• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

EQREM ÇABEJ DHE NORBERT JOKLI

September 8, 2025 by s p

(Ndërlidhje personale dhe shkencore)

Prof. Begzad Baliu/

Duke u marrë për një kohë të gjatë me jetën, sidomos me veprën e Profesor Eqrem Çabejt, më ka rënë të merrem njëkohësisht edhe me mësuesit, me konceptet shkencore, me shkollat, me fushat e studimit dhe më në fund me ambientet ku Çabej është përgatitur si personalitet shkencor. Përtej hulumtimeve të ngushta teorike, të cilat dalin si rezultat i hulumtimit të drejtpërdrejtë të veprës shkencore si fushë studimi, më ka interesuar edhe kronologjia historike e shkrimit të tyre në rrafshin e brendshëm, si dhe shkrimi i tyre në kontekst të studimeve albanologjike e ballkanologjike, që bëheshin atë kohë.

Prej hulumtimit dhe studimit të veprës së Çabejt, nuk është vështirë të shihet dhe të kuptohet se bazën e studimeve çabejane e përbën shkolla gjermane e studimit si teori dhe ajo austriake e ndërtimit si strukturë e organizimit. Profesor Çabej ka mësuar dhe është edukuar përgjithësisht prej emrave më të mëdhenj të shkencave evropiane dhe gjermane, por për shkak se ndërlidhjet e tij më të veçanta të natyrës personale dhe shkencore janë me Norbert Joklin, në këtë trajtesë i kam pasqyruar vetëm këta dy, sado që Jokli ishte mësuesi e Çabej nxënësi i tij.

Veçantitë

Çabej ishte shqiptar i njërit prej shteteve të fundit që po bëhej në Ballkan, ndërsa Jokli hebre nga Çekosllovakia, i një populli që i shpërndarë nëpër botë, mbahej peng i shtetit që nuk po arrinte ta vendoste aty ku e kishte krijuar mitin e tij të ringjalljes. Çabej, pas mbarimit të gjimnazit në Austri, megjithëse e kishte zgjedhur vendin dhe fushën e studimit (studime filologjike e letrare në Austri), për të zbatuar porosinë e të atit, u detyrua të regjistrohej një vit në fakultetin e mjekësisë në Romë, ndërsa Jokli, megjithëse kishte mbaruar fakultetin e drejtësisë –një si obligim moral i synimit politik për mbrojtjen e çështjes hebraike në botë, shpejt do t’i kthehet interesimit të tij për të mbaruar studimet në fushë të gjuhësisë.

Të dy gjuhëtarët, Jokli e Çabej, sado në kohë të ndryshme, do t’i takojnë shkollës austriake, ata me kohë do të bëhen zotërues të saj dhe vazhdimësi e përmasave të mëdha që ka dhënë kjo shkollë.

Baza kërkimore, kultura e gjerë e hulumtimit dhe gjeografia e shtrirjes, bashkë me metodat e rrepta shkencore që kërkonin rregullat e shkollës vjeneze Fjalët dhe sendet, i përshkojnë studimet e tyre, si mikro edhe si makrostrukturë. Profesor Çabej, tek Jokli kishte diktuar konceptin e traktatit monografik të qasjes së problemit, dhe këtë metodë do ta parapëlqejë me kohë, si në studimet gjuhësore ashtu edhe në ato letrare e etnofolklorike. Nëse për Joklin, kjo ka të bëjë jo vetëm me dy veprat kryesore, por edhe me njësi më të vogla, çfarë janë, bie fjala njësitë leksikore, për Çabejn kjo ka të bëjë me tema të caktuara në fushë të folklorit, të letërsisë dhe të gjuhës, e brenda saj. Le të kujtojmë këtu studimet me qasje monografike, për gjenezën e literaturës, detyrat e gjuhësisë shqiptare, eufemizmat, shumësin e emrave etj., të cilat sado nuk paraqesin vëllime të veçanta, në tërësinë e tyre paraqesin qasje të gjera të natyrës monografike.

Në këtë linjë, do të mund të shihnim edhe praktikën e shkrimit të veprave të tyre kryesore: Jokli, para se të shkruante “Fjalorin etimologjik të shqipes”, këtë vepër të panjohur, shkruan veprën bazë të saj “Studien zur albanesischen Etymologie und Wortbildung”, (“Studime mbi etimologjinë dhe fjalëformimin e shqipes”), me të cilën u habilitua më 1911, ndërsa Profesor Çabej para se të shkruante veprën madhore “Studime etimologjike të shqipes”, shkroi versionin e parë të veprës bazë “Studime etimologjike në fushë të shqipes”. Kur jemi këtu, do kujtuar edhe një element tjetër: sipas nxënësit të Joklit, Soltës, Fjalorin etimologjik të shqipes, Jokli e ka shkruar mbi “Fjalorin etimologjik të shqipes” të Gustav Majerit, përkatësisht mes rreshtave të anëshkrimit të tij, ndërsa sipas informacionit që kemi për Çabejn, rishkrimin e tezës së doktoratës së vitit 1933, e ka bërë me dorë mbi dorëshkrimin e disertacionit, përkatësisht mes rreshtave dhe anëshkrimit të dorëshkrimit të mbrojtur.

Prejardhja e popullit shqiptar dhe e gjuhës së tyre është njëra prej temave posaçërisht të rëndësishme dhe veçanërisht e trajtuar gjatë gjysmës së dytë të shekullit XIX dhe gjysmës së parë të shekullit XX. Sado që, ajo është stabilizuar, falë edhe punës së këtyre dy albanologëve më të mëdhenj të shekullit XX, ajo vazhdon të trajtohet edhe më tej, por kryesisht nën hijen e tyre.

Qasja kësaj teme, duke vënë paralele mes Joklit dhe Çabejt, është e rëndësishme jo vetëm për ndikimin e të parit mbi të dytin, por edhe për mënyrën se si është bërë ajo. Jokli me kohë kishte tejkaluar tezat mitike të prejardhjes së popullit shqiptar, të cilat ende i diskutonin postromantikët e vonuar, ndërsa Çabej, jo vetëm nuk i diskuton ato, por që në vitin 1936, do të tërheqë vërejtjen për mënjanimin nga diskutimi i kësaj teze. “Është koha që së paku në shkollë të mos mbushen trutë e nxënësve me hipoteza të mjegullta të mesit të shekullit të kaluar” (III), shprehej në hyrje të librit Elemente të gjuhësisë e të literaturës shqipe. Sigurisht për shkak se Çabej ishte nxënës i Joklit, ndonëse e ka diskutuar dhe e ka rrahur këtë problem, për më se një gjysmë shekulli dhe parimisht ka qenë ithtar i prejardhjes ilire të popullit shqiptar, shumë herë, deri në fund të jetës, nuk e ka eliminuar elementin trak. Prej veprës së parë Elemente të gjuhësisë e të literaturës shqipe, në të cilën shqipja radhitet në grupin e gjuhëve indoevropiane si “e bija e trakishtes dhe e ilirishtes”, e deri më fund të jetës së tij, Çabej ka vazhduar ta diskutojë prejardhjen e popullit shqiptar dhe të gjuhës së tij, pa e mënjanuar krejtësisht tezën trake, por gjithnjë duke e plotësuar me elemente të reja tezën ilire, e cila sikur shprehej Çabej “sipas gjendjes historike e gjeografike që na paraqitet, fondin themelor të popullit shqiptar pas gjase e përbëjnë ilirët”.

Nëse mendimi i Joklit për elementin trak të prejardhjes shqiptare, mund t’i detyrohet mësuesit të tij Paul Kretschmer, diskutimi i Çabejt mbështetet pa dyshim mbi respektin për Joklin.

Ndonëse është Mikloshiqi ai që vuri bazat e ballkanistikës, do të jetë Jokli, ai që do ta përcaktojë jo vetëm shkallën marrëse të shqipes, por edhe shkallën dhënëse të saj, dhe do të jetë Çabej ai i cili do të bëjë sintezën e saj. Pasqyra e studiuesve të kësaj problematike sipas Joklit brenda studimeve ballkanike duket kështu: Mikloshiq – Gustav Meyer – Meyer-Lübke – Pedersen, ndërsa Çabej e plotësonte këtë pasqyrë edhe me Joklin, ashtu sikur mund ta plotësojmë ne sot me Çabejn. Por, mbase pamja më e saktë do të sigurohej sikur të shihnim personalitetet e tyre referuese në studimet ballkanike dhe albanologjike, ndonëse nuk janë të një moshe.

Norbert Jokli, për fushën e fonetikës historike do t’i referohet Pedersenit, por për shkak se edhe ai do të sjellë rezultate të reja, bashkë me të arriturat në fushë të morfologjisë, dyfish do të jetë i referuar nga Çabej; për latinitetin ballkanik edhe Jokli edhe Çabej do t’i referohen Meyer-Lübkes; për marrëdhëniet sllave që të dy do t’i referohen Mikloshiqit; për etimologjinë, bazë do ta kenë Meyerin dhe do të kenë jo pak rezultate të përbashkëta për të mos thënë do të nxjerrin teza të përbashkëta; bazën e gjurmimeve dialektore-etnogjeografike dhe përgjithësisht leksikore të veriut të Shqipërisë, si Jokli ashtu edhe Çabej do ta vjelin nga Baron Nopça, ndërsa, baza dialektore dhe leksikore e dialektit jugor do të jetë kryesisht e ndryshme. Në fillimet e tyre Jokli dhe Çabej kanë bërë hulumtime në dy zona të skajshme: Jokli ka bërë hulumtime dialektore mbi të folmet e dialektit gegë në Shqipërinë verilindore, dhe do të shfrytëzojë Fjalorin e Ri të Gazullit për veriun dhe Fjalorin e Konstandin Kristoforidhit për jugun, ndërsa Çabej do të shfrytëzojë fjalësin e vjelë ndër arbëreshët.

Ndonëse që në çerekun e parë të shekullit XX teoritë gjuhësore për gjuhësinë ballkanike kishin marrë hov, me Sandfeldin dhe të tjerë, për ne është me interes të duket se si gjatë kësaj kohe Jokli i është përmbajtur rreptësisht shkollës gjermane dhe e ka avancuar atë edhe më tej, dhe sesi Çabej i është përmbajtur asaj rreptësisht gjatë gjithë jetës, pa u ndalur dhe hulumtuar teoretizime të reja.

Duke kujtuar kontributin e Joklit në fushë të studimeve albanologjike, Çabej, shkruan: “Jokli historinë e gjuhës shqipe me çështjet fonetike dhe leksikore të sajat, nuk e ka studiuar në një mënyrë të njëanshme e të izoluar, duke u kufizuar brenda caqeve të shqipes, po e ka trajtuar duke e pasur përherë parasysh gjendjen si na paraqitet te gjuhët që janë fqinje me shqipen. Marrëdhëniet e shqipes me gjuhët e tjera të Ballkanit janë një anë me rëndësi në metodën jokliane; përherë në të mbahet parasysh ç’ka marrë hua shqipja prej greqishtes (greqishtja e vjetër, e mesmja, e reja), serbo-kroatishtes, bullgarishtes e rumanishtes, dhe më anë tjetër, ç’u ka dhënë kjo atyre gjuhëve dhe dialekteve të tyre. Kështu gjurmimet e tij nuk i përkasin vetëm albanistikës; ato marrin karakterin e një vështrimi panballkanik, në kuptimin e Kristian Sandfeldit dhe në një fare vështrimi edhe të Gustav Majerit”.

Paralele të kërkimeve, në shikim të parë krejt formale, por si mikrostrukturë shumë të rëndësishme për studimet në fjalë, në mes Joklit dhe Çabejt, mund të gjenden edhe në mënyrën se si i janë qasur studimit të marrëdhënieve mes gjuhëve ballkanike. Le të shikojmë titujt që mbajnë studimet e mësuesit dhe nxënësit: Pak fjalë mbi disa elemente latine të fjalorit shqip (Jokli); Përmbi disa fjalë që nisin me –z, ose Histori fjalësh të sllavishtes e të shqipes (Çabej); Për historinë e diftonges shqipe –ua, -ue (Jokli); Për historinë e zanores ë në gjuhën shqipe (Çabej) etj. Pra, siç shihet edhe prej vetë titujve të tyre, në të gjitha rastet, fjala dhe elementet e saj kulturore, materiale, historike dhe gjeografike, si dhe struktura fonetike, morfologjike e semasiologjike bëhet objekt qendror i studimit, pavarësisht prej rezultateve që synohen.

Një element të rëndësishëm personal dhe shkencor mes Profesor Eqrem Çabejt dhe Joklit paraqet jo vetëm fakti se Çabej ka qenë kandidat për gradën e doktoratës, me të cilin, veç tjerash, ka mbajtur edhe një letërkëmbim personal e shkencor, por edhe fakti se si Jokli e ka përcjellë jetën dhe rezultatet shkencore të Çabejt. Duke iu referuar bibliografisë së Çabejt, të përgatitur me kompetencë nga Profesor dr. Jup Kastrati, ne kuptojmë se prej vitit 1933 e deri më 1940, Jokli ka shkruar trembëdhjetë recensione për veprat dhe madje studimet më të mira të Profesor Çabejt, vlerësimi i të cilave nuk mund të lidhet vetëm me obligimet e Joklit për buletinin Indogermanischen Jahrbuch. Përtej angazhimit të Joklit për bibliografinë shqiptare në përgjithësi, niveli i paraqitjes së Çabejt në këtë buletin tregon edhe interesimin për vlerësimin e zgjeruar që i bënte veprës së tij. Në anën tjetër, nuk e di a është e rëndësishme të thuhet, se nëse Jokli veprën e Çabejt e bëri objekt vlerësimi, Çabej veprën e Joklit gjatë gjithë jetës, me kujdesin më të madh, e bëri vepër studimi. Nëse Jokli, me mësimet e tij prej mësuesi dhe me vlerësimet e tij prej studiuesi, që u bëri nga fillimi veprave dhe studimeve të Çabejt, ishte shtytësi dhe mbrojtësi i parë i veprës së tij, Çabej gjatë gjithë jetës së tij, veprën e Joklit do ta ketë bërthamë të studimeve të veta.

Të kthehem edhe njëherë në fillim: Duke lexuar dhe rilexuar veprën e Çabejt dhe duke parë rezultatet e tij shkencore, kam mësuar se rezultatet e mëdha shkencore nuk arrihen nga një njeri dhe nga një brez studiuesish. Ato bëhen historike kur vlerat e tyre i provojnë njëri pas tjetrit mësuesi dhe nxënësi, aq më tepër kur ato i provojnë mësuesi dhe nxënësi që u takojnë dy brezave në vazhdim. Ata janë shembulli më i mirë se si duhet krijuar nxënësi dhe si duhet plotësuar mësuesi. Fjalën e kemi për një traditë të shkëlqyer dhe për shembullin se si duhet bërë ajo. Tradita e mësuesit dhe e nxënësit: Kreçmer – Jokli – Çabej etj., le, të jetë një shembull jo vetëm shkencor, por edhe kolegial se si duhet të organizojmë studimet albanologjike edhe sot.

Le të jetë kjo një prej arsyeve pse në këtë përvjetor kujtimi, veprës së Joklit dhe të Çabejt u jam qasur paralelisht: marrëdhënieve personale, të cilat u kujtuan këtu, dhe ndërlidhjeve, respektivisht koncepteve e rezultateve shkencore, të cilat duhet qasur paralelisht jo vetëm me temat e kapura, por edhe me bazën shkencore të tyre. Kur një ditë të kemi një pasqyrë të plotë të studimeve dhe rezultateve të shkollës austro-gjermane dhe kur brenda saj të veçojmë shumë rezultate të papërsëritura të Norbert Joklit, atëherë mendimi ynë për studimet çabejane do të jetë më i saktë dhe më i plotë. Hapat e parë tashmë janë bërë.

Sintezat e Profesor Shaban Demirajt për historinë e gjuhës e të prejardhjes së popullit shqiptar; Traktati i historisë së albanologjisë nga Profesor Jup Kastrati; sintezat dhe studimet e thelluara të Profesor Kolec Topallit e Rexhep Ismajlit në fushë të fonetikës historike; krahasimet dhe vlerësimet përimtuese të Profesor Idriz Ajetit, Profesor Petrit Kotrrit, të David Lukës e të Bardhyl Demirajt në fushë të etimologjisë etj., paraqesin rezultatet e para të këtij vlerësimi.

Filed Under: Komente

Aktiviteti më i madh kulturor në Amerikë

September 8, 2025 by s p

Me kënaqësi të madhe ju ftojmë të bashkoheni me ne në festivalin i 33-të shqiptar – 𝐴𝑘𝑡𝑖𝑣𝑖𝑡𝑒𝑡𝑖 𝑚ë 𝑖 𝑚𝑎𝑑ℎ 𝑘𝑢𝑙𝑡𝑢𝑟𝑜𝑟 𝑠ℎ𝑞𝑖𝑝𝑡𝑎𝑟 𝑛ë 𝐴𝑚𝑒𝑟𝑖𝑘ë!✨🇦🇱

𝐒𝐡𝐢𝐭𝐣𝐚 𝐞 𝐛𝐢𝐥𝐞𝐭𝐚𝐯𝐞 filloi më 𝟑𝟏 𝐠𝐮𝐬𝐡𝐭.

Mirë se vini në këtë mbrëmje të paharrueshme plot pasion për kulturën dhe traditat tona.

𝐉𝐮 𝐦𝐢𝐫ë𝐩𝐫𝐞𝐬𝐢𝐦 𝐦𝐞 𝐳𝐞𝐦ë𝐫!

🇦🇱
♥️
🇦🇱

Për Bileta Kontaktoni:

Ndreke Tonaj – (646) 261-3536,

Mark Berishaj – (914) 557-5010,

Lumi Rudaj – (914) 830-1019,

Petrit Grishaj – (347) 736-7099,

Gjergj Paloka – (646) 226-1457,

Tony Boga – (917) 807-0290

Filed Under: Kulture

Klerikët atdhetarë myslimanë, pjesë e rëndësishme e Rilindjes Kombëtare Shqiptare 

September 8, 2025 by s p

Nikollë Loka/

Rilindja Kombëtare Shqiptare është një nga periudhat më të ndritura të historisë sonë kombëtare. Ajo shënon ndërgjegjësimin, organizimin dhe përpjekjen e popullit shqiptar për vetëdije kombëtare, arsim, kulturë dhe më pas për liri politike. Në këtë proces të ndërlikuar dhe sfidues, krahas figurave të njohura intelektuale laike, një rol të padiskutueshëm kanë luajtur edhe klerikët myslimanë e të krishterë, por për veçoritë e vendit tonë, klerikët myslimanë shqiptarë, u ndodhën përballë sfidave dhe rezistencës së madhe, pasi u kundërshtuan nga autoritetet osmane dhe segmentet konservatore, por me qëndresën e tyre dhanë një kontribut të jashtëzakonshëm dhe të pamohueshëm në Rilindjen Kombëtare Shqiptare. Ata sakrifikuan pozitat dhe sigurinë e tyre brenda strukturave fetare për të promovuar arsimin në gjuhën shqipe dhe për të afirmuar identitetin kombëtar, duke sfiduar barriera fetare dhe politike që ndalonin zhvillimin e një arsimimi të lirë dhe kombëtar. Pjesëmarrja e tyre në përhapjen e alfabetit latin dhe në themelimin e shkollave shqipe tregon jo vetëm guxim dhe vizion për të ardhmen e popullit shqiptar, por edhe përkushtim të thellë ndaj çështjes kombëtare, duke u bërë kështu një shtyllë e rëndësishme e lëvizjes që shënoi pavarësinë dhe unitetin shqiptar.   

Narrativa e zakonshme e Rilindjes ka qenë shpesh e përqëndruar në figurat e lidhura me Perëndimin, me arsimin laik dhe me ideologjinë kombëtare të formësuar sipas modelit evropian. Kjo ka bërë që roli i klerikëve myslimanë, në shumicën dërmuese shqiptarë me arsim osman dhe shpesh me funksione brenda strukturave fetare islame, të lihet në hije. Megjithatë, historia faktike na tregon një realitet tjetër: pa kontributin e tyre, Rilindja Kombëtare nuk do të kishte pasur as frymëmarrjen, as zgjerimin që mori në masat e gjera popullore. 

Figura të shquara të klerit mysliman në shërbim të kombit  

Ymer Prizreni, Haxhi Zeka dhe Vehbi Dibra janë ndër klerikët që u shndërruan në personalitete madhore të historisë shqiptare, duke e tejkaluar rolin fetar për të ndikuar thellësisht në jetën politike dhe kombëtare të vendit. Ymer Prizreni, si figurë udhëheqëse e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, ishte një organizator dhe vizionar që punoi për autonominë e trojeve shqiptare brenda Perandorisë Osmane. Haxhi Zeka, gjithashtu pjesëmarrës në Lidhjen e Prizrenit dhe më vonë udhëheqës i Lidhjes së Pejës,  një patriot i vendosur që luftoi për bashkimin dhe mbrojtjen e tokave shqiptare. Vehbi Dibra, si kryetar i parë i Kuvendit Kombëtar në Vlorë më 1912 dhe autor i deklaratës së Pavarësisë, luajti një rol kyç në themelimin e shtetit shqiptar dhe në institucionalizimin e fesë islame në përputhje me interesat kombëtare. Të tre këta klerikë dëshmojnë se figura fetare mund të bëhet edhe udhëheqës kombëtar, duke i vënë dijen, autoritetin dhe influencën e tyre në shërbim të çështjes shqiptare. Këta klerikë e kuptuan se feja dhe kombi nuk janë në kontradiktë dhe se mbrojtja e identitetit kombëtar ishte edhe një akt fetar, një detyrë morale dhe shpirtërore ndaj bashkëkombësve të tyre. 

Klerikë të shquar myslimanë në mbrojtjen dhe zhvillimin e gjuhës dhe arsimit shqip 

Një nga fushat më të rëndësishme ku klerikët myslimanë dhanë kontribut është ruajtja dhe përhapja e gjuhës shqipe. Në një kohë kur shkrimi i shqipes ndalohej nga autoritetet osmane, shumë klerikë përdorën alfabetin arab për të shkruar shqip, duke krijuar literaturë fetare dhe arsimore në gjuhën amtare. Kjo ishte një formë e fshehtë dhe e zgjuar rezistence kulturore. Shembull domethënës është Hoxhë Tahsini, një filozof, astronom dhe reformator me përmasa evropiane, i cili në shekullin XIX i dha një impuls të madh arsimimit dhe emancipimit të shqiptarëve.

Në shumë raste,medresetë dhe teqetë shërbyen si qendra të edukimit dhe përhapjes së ideve kombëtare. Teqetë bektashiane, në veçanti, ishin ndër të parat që përkrahën hapur lëvizjen për gjuhën shqipe dhe pavarësinë. Por edhe brenda rrymës sunite, kishte mendimtarë dhe hoxhallarë që vepruan për të njëjtën kauzë.  Për klerikët atdhetarë myslimanë shqiptarë të Rilindjes,islamizmi nuk ishte pengesë për identitetin kombëtar, por një shtyllë që duhej harmonizuar me të. Kjo sintezë ishte e natyrshme për ta, pasi shumë prej tyre vinin nga popullata fshatare dhe qytetare shqiptare, që ndiente lidhje të forta me gjuhën, zakonet dhe historinë e vet. Ata e kuptuan se identiteti kombëtar nuk ishte në kundërshtim me besimin fetar, por një zgjatim i përkatësisë së tyre sociale dhe kulturore. Pikërisht kjo ndërgjegje i lejoi të bëhen ura lidhëse mes popullit dhe elitave politike të kohës. 

Një kontribut të rëndësishëm për zhvillimin e gjuhës shqipe dhe arsimin kombëtar kanë dhënë emra të njohur intelektualësh e personalitetesh, hartues të një numri alfabetesh dhe abetaresh të gjuhës shqipe, si Hoxhë Hasan Tahsini, Haxhi Hafiz Ali Korça, Hafiz Ali Ulqinaku, Daut Boriçi, Said Najdeni, Rexhep Tetova etj.

Hoxhë Hasan Tahsini (1811-1881), klerik dhe rilindas i shquar, ishte një ndër mendimtarët më të rëndësishëm të shekullit XIX, i njohur për kontributin e tij në hartimin e një alfabeti origjinal të gjuhës shqipe. Ai mori pjesë aktive në mbledhjet për alfabetin e përbashkët dhe kundërshtoi me argumente përdorimin e alfabetit arab për shqipen, duke theksuar nevojën për një alfabet fonetik dhe të pavarur nga ndikimet politike. Me formim të gjerë shkencor të përfituar në Paris dhe përvojë si rektor i parë i Universitetit të Stambollit, Tahsini solli një qasje moderne në çështjet e arsimit dhe gjuhës shqipe. Në shkrimet e tij, ai theksonte se mungesa e një alfabeti të përshtatshëm pengonte përparimin e kombit dhe përhapjen e dijes. Alfabeti i tij u përhap gjerësisht në Shqipëri dhe mbetet një dëshmi e përpjekjeve për afirmimin kulturor dhe kombëtar të shqiptarëve.

Daut Boriçi, klerik dhe rilindas nga Shkodra, ishte një figurë qendrore e arsimit shqiptar në shekullin XIX, duke shërbyer si mësues, inspektor arsimi dhe themelues i degës lokale të Lidhjes së Prizrenit. Ai është autor i tri abetareve shqipe me alfabet arabo-turk, ku abetarja e vitit 1861 është e para e botuar në Shqipërinë e Veriut dhe mbart vlera të mëdha gjuhësore, didaktike dhe kombëtare. Me veprën e tij, Boriçi tregoi se shqipja meriton alfabet të përshtatshëm dhe mësim në gjuhën amtare, duke vendosur themelet për arsimin kombëtar shqiptar.

Hafiz Ali Ulqinaku ishte klerik, mësues dhe dijetar, u shqua për kontributin e tij në arsimin dhe shkrimin e shqipes, duke e përdorur gjuhën amtare si mjet për përhapjen e dijes dhe parimeve islame. Ai hartoi një abetare shqipe me alfabet arab dhe tre fjalorë shqip-turqisht me rëndësi të madhe gjuhësore e kulturore, duke dëshmuar ndërgjegje të lartë atdhetare në shërbim të kombit. Në vargjet e tij, ai e shprehu qartë misionin e vet: t’u shërbente shqiptarëve në gjuhën e tyre për të nxitur dijen. 

Said Najdeni (1864–?) ishte një klerik, rilindës dhe patriot i shquar, i cili pasi përfundoi studimet e larta në Stamboll, u përkushtua me vendosmëri ndaj arsimit dhe përhapjes së gjuhës shqipe. Ai hapi disa herë shkolla shqipe në Dibër, hartoi abetaren “nde të folë gegënisht” me alfabetin e Stambollit dhe mbështeti alfabetin latin si më të përshtatshëm për shqipen. Me veprën e tij arsimore, gjuhësore dhe kombëtare, Najdeni mishëronte plotësisht idealet e Rilindjes Kombëtare Shqiptare. 

Hafiz Ali Korça ishte një prej figurave më të shquara të Rilindjes Kombëtare, i njohur si fetar, letrar, publicist dhe veprimtar i palodhur në shërbim të gjuhës dhe arsimit shqip. Në Kongresin e Dibrës (1909), ai propozoi zyrtarizimin e shqipes në shkolla dhe botoi në vitin 1910 një abetare me alfabetin e Stambollit dhe atë të Manastirit, duke treguar koherencë me zhvillimet gjuhësore të kohës.  

Rexhep Tetova (Hoxhë Voka), i lindur në vitin 1847 në Shipkovicë dhe i arsimuar në Stamboll, u bë një figurë e rëndësishme e Lëvizjes Kombëtare shqiptare dhe përkrahës i fortë i arsimit në gjuhën shqipe. Edhe pse ishte ithtar i alfabetit arab dhe botoi në vitin 1910 abetaren “Abeja shkip” me këtë alfabet, ai i dha përparësi përhapjes së dijes dhe arsimit shqip, duke e konsideruar atë si rrugë drejt përparimit kombëtar. Me veprat “Mendime”, “Gramatika elementare shqipe” dhe “Ilmihal i hollësishëm shqip”, ai shprehu bindjen se asnjë komb nuk përparon pa shkollim në gjuhën e vet amtare.  

Në raportet austro-hungareze theksohet roli i hoxhë Vildan Dibrës dhe hoxhë Ismail Hakiut, të cilët udhëtuan nëpër trevat shqiptare për të bindur popullin se alfabeti latin nuk binte ndesh me parimet islame dhe se shqiptarët duhej të ishin të bashkuar pavarësisht fesë. Këta hoxhallarë ishin pjesë aktive e Lidhjes Kombëtare për Mbarësinë e Shkollave Shqipe, e cila kishte për synim përhapjen e arsimit shqip dhe vepronte sipas një rregulloreje të hartuar nga Komiteti i Stambollit. Edhe pse kishte krerë fetarë që kundërshtonin alfabetin latin, një numër i madh prej tyre, si Hafiz Ali Korça dhe Hafiz Ibrahim Dalliu, e mbështetën këtë nismë si pjesë e Lëvizjes Kombëtare. Kjo dëshmon se shumë klerikë myslimanë luajtën një rol pozitiv në procesin e unifikimit të alfabetit të gjuhës shqipe në vitin 1908. 

Nga hulumtimet e deritanishme, siç u evidentua dhe më sipër, klerikët myslimanë shqiptarë në periudhën e Rilindjes Kombëtare kanë luajtur një rol të rëndësishëm për shkrimin, mësimin dhe përhapjen e gjuhës shqipe. Për këtë, tregues i qartë është fakti se një alfabet origjinal me gërma latine, siç ishte ai i Hoxhë Hasan Tahsinit, dhe gjashtë abetare të gjuhës shqipe mbajnë autorësinë e këtyre klerikëve. Pa folur pastaj për libra, fjalorë, tekste mësimore dhe ndikimin e madh që ato patën për zhvillimin e gjuhës shqipe. Ata u bënë promotorë të përhapjes së diturisë dhe ndërgjegjësimit kombëtar në një kohë kur mësimi i shqipes përballej me pengesa të shumta. Duke i përdorur shkollat, xhamitë dhe institucionet fetare si qendra arsimore, ata kontribuan në ruajtjen e identitetit kombëtar përmes gjuhës. Përkushtimi i tyre ndaj arsimit në gjuhën amtare tregoi se feja dhe atdhedashuria mund të ecin krah për krah në shërbim të përparimit kombëtar.

Filed Under: Opinion

SHQIPTARËT, OLIGARKIA MAQEDONASE DHE SFIDAT E MARRËVESHJES SË OHRIT

September 8, 2025 by s p


(Maqedonia, 34 vite pas pavarësisë)

Integrimi nuk është vetëm një proces teknik i përafrimit me standardet e BE-së; ai është një proces i brendshëm transformues, që kërkon prishjen e monopoleve oligarkike dhe ndërtimin e një kontrate të re shoqërore mbi themelet e Marrëveshjes së Ohrit. Prandaj, momenti historik që ka përpara Maqedonia është më tepër se një sfidë politike: është një provë ekzistenciale. Zgjedhja është e qartë: ose të përqafohet fryma e Marrëveshjes së Ohrit si themel i një shtetësie të drejtë dhe gjithëpërfshirëse multietnike, ose të rikthehet logjika e përjashtimit dhe e oligarkisë që ka prodhuar krizë dhe stagnim.

Nga Prof. dr. Skënder ASANI

Me shpalljen e pavarësisë së Maqedonisë në fillim të viteve ’90, u hap një rrugëtim i ri shtetformues, i cili, në vend që të mbështetej mbi parimet e demokracisë liberale dhe barazisë qytetare, u orientua drejt centralizimit të pushtetit dhe unitarizmit politik-kulturor. Ky unitarizëm, i konceptuar si bazë për konsolidimin e identitetit shtetëror maqedonas, u shoqërua me privatizimin selektiv të kapitalit shoqëror, duke prodhuar një oligarki ekskluzive maqedonase. Kjo oligarki jo vetëm që monopolizoi sistemin bankar dhe sektorët strategjikë të ekonomisë, por krijoi edhe një regjim politik të brendshëm, ku pushteti alternohej mes dy blloqeve maqedonase, pa cenuar kurrë interesat e përbashkëta të elitës dominante.

Ky konfigurim u shoqërua me përjashtimin sistematik të shqiptarëve nga proceset ekonomike, politike dhe institucionale. Oligarkia maqedonase, nëpërmjet lidhjeve të saj me qarqet ekonomike e shtetërore serbe, projektoi një strategji të heshtur të margjinalizimit të shqiptarëve, duke e shoqëruar këtë me retorikë përjashtuese dhe diskurs politik që i përkufizonte ata si “të huaj” brenda shtetit. Një qasje e tillë jo vetëm që dëmtoi perspektivat e brendshme të zhvillimit, por bllokoi për një kohë të gjatë edhe proceset integruese euro-atlantike.

Marrëveshja Kornizë e Ohrit (2001) solli një përmbysje paradigmatike. Ajo u shndërrua në dokumentin themelor të barazisë qytetare dhe bashkëjetesës ndëretnike, duke hapur horizonte të reja për integrimin euro-atlantik dhe për pjesëmarrjen e barabartë të shqiptarëve dhe komuniteteve tjera në jetën institucionale dhe ekonomike të vendit. Megjithatë, implementimi i saj mbeti i ndërlikuar dhe shpeshherë i shoqëruar me tensione, kryesisht për shkak të rezistencës së oligarkisë maqedonase, e cila synonte ta relativizonte frymën e saj. Çdo avancim i shqiptarëve në institucionet shtetërore interpretohej si kërcënim ndaj dominimit të mëparshëm, duke prodhuar mekanizma të rinj të pengesave politike dhe administrative.

Një ilustrim i qartë i kësaj dinamike u pa pas Marrëveshjes së Prespës (2018). Mbështetja ndërkombëtare që gëzonte qeveria e atëhershme nuk u përdor për konsolidimin e Marrëveshjes së Ohrit dhe përmbylljen e ciklit integrues, por u instrumentalizua nga oligarkia maqedonase për tentimin e ridizajnimit të rendit kushtetues, me qëllim zbehjen ose relativizimin e Marrëveshjes së Ohrit. Tentativa për ndryshimin e preambulës së Kushtetutës ishte vetëm një prej formave konkrete të kësaj tendence, ndërsa marrëveshjet e fshehta ndërmjet dy partive kryesore maqedonase synonin margjinalizimin e faktorit politik shqiptar që kishte dalë nga lufta e vitit 2001.

Strategjia ishte e qartë: nga njëra anë, fragmentarizimi i skenës politike shqiptare për të ulur fuqinë e saj negociuese; nga ana tjetër, përdorimi i retorikës nacionaliste për të stigmatizuar subjektet politike shqiptare si forca me prirje separatiste. Kjo logjikë synonte krijimin e një terreni të favorshëm për relativizimin e Marrëveshjes së Ohrit dhe për zhvendosjen e vëmendjes drejt temave artificiale, siç ishte çështja me Bullgarinë, e cila shpesh shërbeu vetëm si alibi për të shmangur obligimet e brendshme të barazisë.

Në Maqedoninë e Veriut, Prokuroria Speciale Publike, e menduar si një instrument i drejtësisë tranzicionale dhe i pastrimit të jetës politike nga korrupsioni, u bë objekt i një operacioni të sofistikuar të oligarkisë vendore, e cila me mekanizma të padukshëm, por të sinkronizuar, arriti ta minojë nga brenda dhe ta bëjë të paefektshme. Ky rrënim nuk ndodhi rastësisht, por ishte pjesë e një strategjie të heshtur për të mbrojtur interesat e rrjeteve të ngulitura ekonomiko-politike, të cilat e perceptonin këtë organ si rrezik ekzistencial për status quo-në. Megjithatë, ndërhyrja e tillë nuk mbeti pa pasoja, sepse disa prej aktorëve që udhëhoqën këtë proces u ekspozuan në arenën ndërkombëtare dhe u gjendën në listat e zeza të shteteve partnere që fillimisht e kishin mbështetur këtë projekt si shpresë për një kapitull të ri të sundimit të ligjit në vend. Në këtë mënyrë, me këto akte Maqedonisë i mbytet perspektiva dhe kjo paraqet ndërhyrjen më të drejtpërdrejtë të oligarkisë për të penguar ecjen e shtetit në proceset eurointegruese, duke e shndërruar vendin në një realitet me sisteme paralele, ku hijet e interesave private mbizotërojnë mbi dritën e ligjit dhe të demokracisë. Sepse sundimi i ligjit dhe ndërtimi i shtetit ligjor janë ndër kushtet bazë të integrimit evropian, sabotimi i këtij projekti nga oligarkia nuk është gjë tjetër veçse një veprim i qëllimshëm për të ngadalësuar integrimin e vendit në BE, duke sakrifikuar interesat strategjike të shtetit vetëm për të ruajtur privilegjet e saj të ngushta.

E gjithë kjo u reflektua edhe disa muaj pas zgjedhjeve, kur ishte paralajmëruar një takim ndërmjet kryeministrit dhe liderit të opozitës maqedone, i cili vetëm pak ditë më parë akuzohej nga institucioni shtetëror për antikorrupsion për krim të organizuar, por një ditë pas këtij takimi i njëjti institucion publikoi kumtesë se të gjitha procedurat ndaj tij ndërpriteshin. Pas kësaj drame të dy liderëve të dy partive maqedone, pasoi cënimi i neneve themeltare të Marrëveshjes së Ohrit, ndërsa nga partia opozitare, e cila ndër vite kishte ndërtuar narrativën e saj mbi shtetformimin dhe multietnicitetin, u shfaq një heshtje totale, që në vetvete dëshmon se kur cënohet Marrëveshja e Ohrit, më shumë mbizotëron kalkulimi politik sesa obligimi ndaj kontratës shoqërore mbi të cilën është ndërtuar vetë shteti.

Kjo logjikë politike, e artikuluar sidomos nga VMRO-DPMNE me diskursin e saj të ashtuquajtur “vtoro poluvreme” (pjesa e dytë e lojës) dhe me moton e fushatës zgjedhore të vitit të kaluar “Për rikthimin e shtetit”, dëshmoi se oligarkia maqedonase e sheh Marrëveshjen e Ohrit jo si akt themelor të shtetësisë së re, por si pengesë për ruajtjen e privilegjeve të saj. Në këtë kuptim, sfida e vërtetë për Maqedoninë nuk qëndron vetëm te kontestet bilaterale me fqinjët, por para së gjithash te rezistenca e brendshme ndaj zbatimit të plotë të Marrëveshjes së Ohrit.

Në horizontin ekonomik të Maqedonisë po shfaqet një realitet i mbështjellë me shumëshmëri pyetjesh, ku hyrja e miliardave në formë huash shfaqet si një shpresë e jashtme për stabilitet financiar, por njëkohësisht ngre dilema të brendshme mbi origjinën dhe destinacionin e këtyre fondeve; sepse përtej fasadës së zhvillimit dhe integrimit ekonomik, lind pyetja nëse këto mjete janë thjesht një instrument i financimit ndërkombëtar, apo ndoshta një mekanizëm i rafinuar i oligarkisë vendore për të zyrtarizuar dhe legjitimuar kapitalin e grumbulluar në mënyra të padukshme, duke e veshur me petkun e huave shtetërore; një dilemë që kërkon një qasje të mençur, jo vetëm për të ruajtur sovranitetin financiar, por edhe për të shmangur shndërrimin e shtetit në një platformë ku kufiri midis interesit publik dhe interesit oligarkik zbehet deri në pikën e padallueshme.

Nëse Maqedonia aspiron realisht të bëhet pjesë e Bashkimit Evropian, ajo duhet të kuptojë se Marrëveshja e Ohrit nuk është thjesht një marrëveshje e brendshme e vitit 2001, por një kontratë politike dhe shoqërore mbi të cilën është ngritur legjitimiteti i këtij shteti multietnik. Çdo tentativë për ta relativizuar atë është, në thelb, tentativë për të minuar themelet e bashkëjetesës dhe për ta rikthyer vendin në spiralen e krizave të viteve ’90. Shqiptarët, me kontributin e tyre politik dhe historik, janë jo vetëm partnerë, por edhe garantë të stabilitetit dhe orientimit euro-atlantik të vendit. Vetëm përmes afirmimit të barazisë reale, përfshirjes së plotë institucionale dhe ndarjes së drejtë të përgjegjësive shtetërore, Maqedonia mund të shndërrohet në një shtet funksional, demokratik dhe evropian.

Integrimi nuk është vetëm një proces teknik i përafrimit me standardet e BE-së; ai është një proces i brendshëm transformues, që kërkon prishjen e monopoleve oligarkike dhe ndërtimin e një kontrate të re shoqërore mbi themelet e Marrëveshjes së Ohrit.

Prandaj, momenti historik që ka përpara Maqedonia është më tepër se një sfidë politike: është një provë ekzistenciale. Zgjedhja është e qartë: ose të përqafohet fryma e Marrëveshjes së Ohrit si themel i një shtetësie të drejtë dhe gjithëpërfshirëse multietnike, ose të rikthehet logjika e përjashtimit dhe e oligarkisë që ka prodhuar krizë dhe stagnim. Vetëm duke vendosur mbi barazinë reale të qytetarëve dhe mbi kontratën e re shoqërore, Maqedonia mund të dalë nga hija e tranzicionit dhe të projektohet si një shtet evropian, i barabartë dhe i qëndrueshëm. Kjo nuk është vetëm një kërkesë e shqiptarëve; është kushti themelor për vetë mbijetesën dhe ardhmërinë evropiane të Maqedonisë.

Shkup, 8 shtator 2025

Filed Under: Politike

Viti i ri shkollor në QKSHA–Struga po vjen me shumë risi!

September 8, 2025 by s p

Ftojmë të gjithë fëmijët dhe prindërit të regjistrohen dhe të bëhen pjesë e misionit tonë për ruajtjen dhe zhvillimin e gjuhës dhe kulturës shqipe.

🤝 Bashkohuni me ne dhe dhuroni fëmijëve tuaj një përvojë të pasur arsimore e kulturore.

Regjistrohu ➡️https://forms.gle/BLH7ZPKdHkfGnHex5

✨ Ju mirëpresim me dashuri dhe përkushtim!

Filed Under: Mergata

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 178
  • 179
  • 180
  • 181
  • 182
  • …
  • 2778
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • “Shënime për historinë antike të shqiptarëve”*
  • Si funksionon sistemi juridik në Shqipëri dhe pse ai ka nevojë për korrigjim?
  • Emisionet postare festive të fundvitit në Kosovë
  • JAKOBSTADS TIDNING (1939) / MBRETI ZOG, SHUMË BUJAR ME BAKSHISHE. — EMRI I TIJ NUK DO TË HARROHET KAQ SHPEJT NGA PRONARËT DHE PERSONELI I HOTELEVE NË VARSHAVË.
  • HAFIZ SHERIF LANGU, DELEGATI I PAVARËSISË TË CILIT IU MOHUA KONTRIBUTI PËR 50 VJET ME RRADHË, KLERIKU DHE VEPRIMTARI I SHQUAR I ÇËSHTJES KOMBËTARE
  • RIPUSHTIMI I KOSOVËS – KUVENDI I PRIZRENIT 1945
  • Nikola Tesla, gjeniu që u fiksua pas pëllumbave dhe u dashurua me njërin prej tyre
  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare
  • Në sinoret e Epirit…
  • Mbrëmë hyri në fuqi Ligji i SHBA për autorizimin e mbrojtjes kombëtare
  • Skënderbeu “grek”, ose si të bëhesh grek pa e ditur
  • A historic moment of pride for the New Jersey Albanian-American community

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT