

Përkujtohet në Tiranë albanologu Peter Prifti.
Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909
by s p


Përkujtohet në Tiranë albanologu Peter Prifti.
by s p

Vjosa Osmani/
Gjatë takimit i përcolla sërish urimet më të përzemërta për fillimin e misionit të tij, si dhe shpresën që pontifikati i tij të sjellë dritë, kurajë dhe mbështetje për njerëzit në nevojë anembanë botës. Përcolla poashtu ftesën e përzemërt për një vizitë të tij në Republikën e Kosovës, e cila do të pritej me shumë dashamirësi nga të gjithë qytetarët tanë.
Biseduam për rolin e Kosovës, tokës sonë dardane, si vend që ka ndërtuar paqe dhe harmoni ndërfetare mbi përvojën e saj historike të qëndresës dhe sakrificës. Diskutuam gjithashtu për thellimin e bashkëpunimit në fusha që prekin drejtpërdrejt mirëqenien e qytetarëve tanë, me shpresën që Selia e Shenjtë do të marrë së shpejti vendimin e shumëpritur për njohjen formale të Republikës së Kosovës.
Kosova mbetet e përkushtuar t’i forcojë marrëdhëniet me Selinë e Shenjtë dhe ta avancojë miqësinë tonë historike, duke u udhëhequr nga vlerat që na bashkojnë. Në frymën e festës së Krishtlindjes, ndamë dëshirat e përbashkëta për paqe e harmoni në gjithë botën.
by s p

Nëse pas Luftës së Dytë Botërore shqiptarët u ndëshkuan për guximin për të ndërtuar shtet, sot ata po përballen me rrezikun e ndëshkimit për guximin për ta mbrojtur atë. Ky paralelizëm historik nuk është figurë retorike, por alarm strategjik. Dhe alarmet historike, kur injorohen, rrallëherë mbeten vetëm në nivelin e fjalës.
Nga Prof.dr Skender ASANI /
Shtetformësia e popullit shqiptar në Maqedoni nuk përfaqëson një kërkesë të vonshme politike, as një ambicie të prodhuar nga dinamika e tranzicioneve të pasviteve ’90, por një proces historik të gjatë, të rrënjosur në kontribut konkret, sakrificë të drejtpërdrejtë dhe legjitimitet të fituar në momentet më përcaktuese të shekullit XX. Ajo është rezultat i pjesëmarrjes aktive të shqiptarëve në përballjen antifashiste, në ndërtimin e rendit të pasluftës dhe në përpjekjen e vazhdueshme për barazi institucionale brenda një shteti që, historikisht, e ka pranuar praninë shqiptare, por ka hezituar ta pranojë bashkëthemelimin e saj. Pikërisht në këtë kontradiktë strukturore qëndron edhe burimi i tensioneve të përsëritura politike dhe i krizave ciklike të legjitimitetit shtetëror.
Kontributi antifashist i shqiptarëve në këto hapësira krijoi një bazë morale dhe politike të padiskutueshme për njohjen e tyre si element shtetformues në rendin e pasluftës. Megjithatë, historia dëshmon se ky potencial u pranua vetëm në formë deklarative dhe u refuzua sapo u artikulua si kërkesë për pushtet institucional real. Fati i Nexhat Agollit dhe Qemal Agollit nuk përfaqëson thjesht tragjedi personale, por momentin paradigmatik kur shtetformësia shqiptare u identifikua si rrezik politik. Nexhat Agolli, ministër në organet e para shtetërore pas Luftës së Dytë Botërore, u pushkatua publikisht në qendër të Shkupit për guximin e tij për të ndërtuar institucione shtetformuese shqiptare, ndërsa Qemal Agolli u internua në burgun famëkeq të Goli Otokut si akt ndëshkues dhe paralajmërues. Këto akte nuk synonin vetëm eliminimin e individëve, por disiplinimin e një projekti politik: shqiptari lejohej të kontribuonte për shtetin, por jo ta bashkëthemelonte atë.
Ky model i përjashtimit u riprodhua në dekadat pasuese përmes mekanizmave më pak të dukshëm, por po aq efektivë. Shqiptarët u toleruan si komunitet kulturor, u pranuan si fuqi punëtore dhe u përfshinë pjesërisht në struktura administrative, por u mbajtën larg qendrave reale të vendimmarrjes. Kontinuiteti shqiptar mbijetoi si kujtesë historike, si identitet dhe si rezistencë morale, por u zhvesh nga dimensioni institucional. Kjo ndërprerje strukturore krijoi një hendek të thellë midis kontributit real dhe njohjes politike, hendek që tranzicioni postkomunist duhej ta mbyllte.
Tranzicioni post-1990 dhe, në veçanti, Marrëveshja e Ohrit u interpretuan si moment korrigjues i kësaj padrejtësie historike. Marrëveshja nuk ishte thjesht kompromis për ndaljen e konfliktit të vitit 2001, por akt themeltar që avancoi pozitën kushtetuese të shqiptarëve dhe institucionalizoi parimin e barazisë si kusht stabiliteti shtetëror. Për herë të parë, shteti u detyrua të pranojë se pa përfshirjen reale të shqiptarëve nuk mund të ketë funksionalitet afatgjatë. Megjithatë, ky avancim nuk u shndërrua kurrë në konsensus të brendshëm të qëndrueshëm, por u trajtua si koncesion i imponuar, i toleruar për sa kohë nuk sfidonte arkitekturën tradicionale të pushtetit.
Në këtë pikë fillon faza e re e rrezikut. Sot, shtetformësia shqiptare nuk po sfidohet përmes represionit të drejtpërdrejtë, por përmes një diskursi politik që synon delegjitimimin dhe eliminimin simbolik të subjektit politik të dalë nga Marrëveshja e Ohrit. Gjuha që artikulon zhdukjen e këtij subjekti nuk është retorikë e zakonshme elektorale, por shenjë e një projekti më të thellë: rikonceptimin e shtetit pa komponentin e tij shtetformues shqiptar. Këtu qëndron paralelizmi historik alarmues: atë që Nexhat dhe Qemal Agolli e përjetuan si ndëshkim fizik për angazhimin e tyre shtetformues, sot po tentohet ta përjetojnë përfaqësuesit politikë shqiptarë përmes fshirjes diskursive dhe institucionalizimit të përjashtimit.
Ky transformim nga dhuna fizike në dhunë diskursive nuk përbën emancipim demokratik, por sofistikim të mekanizmave të përjashtimit. Nëse në pasluftë shtetformësia shqiptare u ndëshkua me pushkatime dhe burgje, sot ajo rrezikon të zhbëhet përmes relativizimit kushtetues, normalizimit të gjuhës së eliminimit dhe rishkrimit selektiv të historisë politike. Ky proces përbën regres normativ dhe rrezik serioz për kohezionin shoqëror, pasi minon vetë parimin mbi të cilin u ndërtua paqja politike pas vitit 2001.
Nga perspektiva politiko-strategjike, ky vit shënon një nyje kritike. Çdo tentativë për të delegjitimuar ose zhdukur produktin politik të Marrëveshjes së Ohrit nënkupton zhbërjen graduale të arkitekturës së stabilitetit. Historia dëshmon se shtetformësia shqiptare nuk shuhet as me represion, as me retorikë, por reziston shpesh duke prodhuar kriza më të thella për vetë shtetin. Prandaj, rikthimi i diskursit të eliminimit nuk është shenjë force shtetërore, por simptomë e pasigurisë strukturore dhe e mungesës së vullnetit për të pranuar realitetin shumetnik të shtetit.
Në këtë kontekst, shtetformësia shqiptare nuk është kërkesë sektoriale, as interes i ngushtë politik, por domosdoshmëri historike dhe kusht i patjetërsueshëm i stabilitetit afatgjatë. Çdo përpjekje për ta relativizuar ose zhbërë atë përbën përsëritje të një gabimi historik të provuar, me pasoja të njohura. Heshtja përballë këtij procesi nuk mund të interpretohet si maturi politike apo neutralitet diplomatik; ajo është bashkëpërgjegjësi në institucionalizimin e ndërprerjes së barazisë shtetformuese.
Nëse pas Luftës së Dytë Botërore shqiptarët u ndëshkuan për guximin për të ndërtuar shtet, sot ata po përballen me rrezikun e ndëshkimit për guximin për ta mbrojtur atë. Ky paralelizëm historik nuk është figurë retorike, por alarm strategjik. Dhe alarmet historike, kur injorohen, rrallëherë mbeten vetëm në nivelin e fjalës.
by s p


Mehmet Prishtina, Drejtor i Fondacionit “Hasan Prishtina”, me origjinë nga Polaci – Skenderaj, është nderuar me çmimin prestigjioz “Ambasador i Imazhit Shqiptar në Botë”, një vlerësim me peshë të veçantë akademike e institucionale, i cili akordohet për kontribut të jashtëzakonshëm në humanizëm, paqe, veprimtari atdhetare dhe afirmim të trashëgimisë shpirtërore e kulturore shqiptare.
Ky çmim përfaqëson një njohje të merituar për veprimtarinë e tij të pandërprerë në shërbim të kauzave humane, për angazhimin e vazhdueshëm në ndërtimin e paqes dhe solidaritetit shoqëror, si dhe për përfaqësimin dinjitoz të vlerave intelektuale dhe kombëtare shqiptare në rrafshin kombëtar dhe ndërkombëtar.
Në veçanti, vlerësimi lidhet me kontributin e Mehmet Prishtinës në financimin dhe realizimin e busteve dhe shtatoreve të figurave të shquara kombëtare, botimin e veprave librale me karakter historik, dokumentar dhe shkencor, organizimin e konferencave shkencore dhe simpoziumeve akademike, si dhe me angazhimin e tij të qëndrueshëm në ruajtjen, kultivimin dhe promovimin e trashëgimisë shpirtërore, kulturore dhe historike të kombit shqiptar.
Një dimension i veçantë i veprimtarisë së tij është kontributi unik në ngritjen, studimin dhe rivlerësimin e figurës poliedrike të Hasan Prishtinës, Kryeministrit të 8-të të Shqipërisë, mendimtarit dhe ideologut të unitetit kombëtar shqiptar. Përmes Fondacionit “Hasan Prishtina”, Mehmet Prishtina ka institucionalizuar një qasje të qëndrueshme shkencore dhe shoqërore ndaj figurës së Hasan Prishtinës, duke e shndërruar atë në një bosht bashkues të mendimit dhe veprimit kombëtar.
Në këtë kontekst, një arritje me rëndësi historike dhe simbolike është bashkimi shpirtëror dhe ideor i familjeve të mëdha të Rilindjes Kombëtare, më shumë se një shekull pas përpjekjeve të Hasan Prishtinës për unitetin kombëtar. Kjo frymë bashkimi është mishëruar së fundmi edhe përmes themelimit dhe regjistrimit zyrtar të shoqatës “LIDHJA ËSHTË GJALLË”, e iniciuar nga Mehmet Prishtina në bashkëpunim me familjet Boletini, Idriz Seferi, Shaban Polluzha dhe Azem Galica.
Shoqata “LIDHJA ËSHTË GJALLË” synon bashkimin gjithëpërfshirës të familjeve të Rilindjes Kombëtare, në një frymë të përbashkët kombëtare, në mbarë trojet shqiptare, me vizion afatgjatë forcimin e unitetit kombëtar, ruajtjen e kujtesës historike dhe konsolidimin e identitetit shqiptar.
Në këtë frymë janë rikthyer simbolikisht në një platformë të përbashkët familje dhe figura emblematike të historisë shqiptare, si: Kastrioti, Ismail Qemali, Isa Boletini, Idriz Seferi, Ded Gjo Luli, Çerçiz Topulli, Azem Bejta (Galica), Shaban Polluzha, të bashkuara rreth një ideali të përbashkët: një frymë, një komb, një qëndrim, një gjeografi, një gjuhë dhe një ndjenjë të përbashkët kombëtare.
Ky vlerësim për Mehmet Prishtinën përbën jo vetëm një nderim personal, por edhe një akt vlerësimi për një mision kombëtar me karakter historik, duke shërbyer si model frymëzimi për brezat e rinj dhe si dëshmi se përkushtimi ndaj vlerave humane, kulturore dhe atdhetare mbetet një shtyllë e qëndrueshme e ndërgjegjes kombëtare shqiptare.
by s p



Kadri Tarelli/
Është e para herë që ndeshem me një libër të tillë, “Gjergj Kastrioti Skënderbeu në pullat shqiptare 1913 – 2023”. Më saktë, me krijimtarinë e studiuesit Hysen Dizdari, koleksionist i pasionuar i pullave, njëkohësisht edhe autor i disa librave studimor, ku si lëndë e parë shërbejnë pullat postare. Një formë dhe gjetje interesante si studim dhe krijimtari, aq sa mrekullohemi për talentin dhe guximin e këtij autori, i cili është vlerësuar këtu dhe në botë.
Më duhet të them se koleksionistët janë një “racë” e veçantë dhe e çuditshme. Kam njohur koleksionistë pullash, pikturash, monedhash, flamujsh, etj, etj. Por Hysen Dizdari nuk mbetet deri këtu, fanatik dhe i mbyllur në vetvete me “Thesarin” e tij, për t’u kënaqur vet dhe një grup miqsh e shokësh të dashuruar me koleksionet. Ai merr mundimin, studion e boton, duke e bërë pasionin dhe punën e tij, pronë të gjithë shoqërisë shqiptare. Ndaj meriton adhurim e mirënjohje…….!
I thjeshtë titulli i këtij shkrimi kushtuar librit, apo albumit në shqip dhe anglisht, “Gjergj Kastrioti-Skënderbeu në pullat shqiptare 1913 – 2023”, siç janë të gjithë shkrimet që i kushtohet veprave shkencore. Është një libër i veçantë, si nga paraqitja ashtu edhe nga përmbajtja: – Ta studioj dhe njoh historinë e Shtetit Shqiptar nëpërmjet historisë të pullave postare, jo pak por rreth 150 pamje, kumton Thimi Nika, autori i librit “Historia e Filatelisë Shqiptare”. Pse ta mohoj, studimi i këtij libri është befasi, diçka krejt e re për mua, mbase edhe për shumë të tjerë.
Ky libër shfletohet si një album, por në brendësi të faqeve gjejmë që në krye poezi të Naim Frashërit, “Porosi e Skënderbeut për Shqiptarët”, shkëputur nga “Historia e Skënderbeut”. Ide mjaft e bukur, sepse përcillet kumti i bashkimit, si shqetësim i përhershëm i intelektualëve shqiptar. Më tej hasim, jo vetëm praktikën e shtypjes, kohën e përdorimit, çmimin, ngjyrat dhe sasinë e pullave në ecurinë e shtetit Shqiptar, por edhe sa kohë janë përdorur, duke vënë vula zyrtare, diku-diku edhe të postave lokale.
Dikush mund të mendojë dhe të pyesë: – Pullat janë thjesht formë legale e kontrollit dhe taksës që vendos shteti mbi qarkullimin e letrave dhe mallrave, apo më shumë se kaq……? – Po….! Më shumë se kaq. Pullat janë dokument historik i pastër, pasi ka vulën e shtetit dhe vulën e kohës, duke fiksuar historinë e shtetit në një formë tjetër, një copë histori e njohur, e prekur dhe përkëdhelur nga publiku.
Lexuesi mund të mrekullohet ashtu si unë, kur shikon në faqet e para portretin e Skënderbeut, nga pulla e vitit 1913, në sixhade, punuar mjeshtërisht nga artizanët e Kukësit, më 2017. Nëse dikush është vërtet i kujdesshëm, do të hasë edhe historinë e këtij portreti, që në përgjithësi ka mbizotëruar pullat shqiptare për një kohë mjaft të gjatë. Të gjitha veprimet, vulat apo mbi shtypjet e pullave, janë fare normale për kohën e trazirave të mëdha të luftës së Parë botërore (1914 – 1918), përfshi edhe lëvizjet dhe kryengritjet, siç ishte ajo e Haxhi Qamilit, që luftonte kundër Mëvetësisë. Kqyrni me kujdes: gjashtë pulla, ku vlera e tyre shkruhet turqisht, “Grosh” dhe “Para”. E gjitha pasojë e lajthitjes së lëvizjes antishqiptare, për të mos u shkëputur nga perandoria osmane. Dëshmi që vulos historinë, pa lënë shteg për mëdyshje.
Natyrisht në rrjedhën e kohës dhe qeveritë ndër vite, bënë ndryshime në paraqitjen e pullave, pa prekur thelbin dhe karakterin atdhetar. Diku u vendosën armët e Skënderbeut, shpata dhe përkrenarja, diku vetëm shqiponja apo koka e kalit, diku kështjellat që mbronin dheun e shqiptarëve, etj.
Edhe gjatë periudhës së sistemit komunist, u përdorën disa variante pullash: portret, foto e Monumentit të Skënderbeut në Krujë, (Unë e vlerësoj si vepra më e arrirë artistikisht), më pas monumenti në qendër të Tiranës, pikturat në muzeun e Krujës, madje edhe piktura të autorëve të huaj, (E. Delakrua), mes tyre edhe piktorë anonim. Interesant pasi nuk mungojnë edhe krijime artistike, portrete vajzash shqiptare me veshje kombëtare, vegla muzikore, si lahuta, etj, të cilat bukurmirë i bëjnë jehonë historisë së lavdishme të heroit tonë kombëtar, Skënderbeut dhe historisë sonë kombëtare.
Në këtë udhëtim mendimi, po më pëlqen pulla e prodhuar në vitin 2014, e titulluar “Papa Françesku në Shqipëri”, ku në plan të parë është portreti i Papa Françeskut, ndërsa në sfond paraqitet monumenti i Skënderbeut, vendosur në sheshin qendror të Tiranës.
Në vitin 2017, u vunë në qarkullim disa pulla me vlera të ndryshme, të titulluara “Arti Shqiptar-Vizatimi”. Në këtë rast është për t’u lavdëruar puna e studimore e autorit, ku herë pas here shënon jo vetëm datën dhe vlerën e pullave, por edhe cilësinë grafike të tyre, si një lloj jehone të artit shqiptar, kushtuar periudhës së luftës për liri, udhëhequr nga Skënderbeu. Bindemi lehtë po të vërejmë me kujdes shkrimin ku shënohet shkurtimisht: “Veçoria e këtij emisioni është se të gjitha pullat e bashkuara së bashku, japin pamjen e plotë të pikturës së quajtur “Përballimi”, e cila sot ndodhet e ekspozuar në Muzeun e Gjergj Kastriotit-Skënderbeut, në qytetin e Krujës”. Punë e piktorit Naxhi Bakalli. – Faqe 68.
Në fund, dua të veçoj dhe të vlerësoj katër faqe, ku përmblidhen dy kapituj që i japin librit vlera dhe besueshmëri shkencore:
1. Literatura filatelike. 2. Literatura shkencore.
Vetëm studimi i këtyre botimeve, në kohë dhe autorë të ndryshëm, është lodhje, mundim e durim skllavi dhe vullnet shkencëtari, për autorin Hysen Dizdari, i cili për hir të së vërtetës ia ka kushtuar të gjithë veprimtarinë jetësore, kërkimit dhe grumbullimit të botimeve kushtuar heroit tonë Kombëtar Gjergj Kastrioti Skënderbeu. Ndaj nuk kursehet të na japë edhe një porosi: “Historia e heroit tonë kombëtar Gjergj Kastrioti-Skënderbeut, duhet të studiohet e të njihet mirë nga brezi i ri, historia e të cilit duhet të shërbejë si burim frymëzimi për çdo shqiptar, për të ruajtur të pastra idealet tona atdhetare”.
Ashtu si autori, edhe unë mbetem me shpresë se, kjo porosi e shenjtëruar, do të dëgjohet nga institucionet shkencore, Akademia Shqiptare e Shkencave, drejtuesit e shtetit dhe mësuesit si “Misionarë të dijes dhe edukimit” në shkollë.
Urime dhe suksese në udhën e mundimshme të studimit dhe botimit të librave të tillë. Janë vlera kombëtare.