• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Kursit i mësimit plotësues të gjuhës shqipe dhe kulturës shqiptare “Sevasti Qiriazi” në Katerini, si kontribut atdhetar në mërgatën shqiptare të Greqisë

December 11, 2025 by s p

Majlinda Lipi/

Si mësuesja e parë dhe e vetme e kursit të mësimit plotësues të gjuhës shqipe dhe kulturës shqiptare “Sevasti Qiriazi” në qytetin e Katerinit, kur zgjodha profesionin e mësueses nuk e kisha menduar kurrë se do kisha punën më të bukur për një mësues,t`u mësojë fëmijëve në mërgim gjuhën e nënës. Jam lindur dhe rritur në qytetin ku u lindën serenatat, në Korçë. Në një qytet në formë zemre, ku kitarat netëve marrohen (ashtu siç e përshkruan edhe poeti i madh korçar S.Rusi.

Lojrat e fëmijërisë në rrugicat me kalldrëm, vitet e bukura të adoleshencës , edhe studimet e mia janë të lidhura ngushtë me qytetin e kulturës dhe të dijes.

Kam mbaruar studimet e larta për Gjuhë – Letërsi në Fakultetin e Mësuesisë në Universitetin “Fan S. Noli” në Korçë. Jam diplomuar në Master në Mësimdhënie po në Universitetin e Korçës. Gjithashtu, pa u shkëputur nga mësimdhënia të cilën e adhuroj, kam mbaruar studimet në Institutin e Formimit Profesional, dega Parashkollor në qytetin e Katerinit, ku jetoj prej shumë vitesh.

Kam mbrojtur gjuhën greke në universitetin “Aristoteli” në Selanik dhe jam anëtare e Klubit të Shkrimtareve (femra) në qytetin e Katerinit që nga dita e krijimit të tij.

Pjesë e trajnimeve të ndryshme në shtetin grek, që përqëndrohen në studimin e aspekteve psikologjike të procesit edukativ e arsimor në institucionet shkollore, në vlerësimin dhe trajtimin e fëmijëve me nevoja të veçanta në arsimin parauniversitar dhe veçanërisht në integrimin e fëmijëve me aftësi të kufizuara në shkolla .

Kam marrë pjesë në seminare të shumta të organizuara për dygjuhësinë, metodologjinë dhe teknikat bashkëkohore të mësimdhënies së gjuhës shqipe dhe kulturës shqiptare në diasporë.

Anëtare e Lidhjes së Mësuesve Shqiptarë në Greqi që nga viti 2017, prej vitesh anëtare e Këshillit Drejtues dhe që prej vitit 2022 vazhdoj të jem anëtare e kryesisë dhe zëdhënëse shtypi e LMSHG-së.

Mësuese e certifikuar në regjistrin shtetëror të mësuesve të Diasporës,miratuar nga Ministria e Diasporës së Shqipërisë dhe pjesë e projektit “Mësues për Greqinë”.

Gjuha shqipe si formë e identitetit kombëtar

“Shqiptarët duhet të kenë si qëllim ruajtjen e gjuhës shqipe, që është edhe themel i godinës sonë shtetërore. Sa më i fortë që të jetë themeli, aq më shumë qëndron godina. Humbja e gjuhës vë në pikëpyetje edhe identitetin kombëtar”. Janë këto disa nga fjalët e profesorit tim të dikurshëm që nuk i kam harruar kurrë dhe sot që jam në mërgim mendoj se janë më të vlefshme se kurrë.

Rëndësia e mësimit të gjuhës shqipe është jo vetëm e madhe, por e domosdoshme për të gjithë shqiptarët kudo që jemi, sepse jo vetëm pasurohemi me dijet dhe shprehjet e bukurise së gjuhës shqipe, por edhe e lartësojmë nivelin kulturor e njëkohësisht i mbrojmë dhe i forcojmë rrënjët e krenarinë e qenësisë shqiptare.

Për të inkurajuar mësimin e gjuhës shqipe tek fëmijët e diasporës, të gjithë bashkë ne mësues, prindër e të afërm duhet të përpiqemi të zgjojmë interesin për gjuhën shqipe. Të synojmë ruajtjen e identitetin kombëtar, përçimin e vlerave tona kombëtare tek fëmijët.

Historiku i kursit shqip

Kursi i mësimit plotësues të gjuhës shqipe dhe kultures shqiptare “Sevasti Qiriazi”, në qytetin e Katerinit (Greqi) funksionon prej 7 vjetësh dhe për herë të parë në këtë qytet. Është një nga kurset e shumta që mësuesit anëtarë të Lidhjes së Mësuesve Shqiptarë në Greqi kanë hapur për t`u krijuar mundësinë fëmijëve të emigrantëve shqiptarë mësimin falas të gjuhës shqipe.

Mësimi zhvillohet online në fundjavë me fëmijë të moshës nga 6 deri në 12 vjet. Janë kryesisht fëmijë që i përkasin brezit të tretë të emigrantëve. Duke qenë se fëmijët i përkasin moshave të ndryshme edhe zhvillimi i mësimit ka vështirësitë e veta.

Ajo që doja unë të theksoja është fakti që, pavarësisht moshës të gjithë fëmijët e njohin pak ose aspak gjuhën shqipe.

1-Pra, për të gjithë fëmijët ne synojmë njohjen sa më të mirë të tingujve, të shkronjave dhe një artikulim sa më të pastër të tyre.

2-Synojmë që fëmijët të kenë aftësinë që të shkruajnë dhe të flasin bukur gjuhën shqipe.

3-Synojmë që të zhvillojmë tek fëmija kompetencën e të shprehurit dhe të komunikimit në gjuhën shqipe.

4-Synojmë gjithashtu që të ruajmë dhe të zhvillojmë identitetin kombëtar, përçimin e vlerave tona kombëtare tek fëmijët.

Por si realizohet kjo?

Është vetë mësuesi ai që duke u bazuar tek nxënësi, mundohet të bëjë një gërshetim, një ndërthurje të lojës me detyrën. Është mësuesi arkitekti i orës së mësimit, është ai piktori që i jep ngjyra tablosë së tij për ta bërë sa më të bukur, sa më tërheqëse për nxënësin.

Mësuesi mundohet ta bëjë orën e mësimit sa më produktive, sa më argëtuese, që të mbledhë tek zgjoi bletët e vogla.

Edhe pse mësimi zhvillohet online, nxënësit e kursit të mësimit plotësues të gjuhës shqipe “Sevasti Qiriazi”, Katerini, janë pjesëmarrës në të gjitha aktivitetet festive që janë zhvilluar online nga LMSHG-ja. Kanë qenë përkrah moshatarëve të tyre nga të gjitha qytetet e Greqisë duke recituar e kënduar në gjuhën shqipe. Festa e 7-Marsit Ditës së Mësuesit, festat e 28-29 Nëntorit, festa e Ditës së Gjuhës Amtare ka bërë bashkë dhe në një zë të gjithë bijtë e vegjël të shqipes.

Gjithashtu në orën e mësimit ne jemi përpjekur të zhvillojmë aktivitete dhe projekte të ndryshme . Këtë e kemi realizuar në dy mënyra: duke përfshirë nxënësit e të gjitha grupeve, ose duke realizuar projekte vetëm me nxënësit më të rritur të cilët kanë një nivel më të lartë të kuptuari dhe të shprehuri të gjuhës shqipe.

Përgjatë viteve aktivitetet kanë qenë të shumta, por po përmend vetëm aktivitetet dhe projektet e këtij viti shkollor, të cilat kanë qenë të veçanta për nxënësit .

Javën e fundit të muajit tetor ndjemë aromën e letërsisë shqipe në një udhëtim përmes punimeve të nxënësve, të cilat sollën në jetë bukurinë e fjalës dhe artit.

“Tetori – Muaji i Letërsisë” ishte tema e projektit që nxënësit e rritur të kursit kishin përgatitur me kujdes të veçantë. Zgjodhëm të punonim së bashku antologjinë me pjesë të zgjedhura “Shko dallëndyshe”, pjesë e paketës “Gjuha shqipe dhe kultura shqiptare ”, niveli 1 .

Fëmijët me shumë dëshirë përzgjodhën secili nga një poezi prej librit duke krijuar një punim të veçantë , të bukur e plot me ngjyra. Kënaqësia më e madhe për mua si mësuese, ishte dëshira dhe përgatitja e një punimi të thjeshtë nga duart e fëmijëve më të vegjël , të cilët bashkë me motrat dhe vëllezërit e tyre më të rritur sollën mesazhe të bukura nga kjo antologji si: “Leximi na ndihmon të rritemi, të mësojmë dhe të ëndërrojmë më shumë”!

Në javën e Kongresit të Manastirit me nxënësit e rritur folëm për Muzeun Kombëtar të Arsimit në Korçë. U njohëm me pamje nga mjediset e brendshme të këtij monumenti të rëndësishëm të trashëgimisë sonë kulturore. Gjithashtu folëm për mësuesit që çelën Mësonjëtoren e Parë Shqipe më 7 Mars të vitit 1887.

Duke i kushtuar rëndësi të veçantë figurës së mësuesit, si përhapës i dritës dhe diturisë, nxënësit u njohën me mësuesen që çeli Shkollën e Vashave në vitin 1990. Emri i saj është mjaft i njohur dhe i rëndësishëm për nxënësit tanë.

Kursi ynë mban emrin e një prej figurave më të shquara të Rilindjes Kombëtare, të Sevasti Qiriazit, mësueses së parë shqiptare. Nxënësit u njohën me jetën dhe veprimtarinë e saj. Mësimi u shoqërua me materiale të ndryshme të përgatitura për Muzeun Kombëtar të Arsimit, për mësuesen e parë të vashave Sevasti Qiriazin dhe me ese të nxënësve të titulluara “Mësuesja ime”.

Në fund të orës së mësimit nxënës që e kishin vizituar Muzeun Kombëtar të Arsimit në Korçë treguan përshtypjet e tyre dhe të gjithë së bashku ndoqëm filmin artistik shqiptar”Mësonjëtorja”.

Nxënësit e rritur, u njohën me figura të rëndësishme pjesëmarrëse në Kongres, me idetë dhe përfundimet që nxori Kongresi i Manastirit:

Përcaktimin e alfabetit të gjuhës shqipe.

“Të drejtat tona”, ishte tema e projektit që zhvilluam ditën e shtunë me të gjithë nxënësit e kursit .

Mësimi pati në qendër 20 Nëntorin – Ditën Botërore të të Drejtave të Fëmijëve, ku ndër të tjera nxënësit u njohën edhe me Konventën e Fëmijëve. Zhvilluam lojëra të ndryshme si loja: ” E drejtë apo shkelje” dhe ndoqëm video të cilat i njohën nxënësit me të drejtat dhe detyrat e tyre. Gjithashtu fëmijët prezantuan punimet dhe vizatimet që kishin përgatitur dhe në të njëjtën kohë lexuan disa nga të drejtat e fëmijëve që kishin shkruar.

Gëzuar festat Shqipëri! Kështu titulluam aktivitetin e organizuar në kuadër të festave tona kombëtare.

Festuam të gjithë së bashku veshur me ngjyrat e flamurit shqiptar, vizatuam, recituam dhe kënduam për Shqipërinë tonë të dashur.

Ne jemi të gjithë të barabartë!

Kjo ishte tema e projektit që zhvilluam me nxënësit e rritur të kursit të gjuhës shqipe “Sevasti Qiriazi”, Katerini, zhvilluar në kuader të 3 Dhjetorit – Ditës Botërore të Njerëzve me Aftësi Ndryshe.

Përgjegjësia jonë si njerëz është të japim dashuri, mirësi dhe mbështetje aty ku duhet.

Humaniteti është një vlerë që lind në zemër dhe rritet sa herë që ne bëjmë mirë.

Humaniteti na pasuron shpirtin dhe na bën më të ndjeshëm, më solidarë dhe më njerëzorë.

Prandaj, ne si mësimdhënës nuk duhet të japim vetëm dije, por duhet t’i edukojmë nxënësit të jenë edhe humanë.

Humanizmi na bashkon, na mëson të vlerësojmë tjetrin dhe krijon një shoqëri më të ndjeshme e më të drejtë.

Secili prej nxënësve krijoi një poster plot mesazhe, ku shprehu mendimet e tij dhe mbështetjen ndaj personave me aftësi të kufizuara.

Kjo ditë u shndërrua në një mësim të fortë njerëzor:

Të jemi më pranë njëri-tjetrit, të shohim përtej vështirësive dhe të besojmë se çdo hap i vogël sjell shpresë.

T’i mësojmë fëmijët të jenë njerëzorë!

Filed Under: Interviste

Sounds of Albania…

December 10, 2025 by s p

Sounds of Albania…

Filed Under: Fejton

Fuqia e vërtetë…

December 10, 2025 by s p

Prof. Skender Asani/

Më 10 dhjetor 1979, bota u ndal përballë një të vërtete të madhe: një grua e thjeshtë, por e jashtëzakonshme shkupjanja Anjezë Gonxhe Bojaxhiu, Nënë Tereza, sot Shën Tereza e Kalkutës mori Çmimin Nobel për Paqe dhe me këtë akt u bë zëri më i fuqishëm i humanizmit në fundin e shekullit XX. Ky çmim nuk ishte vetëm një nderim për punën e saj, por një mesazh i qartë se bota ka nevojë për dashuri, për dhembshuri dhe për njerëz që dinë të bëjnë mirë pa zhurmë. Nënë Tereza, e cila e kaloi jetën mes të varfërve dhe të braktisurve, na kujtoi se paqja fillon me një buzëqeshje dhe me një gjest të vogël që i rikthen njeriut dinjitetin. Ceremonia e Oslos u shndërrua në një moment krenarie edhe për shqiptarët, sepse një bijë e kombit, një shkupjane e zemrës, u nderua me çmimin më të lartë të paqes në botë. Sot, 10 dhjetori na kujton se fuqia e vërtetë nuk qëndron te fjalët e mëdha, por te veprat e thjeshta që lindin nga zemra dhe që ndryshojnë jetën e tjetrit.

Filed Under: Reportazh

Qyteza dardane në Kodren e Pecës – Kukës

December 10, 2025 by s p

Prof. Luan Përzhita/

Monografia Qyteza dardane e Pecë- Kukës, është frut i një pune kërkimore shumë vjeçare, që fillon që në vitin 1985 me gërmimet arkeologjike sistematike në këtë monument. Materiali i zbuluar, gjatë gërmimeve pesëvjeçare, na lejoj që të krijonim një panoramë të zgjeruar dhe të plotë rreth zhvillimit të jetës në një qytezë që zë fill në periudhën prehistorike ilire e vazhdon deri në atë mesjetare ( arbërore). Zbulimi i dy periudhave, protourbane dhe urbane, shekujt VI-I para Kr., përbën dhe risinë arkeologjike të këtij vendbanimi për trevën dardane pasi shënon kështu qendrën e parë antike me tipare urbane në këtë territor.

Lënda arkeologjike që do të publikohet është gërshetuar me të dhëna të aspektit historik dhe urbanistik për periudhën e mbretërisë Dardane. Po ashtu me mjaft interes është shtjellimi i periudhës së shekullit IV-VI, ndarë në dy faza kryesore, në shekullin IV dhe në rindërtimet e Justinianit të shekullit VI, ku shënohet në dokumentacionin e kohës me emrin Pentza.
Në fazën e parë, shekulli IV, trajtohen muret rrethuese, kullat, muret e tarracimit si dhe gjetjet e shumta arkeologjike. Faza e dytë, shekulli VI, përmbledh studimin e kishës njëaniatëshe me ambientet e saj si dhe gjetjet arkeologjike që përkojnë me kohën kur vendbanimi kthehet në një qytezë paleobizantine në të gjithë aspektet e saj, tashmë si një qendër administrative dhe religjioze për pellgun e Drinit të Bardhë. Materiali i zbuluar arkeologjik gërshetohet me të dhënat historike të kohës duke dhënë kështu një panoramë komplekse të një qyteze të shekullit VI pas Krishtit për këtë zonë dardane.

Gjatë periudhës mesjetare, shekujt VII-XI, një vend të posaçëm zë transformimi i qytezës, si në aspektin urbanistik ashtu dhe ndërtimor. Qeramika dhe gjetjet e tjera, të analizuara me hollësi, sqarojnë disa probleme kronologjike të kulturës materiale në këtë vendbanim si dhe marrëdhëniet e ndërsjella me qendrat simotra të Shqipërisë, Kosovës dhe të Ballkanit Qendrorë.
Në përmbyllje, analizohen lidhjet kulturore me viset bregdetare dhe ato qendrore ballkanike gjatë tërë zhvillimit kohor prej 1500 vjetësh të funksionimit të qytezës, që nga shekulli VI para Krishtit e deri në shekujt e mesjetës së hershme.

Një studim i tillë mendojmë se për herë të parë hedh dritë mbi vlerat arkeologjike dhe historike të kësaj qytezë në harkun kohor nga Mbretëria Dardane e deri në transformimin e saj në periudhën paleobizantine e më pas në atë mesjetare.
Një pjesë e përpunimit të materialit të zbuluar i cili po publikohet në këtë punim është konsultuar në bashkëpunim me kolegë të huaj. Dëshiroj që të falënderoj në mënyrë të veçantë Prof. Dr. Fransua Baratte (Universiteti Sarbone IV, Paris-Francë) me të cilin publikuam në revistën e njohur Cahiers Archeologiques, llampën unikale të Pecës.
Vlerësoj shumë kontributin e Dr. Erik Follain në përgatitjen e dokumentacionit të ri gjatë vitit 2018-2020, i cili u realizua në kuadrin e rivitalizimit të sitit nga bashkia Kukës.

Në sistemin fortifikues të luginës së Drinit të Bardhë, përgjatë linjës së trasesë antike të shekullit II-III, në aksin Gabuleo – Theranda, ndodhet një ndër fortifikimet e studiuara të kësaj periudhë, Qyteza dardane e Pecës (Kukës), e cila ka një pozitë të rëndësishme strategjike në zonën që shtrihet pas Bushatit, nga Qafa e Morinit deri në Prizren. Kjo qendër e njohur me toponimet Kodra e Pecës, Guri i Kalasë dhe Çuka e Kalasë kufizohet sot në tre anët (veri–jug–perëndim) nga ujërat e liqenit të Fierzës, ndërsa ana lindore e saj lidhet me fshatin Përbregut nga një valëzim kodrash të buta.Gërmimet sistematike të kryera në këtë qendër sqaruan sistemin fortifikues dhe periudhat kohore të zhvillimit historik të këtij vendbanimi, që zënë fill në shekujt VI–V para Krishtit.
Në shekujt IV–II para Krishtit ky vendbanim rrethohet me mure që janë karakteristikë për qytezat e kësaj periudhe, duke pasqyruar njëherazi së bashku me Rosujën (Tropojë) qendrat e para që njëkohësisht lidheshin me mbretërinë Dardane.

Ndërsa në fund të shekullit III dhe fillim të shekullit IV Peca rifortifikohet sërish, por tashmë me një sipërfaqe më të madhe, duke fituar një rol të rëndësishëm strategjiko-ushtarak në pellgun e Drinit të Bardhë, gjë të cilën fillon ta humbasë më vonë në shekujt IX–XI.
Gjatë shekujve IV–VI, Peca u plotësua me banesa, kullë, tarracime të ndryshme, kishë etj. Nisur nga teknika e punimit të mureve, forma planimetrike e kështjellës dhe kryesisht nga lënda arkeologjike e zbuluar, është vërejtur se këto ndërtime u përkasin dy fazave;
Shekujve III–IV, në të cilët përfshihen muret rrethuese, kulla, banesat dhe tarracimet.

Shekulli VI, që përfshin kishën me mjediset e saj.
Muret rrethuese të kështjellës ndjekin vijat rrushkulluese të kodrës duke i dhënë asaj një formë të çrregullt e të ndërvarur nga terreni. Ato përfshijnë një perimetër prej 445 m, me sipërfaqe prej 1 ha, por gjurmë të vendbanimit janë vërejtur dhe jashtë sistemit fortifikues të kështjellës. Muri është ndërtuar me gurë gëlqerorë katrorë të përmasave mesatare, lidhur me llaç të një cilësie të dobët.

Karakteristikë është nivelimi i herëpashershëm i gurëve në fasadë me mbushës të trashë. Në pjesë të veçanta të sipërfaqes së gurit, veçanërisht në ato të brendshme, vihet re një dystim i lehtë në formë suvaje, teknikë kjo e njohur në Bushat, Vig dhe Pogradec. Trashësia e murit rrethues luhatet nga 1,20–1,80 –2,80 m. Për të rritur rezistencën e anës veriore, ndërtuesit në pjesët më pak të mbrojtura natyrore i kanë dhënë murit rrethues një trashësi prej 2,80 m që vërehet në dy skajet lidhëse te kulla. Teknika e ndërtimit të murit me llaç të dobët, si dhe shtresa kulturore mbi të cilën janë ngritur këto mure, flasin qartë për fundin e shek. III dhe fillimin e shek. IV, kjo nisur dhe nga krahasimet që mund të bëjmë me Bushatin apo me fortifikimet e tjera të kësaj periudhe të B. Currit, të pellgut të Dibrës, Korçës, të rrugës Egnatia.

Kështjella është përforcuar nga një kullë në trajtë U-je ndërtuar në kuotën më të lartë të kodrës. Ka planimetri të rregullt që e siguron nëpërmjet një harku të lehtë në pjesën ballore. Formon një mjedis të brendshëm me përmasa 2,90 x 4,90 m dhe të jashtëm 6,40 x 4,90 m, me trashësi muri 1,80 m. Në brinjën jugore të kullës, jashtë murit rrethues, është hapur porta me gjerësi 1,50 m, duke krijuar një korridor me hapësirë 1,80 x 1,50 m.
Hapja e portës jashtë murit rrethues me sa duket është e rrallë për Dardaninë e provincat e tjera të Ilirisë. Krahasimet më të mundshme i shohim me kullën në trajtë U-je të kastrës së Trezmirit në Bullgari të datuar në periudhën e Konstandinit. Faqes lindore të kullës i është mbështetur një trakt muri me drejtim jugor 3,80 m i gjatë dhe 1,10 m i gjerë që së bashku me faqen lindore të skajit të kullës, krijojnë një platformë të vogël të fortifikuar me sipërfaqe 24 m2. Për shtrimin e saj është përdorur një shtresë kalldrëmi (0,20–0,30 m), sipër së cilës rrafshohet një shtresë dheu (0,20–0,22 m) e përzier me thupra, ndërsa një cipë e hollë balte (0,10–0,12 m) ka sheshuar tërë sipërfaqen.

Kulla në trajtë U-je janë të përhapura në sistemin fortifikues të Drinit të Zi, siç është shembulli i Bushatit, por nisur nga elementet arkitektonike ndërtimore, mendojmë se ajo është e ngjashme me kullat e këtij lloji të Justiniana Secundës (Dardani), Skampisit (Epiri i Ri) dhe me kullat e disa kështjellave fushore të këtij tipi në provincat ballkanike.
Një element i ri i arkitekturës së kështjellës janë muret e tarracimit që shtrihen në hapësirën ndërmjet kullës dhe kishës. Qëllimi kryesor i ndërtimit të tyre ishte përshtatja graduale e pjerrësisë së kodrës për banim, duke mundësuar lidhjet ndërmjet kullës dhe mjedisit përreth.
U ndërtuan gjithsej pesë shkallare në formë tarracash të përmasave 5 x 10 m. Tarraca e parë me sipërfaqe 60 m2, ndodhet 1,20 m larg nga brinja lindore e kullës. Në thellësinë 0,97 m u dallua një shtresë e hollë djegieje (2–3 cm), që me sa duket lidhet me mbeturinat e shkallëve të drunjta, të cilat realizonin komunikimin e kullës me pjesët e tjera të brendshme të kështjellës. Duke u nisur nga mbetjet e arkitekturës, rezulton se shkalla ka qenë 1,00 m e gjerë me lartësi 1,10 m, gjë që e përforcon hapësira që krijohet në mes të faqes lindore të kullës dhe murit kufizues verior të tarracës së parë. Një e dhënë tjetër që plotëson këtë mendim është dyshemeja e shtruar me tulla të përmasave 0,30 x 0,30 x 0,05 m, e vendosur poshtë shtresës së djegur. Sipërfaqja e rrafshët e tarracave është shtruar me tulla të përmasave të mësipërme, duke krijuar hapësira dhe sheshe pushimi. Krahu i tyre verior lidhet organikisht me murin rrethues, gjë që tregon për njëkohëshmërinë e ndërtimit të tyre.

Banesat në Pecë janë vendosur në anën lindore të vendbanimit dhe janë të tipit alpin. Kanë planimetri katrore me përmasa 6 x 5 m, me mure të ruajtura në lartësinë 0,60–0,70 m. Hyrjet janë të hapura në anën veriore, 0,80 m të gjera, ndërsa në qoshe janë të punuara me kujdes. Dyshemetë i kanë të shtruara me kalldrëm, mbi të cilin është vendosur një cipë e hollë llaçi (0,07 m), teknikë që ngjason me ndërtimet e shek. IV në Bushat dhe Krujë. Nisur nga gjetjet e shumta të tjegullave, mendojmë se çatitë e banesave kanë qenë të mbuluara me këtë material. Për sa i përket konstruksionit të tyre, duke u mbështetur në mbetjet arkitektonike, mendojmë se banesat kanë qenë të ngritura me mure në një lartësi që nuk i kalonte 1,5 m, ndërsa pjesa tjetër e kësaj lartësie është plotësuar me lëndë druri, me çati të mbuluar me tjegulla.

Shek. VI në kështjellën e Pecës përmban në vetvete përveç kulturës materiale dhe ndërtime të reja. Në qendër të vendbanimit u ndërtua kisha njëaniatëshe me mjediset e saj, në bazë të një arkitekture që është karakteristikë për këtë periudhë. Gërmimet arkeologjike treguan se ky objekt kulti u zhvillua në dy faza kohësisht të ndryshme.
Në fazën e parë sipërfaqja e kishës ishte 16,80 m x 5,85 m. Pjesët përbërëse të kishës si naosi, apsida dhe pronaosi janë në simetri në raport me aksin e kishës, me përjashtim të një kapele të vogël ndërtuar në jug të naosit. Materiali i zbuluar gjatë gërmimeve e rreshton kishën e Pecës në objektet e kultit të shekulllit VI .
Në fazën e dytë, shekujt IX–XI, kemi ndryshime të dukshme që vërehen jo vetëm në planimetrinë e kishës, por në tërë vendbanimin, situatë që pasqyron një reduktim të jetës në këtë qytezë.

Gjetjet e shumta arkeologjike të zbuluara në shtresën e vonë antike paraqiten të njëjta për nga format tipologjike dhe njëkohëshmëria kronologjike me qendrat bashkëkohore fqinje. Në përbërje të tyre hasim elemente me një shtrirje kohore nga shekujt III–IV e deri në mesjetë. Interes të veçantë paraqet dekori i realizuar tek enët e përdorimit të përditshëm me motivin fshesor. Një vend të veçantë në masën e gjetjeve kanë 80 vegla pune të tipave të ndryshëm, si dhe objektet e importit, siç janë fibulat dhe llamba me karakter religjoz unikal për nga lloji i saj në Ballkan dhe më gjerë.
Ndërtimi i qytezës së Pecës përkon në kohë me fillimin e dyndjeve sllave, që sollën si domosdoshmëri për perandorinë bizantine rritjen e aktivitetit ndërtimor, kryesisht në luginat e lumenjve nga ku depërtimet ishin më të mundshme. Ky proces u ravijizua dhe në Dardani, dëshmi të të cilit kemi listën e P. Çezaresë “De Aedificis”, i cili përmend një sërë kështjellash që u ndërtuan ose u rindërtuan nga Justiniani. Kështu mendojmë se kështjella e Pecës mund të identifikohet me emrin e një kështjelle të rindërtuar në Dardani, të quajtur PENTZA.

Filed Under: Histori

Realiteti i përballueshmërisë për amerikanët

December 10, 2025 by s p

Rafael Floqi/

Nga ana tjetër, qytetarët përballen çdo ditë me realitetin e kostos së lartë të jetesës, i cili nuk është një “mashtrim politik” siç e ka quajtur Trump. Rosalind L. Murray, në një opinion të botuar në NBC, thekson se përballueshmëria është një realitet i prekshëm dhe i ndjeshëm për çdo familje amerikane. Çmimet për ushqimet, karburantet, energjinë dhe strehimin kanë arritur nivele që shumë familje nuk mund t’i përballojnë.

Çmimet e ushqimeve vazhdojnë të rriten. Mishi dhe kafeja, njëherë artikuj të përditshëm, tani janë luks për shumë familje. Arsyet për këtë janë tarifat tregtare, mungesa e fuqisë punëtore dhe politikat e paqëndrueshme të imigracionit, që e bëjnë të vështirë mbledhjen e prodhimeve bujqësore.

Çmimet e karburanteve, elektricitetit dhe gazit natyror shtojnë presionin mbi buxhetet familjare. Strehimi është bërë i paarritshëm jo vetëm për shkak të normave të larta të interesit, por edhe për shkak të rritjes së çmimeve të materialeve të ndërtimit. 

Vendimet federale mbi imigracionin kanë reduktuar fuqinë punëtore, duke shtuar më tej kostot. Sigurimi i pronës në Florida është dyfishuar brenda tre vitesh, dhe propozimi i Sekretarit të Strehimit për një hipotekë 50-vjeçare për përballueshmërinë është praktikisht e pamundur. Qiraja për një apartament një dhomësh mund të arrijë 2,000 dollarë në muaj, ndërsa çmimet e makinave të reja mesatarisht rreth 50,000 dollarë, për shkak të tarifave mbi pjesët e automjeteve dhe pajisjeve shtëpiake. Edhe tarifat dhe ndryshimet në mbrojtjen e konsumatorit kanë shtuar barrën financiare. Pagesat e tepërta nga kartat e kreditit dhe tarifat për shërbimet bankare po rriten, ndërsa të drejtat që ndihmonin konsumatorët gjatë vonesave të fluturimeve janë hequr.

Ndikimi politik i çmimeve të larta

Çmimet e larta dhe shërbimet e shtrenjta nuk janë çështje politike për t’u përdorur si propagandë; ato janë realitet që ndikon direkt në votuesit. Kur liderët politikë i injorojnë këto probleme, ata humbasin besimin e qytetarëve.

“Votuesit e dinë kur pagat e tyre nuk mjaftojnë dhe liderët u thonë të mos besojnë syve të tyre.”

Republikanët e kuptojnë se një mesazh i dobët dhe veprime të pamjaftueshme për përballueshmërinë mund të ndikojnë seriozisht në zgjedhjet e mesit të mandatit. Strategët si Tony Fabrizio këshillojnë që republikanët të përqendrohen tek çështje konkrete si ulja e çmimeve të ilaçeve dhe kujdesi shëndetësor, pasi votuesit duan të shohin rezultate reale, jo thjesht retorikë politike.

Ligjvënës të tillë si Sen. Josh Hawley propozojnë masa si zbritje tatimore për shpenzimet e sigurimeve, kufizime për çmimet e ilaçeve dhe rritjen e pagës minimale federale. Megjithatë, nuk është e qartë nëse këto masa mund të miratohen përpara skadimit të subvencioneve të Ligjit për Kujdesin e Përballueshëm (ACA) në janar, gjë që do të shkaktonte rritje të ndjeshme të primeve të sigurimeve shëndetësore për miliona amerikanë.

Rep. Jeff Van Drew thekson se çështja më urgjente për të përballuar përballueshmërinë është kujdesi shëndetësor, ndërsa rep. Dan Crenshaw thekson rëndësinë e kujtesës për votuesit se çfarë do të kishte ndodhur nëse republikanët nuk do të vepronin për të mbrojtur pagat dhe të ardhurat e tyre.

Përfundim: një sfidë për republikanët dhe qytetarët

Çështja e përballueshmërisë është bërë një pikë kyçe politike dhe sociale. Republikanët përballen me sfidën e ndërlikuar të kombinimit të mesazhit politik me veprime konkrete që lehtësojnë barrën ekonomike të qytetarëve. Ndërkohë, familjet amerikane ndjejnë çdo ditë pasojat e çmimeve të larta për ushqimet, karburantet, strehimin dhe shërbimet shëndetësore.

Shumë qytetarë e konsiderojnë realitetin ekonomik të papranueshëm, dhe nëse liderët politikë nuk adresojnë problemet konkrete, humbasin besimin e votuesve. 

Nga perspektiva politike, kjo çështje ka rëndësi vendimtare për zgjedhjet e mesit të mandatit. Republikanët duhet të tregojnë rezultate reale për uljen e kostove, përballueshmërinë e strehimit dhe kujdesin shëndetësor. Në të njëjtën kohë, qytetarët po përballen me një realitet të dhimbshëm dhe kërkojnë zgjidhje konkrete, jo propagandë politike.

Në këtë kontekst, përballueshmëria nuk është një mashtrim, as një “dredhi politike” — është një realitet që çdo familje amerikane e përjeton në karrocat e ushqimeve, faturat e energjisë, rinovimin e sigurimeve dhe kostot e strehimit. Si republikanët ashtu edhe qytetarët duhet të përballen me të, sepse votuesit e dinë çfarë është reale dhe do të votojnë në përputhje me realitetin e tyre ekonomik

Filed Under: Ekonomi

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 172
  • 173
  • 174
  • 175
  • 176
  • …
  • 2934
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • VATRA URON BESIMTARËT KATOLIKË: GËZUAR DHE PËRSHUMËVJET PASHKËT
  • Ndërroi jetë Agim Bardha, “Vatra” e “Dielli” ngushëllojnë familjen patriotike të Ekrem Bardhës për humbjen e vëllait
  • Dita Ndërkombëtare e Librit për Fëmijë – Magjia e Leximit
  • Shoqëria shqiptare ka nevojë të kujtojë dhe reflektojë…
  • Balshajt dhe Cërnojeviçët në territorin e Zetës së dikurshme…
  • Divorci prindëror dhe funksionimi akademik dhe social në adoleshencën e hershme (moshat 10–15): Një rishikim teorik zhvillimor-ekologjik
  • HOMAZH PËR SHQIPTARËT QË HUMBËN JETËN NË MASAKRAT E TIVARIT DHE DUBROVNIKUT
  • Kush ishin 12 Apostujt?
  • NATO dhe e ardhmja euroatlantike e Kosovës: Garancia e sigurisë dhe perspektiva strategjike
  • Basorelievi i Gjergj Kastrioti Skënderbeu në Castello de Monti, Pulia, një prani që tejkalon gurin dhe kohën
  • Noli në Asamblenë e Lidhjes së Kombeve
  • Një Moment Historik për Komunitetin Shqiptar në Chicago
  • Dom Kelmend Spaqi, in memoriam…
  • “Këngë të përshpirtshme të kolonive shqiptare në Sicili”- Giuseppe Schirò
  • “HEDH NJË KAFKË TE KËMBËT TUAJA”!

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT