• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

MES KULTURES DHE HIJEVE TE ANTIKULTURES

December 16, 2025 by s p

DR. EDUARD A. SKUFI 

ATHINE/

Përjetim

Gjurmat e pelegrinazhit të Bajronit, në qytezën e Vironas, në Athinë  më ngacmuan  muzën  dhe  rrjedhja e saj lindi fjalët. Mora me vete nipin tim Kristin, gjimnazist e  një tip interesant, i hipëm makinës dhe u nisëm për në gjimnazin e Vironas. Me ftesën e znj.Areti, pedagoges së fizikës dhe pacientes time, po shkoja për një leksion, mbi “syrin si sistem optik dhe profilaksinë e tij”. Gjatë rrugës nipi im ishte fiksuar në Iphone dhe lexonte për Aretinë, “filozofen e parë të antikitetit”, i intriguar nga emri i pedagoges. Mandej nga celulari i tij, u dëgjua  shpërthimi i çjerrë, në  kakofoni i një muzike xhazi. Unë u rrudha në fytyrë, kjo bëri që Kristi ta ulte volumin e zërit, duke  më thënë se  ishte  muzike Barrelhouse. Atë moment nuk fola, mora një  CD, që kisha aty pranë dhe e vendosa të luaj. Tingujtë jehuan  mes  harmonisë, virtuozitetit  dhe  pasazheve të shpejta,  të Villiam Telit, heroi legjendar zviceran, nga uvertura e G.Rossinit, e na  mbushën me hare. (E zgjodha atë në përshtatje me temperamentin dhe moshën e tij). Më pëlqeka shumë, më tha ai, por nuk e kam dëgjuar kurrë . “Që të shkosh atje, duhet më parë të njohësh diamantet e kulturës dhe të perceptosh diferencën mes tyre”, e këshillova me takt..Vazhdonim udhëtimin dhe mendimet e mia shkuan, në anketimin me disa të rinj, publikuar në gazetën amerikane American Journal of Cultural Sociology, mbi vlerat e “Three Bs“ klasike, që e përbënin Bach, Beethoven, Brahms. Pjesa dominuese e të rinjve  mes  ironisë, përgjigjeshin me tre BBB modernen, e tyre, duke preferuar, Barrelhouse, Boogie Woogie dhe Blues music, në piano perkusive… ”E kuptoj, se muzika që ti vendose është argëtuese për adoleshencën, por kjo nuk mund të jete mohim i kulturës së vërtetë muzikore. Kur të kthehemi në shtëpi do të spjegoj me argumenta, mbi kulturën dhe hijet e antikulturës. Ndërsa ky libër, ”Inteligjenca Emocionale”, të cilin  enkas e porosita, për  vlerat e tij  të  veçanta është për ty, aty do  të  informohesh, sesi  duhet  të  disiplinosh  emocionet”…

                            Skicë  mbi  konceptimin  jetik “modern” 

Ndërkaq mbërritëm në shkollë, aty pranë bustit të Bajronit, na priste pedagogia me nxënësit, të cilët na drejtuan në një sallë, në formën e një amfiteatri të vogël. Unë fillova spjegimin duke e ilustruar me figura e video, në  laptop. Pjesa më e madhe e   nxënësve  kishin   fiksuar  shikimin  dhe më  ndiqnin  me kureshtje, por disa të tjerë klikonin në celularet e tyre, pa u shkëputur nga bota e iluzioneve. Më dukeshin si në një pantomim, kjo më dha pasën që ta shtrija bisedën, mbi përdorimin e tepruar të Iphonit dhe pasojat e tij…Shikoja ata të rinj me një dhimbje që të frenon dhe me kujtohej  rinia ime, kur të etur kërkonim si dhuratë ndonje libër dhe kohën e lirë e ndanim në rrethet e shtëpisë së pionerit, mes recitimeve dhe këngëve. Ndërsa sot serviret si kulturë, antikulura dhe interesat e të rinjve jane të vendosura,  në  një  interval  sa  të  kufizuar, po  aq  dhe  modest… 

Kur mbritëm në shtëpi, mbeta i heshtur në mendime. Kristi mu afrua, mbështeti  kokën  në  supin  tim, duke  pritur retorikën  time… “Problemi për të cilën do të flas, nuk të përket vetëm ty, por është një çështje e ndjeshme, që ka të bëjë me të ardhmen. Kultura është një pasuri e madhe që  rritet mes shekujve, e nuk mund të reduktohet në  një ekran celulari dhe televizori, apo rreth një kutie Coca Cola, i mbetur mes një guacke etikoestetike  të  zbrazët. Nuk jemi në  vitin zero, që  të na  frymëzoj  starti i  zhvillimit  të  kulturës  moderne,  si  bazë  e  asaj  “universale”!

                 Akstraksioni dhe “casual dress code “ në  artin skenik

Sot  kur shpërbërja  kulturore e izolimi social po rriten, duhet të studjohen  dhe të ruhen  elementët  jetik  të  trashëgimisë  kulturore. Mjafton të futesh në Spotify, e të krahasosh klikimet e të famshmes, Simfonisë së pestë të Bethovenit, interpretuar nga filarmonia e Berlinit, në dirigjimin e H.V.Karajan, ndaj Driver’s Licence, performancë e të dalluarës në muzikën pop, Olivia Rodriguez, ku befasohesh negativisht për supermacinë e të dytës. Ky është të paktën, një nga indekset e inklinacionit “antikuturor”… Kristi më dëgjonte i koncentruar në monologun tim dhe si pakuptuar, “audienca” u shtua me vajzën time, një shoqen e saj sociologe, e kritike arti, Katerinën dhe bashkëshorten  time, që e braktisën “tea time”-in. Kështu, vazhdova bisedën,..“Antikultura nga mjet për një qëllim, po shndërohet si një qëllim në vetvete. Çuditërisht publiku preferon “kultin masiv”, ndaj kulturës të nivelit të lartë, pasi  rezulton  viktimë  e  indoktrinimit  të “industrisë së kulturës” moderne. Unë do të preferoja F.Sinatrën, me jazzin emocional ndaj L.Gagës të muzikës pop, kur vet ajo i bëri homazh madhështisë së tij. Megjithatë flladi i kulturës autentike, sot dëgjohet si një flaut, në vibrim  tingujsh, veçse në tonet e  një  melodie  bass”. Katerina  në  atë  moment nuk u përmbajt, dhe pasi dakortoi me mua shtoi:“Ndodhesha në Hamburg, për një seminar të kulturës, ku shkuam me kolegët të ndjekim spektaklin modern, të “Traviatës” së mirënjohur.Por u befasuam me versionin “neoterik” të saj. Një abstraksion,          

                            Metamorfoza “moderne” e  Mona Lizës

skenik i shëmtuar, që shoqërohej me stil veshjeje laicistike, me  xhins  dhe  atlete, rezultat  i  shkëputjes  të  artit, nga realizmi, në një stili vizual të panjohur që mbetej tronditës, sepse sfidonte  estetikën  tradicionale. Më pas shkuam në një shkollë, ku gjatë bisedës pyetëm nxënësit për E.Heminguein, I.Turgenievin, D.Shostakovich dhe ata  ngrinin supet, të mbetur në padije, ndërsa M.Jacksonin të gjithë e njihnin. Të vret nostalgjia  për  kulturën  e  lartë  me  sarkastikën  e  antikulturës ”. Fjalët e fundit  i  shqiptoi  në  breshëri , duke  mos e përmbajtur  tonin  e  revoltës. Para pak kohësh, ndërhyri vajza ime esteticiene, lexova rastësisht në The Guardian, “Mbi misterinë e artit kontemporan”: Mona Lisa kundrejt monstruozitetit, groteskut dhe anës shokante, ndaj asaj kryevepre, që mbetet pjesë e kulturës dominante. Evolucioni social dhe ai estetik  nuk  duket  të përkojnë  me “dizmorfinë” kulturore, por gjithashtu nuk duhet të ndikojnë mbi  orientimin  e  duhur  kulturor  individual. Sfida më e madhe e kohës solli si surprizë, vendosjen e antikulturës  në  pozitë  dhe  kulturës  së  vërtetë   në  opozitë…..                            

Kristi  kishte  mbetur  mes  habisë  dhe vëzhgimit, ai here pas here pyeste nënën e vet, që të shuante kureshtjen  dhe  diçka shkruante. “ Vetëm duke i njojtur dimensionet e kulturës do ta vlerësosh atë”, i spjegoi e ëma, dhe      “në dinamikë kultura do të bëhet pjese e identitetit dhe e DNA tënd”.  Mandej ai doli në ballkon dhe klikoi në Iphone “My Way”, për tu takuar me F.Sinatrën…Ajo bisedë si leksion jete, do ti rishqyrtonte  shumë  pikëpamje. Atë dilemë do ta gjente përpara, se “kultura  është  për  njerëzit  si uji për peshqit ”…Ndërkaq  pikat e shiut filluan të trokisnin mbi tendë  në  një  perkusion  melodik, që e shtonte  romantizmin  dhe  nostalgjinë. 

…Ndërsa  unë mes asaj melodie, shtegëtoja  në  impresionet  që më  kishin  lënë, fragmentet e librit “Kultura dhe Anarkia”, me pikëpamjet e “mendimtarit  të mënçur” M.Arnold:” Kultura përshkruhet me të drejtë si dashuri për perfeksion”, duke preferuar “demokracinë në kulturë”. Nuk mund të angazhohesh në një kulturë pa baza kulture, duke e shkëputur  të tashmen nga e kaluara, e cila mbetet si kometë. Kjo reflekton në të gjitha fushat, me një etikë  dhe estetikë “perverse”, larg  arsyes. Kështu në vend të ndjenjës së përbashkët të përkatësisë që ofronte dikur kultura, ndajmë një sentiment universal privimi, në një tolerim të pa spjegueshëm…         Kristi me preokupimin që i zhbironte në sy me pyeti: “Doktor, i dashur , me se do ta krahasoje kulturën ?. “Me dritën e diellit që ndriçon gjithçka, ditën dhe natën”, fillova komentin, “pasi dhe natën reflekton dritën mbi hënën dhe konstelacionet e yjeve, duke i bërë të ndritshëm, dhe duke zbehur erresirën e natës. Pra kultura të ndriçon jo vetëm vizionin, mendjen por dhe shpirtin, duke të rikthyer shpresën. Unë do të thosha se “kultura është  arti i “leximit”  dhe i  interpretimit  të  mendjeve  të  shquara”… Kristi i mbushur plot kënaqësi dhe mes emocioneve, më përqafoi fort. “Sa shumë dua të jem pranë teje, papu…po shokëve të mi  kush do tju a thotë”.                                                                                                                Për fat të keq, shtova me mllef duke ju drejtuar të tjerëve,…“ Idea e një vetëdije kulturore false, i dha dekadave të fundit të shekullit të XX, iluzionin  si kthesë drejt një ideje “iluminante”, të ndritshme, se kultura e re, ”moderne” me “fandomin” entuziast, do të ishte therapia efikase, ndaj  difekteve të kohës. Atë e veshën me një trend pikant për ti maskuar nëntekstin. Por, kultura  klasike brilante, me impaktin e saj të zhvendos  nga e përditshmja, në një  botë vlerash drejt një qytetërimi ambicioz, si i vetmi antidot ndaj  antikulturës, veçse e kufizuar në një duet “të pamundur”, ndaj   asaj   ndjenjë  intriguese  dhe  tinëzare ”!

Filed Under: Reportazh

Historia dhe braktisja e Kullës së Elez Murrës – Një apel për të shpëtuar trashëgiminë historike

December 16, 2025 by s p

Arif Murrja

Në një majë shkëmbore buzë lumit Drin të Zi, në hyrje të fshatit Hotesh të Dibrës, aty ku rrjedha e lumit është herë relaksuese, herë e zhurshme dhe herë agresive; aty ku historia përplas kohët, qëndron ende e gjunjëzuar Kulla e Elez Murrës. Dikur zemra e rezistencës së Luznisë, sot ajo rri duke “rënkuar”, me plagë të hapura prej dhjetra dekadash si pasojë e moskujdesjes. Nga kjo kodrinëz shkëmbore kontrollohen të gjitha hyrjet për në fshat dhe kulla duket sikur komunikon në heshtje me Kodrën e Kalasë, të njohur si Kodra e Kalasë së Qytezës.

Foto të bëra nga Edmond Hasani para vitit 2016

Foto të bëra nga Erzen Murja ne vitin 2020

Përshkrimi i figurës së Elezit nuk mbështetet vetëm në kujtesën popullore. Shkrimtari dibran dhe mbledhësi i parë i folklorit të krahinës së Dibrës, Haki Stërmilli, e ka trajtuar Elezin si një nga shtyllat e rezistencës në Nëntë Malet e Dibrës. Edhe pse i emëruar formalisht nga Perandoria Osmane si Kreu i Malit të Luznisë, njësoj si krerët e tjerë të maleve, Elez Murrja nuk u pajtua me reformat e saj, duke u rreshtuar hapur në mbrojtje të dheut të Luznisë dhe të të drejtave të banorëve të maleve. Këtë qëndrim të palëkundur e kanë dokumentuar më pas studiuesit Munir Shehu dhe Hazis Ndreu, të cilët e pasuruan tablonë historike të figurës së Elezit, duke ndalur veçanërisht te roli i tij në Kuvendet e Maleve dhe në përballjet me pashallarët osmanë, duke i dhënë kështu peshën e merituar në historinë e Dibrës.

Elez Murrja Isuf Murrja

Kjo frymë qëndrese nuk u shua me Elez Murrën. Ajo u trashëgua dhe u përforcua nga i biri, Isuf Murrja, i cili mori mbi supe jo vetëm drejtimin e Malit të Luznisë, por edhe barrën e rëndë të përballjes së drejtpërdrejtë me dhunën osmane. Vrasja e tij barbare nga xhandarmëria turke, me prerje koke dhe ekspozim publik të trupit, tronditi mbarë Dibrën dhe ndezi një reagim të paprecedentë. Hakmarrja e organizuar nga djemtë e Isufit, e mbështetur gjerësisht nga luznakët dhe dibranët në betejën e Qenokut, u kthye në një akt rezistence me jehonë përtej krahinës, deri në Stamboll, duke e shndërruar Isuf Murrën në simbol të gjakut të derdhur për liri dhe dinjitet.

Në këngët popullore, kjo vijimësi e qëndresës ngrihet si figurë e pathyeshme, ndërsa në kujtesën e krahinës Elezi dhe Isufi mbeten njerëzit që e mbajtën pushkën mbi krye vetëm për mbrojtjen e Luznisë dhe Dibrës. Pikërisht kjo histori e mishëruar në qëndrim, sakrificë dhe gjak, ka pasur një adresë konkrete: Kullën e Elez Murrës. Mirëpo sot, ajo “kullë me 12 qoshe e tre pode”, simbol i autoritetit, i rezistencës dhe i mbrojtjes së të drejtave të malësorëve, po shembet. Me rrënimin e saj, po zhbëhet nga themelet jo thjesht një ndërtesë, por një faqe e lavdishme e historisë së Dibrës, e shkruar me qëndresë brezash.

Kjo kullë nuk e njohu dorën e armikut. Por po e rrëzon heshtja jonë.

Në periudhën socialiste, u braktis nga pinjollët biologjik të Elezit për një jete më të mirë në Tiranë. Që atëhere mbeti në mëshirën e fatit. U përdor nga të pastrehët dhe më pas u përdor si stallë për bagëti. Muret e saj të trashë, që dikur mbroheshin nga pushka e Elezit dhe e luznakëve, u çanë nga shpërfillja njerëzore e mesuesve të historisë, e institucioneve të kulturës, e vetë banorëve të fisit Murrja. Arkitektuara e saj është unike, nuk ngjason me asnjë kullë tjetër në Dibër. Ndryshe nga kullat e tjera të zonës, ajo u ndërtua si kullë-rezidencë, me funksion drejtues dhe mbrojtës, duke reflektuar vizionin e Elez Murrës.Kozmetika e historisë nuk mjafton për ta ruajtur atë; duhen punëtorë, duhen vizione, duhen njerëz që nuk e lënë suksesin e të parëve të transformohet në rrënojë.

Disa dibranë të respektuar nuk e kanë harruar: Aqif Doku (poeti i vjetër) ka gjetur frymëzim dhe ka thurur vargje, po ashtu edhe poeti i ditëve të sotme Malet e Dibrës; Emrie Skuka në librin e saj Sinoret e Luznisë, i bën jehonë Elezit dhe djalit të tij Isufit: Edmond Hasani ka shërndarë foto të kullës, duke i ruajtur kujtesën vizuale, po ashtu edhe pasionati Erzen Murrja; Abdurahim Ashiku (gazetar i vjetër) dhe Dr. Selman Meziu ngritën zërin kundër zhdukjes së saj, sidomos në kushtet e ndërtimit të HEC Skavica; Afrim Shehu ditët e fundit e ringjalli përmes vizualizimit dixhital, që të shohim se çfarë jemi duke humbur. Ndjesë nëse kam harruar dikë.

Punuar ne IA nga Afrim Shehu

Por zëri i tyre është ende i pakët për të zgjuar shtetin.

Kulla e Elez Murrës është një provë e gjallë se historia ka themele; ajo nuk është vetëm një monument lokal, por kujtesa e një rezistence që duhet t’u tregohet brezave, një dëshmi se liria nuk na erdhi dhuratë, se tokën nuk e trashëguam falas dhe se dikush dhe disa luftuan kur pushtuesi trokiste tek dera.

Është koha që Ministria e Kulturës, Bashkia Dibër, institucionet e trashëgimisë, si edhe akademikët e fushës, të marrin përgjegjësinë që historia ua kërkon. Ka fonde europiane, ka programe restaurimi, ka mundësi konkrete – duhet vetëm vullnet dhe punë.

Nëse sot heshtim, nesër do të mos kemi ç’të shpëtojmë.

Kulla rri gjunjëzuar, e heshtur në majë të shkrepit buzë Drinit. Por ajo heshtje nuk është dorëzim. Është thirrje!

Filed Under: Histori

Lirizmi estetik i poetit Timo Flloko

December 16, 2025 by s p

Prof. Bardhosh Gaçe/

Timo Flloko i njohur si artist i shquar i skenës së filmit me disa role të spikatura, tashmë paraqitet edhe si poet, gati në të njëjtën lartësi artistike, si në rolet e figurave që ka mishëruar. Qysh në vitet e shkollës së mesme “Ali Demi” në qytetin e Vlorës”, krahas aktrimit u shfaq tek ai edhe talenti i spikatur si poet, ku i këndoi detit, Vlorës, ullinjve, Sheshit të Kateqit e Sheshit të Flamurit, hapësirave të kaltra që i shfaqeshin në brigjet detare.

Vëllimi poetik “Kërcim në bosh” është një sprovë e suksesshme e vargut poetik, që shpreh njëherit një frymë dhe një përcjellje estetike të saj përmes këtij vargu punuar e latuar me kujdes e në mënyrë fine të poetit. Vargu i poetit dhe mënyra e përpunimit të tij, veçori e sendërtimit të ideve dhe krijimi i imazhit të tij flet për një lirizëm estetik, për një përkryerje të tij në konceptimin modern të mënyrës se si poeti i shikon gjërat, si i shtrin, ndërton dhe injekton imazhet me frymën e së bukurës.

Titulli “Kërcim në bosh” është mjaft i gjetur pasi lexon poezitë e këtij vëllimi dhe ka një domethënie kuptimore, e cila përthekohet drejt mendimit, se sendet apo nocionet mbi jetën janë të paplotësuara në vetvete dhe zbrazëtia e tyre mbushet me kuptimin që u jep njeriu. Kështu, imagjinata e poetit kërcen drejt thelbit të fillesës së gjërave për ta mbushur atë me forcën e fjalës dhe gjeracionin e saj e për ta bërë të bukur. Fjala çelës e imagjinatës “sikur” ndihet në poezinë e Timo Fllokos herë hapur e herë e nënkuptuar dhe poeti kërkon ta mbushë atë me fuqinë kreative të mendimit poetik.

Ky tipar kryesor i stilit të tij si një akt vlerësues i vetvetishëm dhe domethënës, e dallon poetin Timo Flloko, ndonëse në poezi ai vjen pas një përvoje të gjatë dhe të suksesshme me fjalën e aktruar. Në poezinë “Estetikë” poeti shprehet: “Atë që Zoti e krijoi të mangët/mjekësia estetike, tashmë e kthen në hir/rilind krijesa me pamjen e ndryshuar/shndërrohet defekti në përsosmëri”.
A po shkon bota drejt zhdukjes së kontrasteve dhe kjo zhdukje nëse ndodh, mos është një rrafshim dhe rrafshimi, lineariteti, njëtrajtësia, si gjithmonë e bëjnë jetën të mërzitshme? Përkundër kësaj, poeti ngre estetikën e fjalës së tij mbushur me kontraste, me relievime të mendimit, me hije e dritë të objekteve, të sendeve, të pamjeve, me gëzimin, frikërat, dyshimet etj: “Pi e çfarë mbeti/në fundin e gotës/nesër është eklipsi/ndoshta fundi i botës”, shprehet poeti në poezinë “Eklips në fundin e botës”. Në shumë poezi poeti shfaq gjendje ankthioze që vijnë të qarta dhe ankthi në poezinë e tij është transparent, jo i turbullt. “Shpirti im fillim e fund/pambarim di hapësira/dhe kur s’je, të krijon/si oazën shkretëtira”, citojmë këto vargje origjinale të poetit që thuren në vjershën njëstrofshe “Dashurisë”.

Poetin e shqetësojnë ato simptoma të shoqërisë së sotme moderne, janë shenja që ai i pikas në Shqipëri, por edhe në udhëtimet e tij në Evropë apo Amerikë. Këto simptoma shfaqen në përshkrimin e pamjeve të qyteteve metropolitane, në njerëzit që humbin identitetin. siç ndodh te poezia “Nën emrin e tjetrit”, “Në Nju-J-ork pa ty”, “Mbi urën e Bruklinit”: I vetmuar këtë fund dimri/endem Urës së Bruklinit/një oqean na ndan në mes/në prag të Shën Valentinit), “Në Paris (mozaik): “Hije Esmeralda/Kuazimodo, Febysi/botë fshehtësish/është Parisi”. E në këto vjersha poeti është i hapur, konkret, fjalëzgjedhës e me një delir të lehtë të mahnitjes nga bukuria e këtyre vendeve, delir që nuk përfundon në ekstazë. Ai zgjedh me kujdes detajet dhe i transubstancion në gjendje prej ndjesish të holla e vibrante.

Uni poetik i Timo Fllokos është një un i kulturuar, ku autori e përpunon këtë un me një shije estetike të veçantë, prandaj edhe lirizmi i tij buron e rrjedh natyrshëm përmes këtij formimi. Autori i percepton motivet dhe shtjellimin e tyre në këtë vazhdë, duke zbuluar nga thelbi i dukurive hijeshinë e së bukurës. Ai gjithnjë shqetësohet mbi motive dhe ide që mbartin një peshë të veçantë filozofike dhe atyre nuk u shkon në skaj, por u hyn në thelb, duke zbuluar atë çka është më e epërme: “Priste sërish ditën të shndriste aty/Ç’mëkat, bukuria jeton veç për sy” (poezia “Narcisi” f. 29). Është syri i ndërgjegjes së formuar e një artisti, i cili e shikon botën, motivet dhe e vë shqetësimin e tij poetik pikërisht në tallazitjen e përmbajtur të kësaj ndërgjegjje.

Poetin e intereson shumëçka që ka të bëjë me shqetësimet e një artisti, si artist i dyfishtë i filmit dhe i fjalës së aktruar, si dhe i fjalës poetike dhe këtu duhet shtuar edhe një përmasë tjetër, që është shqetësimi intelektual, tipare që i vëmë re me kënaqësi në muzën e tij dhe që shprehen e materializohen përmes një vargu plot sqimë e me kujdesin e merakun e një artistit për t’i dhënë fjalës forcën dhe ëmbëlsinë e tingëllimit melodioz.

Poeti e zgjeron unin e tij me një thurimë motivesh nga më të ndryshmet, si: motivet e mallit, të dashurisë, largësive, të udhëtimeve, të pandehmave të mëdha, motive të shqetësimit për botën, motive të artit, duke përdorur lirshëm dhe në kontekste të caktuara fjalësh, terma nga bota e artit, e kulturës, e mitit e nga fusha të dijes e të kulturës. Kjo tregon se shqetësimi i tij nuk është i një çasti, përkundrazi, është shqetësimi i një artisti të fjalës së bukur. Këto motive intimizohen prej një brishtësie tërheqëse dhe krijojnë një frymë të ngrohtë në poezitë e tij përkushtuese për nënën, për miqtë apo njerëzit e ndryshëm që kanë sjellë në mendimin e poetit një ngacmim të mirë.

Duke zgjeruar frymëmarrjen tematike-motivore, poezia e Timo Fllokos asnjë çast nuk e humbet rëndësinë e fjalës së bukur dhe të latuar, ajo mbart vetiu një frymë ngrohtësie dhe shqetësimi njerëzor, një ndjeshmëri prekëse që i vjen prej natyrës së tij prej artisti. Ky shqetësim nuk është i stisur, as materializohet prej një vargu pozant, por një vargu që buron nga ndjenja të fuqishme dhe vishet hijshëm me kostumin e mendimit dhe të figurës artistike.
Ligjërimi poetik i ngritur në nivelin e një shprehjeje të kulturuar na sjell një ritëm që nuk ngutet, por që vjen në mënyrë të përpiktë dhe të ngadaltë për ta thelluar edhe më tej në trajtën e tij të të shfaqurit. Këtë e shohim, e ndjejmë dhe e perceptojmë ashtu vetiu në poezinë “Krisht”, f. 49-50 të vëllimit, ku vargjet me gjatësi të ndryshme rrokjesh i ngjajnë një bisede që nuk mbarohet dhe ndalesat shprehin dhembje e mallëngjim ndaj sakrificës së Krishtit. E njëjta mënyrë perceptimi dhe ndërtimi të ritmit vihet re edhe në poezitë “Bisedë me Ajnshtajnin”, “Aty”, “Transgresion”, “Ceni i Davidit”, “Xhelozi e detit”, “Panteoni i një miku”, “Hy i pyllit të heshtjes” (Ali Podrimes), ku te kjo poezi e fundit spikasin vargjet e ndjeshme: “erdh koha, the/më lini këtu në shpirt të pyllit/me nimfat enigma/të fle”.

Ndryshon ky ritëm në poezitë “Vjena”, “Në Paris”, ku vargu katërrrokësh ka një përshpejtim ritmik, i cili në shpalljen e tij shpreh dinamizmin e jetës në Vjenë ose në Paris, ku poeti ndihet i mrekulluar nga ky dinamizëm dhe ritmin e organizon mjaft mirë.
Motivet e dashurisë në vëllimin “Kërcim në bosh” trajtohen nga autori, duke u dhënë një dimension të thellë mbi shfaqjen dhe realizimin e tyre nga një mendim përgjithësues: “Mirazhe dashurish thërmohen sysh/si të ishin ngrehina gjer te retë/por s’janë të përjetshme edhe pse/të larta kujtesës sa një Everest”. (Poezia “Krahë ëndrrash” f. 40). Në këtë konceptim ideor, dashurisë i këndohet në poezitë: “Flitë e Kleopatrës”, “Pasion”, “Sindroma e dashurisë”. Dashuria për poetin është “Le të ishte ajo iluzore/Si Kulla e Babelit që s’u ngrit asnjëherë”, dhe poeti nuk e shikon atë vetëm si një shfaqje konkrete, por më së shumti si një mister, si një forcë ndjenje të brendshme, e cila ka shumë gjuhë dhe shumë mistere, që sado ta ngresh lart kullën e saj nuk mbërrin dot deri te caku i saj i fundmë.

Poezia e Timo Fllokos në këtë vëllim, ashtu si dhe në mjaft cikle të botuara në shtypin letrar, është një krijim që e bart ëndrrën dhe e pështjellon atë duke ia vërtitur kuptimin me një fill të pashkëputur mendimi. Ëndrra te ky poet merr krahë nga mendimi për artin (“Duke parë operën “Aida”), ku poeti artin e lidh me një largësi dhe me një kujtesë, apo “Krimi i Shekspirit” një poezi tjetër meditative, jo nga më të bukurat në këtë vëllim, por gjithsesi e këndshme.
Poeti si artist i dyfishtë i dy zhanreve të artit është adhurues i së bukurës në jetë dhe në art. Shpesh vargu i tij nga një refleks i ngacmimit konkret kthehet në fluks refleksesh nga ngacmimet që i vijnë nga bota e artit, e historisë, e mitit apo të një rrafshi më të gjerë kulturor: “Plot dëshira të kyçura në vete/ëndërrimet e mbështjella si një vel/dashurova Pushkinin dhe zili ia kisha/gjeninë që e humbi në duel” (Poezia “Ëndrrat në sirtar”). Poeti tregon sa e fuqishme është ëndrra, se si ajo vjen dhe të pushton mendjen dhe shpirtin, se bota e një artisti të vërtetë, (siç është edhe Timo Flloko), bëhet e madhe, duke njohur artistë të tjerë, duke i adhuruar ata, pa smirë, pa ego të sëmurë, pa vetmburrje, sepse siç thotë Kadare “në tempullin e artit hyhet me dashuri”, një shembull i shkëlqyer me antipod me meskinët e vlerësimit të artit. Dhe këtë gjendje dehurie estetike e ndjejmë dhe e perceptojmë natyrshëm në mjaft poezi të këtij vëllimi, të cilat realizohen bukur, me ligjërim të rrjedhshëm e me mendime poetike interesante.

Poezia e Timo Fllokos të tërheq pikërisht për këtë botë ëndërrtare që frymon përmes koncepsionit të artit, si parakusht për të hyrë në një jetë që mbruhet e lartësohet me shijen e artit. Poeti pohon dhe konkludon, ai nuk përshkruan apo nuk vë elementin narrativ, duke i dhënë poezisë një nerv modern. Ai sjell në poezi unin e një artisti, unin e një njeriu që jeton me artin edhe përmes poezisë, edhe përmes kundrimit të tij dhe prirjes së natyrshme të një krijuesi për ta bartur këtë ëndërr me shkëlqimin dhe finesën që i jep arti: “Ngrita sytë, qiellin pashë/ku është skaji i tij, thashë/ai soset fundi vallë?/” (Poezia “Shkallë për qiell”). Një poezi që flet për një aludim të qartë, kështu është edhe arti, i ndryshueshëm dhe i pafundëm në mundësitë krijuese që të afron. E rëndësishme është ta duash dhe të përpiqesh ta njohësh.

Poeti Timo Flloko e përmbyll librin me tri poema, përkatësisht: “Përtej jetës”, “Pandehmë në Nju-Jork” dhe “Trumcaku”, si dhe disa tekste poetike në këngë.
Në poemën e parë “Përtej jetës” (Profondo) poeti ndërton një ligjërim metafizik, ku sjell në vëmendje të këtij ligjërimi koncepte e shtjellime idesh mbi kuptimin e jetës-dhe merr figura nga miti, historia, nga feja, si: Adami, Eva, Ikariusi, Aleksandri i Madh, Çezari etj, etj, deri te djalli. Në këtë poemë është jeta, kaosi i saj, qytetërimi i lashtë dhe modern, një përzierje historish dhe konvencionesh. Përtej një epoke është epoka tjetër që pason, përtej jetës është jeta me atë çka lë pas dhe kështu kjo poemë thuret midis ëndrrës dhe zhgjëndrrës në një diskurs marramendës midis kuptimit e çkuptimit mbushur me plot paradokse.
Në poemën tjetër “Pandehmë në Nju –Jork” poeti jep një peizazh marramendës të Nju –Jorkut me një përshkrim thurur nga detaje bindëse, ku vizatohen pamje që rrotullohen me shpejtësi. Kjo shpejtësi e ethshme, e zhurmshme, ku “fantazma e lirisë/lartësisë/ofshan” dhe ku “zemra rreh/si një orë mekanike/e kurdisur vetëm një herë në jetë”, pikërisht në këtë qytet dhe përtej këtij qyteti poeti lartëson ritmin dhe të papriturat e Nju-Jorkut me një varg të çlirët dhe dinamik. Poeti i ngre parabolat e një qytetërimi të dukshëm dhe të padukshëm prej misterit të shfaqjes dhe humbjes së imazheve, duke dhënë kështu edhe thjeshtësinë e përzier me delir, aty ku: “kullat fantazmë/mbijnë papritur/qiejsh vetëtitës/nderen lartësitë/nga ankthi i dritës”.

Poemthi “Trumcaku” është ndërtuar mbi një fabul interesante, mbi zogun e plagosur që ngrihet sërish dhe humbet “në shtrojën e heshtjes”. Përmes kësaj fabule të thjeshtë poeti ndërton një paralelizëm figurativ mbi jetën njerëzore. Edhe tekstet e këngëve kanë një dinamizëm lirik të mbushur e të shpërthyer me energjinë e fjalës së poetit.

Ky vëllim poetik, me lirizmin estetik të tij, dëshmon për ndjesitë e holla dhe elegancën e shprehjes, për mprehtësinë e mendimit dhe figuracionin e gjendur në masën e duhur të të shprehurit, pa teprime e pa e ngarkuar vargun me figura për figura, një poet i kultivuar. Timo Flloko si poet me kulturë dhe njohje të jetës, por më shumë me njohje të artit, ngacmimet e tij poetike i ngre në një shqetësim intelektual dhe artistik. Vargu i tij është melodioz dhe rima vjen herë-herë rrallë dhe pa e kërkuar. Melodiciteti i vargut vjen nga fjalët e zgjedhura, sqimatare dhe ruajtja e ritmit, duke e sjellë atë natyrshëm jo si qëllim në vetvete, por që përmbushet mirë dhe të tërheq pikërisht për këtë melodicitet që krijon, duke shpalosur një botë të thellë estetike dhe artistike.

Filed Under: ESSE

Seminari dyditor i Këshillit Koordinues të Arsimtarëve në Diasporë: bashkëpunim, reflektim dhe vizion për mësimdhënien e gjuhës shqipe në diasporë

December 16, 2025 by s p

Sadiona Abazaj/

Pjesëmarrja në seminarin dyditor të organizuar nga Këshilli Koordinues i Arsimtarëve në Diasporë (KKAD), më 6 dhe 7 dhjetor, përbënte një përvojë profesionale dhe njerëzore me vlerë të veçantë. Ky aktivitet mblodhi së bashku mësues të gjuhës shqipe nga diaspora, pedagogë dhe studiues, autorë tekstesh shkollore, si dhe përfaqësues të institucioneve arsimore dhe diplomatike të Shqipërisë dhe Kosovës, duke krijuar një hapësirë të përbashkët dialogu dhe reflektimi.

Diskutimet e zhvilluara gjatë seminarit u përqendruan në çështje thelbësore që lidhen me mësimin plotësues të gjuhës shqipe jashtë atdheut.

U trajtuan roli dhe përgjegjësia e mësuesit në nxitjen e interesit të fëmijëve, përshtatja e metodave didaktike me realitetin e diasporës, përdorimi i teknologjisë dhe projekteve kreative, si dhe rëndësia e ndërtimit të një bashkëpunimi të qëndrueshëm mes mësuesve, prindërve dhe institucioneve mbështetëse. Falë drejtimit profesional dhe energjik të moderatoreve Aurela Konduri dhe Anita Duriçi, seminari mori formën e një forumi të hapur profesional, ku përvoja individuale u kthyen në njohuri kolektive dhe ide konkrete për të ardhmen e mësimdhënies së gjuhës shqipe në diasporë.

Dita e parë e seminarit u zhvillua më 6 dhjetor 2025, në oraret e mbrëmjes, përmes platformës Zoom, nën temën: “Rrugëtimi i klasave të gjuhës shqipe në diasporë: nga entuziazmi i fillimit te qëndrueshmëria dhe cilësia e mësimit.” Në këtë takim virtual morën pjesë anëtarët e KKAD-së, mësues nga vende të ndryshme të botës, përfaqësues të QBD-së, si dhe diplomatë nga Shqipëria dhe Kosova.

Gjatë diskutimeve u theksua se, ndonëse fëmijët shqiptarë në diasporë ruajnë një nivel relativisht të mirë njohjeje të gjuhës dhe kulturës kombëtare, ekzistojnë sfida serioze që kërkojnë koordinim më të madh institucional. Faktorë si mungesa e ambienteve mësimore, oraret e kufizuara, distancat e gjata, kushtet e vështira të transportit, motivimi i ulët i nxënësve dhe mungesa e mbështetjes financiare ndikojnë drejtpërdrejt në uljen e numrit të nxënësve në mësimin plotësues.

Megjithatë, u nënvizua fakti se angazhimi i mësuesve në këtë fushë mbetet një mision vullnetar dhe kombëtar, i mbështetur mbi ndjenjën e përgjegjësisë morale ndaj gjuhës dhe identitetit shqiptar.

U theksua gjithashtu domosdoshmëria e përfshirjes më aktive të dy shteteve shqiptare në mbështetjen e mësimit plotësues, në mënyrë që të sigurohet cilësi, profesionalizëm dhe trajnim i vazhdueshëm i mësuesve, si dhe certifikim i bazuar në përgatitje akademike dhe pedagogjike. Punimet e seminarit vijuan më 7 dhjetor, nga ora 16:00 deri në 20:00, sërish në platformën Zoom. Dita e dytë u hap me një kolazh artistik me recitime nga nxënës të shkollave shqipe në diasporë, të cilët u cilësuan si dëshmi e gjallë e punës së palodhur të mësuesve dhe e vazhdimësisë së gjuhës shqipe përtej kufijve.

Gjatë kësaj dite u trajtuan tema që lidhen me planifikimin e vitit shkollor, ndërveprimin midis gjuhës zotëruese dhe gjuhës shqipe, rolin kyç të prindit në procesin mësimor, si dhe sfidat e mësimdhënies në klasa dygjuhëshe dhe kolektive. Ligjëruesit sollën shembuj konkretë nga përvoja e tyre profesionale, duke theksuar rëndësinë e lojës, projekteve, fantazisë dhe teknologjisë në zhvillimin e të menduarit kritik dhe motivimit të nxënësve.

Një vëmendje e veçantë iu kushtua përdorimit të projekteve si qasje didaktike, ku nxënësi vendoset në qendër të procesit dhe gjuha shqipe përdoret në mënyrë praktike dhe funksionale. Po ashtu, u theksua se familja mbetet baza e parë e edukimit gjuhësor, ndërsa shkolla dhe mësuesi ndërtojnë ura bashkëpunimi që e forcojnë këtë proces. Në kumtesën time theksova dimensionin emocional të gjuhës shqipe, duke e cilësuar atë si gjuhën e zemrës dhe identitetit. U ndala në rëndësinë e përdorimit të mjeteve digjitale dhe aplikacioneve edukative, si forma bashkëkohore për ta afruar gjuhën shqipe me realitetin e fëmijëve në diasporë.

Seminari u përmbyll me fjalën përshëndetëse të kryetarit të KKAD-së, z. Mustafë Krasniqi, i cili falënderoi ligjëruesit, mësuesit dhe përfaqësuesit institucionalë për kontributin e tyre, duke theksuar nevojën për vazhdimësi dhe organizim më të shpeshtë të aktiviteteve të tilla, që shërbejnë si platforma shkëmbimi, reflektimi dhe mbështetjeje për mësuesit e gjuhës shqipe në diasporë.

Filed Under: Kronike Tagged With: Sadiona Abazaj

Ad memoriam Faik Konica

December 16, 2025 by s p

Dr. Dorian Koçi/

Kultura shqiptare do të ishte e mangët pa personalitetin e Faik Konicës. Ai përfaqëson një figurë që është sa themelues, po aq edhe kontribues në studimet shqiptare, në skicimin e imazhit të shqiptarëve në kulturën perëndimore, si dhe të imazhit të Tjetrit në kulturën shqiptare. Vërejtjet e tij të thukëta mbi karakterin shqiptar, konstatimet gati proverbiale mbi të ardhmen e vendit dhe raportet e shqiptarëve me përparimin, prapambetjen apo pasionet e verbër politike — që disa herë e vendosën në kahun e kundërt nga ajo që si rrallëkush kishte predikuar — e bëjnë gjithmonë më të vështirë skicimin e portretit të tij intelektual në hapësirat shqiptare.

Për fat të mirë, në këtë drejtim vjen në ndihmë Fan Noli me artikullin e tij “Si e kam njohur Faik Konicën”. Ky është ndoshta një nga portretet më të ndjera të shkruara nga Noli për një shqiptar tjetër të madh si Konica, dhe mbetet një shembull ku, mes admirimit, kritikës, vetëkritikës dhe ironisë, arrijmë të përceptojmë personalitetin e madh të Konicës. Me një modesti dhe mirënjohje të përmbledhur brenda një fjalie, Noli pohon se të gjithë autorët shqiptarë që vijnë pas Konicës janë nxënësit e tij, duke përfshirë edhe shkruesin e këtyre radhëve. Ai na rrëfen se në ngrehinën e kulturës shqiptare, Konica nuk ishte vetëm kontribues, por një nga themeluesit e saj.

Si e kam njohur Faik Konicën

=============================

Nga Fan Noli

E kam takuar Konicën për herë të parë më 1909. Ishte diçka që nuk kam për ta harruar kurrë. Më kishte shkruar nga Londra se do të vinte në Boston i veshur me kostum shqiptar. Ideja ishte që të dilte fotografia e tij në gazetë dhe të shfrytëzohej rasti për të propaganduar çështjen kombëtare shqiptare, e cila ka qenë pasioni i gjithë jetës së tij. Unë mbeta i shtangur. Si prift ortodoks i modës së vjetër, në atë kohë unë vetë mbaja nnjë mjekër të gjatë të zezë, për të cilën më duhet të pranoj se nuk u pëlqente djemve të Bostonit. E merrja me mend se sa do të dëfreheshin ata djem po të më shihnin duke ecur me një burrë të veshur me fustanellën shqiptare. Ndonëse nuk kisha parë kurrë ndonjë fustanellë greke, një lloj fundi i balerinave. Unë isha i shkurtër e i bëshëm, Konica ishte i gjatë e i thatë, kështu që të dy do të dukeshim si Don Kishoti me Sanço Pançën të arratisur nga ndonjë cirk. Sa u habita këtë herë kur pashë se djemtë e Bostonit e harruan gjithçka lidhur me mjekrën time dhe thjesht zunë të shihnin Konicën me adhurim. Atëherë e kuptova se fustanella shqiptare nuk ishte fustanellë qesharake greke, por diçka që i ngjante kiltit të skocezëve dhe se i përshtatej shumë një burri të pashëm si Konica.Meqë ra fjala, lexuesi mund ta gjejë në librin e Konicës ndryshimin ndërmjet kostumit grek dhe veshjes shqiptare: është e vërtetë se grekët e kanë përshtatur nga shqiptarët, por ata u përpoqën ta stërhollojnë sa që e bënë një veshje grash me aq sa mundën. Veshja e Konicës nuk ishte e vetmja gjë që më habiti. Thjest mbeta pa mend, kur ai nisi të më “mësonte” për çdo gjë në botë. Ishte njeri me kulturë të lartë. Gijom Apoliner, një shkrimtar dhe mik i tij, e ka quajtur “enciklopedi shëtitëse” që e fliste frëngjishten si një francez. Një shkrimtar tjetër, Zhyl lë Metrë, ka shkruar për të: “Ky i huaj që e shkruan kaq mirë gjuhën tonë”.Si studiues i pasionuar i muzikës, Konica e adhuronte shumë Vagnerin. Një nga gjërat e para që bëri ai pasi u takuam, ishte të më tregonte për Vagnerin dhe operat e tij. Me këshillën e tij e pashë përherë të parë Parisfalin, kur u dha më 1910 në Boston. Në varrimin e tij, tridhjetë vjet më vonë, duke e ditur se sa shumë e donte Vagnerin, iu luta organistit të luante muzikën e Vagnerit nga kreu deri në fund.Ka disa fakte që mungojnë në librin e papërfunduar të Konicës, fakte për Shqipërinë, që i kam mësuar prej tij. Për shembull, Konica flet për krenarinë e malësorëve shqiptarë. Zonja Durham e pranon këtë në librin e saj “Brenga e Ballkanit”. Kur përshkruan shpërndarjen e ndihmave në Maqedoni gjatë dhjetëvjeçarit të parë të shekullit të njëzetë, ajo na tregon se si gratë fshatare e rrethonin ditë e natë, duke i kërkuar ushqime dhe rroba. Ata vendoseshin rrotull shtëpisë ku banonte ajo dhe nuk largosheshin derisa të merrnin diçka. Edhe kur u shpjegoi se nuk kishte më asgjë për t’u dhënë, ato nuk shkuleshin. Kur zonja Durham vajti në Shqipëri, priste që t’i ndodhte njësoj. Për habinë e saj, askush nuk iu afrua për t’i kërkuar ndihmë.Konica përmend edhe faktin se zonja Durham ka qenë një adhuruese e madhe e amvisës shqiptare. Ajo mendonte se vetëm amvisa holandeze mund të krahasohej me të për pastërtinë. Zonja Durham kishte të drejtë. Mjafton të shkosh për vizitë në shtëpitë e shqiptarëve në Shtetet e Bashkuara dhe mund ta shohësh dallimin ndërmjet amvisës shqiptare dhe shumë prej fqinjëve të saj që nuk janë shqiptare.Një gjë që e ka lënë jashtë Konica është fakti që fqinjët ballkanas e italianë kanë shpifur se shqiptarët janë të egër e të pamëshirshëm. Zonja Durham na thotë se kjo nuk është e vërtetë. Ajo kiste parë fshatarët siçilianë se si i rrihnin pa mëshirë kuajt dhe gomerët, por kurrë nuk kishte qenë dëshmitare se si një shqiptar rrihte një kafshë. Unë e kam vënë re edhe vetë kur kam udhëtuar me kalë në Shqipëri. Sa herë vinim te ndonjë copë rrugë e vështirë, ishim të detyruar të zbrisnim dhe kafsharët gjithnjë përdornin fjalët përkdhelëse për t’u dhënë zemër kafshëve, si për shembull: “Hajde, vëlla. Ec, or bir; Nuk është dhe kaq e vështirë. Do ta kalojmë”. Një shpifje tjetër e përhapur nga fqinjët tanë, është se shqiptarët qenkan njerëz që nuk u shtrohen ligjeve. E vërteta është krejt e kundërt. Ata u shumë më tepër se gjithë fqinjët e tyre. Statistikat e rajoneve të policisë në qytetet amerikane ku ka shqiptarë, dëshmojnë qartë se ata janë nga grupet më të mira ndër të gjithë të ardhurit e huaj. Përvoja ime e gjatë më ka vërtetuar se shqiptarët u binden ligjeve në shqipëri po ashtu siç u binden në Shtetet e Bashkuara. E keqja është se, kur fqinjët e Shqipërisë përpiqen të shkelin tërësinë e saj tokësore, atëherë shqiptarët “e paligj” ngrenë krye.Kur përshkruan pamjet e bukura të Shqipërisë, Konica përmend shumë turistë të huaj që e kanë admiruar këte vend. Një emër, që megjithatë mungon, është ai i prozatorit, dramaturgut dhe kritikut muzikor francez, Roman Rolanit, i cili në njërin nga librat e vet flet për “kodrat e bukura të valëzuara të Shqipërisë”. Unë për vete i kam soditur nga maja e malit Tomor dhe nga kështjella e Krujës, kryeqyhteti i vjetër i Skënderbeut. Nuk kam parë gjithë jetën time gjë më të bukur. Mjaft shtesa mund t’i bëhen kapitullit të Konicës për vetitë luftarake të shqiptarëve. Për shembull, kalorësit shqiptarë u bënë proverbialë në gjithë Europën pas vdekjes së Skënderbeut. Gjithë mbretërit dhe sundimtarët e Italisë, Francës, Britanisë së Madhe kanë marrë kalorës të lehtë shqiptarë për ushtritë e tyre. Konica më ka thënë një herë se në shekullin e shtatëmbëdhjetë, kur francezët kërkonin të lavdëronin një kalorës, shpreheshin: “E nget kalin si një shqiptar”. Kemi disa dokumente italiane, që flasin për kalorësinë shqiptare dhe që na shpjegojnë se si Skënderbeu e shpëtoi mbretin Ferdinand të Napolit me kalorësinë e vet të lehtë. Sipas dëshmisë së historianëve bashkëkohës, Ferdinandi e kishte humbur davanë kur e braktisën banorët feudalë dhe u bashkuan me Rene Anzhuanë, që ishte rivali i tij francez dhe që pretendonte fronin e Napolit. Dihet mirë se ushtritë mercenare të Rilindjes asnjëherë nuk bënë ndonjë betejë të vërtetë. Ata kujdeseshin jo për lavdinë ushtarake, por për pagat. Zakonisht krijohej një komitet i përbashkët i të dy ushtrive rivale dhe vendoste kush do të shpërblehej me fitoren. Për shembull, kur njëra nga ushtritë kundërshtare kishte epërsi të padyshimtë si numër, asaj i jepej fitorja pa e zgjatur shumë. Kur ushtritë ishin të barabarta nga numuri dhe komiteti nuk mund të merrte vesh se cila palë mund të fitonte, atëherë kurdisej një betejë e shtirë, në të cilën nuk dëmtohej ose nuk vritej askush, me përjashtim të ndonjë aksidenti. Por kjo manovër shërbente për të ndihmuar komitetin e përbashkët që të merrte një vendim. Diçka e ngjashme ndodhi kur skënderbu zbriti në Itali me kalorësinë e vet të lehtë. Komandanti i ushtrisë kundërshtare konti Piçinino dhe Skënderbeu rregulluan një betejë të tillë të shtirë për të parë se cila nga të dy ushtritë do të kishte më shumë shanse për të marrë fitoren. Dy reparte të zgjedhura nga ushtria shqiptare dhe italiane bënë një paraqitje të kalorësisë dhe të aftësisë luftarake. Shqiptarët e fituan ndeshjen dhe kështu u mbyll gjithë kjo histori. Italianët asnjëherë më nuk e kundërshtuan epërsinë e kalorësisë shqiptare. Natyrisht, me turqit ishte një pun krejt tjetër. Atëherë Skënderbeut i duhej të bënte beteja reale dhe të arrinte fitore reale. Turqve nuk u bënte përshtypje asnjë paradë. Skënderbeu ka qenë, padyshim, një gjeneral i madh dhe ai meriton nderime të mëdha për kryqëzatën e tij heroike kundër turqve. Por ne nuk duhet të harrojmë se edhe ushtarët e tij meritojnë pjesën e tyre të nderit. Kryengritja shqiptare e viteve 1910 – 1912 kundër turqve tregoi se luftëtarët e çetave shqiptare ende e ruanin trimërinë dhe forcën e gjallë që kishin dëshmuar në kohët e vjetra në Skënderbeun. Vetëm për vetëm ata i mundën turqit, marshuan në Selanik dhe e detyruan qeverinë turke t’u jepte autonominë. Pas disa muajsh iu desh gjithë kombeve të Ballkanit që të bashkoheshin për t’i mundur po ata turq. Më 1920 atje u përsërit po ajo histori e përjetshme. Shqipërinë e kërcënonte copëtimi. Italia kishte pushtuar Vlorën dhe prapatokën e saj deri në Gjirokastër. Fqinjët e tjerë kërkonin copat e tyre sipas traktatit të fshehtë të vitit 1915. Vetëm një zë u ngrit për të kundërshtuar, ai i president Wilson. Por ai mjaftoi për të ngritur kombin. Malësorët shqiptarë të bregdetit jugor qenë të parët që u ngritën, pastaj i ndoqën edhe të tjerët. Brenda pak muajve italianët u hodhën në det dhe u detyruan ta linin Vlorën dhe rrethin e saj. Rreth njëzetë vjet më vonë, më 1940 grekët, pothuaj shtatë herë më të shumtë si numër sesa shqiptarët, nuk mundën ta përsëritnin këte marifet, ndonëse kishin mbështetjen e flotës angleze dhe të forcave ajrore angleze, që i penguan italianët të sillnin përforcime. Tani disa fjalë për vendin e Konicës në historinë e Shqipërisë së sotme. Si mysliman dhe si përkrahës i një familjeje të vjetër aristokratësh nga Shqipëria e jugut, Konica kishte të gjitha mundësite që të fitonte poste të larta në Perandorinë Turke, ku Shqipëria bënte pjesë, që pas vdekjes së Skënderbeut. Në të vërtetë, shumë shqiptarë të tjerë gjatë shekujve ishin ngjitur në postet më të larta të Perandorisë Turke. Për shembull, kur Konica ishte i ri, Vezir i madh ose kryeministri i Perandorisë Turke ishte Ferid Pasha, një shqiptar nga Vlora. Por kjo karrierë nuk e tërhiqte Konicën. Ai mendonte se misioni i tij ishte të luftonte për pavarësinë e Shqipërisë. Nga viti 1897 deri më 1912, dy nga pionierët më të shquar të pavarësisë së Shqipërisë kanë qenë Konica dhe Shahin Kolonja, botuesit e dy revistave shqiptare, që dolën jashtë: “Albania” dhe “Drita” përkatësisht. Gjatë sundimit turk shqiptarët kishin harruar gjithçka për lavdinë e tyre të kaluar nën Skënderbeun. Konica ka qenë njeriu që e rizbuloi dhe e popullarizoi Skënderbeun e flamurin e tij, shqipen e zezë dy krenare në një fushë të kuqe. Ky flamur u bë simbol i pavarësisë kombëtare dhe më në fund u ngrit në Vlorë më 1912 nga Ismail Qemali kur Shqipëria u shpall shtet i pavarur. Konica është quajtur si krijuesi i prozës moderne shqipe. Kur unë vendosa të bashkohesha me kryqëzatën për pavarësinë e Shqipërisë, e para gjë që më bëri përshtypje ishte mungesa e plotë e veprave letrare shqipe me vlera artistike. Por kur vajta në Egjipt më 1903, një atdhetar shqiptar, Spiro Dineja, më dha vëllimet e revistës “Albania” nga viti 1897 deri më 1903. I lexova të gjitha nga faqja e parë deri tek e fundit dhe atëherë e mësova se në shkrimet e Konicës ne e kishim atë që na duhej: letërsinë e mirë shqipe. Për më tepër, Konica zbuloi dhe popullarizoi shqiptarë të veprimtarisë letrare si Kristofordhi, Mitkoja, Fishta dhe Zako Çajupi. Me këshillën dhe udhëzimet e tij unë përktheva disa vepra nga Shekspiri, Ibseni, Edgar Alan Poeja dhe Don Kishotin e Servantesit. Të gjithë autorët shqiptarë që vijnë pas Konicës janë nxënësit e tij, duke përfshirë dhe shkruesin e këtyre radhëve.

Filed Under: Opinion

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 163
  • 164
  • 165
  • 166
  • 167
  • …
  • 2934
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • VATRA URON BESIMTARËT KATOLIKË: GËZUAR DHE PËRSHUMËVJET PASHKËT
  • Ndërroi jetë Agim Bardha, “Vatra” e “Dielli” ngushëllojnë familjen patriotike të Ekrem Bardhës për humbjen e vëllait
  • Dita Ndërkombëtare e Librit për Fëmijë – Magjia e Leximit
  • Shoqëria shqiptare ka nevojë të kujtojë dhe reflektojë…
  • Balshajt dhe Cërnojeviçët në territorin e Zetës së dikurshme…
  • Divorci prindëror dhe funksionimi akademik dhe social në adoleshencën e hershme (moshat 10–15): Një rishikim teorik zhvillimor-ekologjik
  • HOMAZH PËR SHQIPTARËT QË HUMBËN JETËN NË MASAKRAT E TIVARIT DHE DUBROVNIKUT
  • Kush ishin 12 Apostujt?
  • NATO dhe e ardhmja euroatlantike e Kosovës: Garancia e sigurisë dhe perspektiva strategjike
  • Basorelievi i Gjergj Kastrioti Skënderbeu në Castello de Monti, Pulia, një prani që tejkalon gurin dhe kohën
  • Noli në Asamblenë e Lidhjes së Kombeve
  • Një Moment Historik për Komunitetin Shqiptar në Chicago
  • Dom Kelmend Spaqi, in memoriam…
  • “Këngë të përshpirtshme të kolonive shqiptare në Sicili”- Giuseppe Schirò
  • “HEDH NJË KAFKË TE KËMBËT TUAJA”!

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT