk kërkohej dhe gjendej vetëm tek kundërshtari, por edhe tek vetja. Qasja ime, thotë autori, ishte më shumë “dialektike”, sesa “statike”. Autori shikonte një mospërputhje ndërmjet përpjekjeve për modernizimin e shoqërisë së prapambetur shqiptare dhe tensioneve të saja me udhëheqjen komuniste.

Botimi i librit të parë të P. Priftit, u botua nga MIT, ndonëse që autori ishte shkëputur prej tij dhe ishte punësuar në Departamentin e Gjuhësisë të Universitetit të Kalifornisë/ San Diego. Fryt i punës në këtë universitet ishte botimi i tre librave me bashkautor (Leonard Newmark dhe Phil Hubbard, Readings in Albanian (1979), Spoken Albanian (1980) dhe Standard in Albanian (1982).

Ndërkohë, një grup studiuesish me background shqiptar dhe amerikan, ndërmjet të cilëve edhe prof. Nicholas Pano, P. Prifti, Elez Biberaj dhe George N. Nasse, krijuan më 13 tetor 1978 “Shoqatën për Studime Shqiptare”. Qëllimi i krijimit të kësaj shoqate ishte që të ndikonte sadopak në zbutjen e marrëdhënieve të ngrira përmes botimeve dhe aktiviteteve të tjera me Shqipërinë. Krijimi i saj, në një periudhë të vështirë për Shqipërinë, pas ndarjes nga Kina, kishte edhe mbështetjen e shtetit amerikan. Shqipëria kishte mbetur për herë të parë pa mbështetjen e një vendi të madh aleat. Në SHBA e Perëndim ushqenin shpresa se ajo në rastin më të mirë mund të orientohej drejt tyre. Por duke e parë të vështirë realizimin e këtij qëllimi, përpiqeshin që të shmangnin sa të mundeshin ribashkimin e saj me BS dhe Traktatin e Varshavës, gjë që do të ndryshonte balancat ekzistuese dhe do të rrezikonte sigurinë e Jugosllavisë dhe të Greqisë.

Por shpresat e SHBA-së dhe të Perëndimit nuk u realizuan, ndërsa Shqipëria ndoqi politikën e neutralitetit, pa u atashuar me asnjërin bllok, një zgjidhje deri diku e pranueshme për SHBA dhe Perëndimin. Sidoqoftë, kjo frymë zbutjeje ndikoi në trajtimin më të mirë të disa studiuesve shqiptaro-amerikanë, të cilët përfituan viza nga Misioni i Përhershëm i Shqipërisë në New York, pas një odiseje të gjatë refuzimesh. Botimi i librave në gjuhën shqipe nga P. Prifti, mendoj se ka qenë një zgjidhje, që përveç arsyeve shkencore, kishte edhe arsye politike dhe që përkonin pikërisht me frymën e asaj kohe. Madje, orientimi i DSH për të rivendosur marrëdhëniet me Shqipërinë u përçua edhe tek emigracioni politik shqiptar, për të zbutur sadopak luftën politike të tij ndaj Shqipërisë komuniste. Në dokumentacionin që njohim vihet re kjo prirje, por edhe një farë moskuptimi dhe refuzimi nga ana e emigracionit politik të Shqipërisë në Amerikë.

Një nga fushat e studimeve të P. Priftit ka qenë Kosova. Kjo prirje u materializua veçanërisht pas demonstratave të vitit 1981. Autori e ka bërë pjesë të librave të tij Kosovën, por ai ka shkruar mjaft artikuj dhe recensione për të, duke bashkuar shqetësimin e studiuesit, me atë të atdhetarit. Në biografinë e tij të pabotuar për Kosovën zë vend një korrespodencë e gjerë e P. Priftit me ligjvënës, të tilla si letrat që iu drejtuan White House dhe Department of State, Presidentit Ronald Regan, Sekretarit të Shtetit James Baker, Richard Schifter, kontaktet me senatorët: Alan Cranston, Paul Simon, Robert Dole, Lary Pressler, Alfonse D’Amato, Pete Wilson, Larry Pressler, me kongresmenë, si: Jim Bates, Joe Dioguardi, Tom Lantos, letra me zyrtarë jugosllavë, korrespodencë me Arshi Pipën. Sami Repishtin, Sejdi Bitici etj.

Botime të P. Priftit pas vitit 1990

Shumica e botimeve të P. Priftit i përkasin periudhës pas rënies së regjimit komunist. Të tillë janë librat: Remote Albania, the politics of isolation, të botuar në gjuhën angleze në vitin 1999 dhe të ribotuar një vit më vonë në Tiranë; Land of Albanians, a crossroads of Pain and Pride botuar në Tiranë në vitin 2002; Mozaiku Shqiptar: publicistikë-portrete-studime recensione-pjesë teatrale, botuar në vitin 2003, si dhe Unfineshed Portrait of a Country, të botuar nga Columbia University Press, në NewYork në vitin 2005 etj.

Remote Albania, the politics of isolation, është një përmbledhje studimesh me artikuj kryesisht të pabotuar, që i kushtohen tërësisht politikës së brendshme dhe politikës së jashtme të Shqipërisë Socialiste, duke filluar nga viti 1944 e deri në rënien e komunizmit, në vitin 1990. Autori duket se ndjehet më i lirë në shkrimet e kësaj kohe. Ai trajton zhvillimet e brendshme të Shqipërisë në vitet 60-70-të, si marrëdhëniet Parti-Ushtri, largimin e Beqir Ballukut nga skena politike, PPSH, spekulimet për pasardhësin e Enver Hoxhës, kushtetuta e vitit 1976 etj. Politika e jashtme e Shqipërisë trajtohet përmes disa artikujve studimorë që i kushtohen konfliktit shqiptaro-sovjetik, rënies së Hrushovit, invazionit të Çekosllovakisë nga trupat e Traktatit të Varshavës dhe daljes prej tij të Shqipërisë, ofertave të DSH për të rivendosur marrëdhëniet diplomatike me Shqipërinë dhe refuzimit të udhëheqjes shqiptare, e deri tek Shqipëria në periudhën pas Enver Hoxhës. Megjithëse autorit i mungojnë dokumentet arkivore, ai ka vënë në funksion njohuritë dhe eksperiencën e tij shumëvjeçare lidhur me dështimin e sistemit komunist në Shqipëri dhe në Evropë. Në këto shkrime vihet re precizoni dhe gjuha jo publicistike, që sundonte në vitet kur u botuan këta libra në Shqipëri. Formimi i autorit dhe eksperienca e tij nuk e kanë lejuar të kapërcejë kufijtë e artikujve studimorë dhe modelimin e tij si studiues i shkollës amerikane.

Libri, Land of Albanians, a crossroads of Pain and Pride, i cili gjendet në Bibliotekën e ASHSH, si dhuratë e vëllait të tij, shkrimtarit të njohur Naum Prifti, siç thotë vetë autori, është i treti në serinë e projekteve të tij, dhe i katërti libër me përmbledhje studimesh. I pari i kësaj serie është libri Remote Albania, ndërsa i dyti, libri Confrontation in Kosova: The Albanian – Serb Struggle, 1969-1999 , i botuar në vitin 1999. Libri i fundit Land of Albanians, a crossroads of Pain and Pride është i një natyre tjetër. Ai përfshin studime mbi historinë e Shqipërisë nga antikiteti deri në periudhën e shkrimit të tij.

Një vend të veçantë zënë edhe shqiptarët e Amerikës. Ky volum përfshin një sërë studimesh të pabotuara që merren me popullsinë shqiptare të Kosovës, të cilën autori e konsideron ende një problem të pazgjidhur. Botimi më i fundit i serisë së P. Priftit titullohet Correspondence, i cili përmban letra për median, si revista, gazeta, emisione televizive etj. Unë dua ta përfundoj prezantimin tim me fjalët e autorit në parathënien e librit të tij Land of Albanians, a crossroads of Pain and Pride: “Por përtej kësaj, shpresoj që lexuesit do ta kuptojnë dhimbjen që kanë përjetuar shqiptarët gjatë shekujve dhe krenarinë që ndiejnë si popull, ndërsa përgatiten të përballen me sfidat e një epoke të re”.

Filed Under: Vatra

18 dhjetori është Dita Ndërkombëtare e Emigrantëve

December 18, 2025 by s p

Bujar Leskaj/

Më 18 dhjetor 1990, Asambleja e Përgjithshme ka adoptuar Konventën Ndërkombëtare për Mbrojtjen e të drejtave të të gjithë punëtorëve emigrantë dhe anëtarëve të familjeve të tyre. Më 4 dhjetor të vitit 2000 Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara e mori vendimin për të vlerësuar mundin dhe përpjekjet e të pambrojturve, duke marrë parasysh numrin e madh në rritje të tyre në mbarë botën.

Lëvizjet masive e popullsisë nuk janë një fenomen i ri në histori.

Në Shqipëri emigracioni ka rreth një shekull që është fenomen i njohur, por sot është një feniomen mjaft shqetësues. Prej tre dekadash kjë gjakrrjedhje, i ka kushtuar Shqipërisë një rënie demografike të paimagjinueshme. Rreth 1 milion e 600 mijë banorë, janë jashtë Shqipërisë. Ndërkohë ritmet e shpopullimit të Shqipërisë janë sërish dramatike sepse të gjitha standardet e qeverisjes në vend janë përkeqësuar.

Sot është dita e emigrantëve.

Është dita e historisë së dhimbshme të kombit tonë, sidomos këto tre dekadat e fundit, është historia e çdo familjeje shqiptare; historia e mijëra të rinjve; e qindra, mijëra burrave e grave, e qindra mijëra prindërve të vetëm!

Sot, është edhe dita për të kërkuar falje ndaj tyre, që nuk u dhamë mundësi për të ndërtuar jetën e të ardhmen e tyre e të fëmijëve të tyre këtu, në Shqipëri.

Sot, është dita për të falenderuar të gjithë emigrantët shqiptarë që nuk rreshtën kurrë së dashuri, nderuari, menduari e ndihmuari Shqipërinë, pavarësisht se Shqipëria ka bërë aq pak për ta!

Ndaj sot si politikan ndiej pezmatim teksa shikoj që zëri i pjesës më vitale e historisë së suksesit dhe dhimbjes së popullit tonë, emigrantët shqiptarë nuk dëgjohen, nuk përfaqësohen në politikën e jetën shqiptare.

Unë sot kërkoj falje ndaj tyre!

Dhe akuzoj sidomos cinizmin e kësaj qeverie, e cila asgjë nuk ka bërë për këtë fenomen të shpopullimit të Shqipërisë, por e ka nxitur me politikat e saj duke larguar në këto 12 vite rreth 1 milionë shqiptarë, ndërkohë që fyen me deklaratat rreth dembelizmit të shqiptarëve dhe zëvendësimit të tyre me “bangladeshas” e “sirianë”!

Ndaj sot, apeli im është që politika të reflektojë me shpejtësi, përgjegjshmëri, maturi dhe vizion për të ndalur këtë fatkeqësi kombëtare: SHPOPULLIMIN E SHQIPËRISË!

Sot uroj dhe përshëndes të gjithë emigrantët shqiptarë, të vjetër e të rinj, me dokumente ose pa dokumente, duke i falenderuar për sakrificat, mundimet dhe patriotizmin e tyre!

Filed Under: Emigracion

Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 

December 17, 2025 by s p


Lekë Mrijaj /


Në librin “Kosovo: Background to a War” ( Kosova: Prejardhja e një lufte) autori Stephen Schwartz ndalet në një nga periudhat më të ndërlikuara të historisë së shqiptarëve dhe marrëdhënieve shqiptaro–serbe (1914–1943), duke analizuar politikën e monarkëve serbë, tensionet etnike, rezistencën kulturore dhe raportet ndërfetare brenda shoqërisë shqiptare. Në këtë kuadër, ai sjell edhe qëndrime të studiuesve bashkëkohorë, ndër të cilët edhe Aurel Plasari, i cili ka hulumtuar me thellësi rolin e klerit katolik dhe elitës shqiptare në proceset e shtetformimit. Teksti i Plasarit, i cituar brenda këtij libri, hedh dritë mbi një të vërtetë të rëndësishme historike, pra, siq efhe thotë se patriotizmi shqiptar nuk është ndërtuar mbi ndasitë fetare, por mbi bashkimin kombëtar. Figura të shquara si Dom Nikollë Kaçorri, Atë Anton Harapi, Imzot Luigj Bumçi, Noli, Konica dhe Gjergj Fishta, përfaqësues të tri besimeve të ndryshme, dëshmojnë se fryma rilindëse dhe projekti i pavarësisë u mbështetën te vlerat identitare, kulturorë dhe qytetare. Kjo pjesë e rëndësishme  e sjellë nga Schwartz, e vendos theksin në rolin e pazëvendësueshëm të klerit katolik dhe të elitave të tjera kombëtare në orientimin e Shqipërisë drejt Perëndimit, modernitetit dhe reformave demokratike.

Fragmenti i cituar nga Aurel Plasari, i përfshirë në librin me titull “Kosovo: Background to a War” ( Kosova: Prejardhja e një lufte) autori Stephen Schwartz në analizën e tij, përmbledh një realitet të thellë historik: në çastet më të rënda të fatit kombëtar, shqiptarët e tri besimeve vepruan të unifikuar, duke vënë interesin e atdheut mbi çdo dallim fetar. Kleri katolik, sidomos françeskanët, shfaqen si faktorë të përparimit shoqëror, të emancipimit kulturor dhe të orientimit perëndimor të vendit. Përkraha që i dhanë qeverisë së Fan Nolit, vlerësimi për Kishën Ortodokse Autoqefale dhe angazhimi i tyre në diplomaci tregojnë qartë se ideali kombëtar i shqiptarëve ka qenë i përbashkët dhe vizionar. Përmes kësaj pasqyre historike, Schwartz nënvizon se orientimi strategjik i shqiptarëve kah Perëndimi, moderniteti dhe vlerat demokratike nuk ishte rastësi, por një projekt i vetëdijshëm i elitave të tyre politike, kulturore dhe fetare. Kjo dëshmi mbetet një burim i çmuar për të kuptuar rolin e klerit, bashkëpunimin ndërfetar dhe filozofinë e shtetformimit shqiptar, si dhe për të theksuar se identiteti kombëtar shqiptar është i ndërtuar mbi unitetin, jo mbi përçarjen. 



Autori i librit me titull “Kosovo: Background to a War” ( Kosova: Prejardhja e një lufte) autori Stephen Schwartz në këtë pjesë të librit Kosova dhe monarkët modernë serbë 1914-1943 veq tjerash e gjejmë edhe studiuesin Aurel Plasarin duke e shkëputur kë pjesë të përmbajtjes së tij: “…para pak kohësh shkruente për priftin katolik Dom Nikollë Kaçorri, bashkënënshkruesin e rezolutës antiturke, dëshmitar i të cilës ishte Gjeçovi: «Ndërsa rrinte përskaj Ismajl Bej Qemajlit me kërkue pamvarësinë e atdheut, ai nuk llogariste përqindjet e feve në Shqipni! Kur Atë Anton Harapi e hartoi memorandumin e famshëm drejtue fuqive të mëdhaja më 1918, ai nuk numëronte se ndër 44 nënshkrimet e parisë së Hotit e të Grudës kishte 40 muslimanë e 4 katolikë! Kur Imzot Luigj Brumçi luftonte për kufijtë e Shqipnisë në Versaj nuk i kish në krye përqindjet! Kur u gjujzue përpara Papës për t’i shpëtue krahinat e Korçës e të Gjinokastrës, ai nuk e mendonte se s’kish as as edhe nji frymë katolike ndër këto krahina! Kur Faik Konica [bej musliman dhe shtetar i shquem], Fan Noli [peshkop ortodoks] dhe Gjergj Fishta [prift katolik dhe poet kombtar i qëndresës shqiptare kundër sllavëve] përpiqeshin për pamvarësinë e vendit të tyne në ShBA, nuk e besoj t’i kenë lodhë senatorët amerikanë mbi përpjesëtimet ndërmjet feve në Shqipni! Kur Imzot [Jak] Serreçi i shkruente Lidhjes së Kombeve se në Shqipni, e cila rrezikohej nga zhdukja prej faqes së dheut, muslimanët e të krishtenët janë vëllazën dhe duen me jetue në të njejtin shtet, ai nuk i bazonte argumentet e veta në përqindje! » Porse françeskanët dhe katolikët e tjerë shqiptarë ishin, sa patriotë, aq edhe përparimtarë. Në Shqipninë e ngushtë, françeskanët si Atë Harapi e përkrahën qeverinë jetëshkurtë të Fan Nolit, i cili me sukses e kish themelue Kishën Ortodokse Autoqefale Shqiptare dhe e kishte marrë pushtetin në qershor të vitit 1924, tue e përvetësue nji program reformash. Nji prej akteve të para të Nolit ishte themelimi i marrëdhanieve diplomatike me Bashkimin Sovjetik; nga ana e tij, Atë Harapi ma vonë do të kujtonte: «këto ishin kohëna kur mendoshim se shqiptarët ia kishin kthye shpinën orientit dhe po shikjoshin përpara»”.

Në librin Kosovo: “Kosovo: Background to a War” ( Kosova: Prejardhja e një lufte) autori Stephen Schwartz ndalet në një nga periudhat më të ndërlikuara të historisë së shqiptarëve dhe marrëdhënieve shqiptaro–serbe (1914–1943), duke analizuar politikën e monarkëve serbë, tensionet etnike, rezistencën kulturore dhe raportet ndërfetare brenda shoqërisë shqiptare. Në këtë kuadër, ai sjell edhe qëndrime të studiuesve bashkëkohorë, ndër të cilët edhe Aurel Plasari, i cili ka hulumtuar me thellësi rolin e klerit katolik dhe elitës shqiptare në proceset e shtetformimit. Teksti i Plasarit, i cituar brenda librit, hedh dritë mbi një të vërtetë të rëndësishme historike: patriotizmi shqiptar nuk është ndërtuar mbi ndasitë fetare, por mbi bashkimin kombëtar. Figura të shquara si Dom Nikollë Kaçorri, Atë Anton Harapi, Imzot Luigj Bumçi, Noli, Konica dhe Gjergj Fishta, përfaqësues të tri besimeve të ndryshme, dëshmojnë se fryma rilindëse dhe projekti i pavarësisë u mbështetën te vlerat identitare, kulturorë dhe qytetare. Ky pasazh i rëndësishëm, i sjellë nga Schwartz, e vendos theksin në rolin e pazëvendësueshëm të klerit katolik dhe të elitave të tjera kombëtare në orientimin e Shqipërisë drejt Perëndimit, modernitetit dhe reformave demokratike.


Rishkruar në Nëntor /2025

Filed Under: Sofra Poetike

Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”

December 17, 2025 by s p

Driton Sinishtaj/

Mbrëmë, në ambientet e restorantit “Ciao”, në pronësi të bashkatdhetarit tonë malësor Zef Gjelaj, u zhvillua mbrëmja tradicionale fondmbledhëse e Shoqatës “Malësia e Madhe” në New York. Është një traditë pothuajse gjysmëshekullore, mbledhja e komunitetit malësor të New Yorkut çdo fundvit për të kontribuar financiarisht në mbështetje të vendlindjes sonë, Malësisë. Fondet e grumbulluara menaxhohen nga Shoqata “Malësia e Madhe” dhe përdoren për projekte zhvillimore, kulturore, arsimore e humanitare, si dhe për organizimin e aktiviteteve që nderojnë historinë, heronjtë dhe trashëgiminë tonë kombëtare.

Shoqata “Malësia e Madhe” është një nga shoqatat më të vjetra shqiptare në Shtetet e Bashkuara dhe një shtyllë e rëndësishme e kontributit të diasporës malësore. Ajo ka qenë element kyç e lobimit dhe e mbështetjes materiale për çështjen shqiptare, përfshirë edhe angazhimin e drejtpërdrejtë të anëtarëve të saj në Luftën Çlirimtare të Kosovës.

Gjatë 33 viteve të veprimtarisë, shoqata ka kaluar vlerën e 10 milionë dollarëve kontribute, ka ndarë mbi 1000 bursa për studentë, ndërsa vetëm gjatë viteve 2024–2025 diaspora malësore ka grumbulluar mbi 2 milionë dollarë.

Ndër projektet më të rëndësishme që janë filluar nga Malësorët në ShBA gjate dy viteve të fundit janë mbi 400 mijë $ për ndërtimin e TV Boin; rreth 150 mijë $ për monumentin e viktimave malësore të vitit 1941; kontribute të konsiderueshme për rindërtimin e shkollave në Skorraq dhe Kshevë; mbi 220 mijë $ për rikonstruksionin e rrugës së Pashkallës; mbi 100 mijë $ për hapjen e qendrës zjarrfikëse në Triesh; mbi 600 mijë $ për ndërtimin e kishës katolike në Kakarriq; 180 mijë $ për përmendoren e Gjergj Kastriot Skënderbeut në qendër të Malësisë, mbi 200 mijë $ bursa për studentë dhe familje në nevojë dhe shumë e shumë projekte tjera lokale, arsimore, kulturore dhe sportive që janë përkrahur në vendlindje.

Vetëm mbrëmë, diaspora malësore e New Yorkut kontribuoi me 100 mijë dollarë, duke dëshmuar edhe një herë solidaritetin, përkushtimin dhe përgjegjësinë ndaj Malësisë dhe çështjes kombëtare shqiptare.

Takimin e përshëndetën kryetari i Shoqatës “Malësia e Madhe” në New York, z. Senad Lulanaj, si dhe veprimtarë të njohur të diasporës malësore: Nikollë Junçaj, Gjekë Gjonlekaj, Rasim Nikaj, Niki Bojaj, Vasel Ulaj, ndërsa kontributdhënës kishte nga të gjitha trevat shqiptare. Faleminderit të gjithë kontribuesve! Jemi dhe do të mbetemi gjithmonë pranë Malësisë dhe çështjes shqiptare.

Filed Under: Komunitet

Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!

December 17, 2025 by s p

Nga Arian Galdini/

Dhe vjen sërisht ky çast ku pushteti pushon së qenuri retorikë dhe bëhet karakter. Ai çast vjen kur kontrolli prek majën, kur ligji kërkon të flasë me zë të vet, dhe qeverisja gjendet përballë tundimit të vjetër, ta kthejë procesin në klimë, ta kthejë procedurën në trofe, ta kthejë institucionin në mburojë.

Këto ditë, ky çast është bërë edhe kalendar. Nga njoftimet zyrtare rezulton se Gjykata Kushtetuese ka pranuar kërkesën e Kryeministrit për zgjidhje konflikti kompetencash lidhur me masën “pezullim nga ushtrimi i detyrës” ndaj një anëtareje të Këshillit të Ministrave, duke e vendosur çështjen në shqyrtim në themel.

Pas kësaj, me një vendimmarrje të mëhershne, janë pezulluar efektet e vendimeve përkatëse të GJKKO-së dhe është caktuar seancë publike plenare më 22 janar 2026, ora 10:00.

Në të njëjtën kohë, sipas raportimeve publike, SPAK i është drejtuar Kuvendit për autorizim për arrestim/heqje lirie, në kuadër të hetimeve ndaj së njëjtës zyrtare.

Këtu fillon keqkuptimi që ushqehet si bukë e zhurmës, dy shina juridike trajtohen si një duel personal.

Në të vërtetë, shinat kanë logjikë të ndryshme.

Shina kushtetuese flet për kompetencë, kufij, raport pushtetesh, dhe për standardin se ku mbaron ndërhyrja mbi funksionin publik.

Shina penale flet për dyshim të arsyeshëm, rrezik procesual, proporcionalitet të masës, integritet të provave.

Kur këto dy shina shkrihen në një nerv të vetëm politik, shteti humbet kthjelltësinë, ndërsa pushteti fiton terren të rrezikshëm, terrenin ku “procedura” shitet si “shpëtim”.

Në këtë çast, një fjali mjafton për ta mbajtur shtetin në këmbë.

Ligji është vijë e përbashkët.

Radha vjen edhe për majën.

Masa e përkohshme e Gjykatës Kushtetuese nuk mban brenda saj as pafajësi, as fajësi. Ajo mban vetëm frymëmarrjen e procedurës, derisa gjykimi në themel të vendosë.

Në çastin kur kjo frymëmarrje shndërrohet në slogan “normaliteti u kthye”, lind një deformim i hollë, më i rrezikshëm se çdo fjalim, përkohshmëria fillon të lexohet si amnisti morale.

Kjo është pika ku pushteti zbulohet.

Sepse një qeverisje e bindur ndaj kufijve e ndjen masën e përkohshme si hapësirë gjykimi, jo si çelës rikthimi.

Ndërsa një qeverisje e mësuar me përjashtime e sheh si mundësi komunikimi, një vendim i përkohshëm kthehet në perde, prapa së cilës dyshimi penal trajtohet si bezdi e menaxhueshme.

Në këtë logjikë, një kryeministër që e vendos veten në qendër të klimës dhe e lexon hetimin si “sulm ndaj qeverisjes”, krijon një mesazh të rrezikshëm, drejtësia pranohet sa kohë prek periferinë, ndërsa sapo prek qendrën shpallet politike.

Në raportimet publike, reagimi i Kryeministrit ndaj kërkesës së SPAK për autorizim u vendos pikërisht në këtë regjistër, duke e trajtuar kërkesën si “fakt të turpshëm” dhe duke e lidhur me narrativën e “arresteve pa gjyq”. 

Këtu nuk lexohet thjesht një qëndrim. Lexohet një model.

Masa sigurimi dhe rreziku procesual janë alfabeti i shtetit serioz.

Masat e sigurimit nuk janë dënim.

Ato janë instrumente që mbrojnë procesin, prova, dëshmitarë, mosndikim, mosprishje, mosikje, proporcionalitet.

Kjo logjikë është e ftohtë, e njohur, dhe pikërisht për këtë arsye është e civilizuar.

Kur SPAK kërkon autorizim për masa më të rënda, në thelb artikulohet një tezë, rreziku procesual shihet i pranishëm, ose kushtet e hetimit kërkojnë garanci më të forta. 

Kur kjo tezë përkthehet në “inat”, shteti ftohet nga brenda.

Sepse një shoqëri që e etiketon kontrollin si turp, e bën pandëshkueshmërinë të duket stabilitet.

Dhe stabiliteti i pandëshkueshmërisë është vetëm një emër i bukur për një rrëzim të ngadaltë.

Balluku vjen si rast, dhe morali i parasë publike si provë…

Një zyrtar i lartë në hetim nuk është thjesht individ në proces.

Ai funksionon si provë e moralit të administrimit.

Në raportimet publike, kërkesa e SPAK lidhet me dyshime mbi procedura prokurimi dhe shkelje të barazisë në tendera, me pretendime për paracaktim fituesish. 

Në një shtet që e merr seriozisht veten, një hetim i tillë nuk lexohet si “teknikalitet”.

Lexohet si radiografi e qeverisjes, a trajtohet kontrata publike si përgjegjësi e kontrollueshme, apo si privilegj që shpërndahet brenda rrethit.

Kjo është arsyeja pse barra publike është më e lartë se minimumi penal.

Prezumimi i pafajësisë mban vendin e vet si kufi civilizimi.

Ndërsa etika e postit të lartë mban një tjetër vend, distancën e matur, llogaridhënien, refuzimin për ta përdorur zyrën si strehë personale.

Në vende ku ky test është kaluar prej kohësh, largimi vullnetar nga funksioni ka ardhur shpesh para fjalës së gjykatës, jo si pranim faji, por si respekt ndaj institucionit që mbartet mbi shpinë.

Kjo kulturë e bën shtetin të qetë, sepse e mban qeverisjen larg tundimit për ta kthyer veten në objekt adhurimi.

Kuvendi tashmë bëhet vendi ku shteti bie ose ngrihet pa bujë.

Autorizimi parlamentar nuk është medalje partie.

Është filtër kushtetues.

Dhe pikërisht sepse është filtër, ai shfaqet si pasqyrë karakteri.

Në çastin kur shumica e sheh veten si repart mbrojtjeje për rrezikun penal të ministrave të vet, republika pushon së qenuri rend dhe fillon të ngjajë me pasuri të shumicës.

Kjo është kapje e shtetit jo si slogan, por si sjellje, një votë që nuk pyet më çfarë kërkon ligji, por kë mbron numri.

Kjo sjellje është më e rrezikshme se çdo konflikt i hapur, sepse jeton gjatë dhe pa zhurmë.

Në këtë vend, refleksi ka qenë i njohur, ligji duartrokitet kur prek kundërshtarin, anatemohet kur prek tanët.

Për sa kohë ky refleks mbetet normë, çdo pushtet gjen alibinë e vet të artë: “s’po më gjykon ligji, po më sulmon pala”.

Dhe kur kjo fjali pranohet nga turma, shteti bëhet dekor, ndërsa zakoni bëhet sundim.

Kjo është arsyeja pse mbështetja e SPAK-ut nuk ka nevojë për himne.

Ka nevojë për një gjë më të vështirë, mos-helmim të procedurës, respekt të filtrave, durim të radhës.

Drejtësia nuk kërkon adhurim. As frikë. Kërkon hapësirë.

Nëse hapësira kthehet në skenë, pushteti fiton një ditë dhe shteti humbet një brez.

Nëse hapësira ruhet si kufi, drejtësia del normale.

Dhe normaliteti, në një vend të lodhur nga përjashtimet, është revolucioni i vetëm realist.

Ligji, në fund, nuk është armë për kundërshtarin dhe strehë për veten.

Ligji është vijë e përbashkët, ku radha vjen edhe për majën.

Filed Under: Sociale

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 160
  • 161
  • 162
  • 163
  • 164
  • …
  • 2934
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • VATRA URON BESIMTARËT KATOLIKË: GËZUAR DHE PËRSHUMËVJET PASHKËT
  • Ndërroi jetë Agim Bardha, “Vatra” e “Dielli” ngushëllojnë familjen patriotike të Ekrem Bardhës për humbjen e vëllait
  • Dita Ndërkombëtare e Librit për Fëmijë – Magjia e Leximit
  • Shoqëria shqiptare ka nevojë të kujtojë dhe reflektojë…
  • Balshajt dhe Cërnojeviçët në territorin e Zetës së dikurshme…
  • Divorci prindëror dhe funksionimi akademik dhe social në adoleshencën e hershme (moshat 10–15): Një rishikim teorik zhvillimor-ekologjik
  • HOMAZH PËR SHQIPTARËT QË HUMBËN JETËN NË MASAKRAT E TIVARIT DHE DUBROVNIKUT
  • Kush ishin 12 Apostujt?
  • NATO dhe e ardhmja euroatlantike e Kosovës: Garancia e sigurisë dhe perspektiva strategjike
  • Basorelievi i Gjergj Kastrioti Skënderbeu në Castello de Monti, Pulia, një prani që tejkalon gurin dhe kohën
  • Noli në Asamblenë e Lidhjes së Kombeve
  • Një Moment Historik për Komunitetin Shqiptar në Chicago
  • Dom Kelmend Spaqi, in memoriam…
  • “Këngë të përshpirtshme të kolonive shqiptare në Sicili”- Giuseppe Schirò
  • “HEDH NJË KAFKË TE KËMBËT TUAJA”!

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT